Letër prekëse e bashkëshortes së Irfanit, berberit të arrestuar në Kumanovë

berberiBashkëshortja e Irfan Lutfiut, berberit nga Kumanova që po akuzohet për terrorizëm nga ana e policisë, ka shkruar një letër prekëse ku apelon të lirohet bashkëshorti i saj, për të cilin thotë se është i pafajshëm. Letra është shkruar me shumë gabime, mirëpo emocionet dhe gjendja e rëndë e familjes vërehet qartë.

Ja letra e shkruar:

Mirmëngjesi të nderurar, kudo qe e shihni un quhem Ekreme Lutfiu jamë bashkëshortja e Irfan Lutfiut jam nen e dy djemve, Drilonit 4 vjecar dhe Limanit 1 vjecar burri jem osh i burgosur nuk nuk kom qe ne dijeni per as gje te gjith familjaret tan kishin qet te burgosur o popull ku jeni burri im esht me profesion berber shtoren e ka nshtepi krejt e njohin apeloj se jam shum e shqetsume prej te shtunen un nuk kam gjum ne sy as djali mka mar tram um kur e ka pa irfanin ne te tv k 5 i thojshin qe esht terorist o tmerrr ku jeni o shqiptar ka shum te burgosur nga familja ime te malltretuar gra e pleq fmi fainjet e mi po thojn se shum familje nuk dihen se ku jan si familja seferi e shum te tjer un jom nje nene apeloj te ngrihemi te gjith se bashku ne kemb mos te biem ne grackat e skllavo maqedona sve se krejt fajet i ka qaj kryeministri e politikant pse spo marrin masa un njeher mora lajm qe ma kan vra burrin dhe vjerrin ai pat mediumet sa polic ka pas krejt me blinda i kan frigu te gjith femit gra e pleq naj kan djegur shtepit o shka oj zi boll naj vrave gra fmi ju kisha apelu mos e jepni kombin ton edhe ata luftetar qe e flijuan jeten me ne boll shkau na ka vra un jom edhe mbes e deshmorit te 91 ajdin tahiri ma kan vra serbet boll mo me tortura krejt fajet i kan qeveritart ato po don mos me ju dal ne shesh se qka i kan be vllerzerve tan sopotasve vrasjes se pes fisht qe ei moren shqiptart. Bolll mo na keni torturu un nuk dorzona deri ne piken e fundit sat te lirohet burri im se osht i pa fajshem dhe familjart e mi lutfiu fejzulllau fqinjet e mi un dua te ngrihemi te gjith ne protest dhe un dote vi ne deklarat vetem te alsat se vetem atyre ju besoj ne te gjith jemi te pa fajshem mos na torturoni ju lutna se naj kan traumatizu fëmit “, thuhet në letrën e bashkëshortes së Irfan Lutfiut. (INA)

Kush po e prish Maqedoninë?

Letër publike për Ministren e Brendshme Jankullovska!

Nga Blendi Fevziu,

Emisioni “Opinion” – Tv Klan Tiranë

Zonja Ministre e Republikës së Maqedonisë,

 

Nuk jam nënshtetas i republikës suaj, por si njeri që ndan të njëjtën kombësi dhe gjak me popullatën e terrorizuar të Kumanovës, si një gazetar që i ka ndjekur zhvillimet në Maqedoni që në 1992 dhe si njeri që befasohet nga heshtja e liderëve politikë të Maqedonisë, qofshin këta edhe shqiptarë, doja t’ju drejtohesha drejtpërdrejtë me disa pyetje.

Pyetje që në këtë moment më duken tejet të rëndësishme për të kuptuar mënyrën e funksionimit të Ministrisë suaj dhe Republikës së Maqedonisë. Si e shpjegoni që një operacion kundër disa terroristëve që kërcënonin rendin kushtetues në Maqedoni zhvillohet në mes të një lagjeje të populluar, pa asnjë paralajmërim dhe pa evakuar më parë popullsinë civile!? Nuk qenë terroristët ata që nisën aksionin, gjë që do ju detyronte të përgjigjeshit, por ju! Dhe e nisët në një lagje me 40 mijë banorë. Ju jeni juriste.

Në cilin vend të globit goditet me të gjitha llojet e armëve kundër një lagjeje të tërë, në godinat e dritaret e së cilës jetojnë njerëz të pafajshëm, pleq e fëmijë që janë ende sot tejet të terrorizuar! Asnjë regjim barbar nuk do ta bënte këtë pa evakuar më parë civilët. Si mund të ndërhyhet në një zonë të banuar, pa mësuar më parë se sa persona ka grupi terrorist dhe sa armë ka ai në dispozicion? Dje deklaruat se nuk e prisnit që ata të kishin aq shumë armë?! Po nëse ata do të kishin me vete dhe do aktivizonin lëndë plasëse, a e mendoni që bilanci do të ishte tragjik dhe jetë të pafajshme do blatoheshin për t’i dhënë më shumë madhështi operacionit tuaj?!

Duke filluar një sulm me popullatën aty, a menduat ju zonjë që terroristët mund të merrnin pengje dhe gjendja të bëhej më dramatike!? A e mendoni që kjo mund të kthehej në një histori të frikshme nga ato që Ballkani, me gjithë krimet e tij, nuk ka parë aq shumë? Së dyti, si hynë këta terroristë në Maqedoni? Kur e morët këtë informacion? Përse nuk u ndaluan që në fillim, por u lanë të depërtojnë në mes të një lagjeje të populluar?! Si i futën armët e rënda aty dhe përse policia juaj kaq e gatshme të qëllonte në mes të qytetit nuk ishte në gatishmëri gjatë gjithë kohës që ata u transferuan aty? A mendoni që 22 viktima, banorë civilë apo policë, kanë humbur jetën prej një operacioni që më shumë duket se synon bujën mediatike dhe trembjen e popullatës se sa eliminimin e një grupi terroristësh.

