Gjermanët dhe holandezët e kërkojnë Specialen

Përfaqësues të shteteve më të fuqishme evropiane po i kërkojnë deputetëve kosovarë që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale në Kuvend, në të kundërtën, siç thonë ata, kjo çështje do të kalojë në kompetencë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Matthias Kiesler, i ngarkuar me Punë në Ambasadën gjermane në Prishtinë, ka deklaruar për “Zërin” se deputetët e Kosovës duhet ta kenë parasysh se në rast të një dështimi të votimit të Speciales e gjithë çështja do të kalojë në KS të OKB-së.

“A do të ishte një shqyrtim i sërishëm nga ana e OKB-së në interes të Kosovës?”, pyet Kiesler.

Kiesler i kujton ligjvënësve kosovarë se në prill të vitit 2014, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet shkëmbimit të letrave me Përfaqësuesen e atëhershme të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Lady Ashton, është marrë përsipër obligimi për të themeluar këtë Gjykatë. /Zëri/

Barometri i Ballkanit, Hahn: Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit me rëndësi madhore

HahnKëshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikoi në Bruksel për herë të parë Barometrin e Ballkanit, një monitorim vjetor që rinis me një tjetër emërtim në kuadër të strategjisë 2020.

Në të përmblidhen  vlerësimet e  biznesit dhe opinionit publik mbi zhvillimin ekonomik të vendeve respektive, ku normat më të larta vërehen për Kosovën dhe Shqipërinë,  arsimin, drejtësinë, ku shqiptarët dallohen për besimin më të ulët ndaj sistemit, por dhe mbi zgjerimin me Bashkimin Europian, ku përgjithësisht ruhet entuziazmi, megjithëse në një përqindje disi më të ulët.

Raportet u paraqitën në një konferencë të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe qeverive të Ballkanit.

“Integrimi europian dhe bashkëpunimi rajonal janë dy procese të ndërthurura që nuk mund të shmangin njëri-tjetrin”, u shpreh ministri i Jashtëm, Bushati, në cilësinë e kryesuesit të procesit të bashkëpunimit rajonal të Europës Juglindore, ndërsa insistoi për rishikim të politikës së zgjerimit.

“Por, unë nuk mund të shmang së vërejturi një paradoks mes qëllimit tonë të përbashkët  për anëtarësim të plotë në BE dhe instrumenteve të bashkëpunimit rajonal  që na janë vënë në dispozicion për arritjen e këtij qëllimi. Ngjan sikur i kemi vënë vetes qëllime të forta nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër përdorim instrumenta të butë. Kjo do të thotë se, si një rajon, ne duhet të bëjmë më shumë dhe të mësojmë më mirë nga  boshllëqet dhe mospërputhjet mes ambicieve dhe kapaciteteve tona. Nëse krahason GDP, të ardhurat kombëtare dhe eksportet vjetore, nga 2003 deri në 2011, është e dukshme se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur më të varfër, jo vetëm krahasuar me shtetet anëtare të BE-së, por dhe me vendet e tjera ballkanike që i janë bashkuar prej atëherë BE-së. Kjo do të thotë se rajoni ynë nuk është i ndryshëm veç për aspektin e zhvillimit ekonomik, por se procesi i integrimit në BE ende reflekton realitete të së kaluarës”, tha Bushati.

Kërkesa e përsëritur e  ministrit shqiptar siguroi përgjigjen pozitive të Komisionerit Johannes Hahn, i cili deklaroi dhe datën e publikimit për raportet e radhës së progresit në vendet e zgjerimit, duke shpalosur detaje për pritshmëritë e secilit vend ballkanik.

