Formohet Lëvizje e re shqiptare, kërkohet federalizim i Maqedonisë

unitetiTe shtunën, në Tetovë, një numër i shoqatave të pavarura shqiptare dhe aktivistëve civil, nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi, nënshkruan bashkërisht, Aktin themeltar te  Lëvizjes, UNITETI, raporton “lajmpress”. Ja çka thuhet në kumtesën e lëshuar pas themelimit të kësaj lëvizje, ku si një ndër kërkesat kryesore përmendet federalizmi i Maqedonisë:

Çështja jonë kombëtare gjendet para sfidave të mëdha, sidomos atyre integruese ndërshqiptare dhe euroatlantike, në përballjen me të cilat klasa politike shqiptare ka shfaqur dhe shfaq mungesë përgjegjshmërie dhe pamaturi politike.

Në këto kushte dhe me qëllim që t’i jepet më shumë zë dhe më shumë peshë opinionit publik për problemet kombëtare, del domosdoshmëri krijimi i një organizmi, bashkimi vullnetar dhe civil që do shërbejë, sa si zë origjinal e autokton i popullit të pakrahë, ashtu edhe si korrektor i pozitës dhe opozitës shqiptare bashkë.

Shqiptarët bashkë

Në funksion të realizimit të idesë për bashkimin e organizatave, aktivistëve dhe intelektualëve të pavarur shqiptarë në IRJ të Maqedonisë, të shtunën, datë 20 qershor 2015, në Tetovë, u nënshkrua nga përfaqësues të Shoqatave të pranishme, Akti themeltar i Lëvizjes Civile, “UNITETI”. Nënshkruesit vinin nga qytete të ndryshme të vëndit, nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova dhe Shkupi.

Si pikë kryesore programore e Lëvizjes civile, UNITETI, është bashkimi i potencialit tonë intelektual e atdhetar për të ndikuar në politikëbërjen, për të kontribuuar në arritjen e barazisë nacionale dhe ekonomike sociale midis të shqiptarëve dhe maqedonasve në IRJM.

Objektivat kryesore të Lëvizjes civile, UNITETI janë:

Mbrojtja e historisë, e traditave, e gjuhës shqipe, e kulturës, e të drejtave ekonomike-sociale e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në të gjitha regjionet e IRJM-së.

Riorganizimi kushtetues sipas të cilit vendi shpallet Republikë e dy Kombeve të barabarta dhe konstitutive, të numëruara taksativisht në aktin më të lartë politik dhe juridik, Kushtetutë, pra maqedonas dhe shqiptarë

Ndarja fikse e buxhetit me kuota proporcionale të përcaktuara qartë në Kushtetutë

Federalizimi territorial i vendit ose federalizimi asimetrik, me Kryeqytetin e vendit si njësi e veçantë administrative (Modeli boshnjak, belg, zviceran)

Lëvizja do të zhvillojë një punë dhe aktivitet konkret në ndihmë të komunitetit tonë të diskriminuar sa nga regjimi maqedonas aq edhe nga përfaqësuesit tanë në pushtet.

Njëherit.

Lëvizja civile, UNITETI, fton gjithë shoqatat e mirëfillta të pavarura nacionale shqiptare në IRJ të Maqedonisë, intelektualët e pavarur, njerëzit vullnetmirë dhe aktivistët e pavarur, të bashkangjitet kësaj iniciative civile për mbrojtjen e shqiptarëve këtu.

Situata në Maqedoni pikë kryesore në Samitin e BE-së

eu flamujSituata në Republikën e Maqedonisë dhe gjithçka që ndodh në vend do të jetë temë kryesore e diskutimit të Këshillit të sotëm për punë të jashtme (FAK) të Bashkimit Evropian që do të mbahet në Luksemburg.

Sipas programit që e shpalli presidenca letoneze me Këshillin e BE-së, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Unionit, si pikë qendrore të mbledhjes e kanë situatën politike në Republikën e Maqedonisë.

Sipas agjendës, shefat e diplomacive të vendeve të BE-së, për vendin tonë do të bisedojnë me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, ndërsa pas mbledhjes së pasdites me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun. Konkluzionet që do t’i sjellë Këshilli i BE-së, këtë të enjte dhe të premte do të miratohen nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së në Samitin e Këshillit Evropian.

