DASH: Shqipëria burim kryesor marijuane

DASHSipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane.

Gjatë vitit 2015, thuhet në raport,  autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madh droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014. Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë.

Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhues kryesor narkotikësh të tjerë,  substancash kimike bazë, ose drogash sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogave. Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i narkotikëve të tjerë nuk është i shpeshtë, thekson raporti i DASH.

Sipas policisë shqiptare, thuhet në raport, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, u kapën 6.87 tonë marijuanë, u shkatërruan 689,815 bimë marijuane në një sipërfaqe prej 44 hektarësh, sipas identifikimit nga ajri të autoriteteve italiane. Autoritet po ashtu kapën 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë.

Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër narkotikëve.

Raporti vjetor i DASH për narkotikët, përgatitet për Kongresin, në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendesh kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave.  (voa)

Lu: Ju ndalua hyrja në SHBA disa gjykatësve të korruptuar

Ambasadori amerikan në Tiranë shpjegoi se ““ju janë refuzuar apo anulluar vizat. Ky është vetëm fillimi”

Donald Lu“Qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka ndaluar hyrjen në territorin e saj disa gjykatësve të korruptuar”: një masë e tillë u bë e ditur sot në mbrëmje nga ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Duke ju përgjigjur pyetjes së një qytetari shqiptar, pjesë e programin të ambasadës amerikane të Video Pyetjeve & Përgjigjeve në YouTube, lidhur me korrupsionin në Shqipëri ambasadori Lu shpjegoi se këtyre gjyqtarëve “ju janë refuzuar apo anulluar vizat”. Identiteti i këtyre gjykatësve apo dhe numri i tyre nuk është bërë i ditur, por në përgjigjen e tij ambasadori shtoi se “ky është vetëm fillimi. Ne kemi shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”. Zoti Lu deklaroi se “korrupsioni është prioritet kryesor i qeverisë së SHBA-ve në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona, por edhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë. Vitin e kaluar, ne pamë se si partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Ne, gjithashtu, mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin”, nënvizoi ambasadori Lu.

Ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të korruptuar, ambasadori amerikan e kishte paralajmëruar që vitin e shkuar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në muajin qershor ai kishte shpjeguar se “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, kishte deklaruar ambasadori.

Masat e autoriteteve amerikane ndaj gjykatësve shqiptarë të dyshuar për korrupsion vijnë në një moment kur në javët e ardhshme parlamenti shqiptar pritet të diskutojë reformën në Drejtësi. Një numër i madh ndërhyrjesh në Kushtetutë, të parashikuara nga reforma, synojnë një përmbysje thuajse të të gjithë sistemit aktual të Drejtësisë dhe riformatimin e institucioneve kryesore të tij. Ndërsa të gjithë gjykatësit e prokurorët pritet t’i nënshtrohen një verifikimi e kontrolli të detajuar si të formimit të tyre profesional ashtu dhe të integritetit moral e pasurive të tyre. (voa)

Neumann: Duhet të jetojmë me rrezikun

Studiuesi i islamizmit Peter Neumann shpjegon në intervistë me Deutsche Welle-n, se çfarë fshihet pas sukseseve të “Shtetit Islamik” dhe pse disa xhihadistë i shërbejnë IS edhe për arsye pragmatike.

Në librin tuaj “Xhihadistët e rinj” ju paralajmëroni nga përhapja e panikut e paragjykimet kundër myslimanëve në Gjermani. Nga ana tjetër në shumë intervista ju paralajmëroni se “edhe në Gjermani do të ketë atentate terroriste”…kjo tingëllon kundërthënëse…

Peter Neumann: Argumenti im ka qenë gjithmonë, që ne si në Gjermani apo vende të tjera tentojmë të reagojmë në mënyrë të ekzagjeruar. Kur ndodh një atentat, papritur përhapet paniku- fillon e besohet se pas çdo xhamie fshihet një terrorist. Por kur kalojnë dy muaj dhe nuk ndodh asgjë, atëherë paniku bie e thuhet se nuk duhet të shqetësohemi. Por në të vërtetë ne duhet të mësojmë të jetojmë me rrezikun në mënyrë realiste. Edhe këtë vit ndoshta do të ketë atentate të tjera, ndoshta si në Paris. Duhet të jemi realistë.

