Daçiq: Beogradi do të mbrojë serbët e Bosnjës

ivica-dacicSerbia ka paralajmëruar Bosnjë Hercegovinën se do të mbrojë serbët e Bosnjës nëse ata ndonjëherë do të sulmoheshin, përderisa tensionet janë ngritur para referendumit të planifikuar që të mbahet në Republika Sërpska, që zyrtarisht është ndaluar nga Sarajeva.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë përmes një deklarate për media se Serbia “nuk do të lejojë shkatërrim apo sulm ushtarak” ndaj Republikës Sërpska në Bosnjë.

Komentet e Daçiqit vijnë pak kohë pasi komandanti i ushtrisë së Bosnjës në kohën e luftës, Sefer Haliloviq ka thënë se pa ndihmën e Beogradit, forcat e Republikës Sërpska nuk do të mund të qëndronin më shumë se 15 ditë ndaj forcave të Bosnjës.

Halilovic, i cili është i pensionuar, nuk mban asnjë pozitë zyrtare.

Daçiq ka thënë se deklarata e Haliloviq ishte “në lidhje me shkatërrimin e Republikës Sërpska e që paraqet kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Tensionet janë ngritur në Bosnjë Hercegovinë, përpara referendumit të caktuar më 25 shtator ku do të vendoset nëse Republika Sërpska do të festojë ditën e entitetit më 9 janar, ditën kur më 1992 deklaroi shkëputje nga Bosnja.

Gjykata Kushtetuese në Bosnjë ka thënë se kjo ditë feste është diskriminuese ndaj boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës dhe ka thënë se referendumi është i jashtëligjshëm. (rel)

Nis prodhimin hidrocentrali i Banjës

hidrocentrali-i-banjesVepra është pjesë e projektit të kompanisë norvegjeze Statkraft e cila po mbi lumin Devoll pritet të përfundojë në 2018 edhe hidrocentralin e Moglicës. Të dy së bashku do të prodhojnë sa 17 përqind e energjisë së gjeneruar në vend

Hidrocentrali i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në jugindje të Tiranës ka një kapcitet të instaluar prej 73 Megawat, dhe parashikohet të prodhojë në vit 174 Gwh energji, e barabartë me 5 përqind të prodhimit aktual vendas. Hidrocentrali ka një digë të lartë 80 metra ndërsa rezervuari i tij me një sipërfaqe 14 kilometra katrorë mund të mbledhë deri në 391 miliard litra ujë. Të paktën 2 mijë punëtorë, sipas kompanisë Statkraft, u angazhuan në ndërtimin e tij. Kompania norvegjeze ka investuar ndërkohë dhe në ndërtimin e infrastruktrës së zonës, duke ndërtuar rrugë dhe disa ura.

Hidrocentrali i dytë, ai i Moglicës është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2018. Ai do të ketë një kapacitet akoma më të madh, prej 183 Megawatësh dhe një prodhim vjetor prej 455 Gwh. Të dy hidrocentralet së bashku do të prodhojnë 729 Gwh në vit, duke e rritur me 17 përqind prodhimin vendas të energjisë elektrike. Për realizimin e këtij projekti kompania norvegjeze ka parashikuar të investojë në total 535 milion euro. (voa)

Kërcënohet Prokurori i Përgjithshëm

adreatik-lallaFamilja e kryeprokurorit Adriatik Lalla dërgohet për mbrojtje jashtë vendit. Kërcënimet lidhen me hetimet ndaj disa organizatave kriminale

Në Shqipëri Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka marrë kërcënime serioze për jetën dhe familjen e tij, e cila rezulton të jetë larguar për këtë shkak jashtë vendit

Lajmi u bë publik nga televizioni Top Channel. Burime nga Prokuroria të kontaktuara nga Zëri i Amerikës nuk e mohuan faktin se zoti Llalla është kërcënuar përmes mesazheve dhe telefonatave direkte. Ndërsa bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij mësohet se janë marrë në mbrojtje nga autoritetet e një prej vendeve të Bashkimit europian.

