Zaev: Me një njësi zgjedhore shkatërrohet regjimi i Gruevskit

zaevMe një njësi zgjedhore do të shkatërrohet regjimi autoritar i Gruevskit dhe do t’i jepet fund sundimit të vetëm 2 partive politike në Maqedoni. Kështu theksoi sot kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, duke shtuar se ky model zgjedhor do të siguronte barazinë e votës si mes njësive zgjedhore, ashtu edhe votën brenda vendit me votën e diasporës. Lidhur me kundërshtimet e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së ndaj modelit me një njësi zgjedhore, Zaev theksoi se liderët e sinqertë nuk duhet pasur frikë nga partitë më të vogla.

“Unë jam i bindur se ia vlen të mendohet modeli me një njësi zgjedhore, atëherë vota e çdo qytetari do të vlejë njëjtë, atëherë do të vlejë njëjtë vota e qytetarëve në Maqedoni dhe në diasporë, shumë e vlefshme për Maqedoninë. Në këtë mënyrë do të kemi votim kushtetues, të barabartë, do t’i kthejmë institucionet demokratike në Maqedoni dhe asnjëherë më nuk do të përsëritet regjimi, sjellja diktatoriale me pushtet absolut, siç kishim deri tani në 9 vitet e fundit”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë, modeli me një njësi zgjedhore vazhdon të merr përkrahje edhe nga partitë e tjera politike. Lidhja Demokratike e deputetit Pavle Trajanov vlerëson se me një njësi zgjedhore pasqyrohet realisht vullneti i qytetarëve në Parlament. Përmes një komunikate, LD-ja thekson se modeli i shumicës me plus 17 deputetë, i propozuar nga kryeministri Gruevski, do të nxiste dhunë dhe do të krijonte kushte për vendosjen e sistemit autoritar.

“Lidhja Demokratike qëndron fuqishëm në përcaktimin për modelin proporcional me një njësi zgjedhore. Me këtë model sigurohet që përbërja e Parlamentit të përfaqësojë realisht vullnetin e qytetarëve, si dhe sigurohen kushte për demontimin e sistemit njëpartiak dhe rritjen e përgjegjësisë së Qeverisë. Lidhja Demokratike u bën thirrje partive, asociacioneve qytetare, ekspertëve, si dhe të gjithë atyre që janë për demokraci dhe sundimin e së drejtës, të përkrahin idenë që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore”, thuhet në komunikatën e LD-së.

Sistemi proporcional me një njësi zgjedhore u përkrah edhe nga partitë opozitare shqiptare, RDK, Besa dhe Lëvizja për Reforma në PDSH, dhe nga shumë parti më të vogla maqedonase. Benjamin Arifi

Zhvarrimi i Nilo Katalanit, përpjekje për të fshirë historinë e Himarës

Bashkia e re e Himarës është sigurisht një nga evenimentet më të bukura të Reformës Territoriale e Administrative. Bashkia e re u ngrit mbi trojet e Himarës historike. Për qindra vjet, Himara bregdetare dhe Labëria kanë qenë një krahinë. Krahina e Himarës është një nga krahinat më të lavdishme të Shqipërisë. Këto ditë ka një debat të madh mediatik. Janë në një krah bashkë, të gjithë: Saliu, OMONIA, PBDNJ dhe ca nga klerikët grekë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, ashtu si edhe Ministria e Jashtme e Greqisë. Të gjithë, në një zë, shprehin shqetësimin pse shteti ynë është duke prishur një pllakë betoni atje në Himarë, të ngritur brenda mureve historikë të themeleve të ish-Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, dikur monument kulture. Ne e njohim këtë kishëzë nga një foto e vitit 1942. Ajo u rrënua, si shumë të tjera, në vitet 1970-1980. Gurët e saj në një pjesë të madhe u përdorën për të ndërtuar ujësjellësin e fshatit. Ajo kishë ka qenë shumë e rëndësishme për historinë tonë. Atje meshoi dhe u varros Nilo Katalani, një figurë e shquar e kulturës dhe gjuhës shqipe.