Në librin tuaj ju ngrini tezën se sukseset e IS bazohen tek ekspansioni. Ju e quani këtë edhe “ekonomi plaçkitjeje”. Por tani mësuam nga mediat se i ashtuquajturi “Shteti Islamik” duhet t’ua gjysmonte rrogat luftëtarëve të tij. Po fillon ndoshta rënia e ngadalshme ekonomike e projektit të Kalifatit?

Kjo bazohet në dokumente, që i kanë rënë në dorë kolegut tim, Aymenn-al-Tamimi, ku vërtetohet se brenda territoreve bazë të IS në

Siri e Irak ka filluar kriza ekonomike. Nga njëra u shkurtuan rrogat e luftëtarëve, gjë që mund të shihet si e dhëna më e fortë për një rënie ekonomike, sepse luftëtarët janë elita shoqërore e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Nga ana tjetër nuk ekziston praktikisht ndonjë kujdes mjekësor, nuk ka mjekë. Edhe shpenzimet për librat e fletoret e shkollave prindërit duhet t’i paguajnë vetë. Më parë nuk ka qenë kështu. Argumenti që kam përmendur unë për “ekonominë e plaçkitjes” do të thotë se IS duhet të vazhdonte me ekspansionin për të mbajtur në këmbë jetën ekonomike në rajonet e tij bazë.

Në librin tuaj ju përmendni se tek IS ka ushtarë që shërbejnë “për arsye pragmatike. Shumë vetë ndjekin një “axhendë konfesioni”, të tjerë janë “oportunistët. Por shumica e luftëtarëve lokalë nuk kanë ndonjë qëllim ideologjik, por duan një rrogë dhe një banesë pa para. I ekzagjerojnë mediat “luftëtarët e shenjtë”?

Shikoni Gjermaninë. Kur nazistët erdhën në pushtet nuk besonte i gjithë populli tek ideologjia naziste. Madje edhe anëtarët e NASDAP-së nuk ishin të gjithë në një linjë, por ka pasur shumë oportunistë, që u bashkuan me NSDAP për karrierë. Kështu ndodh edhe me rastin e IS. Nuk duhet të besojmë se të gjithë ata që luftojnë në Siri dhe Irak janë luftëtarë të bindur. Shumë bashkohen sepse gëzojnë privilegje dhe ëndërrojnë për suksesin ekonomik.

A ka arsye të tjera për suksesin e IS?

Një arsye tjetër për suksesin e IS në Irak dhe Siri lidhet me konfliktin fetar sundues atje. IS-i ka ditur të futet me sukses në këtë konflikt. Ai është grupi më goditës që ka luftuar kundër qeverisë së Nuri-Al-Malikit, tjetra kundër varësisë së pakicave në Siri. Këto janë arsye të tjera për suksesin e IS.

Politologu dhe gazetari në profesion të lirë, Peter Neumann është nga viti 2008 drejtor i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve dhe Radikalizimit” në King’s College në Londër. (dw)

Donald Tusk në Maqedoni: Nuk do t’u lemë vetëm në këtë situatë të rëndë

Donald Tusk vizitoi Shkupin në një kohë kur në kufirin greko-maqedonas një refugjate në gjendje të rëndë psikologjike ka tentuar që të vetëdigjet. Gjendja në kufi mund të ndryshojë në çdo Moment, thonë ekspertët.

refugjatet“Në fund njerëzit do të shpërthejnë, sepse kjo situatë zgjat për një kohë të gjatë dhe nuk kemi zgjidhje tjetër, përveç se të protestojmë. Populli i Sirisë jeton në mesin e bombave dhe nuk kujdesen shumë për veten e tyre, sepse për ato është njëjtë nëse do të jetojnë ose vdesin”, e përshkruan një refugjat nga Siria atmosferën mes refugjatëve.

Numri i refugjatëve “të bllokuar” në kufirin greko-maqedonas në Idomeni është në rritje, pasi disa vende të rrugës ballkanike kanë njoftuar kufizimin e hyrjeve të refugjatëve. Ministri i punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski thekson se gjatë ditës së djeshme (02.03.)Maqedonia ka pranuar vetëm 300 refugjatë, ndërsa për ditët në vijim tha se ky numër do të varet nga numri që do të pranojnë vendet e tjera të “rrugës ballkanike”. “Maqedonia ka krizë të brendshme ekonomike shumë serioze dhe ky vend nuk mund të pranojë numër më të madh të refugjatëve, të cilët do t’i mbante në territorin e vendit, por do të pranojë aq sa do të pranojnë vendet tjera të rrugës ballkanike”, është shprehur Spasovski.

