OKB mbështet reformën territoriale në Shqipëri

Ayse Cihan Sultanoğlu, Ndimës Sekretare e Përgjithshme e OKB dhe Drejtore e Zyrës Rajonale së PNUD-it për Europën flet për DW mbi marrëveshjen me Shqipërinë për projektin STAR 2 dhe gjendjen sociale në Shqipëri.

UNDPDW: Znj. Sultanoğlu, sapo keni nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë për zbatimin e projektit STAR 2, të financuar nga Kombet e Bashkuara, Programi për Zhvillim. Pak fjalë ju lutem për këtë projekt dhe cilat janë fokuset e vizitës suaj në Shqipëri?

Ayse Cihan Sultanoğlu: Projekti ynë “STAR” jep mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale në Shqipëri. Nënshkruam në Tiranë, STAR 2 bashkë me autoritetet e qeverisë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Bëhet fjalë për 8,2 milionë USD, një bashkëfinancim nga qeveria shqiptare dhe PNUD-i, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Suedisë dhe Zvicrës, që synon të përçojë më tej përpjekjet e Shqipërisë me reformën Administrativo- Territoriale. Gjatë fazës së parë të projektit, STAR , numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua nga 374 në 61 dhe tashmë sistemi është më efikas, transparent dhe pjesëmarrës si kurrë më parë. Me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantuam platformën e parë të bashkëfinancimit në Shqipëri për të ndihmuar financimin e ndërtimit të një këndi lojërash gjithëpërfshirës për fëmijët në kryeqytet. Ky eksperiment novator financimi synon të mobilizojë një numër të madh donacionesh të vogla private me fondet përkatëse nga Bashkia.

Çfarë përshtypjesh keni nga takimet në Tiranë?

Takova shumë partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë në Tiranë. Më bëri përshtypje fryma demokratike e vendit dhe se sa shumë është ecur me zhvillimin, gjë që nuk do të kishte qenë e mundur pa një qeverisje të fortë.

Një vit më parë liderët botërorë miratuan Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm. Çfarë duhet bërë që këto objektiova të futen në rrugën e zbatimit?

Axhenda për Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (OZHQ) është shumë e integruar, ambicioze dhe gjithëpërfshirëse. Zbatimi i saj kërkon bashkëpunim mes Ministrive të linjës, kërkon një punë përtej detyrave të përditshme, për të arritur integrimin e këtyre obkjektivave. Lipsen koalicione të zgjeruara me sektorin privat, shoqërinë civile, parlamentet dhe grupe të tjera interesi. Është shumë e rëndësishme që të identifikohen që në fillim katalizatorët e përshpejtimit të progresit: fuqizimi i grave dhe vajzave, energjia e qendrueshme për të gjithë dhe rritje gjithëpërfshirëse për të çrrënjosur varfërinë, reduktuar në mënyrë të konsiderueshme të pabarazive dhe margjinalizimit. Sigurisht, kjo përpjekje ambicioze do të kërkojë mekanizma të rinj financimi dhe rritje të mobilizimit të burimeve vendase. Kombet e Bashkuara po asistojnë për integrimin e axhendës në planet dhe buxhetet kombëtare; përshpejtimin e progresit në të gjitha pikat e axhendës; koordinimin e mbështetjes me politika dhe ofrimin e ekspertizës për të dhënat. PNUD-i luan një rol kryesor në mbështetjen e kësaj përpjekjeje globale. Në funksion të arritjes së OZHQ programi i ri i PNUD-it për Shqipërinë fokusohet gjithashtu në qeverisjen dhe shtetin e së drejtës, përfshirjen sociale dhe të drejtat e njeriut, punësimin dhe aftësimin e të rinjve, mjedisin, ndryshimet klimatike, zonat e mbrojtura etj. Programi është në përputhje me axhendën e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe me përpjekjet ambicioze të vendit për reforma.

Komuniteti rom mbetet një nga komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri dhe rajon. Çfarë është duke bërë PNUD-i në lidhje me përmirësimin e situatës, në kuadër të OZHQ?

