Brexit: Parullat nuk janë plan

Ishte debati i fundit publik televiziv para referendumit: sërish mbështetësit e “largimit” dhe të “qendrimit” në BE kishin mundësi të luftonin me njëri-tjetrin. Shumë të reja dueli nuk solli. Barbara Wesel ndoqi debatin.

BrexitModeratori

BBC e nxjerr para kamerave moderatorin e saj veteran David Dimbledy para së gjithash në rastet e martesave mbretërore, të jubileve të fronit dhe në raste varrimesh shtetërore. Prandaj me sa duket atij iu dha mundësia të drejtonte edhe një diskutim, që mund të përfundojë ndoshta në varrimin e idesë evopiane. Por Dimbledy është kaq i qetë, sa mund të shoqëronte në ekran edhe përmbysjen e botës. Megjithëse në këtë debat të Brexit u fol aq ashpër sa nuk kishte ku të shkonte më. “Shpresoj se i sqaruam disa çështje”, tha Dimledy në fund. Kjo në një kohë kur gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat, sloganet dhe propaganda e kulluar vetëm sa kontribuan në shtimin e “mjegullës së luftës”.

Boris është Brexit

Para disa ditësh, në një gazetë britanike u spekulua nëse Boris Johnson i lyen në fakt flokët. Veç ngjyrës bjond në të bardhë të flokëve të tij, që të bie në sy, ai është shitësi më i mirë i mesazhit të Brexit. Borisi mund të flasë me kaq entuziazëm për të ardhmen e madhe të britanikëve jashtë BE, sa të duket sikur ai e beson vërtet atë. Kjo në një kohë kur synimi i tij është vetëm të rrëzojë David Cameronin dhe të bëhet vetë kryeministër.

“Mos ia ulni rëndësinë vendit tonë”, kërkon ai me këmbëngulje nga mbështetësit e qendrimit në BE, kur ata paralajmërojnë për pasojat ekonomike. E ardhmja e Britanisë së Madhe, kur të jetë e vetme dhe e lirë, do të jetë madhështore. Para syrit të mendjes të shfaqen lëndina të gjelbra dhe maja me dritë. Zgjedhësve nuk duhet t’u merret mendja nga fushata e frikës e qeverisë. Ekonomia britanike do të ketë suksese gjigande në Kinë dhe në Indi, kur të shpëtojnë më në fund nga vargonjtë e Evropës. Dhe kjo e enjte mund të kthehet në “ditën e pavarësisë të vendit tonë”. Regjia e emisionit këtu për fat të keq harroi të vinte të dëgjohej himni kombëtar.

Kundërshtarët

Sadiq Khan është kryetari i ri i bashkisë së Londrës dhe një talent politik. “Kur je vetëm 1,65 m i gjatë është e vështirë të flasësh për madhësi”, por madhësia luan një rol në BE si bllok tregtar, tha ai. Ironia me veten ecën gjithmonë mirë tek britanikët. Khan është i shkathët për të kthyer përgjigje, vepron me mesazhe të thjeshta dhe emocionale dhe i bie në kokë problemit: “Kush është këtu ai që përhap frikë? Ata që thonë se Turqia do të hyjë së shpejti në BE!”, gjë që është një gënjeshtër, thotë Khan. Dhe politikani laburist kalon në sulm: “Si mund të pohoni që tregtia pas daljes nga BE do të bëhet më e lehtë se më parë? Brexit është një kërcim në errësirë!”

Krahas kryetarit të bashkisë së Londrës lufton ylli i ri i konservatorëve skocezë. Ruth Davidson është kaq e prerë dhe e vendosur, sa po të ndodheshe në ndonjë rrahje në kafene, me shumë dëshirë do të dëshiroje ta kishe në krah. Me energji u bie kokës ajo me argumentat e saj mbështetësve të Brexit: të gjithë ekonomistët paralajmërojnë që në rast të daljes nga BE në Britaninë e Madhe do të ketë recesion. Por këtë, Boris dhe të tjerët e kundërshtojnë me fjalët: Sloganet nuk janë plane. Në gjysmën e debatit, mbështetësit e Brexit kanë kërkuar 17 herë që Mbretëria “të rimarrë më në fund kontrollin në dorë!” Në këtë rast vetëm mund të thuash: epo kontroll të mbarë. (dw)

Parlamenti maqedonas refuzon nismën për shkarkimin e presidentit

parlamenti rmParlamenti i Maqedonisë e refuzoi të martën mocionin për votëbesim ndaj presidentit Gjorgje Ivanov. Deputetët e Lidhjes Social Demokrate në opozitë, që kishin ngritur nismën e mbështetur edhe nga ata të Bashkimit Demokratik për Integrim, arritën të sigurojnë vetëm 35 vota nga dy të tretat e nevojshme në parlamentin prej 123 vendesh, për ta detyruar presidentin e vendit të jepte llogari mbi vendimin për faljen e dhjetëra politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të dyshuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera penale.