Personalisht jam kundër çdo grupi që synon destabilizimin me armë; jam kundër atyre që bëjnë dhunë, por kam vetëm një pyetje për ju: a do të ndodhte kjo nëse ai grup do të gjendej në një lagje të banuar me maqedonas? Thënë ndryshe, a vlen zonjë për ju jeta e një qytetari të etnisë shqiptare sa ajo e një qytetari të kombësisë maqedonase? A kanë të njëjtën vlerë jetët e njerëzve në Republikën Multietnike të Maqedonisë. Përgjigjen po jua jap vetë: Druaj se jo!

Gjatë gjithë ditës dje jam munduar të kuptoj atë që po ndodhte. Nuk mund t’i jepja shpjegim sjelljes suaj, veçse duke thirrur në ndihmë disa përgjime telefonike në të cilat ju shprehnit lirshëm konsideratat tuaja për shqiptarët. Janë konsiderata nga ato që ndahen në biseda mes miqsh, të lirshme, në konfidencë dhe shumë të ndryshme e më të sinqerta se sa ato që deklarohen në konferenca mbi bashkëjetesën etnike. Ju dëgjova që i quanit shqiptarët “indianë” (duke ju referuar popullsisë indigjene native të Amerikës së Veriut) dhe “fis i egër”!

Kam mbetur shumë i befasuar, i zhgënjyer, por edhe tejet shpërfillës. E dini përse? Sepse gjithë konstatimi juaj ishte paragjykim, paragjykim i pastër që të çon fare thjesht në racizëm. Dua t’ju them zonjë se nëse nuk e keni mësuar ndonjëherë në shkollë, paragjykimi është vula identitare e injorantit! Më vjen keq për injorancën e shprehur në këtë rast, por po ju bëj me dije disa gjëra që në çdo vend të botës do kishin ngritur peshë opinionin intelektual.

Të identifikosh shqiptarët me “indigjenët e Amerikës” do të thotë të revokosh sjelljen ndaj tyre. E dini cila ishte sjellja ndaj tyre? Zaptimi i territoreve, përzënia me dhunë nga trojet e tyre, shfarosja dhe izolimi. Marzhinalizimi i plotë në shoqëri, për t’i përjashtuar nga çdo gjë. A besoni zonja Ministre se kjo do të ishte sjellja më e mirë ndaj shqiptarëve dhe a është ky krahasimi i duhur nga një Ministre e një Republike që pretendon të ngrihet mbi marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe barazinë e të gjithë shtetasve të saj?

Nëse keni pasur parasysh këtë, jeni shumë e gabuar! Shqiptarët janë element shtetformues në Maqedoni dhe ai shtet nuk do të mund të quhet kurrë i tillë nëse ju do mendoni dhe jo të tentoni t’i përjashtoni nga të drejtat e tyre. Kam qenë në Maqedoni në Marsin e 2001 dhe e kam parë se këtë vendim nuk e keni marrë me dëshirë, por me imponim. Nëse nuk do dini të ngrini një shtet multietnik, ky është dështimi juaj. Së dyti, ju siguroj se sjellja ndaj “indigjenëve të Amerikës” mbetet ende turpi historik i atij vendi.

Sot vetë amerikanët kanë dënuar njëzëri politikat e 200 viteve më parë dhe çdo fjalë që do revokonte me entuziazëm ato do konsiderohej marrëzi dhe do ndëshkohej rëndë. Së fundi, në bisedat tuaja flitet në mënyrën më shpërfillëse të mundshme për ligjin dhe abuzimin me të. Unë që kam njohur regjimet totalitare, e di shumë mirë, se për autoritarizmin Ligji është veç një shprehi dhe asgjë më shumë. Në demokraci, ligji është ai që rregullon gjithçka. Shkelja e tij dhe vetëm e shkelja e tij mund të kufizojë lirinë tënde.

Dhe shkelja e ligjit, nuk tolerohet asnjëherë, sado vonë që të jetë. Ju e dini se nazistë që kanë shkelur ligjin 70 vjet më parë vijojnë të dënohen ende sot! Sepse ndëshkimi për shkelësit e ligjit nuk mungon asnjëherë. Si përfaqësues i këtij “fisi të egër”, “indigjenësh” dhe si njohësh shumë i mirë i historisë së Ballkanit ju siguroj se të gjithë abuzuesit e ligjit në këtë gadishull kanë përfunduar në burg; se të gjithë ata që kanë përçmuar etnitë e tjera e kanë çuar popullin e tyre në luftë dhe në katastrofë dhe se të gjithë ata që kanë besuar shumë në fuqinë dhe pushtetin e tyre të pakufizuar, kanë qenë viktimat e para të shembjes së tij!

Ka ende një mundësi që ju të rrëfeni se jeni realisht për një Republikë të vërtetë multietnike të Maqedonisë: t’ju kërkoni falje shqiptarëve për atë që keni thënë; të bëni transparencë për atë që ka ndodhur në Kumanovë dhe të lini drejtësinë të hetojë realisht.

Nëse kjo nuk do ta bëjë sot, do ta bëjë nesër dhe për ju do të jetë shumë vonë!

Pa asnjë lloj respekti për ju, si për çdo shkelës të ligjit.

Mediet maqedonase publikojnë emrat e 28 të arrestuarve në Kumanovë

arestuaritMediet maqedonase, duke iu referuar burimeve nga Ministria e Brendshme, raportojnë se janë arrestuar 4 nga 5 drejtuesit e supozuar të grupit të armatosur në Kumanovë.

Edhe pse policia, zyrtarisht nuk ka dhënë ende emrat e të arrestuarve, mediet kanë publikuar emrat e 28 nga 30 personat e arrestuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndër të arrestuarit janë Muhamed Krasniqi, i njohur si “komandant Malisheva”; Beg Rizaj, “komandant Begu”; Sami Ukshini, “komandant Sokoli”; dhe Demë Shehu, i njohur si “Juniku”. Të katër këta janë nga Kosova.

I vetmi, për të cilin deri tani nuk ka të dhëna nëse është arrestuar apo jo, është Mirsad Ndrecaj, i njohur si “komandant NATO”.

