Mashtrimet gjatë blerjeve në internet

blerje-ne-internetFederata Kombëtare e Shitjeve me pakicë ((NRF)) përcjell lajme të mira dhe të këqia për blerësit. Lajm i mirë: priten ulje të mëdha të çmimeve për produktet elektronike dhe artikujt e veshmbathjes me rastin e festave të fundvitit. Lajmi i keq: vjedhësit do të shkojnë online për të shfrytëzuar rastin.

Është bërë pjesë tradite pas festës së Falenderimeve – radhë të gjata konsumatorësh për të blerë mallra me çmime të ulta. Edhe këtë vit, shitësit parashikojnë një vit të mbarë.

Ana Smith, zëdhënëse e Federatës së Shitjeve me pakicë:

“Në sezonin e festave ne parashikojmë 656 miliardë dollarë xhiro vetëm gjatë periudhës së pushimeve,” thotë Ana Smith, zëdhënëse e Federatës së Shitjeve me Pakicë.

Kjo shifër përfaqëson 4% rritje krahasuar me vitin e kaluar. Për të shmangur rradhët e gjata – konsumatorët kryejnë blerje përmes internetit. Mbi 10% e dhuratave gjatë këtij viti do të blihen online nëpërmjet smartphoneve ose kompjuterve. Për shkak të shtimit të masave të sigurisë në kartat e kreditit – shumë mashtrues do të përdorin internetin për të vjedhur.

Robert Moraca, Zyra e parandalimit të krimeve pranë Federatës së shitjeve.
“Për shkak të kartave të pajusura me “çip”, është shumë më e vështirë për kriminelët e shitjes me pakicë për të bërë mashtrime në dyqan, kështu që ata veprojnë në internet,” Robert Moraca, Zyra e parandalimit të krimeve pranë Federatës së shitjeve.

Ekspertët e sigurisë thonë se mbi 1.2 % e të gjitha transaksioneve me smartphone të jenë operacione të vjedhësve. Një transaksion mashtrues online arrin mesatarisht rreth 200 dollarë.

“Vjedhësit shpesh krijojnë fatura blerjeje të rreme, dhe thonë se e kanë marrë mallin si dhuratë dhe duan ta kthejnë “ thotë zoti Moraca.

Ekspertët e bankave presin këtë vit një rritje prej 43% në transaksionet mashtruese. Ata po u bëjnë thirrje konsumatorëve që të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre, të shmangin klikimet në reklama të dyshimta, të mos hapin emaile të panjohura dhe të blejne vetëm nga faqe internetit të sigurta dhe të ligjshme. (voa)

Francois Fillon si kandidati i dëshiruar i Putinit?

Për politikanin konservator Francois Fillon thuhet, se ka një raport të ngushtë me Putinin. Ekspertët shpjegojnë për DW arsyet.

putin-francoisJo entuziazëm e megjithatë gëzimi ndihet. Në Rusi fitorja e ish-kryeministrit të Francës Francois Fillon në zgjedhejt paraprake presidenciale të konservatorëve ka pasur jehonë pozitive. Agjencia më e madhe shtetërore e lajmeve Ria Novosti e përshkruan atë si “një ndër kandidatët më pro-rusë”. Madje edhe gazeta kritike ndaj Kremlinit “Novaja Gazeta” mendon, se presidenti i Rusisë Vladimir Putin “vështirë se do të kishte ndonjë kandidat tjetër kaq të afërt me të” në Fracnë. Dmitrij Peskov, zëdhëns shtypi i presidencës, u shpreh në mënyrë të theksuar i distancuar. Moska, sipas tij, nuk ndërhyn në çështjet e politikës së brendëshme të vendeve të tjera dhe në luftrat elektorale.

Qysh në raundin e parë të zgjedhjeve para një jave Fillon fitoi papritur shumicën e votave duke e sfiduar shefin e tij të dikurshëm, ish-presidentin Nicolas Sarkozy. Në balotazhin e së dielës (27.11) Fillon konsiderohej favoriti kryesor dhe e fitoi garën. 62-vjeçari mori rreth 67 përqind të votave dhe fitoi kundrejt rivalit Alain Juppé, i cili po ashtu ka qenë kryeministër. Tani Fillon do të jetë kandidati i partisë opozitare “Republikanët” në garën presidenciale në francë në prill 2017.

Kritik i sanksioneve të BE-së

Politika e Rusisë nuk ka qenë vendimtare në fitoren e Fillon në zgjedhjen si kandiat për president i konservatorëve, megjithatë shumë media e theksojnë këtë fakt. Ndërsa Juppé angazhohej për një ton më të ashpër ndaj Moskës, Fillon shprehej për mirëkuptim dhe pjesëmarrje të Moskës në zgjidhejn e problemeve globale. Nga Rusia nuk vjen rrezik, ka theksuar ai një intervistë. Politika ndaj Rusisë e presidentit Francois Hollande nga socialistët është absurde, sipas Fillon. Sanksionet e BE-së, të vendosura për shkak të qendrimit ndaj Ukrainës, janë të dështuara.