Katalani ishte kryesuesi i parë italo-arbërësh i Misionit Bazilian, një mision me famë që kreu aktivitetin e vet në Himarë dhe gjithë bregdetin e Shqipërisë, për gati 3 shekuj me radhë. Këta murgj bazilianë, përgjithësisht ishin shqiptarë, ose ishin vëllezër gjaku me shqiptarët, ishin arbëreshë. Edhe ata që nuk ishin shqiptarë nga gjaku, ishin të shqiptarizuar, sepse të gjithë veprën e tyre e zhvilluan në gjuhën shqipe. Pandashmërisht prej tyre, atje, në Himarën e lavdishme që shtrihej nga vija bregdetare e deri në Kurveleshin e sipërm dhe përfshinte 57 fshatra, u zhvillua Pararilindja e Shqipërisë, Rilindja gjuhësore, letrare dhe kulturore. Kjo i parapriu dhe përgatiti Rilindjen tonë Kombëtare. Rilindja jonë, siç përshkruhet në histori, paraqitet si një rrap madhështor. Por ku i ka rrënjët ky rrap madhështor? Si mund të lindë një epokë nga asgjëja? Dhe nga ku tjetër mund të vinte zgjimi, përveçse nga arbëreshët e arvanitët, të cilët jetonin jashtë sundimit perandorak otoman?

Nilo Katalanin disa e cilësojnë si një ishprift renegat grek! Katalani nuk është as grek, as renegat, por një figurë që bëri shumë për shqiptarët. Ai është dijetari që bëri gramatikën e parë të gjuhës shqipe. Aq shqiptar u bë në shpirt, sa dhe poezitë shqip i shkroi. Ai është mësuesi që hapi e udhëhoqi një shkollë shqipe, për t’u mësuar shqiptarëve në gjuhën shqipe, katekizmin. Dhe ua mësoi katekizmin, jo vetëm të krishterëve, por dhe myslimanëve. Thuhet se shkroi dhe një doktrinë të krishterë shqip, por Selia e Shenjtë nuk ia miratoi, sepse, siç iu tha, shqiptarët, nga Himara në Kelmend, kishin Doktrinën e Pjetër Budit. Kështu të bashkuar na shihnin atëherë! Nilo Katalani kishte nxënës nga bregdeti, kishte nxënës nga Kuçi, nga Tërbaçi dhe nga fshatra të tjerë të Himarës. Këta murgj arbëreshë, shqiptarë dhe të shqiptarizuar, bënë vepra të shquara për kulturën e Shqipërisë. Ata zbuluan të parët Mesharin e Gjon Buzukut, ata krijuan shkollat shqipe, ata e pagëzuan Shqipërinë me emrin Shqipëri dhe popullin e saj me emrin shqiptarë.

Shqipëria mbeti pa emër në shek. XVII, se të gjithë emrat historikë ishin zënë. Ata gjetën që ky vend fliste shqip e duhej quajtur Shqipëri. Dhe kjo ndodhi në vitin 1703. Këta misionarë e këta murgj, këta njerëz të ditur të asaj kohe, zhvilluan pikërisht iluminimin e gjuhës shqipe dhe shkruan për herë të parë gjuhën letrare shqipe. Imzot Gjergj Skiroi, pasues i Nilo Katalanit, është i pari në histori që përdori gjuhën shqipe në komunikimin me Selinë e Shenjtë. Veprimi ynë në Himarë nuk nxitet nga ndonjë ide e supozuar për kthimin e murgjëve bazilianë. Shteti ynë është shekullar dhe respekton besimtarët në zgjedhjen e tyre. Ne ëndërrojmë një vend të bekuar, një vend me paqe të qëndrueshme, një vend të pasur e të integruar në Evropë. Ne ëndërrojmë një vend të sigurtë e prosperitet për njerëzit tanë, një vend që të ketë respekt për të gjitha besimet, për të gjithë besimtarët, për të gjithë qytetarët. Varri i Katalanit ishte atje tek kisha e Shën Thanasit, qysh nga viti 1694, kur u varros me nderimet që i takonin. Në shekullin e 20, varri i Katalanit u dhunua për herë të parë nga një pinjoll i familjes Buo në Dhërmi. Thuhet se ky person e dhunoi varrin për t’i vjedhur kurorën me diamante! Sepse ai ishte Monsinjor dhe duhej të varrosej me të gjitha nderimet.

