Asociacioni pa kompetenca shtesë (?)

Mitrovica verioreParimet themelore mbi të cilat do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, pengesat e lëvizjes së lirë mbi urën e lumit “Ibër” dhe pengesat për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, do të jenë çështjet kryesore për të cilat do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë së delegacioni i Kosovës ka qëndrim të qartë se Asociacioni i Komunave në veri nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Këto janë parimet tona të cilat i mbrojmë në këtë dialog. Kësaj mund t’i shtoj se edhe marrëveshja e Brukselit për normalizim e thekson qartë që asociacioni duhet të themelohet dhe funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.

Ministrja Tahiri tha se Asociacioni nuk do të jetë një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë.

“Asociacionet nuk mund të kenë kompetenca ekzekutive, as nuk mund të jenë një nivel i tretë i pushtetit në Republikën e Kosovës. Në Kosovë Asociacioni i Komunave më shumicë serbe mund të themelohet vetëm pa kompetenca ekzekutive. Është qëndrim i qartë i prerë dhe do të jetë realitet”, u shpreh Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se përfaqësuesit e Beogradit në bisedimet që do të mbahen me Prishtinën në javën e ardhshme në Bruksel, shkojnë me synimin që të krijojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për serbët që jetojnë në Kosovë.

Gjuriq pas një takimi që ka mbajtur me përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka deklaruar se delegacioni serb në bisedimet e Brukselit do ta arsyetojë besimin që serbët e Kosovës ia kanë dhënë qeverisë serbe.

“Do të përpiqemi që në Bruksel të justifikojmë besimin e këtyre njerëzve dhe të gjithë njerëzve në Kosovë. Jeni të sigurt që nuk do t’i lëmë poshtë. Bashkësia e Komunave me shumicë serbe nuk është e drejtuar kundër askujt në Kosovë”.

“Do të jetë instrument dhe faktor i stabilitetit dhe përafrimit të komuniteteve në Kosovë dhe të gjithë këta njerëz që marrin pjesë në dialog, këtë dialog e shohin si mjet të përafrimit të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe jo si mjet të ndarjes më të thellë ose si mjet për provokim të trazirave dhe jo-stabilitetit”, tha Gjuriq.

Paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për mundësinë e arritjes së marrëveshjes me Qeverinë e Serbisë rreth krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë nxitur reagime të opozitës.

Krijimi i këtij Asociacioni është paraparë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të datës 19 Prill 2013.

“Krijimi formal i ‘Zajednicës’ (Bashkësisë së komunave me shumicë serbe), do t’ia pamundësojë institucioneve shtetërore të Kosovës që praktikisht të ushtrojnë sovranitetin në pothuajse 30% të territorit të shtetit”, kanë deklaruar të enjten disa nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

kosova  zaednicaAktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar një aksion simbolik për të treguar se si duket Kosova me Asociacionin e Komunave dhe si pa të. (rel)

Forcat e Maqedonisë përdorin gaz lotsjellës kundër migrantëve

emigrantet mkForcat speciale të Maqedonisë kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë mijëra migrantë dhe refugjatë, të cilët kanë bërë përpjekje të hyjnë në Maqedoni nga Greqia, përkatësisht nga pika kufitare Gjevgjeli, raporton agjencia Reuters.

Disa mijëra njerëz nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, shumica prej tyre refugjatë sirianë, kanë kaluar natën në zonën kufitare, pasi Maqedonia ka shpallur të enjten gjendje të krizës dhe ka mbyllur kufirin e saj jugor për migrantët dhe refugjatët.

“Forcat speciale të policisë, prapa telave me gjemba, kanë hedhur gaz lotsjellës kundër turmës së zemëruar, që ka kërkuar të kalojë në Maqedoni”,ka thënë korrespondenti i agjencisë Reuters, që ndodhet në vendin e ngjarjes.

Sipas të dhënave të Policisë së Maqedonisë, deri tani, në këtë vend kanë hyrë mbi 40 mijë migrantë, por ky numër vlerësohet të jetë shumë më i lartë për shkak të hyrjeve të shumta ilegale.

Maqedonia, e cila nuk është në Bashkimin Evropian, është vend i madh tranziti për migrantët që hyjnë në BE në Greqi dhe bëjnë përpjekje të udhëtojnë drejt veriut, përkatësisht vendeve më të begata evropiane.