“Në prill të këtij viti, Këshilli shprehu “shqetësim serioz në lidhje me përkeqësimin e situatës në vend, veçanërisht në fushën e qeverisjes të të drejtës, të drejtat themelore dhe lirinë e mediave”. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të ndërmarrin përgjegjësi dhe të ndërmarrin masa urgjente të drejtuara kah sigurimi i zgjidhjes së përmbajtur dhe në mënyrë konstruktive të përfshihen ta rifillojnë dialogun politik dhe ta kthejnë besimin në institucione”, citohet në paralajmërimin për debat për Maqedoninë që sot do ta kenë ministrat e punëve të jashtme të vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian. (alsat)

E majta merr 16 bashki, e djathta 3

numerimNdërkohë që procesi i numërimit vazhdon, sipas rezultateve të arritura deri më tani aleanca e majtë arrin në fitojë në 11 bashki, ndërsa aleanca e djathtë në dy prej tyre . Në katër vitet e ardhshme Bashkia e Skraparit, Pustecit, Peqinit, Hasit, Delvinës, Kolonjës, Libohovës, Fushë Arrzit dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.

13:00 – Mbyllet numërimi në Belsh, fiton ASHE

Përfundon numërimi edhe në Belsh, ku fitues ka dalë Arif Tafani i ASHE-së, me 45.51%, ndërsa Asqeri Kuqja i APPD-së ka marrë 38.45% të votave.

12:50 – PS fiton në Poliçan

Kandidati i majtë për Bashkinë e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka fituar me një rezultat bindës duke marrë 72,5% të votave. Ndërsa kundërshtari Florian Qama ka marrë vetëm 27.5%

12:35 – ASHE fiton garën për Bashkinë e Urës Vajgurore

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Urës Vajgurore, fituese është shpallur kandidatja e ASHE-së, Juliana Memaj, e cila ka marrë 8908 vota, përkundrejt 6419 votave që ka marrë kandidati i APPD-së Bujar Hoxhaj. Nga 50 kuti, njëra doli me probleme dhe nuk u mor në shqyrtim për t’u numëruar.

12:30 – Veliaj fiton në lagjen e Bashës

Kandidati i majtë për Tiranën, Erion Veliaj, arrin të mund kundërshtarin e tij të djathtë pikërisht në lagjen e liderit demokrat, Lulzim Basha.

Edi Rama humbi në këtë zonë me 650 vota në zgjedhjet e fundit, kurse tani Veliaj duket se do të ketë një rezultat të ndryshëm.

Mësohet se, në minutat e fundit kandidati i majtë ka kaluar 79 vota para në numërimin e kutive të njësisë tetë, një nga “kështjellat” elektorale historike të së djathtës në Tiranë.

11:35 – Mbyllet numërimi në Bashkinë e Klosit, fiton e djathta

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Klosit, ku është shpallur fitues kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Basir Çupa. Çupa ka marë 935 vota ndërsa kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Valbona Kola ka marë 608 vota.

11:25 – Mbyllet Roskoveci, fiton kandidatja e ASHE-së

Majlinda Bufi, kandidatja e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” është shpallur fituese në Bashkinë e Roskovecit. Bufi fitoi përballë kandidatit të “Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet”, Gëzim Çaushi.

11:19 – Aleanca e djathtë merr Përmetin dhe Tropojën

PËRMET – Në Bashkinë e Përmetit fitues shpallet kandidati i aleancës së djathtë Niko Shupuli, me 4771 vota (58.58%), kundrejt 3138 votave (38.53 %) të kandidatit të majtë, Gilberto Jaçe.

TROPOJË – Aleanca e djathtë arrin të fitojë Bashkinë e Tropojës me kandidatin e saj, Besnik Dushaj. Ky i fundit arriti të siguronte 5810 vota (51.94 %), ndërsa kandidati i majtë Rexhe Byberi, mori 4992 vota (44.63 %).

Aleanca e majtë merr 12 bashki

SKRAPAR – Procesi i numërimi u mbyll mëngjesin e kësaj të hëne në Skrapar, ku fitues ka rezultuar kandidati i ASHE-së, Nesim Spahiu, i cili mori 84.43% të votave, ndërsa rivali i tij demokrat, Hajredin Bakjasi, mori 15.57% të votave.

DELVINË - Përfundoi mëngjesin e sotëm procesi i numërimit në Bashkinë e Delvinës. Fitues i këtyre zgjedhjeve doli kandidati i majtë, Rigels Balili, me një diferencë të lartë votash. Balili merr postin e kryebashkiakut të Delvinës, duke rrëzuar nga ai post kandidatin e djathtë që pretendonte mandatin e tretë.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Rigels Balili, u shpall fitues me 72.8% të votave, ndërsa kandidati i djathtë, Dhurim Alinani mori 27.2% të votave. Konvertuar në vota respektivisht Rigels Balili caktohen në postin e kryebashkiakut me 4735 vota, kundrejt kundërshtarit të tij që mori 1769 vota.

