Kim Mehmeti: Presim ndihmë nga Zaevi për atje ku na çoi BDI

Postimi i plotë i shkrimtarit dhe publicistit Kim Mehmeti:

“Ne shqiptarët e Maqedonisë vazhdojmë të presim nga kryetari i opozitës maqedonase që ai t’i shpalosë bisedat e përgjuara telefonike që kanë të bëjnë me të vërtetat për ‘Sopotin’, ‘Brodecin’, ‘Monstrën, likuidimin e Harun Aliut, ‘Shkupin 2014… Kjo pritje më së miri e shpalosë paturpësinë tonë që të shtiremi se nuk e dimë që kryesuesit e BDI-së janë ata që na çuan nga një provokim e tragjedi në tjetrën, me çka na sollën deri te nata e tmerrshme e Kumanovës! Kjo pritje dëshmon edhe diçka më shumë se kaq: mos guximin tonë që t’i pyesim drejtuesit partiak pse kaq vite përkrahën regjimin kriminel e antishqiptarë DPMNE-BDI! Mos guxim që mbase buron nga ajo që e dimë, por e heshtim: se shumica nga ne jemi njësoj si ata që na përfaqësojnë e që ne i shajmë dhe i kritikojmë, se banditizmi dhe injoranca e kryesuesve të BDI-së dhe PDSH-së, pasqyron portretin tonë kolektiv si votues!” (lajm)

Hahn vjen në Shkup me planin e zgjidhjes së krizës

Bashkimi Evropian do të kërkojë zgjidhje urgjente për dalje nga kriza politike në Maqedoni.

Eurokomisioneri për zgjerim Johannes Hahn nesër do të kërkojë që palët e përfshira në bisedime të arrijnë një marrëveshje për ecurinë e negociatave dhe gjetjen e një kompromisi, informon INA.

Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijancic deklaroi sot se eurokomisioneri Hahn nesër në Shkup do të kërkojë zgjidhje urgjente të krizës politike.

“Komisioneri do të theksojë nevojën që partitë të zgjidhin urgjentisht krizën aktuale si dhe nevojën për adresimin e sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet vendi. Nuk do të spekuloja, nuk mendoj se kjo do të ishte e dobishme në këtë situate. Ajo që mund të them është se Komisioneri do të theksojë nevojën e zgjidhjes sa më të shpejtë të krizës aktuale dhe në këtë kontekst duhet të shihet vizita e tij”, deklaroi Kocijancic, e cila është zëdhënëse e eurokomisionerit për zgjerim, Johannes Hahn.

Disa nga mediat kanë theksuar se Hahn do të jap oferta konkrete dhe joshëse për Shkupin për të përshpejtuar dhënien e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe benefite të tjera për Maqedoninë.  Por gjithçka do të jetë në fokus rreth aferës për përgjimeve dhe skandaleve të tjera korruptive dhe kriminale të Qeverisë Gruevski. Akoma nuk dihet se cila do të jetë oferta për Gruevskin dhe se sa do të arrihet një fleksibilitet për të tejkaluar krizën përmes një qeverie kalimtare. Kryeministri Gruevski para ardhjes së Hahn ka deklaruar se nuk heq dorë nga posti i tij dhe se qeveritë e reja mund të formohen vetëm përmes zgjedhjeve.

Një nga propozimet e lansuara nëpër media është një qeveri kalimtare me një kryeministër nga VMRO-DPMNE. Por edhe opsioni për mbetjen e qeverisë me kryeministrin Gruevski, por me një përbërje më të zgjeruar, ndërsa nga ana tjetër të formohet një komision anketues në kuadër të Parlamentit, i cili do të zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe kërkesat e opozitës, siç janë zgjidhja gjyqësore e aferës së përgjimeve, ndryshimet në institucionet gjyqësore, ndryshime në udhëheqësinë e RTVM, përgaditja e zgjedhjeve nga një qeveri teknike dhe kërkesa të tjera për reforma.

