Tubim popullor i VMRO-DPMNE-së

tubimi vmroNën moton “Maqedonia e fuqishme!” para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë sonte filloi tubimi popullor i partisë në pushet VMRO-DPMNE dhe partive të koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”.

Në tubim marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve nga e mbarë Maqedonia.

Në mitingun e VMRO-DPMNE-së, i cili u mbajt në Shkup një numër i madh i qytetarëve mbanin shumë flamuj në duar.

Përpos flamurit kombëtar u vërejtën edhe flamuri i Serbisë dhe ai i Rusisë.

Tubimi popullor filloi me një minutë heshtje për policët të cilët e humbën jetën në aksionin në Kumanovë.

 Tubim popullor i VMRO-DPMNE-së

Me moton “Maqedonia e fuqishme!” sonte para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë tubim popullor do të mbajë VMRO-DPMNE dhe partitë e koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”.

Në tubim, të cilin e organizon VMRO-DPMNE-ja, koalicioni Për Maqedoni më të mirë, ashtu siç tha Gruevski, do të shprehet përkrahje e shtetit në këto momente të vështira,  për të gjithë të cilët luftojnë për Maqedoninë, për forcat siguruese, për të gjitha forcat të cilat i japin përpjekje Maqedonisë për dalje nga ky proces,  të përfundojë kjo krizë dhe të vazhdohet nëpër shtigjet e përparimit,  në hapjen e vendeve të reja të punës,  në rritjen e rrogave, të pensioneve, të ndihmës sociale, nëpër shtigjet e përkrahjes së fuqishme të bujqve.

Në thirrjen e VMRO-DPMNE-së për tubimin, thuhet se, partia do të luftojë për Maqedoni të zhvilluar ekonomikisht, stabile dhe të fuqishme dhe nuk do të lejojë për shkak të asnjë interesi partiak ose personal shteti të futet në drejtim, i cili  është në dëm të çdo qytetari të Maqedonisë. (alsat)

 

ShutkaFamiljarët e disa nga të arrestuarve gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë kanë vizituar sot ata në burgun e Shutkës në Shkup.

Kjo ka qenë vizita e parë e familjarëve që nga arrestimi i tyre të shtunën e 9 majit. Një pjesë e familjeve i kanë sjellë ushqime dhe gjësende të nevojshme të afërmeve të tyre. Ambasada e Kosovës në Shkup po ndjekë situatën e të burgosurve dhe se janë shprehur shqetësime për keqtrajtimin e tyre.

Familjarët kanë realizuar vizitën pasi që kanë plotësuar disa kushte të nevojshme, deri tek sigurimi i një deklarate të noterizuar dhe dokumente tjera personale dhe familjare. Ata kanë qëndruar vetëm pak minuta dhe se mësohet se të burgosurit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore nga brutaliteti nuk janë lënë për të realizuar vizitën dhe se nuk janë dhënë arsyetime.

Avokatja Ajtene Ademi-Iseini që po mbron grupin e të arrestuarve të Kumanovës ka kërkuar që të burgosurëve t’u lejohet trajtimi mjekësor në spitale.

Ai deklaroi se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që janë klientët e saj Bek Bajra dhe Valdet Zekaj, por edhe të burgosurit e tjerë do të kërkojë transferimin e tyre sot  në spital.

“Është përdorur dhunë e tepërt gjatë arrestit të tyre nga Kumanova deri në gjykatën e Shkupit. Kanë të thyer dhëmbë dhe hematoma, ndërsa në njërin ka pasur ndërhyrje kirurgjikale për shkak të gjendjes së rëndë. Këtu janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut, asnjë konventë nuk e lejon atë keqtrajtim. Apelojmë te organizatat ndërkombëtare që të ndërhyjnë me ekipe mjekësore për shkak se gjendja e tyre nuk është e mirë”, ka thënë ajo.

Një pjesë e familjarëve siç mësohet vizitat mund t`i realizojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

familjaret shutka

Në burgun e Shutkës tashmë gjenden në paraburgim 28 veta, shumica prej tyre nga Kosova:

1.Kenan Iseni, Kumanovë
2.Fadil Fejzullahu, Kumanovë
3.Demë Shehu, KOsovë (Juniku)
4.Sami Ukshini, Kosovë (Sokoli)
5.Irfan Lutfiu, Kumanovë
6.Arsim Bajrami, Kumanovë (polic nga Vaksinca)
7.Fadil Elshani , Kosovë
8.Esat Kafexholi, Kosovë
9.Ardijan Bujari, Kosovë
10.Andi Krasniqi, Kosovë (Muhamed Krasniqi- Malisheva)
11.Shefket Avaqi, Kosovë
12.Lirim Demiri, Kumanovë
13.Ajrush Avdia, Kosovë
14.Betim Kartashi, Kosovë
15.Genci Sefa, Shqipëri
16.Lendrit Rustemi, Kosovë
17.Enver Klain, Gjermani (me shtetësi gjermane)
18.Rufki Dogani, Kosovë
19.Nasuf Bekiri, Haraçinë
20.Valdet Zekaj, Kosovë
21.Bajram Elshani, Kosovë
22.Nexhmetin Lika, Tetovë
23.Lirim Krasniqi, Kosovë
24.Sevdail Miftari, Kumanovë
25.Fatmir Reçica, Kosovë
26.Beg Bajra, Kosovë (Beg Riza, komandant Begu)
27.Fejzulla Rushitovski, fshati Brezë
28.Besnik Ajdini, Kumanovë

(INA)

Jo vetëm barazi qytetare, duhet barazi kombëtare

protesta lsdmTë dielën në Shkup u mbajtën protesta të mëdha të organizuara nga shoqëria civile dhe nga opozita, duke kërkuar dorëheqjen e Gruevskit, kryeministrit tashmë të faktuar si antishqiptar.