Nilo CatalanoNë vitet ‘90 një tjetër dhërmiot, Klearko Papasava zhvarrosi Katalanin, i flaku eshtrat e tij dhe mbi varrin e Nilos ndërtoi këtë gjoja kishëzën e re! Prifti i Dhërmiut Bixhili, u ka pohuar banorëve të Dhërmiut se kishëza e vogël është bërë me lejen e autoriteteve të larta kishtare. Në se kjo është e vërtetë, atëherë duhet të mendojmë që zhvarrimi i Katalanos është bërë me nxitjen e këtyre autoriteteve. Që askush të mos fshihet pas gishtit, duhet ta themi haptaz se kjo luftë, në emër të ortodoksisë dhe lirisë së besimit, bëhet jo për të mbrojtur kioskën e betontë të Klearko Papasavës, por për të zhdukur varrin dhe historinë e Katalanit dhe bashkë me të, edhe atë histori të lavdishme të Himarës dhe të Misionit Bazilian, që udhëhoqi Kishën Ortodokse Arbëreshe në Himarë dhe në bregdetin e Shqipërisë në shekujt 17–18. Ata ishin himariotë dhe u kthyen këtu si arbëreshë, si vëllezër tek vëllezërit. Nëse vërtetë autoritetet e kishës dhe besimtarët e Dhërmiut kërkojnë të ndërtojnë dhe të kenë një kishë të shenjtë të Shën Thanasit, atëherë kjo do të ketë mbështetjen e plotë të shtetit tonë. Autoritetet vendore janë të gatshëm të ofrojnë terrenin, si dhe miratimet për lejet përkatëse, për të ndërtuar një Kishë të re dhe të vërtetë të Shën Thanasit në Dhërmi.

Tashmë besohet në mënyrë të sigurtë që eshtrat e Katalanit u gjetën dhe konservuan nga një grup ekspertësh shqiptarë dhe Bashkia e Himarës ka rënë dakord me një plan për ta rindërtuar kishën e vjetër të Shën Thanasit dhe për ta rivarrosur me nderim këtë figurë të ndritur me origjinë siçiliane, por të arbëreshizuar, të shqiptarizuar. Pjesë e këtij plani është vendosja e shenjave të kujtesës këtë vjeshtë për të gjithë murgjit bazilianë në Himarë dhe në bregdetin shqiptar. Më 10 nëntor, më shumë se 20 akademikë shqiptarë do të referojnë kumtesat e tyre për këtë periudhë aq të rëndësishme të historisë të Himarës e të Shqipërisë dhe për gjithë orientimin properëndimor që zgjodhi e ndoqi Himara në shekujt 16-19. Për këtë kanë punuar me një përkushtim të pashoq gjithë profesorati i Universitetit të Vlorës, koordinuar nga prof. Roland Zisi. Po nuk mund të lë pa përmendur shkencëtarët arbëreshë Francesko Altimari (akademik) dhe Mateo Mandala; studiuesit e mirënjohur italianë Stefano Parenti e Giovanni Cimbalo; si dhe studiues të tjerë aq të vlerësuar nga vendet fqinje e nga vendi ynë, si Dhori Qiriazi, Pëllumb Xhufi, Anila Omari e Shaban Sinani. Kjo konferencë do të zhvillohet me kujdestarinë morale e intelektuale të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkohë po punohet për një park tematik në Himarë që do të evokojë këtë periudhë historike dhe këto figura të shquara që mbajtën gjallë lidhjet e hershme vëllazërore të Himarës me arbëreshët dhe anasjelltas. Ajo kishëza që mbrojnë të gjithë këta që ju thashë në krye të kësaj fjale, ai bunkeri i betonit, nuk është gjë tjetër, veçse mbulesa dhe alibia për zhvarrimin brutal të eshtrave të Katalanit nga ajo tokë atje dhe për të fshirë këtë histori të lavdishme të kësaj krahine. Greqia nuk mund të na mësojë neve respektin për besimtarët dhe për besimet. Ajo duhet të mësojë nga toleranca fetare e popullit tonë, nga kultura e bashkëjetesës fetare dhe etnike në Shqipëri. Është e drejta dhe përgjegjësia e shtetit tonë ta rindërtojë atë kishë historike, ta rindërtojë dhe ta rivarrosi me nderim Katalanin. Ne jemi përgjegjës ta ringremë atë kishë, si një muze, në nderim të kësaj vepre të bërë nga populli ynë dhe këta misionarë të shquar, me gjak shqiptar. Njësitë e pushtetit vendor në Sarandë, Himarë e Vlorë do të vendosin shenjat e kujtesës, që historia e Himarës dhe e Rilindjes gjuhësore, kulturore e letrare të saj dhe të Shqipërisë të nxirret nga harresa e pabesë dhe të vendoset në shërbim të popullit!

