Ford dhe e ardhmja e industrisë së makinave

fordKompanitë amerikane të makinave po përpiqen të kuptojnë se si t’i përshtaten ritmeve të shpejta të ndryshimeve ndërsa popullsia amerikane plaket, teknologjia përmirësohet dhe evoluojnë kërkesat e konsumatorëve. Kjo pasiguri për të ardhmen rrezikon miliarda dollarë dhe mijëra vende pune ndërsa drejtuesit e auto-industrisë shqyrtojnë se çfarë produktesh të krijojnë dhe si t’i ndërtojnë dhe menaxhojnë ato. Kompania FORD ka punësuar një “futuriste” për të hartuar një imazh të qartë rreth atyre që pritet të sjellë e ardhmja.

Vizatimet e ndihmojnë specialisten Sheryl Connelly me firmën FORD që të analizojë shumë të dhëna që mund t’i japin formë të ardhmes së tregut të transportit.

“Më ndihmon të filtroj të dhënat dhe përpiqem të shoh nëse mund të dal me ndonjë gjë të re. Këto skica i vizatoj për veten time.”

Ajo bën ilustrime, mban shënime dhe shkon përtej industrisë së makinave ndërsa është kureshtare rrreth botës gjithnjë e më të ndërlidhur, klasës së mesme në rritje në vendet në zhvillim, pritjeve se teknologjia do ta përmirësojë jetën dhe shqetësimeve për mjedisin.

Hulumtuesit thonë se mes disa ideve janë edhe ndërtimi i pjesëve plastike për makinat nga kashta e grurit, pemët, soja apo dioksidi i karbonit, para se të çlirohet në atmosferë dhe shumë gjëra të tjera në vend të nënprodukteve tradicionale të naftës. Ka raste kur ata prodhojnë makina që harxhojnë më pak dhe pjesë këmbimi më të lehta. Alper Kiziltas është me firmën FORD.

“Po provojmë materiale të ndryshme me bazë të ripërtëritshme për të rritur lëndën e parë të padëmshme për mjedisin”.

Zonja Connelly thotë se ndër sfidat kryesore për prodhuesit e makinave janë modelet që harxhojnë sa më pak karburant dhe që ndërtohen me material të riciklueshëm.

“Me rritjen e popullsisë globale, kërkohet një mendësi e re për konsumin dhe mirëqënien. Prandaj në punën tonë po udhëhiqemi nga koncepti i tregut që ofron shërbim dhe mallra me kosto të përballueshme për këdo, pasi edhe ai që mund të blejë makinë ka nevojë për transport”.

FORD dhe kompani të tjera po punojnë për të ofruar shërbime transporti sa më të padëmshme për mjedisin që mund të kontrollohen përmes një programi në telefonat inteligjent.

Një makinë private që ofron edhe shërbime taksie është një ide që po gjen popullaritet tek ata njerëz që preferojnë të paguajnë për shërbimin që ofron makina, në vend që të blejnë një makinë që kërkon riparime, furnizim me karburant dhe sjell kokëçarjet e parkimit. Makinat që mund të përdoren nga të gjithë mund të jenë një alternativë me kosto më të ulët për tregjet në zhvillim dhe më efikase për vendet e pasura me popullsi të madhe.

Disa ekspertë parashikojnë se makina të tilla pa shoferë dhe ndryshime të tjera mund të çojnë në përdorim më efikas të makinave dhe të ulin kërkesat për automjete.

Zonja Connelly thotë se shqetësime të tilla i bëjnë disa në industrinë e makinave dhe sektorë të tjerë që të druhen nga e ardhmja sepse është më e lehtë të imagjonosh anët negative që mund të sjellë e panjohura, sesa ato pozitive. (voa)

Shkupi tronditet nga tërmeti

shkupi-pas-termetitShkupi është goditur sot nga një sërë tërmetesh. Më i fuqishmi ishte ai i orës 15 e 10 minuta, që rezulton të ketë qenë prej 5.3 ballë sipas shkallës Rihter.

Epiqendra e tërmetit të orës 7 të mëngjesit është shënuar në afërsi të Haraçinës, 12 kilometra në verilindje të Shkupit, kurse tërmeti i pasdites është ndjerë fortë dhe ka shkaktuar shqetësimin e banorëve, të cilët janë larguar me nxitim nga banesat dhe shtëpitë.

Tërmeti me epiqendër 4 km nga qendra e qytetit është ndjerë në gjithë Maqedoninë dhe në vendet fqinje.

Nuk janë njoftuar dëme serioze, përveç plasaritjeve të vogla nëpër mure të disa ndërtesave në Shkup.

Shkupi njihet si epiqendër e tërmeteve. Në tërmetn e vitit 1963 atje mbetën të vdekur rreth 1.800 njerëz, ndërsa qyteti u rrafshua. (voa)

Fjalimi i Visar Ymerit për tubimin e 10 shtatorit 2016

visariFjalimi për tubimin e 10 shtatorit 2016Të nderuar aktiviste e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të nderuar përkrahës, dashamirë e miq të Lëvizjes,

Zonja dhe Zotërinj,

1 shtatori ishte një ditë e rëndësishme mësimi. Jo për nxënësit e mirë të shkollave, sepse ata e filluan vitin shkollor më 5 shtator.