BE nuk do ta lërë vetëm Maqedoninë

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës së refugjatëve ka qenë tema kryesore e takimit në Shkup, mes kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe kryetarit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, i cili ka premtuar ndihmën e BE-së për Maqedoninë, në përballjen me fluksin e refugjatëve. “Bashkimi Evropian e kupton gjendjen e rëndë, në të cilën ndodhen autoritetet në Shkup. Nuk mundemi dhe nuk guxojmë që t’i lëmë vetëm në këtë situatë të rëndë. Nuk ka alternativë më të mirë përveç se bashkëpunimit me Turqinë, përmes së cilës vjen numri më i madh i migrantëve”, ka deklaruar Donald Tusk.

Ivanov: Maqedonia nuk do të shndërrohet në kamp refugjatësh

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka deklaruar se Maqedonia nuk do të lejojë ngritjen e kampeve për refugjatë nga Siria dhe zonat tjera të luftës. Ai ka thënë se Shkupi është i gatshëm të bashkëpunoj me Greqinë për refugjatët, por nuk do ta marrë barrën që ata t’i mbajë në kampe brenda shtetit. “Kërkojmë zgjidhje nga Këshilli i Evropës dhe nuk kemi kurrfarë interesi që e gjithë barra të bjerë mbi Greqinë, por nuk do të lejojmë që të realizohen zgjidhje të njëanshme, që do të shkojnë në dëm tonin. Ne do të bashkëpunojmë për tejkalimin e sfidave nga kriza me refugjatët”, ka thënë Ivanov, duke kundërshtuar mundësinë që në Maqedoni të ndërtohen kampe.

Maqedonia mund të përballet me rreziqe të reja

Profesori i çështjeve të sigurisë, Tërpe Stojanovski thotë se nëse numri i migrantëve vazhdon të rritet në zonën neutrale, gjasat janë reale që të ketë përpjekje të reja për të depërtuar me dhunë në Maqedoni. “Ajo që pamë ditëve të fundit është një shembull, apo skenar i mirë për rreziqe të reja. Nëse numri i migrantëve vazhdon të rritet, sigurisht se pamjet e para dy ditëve do të përsëriten. Bëhet fjalë për fate njerëzish, andaj edhe duhet vepruar në menaxhimin sa më të mirë të situatës”,thotë Stojanovski.

Në të gjithë territorin e Greqisë ndodhen rreth 25 mijë refugjatë, ndërsa vetëm në qendrën për pritje të refugjatëve në Idomeni, momentalisht qëndrojnë rreth 9 mijë refugjatë. Organizatat humanitare që veprojnë në Idomeni theksojnë se nuk kanë mundësi të sigurojnë as nevojat themelore të refugjatëve, përfshirë edhe ushqimin, pasi qendra për pritje është e tejmbushur nga numri i madh i refugjatëve, të cilët tashmë janë të bllokuar në “tokën e askujt”, për shkak të masave të rrepta të kontrollit ndaj refugjatëve në vendet përgjatë “rrugës ballkanike”. Në vijën kufitare në kuotën 59, vërehet numri i madh i forcave policore-ushtarake, të Maqedonisë ndërsa situata përgjatë kufirit kontrollohet edhe nga helikopterët. (dw)

BB: Shqipëria të mbajë ritmin e reformave

Zëvendës presidenti rajonal i Bankës Botërore Cyril Muller në Tiranë: Rritja ekonomike afatgjatë të orientohet drejt investimeve dhe eksporteve

MullerNë Shqipëri, zëvendës presidenti rajonal i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore Cyril Muller, theksoi nevojën që vendi “të mbajë ritmin e reformave” dhe se rritja ekonomike afatgjatë e tij “duhet të orientohet drejt investimeve dhe eksporteve për të siguruar një mirëqënie më të madhe”. Këto deklarata zoti Muller i bëri në përfundim të vizitës së tij dy ditore në Tiranë gjatë së cilës ai u takua me autoritet kryesore politike dhe financiare. “Kjo vizitë u fokusua në përpjekjet për reforma afatgjata të Shqipërisë për të kapërcyer izolimin historik dhe ecur drejt integrimit të plotë në BE dhe në nivel global”, thekson një komunikatë e shpërndarë nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë, sipas së cilës “zëvendës Presidenti Rajonal vlerësoi rezultatet e programit afatmesëm të konsolidimit fiskal, stabilitetit financiar dhe reformave strukturore që ndihmojnë rritjen ekonomike”.