Gjatë vizitës në Tiranë pata mundësi të shoh përpjekjet për të garantuar aksesin në shërbimet sociale për popullsinë rome dhe egjiptiane. Në Shqipëri komunitetet rome përballen me akses të kufizuar në shërbime, shëndetësi, strehim, arsim dhe punësim: 40% e popullsisë rome është analfabete, dy në tre gra rome nuk kanë të ardhura dhe pothuajse gjysma e të rejave rome të moshës 15–19 vjeç janë të martuara. Së bashku me Bashkimin Evropian po punojmë për të nxitur më tej të drejtat e tyre bazë dhe themelore duke ruajtur në të njëjtën kohë identitetin dhe traditat e tyre. Qasja gjithëpërfshirëse (pa përjashtuar askënd) është parimi themelor i Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm dhe i Axhendës 2030.

Ku qendron Shqipëria në raport me Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm?

Shqipëria ka pasur nivel të qendrueshëm të zhvillimit ekonomik gjatë viteve të fundit dhe është vend kandidat për anëtarësim në BE. Vendi ka bërë progres të konsiderueshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian, i matur kryesisht me përmbushjen e kritereve politike dhe krijimin e institucioneve të qendrueshme që garantojnë demokraci, shtet të së drejtës, të drejtat e njeriut, mbrojtjen e minoriteteve, bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira me vendet që aspirojnë anëtarësimin dhe shtetet anëtare. Por mbeten ende një sërë sfidash. Numri i personave që jetojnë në varfëri u rrit nga 12% në vitin 2008 në 14% në vitin 2012, ndërkohë që varfëria dhe përjashtimi social prekin shumë shtresa. Shkalla e papunësisë mes të rinjve është ulur, megjithatë mbetet në shifrat 30%. Më shumë se gjysma e grave shqiptare (të moshës 15-49 vjeç) kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Gjithashtu, Shqipëria është tejet e cënueshme nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, si dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha ekonomike.

E përditshmja tregon që ka pabarazi, përjashtim dhe paqëndrueshmëri jo vetëm në Shqipëri dhe Europën Juglindore, por në mbarë vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Madje karakteristika të tilla të shoqërisë janë në rritje. A ka gjasa që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të arrihen deri më 2030?

Zotimi për “qasje gjithëpërfshirëse” është guri i themelit të Axhendës 2030 dhe i këtyre objektivave. Prandaj vendet në të gjitha fazat e zhvillimit duhet të zotohen që të reduktojnë pabarazinë midis të pasurve dhe të varfërve. Nxitja e zhvillimit të qendrueshëm dhe gjithëpërfshirës që gjeneron mundësi produktive dhe punësimi të denjë për të gjithë është elementi kyç për trajtimin e pabarazive. Të gjithë anëtarët e shoqërisë duhet të përfitojnë nga rritja. Kjo kërkon politika ekonomike dhe sociale, të cilat i japin prioritet rritjes së të ardhurave dhe përmirësimit të kushteve të shtresave të varfra dhe të margjinalizuara në një nivel më të lartë sesa mesatarja kombëtare. (dw)

Ja sa është tarifa që duhet të paguani për “Rrugën e Kombit”

Rruga-e-KombitMinistria e Transporteve dhe Infrastrukturës bëri sot me dije për publikun transparencën për “Rrugën e Kombit”, duke theksuar se tarifa që do të paguhet për të është 4.16 euro pa TVSH, ose 3.63 euro cent.

Në një dalje publike para mediave, zëdhënësi Arbër Hitaj informoi publikun se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave zgjodhi kompaninë më kapital financiar më të madh.

“Tarifa për ‘Rrugën e Kombit’ është 4.16 euro pa TVSH, 3.63 euro cent për rrugën Milot-Morinë. Dëshirojmë t’i themi opozitës se tarifa e rrugës ishte 8 euro”, tha Hitaj.

Ministria reagoi dhe ndaj  pretendimeve të disa deputetëve duke argumentuar se përzgjedhja e bashkimit të përkohshëm të shoqërive të kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” është bërë për arsye të ofertës më të mirë, 110 milionë euro më shumë se ofertuesi tjetër.