“Paketa e radhës mbi Zgjerimin do të miratohet më 14 tetor. Ne do të ruajmë fokusin tonë mbi çështjet themelore dhe do të shfrytëzojmë këtë paketë për të rigjetur kalibrin e metodologjisë sonë.
Dhënia e statusit kandidat Qershorin e kaluar ishte një arritje e madhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Isha në Tiranë, në Mars, për tryezën e DNL që bashkëdrejtova me Kryeministrin Rama, dhe mirëprita progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e administratës publike, si dhe për hapat fillestar të ndërmarrë në fushën e gjyqësorit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit mbetet me rëndësi madhore. Lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe reforma e gjyqësorit janë kyçe. Më shumê punë themelore kërkohet gjithashtu për administratën publike dhe qeverisjen ekonomike”, ka deklaruar Komisioneri Johannes Hahn.

Ndërsa për Shqipërinë, Komisioneri nuk përmendi një rekomandim të mundshëm për nisjen e negociatave të anëtarësimit, për Serbinë ai u shpreh se kapitujt e parë mund të hapen këtë vjeshtë me kushtin që Beogradi të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog me Kosovën.

Mali i Zi ruan pozicion udhëheqës në rajon për procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa gjuha më e ashpër u përdor ndaj Maqedonisë, ku Hahn rrëfeu se për momentin Këshilli i BE-së nuk dëshiron më një përsëritje të rekomandimit pozitiv.

Komisioni kërkon trajtim urgjent të çështjeve që lidhen me të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe median, si dhe u bëri thirrje autoriteteve vendase dhe politikanëve të Shkupit për të zgjidhur krizën politike dhe për të ulur tensionet ndëretnike.

Përgatiti: Arta Tozaj / Top Channel

BSH rishikon në ulje rritjen ekonomike

Guvernatori SejkoPritshmeritë e Bankës së Shqipërisë për 2015 më të ulta se parashikimi fillestar për një rritje prej 3 përqind. Ngadalësim i aktivitetit ekonomik dhe në tremujorin e parë të vitit

Banka e Shqipërisë rishikon me ulje rritjen ekonomike të vendit gjatë 2015. Sot në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, ku u miratua dhe Raporti Tremujor i Politikës Monetare, Guvernatori Gent Sejko shpjegoi se “goditjet e ofertës në tremujorin e parë sollën një inflacion më të lartë se pritjet tona. Këto goditje e bënë të nevojshëm një rishikim të lehtë në kahun e poshtëm të rritjes së pritur ekonomike për vitin 2015”.

Guvernatori Sejko nuk shpjegoi se sa pritet të ulet rrija ekonomike krahasuar me parashikimin fillestar prej 3 përqind. Ai saktësoi se megjithatë, efekti i këtyre goditjeve “pritet të jetë kalimtar dhe vlerësimet tona për ecurinë afatmesme të inflacionit dhe të aktivitetit ekonomik nuk kanë ndryshuar. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gradual gjatë viteve në vazhdim. Ekonomia shqiptare parashikohet t’i afrohet nivelit potencial gjatë vitit 2016, çka do të krijojë premisat e duhura për kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit kohor të veprimit të politikës monetare”.

Rishikimi në ulje i rritjes ekonomike për 2015 vjen pas një ecurie më të dobët se pritshmëritë, të aktivitetit ekonomik edhe në tremujorin e parë të këtij viti. “Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet pozitive të rritjes kanë vijuar edhe në tremujorin e parë të vitit 2015. Rritja ekonomike e kësaj periudhe vlerësohet të ketë pësuar një ngadalësim të përkohshëm, si pasojë e dëmeve nga përmbytjet në sektorin bujqësor e blegtoral, por edhe si pasojë e reduktimit të prodhimit të naftës, në përgjigje të konjukturës së dobët të tregut botëror”, shpjegoi guvernatori Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se “forcimi i kërkesës agregate do të jetë motori kryesor i rritjes ekonomike në afat të shkurtër e të mesëm. Megjithatë, në afat të gjatë, Banka e Shqipërisë thekson nevojën e thellimit të reformave strukturore, si instrumenti më i rëndësishëm për të prodhuar rritje të qëndrueshme ekonomike. Reformat strukturore duhet të synojnë rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare dhe zgjerimin e tregjeve për produktet tona. Ndër të tjera, kjo do të realizohet nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture moderne zhvillimi, krijimit të një klime të favorshme biznesi dhe investimit të vazhdueshëm për përmirësimin e burimeve njerëzore”, u shpreh guvernatori.