Sipas ligjit, deklarimi i gjendjes së krizës lejon “angazhimin e duhur të ushtrisë”.

Rrjedhimisht, Qeveria në Shkup ka thënë se ky hap “do të rrisë sigurinë e popullsisë lokale” dhe do të përmirësojë trajtimin e migrantëve.

Në Serbi, kryeministri Aleksandar Vuçiq ka thënë se autoritetet do të hapin një qendër të përkohshme strehimi në Beograd, për të strehuar migrantët dhe refugjatët që aktualisht ndodhen në një kamp jashtë stacionit kryesor të autobusëve dhe që presin të kalojnë në Hungari.

Hungaria është duke ndërtuar një mur për të mbajtur migrantët jashtë – hap ky që ka zemëruar Beogradin dhe disa qeveri evropiane. (rel)

Cigaret elektronike: a janë të dëmshme?

E-cigareGjatë disa viteve të fundit, cigaret elektronike ose e-cigaret, janë përhapur mjaft. Mes përdoruesve të sotëm ka edhe shumë të rinj, mjaft prej të cilëve nuk kanë pirë duhan kurrë.

Një studim i ri tregon se të rinjtë që fillojnë me cigare elektronike kanë më shumë gjasa të përdorin cigare duhani në të ardhmen.

Cigaret elektronike fillimisht hynë në treg si alternativë për të rriturit që donin të linin duhanin.

E-cigaret janë pajisje të cilat dërgojnë nikotinë në mushkëri duke ngrohur një lëng që përmban nikotinë, dhe që thithet. Blerësi mund të vendosë sasinë e nikotinës që përmban lëngu.

Adam Leventhal i Universitetit të Kalifornisë Jugore thotë:

“Cigaret eletronike kanë shije joshëse si karamele e çamçakëz. I përkasin teknologjisë së përparuar, janë moderne dhe të modës.”

Për këto arsye,  përdorimi i tyre është përhapur shumë mes të rinjve në të gjithë botën. Michelle Mercado tani pi cigare të rregullta, por kur ishte më e re përdorte cigare elektronike.

“Shoh shumë njerëz me cigare elektronike. Ata janë nxënës të shkollave të mesme ose pak të më të mëdhenj.”

Adam Leventhal dhe studiues të tjerë anketuan mbi 2-mijë nxënës të shkollave të mesme në Los Angeles nga viti i 9-të, kur shumica ishin rreth 14 vjeç. Në atë kohë, nxënësit thanë se nuk kishin pirë ndonjëherë duhan. Por një numër i tyre kishin provuar cigare elektronike.

“Ne krahasuam adoleshentët që kishin përdorur cigare eletronike me ata që nuk kishin përdorur, për të parë ndikimin midis dy grupeve.”

Nxënësit u anketuan përsëri gjashtë muaj më vonë në fillim të vitit të 10-të.

“Nxënësit që përdorën cigare elekronike kishin mbi katër herë më shumë gjasa për të filluar duhanin sesa ata që nuk kishin përdorur cigare elektronike.”

Zoti Leventhal thotë se përdorimi i e-cigareve në moshë të re mund të krijojë një brez të ri duhanpirësish, si dhe të kthejë mbrapa përparimin e e bërë në mbajtjen larg të rinisë nga pirja e duhanit. Studimi u botua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. (voa)

Rama, apel biznesit: Nëse nuk jepni kupona, nuk do të paguheni

Kryeministri-Edi-Rama-ne-konference-per-shtyp1Në një takim me punonjësit e tatimeve dhe taksave, kryeministri i vendit Edi Rama tha sot se qeveria “është e vendosur t’i shkojë deri në fund betejës së re për vendosjen e plotë të rendit ligjor në hapësirën e aktivitetit ekonomik dhe tregtar në vend”.

Rama nënvizoi se aksioni i shtatorit ndaj bizneseve informale “nuk është një betejë kundër biznesit, por është një betejë për të mbrojtur konsumatorin dhe biznesin nga ata që vjedhin paratë që i duhen shtetit për të ulur taksat”.

Kryeministri u bëri apel bizneseve që të marrin masa e të heqin dorë nga evazioni fiskal nëse në shtator nuk duan të ndëshkohen nga ligji. Ai bëri të qartë se qytetarët nuk duhet të paguajnë nëse nuk iu japin kupona tatimorë.

