Debatet për Reformën në Drejtësi

Pas qëndrimeve të mbrëmshme të opozitës, kryetari I parlamentit Ilir Meta kërkon që të ketë “një interpretim sa më objektiv të rekomandimeve të Venecias”. Ambasadorët Lu dhe Vlahutin takojnë kryetarin e Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën

ilir metaNë Shqipëri kryetari i parlamentit Ilir Meta u përpoq sot të jepte sinjale çtensionimi, pas situatës së krijuar mbrëmë në Komisionin e posacëm për reformën në Drejtësi, ku përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan hapur të paktën 10 aspekte të projekt ndryshimeve kushtetuese. Zoti Meta bëri thirrje për një interpretim objektiv të Opinionit të Komisionit të Venecias, duke përsëritur dhe një herë se për cështje të caktuara për të cilat mund të ketë lexime të ndryshme, mund të kërkohet ndihma e misionit europian Euralius apo atij amerikan Opdat

Mbledhja e mbrëmshme e Komisionit të Reformës në Drejtësi, e para pas Opinionit përfundimtar të Venecias, ngriti pikëpyetje të shumta mbi të ardhmen e procesit. Ndonëse të gjitha palët janë shprehur publikisht se Opinioni i Venecias përbën një bazë solide, në takim dolën në pah ndarje të thella, jo vetëm për procedurën që duhej ndjekur drejt miratimit të ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Venecias, por edhe për cështje të përmbajtjes.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta, u përpoq sot të c’dramatizojë situatën, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një takim të parë. “Të gjithë e kanë pranuar dhe vlerësojnë raportin, rekomandimet dhe opinionit e Komisionit të Venecias si bazën e referimit dhe të certifikimit të standardeve më të mira evropiane. Tani duhet më shumë vullnet për të qenë më racional dhe për të bërë një interpretim objektiv të atyre opinioneve që ka dhënë Komisioni i Venecias për të gjitha pyetjet, çështjet dhe opinionet që i janë drejtuar”, u shpreh zoti Meta.

Opozita kundërshton të paktën 10-11 cështje që sipas tij janë të karakterit politik dhe duhet të marrin fillimisht një zgjidhje politike. Cështjet e renditura prej saj përfshijnë mosdakortësinë me ekzistencën e disa institucioneve të cilat parashikohet të krijohen rishtaz, si Këshilli i Emërimeve, ashtu dhe me organizimin e disa të tjerave, përbërjen dhe funksionet e tyre, apo dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve në disa të tjera, si dhe me ndërprerjen e mandatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Por sipas zotit Meta, nuk bëhet fjalë për 10 apo 11 kushte, por cështje për të cilat sic tha ai, “Partia Demokratike synon që të zgjidhen apo të diskutohen sipas këndvështrimit që ajo ka”. Sipas tij kjo kërkon vullnet dhe durim, pasi, sic shpjegoi, për çdo çështje ka rekomandim të Komisionit të Venecias. Zoti Meta shtoi se “për çështje të caktuara të cilat mund të lexohen ndryshe, ne mund të kërkojmë ndihmën e misionit Euralius, këtu në vendin tonë, që na ndihmon për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së ku duam të anëtarësohemi, dhe që ka dhënë një kontribut deri tani, apo dhe të Opdat-it, i cili gjithashtu ka qenë i përfshirë në këtë reformë. Pra i kemi të gjitha mundësitë për të arritur konsensus për të gjitha çështjet”

Megjithatë opozita vuri në dyshim edhe arkitekturën e sistemit që është propozuar, të cilën Komisioni i Venecias e vlerëson “të pranueshëm”, duke shpjeguar se “një sistem me një korrupsion të përhapur, ka nevojë për më shumë mekanizma të jashtëm kontrolli se sa një sistem i shëndetshëm”.

Por kundërshtitë nuk ishin vetëm nga opozita. Edhe përfaqësuesi i LSI-së Spartak Braho, ngriti po ashtu disa probleme që duket se nuk janë në linjë me ndryshimet kushtetuese që i shkuan Komisionit të Venecias, duke nisur nga kundërshtimi për një Gjykatë të Lartë administrative, te mënyra se si është konceptuar organizimi i Prokurorisë, varësia e Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo dhe nevoja për të “ridizenjuar parimin e balancës së pushteteve”.