LIBOHOVË – Me përfundimin e votimeve në Bashkinë e Libohovës fituese u shpall kandidatja e ASHE-së, Luiza Mandi, e cila mori 1692 vota (53.65%), duke mundur kandidatin e djathtë Altin Çomon, që mori 1462 vota (46.35%).

PEQIN – Edhe Bashkia e Peqinit është fituar nga një kandidati i majtë, Saimir Hasalla, i cili arriti të merrte 9020 vota ose 67.94 % të tyre, ndërsa Albert Kreçi kandidati i APPD mori 4284 vota ose 32.06 %.

FUSHË ARRËZ/PUKË – Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm 66 vota. Kandidati i ASHE-së Gjonaj arriti të fitonte me 4122 vota (50.9 %), ndërsa kundërshtari i tij i djathtë Rrok Dodaj mori 3976 vota (49.1 %).

HAS - Kandidati i majtë për Bashkinë e Hasit fiton mandatin e dytë. Përfundoi në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm procesi i numërimit në Bashkinë e Hasit.  Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD-së, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.

KOLONJË – Përfundon numërimi edhe në Bashkinë e Kolonjës duke nxjerrë fitues kandidatin e ASHE-së, Arben Malo, me 4997 vota(53.45 %), kundrejt kandidatit të djathtë, Viktor Duro, që u votua nga 4076 qytetarë (44.69 %). Në garë për Bashkinë e Kolonjës ishte dhe kandidati i PSD-së, Paqësor Cane, i cili mori vetëm 154 vota (1.86 %).

PUSTEC – Gjithashtu edhe Bashkia e Pustecit u fitua nga kandidati i majtë Edmond Themelko me 2075 vota (80.96 %), ndaj kundërshtarit të tij Miallaq Apostollovski, i cili mori 488 vota (19.04 %).

MIRDITË – Në Bashkinë e Mirditës, Ndrec Dedaj, i ASHE-së ka fituar me 55.37% të votave, ndaj 44.63% të votave të Gjergj Prengës së APPD-së.

HIMARË - Bashkia e Himarës u fitua sërish nga kandidati i majtë, Jorgo Goro. Kandidati i ASHE-së Goro merr mandatin e dytë të tij në krye të Himarës me 4747 vota. Ai ka lënë pas konkurrentin e tij kandidatin e PBDNJ-së, Fredi Beleri, me një diferencë prej 2412 votash.  Beleri mori 2335 vota, ndërkohë që kandidatja demokrate Lefteri Prifti siguroi 596 vota dhe kandidati i pavarur Vladimir Kumi, 861 vota.

KONISPOL – Kandidati i majtë, Shuaip Beqiri, fiton zgjedhjet për Bashkinë e Konispolit me 2245 vota (43.93 %). Ndërkohë që rivali i tij i djathtë, Ismail Murtaj, mori 1831 vota (35.83 %).

/Shekulli Online/

Nesër pritet caktimi i seancës për Specialen

Kryesia e Kuvendit pritet të mbahet nesër dhe të caktohet seance e radhës ku do të procedohen për miratim ndryshimet kushtetuese dhe projektligji për krijimi ne dhomave të veçanta.

kuvendi i kosovesDeputet të pozitës dhe opozitës mbesin me qëndrime të njëjta, njëra palë duke e mbështetur e tjetra duke e kundërshtuar.

Këtë javë priten zhvillime të ngjeshura rreth formimit të Gjykatës speciale.

Kryesia e Kuvendit, pas marrjes së informatës nga Qeveria për përmbajtjen e materialit të dy projektligjeve për formimin e gjykatës speciale, nesër pritet të caktojë rendin e ditës dhe datën kur do të mbahet seanca.

Këtë e konfirmon edhe Armend Zemaj nga LDK i cili bën të ditur se tashmë deputetet e kanë në duar materialin për formimin e Gjykatës Speciale.

“Në sot kemi marrë dy projektligjet të cilat kanë të bëjnë me themelimin e gjykatës special dhe tash procedohet sipas rregullores së punës së Kuvendit”.

Zemaj pret që deputet të reflektojnë dhe të miratojnë atë edhe pse personalisht mendon se është çështje e ndjeshme, por e domosdoshme për të dëshmuar se në Kosovë sundon rendi dhe ligji.

Në kutitë e deputetëve të Kuvendit tashmë kanë projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Projektligji për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Për t’u miratuar ligji do të ndiqet procedurë tjetër, pasi deputetët nuk do të kenë mundësi të ndërhyjnë në ligj. Projektligji u është dërguar atyre vetëm si informatë. Përfaqësues të opozitës shpresojnë të mos marrë votat e mjaftueshme Specialja. (rtk)

Vendoret, dalin fituesit e parë dhe raporti i vëzhgimit

kutite zgjedhjetNë 13 bashki fitojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, në 2 Aleanca për Punë dhe Dinjitet. Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme publikoi raportin e vëzhgimit.