Por për nxënësit e dobët të regjimit, ata që e ndoqën orën e parë të mësimit politik më 1 shtator: e cila shkurt dhe qartë ua mësoi se nuk ka marrëveshje a vendim tradhëtie që mund të imponohet me dhunë, e aq më pak që pranohet nga populli. Se nuk mund ta luftojnë dot qytetarin e organizuar, të vendosur në të drejtën e tij.

Se sa më autoritar e i kriminalizuar të jetë regjimi aq më e madhe, më e fuqishme dhe më efikase duhet të jetë rezistenca.

Dhe ishte kjo rezistencë që ngadhënjeu më 1 shtator.

Kjo rezistencë që mbartej në nënshkrimin e peticionit të qytetarëve, në argumentimin shkencor të ekspertëve, në zërin e protestës së popullit, në gazin lotësjellës të deputetëve të opozitës, veçanërisht të VETËVENDOSJE!-s, në këmbëngulësinë dinjitoze të deputetëve mospajtues të koalicionit. Dhe nga këtu dua t’i uroj dhe falenderoj të gjithë, në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në emër tuajin.

Por të mos e harrojmë një gjë. Kjo rezistencë do të kishte qenë e pamundur pa punën e palodhshme, pa sakrificën vetëmohuese të aktivistit politik, pa ju.

Ju të gjithë këtu, dhe shumë të tjerë që nuk janë këtu jeni meritorët që ia shkaktuat këtë humbje regjimit, që ia pamundësuat këtij regjimi agresionin ndaj territorit të Republikës.

I kaluam një vit të plotë nën terrorin e regjimit. Na arrestuan, na dërguan në burg, na rrahën, na shajtën, na i thyen dyert e shtëpive e terrorizuan familjet, na i thyen dyert e zyres, na quajtën armiq e terrorist.

Sot këtu me ne nuk janë Atdheu, Frashëri, Petriti, Adea, Egzoni e Astriti, sepse po i mbajnë të burgosur e në arrest shtëpiak. Regjimi po i mban këta të arrestuar nën akuzën për terrorizëm, dhe atë pa asnjë provë të vetme. Këta po mbahen në burg vetëm e vetëm se janë aktivistë të Lëvizjes, të rëndësishëm dhe të palodhshëm.

Këtu nuk është as Glauku. Kryetari i grupit parlamentar sot mbahet i ngujuar në shtëpi nga regjimi.

Sot këtu nuk janë as Imeri e Leotrimi. Edhe ata në arrest shtëpiak.

Ky regjim i dëboi nga Kosova Dejonën, Boikenin e Arbërin, duke ua ndaluar atyre hyrjen në Kosovë. Ky regjim pra, që do ta spastrojë Kosovën nga shqiptarët.

Të gjithë këta sepse nuk pranuan t’i nënshtrohen këtij regjimi. Nuk pranuan ta lejojnë regjimin që ta shkatërrojë të përbashktën tonë Republikën, dhe ta tjetërsojë pronën e përbashkët tonën, territorin e kësaj republike. Dhe në këtë betejë të tyre, nuk u dorëzuan kurrë. Dhe e bënë që të dorëzohet regjimi.

Akuzat ndaj tyre, dhe mbajtja e tyre në burg, ka qëllim ndalimin e së vërtetës. Gjunjëzimi i regjimit e thotë zëshëm se këta kishin të drejtë. Rezistenca kishte të drejtë, dhe ishte e drejtë. Dhe është çdoherë e drejtë, sa herë që na cenohet vullneti, e përbashkëta, barazia e dinjiteti. Është e drejtë dhe e domosdoshme të revoltohemi dhe të rezistojmë kur padrejtësitë e krimi na e uzurpojnë Republikën.

Pra, 1 shtatori ishte mësim i mirë edhe për ne. Nga 1 shtatori e kemi kuptuar qartë se kur kemi të drejtë, jemi të vendosur, jemi të angazhuar, kemi gadishmëri për sakrificë, organizohemi, fitorja është e pashmangshme.

Dhe jo çfarëdo fitoreje, por fitore e vërtetë, përmbajtësore e popullore.

Por është fitore në një betejë, betejë shumë të rëndësishme e vendimtare, por megjithatë njëra prej tyre. Kjo betejë e gjatë e la Serbinë pa Zajdenicë, Malin e Zi pa 8200 hektarët që donte t’ia dhuronte regjimi, e treshen kriminale Veseli-Mustafa-Thaçi me maskë të çjerrur, lakuriq në krim e tradhëti, në korrupcion e zhvatje, shantazh e frikësim ndaj qytetarëve.

Tash për tash. Sepse përpjekja e rezistenca vazhdon.