Por për zotin Meta “LSI-ja është e hapur për të dhënë kontributin e saj në përmbylljen sa më shpejt të këtij procesi. Me konsensus dhe sipas standardeve të Venecias. LSI nuk çedon në këtë reformë, sepse kjo reformë duhet bërë dhe nuk ka alternativë tjetër për vendin, përveç realizimit të kësaj reforme”. Ai i quajti si “të tepërt” komentin e tij për Byronë e Hetimit, duke shtuar me tone humori se “nuk është hera e parë që zoti Braho rebelohet”.

Rruga drejt së cilës do të eci procesi i reformës është ende e paqartë, ndonëse Komisioni i Venecias ka vlerësuar se dokumenti i rishikuar, “përmban propozime të vlefshme për rikonceptimin institucional të sistemit gjyqësor shqiptar” dhe se “teksti është gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane”. Një vlerësim që dukej se do e bënte më të lehtë situatën, ndërkohë që edhe ambasada amerikane në Tiranë, në një koment të sajin dhënë pak ditë më parë televizionit Top Channel, për Opinionin e Venecias, theksonte se “raporti përfundimtar ka  ofruar udhëzime të qarta dhe ka lënë vetëm një çështje qartësisht politike, atë të shumicës së cilësuar, në duart e udhëheqësve politikë të Shqipërisë”.

Pas takimit të djeshëm me zotin Meta, sot ambasadori amerikan Donald Lu dhe koelgia e tij e Bashkimit Europian Romana Vlahutin patën një takim të gjatë më kryetarin e Komisionit të Reformës Fatmir Xhafaj. (voa)

Pastrimi i listës zgjedhore, me shumë sfida

fletevotimiKontrolli i listës së votuesve nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, proces ky që është duke u realizuar nga java e kaluar në bazë të metodologjisë së kryqëzimit të të dhënave nga 11 institucione shtetërore të Maqedonisë, ka nxjerrë në pah më shumë anomali.

Problem paraqet edhe regjistrimi i mbi 100 votuesve në banesa të caktuara të cilat janë të pabanuara ose janë me një sipërfaqe prej më pak se 50 metra katrorë, e jo më pak probleme paraqesin edhe të dhënat e cunguara nga ana e një pjese të institucioneve të cilat ia kanë dorëzuar KSHZ-së.

Në azhurnimin e listës së votuesve krahas ekspertëve të informatikës nga vendi, janë të angazhuar dhe ekspertë të huaj.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk kanë dhënë detaje se si do të mund të eliminohen të gjitha parregullsitë të cilat janë shfaqur në listën e votuesve.

Nga ky institucion vetëm bëhet e ditur se nga rezultatet që do të dalin nga kontrollimi i listës zgjedhore nga ana e ekspertëve të informatikës, do të varet dhe përcaktimi i dinamikës së kontrollimit të listës së votuesve në terren, përkatësisht kontrollimi i listës së votuesve shtëpi më shtëpi.

Aleksandar Novakovski ish anëtar i Komisionit Shtetërorë të Zgjedhjeve vlerëson se kësaj radhe metodologjia e zgjedhurpër pastrimin e listës zgjedhore bazuar në kryqëzimin e të dhënave nga më shumë institucione të vendit garanton një proces të besueshëm.

Novakoski thotë se ka besim në kapacitetet e KSHZ-së, veçanërisht pas ekipimit të këtij institucioni edhe me ekspertë të huaj.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve disponon me kuadër profesional dhe shpreh besimin tim se të gjitha njësitet zgjedhore në terren do të arrijnë që në afatin e caktuar të dalin me rezultate sa i përket pastrimit të listës së votuesve”,thekson Aleksandar Novakovski, ish anëtar i KSHZ-së.

Por, ekspertët e demografisë janë të mendimit se në mungesë të regjistrimit të popullatës në Maqedoni i cili për herë të fundit është zhvilluar në vitin 2002, është shumë e vështirë të arrihet deri tek një listë e votuesve e cila do të ishte e besueshme.

“Regjistrimi në Maqedoni është realizuar në vitin 2002, tani jemi 2016-ta do të thotë kanë kaluar 14 vite gjatë kësaj periudhe numri i popullsisë ka pësuar shumë ndryshime, pra nuk mund të bazohemi dhe aq në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, nga ana tjetër, hapësira kohore për t`u realizuar kontrolli i listës së votuesve në teren është shumë i ngushtë”, thekson Donco Gerasimoski ish drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.

Por, Bashkim Bakiu drejtues i Institutit për Qeverisje të Mirë, konsideron se me aplikimin e metodologjisë për kontrollimin e listës së votuesve në terren duhet pasur shumë kujdes sepse rrezikohet që një numër i caktuar i mërgimtarëve të fshihen nga lista e votuesve.