Rimëkëmbja e Himarës dhe garantimi i paqes dhe qetësisë së qëndrueshme atje është e lidhur, sa me mundësitë që krijohen pas Reformës Territoriale, aq edhe me ndriçimin objektiv të historisë së saj në shekuj, krahas të gjitha masave të tjera për zhvillimin e kësaj zone. Kush ka frikë nga e vërteta e të shkuarës historike, ndoshta fsheh qëllime të këqija për të sotmen dhe të ardhmen tonë! Ata që flasin për respekt të besimtarëve homogjenë në jug të vendit duhet të respektojnë historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Katalani, Zassi, Zaharia Dhima, Petro Andrea, Basilio Matranga, Partenio Parrino, Gjon Llazari, Giuseppe Schiro, Dhimitër Leka e Nilo Borgia janë tashmë figura të ndritura të kulturës dhe historisë sonë dhe ne si shqiptarë nuk mund të pranojmë që Kisha Autoqefale e Shqipërisë të mos jetë në krah të përpjekjeve të popullit tonë për mbrojtjen e historisë dhe kulturës sonë dhe për zhvillim kombëtar! Besime kombëtare nuk ka, veç hebraizmit, por nëse mundësia për të zgjedhur katër shekuj më parë ishte: liturgji nga vëllai arbëresh apo nga cilido tjetër, si mendoni ju, cila do të ishte zgjedhja e kritikueshme? Më ndjeni se u zgjata shumë në këtë histori, por edhe në behar nuk na lënë rehat as Saliu, as këta të tjerët, Beleri, Bollano, Dule, priftërinjtë, të cilët e konsiderojnë akoma edhe sot, se të jesh ortodoks do të thotë të jesh grek! Por, ne jemi gati t’u japim përgjigje! Ne jemi ortodoksë të mirë dhe ndihemi krenarë për gjakun dhe identitetin tonë si shqiptarë! Flm.

(Koço Kokëdhima, fjala e mbajtur gjatë aktivitetit “Takim brezash” në fshatin Kuç të Vlorës)

 

Rama publikon progresin në dogana e tatime, Basha kundërpërgjigjet

tab mbledhja e te ardhuraveKryeministri Edi Rama ilustroi me një foto të publikuar në rrjetet sociale rritjen, sipas tij, në mbledhjen e të ardhurave nga viti 2013 deri në vitin 2015.

“Shikojini pak të ardhruat nga tatimet dhe doganat krahasuar me çfarë mblidhej në kohën e atyre që sot bërtasin ku kanë shkuar paratë”, thotë kryeministri.

Kjo deklaratë e Ramës ka shkaktuar reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Kryepërgjegjësi për vjedhjen e 160 milionë dollarëve nga tatimet dhe doganat është edhe kryegënjeshtari i Republikës. Këto dy vite rriti taksat, rriti çmimin e energjisë dhe të naftës, rriti tarifat dhe akcizat dhe prapë i mungojnë 160 milionë dollarë në 7 muaj”, thuhet në komunikatën e shpërndarë për mediat nga selia blu.

Basha i kërkon kryeministrit Rama, që sipas tij, të heqë dorë nga “tabelat e mashtrimit dhe trego ku përfunduan lekët e qytetarëve”.

/ Top Channel

Raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi

Asociacioni i komunave me shumice serbe është pjesa më e vështirë e bisedimeve që po vazhdojnë sot në Bruksel

vucic isaKryeministri Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndodhen në Bruksel për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në takimin e sotëm pritet të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Themelimi i këtij asociacioni është paraparë me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është edhe pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve rreth funksionimit të tij.

Beogradi ngulë këmbë që asociacioni apo siç thuhet, bashkësia e komunave serbe të ketë përgjegjësi ekzekutive, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë. Ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi i tha të dielën Zërit të Amerikës se ky asociacion do të formohet në pajtim me ligjet e Kosovës dhe nuk do të ketë asnjë karakter ekzekutiv.

Kryeministri serb, Aleksandër Vucic tha se pret marrëveshje në bisedimet që sipas tij në fakt zhvillohen me Bashkimin Evropian dhe Amerikën.

