Katica Janeva zgjedh 14 prokurorë, 4 shqiptarë

Katica-JanevaProkurorja Speciale Katica Janeva publikoi listën e bashkëpunëtorëve të saj që do të angazhohen në Prokurorinë Speciale.

Janeva ka zgjedhur 14 prokurorë, numër i domosdoshëm sipas saj për procedimin efikas të rasteve në kompetencë të Prokurorisë Speciale. Prej 14 prokurorëve të zgjedhur, 4 janë shqiptarë. Artan Ajro, Burim Rustemi, Lejla Kadriu dhe, Fatime Fetai. Prokurorë tjerë janë Gavril Bubevski, Darko Jakimovski, Elizabeta Josifova, , Lençe Ristoska, Lile Stefanova, Lubomir Lale, Marija Gorgeva, Snezhana Bundalevska, Stevço Donev, Trajçe Pelivanov dhe do ta përbëjnë ekipin e prokurores Janeva.

“Dua të theksoj se numri i prokurorëve të propozuar është i domosdoshëm për kryerjen e suksesshme të Prokurorisë Publike Speciale, për këtë shkak pres që Këshilli i Prokurorëve Publikë, duke pasur parasysh afatet e shkurtra për formimin e ekipit në Prokurorinë Speciale, do ta konfirmojë besimin tek kolegët, duke zgjedhur ata si prokurorë publikë në Prokurorinë Speciale”, deklaroi Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Shumica e prokurorëve të zgjedhur vijnë nga prokuroritë themelore kryesisht të Shkupit, por edhe nga Tetova, Gostivari, Kumanova, Koçani e Kriva Pallanka.

Vetëm Lile Stefanova vjen nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht është emri më i njohur për opinionin, për shkak të rasteve në të cilat është angazhuar. Ajo ka përfaqësuar prokurorinë në proceset gjyqësore ‘Spiunazhi’, ‘Likuidimi’, ‘Fallanga 2’, ‘Mashinoprimet’, ‘Vjedhja në muze’, ndërsa është angazhuar edhe si ndihmës prokuror në rastin ‘Puçi’. Aktualisht punon me dosjen ‘Maxhar Telekom’, në procedurë para hetimore.

Burim Rrustemi ka përfaqësuar prokurorinë në dënimin me kusht të 60 vjeçares Feride Bilalli nga Hotla, shtëpia e së cilës ishte bastisur gjatë aksionit policor ‘Monstra’.

Trajçe Pelivanov ka qenë prokuror në rastin kundër mjekut Dejan Stavriq, i cili u arrestua për korrupsion vetëm disa muaj pas organizimit të grevës së mjekëve në vitin 2013.

Darko Jakimovski nga ana tjetër ishte i angazhuar në rastin kundër 20 vjeçarit Naser Eshtrefi nga Gërçeci, i gjykuar për vrasjen e Angell Petkovskit nga Gjorçe Petrovi.

Prokurorët e tjerë janë relativisht të panjohur për opinionin. Prokurorët duhet të votohen nga Këshilli i Prokurorëve me shumicën e Badinterit, më së voni më 20 tetor. Pas formimit të ekipit, Prokuroria Speciale e udhëhequr nga Katica Janeva do t’i marrë në shqyrtim lëndët e para nga Prokuroria Publike.

Benjamin Arifi

Kurti: Mustafa e bëri dordolec ‘fjollën’ e Edita Tahirit

 

intervista-albin-kurtiDo të rrezikojnë të nxirren jashtë nga Kuvendi i Kosovës edhe me Polici, nëse një gjë të tillë e kërkon kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, por, “Zajednicën” do ta kundërshtojnë me të gjitha forcat.

Do të mbajnë aktivitete të tilla si ajo e hedhjes me vezë në seancën e 22 shtatorit, do të protestojnë e demonstrojnë, e çka tjetër nuk do të bëjnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me ata të AAK-së dhe Nismës, vetëm për ta kundërshtuar “Zajednicën” dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Gatishmërinë e VV-së dhe dy partive tjera opozitare AAK-së dhe Nismës po e tregon ish – lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, politikani që deri tani nuk i shmanget idesë që në Kosovë nuk ka institucione që mund të thirren si të tilla dhe se Republikën e Kosovës më shumë vazhdojnë ta karakterizojnë mungesat sesa pranitë e aspekteve pozitive e progresive, rastet e fundit po e shtyjnë që të kundërshtojnë edhe më fuqishëm tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet e Brukselit.

Mosfunksionimin e institucioneve Kurti e mbështet edhe tek raporti i “Transparency International” që sipas tij nxjerr Kosovën si shtet gjysmë autoritar. Ndërsa me kapjen që i është bërë shtetit nga dyshja Mustafa-Thaçi dhe mos transparencës nga këta të dy, po e shtyjnë Kurtin bashkë me kolegët e tij që të marrin veprime si ato të 22 shtatorit në seancën e Kuvendit.