Kjo formë e verifikimit të listës së votuesve, thekson Bakiu, do të jetë më e dëmshme për popullatën shqiptare ngase veçanërisht në komunën e Strugës dhe Kërçovës ka një numër të madh të atyre të cilët ndodhen me punë të përkohshme jashtë vendit.

“Dinamika e lëvizjes së qytetarëve të Maqedonisë është e tillë veçanërisht atyre shqiptarë pas liberalizimit të vizave, që një numër i caktuar përkohësisht punon dhe vepron jashtë vendit, por realisht edhe në bazë të Kushtetutës ata kanë të drejtë për të votuar”, konsideron Bakiu.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga 24 prilli është supozuar për 5 qershor pas sugjerimeve të faktorit ndërkombëtarë se në Maqedoni nuk janë përmbushur kushtet për organizimin e zgjedhjeve të besueshme duke përfshirë këtu edhe problemet rreth pastrimit të listës së votuesve që ka filluar me disa muaj vonesë nga afati i përcaktuar në bazë të marrëveshjes politike. (ina)

“Nata e Zjarreve”, të gjithë në nderim të familjes Jashari

nata e zjareveTë gjithë pa dallim, qytetarë, bashkatdhetar, përfaqësues të institucioneve, për tre ditë me radhë u përkulën para varrit të Adem Jasharit, familjes, dhe të rënëve në marsin e 98’ës në Prekaz.

Si çdo përvjetor, edhe sonte, në përmbylljen e manifestimit për nderë të rënies heroike të familjes Jashari, u ndezën 56 flakadanë përreth varrezave.

Ashtu siç regjisori i këtij manifestimit, Latif Zariqi tregon për KosovaPress, “Nata e Zjarreve” për simbolikë ka përhapjen e zjarrit të pushkës së komandantit Adem Jashari.

“Ky padyshim është manifestimi më i madh që bëhet në Kosovë. Ky është në vazhdën 3 ditore të manifestimeve, 5-6-7 mars.Kjo është nata e zjarreve për arsye se këtu ka filluar përhapja e zjarreve të p ushkës së pari të Komandantit Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë në të gjithë trojet. Prandaj në Prekaz është mbajtur riti tradicional nata e zjarreve, aty me ndezjen e flakadanëve, ku kanë marrë pjesë nxënësit të cilët kanë vendosur lule, pastaj pjesëtarët e FSK-së ushtrisë sonë të ardhshme, pjesëtarët e UÇK dhe popullata. Të gjithë së bashku kanë shkuar dhe kanë bërë nderim tek komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë të tjerë të kombit. Ky manifestim është titulluar nata e zjarreve sepse është shtrirja e flakës së zjarrit në të gjithë vendin. E keni parë edhe zjarrin kryesor që simbolizon masivizimin shumë të madh. Ndërsa tani jemi në programin kulturor artistik këtu në shesh, i cili është sajuar me ansamblit më të mirë, por edhe me rapsodë, solistë e artistë të ndryshme”, tha Zariqi.

Për numrin e madh të pjesëmarrësve në shënimin e 18 vjetorit të rënies heroike të Jasharajve, tregoi drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Skenderaj, Hajriz Koci.

“Konsiderojmë se gjithçka ka shkuar mirë, padyshim që epopeja e UÇK-së është një ngjarje e rëndësishme është përkujtimi i një ngjarje themeltare të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe besojë që të gjitha aktivitetet që janë mbajtur për nder të 18 vjetorit të epopesë së UÇK-së kanë shkuar mirë. Ka pasur pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të gjitha trevave shqiptare, të Shqipërisë, Maqedonisë. Ne si komunë jemi munduar të japim kontributin tonë në pjesë që na takon në organizimin e këtyre ngjarjeve”, tha Koci.

Për të përcjellë nga afër këtë manifestim, ishte edhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, sipas së cilit heronjve u mbetet lavdia, derisa të gjallëve puna dhe angazhimi.

Këtu fillojë rezistenca ndaj pushtuesit shekullor dhe këtu mbarojë. Ky është një mesazh apo një vend qe neve na jep kurajë të vazhdojmë më tutje e të ndjekim rrugën e dëshmorëve, të heronjve, lavdia le t’iu mbetet atyre, kurse punë dhe angazhimi na mbesin neve, tha Gashi.