/E.SH/

Gjermania financon interkonjeksionin Shqipëri-Maqedoni

gjiknuriNë mjediset e Ministrisë së Energjisë u firmos këtë të martë marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, që siguron financimin e projektit të lidhjes energjitike 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Për palën shqiptare dokumenti u firmos nga ministri Damian Gjiknuri, ndërsa për palën gjermane nga ambasadorja Susanne Schutz.

“Bëhet fjalë për një nga projektet jashtëzakonisht të rëndësishëm të ndërlidhjes, një axhendë që tanimë siç dihet mbështetet edhe nga procesi i Berlinit. Janë siguruar të gjitha financimet e nevojshme dhe procesi po ecën në rrugë të mbarë”, theksoi ministri Gjiknuri.

Në territorin shqiptar projekti përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 deri në kufi me Maqedoninë, rreth 56 km. Zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2 me dy zbara dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr.

Ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier. Gjithashtu, projekti parashikon zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier, 1×400 MVA dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit.

Zbatimi i projektit në territorin shqiptar ka një kosto prej 70 milion Euro. Punimet do të financohen nëpërmjet një skemë ku kombinohen fonde grant në shumën 14 milion Euro, të Bashkimit Evropian, me kredi zhvillimore në shumën 49.8 milion Euro të mundësuar nga KfË, me koston lokale në shumën 5 milion Euro të mbuluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).

Gjermania ka financuar edhe lidhjet energjitike me Malin e Zi dhe me Kosovën, ndërkohë që puna për lidhjen me Maqedoninë nis në javët e para të 2017 dhe parashikohet që të përfundojë në 2020.

/ Top Channel

Erdogan akuzon BE për shkelje të premtimit, Europa kundër

Bashkimi Europian nuk i mban premtimet e bëra në kuadër të marrëveshjes për refugjatët, shprehet presidenti Erdogan në intervistë për ARD-n. Komisioni Evropian reagon duke i hedhur poshtë pretendimet e Erdoganit.

erdogan ard“Ne i qëndrojmë premtimit të bërë. Por a i kanë mbajtur europianët premtimet e tyre?”, pyet kreu i shtetit turk në intervistë eksluzive me televizionin e parë gjerman, ARD. BE nuk e ka respektuar ujdinë e bërë për mbështetjen financiare të 3 milionë refugjatëve sirianë. “Tre miliardë euro janë premtuar”, theksoi presidenti turk, por deri më tani kanë ardhur vetëm shuma simbolike. Presidenti turk bëri fjalë për 1 deri në dy milionë euro. “Krerët europianë janë të shtirur”, tha Erdogan.

Reagimi i Komisionit Europian

Komisioni Europian i pyetur për këtë e hedh poshtë akuzën e presidentit Erdogan. Zëdhënësi i KE-së, Margaritis Shinas thotë se “kjo nuk është e vërtetë” dhe se “BE i përmbush detyrimet e saj nga marrëveshjet e bëra me Turqinë, kjo përfshin edhe ndihmën për refugjatët. Kush pretendon diçka tjetër, nuk ka të drejtë.”

Sipas të dhënave të Komisionit Europian janë premtuar 740 milionë euro për projekte konkrete të ndihmës ndaj refugjatëve. Me organizatat private dhe Kombet e Bashkuara janë mbyllur marrëveshje për një shumë 150 milionë euro. Realisht janë paguar, sipas KE-së, 105 milionë euro deri në fund të qershorit. “Këto fonde janë për refugjatët dhe komunat që pranojnë refugjatë. Paratë nuk janë parashikuar për shtetin turk”, ka thënë zëdhënësi i KE-së, Margaritis Shinas. Deri në fund të korrikut do të premtohen edhe 1,4 miliardë euro për projekte të caktuara, njoftoi Shinas. Por deri sa fondet të mbërrijnë në destinacion, kalon kohë, pranoi zëdhënësi i KE-së. Në Bruksel nuk ka mirëkuptim për kritikën e përgjithësuar të presidentit turk. Dhënia e mjeteve bëhet me një komision kontrolli, ku merr pjesë edhe Turqia. Këtu nuk kemi dëgjuar kritika, thotë KE.