Një mos transparencë e tillë nga Mustafa është vetëm trashëgimi e paraardhësit të tij Hashim Thaçit, i cili sipas Kurtit ia dorëzoi stafetën Mustafës për t’i bërë punët në shpejtësi. Të shpejtuar po e quan edhe nënshkrimin e fundit për krijimin e “Zajednicës”.

Kjo nguti e Mustafës, sipas Kurtit, e la Kosovën edhe pa formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në anën tjetër thotë se Kosovës nuk i duhen Forcat e Armatosura të Kosovës, kur veç se është nënshkruar marrëveshja për krijimin e “Zajednicës”.

Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka thënë se shumë shpejt do ta dërgojë në Kuvend edhe ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës, në kohën kur Kurti dhe bashkëpartiakët e tij po synojnë ta bllokojnë funksionimin e Kuvendit.

Edhe pse këtë ligj Vetëvendosja e ka pritur që moti, në ditët e ardhshme nuk do ta ketë parasysh një gjë të tillë.

Kurti, thotë për KosovaPress, se janë të vendosur që ta bllokojnë Kuvendin pa marrë parasysh se aty do të mund të vijë ligji për krijimin e FAK-ut.

Ai nuk tregon për formën e veprimeve të ardhshme që do të ndërmarrë bashkë me kolegët e tij të opozitës për ta bllokuar Kuvendin. Megjithatë, tregon se është i vendosur për bllokim edhe nëse kryetari i Kuvendit do t’i përdorë kompetencat e tij.

Kryetari mund të kërkojë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve policorë.

Albin Kurti me këtë rast ka një porosi për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

“Le ta bëjë ai një gjë të tillë dhe do t’i sheh edhe veprimet tona”, thotë Kurti për KosovaPress.

Kurti me grupin opozitar kanë nisur nënshkrimin e një peticioni për këtë punë. Atë e kanë nënshkruar më shumë se 100 mijë qytetarë. Dyshimet bien se sa do të jenë të gatshëm që një numër i tillë t’iu bashkohet opozitës edhe në veprimet e tyre të ardhshme.

Protestat dhe demonstratat janë forma tjetër pos peticionit që do të përdor opozita. Për ta, sipas Kurtit, është e rëndësishme që të përdorin gjithçka legjitime vetëm që të ndalin “Zajednicën”.

“Zajednica” është kuptimi i fusnotës thotë tutje Kurti, ‘ ajo fjollë e borës që u krijua nga Edita Tahiri tashmë është bërë dordolec’.

Pos anulimit të “Zajednicës”, për Kurtin dhe VV-në nuk janë të rëndësishme as rezultatet zgjedhore.

Madje, siç thotë ai, Kosova do të duket edhe më e dinjitetshme para syve të Bashkimit Evropian. /KosovaPress/

 

Rama për CEZ-in nga Amerika: Nuk mbështes hetimin ndërkombëtar

ramaKreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, shprehet për herë të parë lidhur me çështjen e CEZ-it nga Amerika, ku ndodhet prej katër ditësh për samitin kundër terrorizmit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Rama deklaroi se nuk mbështet idenë e hetimit ndërkombëtar për këtë çështje, në kohën që vendi jonë pret të hapen negociatat me BE-në.

“Shqipëria është një vend kandidat për në BE, po tregohet për të hapur negociatat, ka një legjislacion të vetin që ka hapësirë për të bërë hetim për këdo. Nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetim për marrëveshjen për të zgjidhur me marrëveshje problemin e trashëguar. Shqipëria nuk ka asnjë shpikje “alla shqiptarçe” për të bërë, në një kohë kur kërkon të bëhet pjesë e BE-së”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh më tej se, marrëveshja me CEZ-in ishte e domosdoshme, por nga ana tjetër thekoi se, “gjithkush ka të drejtë të kërkojë transparencë të plotë për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me CEZ”. Kryeministri theksoi se marrëveshja me CEZ është një çështje e mbyllur me sukses, duke deklaruar se “çoroditja” ka ardhur nga opozita dhe nga media.

“Marrëveshja e qeverisë shqiptare ka qenë domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat nga ku ishte kapur nga keq administrimi dhe nga ndërhyrjet e qeverisë së mëparshme në çështje e kompanisë. Për të gjithë të tjerët i ftojnë të gjithë t’i referohen legjislacionit shqiptar dhe t’u drejtohen institucioneve përkatëse. Për mua, për qeverinë shqiptare, kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses të plotë, gjithë të tjera janë pjesë e një çoroditjeje të madhe nga opozita dhe media. Sepse medias i takon të bëjë hetimet e veta, leximet dhe konkluzionet e veta për interesin e publikut. Dhe nuk i takon të bëjë këtë ping-pong të shëmtuar nga ku publiku del më i çoroditur”, deklaroi Rama.

