Fortifikimi i Sazanit, ja pse ishulli nuk mund të pushtohej

sazan

– Një telefonatë, në mos e papritur, emocionuese, u regjistrua në prag të 10 korrikut të vitit 1977, mes ish-komandantit të ishullit të Sazanit, Naim Muhaj dhe udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Në një bisedë, që zgjati përreth 5 minuta dhe u ruajt e regjistruar prej vitesh në muzeun e ishullit, Hoxha shprehu konsideratën, që ushtarakët në ishull i gjeti në gatishmëri të plotë. Në vitet ’70, çdo pushtues i mundshëm që do të kërkonte të mësynte në Sazan, me shumë gjasë do të ndeshej në vështirësi. Në një zonë sa strategjike, aq edhe të rrezikuar, si nga deti, ashtu dhe nga ajri, ushtarakët që shërbenin aty, por edhe banorët e qytezës së Sazanit, pak e ndjenin ankthin e rrezikut. Kjo, falë atij qyteti tjetër që u ndërtua nën tokë. Një labirint i madh tunelesh, që në një kohë të shkurtër tërhiqnin poshtë, jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët që ata mbarështonin. I ndërtuar me kosto jashtëzakonisht të mëdha, Sazani asokohe, vizitohej rregullisht nga kryeministri Mehmet Shehu dhe nga drejtues të lartë të shtetit.

Ish-komandanti i ishullit, Naim Muhaj në vazhdim të intervistës për “Shekulli”-n, flet për sigurinë e territorit dhe gatishmërinë e kuadrove në zonë. Ai sjell në kujtesë punën e palodhshme dhe investimet që u bënë në ishull për fortifikimin e tij. Mungesa e burimeve ujore ka qenë një nga problemet më të mëdha jetike për ishullin. Por, edhe depozitimi nëpërmjet anijeve cisterna ka pasur kosto të mëdha. A janë bërë shpime në ishull dhe sa kanë qenë shanset për të gjetur burime nëntokësore uji? Pasi mori detyrën, Mehmet Shehu urdhëroi shokët e naftës që të bëjnë shpime në ishull. Ata erdhën aty dhe shpuan deri në thellësinë 4900 metra. Ata punuan me synimin për të nxjerrë naftë, por në pamundësi të saj, të gjenin ujë. Mirëpo, për fat të keq nuk doli as naftë, as ujë. Pusi u shfrytëzua për efekte studimore dhe furnizimi i zonës me ujë vazhdonte të bëhej me cisterna të mëdha që vinin nga Vlora në ishull. Ju keni kryer detyrën e komandantit të ishullitdhe si i tillë kishit një përgjegjësi të madhe për sigurinë dhe drejtimin. Por, lidhur me udhëheqësit e kohës, sa shpesh e vizitonin ata Sazanin dhe a keni mbajtur komunikime me ta?

Nga vetë rëndësia që kishte ishulli, udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit, aso kohe e vizitonin shpesh atë. Kishte shumë prej tyre, që vinin me merakun e madh për punën aty, për detyrat, gatishmërinë etj. Kishte dhe nga që vinin për të kaluar kohën ose pushonin. Megjithatë, duhet thënë se ishulli vizitohej shpesh. Ai që ka vënë më shumë gurë dhe ka marrë pjesë në betonimin e themeleve të ishullit, ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Shpreh dhimbjen time dhe konsideratën për atë njeri, i cili sakrifikoi aq shumë. E kam takuar me dhjetëra herë dhe duhet thënë se çdo problem që shkonte te veshi i Mehmet Shehut ishte i zgjidhur. Ai që e bënte më këmbëngulës, ishte fakti se nuk i kthehej dy herë të njëjtit problem. Pra, ka meritën e veçantë të transformimit total të ishullit të Sazanit. Vetë Enver Hoxha e ka vizituar ishullin e Sazanit? Enver Hoxha nuk ka ardhur kurrë në Sazan. Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka pasur vëmendjen atje.Unë, duke qenë në detyrën e komandantit të ishullit, kam biseduar personalisht në telefon me të, që nga Sazani.

Kujtoj që ishte viti 1977, kur një mëngjes herët isha në zyrë dhe po përgatitesha për të shkuar në disa reparte. Nga aty, merr në telefon centralisti i ishullit, duke më thënë: Të kërkon në telefon Komandanti i Përgjithshëm. U emocionova. Mora fletoren dhe lapsin dhe fillova të shkruaja. Pas pak minutash, centralistja e Ministrisë më lidhi në telefon me të dhe biseda telefonike që kryem është pasqyruar në muzeun e ishullit, që sot është i braktisur. Pra, Enver Hoxha foli me komandën e ishullit të Sazanit. Fillimisht më pyeti “Si jeni? Si shkoni? Si janë shokët?”. Pasi i dhashë një informacion për ishullin më tha: “U mora për t’ju uruar me rastin e festës” (ishte pragu i 10 korrikut, festës së ushtrisë). “U mora për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar për sukseset që keni arritur dhe për të provuar gatishmërinë tuaj. Gëzohem shumë që jeni në gatishmëri”. Biseda ka zgjatur 4-5 minuta. Po, personalisht jeni takuar me Enver Hoxhën? Më pas e kam takuar në Pleniumin e Komitetit Qendror, ku morëm pjesë, si të ftuar, sepse nuk ishim anëtarë të Pleniumit, por komandat e njësive operative të rangjeve të larta merrnin pjesë në mbledhje.