Është e domosdoshme që qeveria Gruevski të rrëzohet, por e pamjaftueshme. Opozita maqedonase, që pretendon të zëvendësojë Gruevskin, nuk ka dhënë shenja për ndryshime përmbajtësore sa i përket shqiptarëve. Zoran Zaev flet për barazi qytetare, pra barazi të individëve, por Maqedonia mund të jetë një shtet i mirë për të gjithë vetëm atëherë kur të sigurojë barazinë kombëtare për shqiptarët. Barazia ose është e plotë, ose nuk është.

Insistimi vetëm tek barazia qytetare nënkupton mirëmbajtje dhe riprodhim të diskriminimit që i bëhet shqiptarëve. Ata nuk diskriminohen pse janë individë apo qytetarë, por për shkak të faktit që i përkasin një kolektiviteti politik siç është kombi shqiptar i cili gjer më tash është konsideruar si problem për Maqedoninë. Tejsimbolizimi i qenies politike të kombit çon në keqpërdorim të flamujve dhe në përqeshje. Shqiptarët nuk kërkojnë barazi flamujsh.

Nën regjimin e Gruevskit shqiptarët u getoizuan, u zhvendosën prej territoreve ku kanë banuar gjithnjë, u kategorizuan në mënyrë fyese, u dhunuan dhe u keqgjykuan nga shteti. Kjo ndodhi në bashkëpunim me BDI, pra me partnerët shqiptarë të qeverisë e cila duhet rrëzuar patjetër. Por, diçka më e rëndësishme se sa rrëzimi i qeverisë, është që të ndryshohet karakteri i vetë shtetit të Maqedonisë. Marrëveshja e Ohrit nuk mjafton!

Më herët Zaev ka thënë se ka fakte që dëshmojnë se rasti Monstra ishte i montuar nga shteti, ai deri më tash nuk ka bërë publike asgjë për të. Është e mirë dhe e rëndësishme që kreu i LSDM-së po i zbardh rastet e korrupsionit të pushtetit, dhe përdaljet fashiste të eksponentëve të saj (ish kryepolicja Jankullovska). Por këto nuk janë asgjë nëse nuk zbardhen krimet e orkestruara nga shteti të cilat i janë mveshur dhe montuar shqiptarëve duke i gjykuar e dënuar në mënyrë drakonike ata. Pikërisht këto montime që përfshijnë ekzekutivin e gjyqësorin e shpërfaqin të vërtetën e shtetit të Maqedonisë, krahas të vërtetës së pushtetit aty. Ta dish të vërtetën dhe ta mbash atë të fshehur është të bëhesh bashkëfajtor në krim.

Mënyra se si është e ndërtuar Maqedonia përherë për shqiptarët rrezikon që të prodhojë “Gruevskë” të rinj, prandaj shqiptarët duhet të bashkohen e të angazhohen për ta ndryshuar atë. Është e domosdoshme që në këto momente të dëgjohet zëri i të papërfaqësuarve shqiptarë, jashtë klientelave të kapura e të kontrolluara prej Gruevskit e Mijallkovit.

Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova duhet të njësojnë politikat diplomatike, ato të sigurisë e të mbrojtjes me synim ruajtjen dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së shqiptarëve në Maqedoni. Ky njësim politikash duhet të iniciohet, të sanksionohet e të mbikëqyret prej dy Kuvendeve.

18 maj 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Raporti i DASH për Shqipërinë: Shqetësim, krimi e xhihadistët; vlerësohet Lazarati

Raporti dash shbaByroja e Sigurisë Diplomatike, pranë Departamentit amerikan të Shtetit, ka publikuar raportin e saj për vitin 2015 mbi krimin dhe sigurinë në Shqipëri. Në raport thuhet se, në vitin 2014 krimi dhe situata e përgjithshme e sigurisë vijojnë të mbeten shqetësuese.

“Krimi ka vazhduar të rritet gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së madhe të vjedhjeve dhe grabitjeve me dhunë. Krimi i rrugës është mjaft i zakonshëm në zonat urbane, kryesisht gjatë natës. Rritja më e dukshme në krim ka qenë lidhur me vjedhjet me dhunë, grabitjet dhe dhunën në familje. Krimi i dhunshëm ka parë një rënie të vazhdueshme që nga 2011-a”, thuhet në raportin e OSAC.

Pavarësisht rënies së numrit të shpërthimeve me eksploziv, sipas Byrosë së Sigurisë Diplomatike, sërish këto lloj krimesh vijojnë të mbeten një shqetësim, ku si zonë më problematike identifikohet ajo e Fushë Krujës.