I pyetur lidhur me marrëdhëniet me kryeparlamentarin Meta, Rama deklaroi: “Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë dhe unë jam në detyrë”.

Intervista e Ramës për VOA-n

Nuk kemi dëgjuar shumë nga ju dhe çfarë bëri qeveria juaj?

Më vjen keq ta ulim me kaq shpejtësi nivelin e bisedës pasi në Nju Jork kemi pasur së bashku me Selinë e Shenjtë një jehonë dhe një mbështetje shumë të madhe. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria sot ka një pozicion të konsoliduar dhe shumë të respektuar. Nuk është thjesht çështje imazhi por e politikës së jashtme që do të na kthehet në përfitim ekonomik pasi do të rritet besueshmëria e vendit dhe flukset e investimeve të huaja.

Ju e thatë vetë është një përfolje shumë e madhe dhe s’më mbetet tjetër veçse të përmend atë shprehjen këtu s’dinë se ç’bëjnë. Nuk ka një çështje të CEZ. Është e trajtuar në bazë të traktateve ndërkombëtare dhe ka qenë një domosdoshmëri për të ç’lijuar kompaninë me një miliardë borxhe të akumuluara edhe për shkak të qeverisjes së mëparshme. Për të gjitha të tjerat ftoj ata që kanë akuza, t’i drejtohen institucioneve shqiptare dhe të gjejnë atë që duan të gjejnë, apo që pretendojnë. Për mua dhe për qeverinë shqiptare kjo është një çështje e mbyllur.

Medias i takon të bëj leximet dhe hetimet e veta për interesin e publikut dhe jo vetëm këtë ping­pong të shëmtuar.

Çfarë mund të thoni ju për studion ligjore e cila ka lidhje me qeverinë tuaj?

Edhe një herë po ju them që edhe ju ushqeni këtë lloj mjegulle pa kuptim sepse studio ligjore e tërhequr në këtë debat absurd nga media të caktuara ka dhënë një prononcim të qartë dhe s’ka asnjë referencë për kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë.

Përse nuk ia dorëzuat prokurorisë informacionin?

Cilin informacion? Kjo është një pjesë e punës së bërë nga studio ligjore për zgjidhjen e çështjes së CEZ dhe s’ka lidhje me qeverinë shqiptare.

Studio ligjore thotë se ka ndjekur gjurmën e parave?

Unë nuk këmbëngul në asgjë që lidhet me këtë çështje. Prokuroria ka një hetim dhe është prokuroria që do të flasë. Qeveria dhe unë s’kemi asnjë lidhje me këtë diskutim absurd që është kthyer në një spekulim kolosal në dëm të informacionit të drejtpërdrejtë të publikut. Çfarë disponon prokuroria i takon asaj ta çojë deri në fund.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me zotin Meta?

Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni funksionon plotësisht. Qeveria është në detyre dhe unë jam në detyre dhe me keqardhje po them që erdha në studion tuaj për të përfituar dhe për t’i përcjellë opinionit publik….

Pyetjet tona janë legjitime…

Unë besoj se shqiptarët kanë dhe meritojnë më shumë për arsyen pse unë jam këtu dhe çfarë do të bëjmë më tepër në këtë sesion të Kombeve të Bashkuara. Po konsumojnë kohën e njëri-tjetrit për një problem që është i stisur.

/Shekulli Online/

Maqedoni, Prokurorja Speciale plotëson ekipin e saj prej 14 prokurorësh

Katica-JanevaProkurorja Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, të mërkurën ka prezantuar listën e 14 prokurorëve të përzgjedhur me të cilët ajo do duhet të zgjidhë rastet që dalin nga bisedat e përgjuara telefonike, të cilat incizime i posedon, dhe një pjesë të tyre i ka bërë publike, partia opozitare maqedonase LSDM. Në ekipin e Janevës bëjnë pjesë edhe katër prokurë publikë shqiptarë.

Pjesa më e madhe e prokurorëve të përzgjedhur nga Janeva janë të panjohur për opinionin publik dhe nuk kanë punuar në raste të mëdha.

Ndër të përzgjedhurit e Janevës është edhe prokurorja Lile Stefanova, si e vetmja që vjen nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe e cila, para disa ditëve, ka hapur procedurën parahetuese për rastin “Maxhar Telekom”.

