LSDM kthehet në Kuvend, Zaev: Në zgjedhje vetëm nëse respektohet marrëveshja

zaevLSDM-ja opozitare filloi implementimin e marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut, duke u kthyer në ulëset parlamentare. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev theksoi se vendimi për tu kthyer vjen si rezultat i marrëveshjes politike, me të cilën Gruevski pranoi të gjitha kërkesat e opozitës, duke filluar nga dorëheqja e tij, qeveria kalimtare dhe prokurori special. Megjithatë, nëse nuk realizohet ajo që është firmosur në letër, Zaev paralajmëroi rishikimin, jo vetëm të pjesëmarrjes së opozitës në punën e Kuvendit, por edhe në zgjedhjet e parashikuara për më 24 prill.

“Obligimi i parë është prokurori publik deri më 15 shtator. Duhet patjetër të realizohet, në të kundërtën marrëveshja nuk do të jetë e vlefshme. Materialet që i posedojmë nga përgjimi i pushtetit, nuk do të kemi ku t’i dorëzojmë, dhe do ta kemi patjetër të vazhdojmë publikimin e tyre në opinion. Nuk do të ketë më “paloma marrëveshje”. Drejtësia, liria, demokracia, e vërteta, duhet të konfirmohen institucionalisht”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Kryeministri Gruevski nuk i komentoi kërcënimet e opozitës, por theksoi se do të bëjnë gjithçka për respektimin e marrëveshjes.

“Ne gjithë kohën mundohemi që punët të kryhen ashtu siç jemi marrë vesh”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së nga ana tjetër përshëndeti kthimin e LSDM-së në Kuvend, por kritikoi mungesën e tyre prej 15 muajsh, për të cilat deputetët opozitarë kanë marrë paga.

“Deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit tonë për Maqedoni më të mirë, por edhe deputetët e tjerë të grupeve parlamentare të BDI-së, PDSH-së dhe deputetëve të pavarur, vitin e kaluar kishim punë intensive dhe të frytshme. Të gjithë këta rreth 90 deputetë ishin në nivel të detyrës që na dhanë qytetarët. Të gjithë këta deputetë nuk lejuan të shkelet dinjiteti dhe kredibiliteti i tyre, të mos vijnë në punë e të marrin rrogë”, u shpreh Ilija Dimovski, koordinator i grupit parlamentar VMRO.

VMRO akuzon gjithashtu se derisa LSDM-ja kërkonte publikisht verifikimin e dorëheqjeve të deputetëve të tyre, në bisedime të mbyllura sipas Dimovskit lusnin që të mos u merren mandatet. Por, këto akuza u përgënjeshtruan nga kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Ai përgënjeshtroi edhe zërat për takime të fshehta me përfaqësues qeveritarë, ku sipas disa mediave i është kërkuar marrëveshje që prokurori publik të mos ngrejë akuza deri në zgjedhje. Zaev tha se oferta të tilla janë të panegociushme dhe se pret që deri në fund të vitit, prokurorit special të ngritë padi për funksionarët e përfshirë në krime dhe shpërdorime. Benjamin Arifi

Marrëveshja që i rrëmben Kosovës 30 për qind të territorit


flamuj-serbe-mitrovica

Lëvizja Vetëvendosje kritikon marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë: Shtet brenda shtetit, po i merr Kosovës 10 komuna, me 74 mijë banorë

Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë ka ngjallur debat mes forcave politike, për shkak të paqartësive të vetë marrëveshjes, por edhe rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës pas nënshkrimit të saj. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, rreziku lidhet me faktin se, në përbërje të Asociacionit do të jenë rreth 10 komuna, me gjithsej rreth 74 mijë banorë dhe me një territor prej rreth 30 për qind të territorit të përgjithshëm të Kosovës.

