Visuri Zika është zbuluar në një majmun në Ugandë në vitin 1947, ndërsa rasti i parë në njeri është regjistruar në Nigeri në vitin 1954.
I lindur nga mushkonja, virusi ka qarkulluar në Afrikë dhe Azi për dekada të tëra dhe së voni në rajonin e Paqësorit, por asnjëherë nuk ka shkaktuar shumë shqetësim.
Situata sot është “krejtësisht ndryshe”, ka thënë shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, më 28 janar.
Virusi po përhapet vrullshëm, pasi është zbuluar në Brazil vitin e kaluar, ka shtuar Chan. Sipas saj, “niveli i alarmit është jashtëzakonisht i lartë”.
Chan ka bërë thirrje për një takim urgjent më 1 shkurt për të diskutuar “masat që duhet të ndërmerren në vendet e prekura dhe gjetkë”.
Infeksione me virusin Zika tashmë po ndodhin në rreth 20 shtete dhe territore në Karaibe dhe Amerikën Veriore e Jugore.
Virusi Zika është zakonisht asimptomatik, çfarë do të thotë se personi i infektuar nuk ka simptome, ose shkakton sëmundje të buta që normalisht zgjasin deri në një javë dhe kanë simptome si të gripit.
Por, Lawrence Gostin, nga Instituti O’Neill për Shëndet Kombëtar dhe Global në Uashington, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shqetësimi më i madh tani është se virusi, i cili, sipas tij, ka potencial të shpërthimit pandemik, dyshohet se rezulton me anomali fetale.
Shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Chan, ka nxjerrë në pah shqetësimin se Zika ka lidhje me defekte në lindje, të njohura si mikrocefali, kur foshnjat lindin me koka jonormale të vogla.
“Lidhja midis infektimit me virusin Zika dhe keqformimeve në lindje nuk është krijuar ende, por është shumë e dyshimtë”, ka thënë Chan.
Mushkonja Aedes, e cila transmeton virusin Zika, ndodhet në gjithë botën dhe paraqet rrezik të lartë për transmetim global në zonat gjeografike me imunitet të vogël të popullsisë.
“Mendoj se është vetëm çështje kohe dhe mund të parashoh se brenda një viti ose dy do të ketë shpërthime të konsiderueshme në Amerikën Veriore, Evropë dhe pjesë të tjera të botës. Është mjaft serioz dhe duhet ta marrim shumë seriozisht”, ka thënë Gostin.
Brazili, i cili organizon Lojërat Olimpike Verore në Rio de Zhaneiro në muajin gusht, është goditur më së keqi nga shpërthimi – me më shumë se një milion raste të raportuara.
Brazili po ashtu ka regjistruar rritje dramatike të rasteve të mikrocefalisë, e cila mund të shkaktojë probleme të rënda zhvillimore dhe nganjëherë vdekjen.
Gati 3,900 raste janë raportuar në vendin prej 200 milionë banorësh qysh në muajin tetor, krahasuar me mesataren e mëparshme vjetore, prej vetëm 160 rastesh.
Shenja të virusit Zika janë gjetur në trurin e fetuseve apo të sapolindurve dhe në placentën dhe lëngun amniotik të nënave.
Për këtë virus nuk ka ende trajtim të veçantë apo vaksinë.
Shkencëtarët kanë luftuar me vite për të zhvilluar një vaksinë për ethe tropikale, të cilat lidhen me virusin Zika; doza e parë e tillë, e bërë nga kompania farmaceutike Sanofi Pasteur, është licencuar vitin e kaluar në Brazil.
Për njerëzit në zonat e prekura, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar pastrimin e ujit të ndenjur, ku grumbullohen mushkonja. Ajo po ashtu u ka bërë thirrje njerëzve që të mbrohen nga kafshimi i mushkonjave, duke veshur rroba që mbulojnë sa më shumë trupin e tyre dhe duke mbajtur mbyllur dyert dhe dritaret.
Çmimi i medikamenteve kundër mushkonjave raportohet se është rritur në Brazil.
Në qytetin verilindor Recife, raportet thonë se spitalet publike janë mbushur me gra shtatzëna, të cilat druajnë se fëmijët e tyre mund të kenë tru të pazhvilluar.
Qeveria e Brazilit ka njoftuar se 220,000 ushtarë do të shpërndahen në gjithë vendin për të ndarë fletushka me rekomandime se si të luftohet tutje shpërndarja e virusit.
Vendet e tjera kanë bërë veprime edhe më drastike. Zyrtarët shëndetësorë në El Salvador kanë këshilluar gratë që të mos mbeten shtatzënë deri në vitin 2018, ndërsa autoritetet në Kolumbi, Ekuador dhe Xhamajkë u kanë rekomanduar grave të presin, por jo aq gjatë.
“Nëse vendi kalon shpërthim të madh si Brazili, mendoj se këshillimi i grave që të shtyjnë shtatzëninë për një kohë të shkurtër, derisa të dihet më shumë, është veprim i mençur. Por, mendoj se është reagim i tepruar ai i El Salvadorit. Ju nuk doni të kapërceni një brez”, ka thënë Gostin.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera kanë rekomanduar gratë që janë shtatzënë ose planifikojnë të mbeten, që të shyjnë udhëtimet në zonat e prekura.
Zika është zbuluar në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të Evropës te njerëzit që së fundmi kanë udhëtuar në Amerikën Latine. Megjithatë, deri më tash, nuk ka raste të njohura të transmetimit lokal në SHBA dhe Evropë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pret që Zika të arrijë në secilin shtet të Amerikave, përveç Kanadasë dhe Kilit, ku nuk ekziston lloji i mushkonjave që e përhap virusin.
Përgatiti: Valona Tela