Makinat që ecin vetë

makina ecen vetBota ndodhet në agimin e epokës së makinave robotike. Ato pritet të duken së shpejti në autostrada; prodhuesit janë vënë në garë se kush do të jetë i pari; ndërsa disa kompani taksish kanë planifikuar përmirësimin e shërbimeve me këto lloj makinash.
Në garën e parë të makinave robotike në botë, në vitin 2004, asnjë prej automjeteve nuk arriti vijën e finishit, pavarësisht nga numri i ndjesorëve, radarëve, dhe kamerave në bord.

Një vit më vonë, më 2005, pesë makina arritën në fund të korsisë, dhe në vitin 2007, gjashtë makina përfunduan një provë më të vështirë – ngarje nëpër rrugët me trafik duke respektuar shenjat e qarkullimit.
Sot, shumë prodhues të makinave dhe kamionëve po kryejnë prova me automjete inteligjente, për ngarje në autostradë.

Google ka disa vite që po provon makina të tilla.

Një kamion ‘inteligjent’, ndërtuar nga Daimler-Benz, u provua kohët e fundit në një autostradë gjermane, duke kaluar lirshëm dhe në mënyrë të sigurtë mes një trafiku të ngjeshur.

Firma japoneze Toyota thotë se deri në fund të këtij viti do të fillojë shitjen e tri modeleve luksoze Lexus me teknologji robotike.

Motitaka Yoshida, i kompanisë Toyota thotë:

“Pothuajse çdo gjë që një shofer bën në autostradë, do të automatizohet.”

Duke përdorur sensorë të ndryshëm, GPS, dhe Wi-Fi makina do të komunikojnë me makina të tjera ‘inteligjente’ dhe me infrastruktura të qarkullimit, për të ndjekur trafikun dhe paralajmëruar shoferin për rreziqet e mundshme.

“Ne duam të pakësojmë numrin e aksidenteve rrugore, vdekjet dhe lëndimet e shkaktuara nga aksidentet, dhe bllokimet e trafikut në autostrada. Gjithashtu, duam të sigurojmë një transport më të lirëshëm për të gjithë njerëzit, përfshi të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuar. ”

Ndërkohë, disa kompani taksish janë duke planifikuar përmirësimin e makinave të tyre.

Firma japoneze Robot Taxi thotë se në fillim të vitit të ardhshëm, do të fillojë provat me furgona robotikë në zonat me pak trafik.

Ndërsa ligjet aktuale në Japoni nuk lejojnë makinat pa shoferë në rrugët publike, taksitë robotike do të kenë shoferë për të marrë përsipër drejtimin në situata emergjente. (voa)

Përparimet teknologjike në 2015

Novacionet teknologjike gjatë vitit 2015 përfshijnë avancimet robotike, automatizimet, rritjen e përdorimit të pajisjeve elektronike portative dhe përdorimin më të gjerë të burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Përparimet këtë vit në programet kompjuterike, pajisjet mekanike, sensorët dhe inteligjencën artificiale e sollën botën një hap më pranë të ardhmes robotike.

Makinat elektrike ishin mjaft popullore. Kompanitë më të mëdha reklamuan modele të reja ndërsa të tjera shkuan drejt makinave me hidrogjen.

“Ne duam të krijojmë një shoqëri që prodhon, përdor dhe lidhet me energjinë e hidrogjenit”, thotë Tahakiro Hachigo, drejtor ekzekutiv i kompanisë Honda.

Makinat pa shofer gjithashtu ishin më pranë përdorimit të përditshëm. Edhe një kamion pa shofer i prodhuar nga Mercedesi, demonstroi aftësitë e tij për të naviguar me siguri në autostrada.

“Mund t’i heq duart nga timoni dhe siç mund ta shihni makina ecën në vijë të drejtë”, thotë Wolfgang Bernhard me kompaninë Daimler.

Teknologjia e shtypjes 3D është bërë një mënyrë më e lirë prodhimi për pothuajse çdo gjë – që nga brumi e deri tek makinat.

“Shasitë e prodhuara me printerat 3D janë vetëm 46 kilogramë dhe kanë të njëjtën forcë dhe siguri si ato të prodhuara me çelik”, thotë Brad Balzer, shef i kompanisë Microfactories.

Studiues të tjerë thonë se shtëpitë e printuara me 3D mund të fillojnë së shpejti të zgjidhin mungesat globale të strehimit.

“Ne përdorim mbetjet e ndërtimeve, minierave dhe mbetjet urbane si lëndë të parë. Ne i ndajmë ato në kategori dhe i transformojmë në një ngjyrë të veçantë printimi”, thotë Ma Yihe, me kompaninë Winsun.

Robotët ishin më pranë nesh gjithashtu, që nga recepsionistët e deri tek eksoskeletët që ndihmojnë njerëzit e paralizuar të ecin përsëri.

“Kemi mësuar nga procesi ynë kërkimor se pacientët që kanë dëmtime nën kraharor mund të përdorin robotin për të qëndruar në këmbë, ecur dhe për t’u ulur”, thotë Wu Cheng-Hua, shpikës.

Proteza që kontrollohen nga truri vazhdojnë të premtojnë ndihmë të madhe për të gjymtuarit.