Këshilli Mbikqyrës vendosi ndërkohë se ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin e 2 për qind, minimum i saj historik. “Nivelet aktuale të stimulit monetar janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm”, shpjegohet në vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës.

Po sot Këshilli emëroi anëtarën e vet Natasha Ahmetaj, në postin e zëvendës guvernatorit të dytë, pozicion i cili kishte disa vite që kishte mbetur vakant. (voa)

Rusi, 70 vjetori i përfundimit të Luftës së II Botërore

lufta e 2 botroreRusia po përgatitet për të shënuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të njohur gjatë Bashkimit Sovjetik si “Lufta e Madhe Patriotike”. Me këtë rast do të zhvillohet një paradë madhështore ushtarake më 9 maj dhe miliona veteranëve apo të afërmve të tyre do t’u jepen medalje. Por kritikët thonë se ky manifestim masiv patriotizmi dhe fuqie përpiqet të fshehë plagët e hapura gjatë dhe pas luftës që ende ndikojnë në politikën e sotme ruse, veçanërisht në krizën në Ukrainë. Korrespondenti Daniel Schearf njofton nga Moska:

Në rininë e hershme, veterani i Luftës së Dytë Botërore Ivan Sokolov ndihmoi për të shkatërruar bomba të pashpërthyera. Ai e thotë me krenari se Rusia ishte ajo që bëri të mundur fitoren mbi nazizmin.

          “Nëse nuk do të kishim arritur ne fitoren, Evropa do të kishte pasur sot një hartë tjetër”.

Kritikët e Kremlinit thonë se tani vetë Rusia po ndryshon kufijtë e Evropës duke aneksuar Krimenë dhe duke mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës.

Moska i justifikon veprimet e saj duke i cilësuar udhëheqësit e rinj të Kievit si fashistë dhe nazistë anti-rusë. Këto janë terma me ngarkesë të madhe emocionale për shumë rusë si veterani Alexandre Podabed.

          “Nuk  i konsideroj të gjithë ukrainasit nazistë apo fashistë, por ka plot nga ata që hyjnë në këtë kategori”.

Për 70 vjetorin e Ditës së Fitores, Rusia do të zhvillojë manifestimin më të madh të forcës së saj ushtarake, me tanke të reja, artileri dhe 15 mijë trupa.

Udhëheqës perëndimorë nuk kanë pranuar të marrin pjesë, thotë historiani Andrei Zubov:

          “Sot qeveria ruse është agresore në Ukrainë që prej një viti. Ajo ka aneksuar Krimenë, po udhëheq luftën në lindje dhe ndërmerr veprime terroriste dhe destabilizuese në qytete të tjera. Udhëheqësit perëndimorë nuk e përtypin dot moralisht vajtjen në një vend agresor për të festuar me agresorin fitoren mbi një agresor tjetër 70 vjet më parë”.

Rusia e Presidentit Vladimir Putin i ringjalli paradat e stilit sovjetik në vitin 2008, në kuadër të përpjekjeve për të rizgjuar imazhin e një të kaluare të ndritur.

Deri në 28 milionë qytetarë sovjetikë u vranë gjatë luftës, por shumë prej viktimave nuk ishin nga armiku, thotë historiani Zubov:

          “Shifrat janë tepër të larta, të pajustifikueshme, pasi Stalini organizoi mbrojtje të keqe”.

Zoti Zubov, që më parë jepte leksione në Institutin e Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare u pushua vjet nga puna, pasi krahasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste.