Pakt i diskutueshëm

Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë parashikon që Turqia të pranojë të gjithë refugjatët e ardhur në ishujt grekë, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil. Si shpërblim BE do të merrte për çdo refugjat të pranuar nga Turqia, një refugjat sirian në mënyrë legale. Nga ana tjetër BE premtoi ndihma financiare për furnizimin e refugjatëve në Turqi.

Por që prej dështimit të puçit ushtarak në Turqi është ndezur debati, nëse marrëveshja për refugjatët duhet të qëndrojë ende në fuqi. Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar marrëveshjen që në fillim.

“Fjalën e ka populli”

Erdogan mbrojti në intervistë me ARD-n qëndrimin e ashpër kundrejt kundërshtarëve politikë. Ai e la të hapur zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme pas tre muajsh. “Po qe se gjendja është normalizuar, nuk kemi nevojë për tre muaj të tjerë”, tha kreu i shtetit turk.

I pyetur për rivendosjen e dënimit me vdekje, Erdogan iu referua vullnetit të popullit. “Nëse jemi në një shtet ligjor demokratik, atëherë fjalën e ka populli. Dhe çfarë thotë populli sot? Ata duan që të rivendoset dënimi me vdekje”, tha Erdogan. Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin kishte deklaruar më parë se ai e sheh ekzekutimin e puçistëve si një “dënim të drejtë”. BE ka paralajmëruar se rivendosja e dënimit me vdekje do të thoshte ndërprerje e bisedimeve të anëtarësimit BE-Turqi. (dw)

BE-Turqi – dy partnerë të pabarabartë tregtarë

Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i Turqisë: anasjelltas, Ankaraja zë vendin e gjashtë në renditjen e BE-së për tregtinë. Suksesi ka një emër: Unioni doganor. Por këtu shfaqen probleme.

turqi bePara 20 vjetësh Turqia u bë pjesë e unionit doganor europian. Gati të gjitha produktet turke mund të hyjnë pa doganë në BE dhe anasjelltas. Kjo tregti pa dogana ka luajtur rol vendimtar në rritjen ekonomike të Turqisë deri në shpërthimin e krizës financiare. Atëherë u anashkalua një problem: Asimetria e marrëveshjes për tregtinë e lirë mes BE-së dhe shteteve të tjera të treta. Kështu për shembull SHBA, pas miratimit të marrëveshjes TTIP do t’i shiste produktet e veta me zero tarifë, në një kohë që Turqia do të paguante për produktet e saj, sepse Turqia nuk është anëtare e BE-së. “Eksportuesit turq janë në disavantazh në tregun amerikan, sepse prodhuesit europianë nuk paguajnë doganë, ndërsa ata turq po”, thotë Erdal Yalcin nga Instituti i Mynihut për Ekonominë, Ifo.

Turqia i trembet humbjeve nga TTIP

Yalcin ka përllogaritur me kolegët se disa sektorë në Turqi do të eksportonin deri në 10% më pak, në rast të hyrjes në fuqi të TTIP. Pas 10 -12 vitesh, kjo asimetri do t’i sillte Turqisë një humbje deri në 18-20 miliardë dollarë. Prandaj Ankaraja ka qenë kundër TTIP dhe kërcënoi me pezullimin e unionit doganor.

Si u anashkalua ky aspekt kaq i rëndësishëm? Sipas Yalcin ka dy arsye për këtë: “Turqia asokohe ka besuar se anëtarësimi në unionin doganor ka qenë një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.” Arsyeja tjetër qëndron në atë që askush në ato vite nuk e kishte parashikuar numrin e madh të marrëveshjeve bilaterale për tregtinë e lirë. Me Organizatën Botërore të Tregtisë mendohej se rruga multilaterale për tregtinë botërore është e pakthyeshme. Një vlerësim i gabuar: Sot Turqia është më shumë larg se afër anëtarësimit të BE-së, po ashtu nuk dihet se kur do të përmirësohen marrëveshjet tregtare multilaterale brenda OBT.

