Kosova në Raportin e Progresit

Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Kosovën, ku vlerësohet nënshkrimi i MSA-së, ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale si dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.

HahnKomisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën thotë se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, është përmbyllur harta e MSA-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në raport thuhet se marrëveshja e MSA-së, Kosovë-BE, është një ngjarje e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt së ardhmes evropiane. Komisioni Evropian publikon një herë në vit Raporte Progresi për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë. Me këtë raport, vlerësohet përparimi i këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcaktohen edhe detyrimet. Raportin e Progresit e publikoi në një konferencë për media në Bruksel(10.11), komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.

Kriteret politike

“Kosova ka përmbushur dy prej angazhimeve kryesore ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës ka votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara në gusht, duke përmbysur dështimin e parë për të kaluar në votim gjatë qershorit. Dhomat do të ndjekin penalisht rastet e lidhura me akuza për trafikim të organeve njerëzore. Kosova ka konfirmuar gjithashtu përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke arritur kështu marrëveshje me Beogradin për çështjet si energjia, telekomi, ura e Mitrovicës dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Seancat e fundit të dhunshme plenare të opozitës kanë ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit. Por kjo duhet të zgjidhet urgjentisht”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se në Kosovë shumë institucione të pavarura dhe autoritete rregullatore nuk janë funksionale. Prandaj në këtë linjë qeveria ashtu dhe kuvendi duhet të sigurohen urgjentisht, që këto institucione të mund të kryejnë detyrat e tyre, duke zbatuar parime kryesore kyçe të llogaridhënies, kualifikimit profesional dhe meritës.

“Qeveria ka rritur fokusin e saj në reformën e administratës publike. Është bërë progres në kornizën ligjore dhe strategjike, por llogaridhënia dhe efikasiteti duhet të përmirësohen. Konsultimet me shoqërinë civile duhet të jenë më sistematike. Mbikqyrja parlamentare e implementimit të buxhetit duhet të jetë e besueshme dhe transparente. Menaxhimi i shëndoshë financiar rreth institucioneve publike duhet të sigurohet”, thuhet në raport.

Sundim i ligjit

Duke folur për sundimin e ligjit, në raport thuhet se “sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e llogaridhënies dhe resurseve dhe i nënshtrohet ndërhyrjes politike”. Krimi i organizuar gjithashtu vlerësohet se mbetet çështje shqetësuese.

Kriteret ekonomike

Niveli shumë i ulët i pjesëmarrjes së fuqisë punëtore së bashku me papunësinë e lartë po pengojnë zhvillimin ekonomik. Rekomandimet e Këshillit për Programin e parë të Reformës Ekonomike të Kosovës duhet të ndiqen me vëmendje. Rritja ekonomike ka rënë në 0.9% nën mesataren dhjetëvjeçare të 3.5% kryesisht si pasojë e pasigurisë politike dhe konsumit të ulët privat. Deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe mungesës së konkurrencës ndërkombëtare. Një sektor joefikas dhe hartimi ad hoc i politikave fiskale përbëjnë rreziqe të mëdha fiskale. Por për të rritur konkurrencën, nevojiten investime të mëtejshme në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturës fizike. Ndërhyrja politike në ekonomi duhet të reduktohet.

Standardet evropiane

“Kosova është në një fazë të hershme të përafrimit në shumicën e fushave. Është bërë përparim në prokurimin publik, por Kosova duhet të forcojë kapacitetet e organeve të saj të prokurimit publik. Për sa i përket kontrollit financiar, është bërë progres i mirë, por përpjekjet e konsiderueshme janë të nevojshme për të siguruar kontroll të shëndosh të brendshëm financiar publik në gjithë administratën publike dhe në ndërmarrjet shtetërore. Në zonat e tjera të përafrimit, institucionet e Kosovës kanë demonstruar kapacitet e tyre për të ofruar prioritete politike, veçanërisht për sa i përket përgatitjes për zbatimin e MSA-së”.

“Kosova vazhdon të zgjerojë pjesëmarrjen e saj në aranzhime rajonale dhe multilaterale të bashkëpunimit. Çështja e statusit të saj kërkon adoptimin e një qasjeje të durimit pragmatik. Përkushtimi i vazhdueshëm karshi dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë, vazhdon të jetë prioritet”, thuhet mes të tjerash në raport.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, tha në fund se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë zhvillim ekonomik dhe sundim ligji. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës akoma nuk janë deklaruar rreth raportit të progresit për faktin që ata me datën 10.11 e pranuan zyrtarisht Raportin e Progresit nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar. (dw)

Raporti i progresit: rekomandim i kushtëzuar për Maqedoninë

Maqedonia mori rekomandimin për të shtatën herë nga Komisioni Evropian për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kusht zbatimin e plotë të marrëveshjes së Përzhinës.

beDuke e paraqitur Strategjinë për zgjerim për vitin 2015, komisioneri i  BE për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, në pjesën për Maqedoninë  konfirmoi, se ka rekomandim të ri me kushtin e pritur. “Për avancimin e arritur deri tani, zbatimi i marrëveshjes së Përzhinës është i rëndësishëm dhe Komisioni Evropian propozon hapjen e negociatave me Maqedoninë nën kushtin që të zbatohet  marrëveshja e korrikut dhe urgjentisht të fillohet me masat e reformave të rekomanduara nga KE-ja”, ka deklaruar Hahn.

Sipas eurokomisarit në Maqedoni ka nivel të lartë të harmonizimit me legjislativën evropiane, por është dëshmuar se qëndrimi politik është i rrezikuar për shkak të implikimit politik dhe korrupsionit. “Në korrik është arritur marrëveshje politike, ku kanë ndërmjetësuar eurodeputetët . Liderët politikë në vend duhet të jenë koshientë, se cilat janë prioritetet për reforma urgjente. Nevojitet që të përfundojë edhe analiza e hollësishme e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa masa shtesë për besim nevojiten mes bashkësive etnike”, është shprehur Hahn.