Kërcënimet ndaj Prokurorit të Përgjithshëm dyshohet se lidhen me hetimet që po zhvillohen ndaj disa grupeve dhe organizatave kriminale në vend. Edhe masat e sigurisë për zotin Llalla janë përforcuar ndjeshëm. Vetë Prokuroria në një reagim të sajin u mjaftua të saktësonte se “si Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe institucioni i Prokurorisë vijojnë normalisht aktivitetin në bazë të ligjit dhe nuk ka asnjë cënim në ecurinë e hetimeve që po zhvillohen nga të gjithë strukturat e institucionit”. (voa)

Janeva Miloshoskit : “Të dëgjoj si te “Bombat”

janeva-raportEdhe sot, prokurorja speciale Katica Janeva përgjigjej në pyetjet e deputetëve. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski i kërkoi Janevës të tregojë se çfarë kapaciteti personal posedon, në cilat raste ka punuar në Gjykatën e Gjevgjelisë dhe a ka punuar për rastet me shoqatat kriminale, për mashtrime zgjedhore, për vepra për të cilat dënohet mbi 5 vjet burg. Ai gjithashtu e pyeti Janevën se përse kryetari i Pustecit më shumë e paska dëmtuar Maqedoninë sesa ish drejtori i DSK-së Zoran Verushevski.

“Për arsye se udhëhiqni raste të ndryshme, ndërsa gjithmonë thirreni në interesin e qytetarëve dhe në sundimin e së drejtës në Maqedoni, dëshiroj t’ju pyes se çfarë interesi të qytetarëve të Maqedonisë ose cilin ligj e ka shkelur Edmond Temelkoja që të arrestohet, për dallim nga Verushevski, i cili duhet të lirohet?”, u shpreh Antonio Milloshoski, nga VMRO-DPMNE.

Prokurorja Speciale me përgjigje të menjëhershme për Milloshoskin, i cili megjithatë nuk e mori përgjigjen e dëshiruar.

“Milloshoskin e dëgjoj me kujdes, sepse e dëgjoj edhe në bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme dhe e njoh shumë mirë kapacitetin e tij personal, ndërsa për kapacitetin tim personal, shef e kam pasur prokurorin Marko Zvrlevskin, kështu që le të tregojë ai”, tha Katica Janeva, Prokurore Speciale.

Gjithsesi, u parashtrua edhe pyetja për “bombat”, gjegjësisht në çfarë mënyre opozita ka ardhur deri te posedimi i materialit të përgjuar.

“Edhe pas 13 muajve, nuk kemi përgjigje në pyetjen se kush ia dha Zaevit materialet e përgjuara!”, tha Dimitar Stevananxhija, nga VMRO-DPMNE.

Si përgjigje ndaj kësaj pyetjeje, Janeva kërkoi që sa më shpejtë të caktohet seancë për këtë çështje.

“Nëse gjykata pajtohet që lëndën ta caktojë për më 1 tetor, të fillohet me gjykimin, atëherë unë jam e gatshme që të paraqitem në gjykatë dhe të mbaj fjalë hyrëse për këtë lëndë”, shtoi Janeva.

Nga ana tjetër, deputeti Goran Misovski i përmendi sulmet mbi PPS-në dhe tha se ky institucion është i vetmi mbi të cilin VMRO-DPMNE nuk ka kontroll.

Seanca e Komisionit për sistem politik dhe për marrëdhënie ndërmjet bashkësive ende vazhdon dhe sipas numrit të deputetëve të paraqitur për pyetje, duhet të zgjasë deri në orën 23. Në këtë komision, si pikë e rendit të ditës është edhe raporti vjetor i Prokurorisë Publike Themelore, i cili do të shqyrtohet pasi deputetët do t’i konsumojnë pyetjet për Katica Janevën. (ina)

Hoxhaj: në tetor pritet ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi

enver-hoxhajMinistri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në javët e para të muajit tetor mund të pritet ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se çështja e kufirit nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë. Në intervistën me shefin e shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, ai tha se Serbia duhet të zbatojë disa marrëveshje para se të fillojë zbatimi i marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Procesi i njohjeve të Kosovës duket sikur ka ngecur dhe nuk po ecën me ritmin e mëparshëm? Cilat janë arsyet sipas jush?