Më kërkoi në mesin e sallës, duke thënë që komandanti i ishullit të qëndrojë, ndërsa të tjerët të bëjnë pushim. U takova me të, më përqafoi, më përgëzoi, bëmë një fotografi bashkë dhe porositi Sulo Gradecin që komandantit të ishullit t’ia japë fotografinë në Sazan. Fotografia nuk mbërriti në ishull, sepse pas këtij aktiviteti unë nuk isha më komadant i ishullit. Pas ikjes nga ishulli, unë jam emëruar komandant i Korpusit të Tiranës për 4 vjet, dhe më pas në vitin 1984 më emëruan komandant të Divizionit të Lushnjës. Lëvizja ishte për motive politike. A kishte ishulli një arkitekturë dhe sistem të sofistikuar për mbrojtjen e banorëve? Si lajmëroheshin dhe ku vendoseshin ata në rast të një sulmi të mundshëm? Duhet thënë se përveç objekteve që janë ndërtuar në sipërfaqe dhe janë të dukshme, ka dhe po kaq objekte nën tokë. Ishulli i Sazanit ka pasur dy fytyra, një të dukshme dhe një të padukshme. Sazani kishte një qytezë mbi tokë dhe një nën tokë.

Të gjitha njësitë dhe repartet. Të gjitha familjet e ushtarakëve, deri te kafshët që mbarështonin, kishin strehime kolektive, për t’u futur në rast bombardimi të mundshëm. Dhe thuhej: Ky është strehimi kolektiv i çerdhes. Kjo e fundit vendosej në kohë kërcënuese, në periudhën përgatitore të luftës, në sistem tunel, në lartësi 30-40 metra shkëmb, çka e bënte tejet të siguruar. Po i njëjti sistem u ndërtua për kopshtin, shkollën, repartet si dhe popullatën e paangazhuar në luftë. Sa tunele numërohen? Janë me qindra tunele. Madje ka pasur dhe tunele të Flotës, ku futeshin anijet tona luftarake. Kishte tunele ku mund të futej gjithë artileria bregdetare, kundërajrore dhe tokësore. Ishte llogaritur që gjithë popullata të sigurohej në tunele, madje deri aty sa kishte tunele të posaçme dhe për strehimin e bagëtive, në rast të bombardimit dhe mitralimit. Pra, i gjithë qyteti mund të futej nën tokë. Kaq investime të mëdha janë bërë në periudhën e socializmit.

Natyrisht, këto kishin kosto dhe shpenzime shumë të mëdha, por sipas politikës së atëhershme, çështjes së mbrojtjes së vendit dhe veçanërisht drejtimeve kaq të rëndësishme, u jepej shumë përparësi. Duke u shtrirë në një sipërfaqe të madhe, por njëkohësisht si një ishull me dy funksione, ushtarak dhe civil, a ka pasur zona të ndaluara për popullatën? Dhe më e rëndësishmja, a ka sot në Sazan armatime të rrezikshme? Unë nuk e di me siguri, por në ishull, tashmë mina dhe predha të paplasura mund të ketë. Gjatë kohës, kur në ishull lulëzoi jeta, sasia e armatimeve ishte e gjitha nën tokë dhe në kuadrin e rrëmbimit dhe braktisjes së Sazanit, edhe mund të kenë ngelur predha. Rreziku është i mundshëm. Nga ana jonë, duhet thënë së popullsia ka qenë përherë e sigurt. Kur e pamë në maj të këtij viti, aty nuk kishte asgjë. Përveç dy kafshëve të egra që gjetëm, gjithçka tjetër ishte për të ardhur keq. Kur filloi braktisja e ishullit? Në fillim të viteve ’90, njerëzit nisën të largoheshin. Kjo u vu ré në vitin 1993 dhe dy vite më vonë besoj se nuk kishte më asnjë familje. Ato emigruan asokohe drejt Italisë dhe në qytetet shqiptare. Kulmi i shkatërrimit ishte viti 1997. Flota jonë e famshme, me të gjitha anijet ushtarake, u fundos e gjitha dhe sot janë nën ujë. Këto janë pasuri më vete, por nuk është marrë askush me to deri më sot.

“Për botën është izolim, për mua është liri”

Në fillim të këtij viti, një grup ushtarakësh që shërbyen dikur në bazën ushtarake, formuan shoqatën e ishullit të Sazanit

Për mbrojtjen dhe ruajtjen e ishullit të Sazanit, një grup ushtarakësh që jetuan dhe shërbyen atje për vite me radhë, janë bashkuar, duke krijuar shoqatën e Ushtarakëve të ishullit të Sazanit. Komandant Muhaj tregon për funksionimin e saj në qytetin e Vlorës, që nga fillimi i këtij viti. “Në qytetin e Vlorës është ngritur dhe funksionon një shoqatë e ushtarakëve e ishullit të Sazanit. Kjo shoqatë ka programin e saj, ka statutin e vet, edhe funksion nga 25 janari 2015. Objekti i saj janë traditat kulturore, patriotike, atdhetare të ishullit dhe kuadrove të tij. Në këtë kuadër, ata kërkojnë të jenë faktorë në shqyrtimin e problemeve në ishull, sepse jo vetëm që kjo masë kuadrosh ka lënë pjesë të jetës së vet atje, por mua personalisht dhe kolegeve na duket sikur ishulli është pjesë e jona”, thotë Muhaj. Ndërsa, për zërat që e gjykojnë ishullin nga larg, por edhe të tjerë që e përshkruajnë si vend izolimi, komandant Muhaj duket se hedh poshtë çdo koment të tillë. Për të ishulli përfaqëson lirinë, madje nëse do të jetonte një jetë të dytë, Sazanin nuk do ta ndërronte me asnjë vend tjetër. “Ou, do të ishte kënaqësia më e madhe. Kam një komshi, i cili është pilot në profesion. Më ka pyetur për dëshirën më të madhe që kam pas fatkeqësisë (koha kur dola nga izolimi, nga burgu), çfarë do që të bësh? I jam përgjigjur se, do të isha i lumtur që kur të bija në shtratin e vdekjes, pa dhënë shpirt, të më bëje një fluturim mbi Sazan. Ishulli për mua është jeta ime. Gjithçka është aq shumë e lidhur me të, sa në ëndërr më del vetëm ishulli” tregon Muhaj, duke mos i fshehur emocionet.