Por, në kuadër të takimit edhe dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë paralajmëruar se do të bëjnë kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me avancimin e çështjeve të shqiptarëve, sidomos implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. (INA)

Kufiri detar, “Der Standard”: Greqia mund të përdorë veton për hapjen e bisedimeve

der standard“Serbia nuk është problem për Shqipërinë, Greqia po”. Me këtë fjali, gazeta austriake “Der Standard”, nis një analizë të gjatë të marrëdhënieve dhe tensioneve mes dy vendeve për çështjen e kufirit detar.

Në artikull, e përditëshmja austriake citon deklaratën e kryeministri Edi Rama dhënë në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun serb, Aleksandër Vuçiç. Rama u pyet në këtë konferencë mbi çështjen e kufirit detar me Greqinë.

“Ne nuk do të negociojmë interesin kombëtar për hir të fqinjësisë së mirë”- ishte përgjigja e Ramës.

Shqipëria është një vend kandidat për anëtar në Bashkimin Europian dhe duke analizuar përgjigjen e Ramës, “Der Standard” thotë se me siguri ajo nuk do të pritej mirë në Athinë. Reagimi i Ministrisë së Jashtme greke mbërriti menjëherë.

“Udhëheqësit politikë në fqinjin tonë po rrëshkasin nga shinat çdo ditë e më shumë. Rikthimi te logjika dhe ligjet ndërkombëtare është rruga më e mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”- do të deklaronte Ministria e Jashtme greke përmes zëdhënësit të saj, Konstandinos Koutras.

Pikërisht pjesa e fundit interpretohet prej gazetës austriake si kërcënim i Athinës për të vendosur veton për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Është një paralajmërim, paralajmërim që lë të kuptohet se Greqia mund të bllokojë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ashtu siç po bën me Maqedoninë”- shkruan “Der Standard”.

Gazeta austriake kujton se edhe në vitin 2014 Greqia ngurroi në dhënien e statusit të vendit kandidat, ndaj shqetësimet për bllokim të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit janë me vend në Tiranë.

“Der Standard” kujton marrëveshjen e 2009-ës mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e saj. Përveç çështjes së kufirit detar, gazeta austriake ndalet edhe tek çështja çame, që për Greqinë quhet e mbyllur, por jo për komunitetin e çamëve që jetojnë në Shqipëri.

Gazeta austriake mbyll shkrimin me një analizë të marrëdhënieve në rajon dhe mundësisë që Greqia të bllokojë Shqipërinë, ashtu siç bën me Maqedoninë në NATO dhe shumë ekspertë mendojnë se Athina mban një peshë të mirë të përgjegjësisë në rritjen e autoritarizmit dhe nacionalizmit në Shkup.

/ Top Channel

Lojë politike e Vuçiqit me rastin e vëllezërve Bytyçi (?)

VucicEdhe 16 vjet pas vrasjes në Serbi të tre vëllezërve Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, përgjegjësit për vrasjen e tyre nuk janë vënë para drejtësisë.

Trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello, në Serbi.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka kërkuar nga Veran Matiq, shefi i Komisionit për hetimin e vrasjes së gazetarëve, që të përfshihet në hetimet që kanë të bëjnë me vrasjen e vëllezërve Bytyçi në vitin 1999.

Vuçiq ka thënë ta ketë angazhuar zotin Matiq, për shkak të “rezultateve që ai ka treguar në rastin e gazetarit të vrarë, Slavko Çuruvija”.

Fatos Bytyçi, të cilit pjesëtarët e Policisë serbe ia kanë vrarë tre vëllezërit në Serbi, thotë se çelësi për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve të tij është në duart e Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq.

Në bisedën që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë e ka bërë me Fatos Bytyçin, ku i fundit ka theksuar se edhe pas 16 vjetësh vendnumërimi për sa i përket zbardhjes së vrasjes së vëllezërve Bytyçi, paralajmërimi për formimin e një komisioni për zbardhjen e të vërtetës për këtë rast, në krye me Veran Matiqin, nuk ngjallë shumë optimizëm.

“Kam marrë një shkrim përmes postës elektronike nga Matiqi lidhur me rastin dhe në njëfarë mënyre jam tronditur, sepse kjo nuk do të sjellë rezultate. Nuk mundet ai që t’i marrë dokumentet nga Sigurimi i shtetit apo organet tjera të shtetit”, ka thënën Fatos Bytyçi.