Deri në çlirimin e plotë të shtetit nga klani mafioz. Deri në zhbërjen e plotë të strukturave paralele të krimit e ato të Serbisë. Kështu i lëshohet udhë ndërtimit të Republikës.

Klani pronto dhe përkrahësit e tij, bashkë me ndarjet e padrejtësitë ligjore të planit të Ahtisaarit e kanë shndërruar republikën e Kosovës në shtet kundër popullit. Është kundër popullit sepse është shtet i kapur, dhe është kundër popullit sepse juridikisht, edhe proceduralisht edhe përmbajtësisht, është kundër vullnetit politik të tij.

Ky vit rezistence ishte njëkohësisht vit beteje mes konjukturës së korruptuar politikisht e financiarisht që e kontrollon shtetin dhe qytetarëve vullnetplotë që duan ta çlirojnë Republikën.

Ta luftosh regjimin e kriminalizuar e të korruptuar nënkupton t’i luftosh vendimet e marrëveshjet e tij, të cilat janë qartazi kriminale e të korruptuara. Këto të dyja nuk ndahen.

Vendimet e regjimit të korruptuar nuk mund të jenë të mira për Republikën. Përkrahja për vendimet është përkrahje për qenien politikisht të korruptuar të regjimit.

Të shiturit të shesin. Dhe këta të shitur, këta kriminelë me sako të shtrenjta, kanë treguar që janë të gatshëm të shesin çdo gjë.

Asnjëherë sikur këtë vit nuk është shpërfaqur kaq vrazhdë dhe kaq banalisht kapja e shtetit, egërsia e regjimit. Por asnjëherë sikur këtë vit nuk ka pasur kaq shumë qytetarë të angazhuar, të vetëdijshëm e të vendosur për ta luftuar këtë regjim.

Dhe kështu duhet të vazhdojmë.

Kështu do të vazhdojmë. 1 shtatori e dëshmon që kundërshtimi deklarativ pa kundërshtimin aktiv është i kotë. Nuk mund të kundërshtosh me fjalë pa kundërshtuar me vepër. Përveç se hipokrizi, ky lloj kundërshtimi është edhe përkrahje për regjimin. Sepse regjimi nuk ka nevojë për përkrahjen e opozitës. Ai ka nevojë vetëm që opozita ta lë atë të qetë në punën tij.

Ne nuk do ta lëmë të qetë. Do ta pengojmë punën e tij, sepse puna e tij është ta pengojë frymëmarrjen e Republikës, ta ndalojë jetësimin e vullnetit politik të popullit, ta pamundësojë realizimin e interesave tona kolektive. Puna e tij është të na përçajë e sundojë.

Ne duhet të bashkohemi e të fitojmë. Sikur këtë vit. Sikur më 1 shtator. LVV

Ajri i papastërt, forma më vdekjeprurëse e ndotjes

jugokromiNjë studim i ri vë në dukje se ajri i papastërt është forma më vdekjeprurëse e ndotjes. Ai është shkaktari i katërt kryesor i vdekjeve të parakohshme. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua, kjo i kushton ekonomisë globale qindra miliarda dollarë çdo vit në orë pune të humbura.

Studimi i ri “Kostoja e Ajrit të Ndotur: Forcimi i Bindjes Ekonomike për Veprim”, është kryer nga Banka Botërore dhe Instituti i Matjes dhe Vlerësimit të Shëndetit.

Urvashi Narain, ekonomist i lartë për mjedisin në Bankën Botërore thotë se“Motivacioni kryesor i këtij raporti ishte të theksonte sfidën e ajrit të ndotur. Sa i përhapur është ai. Dhe gjithashtu të shtrohet cështja për veprim nga vendet. Ato nuk mund ta injorojnë këtë problem. Ato duhet të veprojnë”.

Studimi thekson se “rreth 90 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit.”

“Kur themi ndotje e ajrit flasim për copëzat e vogla që janë rreth nesh në ajrin që thithim. Ka burime të ndryshme të këtyre copëzave që janë sa një e dhjeta e madhësisë së fijes së flokut të njeriut”, thotë ekonomisti i Bankës Botërore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e këtyre grimcave vijnë nga djegia e karburantit në industri, impiante të energjisë, makina dhe kamionë dhe furrat pjekëse.

Studimi thotë se në vitin 2013 “mbi 5 milionë njerëz gjetën vdekjen nga sëmundjet e lidhura me ajrin e ndotur jashtë dhe brenda shtëpive.”

Kanceri i mushkërive, azma, çrregullime kronike pulmonare dhe infeksione të rrugëve të frymarrjes, janë të lidhura me ajrin e ndotur. Ai mund të kotribuojë gjithashtu në sëmundjet kardiovaskulare. Ajri i ndotur mund të dëmtojë veçanërisht rëndë fëmijët pasi sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë nuk janë të zhvilluara plotësisht.