“Një nga masat do të jetë një thirrje publike dhe detyrimi për çdo biznes në shtator, ku konsumatorit nëpërmjet një tabele që do të vendosë çdo biznes, i thuhet të mos paguajë nëse nuk i jepet kuponi”, – tha Rama.

Kryeministri ka bërë thirrje që të denoncohet çdo shkelje e padrejtë e punonjësve të doganave e tatimeve . “Do të propozojmë masa të reja për të gjithë ata që marrin ryshfete. Falenderim për çdo biznes të rregullt dhe masë për atë që ka shkelur ligjet”, tha Rama.

Ai shtoi se: “Fitorja e kësaj beteje do të sjellë ulje taksash dhe rritje rrogash. Ulja e informalitetit është e barabartë me një hov të ri zhvillimi ekonomik e social”.

/Shekulli Online/

Maqedoni: S’ka marrëveshje per zgjedhjen e prokurorit publik

prokuroriPartitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e prokurorit publik special të paraparë me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Prokurori duhet të propozohet nga opozita, por zgjedhja e tij nuk do të mund të bëhet pa mbështetjen edhe të partive në pushtet.

Bisedimet mes partive po ndërmjetësohen nga i dërguari i Bashkimit Evropian, diplomati belg, Petar van Hojt, i cili pret që grupet e punës t’i përmbahen afatit që deri më 15 shtator Maqedonia të ketë prokurorinë speciale, i cili do të nis me punë për hetimin e aferës së përgjimeve të publikuara nga opozita.

Por, Sllagjana Taseva, njohëse e çështjeve juridike dhe drejtuese e organizatës, “Transparency Macedonia“, thotë se me marrëveshjen politike shumë pak janë saktësuar çështjet që kanë të bëjnë me punën e prokurorit publik special.

Ajo thotë se personi që do të drejtojë zyrën duhet të jetë njeri me kredibilitet të lartë dhe i guximshëm në zbatimin e plotë të ligjit dhe të obligimeve që parashihen me marrëveshjen politike, pavarësisht presioneve që mund të has nga partitë.

“Gjithçka duhet të definohet qartë si dhe të saktësohet apo të plotësohet ligji për prokurorinë nëse një gjë e tillë është e nevojshme, madje të formohet edhe një prokurori krejtësisht e re. Këtë punë nuk mund ta kryej vetëm se një person, pra, ai duhet të ketë një ekip të tërë për të realizuar obligimet që parashihen me marrëveshjen politike, e që pritet të definohen nga takimet e grupeve të punës”.

“Gjithashtu, konsideroj se duhet të përcaktohen edhe aspektet buxhetore si dhe përgjegjësitë që të mos ketë ndeshje kompetencash me prokurorin aktual, Zvrlevski. Pra, grupet e punës duhet të qartësojnë gjithçka që të mos paraqiten më vonë probleme në funksionimin e këtij organi që ka peshë të madhe në vendosjen e së sundimit të drejtës lidhur me çështjet që do të hetojë“, thotë Taseva.

Prokurori special duhe të hetojë nëse bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, përfshirë kryeministrin, Nikolla Gruevski, janë autentike dhe nëse nga përmbajtja e tyre ka veprime kriminale të zyrtarëve.

Nga bisedat e publikuara, sipas opozitës, “kryeministri, Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë përfshirë në krime të rënda, në falsifikimin e zgjedhjeve, presione ndaj pushtetit gjyqësor, në zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve, në presione ndaj mediave, e krime tjera“, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga partitë në pushtet.

Gruevski ka akuzuar opozitën për “puç shtetëror“ me incizime të jashtëligjshme të zytarëve me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete ndërsa përmbajtja e bisedave ka thënë se është e montuar.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike thotë se prokurori special do të ketë vështirësi të shumta në hetimin e kësaj afere.

Që puna e tij të mos dështojë, Demiri thotë se ai duhet të ketë një ekip profesional dhe të besueshëm si dhe mbështetje të fuqishme financiare, ndërsa si element më të rëndësishëm, ai sheh bashkëpunimin me gjykatat pasi pa një mbështetje të ndërsjelltë, angazhimi i tij nuk do të ketë sukses.