“Vendosim sensorë në muskuj dhe muskujt marrin sinjalet të cilat përçohen tek protezat dhe më pas reagojnë siç kërkohet nga truri”, thotë Thorvaldur Ingvarsson.

2015 ishte gjithashtu viti i dronëve. Ata kanë filluar të eksplorojnë në hidrologjinë detare dhe biologji, duke luftuar kontrabandistët në Afrikë, duke ndihmuar fermerët dhe duke analizuar drithërat dhe inspektuar për dëmtime të mundshme.

Ndërkohë, zhvilluesit e programeve kompjuterike po përdorin gjithnjë e më shumë në praktikë telefonat inteligjentë.

“Në vend që të marrësh gjak dhe ta çosh në laborator, mund ta gjesh rezultatin brenda 15 minutave përmes pajisje e cila merrë një sasi shumë më të vogël gjaku me një pickim dhe e analizon atë me një saktësi të ngjashme me atë të laboratorit” thotë Sam Sia me universitetin Kolumbia.

Realiteti virtual përparoi gjithashtu në industrinë e lojrave më shumë nga kufjet e sofistikuara që të transportojnë në botë të ndryshme.

“Realiteti virtual është padyshim teknologjia më emocionuese në industri tani për tani dhe padyshim do të jetë fokusi në të ardhmen”, thotë Jon Hicks, ekspert i lojrave elektronike.

Gjithashtu në 2015 Mikrosofti paraqiti versionin më të ri të sistemit operativ, Windows 10, duke e ofruar për herë të parë falas. (voa)

Mustafa: Nuk ka dialog pa liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa për DW mbi: azilkërkuesit, mosliberalizimin e vizave, gjendjen e rëndë ekonomike, protestat dhe gazin lotësjellës, dialogun me Serbinë…

 

isa mustafaDeutsche Welle: Zoti Kryeministër, Ju këto ditë keni deklaruar se nuk do të udhëtoni jashtë vendit pa liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton konkretisht kjo deklaratë, pasi Ju si kryeministër keni dhe detyrimet tuaja ndërkombëtare?

Isa Mustafa: Ne kemi punuar shumë në plotësimin e kritereve dhe më pas rekomandimeve për libralizimin e vizave. Ëshë bërë një punë e madhe prej vitit 2012 deri më sot. Në shtator të këtij viti është dhënë një vlerësim i komisionit vlerësues dhe është thënë se nga 95 kritere sa ka pasur Kosova, janë plotësuar 87. Ndërsa pjesa tjetër është plotësuar pjesërisht dhe janë dhënë sugjerime se si të plotësohen ato. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim. Tani thuhet se duhen plotësuar edhe disa kritere të tjera, që ne i konsiderojmë si plotësisht të padrejta, sepse janë dyfishuar kriteret për Kosovën në krahasim me vendet e tjera. Ne jemi tani në një situatë shumë të pakëndshme ndaj qytetarëve, sepse ne kemi bërë përpjekje maksimale që të përmbushim të gjitha kërkesat e faktorit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, që është një proces shumë i rëndë për ne. Serbisë tani për dialogun i është dhënë mirënjohje dhe është hapur kapitulli 35 për rolin konstruktiv në procesin e saj në dialog. Ndërsa ne të cilët praktikisht po bartim të gjithë peshën e dialogut, sepse të gjitha ngjarjet po ndodhin në territorin tonë dhe jo në territorin e Serbisë, po largohemi edhe më shumë, sepse na thonë: punoni ju edhe më shumë e të shohim a po ua liberalizojmë vizat apo jo. Ndërkaq Serbinë po e çojnë përpara. Në këto kushte ne jemi në një situatë shumë të rëndë. Ne nuk mund të shetisim nëpër Evropë për të dialoguar për Kosovën, përderisa qytetarët tanë janë të izoluar. Kjo do të ishte jo etike. Ndaj ne kërkojmë një përgjigje të qartë të BE, se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave.

DW: Por zoti kryeministër Ju keni edhe detyrime ndërkombëtare. Këtu e keni fjalën se nuk do të udhëtoni vetëm për vazhdimin e dialogut, apo në përgjithësi nuk do të udhëtoni jashtë?

Isa Mustafa: Jo, e kam fjalën për udhëtime zyrtare jashtë vendit, sepse neve nuk na takon të udhëtojmë shumë jashtë vendit, përderisa qytetarët tanë janë të mbyllur. Qytetarët nuk janë fajtorë, sepse ata po bëjnë punën e tyre si duhet. Janë kthyer dhe po kthehen edhe ata që kanë dalë jashtë vendit kohët e fundit. Procesi i shpërnguljeve është ndalur. Kemi qytetarë shumë të disiplinuar, që i zbatojnë rregullat evropiane dhe vendore.

DW: A do të thotë kjo se dialogu me Serbinë nuk do të vazhdojë deri sa nuk bëhet liberalizimi i vizave?

Isa Mustafa: Ne do të bëjmë përpjekje të marrim një përgjigje nga Bashkimi Evropian se çfarë do të ndodhë me vizat. Ndryshe do ta kemi shumë vështirë që të marrim pjesë në proceset e mëtutjeshme.