Enver Hoxhaj: Mendoj që arsyet janë të shumta, por qëllimi i pjesëmarrjes sonë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme ka të bëjë me atë se si ne gradualisht ta integrojmë Kosovën në sistemin ndërkombëtar, ta bëjmë anëtare të OKB-së, siç thatë edhe ju, dhe kjo mund të arrihet përmes rritjes së numrit të njohjeve por edhe përmes anëtarësimit gradual në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Unë mendoj që një pjesë të madhe të shteteve ne kemi arritur që t’i bindim që ta njohin Kosovën, meqë Kosova deri më tash është njohur nga 112 vende, por gjatë këtyre ditëve në takimet që kryeministri Mustafa dhe unë kemi pasur me shumë vende jo njohëse, kemi marrë zotime që disa nga to do të marrin vendim pozitiv dhe do ta njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, kështu që presim që do të ketë lajme të mira.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, suksesi në politikën e jashtme, pra atë që sapo folët ju, varet shumë edhe nga zhvillimet e brendshme dhe një nga çështjet më të debatueshme në vendin tuaj ka qenë përcaktimi i kufirit me Malin e Zi. Kur bisedoni ju me homologët tuaj, që u kërkoni atyre njohje, si do të kërkonit njohje nga vendi i tyre kur Kosova vetë nuk ka arritur të ratifikojë kufijtë e saj në njëfarë mënyre. Çfarë zgjidhje do të marrë çështja e kufirit me Malin e Zi?

Enver Hoxhaj: Padyshim që politika e jashtme është një fenomen i cili nuk ndodh vetëm jashtë vendit, por ndodh edhe brenda vendit, meqë qëllimet e politikës së jashtme përcaktohen në kontekstin vendor, dhe natyrisht që konteksti vendor luan një rol edhe në sjelljen e jashtme të një shteti, qoftë ai shtet i vogël si Kosova dhe i ri apo shtet me traditë të gjatë të diplomacisë. Padyshim që mungesa e ratifikimit të marrëveshjes për demarkim të kufirit me Malin e Zi, nuk është diçka që e mbështet delegacionin tonë gjatë punës tonë në New York, meqë është ngritur herë pas here në takimet që kemi pasur deri më tash, por unë besoj që gjatë dy javëve të para të tetorit, Kuvendi i Kosovës, partnerët e koalicionit, do të jenë në gjendje që ta ratifikojnë këtë marrëveshje, meqë kjo marrëveshje nuk është një çështje e hapur mes Malit të Zi dhe Kosovës si dy vende sovrane, por më shumë është një çështje e brendshme në mes të pikëpamjeve të ndryshme që kanë partitë në opozitë dhe partitë të cilat e udhëheqin qeverinë. Ne e dimë që me këtë marrëveshje Kosova nuk humb territor dhe kjo marrëveshje është e rëndësishme pikërisht në atë se çfarë kemi bërë në këto 8 vitet e fundit në kompletimin e sovranitetit, meqë demarkimi i marrëveshjes do të regjistrohej në të ardhmen edhe në sekretariatin e OKB-së si një kufi ndërkombëtar i njohur në mes të dy vendeve, përveç asaj që është kushti i fundit dhe madhor në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Do të ndalemi pak më vonë te vizat por doja të të pyesja për një tjetër çështje në Kosovë po aq të rëndësishme, po aq polemike sa edhe çështja e kufirit, e kam fjalën për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Vitin e kaluar u arrit marrëveshja për këtë qëllim, por ku është procesi i zbatimit të saj? A ka filluar zbatimi i saj dhe kur pretendohet të fillojë?