Komisionerët në Shqipëri përfunduan numërimin e votave në 15 bashki. Fitojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane në 13 prej tyre.

Bashkitë e Hasit, Pukës, Mirditës, Fushë-Arrëzit, Peqinit, Belshit, Skraparit, Delvinës, Himarës, Kolonjës, Libohovës, Konispolit dhe Pustecit do të kenë bashkiakë socialistë.

Fituesi i Skraparit Nesim Spahiu arriti rezultatin më të thellë me 84, 4 për qind të votave.

Po ashtu fituesi i bashkisë së Delvinës Rigels Balili mori gati 73 për qind të votave.

Himara rizgjodhi kryetarin aktual Jorgo Goro me 60 për qind. Fitoret e tjera janë me shifra më shumë se 50 për qind.

Aleanca për Punë dhe Dinjitet fitoi me kandidatët e saj në Përmet dhe Tropojë. Kandidati i APPD, Niko Shupuli, fitoi në Përmet me rreth 60 për qind të votave.

Në bashkitë e tjera më të mëdha procesi i numërimit të votave po ecën shumë ngadalë ose nuk ka nisur ende.

Në disa bashki rezultatet e pjesshme janë shumë të ngushta, ndërsa të tjera shifrat janë thelluar qysh në fillim.

Të dyja aleancat konkurruese kanë deklaruar interesimin dhe angazhimin e tyre të madh për të zbatuar ligjin me nxjerrjen e rezultateve, ndonëse po ato vetë po shkaktojnë zvarritje, duke ndërruar vazhdimisht komisionerët, numëruesit dhe zyrtarë të tjerë në zgjedhje.

Vëzhguesit vendas po nxjerrin raportet e tyre mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dje.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e Demokraci të Qëndrueshme publikoi raportin paraprak të vëzhgimit mbi procesin e votimit në 21 qershor.

“Vëzhguesit e pavarur të Koalicionit nuk shënuan gabime të rëndësishme proceduriale as shkelje gjatë procesit zgjedhor” – pohoi Mirela Arqimandriti, drejtuese e Koalicionit për Zgjedhje të Lira.

Sipas raportit të Koaliconit, në 25 % të qendrave të votimit pati votues që nuk gjetën emrin në listë.

Në 57 % të qendrave të votimit votuesit me aftësi të kufizuar nuk mundën të hidhnin votën e tyre në mënyrë të fshehtë pasi këto qendra ishin të papërshtatura për ta.

Në 17 % të qendrave të votimit nuk u shpërnda kopja e procesverbalit për vulat e sigurisë te vëzhguesit e partive politike, ndërsa 10 % e qendrave të votimit nuk u hapën me numrin e duhur të komisionerëve.

Rreth 37 % e qendrave të votimit nuk kishte gra komisionere dhe vetëm në 15 % të qendrave të votimit gratë ishin kryetare në komisionet e qendrave së votimit.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme është një organizatë e pavarur, e përbërë nga 30 organizata dhe nga qindra vullnetarë në të gjithë vendin.

Në këto zgjedhje ata kishin 90 vëzhgues afatgjatë dhe mbi 1000 vëzhgues afatshkurtër.

Ndërsa në mesditë pritet edhe një konferencë e misionit të vëzhguesve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it.

OSBE/ODIHR së bashku me një delegacion nga Këshilli I Europës, shpërndan në të gjithë vendin afro 200 vëzhguesë, ndërkohë që dhjetra diplomatë të ambasadave të huaja në Tiranë, patën në qendër të vëmendjes disa zona potencialisht të nxehta gjatë fushatës zgjedhore.

Deri në orët e para të mëngjesit procesi i numërimit kishte nisur vetëm në një numër të kufizuar bashkish në të gjithë vendin.

Procesi i dorëzimit të kutive dhe dokumentacionit nga qendrat e votimit tek ato të numërimit pranë 90 komisioneve zonale ka kërkuar gati më shumë se 5 orë, duke paralajmëruar një fazë që duket se do të zgjasë.

Partitë kryesore kanë bërë thirrje që faza e numërimit të zhvillohet në respekt të ligjit.