Ai ka shtuar se nuk beson që mund të ketë rezultate pozitive nga kjo nismë. Sipas tij, e gjithë kjo është vetëm një hap politik i kryeministrit serb, Vuçiq, në prag të vizitës së tij në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Tash ai vjen në Washington dhe e gjithë kjo do të tingëllojë, siç themi ne, vetëm sikur një ‘më fal” dhe të thotë që ‘ja ka filluar komisioni’. Për premtimet që i ka dhënë ai nuk ka bërë asgjë. Ka pasur mjaft kohë që të merren me këtë çështje, por kanë fjetur”, theksoi Fatos Bytyçi.

Por, kush po e frenon vërtetimin e përgjegjësive për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi, si dhe faktet se kush dhe si i ka vrarë? Fatos Bytyçi, shpreh bindjen se çelësi për këtë është Goran Radosavljeviq Guri, ish-oficer i policisë serbe.

“Unë ia kam dhënë atij dokumentet dhe gjithashtu edhe ish-kryeministrit Ivica Daçiq, se si Gri jep urdhër që vëllezërit e mi të likuidohen në Petrovo Selo. Unë ua dhashë atyre dokumentet e ata u shtangën. Autoritetet në Serbi e dinë se kush janë vrasësit e vëllezërve të mi”.

“Kanë mjaft argumente. Ka edhe mjaft dëshmitarë që dëshirojnë të dëshmojnë për këtë rast, por ata njerëz po marrin kërcënime nga Goran Radosavljeviq Guri. Këtë e dinë edhe Prokuroria për krime lufte, por edhe edhe ata kanë frikë që ta tregojnë gjithë historinë e rastit të vëllezërve Bytyçi dhe mund ta thonë se ku është problemi”, tha Fatos Bytyçi.

Ai nuk beson që vizita e paralajmëruar e kryeministrit Serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mund t’i ndryshoj gjërat. Sipas tij, po të donte Vuçiq që ky rast të zgjidhej, kjo edhe do të ndodhte, sepse siç thotë ai, “Vuçiqi e ka në dorë Agjencinë Informative të Sigurisë (BIA) dhe krejt Serbinë”.

“Në qoftë se Vuçiq dëshiron ta japë ‘dritën e gjelbër’, ky rast do të zgjidhej deri më tash. Nuk do t’i hyjmë tash politikës, por tash, po bëjnë kinse ‘hajt ta formojmë komisionin’. Ky e kë bërë këtë veprim, si lojë politike, në mënyrë që të thotë diçka në Uashington, se po bëjmë diçka dhe kemi filluar të punojmë për rastin e vëllezërve Bytyçi”, tha Fatos Bytyçi.

Ndryshe, ditë më parë, kryeministri serb Vuiçiq, ka theksuar se rasti i vëllezërve Bytyçi është një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”.

Për vrasjen e vëllezërve Bytyçi kanë qenë të akuzuar policët Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, të cilët pas dy gjykimeve janë liruar.

Për këtë rast, më 22 tetor të vitit 2013, edhe Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, kishte iniciuar një rezolutë, përmes së cilës kërkoheshin hapa të mëtejmë nga autoritetet në Serbi për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. (rel)

Gjykata Speciale nuk votohet pa projektligjin e hartuar në Bruksel

flamujt EUKuvendi i Kosovës nuk do t’i shqyrtojë as këtë javë amandamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka sjellë ende në Kuvend projektligjin për Gjykatën Speciale, i cili sipas koalicionit qeverisës do të duhej të miratohej të njëjtën ditë me amandamentet kushtetuese të propozuara po nga qeveria.

Ky projektligj, është rezultat i negociatave të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, por i cili, ende nuk ka marrë formën përfundimtare.

Kryetari i Kuvendit , Kadri Veseli ka thënë se nuk bëhet fjalë për vonesa e as pengesa procedurale, por për votimin brenda të ditës së amandamenteve dhe projektligjit.