Ai thotë se udhëheqësit rusë e shohin veten si trashëgimtarë të fuqisë sovjetike:

          “Pas 1945, vrasjet, shtypjet, krimet e shumta kundër popullit rus vazhduan. Mendoj se duhet ta ndalim këtë manifestim për fitore, pasi fitorja mund të interpretohet në shumë mënyra dhe në Rusi u shoqërua me më shumë aspekte jopozitive se në vende të tjera, përfshirë edhe Gjermaninë”. (voa)

Teknologjia e simulimit

simulimiNdërkohë që po përmirësohen kompjuterët, sensorët dhe ekranet elektronike, shkencëtarët po zhvillojnë lloje të ndryshme paisjesh që na çojnë në një botë virtuale. Nëse dëshironi të luani muzikë pa patur instrumenta, apo të fluturoni si një zog pa e lënë tokën, mundësitë janë të pafundme.

E ashtuquajtura teknologji që gjurmon lëvizjen, e përdorur gjerësisht në lojërat elektronike, i transmeton lëvizjet e trupit në një ekran. Me pak përqëndrim, lojtari fillon të ndjejë se është zhvendosur në një realitet tjetër.

Dy shkencëtarë në Britani e shfrytëzuan këtë fenomen për të shpikur një palë tambure virtuale, të quajtura Aerodrums.

Një kamera e shpejtësisë së lartë ndjek lëvizjet e shkopave dhe të këpucëve, dhe sistemi i shndërron në tinguj realistë.

Richard Lee thotë se mundet të dallojë madje nivelet e ndryshme të përplasjes së shkopinjve.

“Reagon shumë mirë. U desh ca kohë të arrihej ritmi i duhur që të krijojë iluzionin e duhur. Nëse ndodh ndonjë vonesë, atëherë nuk ndjehet reale.”

Bashkëpunëtori Yann Morvan thotë se shpikja nuk synonte të krijonte një videolojë, por një mjet të heshtur praktike për tu ushtruar.

“Donim të ishte një instrument i saktë muzikor që do ta bënte të pranueshme praktikën nëpërmjet Aerodrums.”

Ndërkohë, shkencëtarët në Zvicër thonë se ëndrra e lashtë e njeriut për të fluturuar si zogjtë, është bërë më në fund realitet.

Nëpërmjet paisjes simuluese të quajtur “Birdly”, dhe me një palë syze në kokë dhe një ventilator që prodhon rryma ajri, personi përjeton një ndjesi të fortë të të fluturuarit me krahë.

Fabian Troxler, anëtar i projektit, thotë se fluturimi kontrollohet nga lëvizja e krahëve.

“Gjymtyrët e mia janë tashmë krahë fluturimi, kështu që unë e kontrolloj tashmë të gjithë platformën nëpërmjet krahëve. Zhvendoset e gjitha poshtë, nëse unë dua, dhe ngrihet ose rrotullohet nëse unë lëviz në drejtimin e kundërt. Për të shtuar shpejtësinë, duhet t’i rrah krahët.”

Shkencëtarët thonë se “Birdly” mund të shndërrohet në një lojë popullore, por edhe në një mjet të vlefshëm për t’i mësuar publikut se ç’do të thotë të jesh një zog. (voa)

Ditët e Gjuhës gjermane 2015 në Kosovë

studime ne gjermaniProgrami “Ditët e Gjuhës gjermane 2015″ që zhvillohet gjatëmujait maj në Kosovë synon t’u ofrojë mundësinë të merren me gjuhën gjermane të gjithëve si fillestarëve ashtu edhe atyre që e kanë gjermanishten gjuhë amtare.

Ashtu si në pesë vitet e kaluara, edhe sivjet Ambasada Gjermane në Prishtinë së bashku me Ambasadën Zvicerane dhe atë Austriake, përfshirë dhe partnerë të tjerë organizon “Ditët e Gjuhës gjermane 2015″.

Me këtë program të gjerë që nisi në fillim të muajit maj dhe do të zgjasë deri në fund të majit, dëshirohet që të gjithëve, nga fillestarët deri tek folësit amtarë, t’u ofrohet mundësia për t’u marrë me gjuhën gjermane. Krahas kësaj, Ambasada Gjermane e vlerëson përpjekjen e të gjithë atyre, të cilët e flasin rrjedhshëm gjuhën gjermane.

