Rikthehen zgjedhjet në tryezën e bisedimeve të Grupit të Punës

makina me targa diplomatikeGrupi i punës i është kthyer diskutimit për çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke diskutuar kompetencat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Edhe pse Marrëveshja Politike e 2 qershorit parashikon që deri nesër, më 30 shtator, të përkufizohen kompetencat shtesë për KSHZ-në, partitë politike nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete rreth kësaj çështjeje.

“Deri më 30 shtator 2015, Komisionit Shtetëror Zgjedhor do t’i jepen kompetenca shtesë në mënyrë që të sigurojë zgjedhje të lira dhe korrekte, si dhe fushë të barabartë loje për të gjitha partitë”, thuhet në Marrëveshjen  e 2 qershorit.

Jo zyrtarisht, palët mbeten në qëndrimet e mëhershme, që KSHZ-ja të përbëhet nga 9 anëtar, 3 prej të cilëve të propozohen nga pushteti, 3 nga opozita dhe 3 ekspertë të pavarur që emërohen në Kuvend. Nuk ka pajtueshmëri për organin që do të vendosë pas ankesave në shkallë të dytë për parregullsitë zgjedhore. VMRO DPMNE-ja kërkon që të mbetet kompetente Gjykata Administrative, ndërsa LSDM-ja kërkon krijimin e një trupi të veçantë për shqyrtimin e ankesave. Gjithashtu nuk ka marrëveshje për kërkesën e partive shqiptare që KSHZ-ja të vendosë me Badinter për komunat e përziera dhe ato me shumicë shqiptare. Ndërkohë, në pjesën e dytë të takimit u prekën edhe çështje të tjera që kishin të bënin me zgjedhjet dhe Kodin Zgjedhor. Më kontestuese mbetet çështja e diasporës. Partia e Gruevskit kërkon jo vetëm mbetjen e votimit të diasporës por edhe rritjen e numrit të deputetëve. LSDM-ja kërkon që të respektohet parimi i barazisë së votës, siç kërkohet edhe nga OSBE-ja, duke vendosur një prag të caktuar votash për të kaluar deputetin në diasporë. BDI-ja nga ana tjetër kërkon heqjen e njësive 7, 8 dhe 9, ndërsa mërgimtarët të votojnë për 6 njësitë në vend, përmes postës ose në mënyrë elektronike. Mes 4 partive politike mbizotëron qëndrimi që listat e deputetëve të jenë të hapura, por edhe kjo çështje mbetet për t’u përcaktuar. Ndërkohë, siç raportohet nga përfaqësuesit e BDI-së në grupin e punës, partia e Ahmetit ka hapur edhe çështjen e presidentit duke kërkuar që ai të zgjidhet në Kuvend me 2/3 e votave dhe Badinter. Zgjedhja e presidentit në Kuvend ishte edhe premtim parazgjedhor i BDI-së, por nuk u konkretizua as me marrëveshjen e koalicionit dhe as me ndonjë propozim konkret për ndryshime kushtetuese.

Benjamin Arifi 

Albin Kurti paralajmëron Kosovën për trazira të tjera

kurtiIsh-lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, paralajmëroi nga Tirana trazira të reja politike dhe shoqërore në Kosovë. Në tryezën e organizuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, me përfaqësues të medies, shoqërisë civile dhe historianë të Shqipërisë, Kurti tha se Zajdenica nuk do pranohet, ndaj për këtë edhe po mobilizohet populli për protesta dhe demonstrata.

“Zajednica nuk pranohet. Janë mbledhur 100 mijë firma deri tani. Jemi në kushtet kur kërkohet referendum për marrëveshjen. Po shkojmë drejt protestave e demonstratave. Do të mobilizojmë popullin. Vjeshta, dimri e pranvera e ardhshme do të jenë më të nxehta se çdo verë që kemi kaluar në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ai akuzoi BE-në se nuk ka qenë e paanshme në negociata, duke thënë se, “ajo e pranon Serbinë, ndërsa Brukseli nuk e pranon Kosovën.

/Shekulli Online/

Opozita nuk tërhiqet nga bllokada, seanca thirret për të enjten

kuvendi i ks vezeOpozita paralajmëron vazhdimin e dramës së bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës.

Tërheqja e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafanga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, janë vënë nga opozita si kushte të panegociueshme për zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Ndërkohë që nga partitë në pushtet përsëriten thirrjet që situata e rënduar politike të tejkalohet përmes dialogut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar sërish opozitën që t’i shfrytëzojë seancat parlamentare për debat dhe të mos i bllokoj ato. Këto komente, Veseli i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku nuk po merrnin pjesë deputetët opozitarë.