“Qëllimi është që të njëjtën ditë të votohet për amandamentet kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me dhomat e specializuara dhe të njëjtën kohë edhe për projektligjin. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kemi sot procedim të amandamenteve të gjykatës dhe kjo ka qenë arsyeja pse herën e kaluar e kemi shtyrë mbledhjen për shkak të mungesës së projektligjit i cili pritet të vijë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Kadri Veseli.

Mirëpo, me konstatimet e kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të partive të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, nuk pajtohen deputetët opozitarë.

Sipas tyre, Gjykata Speciale nuk i duhet fare Kosovës. Kurse në rastin konkret besohet se koalicioni nuk i ka votat e mjaftueshme për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, andaj edhe po e zvarritë këtë çështje nga java në javë.

Deputeti i partisë Nisma, Haxhi Shala ka thënë se opozita është deklaruar tashmë kundër Gjykatës Speciale, kurse pozita e ka dëshmuar edhe me seancën e fundit se nuk i ka numrat për themelimin e saj.

“Votat nuk i kanë pasur as në seancën e kaluar dhe ne vazhdojmë të besojmë se ata ende nuk i kanë votat për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese”, ka deklaruar Shala.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka vlerësuar se themelimi i Gjykatës Speciale do ta suspendonte Kushtetutën e Kosovës.

“Neni 162 i propozuar për ta amandamentuar Kushtetutën për sa i përket themelimit të Dhomave të specializuara, fillon kështu: ‘pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj kushtetute’…Pra ky nen praktikisht e suspendon kushtetutën në tërësinë e saj”, ka thënë Ymeri.

Javën e kaluar, Kuvendi vendosi të shtyjë votimin për amandamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Arsyetimi i dhënë nga PDK-ja ishte se projektligji për gjykatën speciale i negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian ende nuk ishte përkthyer në të gjitha gjuhët.

Gjykata Speciale pretendon që të hetojë tutje supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000.

Sidoqoftë, besohet se shtyrja tutje e miratimit të amandamenteve kushtetuese ndërlidhet edhe me disa mospajtimeve përbrenda Grupit Parlamentar të PDK-së, ku disa deputetë të kësaj partie po shprehen kundër Speciales.

Pozicionimi kundër Gjykatës Speciale te disa deputetë të në PDK-së, vlerësohet se është shtresuar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe dënimit të shqiptuar ndaj të ashtuquajturit, “Grupit të Drenicës”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht bartin poste në Partisë Demokratike të Kosovës. (rel)

Dita ndërkombëtare pa duhan

pa duhanDita ndërkombëtare Pa Duhan më 31 maj është një ditë për duhanpirësit për të menduar lidhur me zakonin e tyre – dhe për ta lënë atë të paktën për 24 orë. Por cilat janë disa prej strategjive që i ndihmojnë njerëzit ta lënë duhanin?

Nuk është sekret se përdorimi i duhanit dëmton shëndetin. Por, shumica e njerëzve, e kanë të vështirë për ta lënë. Kjo, për shkak se shumë prej tyre e kanë filluar këtë zakon që në moshë të re dhe për shkak se duhani përmban nikotinë.

Nikotina është shumë problematike, drogë shumë e fuqishme, thonë ekspertët

Dr Kimberly Horn thotë se adoleshentët ka të ngjarë ta përdorin duhanin në shumë forma. Kjo mund të jetë cigare, puro të vogla, duhan patym. Ka edhe nga ata që pinë cigare elektronike, të cilat gjithashtu përmbajnë nikotinë.

“Sa më shumë nikotinë, aq më shumë të varur bëhen, dhe aq më e vështirë është për ta lënë.”

Nuk ka një teknikë për të gjithë për të lënë duhanin. Disa i kthehen cigares elektronike, me shpresë se ajo mund të ndihmojë të heqin dorë nga ky zakon.

“Pas shumë vitesh të pirjes së duhanit, nuk më pëlqen era e tymit, nuk më pëlqen grumbulli i bishtave të cigareve, nuk më pëlqen shija që duhani lë në gojën time, dhe nuk më pëlqen fakti që njerëzit e tjerë shqetësohen nga tymi.”

