Apple paraqet iPhone 7

iphone7Apple Inc paraqiti sot telefonin e ri të qendrueshëm ndaj ujit, iPhone 7 dhe iPhone 7 plus, me kamera me dy lente, me rezolucion të lartë, në prezantimin e produkteve të vjeshtës në San Francisco.

iPhone-i ri nuk do të ketë një fole për fishën e kufjeve, gjë që sipas shumë gjasave do të sjellë një përmbysje në mënyrën sesi dëgjohet muzika dixhitale dhe audio tjetër.

Apple njoftoi se telefonat e rinj do të kenë kufje që futen në një fole që deri tani ishte përdorur vetëm për ngarkim. Konsumatorët mund të blejnë edhe kufje pa kabëll për paisjen.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, Apple njoftoi gjithashtu se telefonat do të jenë të qendrueshëm ndaj ujit dhe pluhurit, si edhe të kenë më shumë kapacitet për të ruajtur informacion.

Përveç disa ngjyrave të reja, pamja e iPhone-ve të rinj do të jetë e ngjashme me ato të mëparshmit.

Një orë e re Apple do të ketë një GPS për më shumë saktësi në aktivitetet fizike, si edhe më shumë mbrojtje nga uji. Ora e re do të ketë gjithashtu edhe lojën e suksesshme Pokemon Go. (voa)

Shkup: Gjashtë të vdekur nga rrëzimi i një avioni privat

Natën e së martës (06.09) u gjëtën pjesë të avionit privat “Pajper Pa 34-200 T Seneka” me shenja kombëtare gjermane të rrëzuarme në afërsi të Katllanovës, në fshatin Kozhle, ku mund të shiheshin rrënojat e avionit.

KatllanovaNga kontrolli i bërë në teren janë gjetur gjashtë kufomat e pasagjerëve, që kanë qenë në bord, pjesë të aeroplanit: krahu dhe njëra gomë, kutija elektronike, dy telefona celularë, bileta për udhëtim dhe një leje udhëtimi italiane. Menjëherë pas njoftimit është aktivizuar Reparti për Operacionet Speciale të Policisë, ku si rrjedhojë u mobiliziaun 50 punonjës policie me 10 automejte nga njësia për detyra speciale dhe 125 policë me 15 automjete nga njësia për mobilizim të shpejtë. Pas gjetjes së aeroplanit nga ana e zyrtarëve të policisë u bë sigurimi i vendit të ngjarjes, u njoftua Prokurori Publik, i cili shkoi në vendngjarje, u bë fotografimi fillestar, por për shkak kushteve të rënda për kryerjen e ekspertizës, është planifikuar që procesi të vazhdojë në orët e mëngjesit. Gjithnjë sipas informacioneve të policisë maqedonase gjatë mëngjesit të së mërkurës (07.09) ekipet janë drejtuar në vendin e ngjarjes, ku po bëhet shënimi i gjurmëve. Në vendngjarje ndodhen një numër i madh i forcave të policisë dhe ndihmës së shpejtë. Nga policia thonë se informacione më të detajuara rreth aksidentit do të jepen pas shqyrtimit të plotë të rrethanave. Rruga për në vendin ku u rrëzua avioni është pothuajse e pakalueshme, qasje kanë vetëm automjetet e terrenit. Autoritetet e Maqedonisë gjatë tërë natës kanë vazhduar hetimet në lokalitetin ku është rrëzuar avioni i vogël sportiv me gjashtë persona në bord. Detaje mbi identitetin e personave nuk jepen përveç konfirmimit të lajmit mbi rrëzimin e avionit. Por për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike operacioni i kërkimit po zhvillohet ngadalë. Hetuesit gjyqësor thuhet se kanë gjetur mbetje të trupave, të cilat gjatë natës janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup. Prokuroria publike në Maqedoni, në një njoftim për media, ka bërë të ditur nisjen e hetimeve për zbardhjen e tragjedisë ajrore që ndodhi në afërsi të Shkupit.

“Pas informave të marra, Prokuroria Publike, në koordinim me institucionet kompetente ka ndërmarrë masa për përcaktimin e vendit të fatkeqësisë, sigurimin e lokalitetit dhe nisjen e hetimeve. Po grumbullohen informacione dhe fakte relevante për të përcaktuar shkaqet e fatkeqësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike të Maqedonisë.