Parimi i sigurisë

“Si në të gjithë territorin shqiptar, veçanërisht për fortifikimin e ishullit u aplikua një program origjinal shqiptar, sipas parimit ‘Njeri dhe qendër zjarri’, për t’i futur nën tokë të gjithë njerëzit, pajisjet materiale dhe rezervat qysh në kohë paqeje. Ky fortifikim u realizua me sukses të plotë dhe në më pas shtojmë që u fortifikua vija bregdetare me të gjitha mjetet. Pavarësisht se banda e sigurimit të shtetit hodhën baltë mbi ishullin dhe mbi ne dhe bënë për vete udhëheqësit anadollakë, si Simon Stefani, Lenka Çuko, Prokop Murra, Hekuran Isaj etj. Ne nuk ndërtuam as ishullin e Kretës, as Mazhinonë, as kanalin e Suezit, por ndërtuam një fortifikim origjinal shqiptar”, tregon ish-komandanti Muhaj.

Jugu i Sazanit 

Krahu jugor i ishullit lartësohet me një kodër 331 metra mbi nivelin e detit. Një pjesë e madhe e shpatit që zbret poshtë, në drejtim të gjirit të Japrakut, është e mbuluar me pyllin e pishave. Ato shtrihen deri te ndërtesat e banimit të lagjes mbi plazhin familjar të ishullit. Këto pjerrësi kanë pisha, fiq, shkurre, valanidh, shkurre e lis.

Porti detar 

Porti i ishullit është ndërtuar në vendin ku ka qenë porti antik i Shënkollit. Në një fotografi të vitit 1915 duket bankina e lashtë, e cila ka qenë në krahun e sotëm jugor të portit. Ndërtimi i tij iu besua inxhinierit ushtarak me përmasa të mëdha që të përfshinte të gjithë gjirin e Shënkollit.

Rrugët e ishullit

Ishulli përshkohet nga rrugë këmbësore dhe monopate të shumta në të githë pjesët e tij. Rrugët kanë ‘biografinë’ e tyre. Te muret antike, pranë portit, është gjurma e një rruge të lashtë, qarkuar me gurë të mëdhenj. Ajo zgjatet drejt lëndinës, në pjerrësitë lindore të gjirit të Shënkollit, poshtë kodrës veriore.

Plazhet e Sazanit

Në bregun lindor të Sazanit janë shumica e plazheve ranore të ishullit. Ato ndodhen pranë kepit të Shënkollit, në gjirin e Japrakut, i cili zgjatet deri në kepin e jugut të ishullit. Kjo zonë ka dhe disa plazhe të vegjël, kryesisht zallishte. Kodra jugore ka pjerrësi të buta, me shpatet e mbushura me bimësi të dendur dushku dhe shkurresh të larta. (Shekulli / Neritan Gjergo)

Europa para një detyre brezash

Kriza e refugjatëve është gjithashtu një krizë e sistemit evropian të azilit. Berlini dhe Brukseli debatojnë për kursin e duhur.

emigrantet det“Ne kemi nevojë të shpejtë për një strategji të fortë evropiane,” tha Jean-Claude Juncker presidenti i Komisionit Europian. Asnjë shtet anëtar i BE-së nuk mund ta rregullojë i vetëm migrimin. Europa ka standardet më të larta për azil në botë. “Kjo është e sanksionuar në ligjet dhe marrëveshjet tona. Megjithatë, unë jam i shqetësuar se kjo është gjithmonë e më pak e ngulitur në zemrat tona!” Gjuha e urrejtjes dhe deklaratat e paarsyeshme e vënë në rrezik lirinë e udhëtimit në zonën Shengen tha Juncker për gazetën “Welt am Sonntag”.

Zëvendëskancelari gjerman Sigmar Gabriel dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, që të dy socialdemokratë shkruajnë për “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” se Europa po përballet me një “detyrë brezash” por “deri tani reagimet nuk përputhen me pretendimin që duhet të ketë Europa ndaj vetes.”

Kuotatpranimi refugjatësh për të gjithë anëtarët e BE-së

Sipas tyre e nevojshme është një shpërndarje e drejtë të refugjatëve. “Një situatë si e sotmja, ku vetëm disa shtete anëtare mbajnë gjithë përgjegjësinë, është po aq pak e pranueshme sa dhe një sistem që e shpërndan ngarkesën në mënyrë të njëanshme për vendet që gjenden në kufijtë e jashtëm të BE-së”, shkruajnë Gabriel dhe Steinmeier. Dy socialdemokratët kanë formuluar një plan dhjetëpikësh për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Sipas tyre nevojiten kritere të sakta, objektive dhe të kuptueshme për kuotat e pranimit për të gjitha shtetet anëtare në përputhje me performancën e tyre ekonomike.

Hezitim i padurueshëm

Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller, kritikoi të shtunën me forcë “hezitimin e padurueshëm të BE-së”. Ai i kërkoi përsëri Brukselit një program të menjëhershëm prej mbi dhjetë miliardë euro për të ngritur ndër të tjera qendra emergjente në vendet anëtare që përbëjnë kufijtë e jashtëm të BE-së. Komisioni Europian i hodhi poshtë akuzat për mosveprim. Propozimi i Müller qe diskutuar disa javë më parë në Bruksel, por ka edhe çështje teknike dhe ligjore të pasqaruara. BE-ja dhe shtetet anëtare kanë vënë tashmë rreth 3.7 miliardë euro në dispozicion për të ndihmuar viktimat e luftës civile në Siri.