Forcim i asimetrisë

Jo pak vetë e quajnë të dështuar marrëveshjen e tregtisë së lirë mes BE dhe SHBA (TTIP). Normalisht Ankaraja nuk ka pse të shqetësohet. Por sipas Erdal Yalcin kjo nuk vlen: “Aktualisht ne zhvillojmë negociata me shumë vende dhe rajone.” Marrëveshjet me Japoninë kanë ecur përpara, sepse nuk janë tematizuar në opinon. Marrëveshja e tregtisë së lirë mes BE dhe Japonisë do të godiste rëndë industrinë turke të furnizimit të automobilëve, është i bindur eksperti. Këtë problem nuk e njeh Zvicra për shembull, që nuk është anëtare e BE-së por ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me unionin.

A do ta ndihmonte Turqinë shndërrimi i unionit doganor në marrëveshje të tregtisë së lirë? Jo, thotë Erdal Yalcin. Studimet e ifo-s të thonë se një marrëveshje e tregtisë së lirë do të sillte më shumë disavantazhe për Turqinë. Ndryshe nga Zvicra, shumë sektorë të ekonomisë turke janë të lidhur me prodhimin në BE.

Rekomandimi: Thellim i unionit doganor

Ekonomistët e Ifo-s rekomandojnë për Turqinë thellimin e unionit doganor, duke zgjeruar degën e shërbimeve dhe produktet agrare. Të gjithë do të përfitonin: Turqia nga rritja e tregtisë me BE, konsumatorët e BE-së edhe “shërbimet europiane, sepse do të kishin një treg prej 80 milionë vetësh në Turqi”, thotë Yalcin. Sipas ekspertit gjendja e vështirë politike e ka bërë edhe më të rëndësishme për BE-në, zgjidhjen e problemeve brenda unionit doganor europiano-turk- kjo sepse një Turqi e destabilizuar si nga ana politike ashtu edhe ekonomike, nuk është në interesin e BE-së. (dw)

“Yahoo” do të blihet nga firma “Verizon”

verizonGjigandi i telekomunikacionit “Verizon Communications” ka rënë dakort të blejë kompaninë e internetit “Yahoo” për afro 5 miliardë dollarë.

Kompania “Yahoo” është gjendur nën presionin e aksionerëve për shkak të rezultateve të dobëta financiare të tetë viteve të fundit.

Transaksioni i pritshëm do t’i japë fund edhe drejtimit të kompanisë nga Marissa Mayer, ish-drejtuese më parë në kompaninë “Google”. Ajo vetë do të përfitojë një shpërblim prej 57 milionë dollarësh.

Kompania “Yahoo” ka dalë me humbje megjithë rritjen e pagesave nga tregu i reklamave që përllogaritet në shumën prej 160 miliardë dollarësh. Firma “Yahoo” vazhdon të tërheqë në internet rreth 1 miliardë vizitorë çdo muaj. (voa)

Sulmi në Gjermani, tre shqiptarë mes viktimave

policia mynihTre shqiptarë të Kosovës dyshohet se janë mes viktimave të sulmit të armatosur të ndërmarrë ditën e premte në një qendër tregtare në Mynih të Gjermanisë.

Mediat në Kosovë raportojnë se dy janë Sabina Sula dhe Armela Segashi, ndërsa i treti është 21-vjeçari Dijamant Zabërgja. Të tre të rinjtë shqiptarë nuk arritën t’u mbijetojnë plagëve të marra nga çmenduria e ndërmarrë, sipas autoriteteve gjermane, nga një i ri iranian.

Sipas policisë gjermane, autori është një 18-vjeçar iranian, i cili jetonte në Mynih, ndërsa motivet e ngjarjes ende janë të paqarta. Trupi i pajetë i autorit është gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Mediat raportojnë se ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë.

Një operacion i gjërë i policisë nisi menjëherë pas njoftimeve se sulmi në qendrën tregtare “Olympia-Einkaufszentrum” ishte kryer nga tre persona, por më vonë policia gjermane tha se autori kishte vepruar i vetëm.

