Kosova nuk sjell vendime pa Listën Serbe

kuvendi i ksMungesa e deputetëve të Listës Serbe në seancën e Kuvendit të Kosovës të ditës së enjte, në të cilën ishte paraparë votimi për ose kundër ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ishte një nga arsyet pse projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje, u tërhoq nga Qeveria e Kosovës nga rendi i ditës së kësaj seance.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke aluduar në deputetët e Listës Serbe, u tha deputetëve të Kuvendit se ky grup parlamentar e kishte kushtëzuar me koncesione votimin e kësaj marrëveshjeje, të cilat qeveria nuk do t’i bënte.

Në anën tjetër Lista Serbe, ka mohuar ta ketë kushtëzuar Qeverinë e Kosovës me koncesione. Megjithatë ata kanë theksuar se partnerët e koalicionit e kanë anashkaluar këtë subjekt politik në konsultimet për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Por, në këtë pikë Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i hedh poshtë pretendimet e përfaqësuesve të Listës Serbe.

“Unë nuk dua t’i komentoj deklarimet e tyre, sepse edhe ata janë zyrtarë të Republikës së Kosovës. Megjithatë, unë ju them me përgjegjësi të plotë që unë, këto çështje, i kam diskutuar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe në institucionet e Republikës së Kosovës”.

Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, i ka thënë transmetuesit publik të Serbisë, se autoritetet e Kosovës nuk duhet ta inkorporojnë Listën serbe në çështje statusore.

“Mos kërkoni nga serbët që të punojnë për gjëra që kanë të bëjnë me çështje statusore. Në numrin e vogël të serbëve që kanë mbetur në Kosovë, mos i thyeni çështjet që kanë të bëjnë me statusin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por ta lëmë këtë për tavolinën në Bruksel dhe për dialogun në nivelin politik”, ka theksuar Gjuriq.

Por, ministri Gecaj, ka theksuar se me Listën Serbe, si partnere e koalicionit qeverisës, kanë biseduar edhe më parë për probleme të caktuara. Sipas tij, ngjashëm do të bisedojnë edhe për tejkalimin e problemit të tanishëm që ndërlidhet me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Nëse nuk kemi mundur ta tejkalojmë tash, ne do të bisedojmë që ta tejkalojmë javën e ardhshme, pas dy javësh, pas një muaji. Por, ne duhet të ulemi të bisedojmë, sepse këtë na e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Njohësi i zhvillimeve politike Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se është në rregull që të ketë kushte ndërmjet partnerëve të koalicionit. Por sipas tij, problematik bëhet fakti që Lista Serbe nuk vendos vet, por vendimet ajo i sjell në bazë të urdhrave nga Beogradi zyrtar.

“Kërkesat që në tërë territorin e Kosovës të lejohet Telekomi i Serbisë… këto nuk janë interesa të Listës serbe dhe qytetarëve serb, por janë kushte të një shteti fqinj”, ka thënë Rashiti.

Ai ka shtuar se , megjithatë, kontrolli i Beogradit ndaj serbëve të Kosovës nuk do të zgjasë shumë, për shkak se sipas tij “vet serbët janë të irrituar nga kontrolli i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, a po shfrytëzohet Lista Serbe dhe deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, si pengesë në proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës ose si instrument i Beogradit për realizimin e politikave të Serbisë karshi Kosovës?

Njohësit e zhvillimeve politike, në Kosovë dhe Serbi, vlerësojnë se është fakt i ditur se Lista Serbe nuk ndërmerr veprime pa konsultime me Beogradin zyrtar.

Sipas tyre, kundërshtime të Listës Serbe ka pasur edhe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Analisti Rashiti, thotë se përfaqësuesit e Listës Serbe konsultohen në vazhdimësi me zyrën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e sidomos me Marko Gjuriqin, posaçërisht kur në Kosova është para vendimeve për çështje që ndërlidhen me sovranitetin e vendit.

“Problemi është që Lista Serbe vazhdon të sillet në mënyrë jo bashkëpunuese në raport me çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës ose sovranitetin e Kosovës. Ky paralajmërim ka qenë edhe shumë i hershëm. Që kur është nënshkruar marrëveshja, ka pasur paralajmërime nga Beogradi dhe Lista Serbe se nuk do ta përkrahin Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për faktin se e përkufizon sovranitetin e Kosovës”.

Nenad Gjurgjeviq nga Forumi për marrëdhënie etnike, veprimin e fundit të Listës Serbe e sheh si presion të Beogradit zyrtar ndaj autoriteteve të Kosovës.