Enver Hoxhaj: Qasja jonë ka qenë që të gjitha marrëveshjet të cilat janë arritur në Bruksel do të duhej edhe të zbatohen, përkundër progresit që dialogu ka sjellë në raportet bilaterale Kosovë-Serbi, përkundër faktit që ka kontribuar që të normalizohet situata në veri të vendit dhe qëllimi kryesor ka qenë ta normalizojmë situatën në veri të vendit, e së dyti, t’i normalizojmë raportet bilaterale Kosovë-Serbi dhe ta shtyjmë agjendën evropiane të Kosovës, pra kanë qenë tri qëllimet kryesore të këtij dialogu. Përkundër këtij progresi, ka edhe ngecje në zbatimin e marrëveshjeve dhe qëndrimi jonë është që përderisa Serbia nuk e zbaton marrëveshjen në fushën e energjetikës, që Kosova të ketë një sistem të pavarur energjetik, ku për shkak të kësaj mosmarrëveshje të pazbatuar ne humbim çdo vit pothuajse 20-30 milionë euro dhe po ashtu bashkëpunimin që do të duhej ta kishim me Shqipërinë në fushën e energjetikës nuk mund të jetë funksional për shkak të moszbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe për pa u arritë marrëveshja sa i takon kodit shtetëror ndërkombëtar telefonik, ne nuk do të lëvizim që të themelohet shumë shpejt Asociacioni i komunave. Por, përtej kësaj, ka progres edhe sa i takon Asociacionit të komunave, meqë presim që në një të ardhme të afërt, ekipi i cili është caktuar, të fillojë me hartimin e statutit dhe natyrisht që gjatë vitit 2017 do të ketë një dinamikë tjetër. Fokusi jonë kryesor se si gjatë këtij viti në fushën e energjetikës dhe kodit shtetëror telefonik të kemi progres të matshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj do të ndalemi tek ajo që ju sapo përmendët pak përpara, çështjen e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës për të lëvizur në Evropë. Klasa politike i ngriti shpresat se këtë vit qytetarët nuk do të kishin më nevojë për viza, por veç marrëveshjes me Malin e Zi duket se ka edhe kushte të tjera, dy ndër më kryesoret janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku po ngec qeveria e Kosovës në këtë drejtim?

Enver Hoxhaj: Kosova në krahasim me çdo vend tjetër të rajonit ka qenë e detyruar, e shtrënguar në këto tri vitet e fundit të plotësojë një numër të paprecedent të kritereve, përderisa vendet e rajonit kanë pasur 45 kritere në procesin e liberalizmit të vizave, kjo vlen qoftë për Shqipërinë qoftë për Maqedoninë, qoftë për Serbinë, për Malin e Zi apo për Bosnjën, Kosova ka pasur një dyfish, kanë qenë 110 kritere. Ne kemi arritur që nga 110 kritere t’i plotësojmë të gjitha me përjashtim të ratifikimit të marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe siç thoni edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çfarë mund të them unë është që prokuroria e Kosovës, sistemi gjyqësor në Kosovë, gjykatat në Kosovë, janë marrë intensivisht gjatë këtij viti me një punë marramendëse, që të hetojnë, të përballojnë raste konkrete, njerëz të cilët kanë qenë të involvuar në korrupsion dhe në krim të organizuar dhe në takimet që kisha javën e kaluar me zonjën Mogherini, me zotin Avramopulos dhe me zotin Johanes Hahn, të tre përfaqësues më të lartë të Bashkimit Evropian, ata e njohin progresin që ka bërë Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, çështja e fundit ka mbetur ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Nëse ky kusht i fundit plotësohet, unë besoj që qytetarët e Kosovës në fund të vitit do të kenë një vendim pozitiv që të lëvizin pa viza drejt Evropës. Përtej kësaj ne në Bashkimin Evropian kemi një situatë, një kontest të brendshëm shumë kompleks, meqë kemi një rikthim të lëvizjeve dhe partive populiste meqë vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet në Francë, zgjedhjet në Gjermani, zgjedhjet në Holandë, kështu që këta janë dy tre muajt e fundit kritik ku elita politike në Kosovë duhet me çdo çmim, çdo formë t’i përmbush kriteret me qëllim që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë të drejtën e tyre, të lëvizin pa viza drejt Evropës. Këto dhjetë vitet e fundit ne kemi qenë një ishull i izoluar ku njerëzit nuk kanë mundur ta gëzojnë të drejtën e mobilitetit sikur që e gëzojnë fqinjët tanë në rajon.

