Shpenzimet e NATO-s për mbrojtjen ecin në drejtimin e duhur

Shtetet e NATO-s kanë vazhduar të shkurtojnë shpenzimet për mbrojtjen, por me një ritëm më të ulët, deklaroi Stoltenberg. Aleanca po diskuton një kërkesë të SHBA për të vënë në dispozicion avionët e zbulimit AWACS.

Stoltenberg NATOOrganizata e Atlantikut Verior deklaroi të enjten se shpenzimet për mbrojtjen në vendet anëtare të Aleancës po ecin në “drejtimin e duhur”, megjithë shkurtimet e vazhdueshme gjashtë vjet me radhë.

“Vitin e kaluar nisëm të lëvizim në drejtimin e duhur”, u tha reporterëve në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke publikuar raportin vjetor për vitin 2015. “Pas shumë viteve shkurtime substanciale në shpenzimet për mbrojtjen, shkurtimet praktikisht janë ndalur te aleatët evropianëve dhe Kanadaja”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vërejti se tensionet vazhdojnë të jenë të larta në Lindje, pas aneksimit që Rusia i bëri Krimesë në vitin 2014.

Të paktën 16 shtete anëtare i rritën shpenzimet për mbrojtjen, kurse 23 prej tyre shtuan blerjet e tankeve, aeroplaneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, tha Stoltenbergu. Anëtarët evropianë të NATO-s shpenzuan vetëm 0,3 përqind më pak buxhet për mbrojtjen në 2015-ën, krahasuar me 0,9 përqind vitin e kaluar.

Shefi i NATO-s shtoi se pesë shtete arritën objektivin për të shpenzuar dy përqind të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, përballë tri shteteve që e arritën këtë në vitin 2014. Këto shtete ishin Britania e Madhe, Polonia, Estonia, Greqia dhe SHBA. Shpenzimet për mbrojtje të Gjermanisë kanë qenë të pandryshuara, duke përbërë 1.18 përqind të PBB, sipas NATO-s.

Stoltenberg tha se kërkesa e SHBA që NATO të vërë në dispozicion avionë AWACS “po shqyrtohet” dhe vendimin për të do ta marrin 28 shtetet anëtare, duke përfshirë edhe Gjermaninë.

Duke qenë se afërsisht 30 përqind e personelit të avionëve AWACS është gjerman, Parlamenti i Gjermanisë Bundestagu duhet të japë aprovimin për operacionet – si për çdo dislokim të trupave gjermane jashtë vendit. (dw)

OJQ-të thirrje KE-së: Jo zgjedhje, pa kushte

KE78 organizata joqeveritare nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Komisionit Europian (KE) Zhan-Kllod Junker dhe institucioneve të tjera europiane, kërkojnë që BE-ja të insistojë për përmbushjen e parakushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe jo datën e zgjedhjeve. Sipas tyre madje vendimi për organizimin e zgjedhjeve më 24 prill është jo-kushtetues dhe i njëanshëm.

“Në kushte kur nuk janë realizuar rekomandimet themelore për reforma, dhe kur nuk janë sjellë para drejtësisë pjesëmarrësit në krimin parazgjedhor, konsiderojmë që është skandaloz, i njëanshëm, me dashje dhe anti-kushtetues, vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve më 24 prill, nga ana e Kuvendit të RM-së, në mungesë të pjesës së madhe të opozitës. Jo më pak skandaloze është edhe mungesa e dënimit të këtij vendimi të njëanshëm nga Komisioni Evropian”, deklaroi Biljana Bejkova, NV Info Qendër.

Organizatat joqeveritare kanë shprehur shqetësim të thellë edhe për dështimin e vendit në përmbushjen e reformave që parashikonte raporti i Pribes dhe reformat urgjente prioritare si mënyrë e vetme për daljen nga kriza politike.