Avioni u zhduk nga radarët e kontrollit të fluturimeve të aeroportit të Shkupit rreth orës 17:40 të ditës së martë (06.09.2016). Banorët e një lokaliteti rreth10 kilometra në jug të Shkupit kishin njoftuar qendrën e fluturimeve se kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe zjarr, duke pretenduar se bëhet fjalë për një avion të rrëzuar. Sipas të dhënave zyrtare, avioni i rrëzuar fluturonte nga Trevizo e Italisë dhe u zhduk nga radarët menjëherë pasi njoftoi drejtuesit e aeroportit, se do të ulej për t’u furnizuar me kerozinë. Destinacioni i fundit i avionit supozohet të ketë qenë Prishtina. (dw)

Daҫiҫ: Ende larg normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën

Duam paqe e stabilitet në rajon, thotë Ivica Daҫiҫ. Mbi qëndrimin e Serbisë në rajon, bisedën e ministrit të Jashtëm serb me Victoria Nuland për Kosovën, – më shumë në intervistën ekskluzive të Deutsche Welles.

DacicDeutsche Welle: Zoti Daҫiҫ, një nga temat qendrore të konferencës së OSBE-së në Potsdam, (01.09) ishte kriza në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë. Në Beograd, ju konsideroheni si një politikan që mbron interesat ruse. Si i vlerësoni përpjekjet e presidencës gjermane të OSBE-së për rivendosjen e besimit mes perëndimit dhe lindjes, pas sjelljes agresive të Rusisë në Ukrainë?

Ivica Dacic: Tema e takimit informal të ministrave të Jashtëm të OSBE-së, organizuar nga kreu i presidencës kësaj radhe, Frank-Walter Steinmeier, ishte reflektimi për të ardhmen e kësaj organizate, dhe mënyra se si t’i tejkalojmë konfliktet e sfidat e ndryshme. Nuk ka vetëm konflikte të armatosura, por edhe probleme të ekstremizmit. Radikalizmi, terrorizmi, migrimi. Sigurisht folëm edhe për mungesën e besimit. Për shkak se OSBE përbëhet nga 57 vende anëtare, është e nevojshme të marrim vendime unanime. Prandaj nuk vlen këmbëngulja për një pozicion të caktuar, duhen zhvilluar negociata, të cilat nuk mund të kenë sukses pa besim të dyanshëm. Gjatë presidencës serbe të OSBE-së (2015) ne patëm sukses, sepse kishim një pozicion objektiv, dhe gëzonim besimin e të gjitha palëve. Besoj se perspektivë qëndron vetëm tek kërkimi i pikave të përbashkëta për të arritur në ujdi.

Kjo vlen sigurisht edhe për politikën rajonale. Qëndrimi juaj kundrejt presidentit serb, Sllobodan Millosheviҫ është për disa nga fqinjët tuaj një pengesë tjetër për marrëdhëniet në rajon. Këmbëngulni ende që Millosheviҫi në Hagë gjatë procesit kundër kreut të serbëve boshnjakë, Karaxhiҫ do të ishte liruar nga akuza për krime lufte dhe pastrime etnike? Besoni ende se perëndimi gënjen, kur flet për gjenocid dhe krime lufte, për të cilat bëhet përgjegjëse pala serbe?

Kjo është një mënyrë shumë e thjeshtëzuar e trajtimit dhe që ekziston në perëndim, pra që serbët mbajnë fajin kryesor për gjithҫka ndodhi në ish-Jugosllavi. Kur kam folur për Millosheviҫin, kam folur për shtetin e Serbisë. Në shumë vendime të gjykatës së Hagës, që lidhen me persona të caktuar të akuzuar, ka pasazhe, që nuk lidhen vetëm me këta persona, por nga ato mund të nxjerrësh konkluzione të rëndësishme për fusha të caktuara. Kështu për shembull në dënimin për Karaxhiҫin mund të lexohet shprehimisht se Millosheviҫi, thënë ndryshe Serbia, sepse ai ishte president i Serbisë, nuk janë fajtorë për krime lufte, dhe se Millosheviҫi, pra Serbia, nuk janë pjesë e „asaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale“, siҫ formulohet në Hagë. Kjo ishte esenca dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për Serbinë. Kjo do të thotë që ҫdo individ mund dhe duhet të përgjigjet për krimet e tij, por pas këtyre krimeve, nuk qëndron Republika e Serbisë.