Ndërsa Faruk Zeqiri, nga Ansambli “Bajram Curri” në Prishtinë, thotë se ky manifestim është festë që të gjithë shqiptarët mund të krenohen me të.

“Është një festë që të gjithë shqiptarët mund të krenohen me të. Rezistenca e ka bërë të vetën, që ka bërë bujë në të gjithë botën, dhe ne jemi krenarë që ne jemi sot këtu. Nuk është hera e parë, çdo vit pas luftës kemi marr pjesë si ansambël, kështu që nuk do të lodhe mi as viteve të tjera, është kënaqësi të vijmë e t’u bëjmë homazhe, për me i respektuar dëshmorët e rënë që kanë dhënë jetën për këtë liri”, tha Zeqiri.

Për të përfunduar shënimin e përvjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, pas ndezjes së flakadanëve në Prekaz, manifestimi u zhvendos në Skenderaj, në sheshin që mban emrin e komandantit Adem Jashari.

Epopeja e UÇK-së u përmbyll me një koncert kulturo-artistik në Skenderaj./KosovaPress

Shkupi mbyll kufijtë, Athina në bisedime me Tiranën për refugjatët

top storyBurime diplomatike nga Athina pohuan për Top Channel se ka bisedime me Shqipërinë për kalimin e 10 mijë refugjatëve sirianë.

Korrespondenti i Top Channel në Athinë, Artur Bibe konfirmoi këtë në një lidhje të drejtpërdrejtë me Top Story-n. Thuhet se bisedimet janë në fazë fillestare.

Nisjen e këtyre bisedimeve e ka konfirmuar edhe zv.ministrja e Brendshme, e pranishme në panel, Elona Gjebrea.

“Nuk ka marrëveshje me Greqinë për refugjatët, por ka bisedime dhe zgjidhja do të jetë në kuadrin europian”, tha Gjebrea.

Ndërkohë, Shkupi ka vendosur që nuk do të rihapë kufijtë për refugjatët, një vendim ky thuajse përfundimtar që pret vetëm formalizimin e tij. E vënë në këtë situatë, Athina po synon të shpërndajë valën e refugjatëve në kufijtë me fqinjët e tjerë. Kështu, flitet se një pjesë e emigrantëve do të zhvendosen në kampe në zonën e Follorinës, Kozanit dhe Janinës, pranë kufirit shtetëror me Shqipërinë.

/ Top Channel

Samiti i BE – Itinerari ballkanik të qendrojë i mbyllur?

Tani duhet t’i jepet fund “lejimit” të kalimit të qindra mijëra refugjatëve nga Greqia drejt Europës Qendrore. Sipas diplomatëve samiti i BE-së nuk do ta hapë sërish të ashtuquajturin itinerari ballkanik.

refugjatetKancelarja Angela Merkel në prag të samitit të BE-së lidhur me krizën e refugjatëve është shprehur kundër kërkesave për mbylljen e itinerarit ballkanik. “Nuk është e mundur që të mbyllet diçka”, tha ajo me të mbërritur në Bruksel. Njëkohësisht synohet të ulet numri i refugjatëve që vijnë ilegal në BE – jo vetëm për disa vende, por për të gjithë. Kancelarja tërhoqi vëmendjen me këtë deklarim kundër formulimit në deklaratën përfundimtare të samitit, sipas së cilës itinerari ballkanik është „i mbyllur“.

Kjo mësohet nga deklarata e përgatitur për samitin, që e disponon agjencia gjermane e lajmeve DPA. Ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz të dielën (06.03) tha në televizionin gjerman, se shtete si Austria, Gjermania apo Suedia nuk janë në gjendje t’i pranojnë të gjithë njerëzit, që duan të vijnë në to. Gjithashtu në samitin e BE-së (07.03) sërish do të insistohet, që t’i jepet fund politikës së “lejimit” të kalimit nga një vend në tjetrin, shpjegoi politikani i partisë Popullore Austriake ÖVP në emisionin e ARD-së “Anne Will”.

Merkel bisedon me Davutoglu

Përpara samitit në Bruksel të 28 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së konsultohen me kryeministrin turk Ahmet Davutoglu, se si mund të ndalet vala e refugjatëve nga Turqia drejt Europës. Kancelarja Angela Merkel të dielën në mbrëmje u takua me Davutoglu për bisedime paraprake. Sipas diplomatëve të BE-së në samit do të diskutohet edhe për qendrimin e autoriteteve turke kundrejt gazetës kritike ndaj qeverisë “Zaman”.