Komisioni Evropian adreson vërejtje të caktuara

Në raport progresin e Komisionit Evropian  theksohet se sfidat serioze, të cilat kanë qenë dhe në vitet e mëparshme, tani janë më të theksuara dhe kjo që nga kriza më e rëndë politike në vend e vitit 2001, me komunikimet e përgjuara në të cilat siç shihet janë të përfshirë funksionarë të lartë shtetërorë, që tregon shkelje e të drejtave themelore të njeriut, përzierje në pavarësimin e gjyqësorit dhe lirinë e mediave.

Mbetet shqetësimi për politizim e administratës publike, ende zhvlerësohen edhe kriteret për përparim në karrierë. Është ulur besimi publik në funksionimin e institucioneve. Lidhur me luftën kundër korrupsionit është arritur përparim i caktuar. Ajo megjithatë në mënyrë të caktuar ishte zbehur nga mungesa e vullnetit politik dhe përzierja politike në punën e trupave relevante veçanërisht për rastet në nivel të lartë. E domosdoshme është të vendoset shqyrtim efikas i rasteve të korrupsionit veçanërisht në nivel të lartë. Në raport thuhet se situata ndëretnike ngelet e brishtë. Në pikat kyçe nga raporti për Maqedoninë Komisioni konkludoi se procesi i integrimit të vendit është në një moment kritik.
“Çështja e emrit akoma nuk është zgjidhur. Ruajta e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë edhe arritjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme për çështjen e emrit, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, mbetet me rëndësi esenciale”, theksohet në raport.
BDI: Raporti dokument udhërëfyes

Bashkimi Demokratik për Integrim e mirëpret Raportin e progresit si një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e integrimeve, ngritjes së vlerave demokratike dhe përparimin e vendit. Sipas BDI-së, raporti është një dokument objektiv i cili do të shërbejë në zbatimin e reformave të mëtejshme në procesin e integrimit evropian.

“Marrëdhëniet ndërfqinjësore duhet të promovohen në vazhdimësi duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit. Gjithashtu, vëmendje e veçantë në të ardhmen do t’i kushtohet përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike duke përfshirë edhe Analizën e Implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagimin e BDI-s

LSDM: Rekomandimin e shpëtuam

Bashkë me qytetarët arritëm të mbajmë proceset eurointegruese të Maqedonisë, të vëna seriozisht në pikëpyetje nga politikat e qeverisë aktuale, ka njoftuar LSDM pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, ku rekomandimi kushtëzohet me respektimin e marrëveshjes së Përzhinës. “Rekomandimi i BE-së për fillim të negociatave për fat të keq është i kushtëzuar, pasi Brukseli nuk i beson më Nikolla Gruevskit. Marrëveshja e Përzhinës është mënyrë më e mirë që t’i jepet fund krizës politike. Evropa dëshiron Maqedoni me vlera evropiane”, thuhet mes të tjerash në reagimin e opozitës maqedonase. (dw)

Ushqim që sëmur në mbarë botën

Gjithmonë e më shumë njerëz në botë ushqehen në mënyrë të pashëndetshme – 800 milionë vuajnë nga uria, 2 miliardë ushqehen jo mjaftueshëm, 2 miliardë janë mbi peshë, me pasoja në rritje për sistemet e shëndetësisë.

mbipeshaMalri 5-vjeçar nga Tanzania është tepër i shëndoshë. Për nënën e tij, Fadhila, ky nuk përbën ndonjë shqetësim. „Ne të gjithë jemi pak të mbushur. Është karakteristikë e familjes sonë“, thotë Fadhila, e cila vetë është mbi peshë.

Familja jeton në një zonë fshatare të varfër në distriktin e Kilimanxharos. Malri ha kryesisht yndyrna dhe karbohidrate – zarzavatet dhe frutat janë shpesh tepër të shtrenjta për familjen, tregon nëna e tij. Indeksi i masës trupore (body-mass-index – BMI) i 5-vjeçarit është mbi 30, duke e bërë atë pjesë të grupit gjithnjë e në rritje të njerëzve në mbarë botën, të cilët rrezikohen për shkak të mbipeshës së theksuar apo obezitetit. Mbi peshë janë ata që kanë një BMI mbi 25. Mbipesha që konsiderohet si sëmundje dhe që ndyshe quhet obezitet, fillon me një BMI të shkallës 30.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 2,5 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të obezitetit. Në krahasim me ata që kanë peshë normale, njerëzit që si rregull ushqehen me shumë kalori dhe pak vlera ushqyese, si dhe të cilët kanë një mbipeshë të theksuar, janë shumë herë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve si diabeti dhe shqetësimeve në sistemin e qarkullimit të gjakut apo llojeve të ndryshme të kancerit. Ndërkohë OBSHkonsideron se që sot mbipesha dhe obeziteti shkaktojnë më shumë vdekje se uria.

Barrë e dyfishtë për shkak të urisë dhe mbipeshës

Vendlindja e Malri-t bën pjesë në ato vende të cilat kanë një problem të dyfishtë me të ushqyerit. Për shkak të numrit të madh të njerëzve që ushqehen në mënyrë të pamjaftueshme, Indeksi Global i Urisë e cilëson situatën „serioze“. Njëkohësisht në Tanzani po rritet numri i njerëzve të sëmurë nga mbipesha.