DW: Kur jemi tek dialogu, Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku thuhet se një pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit. Çfarë do të thotë kjo për Ju?

Isa Mustafa: Ne e kemi paraparë edhe në Marrëveshje që para se Marrëveshja të shndërrohet në statut, të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e ka kërkuar presidentja, si ndërmjetësuese në dialogun mes pozitës dhe opozitës. Ajo ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë këtë Marrëveshje. Dhe ajo ka thënë se disa pika nuk janë në përputhshmëri të plotë me frymën e Kushtetutës.

DW: Çfarë do të bëhet tani me këto pjesë të Marrëveshjes: a do të dialogohet sërish, apo thjesht do të merren parasysh me rastin e miratimit të statutit?

Isa Mustafa: Kjo që ka thënë Gjykata Kushtetuese ka lidhje me statutin, sepse Gjykata Kushtetuese ka thënë se Asociacioni mund të themelohet. Ai është bërë normë juridike pasi është sanksionuar me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtarë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013. Do të thotë sa i përket Asociacionit, nuk ka lënë asnjë mëdyshje se ai duhet të themelohet. Mirëpo ka thënë se ai duhet të themelohet në harmoni me Kartën Evropiane të Qeverisjes Lokale dhe duhet të kihen parasysh të gjitha dispozitat e Kushtetutës. Tani ne në procesin e hartimit të statutit do të kemi kujdes që çdo gjë të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pra nuk ka dialogim apo rinegociim të Marrëveshjes.

DW: Opozita e ka interpretuar këtë vendim ndryshe: Qeveria dhe kryeministri kanë nënshkruar një marrëveshje që është në kundërshtim me Kushtetutën. Ata kanë kërkuar edhe zgjedhje të jashtëzakonshme, me shpjegimin se Qeveria ka shkelur Kushtetutën dhe ka dështuar. Do të ketë zgjedhje të reja vitin e ardhshëm?

Isa Mustafa: Zgjedhje nuk ka deri në vitin 2018 dhe Marrëveshja nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të Marrëveshjes nuk janë në përputhshmëri të plotë me frymën e Kushtetutës dhe ne do t’i kemi parasysh këto gjëra që në hapat e mëtutjeshëm të themelimit të Asociacionit, çdo gjë të jetë në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshja nuk është akt juritik por politik. Statuti është akt juridik dhe ne aty duhet të kemi parasysh të gjitha sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese.

DW: Do të thotë zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë. Por vitin e ardhshëm duhet të zgjidhet një president i ri. I keni siguruar Ju votat e domosdoshme për zgjedhjen e presidentit?

Isa Mustafa: Unë jam i bindur që po. Ne kemi vota të mjafueshme për zgjedhjen e presidentit.

DW: Por edhe nga partia juaj ka pasur zëra se nuk do ta votojnë zotin Hashim Thaçi për president?

Isa Mustafa: Ka zëra, është një numër shumë i kufizuar i deputëtëve nga grupi parlamentar i LDK, por ata nuk e rrezikojnë fare zgjedhjen e zhotit Thaçi për president.

DW: Pra Ju do ta respektoni deri në fund marrëveshjen?

Isa Mustafa: Gjithsesi.

DW: Por sa i qëndrueshëm është koalicioni PDK-LDK, sepse kohët e fundit ka pasur fërkime dhe mospajtime serioze mes jush, të cilat mund ta dëmtojnë apo dhe prishin koliacionin qeverisës?

Isa Mustafa: Mund të them se mospajtime serioze nuk ka pasur, e fërkime po. Por fërkimet ndodhin edhe brenda një subjekti politik dhe grupi parlamentar, sepse njerëzit kanë mendime dhe ide të ndryshme. Por koalicioni ka qenë dhe është shumë i qëndrueshëm. Dhe kemi arritur që shumë nga synimet tona t’i realizojmë.

DW: Zoti kryeministër, për një vend demokratik siç është, apo siç pretendon të jetë Kosova, me siguri që nuk është në rregull që gati gjysma e opozitës të jetë në burg apo në arrest shtëpie. Si do ta zgjidhni këtë problem?

Isa Mustafa: Këto zhvillime janë tërësisht të pavolitshme. Nuk janë zhvillime të mira. Askush nuk ka pritur që do të kemi zhvilime të tilla, sepse askush nuk e ka pritur se do të kemi një kulturë të tillë politike në Kosovë. Në 16 vitet e fundit nuk kemi hasur në sjellje dhe kulturë të tillë. Ne jemi angazhuar për shtet juridik dhe ligjor. Ndërsa shteti juridik nuk i dallon njerëzit – në deputetë apo njerëz normalë. Por i dallon vetëm nga ajo se a e shkel dikush ligjin apo jo. Për fat të keq ka deputetë, që kanë hedhur gaz lotësjellës. Ndërsa ligji, e jo ne si qeveri, e ka cilësuar gazin lotësjellës si armë. Dhe secili që përdor armë të tillë, me të cilën rrezikon jetën e të tjerëve, sepse është fjala për ambiente të mbyllura dhe për përdorim të paautorizuar të këtyre mjeteve duhet të përgjigjet para ligjit. Ne nuk e kemi kërkuar këtë si qeveri, por organet e ligjit e ushtrojnë detyrën e tyre. Kjo është një sjellje që duhet të përfundojë shpejt. Ne kemi ofruar dhe jemi të gatshëm për dialog, por edhe dialogu i ka kufijtë e vet, sepse nuk mund të tërhiqemi nga themelimi i Asociacionit për arsye se po kërkon opozita. Ne nuk të tërhiqemi nga zbatimi i ligjit.