Deputetja Olta Xhacka duke folur në emër të kryetarit të Partisë Socialiste tha se i bënte “thirrje të gjithë komisionerëve të jenë në lartësinë e ambicies sonë për Shqipërinë Europiane. Çdo votë duhet të numërohet me besnikëri të plotë ndaj votuesve dhe asnjë kandidat e asnjë subjekt që gjendet në fletën e votimit, nuk duhet të penalizohet me asnjë votë nga procesi i numërimit. Dua të nënvizoj se në nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të standardeve më të larta europiane ne numërimin e votave në të 61 bashkitë e reja të vendit tonë”, u shpreh deputetja Xhacka.

Edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha në një deklaratë të shkurtër për gazetarët pranë selisë së Partisë Demokratike nënvizoi rëndësinë që ka procesi i numërimit: “I bëj thirrje numëruesve të PD të qëndrojnë në lartësinë e detyrës sipas ligjit. I kujtoj të gjithë numëruesit zbatimin me përpikmëri të ligjit për të përfunduar leximin me transparencë të verdiktit në kutitë e votimit”, u shpreh zoti Basha duke ju drejtuar qeverisë, që sic theksoi ai “të mos përsërisë dhunimet dhe parregullsitë e vërejtura gjatë ditës” së votimit.

Nga ana e tij më herët, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar “zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më tani”.

Ecuria e procesit të votimit duket se ka qenë përgjithësisht normale. Raste problematike ka patur, që nga ato teknike, te mosmarrëveshjet mes komisionerëve, ndërprerje të procesve në disa qendra votimi apo dhe përplasje e tensione në zona të vecanta. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është detyruar të marrë vendim për problemet e lidhura me fletët e votimit në Rroskovec ku në krah të emrit të kandidatit të djathtë ishte vënë emri i koalicionit të majtë, apo në Tepelenë ku emri i një kandidati të pavarur nuk figuronte në fletën e votimit. Në të dy rastet KQZ –ja ka vendosur që procesi të vijojë. Institucioni qendror i zgjedhjeve është vënë ndërkohë në akuzë për rastin e Kurbinit ku kandidati i së djathtës mbeti jashtë. Sipas përfaqësuesit demokrat, KQZ-ja ka zëvendësuar në shkelje të hapur me ligjin dhe komisionerët e saj në këtë zonë. Partia demokratike megjithatë ka denoncuar një sërë rastesh që sipas saj kanë cënuar procesin. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka foli dje në mbrëmje për “kërcënime të votuesve nga zyrtarë të policisë apo funksionarë publikë, si dhe dhunë në disa dhjetëra raste”, apo dhe “njerëz që kanë votuar me karta identiteti false”. (voa)

Koment: Shansi i fundit?

Drama greke: A është samiti i BE-së kulmi i një krize të vazhdueshme prej pesë vjetësh, apo finalja e saj? Alexander Kudascheff dyshon në përparimet që mund të sjellë samiti i krizës në negociatat me Greqinë.

greqiaKriza evropiane nuk po ndalet. Përsëri BE-ja është përpara një samiti krize. Përsëri, ka vetëm një temë: drama greke. Dhe përsëri, askush nuk e di nëse ky është kulmi i një krize të vazhdueshme prej pesë vjetësh, po ose nëse finalja – sikurse ndodh shpesh – po shkon edhe një herë në një zgjatje të re. A duhet të dalë Greqia nga zona e euros? A do të ndodhë “Grexiti” aq i përfolur, apo Greqisë do t’i jepet në fund, një shans i fundit dhe do të vazdojë të përdorë monedhën e përbashkët evropiane?

Një gjë është e qartë edhe para samitit: nervat janë të tensionuara. Durimi po merr fund, si tek grekët, edhe tek 18 vende e tjera të eurozonës. Pothuajse kudo – edhe në Gjermani – pyetja është tani nëse grekët kanë luajtur fort apo nëse ka ardhur koha për t’i dhënë fund tragjedisë. Sepse, sipas mendimit të shumë skeptikëve, Greqia nuk mund të ndihmohet më. Nga rrënimi atë mund ta shpëtojë vetëm falimentimi dhe heqja e euros. Edhe nëse Greqinë e kërcënon një katastrofë humanitare. Edhe atëherë BE-ja do t’i ndihmojë grekët.

Borxhe të jashtëzakonshme

Qeveria e Tsipras i sheh gjërat natyrisht ndryshe. Ajo kërkon solidaritetin, i sheh bisedimet para zgjidhjes dhe beson se Greqia mund të shpëtohet përmes kursit të qeverisë së majtë. Ky kurs është i thjeshtë: të falet borxhi, dhe të bëhen vetëm reformat që ajo vetë i konsideron si efektive. Po kreditorët nuk bien dakord me këtë kurs. Ata dëshirojnë reforma të thella dhe vetëm pastaj të japin para.

