150 vjeotri i lindjes – Wassily Kandinsky – Themeluesi i artit abstrakt

arti-abstraktNgjyrat dhe format karakterizojnë artin abstrakt të Wassiliy Kandinsky. Para 150 vjetësh kjo ishte revolucionare.

Më 1910 artisti rus Vassily Kandinsky pikturoi “akuarelin e parë abstrakt”. Një vit më pas ai i prezantoi veprat e tij në një ekspozitë të “Shoqatës së artistëve të rinj në Mynih”. Ky ishte një skandal. “Ose shumica e anëtarëve të kësaj shoqate janë pashërueshmërisht të sëmurë nga trutë e kokës, ose ne kemi të bëjmë me një grup mashtruesish të paskrupult, të cilët janë fort mirë në dijeni për dobësinë e bashkëkohësve tanë për sensacione dhe përpiqen ta shfrytëzojnë kërkesën e madhe për to”, kështu komentonte gazeta “Münchener Neuste Nachrichten”. Për avantgardën në Europë arti abstrakt i Kandinskyt ishte revolucionar

vassily-kadinskyTërheqja në vetvete

Ishin kohë të vrullshme. Përparimi industrial i nxiste njerëzit, që të shkonin gjithmonë më përpara, më shpetj dhe më lart. Ekonomia sillte thuajse çdo ditë njohuri të reja. Freudi publikoi teorinë e tij për psikikën njerëzore. Amundson arriti Polin e Jugut dhe Siemens prodhoi një telegraf të shpejtë, i cili mund të transmetonte 1000 karaktere në minutë.

Ajo që dje dukej ende e mundshme, sot ishte e vjetëruar. Imazhi i realitetit u lëkund prej  shkencës moderne. Për këtë arsye për artistët si Kandinsky nuk ishte më vendimtar pasqyrimi i rrealitetit. Të vetmen të vërtetë artisti rus donte ta zbulonte brenda njeriut e kjo brendësi, bota e ndjenjave duhej të pasqyrohej në telajo në ngjyra dhe forma abstarkte.

Historiani i artit Wilhelm Worringer më 1907 pati shkruar një ese të titulluar “Abstraksion dhe ndjeshmëri”. Në të thuhet, se “tendenca për abstraksion është rrjedhojë e një pasigurie të thellë të njeriut përballë botës”.

kadinsky-mynihFillimet artistike të Kandinskyt në Mynih

Wassily Kandinsky lindi më 4 dhjetor 1866 në Moskë. Pas studimeve në degën e juridikut ai iu përkushtua artit dhe në vitin 1986 u vendos në Mynih. Atje studioi fillimisht në një shkollë private arti, më vonë në Akademinë e Arteve të Mynihut. Paralelisht ai themeloi vet një shoqatë artistësh, që quhej “Phalanx” dhe menaxhonte edhe një shkollë arti, në të cilën ka studiuar edhe artistja Gabriele Münter.

Ndonëse ekspresionisti abstrakt asokohe ishte i martuar, ai u lidh me Gabriele Münter. Artisti kalonte shumë kohë në shtëpinë e saj në Murnau të Bavarisë. Pikturat e shtëpive dhe pyjeve, që krijoi atje, vazhdojnë të jenë të influencuara nga arti popullor i atdheut të tij rus, por tashmë ato rrezatojnë në ngjyra të ndriçuara.

Teoria e Kandinskyt për pikturën abstrakte

Kandisky arriti tek piktura abstrakte, pasi sipas tij, pa një pikturë në muzg në atelienë e tij. Piktura ndodhej e vendosur anash dhe Kandinsky dalloi vetëm forma dhe ngjyra, që e entuziazmuan atë. Ai arriti në përfundimin, se në fakt objektet vetëm e dëmtojnë pikturën e tij. Por natyrisht Kandinsky njihte edhe harmoninë e ngjyrave dhe të dritës të impresionistëve dhe format e pazakonta të kubistëve.