Vendet emergjente si Kina dhe Meksika e kanë ulur me sukses nivelin e urisë në vitet e fundit, por atje është rritur njëkohësisht numri i njerëzve mbi peshë. Kjo nuk është e pazakontë për vendet në të cilat mënyra e të ushqyerit po shkon drejt konsumimit të ushqimeve tejet të përpunuara dhe me shumë kalori, siç ofrohen këto nga korporatat e mëdha ndërkombëtare në mbarë botën, sqaron Roman Herre. Experti agrar punon për organizatën e të drejtave të njeriut FIAN dhe sjell një shembull nga Filipinet: „Makaronat e çastit blihen kryesisht nga të varfrit, sepse ato janë pak më të lira se orizi vendas. Por pyetja që shtrohet është se sa vlera ushqyese ka në makaronat e çastit dhe sa në orizin e kultivuar në vend“.

E drejta e njeriut për t’u ushqyer mirë

Përveç luftimit të urisë, edhe përmirësimi i të ushqyerit dhe bujqësia e qëndrueshme janë pjesë e objektivave të reja për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, e objektivave për zhvillim të qendrueshëm (Sustainable Development Goals – SDGs). Prandaj për organizatën FIAN, e cila angazhohet në nivel ndërkombëtar sidomos për të drejtën e njeriut për ushqim, ka ardhur koha që në axhendën ndërkombëtare të përfshihet jo vetëm fenomeni i urisë, por edhe cilësia e ushqimeve:

„Pikërisht nëse çështja e të ushqyerit shihet nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe kur pyetja që shtrohet, është se çfarë përmban saktësisht e drejta e njeriut për ushqim, atëherë bëhet fjalë edhe për të drejtën e njeriut për ushqim cilësor“, thekson Roman Herre.

harta e uriseGrafiku i Indeksit Global të Urisë 2015

Krahasimi i dy hartave botërore bën të qartë se të ushqyerit në mënyrë të pamjaftueshme eshtë një problem global. Indeksi Global i Urisë aktual tregon përmes toneve të ndryshme të ngjyrave situatën e tashme të urisë në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion. Vendet industriale mbeten të bardha, pasi atje uria nuk përbën problem. Por pikërisht atje, numri i obezëve është veçanërisht i lartë, prandaj dhe në hartën e OBSH-së mbi obezitetin vendet industriale shfaqen me tone të errëta të ngjyrës së kuqe apo portokalli.

harta e adipositasHarta botërore e Adipositas

Sipas OBSH-së, p.sh. një e treta e amerikanëve janë ekstremisht mbi peshë. Në Evropë, në varësi të vendit, një në pesë apo katër njerëz janë mbi peshë.

Edhe në vendet e industrializuara, të kequshqyerit nga pikëpamja e mbipeshës është një problem i varfërisë dhe i arsimimit. Nese p.sh. në Azi janë makaronat e çastit, ato që çojnë në një gjendje të keqe përsa i përket të ushqyerit, qytetarët e varfër në vendet e industrializuara ushqehen kryesisht me produkte të tjera të gatshme, me përmbajtje shumë të lartë yndyrnash, sheqeri dhe kripërash, si p.sh. hamburger, patate të skuqura ose panine me kremviçe, apo produkte të gatshme si supra në qese, bukë për thekje ose pica të ngrira. Rezultati: Shumë njerëz në mbipeshë, që njëkohësisht ushqehen me mangësi, pasi marrin shumë pak vlera ushqyese.

Të ushqyerit është çështje e fëmijëve

Vlerat e pakta ushqyese janë edhe një çështje e së ashtuquajturës „uria e heshtur“, e cila prek rreth 2 miliardë njerëz në mbarë botën, sqaron Andrea Sonntag, koordinatore për politikën e të ushqyerit të organizatës joqeveritare gjermane „Ndihma për Urinë në Botë“. „Unë ndihem e ngopur dhe ndoshta as që e vë re se jam e uritur, pasi kam marrë pak vlera ushqyese të rëndësishme“, kështu i përshkruan Sonntag pasojat e një ushqyerjeje, e cila qëndron kryesisht në marrjen e kalorive. Rrjedhojat janë shkatërrimtare – sidomos për fëmijët, sepse mungesa e lëndëve ushqyese në fëmijëri ka pasoja për tërë jetën. „Trupi sëmuret më shpejt dhe nuk zhvillohet siç do të ishte zhvilluar një trup i shëndetshëm. Kjo nuk mund të rikuperohet më në vitet e mëvonshme, edhe nëse fëmijët, më vonë të rritur tashmë, do të ushqeheshin mirë“, vëren Sonntag.

Problemi botëror i të ushqyerit

Numrat flasin vetë: Në mbarë botën, 2 miliardë njerëz ushqehen me mangësi dhe po aq janë mbi peshë. Pra thuajse një e treta e njerëzve sot ushqehen në mënyrë të gabuar – me pasoja negative jo vetëm për shëndetin vetjak por edhe për sistemet kombëtare të shëndetësisë dhe për ekonominë. Kështu Shoqëria Gjermane e Obezëve vlerëson se obeziteti, deri në 2020-ën, do t’i kushtojë sistemit gjerman të shëndetësisë mbi 25 miliardë euro në vit. Ekspertët flasin për një „epidemi të obezitetit“ në Gjermani, pasi tashmë më shumë se gjysma e gjermanëve janë mbi peshë ose obezë.

Shkaku kryesor: një mënyrë jetese jo e shëndetshme, me pak lëvizje e kalori të tepërta. Kjo mënyrë jetese duhet marrë seriozisht si në vendet e varfra ashtu edhe në ato të pasura. Ndërkohë që masa e njerëzve që kequshqehen dhe janë mbi peshë rritet, shtohen sfidat për sistemet globale të shëndetësisë. (dw)

 

Kuvend, seancë për miratimin e ligjeve të ‘Përzhinos’

kuvendi mkKuvendi ka thirrur seancë plenare ne të cilën do të diskutohen ligjet nga Marrëveshja e Përzhinos. Ne rend dite janë Komisioni Anketues për përgjimet, Kodi i ri Zgjedhor, ndryshimi i Kodit Penal, ligji për mbrojtjen e privatësisë, ligji për mbrojtjen e informatorëve dhe propozim ndryshimi i ligjit për punën e qeverisë.

