Ryshfet 18 mijë euro, pezullohet prokurori

prokuroriaArrestohet oficeri i Policisë gjyqësore i cili u filmua teksa merrte paratë për një çështje në hetim nga prokuroria e Tiranës. Ngjarja pas transmetimit të rastit në emisionin “Stop” në Tv Klan

Një prokuror i Tiranës Ardian Braho u pezullua nga detyra, ndërsa një oficer i Policisë gjyqësore Fatos Lushi u arrestua mbrëmë, pasi emisioni “Stop” i televizionit “Klan” bëri publik një aferë të dyshuar korruptive. Një qytetari të cilit i ishin vënë fillimisht nën sekuestro 120 mijë euro të transferuara në një bankë nga Italia, paratë dyshohet se ju mbajtën të bllokuara edhe pasi u vërtetua se nuk bëhej fjalë për ndonjë aktivitet të paligjshëm. Qytetarit i janë kërkuar 18 mijë euro në mënyrë që prokurori Braho të lëshonte urdhërin e bllokimit. Ndërmjetës për këtë ishte oficeri i Policisë gjyqësore, Lushi, bisedat e të cilit me qytetarin janë regjistruar, sikundër dhe moment i dhënies së 18 mijë eurove. Pas pagesës së parave rezulton, sipas drejtuesve të emisionit “Stop” se për shumën e bllokuar në bankë u hoq masa e sekuestros.

Pak pas transmetimit të materialit filmik, Prokuroria njoftoi se me urdhër të Kryeprokurorit Adriatik Llalla “Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur menjeherë hetimin për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ardian Braho, që kishte nën hetim një rast, për të cilin oficeri, shfaqet në pamje televizive duke marrë shumën prej 18.000 eurove nga një qytetar që kishte një çështje në hetim pranë Prokurorisë së Tiranës”, shpjegon deklarata e Prokurorisë. Oficeri i Policisë Gjyqësore, Lushi, u paraqit në polici, pas njoftimit se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti. (voa)

Importi i mbetjeve, opozita kërkon referendum

kuvendiVendimi u mor në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Një dokument i qeverisë i muajit gusht, kundërshton propozimin për import të mbetjeve

Në Shqipëri opozita vendosi të kërkojë në parlament organizimin e një referendum për ndalimin e plotë të importit të mbetjeve. Kryetari i Partisë demokartike bëri publik vendimin e marrë në grupin parlamentar të partisë së tij. “Në këtë referendum PD vjen me një propozim të qartë, zero import plehrash. Së pari, sepse rrethanat e sotme diktojnë një qëndrim absolut. Dhe sot ky është një vendim plotësisht i justifikuar edhe sa i përket vizionit tonë për zhvillimin e ekonomisë, ku turizmi, bujqësia, agrobiznesi janë ndër shtyllat më kryesore të zhvillimit ekonomik. Edhe në qoftë se nuk do ta paragjykonim Edi Ramën si ryshfetmarrësin e mafies ndërkombëtare të plehrave për të sjellë helmet në Shqipëri, si do t’i besonim këtij njeriu që nuk kontrollon dot ndërtimin e pistave ajrore për drogën, mos futjen e helmeve me pretekstin e këtij ligji?! Dhe së treti, për sa i përket industrisë ricikluese që po e përdorin mish për top. Industria ricikluese ka një punë të madhe për të bërë në Shqipëri para se t’i drejtohet mbetjeve të Europës, plehrave të Europës dhe me pretekstin e tyre, shqiptarët të hanë helmet e Europës”, u shpreh zoti Basha.