“Ndotja e ajrit është një rrezik jo vetëm për shëndetin, por edhe një pengesë për zhvillimin. Në nivel global ka një humbje prej 225 miliardë dollarësh në të ardhura nga puna, që lidhen me vdekjet e parakohshme të shkaktuara nga ajri i ndotur”.

Ekonomisti i lartë i Bankës Botërore për mjedisin thotë se vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme duhet ta trajtojnë këtë problem si pjesë të planeve të tyre të zhvillimit.

Disa rajone janë goditur më rëndë nga efektet e ndotjes së ajrit sesa të tjerat.

Raporti nuk jep rekomandime si të zgjidhet problemi i ajrit të ndotur. Ai e lë atë në duart e vendeve të veçanta të vendosim. Por raporti u bën thirrje këtyre vendeve të veprojnë me shpejtësi. (voa)

Qytetarët: S’do paguajmë taksë televizionit partiak që reklamon VMRO-BDI

rtmQytetarët e Maqedonisë shprehen të revoltuar me vendimin e fundit qeveritar për pagesën e detyrueshme të taksës radiodifuzive për RTVM.

Në një anketë të realizuar nga agjencia e lajmeve INA, ata thonë se nuk duan të paguajnë para për një televizion partiak, i cili raporton njëanshëm dhe në mënyrë jo profesionale vetëm për aktivitetet e ministrave të partive në pushtet VMRO-BDI.

“Vendimi qeveritar është arbritrar. Na detyrojnë të paguajmë një televizion partiak dhe jo kombëtar. Jam i pa punë, dhe nuk dua të hyjë borxh për të paguar reklamimin e pushtetarëve të korruptuar deri në palcw. Kjo është skandaloze”, shprehet E. A nga Shkupi.

Sipas tij, qytetarët nuk duhet ta paguajnë këtë taksë, derisa ky televizion partiak nuk realizon reforma e nevojshme për të funskionuar si i pa varur nga politike.

Të njëjtim mendim ndanë edhe I. Mehmeti nga Kumanova. “Ky regjim është bërë i pa durueshëm. Po i mbytë me taska edhe qytetarët të cilët janë të pa punë dhe mezi sigurojnë ekzistencën e tyre. Pse të paguaj në televizion te cilin ka vite që nuk e shikoj, për faktin se nuk ofronë asgjë.Një pjesë e gazetarëve aty marrin paga, ndërsa të gjithë e dijmë se kohën më të madhe nuk shkojnë në punë”, shprehet ai.

Hanife. B nga Tetova thekson se, taksa radidifuzive do të shkaktojë revoltë të madhe.

“Qysh tani ka shumë probleme. Në familjen time edhe pse kemi vetëm një televizor, në adresë të njëjtë na vijnë katër për fatuara për pagesë. Kjo është absurde. Pastaj si është e mundur që taksën e njëjtë ta paguajnë edhe rastet sociale dhe qytetarët që nuk ka para për ti ushqyer fëmijët e tyre. Shfarë shteti social është ky? Na detyrojnë ta shohim me zor syrratin e politikanëve që vite me rradhë na kanë vjedhur si mos më keq”, shprehet ajo.

Drejtoria për të ardhura publike (DAP) filloi me pagesë të detyrueshme të llogarive të papaguara për taksën radiodifuzive, paralajmërojnë nga Drejtoria.

DAP u bën thirrje qytetarëve të cilët kanë borxhet të mbetura për taksë radiodifuzive t’i paguajnë në afat sa më të shkurtë të mundshëm, me qëllim që të mos i ekspozohen shpenzimeve shtesë për pagesë të detyrueshme dhe bllokim të llogarive të tyre. (INA)

Washington Post: Krijimi i shteteve mund të sjellë paqen, por ratifikimi i kufijve mund të sjellë konflikte

kuvendi-ksNë çfarë vende tjera mund të gjeni gazlotsjellës në parlament?Shembulli nga historia. Një shkrim nga profesorja e Universitetit të Richmondit, Sandra Joireman, për Wahington Post.

Prestigjiozja amerikane e nis me rezymenë e sulmeve me gaz lotsjellës, vezëve dhe shpërthimeve molotov që kryhen rëndom nga opozita e Kosovës për të kundërshtuar vendimet që nuk përputhen me planprogramin e tyre. “Qeveria krijoi një sistem vëzhgimi më profesional dhe shtoi kontrollet ndaj deputetëve në hyrje të parlamentit,” përcjell botasot.info. Pse? Sepse Kosova kundërshton ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Në kohën kur tensionet për territore janë mes shteteve të ndryshme, këtu bëhet fjalë për konflikt mes partive të një shteti.