Ndërkohë nuk dihet saktë nëse gjatë kësaj seancë do të votohen edhe ministrat e rinj. (alsat)

 

Bozhinovski rrëfen montimin e rastit “Monstra” nga VMRO-BDI

Gazetari maqedonas, Zoran Bozhinovski thotë se rasti “Monstra” është montuar në regji të përbashkët me partitë e regjimit VMRO-DPMNE dhe BDI.

“Kur ndodhi vrasja e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, sipas një rregulli të pashkruar, i pari fillova një hulumtim gazetaresk, i pari publikova që në paraburgim ndodhen njerëz që i ka zgjedhur BDI dhe DPMNE, që të fajësohen për diçka që nuk e kanë kryer. Hetimi, më konkretisht duhet të kthehet në drejtim të kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovskit dhe koncesionerit të liqenit të Smillkovës, partner kriminaliteti në biznes. Dhe e dyta, e gjithë policia maqedonase, me dhe pa e uniformë, tre ditë para vrasjes së pesëfishtë ka qenë e  mobilizuar dhe e shpërndarë rreth e rrotull duke e mbuluar gjithë terrenin e vendndodhjes së vrasjes, gjë që tregon se  nuk ka pasur shans as një pulë të fluturojë pa u hetuar, e jo më vrasja e pesëfishtë”, thekson ai.

Sipas tij, ky rastë sot është realtivizuar nga mekanizmat e qeverisë aktuale.

“Sa për informatat e mia për rastin Monstra, sot janë të parëndësishme. Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, MPB, DPMNE dhe BDI, e kanë relativizuar si rast duke lejuar të shkruhet dhe thuhet gjithçka për të, ndërsa njerëzit po kalben në burg. Dhe unë u tërhoqa. Po pres që Zaevi të publikojë të vërtetën për këtë rast, që me duhet ta them, është shumë e dhimbshme dhe eksplozive. Kështu morra vesh nga njeri i afërt i tij…”është shprehur Bozhinovski. (INA)

UNESCO, Serbia e lumtur. Vuçiç: Nuk jemi përulur

Serbia është e lumtur për mos pranimin e Kosovës në UNESCO si një betejë e vështirë e fituar. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia nuk është përulur dhe është e rëndësishme që nuk ka humbur.

Ai theksoi se megjithatë me Kosovën duhet vazhduar dialogu.

“Një thënie e vjetër thotë se ‘mendjemadhësia është armiku më i madh i fitores’. Por, dua të them që ne nuk duam të shesim mend dhe se nuk do gjuajmë me gur kur ata na gjuajnë. Ne duam dialog dhe paqe në rajon”, deklaroi kryeministri Vuçiç.

Shefi i diplomacisë serbe me batuatat e stripave të Alan Ford tha se ai që do të fitojë nuk duhet të humbë. Duke porositur Kosovën të mos ëndërrojë, Daçiç tha se ky ishte një test edhe për mundësinë e një ulëseje të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Dua të falendëroj ata që treguan se nuk janë tamam miqtë tanë. I uroj të gjithë që luftuan në luftën tonë pasi ajo ishte çdo ditë dhe natë”, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiç.

Zyrtarët serbë thanë se është bërë një luftë e ashpër për ta pamundësuar anëtarësimin e Kosovës.

Presidenti Tomislav Nikoliç tha se është “një fitore në kushte të pamundura dhe falëndëroj qytetarët që besuan se do ta mbronim Kosovën”.

/ Top Channel

Dueli i heshtur, nga deklaratat Rama-Meta, tek dorëheqja e Naços

rama metaVetëm 5 ditë me parë, kryeministri Edi Rama deklaroi në Top Story se nuk besonte te rifreskimi i qeverisë. “Rifreskim bëjnë vetëm mazhorancat që ndryshojnë ekuilibrat e brendshëm”, shtoi ai,  jo pa tone nervoze për të njëjtën pyetje që i bëhej prej muajesh: ndryshimet e mundshme në Qeveri.

Kjo ishte pyetja që ndoshta ka marrë më shumë kryeministri veçanërisht pas kthimit nga SHBA në shtator, kohë në të cilën u fol për një marrëdhënie të ftohur mes tij dhe aleatit Ilir Meta, për të cilën nuk pati pak kontribut dhe ky i fundit me deklaratat evazive.

“Nuk keni dëgjuar gjë akoma, pak më vonë do të dëgjoni çudi të mëdha për shtypjen e opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaronte Ilir Meta nga Çorovoda, si kundërpërgjigjie ndaj akuzave të opozitës.

Pavarësisht se askush nuk e konfirmoi zyrtarisht, në takimin e parë mes Metes dhe Ramës pas kthimit të këtij të fundit nga SHBA, u fol për një kërkesë të kreut të LSI-së, Ilir Meta për ndryshime në qeveri. E njëjta kërkesë u tha se ishte bërë edhe në takimin e tyre të dytë, pas të cilit Ilir Meta paralajmëroi qëndrimin pro ndryshimeve në qeveri, ndërsa jozyrtarisht u aludua edhe për kushte të vendosura prej tij për lëvizje të ministrave socialistë në kabinet.

“Ne gjithmonë kërkojmë impulse të reja qeverisëse, kërkojmë standarde më të larta të qeverisjes. Sa u takon ndryshimeve, ja kemi lënë nismën kryeministrit”, deklaronte Meta.