“Për çështje të këtilla të rëndësishme, të merret pjesë ose jo në punën e Kuvendit të Kosovës, duhet të arrijë marrëveshje me Beogradin dhe deri më tash kështu edhe ka ndodhur. Është e mundur që ky veprim është një lloj tërheqje e vërejtjes ndaj Qeverisë së Kosovës, se duhet të llogaritet seriozisht në Listën Serbe dhe në atë mënyrë, disi të shpejtohet formimi i Asociacionit të komunave serbe”, tha Gjurgjeviq.

Në anën tjetër, ministri Gecaj, thotë se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për veprimet destruktive të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

“Nuk dua të hy në spekulime se kush përfiton nga ta, sepse ju e dini qartë se ne kemi probleme edhe me shtetin e Serbisë, me involvimin e shtetit të Serbisë në shtetin e Kosovës, në strukturat e Republikës së Kosovës. Për shkak të këtyre problemeve ne edhe kemi shkuar në Bruksel. Për shkak të këtyre problemeve ne zhvillojmë dialog në Bruksel, sepse kjo nuk është diçka që do ta mohojmë dhe të themi se nuk kemi involvim të shtetit të Serbisë në strukturat e Republikës së Kosovës”.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë thonë se institucionet e vendit nuk janë të kënaqura me Listën Serbe, si produkt i dialogut me Serbinë në Bruksel dhe për këtë situatë e fajësojnë Bashkimin Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë, të cilët, siç thonë ata, kanë bërë pak që t’i bindin serbët e Kosovës që të jenë bashkëpunues në raport me funksionimin e plotë të institucioneve. (REL)

DASH reagon ndaj referendumit të paralajmëruar në Republikën Sërpska

BosnjaDepartamenti amerikan i Shtetit tha se referendumi i paralajmëruar në Republikën Sërpska është në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës.

Republika Sërpska ka planifikuar për 25 shtator referendum, në të cilin qytetarët do të deklaroheshin nëse e mbështesin 9 janarin si Ditë të entitetit.

“Respektimi i sundimit të ligjit nga të gjitha palët në Bosnje është vendimtar për procesin demokratik”, tha Departamenti amerikan i Shtetit, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vëzhguesit thonë se referendumi mund të çojë në ndarje të mëtejshme në Bosnje, ku që prej luftës së viteve ’90 ekzistojnë dy entitete të veçanta: Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Sërpska. (rel)

Engel: “Tirana, Prishtina dhe Shkupi duhet të ndjekin rregullat demokratike”

EngelKongresmeni amerikan Eliot Engel deklaroi në Tiranë se ishte optimist për rrugën që mori reforma në sistemin e drejtësisë.

Zoti Engel u takua me politikanët kryesorë, me të cilët diskutoi për këtë reformë, për luftën ndaj korrupsionit dhe marihuanës.

Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, zoti Engel komentoi edhe zhvillimet në Kosovë, ku tha se çështjet nuk mund të zgjidhen me gaz lotsjellës në parlament.

Me zotin Engel bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli.

Zëri i Amerikës: Zoti Engel! Ju sapo përmbyllët një vizitë në Tiranë. Çfarë biseduat me politikanët dhe autoritetet shqiptare dhe cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

Eliot Engel: U takova me kryeministrin, me presidentin dhe me kryetarët e partive politike. Qëllimi i kësaj vizite ishte të sigurohesha që SHBA dhe Shqipëria mbeten miq dhe aleatë të ngushtë. Këtë ma konfirmuan bashkëbiseduesit e mi dhe ishte kënaqësi ta dëgjoja nga drejtuesit këtu. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë dhe ka shumë për të bërë, por mendoj se deri tani ka bërë shumë përparim.

Megjithatë ka ende tema shqetësuese sa i takon forcimit të rendit dhe ligjit, të drejtave kushtetuese, luftës ndaj korrupsionit, dhe luftës kundër kultivimit të marihuanas. Por nga ana tjetër, Shqipëria është antare krenare e NATO-s, gjë që është shumë e rëndësishme.

Këmbyem mes nesh pikëpamje se si SHBA mund të ndihmojnë Shqipërinë për të arritur synimet e saj. Shqipëria ka qenë përherë në krahun tonë, kudo ku ne jemi për të mbrojtur paqen si Afganistani, Iraku, etj., për ta bërë botën më të sigurtë.

SHBA e pëlqejnë këtë bashkëpunim, dhe amerikanët kanë në Shqipëri trajtimin më të mirë në botë. Shqiptarët janë për amerikanët populli më miqësor dhe vendi më miqësor. Jemi dy vende aleatë dhe është e natyrshme që dy vende aleate të shkëmbejnë mendime se si mund të ecet përpara. Nuk patëm ndonjë temë në veçanti, por ishin të gjitha temat bashkë.

Zëri i Amerikës: Parlamenti shqiptar sapo ka miratuar një seri ndryshimesh kushtetuese për të kryer një reformë të thellë në sistemin problematik të drejtësisë. Si e vlerësoni këtë reformë dhe debatet e ashpra mes palëve për të?