Komunat brenda Asociacionit (që VV e quan “Zajednica”) do të jenë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Graçanica, Parteshi, Zveçani, Shtërpca, Novobërda, Zubin Potoku e Ranillugu. Sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), për vitin 2014, numri i banorëve në komuna do të jetë: Mitrovica Veriore – 12,173 banorë, Leposaviqi – 13,515 banorë, Graçanica – 11,720 banorë, Parteshi – 1738 sosh, Zveçani – 7431 banorë, Shtërpca – 6906 banorë, Novobërda – 6,953 banorë, Zubin Potoku – 6,537 banorë, Ranillugu – 3,835 banorë, si dhe Kllokoti me 2,709 banorë, shkruan “Ekspres”.

Marrëveshja e cilësuar si “thembra” e Akilit u arrit javën e kaluar mes Prishtinës dhe Beogradit, më ndërmjetësimin e Brukselit. Prishtina dhe Beogradi zyrtar e kanë quajtur atë një “fitore”, por partitë opozite në të dyja vendet e kanë cilësuar Asociacionin si humbje të sovranitetit të Kosovës/Serbisë. Kundërshtari më i fuqishëm i marrëveshjes është Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila Asociacionit e ka quajtur “Zajednicë” dhe për të cilën pretendon se është  “shtet brenda shtetit”, që “defunksionalizon” shtetin e Kosovës.

/Shekulli Online/

SHBA: CAS, një program i ri për fermerët

bujkuBujqësia e Mbështetur nga Komuniteti, është një program në të cilin konsumatorët parapaguajnë një fermer për dërgesa të rregullta të perimeve dhe frutave të freskëta. Kjo është historia e një fermeri i cili tani e ka zgjeruar këtë programin për avokatët në qytetin e Nju Jorkut. Dhe, avokatëve u pëlqen programi.

Kjo fermë 40-hektarëshe perimesh, që ndodhet rreth 96 kilometra nga qyteti i Nju Jorkut, ka qenë në pronësi të familjes Glebocki që nga viti 1894. Pronari i saj aktual, John Glebocki, një sipërmarrës i ri, ka menaxhuar fermën dhe e ka rritur atë pëmes zgjerimit të dërgesave të drejtpërdrejta të prodhimeve në zyrat e bizneseve të ndryshme.

 “Ky program është i mirë pasi ne paguhemi para se prodhimet të jenë gati. Kjo na ndihmon të punojmë, të paguajmë për farën dhe kosto të tjera për kultivimin e perimeve. Por edhe shitja e prodhimeve është e garantuar”.

Zoti Glebocki flet për tarifën 525 dollarëshe që klienti duhet të paguajë për dërgesa të 6 deri 8 perimeve të ndryshme në një periudhë 22 javëshe.

 “Bëhet fjalë për shumë lloje të ndryshme të perimeve dhe zarzavateve sezonale si domatet dhe misri i ëmbël”.

Çdo të enjte Glebocki dhe punëtorët e tij bëjnë dërgesa në qytetin e Nju Jorkut.

Paërmes trafikut në rrugët e këtij qyteti të madh, shoferi ndalon para zyrës së firmës Winston and Strawn Law ku përshëndetët nga dy përfaqësuesë të saj dhe u jep atyre perimet e freskëta. Ky program ka rreth 24 abonentë.

“Të gjithë duhet të abonohen. Kjo është një mënyrë mirë për të ndihmuar fermerët tanë në mënyrë që ne të vazhdojmë të furnizohemi me prodhime të freskëta”.

“Është pak e çuditshme të marrësh perime të freskëta në vendin e punës”.

Për shumicën, lehtësia është e rëndësishme.

“Është mirë të furnizohesh me këto prodhime të freskëta çdo të premte. Është vërtetë një lehtësim pasi tani nuk kam nevoj të shkojë në dyqan”.

“Ne pelqen. Është i vetmi ushqim i freskët në dietën tonë. Kemi një orar të gjatë pune dhe kjo është një gjë e mirë për ne”.

Martina Owens ka patur një rol të madh në sjelljen e programit në këtë firmë.

“Një nga nismat e mia më të mëdha këtu është bashkimi i njerëzve në zyrë. Ky program e ka realizuar këtë një qind për qind. Punonjësit tani ndajnë recetat e tyre. Ai sjell së bashku partnerët tanë dhe personelin duke krijuar një ambient të mirë në zyrë”.