Ndërsa Ilir Meta ishte ai që lëshonte sinjale dhe më pas i mohonte, kryeministri Edi Rama ishte më i qëndrueshëm në mohimin e ekzistencës së bisedave me aleatin e tij për ndryshime në qeveri, duke i cilësuar shpesh si shpikje të gazetarëve.

“Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj thoni që ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që është shpikur nga ju”, tha Rama.

Ndërsa Ilir Meta vijoi të mbajë të njëjtin qëndrim.

“Është pyetje që i takon kryeministrit Rama”, do të përgjigjej ai një pyetjeje për ndryshimet në qeveri.

Deklarimet, shpesh të papërputhshme të Ramës dhe Metës për ndryshimet në qeveri, u lexuan si kërkesa të kreut të LSI-së për ndryshime dhe rezistencë e kryeministrit ndaj tyre. Në këto kushte erdhi edhe dorëheqja e Nasip Naços për arsye personale, një krizë e vogël, që u mbyll shpejt me zëvendësimin në kohë rekord të Naços, por koha do të tregojë nëse kjo ishte një përpjekje e parë e pasukseshme e aleatit më të vogël për të provokuar një manovër më të thellë ndryshimesh në qeveri apo thjesht një incident i veçuar rastësor i një ministri rastësisht i LSI-së që kërkoi largimin vërtetë për arsye vërtetë personale.

/ Top Channel

Detajet e progres-raportit: Përparim i qëndrueshëm; për 5 prioritetet, problem drejtësia

PRITJA-E-RAPORTINga burime konfidenciale në Bruksel, Top Channel mëson se Komisioni Europian pritet të vlerësojë se Shqipëria, në përgjithësi, ka shënuar “progres të qëndrueshëm” drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe njeh “angazhimin në nivel të lartë” e “përpjekje sistematike” për kryerjen e reformave.

Por, për të gjitha fushat, raporti i progresit do të përsërisë domosdoshmërinë e zbatimit me “gjurmë të besueshme provash” dhe “rezultate të konsoliduara”, veçanërisht për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Theksi do të vihet tek përmbyllja e reformës në drejtësi dhe mbi të drejtën e pronës. Megjithëse nuk përmendet fjala “dekriminalizim”, Komisioni Europian vlerëson në kriterin politik se “janë ndërmarrë hapa për të propozuar ligj mbi përjashtimin e të dënuarëve për krime nga postet publike”, ndërsa do të konsiderojë se “zgjedhjet lokale të 21 Qershorit qenë një mundësi e humbur për të përjashtuar nga listat elektorale kandidatët me të dhëna kriminale në të kaluarën”.

Në tërësi, zgjedhjet e fundit lokale “u mbajtën pa incidente të mëdha”, por Brukseli do të përsërisë shqetësimin mbi “paanshmërinë dhe profesionalizmin” e autoriteteve zgjedhore, si dhe “nevojën për të trajtuar politizimin në përgjithësi të procesit elektoral” dhe problemet e hasura, përmes “rezultateve konkrete në ndjekjen e rekomandimeve” të OSBE-ODIHR.

Funksionimi i Parlamentit do të njoh “njëfarë progresi” me përmirësimin e transparencës së procesit legjislativ. Në vlerësimin e dialogut politik do të kujtohet marrëveshja e Dhjetorit 2014, por duke kërkuar “përpjekje më sistematike për të tejkaluar kulturën përçarëse politike dhe për të siguruar një dialog më konstruktiv ndërpartiak”.

Ndër prioritetet kyçe, “progres i mirë” pritet për reformën e administratës publike, ku kërkohet që të vijojë demonstrimi për një rekrutim transparent e të bazuar mbi merita, të përmirësohet koordinimi sektorial, mekanizmat e monitorimit të performancës, mbledhja dhe informimi i të dhënave të besueshme për zbatimin e ligjit për nëpunësit civil, si dhe forcimi i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Reforma në drejtësi, prioriteti i dytë kyç i KE-së, do të vlerësohet me “njëfarë progresi”, megjithëse në këtë kapitull, vendi pritet të konsiderohet “në fazë fillestare të përgatitjes”. Pas vlerësimit për formimin e komitetit parlamentar “ad hoc” për reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, do të përmendet nevoja për të trajtuar problemet që lidhen me pavarësinë, llogaridhënien dhe efiçencën e sistemit të drejtësisë, me sigurimin e të dhënave, si dhe mbetet plotësimi i vendeve vakante për Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, menaxhimi elektronik i veprimtarisë së gjykatave dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, përfshirë publikimin e tyre në kohë.

“Njëfarë progresi” pritet dhe për prioritetin tjetër kyç të luftës ndaj korrupsionit, ku vendi ka “njëfarë niveli të përgatitjes”. Por, pritet të përsëritet, si në të kaluarën, se “korrupsioni mbetet i gjithëpërhapur”, ka pak raste të konfiskimit të pasurive dhe konsiderohen “të kufizuara” gjurmët e provave për hetimet, ndjekjet dhe dënimet, që rezultojnë të ulta, veçanërisht për zyrtarët e nivelit të lartë. Në këtë kuadër, kryesisht, Brukseli kërkon të sigurohet një qasje e drejtpërdrejtë në sistemin e të dhënave, gjurmë provash të qëndrueshme dhe forcim të efiçencës së hetimeve.