Në kuadër të programit “Ditët e Gjuhës gjermane 2015″, për plot 24 ditë ofrohen aktivitete të ndryshme anë e mbanë Kosovës. E veçanta e gjithë kësaj është se ofrohen bursa për nxënës, bursa për studentë dhe shkencëtar, bursa për ekspertë të ardhshëm dhe mundësi për mësimdhënien e gjuhës gjermane.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, në një nga fletushkat ku jepen informacione të shumta për bursa të ndryshme për studime në Gjermani, shkruan se arsimi është burimi i çdo shoqërie dhe baza për zhvillimin secilit vend. “Arsimi i lartë në këtë mes ka një domethënie të veçantë, ai nga nxënës të përgjithshëm bën ekspertë në drejtësi, inxhinieri, matematikë, ekonomi apo gjuhë të huaja. Këta ekspertë kanë dijen e nevojshme për të udhëhequr apo për të themeluar ndërmarrje, për t’u dhënë mësim gjeneratave të reja në shkolla, apo, të përgatisin në aspektin profesional vendimet e ministrave në ministri të ndryshme”, shkruan ambasadorja Angelika Viets.

“Me anë të diplomimit të pjesëshëm të studimeve, apo një praktike jashtë vendit, ekziston mundësia që dija e fituar në Universitet në atdhe të thellohet dhe të shikohet nga një perspektivë e re. Gjermania ka shumë universitete të mira me një numër të madh dhe të ndryshëm të drejtimeve, të cilat mund të jenë të përshtatshme për studime post-universitare”, thotë në shkrimin e saj, ambasadorja gjermane Angelika Viets, e cila u bën thirrje të rinjve kosovarë që të aplikojnë për bursa që u mundësojnë studime në Gjermani.

Njëra nga shqetësimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare që nga paslufta ishte dhe vazhdon të jetë pamundësia e të rinjve kosovarë që të shkollohen jashtë vendit për shkak se Kosova akoma nuk është përfshirë në liberalizimin e vizave dhe kjo sipas udhëheqësve politik kosovar, po shkakton pengesë për qytetarët e Kosovës. Por sa i përket Gjermanisë, ky vend tashmë e ka të rregulluar çështjen e të rinjve që dëshirojnë të studiojnë në Gjermani dhe këtë e tha gjatë vizitës në Kosovë në fund të majit prill, shefi i diplomacisë gjermane, Frank Wallter Steinmeier.

“Liberalizimi i vizave nuk duhet të keqkuptohet si një parakusht për të rinjtë që të fillojnë një studim në Gjermani. Ne në Gjermani për këtë çështje kemi gjetur zgjidhje, shembull për studime nuk nevojitet që të ketë liberalizim të vizave”, tha Frank Wallter Steinmeier.

Janë shumë organizata gjermane që në kuadër të “Ditëve të Gjuhës gjermane 2015″, përmes broshurave informatiove dhe aktiviteteve në terren njoftojnë të rinjtë mbi mundësinë e përfitimit të një burse gjermane.

Është fondacioni “Europeans For Peace”, që ndan bursa për nxënës, “Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike” ( DAD), fondacioni “Alexander von Humboldt”, që ofron bursa kërkimore, “Erasmus Mundus”, që ofron kurse master dhe doktorate, janë fondacionet e njohura “Friedrich Erbert Stiftung”, “Konrad Adenauer Stiftung”, “Friedrich Naumann Stiftung”, që ofrojnë bursa për këshillim politik, shkollim dhe trajnim politik për pozita udhëheqëse e shumë fusha tjera. Është fondacioni i Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme, si dhe fondacione të tjera: “Rosa Luxemburg Stiftung”, “Robert Bosch Stiftung”, “Internationales Parlaments-Stipendium des Deutschen Bundestages” (IPS), etj. E mbështjetje të veçantë për përhapjen e gjuhës e kulturës gjermane jepn instituti “Goethe Institut”, që vepron në tërë botën e që përkujdesët për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e kulturës.