Programi e ndihmon John Glebocki-in të mbrohet nga pasiguritë ekonomike të bujqësisë dhe i jep atij dhe fermerëve të tjerë si ai, një garanci. Ata e dinë se çfarë mund të kultivojnë dhe fitojnë nga produktet tyre. Ky stabilitet e mban gjallë biznesin e fermës së familjes së tij. (voa)

Kanceret dytësorë

kancerKanceret dytësorë janë në rritje, duke ndikuar gati një në pesë pacientë në Amerikë. Mjekët thonë se ndërsa një rikthim i sëmundjes është shqetësues, njeriu mund të mbijetojë.

Judith Bernstein, 72-vjeçare, është dritë shprese për pacientët që kanë provuar kthimin e kancerit. Ajo mban një dhuratë të çmuar; një mbishkrim hebraik ku thuhet: “Perëndi më shëro tani.”

Ajo ka pasur tetë lloje kanceresh gjatë dy dekadave të fundit, të gjitha të trajtuara me sukses. Kancere dytësorë quhen ato raste kur më shumë se një tumor shfaqen në një ind apo pjesë tjetër të trupit, dhe që nuk janë përsëritje ose përhapje e tumorit të mëparshëm. Judith e pranon se është shembull ekstrem pasi ka përjetuar një listë të gjatë kanceresh dytësorë:

“Kancer i lëkurës, limfoma, në gji, mushkëri, ezofag, që u pasua nga kancer në tiroide.”

Pothuajse çdo pjesë e trupit të saj ka qenë e prekur nga një lloj kanceri dytësor. Një studim tregon se pothuajse 1/5  e të gjithë kancereve në SHBA janë përjetuar nga një pacient më shumë se një herë. Judith përshkruan vuajtjet e saj:

“Thjesht kam pasur fat të keq. Dhe ka qenë gjithashtu një barrë emocionale për burrin e saj Arnold. Shumë netë pa gjumë për t’u siguruar se ishte gjallë”.

Psikologjikisht, një kancer i dytë është shpesh më traumatik për pacientët dhe familjet. Judith është trajtuar në Qendrën e Kancerit Fox Chase. Që nga viti 1970, kur kanceri i dytë shfaqej në vetëm 9 për qind e pacientëve, shifrat janë rritur. Por tani më shumë njerëz mbijetojnë kancerin dhe jetojnë mjaft gjatë për t’u prekur përsëri. Kanceret dytësorë mund të krijohen nga të njëjtat ndryshime gjenetike apo faktorë rrezikut, si pirja e duhanit.

Edhe disa trajtime të tilla si terapi me rreze që ndihmojnë njerëzit të mbijetojnë kancerin e tyre të parë mund të rrisin rrezikun për një kancer të ri më vonë në jetë.

Një nga mjekët e qendrës është Eric Horwitz:

“Ndonjëherë dikush është në rrezik për një kancer të dytë. Por herë të tjera, shërohet nga kanceri i parë dhe është në rrezik sa çdo njeri tjetër normal për t’u prekur nga një kancer tjetër”.

Pavarësisht nga kanceret e saj, Judith Bernstein kryen ushtrime fizike për të ruajtur qetësinë dhe shpresën. Kanceret dytësorë paraqesin sfida të veçanta. Trajtimi mund të jetë më i kufizuar. Për shembull, rrezatimi zakonisht nuk rekomandohet të jepet më shumë se një herë në të njëjtën pjesë të trupit. Disa barna jepen me kufizime për të shmangur pasojat anësore në tru apo zemër.  Ekspertët në këtë klinikë thonë se për këtë arsye kanë krijuar trajtime të ndryshme për pacientët me kancer. Gjithashtu, për të qenë vigjilent për simptomat është e rëndësishme dhe kryerja e vizitave në datat e caktuara. (voa)

 

Shëndeti dhe jetëgjatësia

matja e shtypjesLajm i mirë dhe i keq për jetëgjatësinë. Lajm i mirë është se njeriu jeton më gjatë. Lajm i keq është se ka rrezik më të madh për probleme shëndetësore.
Në botë, jetëgjatësia është rritur me gjashtë vjet që nga viti 1990. Një studim i ri thotë se kjo është për shkak të përparimeve që janë bërë kundër virusit HIV, SIDA-s dhe malaries. Përparim është bërë edhe në pakësimin e vdekjeve nga sëmundjet ngjitëse dhe çrregullimet e ushqyerjes së nënave, dhe foshnjeve.