Banka Botërore ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme ndër vite për realizimin e një sërë reformash të rëndësishme në Shqipëri. “Po fillojmë të shohim rezultatet pozitive të valës së parë të reformave makroekonomike dhe strukturore. Përfundimi i këtij programi të vështirë dhe afatgjatë reformash do të kërkojë kohë. Është me rëndësi kritike të ruhet ritmi dhe kahu i tyre,” tha zoti Muller, duke shtuar se “kalimi i Shqipërisë drejt një modeli të ri rritjeje të orientuar nga eksportet dhe investimet, përmirësimi i mjedisit të biznesit, qeverisja e mirë dhe transparenca do të jenë me rëndësi për përshpejtimin e rritjes dhe mirëqenies së përbashkët.”

Zëvendës Presidenti Rajonal nënvizoi nevojën për të gjetur burime të reja për ta përshpejtuar rritjen, si dhe nevojën e një shtytjeje të fortë për reformimin e shtetit dhe të shërbimeve të tij, lidhjen rajonale, gjithëpërfshirjen dhe barazinë gjinore në tregjet e punës, dhe çlirimin e potencialit të sektorit privat.

Që prej vitit 1991, kur u anëtarësua në Bankën Botërore, Shqipëria ka marrë mbështetje për 86 projekte, në shumën totale prej mbi 2,4 miliard USD kredi dhe grante nga IDA (International Development Association) Fond i Bankës Botërore për Varfërinë, dhe hua nga IBRD, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Aktualisht, Banka Botërore mbështet një portofol prej nëntë projektesh në shumën 544 milion USD. (voa)

Rekord amerikan për qëndrim në orbitë

kosmonautPas 340 ditësh në orbitë, astronauti amerikan Scott Kelly dhe kozmonauti rus Mikhail Kornienko u kthyen sot në Tokë.

Një anije ruse Soyuz ku ndodheshin Kelly, Kornienko dhe një kozmonaut i dytë rus, Sergej Volkov, bëri një ulje të butë në stepat e Kazakistanit, tre orë pas shkëputjes nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. Volkov u kthye pas gjashtë muajsh në bordin e Stacionit Ndërkombëtar, që është kohëzgjatja tipike e një misioni për ekipet e hapësirës.

Astronauti Kelly mban tani rekordin amerikan për kohëzgjatje të qëndrimit në hapësirë. Ai dhe Kornienko i ranë botës 5,440 herë në bordin e Stacionit, duke parë 10,880 lindje dhe perëndime dielli nga orbita.

Qëllimi i misionit të tyre ishte për të studiuar se si ndikon një qëndrim i gjatë në hapësirë mbi trupin e njeriut. Studime të tilla mund të shërbejnë për planifikimin e misioneve të ardhshme shumëvjeçare në planetin Mars apo në trupa të tjera qiellorë. (voa)

“Kumanova”, avokatët braktisin seancën

kumanovaSeanca e pestë gjyqësore për Lagjen e trimave përfundoi ende pa filluar. Tre avokatë të të akuzuarve braktisën gjykatën meqë, sipas tyre nuk kishte kushte për gjykim. Avokatët në mënyrë të shpejtë u gjobitën me nga me nga 1200 euro. Përveç kësaj, avokatët Naser Raufi dhe Bujar Dardhishta do të duhet ti kompensojnë edhe të gjitha shpenzimet për gjykimin e sotëm, që sipas disa vlerësimeve arrijnë edhe dhjetëra mijëra euro. Do të duhet të paguajnë edhe shoqërimin e të akuzuarve, për angazhimin e dy helikopterëve dhe qindra policëve. Për gjykatësen, ata kanë ofenduar gjykatën, kanë prishur rendin dhe qetësinë dhe me sjelljen e tyre e kanë prolonguar procedurën.

Nga Gjykata i porositën familjarët se të afërmit e tyre mund t’i vizitojnë në paraburgim, dhe se Ligji për procedurë penale nuk parashikon se duhet doemos tu lejohet familjarëve që të jenë të pranishëm në gjykim. Sipas gjykatës ka vetëm një sallë të madhe dhe janë siguruar kushte për praninë e një pjese të familjarëve. Por edhe avokatët tjerë dolën në mbështetje të kolegëve që braktisën gjykatën.