“Përkundër kërkesave të Komisionit Evropian për reforma urgjente, për fat të keq, kemi konstatuar që gjatë shtatë muajve të fundit: Nuk janë ndërmarrë hapa konkrete për de-politizim të gjyqësorit, nuk ka sinjale të qarta që mbikëqyrja gjyqësore dhe parlamentare mbi DSK funksionon, madje që është ndërprerë qasja e drejtpërdrejtë e DSK-së për përgjimin e komunikimeve, pengohet dhe ndalohet pavarësia e trupave rregullator dhe mbikëqyrës, nuk ka masa konkrete për de-partizim të administratës publike, nuk janë ndërmarrë masa për ndarjen e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore”, u shpreh Irena Stefoska, Platforma për politikë qytetare “Ajde”.

Ata kanë shfaqur shqetësimin e tyre lidhur me ndikimin e pushtetit tek mediat, dhe pengesat në punën e Prokurorisë Speciale. Aktivistët e organizatave qytetare kërkuan që Bashkimi Evropian edhe më tutje të jetë aleati i tyre dhe partneri në luftën për demokratizimin e vendit. Në të kundërtën, sipas tyre, KE-ja bëhet pjesëmarrëse në shkeljen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të së drejtës në Maqedoni.

Agron Vrangalla

Rezoluta e KiE, Konjufca: Mes Tiranës e Prishtinës nuk ka koordinim

glaukuOpozita e Kosovës e lexon si dështim të diplomacisë së Kosovës dhe mungesë koordinimi të faktorit shqiptarë në organizmat ndërkombëtare, kalimin e rezolutës së KiE-së bashkë me amendamentet e Serbisë.

Në lidhje direkte me edicionin qendror informativ të Top Channel, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se ajo që u vendos përmes kësaj rezolute kthen Kosovën pas në kohë.

“Miratimi i rezolutës në KiE është një hap pas për Kosovën në arenën ndërkombëtare sepse kaluan disa amendamente të Serbisë dhe dy janë të dëmshme; ajo që kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe, në një kohë që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që sfidon këtë marrëveshje si antikushtetuese dhe e dyta është rikthimi i rolit të UNMIK-ut në Kosovë”.

Konjufca ja faturoi këtë dështim të radhës të diplomacisë shqiptare mungesës së koordinimit mes faktorit shqiptar në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

“Mes Tiranës dhe Prishtinës nuk po shkon asgjë mirë. Kam qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në KiE dhe nga përvoja flas që nuk ka një koordinim mes delegacionit të Kosovës dhe deputetëve shqiptarë, po ashtu edhe me pjesën shqiptare të politikës në Shkup. Nuk ka koordinim”, tha Konjufca.

Ndërkohë, po në lidhje të drejtpërdrejtë me telefon nga Strasburgu, nënkryetari i delegacionit shqiptar në KiE, Oerd Bylykbashi nuk komentoi se përse më 8 dhjetor, atëherë kur Serbia ka paraqitur amendamentet e veta, përfaqësuesit shqiptarë nuk kanë qenë të pranishëm. (tch)

Kosova, dështimi i dytë, Serbia “rikthen” UNMIK-un

KiEKosova pësoi një tjetër disfatë në planin diplomatik dhe të njohjes ndërkombëtare, pasi rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Europës për Kosovën, është miratuar pasditen e së enjtes së bashku me katër amendime të propozuara nga Serbia.

Beogradi paraqiti një ditë më parë në Komision amendimet e veta në lidhje me veçimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi për bashkësinë e komunave serbe, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe pse Kosova nuk u bë anëtare e UNESCO-s dhe për kalimin e disa kompetencave tek UNMIK në marrëdhenie me organizma të tilla si Interpol dhe Europol.

Këto amendime u miratuan mëngjesin e së enjtes në Komision e më pas u paraqitën zyrtarisht si rezolutë nga Komisioni. Përfaqësuesit e Shqipërisë, që kanë të drejtë vote, të ndihmuar nga përfaqësuesi i Suedisë, propozuan amendime që eleminonin kërkesat e paraqitura nga Serbia. Por fatkeqësisht, të gjitha amendimet janë rrëzuar. Amendimi që rikthente disa nga standardet e para pavarësisë në lidhje me marrëdhëniet me Europol dhe Interpol, u rrëzua për vetëm një votë.