“Prokurori nuk është individ i cili do ti kryej të gjithë punët, por prokuroria është një ekip i tërë, pra ekip i prokurorëve prej disa personave që duhet të punojnë si ekip dhe të bashkëpunojnë, mirëpo bashkëpunimi është i rëndësishëm në veçanti me gjyqësinë”.

“Nëse nuk ka gjyqësi dhe gjykata të pavarura dhe nëse ato nuk bashkëpunojnë me prokurorinë, atëherë puna e tij mund të jetë e kot. Puna e tij kërkon kushte për procesuimin deri në fund të lënde për të cilat është i angazhuar”.

“Probleme mund të paraqitet pasi nuk përjashtohen obstruksionet e mundshme nga si nga gjykata ashtu edhe nga ekipi i vet. Por, probleme më të mëdha do të ketë me partitë politike pasi vështirë do të merren vesh që të harmonizohen ekipet dhe të harmonizohet puna e prokurorit me gjyqësinë“, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike. (rel)

Kriza e migrantëve tensionon Perëndimin dhe Lindjen në BE

help siriaMe valën gjithnjë e në rritje të migrantëve të paligjshëm, të cilët përmes Hungarisë synojnë të depërtojnë drejt Evropës veriore, thirrjet në Bruksel dhe Berlin po bëhen gjithnjë e më të zëshme që ish vendet komuniste, tash anëtare të Bashkimit Evropian, të marrin përsipër përgjegjësinë që kanë.

Në këtë temë, shtypi botëror tërheqë vërejtjen për mundësinë e raporteve të tensionuara ndërmjet vendeve anëtare të BE-së, ndërkohë që vala e migrantëve nuk po tregon shenja të zvogëlimit.

Wall Street Journal, e përditshme amerikane, shkruan se në korrik të këtij viti, numri i migrantëve të cilët kaluan kufirin e BE-së, arriti në 107, 500 veta, duke trefishuar kështu numrin e regjistruar në korrik të një viti paraprak, sipas të dhënave të agjencisë evropiane të kufirit, Frontex.

Kriza më së shumti po ndjehet në Hungari, vend ky i cili këtë vit ka pranuar 120,000 kërkesa për azil.

Lokacioni i Hungarisë, shkruan gazeta, e bën këtë vend hyrjen më të arsyeshme në bllokun evropian për shumë migrantë nga Lindja e Mesme, të cilët shfrytëzojnë Detin Egje, depërtojnë në Turqi, Greqi dhe përmes Ballkanit, synojnë Evropën Veriore.

WSJ citon një pensioniste hungareze, Veronika Toth, e cila jeton në fshatin kufitar me Serbinë, Asotthalom, se ka frikë nga migrantët.

“Ata vijnë në grupe prej 20 vetash dhe flenë e pushojnë në kopshtet tona”, thotë zonja Toth.

Gazeta rikujton se të martën, autoritetet hungareze kanë thënë se do të zbarkojnë mijëra pjesëtarë policie patrullimi në kufirin me Serbinë dhedo të miratojnë një legjislacion, në bazë të të cilit hyrja e paligjshme nga kufiri sanksionohet me 4 vjetë heqje lirie.

Në këtë kuadër, revista politike Foreign Policy, ka veçuar qëndrimin e Sllovakisë, zyrtarë të së cilës kanë vënë kushte për strehimin e migrantëve.

Jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të gatshme të strehojnë migrantë, veçanërisht nëse ata janë myslimanë.

Ivan Metik, nga Ministria e Brendshme Sllovake, citohet nga revista të ketë thënë se Sllovakia planifikon të strehojë 200 refugjatë sirianë, po r të krishterë.

“Ne do të mund të strehonim 800 myslimanë, por nuk kemi xhami në Sllovaki, si do të integrohen ata këtu nëse nuk u pëlqen?”, ka thënë Metik për rrjetin britanik televiziv BBC.

T’i kundërshtosh në këtë mënyrë myslimanët, shkruan FP, në kontekstin e kësaj krize të migrimit, nuk është vetëm diskriminuese, por është edhe shumë e dëmshme, marrë parasyshë që numri më i madh i migrantëve vjen nga Siria, një vend me shumicë të jashtëzkaonshme myslimane.

E përditshmja britanike Financial Times, shkruan se është Gjermania vendi nga i cili edhe kanë dalë thirrjet për marrje më të balancuar të përgjegjësisë ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian.