DW: Pra Ju jeni të gatshëm për dialog me opozitën, por nuk do të tërhiqeni nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel?

Isa Mustafa: Nuk mund të tërhiqemi, sepse këto janë marrëveshje ndërkombëtare. Por ato gjithmonë do t’i zbatojmë në kuadër të ligjit dhe rendit. Ka me siguri shumë gjëra për të cilat kemi nevojë të kemi debat me opozitën në Kuvend. Opozita ka tentuar që me Asociacionitndhe demarkacionin të provojë të fitojë mbështetjen e qytetarëve, por nuk e ka marrë këtë përkrahje në asnjë moment. Çështja e Asociacionit dhe demarkacionit nuk janë problemet më të mëdha, sepse ato janë të zgjidhshme. Problemi ynë më i madh është zhvillimi ekonomik, ndërtimi i shtetit ligjor, integrimi euroatlantik i vendit. Këto janë çështje madhore që duhet të shkojnë përpara dhe ne nuk duhet ta ngulfasim veten me dy çështje, të cilat nuk paraqesin rrezik për Kosovën, sepse kërkush nuk mund t’ia marrë Kosovës asnjë pёllëmbë të tokës, në qoftë se ajo tokë ka qenë dhe vërtetohet se është e Kosovës.

DW: Një çështje tjetër që e pret Kosovën në vitin 2016 është Gjykata Speciale. Janë arritur të gjitha marrëveshjet për themelimin dhe funksionalizimin e saj?

Isa Mustafa: Ne e kemi kryer punën më të madhe sa i përket funksionimit të Gjykatës speciale. Ne e kemi aprovuar ligjin për dhomat e veçanta dhe procedura e tjera të domosdoshme. Ka mbetur që të ratifikohet marrëveshja me Holandën, si vend nikoqir i një pjese të Gjykatës, e cila do të ketë dy seli: një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Ne kemi arritur në nivelin teknik edhe marrëveshjen me Holandën dhe ka mbetur që të procedohet ajo. Por kur do të fillojë të veprojë nuk mund të themi sepse kjo ka të bëjë me përgatitjen e stafit, përzgjedhjen e gjykatësve etj.

DW: A do të operacionalizohet funksionimi i saj në vitin 2016, sepse kjo ka qenë gjithmonë një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare?

Isa Mustafa: Gjithsesi, sepse është premtuar që të fillojë punën në vitin 2015. Por proceset janë shtyrë. Tani për tani nuk ka informacione se ajo mund të prolongohet më shumë se në vitin 2016.

DW: Sa reale janë vlerësimet e disa qarqeve ndërkombëtare, të cilat thonë se protestat që janë zhvilluar dhe po zhvillohen në Kosovë, në disa muajt e fundit kanë lidhje me Gjykatën Speciale për krime lufte?

Isa Mustafa: Ne nuk mund të argumentojmë këtë në Kosovë. Por ajo mund të jetë një prej shkaqeve, sepse sa i përket Asociacionit dhe demarkacionit dhe gjithë kësaj zhurme dhe dëmi që i është bërë Kosovës, shihet se këto nuk janë kauza të qëndrueshme. Nuk ka asnjë shkas që të hidhet gaz lotësjellës në Kuvend për çështje, të cilat mund të zgjidhen dhe kanë një përgjigje shumë të saktë. Kjo është një çështje tjetër, por nuk më takon mua që të them nëse vërtetë ky është shkaku, sepse nuk kam argument.

DW: Por me siguri që keni argumente për raportet me Serbinë. Si do të zhvillohen këto raporte në të ardhmen, kur dihet se Serbia është ajo e cila ka përfituar nga dialogu më shumë. Kosova e ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, por ka mbetur pa anëtarësim në UNESCO dhe pa liberalizim të vizave. Pra si do t’i ndërtoni këto raporte, pasi keni vendosur të mos vazhdoni dialogun me Serbinë, pa liberalizimin e vizave?

Isa Mustafa: Nuk shoh asnjë arsye që tani ne të mbyllemi, por neve as MSA nuk na vlen pa liberalizimin e vizave. MSA hap mundësi për zhvillim ekonomik dhe si do të bashkëpunojë ekonomia jonë me atë të BE, nëse ne nuk mund të udhëtojmë pa viza. Sa i përket Serbisë, ne kemi definuar disa çështje teknike, të cilat duhet t’i debatojmë, siç janë çështja e transportit ajror, çështja e e transportit hekurudhor. Por edhe gjërat që na kanë mbetur të përfundojmë, siç është zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë. Përderisa ne po bisedojmë me Serbinë dhe Vuçiqit po ia rrahin krahët për bashkëpunim dhe sjellje konstruktive, Vuçiq ende vazhdon të emërojë struktura paralele serbe në Kosovë…

DW: … pikërisht ky është një prej argumenteve të opozitës, e cila thotë se Serbia po përfiton dhe Kosova vetëm ka humbur nga ky dialog. Në çfarë forme do ta vazhdoni dialogun?