Reagimet e politikanëve përgjegjës në Berlin dhe Bruksel në fundjavë ndaj marrjes së kësaj gazete nën kontrollin shtetëror ishin mjaft të rezervuara, aq sa të krijohet përshtypja, se synohej shmangia e një diskutimi, për të arritur një marrëveshje me Ankaranë. Sepse nga bashkëpunimi me Turqinë varet në mënyrë vendimtare, nëse BE-ja do t’ia dalë të bjerë dakord për një linjë lidhur me krizën e refugjatëve.

Dhjetra mijëra migrantë të bllokuar në Greqi

Për muaj me radhë përgjatë itinerarit ballkanik migrantët janë lejuar të kalojnë nga njeri vend në tjetrin, derisa u ngritën gardhet e para kufitare me tela me gjemba dhe u vendosën në pozicione mbrojtësit e kufirit. Maqedonia ndërkohë nuk lejom më refugjatë të kalojnë, kështu dhjetra mijëra njerëz janë bllokuar në kampet e strehimit në anën greke, me shpresë se dikur do të mund të vazhdojnë udhëtimin.

Minsitri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas tha, se shtete të veçanta nuk mund t’i zgjidhin vet problemet e migracionit mbarëbotëror, kjo vetëm sa mund të shkaktojë një “efekt domino”. Refugjatët duhet të shpërndahen në mbarë Europën. Gjithashtu duhet të luftohen shkaqet e migracionit. Armëpushimi në Siri është mjaft i rëndësishëm në këtë sfond.

Turqia duhet të pranojë azilkërkuesit e refuzuar

BE e në radhë të parë kancelarja Merkel synojnë, që Turqia, t’i ripranojë migranët, që nuk fitojnë të drejtën e azilit. Qeveria në Ankara synon që bashkëpunimi i saj të paguhet shtrenjtë. Qysh tani janë fokusuar tre miliardë Euro nga Brukseli, nëse Turqia i mbron më mirë dhe më me efikasitet kufijtë e po ashtu edhe kufirin detar me Greqinë nga kondtrabandistët. Për këtë Turqia duhet të pranojë edhe angazhimin e anijeve të NATO-s.

Afganët të mallkuar për të pritur

Për t’i ndalur njerëzit nga një fluks drejt Europës, qeveria në Ankara do t’i përmirësojë kushtet e jetesës për refugjatët në Turqi – p.sh. duke siguruar kujdesin shëndetësor dhe shanset për arsimim për fëmijët e refugjatëve. Por për ta plotësuar këtë, nuk mjaftojnë tre miliardë Euro, është shprehur së fundi presidenti Rexhep Taip Erdogan.

Ndihma emergjence për Greqinë

Kursi i rreptë për mbylljen e itinerarit ballkanik mbështetet në marrëveshje me Gjermaninë. Për ta mbështetur Greqinë në përballimin e gjendjes me migrantët e bllokuar atje, aktualisht rreth 30.000 syresh, kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së kanë propozuar një ndihmë prej 700 milionë Eurosh. Para samitit të ardhshëm në mes të muajit duhet të ketë një vendim për këtë. Greqia e goditur financiarisht duhet të marrë ndihmë edhe për mbrojtjen e kufirit. (dw)

Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

avokati i popullit ksNë Prishtinë, përfaqësuesit e avokatëve të Popullit të Kosovës dhe Shqipërisë thanë se do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Komentet e tyre pasuan vendimin e disa ditëve më parë të autoriteteve serbe për të kthyer në Kosovë rreth 103 mijë libra në gjuhën shqipe që ishin dhuruar nga Ministria e Arsimit e Kosovës për shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. (voa)

 

TAP, tubacioni mes Shqipërisë dhe Greqisë

tapProjekti i ndërtimit të Gazësjellësit Natyror Trans-Adriatik është gati të nisë shtrimin e tubacionit në seksionet tokësore të projektit në Shqipëri dhe Greqi.

Sipas burimeve zyrtaretë  këto ditë janë nënshkruar kontratat e inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit për tubacionin në pjesën tokësore të Shqipërisë dhe Greqisë me gjatësi prej rreth 760 km.

Punimet do të kryhen nga kompani të njohura ndërtuese franceze, greke dhe italiane. Në territorin shqiptar tubacioni përshkon 215 kilometër nga Bilishti, në juglindje, drejt zonës se Semanit në Adriatik.