Afera lidhur me “Maxhar Telekomin” ka pasur jehonë të madhe në Maqedoni, ngaqë në të përfshihen edhe ish-kryeministri i vendit, Vllado Buçkovski si dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i afërt Musa Xhaferi, e të cilët, një nga dëshmitarët, i akuzon se kanë marrë ryshfet secili nga 2,5 milionë euro.

/ Top Channel

Zhbllokimi i Kuvendit – mes zbatimit të ligjit dhe zgjedhjeve

KuvendiInsistimi i opozitës që kryeministri Isa Mustafa të tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit si kusht për zhbllokimin e punës së Kuvendit, e ka vënë Kosovën në një krizë serioze, thonë analistët politik.

Sipas tyre, nëse pushteti lëshon pe ndaj këtyre kërkesave, atëherë do të krijohej edhe një precedent për të ardhmen.

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka përmendur disa mundësi ligjore që parashihen për zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Një prej mundësive, parashihet me anë të rregullores së punës së Kuvendit, sipas të cilës, kryetari i Kuvendit duhet të përkujdeset për zbatimin e saj.

Kurse masë tjetër është ajo e ndërhyrjes së presidentes.

“Në rast të parregullsive serioze, është kryetari i Kuvendit ai që është përgjegjës për mbarëvajtjen e punimeve dhe rregullin e seancës, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë së Kuvendit për ta zhbllokuar punën në mënyrë që seanca të vazhdoj normalisht punimet. Si masë e dytë është ajo e ndërhyrjes së presidentes, e cila ka obligim të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve”, ka thënë Krasniqi.

Tek ndërhyrja e presidentes si një mundësi për zhbllokim të Kuvendit, Albert Krasniqi nuk beson se mund të realizohet.

Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje politike, atëherë këtë mund do të mund ta bënte vetëm bashkësia ndërkombëtare, thotë ai.

Ndërkaq, njëri nga gazetaret që ka përcjellë për një kohë të gjatë punimet e Kuvendit të Kosovës, tani kryeredaktor në Tribuna Channel, Agron Halitajthotë se në sistemet parlamentare, opozita mund ta bllokoj punën e Kuvendit vetëm në rastet kur koalicioni qeverisës e humb fuqinë numerike në organin përfaqësues.

Por, në Kuvendin e Kosovës, vijon Halitaj, pozita nuk e ka humbur shumicën, përderisa opozita është dukshëm më e vogël.

Në këto rrethana, më së shumti do të sfidohet kreu i Kuvendit, ka thënë Halitaj, pasi ai është i obliguar të kujdeset për rend e rregull në mbledhje.

“Kryetari Kadri Veseli i ka vetëm dy zgjidhje dhe cilëndo ta zgjedh nuk është e favorshme, nëse i kërkon sigurimit që t’i largojë deputetët nga foltorja atëherë gjasat për të shpërthyer tensionet si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit janë më së evidente. Por, nëse vendos ta respektoj vullnetin e opozitës, atëherë do ta bllokoj Qeverinë në përmbushjen e obligimeve si ndaj qytetarëve ashtu edhe në raport me ndërkombëtarët”, ka thënë Halitaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Halitaj nuk pret që presidentja të arrijë të vendos dialogun ndërmjet pozitës dhe opozitës për të garantuar funksionimin e institucioneve siç parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Një rol të tillë të ndërmjetësimi politik, ai më shumë e sheh tek faktori ndërkombëtar.

“Zgjidhja nuk besoj se mund të jetë në zyrën e Presidentes, por në zyrat e përfaqësive diplomatike. Ata tashmë kanë dasmuar se mund t’i thyejnë blloqet, pavarësisht kauzave që mund të kenë”, ka deklaruar Halitaj.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi thotë se ka edhe një mundësi tjetër në bazë të cilës, qeveria do të mund ta ri-legjitimonte fuqinë e vet duke kërkuar mocion të votëbesimit në Kuvend.

“Një mocion i votëbesimit do të shërbente si një konfirmim për qeverinë nëse e ka mbështetjen e Kuvendit për këto marrëveshje. Mirëpo në krejt këto rrethana që janë krijuar dhe nëse asnjë prej këtyre masave nuk prodhon efekt, atëherë edhe zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion që duhet përjashtuar”, ka theksuar Krasniqi.

Mes opsionit të rritjes së tensioneve dhe zgjedhjeve, analistët thonë se mund të përdoret edhe shembulli i Greqisë ku kryeministri grek ishte detyruar të qoj vendin në zgjedhje duke dhënë dorëheqje pas marrëveshjes me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, tërhiqet vërejtja se as zgjedhjet nuk do të mund të ishin garantuese të zhbllokimit të institucioneve, nëse edhe pas tyre pozita dhe opozita do të mbeteshin njësoj siç janë tani. (rel)

Kusari-Lila: Puna ime si kryetare, pengon dikë

KusariKryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se është e bindur që vetëm puna e saj si kryetare i ka penguar dikujt ose ka qenë shkak të iniciojë planet për ekzekutimin e saj.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kusari-Lila, për rreth dy muaj keni mbrojtje të afërt nga Policia Speciale e Kosovës. Pse?