Kjo kishte rëndësi të veҫantë për ne dhe Serbinë. Nuk lidhet me personin Millosheviҫ apo dikë tjetër. Bëhet fjalë, siҫ e dini, që Serbia u konfrontua me padi të ndryshme. Kundër nesh ngriti padi Kroacia, pastaj Bosnja, madje edhe Kosova do që të ngrejë padi kundër Serbisë, megjithëse nuk e di si do ta bëjë këtë, sepse Kosova nuk është e njohur si shtet në Kombet e Bashkuara. Kjo do të thotë tani që është e pamundur të bëhet një gjë e tillë para Gjykatës Ndërkombëtare. Pra, të gjithë ngrenë padi kundër Serbisë dhe pretendojnë që Serbia ka bërë krime lufte apo gjenocid, dhe kërkojnë madje dëmshpërblim lufte. Prandaj është kaq e rëndësishme ajo që qëndron në dënimin për Karadxhiҫ, rolin e Serbisë dhe të Millosheviҫit si president. Madje aty shkruhet fjalë për fjalë, se Millosheviҫi u angazhua për pranimin e planeve të paqes, që u refuzuan më vonë nga udhëheqja boshnjake e Karaxhiҫit. Kjo është shumë e rëndësishme e nuk duhet përzier me atë nëse dikush e ka mbështetur politikisht Millosheviҫin apo jo.

Ju përmendët Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Si është marrëdhënia e Beogradit me këto vende?

Liderët serbë, qeveria dhe presidenti janë shumë të hapur dhe vërtet duan paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe vazhdimin e procesit të pajtimit e kërkimin e interesave të përbashkëta. Nuk mund të ketë zgjidhje me plane joracionale. Nuk mund të ketë zgjidhje sipas modelit „e duam të gjithë njëri-tjetrin“, por duhet theksuar se ne jetojmë të gjithë së bashku në këtë rajon, kemi një histori të ngjashme dhe probleme të ngjashme. Qëllimi i përbashkët i të gjithë këtyre vendeve është në radhë të parë stabilizimi i ekonomisë. Kemi humbur shumë kohë gjatë konflikteve, BE duhet të dallojë patjetër, se rruga europiane e vendeve të Ballkanit i mban këto vende të bashkuara dhe nxit stabilizimin rajonal. Ka nevojë për projekte të përbashkëta, por nuk do të jetë e lehtë, megjithëse lufta ka kohë që ka marrë fund. Në të vërtetë paqja e vërtetë nuk është arritur ende. Kështu ashtu si dikush fillon me luftën, ashtu duhet të fillojë edhe me paqen. Ky është angazhimi serb, ndryshe si në disa vende, ku sundon një politikë anti-serbe, që e provokon Serbinë dhe rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Si janë marrëdhëniet me Kosovën? Kur do ta pranojë Serbia realitetin e një Kosove të pavarur?

Çështja e Kosovës nuk është e natyrës politike, por është një problem i së drejtës ndërkombëtare. Serbia nuk mund të pranojë që të jetë legale, kur një pjesë e territorit të saj pretendon pavarësimin pa miratim. Nesër kjo mund të kërkohet në një pjesë tjetër të botës. Merrni për shembull Katalonjën, në Spanjë. Ata duan ta përsërisin shembullin e Kosovës, pa miratimin e Madridit. E dini, zëvendëskryetarja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland më tha se, SHBA investojnë prej rreth 20 vjetësh në pavarësinë e Kosovës. Unë e pyeta se si është e mundur kjo, kur në këtë kohë, SHBA e mbështesin edhe sovranitetin e Serbisë. Ajo tha: „Po, ne e kemi mbështetur vërtet sovranitetin e Serbisë, por pa Kosovën“. Unë iu përgjigja: „Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov më ka thënë të njëjtën gjë, – Rusia respekton sovranitetin e Ukrainës por pa Krimenë.“ Pra ҫfarë mund të bëjmë ne? Ne duam t’i zgjidhim këto probleme, por nuk mund të zhvillojmë një politikë të veprimeve të njëanshme. Serbia ka interesat e veta, dhe kemi bërë shumë në dialogun me Prishtinën. Por Prishtina nuk i përmbush detyrimet që dalin nga procesi i normalizimit. Jemi ende shumë larg normalizimit të marrëdhënieve. Por normalizimi nuk përmban as edhe një grimë brenda, që ne do njohim pavarësinë e Kosovës.

Ju i shikoni në Zagreb, përgjegjësit kryesorë për përkeqësimin e marrëdhënieve serbo-kroate? Pse?

E dini, Kroacia si vend i ri anëtar i BE-së përpiqet të përfitojë nga ky pozicion dhe t’i vendosë Serbisë ultimatume të ndryshme dhe kushte, që bllokojnë rrugën e Serbisë në BE. Ata kërcënojnë publikisht me atë se nuk do të lejojnë kurrë, që Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Një nga problemet është ligji për ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, por ne respektojmë kuadrin ligjor ndërkombëtar. Problemi i dytë është që në Kroaci fushatat antiserbe janë kthyer në normalitet. Kësaj i shtohet edhe rehabilitimi i shtetit të pavarur të ustashëve, që ishte një krijesë e Hitlerit. Në shumë kampe përqëndrimi atë kohë humbën jetën qindra mijëra serbë, hebrenj dhe të tjerë. Tani me bekimin e autoriteteve kroate, rehabilitohen njerëz që kanë kryer krime lufte kundër serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ҫon në reagime nga pala serbe. Ne nuk do të pranojmë asnjëherë rehabilitimin e atyre që poshtërojnë viktimat serbe të Luftës së Dytë Botërore.