Mes të arrestuarve janë edhe 10 shqiptarë të Maqedonisë, kryesisht nga Kumanova, por edhe nga Tetova, Haraçina e Breza. Po ashtu, të paktën 12 persona të tjerë të arrestuar, përveç liderëve të grupit, janë nga Kosova. Njëri është nga Shqipëria, ndërsa për një tjetër mësohet vetëm se ka pasur edhe nënshtetësi gjermane.

Menjëherë pasi Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni publikoi emrat e disa qytetarëve të Kosovës, që janë arrestuar, por edhe të tjerë, që janë në arrati e që dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet e fundit në Kumanovë, institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë skanimin e shtetasve kosovarë të publikuar nga Shkupi zyrtar.

Top Channel ka parë një raport me emrat e disa prej shtetasve kosovarë, që kanë qenë të përfshirë në luftimet në Kumanovë, si dhe të kaluarën e tyre penale në Kosovë. Në raportin e hartuar nga inteligjenca kosovare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, shkruhet se personi Beg Riza, i lindur më 25 Dhjetor 1977, në fshatin Prekolluk të Deçanit, ka pasur precedentë kriminalë.

Sipas raportit, në cilësinë e të dyshuarit ai ka qenë i përfshirë në tri raste të ndara për posedim ilegal të armëve, pastaj është hetuar dhe akuzuar nga Prokuroria për pengmarrje dhe krim të organizuar. Për të gjitha këto raste, ai është trajtuar nga Prokuroria në Kosovë.

Mirsad Ndrecaj, sipas raportit konfidencial ka dy raste penale. Njëri për lëndim trupor, ku është dënuar me gjobë, si dhe tjetri për kanosje, ku është raportuar në Prokurori.

Sami Ukshini po ashtu ka qenë i akuzuar në Prokurori për vepren penale të “detyrimit” (haraç, ryshfet) dhe për lëndim trupor.  Edhe Demë Shehu ka qenë i akuzuar në Prokurori për posedim të armëve, kërcënim dhe rrëmbim personi.

Për shtetasit e tjerë kosovarë, të arrestuar nga autoritetet maqedonase, institucionet e sigurisë në Prishtinë nuk kanë informacione, nëse kanë pasur ndonjë precedent penal.

Të arrestuarit sipas medieve maqedonase:

Andi (Muhamed) Krasniqi, “Komandant Malisheva”, Kosovë
Begë Bajra (Riza), “Komandant Begu”, Kosovë
Sami Ukshini, “Komandant Sokoli
, Kosovë
Demë Shehu, “Komandant Juniku
, Kosovë
Kenan Iseni – Kumanovë, Maqedoni
Fadil Fejzullahu – Kumanovë, Maqedoni
Irfan Lutfiu – Kumanovë, Maqedoni
Arsim Bajrami – Kumanovë, Maqedoni (i supozuar si polici nga Vaksinca)
Lirim Demiri – Kumanovë, Maqedoni
Nasuf Beqiri – Haraçinë, Maqedoni
Nexhmedin Lika – Tetovë, Maqedoni
Sevdail Miftari – Kumanovë, Maqedoni
Fejzullah Rushitovski – Brezë, Maqedoni
Besnik Ajdini – Kumanovë, Maqedoni
Fadil Elshani – Kosovë
Esat Kafexholi – Kosovë
Ardjan Bujari – Kosovë
Shefqet Avaqi – Kosovë
Ajrush Avdia – Kosovë
Betim Kartashi – Kosovë
Lendrit Rustemi – Kosovë
Rufki Dogani – Kosovë
Valdet Zekaj – Kosovë
Bajram Elshani – Kosovë
Lirim Krasniqi – Kosovë
Fatmir Reçica – Kosovë
Genci Sefa – Shqipëri
Enver Klain (me nënshtetësi gjermane)
/ Top Channel

Ministria e Brendshme e Maqedonisë publikon një tjetër video nga përleshjet në Kumanovë

Ministria e Brendshme e Maqedonisë publikoi një video të re rreth 4 minuta të gjatë, ku sipas saj shihet një pjesë e luftimeve mes forcave speciale dhe ‘grupit të armatosur’ në Kumanovë.

 

Në videon e publikuar shihen forcat maqedonase të sigurisë teksa shkëmbejnë zjarr në drejtim të pozicioneve, sipas Shkupit zyrtar, “të pjesëtarëve të grupit terrorist”. / Top Channel

Fërçkoski: Konflikti në Maqedoni s’ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”

shtepi kumanove 1Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Lubomir Fërçkoski, ka analizuar për Radion Evropa e Lirë zhvillimet në Maqedoni, veçmas prapavijën e konfliktit të armatosur në Kumanovë, dhe ka akuzuar Qeverinë në Shkup për nxitje të tensioneve etnike. Ai thotë se e gjitha është çështje e brendshme e Maqedonisë dhe se nuk ka të bëjë asgjë me fqinjët.

Radio Evropa e Lirë: Në Serbi, gazetat kanë dalë me titujt: “Shqipëria e Madhe po troket në derë”, “Nisi lufta për Shqipërinë e Madhe”, “Kumanova sulmohet nga Kosova”… A mund të interpretohen nga ky kënd ngjarjet në Maqedoni?

Lubomir Fërçkoski: Kam lexuar tituj të tillë në portale, si: “Çetnikët nisen për të çliruar Kumanovën”, pastaj “Shqipëria e Madhe”, “Nisi lufta në Maqedoni”, “Kaos në Maqedoni” e të tjera. Kjo qeveri edhe e ka merituar këtë. Mirëpo, asgjë e ngjashme me këtë nuk ndodh në terma realë. Bëhet fjalë për një fenomen që e kam cekur gjithmonë. Çdo qeveri e VMRO-DPMNE-së përfundon me tensione etnike. Ky është rregull në Maqedoni; ata thjesht nuk dinë të qeverisin në një shtet multikulturor. Qeverisin me korrupsion, krim, korruptojnë madje edhe shqiptarët. Dhe, në fund, gjithmonë përfundon me ndonjë tension.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se ky është një konflikt i inskenuar?