Studimet tregojnë se pajisjet elektronike mund të japin rezultat për disa, por jo për të tjerët. Terapi të sjelljes dhe barna, dhe çamçakëz që reduktojnë dëshirën për nikotinë mund të ndihmojnë.

Dr Nancy Rigotti dhe studiues të tjerë kanë projektuar një program të thjeshtë për të ndihmuar lënien e duhanit. Pacientëve iu jepen medikamente dhe këshilla në spital, dhe gjendja e tyre ndiqet pasi dalin nga spitali.

“Ne e dimë se ilaçet dhe këshillat japin rezultat, dhe të dyja së bashku  punojnë shumë më mirë se sa vetëm një.”

Shtatëdhjetë për qind e duhanpirësve në këtë program nuk pinin duhan gjashtë muaj pas përfundimit të programit.

Qeveria amerikane dhe organizata private zhvillojnë fushata kundër duhanit që nga viti 1964. Një studim nga Shëndetit Publik në universitetin Yale ka gjetur se ata që e lanë duhanin gjatë kësaj periudhe kanë pasur një shtim prej 30 për qind në jetëgjatësi. Dr Theodore Holford është një nga bashkë-autorët. Ai dhe të tjerë që studiojnë përdorimin e duhanit kanë këtë këshillë:

“Kush mendon të pijë duhanit nuk duhet ta konsiderojë kurrë atë.” (voa)

Rrëzimi i avionit MH17: Kremlini me gjasë fallsifikoi pamjet satelitore

Manipulime si në filma me agjentë? Rusia bën përgjegjëse Ukrainën për rrëzimin e avionit të shoqërisë malajziane, MH17. Por sipas një analize të pavarur: Pamjet satelitore u manipuluan.

pamje satelitoreQeveria ruse sipas të gjitha gjasave ka manipuluar pamjet satelitore që lidhen me rrëzimin e avionit MH17 në 17 korrik 2014 në lindje të Ukrainës, me qëllim që të provonte fajin e qeverisë ukrainase. Në këtë përfundim vjen një analizë e një grupi investigativ gazetarësh. “Analiza forensike” ka nxjerrë “qartë dhe pa dyshim” se pamjet satelitore kanë datë të fallsifikuar dhe u ndryshuan me programin Software Adope Photoshop CS25, thuhet në këtë raport që citohet nga mediat gjermane, Zeit Online dhe Spiegel Online.

Grupi investigativ “Bellingcat” ka marrë nën vëzhgim dy pamje satelitore të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, të cilat paraqiteshin si prova nga pala ruse se aviacioni ukrainas në ditën e rrëzimit kishte qenë aktiv në rajon. Qeveria ruse i publikoi pamjet më 21 korrik 2014, në një konferencë shtypi në Moskë, pak ditë pas rrëzimit të avionit.

Raketahedhës i zhvendosur në mënyrë digjitale?

Sipas të dhënave ruse në një fotografi të bërë ditën e rrëzimit duket se së paku një raketahedhës vetëlëvizës i tipit Buk i forcave ukrainase nuk ndodhej më në bazën ushtarake të Donjeckut. Pamja e dytë satelitore provon, sipas rusëve, se dy raketahedhës dhe një automjet tjetër ushtarak ukrainas ndodheshin në jug të fshatit Zaroshinskoje. “Këto aparatura komplekse janë në gjendje të godasin objektiva në distancë 35 kilometra dhe lartësi 22 kilometra”, u tha në konferencën e shtypit. Sipas tyre raketahedhësit ndodheshin në afërsi të fluturimit të MH17.

Por hulumtimet e grupit investigativ Bellingcat kanë provuar se fotografitë e paraqitura nga rusët janë bërë qartazi para ditës së rrëzimit të avionit. Pamja e parë satelitore është bërë nga 1-18 qershor 2014, dhe e dytë para 15 korrikut, njofton Spiegel Online. Ky rezultat del pas krahasimit me pamjet satelitore të hapura për publikun në të njëjtën hapësirë kohore -si psh. ato të Google Earth. Veç kësaj pamjet janë ndryshuar më pas: Raketahedhësit e tipit Buk janë hequr nga një foto, dhe janë shtuar në tjetrën, shkruan Zeit Online.