Mimoza Kusari-Lila: Mbrojtja e afërt është përcaktuar për sigurinë time nga drejtoria e Policisë së Kosovës për arsye të kërcënimit, që është vlerësuar që ka ardhur si rrjedhojë e një informacioni që Policia e Shqipërisë ia ka përcjellë Policisë së Kosovës për urdhër ose për porosi të vrasjes së kryetares së Komunës së Gjakovës, gjegjësisht të ekzekutimit.

Informacionet kanë qenë shqetësuese, natyrisht për policinë dhe janë marrë masat e duhura. Kjo çështje është e hapur, ka më shumë se dy muaj. Do të thotë, që nga fundi i korrikut të këtij viti kur ka ardhur informacioni, por nuk kam ndonjë informatë lidhur me procesin e hetimeve.

Ajo çka dihet është se personat që kanë angazhuar persona nga Republika e Shqipërisë, në fakt ndërmjetësit, janë nga Komuna e Gjakovës. Ngjarja apo biseda për porosinë, vrasjen ose ekzekutimin ka ndodhur në Gjakovë, përderisa nuk dihet se kush janë ata ideatorë të këtij akti tepër të rëndë dhe të pakuptimtë në këtë situatë të cilën gjendemi ne ose shteti, ose edhe vetë rrjedhoja e ngjarjeve të cilat lidhin udhëheqësinë komunale të Gjakovës.

Radio Evropa e Lirë: A keni ndonjë informacion se ku ka arritur ky proces? Çfarë janë duke bërë autoritetet e rendit, Prokuroria Speciale e Kosovës që ka marrë përsipër këtë rast?

Mimoza Kusari-Lila: Nuk kam informata. Unë kam pasur seancën dëgjimore me prokurorin special në muajin gusht. Prej asaj kohe nuk kam pasur asnjë informacion tjetër shtesë. Më kanë kërkuar të dhëna, informacione, natyrisht përshkrimin e rastit, dyshimet e mia dhe të tjera. Por që nga ai moment nuk kam pasur as kontakt më prokurorin special apo me hetues për diçka të re në raport më rastin.

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, a është heshtur ky rast?

Mimoza Kusari-Lila: Unë shpresoj të mos jetë heshtur, sepse po e vërejmë tani nga opinioni publik reagimin e përgjithshëm mbi shëmtinë e këtij rasti. Gjegjësisht, mbi atë se sa e ulët dhe e rëndë është vetëm të mendohet, se jo më të planifikohet një vepër e tillë. Por që besoj sinqerisht që edhe hetuesia, dhe Prokuroria Speciale, do t’i japin fund hetimit, natyrisht me rezultate konkrete.

Konsideroj se ky është një aksion [hetime] që duhet të përfshihen të dy shtetet, gjegjësisht Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Pasi kemi të bëjmë me iniciatorë nga Kosova dhe ekzekutues nga Shqipëria. Besoj se në të dy vendet duhet të ekzistojnë pistat e hetimeve dhe të izolimit të autorëve.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Kusari-Lila, thuhet se ju i njihni ndërmjetësuesit që kanë porositur personat nga Shqipëria për ekzekutimin tuaj fizik. A e dini se kush janë ata? A i keni takuar ndonjëherë? A bëhet fjalë për ndonjë konflikt?

Mimoza Kusari-Lila: Unë jam afërsisht e informuar mbi personalitetin e ndërmjetësuesve apo ndërmjetësve, por që asnjë lidhje ose informatë tjetër nuk kam ose nuk mund ta mendoj për këtë rast. Do të thotë, asnjë formë e veprimtarisë time, përveç punës që ushtroj si kryetare e komunës; nuk besoj që mund të ketë shkas tjetër.

Do të thotë, unë jam thellësisht e bindur që vetëm puna ime si kryetare i ka penguar dikujt ose ka qenë shkaku i kujtdo që i ka shkuar ndërmend, si autor ose ideator i këtij rasti, të iniciojë një akt të tillë. Por, në asnjë formë tjetër nuk kam paraparë rrugë të tjera që hetimet mund të çojnë ose do të mund të çonin në pozita tjera të mia.

Kjo me të vërtetë është shqetësuese për shumë arsye. Arsyeja e parë është që të gjinden forma, të paguhen vrasës për të vrarë të vetmen kryetare femër në Kosovë. Së dyti, që dikush mendon që me eliminim fizik mund të arrijë qëllimet e veta, çfarëdo qofshin ato. Dhe së treti, ku në asnjë formë personale nuk kam targetuar ndonjë rast, përveç në aspektin parimor.