Problemi i vërtetë, megjithatë, është ndoshta një tjetër. Politika evropiane e shpëtimit në krizën globale financiare evropiane – shumë e dominuar nga Gjermania – ka ndihmuar të rimëkëmben Portugalia, Spanja, Qipro, Letonia dhe Irlanda. Italia po reformohet, sikurse dhe Franca, edhe pse ngadalë. Vetëm në Greqi nuk ndikon mjekësia ekonomike. Kursimi, është sipas Athinës, ilaçi i gabuar. Kjo është e vërtetë për Greqinë, sepse atje kreditë kanë arritur nivele të tmerrshme dhe ka të ngjarë që ato të mos shlyhen më. Dhe kreditorët janë për këtë arsye po aq të burgosur të borxheve të tilla si edhe Greqia.

Deklaratë falimentimi për Syrizan

Greqia po vuan në këto pesë vjet të turbullt, depresivë dhe të dëshpëruar pasojat e një krize politike të përhershme. Shteti nuk funksionon. Aty ka një shoqëri klienteliste pa administratë funksionale. Greqia nuk është në gjendje për të marrë më shumë para dhe për të shpenzuar më pak, çelësi për të rimarrë veten ekonomikisht. Dhe madje edhe lëvizja Syriza nuk po arrin në pesë muajt që nga marrja e detyrës, për të ndaluar evazionin fiskal të të pasurve dhe për të gjetur paratë e zeza në miliarda në llogaritë e huaja. Një deklaratë falimentimi për një parti të majtë socialiste.

Në vend të kësaj, Athina ka bërë brenda vendit demagogji kundër FMN-së, BE-së dhe Gjermanisë, herë pas here flirton me Moskën dhe mundohet të luftojë pa rezultat një raund negociatash pas tjetrit. Rezultati: të gjithë janë të nervozuar, madje edhe evropianët që simpatizojnë me Syrizën – si presidenti i Komisionit Evropian Juncker dhe presidenti i Parlamentit të BE-së Schulz. Kjo edhe përballohet.

Nxitja e përfytyrimeve të vjetra për armikun

Por më keqja është se euroja – e menduar si simbol i integrimit evropian – po e shpërbën BE-në. Po ringjallen përsëri përfytyrimet e vjetra për armikun. Në shumë vende të BE-së, po bëhen gjithnjë e më të fortë partitë ultra të djathta e partitë ultra të majta. Dhe një numër në rritje qytetarësh të BE-së po pyesin: A nuk është shumë i lartë çmimi për politikat e dështuara të Greqisë? A duhet pranuar vërtetë shkelja e të gjitha rregullave dhe marrëveshjeve për ta mbajtur Greqinë në eurozonë?

Samiti të hënën mund të jetë një shans të fundit për ta shpëtuar Greqinë dhe euron. Por plagët e viteve dhe të muajve të fundit janë të thella, më të thella se një marrëveshje e përkohshme. Sepse vlera themelore e BE-së ka qenë gjithmonë kompromisi për rreth 60 vjetët e kaluara. Tani ka përsëri fitues, humbës, viktima. Një zhvillim mendor shkatërrues. (dw)

Carter: Nuk duam konflikt me Rusinë

Sekretari amerikan i mbrojtjes Ash Carter, synon të inkurajojë ministrat e vendeve aleate që të punojnë së bashku për të përballuar kërcënimet me të cilat ndeshet Evropa.

CarterSekretari amerikan i mbrojtjes Ash Carter, tha të hënën se nuk ekziston dëshira për t’u rikthyer në Luftën e Ftohtë apo në çfarëdo konflikti me Rusinë.

Ai i bëri këto komente në një forum në Berlin ku u takua edhe me ministren gjermane të mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Të dy ata do të udhëtojnë me vonë të hënën për në Muenster, për t’u takuar me homologët e tyre nga Norvegjia dhe Holanda.

Sekretari Carter tha që ndonëse perëndimi nuk kërkon të armiqësohet me Rusinë, ai do të mbrojë veten nëse është e nevojshme.

“Ne do të mbrojmë aleatët tanë, rendin ligjor ndërkombëtar dhe të ardhmen pozitive që na ofron ai”, tha sekretari amerikan.

Zoti Carter do të udhëtojë të martën për në Estoni për një takim me ministrat e mbrojtjes së Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të gjitha këto vende që dikur ishin nën ndikimin e Moskës dhe Bashkimit Sovjetik.

Bisedimet po mbahen para takimit të NATO-s, të mërkurën dhe të enjten në Bruksel për të diskutuar planet e përbaltjes me Rusinë, pas aneksimit nga ana e saj të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes ushtarake për separatistët në lindje të Ukrainës.