298 viktima

Avioni Boeing 777 i Malaysia Airlines me numrin MH17 u rrëzuar më 17 korrik 2014 në lindjen e Ukrainës, në një rajon luftimesh. 298 vetë humbën jetën, 193 holandezë, katër gjermanë. Avioni ndodhej në itinerarin e fluturimit nga Amsterdami në Kuala Lumpur. Në lartësitë mbi 10.000 metra avioni u godit me shumë gjasa nga një raketë.

Holanda është ngarkuar me hetimet mbi shkakun e rrëzimit dhe ato penale. Sipas një raporti të parë avioni është goditur nga jashtë, këtë e tregojnë vrimat e shumta në pjesë të tij. Këtë verë pritet një raport se kush është fajtor për rrëzimin e tij. Qeveria ukrainase dhe disa qeveri europiane fajësojnë Rusisë si bashkëpërgjegjëse, pasi ajo u ka ofruar sisteme raketash kryengritësve në lindje. Rusia dhe separatistët e hedhin poshtë këtë akuzë dhe fajësojnë palën ukrainase. (dw)

Lavrov kritikon BE-në

LavrovMinistri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kritikoi Bashkimin Evropian për publikimin e një liste të zyrtarëve evropianë që ndalohen të udhëtojnë në Rusi. Ai i bëri komentet sot në Moskë gjatë një takimi me homologun e tij italian Paolo Gentiloni për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe.

Ministri i Jashtëm i Italisë Paolo Gentiloni tha pas një takimi me biznesmenët italianë në Moskë se krijoi bindjen që ata duan ta vazhdojnë punën e tyre në Rusi dhe të kërkojnë atje mundësi të reja.

“Është e qartë se ata dëshirojnë ta vazhdojnë punën e tyre këtu. Sigurisht, ekzistojnë vështirësi por është gjithashtu e qartë se situata e re na jep mundësi të reja,” tha zoti Gentiloni.

Duke folur në prani të ministrit italian, ministri rus Sergei Lavrov tha se Rusia është e zhgënjyer me reagimin e Evropës ndaj masave të Moskës për të ndaluar dhjetëra zyrtarë evropianë të vizitojnë Rusinë. Ai kritikoi Bashkimin Evropian  për publikimin e kësaj liste që duhej të mbetej konfidenciale.

“Ne e dorëzuam këtë listë me kërkesë të BE-së mbi bazën e konfidencialitetit. Por ajo menjëherë u publikua nga mediat. Bashkimi Evropian i cili normalisht nuk komenton për rrjedhjet e informacionit, e bëri listën subjet komentesh.  Pra, unë shoh këtu shkelje të normave etike,” tha ministri rus.

Zoti Lavrov shpjegoi gjithashtu se ata që janë në listën e personave të ndaluar për të udhëtuar në Rusi kanë mbështetur ngjarjet që çuan në përmbysjen e Presidentit ukrainas Viktor Janukoviç në shkurt të vitit 2014.

Rusia fajëson për krizën në Ukrainë atë që ajo e quan ndërhyrje amerikane në një rajon që Moska e ka parë tradicionalisht si sferën e saj të ndikimit.

Kriza në Ukrainë i ka zhytur marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit në pikën e tyre më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Por Shteteve të Bashkuara u duhet bashkëpunimit rus për të zgjidhur një sërë çështjesh të tjera globale, si Irani dhe konflikti sirian. (voa)

SHBA vlerëson përpjekjet për dekriminalizimin

Ambasada USA TiraneAmbasada amerikane në TIranë përshëndeti sot “lëvizjen e guximshme të Partisë Demokratike dhe hapat e ndërmarrë nga partitë e tjera”. PD tërhoqi kandidatin e saj në Këlcyrë pas dyshimeve mbi të kaluarën e tij

Në Shqipëri ambasada amerikane vlerësoi sot përpjekjet që po bëhen për dekriminalizimin, pas vendimit të partisë demokratike për të tërhequr kandidatin e saj në Këlcyrë per zgjedhjet vendore të 21 qershorit