Isa Mustafa: Ne do të kërkojmë me çdo kusht që të gjitha marrëveshjet të zbatohen dhe të zhbëhen strukturat paralele, në mënyrë që të vazhdohet me dialog.

DW: Një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare është luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë. Nuk dua të bëj krahasime, por Serbia para ca kohësh ka arrestuar dhjetra persona të nivelit të lartë politik dhe ekonomik. Pse Kosova nuk bën arrestime të tilla? Ka frikë, mungesë të vullnetit politik, apo çfarë është në pyetje?

Isa Mustafa: Ne e kemi biseduar këtë çështje me Prokurorinë e shtetit dhe gjykatat, është biseduar më shumë në kuadër të kërkesave për liberalizimin e vizave, sepse kjo është shtruar si kriter për liberalizim. Prokuria është duke punuar dhe ka një listë të rasteve të korrupsionit, të cilat ata i konsiderojnë si raste shumë serioze. Por duhet të themi se me këto çështje deri tani kryesisht është marrë Eulexi dhe jo organet vendore. Me përmbylljen e misionit të Eulexit këto raste do të kalojnë tek organet vendore, por ende nuk është saktësuar se kur do të përfundojë ky mision. Negociatat për rolin e Eulexit në Kosovë ende po vazhdojnë. Por mund të them se ekziston gatishmëri e Prokurorisë dhe gjykatave që t’i trajtojnë këto raste. Mendoj se edhe tek ne do të nxirren para drejtësisë të gjithë ata, të cilët janë të korruptuar apo e kanë shkelur ligjin. Kjo çështje do t’i referohet edhe BE-së në kuadër të procesit të liberlizimit të vizave.

DW: Zoti kryeministër, a mund të thuhet se keni dështuar në politikën ekonomike? Në prag të zgjedhjeve Ju keni premtuar punësimin e dhjetra e qindra mijëra njerëzve, ndërsa deri tani keni realizuar vetëm një pjesë të vogël?

Isa Mustafa: Mendoj se kemi arritur suksese evidente, sa i përket zhvillimit ekonomik. Këto suksese shihen edhe tek punësimi. Kemi punësuar rreth 16.000 persona, pa llogaritur edhe 2.500 persona, sa janë punësuar në bujqësi përmes subvencioneve dhe granteve që kemi dhënë – të cilat kapin shumë prej 43 milionë euro gjatë këtij viti. Kemi bërë reforma fiskale, të cilat e lehtësojnë bërjen e biznesit në Kosovë. Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, që është investimi më i madh në Kosovë pas luftës, me një shumë prej rreth një miliardë euro. Kemi përfunduar punën e autostradës energjetike me Shqipërinë, e cila në anën tonë është gati por duhet të përfundohet në anën e Shqipërisë, që do të ndodhë deri në prill. Kemi prolonguar deri më 31 maj projektin e Brezovicës, sepse duhet të mobilizohen mjetet e ofruara si garancion për fillimin e projektit, që janë rreth 162 milionë euro. Kemi siguruar rreth 160 milionë për rrugën hekurudhore, që na lidhë me shtatë vende të rajonit dhe BE. Mendoj se këto janë rezultate të jashtëzakonshme, por ka qenë e pamundur që në vitin e parë të pritet që të punësojmë 30.000 apo 40.000 njerëz. Por unë mendoj se me këtë trend do ta realizojmë atë që kemi premtuar për këtë legjislacion – që të punësojmë deri në 120.000 persona.

DW: Në këtë aspekt me siguri që një rol shumë të rëndësishëm mund ta kenë edhe investimet e jashtme. Në këtë kuadër, si i vlerësoni raportet ekonomike dhe politike me Gjermaninë, gjatë vitit 2015?

Isa Mustafa: Unë mendoj se kemi raporte të shkëlqyeshme me Gjermaninë. Kohët e fundit kemi pasur bisedime edhe me dy lande gjermane: Baden Vyrtenberg dhe Bavarinë. Kemi biseduar për mundësinë e investimeve direkte nga këto lande dhe kemi biseduar për mundësinë e shkollimit profesional të njerëzve tanë atje. Poashtu kemi biseduar edhe për punësimet sezonale. Kemi edhe orientime edhe ndaj landeve të tjera. Ka mbetur çështje e hapur, ajo e rekonstruktimit të termocentralit Kosova A. Por ende nuk kemi ndonjë përgjigje konkrete. Kemi një mbështhetje shumë të madhe të Bankës gjermane për zhvillim dhe të qeverisë gjermane në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik.

DW: Si e shpjegoni faktin që Gjermania si një prej vendeve më të fuqishme ekonomike në botë, ende nuk ka marrë asnjë projekt të madh ekonomik në Kosovë? Kjo temë është ngritur edhe nga vetё kancelarja Merkel gjatë takimit tuaj të fundit në Berlin.