10 vendet me jetëgjatësinë më të lartë janë Japonia, Singapori, Andorra, Islanda, Qipro, Izraeli, Franca, Italia, Korea e Jugut dhe Kanadaja. Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 34 në listën për jetëgjatësinë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Besohet se problemet shëndetësore janë më të shumta kur popullsia është e përzierë.

Theo Vos është autori kryesor i studimit dhe profesor i shëndetit global në Institutin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit. Ai thotë se në përgjithësi ka pasur një ulje të dukshme të vdekshmërisë:
“Më e rëndësishmja është se ka patur pakësim të të gjitha sëmundjeve infektive që prekin fëmijët e vegjë, dhe të porsalindurit.  Por, kemi parë gjithashtu rënie shumë të qëndrueshme në vdekjet nga lëndimet, ndërsa vdekjet nga disa prej sëmundjeve kryesore jo ngjitëse kanë rënë më ngadalë.”
Për shumë njerëz, cilësia e jetës në vitet shtesë mund të jetë dëmtuar nga probleme shëndetësore.

“Duke rritur jetëgjatësinë mesatare njeriu ka më shumë gjasa për të marrë sëmundje që të pengojë aftësinë për të funksionuar. Ndërsa kemi qenë relativisht të suksesshëm në pakësimin e shkaqeve kryesore të vdekjes, ne kemi qenë më pak të suksesshëm në shërimin e shkaqeve të paaftësisë afatgjatë”, – thotë profesori Vos.

Disa sëmundje dhe paaftësi mund të parandalohen, por Dr. Vos thotë se investimi në trajtimin, apo shërimin e tyre nuk ka qenë i njëjtë me investimet për sëmundjet kryesore:

“Pra, i bëjmë thirrje komunitetit kërkimor mjekësor të fillojë të mendojë për të investuar më shumë në shkaqet e mëdha të paaftësisë sesa vdekshmërisë. Dhe shpresojmë se kjo do të çojë në disa përparime siç ka ndodhur në rastin e pakësimit të vdekshmërisë.”
Nëntë nga 10 vendet me jetëgjatësinë më të ulët janë në Afrika nën-Sahariane. Lesoto paraqitet më keq, me një jetëgjatësi prej vetëm 42 vjet, e ndjekur nga Swaziland, Republika e Afrikës Qendrore, Guinea-Bissau dhe Zimbabve, pastaj Mozambiku, Afganistani, Çadi, Sudani Jugor dhe Zambia.
“Kërcënimi më i madh i përbashkët në këto vende është shkalla e epidemisë HIV. Unë kam punuar për 10 vjet në Afrikën jugore dhe në Lesoto para se virusi HIV të prekte vendin, i cili qysh atëhere vuante nga shumë sëmundje që lidhen me varfërinë,” – thotë profesori Vos.

Sëmundja ishemike e zemrës, një pakësim i rrjedhjes së gjakut në zemër, është shkaku kryesor i asaj që njihet zyrtarisht si DALY apo vitet e jetës me aftësi të kufizuar. Sëmundja tjetër është infeksioni i pjesës së poshtme të aparatit të frymëmarrjes; pastaj vijnë dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbjet e qafës dhe aksidentet rrugore.
Janë edhe sëmundjet e diarresë, sëmundja kronike e mushkërive e njohur si SPOK që përfshin bronkitin kronik dhe emfizemën. Edhe komplikimet para dhe gjatë lindjes, dhe HIV / SIDA, sëmundjet e syve,  humbja e dëgjimit dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
Studimi bazohet në një analizë të të gjitha sëmundjeve kryesore dhe lëndimeve në 188 vende. Profesor Vos thotë se qëllimi është për të gjetur mundësi për të përmirësuar shëndetin e njerëzve. Studimi do të ndihmojë në krijimin e  objektivave të reja të zhvillimit të qëndrueshëm që zevendësojnë Objektivat e OKB-së mbi Zhvillimin e Mijëvjeçarit, këtë vit. (voa)