Duke iu referuar paralajmërimeve të opozitës për bllokim të punës së Kuvendit edhe në seancat e radhës, Veseli ka deklaruar se Kuvendi është vendi i debateve, pavarësisht se a pajtohet çdo herë pozita e opozita apo jo.

“Kërkoj nga opozita që t’i drejtohet foltores dhe aty të e thotë atë çfarë kanë për të thënë. Nëse ata e bllokojnë foltoren është në dëmin e tyre, sepse qytetarët i kanë zgjedhur që të flasin në Kuvend, dhe jo ta bllokojnë atë”, është shprehur Veseli.

Tutje, ai ka folur edhe në lidhje me mundësinë e organizimit të një takimi ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës.

Ndonëse e ka ofruar edhe gatishmërinë e tij që të ndihmojë në organizimin e mundshëm të një takimi të tillë, Veseli ka thënë se këtë çështje do të duhej ta merrte përsipër presidentja, si përfaqësuese e unitetit të popullit.

“Do të ishte mirë që veçanërisht nga presidentja e vendit të kishte një ftesë të tillë në mënyrë që liderët politik të bisedojnë. Ka çka të bisedohet dhe kështu të tejkalohet çdo keqkuptim i mundshëm”, ka theksuar Veseli.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë njoftuar të martën se për dhjetë ditë të peticionit kundër marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, janë mbledhur mbi 101 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Sipas përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Nol Nushi mbledhja e nënshkrimeve kundër këtyre marrëveshjeve do të vazhdojë.

Tri partitë opozitare, ku përfshihen Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, ka nënvizuar Nushi, vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e fundit, ose bllokada e institucioneve do të vazhdoj.

“Duke e parë numrin e madh të nënshkrimeve kundër këtyre marrëveshjeve, një kryeministër normal do të duhej të reflektonte dhe të tërhiqte nënshkrimin nga këto marrëveshje. Prandaj edhe ne sot bashkërisht këtu i bëjmë thirrje kryeministrit që të tërheq nënshkrimet nga këto marrëveshje. Po nuk e bëri këtë atëherë do të ishte më së miri që të ofronte dorëheqje fare nga qeveria”, ka thënë Nushi.

Kërkesën për tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, qeveria e Kosovës dhe partitë e koalicionit në Kuvend e kanë cilësuar të papranueshme.

Një gjendje e tillë përplot tensione, ka dështuar tashmë dy seanca të Kuvendit në të cilat ishte paraparë që kryeministri i Kosovës të raportonte në lidhje me marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.

Veprime të tilla bllokuese opozita ka paralajmëruar edhe për seancën e radhës, të caktuar për ditën e enjte, edhe pse në atë mbledhje nuk do të ketë raportim nga kryeministri dhe as qeveria. (rel)

Samiti kundër ekstremizmit të dhunshëm

obama ramaPresidenti Obama tha sot në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm që po zhvillohet në Nju Jork se fitorja nga grupit ISIS nuk mund të jetë vetëm ushtarake.

Përpjekjet ushtarake duhet të shoqërohen me përparim ekonomik dhe politik, për të eliminuar radikalizimin dhe ekstremizmin. Kjo, theksoi presidenti Obama, nënkupton të fitohet ndaj ideologjisë së grupit Shtetit Islamik.

Në takimin e Nju Jorkut marrin pjesë përfaqësues të mbi 100 vendeve.

Grupi ISIS, tha presidenti po shfrytëzon kaosin dhe boshllëqet e krijuara në vende me qeveri të dështuara ose ato të përfshira në konflikte.  Dy vendet që ISIS kontrollon territore janë Iraku dhe Siria. Hyrja e Turqisë në luftë, tha presidenti, e ka izoluar grupin ISIS duke mos lejuar ardhjen e luftëtarëve të huaj nga kufiri turk.

Në Siri, tha Presidenti fitorja ndaj grupit ISIS kërkon zëvendësimin e presidentit Bashar al-Sadat.  Presidenti tha se ai ështi i gatshëm të punojë me Rusinë dhe Iranin për të gjetur një formulë zgjidhjeje për Sirinë. Të dyja këto vende janë aleate të presidentit Asad dhe nuk janë dakort që ai të largohet.