Në pranverë Fillon ishte njëri ndër deputetët e Asamblesë Kombëtare, që kërkuan shfuqizimin e sanskioneve në një rezolutë. Gjatë debateve televizive ndonëse Fillon nuk premtoi, ta njohë Krimenë e aneksuar si pjesë të Rusisë, tha, se edhe “çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e diskutueshme”. Presidentin rus ai e përshkruan si “një partner të vështirë bisedimesh”, me të cilin ai megjithatë ka bashkëpunuar suksesshëm.

Ekspertët e përshkruajnë Fillon si “miqësor ndaj Rusisë” dhe marrëdhëniet e mira me Putinin i referohen periudhës, kur ai ka qenë kryeministër. Kur Fillon ka qenë kryeministër në vitet 2007 – 2012, ai shkonte shpesh në Moskë dhe e ka pritur Putinin në Paris. Kjo ishte koha kur Rusia dhe Franca i intensifikuan marrëdhëniet ekonomike: me blerjen e helikopterrëve për ushtrinë ruse, moderinizimin e proudhuesit të rrënuar rus të automjeteve AvtoVAZ me ndihmën e Renault apo dhe shitja e raketambajtëseve ruse të tipit “Sojus” Francës.

Edhe pasi Fillon nuk ishte më kryeministër, kontaktet me Moskën vazhduan. Putin dhe Fillon janë pothuajse moshatarë, presidenti rus është dy vjet më i moshuar se ai. Kur është fjala për për marrëdhënie të ngushta mes tyre, ekspertja e Francës Ronja Kempin, nga Fondacioni i Berlinit “Shkenca dhe politika” përmend dy shmebuj: “Francois Fillon i drejtohet aitj me ‘cher Vladimir, i dashur Vladimir, kjo është mjaft personale dhe një formë që përdoret rrallë në jetën e përditshme politike në Francë”; thotë për DW Kempin. Gjithashtu Putin pas vdekjes së nënës së Fillon i ka dërguar atij një verë të vitit 1931, viti kur ajo kishte lindur. Kur Putinin së fundi e pyetën për Fillon, tha, se me Francois kemi “marrëdhënie shumë të mira personale”.

Bazë për këtë janë pikëpamjet pjesërisht të afërta, mendon Ronja Kempin. Fillon, sipas saj, “ka një botëkuptim shoqëror konsrevator me një komponent të theksuar fetar” dhe do ta forocjë “familjen si bërthamën e  shoqërisë”. Veç kësaj kandidati i ardhshëm i konservatorëve për president është një kritik i shoqërisë multikulturore dhe e merr Rusinë “shmbull”.

“Po ashtu ai ka edhe një përfytyrim të ngjashëm për politikën ndërkombëtare si Putini: ai beson në një botë të shteteve e jo aq shumë tek organizatat ndërkombëtare”, vëren Kempin.

Mjeku: Në Maqedoni jetojnë afro 40% shqiptar; Mulaj: BE nuk ka bërë ndonjë presion për regjitrimin real të popullisë në Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë ende vazhdon të hesht dhe mos të ndërmarrë asnjë iniciativë për organizimin e regjistrimit të popullsisë. Edhe pse faktori ndërkombëtar një gjë të tillë e ka kërkuar vazhdimisht, pasi që Maqedonia mbetet vendi i vetëm në rajon pa regjistrim.

Madje është vet kryeministri Nikola Gruevski, ai që pati thënë se do të ndryshohet koncpeti për realizimin e këtij operacioni, pasi që sipas tij në regjistrimin e vitit 2011 që doli të jetë i dështuar,  kishte shumë parregullsi dhe ishin bërë manipulime dhe falsifikime të ndryshme me të dhënat.

Ndërsa në bazë të regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin  në 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës dy milionëshe, por përveç shqiptarëve që pretendojnë të jenë në përqindje më të lartë, edhe qarqe të caktuara maqedonase pretendojnë se kjo përqindje është më e ulët dhe se sipas tyre, ajo është rritur me qëllim të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

I pyetur rreth kësaj çështje gazetari kosovar, Bajram Mjeku thotë se është vet Gruevski ai që ka ndaluar regjistrimin e popullatë nga frika e shifrës reale të shqiptarëve atje. Pasi sipas tij shtetin e Maqedonisë jetojnë afro 40% shqiptar.

“Pyetja juaj më riktheu në 26 vjet më parë kur presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova gjatë intervistave për mediat e huaja thoshte se “shifra e popullatës shqiptare në Maqedoni është mbi 40 për qind!”. Sigurisht që ish-kryeministri Gruevski ka stopuar regjistrimin e popullatës pikërisht duke iu frikësuar shifrës reale të shqiptarëve në Maqedoni që duhet të besojmë që sillet rreth 40 për qind, duke e patur parasysh edhe faktin tjetër se veçanërisht gjatë tri dekadave të fundit, një numër i madh i shqiptarëve në Maqedoni kanë migruar në Evropë për shkak të diskriminimit permanent që po ndodh kundër tyre në Maqedoni”, shprehet Mjeku.

Madje gazetari kosovar është skeptik nëse partia shqiptare fituese që do të dal nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, do të insistoj që të kryhet procesi i regjistrimit të popullatës, në mënyrë që të dihet numri real i shqiptarëve. Pasi sipas tij të njëjtat nuk japin shpresë për daljen të shqiptarëve nga gjendja e rëndë.