Do të thotë në Kosovë, sot, 16 vjet pas luftës, ende dikush mendon që për parime dhe për ushtrim të mirëfilltë të detyrës, mund ta sanksionojë me vdekje një udhëheqës të zgjedhur nga populli.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni që kjo ka të bëjë me politikën?

Mimoza Kusari – Lila: S’e kisha thënë domosdoshmërisht. Tash, mbetet fjala e fundit të jepet nga hetuesia dhe prokuroria. Unë mendoj që ka të bëjë me pozitën të cilën unë e ushtroj.

Radio Evropa e Lirë: Thuhet gjithashtu se këta persona, që ju thoni se janë të paguar, kanë hyrë në Kosovë disa herë dhe nuk janë identifikuar në kalimet kufitare. Ju dini diçka për këtë?

Mimoza Kusari – Lila: Unë mund të flas vetëm nga ajo se çfarë kam pasur me bisedat me prokurorin special dhe me hetuesit. Është e vërtetë që hyrje-daljet në Kosovë nga Republika e Shqipërisë mund të bëhen edhe pa u evidentuar. Komuna e Gjakovës në vete ka një kufi prej 54 kilometrash me Republikën e Shqipërisë, çfarë ka bërë që këta njerëz, gjegjësisht personat në fjalë, mund të hyjnë ose edhe kanë hyrë pa u evidentuar nga policia.

Ka ardhur në vëmendjen time që njëri nga dy të porositurit ka qenë në Gjakovë edhe pas denoncimit të rastit, gjegjësisht edhe pas zbulimit të rastit është kthyer prapë dhe është vërejtur në qytet, por nuk ka qenë i evidentuar në policinë kufitare.

Do të thotë kjo është një prej informatave shqetësuese, natyrisht për secilin individ, jeta e të cilit mund të kërcënohet. Por besoj që një mobilizim edhe njëherë, i të dy organeve të drejtësisë, të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, mund ta sjellë në përfundim këtë rast jo të lehtë për mua personalisht, por natyrisht edhe për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës dhe të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A e keni mbrojtjen e afërt ende?

Mimoza Kusari – Lila: Jo. Ka dy ditë që nuk e kam mbrojtjen e afërt. Kam kërkuar vetë. Arsyeja ka qenë që filloi të duket absurde që unë të endem me mbrojtjen e afërt përderisa ka pasur mundësi për t’u mbyllur rasti. Me iniciativën time dhe me vlerësimin e policisë që rreziku nuk është në shkallën çfarë është vlerësuar në fillim, unë kam nënshkruar që nuk ka nevojë të më përcjellë policia në mbrojtje të afërt. (rel)

Rritet borxhi publik i Kosovës

dollarBorxhi publik i Kosovës gjatë pjesës së parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 17.1 për qind.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës (BQK), borxhi ka arritur në 649.1 milionë euro nga 554.5 milionë euro sa ishte në tremujorin e dytë të vitit 2014.

Shprehur në përqindje, borxhi ka arritur 11.2 për qind të Bruto Produktit Vendor nga 10.3 për qind sa ishte në vitin paraprak.

Niveli aktual i borxhit, Kosovën e bënë vendin me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas BQK-së, në vitin 2014, mesatarja e borxhit publik në vendet e Evropës Juglindore ishte rreth 57.3 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, përderisa Kosova kishte nivelin prej 10.6 për qind.

Edhe në raportin e fundit të publikuar nga Banka Botërore, thuhet se borxhi publik ende mbetet i vogël, por më rritje të shpejtë.

Lidhur më këtë, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se niveli i borxhit nuk është i lartë, por që autoritetet kompetente duhet të jenë të kujdesshëm në marrjen e borxheve.

Eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka thënë se niveli i borxhit nuk është i lartë, por kjo sipas tij, ka ndodhur për shkak të pamundësisë së Kosovës për të huazuar mjete në institucionet financiare ndërkombëtare.

“Ne aktualisht jemi shumë ulët më borxhin publik. Jo pse Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të hyjë në borxhe, por ka pasur shumë vështirësi për huazime nga institucionet ndërkombëtare. Prandaj është mirë që borxhi të jetë i logjikshëm, gradual dhe jo për një herë të jetë borxh i madh”, thotë Kastrati

Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind.

Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi, vlerëson se niveli i borxhit është i ulët, por megjithatë sipas tij, duhet të planifikohet mirë marrja e borxhit, sepse jo në të gjitha rastet marrja e borxheve rezulton më sukses.