Dyzeteshtatë ligjvënës të VMRO-DPMNE-së votuan kundër nismës. Ndërkohë, deputetët opozitarë thanë se Gjorgje Ivanov nuk meriton të quhet president, kurse Bashkimi Demokratik për Integrim që bën pjesë në qeverinë e vendit së bashku me partinë e presidentit Ivanov, thotë se nuk e njeh legjitimitetin e këtij të fundit që pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, për shkak të mungesës së një konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit.

Por, edhe sikur të votohej mocioni ndaj presidentit maqedonas, çështja do të duhej të kalonte në Gjykatën Kushtetuese, e cila po ashtu përmes dy të tretave të votave të anëtarëve të saj do të duhej të merrte vendim për fatin e presidentit Ivanov.

Vëzhguesit thonë se kjo gjykatë si edhe gjithë sistemi gjyqësor në Maqedoni është nën kontrollin e pushtetit. Presidenti Ivanov fali 56 personalitete, në mesin e tyre drejtues partish e politikanë, pasi Prokuroria e Posaçme, një organ i formuar rishtazi si pjesë e marrëveshjes politike ndërmjet katër partive më të mëdha, filloi hetimet mbi disa afera që burimin e kishin tek skandali i përgjimeve, që coi në krizën politike në vend.

Më pas, presidenti Ivanov u detyrua të tërheq vendimin si rezultat i protestave qytetare dhe i kërkesave të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar. (voa)

Tensione në Shkup – përplasje e protesuesve me policinë

protesta shkupProtesta masive janë mbajtur në Shkup të hënën në mbrëmje në organizim të revolucionit shumëngjyrësh ndërsa në to kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e opozitës së bashkuar të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate. Protestat që kanë zgjatur deri pak para mesnatës janë përshkruar me tensione të shumta.

Policia ishte në shënjestër të protestuesve që hodhën gjësende të forta, në momentin kur ka ndaluar protestuesit të rrëzojnë një përmendore para Kuvendit të Maqedonisë. Protestuesit hodhën ngjyrë dhe thyen xhamat e ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe të disa objekteve tjera qeveritare.

Protestat kanë pasuar një ultimatum të shoqërisë civile, i cili ka skaduar të shtunën, drejtuar institucioneve për plotësimin e kërkesave të saj për krijimin e kushteve për prokurorinë speciale që të punojë pa pengesa në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale, për mos ndjekjen e aktivistëve të saj si dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Pas injorimit të këtyre kërkesave nga qeveria, protestuesit kanë dalë me kërkesa të reja.

“Qytetarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës, jo që të vendosim, jo që të jetë pjesë e politikave, jo që të luftojmë për pushtet, por që të sigurohemi se në tavolinën e bisedimeve do të zhvillohen negociata transparente që çdo qytetar i Maqedonisë të dije se çfarë po ndodh prapa dyerve”, ka deklaruar Dejan Stojkovski, një nga drejtuesit e shoqërisë civile, e cila po proteston tani e dy muaj.

Ai tha se revolucioni shumëngjyrësh kërkon gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të vendos mbi nismën e ngritur për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për prokurorinë speciale, që puna e saj të mos mbetet peng e kësaj nisme që mbahet nga pushteti si armë për shuarjen e prokurorisë në rast rreziku nga ndjekja e mëtejmë e zyrtarëve të saj.

Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska tha se qeveria i ka ditët e numëruara. Përgjegjësia për krimet e bëra dhe zgjedhjet e lira tha Sheqerinska janë alternativa e vetme për dalje nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

“Kjo krizë ka vetëm një dalje, përmes drejtësisë, përgjegjësisë, ata që kanë vjedhur, ata që kanë mashtruar, duhet të përgjigjen. Kjo qeveri duhet të jap dorëheqje dhe të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike që qytetarët të vendosin se kujt i japin besimin për të qeverisur me vendin. Zgjidhje tjetër nuk ka”,ka deklaruar Shekeqinska.

