Zyrtarët e lartë evropianë kanë shprehur zhgënjim nga veprimi i papritur i kryeministrit Tsipras për të shpallur një referendum për reformat. E ardhmja e Greqisë në Euro është bërë më e pasigurtë se kurrë dhe vendi ndodhet në mes të njërës nga krizat më të rënda financiare në botë prej shumë vitesh.
Evropa shpreh zhgënjim dhe bën thirrje për votë pro reformave
Greqisë i mbeten më pak se 48 orë nga afati për t’i paguar 1.6 miliardë Euro Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe falimentimi rrit rrezikun për daljen e vendit nga Eurozona.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kritikoi ashpër qeverinë greke dhe u bëri thirrje grekëve të votojnë në favor të paketës së reformave që u hodh poshtë nga qeveria e tyre.
“Të vendosësh një demokraci kundër 18 të tjerave nuk i shkon për shtat kombit të madh grek”.
Zoti Juncker tha se ai ende vazhdon të besojë se dalja e Greqisë nga Eurozona nuk është një alternativë.
“Por u kam thënë gjithmonë miqve të mij grekë, se kur thuhet që dalja nga Eurozona nuk është alternativë, ata nuk duhet të mendojnë se në fund të procesit, unë do të jem në gjendje të paraqes përgjigjen dhe zgjidhjen përfundimtare kundër gjithë të tjerëve”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel la të kuptohej se nuk pritej ndonjë zhvillim me Greqinë në ditët në vazhdim por tha se është e gatshme të rifillojë bisedimet me qeverinë greke pas referendumit të 5 korrikut.
“Evropa funksionon vetëm nëse është e hapur për kompromis. Kjo do të thotë se duhet të gjejmë kompromise kur përpiqemi të vendosim një balancë mes solidaritetit dhe përgjegjësisë personale. Por askush nuk mund të marrë 100 për qind të asaj që do”.
Por megjithë zhgënjimin e saj me shpalljen e referendumit, Kancelarja Merkel e cila ishte përpjekur të bindte kryeministrin Tsipras që të mos e shpallte atë, bëri thirrje për kompromis duke thënë se “nëse Euro dështon, Evropa dështon”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama dhe Presidenti francez, Francois Hollande diskutuan të hënën në një bisedë telefonike për krizën e borxhit grek dhe ranë dakord se është e rëndësishme që të formulohet një paketë reformash që Greqia t’i rikthehet rritjes së qëndrueshmërisë, tha sot Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se realizimi i këtij synimi, “është në interesin e të gjitha palëve në tryezën e negociatave”. nuk e ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje.
Më herët Presidenti francez Hollande tha më parë se kanë mbetur pak orë deri kur skadon afati për negociatat.
“Uroj, që nëse grekët, qeveria e tyre marrin një vendim, që bisedimet të rifillojnë”.
Ndoshta Sekretari i Thesarit i Britanisë, George Osborne e shprehu më qartë se pse Evropa ende vazhdon të mbajë shpresa për rifillimin e bisedimeve, kur tha se dalja e Greqisë nga Eurozona do të ishte “traumatike” dhe Britania – megjithëse nuk është pjesë e bllokut – duhet “të shpresonte për skenarin më të mirë por të përgatitej për rastin më të keq”.
“Askush nuk duhet t’i nënvlerësojë pasojat e daljes së Greqisë nga Euro tek ekonomia evropiane dhe tek ne”.
Kryeministri irlandez Enda Kenny e kritikoi vendimin e Greqisë duke thënë se vendi i tij kishte qenë afër një krize të ngjashme por pranoi gjashtë vjet masa shtrënguese si çmim për paketën e shpëtimit.
Reagimet erdhën edhe nga brenda Greqisë kur ish-kryeministri Antonis Samaras e sfidoi kryeministrin Tsipras ndaj të cilit humbi në zgjedhje që të përballeshin në një debat televiziv. Ai tha se nëse në referendum votohej kundër reformave, do të ishte një katastrofë e pashembullt.
Grekë reagojnë
Duke filluar nga e hëna, bankat në Athinë do të jenë të mbyllura për një javë dhe banorët nuk mund të tërheqin më shumë se 60 Euro në ditë nga bankomatet. Bankat nuk pritet të hapen për të paktën 6 ditë, deri pas pas një referendumi më 5 korrik për kushtet e reformave në këmbim të fondeve nga kreditorët ndërkombëtarë. Kryeministri Tsipras u ka bërë thirrje grekëve t’i thonë JO kushteve të kreditorëve.
Pasi Banka Qendrore Evropiane nuk i dha Greqisë fonde urgjente për të paguar huadhënësit, kryeministri Alexis Tsipras njoftoi dje në mbrëmje për kufizime të kapitaleve për të parandaluar dështimin e bankave nga tërheqjet masive të parave.
Shumë banorë si nëpunësja Vicky Peraki mbeten optimistë për zgjidhjen e situatës.
“Duhet të ruajmë qetësinë, mund të jetojmë me më pak para derisa të zgjidhet situata. Nuk ka arsye të zhytemi në panik. Do vijë një moment që e gjitha kjo do të përfundojë. Ata këtë duan që ne të bëhemi nervozë dhe të bëjmë gabime. Duhet të ruajmë qetësinë dhe çdo gjë do rregullohet”.
“Nuk jam nervoze dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë. Duhet të jemi optimistë”, thotë Konstantina Petropoulou.
Por disa prej tyre shprehin pasiguri.
“E dimë që do të na kthehen paratë, nuk do t’i humbim por pyetja është se kur”, thotë pensionisti Jorgos.
“Më duhen 20 Euro për të blerë ilaçet nesër. A do të mundem?”, thotë një tjetër pensionist, Dimitris.
Çfarë propozoi Evropa para se Greqia të ndërpriste bisedimet
Komisioni Evropian, publikoi propozimet e fundit të bëra nga kreditorët para se Greqia të ndërpriste bisedimet me ta.
Mes propozimeve ishte caktimi i një TVSH-je standarde në masën 23 për qind.
Propozimet për masat fiskale përfshinin uljen e shpenzimeve tavan për ushtrinë, reformimin e tatimit mbi të ardhurat dhe rritjen e taksës mbi korporatat nga 26 në 28 për qind.
Përsa i përket reformës së pensioneve, propozimet parashikonin masa të forta për të shkurajuar daljet në pension para kohe. Një kapitull tjetër kishte të bënte me privatizimin e aeroporteve rajonale dhe disa porteve, duke përfshirë ato të Pireut dhe Selanikut.
Pasojat tek bursat evropiane
Duke reaguar ndaj gjendjes së krijuar, bursat evropiane pësuan një rënie të konsiderueshme sot. Aksionet në bankat kryesore në Spanjë, Francë dhe Gjermani ranë më shumë se 6 për qind.
Ka pasur disa shenja të hershme paralajmëruese se problemet e Greqisë mund të kenë pasoja tek vende të tjera. Përqindja e interesit për huatë e vendeve të tjera të Eurozonës me borxhe të thella si Italia dhe Portugalia u rritën lehtë.
Rreziku për pasojat në banka të tjera në periferi të Eurozonës, ka ngjallur ankth tek investitorët. (voa)