Nga perspektiva e qeverisë gjermane përgjegjës për të garantuar standarde unike që kanë të bëjnë me refugjatët është Komisioni Europian. “Në Gjermani kemi standarde të arsyeshme, humanitare për strehimin, kujdes mjekësor, para xhepi dhe gjëra të tjera. Shumë vende të tjera të BE-së kanë standarde të ulëta. Strehime të denja duhet të vënë në dispozicion të gjitha vendet e BE-së, jo vetëm Gjermania,” tha ministri i Zhvillimit Müller. Edhe Gabrieli dhe Steinmeieri kërkojnë në shkrimin e tyre kushte më të mira për pranimin e refugjatëve në të gjithë Europën. Refugjatët që kanë fituar azilin në një nga shtetet anëtare, duhet ta gëzojnë këtë status në të gjithë BE-në, shkruajnë ata. Kurse atyre që nuk u pranohet kërkesa për azil duhet të kthehen në atdheun e tyre. (dw)

Ekspertët për azilkërkuesit nga Ballkani: Mos kërkoni azil, shikoni shanset për punë!

Ka nevojë për punë! Intervistë me ekspertin e Institutit Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimin (IAB) Prof. Herbert Brücker mbi shanset e qytetarëve nga Shqipëria e Kosova për të gjetur një punë në Gjermani.

azilDeutsche Welle: Prof. Brücker sipas një analize të Institutit Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimin (IAB) para gati një viti në të ardhmen në Gjermani është i mundur punësimi i plotë – a është afruar kjo e ardhme disi më shumë këtë vit?

Prof. Herbert Brücker: Sigurisht deri tek një punësim i plotë jemi ende mjaft larg, por ajo që vëmë re është se në Gjermani kuotat e punësimit janë rritur në këto pesë vite me 5-6%, kuota e punësimit të punëtorëve të huaj disi më shumë se kaq. Por duhet thënë se ende kemi 5-6% të popullsisë të papunë në Gjermani, tek të huajt kjo kuotë është akomë më e lartë, 12%.

Debati për refugjatët është kthyer në temën kryesore të verës në Gjermani. Refugjatët nga Ballkani zënë pjesën më të madhe të debatit. Shumica prej tyre janë refugjatë ekonomikë, që në Gjermani nuk është arsye për njohjen e azilit. A ka vend ekonomia gjermane për qytetarë nga Shqipëria, Kosova e Ballkani që kërkojnë punë?

Prof. Herbert Brücker: Mendoj se po! Sigurisht kjo varet nga kualifikimi dhe kompetencat që sjellin me vete këta njërëz. Tregu gjerman i punës në pesë vitet e fundit ka krijuar rreth 1 milionë vende të reja pune për të huajt, këto kryesisht në degë si gastronomia, hoteleria, në bujqësi, në sistemin shëndetësor për të moshuarit, apo shërbime të tjera. Këto janë zakonisht profesione ku formalisht kërkohet pak kualifikim, por nga ana tjetër puna është e rëndë fizikisht apo psikikisht. Në këta sektorë ne gjejmë më shumë se mesatarisht fuqi punëtore të huaj, jo vetëm nga Ballkani, por edhe rajone të tjera. Dukshëm tregu gjerman i punës ka nevojë për punëtorë, por edhe për forca mjaft të kualifikuara, sidomos në mjekësi apo në inxhinieri. Por shumica e të punësuarve të huaj zë vend tek punët që kërkojnë më pak kualifikim.

Sipas një propozimi të fundit të krerëve socialdemokratë, azilkërkuesve nga Ballkani u duhet hapur një perspektivë punësimi për sektorë ku ka nevojë, kusht që ata të kenë një kontratë me pagë mbi atë minimale. Si e shikoni këtë propozim?

Prof. Herbert Brücker: Unë e vlerësoj mjaft këtë propozim, por ne kemi problemin që shumica e këtyre njerëzve nga vendet e ish-Jugosllavisë apo Shqipëria vijnë në Gjermani si azilkërkues, dihet se shumicës së këtyre personave nuk ka asnjë shans që t’u njihet azili, nga ana tjetër ata qëndrojnë gjatë në qendrat e pranimit, janë të varur nga asistencat dhe nuk kanë akces në tregun gjerman të punës. Kjo është e shtrenjtë për Gjermaninë, vetë këta njerëz janë të detyruar vetëm të rrinë, ndoshta disa prej tyre përpiqen të bëjnë punë në të zezë – nga pikëpamja politike ekonomike kjo nuk asnjë sens. Prandaj ne duhet ta hapim tregun e punës për të gjithë ata që janë në gjendje të gjejnë një punë në Gjermani, ideale do të ishte nëse ata sjellin me vete edhe një diplomë profesionale, por është e mundur të gjenden module rregullatore edhe për ata që nuk kanë profesion.

Por a mund ta përballojë tregu gjerman një fluks punëtorësh nga Ballkani pa shkaktuar panik në popullsinë gjermane për zënien e vendeve të punës? Kujtojmë debatin e para pak viteve kur u liberalizua tregu i punës për rumunët dhe bullgarët.

Prof. Herbert Brücker: Mendoj se nëse emigrantët vijnë dhe integrohen normalisht në tregun gjerman të punës, atëherë kjo pranohet në opinionin gjerman, problemet tona më të mëdha janë aty ku njerëzit nuk integrohen në tregun e punës apo në shoqëri, këto probleme ishin të njëjta me rumunët dhe bullgarët, por këto probleme i kemi vetëm atëherë kur njerëzit janë të varur nga sistemi social gjerman. Por në momentin kur njerëzit kanë një vend pune, pra një premtim për vend pune, unë këtë do ta bëja kusht, pra kur ata kanë një punë normale, paguajnë taksa, atëherë një gjë e tillë pranohet gjerësisht në opinionin gjerman.

Edhe kancerlarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së parë në Tiranë tha: Azil jo, por perspektiva punësimi. Por cili punëdhënës gjerman do t’i jepte punë një të ardhuri nga Ballkani, dhe si do të mund të arrijë një punëmarrës të krijojë kontakte në Gjermani?