Aktivitetet “Ditët e Gjuhës gjermane 2015″ zhvillohen në për të pestin vit radhazi në bashkëpunim edhe më ambasadën Zvicerane dhe atë Austriake promovojnë gjuhën gjermane duke u dhënë mundësi qytetarëve të Kosovës, sidomos të rinjve që përmes bursave të ndryshme që ofrojnë organizatat gjermane, të studiojnë në shkollat dhe universitetet më të mira gjermane. (dw)

Akuza e fjalë fyese në Kuvendin e Kosovës

kuvendi i kosovesNjë debat përplot polemika dhe akuza të ndërsjella ka përcjellë punimet e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës të mërkurën.

Debatet u ashpërsuan në momentin kur zëvendëskryeministri dhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar deputetët se qeveria ka tërhequr disa projektligje nga rendi i ditës, përfshi Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Projektligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Tërheqja e këtyre projektligjeve ka irrituar tej mase deputetët opozitarë. Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se Qeveria ka tërhequr Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për shkak të interesave të zyrtarëve të lartë të cilët mbajnë disa funksione publike.

“Arsyeja kryesore e tërheqjes së këtij projektligji është e qartë, pasi që amandamenti gjashtë në këtë projektligj, i përpiluar nga Komisioni thotë: zyrtari i lartë nuk mund të ushtroj më shumë se një funksion në sektorin publik si dhe nuk mund të jetë anëtar në bordet e ndërmarrjeve publike dhe në agjencitë e pavarura”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Polemikat janë shtuar sidomos pas fjalimit të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi e cila tha se tërheqja e Projektligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ka të bëjë me krimin e organizuar mbi të cilin, sipas saj, po funksionon qeveria aktuale e Kosovës.

“Përpjekja për tërheqjen me çdo kusht projektligjin i cili parandalon konfliktin e interesit lidhet me krimin e organizuar përmes së cilit po funksiononi duke i mbikëqyrë, monitoruar, kapë të gjitha bordet e pavarura dhe duke i vendosur aty njerëzit e juaj të cilët kanë nga pesë vende pune”, ka thënë Kadaj Bujupi.

Ndaj deputetes Donika Kadaj Bujupi ka reaguar zëvendëskryeministri Kujtim Shala duke i quajtur të pakuptimta akuzat e saj dhe subjektit politik që ajo përfaqëson.

“Zonja Bujupi është shenja më e mirë se si mashtruesit nuk lejohen në pushtet sepse nuk votohen. Dhe, e dyta, më duket paradoksale se si një përfaqësuese e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i drejtohet dikujt tjetër për krim të organizuar”, është kundërpërgjigjur Shala.

Por, deputetja e AAK-së nuk është ndalur.

Ajo ka thënë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mbi 70 dosje në prokurori, kështu që, sipas saj, nga një qeveria që udhëhiqet nga këso njerëz, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim pozitiv.

“Shefi yt (Kryeministri Isa Mustafa) i cili ka ardhur në pushtet me premtimin për 120 mijë vende pune, i ka nja 70 – 80 dosje në prokurori dhe në momentin kur ky shtet të çlirohet do t’i vijë rendi për t’u marrë vesh se kush është kush”, ka theksuar Kadaj Bujupi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit Kujtim Shala, i cili ka apostrofuar me këtë rast komunën e Pejës, që njihej deri vonë si bastioni i AAK-së, por që në zgjedhjet e fundit qeveriset nga LDK-ja, si një qytet ku, sipas zëvendësministrit Shala, po luftohet krimi dhe zhvatja.

“Se çka është ç’kapja e shtetit shko e shiko në Pejë. Shihni se çka po ndodhë atje. Se çka është dalja nga zhvatja, nga shantazhet dhe nga krimi i organizuar shkoni dhe shikoni në Pejë”, ka theksuar Shala.

Më pas, polemikat janë ashpërsuar, kur deputetja e AAK-së tha se Shala po gënjente duke mos treguar të vërtetën në foltoren e Kuvendit.

“Për një ministër që sillet si rrugaç, dua të them se ai po rren”, është shprehur Donika Kadaj Bujupi.