Në pjesën serbe të Bosnje-Hercegovinës, në Republikën Srpska, Milorad Dodik do të mbajë një referendum që i vendos pikëpyetje kompetencave të të gjithë Gjykatës Kushtetuese. Presidenti serb, Nikoliҫ e kryeministri Vuҫiҫ thonë se nuk e mbështesin referendumin e kontestuar, por do të vazhdojnë të mbështesin serbët në Bosnje pa ndikuar në politikën e tyre. Po luan Dodik me zjarrin dhe a e përdor me përgjegjësi Beogradi ndikimin e tij?

Mendoj se Serbia merr një pozicion të menҫur, për të mbrojtur si interesat e Serbisë ashtu edhe të Republikës Srpska. Është e rëndësishme ruajtja e stabilitetit të Bosnje-Hercegovinës. Nga ana tjetër duhet të jemi drejtë dhe të themi se nga politikanët boshnjakë ushtrohet presion i madh, për t’i treguar botës se Bosnje-Hercegovina është një shtet mysliman. Madj kërkohet që Republika Srpska të mos ekzistojë më. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë. Serbët janë njerëz konstruktivë. Bosnje-Hercegovina është një vend me tre kombe dhe dy entitete. Nuk duam shkeljen e të drejtave të Republikës Srpska, por as përsëritjen e ngjarjeve të viteve 90-të, prandaj përgjegjësia qëndron tek të gjithë aktorët.

Të kthehemi në skenën ndërkombëtare: Si është marrëdhënia juaj me BE-në krizë, unioni, ku ju doni të anëtarësoheni?

E dini, ne jemi më shumë europianë, se disa nga vendet që ndërkohë janë anëtare, Këtë e jam thënë që para Brexit. Pse? Sepse, BE për njerëzit në Ballkanin e rënduar prej vitesh nga konfliktet, është një faktor ndërlidhës, që nxit bashkëpunimin rajonal. Bindja jonë është që ia vlen të luftosh për këtë qëllim, pra anëtarësimin në BE. Shpresoj që BE të mbijetojë derisa të jemi anëtarësuar ne.

Do të aplikojë Serbia ndonjëherë për anëtarësimin në NATO?

Jo, këtë nuk e mendojmë. Pozicioni ynë zyrtar është: Serbia ruan neutralitetin ushtarak. Ne nuk duam të jemi anëtarë të një aleance ushtarake. Nga ana tjetër me NATO-n kemi bashkëpunimin në nivelin më të lartë të mundshëm që ka një vend që nuk do të anëtarësohet. (dw)

Një gjerman flet për përjetimet në luftën në Siri

Lufta në Siri zhvillohet gati pa praninë e opinionit publik të pavarur. Brutaliteti vrastar, fraksionet e ndryshme dhe milicët – thuajse askush nuk është në gjendje ta interpretojë si duhet situatën.

SiriaDuar që janë pa pushim në lëvizje, flokë të prera shkurt, një figurë muskuloze e pjekur në diell – pamja e Max Leopoldit tregon që muajt e fundit ai nuk i ka kaluar duke punuar në tryezë. Ai ka qenë në Manbixh, kur milicët kurdë YPG e rimorën në një luftë të gjatë shtëpi më shtëpi qytetin prej 70.000 banorësh nga Shteti Islamik. Daesh – siç e quajnë kurdët Shtetin Islamik – e kishte minuar qytetin në pjesën më të madhe. Snajperët i kishin vënë në objektiv sulmuesit – disa kishin vënë në shënjestër vetëm gratë. Max Leopold tregon se prej 10 luftëtarëve kurdë, që futeshin në Manbixh shpesh ktheheshin vetëm tre ose katër. Edhe popullata civile ka vuajtur shumë.

“Ka pasur raste kur civilët, edhe grupe fëmijësh, vraponin në fushat e minuara të IS dhe pastaj…po…bëheshin atje copë-copë. Sepse dëshpërimi qe shumë i madh. Dhe më e keqja është: atje thjesht nuk ka organizata ndërkombëtare.”