Pasi tregohet rrugëtimi drejt pavarësisë dhe historia e shkurtër si shtet i pavarur, më tej Wahington Post shkruan:

“Tani si kusht për liberalizimin e vizave me BE-në, Kosova duhet të ratifikojë demarkacionin në kufi me Malin e Zi. Pasi Mali i Zi ishte pjesë e Serbisë, ky është hapi i parë i qartësimit të kufijve për shtetin e ri.* Më e vështirë do jetë më pas caktimi i kufijve me shtetin e Serbisë,” përcjell botasot.info. Ratifikimi mbështetet nga partitë në pushtet PDK dhe LDK, ndërsa përkundër tensioneve të brendshme, Mali i Zi nuk ka mbajtur qëndrime kontraverse, duke dëshmuar njëherësh edhe marrëdhëniet miqësore me shtetin fqinj.

Në çfarë vende tjera mund të gjeni gazlotsjellës në parlament?

Tre partitë opozitare AAK, NISMA dhe VETëVENDOSJA kundërshtojnë demarkacionin me pretekstin se vija e tanishme kufitare është kryer në kohën kur vendimet merreshin në Beograd dhe se ajo pjesë tradicionalisht ka qenë e Kosovës. Thuajse prej gjashtë muajsh protesta të dhunshme, Kosova e ka pasur të pamundur funkcionimin e saj si shtet normal. Papunësia te të rinjtë 15 deri në 24 vjet është 55 përqind. Jo befasisht emigrimi ilegal nga Kosova në perëndim ka marrë hov, pasi kërkojnë të gjejnë një vend pune, që nuk ua siguron vendlindja. Liberalizimi i vizave do ndihmonte ekonominë e Kosovës, por kjo nuk mund të arrihet pa marrëveshjen rreth kufirit. Vendi që protestoi paqësisht për autonomi dhe më pas luftoi për pavarësi e ka të vështirë të pranojë atë që mund të quhet humbja e territoreve.

Shkencëtari politik, Andrew Owsiak, thekson se nëse një shtet sistemon kufijtë e saj është e vështirë të futet në konflikt me fqinjët. Por këtu ka një përjashtim. Kur shteti i ri përpiqet të thith këto kufij, atëherë përbën rrezik për futjen në konflikt.

Shembulli nga historia

Nga 1998 deri 2000 Etiopia dhe Eritrea luftuan brutalisht për trekëndëshin Badme, ku vdiqën dhjetëmijëra persona. Aty bëhej fjalë për territore me djerrina me vetëm një fshat të vogël. Shembulli më i ri është Sudani dhe Sudani jugor që luftojnë për regjionin kufitar Abyei. Disa vëzhgues mendojnë se krijimi i shteteve të reja mund të ndalojë dhunën, por këto shembuj tregojnë se ratifikimi i kufijve mund të ringjallë konflikte.

Pavarësisht këtyre shembujve, Mali i Zi asnjëherë nuk ka luftuar Kosovën, bile të dyja shtetet u ndanë nga Serbia. Por demarkacioni është hapi i parë i fillimeve të komplikimeve të marrëdhënieve mes shteteve. Në të njëjtën pikë Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen me Serbinë, përkundër që kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e saj. Kur shohim tensione dhe arrestime për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, atëherë natyrisht që mund të dridhet paqja kur do vijë koha për caktimin e demarkacionit me Serbinë. /Bota sot/

TI: Institucionet të dobëta përballë korrupsionit

nisa-albania-2016Transparency International publikon analizën për Shqipërinë: “Kultura e pandëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni i shfrenuar, çështje që duhen trajtuar urgjentisht”, thuhet në raport

Një raport gjithpërfshirës, i pari i këtij lloji i organizatës Transparency International për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, funksionimin e institucioneve kryesore të saj dhe rolin ei tyre për të luftuar kundër korrupsionit, nxjerr në pah të meta serioze në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.

Raporti “Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit” analizon 4 sektorë kryesorë: politiko-institucionalë, social-politikë, social-ekonomikë dhe social-kulturorë. Transparency International tha sot se “Shqipëria mbetet e prekshme ndaj korrupsionit për shkak të ndërhyrjeve politike dhe mungesës së pavarësisë në institucionet kyçe të mbikëqyrjes”. Cornelia Abel, koordinatore e Transparency International për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor nënvizoi se ““Shqipëria nuk i plotëson kërkesat e Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit dhe nëse nuk ndërmerr reforma kyçe, kjo mund mund të pengojë integrimin në BE,” tha ajo duke shtuar se “Është shqetësuese që institucionet e ngritura për të garantuar se vendimarrësit do të veprojnë në interes të qytetarëve shqiptarë, nuk kanë fuqi, pavarësi dhe burime për ta realizuar këtë”.

Sipas raportit “të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit.”

Raporti përmban kritika të ashpra për punën e gjyqtarëve, për mungesë të theksuar profesionalizmi. Sipas tij “Gjyqtarët jo vetëm që kanë treguar nivele të ulëta të të kuptuarit të disa prej nocioneve kyçe të korrupsionit, si për shembull përfitimet, influencimi apo qëllimi, por as që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të kërkuar më shumë prova në raste kur kjo ka qenë e nevojshme. Asnjë zyrtar i lartë nuk është shpallur fajtor për korrupsion”.