Lubomir Fërçkoski: Jo, nuk e them këtë, sepse nuk e di. Nëse është inskenuar, atëherë kanë humbur kontrollin. Me kaq të vdekur është një skenar i keq. Nuk dihet se sa civilë kanë pësuar, sa shqiptarë, atmosferë paniku në Kumanovë dhe më gjerë, tensione midis shqiptarëve dhe maqedonasve… Këto të gjitha janë kombinime të këqija. Nëse qeveria mendon se tani do të fitojë mandatin për ta rregulluar këtë, se bashkësia ndërkombëtare do t’i thotë: ju rregullojeni, ne qëndrojmë prapa jush, ajo gënjehet.

Radio Evropa e Lirë: Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka thënë se grupi i armatosur, apo “terroristët” siç i ka quajtur ajo, kanë ardhur nga një vend fqinj dhe se një pjesë e tyre janë nga Maqedonia…

Lubomir Fërçkoski: Ky është një aluzion për UÇK-në dhe për kryengritësit shqiptarë në Maqedoni në vitin 2001. Nuk është e vështirë këtu të gjenden grupe që nuk janë të kënaqura me pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeveri. Komandanti i tyre, njëri nga ata të ashtuquajtur komandantë, drejton gishtin kah Ali Ahmeti (kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – parti që mjerr pjesë në koalicionin qeverisës të Maqedonisë). Ai thotë: ose Ahmeti të dalë nga qeveria, ose do të ketë luftë në Maqedoni. Kjo është teza e tij.

Andaj, unë mendoj se dështimi në qeverisjen e vendit krijon klimën që grupe të ndryshme të organizuara, të gjysmë-organizuara, grupe që vijnë nga jashtë ose nga brenda – çfarë ka pak rëndësi – të gjejnë terren. Ato janë nisur nga nënçmimi i shqiptarëve në qeveri; korrupsioni i tyre shkakton zemërim te shqiptarët. 52 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë të përfaqësuar në politikë. Kjo pakënaqësi kulmon në incidente të tilla. Kjo nuk ka të bëjë me konceptin e “Shqipërisë së Madhe”, me Kosovën, me Shqipërinë etj. Ky është është frustrim brenda shqiptarëve të Maqedonisë dhe, në njëfarë mënyrë, u drejtohet përfaqësuesve të tyre në qeveri.

Radio Evropa e Lirë: Nëse kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë, çfarë parashikoni ju? Flitet se shqiptarët dhe maqedonasit në masë të madhe kanë ruajtur qetësinë, janë të vetëpërmbajtur. A është vërtet një atmosferë e tillë?

Lubomir Fërçkoski: Po, kjo është e saktë. Asnjë parti politike shqiptare, as banorët e Kumanovës nuk duan që kjo të eskalojë. Mirëpo, këto banda do të konsiderohen si të mundura dhe ato kanë paralajmëruar për incidente të tjera. Andaj, nuk është e mundur që të përjashtohen incidentet. Në anën tjetër, ajo çfarë është e rrezikshme, është loja e VMRO-së, mobilizimi i maqedonasve kundër shqiptarëve, si mënyrë e mbijetesës së tyre në pushtet. Kjo është kartë e rrezikshme. Qeveria akuzon opozitën, akuzon të huajt për destabilizim. Deklarata e presidentit tonë të ashtuquajtur është se opozita, BE-ja dhe NATO janë fajtorë për krizën në Maqedoni. Mirëpo, besoj se nuk do t’ia dalin.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që dhuna të përhapet në rajon, në vendet fqinje: Serbi, Kosovë?

Lubomir Fërçkoski: Jo, nuk besoj. Këto do të mbeten incidente të Maqedonisë. Opozita ka paralajmëruar protestë të madhe më 17 maj. Opozita e Maqedonisë ka dashur që së bashku me shqiptarët të protestojë kundër qeverisë. Qeveria po punon që të thyejë këtë opozitë të përbashkët të qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë. Kjo më bën të zemëruar.

Përgatiti: Valona Tela

Ban Ki-moon kërkon hetim transparent në Kumanovë

Ban Ki-moonSekretari i përgjithshëm i OKB-së bën thirrje shmangie që çdo retorike apo veprimi që nxitë tensione të mëtejshme në Maqedoni

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, është shprehur i alarmuar me dhunën në Kumanovë, ndërsa u shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve.

Ai mbështet fuqishëm thirrjet nga Bashkimi Evropian dhe anëtarët tjerë të komunitetit ndërkombëtarë që autoritetet shtetërore dhe udhëheqësit politik që bashkëpunojnë për rivendosjen e qetësisë dhe hetimin e plotë në mënyrë transparente dhe objektive” thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e zëdhënësit te sekretarit Ban.

Në këtë kohë të ndjeshme, sekretari i përgjithshëm u bënë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çfarëdo retorike dhe veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet”, thuhet në deklaratë. (voa)

Bashkim Dedja: Ligji për Byronë e Hetimeve, papajtueshmëri kompetencash

Bashkim DedjaKryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja, ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara për vizitë, gjatë së cilës do të ketë takime me institucione të drejtësisë amerikane në nivelin shtetëror dhe federal, në kuadër të bashkëpunimit mes tyre dhe Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Intervistë e zoti Dedja për Zërin e Amerikës.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Dedja, cili është synimi i vizitës tuaj.