Sekretari Carter synon të paraqesë propozimin amerikan për të dërguar tanke dhe pajisje tjera ushtarake të mjaftueshme për një brigadë që do të mbështeste programet e stërvitjeve në Evropën Lindore. Shefi i mbrojtjes ende nuk e ka miratuar idenë formalisht deh zyrtarët nuk thanë saktësisht se ku do të shkojnë pajisjet, por ka shenja se Polonia që kufizohet me Rusinë mund të jetë një nga destinacionet.

Ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë edhe planet për ta përfshirë aleancën më zyrtarisht në luftën kundër militantëve të shtetit islamik. (voa)

BE-ja vazhdon sanksionet ndaj Rusisë

Sanksionet që pasuan aneksimin e Krimesë nga Rusia, synojnë nxitjen e zbatimit të marrëveshjes së Minskut për zgjidhjen e situatës në lindje të Ukrainës

euMinistrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u pajtuan zyrtarisht të hënën që të vazhdojnë edhe për gjashtë muaj sanksionet ndaj  Rusisë, në përgjigje të rolit të saj në Ukrainën fqinje.

Vendimi u mor në takimin e ministrave të bllokut 28 anëtarësh në Luksemburg. Paraprakisht, të dërguarit evropian i kishin miratuar këto masa javën e kaluar.

Sanksionet godasin sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe financave të Rusisë dhe ishin vendosur që në janar të vitit 2014, rreth katër muaj pasi që Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë. Ato tash do të vazhdojnë deri më 31 mars të vitit 2016.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, tha javën e kaluar se Rusia do të përgjigjet “sipas parimit të reciprocitetit”, pas formalizmit të vazhdimit të sanksioneve. Analistët thonë se kjo mund të nënkuptojë bojkotimin e mëtejmë të importeve të ushqimit nga Evropa.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, shkroi në Twitter se vazhdimi i sanksioneve u bë me synimin për të nxitur “zbatimin e plotë të marrëveshjes së Minskut”.

Plani për armëpushimin i nënshkruar në shkurt nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca bën thirrje për tërheqjen e armatimit të rëndë dhe luftëtarëve të huaj nga Ukraina lindore. Vëzhguesit thonë se marrëveshja është shkelur vazhdimisht.  (voa)

Zgjedhjet lokale në Shqipëri me risi pozitive

Me një pjesëmarrje rreth 48 përqind, procesi i votimit në 61 bashkitë e vendit kaloi normalisht, pa incidente serioze, por për nxjerrjen e rezultateve zyrtare për drejtuesit fitues të pushtetit vendor duhet ende kohë.

zgjedhjet ALB

Zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 kanë nxjerrë në pah disa risi krahasuar me ato të mëparshmet. Gjatë gjithë ditës së dielë pranë qendrave të votimit dhe në vendqendrimet e komisioneve zonale në 12 qarqet e vendit nuk pati prezencë të liderëve politikë, deputetëve, apo funksionarëve të administratës, një nga fenomenet mbisuenduese në proceset e kaluara zgjedhore, që kanë gjeneruar situata të tensionuara dhe konfliktuale mes simpatizantëve, që jo pak herë kanë përfunduar dhe në akte ekstreme dhune, ku janë përdorur dhe armët e zjarrit.

Thirrje për votim

Të dielën në procesin e votimit forcat policore kanë realizuar shërbimet e tyre në distancë nga vendet ku ishin instaluar kutitë e votimit dhe ato janë thirrur vetëm në një rast nga një komision lokal zgjedhor për ndihmë jashtë qendrës së votimit. Një tjetër risi ishte dhe mosaktivizimi i selive të partive kryesore politike me deklarata dhe kundërdeklarata. Përkundrazi gjatë kohës kur votohej nga politikanët dhe zëdhënësit partiakë në daljet e tyre publike dhe mediatike pati vetëm apele për pjesëmarrje masive në votime nga ana qytetarëve, ku u përsërit slogani: “Nëse nuk voton mos u anko!”

Megjithatë gjatë procesit të votimit ka pasur dhe raportime për mangësi teknike, parregullsi a incidente, si përshembull, hapja me vonesë e qendrave të votimit, vonesa në pajisjen me bazën materiale, printimi me gabime i fletëve të votimit për këshillat bashkiake në tre raste, mosmarrëveshjet mes komisionerëve për procedurat etj. Me ndërhyrjen e Komsionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vetë Komisioneve Zonale Zgjedhore shumë prej këtyre problemeve janë zgjidhur me mirëkuptim mes komisionerëve, apo me vendimarrje për vijimin e procesit.