Njëjtë (“njëfarë progresi” e “njëfarë niveli të përgatitjes”) pritet të vlerësohet dhe prioriteti kyç i luftës ndaj krimit të organizuar. Vlerësohen veprimet e policisë në goditjen e krimit të organizuar, veçanërisht ndaj trafikut të drogës, por Shqipëria mbetet vend origjine për trafikun e qenieve njerëzore, i cili shënon një rritje të lehtë krahasuar me të kaluarën. Ndërkohë që vendi “është prekur nga fenomeni i luftëtarëve të huaj” dhe “radikalizimi”, vlerësohet rritja e bashkëpunimit ndërkombëtarë, por kërkohet një përfshirje më e gjerë e shoqërisë civile dhe e komuniteteve fetare.

Megjithë progresin e arritur në këtë prioritet kyç, pritet që vendit t’i kërkohet të trajtojë shpeshtësinë e ulët për rastet e dënimeve përfundimtare, një reagim më të shpejtë të Prokurorisë pas aksionit goditës të policisë, dënimet e pakta për pastrim parash, financimin e partive politike, mungesën e një sistemi të dhënash, rritja e efiçencës së hetimeve mbi krimet e organizuara, të dëshmohet progresi për krijimin e rekordeve të besueshme të të gjitha fazave të procesit të goditjes së krimit nga policia tek gjykata, si dhe krijimin e politikave efektive për burimet njerëzore, përfshirë promovimin në bazë të meritës dhe procesin e transferimit në Policinë e Shtetit.

Legjislacioni për të drejtat themelore (prioriteti i fundit kyç) do të konsiderohet gjerësisht në përputhje me standartet e BE-së, por zbatimi në praktikë mbetet i “kufizuar” dhe “i pamjaftueshëm”. Edhe këtë vit, Komisioni Europian do të përsërisë rëndësinë e zbatimit të të drejtave të pronës dhe përmbylljen e procesit të regjistrimit, kompensimit dhe kthimit të tyre; trajtimin e të drejtave të minoriteteve, sidomos për romët dhe egjiptianët, si dhe forcimi i të drejtave të fëmijëve, përfshirë përmirësimin e drejtësisë për të miturit.

Në shumicën e kapitujve negociues, vendi pritet të konsiderohet me “njëfarë niveli të përgatitjes” ose me “përgatitje të moderuar”. Të drejtat e punëtorëve do të rezultojnë në një “fazë fillestare” dhe “pa progres” gjatë këtij viti.

Megjithëse dokumenti do të konstatojë si “të rrallë” kërcënimin fizik të gazetarëve, liria e shprehjes rezulton “pa progres” gjatë këtij viti dhe në këtë kapitull, vendit i njihet “njëfarë niveli përgatitës” për negociatat e anëtarësimit. Probleme has zbatimi i barabartë i ligjit mbi mediat, pavarësia e organeve rregullatore dhe e transmetuesit publik, përfshirë bordi drejtues i tij, si dhe transparenca për reklamat shtetërore.

Brukseli pritet të vlerësojë se në Shqipëri “mbizotëron toleranca fetare”, por shënon prishjen “në rrethana të paqarta” prej autoriteteve shqiptare të një kishe ortodokse më 12 gusht në Dhërmi.

“Nivel i mirë i përgatitjes” shkon për kapitullin 31, ku vendit do i njihet përputhja e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, por do të përsëritet se marrëveshja dypalëshe me SHBA-të për mosdorëzimin e shtetasve në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve vijon të jetë e papajtueshme me parimet udhëzuese relevante të BE-së.

Megjithëse njihet “njëfarë progresi” gjatë këtij viti, KE e konsideron të nevojshme përmirësimin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve. Vendi shquhet për pjesëmarrje aktive në Dialogun e Nivelit të Lartë e në Grupet e Përbashkëta të Punës, ndërsa vijon njësoj “zbatimin pa pengesa” të MSA-së.

Përgatiti: Arta TOZAJ

/ Top Channel

Kohë për protestë jo vetëm në Kosovë

albin kurtiIntervistë e Albin Kurtit dhënë për Opinion.al

1.A mund te konsiderohet i mbyllur aksioni i opozitës në Kosovë?

Jo. Opozita vazhdon të jetë e vendosur në qëllimet e saj për të ndaluar marrëveshjet e dëmshme për ‘Zajednicën’ e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi i cili ia fal atij 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Nuk do ta ndalim aksionin opozitar deri në momentin kur kryeministri të vendosë të tërhiqet, e nëse jo, do ta detyrojmë ta sjellë ligjin për referendum në Kuvend ose ta çojë vendin në zgjedhje. Që të rrojë Republika ose duhet të bjerë ‘Zajednica’ ose Qeveria. Nuk mund të ketë vijim të rutinës institucionale, a thua se asgjë s’ka ndodhur, ndërkohë që Kosovës i cënohet integriteti i saj territorial dhe e ardhmja e saj si shtet sovran. Është dashur që Kuvendi të jep leje për kryeministrin e Kosovës Mustafa me 25 gusht që ai të bisedojë më kryeministrin e Serbisë Vuçiq p.sh. me 11 shtator 2015. E jo anasjelltas: Mustafa të bisedojë, negociojë e të merret vesh me Vuçiqin me 25 gusht, ndërsa neve të thotë se me 11 shtator do të vijë për informim në Kuvend! Në një shtet demokratik edhe mund të mjaftojë debati, por në një vend gjysmë autoritar si Kosova, qartazi nuk bën pa aksione simbolike e demonstrata popullore. Në fakt, në shtetet demokratike as nuk vije një situatë si kjo e Kosovës tani.

 

  1. Çfarë kushtesh u plotësuan që tashmë seanca zhvillohet normalisht?