Bashkim Dedja: Unë ndodhem këtu në Shtetet e Bashkuara për një vizitë me ftesë të Seton Hall University, School of Diplomacy and International Law, të George Washington Law School, kam disa takime në Departamentin e Shtetit për çështjet në Evropën Qëndrore dhe Jugore, për të drejtat e njeriut, takim në Gjykatën Supreme, në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Distriktit, ku krahas referencës që unë do mbaj në universitete do kem edhe takime për sa i përket njohjes me Gjykatën Kushtetuese, vendosje të urave të bashkëpunimit dhe çfarë mund të bëjmë për të mirën e bashkëpunimit me instititucionin tonë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Kalojmë tani tek problematika në Shqipëri. Vitin e fundit duket se në Gjykatën Kushtetuese ka patur një fluks në rritje të kërkesave për interpretimin e legjislacionit. Sipas jush, arsyeja cila është? Janë përplasjet e vazhdueshme politike dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike, apo këto ligje miratohen pa konsulencën e duhur dhe janë të mangëta nga ana e përbërjes së tyre ligjore, pra lënë për të dëshiruar në këtë drejtim?

Bashkim Dedja: Besoj që janë të dyja arsyet, edhe përplasjet politike dhe mosdakortësia e palëve në ndërtimin e një ligji, dhe e dyta mospasja parasysh sa duhet e rregullave të teknikës ligjore dhe përqasjen me kushtetutën. Dhe, arsyeja tjetër është edhe fakti që shumë ligje bëhen edhe pa konsulencën e nevojshme, pa marrë kohën e duhur të debateve dhe diskutimeve me grupet e interesit, dhe njëkohësisht me një shpejtësi, urgjencë, të cilat çojnë në gabime, në ligje të paplota, të pasakta, ose që vijnë në kundërshtim me kushtetutën. Natyrisht që njëra nga arsyet e këtyre përplasjeve është edhe mosgjetja e konsensusit mes palëve, për të gjetur atë që është më të mirën, për t’i shërbyer vendit nëpërmjet ligjeve të cilat të jenë demokratike në përqasje me kushtetutën dhe me standartet ndërkombëtare, por edhe mungesa e bashkëpunimit midis palëve dhe e besimit reciprok që nuk ekziston midis tyre.

Zëri i Amerikës: Pra, mbetet ende për të dëshiruar. Kalojmë në një temë tjetër. Ose, e njëjta temë, por një çështje tjetër. Ndër vendimet e fundit të gjykatës është edhe rrëzimi për Byronë Kombëtare të Hetimeve. A mund të na thoni se cilat ishin arsyet për rrëzimin e këtij projekti të qeverisë?

Bashkim Dedja: Kjo çështje u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese. Është marrë vendimi që është shfuqizuar kapitulli i ligjit që ka të bëjë me Byronë Kombëtare të Hetimeve. Akoma nuk është bërë publik vendimi sepse është në ripunim e sipër, por dy ishin arsyet madhore që gjykata vendosi të marrë një vendim të tillë. Së pari, në këtë ligj nuk janë respektuar standartet kushtetuese që kanë të bëjnë me mospërplasjen midis institucioneve, dhe midis kompetencave të organeve të posaçme që merren me hetimin e çështjeve penale.

Zëri i Amerikës: Cilat institucione, më konkretisht?

Bashkim Dedja: Kishte papajtueshmëri midis kompentencave të Prokurorisë, të cilat njihen nga Kushtetuta, që sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe Ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq. Ndërkohë që sipas Ligjit të Byrosë së Hetimeve, Byroja Kombëtare e Hetimeve ushtronte, ndjek hetime, dhe kryen hetime në lidhje me vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe veprimtarinë penale lidhur me të. Qenia e kësaj dispozite krijonte paqartësi në lidhje me kush i udhëheq këto hetime, sepse Kushtetuta ka ngarkuar Prokurorinë; kush i mbikëqyr dhe vendos në lidhje me këto hetime, së pari. Së dyti, vetë dispozita, duke u thënë në fjalët e përmendura në ligj, që ushtron ndjekjen penale për veprën penale të fushës në luftën kundër korrupsionit, nuk ka të përcaktuar se cilat janë këto llojë veprash penale dhe krijonte një paqartësi në lidhje me kuptimin e vetë dispozitës, por paqartësi edhe në zbatimin praktik të tij, që mund të çonte në përplasje midis prokurorisë dhe policisë. Kush do të hetojë këto lloj veprash penale, ose mund të kishte edhe dualizëm midis tyre. Duke patur parasysh që në fushën e korrupsionit, ka edhe organe të tjera të cilat bëjnë veprimtari gjurmuese, siç janë p.sh. në fushën e tatimeve, të taksave, doganave, administratën publike, aty ku kryhen veprime korruptive. Duke qenë se kjo paqartësi krijonte pasoja në kuptimin dhe zbatimin e kësaj dispozite, dhe të tërë kreut, si dhe krijonte probleme në lidhje me pavarësinë e këtij institucioni, Gjykata Kushtetuese çmoi që këto vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe i shfuqizoi këto dispozita.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të dalë zbardhja e argumentave, megjithëse ju i përmendët tani, dhe a lënë hapësirë këto probleme që të ngrihet byroja ashtu siç ka premtua qeveria që do të bëjë në bazë të këtij ligji, apo sa të thella janë këto që përmendët ju, dhe çfarë sugjeroni ju, një rishikim të ligjit, ose sa punë do të duhet sipas mendimit tuaj?

Bashkim Dedja: Vendimi është në ripunim e sipër, dhe besoj që shumë shpejt do të dalë dhe do të publikohet. Nëse ligjvënësi, Parlamenti, duhet ta ribëjë këtë ligj, apo të bëjë një ligj tjetër, është vlerësim i tij. Parimisht, çdo instrument, çdo organ, apo agjensi ligjore, e cila lufton korrupsionin, është e nevojshme, e domosdoshme, për t’i shërbyer luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor. Edhe në qoftë se do bëhet, duhet të kihen parasysh ato çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese në argumentimin e vendimit. Së dyti, duhet parasysh që të mos ketë mbivendosje kompetencash midis policisë dhe prokurorisë, dhe të mos lërë shteg për interpretime, apo hapësira të cilat mund të çojnë në një konfondim midis organeve apo lënie shtegu për të patur vlerësime për njëanshmërinë në kryerjen e  këtyre veprimeve hetimore nga organi i Byrosë së Hetimit, që ajo është në varësi të Policisë së Shtetit. Sidoqoftë, çdo iniciativë e cila i shërben forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndarjes dhe ballancimit të pushtetit, është e mirëpritur. Por, nuk është në misionin e Gjykatës, dhe njëkohësisht, nuk është Gjykata ajo që vlerëson nëse duhet apo jo. Është ligjvënësi i cili vendos nëse duhet të bëhet apo jo.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet që vazhdon të jetë shumë shqetësues dhe që e kanë shprehur edhe Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, dhe së fundmi u përmend sot në konferencën për të cilën sapo raportuam për Këshillin e Evropës, për përvjetorin e hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, është mungesa e pavarësisë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sipas mendimit tuaj, a është kjo më shumë politike, apo ka të bëjë më shumë me interesat monetare, ose më saktë korruptive në vend?