“Pavarësisht cila parti politike shqiptare që do t’i fitojë zgjedhjet nga shumica shqiptare, nuk besoj se do të insistojë që të organizohet regjistrimi i popullsisë e bashkë me këto regjistrime edhe të dihet numri real i shqiptarëve në Maqedoni. Më keq se kjo, shqiptarët në Maqedoni pothuajse janë duke e përjetuar të njëjtin duskriminim si dy dekada e gjysmë më parë nën regjimin ish-jugosllav. Partitë aktuale politike shqiptare në Maqedoni nuk japin shpresë për dalje të shqiptarëve nga gjendja e rëndë që tash një kohë po mbretëron atje. Më keq se kjo, shqiptarët në Maqedoni kanë mbetura pa alternativa për të sfiduar gjendjen e nderë që po mbretëron atje”, përfundon Mjeku për Zhurnal.

Ndërsa ish-ministri kosovar, Ismet Mulaj mendon se regjistrimi i popullsisë në Maqedoni dhe shifra reale e popullit shqiptar atje, nuk do të mund të pasqyrohej në mënyrë reale pa ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Përderisa shqiptarët janë të përçarë dhe pa ndonjë ndihmë konkrete nga Kosova dhe Shqipëria nuk do të mund të realizohej ky objektiv. Po ashtu edhe BE nuk i ka bërë ndonjë presion që Maqedonia të realizonte një regjitrim real të popullisë në Maqedoni”, thotë Mulaj. I cili në fund apelon tek të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 dhjetorit e veçmas diaspora shqiptare.

Ndryshe sipas regjistrimit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 509.038 shqiptarë apo 26 për qind, që nuk është aspak reale, pasi prej 1991 e deri 2002 me shtim natyrorë 18 promila numri i shqiptarëve ka arrit 802.296 shqiptarë ose 35% e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni. Prej viti. 2002 deri në vitin 2012 me shtim natyror prej 15 promila tek ne shqiptarët do të ketë 927 mijë shqiptarë. (zhurnal)

Prodhimet serbe prapë më të importuarat

plazmaTë dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.

Kjo agjenci ka publikuar të martën statistikat e tregtisë së jashtme për muajin tetor të këtij viti, ku del se përqindja më e madhe e importit në Kosovë është nga Serbia, me 14 për qind, Gjermania 12 për qind, Italia 7.2 për qind, Maqedonia, 6 për qind, Shqipëria 4.3 për qind, e të tjera.

Shuma totale e importit gjatë muajit tetor të këtij viti ishte 241,3 milionë euro, derisa eksporti i mallrave kishte vlerën 27,1 milionë euro

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -0.2 për qind në muajin tetor 2016, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 214,2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 214,6 milionë eurosh ne vitin 2015.

Sipas të dhënave të ASK-së, eksporti mbulon importin me 11.2 për qind.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 7.1 milion euro, ose rreth 26.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 105.4 milionë euro, ose 43.7 për qind e importeve të përgjithshme.

Derisa, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin tetor 2016, arritën në 15.2 milionë euro, ose 56.3 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1 për qind, derisa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2016, arritën në 67.8 milionë euro, ose 28.1 për qind e importeve të përgjithshme, ku kishte një rënie prej -1.1 për qind. (rel)

Merkel: Mbështetje të mëtejshme Shqipërisë për në BE

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama takohet me kancelaren Angela Merkel në Berlin

merkel-ediKancelarja Angela Merkel i ka premtuar mbështetje të mëtejshme Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shqipëria vitet e fundit ka bërë ndryshime rrënjësore dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformimi, tha Merkel të hënën (28.11) para takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin. Si shembull ajo përmendi reformën në drejtësi: “Tani natyrisht që është e rëndësishme të vazhdohet rruga në këto piekta të rëndësishme që janë vendosur.” Krahas zbatimit të reformës në drejtësi duhet vazhduar edhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Shqipëria që nga viti 2014 është vend kandidat për antarësim në BE dhe shpreson tani të marrë dritën e gjelbër nga Brukseli për hapjen e negociatave të antarësimit. (dw)

Edi Rama: Mbështetjen e Gjermanisë unë e konsideroj një përgjegjësi të madhe

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel në Berlin në intervistë për DW kryeministri i Shqipërisë prononcohet për raportet Gjermani-Shqipëri dhe marrëdhëniet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

edi-ramaDW: Z. kryeministër sot është dita dita e flamurit, dhe ju qendroni në Gjermani, çfarë do të thotë kjo?

Edi Rama: Kemi ardhur sot për këtë takim me kancelaren në kuadër të një bashkëpunimi, që në këto vite është bërë shumë i veçantë. Dhe në këtë ditë kaq të shënuar për ne patëm rastin që gëzimin ta ndanim edhe me kancelaren.

Ju patët një bisedë tête-à-tête me kancelaren, cili është rezultati i këtij takimi?