Të shtënat nisën në restorantin “McDonald” që ndodhet në qendrën tregtare. Një tjetër zëdhënës i policisë së Mynihut e ka përshkruar incidentin si “një sulm të mundshëm terrorist”, teksa fliste për një radio gjermane.

Pas sulmit, sistemi i transportit në kryeqytetin bavarez u pezullua, ndërsa stacioni qendror hekurudhor u evakuuar. Disa orë më vonë transporti publik u rihap sërish. Me mijëra persona mbetën të bllokuar pas gjendjes së emergjencës duke mos pasur mundësi të rikthehen në shtëpitë e tyre u është ofruar strehim nga banorët vendës.

Presidenti amerikan Barack Obama ka folur shkurtimisht për ngjarjen në Gjermani, e më pas ofroi ngushëllimet e tij për viktimat e mundshëm si dhe u angazhua për mbështetje ndaj Gjermanisë, në atë që ai e përshkroi si një prej aleatëve më të afërt të Amerikës.

/ Top Channel

Ankaraja rrugës për në autokraci

turqiaSapo u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe u ndërpre zbatimi i Konventës së të Drejtave të Njeriut. Shumica e shteteve të BE nuk duan konflikt me Ankaranë, por shqetësimi se po vjen një diktaturë është shtuar.

Ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz thirri për sqarime Ambasadorin e Turqisë në Vjenë, për t’i kërkuar shpjegime për zhvillimet në Turqi. Vjena është e zemëruar për demonstratat pro Erdoganit në ditët e kaluara, të cilat përfunduan me dhunë kundër një restoranti kurd. “Ne kemi të dhëna se kërkesa ka ardhur direkt nga Turqia”, tha ministri i Jashtëm austriak para shtypit. Në një intervistë me revistën gjermane “Spiegel” Kurz tha se Evropa nuk duhet të shfaqet e dobët dhe t’i përmbahet “me çdo çmim” marrëveshjes për refugjatët me Turqinë. Po të dështojë kjo marrëveshje, mbrojtjen e kufijve të jashtëm duhet ta marrim vetë në dorë, kërkoi Kurz.

Që në fillim të javës, e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini e kishte bërë të qartë se rifutja e dënimit me vdekje në Turqi do të ishte e barabartë me fundin e negociatave me Turqinë për anëtarësim në BE. Kurse Komisari përkatës i BE, Johannes Hahn pati bërë të qartë se ai e konsideron të planifikuar valën e spastrimit.

Listat me mijëra emra duhet të kenë qenë prej kohësh në sirtare, asnjë administratë nuk mund të reagojë kaq shpejt, tha Hahn.

Çfarë do të bëhet me marrëveshjen për refugjatët?

Deri në fund të shtatorit duhet të jenë paguar dy miliardë euro për projekte ndihme në kuadër të marrëveshjes për refugjatët. Nga këto para përfitojnë drejtpërdrejt sirianët, deklaroi së fundi Komisioni i BE. Gjithsej janë premtuar tre miliardë dhe Brukseli dëshiron t’i përmbahet marrëveshjes. Deri tani nuk ka të dhëna se Turqia nuk i plotëson detyrimet e saj.

Por si do të ecë më tej puna, për këtë ka debate. Komisari gjerman, Günther Oettinger për shembull e konsideron heqjen e vizave për qytetarët turq, për këtë vit të përjashtuar. Por Presidenti turk Erdogan e lidh marrëveshjen me premtimin për heqjen e vizave Turqisë. Nga ana tjetër në Parlamentin Evropian, për shkak të raporteve të shumicës, kjo duket e pazbatueshme. Pjesë të konservatorëve në Parlament përpiqen ende që ta shpëtojnë Marrëveshjen, por edhe vetë kristjandemokrati Elmar Brok paralajmëroi për rrezikun e “putinizimit” të Turqisë. Ai shpreson se takimi i planifikuar midis Erdoganit dhe Putinit të mos kthehet në “festival të autokratëve”.