Në kapitullin e krimeve të lidhura me drogën, raporti nënvizon:

“Në Shqipërinë Jugore, zona e Lazaratit në Gjirokastër ishte një nga më të mëdhatë e prodhimit të marijuanës në Europë. Në qershor, policia ndërmori një operacion të gjerë antidrogë në këtë zonë, i cili çoi në kapjen e sasive të mëdha të marijuanës dhe arrestimin e disa personave”.

Por, pavarësisht këtij operacioni dhe përmirësimit të situatës së sigurisë në Lazarat, sërish Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk lejon udhëtimet personale për personelin e qeverisë amerikane në Lazarat dhe vizitorëve nuk u rekomandohet të udhëtojnë në atë zonë.

Një shqetësim në rritje në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit – sipas raportit – është kërcënimi që vjen nga luftëtarët e huaj, të cilët udhëtojnë në Siri dhe kthehen më pas sërish në rajon.

“Në mars, Policia e Shtetit shqiptar ka vepruar kundër një rrjeti rekrutimi luftëtarësh për në Siri, duke arrestuar 9 persona për “nxitje të akteve të terrorizmit”. Dy prej të arrestuarve ishin imamë në xhamitë në periferi të Tiranës, të cilët mësojnë një version ekstrem të Islamit. Përveç kësaj, Parlamenti miratoi një seri ndryshimesh në Kodin Penal të Shqipërisë, me qëllim forcimin e aftësisë së qeverisë për të adresuar problemin e shtetasve shqiptarë, që udhëtojnë për të luftuar në konfliktin në Siri”, thuhet në raportin e Byrosë së Sigurisë Diplomatike pranë Departamentit amerikan të Shtetit.

Tahiri: DASH njeh arritjet tona
Raporti përmend sukseset kundër drogës, korrupsionit dhe xhihadistëve

Pas publikimit të këtij raporti, me anë të një daljeje për mediat, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka përshëndetur Departamentin amerikan të Shtetit për vlerësimin e bërë, por njëkohësisht ka pranuar dhe kritikat e ngritura.

“Raporti ka njohur një sërë arritjesh pozitive për Shqipërinë, lidhur me luftën kundër lëndëve narkotike, me ulje drastike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike për vitin 2014, ashtu siç ka njohur rezultatet tona në luftën kundër kriminalitetit të dhunshëm, pavarësisht shqetësimit që ende mbetet për kriminalitetin e rrugës. Njeh përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare dhe rezultatet pozitive për rritjen e punës së Policisë, reagimin dhe kapacitetet zbuluese të Policisë së Shtetit, rritjen e sigurisë, koordinimin e agjencive ligjzbatuese, si dhe uljen nëpërmjet rezultateve pozitive në goditjen e fenomenit të korrupsionit”, u shpreh ndër të tjera ministri Saimir Tahiri.

/ Top Channel

Kumanovë: Nga Kosova, 9 persona të vrarë dhe 21 të arrestuar

kumanovaBazuar në informatat të cilat deri me tash i kanë institucionet e Kosovës, gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë të Maqedonisë, janë vrarë 9 dhe janë arrestuar 21 shtetas të Kosovës.

Autoritetet e Maqedonisë nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm lidhur me shkëmbimin e informacioneve, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Policia e Kosovës nuk kanë poseduar asnjë informatë të mëhershme, e cila do të paralajmëronte përleshjen në Kumanovë.

Kështu kanë thënë drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës, në raportimin e tyre para Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka theksuar se Kosova ka qenë në pozitë të palakmueshme për sa u përket informatave nga Maqedonia dhe se një situatë e tillë po vazhdon ende. Për më tepër, sipas tij, autoritetet e Kosovës nuk kanë mundësi që në mënyrë zyrtare t’i njoftojnë as familjet e personave të vrarë, lidhur me vrasjen e të afërmve të tyre.

“Të vetmet informacione që ne i kemi marrë kanë qenë ato që kanë të bëjnë me verifikimin e identitetit të personave dhe kjo është bërë pas një presioni që ne kemi bërë ndaj autoriteteve maqedonase, pas kërkesave të pareshtura, pothuajse në baza ditore, pas incidentit”.

“Përfundimisht, i kanë dërguar informacionet, shënimet gjenerale, të atyre njerëzve në përgjithësi, të cilat ne, përmes sistemeve tona i kemi verifikuar dhe kanë rezultuar si të tilla”, ka theksuar Maxhuni.

Ai ka shtuar se në bazë të verifikimit të informacioneve që i kanë bërë autoritetet e Kosovës, e të cilat i kanë marrë nga autoritetet maqedonase, rezultojnë të jenë 9 shtetas të Kosovës të vrarë dhe 21 të arrestuar.

Ndryshe, mediet në Kosovë, menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, patën raportuar se Agjensioni Kosovar i Intelegjencës, paraprakisht e kishte lajmëruar kreun e Kosovës, lidhur me konfliktin e mundshëm në Maqedoni.

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë insistuar në atë se ka pasur paralajmërime për incidentet e mundshme në Maqedoni dhe kanë shprehur habinë se si nuk janë vërejtur lëvizjet e qytetarëve nga Kosova në Maqedoni.

Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, të hënën, e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka theksuar se as ministria që ai drejton e as policia, nuk kanë pasur asnjë informacion të mëhershëm, që do të shërbente për të tërhequr vëmendjen për ato që më pas kanë ndodhur.