Debatet polemizuese janë ndërprerë pas vërejtjes së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri i cili kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të mos e lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për fyerje e etiketime.

Në vijim, deputetët nga radhët e opozitës kanë kritikuar qeverinë edhe në lidhje me tërheqjen nga rendi i ditës së Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Sipas tyre, qeveria nuk po thotë të vërtetën, pasi që ky projektligj është tërhequr me kërkesë të Beogradit dhe Listës Serbe.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar sërish zëvendëskryeministri Kujtim Shala duke thënë se tërheqja e këtij Projektligji ka të bëjë me disa harmonizime që duhet bërë me UNESCO-n. (rel)

Krimet e Rënda ‘kërkojnë’ ministrat e deputetët. OPDAT: Jo kryeprokuror politik

opdatPyetjes sesi mund të t’i dilet mbanë që drejtësia të ketë rezultate në gjykimin e ministrave dhe deputetëve, i përgjigjet me një propozim krejt ndryshe Gjykata e Krimeve të Rënda.

Siç edhe kërkuan vite më parë kompetenca për gjykimin e korrupsionit tek Krimet e Rënda, sipas kreut të saj formula edhe në rastin e njerëzve të politikës është që ata të mos gjykohen me juridiksionin fillestar në Gjykatën e Lartë.

“Për të arritur tek ajo që mund të quhet një reformë jurediko-proceduriale kushtetuese; kufizimin e juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë. Duket që është diçka e papërshtatshme tashmë në tërë këto vite dhe kolegët tanë ndërkombëtarë na e kanë këshilluar këtë. S’ka pse të bëhen diferenca sa i takon subjekteve, diferencat bëhen në kompetenca lëndore te gjykatat, derisa kemi gjykata të specializuara”- deklaroi Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Por nga ana e tij, ish-kreu i njësisë Task Forcë, Dritan Rreshka kërkon që të instalohet teknologjia bashkëkohore në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar në kod mundësinë që bashkëpunëtori i drejtësisë mos të dënohet fare.

“Ju keni dëgjuar shpesh që hetimet që lidhen me korrupsionin, ose edhe me krimin e organizuar janë hetimet të cilat nuk realizohen me metodat tradicionale të hetimit. Sot gjithmonë e më shumë është e nevojshme që instrumentat që përdoren për hetime të krimeve të tilla të jenë të përditësuara në përputhje me standardet ndërkombëtare, dhe njëkohësisht organi i procedurës duhet të pajiset me instrumenta të tilla që mundësojnë garantimin e provave”- tha Dritan Rreshka, prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Në tryezën për drejtësinë penale, u konstatua se kemi një prokurori pa rezultate në hetime, që i nënshtrohet vullnetit të 1-shit, i cili në këtë rast është Prokurori i Përgjithshëm që nga ana tjetër shikohet si i zgjedhur politikisht.

John Simbert, specialist i OPDAT: Prokurori i Përgjithshëm emërohet përmes një procesi politik dhe kjo ka çuar në mungesën e pavarësisë. Nëse shohim standardet e tjera dhe çfarë ka thënë Komisioni i Venecias flitet jo vetëm për pavarësi të jashtme, por edhe të brendshme. Duhet parë nëse Prokurori i Përgjithshëm kalon nëpërmjet këtij procesi politik, apo për zgjedhjen e tij shikohen meritat dhe kredencialet e tij? Nga ana tjetër, në vendet e rajonit edhe këshilli është një organ që jo vetëm këshillon, por edhe disiplinon karrierën e prokurorëve. Por nëse do të shohim sistemin këtu, nuk ka pavarësi të brendshme, dhe problemi që ngrihet këtu është; cili është roli i Këshillit të Prokurorisë në emërim dhe promovim? A është ky këshill i hapur?”.

Arben Rakipi, ish-Prokuror i Përgjithshëm: Të jepet pafajësi, shyqyr që kemi gjykatat që japin pafajësi, por në këndvështrimin e prokurorit është skandaloze që të marrë pafajësi. Duhet të gjejmë mekanizma që përgjegjësinë e tij ta identifikojmë, siç identifikojmë përgjegjësinë e atyre oficerëve të policisë që në shumë raste neglizhojnë hetimet.