Kërkesa për referendum duhet të paraqitet nga 28 deputetë por duhet të miratohet nga dy të tretat e parlamentit. Me këtë lëvizje opozita synon të vendosë qeverinë sërish në qendër të kritikave dhe në një pozitë edhe më të vështirë nga ajo e seancës së shkuar kur miratoi ndryshimet ligjore. Nëse për to u përpoq të ofronte argumenta kryesisht financiar dhe ekonomik, refuzimi që për këtë çështje të pyeten qytetarët rrezikon të jetë me pasoja politike për shumicën, 9 muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Nga ana e saj opozita nuk po heziton më të konsiderojë të gabuar vendimin që u mor nga qeveria e saj e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha për importin e mbetjeve: “Unë dal totalisht kundër. Kundër ligjit që u miratua në vitin 2011”, deklaroi zoti Basha.

Por ndërsa qeveria këmbëngul në argumentat në favor të qëndrimit të ri të saj, një dokument zyrtar, të firmosur në emër të kryeministrit nga zëvendësi i tij Niko Peleshi, dërguar parlamentit në formën e opinionit për propozimin për lejimin e imporit të mbetjeve duket se e nxjerr zbuluar atë vetë. Në dokumentin që i përket filllimit të gushtit, theksohet se “mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386 milion e 728 mijë e 650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 % e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83 % e mbetjeve është në treg i paprekur nga kompanitë e riciklimit”. Po ashtu qeveria shikon probleme edhe financiare në rast të lejimit të importit: “Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e ekspertëve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin milion kg mbetje të importuara shtesë”, shkruan qeveria. (voa)

Rama në fabrikën e riciklimit: Sistem për diferencim të mbetjeve

ramaPër të bërë sa më konkrete përfitimin e ekonomisë nga rivënia në punë me kapacitet të plotë të industrisë së riciklimit, kryeministri Edi Rama ka shkuar vetë në disa prej fabrikave.

Njëra prej tyre në Tiranë, me mbetje plastike, prodhon plasmas të një cilësie për eksport. Kryeministri u kujdes të tregojë ndryshimin e asaj që rëndom quhen plehra me mbetjen që përdoret si lëndë e parë për prodhimin e disa materialeve që përdoren në ndërtim dhe bujqësi.

“Plehrë është çfarë shkon për t’u djegur dhe për t’u zhdukur, ndërsa mbetjet e gjelbra janë lëndë e parë. Ligji i ri iu jep mundësinë që duke rritur sasinë e lëndës së parë ju të prodhoni tuba për serat e vendit dhe ta plotësoni tërësisht kërkesat e vendit me cilësi dhe sasi”, u shpreh Rama.

Kryeministri thotë se duke fuqizuar industrinë e riciklimit, ajo do të rrisë kapacitetet për trajtimin e mbetjeve vendase, një proces që pritet të mbështetet nga pushteti lokal duke nxitur diferencimin e mbetjeve që në burim.

“Nëse ju sot pastroni 120 mijë ton mbetje të këtij lloji nga territori i Shqipërisë, ne duam që këtë ta shtojmë që të mos lëmë asnjë gjë të riciklueshme që të na ikë dëm”, shtoi Rama.

Sipas llogarive të qeverisë, duke punuar me kapacitet të plotë industria e riciklimit do t’i sjellë ekonomisë 150 milionë euro në vit ose siç thotë kryeministri Rama sa 1 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

/ Top Channel

Qeveria paralajmëron riprocedim të demarkacionit, opozita kërkon rinegociim

kuvendi-i-ksZyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se projekt-ligji për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do t’i dërgohet Kuvendit brenda pak kohësh për votim.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të përmbyllet sa më shpejt dhe institucionet e Kosovës, sipas tij, nuk guxojnë të rrezikojnë rrugën e integrimeve evropiane.

Abdullahu tha se njëkohësisht Kosova nuk mund të ‘heq dorë nga zotimi për marrëdhënie të mira me fqinjët’.

Projekti ligji u tërhoq nga Kuvendi i Kosovës në fillim të muajit shtator, pas kundërshtimeve të fuqishme të opozitës, ndërsa Qeveria tha se “po kërkon pajtim në shkallë të gjerë” për ta riproceduar në Kuvend.