“Ne duhet të masim kapacitetet tona aktuale për gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik dhe në bazë të atyre kapaciteteve duhet t’i bëjmë edhe planifikimet buxhetore dhe jo të futemi në borxhe të pakontrolluara në të cilat do t’i paguanin gjeneratat në vijim”, tha Gashi .

Për t’i ikur rrezikut të mundshëm sa i përket rritjes se nivelit të borxhit publik, Gashi thekson se Kosova duhet të krijojë një strategji nacionale.

“Strategjia nacionale duhet të përkojë më kapacitetet tona zhvillimore që i kemi dhe kryesisht borxhi publik do të duhej të ishte për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike”.

“Ndërsa sa i përket borxheve tjera publike për mbulimin e deficiteve buxhetore nacionale, këto janë jashtëzakonisht të dëmshme dhe Kosova nuk duhet të lëshohet në një pozicion të tillë” tha Gashi

Ndryshe, borxhi i jashtëm i Kosovës, i cili përfshinë borxhin e jashtëm privat dhe borxhin e jashtëm publik, në fund të vitit 2014 arriti në 1.7 miliardë euro që është për 8 përqind më i lartë se sa në fund të vitit 2013. (rel)

“Jo pushtet, por përgjegjësi”

GenscherPër një Gjermani evropiane e një Evropë të bashkuar si laborator të një rendi të drejtë deklarohet Hans-Dietrich Genscher në komentin e tij. Ish-Ministri i Jashtëm është një nga arkitektët e ribashkimit të Gjermanisë.

Gjermania ka mbërritur atje, ka zënë atë vend ku duhet të qe gjithmonë: pikërisht në mes të Evropës. Francezi Paul Claudel tha në verë 1945: ju gjermanët nuk duhet të doni ta sundoni Evropën. Por ju – populli në mes, populli me më shumë fqinj- duhet t’ua bëni të kuptueshme popujve rreth jush se vetëm së bashku keni një të ardhme. Kjo është Gjermania evropiane. Në thelb, Republika Federale Gjermane, pra pjesa perëndimore e ka njohur këtë përgjegjësi evropiane menjëherë pas katastrofës së Luftës së Dytë Botërore dhe të sundimit nacionalsocialist dhe ka vepruar mbi këtë bazë. Me vendimin e saj të hershëm për ta integruar në Perëndim Republikën Federale, Gjermania e atëhershme Perëndimore e përcaktoi për të gjithë gjermanët vendin e saj: në komunitetin e demokracive perëndimore. Pas kësaj, vendi i ndarë, i mundur mori përsipër të hapë rrugën për pajtimin dhe kuptimin midis Perëndimit dhe Lindjes.

Ndarja të kapërcehet, jo të shtyhet

Politika gjermane e Marrëveshjeve me Lindjen hapi shanset e një fillimi të ri midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo mund dhe duhet të ishte vetëm një përpjekje e të gjitha shteteve në Perëndim dhe në Lindje. Organi i përshtatshëm për këtë u bë KSBE, e cila me Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975 prezantoi një masterplan politik, që përfshinte hapësirën nga Vancouveri në Wladiwostok. Vetëm po ta mendojmë: demokracitë e Amerikës së Veriut dhe në Lindje të gjithë Bashkimin Sovjetik, duke përfshirë edhe pjesën aziatike të tij. Rezultati qe kapërcimi i ndarjes jo vetëm të Gjermanisë, por të Evropës!

Me të vërtetë? Do të pyesë dikush, po të shohë peizazhin politik sot. Pyetja është e justifikuar. Duket sikur disa nuk kanë dashur fare kapërcimin e ndarjes, por vetëm një spostim të vijës ndarëse nga Mesi i Evropës në drejtim të Lindjes. Por kjo do të ishte një keqkuptim historik! Dhe veç kësaj edhe një shkelje e filozofisë bazë të Kartës së Parisit të 21 nëntorit 1990: në të, shtetet pjesëmarrëse të KSBE-së u shprehën pro një projekti të ri bashkëpunimi në hapësirën e KSBE-së.

Impulse për unitetin e Evropës

Ashtu si Gjermania e ndarë pas Luftës së Dytë Botërore e pajisi me impulse të reja procesin e bashkimit evropian, po kështu Gjermania e bashkuar sot është thirrur që t’i japë impulse të reja këtij bashkimi evropian. Kryesisht në dy drejtime. Së pari, procesi i bashkimit duhet të avancohet me qartësi dhe vendosmëri. Nuk është fjala për të pasur më shumë apo më pak Evropë. Por fjala është: të vazhdohet ndërtimi i Evropës apo të kthehemi pas në llogoret e vjetra. Kjo do të thotë së dyti, që të mos merremi sërish me ndarjen e Evropës, në një kohë kur bashkimi solli kaq të mira.