Nuk u plotësua ndonjë kusht. Vendosëm si opozitë që të lejojmë zhvillimin e seancës ku u votua MSA-ja mes Kosovës dhe BE-së. Ne ishim shumë kritikë ndaj kësaj MSA-je, pasi është tepër e ndryshme nga MSA-të e vendeve të tjera dhe e bën integrimin e Kosovës në BE të varur nga Serbia. Avionit Prishtinë-Bruksel, MSA-ja ia bën një ‘connecting flight’ në Surçin të Beogradit! Megjithatë,vendosëm të mos e bllokojmë këtë seancë, për t’i dhënë një sinjal të forte partnerëve perëndimorë të Kosovës se ne, si opozitë, po ashtu jemi të përkushtuar për marrëdhënie të mira me ta dhe për forcim të shtetit e të institucioneve në Kosovë. Agjenda jonë nuk është agjendë kundër integrimit.

Por, nuk mund të pranojmë gjithçka, ka vija të kuqe të cilat asnjë shtet nuk mund t’i shkelë sepse dëmton vetveten. Ky është edhe rasti ynë.

 

  1. Duket se virusi ‘veza’ preku dhe Shqipërinë. Është ky një frymëzim nga VV?

Të protestuarit nuk është virus apo sëmundje. Përkundrazi, është shenjë e shëndetit dhe e jetës në një shoqëri. Sipas meje shoqëritë ku nuk protestohet janë shoqëri të sëmura.

Të protestuarit me vezë apo gjëra të ngjashme fillimisht i kemi parë në televizione, nga vendet perëndimore. Edhe sot e kësaj dite ngjarje të tilla ndodhin në vendet të cilat i marrim shembull për demokracinë, qytetarinë dhe për zhvillimin e tyre. Kështu që, nuk është VETËVENDOSJE! ajo që shpik apo frymëzon, mendoj se shembuj protestash, me vezë apo edhe me gjëra të tjera, sidomos kohët e fundit, ka me shumicë në perëndim.

Sigurisht, nuk dua të them se protesta është gjithnjë e vetëjustifikueshme,apo që është një farë cirku demokratik. Protesta është mjet demokratik, por nuk është legjitime të protestosh për gjithçka e gjithnjë. Protesta legjitimohet vetëm atëherë kur pushteti nuk të dëgjon,nuk të përfshin, të përjashton dhe vendos për ty pa të marrë parasysh. Kjo p.sh. ka ndodhur në Kosovë, ku pushteti ka vendosur për këto dy marrëveshje kaq të dëmshme që prekin gjithë popullin e Kosovës, madje prekin edhe ata që ende s’kanë lindur, e megjithatë nuk e ka përfshirë në vendimmarrje as qytetarinë e gjerë, as opozitën parlamentare. Po flasim për kantonizim e federalizim sipas modelit të Bosnjës, e cila 20 vjet pas luftës vazhdon të jetë shtet i dështuar që pritet të pëlcasë. Një kantonizim e federalizim i tillë nuk mund të bëhet pa pyetur se ç’mendon populli. Normal që vendime të tilla despotike do të hasin në protesta, kjo do të kishte ndodhur kudo në botë dhe është tërësisht legjitime.

 

  1. Ka pasur akuza që disa nga aktivistët që u përfshinë në hedhjen e vezëve në Tiranë ishin të VV…

E kemi sqaruar se nuk ka pasur asnjë aktivist të VETËVENDOSJE!-s pjesëmarrës në atë akt. Po ashtu e kanë sqaruar vetë protagonistët, që nuk kanë pasur lidhje me VETËVENDOSJE!-n. Është e kotë të zgjatemi në sajesa e shpifje mediatike të nivelit të ulët, të cilat janë bërë me qëllimin e vetëm që të provokonin një mosmarrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë dhe VETËVENDOSJE!-s në mënyrë që pastaj të thoshin “ja, VETËVENDOSJE! ka probleme edhe me kryeministrin e Shqipërisë”. S’ke ç’komenton për lojëra të tilla, që as fëmijët nuk i luajnë më.

 

  1. A mund të krijohet një epidemi ‘hedhjesh vezësh’ si përpjekje për të luftuar

klasën politike në Shqipëri dhe Kosovë?

Edhe një herë, nuk më duket që ka ndonjë ‘epidemi’, madje nuk besoj se kjo është mënyra më e mirë për të etiketuar protestat. Ne shqiptarët jemi popull me kulturë përgjithësisht më konservatore, dhe si pasojë protestojmë shumë më pak se popujt e tjerë. Nëse sheh vetëm muajin e fundit,protestohet në Londër, në Lisbonë, në Athinë e Berlin. Në Shqipëri e Kosovë, po të gjykosh nga varfëria, nga mungesa e zhvillimit, nga mungesa e perspektivës, e po të krahasosh me Evropën, protestohet shumë pak. Kjo

tregon se jemi shoqëri ende e paçliruar, e nënshtruar, madje e ndrydhur, e cila prodhon dhe fuqizon pushtete autoritare. Kjo gjë i pengon demokracitë tona. Ndoshta protestat mund të jenë një lloj kritike e ashpër për udhëheqjet politike në vendet tona, por mungesa e protestave është një luftë ndaj demokracisë.

 

  1. Në Shqipëri grupimi që ndërmori këtë aksion njihet për qëndrimin pranë ekstremit majtas. Ndodh kjo dhe në Kosovë?

Shpeshherë pushtetet autoritare përdorin etiketa e kategorizime ndaj kundërshtarëve për t’i përjashtuar ata e për të mos iu përgjigjur argumenteve të tyre. Të tilla etiketa shpesh janë ato të ektremizmave  të djathtë e të majtë e kështu me radhë. Mua nuk më pëlqejnë këto etiketime,dhe mendoj se një politikë mendje hapur është ajo që dëgjon argumentin e

tjetrit, dhe jo ajo që përpiqet të kategorizojë tjetrin për ta skualifikuar.