“Qeveria do ta riprocedojë projekt-ligjin për demarkacionin. Është çështje e rëndësishme sa që nuk na jep komoditetin, relaksimin si Qeveri për ta prolonguar. Sepse siç e dini, ajo është lidhur në forma të ndryshme drejtpërdrejtë apo tërthorazi me çështje të rëndësishme, si liberalizimi i vizave apo integrimet evropiane, normalizimin e raporteve tona me fqinjët. Marrë parasysh të gjitha këto, konsiderojmë se nuk do këtë ketë prolongime të pajustifikueshme”, tha Abdullahu.

Ai tha se ekziston një vullnet i mirë i palëve në koalicion që kjo çështje të procedohet dhe të përfundojë sa më shpejt dhe shfaqi shpresën se edhe me partitë politike opozitare do të arrihet një ‘gjuhë e përbashkët që çështja të përfundojë’.

“Ne konsiderojmë se kur do t’i kemi të gjitha kushtet dhe rrethanat që do ta mundësojnë një gjë të tillë, ne do ta procedojmë sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi Abdullahu.

Përfaqësuesit e partive më të mëdha politike në Kosovë kanë paralajmëruar vazhdimin e takimeve në kuadër të përpjekjeve për harmonizimin e një deklarate të përbashkët rreth marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Takimi pritet të lehtësohet nga Grupi Ballkanik për Politika, ku do të jenë të pranishëm edhe ambasadorë dhe përfaqësues diplomatik në Prishtinë.

Në anën tjetër, për partitë politike opozitare, versioni i Marrëveshjes së nënshkruar në fund të gushtit të vitit të kaluar me Podgoricën është i dështuar.

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar planin e saj pesë pikësh, si propozim për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, dhe thotë se propozimi vjen si ‘rrjedhojë e nevojës për anulimin e marrëveshjes aktuale me Malin e Zi’.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se “marrëveshja aktuale është e pasaktë dhe e padrejtë” dhe ajo tha ai “duhet të jetë në përputhje me rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, me parimin e integritetit territorial të Kosovës dhe me parimin e fqinjësisë së mirë”.

Hapi tjetër, sipas Ymerit, është që Kuvendi i Kosovës ta themelojë “një komision gjithë partiak e mbipartiak, i cili do t’i trajtojë modalitetet juridike të një rishikimi të tillë”.

“Shënjimi i kufiri me Malin e Zi natyrisht që është i nevojshëm. Kosova duhet t’i ketë të shënjuar kufijtë e vet ndërkombëtar me marrëveshje bilaterale dhe veçanërisht sipas rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë të saktë dhe të drejtë, sipas parimit të respektit dhe njohjes reciproke të kufijve mes fqinjëve”, tha Ymeri.

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i ka propozuar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që “të kërkojë nga homologu i tij malazias rinegociimin rreth shënjimit të kufirit”, si dhe të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian “për një zgjidhje të drejtë të shënjimit të kufirit me Malin e Zi”.

Marrëveshja për demarkacionin, thonë analistët, vazhdon të ‘thellojë dallimet në skenën politike’, duke pamundësuar arritjen e ‘një pajtueshmërie që do të çonte’, siç thonë ata, ‘drejt normalizimit të punës së Kuvendit të Kosovës’.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet partive politike në pushtet dhe atyre të opozitës per marrëveshjen aktuale për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

“Nëse mendohet se zgjidhja do të gjendet duke e imponuar versionin aktual, duke provuar që kundërshtuesve të demarkacionit t’u mbushet mendja dhe ta ngrenë dorën në Kuvend për ta votuar, besoj se kjo është një përpjekje e kotë. Kjo për shkakun se tash për tash e vetmja zgjidhje do të ishte që marrëveshja të rinegociohet dhe të shihet nëse mund të përmirësohet diçka”, tha Imeri.

Analisti Mushkolaj mendon se propozimet e fundit të dala nga subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, mund të ndihmojnë në daljen nga gjendja aktuale.