Lufta kundër grupit ISIS tha presidenti është një sfidë të madhe, pasi nuk është thjesht një fushatë ushtarake. Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriuoire, tha ai,  po ndodhin ndryshime radikale dhe probleme të grumbulluara prej dhjetra vitesh që po manifestojnë veten në formën e grupit ISIS.

Në takim e mori fjalën edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në çdo betejë luftarake kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por zoti Rama tha se kjo betejë kërkon më tepër se thjesht luftë me armë.

“Për të mundur ideologjinë, duhet të fitojmë betejën për mendjet dhe zemrat e brezit të ardhshëm, sepse vetëm fuqia e ëndrrave të tyre realizon ndryshimin e realitetit”.

“Ne në Shqipëri, do të prezantojmë në ditët e ardhshme reforma për të garantuar që çdo fëmijë edukohet me një qëndrim mendje-hapur ndaj besimeve, kulturave dhe të kaluarave të ndryshme”.

“Ne kemi nevojë për koalicionin e ushtrive, por kemi nevojë edhe për koalicionin e ndjenjave; ne kemi nevojë për komunitete që nuk ofendohen nga besimi i të tjerëve”.

Kryeministri Rama bëri thirrje për miratimin nga Kombet e Bashkuara të një karte mbi vlerat e përbashkëta, të shoqëruar me masat e nevojshme që dëshmon angazhimin më të sinqertë për ta bërë botën një vend ku respektohen bindjet e tjetrit, një botë më të barabartë dhe të qëndrueshme. (voa)

Volkswagen do të riparojë deri në 11 milionë automjete

vwFirma Volkswagen njoftoi sot planet për të riparuar deri në 11 milionë automjete në mbarë botën, të cilat ishin pajisur me një program kompjuterik që shmang kontrollin e nivelit të ndotjes. Kjo çështje shkaktoi një skandal, që i ka dhënë një goditje të rëndë reputacionit të industrisë së makinave gjermane.

Prodhuesi gjerman i makinave tha gjithashtu se 1, 8 makina komerciale janë mes makinave të pajisura me programin e sofistikuar për të shmangur provat e çlirimit të gazeve nga makinat.

Shefi i ri ekzekutiv i Volkswagenit, Matthias Mueller tha se kompania do të kërkojë në dy-tre ditët e ardhshme që të tërhiqen nga tregu makinat e pajisura me programin në fjalë, për t’u riparuar. Sipas disa ekspertëve, kosto e riparimit mund ta kalojë shifrën e $6.5 miliardë dollarëve.

Firma Volkswagen po përballet me një presion të madh për trajtimin e krizës më të rëndë të biznesit në historinë e saj 78-vjeçare. (voa)

Gjurmët e ujit në Mars

marsi ujeShkencëtarët në agjencinë amerikane të hapësirës njoftuan se kanë zbuluar gjurmë të burimeve me ujë të kripur në siperfaqen e Marsit.  Shkencëtarët thonë se rrjedhat e ujit në siperfaqen e Marsit shfaqen vetëm gjatë stinës së verës. Zbulimi mbështet idenë se mund të ketë forma jete në planetin e kuq.

Shkencëtarët e kanë ditur për një kohë të gjatë se në Mars dikur ka patur ujë. Por ata mendonin se ndryshimi i klimës e kishte tharë planetin. Të hënën, shkencëtarët e NASA-s njoftuan se kanë prova se ka më shumë ujë në planetin e kuq sesa mendohej më parë.

“Sondat tona po gjejnë më shumë lagështi në ajër se ç’kemi menduar më parë. Mostrat e dheut janë me lagështi, janë të hidratuara, plot me ujë”.

Për disa vite shkencëtarët kanë monitoruar gjurmët misterioze të rrjedhave të ujit në terrenin e Marsit që duket se po zbehen. Një analizë e plotë e të dhënave të mbledhura nga sondat e NASA zbulon se vijat e errëta që shfaqen gjatë verës mund të jenë rrjedha të ujit.

“Por ne nuk e dimë se nga ku po vjen uji, kështu që mund të ketë një burim të madh ujor të fshehur nën sipërfaqen e planetit. Por ne nuk dimë asgjë për këtë. Pra ky është një mister tjetër nga ky zbulim i fundit”.

Përgjigja për këto pyetje mund të vijë pas rreth pesë vitesh, kur sonda tjetër e NASA-s do të sjell përsëri mostra nga Marsi. Prania e ujit do të nënkuptonte ekzistencën e organizmave të gjallë në planet.

Kjo gjithashtu do të lehtësonte udhëtimet e ardhshme në hapësirë.