Bashkim Dedja: Së pari, dua të bëj një sqarim të shkurtër, që Gjykata Kushtetuese nuk përfshihet në sistemin gjyqësor shqiptar, sepse sistemi gjyqësor shqiptar ka tre shkallë. Kush janë elementët që të çojnë të ketë një perceptim për këtë korrupsion që është në sistemin gjyqësor shqiptar? Natyrisht që janë të dyja ato arsye që ju thatë, qoftë problemet monetare, qoftë mënyra e pagesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila nuk është e kënaqshme për punën dhe rrezikun që ata marrin përsipër, qoftë edhe ndërhyrjet në sistemin e emërimeve dhe ngritjes në detyrë dhe përgjegjësi të tyre. Çfarë do të thotë që, në kuadër e reformës që ndërmerr qeveria, këto elementë duhen patur parasysh për të sanksionuar kritere më të qarta, për të dhënë udhëzime më të drejta, njëkohësisht për të gjetur edhe struktura më efiçente për ta luftuar këtë korrupsion, dhe për të ndryshuar këtë imazh që është për sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh kontekstin e Shqipërisë dhe luftërat e mëdha politike, sa efektive janë opinionet dhe vendimet e gjykatës tuaj? A është mendimi juaj që ato respektohen nga parlamenti?

Bashkim Dedja: Po. Vendimet respektohen nga Parlamenti dhe në përgjithësi nuk ka patur diskutim në lidhje me këtë element. Bëhet fjalë për shumë vite të shkuara, kur ka pasur përplasje sidomos për mosrespektim të vendimeve që kishin të bënin me shkarkime të gjyqtarëve nga ana e KLD-së, ku Gjykata Kushtetuese kishte urdhëruar që të rishqyrtoheshe çështja; ose, ekzekutime në lidhje me kthimin në pozicione në administratën shtetërore. Por, ka dy elementë. E para, ndërgjegjësimi i administratës shtetërore që ka ardhur gjithmonë në ngritje, dhe që po respekton pa ndikim dhe shtytje nga jashtë këto vendime. Dhe e dyta, dihet që edhe një organ monitorues, pra Këshilli i Europës, i cili merret posaçërisht me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, përfshi edhe ato të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të Gjykatës së Strasburgut.

Zëri i Amerikës: Ka pasur raste kur për shkak të konflikti interesi një gjyqtar tërhiqet nga çështje duke pasur disa raste katër nga anëtarët e gjykatës pro dhe katër kundër, dhe në këtë rast gjykata tërhiqet. A është e drejtë kjo? A duhet gjetur një mekanizëm që të mos ndodhi?

Bashkim Dedja: Gjyqtari ka rastet përjashtimore kur ai nuk mund të marri pjesë në shqyrtimin e çështjes, bie fjala për Gjykatën Kushtetuese. Ku mund të ketë konflikt interesi, ose ka papajtueshmëri.

Zëri i Amerikës: Po. Kjo është e qartë. E kam fjalën kur tetë të tjerët janë katër e katër.

Bashkim Dedja: Normalisht, Gjykata nuk duhet të refuzojë zgjidhjen e çështjes (Gjykata Kushtetuese). Sepse qytetari kërkon një përgjigje nga gjykata. Dhe na është vënë në dukje edhe nga Gjykata e Strasburgut dhe Bashkimi Evropian, që gjykatat shqiptare dhe legjislatori shqiptar duhet të gjejë zgjidhjen sesi të shmanget ky ngërç. Prej shumë vitesh, neve kemi bërë edhe sugjerime se si mund të bëhet. Por që, kjo kërkon ndryshime në ligj, madje edhe në Kushtetutë. Që një variant mund të jetë gjetja e gjyqtarëve rezervë, siç janë gjyqtarët që aplikohen edhe në Gjykatën e Strasburgut, kur s’merr pjesë gjyqtari i përhershëm, merr pjesë gjyqtari rezervë. Apo përjashtimi i elementeve të papajtueshmërisë, meqenëse gjykimi kushtetues është i natyrës krejt ndryshe nga gjykimi i zakonshëm. Apo një variant gjerman, që kur vota ndahet në mënyrë të barabartë, kur kërkesën e bën individi, zgjidhet çështja në favor të individit. Kur kërkesa ka të bëjë me çështje të akteve normative, rrëzohet kërkesa pasi presupozohet që aktet normative janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, dhe çështja zgjidhet në këtë mënyrë. Pra, i takon ligjvënësit të gjejë se cila metodë, mënyrë, është më e arsyeshme, dhe më e drejta për Gjykatën Kushtetuese shqiptare, sepse ne nuk kemi vetë iniciativë për ta bërë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Pra, duhet një kuadër ligjor për këtë.

Bashkim Dedja: Duhet patjetër një kuadër ligjor dhe në kuadrin e rishikimit të ligjeve dhe për Gjykatën Kushtetuese besoj që këto elementë do të zgjidhen dhe nuk do ketë një problem të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Dedja, faleminderit që ishit sot i pranishëm në studion tonë.

Bashkim Dedja: Faleminderit edhe juve për ftesën.