Duke iu referuar një studimi tjetër për Shqipërinë, Indeksit “Bertelsmann” të Transformimit, raporti thekson se “në krahasim me vendet e tjera paskomuniste transformimi i Shqipërisë ka mbetur më pas. Një prej shqetësimeve kryesore të viteve të fundit është pafuqishmëria e shtetit për t’u bërë ballë interesave private dhe atyre të biznesit që ndikojnë në vendimet politike”. Raporti thekson se “kultura e mosndëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni i shfrenuar janë çështje që duhen trajtuar në mënyrë urgjente”.

Në disa prej kritikave të ashpra të organizatës Transparency International, përmendet fakti që, megjithëse korrupsioni është i kudogjendur, është vështirë të gjendjet një rast dënimi i zyrtarëve të lartë. “Shqipëria ka pothuajse zero historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh për korrupsionin politik të nivelit të lartë. Një raport konfidencial i OSBE-së i zbuluar dhe i nxjerrë në media kohët e fundit bënte një përmbledhje të një numri të madh aludimesh të ngritura kryesisht nga media duke lidhur figura të ndryshme politike me korrupsionin ose krimin. Edhe pse nuk është opinioni zyrtar i kësaj organizate, OSBE u shpreh se dokumenti ishte i vërtetë dhe në përmbajtje ka informacion për shkelje ligji nga 36 deputetë shqiptarë, përfshirë kryeministra të mëparshëm e të tanishëm, si edhe Kryetarin e Kuvendit”.

Raporti vazhdon me tej duke përmendur raste pandëshkueshmërie. “Pothuajse të gjithë udhëheqësit e tanishëm të partive të rëndësishme politike janë gjykuar për akuza korrupsioni e më vonë janë nxjerrë të pafajshëm. Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane, Ministër i Mbrojtjes në vitin 2008, u gjykua për tragjedinë e Gërdecit, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen në vitin 2012 me argumentin se krimi për të cilin po gjykohej Mediu ishte pjesë e një amnistie me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Ministër Transporti në vitin 2005, u hodh në gjyq tre vjet më vonë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së procedurave në tendera publike për atë që njihet si “Rruga e Kombit” me një dëm ndaj shtetit shqiptar të përllogaritur në shifrën 337 milionë dollarë. Çështja gjyqësore kundër Bashës u deklarua e pavlefshme për arsye procedurale.

Në 2011, Ilir Meta, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), u gjend në epiqendër të një skandali korrupsioni, që krijoi zemëratë të madhe të publikut e më pas çoi në protestën e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër protestues. Meta u deklarua i pafajshëm nga gjykata me argumentin kryesor se videoja që tregonte Metën dhe ish Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë tek flisnin për ryshfete në sasi të mëdha, nuk ishte e vërtetë, pavarësisht opinionit të kundërt që patën ekspertët ndërkombëtarë që ishin ftuar ta shqyrtonin videon”.

Koordinatorja e Transparency International theksoi se “reforma e fundit për drejtësinë në Shqipëri ishte një fillim i mirë, por mbetet e paplotë. Disa prej ligjeve në paketën e reformës në drejtësi pritet të miratohen nga Parlamenti, ndërsa sytë janë të drejtuar nga qeveria për t’u siguruar që reforma do të zbatohet në të vërtetë. Shumë më tepër nevojitet për t’u bërë, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat me BE-në,” tha Abel nga Transparency International.

Sipas raportit “Korrupsioni politik është i dukshëm në rastet e financimit të partive, keqpërdorimit të burimeve publike për fushatë zgjedhore ose në rastet e blerjes së votës të raportuar në media”.

Sipas raportit korrupsioni ka lidhje të drejtëpprdrejtë edhe me lulëzimin e krimit të organizuar. “Një vlerësim i vitit 2015 për krimin e organizuar në Shqipëri e vendos nivelin e lartë të korrupsionit në polici dhe institucionet e zbatimit të ligjit si një nga arsyet kryesore që e lejon krimin të lulëzojë”.

Sipas koordinatores së Transparency International “ky raport tregon qartazi se ku nevojiten ndryshimet për të luftuar korrupsionin. Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit të perceptuar në të gjithë rajonin. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga sistemi politik dhe janë të lodhur teksa shohin të korruptuarit që përdorin paratë dhe influencën për t’i shpëtuar ndëshkimit,” tha Abel, ndërsa shtoi se “zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar duhet të kuptojnë se ata janë në ato poste për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Çdo abuzim me postin duhet ekspozuar, denoncuar dhe ndëshkuar”.