Ministri Hyseni, ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të asaj që ka ndodhur në Kumanovë.

“Ajo që ka ndodhur atje është nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve të Maqedonisë dhe unë sërish po insistoj – është qëndrim i imi personal në këtë rast- që do të duhej lejuar një hetim ndërkombëtar, kompleks, që të evitohen të gjitha mundësitë e spekulimeve, të natyrës çfarë i kemi parë”, tha ministri Hyseni.

Ai ka shtuar se është i gatshëm ta ndajë me qytetarët e Kosovës çdo informacion të cilin e kanë institucionet e Kosovës dhe sipas tij “Kosova, qeveria dhe institucionet, nuk fshehin asgjë dhe nuk kanë sponsorizuar asgjë.

“Qeveria e Kosovës dhe unë si ministër , insistojmë që krizat qeveritare në një vend fqinj, nuk e kemi ndërmend që t’i importojmë në Kosovë, sepse kjo është e rrezikshme politikisht dhe në mënyrë strategjike e gabueshme”, ka thënë Hyseni.

Por, Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Intelegjencë , ka theksuar se menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë, AKI-ja i ka konfirmuar këtij komisioni se me datën 23 shkurt të viti 2015, ‘raporti për këtë grup i është dorëzuar kryeministrit dhe presidentes, ashtu siç e kanë obligim ligjor”.

“Ndërkohë, kanë thënë, gjithashtu, se për ngjarjet. do të thotë, për zhvillimet e mëhershme kanë qenë në dijeni ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, si dhe drejtori i policisë…. Meqë kryeministri e ka pasur këtë raport, që nga data 23 shkurt, a u është drejtuar juve si ministër i Punëve të Brendshme, që të ndërmerrni diçka në këtë drejtim, për indiciet që i ka ky raport?”, ka pyetur Dërguti, ministrin e Brendshëm, Hysenin.

Ky i fundit ka thënë se është në diskrecionin e plotë të kryeministrit dhe të presidentes, por edhe të një anëtari të komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, se çfarë ndan me dikë dhe çfarë nuk ndanë.

“Është në të drejtën ekskluzive tuajën por edhe në përgjegjësinë e juaj në këtë rast, si anëtare e komisionit, se çfarë bën publike nga mbledhjet e mbyllura të trajtimit të AKI-së. Aty ju e mbani përgjegjësinë”.

“Pavarësisht nga kjo që thoni se ju kanë thënë juve dhe unë nuk mund ta marr si valide këtë që e thoni, sepse mënyra se si e trajtuat, e keni humbur besueshmërinë time që të besoj në ato që i thoni se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë e njoftuar. Ministria e Punëve të Brendshme as nuk ka pasur raport e as nuk ka pasur asnjë njoftim nga ato që janë dhënë në opinion”, theksoi Hyseni.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënën ka thënë se për shkak të shprehjes së shqetësimeve në Kuvend, lidhur me gjendjen shëndetësore të shtetasve të Kosovës të arrestuar në Maqedoni, të ndërlidhur me rastin e Kumanovës, institucionet e Kosovës janë duke tentuar që të aranzhojnë një vizitë të një organizate joqeveritare, për shtetasit e Kosovës të arrestuar në Maqedoni.

“Ne jemi duke tentuar që ta autorizojmë Këshillin për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, që t’i lejohet që t’i vizitojë të burgosurit atje dhe në të njëjtën kohë të na e sjellë një raport neve, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Keni parasysh se që nga dita e premte – duhet të dihet publikisht – jemi duke pritur një përgjigje zyrtare nga autoritetet maqedonase”, ka theksuar Veseli.

Ai ka shtuar se lidhur me këtë e kanë kontaktuar ambasadorin e Maqedonisë në Prishtinë, por edhe autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë të Maqedonisë. (rel)

NATO-ja, thirrje për qetësi në Maqedoni

Nikola+JensSekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot se aleanca po i ndjek nga afër ngjarjet në Maqedoni dhe bëri thirrje për qetësi. Ndërkohë, protestuesit e opozitës ngritën çadra sot para parlamentit në Shkup pasi dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një protestë kundër qeverisë dje  dhe sot në mbrëmje pritet të organizohet një protestë në mbështetje të qeverisë.  Maqedonia përballet me një prej krizave më të thella politike që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991.

Zoti Stoltenberg tha se alaeanca po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni.

“Maqedonia është një vend që aspiron anëtarësimin më NATO dhe se për këtë arsye ne kemi një marrëdhënie të ngushtë me të”.

Zoti Stoltenberg, foli gjatë një takimi të ministrave të jashtëm dhe të brendshëm të Bashkimit Evropian në Bruksel,  një ditë pasi një tubim anti-qeveritar tërhoqi dhjetra mijëra protestues në Shkup, që valëvisnin flamuj maqedonas dhe shqiptarë në një shenjë uniteti etnik kundër një qeverie që është tronditur prej publikimit të bisedave të përgjuara.

“Besoj thellësisht se demonstratat paqësore janë pjesë e shoqërisë demokratike. E rëndësishme është që të mos ketë më dhunë, të sigurohemi për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe që të zbatohet plotësisht shteti ligjor dhe që të shmangim shkallëzimin e krizës dhe konfliktin në Maqedoni”.