Reagon Gjermania pas konfliktit në Kumanovë

shtepi kumanoveQeveria gjermane ka paralajmëruar nga shkallëzimi i situatës në Maqedoni, ajo po i ndjek me shqetësim zhvillimet në këtë vend, tha një zëdhënës. Ndërkohë NATO kërkon hetime transparente.

Pas konfliktit të përgjakshëm në fundjavë në Maqedoni reagon edhe qeveria gjermane. Ajo ka paralajmëruar nga përkeqësimi i gjendjes aktuale labile politike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin është shprehur të hënën (11.05) se “me urgjencë kërkohet të mënjanohet një shkallëzim i mëtejshëm i situatës”. Qeveria gjermane po i ndjek me shqetësim prej disa kohësh zhvillimet e brendshme politike në shtetin ballkanik, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në konferencën e shtypit.

NATO kërkon hetime për Kumanovën

Zhvillimet e fundit në Maqedoni janë ndjekur me shqetësim në perëndim. NATO ka kërkuar zbardhjen e ngjarjeve në Kumanovë. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg ka kërkuar hetim transparent. “I kërkoj kujtdo të përmbahet dhe në interes të vendit të mos lejojë që të shkallëzohet situata”, ka thënë Stoltenberg.

polic + civil

Maqedonia u trondit të shtunën nga shkëmbime të rënda zjarri mes forcave të qeverisë dhe një grupi të armatosur, që sipas qeverisë Gruevski ishin “terroristë” që kishin planifikuar sulme kundër institucioneve të shtetit maqedonas. 8 policë dhe 14 anëtarë të grupit të armatosur humbën jetën.

Maqedonia – “fuçi baruti”?

Sipas agjencisë së lajmeve, dpa, Maqedonia po kalon nga një krizë në tjetrën. Një ditë tjetër me rëndësi për zhvillimet në vend është edhe 17 maji, e diela kur është planifikuar një demonstratë e madhe e opozitës. Dpa citon politologun kroat, Vlatko Cvrtila që e cilëson Maqedoninë “definitivisht një fuçi baruti”. “Aty mediat nuk janë të lira, institucionet demokratike janë nën kontrollin e qeverisë – një sundim autoritar”, thotë profesor Cvrtila. Kryeministri Gruevski aktualisht gjendet në pozitë kritike, pasi opozita ka publikuar përgjime telefonike që dëshmojnë korrupsion masiv dhe kriminalitet në qeveri. Disa diplomatë të huaj po i përgjigjen një kërkese të opozitës për një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. (dw)

 

Maqedoni akuza për terrorizëm

kumanova shtepiAutoritetet maqedonase njoftuan se tridhjetë pjesëmarrës të grupit të armatosur në Kumanovë, janë marrë në pyetje nga organet hetuese dhe atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Pjesëtarët e grupit akuzohen për terrorizëm.

Gjendja në Maqedoni pas ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë, megjithëse e qetë, vazhdon të jetë shqetësuese.

Komuniteti ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për shkak të ngjarjeve në Kumanovë dhe dëshiron që gjendja të mos shkallëzohet dhe të ruhet qëndrueshmëria e Maqedonisë.

Ambasadorët e SHBA-së, BE-së, përfaqësues të larë të zyrave të Natos dhe OSBE-së në Shkup janë takuar me Presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov në lidhje me ngjarjet në Kumanovë dhe gjendjen e sigurisë në Maqedoni.

Presidenti Ivanov i ka njoftuar ambasadorët se të gjitha institucionet e sistemit të sigurisë kanë marrë udhëzime për veprime të duhura, me qëllim të pengimit të shkallëzimit të tensioneve dhe destabizlimit të vendit, ndërkohë që, sipas një komunikate nga zyra e tij, ka kërkuar mbështetjen ndërkombëtare për qëndrueshmërinë e vendit të tij. Këtu bën pjesë zhbllokimi, sipas autoriteteve maqedonase, i integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, zvarritja e të cilave, siç vlerëosjnë ato, ka çuar në krizë politike.

Ndërkohë, ambasadorët e SHBA, BE, Natos dhe OSBE-së mendojnë se nuk duhet lejuar që ngjarjet në Kumanovë të dëmtojnë raportet në shoqëri, ndërsa presin nga drejtuesit e vendit dhe ata politikë që të angazhohen së bashku në dialog mbi të gjitha çështjet, përfshi dhe krizën  që po zgjatë dhe reformat e nevojshme. Ata besojnë se grupi i armatosur në Kumanovë ishte një dukuri e izoluar, meqë përfaqësuesë politik në vend dhe në rajon e dënuan dhunën.

Misioni i OSBE-së, përfaqësues të të cilit hynë në zonë menjëherë pas përfundimit të konfliktit, vlerëson se gjendja mund të kapërcehet duke siguruar një shpjegim të qartë të ngjarjeve përmes hetimeve të hollësishme nga ana e autoriteteve.

Ndërsa, komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Johanes Hahn ka kërkuar që të gjenden përgjegjësit e ngjarjeve në Kumanovë, në mënyrë që të mos krijohen tensione ndëretnike dhe kjo gjendje të mos jetë arsye për moszgjidhjen e krizës politike.

Ai ka kërkuar, gjithashtu, nga të gjithë personalitetet me përgjegjësi në Maqedoni dhe fqinjësi, që të ragojnë në mënyrë të arsyeshme dhe transparente.

Ndërkohë, njohës të rrethanave politike dhe të sigurisë i marrin me mosbesim njoftimet qeveritare mbi ngjarjet në Kumanovë.

Hysni Shaqiri vlerëson se ndërhyrja e forcave policore në Kumanovë paraqiste rrezik të lartë për banorët për shkak të dendësisë së pupullatës në atë lagje. Ai thotë se politikanët e papërgjegjshëm, sidomos ata shqiptarë, kanë bërë që popullata jo vetëm e kësaj zone, të jetë në një pozitë të mjerueshme.