Eliot Engel: Mendoj që reforma është gjithnjë e rëndësishme, po ashtu kushtetuta dhe ligjet. është shumë e vështirë që t’i bësh palët të bien dakord mbi të njëjtën gjë. Por mendoj se është e rëndësishme që të ecet përpara.

Unë kam ndjesi pozitive për rrugën, që mori reforma dhe jam plot shpresë që shqetësimet e tjera mbi të zgjidhen me bashkëpunim në vazhdim. Edhe në SHBA partitë politike nuk janë gjithnjë dakord mbi shumë çështje, por ato përcaktojnë një qëllim të madh dhe e arrijnë atë së bashku. Kjo nuk është e lehtë, por është e mirë për vendin.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni në sistemin gjyqësor ka mbuluar edhe korrupsionin në administratën publike. Prej shumë vitesh këtu ka zënë vend një kulturë e mosndëshkimit të korrupsionit. Si mund të shpëtojë Shqipëria nga kjo gjendje?

Eliot Engel: Padyshim që korrupsioni është një problem i madh, sepse korrupsioni shkatërron demokracinë. Nëse njerëzit nuk e ndjejnë që do të marrin drejtësi nga gjykata, atëherë ata e humbin besimin tek sistemi i drejtësisë. Dëmi më i madh që mund t’i bëhet demokracisë është që njerëzit të humbin besimin te sistemi gjyqësor. Pra, mendoj se korrupsioni është vërtet problem i madh dhe i vështirë, që duhet zgjidhur.

Në SHBA sistemi gjyqësor punon shumë mirë. Ne kemi probleme të ngjashme me administratën, por ne kemi gjykata që nuk janë të korruptuara. Ne kemi gjykata të pavarura dhe njerëzit nuk dyshojnë nëse do të marrin atje një vendim të drejtë. Për këtë ka nevojë edhe Shqipëria dhe këtë unë dua ta shoh të realizuar edhe këtu.

Nëse gjykatësi këtu mban ndonjë anë politike të caktuar ju do të keni probleme me korrupsionin, sepse ai do të jetë i padrejtë në gjykimin e tij. Mendoj se kjo çështje është në krye të listës së problemeve, që ju duhet të rregulloni. Kjo do të ishte gjëja më e mirë për Shqipërinë.

Kur një njeri shkon në gjykatë ai duhet të jetë besimplotë se do të marrë një gjykim të dejtë. Kjo i shërben demokracisë, dhe u jep njerëzve siguri të investojnë në Shqipëri dhe kjo shmang shumë vështirësi të tjera.

Zëri i Amerikës: Një pyetje për ngjarjet në Kosovë. Qeveria dhe opozita atje debatojnë ashpër për shumë tema. Së fundi po disktuojnë me tone të larta për kufirin me Malin e Zi. Cili është komenti juaj për atë marrëveshje dhe për situatën politike në Kosovë?

Eliot Engel: Bisedimet atje janë shumë kontradiktore. Disa njerëz nuk bien dakord me atë marrëveshje dhe mendojnë se ajo ka nevojë të përmirësohet. Qeveria vendosi të bëjë një hap prapa dhe të shohë se si mund të ndryshojë ajo çështje. Sido që të vendoset, u takon njerëzve në Kosovë të marrin një vendim. Por mendoj se Kosova duhet të marrë vendimet në demokraci, në një proces demokratik. Ato akte dhune që kemi parë në parlament, me bomba dhe gaz lotsjellës, janë gjëra të tmerrshme, sepse e dëmtojnë demokracinë në Prishtinë.

Njerëzit kanë dallime në demokraci, megjithatë ata duhet t’i binden rregullit, deokracisë dhe ligjit. Ne duam të bëhen investime në Kosovë, ne duam që Kosova të bëhet antare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s, po ashtu si edhe Shqipëria.

Por kur njerëzit nuk e ndjejnë që atje mbizotëron ligji dhe rregulli, kjo i vështirëson përpjekjet.

Problemet në Kosovë duhen zgjidhur në mënyrë demokratike, me një proces politik dhe jo me gaz lotsjelës në parlament.

Zëri i Amerikës: Një pyetje për ngjarjet në Maqedoni. Sapo u vendos që atje të mbahen zgjedhje të përgjithshme në dhjetor. Si e gjykoni krizën politike në Shkup dhe rolin e partive shqiptare në atë situatë?

Eliot Engel: Unë isha atje vitin e kaluar dhe takova kryeministrin në kohën kur po bëheshin disa demonstrime dhe trazira. Është e rëndësishme që Maqedonia të bëhet e qëndrueshme. Ka një popullatë të madhe shqiptare atje: 25 për qind, sipas disave, por më shumë janë, thonë disa të tjerë.