Ekspertët: Kosova, peng i interesave të ngushta

serwerSituata në Kosovë mbetet peng i ambicjeve për pushtet të disa forcave politive, ose i mungesës së kurajos për të dalë me vendime të vështira politike nga forca të tjera. Në këtë përfundim arrijnë dy njohës të çështjeve në Ballkanit, Daniel Serwer i Institutit Amerikan të Paqes dhe James Hooper, aktualisht këshilltar për zgjidhjen e konfliktit në Siri. Analistët biseduan me kolegen e shërbimit serb të Zërit të Amerikës, Jela de Franceschi mbi zhvillimet kryesore politike në Ballkan, ku u ndalën edhe te situata në Kosovë:

Situata politike në Kosovë është dominuar këto kohë nga veprimet e dy faktorëve të brendshëm, që po i bëjnë sfidë kushtetutës së vendit, shprehet analisti Daniel Serwer:

“Njëri është një grup i popullsisë serbe që nuk e pranon Kushtetutën e shtetit, veçanërisht në veri. Forca tjetër është Vetëvendosja që do bashkimin me Shqipërinë. Dhe është shumë e vështirë të përballesh me të, sepse nuk ka hezituar të përdorë dhunën për të arritur synimet e veta, madje edhe brenda parlamentit dhe kjo për mua është shumë përtej asaj që duhet të lejohet në një shoqëri demokratike”.

Analisti James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, shpreh zhgënjim të thellë me mënyrën si po zhvillohet politika në Kosovë:

Me sa rezulton, në Kosovë ka shumë pak udhëheqës me vizion. Mendoj se zoti Thaçi e ka treguar se është udhëheqës i mirë dhe e ka treguar se është serioz për të luajtur një rol kontruktiv në rajon. Ai është shumë elastik dhe konstruktiv. Shumë pak veta e pëlqejnë zotin Thaçi në Kosovë”.

Marrëveshja për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, në pikëpamjen e analistit Hooper, ishte një rezultat i një pune të përciptë e të pamenduar mirë nga ana e politikanëve të Kosovës, që ka sjellë një ngërç të rrezikshëm politik.

“Ata negociuan një marrëveshje për kufirin me Malin e Zi. Nuk jam ekspert për këtë çështje, nuk jam jurist, por nuk mendoj se i kanë trajtuar këto negociata me seriozitetin që kërkonin dhe ndoshta e morën pak lehtë dhe si përfundim patën një rezultat që nuk e shisnin dot në Kosovë. Opozita e ka bërë absolutisht të qartë se është e gatshme të bëjë çdo gjë për ta bllokuar”.

Vetvendosje është një nga forcat që po ushqejnë një radikalizëm të rrezikshëm në Ballkan, thotë zoti Hooper:

“Kjo është një situatë e rrezikshme pasi ringjall fytyrën e shëmtuar të nacionalizmit në rajon. Aktualisht ekziston ky nacionalizëm meskin, kjo mendësi provinciale nga opozita, që shprehet përmes akteve lidhur me marrëveshjen për kufirin”.

Zgjidhja, për analistin veteran, do të ishte dërgimi i çështjes në Komisionin e Venecias, i cili të marrë një vendim që të pranohet si zgjidhje edhe pas votës në Parlamentin e Kosovës, jo thjesht nga deputetët, por nga mbarë popullata dhe gradualisht kjo çëshje të zhduket nga vëmendja politike.

Për sa i përket temës së asocacionit të komunave serbe, analisti Daniel Serwer mendon se kjo situatë e vështirë është trashëguar nga marrëveshja e Ahtisarit:

“Është pjesa më e dobët e marrëveshjes Ahtisaari dhe duhet të mos harrojmë se ajo marrëveshje u arrit nën premisën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë nga Beogradi, gjë që nuk u bë”.

Zoti Serwer thotë se tani është momenti që Beogradi të njohë Kosovën. Kjo njohje mund të mos vijë në formën e shkëmbimeve të ambasadorëve dhe hapjes së përfaqësive diplomatike, por Beogradi mund të marrë hapin e parë duke pranuar anëtarësimin e Kosovës në OKB:

“Ky do të ishte një hap përpara dhe mendoj se do ta zbuste shqetësimin në Kosovë, lidhur me qëllimet e Serbisë. Kjo ka rëndësi sepse do t’i hapte rrugën funksionimit të asociacionit të komunave serbe.”