Kryetari i delegacionit suedez, social-demokrati Jonas Gunnarson, mbështeti shumë fort amendimet e përgatitura nga përfaqësuesit shqiptare, deputetët Valentina Leskaj, Petrit Vasili, Namik Dokle dhe Oerd Bylykbashi, por në fund përfaqësuesit serbë e fituan betejën.

Ndërkohë, në sallë mungoi edhe përfaqësuesja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti.

Disa vende si Britania, Turqia, Hungaria dhe Suedia dhanë mbështetje maksimale, por ndryshimi nuk është bërë i mundur. Edhe vetë hartuesi i rezolutes për Kosovën reporteri spanjoll Augustin Conde, mungoi gjatë diskutimit në Komision, por edhe gjatë seancës. Në përfundim raporti është miratuar me 112 vota.

Ndërkohë, burime nga delegacioni i Shqipërisë, i pohuan Top Channel se përgjegjësia i takon edhe delegacionit nga Tirana, mungesa e të cilit në mbledhjen e fundit të komisionit në dhjetor, duket se ka patur pasoja për dështimin të enjten të kalimit të amendimeve të propozuara nga përfaqësuesit e saj.

Kjo është humbja e dytë e rëndë diplomatike pas asaj të disa muajve më parë. Kosova dështoi të merrte anëtarësimin në UNESCO, pas një lobimi të fortë të Rusisë dhe votës kundër të Polonisë dhe të disa shteteve që e kishin njohur më parë pavarësinë e Kosovës.

/ Top Channel

OBSH: Zika, shkak i mundshëm i defekteve të lindjes

miskonja virusi zikaOrganizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se virusi Zika, që shihet si shkak i mundshëm i defekteve të rënda të lindjes, po përhapet me shpejtësi në kontinentin Amerikan dhe mund të prekë më shumë se katër milionë njerëz.

Organizata thotë se virusi që bartet nga mushkonjat, u pa fillimisht si një rrezik i vogël tek njerëzit, por ai po shndërrohet me shpejtësi në një kërcënim publik me “përmasa alarmante.”

Drejtoresha e Përgjithshme e agjencisë shëndetësore të OKB-së, Margaret Chan, tha se virusi Zika u zbulua në Ugandë në vitin 1947, por që atëherë është përhapur në të gjithë botën dhe se vitet e fundit prania e tij është lidhur me komplikacione neurologjike. Mijëra gra shtatzëna të infektuara me këtë virus kanë lindur foshnje me aftësi të kufizuara që kanë çuar deri në vdekjen e fëmijës. (voa)

Kosova dhe Serbia nuk janë dakord për Asociacionin

Në Bruksel u mbajt raudi i parë i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, prej fillimit të bllokimit në parlament. Palët thonë se bisedimet u zhvilluan në atmosferë të mirë. Por cilat ishin rezultatet konkrete?

Mustafa-Mogherini-VuciqTakimi Mustafa-Mogherini-Vuciq

Ndërmjetësuesja në negociatat për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, Frederica Mogherini pohon se bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë shumë të mirë”. Kryeministrat e Kosovës Isa Mustafa dhe Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, siç janë, Marrëveshja për njohjen e diplomave të universiteteve, Marrëveshja për lëvizje të lirë, Marrëveshja e parë, e nënshkruar në prilli të vitit 2013, si dhe ajo e gushtit 2015. Në komunikatën e Përfaqësueses së lartë të BE, theksohet se “janë bërë përparime në zbatimin e disa marrëveshjeve”, siç është ajo për lëvizjen e lirë dhe njohjen e targave të automjeteve.