Ne shqetësohemi për të drejtat e pakicave dhe për qëndrueshmërinë. Janë të njëjtat probleme, që po diskutonim deri tani për Shqipërinë dhe Kosovën; mbizotërimi i ligjit dhe rregullit është i rëndësishëm. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme për t’u garantuar nga të gjitha pikëpamjet. Unë e kam vizituar dhe ndjek zhvillimet e Ballkanit për afro 25 vjet. Kam folur me njerëzit, që kanë drejtuar Maqedoninë. Kam qenë i shqetësuar për plotësimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Vite më parë u bënë përpjekje të mëdha për të hapur universitetin e Tetovës, që njerëzit të merrnin mësime në gjuhën shqipe. Këto janë të rëndësishme; që ata të kenë të drejtat qytetare të Maqedonisë.

Ballkani është një vend me shumë vështirësi qysh nga koha e Jugosllavisë. Atje është bërë përparim i madh deri tani. Shqipëria, nga një regjim shtypës 50 vjeçar, tani ka një demokraci të gjerë. Kosova, e cila vite më parë kërkonte autonomi, tani është një vend i lirë dhe i pavarur.

Natyrisht që dalin probleme, si në çdo vend, edhe në SHBA. Ne duhet të punojmë së bashku si vende demokratike, si miq dhe aleatë, që të sigurohemi që demokracia funksionon, dhe të ngrejmë standartin e jetesës. Unë dua që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri dhe në Kosovë dhe jo të emigrojnë nëpër vende të tjera për të gjetur punë, por ta gjejnë në vendet e tyre. Unë e dua popullin shqiptar, e dua partneritetin e tij me SHBA dhe dëshiroj që të dy vendet të bashkëpunojnë ngushtë për të forcuar këtë partneritet në të ardhmen. (voa)

Tiranë: Instituti Alb-Shkenca dhe diaspora shkencore

Instituti Alb shkencaNë Tiranë, Instituti Alb-Shkenca zhvilloi sot takimin e 11-të ndërkombëtar. Instituti ka mbi 250 antarë, të cilët janë studiues shqiptarë nga vende të ndryshme të botë.

Drejtuesit e tij, pohojnë se janë të gatshëm, në bashkëpunim me zyrtarët vendorë, që të ndihmojnë vendin e tyre me programe shkencore zhvillimi. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana.

Instituti Alb-Shkenca zhvilloi në Tiranë takimin e 11 vjetor ndërkombëtar mbi rolin e diasporës në botën shqiptare.

Duke bashkuar studiues nga të gjitha fushat shkencore dhe nga gjithë Ballkani ku jetojnë shqiptarët, Instituti me 3 degë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni është shumë i informuar mbi nevojat e rajonit dhe është i gatshëm të japë ndihmesën e vet për programe shkencore zhvillimi.

Drejtuesi i Institutit Alb-Shkenca, Niko Qafoku, thotë se shkencëtarët shqiptarë në diasporën shqiptare kudo në botë kanë shumë për të bërë për zhvillimin e atdheut të tyre.

Së pari, ata janë gati të japin ndihmesën e tyre për hartimin e ligjit të shkencës dhe të programeve shkencore

Në takimin e 11 vjetor ndërkombëtar po mbahen 210 punime shkencore në albanologji, bujqësi, mjedis, drejtësi, ekonomi, politikë, inxhinieri, mjekësi, informatikë.

Instituti Alb-Shkenca numëron 250 deri në 300 anëtarë, studiues nga të gjitha fushat e dijes.

Ai ka projektuar dhe është i gatshëm për të ndërtuar një bashkëpunim afatgjatë për projektet e zhvillimit, që kanë nevojë vendet në rajon.

Në konferencën e sotme, krahas 450 studiuesve shqiptarë e të huaj nga SHBA, Kanada, Gjermania, Austria, Belgjika, Spanja, Italia, Holanda etj., morën pjesë drejtues të lartë të qeverisë së Shqipërisë, ministrat e arsimit të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.

Të gjithë shprehën gadishmërinë për nisjen e një bashkëpunimi të frytshëm, por veprimet janë ende në fazat e para, ndonëse për programet e brain gain po flitet prej mbi 15 vjetësh në Shqipëri. (voa)