Një vit më parë Projekti, TAP në Shqipëri lidhi disa kontrata për ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve dhe urave dytësore ndihmëse. Në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit janë kryer punime që kanë përmirësuar segmente rrugore dhe kanë hapur rrugë të reja ku do të shtrihet gazësjellësi.

Rreth 51 km rrugë të reja dytësore pritet te përfitohen nga keto punime dhe rreth 40 km rrugë egzistuese përmirësohen duke ndikuar në jetën e komuniteteve të banorëve në këto zona.

Në portin e Durrësit pritet të kryhet ndërkaq transportimi i rreth 13 mijë segmentesh tuba çeliku, të cilat do të shpërndahen në gjurmën ku kalon gazësjellësi në të tre rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit.

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan për në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Projekti TAP-i pritet të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit dhe do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte.

Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, sipas kompanisë, prurjet e para në Evropë mendohet se do të fillojnë përafërsisht në vitin 2020. (voa)

EUROSTAT: Kosova renditet e 4-ta, 66.885 shtetas kërkuan azil në vitin 2015

eurostat kosova66.885 është numri i shtetasve kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2015. Informacioni që vjen nga raporti më i fundit i Eurostat, bën me dije se 5% e emigrantëve në vitin që lamë pas kanë ardhur nga vendi ynë.

Eurostat në informacionet e publikuara, Kosovën e njeh me fusnotë, duke e vendosur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut. Kurse, Shqipëria renditet në vendin e pestë me 65.935 shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2015.

Në dokument paraqitet gjithashtu edhe destinacioni i më i kërkuar nga shqiptarët që është Gjermania, vend në të cilin ka patur 53.805 kërkesa për azil. Ndërkohë, raportohet se në vitin 2015, ka patur një rekord sa i përket numrit total të kërkesave për azil, teksa shifrat i kanë kaluar 1.2 milionë persona.

Eurostat ka publikuar raportin më të fundit për azil-kërkuesit, në të cilin bëhet me dije se në total, 65.935 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian. Sipas dokumentit, destinacioni më i kërkuar nga shqiptarët ka qënë pikërisht Gjermania, në të cilin janë depozituar gjithësej 53.805 aplikime.

Në terma të përgjithshëm, Eurostat njofton se në vitin që lamë, mbi 1.2 milionë emigrantë kanë udhëtuar drejt vendeve të BE-së me shpresën e qëndrimit të përhershëm. Kjo shifër është dy herë më lartë se ajo e regjistruar në vitin 2014.

Largimet më masive kanë qenë nga Siria ndikuar edhe nga lufta civile që vijon prej pesë vitesh. Qytetarët sirianë kryesojnë listën me 362.775 kërkesa për azil.

Nuk mbeten prapa as dy vendet e tjera të lindjes së mesme, që janë Afganistani dhe Iraku, me respektivisht 178.230 si dhe 141.535 kërkesa. Vendi që ka pritur më shumë refugjatë ka qenë Gjermania, e cila në vitin që lamë pas ka strehuar 441.800 azil-kërkues. (kosovapress)

Shqipëria, 5% të azilkërkuesve në vendet e BE; Eurostat: E dyta në Gjermani

raporti shqiperiaEurostat ka publikuar raportin më të fundit për azilkërkuesit që janë regjistruar për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2015. Sipas këtyre shifrave, në total janë bërë 1.255.600 aplikime në të 28 vendet e BE-së, ku kryesojnë ata nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Sipas shifrave të publikuar nga Eurostat, Shqipëria përbën 5 % të të gjithë azilkërkuesve në 2015, e përkthyer në shifra, plot 65 935 kërkesa për azil.

Gjermania është vendi më i kërkuar nga azilkërkuesit shqiptar, ndjekur pas nga Franca dhe Suedia. Në Gjermani, Shqipëria renditet pas Sirisë për kërkesat për azil, me 12% të totalit të tyre, apo 53 805 kërkesa vetëm në 2015. Ndërsa në Francë shqiptarët bëjnë 4% të aplikimeve, apo 3220 kërkesa, dhe në Suedi 3.9% të aplikimeve, apo 2565 kërkesa.

Eurostat bën të ditur se në 28 vende të BE-së krahas këtyre shifrave, të publikuara për 2015, ka ende edhe 1 milionë kërkesa të tjera në pritje të një përgjigje, ku numrin më të madh e zë Gjermania.

Në fund të 2015, janë ende duke u marrë në konsiderate nga autoritetet përgjegjëse vendase 922 800 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare. Ndërkohë që në fund të 2015, ishin gati gjysma e tyre, 489 300.