Kriza që ka tronditur qeverisjen konservatore nëntë vjeçare të Nikola Gruevskit, është më e rënda që kur diplomacia perëndimore shmangu një luftë të përgjithshme civile pas kryengritjeve në vitin 2001, duke i premtuar Maqedonisë integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Por mosmarrëveshja për emrin me Greqinë, e ka frenuar këtë integrim dhe gjatë kësaj kohe kritikët thonë se zoti Gruevski ka anuar edhe më shumë nga e djathta, duke nxitur nacionalizmin dhe monopolizuar pushtetin në koalicion me BDI-në e drejtuar nga Ali Ahmeti.

Por ndërsa flamujt maqedonas valëviteshin mbi një det çadrash në Shkup, protestuesit thanë se janë të bashkuar.

“Nuk ka ndryshim mes nesh këtu, qofshim ateistë, kosmopolitanë, anarkistë, myslimanë, të krishterë, ne jemi të gjithë një, me një objektiv: t’i themi Gruevskit dhe regjimit të tij, që të ikin”, tha demonstruesi nga Kumanova Stefan Jovanocski.

Diplomatët perëndimorë po përpiqen të negociojnë një zgjidhje për krizën, të shqetësuar nga efekti që paqëndrueshmëria politike mund të ketë tek paqja ndër-etnike. (voa)

Pa marrëveshje bisedimet në Maqedoni

para qeveriseTakimi i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni lidhur me zgjidhjen e krizës në vend, rezultoi pa marrëveshje. Takimi është një nismë e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund krizës disa-muajshe në këtë vend, që u shkallëzua nga skandali i përgjimeve. Drejtuesit politikë, siç bëhet e ditur, nuk kanë arritur të paraqesin as propozimet e tyre për zgjidhjen e problemeve.

Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni u takuan të hënën në një raund të dytë për të kërkuar një zgjidhje të krizës politike që ka kapluar vendin, por pa rezultat. Në takimin e ndihmuar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, Jess Baily dhe Aivo Orav, ende nuk janë hapur temat e bisedimeve; madje drejtuesi opozitar Zoran Zaev ende nuk i quan bisedime.
Zoti Zaev bëri të ditur se nuk ka ndonjë përparim.
Ai thotë se fillimisht duhet sqaruar disa gjëra si parimi i barazisë së paraqitjes së propozimeve nga të gjithë pjesëmarrësit në takim:
“…Dhe të garantohet zbatimi i gjithë asaj që do të arrihet si marrëveshje”, thotë ai.
Ndërkohë, të marten në Strazburg do të mbahet një takim midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtuesit opozitar Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian. Pastaj më 26 maj, përsëri do të takohen të katër drejtuesit e partive më të mëdha në Shkup.
Zoran Zaev bëri të ditur se nuk është arritur të hapen bisedimet lidhur me çështjen eventuale të një qeverie teknkie, ose kalimtare. “Kërksat tona, tha ai, janë të qarta, por nuk janë hapur në takim”.
Kërkesa e opozitës maqedonase ka të bëjë me një qeveri, e cila mund të jetë e përbërë nga ekspertë, nga administrata ose mund të jetë dhe politike, që do ta kthejë vendin drejt normalitetit dhe të krijojë kushte për zgjedhje të parakohshme, siç tha zoti Zaev.
Sipas burimeve të afërta me drejtuesit politikë nga takimi, mësohet që partitë e pushtetit VMRO dhe BDI të kenë shprehur gatishmëri për një riformatim të qeverisë, por kjo është e papranueshme për opozitën maqedonase. BDI, thuhet të ketë kërkuar formimin e një komisioni për hetimin e skandalit të përgjimeve.
Ndërkohë, ngjarjet e Kumanovës, edhe pse u bënë shkak për këto takime të shpejta të politikanëve me ndikim, megjithatë nuk jane fare temë e bisedës.
Ndërkohë, analistët mendojnë se pozita e zotit Zaev po vjen duke u forcuar sidomos pas protestës së të dielës ku u mblodhën mijëra njerëz në mbështetje të opozitës për rrëzimin e qeverisë dhe ku pati maqedonas e shqiptarë bashkë me flamuj kombëtarë; mbase hera e parë deri tash në një paraqitje të këtillë në Maqedoni.
Po sonte (e hënë), partia VMRO-DMNE e kryeminsitrit Gruevski do ta mbajë një miting para Parlamentit, ndërkohë që, nga ana tjetër, protestuesit e opozitës kanë ngritur tenda para ndërtesës së Qeverisë, ku po i kalojnë netët.

Maqedonia përballet me një prej krizave më të thella politike që nga shpallja e pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Pjesa dërrmuese e krizës ka ardhur si rezultat i akuzave të opozitës, se qeveria kishte përgjuar ilegalisht 20 mijë njerëz.

Të dielën, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një protestë kundër qeverisë në Shkup. Shumë prej tyre kanë ngritur një kamp përballë zyrave të kryeministrisë dhe janë zotuar se do të rrinë aty, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Gruevski. Sot në darkë pritet të organizohet një protestë në mbështetje të qeverisë.

Qindra përkrahës të opozitës e kaluan natën jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup nën kërkesat e vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit konservator Nikola Gruevski.