“Prishtina rri aty dhe pastaj vijnë e thonë, nuk mund të kenë përgjegjësi ekzekutive. Nuk kanë haber se çfarë janë përgjegjësitë e tilla. Ne ishim marrë vesh për bashkësinë e komunave dhe kishte mbetur vetëm një fjali e pa harmonizuar dhe atë nëse punonjësit e saj do të jenë punonjës publik apo shërbyes civil dhe kur e panë se marrëveshja ishte e shkëlqyeshme për serbët, ndryshoi gjithçka”, tha ai.

Shqetësimet rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë bërë që opozita në Kosovë të paralajmërojë veprime kundër tij. Madje Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar hapa që ajo i quan radikal kundër asociacionit nëpërmjet të cilit do të bëhej ndarje  brendshme e Kosovës. Edhe zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se nuk do të lejohet krijimi i një Republike Serbe si në Bosnjë. Kryeministri serb duke komentuar krahasimet tha se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të jetë shtet sovran si Bosnja.

Takimi i sotëm i paraprinë takimit të Vjenës, që mbahet më 27 gusht dhe pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin dhe në Vjenë palët presin që të përfitojnë nga ky projekt. Prishtina dhe Beogradi synojnë që të mos shkojnë duarthatë në atë takim.

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës, marrëveshjen e stabilizim asocimit, nënshkrimi i së cilës pritet muajt ne vazhdim. (voa)

Merkel dhe Hollande për një politikë të përbashkët azilimi

Qendra evropiane regjistrimi në Itali dhe Greqi, një ndarje e drejtë e barrës dhe kthim i shpejtë i azilkërkuesve të refuzuar: në politikën e BE ndaj refugjatëve pritet të ndryshojnë disa gjëra.

merkel+hollandeNë fakt Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez donin të flisnin vetëm për Ukrainën në takimin e tyre në Berlin. Por gjendja dramatike e refugjatëve hodhi hijen e saj mbi gjithçka tjetër. “Ka momente në historinë evropiane, ku ndodhemi para situatave të jashtëzakonshme”, tha François Hollande në Berlin. “Sot kemi një situatë të tillë të jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë për aq kohë sa nuk janë zgjidhur krizat”. Evropa nuk mund të presë dhe të përpiqet çdo ditë të përshtatet me situatën. “Duhet të organizohemi dhe ta rakordojmë politikën tonë”.

Kjo duhet të bëhet shpejt dhe boshti gjermano-francez do të krijojë presionin e nevojshëm. Dhe nuk janë vetëm pamjet e refugjatëve që kërkojnë rrugën për në Evropën Qendrore dhe Veriore përmes Mesdheut dhe vendeve të tjera, që i kanë alarmuar Angela Merkel dhe François Hollande. Është edhe frika për pasojat e eksceseve të tjera ekstremiste të djathta si ato në Heidenau të Saksonisë.

Pamje që të turpërojnë

“Unë i dënoj në mënyrën më të ashpër trazirat”, tha Kancelarja. Atmosfera agresive dhe e drejtuar kundër të huajve nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, tha ajo. “Është e neveritshme si përpiqen ekstremistët e djathtë dhe neonazistët të shpërndajnë mesazhe të urrejtjes. Por është po kaq për të ardhur turp se si qytetarë dhe qytetare, madje familje me fëmijë, i mbështesin ato duke marshuar së bashku me ta.” Gjermania është një vend që respekton dinjitetin e secilit, tha Merkel.

Përleshjet në Heidenau vërtet “e patën përmendur”, plotësoi Presidenti francez. Asgjë nuk mund ta justifikojë një mënyrë të tillë veprimi. Por për të është e qartë që përgjegjësia për refugjatët nuk mund t’i lihet vetëm një vendi, por se atë duhet ta mbajë e gjithë Evropa.

Tërheqje vëmendjeje ndaj vendeve të BE

Të gjitha shtetet e BE duhet ta vënë plotësisht në jetë ligjin e përbashkët të azilit. “Ne i lutemi Komisionit Evropian që të kujdeset, kur shtetet anëtare nuk i plotësojnë këto marrëveshje”, kërkon Merkel.

Veç kësj, në BE duhet të ketë një përkufizim të unifikuar se cilat shtete ballkanike duhen parë si shtete të ashtuquajtura të sigurta dhe cilat jo. Para nëntë vjetësh, Komisioni i BE propozoi një listë me vende të sigurta të origjinës, por nuk e zbatoi dot vullnetin e tij. Në shtator kjo temë do të ritrajtohet.