Në Kosovë nuk ka parti ekstremiste. Lëvizja VETËVENDOSJE! është një parti socialdemokrate, e qendrës së majtë. Ka njerëz dhe grupime jashtë VETËVENDOSJE!-s që janë më të majtë se ne dhe që na kritikojnë përcentrizmin tonë, por nuk mendoj se ka ekstreme as midis tyre.

Kjo është edhe çështje e ideologjisë që i përket ai që kategorizon. Sigurisht, të kërkosh arsim të lartë publik edhe falas sot, për një neoliberal dogmatik, mund të duket ekstremizëm. Por në fakt është një kërkesë tipike socialdemokrate, kejnsiane apo neokejnsiane .Arsim të lartë publik falas sot ka edhe Gjermania, edhe vendet skandinave. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk mund të quhet “ekstrem i majtë”, nëse duam të ruajmë njëfarë serioziteti në përdorimin e termave. Por për fanatikët e neoliberalizmit, ekstrem është gjithçka që nuk përkon me dogmën e tyre.

 

  1. Është kjo një nga mënyrat e bashkëpunimit mes shqiptarëve mes dy kufijve?

Të protestuarit është një nga mënyrat e të qenit europian. Të shtypurit e protestave, frikësimi i protestuesve, sharja dhe ofendimi i tyre nëpër media, apo përqeshja e argumenteve të tyre janë më shumë mënyra të të qenit pjesë e ndonjë despotati apo monarkie absolute, nga ato që sot numërohen me gishta në gjithë botën, e që në Evropë nuk ka më të tilla.

Shqiptarët do të kenë një demokraci më të shëndetshme dhe një spektër më normal politik kur ta tejkalojnë tërësisht ndarjen. Në të gjitha aspektet enë të gjitha mënyrat.

Tri vota e ndanë Kosovën nga UNESCO

Unesco 1Kosovës i munguan vetëm tri vota për t’u bërë anëtare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë e Kulturë.

Në Konferencën e përgjithshme që e përbëjnë 195 vende anëtare, në votim morën pjesë 142 vende, 92 nga të cilat ishin në favor të pranimit të Kosovës, ndërsa 50 votuan kundër. Ndërkaq 29 vende kishin qëndrim të paanshëm.

Kosovës i duheshin gjithsej 95 vota.

Votimi pasoi refuzimin e kërkesës së Serbisë për shtyrjen e votimit. Delegacioni serb kërkoi të hënën shtyrjen e debatit mbi kërkesën e Kosovës, për t’u dhënë, siç thuhet, një mundësi bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës ku do të diskutohet edhe çështja e trashëgimisë kulturore serbe.

Beogradi kundërshtoi ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.

Autoritetet në Kosovë thanë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rriste standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Kërkesa e Kosovës ishte paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria, ndërsa rreth kësaj çështjeje janë zhvilluar debate të rrepta edhe të përfaqësuesve amerikan që mbështesin Kosovës dhe atyre rus që mbështesin Serbinë.

Autoritetet në Kosovë shprehën keqardhjen e tyre me rrjedhën e votimit. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “mos anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është një shans i humbur për avancimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që i synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë”.

Megjithatë, presidentja Jahjaga duke falënderuar mbështetësit e Kosovës theksoi angazhimin për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të qytetarëve të Kosovës. “Angazhimi ynë vetëm sa do të marrë hov e me këtë edhe përkushtimi ynë që ta mbrojmë dhe ruajmë trashëgiminë kulturore e cila është trashëgimi botërore”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Keqardhjen e tij e shprehu edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Fatkeqësisht, orientimi i qartë pro-perëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë. Por, kjo nuk na zmbraps aspak. Sepse ne jemi të vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin e Kosovës dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit”, thuhet në reagimin e kryeministrit Mustafa.

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, shkruan në rrjetin social Facebook, se megjithatë “rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë”.

Partitë opozitare po ashtu shprehën keqardhjen e tyre, ndërsa tërhoqën vërejtjen se siç thuhet, lëshimet e Kosovës në bisedimet me Serbinë nuk i ndihmuan aspak normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e cilësoi lajm të keq mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar“, thuhet në reagimin e tij

Keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO ka shprehur edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. “Kosova e ka merituar plotësisht që të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon se sa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë por edhe në vetë Kombet e Bashkuara”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Edhe ambasadorët e vendeve aleate të Kosovës, shprehën keqardhjen me votimin e sotëm në UNESCO. Megjithatë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha se “92 vota dëshmojnë se Kosova ka një vend të rëndësishëm në komunitetin ndërkombëtarë”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në përpjekje për integrimet evropiane. Pjesë e bisedimeve ishte edhe angazhimi për të mos penguar Kosovën në proceset e integrimeve në organizatat ndërkombëtare.

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç e cilësoi votimin e sotëm në UNESCO si një fitore diplomatike të qeverisë së tij.

Kjo është një fitore e drejtë dhe morale e arritur në kushte pothuajse të pamundshme, kur ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shumicës”, tha presidenti serb.

Kisha Ortodokse Serbe mirëpriti refuzimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Në reagimin e saj thuhet se “Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe gjatë gjithë kohës kanë kërkuar shtyrjen e këtij debati, në mënyrë që të shmanget konfrontimi i panevojshëm politik, por pasi kërkesa e Serbisë nuk është miratuar, ndodhi votimi i cili tregoi që në UNESCO nuk ka gatishmëri që të merren vendime të nxituara politike të cilat e cenojnë sigurinë e trashëgimisë kulturore dhe dialogun që është duke e zhvilluar Beogradi me Prishtinën

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe sipas autoriteteve atë e kanë njohur 111 vende të botës. Së këndejmi votimit të sotëm në UNESCO i munguan votat e 19 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri evropian. (voa)