Prof. Herbert Brücker: Në sektorët që e përmenda më lart kemi relativisht një kërkesë të lartë për fuqi punëtore, ky boshllëk mund të mbushet edhe me njerëz nga Ballkani, nuk ka rëndësi nëse ata vijnë nga Rumania, Bullgaria apo vendet e tjera të Ballkanit. Vetë njerëzit duhet të bëhen aktivë, të kontaktojnë direkt punëdhënësit, të bëjnë kërkime në internet, shpesh rruga që përdoret edhe përmes marrjes së informacioneve nga miq e të afërm, pra puna duhet kërkuar në mënyrë shumë aktive, dhe mund të gjesh oferta që ofrojnë pagë sipas tarifave dhe kjo do ta bënte të mundur punën në Gjermani. Për mua ky është një skenar realist.

Në Shqipëri, Kosovë apo vende të tjera të Ballkanit kemi një brez të ri, të shkolluar, me gjuhë të huaja, e hapur ndaj botës dhe pa asnjë shans për punë, nëse nuk ka lidhje me klanin politik që qeveris për momentin. Ky brez do tani të emigrojë, por nga ana tjetër një “brain drain” përbën rrezik edhe për vetë këto vende. Si mendoni ju?

Prof. Herbert Brücker: Sigurisht punësimi nuk duhet bërë sipas teserës politike apo etnisë, në fund të fundit kjo dëmton vetë ekonomitë të këtyre vendeve. Por përsa i përket fenomenit të “brain drain”, më duhet të them se ai mbivlerësohet. Ajo që vëme re ne si ekspertë është se nëse ka mundësi për emigrim njerëzit investojnë më shumë për shkollimin, e frytet qe merr nga ky investim janë shumë më të larta, pra më shumë të rinj mbarojnë maturën, bëjnë një shkollë profesionale apo studiojnë. Një pjesë e këtyre personave rikthehet në vendlindje, një pjesë nuk emigron. Pra përmes mundësisë për emigracion vendet e origjinës kanë më shumë favore duke pasur parasysh këtu burimet njerëzore, pra arsimimi në popullsisë gëzon një nivel më të mirë. Por ka një sektor të cilin do ta veçoja. Në sektorin e shëndetësisë vëmë re po ashtu një “brain drain”, të cilin unë do ta quaja të rrezikshëm për këto vende. (dw)

Makinat luksoze në Los Anxhelos

mercedesPër makinat e personalizuara që ofrojnë çdo gjë përfshirë banjot portative, sediljet për masazh dhe xhama anti-plumb ka kërkesa të shumta nga regjisorët dhe yjet e filmave në Kaliforni. Kompani të specializuar bëjnë konvertimin e furgonëve në automjete sportive luksoze që mund të përdoren si zyra portative, qendra të medias dhe palestra nga ekzekutivët e pasur dhe yjet e famshëm që janë gjithmonë në lëvizje.

Stërvitjet, drejtimi i një biznesi apo relaksimi, është i mundshëm në automjetet e personalizuara luksoze të prodhuara nga kompania Becker Automotive me qendër në Kaliforni.

Ky është një treg i sofistikuar, ku ekzekutivët e pasur dhe yjet e kinematografisë mund të kërkojnë pothuajse çdo gjë që ata duan për automjetin e tyre, madje edhe një banjo.

Howard Becker është pronar dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Becker Automotive. Ai thotë se klientët janë nga gjithë bota tha tani ata duhet të presin gjashtë muaj për blerjen e një automjeti të këtij lloji.

“Klientët tanë vijnë nga të gjitha sferat e jetës. Ata kanë një të përbashkët, janë njerëz që punojnë shumë. Ata janë në përgjithësi shumë të pasur dhe duan të jenë larg ekspozimit ndaj medias”.

Duke përdorur të njëjtën teknologji që përdoret nga kompanitë ajrore, këta furgon janë të pajisur me ekranet LCD për video konferenca dhe shikimin e filmave, sedilje të pajisura me sistem elektronik kontrollimi, teknologjinë e ndriçimit LED, teknologjinë më të fundit të sigurisë anti-plumb dhe banjo me dyer elektrike.

Në mesin e konsumatorët janë aktorët Johnny Depp dhe Ben Affleck, këngëtarët Bruce Springsteen, Snoop Dogg dhe Dr. Dre.

“Aktualisht rreth 40 përqind e makinave tona eksportohet, 20 përqind e qëndrojnë në bregun perëndimor dhe Nju Jorku është një treg shumë i rëndësishëm për ne”.

Imazhet 3-D të makinave krijohen për t’u treguar klientëve potencialë se si do të duket brendësia e automjetit të tyre.

Një nga kërkesat kryesore është përmirësimi i sigurisë dhe shumë klientë duan të kenë xhama anti-plumb dhe të testojnë sigurinë e trupit të makinës.

Bailey Barnard, redaktor në revistën RobbReport.com, thotë se kërkesat për këtë lloj makinash janë në rritje.

“Unë mendoj se një nga arsyet e shtimit të kërkesave për këtë makinë është niveli i teknologjisë që ato mund të perdorin si mikro-teknologjinë, I-Padët dhe iPhonët. Pra këto teknologji portative mund të përdoren në kabinat e automjeteve të tyre.  Ato gjithashtu janë luksoze dhe të rehatshme. Ne raportojmë edhe për përdorimin e avionëve privatë, mega jahteve dhe tani shumë teknologji të këtyre mjeteve mund të transferohen në botën e automobilave”.

Biznesmeni Mark Hyman, i cili është një klient i mundshëm i kompanisë Becker Automotive, thotë se ai është i interesuar në blerjen e një makine të tillë pasi ajo do t’i mundësonte atij të punojë edhe kur ai është në lëvizje.