Isa Mustafa: Nga ai takim ka mbetur të ndiqet projekti i rekonstruimit të Kosovës A. pas takimit kemi biseduar edhe një herë me përfaqësuesit e firmës së interesuar për këtë punë (Belfinger). Por ende nuk kemi një përgjigje të sakt,ё për mënyrën e financimit dhe statusit të Kosova A, pas rekonstruimit të saj. Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë konsultimet, por natyrisht që ne jemi të gatshëm të shikojmë edhe mundësi të tjera për futjen e ekonomisë gjermane në Kosovë – në miniera dhe minerale si dhe fushat tjera ku ekonomia gjermane ka treguar interes.

DW: Po si i vlerësoni raportet politike me Gjermaninë?

Isa Mustafa: Mendoj se roli i Gjermanisë ka qenë vendimtar në procesin e dialogut dhe normalizimit të raporteve me Serbinë. Gjermania ka pasur një qëndrim shumë parimor. Ndikimi i Gjermanisë do të jetë vendimtar edhe në proceset e tjera me Serbinë. Por Gjermania ka ushtruar një rol shumë të rëndësishëm edhe në procesin e normalizimit dhe bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me iniciativën e Berlinit nga vet kancelarja Merkel. Ne kemi pasur sivjet edhe takimin e dytë në Vjenë. Kjo ka dhënë dy fryte shumë të rëndësishme: Një, relaksimi i marrëdhënieve mes vendeve në rajon. Dhe dy, ka hapur mundësinë e lidhjes së infrastrukturës dhe komunikimit mes këtyre vendeve. (dw)

Francë, Kadare nderohet me Legjonin e Nderit

kadareShkrimtari shqiptar Ismail Kadare është dekoruar me titullin Legjoni i Nderit nga shteti francez.

Lajmin për këtë vlerësim prestigjoz për emrin më të njohur në rang ndërkombëtar të letërsisë shqiptare bëhet i ditur nga mediat franceze.

Sipas burimeve mediatike, zotit Kadare i është akorduar titulli Komandant i Legjonit të Nderit.

Bëhet fjalë për një tjetër çmim të rëndësishëm për këtë shkrimtar, pas atij të pak viteve më parë në Spanjë, Princi i Asturias.

Në listën e të dekoruarve pas vdekjes ishin 15 pjesëtarë të gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, që humbën jetën gjatë sulmeve në redaksinë e saj, në janar 2015.

Titulli Legjoni i Nderit jepet çdo vit në Francë për personalitet më të spikatura.

Urimi i parë për shkrimtarin shqiptar erdhi nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. “2016 nis me një lajm fantastik: Kadare u dekorua Komandant i Legjonit të Nderit, titulli më i lartë në Francë. Nderim i madh për Kadarenë dhe Shqipërinë”, shkruan Bushati në Twitter.

/ Top Channel

Gëzuar Vitin e Ri 2016!

happy new year2016 mbërriti. Në Berlin festuan para Portës së Brandenburgut me qindra mijëra njerëz ardhjen e Vitit të Ri, sikur edhe në shumë qendra të tjera botërore. Por pati edhe paralajmërime për rrezik nga terrori..

Pas sulmeve terroriste në Paris, në nëtor të vitit të kaluar, në të gjitha qendrat ishin forcuar masat e sigurisë. Festën e madhe pranë Portës së Brandenburgut e kanë siguruar rreth 900 policë. Askush nuk ka mundur të futet në zonën e festës pa u kontrolluar. Hyrja në këtë zonë është ndaluar dy orë para mesnatës, sepse zona e festimit ishte mbushur përplot. Sikur edhe vitin e kaluar, atje ishte i ndaluar përdorimi i fishekzjarreve nga njerëzit e mbledhur. Në mesnatë mbretëroi një atmosferë shumë festive dhe pa incidente.

Ndryshe nga Berlini, në Mynih ka pasur paralajmërime për sulme terroriste dhe festimet masive në shumë zona të qendrës kanë qenë të ndaluara. Por as atje nuk ka pasur incidente.

Nju Jork: Me “Balldrop” dhe Frank Sinatra

Me “Balldrop” trandicional është festuar ardhja e vitit të ri në Times Square në Nju Jork. Një minutë para mesnate u lëshua një sferë e madhe kristali në një lartësi prej rreth 20 metrash dhe në mesnatë ndriçoi pjesën e famshme të Broadway. Organizatorët thonë se në këtë vend ishin mbledhur rreth një milion njerëz, ndërkohë që dhjetëra miliona njerëz e kanë njdekur këtë festë para ekraneve televizive. Pas këndimit të përbashkët të këngës së famshme të Frank Sinatra: “Nju Jork, Nju Jor”, përfunduan të gjitha. Festa e vitit të ri kishte filluar me ardhjen e shumë yjeve që nga orët e para të mbrëmjes. Ndërsa ajo përfundon 15 minuta pas mesnate. Fishekzjarre dhe alkool ka pasur pak.

Australia festooi ndër të parët

Me fishekzjarre gjigande është festuar më parë ardhja e Vitit të Ri në Australi. Në Sidnej ishin mbledhur në qendër më shumë se një milion njerëz. Në orën 14:00, sipas orës së Evropës Qendrore, atje u festua ardhja e Vitit të Ri. Ura e shquar në botë Harbour Bridge, u shndërrua në një shatërvan të ngjyrave të shumta. Spektakli që zgjati 20 minuta i ka kushtuar qytetit rreth 4,7 milionë Euro. Shumë vizitorë kanë shkuar atje ditën e martë, për të zënë vend dhe për të shikuar këtë spektakël. Masat e sigurisë kanë qenë, si gjithmonë shumë të rrepta. Por policia pohon se nuk ka pasur ndonjë paralajmërim për sulme terroriste.