Maqedoni: Parlamenti miraton qeverinë teknike

ParlamentiParlamenti i Maqedonisë miratoi qeverinë e re kalimtare, e cila ka për detyrë ta çojë vendin në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor.
Në qeveri teknike, bëjnë pjesë edhe dy ministra dhe tre zëvendësminstra të Lidhjes Social Demokrate të opozitës. Oliver Spasovski është ministër i ri i Punëve të brendshme dhe Frosina Remenski, ministre e Çështjeve Sociale.
Kryeministri Emil Dimitriev tha në parlament se pret nga të gjithë pjesëtarët e kabinetit që të punojnë me përkushtim, përgjegjësi dhe me ndërgjegje.
Formimi i qeverisë dhe caktimi me anë të konsensusit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve shikohen si shenjat e para të zgjidhjes së krizës politike që e kishte përfshirë Maqedoninë që nga fillimi i vitit të kaluar me publikimin nga opozita të skandalit të përgjimeve. Por, edhepse për këtë qëllim u formua Prokuroria e posaçme, megjithatë ende asnjë rast nuk ka marrë epilog gjyqësor.
Partitë kryesore dhe komuniteti ndërkombëtar presin një proces të drejtë dhe të besueshëm të zgjedhjeve të 11 dhjetorit. (voa)

Gazsjellësi IAP, Tirana e Podgorica fillojnë hartimin e projektit

tapPas studimit të fizibilitetit, qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë sigurar fondin falas prej 2.5 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, për hartimit e projektit konkret për gazsjellësin adriatiko-jonian “IAP”. Ky projekt nis si një degëzim i gazjellësit TAP nga Shqipëria deri në Kroaci.

“Pas përfundimit me sukses të studimit të fizibilitetit të projektit IAP, tashmë kemi kaluar në fazën e hartimit të projektit. Duke pasur një projekt ne do të jemi në gjendje që të kemi një paketë të plotë studimore, për të bashkëpunuar me investitorë të huaj”, tha Dritan Spahiu, drejtori i hidrokarbureve në MEI.

Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë rënë dakord për ndërtimin e projektit dhe kanë filluar lëshimin e lejeve përkatëse. Pritet të zgjidhet se çfarë modeli do të ketë kompania, që do të menaxhojë gazsjellësin.

Ky i fundit do të ulte kostot e ndërtimit të rrjetit të brendshëm të gazit në Shqipëri, pasi do të krijonte infrastrukturën e transmetimit me gazsjellësin tjetër TAP, nga jugu deri në veri.

“Projekti IAP do të bëjë të mundur pikërisht gazifikimin e pjesës së veriut të Shqipërisë, duke filluar nga Durrësi, Lezha e Shkodra. Nëse ndërtohet projekti IAP me kostot e tij dhe ka një tarifë të caktuar që mbulon kostot, kjo do të bëjë të mundur që Shqipëria të mos ndërtojë një rrjet të dedikuar të transmetimit për zonën e veriut, por do të përdorë projektin IAP”, theksoi më tej Dritan Spahiu.

Gazsjellësi adriatiko-jonian ka një gjatësi prej 516 kilometrash dhe një kosto ndërtimi prej gati 630 milionë eurosh. Kapaciteti i llogaritur është 5 miliardë metër kub gaz në vit.

/ Top Channel

Maqedoni: Liderët bien dakord për zgjedhjet më 11 dhjetor

VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH ranë dakord që zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të zhvillohen më 11 dhjetor të këtij viti dhe që qeveria e re teknike të zgjidhet më 2 shtator.

Parlamenti mkPas një takimi që zgjati mbi 6 orë lLiderët e katër partive nënshkruese të marveshjes së Përzhinës VMRO-DPMNE, BDI, LSDM dhe PDSH ranë dakord që zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në Maqedoni të zhvillohen më 11 dhjetor të këtij viti, qeveria e re teknike të zgjidhet më 2 shtator, redaktore e redaksisë së lajmeve në TVM 1 të jetë gazetarja Santa Argirova, ndërsa anëtar i 5 i komisionit që do të monitorojë mediat 100 ditë para zgjedhjeve, të jetë korrespodenti i TVM 2 nga Gostivari, Lulzim Haziri. Pas takimit kryetarërt e katër partive nënshkruan dokumentin e ri që do ta parapërgatisë vendin për zgjedhje.

Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski tha, se qëllimi i partisë maqedonase në pushtet tashmë një vit ka qenë që të ketë zgjedhje për zgjidhje. LSDM krijonte kriza për t’i shtyrë zgjedhjet, zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta dënojnë këtë politikë, u shpreh Gruevski. “Kemi bërë shumë hapa që ta sjellim LSDM-në në një situatë që të mos kërkojë më shtyrjen e zgjedhjeve, ku më të mos mundet t’u shmanget zgjedhjeve, të mund të përballet me popullin dhe t’i mundësojë popullit të dalë në zgjedhje për të thënë fjalën e tij. E di saktë që populli në zgjedhje do ta dënojë LSDM-në për atë që i ka bërë Maqedonisë në këtë një vit e gjysmë të kaluar. Është mirë që LSDM-ja nënshkroi në dokumentin për zgjedhje më 11 dhjetor, megjithëse çdo firmë që hedh LSDM-ja duhet parë me rezervë, pasi nuk dihet si do veprojnë më tej”, nënvizoi Gruevski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se kjo është një ditë e mirë për Maqedoninë, pasi të gjitha forcat politike parlamentare arritën marrëveshje. “U arrit marrëveshje, me çka u pajtuan që janë plotësuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, u shpreh Ahmeti.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha, se për PDSH-në zgjedhjet janë të rëndësishme dhe se shpresa dhe garancia kryesore e PDSH-së mbetet tek faktori ndërkombëtar. “Ne do të vazhdojmë të kemi sjellje konstruktive, shpresa kryesore dhe garancia për PDSH-në mbetet faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE dhe institucionet që do të monitorojnë zgjedhjet në Maqedoni”, theksoi Menduh Thaçi.