Kanalizim i vërshimit të refugjatëve

Gjermania dhe Franca këmbëngulin që qendrat e regjistrimit të refugjatëve në Greqi dhe në Itali, për të cilat kanë rënë dakord kryetarët e shteteve, të ngrihen që këtë vit. “Kjo është e domosdoshme për t’i regjistruar refugjatët që vijnë në brigjet tona dhe duan të hyjnë në Evropë”, tha Hollande. Të gjitha shtetet e BE mund të vënë në dispozicion personel atje. “Kjo duhet të ndodhë shpejt, ne nuk mund të pranojmë zvarritje”, plotësoi Angela Merkel.

Njëkohësisht duhet të futen standarde të përbashkëta për kthimin. “Duhet bërë dallim midis njerëzve, që kanë të drejtë për azil dhe atyre që vijnë këtu për shkaqe të kuptueshme, por që nuk mund të pranohen”, tha Hollande. Për ata që marrin leje qendrimi, duhet të pasojë një shpërndarje e drejtë në vendet e qendrimit. Më tej Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez lidhin shumë shpresa me takimin e nivelit të lartë BE-Afrikë që do të mbahet në vjeshtë në Maltë. Në të ndër të tjera do të diskutohet lidhja e marrëveshjeve të ripranimit për refugjatët. (dw)

Një zonë e re industriale për teknologjinë e lartë

Silicon ValleyIndustria amerikane e teknologjisë së lartë është e përqëndruar në Silicon Valley të Kalifornisë, një zonë shumë e zhvilluar në Gjirin e San Franciskos, ku kanë selitë kompanitë Google, Apple dhe gjigandë të tjerë të kësaj industrie. Por, kompani të reja teknologjike mund të gjenden edhe më në jug, në zonën përreth Los Anxhelosit. Silicon Beach është një zonë e re që po rivalizon Silicon Valley.

Kompania e quajtur VNTANA, që në spanjisht do të thotë “dritare”, është ndër kompanitë e reja të shumta pranë Los Anxhelosit. Me qendër në zonën bregdetare Santa Monica, ajo prodhon holograme tre-dimensionale për arsim, marketing, dhe argëtim. Ashley Crowder,  është me kompaninë “VNTANA”.

“Ekranin mund ta montojnë dy njerëz në më pak se një orë, dhe mund të dërgohet kudo në botë.”

Sistemi mundëson lidhje të drejtpërdrejta dhe koncerte virtuale. Është ndërveprues dhe njerëzit mund të kontrollojnë nëpërmjet gjesteve imazhet e projektuara.

Ben Conway thotë se si shumë kompani në Silicon Beach, “VNTANA” shfrytëzon afërsinë me Hollivudin.

“Jemi fokusuar tek përmbajtja argëtuese. Është diçka që komuniteti i industrisë së argëtimit e kupton mirë.”

Silicon Valley është orientuar më shumë drejt teknologjisë, ndërsa Silicon Beach drejt argëtimit.

Por, ky sektor është i shumëllojshëm. Në një takim të këtyre kompanive të reja ishte edhe Matthew Goldman i firmës “Wallaby Financial”, e cila këshillon konsumatorët për llojet e kartave të kreditit që duhet të përdorin, bazuar mbi normat e interesit dhe ajo çka përfitojnë aty ku do bëjnë pazar. Aplikacioni funksionon nëpërmjet telefonave inteligjentë.

“Telefoni përcakton vendndodhjen tuaj dhe pasi komunikon me serverat tanë, ofron rekomandimet në kohë reale.”

Sektori teknologjik në Los Anxhelos shtrihet nga qyteti deri në bregdet dhe në rrethina. Analistët thonë se është e vështirë të matet përmasa e tij, pasi teknologjia përfshin shumë industri në Los Anxhelos. Sidoqoftë, Silicon Beach po mikpret qindra firma teknologjie, dhe rritet me shpejtësi. (voa)

Edhe Gruevski kundër kalimit në një njësi zgjedhore

gruevskiKryeministri Nikolla Gruevski shprehet sërish kundër propozimit për shndërrimin e vendit në një njësi zgjedhore, në vend të sistemit aktual me 6 njësi. Gruevski përsëriti qëndrimin se nëse dikush vlerëson se duhet të ndryshohet modeli aktual zgjedhor, atëherë më mirë është të kalohet në sistemin e shumicës. Ai tha se ky sistem funksionon tashmë në zgjedhjet për kryetarë komunash dhe zgjedhjet në diasporë.