Partia demokratike nuk ka nxjerrë asnjë njoftim zyrtar për këtë rast, ndërkohë që ka kërkuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve crregjistrimin e kandidatit Gentian Muhametit. Burime nga Partia demokratike thanë se drejtuesit e saj e kanë thirrur për të sqaruar të kaluarën e tij, por ai ka mohuar të ketë patur probleme, ndonëse ai dyshohet që të jetë dënuar nga një gjykatë në Itali.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter Ambasada amerikane shkruan se “përshëndet lëvizjen e guximshme të Partisë Demokratike dhe hapat e ndërmarrë nga partitë e tjera mbi dekriminalizimin”, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet në vazhdim për të pastruar politikën në Shqipëri”.

Në fund të muajit Prill, pak përpara se të mbyllej afati përfundimtar i regjistrimit të kandidatëve, Ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi se kishin “identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale” dhe se ishin “duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politikë”. Ndërsa pak javë më vonë në një intervsitë për Revistën Java, ambasadori Lu, tha se disa nga këta emra ishin hequr dhe se shpresonte se do të hiqeshin më shumë, por pa dhënë detaje të tjera. (voa)

Robotët luftojnë krimin

robotRobotët luftojnë krimin

T: Paisjet e sigurisë pritet të përgjysmojnë krimet

Qendrat tregtare, stadiumet dhe kampuset universitare së shpejti mund të kenë një mjet të ri për të luftuar krimin. Një kompani e quajtur Knightscope thotë se robotët e saj të lëvizshëm mund të parashikojnë dhe parandalojnë krimet. Kompania thotë se synon të ulë krimet me rreth 50 përqind në zonat ku do të patrullojnë robotët.​

Dikur pjesë e filmave fantastiko-shkencor …robotët po bëhen realitet.

Këta robotë, roje të sigurisë, do të ndryshojnë botën thotë William Santana Li.

“Në planetin tonë jetojnë shtatë miliardë njerëz dhe së shpejti do të bëhet nëntë miliardë. Organet egzistuese të rendit nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë.” 

Ai thotë se kompania e tij, “Autonomous Data Machines”, mund të shëbejë si sytë dhe veshët e organeve të rendit.

Ai tregon se çfarë shikon roboti në këtë demostrim në Los Angeles.​ 

“Ndërthurja e njeriut me robotët. Makinat bëjnë punën monotone kompjuturike dhe nganjëherë punët e rrezikshme, ndërsa njeriu merr vendimet strategjike, dhe kështu ndodh bashkërendimi i gjërave.” 

I gjatë 90 centimetra dhe me peshë 136 kilogram, këto makina lëvizin lirshëm brenda një perimetri të caktuar. Ato nuk janë të armatosura por kanë video kamera që filmojnë 360 gradë.

“….po ashtu kemi një sistem optik indentifikimi në robotët që kontrollon 300 targa makinash në minutë.” 

Robotët mund të zbulojnë armë kimike dhe biologjike. Li thotë se edhe pse robotë, prania e tyre mund të ndryshojë sjelljet kriminale.

Por profesori i ligjeve Eugene Volokh thotë se robotët duhen përdorur sipas rregullave.

“Nëse roboti ndodhet aty ku është polici dhe shikon ato që mund të shkikojë polici, atëherë nuk ka probleme kushtetuese, nuk ka probleme të privacisë.”   

Profesori thotë se mund të ketë shqetësime të ngjashme me ato që dalin nga policët që kanë kamera trupore.

“Një shqetësim është se në rastin kur dikush bën diçka të paligjshme në vende publike mund të arrestohet dhe gjobitet. Por ata nuk duan që videoja që pasqyron këtë veprim të publikohet sa herë e kërkon dikush dhe të vihet në internet.  Do të jetë interesante të shihet se si ligjet e shteteve do ta trajtojnë çështjen e survejimit kur flitet për arkivimin e të dhënave publike.”

William Santana Li thotë se shumë kampuse universitare, qendra tregtare dhe stadiume së shpejti mund të kenë robotë të lëvizshëm.

Ai thotë se ka një listë të gjatë subjektesh brenda dhe jashtë Amerikës që janë të interesuar të kenë këto roje sigurie të së ardhmes.  (voa)