Përveç plotësimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, Transparency International jep rekomandimet kryesore të mëposhtme për çrrënjosjen e korrupsionit në Shqipëri dhe për të garantuar funksionimin pa ndërhyrje politike të institucioneve mbikëqyrëse. Sipas vlerësimit “Komisioni Parlamentar ad-hoc për reformën elektorale duhet të marrë funksion të plotë. Pavarësia e administratës zgjedhore duhet të jetë fokusi kryesor i tij”. Transparency nënvizon gjithashtu se “Parlamenti duhet urgjentisht të ngrejë një komision ad-hoc të asistuar nga një sekretariat teknik për të kryer reformën e konfliktit të interesit dhe rregulloret mbi lobimin. Ky komision duhet të ketë mandat për të propozuar ndryshime që lehtësojnë kuadrin ligjor, forcojnë pavarësinë e institucioneve kyçe dhe e bëjnë të mundshëm zbatimin në praktikë”. Po ashtu sipas Transparency International “Partitë politike duhet të zbatojnë standarde më të larta kur zgjedhin kandidatët elektoralë dhe funksionarët publikë, në mënyrë që të garantojnë profesionalizmin dhe nivele më të larta të integritetit në sektorët publikë”.

Analistët komentojnë për raportin e TI për Shqipërinë

tiStudiuesit e jetës politike në Shqipëri u shprehën sot se, përballë korrupsionit të përhapur në të gjithë nivelet e administratës, reforma në sistemin e drejtësisë nuk do të sjellë rezultate aq të shpejta sa pret opinioni publik.

Analistët pohuan se qytetarët presin një përmirësim të shpejtë të gjendjes, por pastrimi i gjyqësorit dhe de-kriminalizimi nuk do të jenë aspak një punë e lehtë. Sipas tyre, ndihma e ndërkombëtarëve është e domosdoshme në këtë proces.

Korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, që janë përhapur në të gjtiha nivelet e administratën shtetërore, i ka shtyrë edhe studiuesit e jetës politike të Shqipërisë të dyshojnë nëse reformimi sistemit gjyqësor do të përmirësojë së shpejti diçka në këtë sektor.

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, thotë se pritshmëria e madhe e publikutt ndaj kësaj reforme është lidhur edhe me shpresat që rezultatet do të jenë të shpejta, por frytet e kësaj reforme nuk pritet të jenë të afërta në kohë.

Studimi më i fundit i organizatës Transparency International për gjendjen e institucioneve shqiptare po ndiqet me vëmendje nga organizatat dhe institutet vendase.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, thotë se qytetarët presin që reforma në drejtësi të japë frytet e saj pa vonesa dhe rezultatet e shpejta lidhen drejtpërdrejt me ecurinë e integrimit europian sa edhe me përmirësimin e jetesës brenda vendit.

Përfundimet e studimit të TIA ndoshta nuk janë në kohë për të ndihmuar reformën e drejtësisë, pohojnë studiuesit, por ato vijnë në kohën e duhur dhe janë në shërbim të reformës zgjedhore, e cila, edhe ajo ka në thelb anti-korrupsionin dhe dekriminalizimin.

Abuzimi me pushtetin nga ana e partive poltike, thotë zoti Krasniqi, vjen sepse partitë nuk deklarojnë burimin e parave të fushatave të tyre.

Organizata Transparency International theksoi në studimin e saj se Shqipëria mbetet e pambrojtur nga korrupsionit për shkak të ndërhyrjeve politike dhe mungesës së pavarësisë së institucioneve kontrolluese.

Studiuesit janë të shqetësuar se Shqipëria nuk i plotëson kërkesat e Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit dhe kjo pengon integrimin e vendit në BE.

Sipas studiuesve të pavarur, institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit si prokuroria, gjykata etj. janë nën trysninë e politikës dhe kjo dëmton afësinë e tyre për të parandaluar korrupsionin. (voa)

Debate rreth ekipit themelues të asociacionit të komunave me shumicë serbe

thaci-vucicMinistri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariç, tha se qeveria e Kosovës ka themeluar ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente në Bruksel, ku edhe bëri publik emrat e katër anëtarët të ekipit menaxhues për themelimin e këtij asociacioni. Ai tha se ekipi i emëruar javën e kaluar nga autoritetet e Prishtinës do të bashkërendohet prej tij dhe do të ketë për detyrë hartimin e Statutit dhe krijimin e Bashkësisë së komunave serbe.

Këtë herë procesi fillon me mbështetjen e plotë të qeverisë në Prishtinë dhe të gjithë faktorëve relevantë politikë, që është shumë e rëndësishme për ne”, tha ministri Mariç duke nënvizuar se ekipi gjatë këtyre dy ditëve të fundit ka zhvilluar takime njohëse me zyrtarë të ndryshëm të institucioneve evropiane.

Por këto pohime janë hedhur poshtë nga ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Në një komunikatë për opinion thuhet se “Dezinformatat që kanë dalë nga Serbia, se gjoja është formuar grupi punues apo menaxhues për Asociacionin, dua të them se kjo është një gënjeshtër e radhës e Serbisë, sepse grupi menaxhues është krijuar në vitin 2013 sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe këtë grup e ka krijuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës”.