Demokracia dhe lidhja me Perëndimin janë viktima

Ish- ambasadori i BE në Turqi, Marc Pierini sheh në sfond një kthesë në mënyrën e të menduarit të Presidentit Erdogan. Për një kohë të gjatë qenë normat evropiane – që nga liria e mendimit deri në politikën e konkurrencës – që ishin etalon orientues. Sot BE është në sytë e Erdoganit vetëm një pengesë për një sistem të pastër presidencial dhe prandaj anëtarësimi në BE nuk është më për Erdoganin një synim strategjik. Megjithatë, Presidenti turk do t’i përmbahet marrëveshjes së refugjatëve, për aq kohë sa prej saj përfitojnë të dyja palët, thotë Pierini. (dw)

Sulmi në Mynih, 9 të vrarë

MynihPolicia e Mynihut njoftoi se një trup i nëntë pa jetë është gjetur në skenën e një sulmi me armë zjarri në Mynih dhe policia po heton intensivisht për të parë nëse bëhet fjalë për trupin e njërit prej personave që sulmuan.

Një zëdhënës tha se policia është në kërkim të tre personave të dyshuar lidhur me sulmin e së premtes pasdite jashtë një restoranti Makdonald, që la 8 të vrarë dhe disa të plagosur.

Sipas agjencisë së lajmeve DPA, sulmi filloi pak pas orës 6 pasdite.

Sistemi i transportit në Mynih u mbyll dhe policia u kërkoi njerëzve të qëndronin në shtëpi apo të shmangnin vendet publike.

Një zëdhënës i policisë tha se dëshmitarët në vendin e ngjarjes raportuan se kishin parë tre persona me “armë”, të cilët sulmuan një restorant në qendrën tregtare Olympia të qytetit.

Ky është rasti i dytë i këtij lloji në Gjermani në më pak se një javë.

Presidenti Barak Obama komentoi për sulmin e Mynihut, duke thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin autoritetet gjermane në përpjekjet e kërkimit të autorëve të sulmit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se po i ndjek nga afër zhvillimet në Mynih.

Elizabeth Trudeau, Drejtoresha e DASH për Marrëdhëniet me Shtypin tha se “Jemi me mendje dhe zemër me viktimat dhe familjet e tyre…jemi duke bashkëpunuar me autoritetet lokale për të përcaktuar në se ka patur edhe shtetas amerikanë mes viktimave dhe të plagosurve”, – tha zonja Trudeau. (voa)

ANALIZA/ “Stalini” brenda Erdoganit

Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në universitetin e Columbia David L. Phillips analizon “Stalinin” që sipas tij ndodhet brenda presidentit turk, Erdogan. Taip Erdogan

Phillips ka shërbyer si Këshilltar i Lartë dhe Ekspert i Punëve të Jashtme në Departamentin Amerikan të Shtetit gjatë administrative të presidentëve Klinton, Bush dhe Obama.

“Stalinin” brenda Erdoganit tashmë është zgjidhur nga zinxhirët. 

Pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti javën e kaluar, Erdogan paralajmëroi se: “Ky veprim është tradhëti dhe ata do të paguajnë për këtë tradhëti”.

“Kjo është një mirësi e madhe nga Zoti. Pse? Sepse do të na mundësojë që të pastrojmë forcat e armatosura, të cilat duhet të jenë tërësisht të pastra”.

Erdogan tashmë e ka shndërruar Turqinë në një gulag gjigand.

Gjatë 5 ditëve të fundit, 50 mijë zyrtarë ushtarakë, policë, gjyqtarë, gazetarë, qeveritarë dhe nëpunësit civilë janë arrestuar, pezulluar, ose pushuar nga puna.

Njerëzit janë arrestuar dhe burgosur padrejtësisht dhe jo konform autoritetit ligjore. Madje nuk dihet as vendndodhja e tyre.

Çdo dekan universiteti, më shumë se 1500 të tillë, janë detyruar të japin dorëheqjen; ndërsa rreth 15 mijë mësues janë pezulluar nga puna.

Njerëzve u është ndaluar që të largohen jashtë vendit. Askush që ka një pasaportë zyrtare nuk mund të udhëtojë jashtë vendit. Punonjësve të institucioneve u duhet të marrin leje të veçantë për të udhëtuar jashtë shtetit.