Roli i Gjermanisë në të gjitha këto? Jo ai i nxitësit, por ai i motorit, i ofruesit të ideve, roli i atij që mban në mendje herë pas here porosinë e Claudelit në 1945-ën. Është fjala që në rendin e ri që po krijohet në botë, Evropa të bëhet një laborator prove, i cili të perceptohet kudo si i drejtë. Për ta thënë me një fjalë: Gjermania e re në një Evropë të re nuk do të thotë më tepër pushtet, por më shumë përgjegjësi. Përgjegjësi për një botë të të drejtave të barabarta dhe të vlerave të njëjta, por jo të supremacisë; në një botë, në të cilën gjithmonë secili është i ndërgjegjshëm: një popull nuk mund të jetojë në plan afatgjatë mirë, kur të tjerët janë keq për një kohë të gjatë. Ky është rezultati i një ndërvarësie globale, e cila i lidh popujt e botës në më shumë se një bashkësi popujsh: në një bashkësi fati dhe mbijetese.

Hans-Dietrich Genscher ishte midis 1974 dhe 1992 Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskancelar i Republikës Federale të Gjermanisë. Së fundi ai botoi në shtator librin e tij “Këndvështrimi im i gjërave”. (dw)

 

Rusia fillon sulmet në Siri

siriaShtetet e Bashkuara thonë se do t’i vazhdojnë sulmet ajrore kundër objektivave të Shtet Islamik në Siri, pasi Rusia filloi fushatën e saj ajrore dhe kërkoi që avionët bombardues amerikanë të shmangin hapësirën ajrore të Sirisë gjatë operacioneve ruse.

Zyrtarë të ministrisë ruse të mbrotjes thanë se sulmi drejtohej kundër Shtetit Islamik, por shtypi amerikan, po njofton se zyrtarë amerikanë thonë se duket se sulmet nuk ishin drejtuar ndaj Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit John Kirby tha sot se një zyrtar rus në Bagdad informoi personelin e Ambasadës Amerikane se avionët ushtarakë rusë do të fillonin misionet e fluturimit mbi Siri.

“Koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara do t’i vazhdojë misionet ajrore mbi Irak dhe Siri, sipas planit dhe në mbështetje të misionit tonë ndërkombëtar për të shkatërruar grupin ISIS”, tha zëdhënësi Kirby.

Sulmet filluan pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, miratoi kërkesën e presidentit Vladimir Putin për të dërguar forca ushtarake në Siri, për t’i ardhur në ndihmë qeverisë së presidentit Bashar al-Assad në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. (voa)

Serbia e Rusia të zemëruara me praninë e Kosovës në OKB

kbSerbia dhe Rusia protestuan ndaj pranisë së Kosovës në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm, që u mbajt nw New York. Prishtina e cilëson pjesëmarrjen si dëshmi të faktorizimit të Kosovës

Misioni i Serbisë në Kombet e Bashkuara, në këshillim me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i ka drejtuar një notë proteste OKB-së për shkak të pranisë së përfaqësuesve të Kosovës në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm që u mbajt të martën në New York me ftesë të presidentit amerikan Barack Obama.

Nota e protestës pasoi reagimin e të dërguarit të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në takim.

Rusia, një aleat i Serbisë, mbështetë qëndrimin e Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008.

Ambasadori rus, tha se pjesëmarrja e Kosovës që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, dëshmon se “në këtë ndërtesë, gjithçka është nën komandën e Obamas”.

Përfaqësuesit e Kosovës, thanë se pjesëmarrja e tyre dhe trajtimi i barabartë sikundër të gjitha shtetet tjera është një dëshmi e “faktorizimit të Kosovës”.

Në takimin e lartë që u mbajt në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, morën pjesë përfaqësues të mbi 100 vendeve. Presidenti Obama tha se fitorja ndaj grupit ISIS nuk mund të jetë vetëm ushtarake, por përpjekjet e tilla duhet të shoqërohen me përparim ekonomik dhe politik, për të eliminuar radikalizmin dhe ekstremizmin. Kjo, theksoi presidenti Obama, nënkupton të fitohet ndaj ideologjisë së grupit Shtetit Islamik, i cili po shfrytëzon kaosin dhe boshllëqet e krijuara në vende me qeveri të dështuara ose ato të përfshira në konflikte.

Në takim foli edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në çdo betejë luftarake kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por zoti Rama tha se kjo betejë kërkon më tepër se thjesht luftë me armë.

Kosova është përballur me sfidën e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme. Qytetarët e parë të Kosovës që u janë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak janë regjistruar nga mesi i vitit 2012. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare në Siri që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.  Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballjen më këtë dukuri. (voa)