Që ta quajë fitore pushtimin e Manbixhit, këtë Max Leopold e ka të vështirë. Sepse humbjet kanë qenë shkatërrimtare, tepër i madh ka qenë numri i të vrarëve dhe i të plagosurve rëndë. Bota flet për Aleppon – por Aleppo thotë ai nuk është i vetmi qytet në Siri, ku lufta e ka bërë gjendjen të padurueshme.

Situata e tanishme – që ushtria turke po vepron tani kundër kurdëve përreth qytetit të pushtuar nga IS Xharablus është gati e padurueshme për Max Leopoldin. Po pse e ka bërë të tijin ai këtë konflikt? Sepse nuk mundi të duronte që bota vetëm bënte sehir, thotë ai. Kjo do të thotë: kaq indiferentë bota, Perëndimi nuk janë.

“Ka padyshim ushtarë të shteteve të ndryshme të NATO-s në terren, dhe ata nuk janë aty thjesht si këshilltarë. Besoj që kjo mund të thuhet. Dhe mund të thuhet edhe që pikërisht personeli sanitar i këtyre njësive jep një ndihmë të pabesueshme në terren. Pa e tepruar unë mund të them se personeli sanitar i shteteve të ndryshme të NATO-s ua ka shpëtuar më shumë se 1000 vetëve jetën.”

Po jeta e tij? Fillimisht tani ai do të shkojë me pushime, do të ngopet me gjumë, thotë Max Leopold. Dhe do të vëzhgojë me shumë vëmendje veten – a do t’i shfaqet ndonjë pasojë postraumatike. (dw)

Lu: Situata e krimit, serioze

luTiranë, ambasadori amerikan: Bosët e krimit vihen rrallë nën akuzë. Problem pandëshkueshmëria. SHBA-të do mbështesin Byronë Kombëtare të Hetimit

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se vendi ka nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krime të rënda në Europë dhe problemi ështe pandëshkueshmeria. Duke folur në një konferencë të organizuar nga Qendra Marshall në Tiranë, ambasadori amerikan u shpreh se “në Shqipëri ata që akuzohen si trafikantë droge dhe bosë kryesorë të krimit rrallë herë përballen me akuzat kriminale. Bosë të fuqishëm krimi mund t’ia hedhin lehtësisht për shkak të lidhjeve të tyre me njerëz me ndikim”, Ai solli sërish shembullin e një emri të njohur të botës së krimit Emiljano Shullazi “një trafikant i dënuar për trafik droge, i cili për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafik droge dhe kërcënime por vetëm së fundmi u arrestua”.

Sipas ambasadorit amerikan, “situata në Shqipëri është serioze, por unë besoj se reforma gjyqësore dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë për të zgjidhur problemin e pandëshkueshmërise dhe lidhjet kriminale me politikën. Njerëzit në Shqiperi janë lodhur me krimin në politikë”, tha ai duke shtuar se “përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, trafikantët e drogës, tutorët dhe përdhunuesit nga parlamenti dhe qeverisja lokale, do të ndikojë në reduktimin e pandëshkueshmërisë së boseve të krimit të organizuar. Ky është një paralajmërim edhe për kriminelët e tjerë. Ti hysh politikës është gjë e keqe për biznesin. Do të hidhet dritë mbi aktivitetet e tua kriminale dhe do të hysh shpejt ne burg”, nënvizoi ambasadori Lu.

Duke folur për rëndësinë e reformës në Drejtësi për pastrimin e radhëve të prokurorëve dhe jgykatësve të korruptuar ai theksoi rolin e Prokurorisë speciale dhe Byrosë kombëtare të hetimit. “Të dyja do të kenë në shënjestër korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. SHBA-të kanë marrë një angazhim për ta mbështetur Byronë nëpërmjet trajnimeve, asistencës, dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Ky do të jetë një grup serioz dhe i aftë hetuesish – shpjegoi ambasadori Lu – Atyre do t’u jepen në mënyrë të rregullt teste të zbulimit të mashtrimit, do të kenë trajnimin më të mire, me pajisjet më të fundit dhe një agjent i FBI-së do të emërohet nga Uashingtoni, që të sigurohet se janë efektivë në punën e tyre dhe se po i hetojnë rastet pa ndikim politik”, u shpreh ambasadori amerikan duke ritheksuar se “është në interesin e SHBA-ve, BE-së dhe popullit shqiptar, që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të sukseshsme problemin e krimit të organizuar”.

Shenjtërohet Nënë Tereza

Gonxhw BojaxhiuNë Sheshin Shën Petrit dhjetra mijëra njerëz nga vende të ndryshme të botës. Të shumtë dhe shqiptarët të pranishëm në ceremoni. Masa të rrepta sigurie kudo përreth Vatikanit

Nga Vatikani, Romë

Dhjetra mijëra njerëz, besimtarë, ndjekës të Nënë Terezës apo dhe njerëz të thjeshtë janë mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në ceremoninë gjatë së cilës u shenjtërua Nënë Tereza,një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kishën katolike në këtë vit të Jubileut të Mëshirës.