“Kjo pikërisht për faktin se nuk kam parë diçka që do të mund të ishte e pa realizueshme. Për këtë arsye, propozimet do të duhej të merreshin në konsideratë”, tha Imeri.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, u nënshkrua në gusht të vitit 2015 nga autoritetet në Prishtinë e Podgoricë, me praninë ndërkombëtare. Marrëveshja më pas u cilësua e papranueshme nga opozita, e cila e kundërshtoi brenda Kuvendit përmes përdorimit të gazit lotsjellës, por edhe jashtë tij përmes protestave.

Gjendja e krijuar politike në vend ka nxitur Grupin Ballkanik për Politika të ndërmarrë nismën për t’i ulur në një tavolinë përfaqësuesit e partive politike në pushtet dhe opozitë, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje, që do të vlerësohej edhe praktike por edhe e pranueshme. (REL)

Maqedoni: Padi për shpërdorim detyre ndaj katër zyrtarëve

cekici-i-drejtesise-dhe-paretProkuroria Speciale e Maqedonisë ka ngritur edhe një padi të re ndaj zyrtarëve, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Për keqpërdorim financiar akuzohen tre drejtues të Agjencisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët gjatë procedurave të blerjes së disa pajisjeve nga Britania e Madhe kanë përvetësuar mbi 860 mijë euro.

Prokurorja speciale, Fatime Fetai, ka sqaruar se e gjithë procedura e shpërdorimit të fondeve shtetërore është realizuar përmes faturave fiktive nga zyrtarët e lartë të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, në vitin 2010.

“Në vend që pajisjet të blihen direkt nga Britania e Maqedoni, ku kanë qenë më të lira, personat e akuzuar këtë e kanë bërë përmes një kompanie tjetër “Finzi”, drejtues i së cilës ishte një familjar i të akuzuarit të tretë, e cila pajisjen e kishte blerë para se të shpallet tenderi nga Ministria e Punëve të Brendshme.”

“Pasi janë marrë vesh, dy të akuzuarit e parë kanë kërkuar nga një dëshmitar i punësuar në MPB që të blejë pajisjen nga Britania e Madhe, e cila më pas i është stërshitur sektorit të brendshëm, ndërsa kontratat tjetër ka të bëjë edhe me mirëmbajtjen e tyre me një çmim që po ashtu dëmtonte buxhetin e shtetit”, ka deklaruar prokurorja speciale, Fatime Fetai.

Padia e ngritur ka të bëjë edhe me vetëvrasjen e një dëshmitari të mbrojtur, Kosta Kërpaç, si drejtues i firmës së përfshirë në skandal, i cili para se të kryente aktin, i kishte dhënë informacionet prokurorisë për keqpërdorimet e bëra.

Rasti i sotëm i titulluar si “Thesari” është i gjashti i ngritur nga Prokuroria Speciale, që nga paraqitja e aferës së përgjimeve, në shkurt të vitit të kaluar.

Deri më tani procedurat kanë nisur për rastet “Titaniku”, “Tortura”, “Kalaja”, “Transportuesi” dhe “TNT”. Aktualisht, Prokuroria Speciale ka ngritur dy padi ndaj 21 personave, në mesin e të cilëve është edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevksi.

Prokuroria Speciale është e vendosur që të çojë deri në fund procedurat, pavarësisht presioneve në rritje ndaj aktiviteteve të saj, kanë thënë zyrtarët e saj.

Prokurorja Lençe Risteva, ndërkohë, edhe një herë bëri thirrje për miratimin e ligjit për dëshmitarët e mbrojtur.

“Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë gjatë inicimit të proceseve gjyqësore, siç i kemi shfrytëzuar deri më tani. Kuptohet, ligjet për të cilat kemi apeluar të miratohen, në masë të madhe do ta lehtësonin punën, jo vetëm të Prokurorisë Speciale Publike, por të njëjtat do të kontribuonin shumë në ndriçimin e më shumë rasteve iniciuara.”