Por, nga ana tjetër janë mbajtur edhe kundër protesta të organizuara nga mbështetësit e qeverisë. Ata kanë protestuar para gjykatës penale, e cila kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak për një kryetar komune që po hetohet nga prokuroria speciale.

“Kësaj radhe në ndërtesën e gjykatës do të hyjnë vetëm disa njerëz për t’i dorëzuar një deklaratë, por ata duhet ta kenë të qartë se herën tjetër do të hyjnë shumë më tepër njerëz dhe atëherë duhet të japin llogari se pse punojnë nën presion dhe pse tolerojnë që në punën e tyre të përzihen njerëz të dëshmuar me vepra të ndryshme kriminale”, ka deklaruar Alekandar Pandov nga Shoqata për Mbrojtjen e Maqedonisë.

Protesta dhe kundër protesta po mbahen një kohë të gjatë dhe në disa raste policia evituar përplasjen mes dy grupeve. Kriza politike në Maqedoni duket pa zgjidhje përkundër presioneve të fuqishme nga jashtë. Apeleve të shumta për ulje në bisedime partitë i janë përgjigjur javën e kaluar, por pa ndonjë marrëveshje konkretet.

Pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe para se gjithash puna e prokurorisë speciale, janë disa nga pikat për të cilat partitë politike nuk po mund të merren vesh. (voa)

Kualifikimi? Ka ende shpresë, sytë tek 2 grupet e fundit

sadikuKombëtarja shqiptare dhe tifozët kuqezi tashmë i kanë sytë nga ndeshjet e fundit në grupet E dhe F edhe pse shanset tona janë minimizuar në maksimum.

Gjermania e Lëv nuk i shërbeu aspak përfaqësueses tonë pasi nuk arriti të shënojë 4 gola në portën kundërshtare. Përveç kësaj fitorja e Turqisë 2-0, e kualifikoi Irlandën e Veriut dhe e futi në lojë kombëtaren e Terim e cila në ndeshjet e fundit do të jetë me zemër në dorë ashtu si kuqezinjtë.

Matematika na lejon të ëndërrojmë dhe tani shpresat tona janë të varura, tek Italia dhe Belgjika ne grupin e dhe Hungaria ne grupin F.

Një nga variantet që na ndihmon neve është që Italia dhe Belgjika të fitojnë ose të barazojnë ndeshjet e fundit përkatësisht ndaj Republikës së Irlandës dhe Suedisë.

Por përveç na nevojitet edhe një rezultat tjetër. Ka shumë pak shanse të ndodhë, por ajo që e kualifikon Shqipërinë për në raundin tjetër është humbja e Portugalisë ndaj Hungarisë, çka do të thotë që Portugalia të eliminohet nga Francë 2016.

Fati na braktisi në 2 ndeshjet e para me Zvicrën dhe Francën, tani shpresojmë që në 90 minutat e fundit në 2 grupet E dhe F, fati të jetë me kuqezinjtë e De Biasit.

/ Top Channel

Clinton sulmon rivalin Trump për ekonominë

clinton trumpKandidatja e pritshme demokrate për presidente, Hillary Clinton e portretizoi rivalin republikan Donald Trump si të papërshtatshëm për të drejtuar ekonominë, duke thënë se politikat e tij të “papërgjegjshme” do “ta hedhin vendin përsëri në recesion” dhe do të rrisin papunësinë.

Duke folur të martën në shtetin e Ohajos, zonja Clinton sulmoi të kaluarën e kandidatit Trump në fushën e biznesit si një tregues se si ai do ta menaxhojë ekonominë më të madhe të botës.

Ajo përmendi falimentime dhe padi të shumta të ngritura ndaj zotit Trump, duke përfshirë sipërmarrjen e tij në fushën e arsimit, Universitetin Trump.

Clinton, Trump dhe sondazhet

Zonja Clinton shpreson të bindë votuesit se ajo do të jetë një administratore më e mirë e ekonomisë.

Por disa sondazhe të fundit tregojnë se shumica e votuesve të mundshëm favorizojnë zotin Trump në çështjet ekonomike.

Një sondazh i kompanisë Gallup i kryer gjatë këtij muaji tregon se zoti Trump është 10 pikë përpara zonjës Clinton për pyetjen se kush duhet besuar më shumë për ekonominë dhe shtatë pikë përsa i përket punësimit.