Palët kanë shprehur interesim dhe gatishmëri për njohjen edhe të diplomave dhe çertifikatave shkollore. “Palët janë fokusuar edhe tek angazhimi për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara më parë”. Në kumtesë thuhet se palët kanë rënë dakord edhe për fillimin e bisedimeve për lidhjet direkte ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa: Asociacioni vetëm në përputhje me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi në orët e vona të mbrëmjes se me homologun e tij serb Vuçiq kanë biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Ndërsa për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tha se ajo mund të implementohet “vetëm në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”. Pala serbe ka kërkuar që në territorin e Kosovës të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Mustafa tha se “do të respektohet e drejta e serbëve për të votuar, por vetëm në përputhje me ligjet e Kosovës”.

Mustafa

Mustafa shkeli fjalët e veta

“Asgjë në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin, nuk do të procedohet, nëse nuk është në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Mustafa, para gazetarëve të mbledhur në Bruksel, pas takimit trepalësh të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE, Mogherini. Edhe ai nënvizoi se “takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive” dhe se palët kanë biseduar për çështjen e njohjes së diplomave dhe për lirinë e lëvizjes.

Mustafa udhëton edhe pa liberalizimin e vizave

Para një muaji, kryeministri Isa Mustafa kishte kërcënuar se nuk do të udhëtojë jashtë vendit, pa liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që Komisioni i BE kishte konstatuar se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për këtë hap. Në shenjë proteste, ai ka deklaruar në një intervistë për DW, se “nuk është etike që ai të udhëtojë, ndërsa qytetarët e Kosovës jo”. Mustafa përsëriti në Bruksel se situata me vizat mbetet “e papranueshme, por Prishtina duhet të kontribuojë në dialog”.

“Ne duam të tregojmë se jemi konstruktiv në angazhimet për normalizimin e marrëdhënieve. Mendoj se ne i kemi përmbushur kriteret politike për heqjen e vizave”, theksoi Mustafa. Në prag të këtij takimi homologu i tij serb Vuçiq tha se “ka qeshur” me palën kosovare, ku ka dëgjuar deklaratat se nuk do të udhëtojnë jashtë vendit pa liberalizimin e vizave. “Do të udhëtojnë si tulipanë të bardhë”, kishte thënë ai para gazetarëve në Beograd, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta përçmuese në mediat sociale.

Vuciq

Vuçiq tha se “ka qeshur” me kërcënimet e kosovarëve

 

Serbia nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri i Serbisë Vuçiq gjatë procesit të bisedimeve tha se ai shpreson arritjen e “çfarëdo marrëveshjeje” e cila do të “zhbllokonte procesin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. “Ky proces do të vazhdojë gjatë, nuk është i thjeshtë, por me rëndësi është që të futemi në këtë proces, sepse ky është obligimi i të gjithëve”, tha ai për Radio Televizionin e Serbisë. Ndërkohë që para gazetarëve doli edhe Marko Gjuriq, i cili tha se “ekzistojnë shanse që të zhbllokohet çështja e përpunimit të statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ky do të ishte një hap shumë i madh për Asociacionin, i cili është shumë i rëndësishëm për palën serbe”. Gjuriq theksoi se “Serbia nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë vendimin e të ashtuquajturës Gjykata Kushtetuese në Prishtinë” dhe se “baza e vetme mbetet Marrëveshja e 25 gushtit, e arritur në Bruksel”. “Këtë vendim (të Gjykatës Kushtetuese) e konsiderojmë një akt intern, i cili nuk ka lidhje me dialogun dhe nuk ka kurrfarë pasojash juridike për palën serbe”, theksoi Gjuriq.  (dw)

Ismail Kadare i bëri letrat shqipe pjesë të letërsisë botërore

kadare80-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare ka tërhequr edhe vëmendjen e shtypit të huaj. Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” i kushton Kadaresë një shkrim me titullin “Klima e rebelimit”.

Ismail Kadare zëri letrar i patriotizmit shqiptar mbush 80-vjet shkruan publicisti dhe shkrimtari i njohur austriak, Karl-Markus Gauss në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung (28.01) duke theksuar se është pikërisht Ismail Kadare ai që e bëri letërsinë shqiptare-pjesë të letërsisë botërore. “Romanet e tij ngritën lart krenarinë e shqiptarëve, durimin në vuajtje të një populli të vogël, i kërcënuar disa herë nga shpërbërja në historinë e tij, një populli, të cilin ai e vlerëson si ‘popullin më rebel në botë….fryma e rebelimit ishte kaq e përhapur dhe e pandryshueshme si klima e vendit.'”