Përfaqësuesi i Dhomës Zgjedhore, Afrim Krasniqi, tha për Deutsche Welle-n, se nga një sondazh që ishte bërë nga aktivistët e kësaj strukture të pavarur monitorimi, në tre zona, në Tiranë, Paskuqan dhe Kashar, kishte pasur pjesëmarrje të ulët të numrit të grave në votime.

“Gjithashtu personave me aftësi të kufizuar nuk u ishin krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës. Vumë re që në disa raste se komisionet nuk kishin marrë masa për zbatimin e kërkesave dhe të ligjit, që në 150 metra distancë larg qendrave të votimit të mos ketë materiale propagandistike”.

Diplomatët përendimorë në terren

Një risi tjetër për zgjedhjet e së dielës ka qenë vëmendja e shtuar e përfaqësuesve të ambasadave perëndimore. Pas deklaratave të përsëritura gjatë fushatës elektorale të diplomatëve kryesorë për pjesmarrje masive në votime, për mosshitjen e votës, për mosvotimin e kandidatëve të inkriminuar etj., ata iu bashkuan ekipit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për monitorimin e votimeve të dielën. Shefja e delegacionit të BE-së, ambasadorët e Gjermanisë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Italisë, Suedisë, Holandës etj., asistuan në qendra të ndryshme votimi në disa qarqe, duke përfshirë dhe në ato që konsideroheshin si zona të nxehta. Diplomatët kanë mbajtur shënim, duke lënë të nënkuptohet se do të jenë prezentë dhe në procesin e numërimit të votave deri në nxjerrjen e rezultateve për kryetarët e bashkive dhe këshillat e tyre bashkiake. Konstatimet e tyre ata do t’i propozojnë në ekipin afatshkurtër dhe afatmesëm të OSBE/ODIHR-it, për t’u përfshirë në raportin paraprak dhe përfundimtar të këtij isntitucioni.

Pritmëria për procesin e numërimit të votave

Votimet e ditës së dielë do të mbahen mend edhe sepse për herë të parë shtabet kryesore politike nuk shpallën fitoren pa filluar ende procesi i numërimit të votave nëpër kuti. Kjo përmbajtje ka qenë një zhvillim pozitiv për krijimin e një klime të qetë deri sa të numërohet dhe vota e fundit. Pas mbylljes së kutive të votimit kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka falenderuar qytetarët që morrën pjesë në zgjedhje, pavarësisht se për kë votuan ata. “Sot u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar që nga nesër do të jetë një shtet më modern”, shkruante mes të tjerave Rama.

Shefi i opozitës dhe kryetari i PD, Lulzim Basha, rreth katër orë pasi ishim mbyllur kutitë e votimit pasi ka kritikuar disa raste incidentesh që sipas tij, janë shkaktuar për faj të mazhorancës së majtë, ka përshkruar si mjaft të rëndësishëm fazën e numërimit të votave, ku i ka bërë thirrje numëruesve të opozitës që të qëndrojnë në lartësinë e kryerjes së detyrës. “Kujtoj numëruesit për rëndësinë e madhe që ka zbatimi i ligjit për të lexuar me transparence verdiktin e sovranit tashmë në kutitë e votimit.”

Rreth mesnatës në disa prej zonave zgjedhore në qarkun e Tiranës dhe në rrethe kanë nisur procesi i numërimit të votave. Sipas kodit elektoral, procesi i numërimit fillon vetëm atëherë kur merret në dorëzim e gjithë baza materiale nga ana e të gjithë anëtarëve të komisionit. Për disa nga bashkitë e vogla të vendit si në Pustec, Has apo Urën Vajgurore rezultati mund të shpallet gjatë ditës së hënë, kurse për njësitë e tjera administrative që kanë pasur dhe më shumë votues do të duhen më shumë ditë për shpalljen e rezultateve për fituesit si kryetarë bashkie, apo për anëtarët e këshillave bashkiake. (dw)

“E majta fituese në Tiranë dhe Durrës”

psRezultatet paraprake të “Exit Poll” të “IPR Marketing” dhe televizionit Ora News parashikojnë një fitore të koalicionit të majtë në Durrës dhe në Tiranë.

Në Tiranë, Erion Veliaj kryeson me  58% ndërsa Halim Kosova, sipas këtij projeksioni merr 38%. Ndërkohë Vangjush Dako po garon kundër kandidates demokrate Grida Duma, e cila në mbyllje të votimeve deklaroi se fitorja në Durrës është e Partisë Demokratike.

Sipas këtyre rezultateve, në Shkodër kryeson koalicioni i djathtë, me kandidaten demokrate Voltana Ademi, e cila garon përballë kandidates se koalicionit të majtë, Keti Bazhdari. (Eva Hoxha)