“Të gjithë ata që kanë informacione do t’u jepet mundësia që ta thonë versionin e tyre për hetimin dhe ndriçimin e rasteve, pa pasur frikë nga kërcënimet. Edhe nëse Kuvendi nuk e miraton ligjin, puna jonë nuk do të ndalet. Ajo është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ne do ti shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na i jep ligji për ndjekje penale dhe ligjet e tjera”, tha Ristevska.

Paditë e reja të Prokurorisë Speciale vijnë në kohën kur që disa ditë në Kuvendin e Maqedonisë po zhvillohet debat i ashpërlidhur me raportin e saj gjashtë mujor.

Partitë në pushtet, në veçanti VMRO-ja, ka vazhduar me akuzat se puna e Prokurorisë Speciale është e orkestruar për të sulmuar dhe paditur vetëm anëtarët e kësaj partie, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të votojnë vazhdimin me punë të këtij institucioni pas skadimit të afatit pas gjashtë muajve.

Opozita, nga ana tjetër, ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë, ndërsa ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj saj rrezikon marrëveshjen politike dhe zgjedhjet e parapara për më 11 dhjetor. (REL)

Ekskluzive / BE “njeh” Çështjen Çame

komisioni-europianPaketa e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për adresimin e çështjeve të hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka marr bekimin e Komisionit Europian.

Ka qenë komisioneri Johahens Hahn, i cili në një seancë dëgjimore me eurodeputetët, ka theksuar faktin që çështja e detit, ndryshe nga sa ka deklaruar ambasadorja greke në Tiranë, njihet nga Komisioni Europian si një çështje e pazgjidhur mes dy vendeve.

Komisioneri Hahn është ndalur në mekanizmin dypalësh në adresimin e çështjeve historike mes dy vendeve, pjesë e paketës Bushati-Kotzias, ku Komisioni njeh si të tillë edhe Çështjen Çamë.

Top Channel ka siguruar përgjigjen që Komisioneri Johanes Hahn i ka kthyer shqetësimit të eurodeputetes greke Maria Spyraki lidhur me ato që ajo i ka cilësuar “pretendime irredentiste të Shqipërisë”, duke listuar një sërë ngjarjesh të ndodhura përpara dhe gjatë vizitës së ministrit Kotzias në Tiranë.

Deputetja e nis që nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Konventën e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe protestën e zhvilluar gjatë vizitës së ministrit grek në Tiranë. Në fund, eurodeputetja e Demokracisë së Re i adreson dy pyetje Komisionerit Hahn.

“A e konsideron Komisioni veprimet e kësaj partie (PDIU) në qeveri të jetë në frymën e fqinjësisë së mirë, kjo duke qenë dhe një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë?
– A do të marren parasysh ngjarjet e mësipërme në raportin e progresit për Shqipërinë”?”, pyeti eurodeputetja greke.

Përgjigjja e komisionarit Hahn ishte shumë e qartë.

“Komisioni vuri në dukje pozitive se frekuenca e vizitave të nivelit të lartë në mes të autoriteteve të Shqipërisë dhe Greqisë është rritur. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë intensifikuar, gjithashtu edhe dialogu politik është formësuar më të mirë. Komisioni mirëpriti faktin se të dy vendet po diskutojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët, që do të mblidhet në mënyrë periodike, për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe. Këtu përfshihet përcaktimi i shelfit kontinental dhe zonave detare shqiptaro-greke, të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve dhe çështjen çame. Komisioni ka përgëzuar këto përpjekje, duke shprehur mirënjohjen për ripërtëritjen e një angazhimi të tillë të rëndësishëm diplomatik dypalësh”, iu përgjigj Komisioneri Hahn.