Süddeutsche Zeitung e vlerëson Kadarenë si një “autor patriotik i vendosur, i cili me mjetet e letërsisë moderne kërkon të rimarrë dhe vazhdojë një mision të vjetër të epikës. “Fakti që Kadare shkrin në një magjinë dhe realizimin, nuk ka të bëjë vetëm me brumosjen e tij artistike dhe talentin, por edhe me vendlindjen e tij, së cilës ai i kushtohet me një fuqi të admirueshme që prej 60 vjetësh. Nga magjia dhe realizmi kanë dalë vepra grandioze si Kronikë në gur, e botuar në 1971 në shqip dhe më pas e sjellë në gjermanisht nga Joachim Röhm.”

perkthyesi Joachim

Joachim Röhm, përkthyesi i njohur i Ismail Kadaresë në gjuhën gjermane

Kritiku i ideologjisë neoosmane

Shkrimtari e publicisti Karl-Markus Gauss thekson se “patriotizmi e ka futur Kadarenë nganjëherë edhe në ngushticat e nacionalizmit duke bërë që fqinjët sllavë sidomos ata serbë të reagojnë me sulme të forta. Pakthyeshëm ai pohon prej kohësh, se janë pikërisht shqiptarët kombi i vetëm i lashtë europian i Ballkanit. Kjo ka bërë që Kadareja të jetë në vitet e fundit një nga kritikët e pakompromis të ideologjisë së re neoosmane, me të cilën Turqia, përkundër çdo lloj realiteti përpiqet të kthejë në një kohë të artë, sundimin e detyruar osman.”

“Madhështia artistike e Ismail Kadaresë është e pamohueshme, si romancier veprash të mrekullueshme ai i meriton të gjitha vlerësimet dhe çmimet, që mund të marrë një shkrimtar” nënvizon Süddeutsche Zeitung në artikullin e publikuar posaçërisht në 80-vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare. (dw)

Facebook-u së shpejti me butona të reja

facebookFacebooku së shpejti do të instalojë butona të tjerë në statuset e tij, përveç butonit like.

Së shpejti përdoruesit do të jetë në gjendje të shprehin jo vetëm pëlqim, por edhe zemërim dhe trishtim, të thërrasin “yay” ose “wow”, apo emocione të tjera nën komentet, fotot apo videot e postuara në Facebook.

“Ne duam që njerëzit të jenë në gjendje të ndajnë të gjitha gjërat që janë të rëndësishme për ta, jo vetëm ato që shprehin gëzim,” – tha kreu i kompanisë, Mark Zuckerberg. Ai tha se butonat e rinj do të instalohen shumë shpejt.

Facebooku filloi testimin e butonave, që ai i quan reagime, tetorin e kaluar në Kili, Filipine, Portugali, Irlandë, Spanjë, Japoni dhe Kolumbi. (voa)

Raporti i “Freedom Hause”: Maqedonia shënon rënie në lirinë e medias

Freedom HouseNë raportin më të fundit të “Freedom House” për liritë në botë, Maqedonia ka shënuar rënie të lirive si pasojë e parregullsive zgjedhore të 2014-ës, që nxitën bojkotin e punës së kuvendit nga opozita. Sipas këtij raporti, Maqedonia nuk bën më pjesë në kategorinë e vendeve që organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Maqedonia ka shënuar rënie të lirive si pasojë e parregullsive zgjedhore të vitit 2014, që nxitën bojkotin e punës së parlamentit nga opozita dhe pas informatave rreth përfshirjes masive te pushtetit në përgjimin e liderëve politikë, religjiozë, gazetarëve dhe qytetarëve”, thuhet në Raportin e “Freedom House”.