Berlini ka bërë të ditur se pret që numri i azilkërkuesve këtë vit të arrijë në 800,000, numër ky i cili tejkalon numrin e azilkërkuesve në gjithë BE-në gjatë vitit 2014.

Autoritetet gjermane kanë tërhequr vërejtjen se qarkullimi pa pasaporta në zonën Schengen të Bashkimit Evropian do të mund të vihej në rrezik, nëse paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet vendeve anëtare të bllokut evropian për shpërndarje të azilkërkuesve.

FT rikujton se vendet e Bashkimit Evropian në të cilat depërtojnë migrantët fillimisht, Greqia, italia dhe Hungaria, nuk janë duke e zbatuar atë që quhet “Marrëveshje e Dublinit”, sipas së cilës refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të bllokut.

Në këtë mënyrë, u lihet në dorë vetë refugjatëve të zgjedhin vendin e strehimit. (rel)

Kosova pret anëtarësim në UNESCO, por jo edhe në INTERPOL

kosova hartaAnëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë – UNESCO mund të bëhet një realitet deri në fund të nëntorit të këtij viti.

Përderisa, ka fare pak gjasa të realizohet pretendimi për anëtarësim në INTERPOL.

Përfshirja apo anëtarësimi i Kosovës në mekanizma e organizata ndërkombëtare, po sfidohet në vazhdimësi nga Serbia, si edhe aleatët e saj, në rend të parë Rusia.

Megjithatë, kur është në pyetje anëtarësimi në UNESCO, pavarësisht se bëhet fjalë për një Organizatë të Kombeve të Bashkuara ku Kosova nuk është anëtare, pritjet e Prishtinës janë që gjithçka të përmbyllet gjatë vjeshtës së këtij viti.

Ardian Arifaj, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në UNESCO është bërë me mbështetjen e fuqishme të vendeve mike, por edhe të shteteve tjera që e mbështesin këtë anëtarësim.

“Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në UNESCO pa u siguruar se e ka mbështetjen e gjerë të të gjithë anëtarëve dhe pa u siguruar se e ka disponimin, gatishmërinë, vullnetin politik, por edhe votat në fund, që të pranohet gjatë vjeshtës si anëtare e UNESCO-s”, ka thënë Arifaj.

Sipas procedurave, anëtarësimi në UNESCO nuk mund të pengohet me anë të përdorimit të vetos, kështu që besohet se Serbia nuk do të ketë shumë mundësi të pengojë këtë anëtarësim.

Por, ajo që mund të bëjë Serbia, është lobimi në mënyrë që të pengojë Kosovën t’i merr votat e mjaftueshme për anëtarësim.

Ardian Arifaj, thotë tutje se janë dy momente me rëndësi në këtë proces. Njëra në tetor kur do të mblidhet Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, ku shumica duhet të votojnë ‘pro” Kosovës, dhe momenti i dytë, gjatë muajit nëntor kur do të votohet në Konferencën e Përgjithshme që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.

“Në votimet për pranim në UNESCO askush nuk e ka të drejtën e vetos, siç është rasti me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, prandaj nuk mundet asnjë votë ta pengoj anëtarësimin e një shteti në UNESCO. Është e rëndësishme këtu që e kemi edhe përkrahjen e fuqishme të vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, ka theksuar Arifaj.

Përderisa anëtarësimi në UNESCO po pritet në Prishtinë të përmbyllet me suksesoi, gjasat për anëtarësim në INTERPOL duken më të vogla.

Ish-deputeti Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht domosdoshmërisë që Kosova të jetë anëtare e këtij mekanizmi ndërkombëtar të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërpolicor, megjithatë nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për anëtarësim.

“Aspekti i parë i mos-përgatitjes ka qenë mungesa e koordinimit me partnerët ndërkombëtare, me vendet perëndimore, të cilat do ta kryenin lobimin kryesor për Kosovën sa i përket anëtarësimit në INTERPOL”.

“Kurse e meta e dytë ka qenë fakti se anëtarësimi në INTERPOL nuk ishte çështje e prioritetit të qeverisë, pasi që qeveria ka pasur dhe ka prioritete tjera për anëtarësim në organizata ndërkombëtare gjatë këtij viti dhe nuk e ka pasur INTEROPOL-in”, ka thënë Ramadani

Ndërsa nuk sheh ndonjë gjasë që Kosova të pranohet tash për tash në INTERPOL, Ramadani i sugjeron ministrit të Brendshëm dhe Qeverisë së Kosovës që para se të aplikojnë për anëtarësim, të nisin një lobim fillimisht për sigurimin e mbështetjes nga vendet mike.