“Për mua është e rëndësishme të jem në gjendje të punoj dhe ta shfrytëzoj mirë kohën kur jam në trafikun e ngjeshur dhe të padurueshëm të Los Anxhelesit”.

Luksi dhe siguria kanë një kosto, çmimet  e këtyre makinave shkojnë nga 160 mijë deri në 500 mijë dollarë për një makinë tërësisht të blinduar. (voa)

Vargje kohe dhe hapsire – Bejtullah Sadiku

KOHA DHE HAPSIRA

Dielli lindi e agoi
për dikend disi vonoj,
por edhe nuk harroj
se rrezet me vonesë disi lëshoj.

Edhepse dikush dallon,
koha prap punon.
Vullnete e deëshira
nga pak i plotëson.

Kush më shumë e kush më pak,
dora-dorës, hap me hap
që mos të ngelim aty në trap,
por të ecim të gjithë me vrap!

Vrap e turm, pa stuhi
çdo kush vehten ta din njeri.
Me detyra e obligime,
t´i kryejmë punët me nderime!

Kush më shpejtë e kush më ngadal,
punët të ecin e mos të ngecin
si vepra të bukura ato të mbesin.
Si pasuri e plot thesar,
kjo veper e ketije populli kaq bujarë.

Koha e keqe dhe e vështirë,
por dikushi, plotëson edhe dëshirë.
Unë po, pse ti jo?
Pse ti po, e unë jo?!

Unë më shumë e ti më pak.
Pse ti pak e unë më shume?!
Unë me pak e ti me shumë!
Por, mos harro: Se ne duhet qenë e punuar bashkë!

Të shtrijmë dorën njeri – tjetrit,
dhe ta shpëtojmë prej më të keqes!
Me punë, vullnet, dëshirë e vepër
mu, ty, atijë e gjithë ne,
të na bëhet ashtu si e kemi tradië mes veti.

Kohë moj kohë e mjerë,
mos u bënë e keqe e kaq pa nderë.
E çuditur e kaq e katandisur!
Pse pjell njerëz kaq të çoroditur?
Se në hapsirën e pafund,
humbin vehten e se gjejnë kund?!
Bejtullah Sadiku, Krefeld – Gusht 2015

 

Der Spiegel: Dibrani në ishullin grek, i vetmi që u hapi dyert emigrantëve

Atis-XhaniU largua drejt Greqisë me familjen kur ishte vetëm dy vjeç dhe tani është bërë pronari i një restoranti në ishullin turistik grek, Kos, aty ku ditë më parë ka pasur përplasje mes policisë dhe emigrantëve ilegalë që tentojnë Europën.

Shaqir Xhani, i njohur si Atis Tsanis në Greqi, është 19-vjeçari nga Dibra, i cili është bërë personazhi i revistës prestigjioze gjermane, “Der Spiegel”.

Gazeta shkruan se ai është i vetmi që u ka hapur derën emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme. Ndërsa shumë pronarë restorantesh i refuzojnë refugjatët të futen, ai e sheh këtë situatë me pragmatizëm.

“Këta janë njerëz si gjithë të tjerët që kanë nevojë të hanë. Që kur vura në menunë jashtë ‘FastFood’-it gjuhën arabe, restoranti im është gjithmonë plot,” ka thënë Shaqiri.

Restoranti i tij ndodhet në shëtitoren e plazhit, aty ku ndodhen çadra të shumta me refugjatë sirianë, pakistanezë, afganë e iranianë. 19-vjeçari shqiptar u ka shpesh ofruar ushqim falas refugjatëve dhe u ka dhënë çadra që të flenë gjatë natës. /Shekulli Online/

 

Rama në rrëfimin e parë pas pushimeve; Samiti i Vjenës, informaliteti, drejtësia…

rama-intervista-veliu-sotKryeministri Edi Rama, në një intervistë të gjatë për Top Channel, flet për samitin e Vjenës; ekonominë, duke shpjeguar me detaje operacionin kundër evazionit fiskal; për reformën në drejtësi, ku për herë të parë tregon se ç’do të ndodhë nëse mazhoranca nuk do t’i arrijë 93 votat për ndryshimet kushtetuese…

Kryeministri jep argumentet e tij, përse nuk ka probleme brenda koalicionit, siç është përfolur masivisht në media gjatë dy muajve të fundit. Shefi i qeverisë shqiptare pohon se do të ketë edhe reformim të Kodit aktual Zgjedhor.

Pjesë e intervistës janë edhe çështjet që lidhen me mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë në qeverinë “Berisha”, të dyshuar për afera korruptive, dhe përse pas dy vitesh në qeveri, mazhoranca e majtë nuk ka zbardhur ende tragjedinë e Gërdecit, përfshirë dhe atë të 21 Janarit.

Dhe në fund, Rama flet edhe për koncertin e këngëtares Anastacia dhe çfarë e shtyu atë ta mbështesë këtë koncert.

Intervistën e plotë me kryeministrin Edi Rama, dhënë gazetarit Muhamed Veliu, do ta ndiqni në edicionet e lajmeve në Top Channel, gjatë ditës së sotme.