“Duam kushte dhe do të solidarizohemi me kolegët për gjobat me të cilat u dënuam dhe për shpenzimet e supozuara që janë bërë me seancën e sotme, Gjykata duhet doemos ti tërheqë për arsyeje se nuk ka kushte për gjykim korrekt dhe të drejtë të kësaj lënde të ndjeshme që zhvillohet para Gjykatës themelore Shkupi 1”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat.

Çka nëse nuk plotësohen kushtet?

“Nëse nuk plotësohen kushtet, në seancën e radhës asnjë avokat mbrojtës nuk do të jetë i pranishëm”, tha Lupço Veselinovski, avokat.

Gazetarët u vendosën në bibliotekën e Gjykatës prej ku përmes televizorit përcillnin zhvillimet në gjykatë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e OSBE-së, organizatave joqeveritare dhe të ambasadës së Kosovës në vend. Seanca e radhës do të mbahet më 8 mars.

Maja Jovanovska

Prokuroria Speciale godet me 15 raste të reja

katicaProkuroria Speciale Publike përmes një kumtese ka njoftuar sot se ka hapur 15 procedura parahetimore që kanë të bëjnë me financimin e mediumeve, keqpërdorim të procedurave për furnizime publike, evazion fiskal, larje parash, veprime të ndryshme korruptive, dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, hetimeve financiare, keqpërdorim të procedurave që kanë të bëjnë me punë ndërtimore, e kështu me radhë. (alsat)

Zaev: Gjykatë si kjo e Shkupit ndoshta ka vetëm në Korenë e Veriut

zaevAskund në botë nuk ekziston gjykatë e cila i ik, e stërzgjat dhe s’dëshiron të ndajë drejtësinë. (…) Ja pse në Marrëveshjen e Përzhinos qëndron reforma e gjyqësorit. Një gjë e këtillë s’ekziston askund në botë, përveç ndoshta në Korenë e Veriut”, deklaroi lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, pas anulimit të gjykimit të sotëm për rastin “Puç” ku ai është i akuzuar.

Zaev potencoi se “me arsyetim për informata të klasifikuara, gjykata e cila nuk posedon sertifikat për informata të klasifikuara, nuk ia jep lëndën Prokurorisë Speciale Publike, së njëjtës Prokurori e cila posedon sertikatin për informata të klasifikuara”.

I pyetur se cili është dëshmitari të cilin prokurorja speciale Katica Janeva e ka kërkuar, Zaev u përgjigj:

“Dëshmitari është i vetmi në këtë lëndë, quhet Nikolla Gruevski. Ai ik që të paraqitet këtu para gjyqit. Kjo është e vërteta”. (ina)

Gazsjellësi TAP rigjallëron TEC-in e Vlorës

tap gjiknuriNdërtimi i gazsjellësit TAP mund të rigjallërojë një prej investimeve më të mëdha dhe të dështuara në fushën e energjetikës sicc është TEC-i i Vlorës. Qeveria zvicerane do të financojë 6 milionë euro për ngritjen e kapaciteve të gazit vend.

Ministri i Energjise Damian Gjiknuri tha se brenda vitit do të kryhet studimi i fizibilitetit për lidhjen e TEC-it të Vlorës me gazsjellësin TAP.

“Për shumë vite ka qenë një projekt i dështuar, i dizenjuar për të punuar me naftë edhe me gaz, por që gaz nuk ka patur. Që ky projekt të marrë jetë dhe të bëhet i vlefshëm për portofolin energjetik shqiptar është shumë i rëndësishëm lidhja e tij me sistemin e gazit. Projekti merr përsipër të bëjë studimin e fizibilietit për lidhjen nga pika e daljes të gazit në Fier me termocentralin e Vlorës, që ta bëjë përfundimisht edhe këtë termocentral një nyje shumë të rëndësishme të prodhimit të energjisë”, tha Gjiknuri.

Në fakt KESH nuk e ka marrë ende në dorëzim TEC-in e Vlorës nga kompania ndërtuese, pasi ka probleme me impiantet e ftohjes, dhe palët gjenden në arbitrazh ndërkombëtar. Ky projekt ka nisur në vitin 2004 me një kredi prej 92 milion të Bankës Botërore, që shlyhet tashmë nga taksapaguesi shqiptare.

I planifikuar për të funksionuar me naftë, ai rezultoi me kosto të lartë të prodhimit të energjisë. Tani pas më shumë se 12 vitesh TEC-i kërkon para të tjera shtesë për ta kthyer teknologjinë nga me naftë, me gaz.

/ Top Channel