 

Debati Rama-Vuçiç në Vjenë: Gjërat që na ndajnë dhe ato që na bashkojnë

rama-vucic-debat“Shqipëria dhe Serbia po bëjnë shumë për Ballkanin.” Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama, në nisje të debatit televiziv në emisionin Okruzenje (Fqinjësi) në një televizion austriak, ku bashkë me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, iu është përgjigjur pyetjeve rreth çështjeve të ndryshme në raportet mes dy vendeve, si dhe në raportet e Ballkanit Perëndimor me Europën. Gjatë debatit të zhvilluar në Vjenë, në një nga ditët e samitit të mbajtur më 27 gusht, dy liderët u zotuan se do të bëjnë më të mirën për forcimin e bashkëpunimit, sidomos për të bashkëpunimin mes të rinjve, duke i cilësuar ata një instrument me rëndësi për thellimin e raporteve dhe përshpejtimin drejt integrimit europian. Dy kryeministrat iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve dhe shoqërisë civile për projektet e përbashkëta rajonale të paraqitura në Samitin e Vjenës.

Kryeministri serb, Vuçiç u shpreh që në nisje se e pranon që serbët kanë pasur një qëndrim racist ndaj shqiptarëve, ndërsa theksoi se kjo histori duhet të ndryshojë. “Besoj se vazhdoj ta kenë. Që të mos jetë më kjo, ne duhet të njihemi. Nëse dikush thotë se kjo nuk është arsye e mjaftueshme, pra, që të fillojmë të bashkëpunojmë, ai nuk e kupton të ardhmen dhe do të vdesë me pikëpamjet naive në të kaluarën”, theksoi Vuçiç. Megjithatë, kur u pyet për “Shqipërinë e Madhe”, ai u shpreh se askush nuk do që ta shohë atë, duke kërkuar që Kryeministri Rama të tregohet më i kujdesshëm me deklaratat e tij.

Duke folur për projektet e rëndësishme infrastrukturore, Vuçiç vlerësoi autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, si një projekt për të cilin është punuar shumë. I pyetur si mund të stimulohen të rinjtë e rajonit për të arritur tregun e punës,  ai tha se ata duhet të edukohen me sipërmarrjen e lirë, por njëherësh duket një reformim i legjislacionit të punës dhe ndërlidhje e tregut të punës dhe shkollimit.

Kryeministri Rama foli për reformat e qeverisë dy vitet e fundit, duke u zotuar se reformimi politik shkon paralel me atë ekonomik. Duke e vënë theksin te bashkëpunimi i përbashkët, sidomos te bashkëpunimi i të rinjve, Kryeministri Rama tha se do të krijohet një zyrë e përbashkët, që do të krijojë shembullin e këtij bashkëpunimi, deri te të parët e ndeshjeve së bashku. “Për një top shkuam në luftë”, tha Rama, duke iu referuar ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, ndërsa shtoi se ky realitet do të ndryshojë.

Pozitive ishte përgjigjja e Kryeministrit Vuçiç ndaj ftesës së homologut shqiptar për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”.  “Rama më ka ftuar dhe nëse nuk do të kem një punë shumë shumë të rëndësishme, do të shkoj në Tiranë, në Elbasan, më saktë. Unë me shallin serb ngjyrë të kuqe, të bardhë e të kaltër dhe ai me shallin e tij kuqezi”. I pyetur nëse incidenti me dron mund të përsëritet, Vuçiç u shpreh: “Jam i sigurt dhe shpresoj që jo”.  Ndërsa në fund shtoi: “Pas 90 minutash do të merremi vesh sesi serbët do të ndërtojnë hotele në Durrës, sesi do të eksportojnë më shumë në Shqipëri dhe sesi do të vijnë për pushime në Shqipëri.”