Kemi biseduar si gjihtmonë  shumë hapur, shumë miqësisht. Kancelarja ka treguar edhe një herë mbështetejen e saj dhe miqësinë e saj për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Natyrisht duke iu përmbajtur së bashku edhe faktit, se procesi i integrimit europian nuk është një proces, që ne na e ka imponuar Berlini apo Parisi, apo Brukseli, por është një proces që ne na e imponojnë qoftë etërit themelues, që krijuan shtetin shqiptar 104 vjet më parë, qoftë fëmijët tanë, që meritojnë të jetojnë në një Shqipëri të paqme, të sigurtë dhe të mirëqenë brenda familjes europiane.

Por z. Kryeministër a është arritur diçka konkretisht lidhur me procesin e fillimit të bisedimeve me BE-në, që shpresohej të niste në dhjetor? Ndërkohë që javën e kaluar, sikurse jeni në dijeni, deputeti gjerman Gunther Krichbaum, kritikoi Shqipëqrinë duke theksuar kushtet konkrete tё paplotёsuara nga ana e Shqipёrisё pёr hapjen e negociatave me BE-nё.

Eshtë e natyrshme që të ketë deputetë, që kanë pikëpamjet e tyre në parlamentet e ndryshme të vendeve të BE-së. Eshtë një debat, që zhvillohet qëkurse zhvillohet procesi i zgjerimit. E kjo nuk është aspak çudi. Por dhjetori nuk ka të  bëjë fare me Bundestagun gjerman, dhjetori ka lidhje me qendrimin e qeverisë gjermane dhe të qeverive të tjera për rekomandimin e Komisionit Europian. Me kancelaren kemi diskutuar gjerësisht për këtë. Ashtu siç besoj, që edhe prononcimi i kancelares, edhe pse ajo nuk është shprehur hapur, ka qenë mjaft i qartë dhe qartësisht i lexueshëm për këdo që do ta lexojë. Ajo ka përshëndetur arritjet, reformat e rëndësishme, që kemi ndërmarrë, gjë që e ka përsëritur edhe gjatë bisedës. Dhe padyshim që është bazuar kryekëput në raportin e progresit të Komisionit Europian gjatë prononcimit të saj.

Pra e keni marrë prej saj dritën e gjelbër, pavarësisht nga pesë apo shtatë pikat e pazgjidhura?

Këtu nuk flitet për pesë apo shtatë pika që duhen zgjidhur. Këtu bëhet fjalë për pesë prioritete, që janë kritere dhe nuk janë kushte. Këto pesë prioritete do ta shoqërojnë Shqipërinë në të gjithë procesin deri në ditën e antarësimit. Ato pesë prioritete vlejnë edhe për shumë vende anëtare, në kuptimin e mirë të fjalës. Kështu që s’bëhet fjalë për kushtëzime. Nga ana tjetër unë nuk mund të them, se çfarë kemi biseduar me kancelaren, pasi ka qenë një bisedë, që si të thuash i takon dhomës, ku është zhvilluar. Por në dhjetor ne presim, që Gjermania ta mbështesë Shqipërinë siç ka bërë gjithmonë dhe sikurse jam i bindur do të bëjë gjithmonë.

Pra do të thotë kjo dritë e gjelbër?

Dritën e gjelbër e jep Këshilli Europian, kështu duhet të presim këshillin dhe të presim, se si këshilli do ta lexojë dhe pastaj si do të reagojë pas leximit të rekomandimit të Komisionit. Sidoqoftë duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë, ajo që për ne ka qenë e qartë qysh në ditën e parë, se ne nuk mund të çelim zyrtarisht negociatat dhe nuk ka në fakt as kuptim,që ta kërkojmë një gjë të tillë, në qoftë se nuk fillojmë të zbatojmë ligjin e vettingut të prokurorëve dhe të gjykatësve. Ky është kushti i vetëm për Shqipërinë. Ne natyrisht ndërkohë ne do të vazhdojmë të bëjmë progres në të pesë fushat, që lidhen me pesë prioritetet. Siç edhe e thkesova, kjo do të na shoqërojë jo vetëm deri kur të antarësohemi, por edhe pasi të jemi antarësuar, sepse në fund të fundit ato pesë prioritete janë edhe pesë shtyllat, në të cilat mbahet vet struktura e një shteti europian.

Për zhvillimin në këto pesë shtylla a keni marrë mbështetje nga Gjermania, e cila gjithmonë ka qenë aktive në të gjitha reformat e Shqipërisë?

Gjermania na ka mbështetur shumë fuqishëm në refomën në drejtësi dhe do të vazhdojë të na mbështesë, ashtu sikurse kancelarja ka bërë të ditur edhe publikisht, që do të vazhdojë të na mbështesë fuqimisht edhe më tutje, qeveria e saj dhe shteti gjerman me të gjithë instrumentat që ka në dispozicion. Për këtë ne jemi shumë mirënjohës dhe kjo mbështetje edhe na ka afruar edhe më shumë me Gjermaninë, që është bërë pika jonë kryesore e referimit në këto vitet e fundit.

Le të ndalemi pak tani në politikën e jashtme. Ju jeni një ndër politikanët që u shprehët shumë shpejt për Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Tani që Trump fitoi, çfarë prisni ju nga administrata e re e SHBA-së në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri? 