Lideri i opozitës maqedonase, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev u shpreh, se nga sot regjimi i Gruevskit i përket së shkuarës. “Luftuam që qytetarët e Maqedonisë në 11 dhjetor të mund të votojnë të lirë. Koha për zgjedhje të dhunshme dhe e falsifikimit të vullnetit të qytetarëve ka përfunduar. Më 11 dhjetor do të mundim varfërinë, kriminalitetin, korrupsionin, ndarjet etnike, urrejtjen, partizimin e institucioneve, aferat, proceset e montuara gjyqësore dhe mafian. Paralajmërojmë VMRO-DPMNE-në të mos mendojë sërish të shkelë marrëveshjen e dakorduar duke lënë peng Maqedoninë. LSDM-ja do të përgjigjet ashpër ndaj çdo shkeljeje të Marrëveshjes së Përzhinës, veçanërisht shkatërrimin e Prokurorisë Speciale Publike”, dekalroi lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Përkrahja e ndërkombëtarëve nuk mungon

Bashkësia ndërkombëtare është krenare që mundi t’u ndihmojë liderëve të dakordohen që më 11 dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Besojmë se ky do të jetë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike, porositi ambasadori amerikan Jess Baily pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi në javët dhe në muajt e ardhshëm që të sigurohemi se do të ketë zgjedhje të besueshme, që do t’i plotësojnë kushtet dhe të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve të votojnë pa frikë e lirshëm. Ajo që është më me rëndësi është se çka do të bëjnë partitë, mediat, qytetarët. Këto janë ato vendime të cilat në fund do ta sjellin vendin në zgjedhje kredibile dhe do të mundësojnë që shteti të shkojë para në reforma, të cilat do të çojnë në integrime euroatlantike. Kjo do të jetë pika kritike që do të ndodhë. Mediat do të kenë rol të rëndësishëm”, ka theksuar ambasadori amerikan Bayli.

Lukash Melka nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha, se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor tregon se ka vullnet politik që vendi të shkojë përpara.

“Tani mbetet që partitë të sigurohen se qytetarët do të kenë zgjedhje të lirë, të besushme dhe se deklarimet për parregullsi zgjedhore gjatë procesit zgjedhor do të trajtohen në mënyrë përkatëse nga institutet relevante dhe nga vetë partitë”, vuri në dukje Melka.

Marrëveshjen e arritur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor e kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e lartë evropianë, Komisioneri Johannes Hahn dhe Federica Mogherini, të cilët kanë kërkuar nga katër liderët politikë që të respektojnë marrëveshjen e arritur.

Të premten zgjidhet qeveria teknike

Në qeverinë kalimtare do të marrë pjesë opozita maqedonase, ku do të emërojë pozitat në sektorët e punëve të brendshme dhe për polikat e punës dhe sociale, si dhe zëvendësministrave plotësues për financa, shoqëri informacioni dhe administratë e bujqësi. Qeveria e re pritet të miratohet në Parlament të premten. Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë teknike duke mos ndryshuar kuadrot e ministrave dhe zv/ministrave. Jashtë qeverisë teknike edhe kësaj radhe do të mbetet PDSH-ja e cila nuk ka pranuar të hyjë në qeverinë teknike me vetëm dy ministra duke ua lënë përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve, tri partive të tjera. (dw)

Tërhiqet nga debati projektligji për marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi

DemarkacioniQeveria e Kosovës, vendosi tërheqjen nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës,të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se një grup parlamentar nuk është i pranishëm dhe ka kërkuar siç tha, koncesione në këmbim të pjesëmarrjes dhe votimit të këtij projektligji.

Ai ju referua kësisoj vendimit të deputetëve të komunitetit serb për të mos marrë pjesë në mbledhjen e sotme të parlamentit, për shkak të sic thanë ata “situatës së sigurisë për komunitetin serb”. Po ashtu deputetët serbë thanë se partnerët e koalicionit nuk kanë përmbushur marrëveshjet që çojnë në përmirësimin e situatës së këtij komuniteti.