“Aplikimi i për sivjet besoj se është i barabartë me zero, por e them aplikimi i ardhshëm duhet të jetë i koordinuar me muaj të tërë përpara, në mënyrë që shtetet mike perëndimore ta kryejnë pjesën më të madhe të lobimit dhe të njëjtën kohë edhe Qeveria e Kosovës ta ketë si prioritet anëtarësimin në INTERPOL”, ka deklaruar Ramadani.

Anëtarësimi i Kosovës në organizata, konferenca apo nisma rajonale e më gjerë, në vazhdimësi sfidohet nga Serbia.

Në procesin e bisedimeve që Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, një prej të arriturave që pretendohet është normalizimi i marrëdhënieve dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje që i obligon të dyja shtetet që të mos e pengojnë anëtarësimin e njëra tjetrës në organizata ndërkombëtare.

Deri te nënshkrimi i kësaj marrëveshje, pritjet janë që Serbia të vazhdojë me lobimin publik kundër çdo nisme që Kosova merr për përfshirjen e saj në organizata, konferenca, nisma apo mekanizma ndërkombëtar. (rel)

Bletarët amatorë

BletaBletët janë duke u zhdukur, dhe askush nuk e di saktësisht se pse. Entomologët dhe shkencëtarët në mbarë botën po përpiqen për të gjetur përgjigje për këtë çrregullim të madh. Por në një park konservimi në Fort Wayne, Indiana, bletarët amatorë janë duke bërë ç’është e mundur për të ruajtur gumëzhimën e bletëve.

Bletët janë përgjegjëse për një në çdo 3 kafshata të ushqimit që hamë. Pra, nuk është çudi që Megan Ryan dëshiron të bëjë gjithçka që që mundet për bletët. Më parë këtë vit, ajo filloi një bletore në Klubin e Konservimit.

“Kosheret tona janë plot me ato që quhen bletë italiane.”

Bletët italiane janë ndër më të popullarizuarat për shkak se janë të buta dhe riprodhojnë më shpejt se llojet e tjera të bletëve zbutura. Në vetëm katër muaj, parku i klubit është rritur nga 10.000 në 70.000 bletë për koshere.

Bletari Alex Cornwell thotë se ky është lajm i mirë, për shkak se gjatë dekadës së fundit kolonitë  amerikane dhe evropiane të bletëve kanë humbur më shumë se një të katërtën e popullsisë së tyre.

“Nuk dihet se çfarë e ka shkatuar këtë konkretisht, por mund të jetë një kombinim që nga pesticideve, marimangat deri tek patogjenet.”

Ndërsa kërkimi për shkakun e pakësimit të bletëve vazhdon, në parkun e Klubit të Konservimit në Fort Wane bletët janë shtuar. Parku gjithashtu përmban informacion. Sa herë që ata e vizitojnë, Ryan dhe Cornwell dokumentojnë çdo gjë nga temperamenti i bletëve, gjendja e koshere, dhe mënyrën se si bletët mbretëresha lëshojnë vezët e tyre.

“Ne e ndajmë këtë informacion me Departamentin e Burimeve Natyrore, me bletarë të tjerë, me çdo organizatë që merret me ruajtjen apo rritjen e bletëve.”

Duke ndarë njohuritë dhe pasionin e tyre, këta bletarë kanë filluar një program mësimi me shpresë për të inkurajuar më shumë njerëz për t’u marrë me bletari.

“Nuk ka nevoje të jeni shkencëtar për t’i mësuar dhe ndihmuar njerëzit në lidhje me bletët. Çdokush mund ta bëjë këtë.”

Deri tani rreth 100 njerëz kanë shprehur interesim. Ryan dhe Cornwell gjithashtu kanë në plan të fillojnë një program për t’i mësuar punëtorët migrantë mbi bletarinë, në mënyrë që ata të mund ta marrin këtë aftësi me vete, kudo që të shkojnë. (voa)

Reagimi i trurit ndaj dhimbjes

truri reagimiDhimbja mund të përfaqësojë, ose jo, një gjendje mendore, por sipas shkencëtarëve ajo është qartësisht e pranishme në tru. Ata mendojnë se dinë saktësisht se cila pjesë e trurit është përgjegjëse për dhimbjen, duke shpresuar të zgjidhin kështu një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen mjekësia.