/ Top Channel

Intervistë me Shqipe Adem Jasharin

Shqipe Adem JashariDëgjues të nderuar! Sot, në valët e Radios-Kosova e Lirë kemi një të ftuar të veçantë, një nënë të tre fëmijve. Kjo  është, Shqipja,  bija e legjendarit Adem Jashari.  Ajo  ka lindur ne Prekazin heroik, që ndër shekuj nga gjiri i vet nxori trima  e trimëresha, si rrallë kund në ndonjë vend të botës.  Në bisedën e zhvilluar me bijën e Komandantit legjendar, vërehet qëndrimi i saj shumë modest, por edhe shumë kuptimplotë,  ashtu siç ishte dhe po mbetet  edhe jeta dhe vepra heroike e Jasharajve. Shqipja  rrëfen  sesi rënia e  babait e nënës dhe e të gjithë familjarëve të tyre nuk ishte e rastësishme. Ata, nga brezi në brez ishin rritur dhe edukuar me moton:  Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të biem ne, sesa atdheu.Në të vërtetë ata u rilindën. Jasharët do të jetojnë në shekuj. Shembulli i tyre do të kujtohet nga brezi në brez, jo vetëm ndër shqiptarë, por kudo ku bota ka liridashës, ku ka frymëzim dhe ideal  për t’u martirizuar dhe për të rënë për të mirën e përgjithshme, për njerëzinë, të drejtën, të vërtetën, për lirinë…

Për 18 vite pas luftës  më shumë se 10 milionë njerëz nga trojet shqiptare, por edhe nga shumë vende të botës kanë vizituar familjen dhe Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Shqipe  Adem Jashari është Juriste, bashkëshorte e Xhevdet Krasniqit, avokat. Ajo është nënë e dashur e tre fëmijëve, Aureolës 6 vjeçe, e cila me krenari reciton vargje për gjyshin Adem, dhe dy binjakëve: djali, Vlerori dhe vajza, Epopeja, të dy  nga tre vjet. Fotoja  e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, që tanimë është  e pranishme në qindra e mijëra shtëpi të  familjeve liridashëse shqiptare, duket se më së miri zë  vendin në ballë të oxhakut të shtëpisë së Shqipe Jasharit. Fotografia e legjendarit qëndronte përballë edhe në zyrën ku punonte Shqipja.

Zonja Shqipe, mirë se erdhët në Radion-Kosova e Lirë!

Pas mbarimit të luftës, me rastin e përgatitjeve për fillimin e transmetimit të Radio-Drenicës, ju kemi ftuar për ta incizuar singlën e Radios, të cilën edhe e keni shqiptuar me përkushtim. Ishte dëshira e bashkëluftëtarëve të babait Tuaj që Radio-Drenica, të fillonte programin me zërin e Shqipe Jasharit. Çka ju kujtohet nga ajo kohë, meqë keni qenë e re dhe për moshën Tuaj keni përjetuar aq shumë dhembje e pikëllim sa nuk përshkruhen dot.

Shqipe Adem Jashari: Po, së pari i falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë idenë, që unë të jem zëri i parë i Radio Drenicës. Edhe pse e re në moshë, ishte kënaqësi e veçantë që hapja e Radio Drenicës të fillonte  me zërin tim. Ishte po ashtu kënaqësi  edhe për mua që të filloja kontaktin me njerëzit përmes zërit tim në Radio Drenicë.

Jasharët mbijetuan, falë përkushtimit dhe sakrificës për liri e pavarësi, falë besimit në fitore. Si ndiheni si bijë e Komandantit Legjendar përveç dhembjes së ligjshme dhe krenarisë së natyrshme?

Shqipe Jashari: Kjo është ë vërtetë. Epopeja e familjes sonë nuk ndodhi rastësisht. Për këtë epope, Familja jonë e madhe  kishte vite që ishte përgatitur. Fillimisht ndodhën tri rrethime të familjes: Rrethimi i Parë,  më 30 dhjetor, Rrethimi i Dytë, më 22 janar të vitit 1998  dhe Rrethimi i Tretë me 5 ,6 dhe 7 mars të po atij viti. Kjo qëndresë me  të drejtë u shndërrua në Epopenë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  dhe vlerësohet edhe si shembull unikat në historinë e njerëzimit, në luftë  për liri të një populli. Prandaj kjo  ngjarje e lavdishme, kjo epope,  jo vetëm mua si bijë e Komandantit Legjendar më bën të ndjehem mirë dhe krenare, por besoj fuqishëm që këtë ndjenjë të krenarisë dhe përkushtimit të  luftës për liri e kanë të gjithë shqiptarët.