Kryeministri Mustafa tha se tërheqja nuk nënkupton ndryshim të projektligjit e as ri negocim të marrëveshjes, por do të ketë përpjekje për të siguruar një pajtim në shkallë më të gjerë.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave 120 deputetëve sa ka parlamenti i Kosovës dhe mungesa e deputetëve nga Lisat Serbe e linte koalicionin qeverisës pa vota të mjaftueshme për ta kaluar marrëveshjen.

Përfaqësues të opozitës thanë se kjo në fakt nënkupton rënie të kësaj marrëveshjeje dhe tash është koha për rishikim të plotë të saj.

Seanca e parlamentit filloi me disa orë vonesë dhe përfundoi pas vendimit për tërheqjen e projektligjit.

Që nga mëngjesi, forca të mëdha të policisë ishin vendosur përreth institucioneve të Kosovës, ndërsa në sheshin qendror të Prishtinës nga orët e paradites ishin mbledhur grupe protestuesish në pritje të debatit në parlamentin e Kosovës. Ata u shpërndanë pas tërheqjes së projektligjit.

E nënshkruar një vit më parë, kjo marrëveshje ka bërë që Kosova të përballet me krizën më të thellë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës për mënyrën e shënimit të këtij kufiri.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Debati për kufirin u përcoll gjatë një viti me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.

Policia e Kosovës tha të enjten se gjatë një operacioni për parandalim të veprimeve të kundërligjshme, ka zbuluar dhe konfiskuar rreth pesëdhjetë çanta me shishe me benzinë, të njohur si “koktej Molotovi”.

Të martën policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona nën dyshimin për sulmin mbi ndërtesën e parlamentit në fillim të muajit gusht. Autoritetet thanë se gjatë kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve, që të gjithë veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, janë konfiskuar armë zjarri, municione dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sipas policisë hetimet kanë nxjerrë në pah se të dyshuarit kanë dërguar komunikata për marrjen e përgjegjësisë për sulmet e ditëve të fundit me emrin e Rugovasit.

Lëvizja Vetëvendosje tha se arrestimi i veprimtarëve të saj “është akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve politik“.

Sot, derisa po pritej fillimi i seancës së parlamentit, policia shoqëroi deputetet e kësaj lëvizjeje Donika Kadaj Bujupi dhe Aida Dërguti, meqë gjatë kontrolleve thuhet se u janë gjetur mjete të palejueshme. Ndërkohë policia Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi këtë “një veprim represiv” të pushtetit. (voa)

New York Times: Rusia përfiton nga sekretet që nxjerr Assange

AssangeGazeta New York Times, shkruan se themeluesi dhe redaktori i WikiLeaks, Julian Assange shpesh i shmanget kritikave ndaj Rusisë, ndërkohë që sulmon me ashpërsi Shtetet e Bashkuara dhe vende dhe organizata të tjera perëndimore.

Në një artikull të gjatë botuar në numrin e saj të së enjtes, gazeta analizon nxjerrjen e informacioneve nga ana e WikiLeaks dhe ndryshimet e qëndrimeve të zotit Assange, që megjithëse nuk provojnë se ai koordinon punën e WikiLeaks me Kremlinin, sipas New York Times, janë të favorshme për të.

Ai ka kritikuar në intervista mungesën e transparencës nga Shtetet e Bashkuara, por jo qeverinë e Vladimir Putinit, që ka shtypur ashpër kundërshtarët, duke i burgosur dhe i vrarë ata, ndërsa konsolidon kontrollin mbi median dhe internetin.

‘Gazeta përmend faktin e nxjerrjes në korrik të rreth 20 mijë emaileve të Komitetit Kombëtar Demokrat në Shtetet e Bashkuara, të cilat linin të kuptohej se partia kishte favorizuar Hillary Clinton ndaj rivalit të saj në zgjedhjet paraprake, Bernie Sanders.

Zoti Assange e ka kritikuar hapur zonjën Clinton dhe ka thënë që do të nxjerrë informacione të tjera që mund të ndryshonin balancën në garën e saj me kandidatin republikan Donald Trump.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se materiali pothuajse me 100 për qind siguri ishte vjedhur nga hakera rusë.

Pyetja që ngre New York Times është: “A është kthyer WikiLeaks një makinë pastruese për materiale komprometuese të mbledhura nga spiunë rusë? Dhe më gjerësisht, cila është marrëdhënia mes zotit Assange dhe Kremlinit të zotit Putin?”Këto pyetje marrin edhe më shumë peshë nga vendi dukshëm që po zë Rusia në zgjedhjet amerikane, përfshirë opionionet pozitive të zotit Putin dhe zotit Trump për njëri-tjetrin.

“Qoftë nga bindjet, interesi apo rastësia, shpesh Rusia ka përfituar nga nxjerrja e dokumentave të WikiLeaks, si edhe nga shumë nga deklaratat e zotit Assange, në dizavantazh të perëndimit”, shkruan New Yorlk Times.