“Nëse mendojnë që ky model nuk është më i miri dhe se mund të mendohet për model të ri zgjedhor, propozimi ynë është të kalojmë në model të shumicës, funksionon me sukses në shumë shtete, ne e kishim në vendin tonë dhe e kemi edhe tani, për shembull, gjatë zgjedhjes së krerëve të komunave. Kryetarët e komunave zgjidhen me sistemin e shumicës, njëjtë edhe diaspora voton me modelin e shumicës. Kështu që kemi përvojë me këtë, kemi pasur përvojë edhe në të kaluarën”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski sot dha një propozim tjetër, që partisë fituese në zgjedhje t’i jepen edhe 17 mandate plotësuese, me qëllim formimin e qeverisë stabile.

“Të sjellim sistem që ekziston në disa shtete, që partia fituese të merr të themi plus 17 deputetë, që të ketë stabilitet qeveria që do të punojë. Kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet, LSDM-ja thotë se ata do t’i fitojnë zgjedhjet, është e drejta e tyre ta thonë. Nëse besojnë vërtetë se do të jenë fitues, ne iu ofrojmë që të votojmë ligj që partia fituese pas përfundimit të zgjedhjeve merr plus 17 deputetë, dhe kështu formohet qeveri stabile dhe nuk ka arsyetim pse nuk janë bërë disa projekte”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar LSDM-ja opozitare, e cila konsideron se refuzimi i modelit me një njësi zgjedhore ka për qëllim vazhdimin e vjedhjes së zgjedhjeve.

“Nikolla Gruevski ta pranojë para qytetarëve se pse ka frikë nga kërkesa e tyre, që e mbështeti edhe LSDM-ja dhe partitë e tjera, që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore. Ndoshta, sepse i prishet shema e vjedhjes së zgjedhjeve?!”, thonë nga LSDM-ja.

Qëndrimet e tilla të Gruevskit vijnë pasi opinioni i gjerë në Maqedoni konsideronte se në bisedimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duhet të hapet edhe çështja e ndërrimit të sistemit zgjedhor, duke e shndërruar Maqedoninë në 1 njësi zgjedhore. Këtë ide e kanë përkrahur partitë jashtëparlamentare shqiptare dhe maqedonase, por edhe LSDM-ja opozitare. Kundër kësaj ideje janë shprehur vetëm partitë e Gruevskit dhe Ahmetit. Benjamin Arifi

“Zajendicën” mund ta ndalin qytetarët

Nëse qytetarët do të organizohen sikur në rastin e shkarkimit të ish-ministrit Jabllanoviq, “Zajednica” do të mundë të ndalet. “Vetëvendosje” do të bëjë të pamundurën dhe nuk do të kursejë asgjë nga vetja, për të parandaluar themelimin e saj, thotë në një intervistë për “Zërin”, Dardan Molliqaj, sekretar i Lëvizjes “Vetëvendosje”.

dardan_molliqaj vetevendosje“Vetëvendosja” shumë shpejt do të fillojë me tubime mobilizuese gjithandej në Kosovë, ku përfshihen edhe aksione e protesta, në mënyrë që të parandalohet themelimi i Asociacionit të Komunave serbe. Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për “Zërin”, sekretari organizativ i “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj.

Ai thotë se “Vetëvendosje” nuk është kundër serbëve të Kosovës. “Ne po kërkojmë vetëvendosje të qytetarëve të Kosovës; po kërkojmë integrim të vërtetë e jo ndarje në baza etnike, po kërkojmë ndërprerjen e instrumentalizimit të serbëve lokalë nga pushteti fashist në Serbi”. (zeri)

Mariq: Brukseli na ka paralajmëruar për provokime

“Pritjet tona janë të larta, pas konsultimeve që kishim javën e kaluar me përfaqësuesit e qeverisë serbe, presin të arrihet një një marrëveshje”, tha Mariq.