Protestuesit, të cilët thonë se kanë në plan të qëndrojnë aty për ditë me rradhë, po ashtu kanë bërë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Mbështetësit e opozitës e kaluan natën në tenda pas protestës së të dielës ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz.

Në këtë rajon të njohur për historinë  e përgjakshme të konflikteve ndëretnike dhe paqëndrueshmërisë politike, zhvillimet kanë shkaktuar alarm si benda ashtu edhe jashtë atij vendi. (voa)

Zhvillimet në Maqedoni – Lojë me zjarrin

Pas konfliktit të përgjakshëm në Kumanovë, Maqedonia është vënë në fokus të shtypit gjerman, në shumë artikujt trajtohen pasojat e krizës politike jo vetëm për demokracinë, por edhe vetë shtetin maqedonas.

shtypi gjerman

Gazeta gjermane “Tageszeitung” (15.05) shkruan se në Maqedoni shpërtheu dhuna javën e kaluar. Ajo pyet nëse kjo ngjarje mund të shihet si një fenomen i izoluar, apo “si sinjal për një konflikt të armatosur në vendin e harruar të Ballkanit Perëndimor për shkak të krizës në BE, asaj në Ukrainë dhe “Shtetit Islamik”. Mbi sfondin e konfliktit në Kumanovë dihet shumë pak. E sigurtë është që shumë, shumë vetë në këtë rajon të ndarë dhe të përzier etnikisht, nuk do ta shohin gjakderdhjen si një larje hesapesh e policisë me një trupë ilegale, por si një përplasje e maqedonasve sllavo-ortodoksë me shqiptarët. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur, ndodh apo do të ndodhë, serbët kanë patjetër simpati për vëllanë ortodoks maqedonas dhe aversion ndaj shqiptarëve.

Por edhe shqiptarët e Kosovës apo ata në Shqipëri do të ndjehen të afruar me popullsinë shqiptare të shpërndarë në Serbi, Maqedoni, Greqi dhe Mal të Zi. Ndjesia kombëtare qëndron mbi çdo ideologji.” Gazeta gjermane vëren se paqja në Maqedoni është arritur pas konfliktit të armatosur në vitin 2001 mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Por ajo thekson se “megjithëse nga viti 2001 gjithmonë ka qenë një parti politike shqiptare pjesë e qeverisë, shqiptarët që përbëjnë rreth 30% të popullsisë dhe maqedonasit po largohen nga njëri-tjetri.” Për “Tageszeitung” historia nga mëson se zhvillime si papunësia masive, plagët e pashëruara të luftës, fajësime dypalëshe, mungesa e perspektivës nuk sjell gjë të mirë. Kjo është një lojë me zjarrin.

Pse nuk u vu re grupi i Kumanovës nga autoritetet?

Ndërsa gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” (15.05) nën titullin “Rënia e Maqedonisë në kaos” analizon se misioni antiterror i qeverisë mund të jetë i inskenuar. Fundjavën e kaluar policia pati shkëmbime zjarri me terroristë shqiptarë të dyshuar -8 policë dhe 14 terroristë humbën jetën. Ata kishin planifikuar sulme nga qendrave tregtare, institucioneve shtetërore dhe aktiviteteve sportive, sipas kryeministrit….Por ekspertët dyshojnë se ky incident i përgjakshëm mund të jetë inseknuar. Ish-kreu i shërbimit sekret, Goran Mitevski tha se duket jologjike, që një grup terrorist i armatosur rëndë të ketë vepruar i pa vënë re nga autoritetet. Ndërsa ish-gjenerali Ilja Nikolovski beson se terroristët e dyshuar janë më shumë mercenarë të paguar. Ndërsa kreu i opozitësm Zaev madje thotë se ka prova, se qeveria kishte më shumë se një vit e gjysmë që kishte informacion mbi këtë grup të armatosur. Ambasadorët e Gjermanisë, SHBA-së, BE-së, Francës dhe Italisë pas takimit me kryeministrin nuk e prekën me asnjë fjalë ‘terrorin’ e supozuar, por bënë fjalë për ‘një tragjedi” duke theksuar se qeveria ‘nuk ka bërë përparime” për ‘zbardhjen e shumë akuzave për keqpërdorime nga qeveria.'”

Zhgënjim në Maqedoni

Edhe gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung i kushton vëmendje ngjarjeve në Maqedoni në një artikull të sajin “Zhgënjimi rritet në Maqedoni (13.05). Sipas FAZ “përplasjet e dhunshme në Maqedoni kanë edhe një sfond ekonomik. Këtë të lenë të kuptosh edhe deklaratat e presidentit maqedonas, Djordje Ivanvov, kur thotë se Perëndimi ka një faj të tijin për luftimet në Kumanovë. Ivanov tha se në shpërthimin e dhunës ka pjesën e saj edhe një ‘bllokadë’ dhjetëvjeçare që pengon anëtarësimin në NATO dhe BE. ” Por për Vladimir Gligorov, ekspert në Institutin e Vjenës për Ekonominë e Krahasuar, “nuk ka kuptim të bësh një lidhje direkte me ngjarjet dhe shtyrjen në procesin e anëtarësimit. Por e vëteta është që perëndimi me taktitën e ngrirjes rrit zhgënjimin dhe i heq vetes mundësitë për të ndikuar”.