Që prej orëve të para të mengjesit, ende pa gdhirë, të rinj e të moshuar, burra e gra, persona me aftësi të kufizuar, i janë drejtuar sheshit Shën Pjetri, për të qenë të pranishëm në këtë ngjare, duke sfiduar edhe temperaturat e larta dhe diellin e fortë. Sheshi ishte mbushur thuajse plot që rreth orës 8.30 me të ardhur jo vetëm nga Italia, por dhe nga shumë vende të tjera. Në fakt, Nënë Tereza, në ndryshim ndoshta nga shumë figura të tjera të shpallur gjithashtu shenjtorë, e kishte marrë këtë cilësim që kur ajo ishte gjallë, për shkak të angazhimit të fortë, jo vetëm në Indi, në mbështetje të njerëzve në nevojë, të varfërve dhe të sëmurëve. Ajo është një figurë e njohur në të gjithë botën. Eshtë pikërisht kjo arsyeja, që sot këtu në Vatikan nuk janë vetëm besimtarë katolikë, por njerëz që kanë parë te Nënë Tereza mëshirimin e dashurisë dhe të përkrahjes ndaj atyre që janë dhe më të pambrojtur. Janë me dhjetra e dhjetra personat me aftësi të kufizuara që kanë ardhur sot këtu në shesh. Për 1500 vetë, të varfër të cilët trajtohen në shtëpitë e misionareve të Nënë Terezës, e që sot kanë ardhur për të ndjekur ceremoninë e shenjtërimit të saj, Papa Françesku do të shtrojë një drekë me pica napolitane në një nga mjediset e Vatikanit. Një drekë e cila do të shërbehet nga mbi 200 misionare të Nënë Terezës

Të shumtë në numër dhe shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia por dhe shumë prej atyre që jetojnë në emigracion. Sot është shumë e lehtë të dëgjosh të flasin në gjuhën shqipe në sheshin Shën Pjetri, sikundër të dallosh shqiptarët nga flamujt me simbolet kombëtare që ata valëvisin apo mbajnë të hedhur krahëve.

Në ceremoninë e sotme janë të pranishëm të paktën 13 kryetarë shtetesh dhe qeverishë, ku gjithashtu të shumtë në numër janë edhe ata të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Nga Tirana përveç autoriteteve më të larta shtetërore ndodhen edhe drejtuesit e opozitës

Masat e sigurisë janë të larta. Ka një prani të shtuar dhe të dukshme të forcave të Policisë por dhe të Ushtrisë italiane. Përveç 2 mijë forcave të angazhuara normalisht për shkak të Jubileut, sot janë shtuar dhe së paku 1 mijë agjentë policie, pa folur më pas për forcat e zjarrfikëseve apo vullnetarë të mbrojtjes civile. Që prej dy ditësh janë angazhuar dhe specialistë të posaçëm për kontrolle antieksploziv në nënkalimet e nëndheshme apo dhe kanalizimet. Sot në të gjitha hyrjet dhe daljet nga sheshi Shën Pjetër ka kontrolle të rrepta të punonjësve të sigurisë, njësoj sikundër ndodh dhe nëpër aeroporte, aq sa nuk lejohet kalimi as me termuse të vegjël me lëngje të freskëta.

E gjithë zona këtu e Shën Pjetrit është ndarë në tre pjesë në formë rrathësh koncentrik, për të garantuar një mbulim sa më të mirë sheshit, i cili është zemra e aktivitetit. Po ashtu në kuadër të masave të sigurisë, që prej orës 8 të mëngjesit të sotëm është ndaluar çdo lloj fluturimi jo vetëm mbi Vatikan por dhe në një rreze më të gjerë mbi zonat përreth. (voa)

Kukës, kanalet vaditëse rivihen në punë pas shumë vitesh

kanalet ujitese kukesNë Kukës, fushat këtë vit ruajnë ende gjelbërimin pasi kanalet ujitëse pas shumë vitesh janë vënë në punë nga Bashkia Kukës. Fermerët janë në pikun e punëve në bujqësi dhe prodhimet duken të mbara.

Fermerët e Kalimashit, pas tetë vitesh kanë ujë në parcela e i gëzohen këtij fakti duke rritur shpresat  për rritjen e sipërfaqeve me kultura të tjera bujqësore.