MariqKoordinator i Ekipit Menaxhues serb për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Ljubomir Mariq, ka deklaruar se deklarata e Zëvendëskryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, se Asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive është provokim i lëshuar me qëllim, për konsum të brendshme politik të Thaçit. Mariq thotë se për këtë kanë qenë të paralajmëruar nga Brukseli e Uashingtoni.

“Ne kemi marrë sinjale nga qarqet politike në Bruksel dhe në Uashington se pala shqiptar mund të na provokojë për qëllime politike që u shërbejnë atyre”, ka thënë për RTS koordinator i Ekipit Menaxhues serb për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Ljubomir Mariq, shkruan B92, përcjellë Klan Kosova.

Mariq këto komente i bëri pas deklaratës të Zëvendëskryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Politikani serb ka thënë, po ashtu se shpreson që nuk do të ketë bllokim në implementimin e marrëveshjes, duke shtuar se disa muaj mjaftojnë për vënien në jetë të Asociacionit dhe funksionimin e tij.

“Pritjet tona janë të larta, pas konsultimeve që kishim javën e kaluar me përfaqësuesit e qeverisë serbe, presin të arrihet një një marrëveshje”, tha Mariq. (rtk)

Die Presse: Gjithçka gati për samitin e Vjenës

Shtypi austriak ka filluar ti kushtojë kujdes të veçantë samitit për Ballkanin Perëndimor, që mbahet këtë të enjte, më 27 gusht në Vjenë të Austrisë.

samiti i vjenesGazeta vjeneze Die Presse, pasi ka bërë publike listën e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, që do të janë pjesëmarrës të samitit, ka shkruar se pjesëmarrja e personaliteteve më të rëndësishme të BE-së në këtë samit, dëshmon se problem i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE zë vend të rëndësishëm brenda Unionit Evropian.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, përfaqësuesja e BE për politikë të jashtme Federika Mogereini, kryeminsitri i Italisë Matteo Renci, Komesari i BE-së për fqinjësi të mirë Johanes Hahn, Kancerali federal i Austrisë Werner Fajman, ministri i jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz, përfshirë dhe kryeministrin e Kroacisë, bashkë me kryeministrat e vendeve të Ballkanti Perëndimor, janë emrat e pjesëmarrësve në samitin e Vjenës kushtuar Ballkanit perëndimor, njofton sot gazeta austriake “Die Presse” në numrin e saj të sotëm.

I vetmi vend që nuk është pjesë e Ballkanit Perëndimor e që merr pjesë në samit është Kroacia. Sipas gazetës Die Presse, krijimi i nocionit Ballkan Perëndimor është bërë pikërisht me këtë qëllim, për të larguar Kroacinë nga ky grup vendesh, pasi Kroacia në planin kulturor dhe historik, ndihet si pjesë e Evropës së mesme.

Konferenca, shkruan Die Presse, është vazhdimësi e procesit të Berlinit dhe i shërben afrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor me Bashkimin Evropian. Vetë pjesëmarrja e personaliteteve më të rëndësishme të BE-së në këtë samit, dëshmon se problemi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE zë vend të rëndësishëm brenda Unionit Evropian.

Sipas gazetës austriake, vendi nikoqir ka bërë të gjitha përgatitjet, ndërsa tema kryesore e bisedimeve në samitin e Vjenës do të jetë: “Forcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën politike dhe ekonomike, sidomos në fushën e infrastrukturës dhe procesit të integrimit në BE”.

Gazeta citon ministrin e jashtëm Austriak Sebastian Kurz të ketë thënë se: “stabiliteti dhe rritja ekonomike në hapësirën e Ballkanit perëndimor është në interesin e vetë vendeve të BE-së”.

Minsitri Kurz ka deklaruar se BE-ja do të mbështetë fuqishëm projekte që këto vende i çojën përpara në rrugën drejt afrimit me BE-në.
Për rëndësinë e takimit të Vjenës flitet edhe në faqen zyrtare të kancelares gjermane Anglea Merkël. Në kalendarin e saj thuhet se para fillimit të samiti, ajo në Vjenë do të takohet me kancelarin austriak Werner Fajman.

Në njoftimin e kabineti të kancelares Merkel për Samitin e 27 gushtit, thuhet se aty do të diskutohet edhe problematika aktuale e migracionit dhe azilit. Pas samitit do të ketë një konferencë shtypi, ku do të paraqiten kancelaria Merkel, kancelari austriak Fajman, zonja Mogereini dhe një kryeministër nga njëri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. (rtk)