Maqedonia mbetet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, grup ky në të cilin gjenden edhe Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

“Partia qeverisëse në Maqedoni ishte përfshirë në mashtrime zgjedhore dhe skandalin e përgjimeve masive, duke acaruar marrëdhëniet me opozitën gjë që nxiti ndërhyrjen e Bashkimit Evropian për organizimin e zgjedhjeve në vitin 2016”, theksohet në Raportin e “Freedom House”

Në raportin e fundit të organizatës amerikane “Freedon House” thuhet se gjatë vitit 2015 bota në përgjithësi është përfshirë nga një valë e ksenofobisë edhe atë shtetet demokratike. Ky është raporti i dhjetë me radhë i “Freedom House” në të cilin vlerësohet se në suaza globale të drejtat dhe liritë kanë shënuar rënie.

Valmir Kuçi

 

Skandaloze/Maqedoni, me vota fiktive do të zgjidhen 20 deputet

zgjedhjeTë dhënat e fundit nga Fondi i Shëndetësisë kanë ngjallur edhe një herë dyshimet se në Maqedoni ekzistojnë 200 deri 300 mijë vota fiktive, që mund të manipulohen nga pushteti gjatë zgjedhjeve, njofton agjencia e lajmeve INA.


Të dhënat tregojnë se në Maqedoni ka gjithsej 1 milion e 800 mijë persona të siguruar, Kjo shifër është për mbi 200 mijë më e ulët në krahasim me numrin zyrtar të popullsisë të regjistruar në vitin 2002, që është 2 milion e 65 mijë banorë. Edhe më të dyshimta bëhen shifrat nëse kemi parasysh se në regjistrin zgjedhor në Maqedoni ka 1 milion e 778 mijë votues, që është shifër përafërsisht e barabartë me numrin e personave të siguruar, që konsiderohet si një nga treguesit më objektiv të numrit real të banorëve. Nëse kemi parasysh se 427 mijë banorë janë të moshës adoleshente (pa të drejtë vote), atëherë dyshimet për votues fiktiv mund të arrijnë deri në 300 mijë.

Anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) bëjnë të ditur se me një trup të tillë votuesish prej 200 mijë deri në 250 mijë votuesish në Maqedoni zgjidhen mbi 20 deputetë.

Ndërkaq, politikanë dhe analistë shqiptarë që nga pavarësimi i Maqedonisë kanë paralajmëruar se qindra mijëra vota manipulohen me qëllim që të ruhet epërsia numerike e maqedonasve ndaj shqiptarëve në Kuvend.

Si argument në këtët funksion të këtyre dyshimeve, ata e përmendin edhe ndërprerjen e regjistrimit të vitit 2011.

Njohësi i zhvillimeve politike, Shpëtim Pollozhani thotë se, Enti Statistikor Republikan është institucioni vendimtar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në një pushtet kaçakësh ku vjedhja e votës është mënyrë jetë, njofton agjencia INA.

“Si mundet të dilet në zgjedhje me mbi 200.000 mije votues fiktive.Të gjithë e dimë se nga 2.080.000 banorë të Maqedonisë (!), 1.800.000 janë votues???!!! Ku është këtu mosha, nën 18 vjeç? Ku është kontrolli i Entit Statistikor Republikan, në të cilin nga 12 sektorë, asnjërin nuk e udhëheq kuadër shqiptar”, shprehet ai.

Procesi i paraparë për pastrimin e listës së zgjedhësve ende nuk ka filluar kurse deri në zgjedhjet e parapara për në prill, mbeten edhe tre muaj duke llogaritur këtu edhe tre javët e fushatës zgjedhore. Nga KSHZ-ja thanë se procesi pritet të fillojë shumë shpejt por pa përcaktuar konkretisht se kur.

Procesi për pastrimin e listës ende nuk ka filluar përderisa koha e mbetur në dispozicion deri në zgjedhjet e prillit mbetet shumë e shkurtër. Ditë më parë, vetë anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor u shprehën me qëndrime të kundërta rreth asaj nëse koha e mbetur deri në prill,do të mjaftojë ose jo, për pastrimin e kësaj liste zgjedhore. (INA)