/ Top Channel

Refugjatët në Maqedoni – gjendje e jashtëzakonshme në kufi

Qeveria ka shpallur gjendje krize në kufi për shkak të fluksit të emigrantëve. Ushtria e Maqedonisë do të kontrollojë vijën kufitare në zonat problematike për të penguar futjen e emigrantëve në territorin e Maqedonisë.

policia kufi mkNisur nga fluksi i jashtëzakonshëm i refugjatëve në Maqedoni, qeveria ka shpallur gjendje krize në kufirin jugor dhe atë verior. Ushtria do të kontrollojë vijën kufitare në zonat më problematike me qëllim që të pengojë futjen e emigrantëve në territorin e Maqedonisë, ndërsa do të formohet edhe një shtab emergjence, i cili do të menaxhojë krizën. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski thotë se vendimi i fundit i Qeverisë është marrë me qëllim të parandalimit të valës së shtuar të emigrantëve. “Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme ka për qëllim të parandalojë çfardo lloj problemesh për popullatën lokale respektivisht për banorët që jetojnë në rajonin e Gjevgjelisë, ku hynë numri më i madh i emigrantëve. Njëkohësisht kjo masë e qeverisë ka për qëllim edhe mundësimin e trajtimit më të përshtatshëm dhe më human të emigrantëve, të cilët tanimë kanë hyrë në territorin e shtetit”, është shprehur Ivo Kotevski, zëdhënës i policisë

Kotevski thotë se emigrantët jolegal, të cilët deri më tani kanë hyrë në Maqedoni, janë transportuar në mënyrë të organizuar nga Greqia. “Për fat të keq, kufiri jugor që njëkohësisht është edhe kufi i jashtëm i Evropës, asnjëherë nuk është kontrolluar dhe mbrojtur nga Greqia. Jo vetëm që janë lejuar dhe nuk janë ndaluar emigrantët ilegal, por jemi dëshmitarë, se në shumë raste ata janë transportuar në mënyrë të organizuar deri në kufi”, theksoi Kotevski.

policia kufi mk 2Maqedonia nuk ka kapacitet të ofroj ndihmë për emigrantët

Maqedonia është korridor tranzit dhe është me rëndësi se si ne do të ballafaqohemi me këtë sfidë. Në periudhën e ardhëshme pritet që numri i emigrantëve pritet të arrijë edhe në tre apo katër mijë e më shumë, ka thënë kryeministri Nikolla Gruevski Gruevski.
“Emigrantëve duhet t’u jepet ndihmë që ata të kenë transport human përmes Maqedonisë, që do të thotë se duhet patjetër të kontrollohet hyrja e tyre dhe numri i njerëzve, që vijnë këtu nëmënyrë që të mund t’iu ofrohet ndihma e nevojshme në Maqedoni. Shteti nuk ka kapacitet të ofrojë ndihmë për një numër kaq të madh të emigrantëve”, ka thënë kryeministri Gruevski.

Mijëra emigrantë, kryesisht të rinj të moshave prej 20 deri 30 vjeç synojnë që përmes Maqedonisë të shkojnë në Serbi dhe më pas në vendet evropiano-perëndimore.Numri i madhëi emigrantëve ka bllokuar hekurudhën Selanik- Shkup, në pjesën e kufirit me Maqedoninë. Për shkak të kësaj situate, në territorin grek janë bllokuar një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash. Policia maqedonase po pengon turmat e emigrantëve për të hyrë në territorin e Maqedonisë.

Organizatat humanitare në terren
Gjatë muajit gusht Maqedonia u përfshi nga valë të reja me numër më të madh të emigrantëve. Sipas Organizatës joqeveritare “Legis”numri i refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Pakistani që duan të arrijnë në Evropë përmes itinerarit ballkanik po rritet me një shpejtësi marramendëse me deri në 1500- 2000 emigrantë në ditë. Kampet e strehimit ende nuk janë gati dhe nuk ka as një strehim për gratë, fëmijët dhe personat në moshë të thyer, shprehet Mersiha Smailoviq nga Organizata “Legis”.

“Ajo që tani shohim është një pasqyrë dëshpëruese, pasi vijnë një numër i madh gra e fëmijë. Në stacionin në Gjevgjeli kushtet atmosferike janë gjithashtu të pafavorshme, gjatë këtyre ditëve kamot me shi dhe një numër i madh fëmijë e gra janë lagur dhe në këto kushte janë detyruar të flenë në rajonin e policisë.Gjendja është alarmante si për numrin e refugjatëve ashtu dhe për kushtet që kemi në Maqedoni”, shprehet Smailoviq.

refugjatet mk“Po qëndroja në radhë për të marrë vërtetimin por kishte shumë njerëz, ishim më shumë se 700 vetë. Policia u mundua të organizojë rendin por kot dhe filloi të na godasë, të na rrahë. Kemi pritur 16 orë për të marrë dokumentet, qëndrova aty pasi nuk kisha tjetër zgjidhje”, deklaron një emigrant nga Siria.

“Nuk kemi ushqim, as ujë për të pirë prandaj jemi ndalur këtu. Isha 3 ditë e 3 netë në Gjevgjeli, pasi nuk arrija të marr vërtetimin nga policia, nuk mundesha të vij as me autobus, as me taksi, as me tren pasi ai stërmbushej “, thotë një tjetër emigrant nga Afganistani.

“Në kufirin e Maqedonisë ka shumë emigrantë, prandaj nuk mundeshim të marrim dokumentin. Pritëm 3 ditë por më kot. Kemi një vërtetim grek por jo edhe një vërtetim të Maqedonisë”, thotë emigranti nga Afganistani.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, numri më i madh i migrantëve është nga Siria, rreth 20 mijë të evidentuar, por shifra besohet të jetë shumë e madhe për shkak se shumë prej tyre ilegalisht hyjnë në Maqedoni, prej nga sërish në mënyrë ilegale kalojnë në Serbi për të vazhduar rrugën drejt vendeve të BE-së. (dw)

Tsipras jep dorëheqjen

TsiprasKryeministri grek Aleksis Tsipras paraqiti të enjten në mbrëmje dorëheqjen dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme, një përpjekje për të siguruar një mandat të ri për të zbatuar një program tre vjeçar  shpëtimi që shkaktoi një rebelim brenda partisë së tij të majtë Syriza.

Zoti Tspiras, i zgjedhur në janar,iu drejtua vendit me një fjalim në televizionin shtetëror, gjatë të cilit mbrojti taktikat negociuese të qeverisë së tij dhe tha se Greqia siguroi marrëveshjen më të favorshme të mundshme nga vendet e tjera të Eurozonës.