Tokio festoi me lutje

Japonezët kanë festuar në mënyrë shumë tradicionale. Në mesnatë kanë rënë këmbanat e tempujve, të cilat shënuan ardhjen e Vitit të Ri 2016. Mbi kullën e Tokios u lëshuan mijëra balonë. Festa e Vitit të Ri në Japoni është festë e reflektimit. Ndaj mbi 70% e rreth 120 milionë japonezëve vizitojnë këtë natë tempujt e tyre dhe luten atje.

Shumë qetë ka qenë edhe në Kinë, në natën e Vitit të Ri. Republika e Kinës e feston këtë ditë, por viti i ri atje fillon sipas kalendarit tradicional në fund të janarit apo në shkurt. Këtë vit do të festohet ardhja e Vitit të Ri në Kinë më 8 shkurt, kur shënohet përfundimi i Vitit të Deles dhe fillimi i Vitit të Majmunit.

Samoa e para!

E para ardhjen e Vitit të Ri e ka festuar në orën 11:00 sipas orës së Evropës Qendrore Samoa, e cila është 16.000 kilometra larg Gjermanisë. Shteti ishull feston kaq hert prej vitit 2012, kur qeveria e atëhershme ka vendosur që të ndryshojë orën e festimit. Deri atëherë Samoa ishte klasifikuar në një zonë tjetër dhe festonte e fundit ardhjen e Vitit të Ri.

Moska kësaj radhe nuk festoi Sheshin e Kuq

Në Moskë dhjetëra mijëra njerëz e kanë përshëndetur në rrugë ardhjen e Vitit të Ri, me një fishekzjarr të madh. Por për dallim prej herëve të tjera, festimi qendror është mbajtur në Parkun Gorki dhe jo në Sheshin e Kuq. Në qendër kanë mundur të futen vetëm njerëzit me ftesa speciale – zyrtarisht për shkak të transmetimit live të shout në TV. Por Rusia i ka shtrënguar masat e sigurisë si pasojë e pjesëmarrjes në sulmet ajrore në Siri dhe pas sulmeve terroriste në Paris.

Brukseli nuk feston në qytet

Në kryeqytetin e Belgjikës, në Bruksel, nga frika e sulmeve terroriste është ndaluar festimi në qendër të qytetit. Në Grand Place janë ndaluar fishekzjarret dhe mbledhja e njerëzve. Nuk kemi mundur të garantojmë siguri, tha kryetari i bashkisë Yvan Mayeur. “Nuk duam të rrezikojmë asgjë”, tha ai. Të enjten në Bruksel janë arrestuar gjashtë persona për të cilët dyshohej se po përgatisnin sulme terroriste. Tre prej tyre janë liruar më vonë. (dw)

 

Çfarë do të sjellë për Evropën viti 2016?

Evropa po lë pas një vit emocionues. Dhe një vit jo më pak emocionues e pret kontinentin.

europaMë shumë se një milion të ardhur vetëm në Gjermani në vitin 2015. Luftëra në Siri, në Irak dhe në kontinentin afrikan që ende janë larg përfundimit dhe i detyrojnë njerëzit të largohen. Politika ndaj refugjatëve do të mbetet çështja kryesore në vitin e ri në Evropë – dhe sfida e saj më e madhe. Si mund të shpërndahen të ardhurit në shtetet anëtare të BE? Si mund të integrohen ata? Dhe si mund të funksionojë e gjithë kjo në kuadrin e problemeve të brendshme në BE, ku janë në rritje gjithnjë e më shumë partitë populiste të djathta, si në Francë, Poloni dhe Hungari? Shumë pyetje për BE-në. Holandezët dhe sllovakët, të cilët do të kenë presidencën e BE-së, do të përpiqen të gjejnë përgjigje.

Edhe gjendja ekonomike në Greqi mbetet një çështje për vitin 2016. Paketa e tretë e ndihmës që vendet e euros miratuan në vitin 2015 – lidhet me kushte të caktuara. Qeveria e kryeministrit Aleksis Tsipras ka zbatuar tashmë ose ka iniciuar shumë reforma, kreditorët kanë një optimizëm të përmbajtur për 2016-tën.

Zgjedhjet në Rusi dhe samiti i NATO-s

Në shtator vëmendja do të drejtohet për nga Evropa Lindore për zgjedhjet parlamentare në Rusi. Një sërë grupesh opozitare duan të bashkohen kundër Putinit dhe të hyjnë në parlament, ndër to dhe Partia Progresive e blogerit Aleksei Navalny. Edhe në Ukrainë do të zhvillohen zgjedhje që do të monitorohen me kujdes, për shkak të krizës në Krimenë e aneksuar dhe veçanërisht në Donbas në lindje të vendit.