Nga pastrimi i kanaleve  dhe vendosja e tubacioneve për vaditje përfitojnë rreth 120 hektarë tokë të këtij fshati.

Edhe në fshatin Simon, pas disa vitesh mos funksionimi  është vënë në punë kanali vaditës  ku kapaciteti i ardhjes së ujit në parcelat e mbjella me kultura të ndryshme bujqësore është më i madh. Fermerët thonë se do rrisin sipërfaqet vitin e ardhshëm ndërsa mendojnë edhe për krijimin e impianteve vaditëse.

Vënia në eficencë e rrjetit ujitës ka qenë  prioritet i Bashkisë së Kukësit, ku përmes Bordit të Kullimit, u angazhuan burime njerëzore e mjete të mekanizuara për pastrimin dhe sistemimin e disa veprave vaditëse, si në Uzinë, Kolsh, Kalimash, Ujmisht, Pobreg, Bushat e të tjera.

/ Top Channel

Eksodi masiv e pret Maqedoninë

ekgzodNëse në të ardhmen Maqedonia bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian (BE) dhe me këtë – të rinjve u lehtësohet mundësia për t’u punësuar në vende e BE-së ashtu siç ndodhi më parë me të rinjtë bullgarë dhe rumunë pas anëtarësimit të këtyre dy shteteve në BE, pritjet janë që një numër shumë më i madh i të rinjve profesionistë nga Maqedonia të ikin drejt vendeve të Evropës. Kështu thuhet në studimin më të ri për popullsinë botërore të Kombeve të Bashkuara publikuar ditë më parë, studim ky që parashikon prognoza të këqija, pasi për Maqedoninë thuhet se deri në vitin 2050, ky shtet do të shënojë ulje demografike për 6.8 për qind, ndërsa në vitin 2100, në Maqedoni do të jetojnë më pak se 1.5 milion banorë. “Aktualisht, qytetarët e Maqedonisë si shtetas të një vendi, i cili ende nuk është anëtarë i BE-së, lirisht mund të udhëtojnë në zonën Shengen, por kanë të drejtë të qëndrojnë maksimumi 90 ditë brenda një viti dhe për këtë kohë – nëse gjejnë punë, ekziston mundësia që punëdhënësi t’i sigurojë dokumentet e punës dhe kështu, ata qëndrojnë përgjithmonë dhe nuk kthehen në Maqedoni”, thuhet në këtë studim. Se gjithnjë e më shumë të rinjtë dëshirojnë të largohen nga Maqedonia ketë e tregon edhe studimi i organizatës gjermane “Fridrih Ebert” dhe Institutit për Hulumtime Sociologjike, Politike dhe Drejtësi publikuar një muaj më parë. Sipas anketës së zhvilluar nga këto dy institucione, më shumë se gjysma e të rinjve në Maqedoni duan të shkojnë jashtë dhe se një e treta prej tyre aspak nuk mendojnë të kthehen më. “Rezultatet e anketës kanë treguar se 50 për qind e të rinjve duan ta lëshojnë Maqedoninë, 71 për qind janë të pakënaqur me gjendjen financiare dhe ekonomike të shtetit, 65 për qind ikin për shkak problemeve që kanë më punësimin”, thuhet në këtë anketë. Po ashtu, edhe hulumtimi i Bankës Botërore i realizuar këtë vit rezulton se nga viti 2000 e deri në fund të vitit 2013, nga Maqedonia janë shpërngulur rreth 630 mijë shtetas. “Numër i saktë zyrtarë se sa shtetas të Maqedonisë kanë emigruar nga viti 2009 nuk dihet, për shkak se në vitin 2012 – Maqedonia nuk arriti të numërojë se sa banorë ka. Hulumtimi tregon se deri në fund të vitit 2013, Maqedoninë e kanë lëshuar rreth 630 mijë shtetas”, thuhet në këtë raport të Bankës Botërore. Me shifra jozyrtare se sa qytetarë të Maqedonisë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2011 ka dalë edhe Enti Statistikor i Bashkimit EvropianEUROSTAT. Sipas EUROSTAT-it, nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2011, Maqedoninë e kanë braktisur më shumë se 230 mijë shtetas kryesisht të rinj. Se ikja e të rinjve nga Maqedonia është shndërruar në trend 10 vitet e fundit ketë e thotë edhe Subhi Jakupi, anëtar i Komisionit Shtetëror për Zgjedhje (KSHZ). Ai gjatë kryqëzimit të dhënave sipas evidencës së dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe evidencës së Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) ka vërejtur se vetëm në vitin 2015, nga Maqedoni janë shpërngulur 78 mijë shtetas. “Sipas evidencës së MPB-së, në Maqedonia ka mbi 1.800.000 mijë votues, ndërkaq sipas evidencës së ESHS-së, kjo shifër është më e vogël për mbi 7000 persona. Po ashtu, evidenca MPB-së tregon se në vitin 2015, nga Maqedonia janë shpërngulur 78 mijë shtetas, kanë vdekur 5000 qytetarë, 10 mijë kanë ndryshuar adresë banimi, 4000 kanë ndryshuar emrat, 140 persona kanë fituar shtetësi, 35 mijë kanë nxjerrë letërnjoftime të reja, ndërsa 25 mijë kanë marrë patentë shoferi”, ka thënë për mediat Jakupi. Të gjitha hulumtimet e kryera nga institucionet e huaja statistikore konstatojnë se ikja e të rinjve nga Maqedonia është kryesisht për shkak gjendjes së rëndë ekonomike, prandaj shumë te rinj marrin vendime që të largohen me të vetmin qëllim të gjejnë punë të sigurt në vendet e BE-së, të përmirësojnë standardin jetë- sor, qasje më të mira në arsim… Njëherësh, sipas këtyre hulumtimeve, destinacionet më të dëshiruara të të rinjve kur vendosin të ikin nga Maqedonia janë Anglia dhe Gjermania. (Koha)