Zoti Serwer e pranon se ky është një hap i vështirë dhe me kosto politike për udhëheqësit serbë, por ai shton se është gjithashtu një hap i pashmangshëm, pasi pa njohjen e Kosovës, Serbia nuk mund të aderojë në Bashkimin Evropian. Ai shpreson se udhëheqja serbe do të tregohet largpamëse dhe do ta shfrytëzojë këtë mundësi politike:

“Koha për të rënë dakord është sot dhe jo më vonë”. (voa)

Protesta e polemika për importin e mbetjeve

protesta-importi-i-mbetjeveShumica i rikthehet ligjit që rrëzoi në 2013. Ambientalistët dhe shoqëria civile paralajmëruan para parlamentit se do kërkojnë referendum. Kryeministri Rama: Kushtet nuk janë më ato të tre viteve më parë

Me thirrjet e përsëritura “Nuk i duam plehrat” ambientalistë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile protestuan sot para parlamentit, ku u diskutuan disa amendamente ligjore të cilat parashikojnë lejimin e importit të mbetjeve urbane. Tre vjet më parë, pas përpjekjesh të gjata, po këta njerëz që ishin mbledhur sot para godinës ku zhvillohen seancat parlamentare, arritën të siguronin të drejtën për thirrjen e një referendumi kundër ligjit të atëhershëm i cili lejonte importin e mbetjeve. Referendumi i parashikuar për t’u mbajtur në dhjetor të 2013 nuk u zhvillua, pasi në tetor të po atij viti, qeveria e porsa krijuar e kryeministrit Edi Rama, i rrëzoi nenet e ligjit që parashikonin importin.

Socialistët të cilët në atë kohë kishin mbështetur përpjekjet e shoqërisë civile, i janë rikthyer tani neneve që kishin rrëzuar vetë më parë. Ndërsa ambjentalistët njoftuan rifillimin e përpjekjeve për një referendum të ri: “Sot nuk është fundi i protestës sonë. Ndoshta është fillimi, se ajo do vazhdojë e do vazhdojë derisa populli të shprehet me referendum”, deklaroi Lavdosh Ferruni, një ambientalist i njohur.

Edhe përfaqësuesit e opozitës i kujtuan kryeministrit deklaratat e tij të para tre viteve kundër importit të mbetjeve urbane. “Nuk do t’i hyj diskutimit se çfarë kanë thënë për ligjin e mbetjeve, por jam e sigurt se nuk ka patur ndonjëherë një qeveri që ka shkelur çdo premtim që ka bërë e çdo fjalë që ka thënë. Nëse politika ka një moral, të gjitha ata që kanë folur, së bashku me dy kolegët që kanë propozuar ndryshimet, sot nuk duhet të ishin në sallë, por atje në protestë”, u shpreh Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike.

Sipas opozitës ndryshimi në ligj është bërë për shkak të interesave korruptive. Por për kryeministrin Rama kushtet e sotme janë sipas tij të ndryshme nga ato të tre viteve më parë duke renditur arsyet e riaktivizimit të importit të mbetjeve: “Nëse tre vjet më parë nuk kishte as edhe një laborator të vetëm për këtë punë, sot ka një laborator të standarteve më të larta europiane, të çertifikuar nga Bashkimi europian. Nëse në 2013, sipas igjit, mbetjet mund të hynin nga çdo pikë doganore, sot është e qartë se me ligjin e ri, mbetjet mund të hyjnë vetëm nga tre pika doganore që kanë kapacitetet të plotë kontrolli”.

Por nuk munguan dhe zërat kundër nga shumica. Deputeti Ben Blushi, një kritik i hapur i kryeministrit deklaroi se sipas tij ndryshimet janë kushtëzuar nga interesa private dhe jo nga vullneti I qeverisë. (voa)

Tiranë: Studim mbi mediat dhe goditjen e korrupsionit

studim-mbi-mediatAnketimi i grupeve të qytetarëve dhe gazetarëve nxori se shtypi është i pafuqishëm të godasë korrupsionin e përhapur gjerësisht, sepse denoncimet e tij nuk ndiqen më tej nga drejtësia.

Nga studimi doli se kultura e mos-ndëshkimit të korrupsionit ka zënë vend në administratë e në shoqëri dhe po pranohet si një dukuri e zakonshme, kundër të cilës media dhe drejtësia nuk po arrijnë rezultate.