Tema e Ukrainës do të preokupojë dhe NATO-n. Nga 8 në 9 korrik zhvillohet në kryeqytetin polak Varshavë samiti i NATO-s. Në të do të bëhen kryesisht përpjekje për të bashkuar interesat e ndryshme brenda aleancës. Partnerët e Evropës Lindore të NATO-s, si Polonia, duan një politikë më të rreptë frikësimi dhe mbrojtjeje ndaj Rusisë. SHBA është e interesuar për të ruajtur unitetin e aleancës. Shtetet jugore si Turqia duan të parandalojnë që fokusi i aleancës të jetë shumë në lindje. Kjo është e kuptueshme, duke marrë parasysh pozitën gjeopolitike të Turqisë si fqinjë e Sirisë dhe e Irakut.

Polonia në fokus

Kalojmë te temat kulturore dhe shkencore që priten në Evropë gjatë vitit 2016. Dy evenimente të mëdha zhvillohen po ashtu në Poloni. Kryeqyteti Europian i Kulturës është Vroclavi, ish-Breslau gjerman.

Qyteti në lumin Oder pret me një mori risish, si p.sh. Qendrën Kombëtare të Muzikës. Sidomos të rinjtë katolikë mund ta lidhin vizitën në Vroclav në javën e fundit të korrikut me një tjetër ngjarje të madhe që zhvillohet në Evropë në vitin 2016. Në Krakov zhvillohet Dita e 31-të Botërore e Rinisë. Tema është “mëshira” – cila i përshtatet Vitit të Shenjtë të shpallur nga Papa Françesku. Shumë polakë gëzohen për vizitën e Atit të Shenjtë në vendin e paraardhësit së tij Papa Gjon Pali II.

Festivali i Eurovisionit në Suedi dhe gara në Mars

Eurovision Song Contest zhvillohet në vitin 2016 pas fitores së këngëtarit Måns Zelderlof me këngën “Heroes”. Aty do të marrin pjesë 43 shtete, dhe sipas organizatorëve ky është festivali më i madh në historinë e festivale të Eurovisionit. Pas një viti pushim (për shkak të krizës politike) Ukraina rikthehet në skenë. Dhe australianët që morën pjesë në vitin 2015 si të ftuar në finale si një përjashtim me rastin e 60-vjetorin të këtij festivali – do të marrin pjesë përsëri. Por këtë herë vetëm në gjysmëfinale. Finalja zhvillohet më 14 maj.

Bota shkencore do të shohë më 14 mars mjaft e interesuar drejt qiellit, sepse atë ditë me nisjen e një sonde fillon misioni i shumëpritur ruso-evropian i Marsit “Exo-Mars”.

Kampionati Evropian i Futbollit nën masa sigurie

Last, but not least, tifozët e futbollit mund të gëzohen për Kampionatin Evropian 2016, që fillon në Francë më 10 qershor. Një kampionat futbolliti i superlativave. Por pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit 2015, gjithçka do të dominohet nga masat e sigurisë. Finalja zhvillohet në Stade de France dë St. Denis, pra tek vendi që terroristët kishin ndër të tjera në shënjestër në nëntor të vitit 2015. Si favoritë kryesorë për titullin konsiderohen Gjermania dhe Franca. Viti i ri pra mirë se të na vijë! (dw)

Festimet e Vitit të Ri

viti i ri new yorkMiliona njerëz në mbarë botën festuan së bashku të mbledhur në hapësira publike nën masa të forta sigurie. Megjithëse nuk pati incidente sigurie, në vende si Belgjika dhe Franca u anulluan shfaqjet e fishekzjarreve për shkak të kërcënimit të terrorizmit.

Nga Nju Jorku në Australi, miliona vetë u mblodhën për të festuar, përgjithësisht pa incidente dhe nën masa të forta sigurie.

Ndërsa globi i famshëm prej kristali u ul në Nju Jork, mijëra vetë mirëpritën vitin e ri në sheshin Times Square.

Festimet në Australi ndriçuan portin e Sidnei. Dhe në Japoni, tullumbace u lëshuan në ajër me fillimin e vitit të ri.

Në Belgjikë nuk u zhvilluan festimet, pasi autoritetet anulluan shfaqjen me fishekzjarre për shkak të frikës së terrorizmit.

“Mendoj se është një zmbrapsje para terrorizmit. Duhet të përballeshim dhe t’i kishim bërë festimet.”

Të tjerë besojnë se ndalimi i festimeve ishte vendimi më i mirë, për shkak të atmosferës së kërcënimeve globale terroriste dhe sulmeve vdekjeprurëse muajin e kaluar në Paris.

“Mendoj se është vendim i mençur. Me fishekzjarret krijohet shumë konfuzion. Unë jetoj këtu afër dhe mendoj se kështu është më mirë për arsye sigurie.”

Policia në Mynih të Gjermanisë urdhëroi evakuimin e dy stacioneve trenash pas një kërcënimi konkret natën e vitit të ri.

Fatmirësisht, nuk pati incident në asnjë prej tyre.

Shfaqja kryesore me fishekzjarre në bulevardin Champs-Elysees të Parisit u anullua, por autoritetet shfaqën një video tek Harku i Triumfit.

Presidenti francez Francois Hollande tha gjatë mesazhit për vitin e ri, se Franca ende nuk është çliruar prej terrorizmit dhe se kërcënimi vazhdon të jetë në nivelin më të lartë. (voa)