/ Top Channel

USAID: Shqipëria nuk ka përmirësuar qëndrueshmërinë e shoqërisë civile

usaidNjë raport i USAID-it për shoqërinë civile thotë se Shqipëria përgjithësisht nuk pati progres gjatë vitit 2015. Megjithë disa përpjekje për përmirësime, si p.sh. në aspektin ligjor, vendi konsiderohet se nuk ka mundur të përmirësojë qëndrueshmërinë e shoqërisë civile. Niveli i lartë i korrupsionit, papunësia dhe niveli i varfërisë vazhdojnë të dëmtojnë së tepërmi demokratizimin e shoqërive në mbarë rajonin.

Indeksi i Shoqërisë Civile për vitin 2015 tregon se qëndrueshmëria e shoqërisë civile në rajonin e Evropës është në rënie.

Ndihmës Administratori i USAID-it, Thomas Melia, tha se: “rajoni po përjeton tashmë rrethana kritike dhe se vihet re një tendencë e kthimit pas, drejt ngushtimit të hapësirave civile dhe atyre demokratike, megjithëse angazhimi i USAID-it është më i lartë se kurrë.

Raporti nuk paraqet progres për Shqipërinë gjatë vitit 2015, dhe përgjithësisht vendi vlerësohet në të njëjtin nivel të zhvillimit të shoqërisë civile si në vitin pararendës. Megjithëse Shqipëria dhe Kosova përmenden se kanë fituar terren në tërësi gjatë 10-vjeçarit të fundit, kryesisht nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit, shoqëria civile në të gjithë rajonin e Ballkanit vlerësohet në gjendje jo të mirë. Rënien më të madhe e ka pësuar gjatë vitit 2015, shoqëria civile në Maqedoni, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi vazhdojnë të radhiten në fund të listës.

Një ndër kontribuesit e raportit, Douglas Routzen, i Qendrës Ligjore Ndërkombëtare Jofitimprurëse, tha se po ngushtohen hapësirat për shoqërinë civile. Pas revolucionit portokalli në Ukrainë, Rusia po udhëheq një fushatë për kufizimin e shoqërisë civile me efekte në mbarë Evropën.

Qeveritë e ndryshme po ndryshojnë objektivin fillestar të institucioneve që janë krijuar për të mbrojtur demokracinë, ose krijojnë struktura paralele që nuk i përmbahen normave demokratike,” tha zoti Rutzen.

Sipas zotit Routzen, megjithë disa përmirësime në mbështetjen legjislative për shoqërinë civile, Balkani mbetet prapa rajoneve të tjera të Evropës.

Orysia Lutsevych, e organizatës Chatham House, tha se ka një prirje mosbesimi ndaj elitave dhe institucioneve:

Fenomeni i nivelit të lartë të korrupsionit në rajon, i kombinuar me segmente të varfërisë ekonomike, dëmtojnë së tepërmi punën e shoqërisë civile në demokratizimin e vendit”, shtoi ajo.

Në raportin e publikuar nga USAID thuhet se Shqipëria vazhdon të vuajë prej nivelit të papunësisë dhe ekonomisë informale. Megjithë përpjekjet disavjeçare për përmirësim të legjislacionit dhe financimit të organizatave jofitimprurëse, Shqipëria radhitet ndër vendet që nuk ka patur rezultat në përmirësimin e përgjithshëm të qëndrueshmërisë së shoqërisë civile. Sektori i shoqërisë civile në Shqipëri rezulton se nuk është i vetërregulluar, dhe organizatave jofitimprurëse u mungon transparenca për operacionet dhe financat e tyre. (voa)

Hetuesit: Avioni malajzian MH17 u rrëzua nga një raketë ruse

raketa-ruseZyrtarët holandezë thonë se avioni i shoqërisë ajrore të Malajzisë që u rrëzua në Ukrainën lindore në vitin 2014, është qëlluar me raketë. Sipas zyrtarëve, raketë që ishte transportuar në Ukrainë nga Rusia. Përfundimet e hetimit u bënë të ditura sot.