Progresistët dhe “opozitarët” janë të rrezikuar. E kaluara e tyre po kontrollohet imtësisht dhe po hetohet për lidhje të mundshme me Fethullah Gylen, një predikues që jeton në Pensilvani dhe të cilin Erdogan e akuzon për komplotin e grushtit të shtetit.

Në horizont nuk duket asnjë zgjidhje. Ndërkohë Erdogani shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 3 muajt e ardhshëm.

Administrata e Obamës me të drejtë dënoi grushtin e shtetit. Grushti i shtetit nga ushtria nuk është rruga e duhur drejt demokracisë. Tani zyrtarët amerikanë janë kundër spastrimeve në Turqi dhe kanë reaguar ndaj tyre. Megjithatë, duhet thënë që reagimet nuk kanë qenë të ashpra.

Ndërkohë Sekretari i Shtetit, John Kerry paralajmëroi se: “Nuk duhet të ketë spastrime arbitrare, nuk duhet të ketë sanksione penale jashtë kornizës së sundimit të ligjit dhe jashtë sistemit të drejtësisë. Kerry tha gjithashtu se NATO do të vlerësojë veprimet e Turqisë. “NATO ka gjithashtu një kërkesë në lidhje me respektimin e demokracisë”. Ai la të hapur mundësinë për rishikimin e anëtarësimit të Turqisë në NATO.

Kur Erdogani sugjeroi që Turqia mund të rivendoste dënimin me vdekje, i shfuqizuar në vitin 2004, Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, paralajmëroi se: “Asnjë vend nuk mund të jetë partner dhe aleat me ne nëse rikthen dhe njeh vendimin me vdekje. Ajo gjithashtu shtoi se “Bëjmë thirrje për respektim të plotë të rëndit kushtetues të Turqisë dhe ne… vëmë theksin në rëndësinë e sundimit të ligjit. Turqia duhet të ketë respekt për demokracinë dhe të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

Paralajmërimet e Mogherinit me sa duket ka rënë në vesh të shurdhër. Organizatorët e grushtit të shtetit po torturohen dhe pamjet e torturave po shfaqen në televizione. Erdogan kërcënoi se do të varë në litar të gjithë ata që janë të përfshirë në tentativën për grusht e shtetit. Një ushtari të ri iu pre koka dhe pamjet e ekzekutimit të tij u shfaqën në mediat sociale. Nuk dihet edhe sa të tjerë janë torturuar ose vrarë.

Fakti me i rëndësishëm: Erdoganit nuk i bëhet vonë për çfarë është thënë.

Ekspozimi i korrupsionit Erdoganit është e vetmja mënyrë për të ndikuar në sjelljen e tij.

Reza Zarrab, një shtetas turko-iranian me lidhje të ngushta me Erdoganin, u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit në maj. Prokurori i çështjes, Preet Bharara, premtoi se do të hetojë dhe do të bëjë publike mënyrën e pastrimit të parave dhe shitjet e arit nga Zarrab, të cilat shmangnin sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit.

Zarrab mund të dëshmojë kundër Erdogan, djalit të tij Bilalit dhe rrethit të ngushtë të Erdoganit. Prokurori i çështjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të shpejtojë dhe të bëjë publike padinë ndaj Zarrab, si dhe të publikojë listën e përfituesve nga biznesi i tij i paligjshëm.

Pas publikimit të aktakuzës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vendosin sanksione ndaj të gjithë personave të implikuar në këtë çështje. Ato duhet të ngrijnë pasuritë e tyre jashtë shtetit dhe të ndalojë udhëtimin e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Historia na mëson se diktatorët injorojnë paralajmërimet jo kërcënuese. Hitleri dhe Musolini janë zgjedhur në mënyrë demokratike, ashtu sikundër Erdogan. Edhe ata ishin të pavëmendshëm ndaj presionit ndërkombëtar.

Paditë penale për korrupsion dhe disa sanksioneve të mirëmenduara janë të vetmet mjete në dispozicion për të lehtësuar pasojat e goditjeve gjithëpërfshirëse të Erdoganit.

David L. Phillips

(panorama)