Zoti Shaqiri, i cili ka qenë deputet dhe nënkryetar i Parlametit të Maqedonisë, pjesëtar i ish-Ushrtisë Çlirimtare Kombëtare dhe vjen nga zona e Kumanovës, vlerëson se politika e këtillë e drejtuar nga ky pushtet dhe kryeministri Nikolla Gruevski e çojnë vendin drejt shkatërrimit.

Ai mendon se shqiptarët nuk kanë nevojë, as interes për ndonjë konflikt të armatosur.  Ai mendon se shqiptarët e Maqedonisë janë të diskriminuar edhe për shkak të statusit juridik-kushtetues të tyre në këtë vend.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, pas një takimi sot të kryesisë qendrore, la të kuptohej se do të angazhohet për një proces transparent hetimor dhe gjyqësor për të përfshirët në përleshjet e 9 dhe 10 majit në qytetin e Kumanovës. Partia shqiptare në pushtet thotë se garanton që institucionet e shtetit do të ndihmojnë banorët në lidhje me dëmet materiale.

Ndërkaq, politikani i parë, i cili e vizioi lagjen e Trimave në Kumanovë është Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, i cili bëri thirrje për ndihmë banorëve të pastrehë. “Duhet patjetër të rregullohet dëmi material. E di se dhimbja shpirtërore, ndjenjat, traumat të cilat i kanë kaluar banorët këtu, deri sa pati përleshje, askush nuk mund t’ua kompensojë”, tha drejtuesi opozitar duke theksuar se është krenar për shkak të popullin i cili qëndron i bashkuar. Popullata shqiptare e lagjes e mirëpriti praninë e tij. (voa)

 

Altamann: Maqedonia në rrezik destabilizimi

AltmmanPo shkatërohet imazhi pozitiv i Maqedonisë, dhe sjellja e qeverisë në Shkup e pakuputshme për bashkësinë ndëkombëtare, thotë për DW, Franz Lothar Altmman, ekspert i Ballkanit.

Franz Lothar Altmann, ekspert për rajonin e Ballkanit, anëtar i Shoqatës për bashkëpunim me Evropën Juglindore, anëtar i Fondacionit Bertelsman si dhe profesor i Universitetit të Bukureshtit në intervistë për DW, thotë se ngjarjet gjatë fundjavës (09. -10.05) në Kumanovë e rrisin frikën se “gjërat do të mund të dalin tërësish nga kontrolli dhe të arrijnë deri tek lufta civile”.

Duke shprehur shqetësim për situatën politike në Maqedoni pasi opozita filloi me publikimin e materialeve të përgjuara, Altmann vëren, se “nuk mund të përjashtohet mundësia, që situata të dalë nga kontrolli, me pasoja jo vetëm për shtetin, por edhe për fqinjët”.

Sa i përket rolit të shqiptarëve në Maqedoni, sipas Altmann: “Tek minoriteti shqiptar, ndryshe nga deri tani, do të mund të përforcohen tendencat kah separatizmi. Është e pakuptimtë se përse qeveria aktuale konservative po e rrezikon shpërbërjen e mëtejshme të shoqërisë dhe të vet shtetit. Qendrimin kokëfortë të qeverisë ndaj akuzave që kanë të bëjnë me shkelje të qarta të të drejtave themelore të njeriut, për të huajt është i pakuptueshëm”.

Eksperti gjerman sqaron se tendencat autoritare të qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski paraqesin problem për shtetin dhe njëherit rrezikojnë marrëdhëniet me BE-në dhe Gjermaninë. “Sundimi autoritar dhe dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë nuk do të ndihmojë të zgjidhet situata politike në vend, por vetëm do ta thellojë hendekun midis BE-së dhe Maqedonisë. Në veçanti, Gjermania është shumë e shqetësuar, për faktin se Berlini viteve të fundit gjithnjë është përpjekur t’i ndihmojë Shkupit në afrimin e tij me NATO-n dhe BE-në.

Paraprakisht, imazhi pozitiv i Maqedonisë në vazhdimësi po shkatërohet gjatë muajve të fundit që rezulton me vështirësi të mëdha për t’i bindur deputetët për ta promovuar angazhimin gjerman sa i përket Maqedonisë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për bisedime për anëtarësim të vendit në BE apo të kontestit për emrin”, thekson Altmann.

Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Kristine Althauzer, para pak kohësh kritikoi qendrimin e qeverisë në Shkup ndaj krizës dhe porositi se pret dorëheqje. Altmann i bën thirje BE-së dhe Berlinit zyrtar që në mënyrë më serioze të angazhohen për zgjidhjen e krizës në Maqedonisë. “BE dhe në veçanti Gjermania, e cila ende ka ndikim si aktor neutral dhe e cila shpesh herë ka shprehur simpati për këtë vend, duhet patjetër dhe urgjentisht t’i drejtohen qeverisë në Shkup dhe ta detyrojnë atë për bisedime pakushte me opozitën. Përndryshe, demokracia maqedonase ashtu e dobët siç është do të përfundojë me katastrofë kombëtare.”

Më 1 Maj të këtij viti, gjatë vizitës të Ministrit të Jashëm të Gjkermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, në disa vende të rajonit, agjencia Rojters duke raportuar për vizitën e shprehu brengosjen e diplomatëve evropianë për situatën në Ballkan, ku një theks i veçantë u vendos tek dy vende – Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Altmann e ndan këtë shqetësim, por vlerëson se BE nuk ka instrumente të forta, me të cilat do të mund të ndikonte ndaj situatës. “Unë me të vërtet jam i shqetësuar për shkak të zhvillimeve negative në Bosnjë ( në veçanti në Republika Srpska) dhe në Maqedoni, sidomos për shkak se zgjerimi i konfliktit nuk mund të përjashtohet. Vlerësoj se BE-ja në këtë rast është e pafuqishme, sepse përveç apeleve verbale nuk mund të pritet asgjë tjetër. Instrumenti i vetëm që ka në dispozicion BE-ja është perspektiva për anëtarësim, por në të dy rastet ky instrument është i dobët”, thotë analisti gjerman Frank Lothar Altmann në bisedë për DW.