Hetuesit holandezë konfirmuan sot një njoftim të mëparshëm të agjencisë së sigurisë ajrore holandeze se aeroplani i linjës ajrore malajziane MH17 ishte rrëzuar i qëlluar nga një raketë Buk e prodhimit rus.

Avioni u rrëzua ndërsa po fluturonte mbi territorin e kontrolluar nga kryengritësit pro-rusë në rajonet lindore të Ukrainës.

“Kemi arritur në përfundimin se avioni MH17 u qëllua më 17 korrik 2014 nga një raketë 9-M-83-38 që u lëshua nga një raketa-hedhur i tipit Buk-Telar që erdhi nga territori i Federatës Ruse dhe u kthye në territorin e Federatës Ruse pas lëshimit. Konkluzioni bazohet në pjesën më të madhe nga një hetim mjeko-ligjor.”

Hetuesit thanë se ka prova bindëse se territori nga u lëshua raketa “kontrollohej nga luftëtarët pro-rusë”.

Një hetim i mëparshëm identifikoi një zonë prej 320 kilometrash katrore ku ka ndodhur hedhja e raketës. Autoritetet nuk thanë me saktësi kush e lëshoi raketën, megjithëse gjithë ai territor kontrollohej nga separatistët që luftonin kundër forcave qeveritare të Ukrainës.

Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Zyrtarët rusë thanë sot se sipas të dhënave të radarëve të tyre, asnjë raketë nuk është lëshuar nga territori që kontrollohej nga forcat separatiste pro-ruse në Ukrainë.

Të 298 pasagjerët në avion humbën jetën. Avioni po fluturonte nga Amsterdami për në në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Prokurorët u takuan me anëtarë të familjeve të viktimave sot paradite para se të bënin publik rezultatet e hetimeve. (voa)

Përdorimi i betonit të ricikluar

betoniRiciklimi në industrinë e ndërtimit është bërë një biznes i madh. Është e lehtë për të gjetur një përdorim të ri për çdo gjë, që nga dritaret e vjetra deri te trarët e drurit. Por deri më tani, riciklimi i betonit ka mbetur shumë prapa. Një ekip në Universitetin e Notre Damit po përpiqet ta ndryshojë këtë.

Betoni është materiali i ndërtimit më i përdorur. Ndërsa betoni bënë të mundur jetën moderne, profesori i Universitetit Notre Dame Yahya Kurama thotë se ai gjithashtu lë një gjurmë të madhe karboni.

“Për përdorimin e betonit duhet energji, ujë, hapësirë, gjithçka.”

Për të pakësuar këto pasoja, industria e ndërtimit është përqendruar në gjëra si pakësimin e përdorimit të betonit dhe derivateve të tij. Ndërsa betoni i ricikluar tashmë përdoret në trotuare dhe rrugë, profesor Kurama dhe ekipi i tij, së bashku me shkencëtarët nga Universiteti i Teksasit në Tyler dhe Universiteti Shtetëror i Nju Meksikos, janë duke u përpjekur të përcaktojnë nëse ky lloj betoni ka fortësinë dhe qëndrueshmërinë e mjaftueshme për t’u përdorur në ndërtesa.

“Aktualisht ka shumë më tepër beton të ricikluar se sa kërkesa për të. Ne po përpiqemi të rrisim kërkesat për këtë lloj betoni dhe në të njëjtën kohë përmes studimit të tregojmë se këto materiale mund të kenë një aplikim të nivelit të lartë.”

Ekipi i profesorit Kumara është duke studiuar kombinime të ndryshme të përbërësve të riciklimit me shpresën se kjo do të rriste kërkesat për beton të ricikluar. Studenti Michael Brandes thotë se ata janë të interesuar në dy burime të betonit të ricikluar.