“Ne e dimë se çfarë është uji: hidrogjen dhe oksigjen. Me këto elemente ne prodhojmë karburantin për raketa”.

Njoftimi i NASA-s vjen disa ditë para fillimit të shfaqjes në kinema të një filmi të ri mbi Marsin, ku aktori Matt Damon luan rolin e një astronauti të braktisur në Mars. Filmi fantastiko-shkencor i regjisorit Scott Ridley, i bazuar në një libër të njohur, pritet të shtojë kuriozitetin e njerëzve rreth planetit Mars. (voa)

Mblidhet ‘Grupi i punës’, diskuton Marrëveshjen e Ohrit

bisedimetGrupi i punës ka diskutuar rreth zbatimit dhe ngecjeve të Marrëveshjes së Ohrit. Para përfaqësuesve të partive politike, diplomati holandez Piter Fejth prezantoi analizën e tij, akoma të papërfunduar, rreth zbatimit të këtij dokumenti i parashikuar të përfundonte zbatimin që në vitin 2005. Ai është angazhuar nga Komisioni Evropian për të analizuar zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, që rekomandohet tashmë në disa raportet e fundit të progresit. Fejth nuk deshi të komentojë mbi epilogun e takimit të sotëm, por kërkoi durim deri nesër.

“Kishim një takim të mirë. Nesër do t’ju informojmë më hollësisht, prandaj do të doja t’ju lusja që të bëni durim. Nesër do t’ju informojë zëvendëskryeministri Xhaferi, prandaj të presim deri nesër”, tha Piter Fejt, përfaqësues special i BE-së.

Analiza përfundimtare duhet të publikohet në një konferencë të gjerë ndërkombëtare në nëntor, ndërsa varësisht nga rekomandimet, Qeveria do të miratojë konkluzione në dhjetorin e këtij viti. Edhe zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi ka prezantuar plan-veprimin e Qeverisë për zbatimin e reformave evropiane, konkretisht hapat që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit. Diskutimi për Marrëveshjen e Ohrit ka qenë episodik, ndërsa ditëve në vijim, partitë do t’u kthehen çështjeve me përparësi, Kodit Zgjedhor dhe mediave. Nga ana tjetër, mbetet në status-quo çështja e Komisionit Hetimor për vërtetimin e përgjegjësisë politike për skandalin e përgjimit. Për shkak të mosmarrëveshjeve elementare mes partive, nuk është parashikuar takim tjetër për këtë çështje.

Benjamin Arifi

DW: Rrethimi i Ali Ahmetit me struktura kriminogjene detyroi krijimin e “Unitetit”

Anëtar aktual të BDI formojnë parti të re qytetare. Ahmeti i brengosur, sepse edhe subjekte tjera bëjnë thirrje për përfundim të dominimit të BDI. Paralajmërohen edhe nisa tjera qytetare.

Uniteti është emri i partisë së re për regjistrimin e së cilës intensivisht janë duke u grumbulluar nënshkrime në teren, ndërsa iniciator të saj janë persona nga BDI. Spiritus movens i partisë në formim është Gëzim Ostreni (73), shef i shtabit qendror të UÇK në vitin 2001 dhe ish Sekretar gjeneral i BDI, ndërsa spiritus agens është deputeti aktual i BDI dhe anëtar i Kuvendin të përgjithshëm partiak, Zulfi Adili. Ata dhe disa bashkëmendimtar të tyre janë bërthama iniciale që tërheq numër të madh ithtarësh ndaj platformës së subjektit të ri politik. Thonë se mungesa e reformave në parti dhe rrethimi i Ahmetit me struktura kriminogjene i ka detyruar të kthejnë “faqe të re”. Adili thotë se partia e re do të jetë qytetare, në të nuk do dominoj koncepti etnik dhe do jetë e hapur për të gjithë. Edhe pse në subjektin e ri mediumet tashmë i vendosën edhe deputetin Rafiz Aliti, sekretarin organizativ të BDI, Hazbi Lika dhe kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari, iniciatorët mohojnë participimin e tyre.

Vlimet në BDI kanë histori më të gjatë, edhe pse simptomet e para publikisht dolën në hapësirë vitin e kaluar. Atëherë, tre deputet refuzuan të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese, ndërsa mospajtimet veçanërisht dominuan gjatë zgjedhjeve për degët lokale. Për shkak të gjendjeve në parti, dorëheqje dhanë disa funksionarë, ndërsa pakënaqësia eskaloi pas incidentit në Kumanovë, me ç’rast u vra njëri nga kandidatët për kryetar të degës. Përveç Ahmetit, cak i kritikave në mënyrë permanente ishin Musa Xhaferi, Teuta Arifi, Abdilaqim Ademi dhe disa funksionarë tjerë partiak.