Përsa i përket çështjes së njohjes së Kosovës, Vuçiç tha se Serbia nuk e ndryshon qëndrimin dhe se vendet shohin dy realitete të ndryshme, por e mira sipas tij, është që po bisedohet. Mirëpo ai, – siç u shpreh se po e thoshte për herë të parë këtë – theksoi se nuk po sheh problem të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Ndërsa Kryeministri Rama u përgjigj se, Kosova është një çështje mosdakordësie mes dy vendeve por shtoi se, mosdakordësia është “një aspekt që na ndan, por jo një aspekt për të mos bashkëpunuar”. Po ashtu, ai vlerësoi se, janë bërë hapa konkretë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.  I ashpër ishte toni i Ramës, kur u shpreh se Europës duhet t’i vijë turp ngaqë po i mbyll kufijtë Kosovës, duke mos liberalizuar lëvizjen e lirë.

Kryeministri Rama e ka vënë theksin te nevoja e madhe që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për t’u integruar në BE, ndërsa përsëriti kritikat e tij ndaj ngadalësisë së Unionit në qasjen e tij ndaj këtyre vendeve. Për këtë çështje, Rama dhe Vuçiç kanë ndarë një qëndrim të përbashkët. “Sa herë e kritikoj BE-në, Vuçiç më përgëzon”, tha Kryeministri ynë me humor. Dy kryeministrat e kanë vënë theksin te reformat rrënjësore dhe ndryshimi i mentalitetit.

Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç zhvilluan një debat gjatë Samitit dyditor të Vjenës, i cili u transmetua për herë të parë për publikun. Debati i regjistruar në emisionin Okruzenje (Fqinjësi) ka nisur të transmetohet në orën 21:00 në TVSH, si dhe njëherësh në televizionet e rajonit. Lajmin e bëri të ditur më herët Kryeministri Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”. Debati ku dy kryeministrat folën në gjuhën e tyre u transmetua në TVSH në vendin tonë, në të njëjtën orë me vendet e tjera të rajonit: Kosovë (RTK1), Serbi (RTS 1) dhe Maqedoni (Alsat M).

/Shekulli Online/

Viti i ri shkollor, me një barrë më të lehtë për nxënësit (?)

shkollaViti shkollor në Kosovë këtë vit fillon me një risi. Bëhet fjalë për vendimin e autoriteteve që të gjitha shkollat anembanë të pajisen me dollapë për libra, në mënyrë që nxënësit ta kenë çantën shkollore më të lehtë.

Pikërisht për këtë arsye, Radio Evropa e Lirë, materialin për fillimin e këtij viti shkollor, ia kushton peshës që një çantë shkollore ka. Një fëmijë që vijon shkollimin fillor, mban në shpinë çdo ditë një çantë që peshon nga 4 deri në 6 kilogramë.

Azem Guri, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Qeverinë e Kosovës, shpjegon vendimin që ka marrë kjo ministri.

“Pikërisht, për këtë çështje, ministria ka nxjerrë një udhëzim administrativ i cili parasheh rregullimin e rafteve, gjegjësisht vitrinave në objektet shkollore, në mënyrë që të shkarkohet çanta e ngarkuar e nxënësve. Ky udhëzim është përgatitur gjatë muajit gusht dhe janë të njoftuara të gjitha komunat”, tha Guri.

Rina Sopa është nxënëse e klasës së shtatë në shkollën Fillore “ Faik Konica “në Prishtinë dhe thotë se e ka të vështirë ta bartë çantën me të gjitha librat në të, çdo ditë.

“Gjysmën e librave i kisha lënë në shkollë me pas mundësi”, thotë Rina.

E ëma e Rinës, Arta Sopa, tregon se këtë vit, klasën e parë e fillon edhe djali i saj. Për shkak të peshës së rënduar të çantës, zonja Arta çdo ditë e dërgon dhe e merr të birin nga shkolla.