Në një intervistë për New York Times, zoti Assange thotë se nuk ka prova që informacioni që ka nxjerrë WikiLeaks është marrë nga shërbime sekrete, megjithëse ka të kuptohej se do ta pranonte një material të tillë.

Përkrahësit e tij thonë se zoti Assange punon vetëm për interesin e publikut por kritikët thonë se ai është larguar nga misioni fillestar.

Ata që e njohin mirë dhe që mendojnë se ai ka ndryshuar në favor të Rusisë thonë se kjo ka të bëjë edhe me natyrën e tij tekanjoze dhe që manifesohet tek sulmet ndaj perëndimit që do ta ndjekë atë penalisht.

Me veprimet e tij, zoti Assange ka zhgënjyer edhe të paktët gazetarë rusë që nuk janë censuruar, të cilat kanë shprehur pakënaqësinë ndaj tij, sidomos pas nxjerrjes së Dokumentave të Panamasë në lidhje me Rusinë.

Zoti Assange, sulmoi Projektin mbi Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, që nxorri dokumenta që implikonin një mik të zotit Putin, duke thënë se është mbështetur nga SOROS dhe USAID gjë që sipas tij, minonte integrimin e raportimit të saj.

Ndërsa zoti Putin, u bazua në komentet e tij për të hedhur poshtë akuzat, gazetarët rusë shprehën zhgënjimin e tyre me qëndrimin e zotit Assange që vinte në dyshim përkushtimin e tyre. (voa)

SHBA: Sulmet kibernetike, shqetësim për zgjedhjet

sulme kibernetikeFBI ka nxjerrë një paralajmërim tjetër për sigurinë e sistemit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Këtë radhë bëhet fjalë për ndërhyrje në sistemet e regjistrimit të votuesve në shtetet e Ilinoit dhe Arizonës. Përsëri, është Rusia që dyshohet për këto ndërhyrje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Baragona sjell hollësitë.

Në sulmet kibernetike të kohëve të fundit, hakerët vodhën informacionet personale të rreth 200 mijë votuesve në Ilionoi, por zyrtarët e këtij shteti thonë se nuk janë fshirë ose ndryshuar të dhënat e votuesve. Edhe zyrtarët në Arizona thonë se në sistemin e tyre nuk ka patur ndërhyrje.

Në qoftë se Rusia ishte autore e këtyre sulmeve kibernetike, kjo mund të ketë qenë një provë për zgjedhjet e nëntorit, ose një veprim me qëllim minimin e besimit, tha për Zërin e Amerikës eksperti James Andrew Lewis nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Një nga qëllimet ruse është thjesht të krijojë pasiguri, dyshim dhe shqetësim në lidhje me procesin zgjedhor. Kjo i kontribuon këtij synimi edhe në qoftë se ata kapen. Pra, qëllimi i tyre i menjëhershëm është që të ngrejnë dyshime në mendjen e amerikanëve mbi sigurinë e procesit të tyre zgjedhor. Dhe në këtë aspekt ata janë duke patur sukses.”

Zyrtarët vendas, jo ata federalë, i drejtojnë zgjedhjet, dhe ka më shumë se 7.000 qendra në mbarë vendin, me pajisje dhe procedura për shumë raste të ndryshme. Kështu që ekspertët thonë se realizimi i një ndërhyrje të gjërë është i vështirë. Por disa gara të ngushta mund të ndikohen nga sulme të tilla, thotë Timothy Carone nga Universiteti i Notre Damit.

“Mendoj se në disa shtete, ku rezultati i zgjedhjeve do të jetë i ngushtë, mund të ketë probleme me sulmet kibernetike, apo ndërhyrje kibernetike në rezultatet e votimit. Kjo do të çonte në një proces të gjatë ligjor për zgjidhjen e problemit.”

Ekspertët thonë se siguria është përmirësuar, së bashku me ndërgjegjësimin për sulmet kibernetike dhe dobësitë e sistemit. Këtë vit, rreth 75 përqind e votave do të kenë edhe kopje të printuara në rast se lindin probleme me sigurinë e sistemit.

Qeveria federale është duke shqyrtuar mundësinë e shpalljes së infrastrukturës së votimit një çështje kritike për sigurinë kombëtare, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

“Kjo do t’i jepte qeverisë federale dhe ekspertëve në qeverinë federale një rol në ofrimin e ndihmës administratorëve të këtyre rrjeteve ndërkohë që ata pengojnë ndërhyrjet.”

Por duke marrë parasysh se data e zgjedhjeve nuk është e largët, ekspertët theksojnë se nuk ka shumë kohë për të forcuar në mënyrë të konsiderueshme sigurinë. (voa)