Tani jemi në vigjilje të Betejës së Jasharëve në Prekaz kundër regjimit okupator serb. Përvjetorët shkojnë e vinë. Kujtimi për më të dashurit rikthen momente të rënda e të lavdishme të asaj kohe. Si ndiheni ju dhe Jasharët përgjithësisht në manifestimin e përvjetorëve?

Shqipe Jashari: Mendoj se pas çlirimit të vendit, kryevepra të luftës sonë të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare ishin dhe mbetën përvjetorët e lavdishëm të saj, me qëllim për  t’i kujtuar të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën, që dhanë gjakun e tyre  për lirinë e këtij vendi, edhe pse ende  nuk shkuan në vend idealet e tyre. Prandaj kjo gjendje e tanishme sikur e zbeh paksa  madhështinë e kësaj ngjarjeje, dhe na bënë të ndiejmë më shumë dhimbjen e më të dashurve tonë, për mos realizimin e amanetit te tyre.

A mendoni se Qeveria e Shteti i Kosovës ka bërë sa duhet për dëshmorët e në këtë mes edhe për Jasharët, në Prekaz, ku edhe është realizuar një pjesë reprezentuese e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”?

Shqipe Adem Jashari:

Fatkeqësisht, Shteti i Kosovës ka bërë krejt pak për dëshmorët dhe familjet e tyre. Këtë e them duke ditur se ende ka familje dëshmorësh që nuk kanë kulm mbi kokë, ende ka familje dëshmorësh që fëmijët e  tyre mezi e sigurojnë bukën e gojës, ende ka familje dëshmorësh që nuk kanë kushte elementare për jetë në raport me pushtetarët e pasuruar dhe të verbuar nga pasuria dhe mirëqenia gati mbretërore. Ata, u pasuruan mbi kurriz të dëshmorëve dhe familjeve të tyre.

Ju me kohë keni krijuar familje, keni bashkëshortin dhe tre fëmijë. Jeni edhe në punë, si ia dilni me problemet dhe sfidat e jetës?

Shqipe Adem Jashari: Po, ky është një proces i natyrshëm, një proces jetësor. Një familje e shëndoshë është shtylla bazë e shoqërisë së shëndoshë. Në këtë drejtim pata fatin që të kem një martesë me një bashkëshort  që më kupton, i cili më ndihmon në jetë dhe më ka bërë që jetën ta kem më të lehtë dhe më të lumtur. Martesa jonë u kurorëzua me tre fëmijë: vajzën e parë, Aureolën që tani është 6 vjeçe dhe binjakët: Vlerorin dhe Epopenë, të cilët kanë mbushur nga  tre vjet. Detyra ime dhe e bashkëshortit  është t’i rrisim, t’i edukojmë, t’i arsimojmë e t’i përgatisim për jetë, në mënyrë që ata të bëhen qytetarë të denjë të vendit dhe të japin kontribut në zhvillimin dhe përparimin e Shtetit dhe të kombit tonë.

Cili është mesazhi Juaj për opinionin liridashës në përvjetorin e Epopesë Lavdiplote të Jasharëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Shqipe Adem Jashari: Mesazhi im është që edhe këtë përvjetor, sikur çdo përvjetor tjetër paraprak ta festojmë ashtu sikur  na ka hije dhe ashtu sikur  e meritojnë dëshmorët. Sa herë vijnë përvjetorët e dëshmorëve na japin forcë, shpresë, besim në frytet e fitores dhe shtytje për fitore të reja.

Në emër te stafit te Radios dhe dëgjuesve tanë Ju përshëndesim dhe iu falënderojmë përzemërsisht për intervistën!

 Shqipe Adem Jashari: Ju faleminderit juve. Ishte edhe kënaqësi që në përvjetorin e Epopesë së familjes sonë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zëri im të dëgjohet nëpërmjet valëve të Radios Kosova e Lirë, zërit të vetëm të luftës, jehonës së pushkëve të çlirimtarëve ndër  betejat e  lavdishme. Kjo Radio bëri që krismat e luftës çlirimtare të dëgjohen kudo në Kosovë dhe jashtë saj, Ju përshëndes juve personalisht, stafin e Radios Kosova e Lirë dhe të gjithë shqiptarët kudo ku janë.

(rkl)