Kandidati Trump, republikanët dhe fondet e fushatës

Donald Trump, kandidati i pritshëm presidencial republikan thotë se po përpiqet për të fituar mbështetje nga zyrtarët republikanë, por shpreh pak shqetësim për faktin që është prapa demokrates Hillary Clinton në mbledhjen e fondeve për zgjedhjet e 8 nëntorit.

Manjati miliarder i pasurive të patundshme, dikur personalitet televiziv i bëri komentet pak orë pas njoftimeve të reja se fushata e tij kishte vetëm 1.3 milion dollarë fonde në fillim të qershorit, në krahasim me zonjën Klinton që kishte 42.5 milionë.

“Hillary Clinton do të shpenzojë një miliard dollarët nga paratë e Wall Streetit dhe Lindjes së Mesme”, tha zoti Trump për Fox News. “Ndërsa unë kam vetëm një burim, paratë e mia.”

Zyrtarët e lartë republikanë, përfshirë ligjvënësit kryesorë në Kongres, po tregohen të ngadalshëm për të mbështetur kandidaturën e zotit Trump, duke thënë se kanë në plan të votojnë për të, ndërsa kritikojnë thirrjet e tij për një ndalim të përkohshëm që muslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Disa republikanë, duke përfshirë kandidatin presidencial të vitit 2012, Mitt Romney, kanë thënë se nuk e përkrahin zotin Trump, duke i cilësuar komentet e tij si fyerje ndaj muslimanëve, meksikanëve, grave dhe të paaftëve.

Trump, po rigjallëron fushatën?

Me mbledhjen e fondeve që pakësohen dhe sondazhet në shkallë kombëtare që tregojnë se zonja Clinton gëzon popullaritet 5.8-përqind më të lartë, kandidati Trump shkarkoi të hënën menaxherin e fushatës, Corey Lewandowski.

Zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2012 treguan se paratë janë faktor i rëndësishëm në fushatat moderne. Komisioni i fushatës së presidentit Barack Obama shpenzoi 775 milionë dollarë për rizgjedhje më 2012, ndërsa Mitt Romney 460 milionë. (voa)

Britania në prag të referendumit

Anglia EUDy ditë para se referendumi të vëndosë mbi të ardhmen e Britanisë, nuk është e qartë nëse shumica e votuesve do të mbështesin qendrimin në Bashkimin Evropian apo largimin nga blloku. Vrasja javën e kaluar e një ligjvënësje britanike që mbështeste qendrimin në bllokun 28 vendësh, duket se ka nxitur disa votues të ndryshojnë qendrimin.

Ligjvënësit britanikë u kthyen nga pushimet të hënën për të nderuar ligjvënësen e Partisë Laburiste Jo Cox, vrasja e së cilës duket se kishte motive politike. Kryeministri David Cameron citoi fjalë të zonjës Cox gjatë apelit për unitet.

“Për të kujtuar Jo, të përsërisim të vërtetën që tha ajo në Parlament dhe e di që do të citohet disa herë sot: ‘Ne jemi më të bashkuar dhe kemi më shumë gjëra të përbashkëta se sa gjëra që na ndajnë’.”

Britania duket të jetë e ndarë në mes lidhur me anëtarësinë në BE sikurse edhe politikanët. Kryeministri ka argumentuar me pasion kundër largimit, por disa nga miqtë e tij kornservatorë thonë se vendi ka humbur shumë sovranitet tek Brukseli. Boris Johnson është ligjvënës koservator në parlamentin britanik.

“Kjo nuk egziston askund tjetër në botë në këtë lloj eksperimenti për ngjitjen e shteteve sëbashku për të krijuar një supershtet, Shtetet e Bashkuaa të Evropës. Është jodemokratike.”

Shumë britanikë hedhin poshtë rregullat e BE për imigracionin nën drojen se do të bëhen barrë e sistemit. Por largimi nga blloku do të kishte pasoja më të rënda ekonomike. Mark Mobius është specialist i financave me Tempelton Markets në Hong Kong.

“Ndikimi do të ishte negativ sepse Britania në Evropë nënkupton një bllok tregtar. Është më lehtë për importin dhe eksportin si dhe shtrirjet e tjera. Largimi do të ishte një bilanc negativ.”

Administrata amerikane ka shprehur mbështetje për qëndrimin e Britanisë në BE, por Shtëpia e Bardhë tha të henën se vendimi i takon popullit britanik. Josh Earnest është zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

“Britanikët do të vendosin për atë që besojnë se është në interesin e tyre më të mirë për vendin, por presidenti e ka bërë të qartë se çfarë është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara. Duke patur parasyshë marrëdhëniet speciale mes dy vendeve tona, ne besojmë se kjo ka rëndësi.”