Artan Hoxha, ekspert: Konstatoj që nuk funksionon mirë raporti mes prokurorisë dhe policisë. Faza më e dobët e hetimit, është hetimi paraprak.

Besnik Muçi, prokuror i Krimeve të Rënda: Një pjesë e rasteve shumë të rëndësishme, shpesh kanë dështuar në hetim për arsye të ndryshme, por në mendimin tim arsyeja themelore është mungesa e sinergjisë mes Policisë Gjyqësore, institucioneve të tjera të hetimit dhe Prokurorisë për të pasur një hetim me rezultate.

Henrik Ligori, prokuror i Krimeve të Rënda: Lëvizja e shpeshtë e prokurorëve dëmton hetimet e filluara dhe nuk e lidh fatin e karrierës së oficerit të Policisë Gjyqësore me rezultatin e hetimeve të kryera. Jemi të gjithë dëshmitarë që në shumicën e rasteve, policia mjaftohet me njoftimin e një ngjarjeje, zbulimin e autorëve dhe këtu merr fund gjithçka. Gjithçka transferohet në zyrën e prokurorit.

/ Top Channel

Edhe sot protesta në Shkup dhe Manastir

protesta shkupNë Shkup dhe Manastir për sot janë paralajmëruar protesta me moton kundër dhunës policore.

Këto protesta janë caktuar në të njejtën kohë në ora 18.00, ashtu siç kishte nisur protesta e mbrëmshme para Qeverisë. Aleksandar Neshkovski, vëllai i të riut të  vrarë katër vite më parë Martin Neshkovski deklaroi se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

“Kërkesat tona janë që të ndiqet penalisht ky pushtet jolegjitim, dhe jo vetëm të jap dorëheqje. Të ketë përgjegjësi komanduese në MPB dhe të ndiqen penalisht për krimet e bëra”, deklaroi Neshovski. Edhe këshilli organizativ në Manastir ka bërë thirrje për përkrahje masive të qytetarëve. (INA)

Fillon ndërtimi i ambasadës amerikane në Prishtinë

ambasadaAutoritetet e Kosovës thonë se ndërtimi i ambasadës nuk është vetëm përcaktim i adresës së përhershme amerikane por edhe simbol i qëndrueshmërisë së shtetit të ri.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson hodhën gurthemelin e ndërtesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Rreth 700 punëtorë do të angazhohen në ngritjen e kësaj godine që siç u tha, shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë së përhershme të diplomacisë amerikane në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që Shtetet e Bashkuara kanë në bërjen e Kosovës shtet.

Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”.

Ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson tha se dita e sotme shënon thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në këto vjet ekipi ynë ka punuar me shumë zell për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për ambasadën e re aq të nevojshme, por edhe të simbolit të përkushtimit dhe miqësisë së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës”, tha ambasadorja Jacobson.

Ndërtimi i ambasadës amerikane ndodhë 19 vjet pas hapit të parë të pranisë së përhershme amerikane në Kosovë. Në qershor të vitit 1996 Shtetet e Bashkuara hapën në Prishtinë Zyrën Informative, e cila pas luftës u shndërrua në misionin e Shteteve të Bashkuara për t’u shndërruar në ambasadë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Në Kosovë vazhdon të çmohet shumë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ky rol shihet i pazëvendësueshëm edhe në proceset e ardhme politike të Kosovës dhe përmbushjen e aspiratave të saj për integrimet euro atlantike. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Deri tash mbi 100 vende të botës e kanë pranuar pavarësinë e shtetit të ri e cila kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Zyrtarët amerikan kanë përsëritur në vazhdimësi se pavarësia është proces i pakthyeshëm dhe se Kosova është e bashkuar dhe e pa ndarë. Por, njëkohësisht ata kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësitë për ndërtimin e një shteti funksional, ringjalljen ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe veçanërisht mbrojtjen e pakicave kombëtare. (voa)