Më tej në komunikatë thuhet se “ky grup nuk është formuar nga Presidenti i Kosovës apo Kryeministri i Kosovës, dhe se ky grup menaxhues është manipuluar nga Qeveria e Serbisë, të cilët i kanë sjellë në Bruksel dhe kanë provuar që të organizojnë takime në Bashkimin Evropian”.

Zonja Tahiri ka thënë se formimi i asociacionit nuk është në agjendë, dhe nuk mund të zbatohet asnjë veprim pa u përmbushur nga Serbia të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

Më 25 gusht të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Qeveria thotë se asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës dhe propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, ndërsa kanë mohuar çdo mundësi që ai të ketë përgjegjësi ekzekutive. Por, për opozitën asociacioni mund të çojë në ndarjen e brendshme të Kosovës. Që nga 22 shtatori i vitit të kaluar punët e parlamentit janë përshkuar nga gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës për shkak të mospajtimeve lidhur me marrëveshjet me Serbinë sikurse edhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshja ishte pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (voa)

Kosovë: Kundërthënie për asociacionin e komunave serbe

Nga Brukseli shqiptarët dhe serbët në qeverinë e Kosovës japin informacione kontradiktore lidhur me formimin e ekipit menaxhues për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

editaNë Bruksel ekipet teknike të Prishtinës dhe Beogradit po zhvillojnë bisedime në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kësaj radhe sipas ministres së Dialogut Edita Tahiri, në Bruksel po diskutohet për lëvizjen e lirë, reciprocitetin në targat e automjeteve, kadastrën, diplomat dhe rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër. Por ajo hedh poshtë pohimet e palës serbe, sipas së cilës po diskutohet edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Paraditen e së enjtes(08.09) ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariq, në një komunikatë të lëshuar nga ministria që ai drejton, thuhet se qeveria e Kosovës e ka krijuar ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Por ky njoftim, vetëm disa orë më pas, u hodh poshtë nga ministrja e Dialogut Edita Tahiri.

Ljubomir Mariq, i cili gjendet në Bruksel, bëri të ditur emrat e katër anëtarëve – sikurse thotë – të ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Ai tha se ekipi është emëruar javën e shkuar nga autoritetet e Prishtinës dhe do të udhëhiqet prej tij, ku për detyrë do të ketë hartimin e statutit dhe krijimin e asociacionit.

“Këtë herë procesi fillon me mbështetjen e plotë të qeverisë në Prishtinë dhe të gjithë faktorëve relevantë politikë, që është shumë e rëndësishme për ne. Ekipi gjatë këtyre dy ditëve ka zhvilluar takime njohëse me zyrtarë të ndryshëm të institucioneve evropiane”, thotë ministri Mariq.

Më tej ai thotë se 2ne jemi të kënaqur me vendimin final të Hashim Thaçit dhe kryeministrit Isa Mustafa; që më në fund procesi i formimit të asociacionit ka nisur nga pika zero. Ne kemi ardhur në Bruksel për t’i njohur bashkëbiseduesit tanë dhe opinionin ndërkombëtar me vizionin e një realiteti të ri pozitiv në Kosovë, që do të vijë nga themelimi i asociacionit”, thuhet në deklaratën për media të këtij ekipi.

Vetëm disa orë pas këtij njoftimi të ministrit serb në qeverinë e Kosovës, ministrja për Dialog e po kësaj qeverie, Edita Tahiri, i hodhi poshtë këto pohime.

Në një delaratë të shkruar për medie të ministres Tahiri thuhet, se “disinformatat që kanë dalë nga Serbia, se gjoja është formuar grupi punues apo menaxhues për Asociacionin, dua të them se kjo është një gënjeshtër e radhës e Serbisë, sepse grupi menaxhues është krijuar në vitin 2013 sipas marrëveshjes së Brukselit dhe këtë grup e ka krijuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës.” Ajo më tej theksoi, se “ky grup nuk është formuar nga Presidenti i Kosovës apo Kryeministri i Kosovës dhe se ky grup menaxhues është manipuluar nga Qeveria e Serbisë, që i ka sjellë në Bruksel dhe kanë provuar të organizojnë takime në Bashkimin Evropian, por nuk ia kanë dalë”, thotë në deklaratën e saj Adita Tahiri.

Ministrja Tahiri thotë se “formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është në agjendën e takimeve në Bruksel dhe nuk mund të zbatohet asnjë veprim pa u përmbushur nga Serbia të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani”.

Kosova dhe Serbia në gusht të vitit të shkuar nënshkruan marrëveshje për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni do të ketë përgjegjësi në disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik si dhe planifikimi urban. Kjo marrëveshje tash e një vit po kundërshtohet ashpër nga partitë politike opozitare, ku për pasojë vendi u përfshi në një krizë politike që u manifestua edhe me dhunë brenda parlamentit të Kosovës dhe me protesta nëpër rrugët e Prishtinës. Qeveria e Kosovës thotë se Asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës, ndërsa opozita thotë se me krijimin e asociacionit shënohet ndarja e brendshme e Kosovës në vija etnike. (dw)