Ndërsa Berliner Zeitung (12.05) publikon një analizë të Norbert Mappes-Niedek me titull “Kush përfiton nga dhuna” (12.05). “Nuk dyshohet për një konflikt etnik. Partitë shëiptare në Maqedoni nxituan të distancohen nga luftëtarët e infiltuar të UÇK-së. Një destabilizim i Maqedonisë nuk ‘është në interes të kombit shqiptar’, tha ALi Ahmeti, kreu i partisë bashkëqeverisëse…Po këto tone u dëgjuan edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Tensionet e vërteta janë këtë herë mes vetë maqedonasve. Kundërshtarët e qeverisë demonstruan krah shqiptarëve kundër Gruevskit. Opozita e zemëruar shprehet se qeveria i ka joshur ekstremistët qëllimisht në Kumanovë për të hequr vëmendjen nga presioni politik dhe për të kaluar në linjën etnike. E dyshueshme të duket që terroristë me uniforma për disa ditë hynin në Kumanovë të pandaluar nga askush – dhe kjo në një vend ku kushëriri i Gruevskit, kreu i shërbimit sekret sipas zbulimeve të fundit përgjon deri në 20.000 qytetarë.”

Mijëra protestues në Shkup kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Mijëra qytetarë të të gjitha bashkësive etnike në Shkup protestuan kundër qeverisë së kryeministrit Gruevski. Për kreun e opozitës Zaev 17 maji i këtij viti do të hyjë në historinë e vendit.

Zaev

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë e cila akuzohet për veprimtari kriminale që sipas tyre janë dëshmuar me atë që njihet si afera e përgjimeve nga ana e opozitës. “Gruevski Ik”,”Lamtumirë Nikolla” “Poshtë qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat që po mbanin protestuesit në duar.

Masës së tubuar iu drejtuan përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, studentë, profesorë të universitetit e eurodeputetë. Ata thonë se protesta e sotme është shans për një fillim të ri në Maqedoni, për kthimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Studentët -pjesë e demonstratës

Studentët nuk janë sot këtu për të mbështetur një parti politike, por duam një shtet demokratik dhe ardhmëri, u shprehën studentët maqedonas dhe shqiptarë nga Plenumi Studentor. “Ne nuk jemi përkrahës të asnjë partie, ne nuk jemi përkrahës as të qeverisë as të opozitës, ne duam demokraci, liri. Të nderuar politikanë ju na ndalët të drejtën për liri, për t’u shprehur, prandaj jemi këtu që t’ju tregojmë se kaq e jo më tej”, deklaruan përfaqësues nga Plenumi Studentor.

“Gjenerata ime tashmë i ka vendosur themelet e një shoqërie multi-etnike dhe jam e bindur se gjenerata ime asnjëherë nuk do të jetojë një luftë të re, sepse gjenerata ime beson në fuqinë e bashkësisë, beson në lirinë dhe demokracinë, prandaj jemi më rezistent dhe konsistent në betejën për realizimin e ideve tona”, iu drejtua masës së tubuar një studente shqiptare. “Erdhi koha e lirisë, drejtësisë dhe bashkësisë. 9 vite na gënjejnë, na shkelin çdo dit. Morën në qafë shumë policë me skenarët e tyre, shumë fëmijë sot janë të traumatizuar, shumë shtëpi të djegura, edhe sa do të durojmë. ”,tha para protestuesve Xhabir Deralla, kryetar i CIVIL.

“Ne premtuam dhe erdhëm këtu. Erdhëm edhe përkundër të gjitha pengesave, kërcënimeve, dhe të gjitha marifeteve të tjera, nga bllokimi i ashensorëve, bllokimi i rrugëve me autobusë. Erdhëm të lodhur nga frika dhe nga dëshira e madhe për liri. Erdhëm që ta fitojmë lirin ose ta lirojmë lirinë”, deklaroi kryetari i Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni, Vlladimir Millçin.

“Harrove Maqedoninë”

Nikolla Dimitrov, ish funksionar i lart i VMRO-DPMNE-s kritikoi Gruevskin për dështim. “Ne tani do t’i vendosim themelet e Republikës së Maqedonisë, të gjithë së bashku do të sjellim demokracinë, Gruevski nëse më dëgjon a e di se ke dëshirë të dëgjosh, të gjitha ndërtesat i rregullove me fasada baroke, por e harrove Maqedoninë. Ka vetëm një opcion ose kjo Qeveri ose Republika e Maqedonisë. Faleminderit Nikolla, faleminderit që na bashkove dhe ne kërkojmë përgjegjësi.”

Profesoresha Najçevska u është drejtuar protestuesve duke deklaruar se qytetarët protestojnë për lirinë, të lirë nga frika dhe nga skamja, mjaft më me frikë. “Shumë vështirë të flitet për të drejtat që i takojnë çdo krijese. Ne po revoltohemi, sepse po shkelen të drejtat tona. Kemi të drejtë të jemi të lirë”, ka deklaruar ajo.