Kryeministri grek tha se tani që vendi ka siguruar fondet, ai e ndjente si detyrim që t’i jepte mundësi popullit të tij që të vlerësonte punën e tij.

“Tani që këtij cikli të vështirë i ka ardhur fundi, ndjej një detyrim të thellë moral dhe politik që t’ia nënshtroj gjykimit tuaj gjithçka që kam bërë, e drejtë ose e gabuar, suksese apo dështime. Mandatit popullor që mora më 25 janar i ka skaduar afati”, tha ai.  

Zoti Tsipras ia paraqiti dorëheqjen zyrtarisht presidentit Prokopis Pavlopouos.

Ai nuk përmendi një datë për zgjedhjet, megjithëse ato duhet të mbahen brenda muajit të ardhshëm, dhe zyrtarët thonë se data më e mundshme është 20 shtatori.

Kryeministri Tsipras efektivisht e ka humbur shumicën në parlament, pas një rebelimi të ekstremistëve në partinë e tij Syriza, të cilët kundërshtojnë një marrëveshje ndihme të arritur me huadhënësit ndërkombëtarë. (voa)

Maqedonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në kufijtë jugorë dhe veriorë

emigrantet 2 mkMaqedonia shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme në kufijtë e saj jugorë dhe veriorë për shkak të shtimit të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve.

Ajo tha se masat do të përfshijnë aktivizimin e ushtrisë në përballjen me krizën në rritje, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve. Sipas kësaj agjencie, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski tha se zyrtarët presin që përfshirja e ushtrisë të rrisë sigurinë e qytetarëve në këto dy rajone dhe të lejojë një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj njerëzve që duan të aplikojnë për azil. Zoti Kotevski i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pikëkalimet kufitare nuk janë mbyllur. Megjithatë, autoritetet mund të kenë marrë masa për të bllokuar rrugët e paligjshme që përdorin emigrantët dhe refugjatëve për kalimin e kufirit.Mbi njëmijë refugjatë presin në Greqi, në pikën kufitare Idomeni për të hyrë në Gjevgjeli, që më pas të vazhdojnë rrugën drejt Serbisë, për të arritur në shtetet e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Maqedonisë dërgoi trupa shtesë pranë pikëkalimit kufitar në Gjevgjeli për të penguar, eventualisht, kalimet ilegale.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ivo Kotevski u tha mjeteve të informimit se vendimi i qeverisë ka për qëllim të pengojë çfarëdo problemesh serioze që mund të paraqiten ndaj popullatës së zonës por dhe të sigurojë një trajtim të përshtatshëm për personat, emigrantë ilegalë të cilët kërkojnë strehim.

Maqedonia është shndërruar në një zonë kalimtare të mijëra refugatëve, kryesisht sirianë, të cilët nga Idomeni në Greqi kalojnë në këmbë kufirin për të ardhur në Gjevgjeli, ku hipin në trena dhe vazhdojnë rrugën nëpër Serbi drejt Hungarisë.

Autoritetet maqedonase thonë se rreth 39 mijë refugjatë, kryesisht sirianë, janë regjistruar muajin e fundit, që paraqet dyfishin e numrit të një muaji më parë.

Zyrtarë të Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) para se të kuptonin për mbylljen e kufirit, u shprehën me habi pse nuk shikonin turma të refugjatëve, që zakonisht vijnë në këmbë nga kufiri grek.

Refugjatët presin radhën për t’u regjistruar tek autoritetet policore maqedonase; më pas marrin biletat e trenit.

Një tren me emigrantë u nis mëngjesin e së enjtes nga Gjevgjelia. Ata zbresin në Tabanoc, në kufirin me Serbinë dhe përsëri në këmbë kalojnë në Preshevë, rreth 4-5 km. për të marrë trenin drejt Hungarisë.

Refugjatët flasin për rrugën e mundimshme që deri në Gjevgjeli zgjatë njëzet ose tridhjetë ditë.

Halabxha është nga Alepo e Sirisë; ajo është nënë e dy fëmijëve. Me burrin, fëmijët dhe anëtarë të tjerë të familjes, ajo synon të shkojë në Gjermani. Këta refugjatë nuk flasin publikisht për trajtimin nga policitë e vendeve nëpër të cilat kalojnë, por vetëm një ditë më parë forcat maqedonase të rendit kanë përdorur shkopinj gome për të ruajtur kontrollin, në stacionin e trenave në Gjevgjeli.

Nebiu është nga Damasku dhe ai synon të shkojë në Belgjikë.

Ai thotë se Bashar Al Assad ka vrarë shumë njerëz, ndërsa vëren se askush nuk po i ndihmon popullit të Sirisë.

Ai thotë se ka nëvojë për punë dhe një jetë normale. “Nuk dua luftë, por një jetë të mirë për të gjithë njerëzit”, thotë ai.

Edhe një tjetër refugjat nga Alepo. Me katër fëmijët e tij dëshiron të shkojë në Gjermani. Thotë se është shofer dhe do të dëshironte të gjejë një punë në profesionin e tij.

Sait Hussein është gjashtëmbëdhjetë vjeç. Është nga Siria dhe udhëton i vetëm. Pjesa tjetër e familjes ndodhet në Turqi dhe ata bëhen gati ta bëjnë rrugën me anije drejt Evropës.

Në mesin e refugjatëve ka dhe shtetas të Bangladeshit, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në perëndim.

Ndërkohë, autoritetet vendore kanë lejuar tregtarët vendas që të ngrejnë një treg të improvizuar në platformën e trenave. Por çmimet që emigrantët nga Lindja e Mesme i paguajnë në këtë treg janë tre fish më të larta se në tregjet e zakonshme. (voa)