Ahmeti i brengosur

Në BDI sot askush nuk dëshiron publikisht të flas për gjendjen brendapartiake. Udhëheqësia është e pakapshme, ndërsa nga Qendra për informim e BDI shkurtë përgjigjen se deri tani nuk kanë marrë asnjë informatë që ndonjë nga anëtarët është tërhequr nga anëtarësimi. Por, sipas burimeve partiake të cilat dëshirojnë të ngelin anonime, me deklaratën e këtillë në fakt mbulohet nervozizmi që mbisundon në BDI.

“Ahmeti është tepër i brengosur. Ai është i vetëdijshëm se gjërat po i dalin nga kontrolli. Personalisht ka qenë i informuar nga iniciatorët për qëllimin e tyre, pasi nuk i është përgjigjur kërkesave të tyre për reforma në parti dhe sugjerimeve për t’u përshëndetur me personat me hipoteka kriminogjene, të cilët me vite mbajnë funksione të larta partiake dhe e kanë uzurpuar BDI-në për qëllime personale. Pasi nuk arritën të imponojnë nismë për ndryshime, ata vendosën të formojnë parti të re”, shpjegon burimi partiak, i cili planifikon të mbetet në partinë amë, me shpresë se prapë aty do të ndoshin ndryshime. Sipas tij, në parti momentalisht ekziston mosbesim i madh, sepse askush nuk e dinë nëse bisedon me anëtar të besueshëm të BDI ose me anëtar potencial të partisë së re. Për këtë shkak, Ahmeti sërish e më tepër “është mbyllur” në rrethin e njëjtë të ngushtë me figura partiake, të cilët kanë qenë arsyeja kryesore për epilogun e këtillë.

Edhe anëtarë tjerë partiak pohojnë se “vlon në parti”. Pranojnë që edhe vet në fillim nuk kanë qenë të sigurtë nëse bëhet fjalë për përçarje autentike ose Ahmeti në mënyrë të planifikuar krijon “parti rezerve”. Por, tani janë të sigurt se bëhet fjalë për nismë autentike. Sipas informatave të tyre, gjendja e këtillë ka shkaktuar merakosje edhe tek partneri koalicionues i Ahmetit, Nikolla Gruevski, pasi me ndikim të dobësuar të BDI-së tek votuesit humbet edhe besueshmëria e Qeverisë, por edhe për shkak të frikës se “modeli” i këtillë mund të inkurajon pjesë nga anëtarët më të vjetër të VMRO-DPMNE të formojnë subjekt të ri partiak.

Lëvizje të reja

Kjo nuk është shenjë e vetme për lëvizje në skenën partiake. Ditëve të kaluara edhe biznesmeni Trifun Kostovski paralajmëroi formim të Lëvizjes si organizatë mbipartiake dhe multietnike, e cila do ofron koncept të ri për zhvillim shoqëror dhe ekonomik, dhe nuk përjashtohet mundësia që e njëjta të tejkalon në parti. Spekulohet që edhe disa parti më të vogla mendojnë të bashkohen në subjekt të ri të pozicionuar në qendër, për tu distancuar nga e majta dhe e djathta. Njëkohësisht, Këshilli qendror i Lëvizjes “Besa” ofroi platformë opozitare për formim të frontit të përbashkët opozitar me gjitha fuqitë progresive në vend, “që përfundimisht të mënjanohet struktura e BDI nga skena politike shqiptare në Maqedoni”.

“Kemi filluar iniciativë – domethënë pa asnjë prentendim për patronazh të Lëvizjes Besa, me qëllim të formimit të Këshillit mbipartiak ku Besa do jetë vetëm një nga subjektet e përfaqësuara, në përbërjen e të cilit do jenë më tepër subjekte politike opozitare, por edhe OJQ, intelektual, analist, biznesmen, artist, sportist, të gjithë që dëshirojnë ta shpëtojnë kombin nga kjo strukturë degraduese në Maqedoni. Për ne nuk ka rëndësi mënyra e formimit të listave për deputet ose kush do jenë emrat e pushtetarëve të ardhshëm, por është me rëndësi që me 24 prill 2016 të mbaroj kjo mënyrë e përfaqësimit politik të Shqiptarëve nga ana e BDI-së”, thonë nga Lëvizja, duke shtuar se të gjithë janë të gatshëm para përgjegjësisë historike për shpëtim të kombit dhe fitores mbi krimin, korrupsionin dhe tradhtinë.