“Pesha është e rëndë, shumica e fëmijëve po ankohen nga kurrizi. Një lëndë i ka dy- tri tekste dhe gjysmën është dashur t’i lënë në klasë. Për shkak të çantës duhet ta dërgoj dhe ta marr djalin nga shkolla. Djali në klasë të parë, dy fëmijë tjerë i kam më të vegjël, kështu që me të dytë më duhet të shkoj ta dërgoj dhe ta marr djalin nga shkolla”, tha zonja Sopa.

Në fakt, Komuna e Prishtinës ka vendosur dollapë vetëm për ciklin e ulët, por duket se as ato nuk përdoren nga fëmijët, për shkak se nuk janë të sistemuara si duhet.

Edhe udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (SBASHK) theksojnë nevojën e vendosjes se inventarëve të domosdoshëm nëpër objekte shkollore për vendosjen teksteve në klasa.

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se zgjidhja e këtij problemi është kërkuar disa herë nga sindikata..

“Duhet bërë ndryshime te planprogramet dhe kurrikula në përgjithësi, ngase është e çuditshme pse për një lëndë, sidomos te fëmijët e vegjël, botohen nga dy – tri tekste. Pra, fëmija përveç se është i ngarkuar me çantë, është edhe i hutuar me gjithë ato tekste dhe nuk di si të gjendet”, ka thënë Jashari.

Sipas standardeve të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ngarkesa fizike te fëmijët nuk guxon të kalojë 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve. Pesha mesatare e një fëmije në klasën e parë është diku rreth 23 kilogramë.

Çdo gjë më e rëndë se aq, mund të jetë e dëmshme për shpinën e fëmijës dhe bart pasoja për të ardhmen.

Procesin mësimor këtë vit shkollor e ndjekin rreth 390 mijë nxënës të arsimit fillor, në rreth 1200 objekte, me mbi 25 mijë mësimdhënës. (rel)

Ndërroi jetë ilirologu Aleksandër Stipçeviç

Në moshën 85 vjeçare u nda nga jeta akademiku Aleksandër Stipcevic, ilirolog kroat me prejardhje arbëreshe

Aleksander StipcevicNë Zagreb të Kroacisë, ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare ilirologu i shquar me prejardhje arbëreshe Aleksandër Stipçeviç.

Njeriu që do të bëhej i njohur si arkeolog, bibliograf, bibliolog, eseist e albanolog, lindi në fshatin Arbnesh të Zarës në Kroaci, më 10 tetor 1930.

Shkollën fillore e të mesmen i kreu në Zarë, ndërsa arkeologjinë më 1954 në Zagreb. Ka doktoruar në viti 1977 në temën “Simbolizmi religjioz te ilirët”.

Gjatë viteve 1970 – 1973 ligjëroi në Universitetin e Prishtinës, në katedrën e historisë, lëndën “Hyrje në arkeologji”, ndërsa në Universitetin e Zagrebit ishte i angazhuar që nga viti 1971 deri në pensionimin e tij në vitin 1997.

Ai është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Në Kosovë institucionet politike e arsimore ngushëlluan familjen dhe botën akademike me rastin e vdekjes së tij.

Qytetarët e Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, humbën njeriun që më së miri solli te ne frymëmarrjen ilire. Me veprën e tij, akademiku Stipçeviç ka bërë vend meritor në historinë botërore. Ndërsa, ne do ta kujtojmë gjithmonë edhe si mikun më të madh, që me pendën e tij, me veprimtarinë shkencore, u bë roje e historisë tonë kombëtare”, thuhet në një telegram ngushëllimi të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë. (voa)

SHBA dhe spiunazhi kibernetik të Kinës

spionazhi kibernetikShtetet e Bashkuara po përgatiten të reagojnë ndaj spiunazhit kibernetik të Kinës, duke vendosur sanksione kundër individëve dhe kompanive që kanë përfituar nga vjedhja e sekreteve tregëtare, sipas një njoftimi të gazetës “The Washington Post”.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar në administratën e Presidentit Barack Obama, gazeta shkruante se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë marrë ende vendimin, por ai pritet së shpejti.