Mund të ngjasojë si terapi qetësuese, por nuk është aspak e tillë. Ky krem që po vendoset në këmbën e studentit Min Ho përmban kapsaicinë, e njëjta lëndë që shton djegësirën e specave djegës. Ky eksperiment që po zhvillohet në Universitetin e Oksfordit, u ka treguar shkencëtarëve jo vetëm mënyrën se si e përjetojmë dhimbjen, por edhe se ku e ndjejmë atë. Studenti i mjekësisë Lee merr pjesë vullnetarisht në këtë studim, i cili synon të lehtësojë jetën e pacientëve që ndjejnë dhimbje të forta.

Ilaçet dhe terapitë që përdoren për të ulur dhimbjen, japin vetëm efekte lehtësuese të përkohshme, dhe mund të kenë madje efekte anësore të rrezikshme.

“Dhimbja më e madhe që kam përjetuar ka qenë në moshën 14-vjeçare. Kjo lënda kapsaicinë, nuk e di se çfarë efekti ka. Më thanë që është përbërësi kryesor i specave djegës. Të shohim si do të shkojë.”

Kur përjeton dhimbje, është një proçes kompleks, të cilin është e vështirë ta zbërthesh. Dhimbja është rezultat i një numër perceptimesh. Një traumë e kaluar në fëmijëri, ose dhe diçka e sapondodhur ditët e fundit, mund të ngjallë ankth, madje edhe marrje mendsh që i shtohen përjetimit të ri. Megjithëse është ditur prej kohësh se sinjalet e dhimbjes i dërgohen trurit, ai mbetet një organ shumë i komplikuar. Ekipi po kryen këtë eksperiment për të përcaktuar saktësisht qendrën e dhimbjes në tru. Metoda që ata përdorin shtrihet në disa orë mbledhjeje informacioni nga çdo reagim.

Brenda skanerit MRI, pacienti lidhet me sensorë në mënyrë që neurologu Andy Segerdahl dhe ekipi i tij të munden të regjistrojnë gjithçka ndodh.

“Të gjitha neuronet e asaj pjese të trurit sinjalizojnë vazhdimisht për sa kohë që vazhdon dhimbja, duke kërkuar dhe furnizim të ri me gjak dhe oksigjen të asaj pjese të trurit. Duke gjurmuar këtë imazheri, vetë ky sinjal metabolizmi është burimi ynë kryesor.”

Ekipi ka përmbyllur tashmë një eksperiment fillestar që përmbledh aktivitetin në tru të 17 vullnetarëve. Gjatë eksperimentit shtohet edhe më shumë intensiteti i dhimbjes.

“Vatra të caktuara të trurit janë përgjegjëse për aktivitetin e shtuar të neuroneve. Kur personi vuan dhimbje të madhe, vatra në fjalë e trurit është në flakë.”

Gjetjet e eksperimentit jo vetëm do të ndihmojnë mjekët në përcaktimin e ilaçeve të duhura, por do të përmirësojnë dhe trajtimin p.sh. të foshnjave, apo pacientëve në koma, të cilët nuk mund të rrëfejnë për dhimbjen që ndjejnë.

Hapi i ardhshëm i këtij eksperimenti do të jetë “fikja” e ndjesisë së vatrës në fjalë të trurit që përjeton dhimbjen. Deri atëherë, vullnetarët si Lee, shpresojnë se janë duke kontribuar për mjekimin e pacientëve. (voa)

SHBA, Miratohet viagra për femra

viagra femraAgjencia amerikane për Kontrollin Ushqimor dhe të Ilaçeve ka miratuar një ilaç që rrit dëshirën seksuale tek gratë që po konsiderohet “Viagra për femra”.

Ilaçi që do të dalë në treg me emrin Addyi, është i pari që miratohet për të trajtuar dëshirën e pamjaftueshme ose mungesën e saj për marrëdhënie seksuale tek burrat ose gratë.

Miratimi i ilaçit vjen me një sërë shpjegimesh që pasqyrojnë shqetësimet e agjencisë për efekte anësore serioze, përfshirë pështjellim stomaku, letargji dhe marrje mendsh. (voa)