Varësisht nga ajo çfarë modeli zgjedhor do zgjedhin partitë firmosëse të Marrëveshjes nga 2 qershori, për të cilin ende bisedohet në mënyrë aktive në grupin punues, së shpejti do qartësohet nëse edhe subjekte tjera partiake do mbijnë në periudhën e tranzicionit dhe sa me këtë do çregullohet dominimi i “katërshes” së tanishme./DW

Kurti tregon kur do ta njoh Serbia pavarësinë e Kosovës

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Televizionin Shqiptar, ka folur për humbjet e mëdha territoriale, që sipas tij, do t’i pësojë Kosova me Asociacionin e Komunave
Kurti ka deklaruar se Asociacioni është i ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë dhe se Kosova vazhdimisht që nga paslufta është copëtuar.

“Produkti ynë çlirimtar po gjymtohet tërë kohën. Serbia ndoshta do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por pasi që Kosova ta njohë Serbinë brenda Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

“Politikanët tanë janë servilë ndaj ndërkombëtarëve, por edhe ndaj Serbisë. Ata kanë ambicie të mëdha individuale, por shumë të vogla në aspektin kombëtar”, tha ish-lideri i VV-së.

Kurti ka deklaruar se ka ardhur koha kur shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë, duhet të fillojnë ta shohin vetën si pjesë të një kombi.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të fillojnë ta parafytyrojnë vetën si pjesë të një kombi. Besoj edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, populli është shumë më tepër për bashkim shqiptar, sesa janë elitat politike. Prandaj udhëheqësit tanë duhet ta ndjekin popullin në këtë rast, s’kanë nevojë t’i prinë atij, ka deklaruar Kurit.

Ai tha se shqiptarët më nuk kanë nevojë për aleat të ri, por për krijim aleancash me aleatët ekzistues.

“Ne nuk kemi nevojë për aleatë të ri, SHBA, Gjermania dhe Turqia, këta janë aleatë. Në Ballkan mund të kemi aleat, Bullgarinë, Kroacinë dhe Bosnjën”.

“Por ne kemi nevojë për aleancat të reja, ushtarake, ekonomike. Cili është kuptimi që jemi aleat me SHBA-të dhe nuk kemi mundur të negociojmë për të pasur ushtri”, tha ai. (rtk)

Përplasje e pikëpamjeve amerikane dhe ruse në OKB

obama putinPresidenti amerikan Barak Obama dhe Presidentin rus Vladimir Putin prezantuan pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me mënyrat për të zgjidhur konfliktin katër vjeçar në Siri.

Para takimit që dy udhëheqësit pritet të zhvillojnë më vonë të hënën, zoti Obama tha në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se pas gjakderdhjes dhe kasaphanës që ka përjetuar Siria, ky vend nuk mund të rikthehet në status-kuonë e para luftës. Ai bëri thirrje për një “tranzicion të menaxhuar” për të larguar nga pushteti Bashar al-Assadin.

Por udhëheqës rus Vladimir Putin, i cili foli para Asamblesë së Përgjithshme për herë të parë në një dekadë, paralajmëroi se do të ishte gabim i madh të anashkalohej qeveria e Assadit në luftën kundër ISIS.

Zoti Obama tha se nuk ka “zgjidhje të lehta” për konfliktin në Siri, por theksoi se duhet të përdoret diplomacia “për të arritur një marrëveshje që populli sirian të mund të jetojë në paqe”. Ai e sulmoi Assadin si një udhëheqës “që hedh bomba mbi popullin e tij”.

“Katastrofa si Siria nuk ndodhin në vende ku ka një demokraci të vërtetë,” tha zoti Obama. Ai bëri thirrje për bashkëpunim global për të zgjidhur konfliktet në botë.

Por zoti Obama u doli gjithashtu në mbrojtje forcës ushtarake amerikane dhe fushatës së Shteteve të Bashkuara kundër ISIS në Irak dhe Siri.

Zoti Obama kritikoi Rusinë për aneksimin e Krimesë dhe rolin e saj në mbështetje të separatistëve që veprojnë në Ukrainën lindore. Udhëheqësi amerikan u doli në mbrojtje sanksioneve kundër Moskës, si një reagim i dokosdoshëm ndaj situatës në Ukrainë. (voa)