Unë nuk jam shprehur në fakt për Hillary Clintonin, sepse nuk kam dalë të bëj fushatë për të edhe pse nuk është sekret, që për gjithçka që ka bërë ajo dhe presidenti Clinton për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët, ka qenë e natyrshme që të kemi një preferencë të pakushtëzuar ndaj saj. Ndërkohë që sa i përkët kandidatit dhe tani më presidentit të zgjedhur të SHBA-së, kam pasur opinionin tim kur jam pyetur, por kjo i përket së shkuarës. Sot ai është presidenti i  zgjedhur i SHBA-së. SHBA-ja është një aleate strategjike e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e Shqipërisë. Pra s’ka asnjë problem.

Ju keni marredhёnie shumë të mira me homologun serb Alaxander Vuçiç. Por nga jashtë duket se në marrëdhëniet bilaterale kur ju afroheni me Serbinё zemёrohet Kosova dhe kur ju angazhoheni pёr Kosovёn zemёrohet Serbia. Si mund të dilni nga kjo dilemë, ose si e shihni rolin tuaj në këtë raport triangular?

Ju siguroj, që portalet nuk janë pasqyrë besnike e realitetit, përkundrazi janë një pasqyrë ku duhet parë me shumë kudjes, sepse mund të marrësh një pamje shumë të deformuar të realitetit. Nuk ka asnjë problem në këtë marrëdhënie, që ju e quani triangulare. Përkundrazi besoj, që kemi një bashkëpunim dhe një mirëkuptim fantastik me presidentin, me kryeministrin dhe me institucionet e Kosovës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi e mirëkuptimi sigurisht që ne bisedojmë e koordinojmë edhe përqasjen tonë ndaj Serbisë apo ndaj kujtdo qoftë në momente të caktuara kur kjo është e nevojshme.

Gjermania, veçanërisht kancelarja gjermane, Angela Merkel, është angazhuar shumë për marrëdhëniet ndër Ballkanike në Ballkanin Perëndimor, e unë jam e bindur, që sot është biseduar edhe për normalizimin e marrëdhënieve në rajon. Me sa duket ajo ka shumë shpresë, që ju jeni një nga faktorët kyç sa i përket normalizimit në Ballkanin Perëndimor. Cilat janë hapat e ardhëshme për t’i afruar më shumë vendet brenda rajonit, por edhe rajonin në tërësi në procesin me Bashkimin Europian?

Ne jemi në një proces të ri, i cili është bërë i mundur falë mbështetjes vizionare të kancelares. Dhe tani sigurisht hap pas hapi ne bëjmë progres të vazhdueshëm në këtë aspekt. Kjo pavarësisht, se jo çdo hap është i lehtë dhe jo në çdo moment merremi vesh për gjithçka edhe pse ka gjëra me të cilat nuk jemi fare dakord. Siç është faktikisht çështja e Kosovës, kur vjen puna për marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Por sidoqoftë kemi hyrë në një epokë të re në rajon.

Më 8 dhjetor themelohet RYCO në Tiran, rrjeti rinor i Ballkanit, që me sa duket është projekti i parë konkret në këtë proces rajonal. Si kontribuon Shqipëria në këtë qendër dhe çfarë prisni ju nga hapja e saj?

Në fakt nuk është projekti i parë, sepse ndërkohë po zbatohen edhe projekte të tjera. Kemi edhe Fondin e Ballkanit Perëndimor. Por është edhe ky një projekt i rëndësishëm, jo vetëm simbolikisht, por edhe praktikisht i bazuar në modelin frymëzues franko-gjerman. Edhe në këtë rast mbështetja e Francës dhe e Gjermanisë, por posaçrisht e Gjermanisë, ka qenë e pakursyer.

Maqedonia ndodhet në prag të zgjedhjeve të paraklohshme parlamentare dhe situata në këtë vend është mjaft e tensionuar. Si mendoni ju se mund të dalë ky vend nga ky konflikt i brendshëm?

Ne jemi shumë të interesuar për stabilitetin dhe për progresin sa më të madh dhe sa më të qendrueshëm të Maqedonisë. Ky stabilitet është kyç për rajonin, është kyç për Shqipërinë, sepse ne kemi edhe një interes të veçantë për shkak të popullit shqiptar, që jeton në Maqedoni. E ndjekim me interes këtë process, shpresojmë që të jetë fundi i një ngërçi të madh dhe fillimi i një kapitulli të ri për fqinjët tanë. Padyshim urojmë dhe shpresojmë që të vazhdohet në rrugën e jetësimit të Marrëveshejs së Ohrit dhe liritë e të drejtat e shqiptarëve të jenë çdo ditë e më solide brenda kuadrit të kushtetues të Maqedonisë.

Së fundi ju keni hapur një nga çështjet tabu, apo një temë delikate: çështjen çame. Sipas jush në ç’mënyrë duhet zgjidhur ky problem historik mes Shqipërisë, çamëve dhe Greqisë?

Kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me një pjesë të popullsisë shqipatre, e cila ka nevojë që të jetë njësoj e trajtuar si gjithë pjesa tjetër e popullsisë shqiptare në raport me shtetin grek. Kjo pjesë e popullsisë ka nevojë ta ketë të siguruar lirinë e lëvizjes në Greqi. Kjo pjesë e popullsisë ndihet me të drejtë e diskriminuar për shkak të një inercie, që sipas nesh duhet të mbarojë. Ne besojmë shumë që kjo nuk është një çështje që duhet t’i turbullojë marrëdhëniet me Greqinë, por kjo është një çështje që duhet të forocjë më tutje fqinjësinë e mirë me popullin grek, me shtetin grek. Sepse jemi fqinjë dhe jemi të dënuar të jetojmë së bashku, ashtu siç jemi të imponuar nga historia që të marrim shembull nga të gjitha ato raste, kur grekët dhe shqiptarët janë sjellë si vëllezër dhe jo si armiq me njeri-tjetrin. Raste të tilla ka plot.

A keni nisur ndërkohë një proces për ta zgjidhur konkretisht këtë çështje me homologun tuaj grek?

Ne vazhdojmë të diskutojmë. Sigurisht nuk është e lehtë, por ne nuk mund ta konceptojmë dot se si në Europën e shekullit të 21-të, në vitin 2016 të ketë gazetarë, është një rast konkret me gazetarin Marin Memaj, që vetëm se ka shkuar një herë në Greqi dhe ka bërë një kronikë nga zona ku dikur kanë jetuar shqiptarët në Çamëri, është shpallur persona non grata dhe e ka të ndaluar prej katër vjetësh të shkeli në një vend, që është anëtar i BE-së, që është një vend fqinj dhe një vend ku kanë gjetur strehë qindra miëjra shqiptarë dhe ku shqiptarët janë ndihmuar nga populli i atij vendi në një kohë shumë të vështirë. Por po ashtu njerëzit e atij vendi janë ndihmuar nga populli ynë në kohëra të tjera shumë të vështira. Më duken gjëra që nuk janë të mundura të ndodhin në këtë shekull që jetojmë. E për më tepër më duken gjëra, zgjidhja e të cilave do t’i jepte një vrull të ri kësaj fqinjësie, që ne e konsiderojmë strategjike dhe që e konsiderojmë në interes të plot dhe reciprok të të gjitha palëve mes palëve.

Së fundi a ka ndonjë risi nga takimi i sotëm me kancelaren, p.sh. a do ta viziojë ajo Shqipërinë apo ka ndonjë risi tjetër nga ky takim?

Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e këtyre 25 vjetëve që të ketë tre takime zyrtare në tre vjet mes kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Shqipërisë. E kjo ka ndodhur në këto tre vjet. Unë i jam shumë mirënjohës kancelares, sepse na ka dhënë mundësinë që ta forcojmë këtë partneritet me Gjermaninë dhe njëkohësisht, siç e kam siguruar edhe publikisht sot, por edhe personalisht, këtë mbështetje të madhe unë e konsideroj një përgjegjësi të madhe. Pasi kjo është një miqësi shumë speciale dhe ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë luajalë në raport me miqtë dhe partnerët që i duan të mirën Shqipërisë dhe që kanë bërë kaq shumë për Shqipërinë.

Intervistën e zhvilloi Adelheid Feilcke, drejtuese e seksionit Europa në Deutsche Welle

Kosovë, shoqëria civile kërkon ndriçimin e vdekjes së veprimtarit Dehari

astrit-dehari-drejtesiPërfaqësues të shoqërisë civile dorëzuan të martën në Parlamentin e Kosovës një peticion me kërkesën për debat parlamentar dhe ndriçimin e vdekjes së veprimtarit të lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq më pesë nëntor në burgun e Prizrenit.

Përmes peticionit të nënshkruar nga rreth 24 mijë qytetarë për një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, kërkohet edhe dorëheqja e ministrit të Brendshëm, ministres së Drejtësisë dhe shkarkimi i përgjegjësve në zinxhirin komandues si dhe një hetim të pavarur për mënyrën e vdekjes së Astrit Deharit.

Autoritetet thanë se sipas raportit të autopsisë, i ndjeri Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje , por lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar raportin të pabesueshëm, ndërsa ka fajësuar institucionet e shtetit për vdekjen e Astrit Deharit, i cili qe arrestuar së bashku me pesë anëtarë tjerë të lëvizjes Vetëvendosje.

I ndjeri po mbahej në paraburgim për më shumë se dy muaj nën dyshimet për përfshirje në një sulm mbi parlamentin e Kosovës në fillim të muajit gusht. (voa)

Përftimi i energjisë elektrike nga valët e oqeanit

inovationDy inxhinerë nga Oregoni janë fituesit e çmimit të parë që dha Departamenti amerikan i Energjisë në konkursin për ndërtimin e pajisjeve që kthejnë energjinë e valëve të detit në energji elektrike. Firma e tyre e vogël, “Aqua Harmonics”, do të marrë 1.5 milionë dollarë për projektimin e një pajisjeje që mund të gjenerojë energji në mënyrë të efektshme dhe pa shpenzime.

Duke lëvizur shpejt në mesin e një pishine eksperimentale me sipërfaqe 10 mijë metra katrore në Qendrën e Marinës pranë Uashingtonit, ky model në miniaturë i pajisjes që prodhon energji nga valet, i krijuar nga firma Aqua Harmonics, duket shumë i thjeshtë. Në fakt, gjithshka filloi si një hobi.