“Betoni i ricikluar tradicionalisht vjen nga urat ose ndërtesat e shkatërruara. Ky lloj i betonit ka shumë mundësi të ketë në përbërje edhe materiale të tjera. Ne nuk duam të merremi me pastrimin e betonit nga këto materiale sepse ky veprim e rrit koston.”

Burim tjetër janë materialet e refuzuara të uzinave të betonit, të cilat nuk janë të përziera me materiale të tjera. Studiuesit janë duke testuar dy llojet e betonit të ricikluar për të përcaktuar qëndrueshmërinë dhe koston e përdorimit të tyre. Ata gjithashtu janë duke studiuar format se si mund të përpunohen dallimet mes materialeve të riciklueshme dhe çimentos tradicionale. Aktualisht, pa këtë studim, kodet federale të ndërtimit ndalojnë përdorimin e betonit të riciklueshëm në ndërtesa.

Profesor Kurama thotë se përdorimi i betoni të ricikluar përgjysmon ndikimin negativ ndaj mjedisit dhe në disa raste betoni i ricikluar po tregohet më i fortë se sa ai natyral.

“Askush nuk do të shoh një efekt të menjëhershëm të kësaj, por në qoftë se ju mendoni rreth ndikimit tonë ndaj mjedisit nga ndërtimi i infrastrukturës në 20, 30, 40 apo 50 vjet, kjo do të kishte një ndikim të madh në drejtim të pakësimit të betonit në mjedisin tonë.”

Ky është një lajm i mirë, sepse pritet që bota të përdor 4.4 miliardë tonë beton në vit nga viti 2050. (voa)

Shkencëtarët kanë krijuar një vaksinë të re

vakcinaNjë vaksinë e re gjenetike për të cilën shkencëtarët thonë se mund të zhvillohet brenda një jave, mund të përshtatet për mbrojte nga një numër sëmundjesh, duke përfshirë Zikën dhe ndoshta kancerin.

Mushkonjat janë një nga transmetueset më të zakonshme të sëmundjeve, nga Zika tek malaria. Zika shkakton difekte lindje tek foshnjet, dhe është përhapur në kontinetin amerikan nga Brazili në Porto Riko e deri në Shtetet e Bashkuara.

Shumë përpjekje janë ndërmarrë për të zhvilluar një vaksinë kundër Zikës dhe për disa vasina tashmë kanë filluar provat klinike.

Omar Kahn, inxhinier kimist në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit
shpreson se vaksina e tij me material gjenetik, RNA, së shpejti do të fillojë të provohet klinikisht.

“Kundër Zikës ose Ebolës, ne mund të përgjigjemi shumë shpejt, brenda shtatë ditëve. Pra, në raste të jashtëzakonshme dhe kur ju keni nevojë për një vaksinë të sigurt, ne jemi të aftë për t’u përgjigjur.”
Vaksina përdor materialin gjenetik RNA për të stimuluar sistemin imunitar. Shkencëtarët mund ta programojnë këtë material gjenetik nga një virus ose bakterie për të luftuar çdo organizëm që shkakton sëmundje dhe e lidhin atë me nanogrimca.

Kjo ide ka ekzistuar, por futja e vaksinës në qeliza ka qenë sfidë, kështu që studiuesit e kanë bërë atë të vogël sa virusi që vihet në shënjestër.
Shkencëtarët besojnë se mund të jenë në gjendje të krijojnë vaksinën RNA për të luftuar një numër sëmundjesh të tjera.

“Ne jemi të interesuar të shohim nëse këto vaksina mund të përdoren për të trajtuar njerëzit me kancer dhe ata që mund të jenë në rrezik për kancere të caktuara. Ata mund të vaksinohen për të shmangur kancerin më vonë”, thotë Daniel Anderson i Institutit Teknologjik të Masaçusetsit.

Deri tani vaksina RNA është provuar vetëm tek minjtë në laborator.

Shkencëtarët kanë krijuar një kompani për të promovuar vaksinën RNA sapo ajo të jetë gati për t’u përdorur në njerëz. (voa)