Degëzimi i gazjellësit TAP i ofrohet Kosovës

tap kosoveKy projekt nis si një degëzim i gazjellësit TAP nga Shqipëria deri në Kroaci. Qeveria e mëparshme e Kosovës pati deklaruar se do të lidhej me TAP, por deri tani ska asgjë konkrete.

Pas studimit të fizibilitetit, qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë sigurar fondin falas prej 2.5 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, për hartimit e projektit konkret për gazsjellësin adriatiko-jonian “IAP”. Ky projekt nis si një degëzim i gazjellësit TAP nga Shqipëria deri në Kroaci.

“Pas përfundimit me sukses të studimit të fizibilitetit të projektit IAP, tashmë kemi kaluar në fazën e hartimit të projektit. Duke pasur një projekt ne do të jemi në gjendje që të kemi një paketë të plotë studimore, për të bashkëpunuar me investitorë të huaj”, tha Dritan Spahiu, drejtori i hidrokarbureve në MEI.

Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë rënë dakord për ndërtimin e projektit dhe kanë filluar lëshimin e lejeve përkatëse. Pritet të zgjidhet se çfarë modeli do të ketë kompania, që do të menaxhojë gazsjellësin.

Ky i fundit do të ulte kostot e ndërtimit të rrjetit të brendshëm të gazit në Shqipëri, pasi do të krijonte infrastrukturën e transmetimit me gazsjellësin tjetër TAP, nga jugu deri në veri.

“Projekti IAP do të bëjë të mundur pikërisht gazifikimin e pjesës së veriut të Shqipërisë, duke filluar nga Durrësi, Lezha e Shkodra. Nëse ndërtohet projekti IAP me kostot e tij dhe ka një tarifë të caktuar që mbulon kostot, kjo do të bëjë të mundur që Shqipëria të mos ndërtojë një rrjet të dedikuar të transmetimit për zonën e veriut, por do të përdorë projektin IAP”, theksoi më tej Dritan Spahiu.

Gazsjellësi adriatiko-jonian ka një gjatësi prej 516 kilometrash dhe një kosto ndërtimi prej gati 630 milionë eurosh. Kapaciteti i llogaritur është 5 miliardë metër kub gaz në vit. /tch/

VV: “Arsenalin” që gjeti policia është inskenim

LVVLëvizja Vetëvendosje ka mohuar se “arsenali” për të cilin policia thotë se e ka gjetur dje në një garazhë në “Dardania” të jetë i tyre.

“Lokalet që janë në shfrytëzim nga ne, janë okupuar pra nga forcat paramilitare dhe ne nuk marrim përgjegjësi për asgjë që këto forca kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme aty. Sikur në rastin e arrestimit e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm, që në fund doli të jetë inskenim dhe montim nga po ky grup paramilitar i kapur nga klani pronto, edhe gjësendet e gjetura në objektet tona janë në linjën e njëjtë të logjikës inskenuese”, thuhet në reagimin e VV-së.

Përmes një reagimi, VV thotë se hapësirat e kësaj lëvizje janë bastisur pa njoftim paraprak dhe pa praninë e askujt.

“Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje ka rrethuar disa hapësira që janë në shfrytëzim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ka bastisur ato, pa praninë apo njoftimin e asnjë zyrtari të Lëvizjes – gjë që është obligim ligjor në rastet kur bëhen bastisje”, thotë VV. (rtk)