“Në këtë projekt ndihmuan shumë njerëz. Vjehrri im punoi falas për ndërtimin e mekanizimit, pasi në fazën e parë të projektit gjithshka e financuam vetë. Një mik na ndihmoi me printimin 3-dimensional, ne paguam vetëm për materialet. “- thotë Aleks, njëri prej themeluesve të kompanisë

Por çeku prej 1.5 million dollarësh tregon se nga e vogla vjen edhe madhja. 92 ekipe u regjistruan në konkursin për Çmimin e Energjisë nga Valët në prill të vitit 2015. Ata paraqitën pajisje, të cilat mund të kapin energjinë e valëve të oqeanit në mënyrë të vazhdueshme dhe pa shumë shpenzime. 9 prej konkuresve u kualifikuan si finalistë dhe tre prej tyre fituan çmime me vlerë monetare. Objektivi ishte mjaft i lartë.

“Kusht ishte dyfishimi i sasisë së energjisë që mund të përftohet nga valët me kosto të ulët. Katër ekipe, jo vetëm që e arritën objektivitn, por e tejkaluan atë.”- thotë zyrtari i Deartamentit të Energjisë.

Pajisja e firmës “Aqua Harmonics” ankorohet në fundin e detit me një kabllo që përçon lëvizjete valëve tek një gjenerator. Sekreti është tek kontrolli i qarkut të ndërtuar mbi parimin e rezonancës, të ngjashme me lëvizjen e një lisharëseje.

“Paisja është shumë e thjeshtë. Pjesa që duhet të krijonim ishte sistemi i kontrollit. E gjithë puna ishte tek ndërtimi i algortmit të kontrollit dhe prova e teknike dhe në rezervaurin e valëve. Duhej vërtetuar prirja se prodhon më shumë energji se sa përdorë.”- thotë Aleks.

Modeli që u demonstrua në konkurs ishte një variant i zvogëluar i pajisjes reale, por Alex thotë se pajisja reale është projektuar që të prodhojë deri në 700 kilovat energji elektrike.

Firma “Aqua Harmonics” tani po kërkon të gjejë financime për të vazhduar prova të mëtejshme për të ofruar pajisjen e tyre në treg. (voa)

Një universitet i veçantë në Luginën e Silikonit

silicon-valleyShumica e sipërmarrësve të ardhshëm në fillim frekuentojnë universitetin, pastaj bëjnë masterin për biznes. Por në Luginën e Silikonit, ku inovacionet inkurajohen, ekziston një shkollë vetëm për sipërmarrësit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee e cila ishte në Luginën e Silikonit, thotë se shkolla përdor metoda të pazakonta të mësimdhënies.

Shumica e studentëve nuk e dinin se hapi i tyre i parë në Universitetin “Draper” do të ishte të hidheshin në një pishinë me ujë të ftohtë bashkë me një investitor miliarder. Por e pazakonta është normalja në “Draper”. Aima Ohiwerei është studente nga Nigeria.

“Ky nuk është një universitet i zakontë. Por ai të shtyn të pëpiqesh të imagjinosh më shumë nga sa mendon se mund të imagjinosh”, thotë ajo.

Për shembull, kalimi në rrugë me sy mbyllur vetëm me ndihmën e udhëzimeve verbale.

Universiteti “Draper” përpiqet t’i mësojë studentëve të mendojnë të bëjnë diçka jashtë të zakonshmes, thotë themeluesi i tij, investitori Tim Draper.

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të jenë ndryshe nga turma dhe të provojnë gjëra të jashtëzakonshme. Tani që të gjithë jemi të ndërlidhur, dhe komunikojmë me njëri-tjetrin në të gjithë botën, është edhe më e rëndësishme për njerëzit që të jenë në gjendje të bëjnë diçka ndryshe” thotë ai.

Por zoti Draper thotë se për këtë duhet një lloj mënyre të menduari dhe këmbëngulje emocionale.

“Përpiqem t’u shpjegoj njerëzve se të fillosh një biznes është shumë e vështirë. Do të ndesheni me vështirësi të ndryshme dhe ne duam që ju, pasi të përfundoni programin, të jeni në gjendje t’i përballoni ato vështirësi”.

Kjo është pikërisht ajo që Aima shpreson të mësojë në programin shtatë javor.

“Se si të vazhdoj përpara pavarësisht mendimeve negative dhe komenteve negative rreth biznesit…atë dua të mësoj,” thotë ajo.

“Do të doja të mësoja si të isha i patrembur, të vazhdoj pa ndalur” thotë David Lopez, student nga Peruja.

Qindra studentë nga më shumë se 70 vende kanë përfunduar programin. Mosha e tyre varion nga 18 deri në 28 vjeç, dhe ata mësojnë të përgatiten emocionalisht për hapjen e një biznesi duke dëgjuar sipërmarrës në Luginën e Silikonit që kanë patur sukses dhe ata që kanë dështuar. Ata bëjnë gjithashtu disa trajnime të pazakonta, si kjo lojë volejbolli ku rregullat ndryshojnë herë pas here.

“Gjëra të ndryshme fillojnë të ndodhin. Atyre u hapet mendja dhe fillojnë të besojnë se çdo gjë është e mundur,” thotë zoti Draper.