Anketat e fundit tregojnë se prirja për largimin nga blloku ka rënë që nga vrasja e ligjvënëses Cox të enjten. Por shumë votues ende mbeten të pavëndosur. (voa)

Kontrolli i armëve – Senati hedh poshtë propozimet

senatiTetë ditë pas vrasjeve masive më të rënda në historinë amerikane, senati amerikan hodhi poshtë një seri propozimesh për të kufizuar të drejtën për të blerë armë zjarri dhe për kontrollin e blerësve. Propozimet mbështeteshin me forcë nga senatorë demokratë.

Dje vonë, republikanët bllokuan dy propozime të hershme që demokratët i kishin përkrahur me forcë pasi personi i armatosur Omar Mateen vrau 49 persona vetëm një javë më parë në Orlando të Floridas.

Votimi vjen disa ditë pasi senatori demokrat i Kënektikatit Chris Murphy foli për 15 orë radhazi javën e kaluar për të kërkuar veprim legjislativ për dhunën nga armët.

“Terroristët sot përdorin armë luftarake në vend të avionëve për të sulmuar amerikanët. Pas 11 shtatorit, ne vendosëm të mos lejonim terroristët të merrnin avionë për të vrarë civilët. E pra, sot ata po përdorin armët luftarake.”

Një projekt-ligj do të bllokonte personat në listat e ndryshme federale për terrorizëm, përfshi ata që nuk lejohet të fluturojnë, që të mos lejohen as të blejnë armë.Projekt-ligji tjetër do të zgjeronte kontrollin mbi blerjet e armëve duke përfshirë shitjet në internet.

Republikanët thanë se nuk mund të votojnë për asnjë propozim që nuk jep rrugëzgjidhje për personat që janë vendosur gabimisht në listat e terroristëve.

Votimi i së hënës vazhdoi modelin e ngërçit legjislativ për propozimet e kontrollit të armëve pas disa vrasjeve massive në Shtetet e Bashkuara, përfshi masakrën e vitit 2012 të 20 fëmijëve të një shkolle fillore dhe gjashtë mësueseve të tyre në Njutaun të Kënektikatit, dhe sulmin vitin e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, ku u vranë 14 persona.

Udhëheqësi i shumicës republikane Mitch McConnell akuzoi demokratët se po e përdorin tragjedinë e Orlandos për axhendën e tyre partiake ose si reklamë zgjedhore. (voa)

Vëzhgimi i trurit bëhet i lehtë

vezhgimi i truritShkencëtarë dhe inxhinierë vazhdojnë përmirësimin e aparateve që ndihmojnë mjekët për të kuptuar më mirë dhe për të diagnostikuar kushtet që ndikojnë në trurin tonë. Një nga qëllimet është për të gjetur shkaqet e sëmundjeve Alzheimer dhe Parkinson, të cilat ndikojnë miliona njerëz në të gjithë botën.

Që nga viti 1980, mjekët kanë përdorur Imazhe me Rezonancë Magnetike, apo skaner MRI, për të parë organet e pacientëve pa i ekspozuar ata për efektet e dëmshme të rrezeve X.

Një fushë magnetike e krijuar brenda tubit MRI-së nxit atomet e hidrogjenit në indet e trupit, duke i bërë ato të lëshojnë valë ose frekuenca. Këto valë mund të shndërrohen në fotot, të ngjashme me imazhet me rreze X.

Magneti i një MRI të re, ndërtuar nga kompania Siemens, ka 7 njësi Tesla, duke e bërë atë më shumë se 100,000 herë më të fuqishme se fusha magnetike e tokës.

Petter Jezzard, profesor i neuroimazheve thotë se “duke përdorur fuqinë Tesla me 7 njësi, ju mund të krijoni imazhe me rezolucion shumë të lartë, me kontrastin që duhet për të identifikuar nën-pjesët e veçanta të nukleut.”

Por, edhe me rezolucion të lartë dy-dimensional, interpretimet e fotove bardh-e-zi janë mjaft të ndryshme nga interpretimet e fotove me ngjyra tre-dimensionale që mund të shihen nga të gjitha këndet.