Në  protestë mbarëpopullore ishin të pranishëm edhe ish-raportuesi për Maqedoninë Riçard Howit, ish-kryeministri i Bullgarisë, Sergej Stanishev dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein. “Ne me shokët, nuk jemi këtu për t’iu mësuar, por jemi këtu për ta dëgjuar zërin tuaj, mesazhi juaj është e qartë, ju dëshironi paqe, këtu shoh njerëz nga etni të ndryshme që janë së bashku këtu, e shoh shumë qartë se ju doni demokracinë”, deklaroi Kryetari i Socialdemokratëve dhe ish-kryeministër i Bullgarisë  Sergej Stanishev. Ndërsa eurodeputeti gjerman socialdemokrate, Kntu Fleckenstein u shpreh: “ Unë jam këtu me shokë të mi nga Bullgaria, Suedia, Hamburgu dhe Britania e Madhe. Kam ardhur nga Brukseli në Shkup për t’i treguar Maqedonisë se si të përballojë krizën ku gjendet, por vetëm ju mund të zgjidhni të ardhmen tuaj. Ju përgëzoj për sinjalin që jepni, se ju qytetarët e Maqedonisë dëshironi të jetoni në një shtet demokratik me sundim të drejtë të ligjit .”

Protesta u përmbyll me fjalimin e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev për të cilin 17 maji i këtij viti do të hyjë në historinë e vendit si ditë kur filloi të çlirohet Maqedonia. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se në situatën e krijuar mundësia e vetme për dalje nga kriza është dorëheqja e Gruevskit. “Dëshiron, apo nuk dëshiron Gruevski duhet patjetër ta japë dorëheqjen. Bashkë me të edhe prokurori Marko Zvrlevski dhe udhëheqësia e TVM-së. Duhet të formohet qeveri kalimtare, e cila do të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka thënë  Zaev.

Ai kërkoi mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare që drejtpërdrejt të ndihmojë në zgjidhjen e krizës, e jo vetëm të monitorojë. “Inati i Gruevskit me vullnetin e popullit që sot po shihet qartë, mund të sjellë pasoja të padëshirueshme”, tha Zaev. Ai tha se, Maqedonia është e gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë. “24 vjet Maqedonia është një shtet -dy shoqëri. Prej tash do të jetë një shoqëri krenare për shtetin e saj. Dallimet janë thesari ynë. Ka mbaruar koha e patriotëve”, tha Zaev para protestuesve. (dw)

Richard Howitt: Maqedonia ndodhet në një moment kritik

“Protestat në Maqedoni nuk kanë qenë vetëm të një partie. Shihet qartë se banorët e Maqedonisë duan demokraci.” Për zhvillimet në Maqedoni flet për DW ish-raportuesi special i Parlamentit Evropain, Richard Howitt.

Howitt

DW: Zoti Richard Howitt, cili ishte motivi i pranisë suaj në protestat e mbajtura në Shkup?

Richard Howitt: Këtu jam i pranishëm për arsye se ky është një moment kritik për Maqedoninë dhe për demokracinë e saj, për sigurinë dhe legjitimitetin politik të udhëheqjes së saj. Nuk dua që BE të ketë një përshtypje të gabuar për zhvillimet. Ndaj duam të jemi aktiv, jo në këtë protestë, por për këtë vend dhe për popullin e këtij vendi. Ne duam të tregojmë se ndihma është e mundur dhe se duhet gjetur një zgjidhje të qendrueshme politike, e cila do ta kthente këtë vend në rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian, ku edhe e ka vendin.“

DW: Çfarë mendoni: cilat hapa duhet të ndërmarrin politikanët në Maqedoni – si pozita ashtu edhe opozita?

Richard Howitt: Si ndërmjetës në procesin mes Nikolla Gruesvskit dhe Zoran Zaevit, në procesin e nisur në Strasburg, nuk mund të flas për përbërjen e bisedimeve. Por shpresoj se ndërmjetësimi ynë mund të ndihmojë që të gjejmë rrugën për evitimin e shkallëzimit të situatës dhe fillimin e dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë vend. Megjithatë, ajo që kam pafrë sot në Shkup, është vazhdimësi e kërkesave për demokraci fundamentale, legjitimitet dhe siguri në këtë vend. Këto dy parti politike duhet të dëshmojnë gatishmëri për angazhim dhe përgjegjësi të vërtetë për zgjidhjen e krizës dhe suksesin e dialogut.

DW: A jeni optimist?

Richard Howitt: Në bazë të përvojës sime pesëvjeçare në Maqedoni dhe duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në rajon, historinë e konflikteve ushtarake në rajon, nuk mund të them nësr jam pesimist apo optimist. Por dua që ky vend të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Nuk dua që të kthehen konfliktet ndëretnike, por dua institucione dhe parlament, që të mund të funksionojnë. Ndaj Evropa nuk duhet të mbetet e mënjanuar dhe duhet të angazhohet me të gjitha mjetet për tejkalimin e krizës.

DW: A mendoni se kjo rrugë e zgjidhjes së krizës me protesta është e drejtë?

Richart Howitt: Nuk dëshiroj të them a është kjo rrugë e drejtë apo jo, sepse unë këtu jam në rolin e vëzhguesit – të shikoj dhe të dëgjoj. Ajo që kam parë, është se kjo nuk ishte protestë vetëm e një partie politike, sepse kam parë shumë organizatorë, studentë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Këtu ka pasur shumë njerëz, të cilët duan demokraci. Kjo është ajo që po shoh dhe dëgjoj dhe ky është mesazhi që do ta dërgoj në BE.