Në përputhje me veçantinë e shkollës, të diplomuarit bëhet superheronj. Ata marrin një pelerinë dhe maskë dhe inkurajohen të ndryshojnë botën me idetë e tyre të veçanta. (voa)

Bruksel: Kosova dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshje të re kontraktuale

Krahas nënshkrimit të marrëveshjes për qasje të Kosovës në programet e BE-së, në Bruksel u zhvillua edhe takimi i parë i këshillit të stabilizim asocimit Kosovë-BE që u kryesua nga Federica Mogherini.be-mustafa-gargamelNë Bruksel nënshkruhet marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, ku tanimë Kosova ashtu sikurse shumë vende të Ballkanit, mund të aplikojë në programe të ndryshme të BE-së, si nga sektori publik po ashtu edhe ai privat. Marrëveshja e së premtes (25.11.) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, shënon marrëveshjen e dytë të rëndësishme kontraktuale pas nënshkrimit vitin e shkuar të marrëveshjes së stabilizim asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Delegacioni i lartë i Kosovës që qëndroi në Bruksel udhëhiqej nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ata takuan përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, komisionerin për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pjesë e delegacionit të Kosovës, i cili së bashku me Federika Mogherinin nënshkroi marrëveshjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së, tha se “arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë qasje në programe dhe projekte konkrete ku do të mund të aplikojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës”.

Vlerësimi: Progres në Kosovë

Krahas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, në Bruksel u zhvillua edhe takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asocimit Kosovë-BE që u kryesua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini. Në një deklaratë të përbashkët BE-Kosovë, thuhet se “gjatë takimit, pati diskutime mbi zhvillimet e fundit kryesore në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale të kritereve ekonomike, bashkëpunimit financiar dhe zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”. “U diskutuan prioritetet e reformave në fusha të ndryshme duke përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat ligjore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.

Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti progresin e dukshëm të Kosovës të arritur në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. BE-ja nxit Kosovën për intensifikimin e punës në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit më Malin e Zi dhe të vazhdojë të forcojë treguesit e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët BE-Kosovë.

Ajo që bie në sy në këtë komunikatë për media është përmendja se “Referencat për Kosovën janë pa paragjykim për pozicionin mbi statusin. Ato janë në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Isa Mustafa: Marrëveshje me rëndësi elementare për popullatën e re

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit tha se Kosova është interesuar që të thellojë edhe më tutje rrugën evropiane dhe të punojë në implementimin e të gjitha çështjeve të cilat janë të parapara me kontratën e parë me Bashkimin Evropian e të cilat përfshijnë fushën politike, ekonomike, atë të forcimit të shtetit ligjor dhe të implementimit të MSA-së. “Nënshkrimi i marrëveshjes, për qasjen tonë në programe dhe projekte të reja të Bashkimit Evropian që është e rëndësisë elementare për ne, sepse kemi një popullatë të re e cila ka interes të veçantë të ketë qasje në këto programe, prandaj unë e përshëndes angazhimin dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për Kosovën në tërësi”, tha kryeministri Isa Mustafa. Ai shtoi se Kosova është e interesuar t’i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në këtë pikë sipas tij ka rezultate.

“Jemi të interesuar që përmes dialogut politik me fqinjët t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura. Këtë dialog do ta vazhdojmë edhe më tutje me Serbinë. Do të punojmë në temat dhe do të angazhohemi për implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe presim përkushtim të dyanshëm në implementimin e këtyre marrëveshjeve”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës edhe njëherë shprehu shqetësimin e tij që Kosova akoma mbetet nën regjimin e vizave për në zonën Shengen. “Shpresoj shumë që së shpejti ne do të kapërcejmë edhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë do të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian ashtu siç kanë lëvizje edhe qytetarët tjerë. Kemi nevojë që të rinjtë ta realizojnë këtë të drejtë, që bizneset tona ta realizojnë këtë të drejtë si komponente edhe e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe po ashtu që të përfitojmë nga kjo e drejtë në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin social dhe në zhvillim demokratik të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ndërsa komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn edhe njëherë përsëriti se nga 95 kriteret e kërkuara për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, 93 nga to janë plotësuar, mirëpo, është akoma demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të cilat Kosova duhet shënuar përparim. “Unë kërkoj nga të gjithë politikanët në Kosovë, jo vetëm nga qeveria, por nga të gjithë politikanët që të shikojnë interesin e popullit. Disa gjëra duhet të përmbushen nga vetë ju, sepse vetëm në këtë mënyrë do të tregohej pjekuria politike e Kosovës. Luftimi i korrupsionit nuk bëhet menjëherë, por ai është një proces që duhet treguar rezultate konkrete. Kosova e ka legjislacionin relevant dhe tash është koha që ta aplikojnë këtë legjislacion”, tha Johannes Hahn.

Sidoqoftë, Këshilli për Stabilizim Asociim BE-Kosovë mirëpriti hyrjen në fuqi të marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) më 1 prill të vitit 2016. Bashkimi Evropian bëri me dije se MSA-ja është në thelbin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës dhe ajo ofron kornizën kontraktuale në kuadër të së cilës BE-ja dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin dhe do të mbikqyrin zhvillimet e marrëdhënieve ndërmjet tyre. (dw)