Studimi i profesorëve të Universitetit të Tiranës, mbështetur nga fondacioni Konrad Adenauer, zbuloi se besimi i qytetarëve ndaj institucioneve që duhet të godasin korrupsionin është shumë i ulët, korrupsioni është shumë i përhapur në politikë dhe në administratë.

Sipas tyre, mediat mbeten ndër institucionet kryesore në luftën kundër korrupsionit.

Qytetarët kanë besim të madh te mediat në këtë luftë, ndërsa vetë gazetarët e anketuar kanë besim më të pakët në këto përpjekje.

Një autor i studimit, prof Mark Marku thotë se besimi i lartë qytetarëve te mediat është për t’u vlerësuar, sepse qytetarët e dinë mirë dhe e shprehin në anketë se gazetarët janë nën presione të mëdha.

Por pse politikanët janë të korruptuar? Të anketuarit besojnë se korrupsioni kanë zënë vend në kulturën e shoqërisë dhe një pjesë i janë dorëzuar korrupsionit, duke thënë që po të ishin në vendin e politikanëve do të bënin të njëjtin abuzim.

Gazetarët e anketuar e lidhin dobësinë e medias kundër korrupsionit me nivelin e lartë të mos-ndëshkimit të tij, i cili shkakton edhe autocensurë te një pjesë e tyre.

Një tjetër gjetje e studimit është shkalla e ulët e transparencës së administratës shtetërore.

Por akoma më i dobët është reagimi i organeve të drejtësisë ndaj rasteve të korrupsionit, që denoncohen nga mediat.

Profesor Marku thotë se prokuroria ka gati një material të bollshëm nga mediat për të goditur korrupsionin. (voa)

Shtohet përdorimi i kamerave në trupin e policit

camcopNjë përgjigje ndaj rritjes së vëmendjes ndaj përdorimit të forcës policore në Shtetet e Bashkuara është rritja e përdorimit të kamerave të trupit nga ana e policëve.

Policët kanë pasur prej kohësh kamera brenda makinave, por përdorimi i tyre si pjesë e uniformës ofron mundësi për të parë se çfarë ndodh kur ata nuk janë në makinë.

Me kamerat e reja shtrohen edhe pyetje se kush ka të drejtë për t’i parë videot e regjistruara.

Në Karolinën e Veriut, ku këtë javë shpërthyen protesta pas vrasjes së një personi në qytetin Charlotte, një ligj i ri hyn në fuqi më 1 tetor ku saktësohet se regjistrimet nuk janë të dhënat publike, dhe se pjesë të tyre apo edhe regjistrimi i plotë nuk mund të lëshohen në publik pa një vendim gjykate. Kushdo që është parë apo dëgjuar në video mund të bëjë një kërkesë me shkrim për ta parë atë. Ligji thotë se përfaqësuesit e një personi të vdekur ose të gjymtuar, i cili është parë apo dëgjuar në video, mund të kërkojnë për ta parë.

Përkrahësit e mbajtjes së kamerave thonë se ato ndihmojnë në nxitjen e transparencës duke i lejuar publikut të shikojë se çfarë ka ndodhur në vendin e ngjarjes dhe si ka vepruar policia. Por, të tjerë paralajmërojnë se një video e vetme nuk mund të tregojë kontekstin e plotë të ngjarjes dhe mund të shkaktojë nxitjen e kritikave të padrejta ndaj policëve.

“Ky legjislacion përmbush angazhimin tonë për të mbrojtur zbatimin e ligjit dhe për të fituar besimin e publikut, duke nxitur paanshmëri, qartësi dhe transparencë”, tha Guvernatori i Karolinës së veriut Pat McCrory pas nënshkrimit të ligjit.

Ligji i ri udhëzon departamentet të peshojnë një numër faktorësh për të vendosur nëse do të lejojnë që dikush të shohë video të tilla, p.sh., nëse një video përmban informata konfidenciale, nëse do të dëmtonte reputacionin e dikujt, nëse do të rrezikonte hetimin në vazhdim, ose do të “krijonte kërcënim serioz për administrimin e drejtë, të paanshëm dhe të rregullt të drejtësisë”. (voa)