Duke përdorur imazhe MRI të molekulave të materies së bardhë të lëngshme që lëvizin në tru, shkencëtarët në kompaninë britanike Holoxica krijuan një holograf që tregon lidhjet midis neuroneve.

Basil Ridha, neurokirurgu, thotë se “truri është një strukturë komplekse tre dimensionale dhe nganjëherë është mjaft vështirë për të përshkruar, ose kuptuar lidhjet e neuroneve. Por, duke e parë atë në 3D, mund të forcojë procesin e të mësuarit.”

Imazhi holografik është ende në fazën e prototipit, por studiuesit thonë se kur të prodhohet, ai do të jetë në përputhje jo vetëm me aparatet MRI, por edhe me skanerat CT dhe ato me ultratinguj. (voa)

Protesta dhe kundërprotesta në Shkup, situatë e tensionuar

protesta shkupShkupi nuk do të jetë i qetë sot! Në ora 11 ka paraljmëruar protestë Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë (LQMM) për të mbrojtur Gjykatën Themelore ndërsa nga ana tjetër ‘Revolucioni i Larmë’ gjithashtu ka paralajmëruar protestë masive në ora 19.00 në Shkup para Prokurorisë Speciale Publike.

 

”Kësaj qeverisje kriminelesh dhe të korruptuarish i kemi dhënë shumë hapësirë dhe kohë për të reaguar dhe të dëgjoj kërkesat. Ata ishin të shurdhërdh para qytetarëve të tyre. E vetmja gjë që mendojnë tani është: si të ikin nga drejtësia” shkruhet në njoftimin e ‘Revolucionit të Laramë’ nëpër rrjetet sociale.

Ndërsa Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë (LQMM) ka thirrur kundërprotestë që nga ora 11.00 para Gjykatës Themelore në Shkup. Të mblidhemi të gjithë dhe të dërgojmë mesazh mbështetës deri te gjyqi: gjykoni sipas ligjeve dhe jo me porosi politike” shkruhet në rrjetet socilae të LQMM-së. Nga kjo lëvizje nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së kampeve para gjykatave. Këto protesta kanë rritur masën e sigurisë dhe se policia ka vendosur masa të përforcuara në disa pjesë të qytetit. (INA)

Qeveria, një mln euro shpërblim dhe pasaporta diplomatike lojtarëve

cunat e kombetaresQeveria vendosi të shpërblejë me një milion euro ekipin kombëtar për suksesin e arritur në pjesëmarrjen e parë në një kampionat europian futbolli. Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen menjëherë pas fitores së parë dhe historike të kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e së dielës me Rumaninë.

Goli i Armando Sadikut i dha shpresë një kualifikimi të mundshëm të Shqipërisë për në turin tjetër të 1/8-ave. Fondi prej një milion eurosh është shtuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me qëllim shpërblimin e ekipit kombëtar të futbollit. Fondi shtohet në shpenzimet korrente dhe kundërvlefta në lekë e këtij fondi do t’i akordohet në formën e transfertës Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u përdorur për shpërblimin e futbollistëve.

Ky është vendimi i firmosur nga kryeministri Rama, i cili më herët i kishte premtuar të gjithë lojtarëve të kombëtares edhe pajisjen me pasaporta diplomatike. Por kjo s’është e vetmja dhuratë që kryeministri i ka bërë kombëtares.

Rastësisht kemi zbuluar sesi ka lindur ideja e shqiponjës së stilizuar në gjoksin kuqezinjve, kur janë porositur bluzat e Europianit. Presidenti Duka ruan në arkivin e “iPhone”-it të tij një skicë fillestare të kësaj shqiponje, realizuar nga Edi Rama, dhe një shkëmbim në “ëhatsapp” mes tij e kryeministrit, pasi ky i fundit e ka intriguar filimisht gjatë një bisede të lirë për organizimin e kuqezinjve për Europianin.

Më pas, studioja që ka dizenjuar uniformat e ka zhvilluar idenë, duke krijuar uniformën më të bukur që kombëtarja ka pasur ndonjëherë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Europian, përveç kënaqësisë shumë të madhe që u ka dhënë të gjithë shqiptarëve kudo në botë, është komentuar se ka një efekt të madh edhe në ekonominë e vendit.

Të ardhurat shtesë në Prodhimin e Brendshëm Bruto llogariten në 0.5 për qind, ndërsa shumë më i madh është efekti nga publiciteti tërësisht falas për Shqipërinë në të gjitha mediet botërore gjatë të gjithë ditëve të këtij Europiani.

/ Top Channel