Zoti Obama nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 1 prill ku autorizohej Departamenti i Thesarit, në konsultim me Prokuroren e Përgjithshme dhe Sekretarin e Shtetit, që të bllokonte pronat dhe transaksionet e kujtdo që mund të kishte qenë përgjegjës për spiunazh kibernetik ndaj entiteteve amerikane ose që mund të kishte përfituar nga informacioni i vjedhur. (voa)

Gjermania mund t’ia dalë mbanë

Kancelarja merr pozicion të qartë në lidhje me krizën e refugjatëve, por edhe faktori kohë luan rol, mendon Dagmar Engel.

merkelTingëllon mjaft logjike dhe pothuajse e pashmangshme se si Angela Merkel formulon në konferencën e saj të madhe vjetore për shtyp para gazetarëve nga Gjermania dhe nga jashtë, politikën e qeverisë federale gjermane në çështjen e refugjatëve dhe të migrimit: E drejta për azil politik dhe mbrojtje nga lufta dhe persekutimi është e drejtë themelore; Për të gjithë vlen e drejta themelore për dinjitetin njerëzor, pavarësisht se prej nga vjen dhe nëse ka shans për të marrë azil apo jo; Kushdo që sulmon këto të drejta themelore, kushdo që sulmon njerëzit që vijnë në Gjermani i shan apo u vë zjarrin strehimoreve të tyre, do të përballet me forcën e ligjit. Fundi i diskutimit.

Atipike

Ose më mirë, nuk ka diskutim. Nuk ka asnjë gjurmë të kuptuari për ekstremistët e djathtë, nuk ka asnjë përpjekje për shpjegime, sepse asgjë nuk e justifikon qëndrimin urrejtës kundër refugjatëve dhe emigrantëve. Kancelarja nuk flet me ksenofobët, ajo nuk preferon të flasë as për nxitësit e urrjetjes. Çdo formë vëmendjeje nga ana e saj vetëm sa rrit statusin e tyre. Mbani distancë – ky rekomandim vlen jo vetëm për bashkëqytetarët e saj. Në vend të kësaj, Angela Merkel zgjedh mjetet e përforcimit pozitiv: ajo është krenare dhe mirënjohëse që numri i ndihmësve është shumë më i lartë se ai i ksenofobëve. Edhe shtypi merr një falënderim për raportimin. Çdo gjë mjaft atipike.

Forcë

Angela Merkel madje heq dorë për ta shpërndarë problemin në Evropë. Sigurisht edhe ajo është për një zgjidhje evropiane. Vlerat themelore të Evropës janë në rrezik, universaliteti i të drejtave civile, nëse evropianët nuk e përballojnë këtë sfidë. Por në Evropë bën pjesë edhe Gjermania. Nuk ka hapësirë për interpretim, kur kancelarja thotë: Gjermania është e fuqishme, ne mund ta bëjmë këtë. Ne i bëmë ballë krizës bankare, kemi vënë nën kontroll krizën në Greqi dhe ia kemi dalë mbanë largimin nga energjia bërthamore – kur është fjala për forcë, kancelarja është gati, është mesazhi i saj.

Basta

Sikur të mos ishte faktori kohë: këto fjalë do të kishte qenë më mirë po të ishin thënë një javë më parë. Apo edhe më herët – parakalimet e para kundër një qendre refugjatësh në Freital në Saksoni kanë ndodhur para disa javësh. Ndoshta nuk do të kishin ndodhur paradat në Heidenau. Një debat duhet të zhvillohet, kur ky është i pranishëm – edhe këtë fjali tha Angela Merkel në konferencën për shtyp lidhur me bilancin e saj politik. Por, kur bëhet fjalë për të drejtat themelore, të cilat janë të padiskutueshme, duhet folur paraprakiosht: së pari, së dyti, së treti, shih më lart. Basta. (dw)