Wassily Kandinsky u mor edhe nga ana teorike me artin abstrakt. Më 1911 u botua libri i tij orientues “Mbi shpirtëroren në art”. Në të ai trajton ndër të tjera edhe çështjen, se çfarë qëllimi duhet të përmbushë arti dhe se çfarë efekti kanë ngjyrat dhe format ndaj shpirtit. Meqënëse piktura abstrakte është e çliruar prej objekteve, shkruan ai, ngjyrat dhe format mund të shpalosin qenien e vet dhe të shprehin gjendjet shpirtërore.

der-blaue-reiterGrupi i artistëve “Der Blaue Reiter”

Ndërkohë që disa i vlerësonin veprat dhe teoritë e Kandinskyt si revolucionare, njohësit konsrevator të artit e kishin të vështirë ta pranonin atë. Madje edhe shoqata e re e artistëve në Mynih “Neuen Künstlervereinigung München” ishte kritike ndaj Kandinskyt. Më 2 dhjetor 1911 juria e hodhi poshtë verprën e tij të madhe “Kompozimi V” për një ekspozitë. Për protestë Kandinsky, miku i tij Franz Marc dhe Gabriele Münter dolën nga shoqata dhe themeluan grupin e artistëve “Der Blaue Reiter” (kalorësi blu), të cilit iu bashkua edhe August Macke. Me Franz Marc Kandinsky 1912 botoi almanakun “Der Blaue Reiter”, në të cilin të dy shpreheshin për barazinë e arteve dhe kërkonin një gjuhë të re ngjyrash dhe forme.

Vitet e luftës i ndanë miqtë e artit

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Kandinsky u kthye në Moskë. Gjermania i kishte shpallur luftë Rusisë. Gabriele Münter u zhvendos në Stokholm – e me këtë mori fund edhe lidhja e tyre. Megjithatë ata i ruajtën kontaktet. P.sh. Gabriele Münter i shpëtoi veprat e tij prej nacionalsocialistëve dhe ia dhuroi pikturat e saj të Kandinskyt më 1957 Galerisë së qytetit Lenbachhaus në Mynih.

Në Moskë Kandinsky e vazhdoi karrierën e tij akademike si profesor. Më 1917 ai u martua me Nina Adrejevsky 27 vjet më e re se ai, e cila më vonë u kujdes për trashëgiminë e tij. Bashkimi i ri Sovjetik e kufizoi ndjeshëm lirinë krijuese të Kandinskyt – ndaj ai iu përgjigj thirrjes së Walter Gropius-it, i cili më 1922 e tërhoqi atë në Bauhaus në Vajmar, ashtu si edhe ish-fqinjin e mikun prej shumë vitesh të tij Paul Klee.

bauhausVitet gjeometrike të Bauhaus

Në shkollën e tij të artit të themeluar më 1919 në Vajmar arkitekti Walter Gropius donte të çonte përpara barazinë e arteve. Artistët e zanatçinjtë duhej të mësonin nga njeri-tjetri si dhe të jepnin mësim. Derisa nacionalsocialistët e mbyllën përfundimisht Bauhaus, Kandinsky jepte mësim në klasa të ndryshme të lira pikture. Pas fazës së tij të krijimtarisë ekspresioniste në Bauhaus ai iu përkushtua formave gjeometrike, sepse ai ishte vazhdimisht në kërkim të ligjeve për artin abstrakt.

Më 1926 doli libri i Bauhaus “Pika dhe viza në sipërfaqe”, në të cilin Kandinsky përpiqet të skicojë gramatikën e formave. Pika dhe viza janë elemntë jo vetëm të pikturës, por edhe të muzikës. “Shumica e instrumenteve muzikore kanë karakter linear. Tonaliteti i instrumenteve të ndryshme i përgjigjet gjerësisë së vizës: një vizë shumë e hollë përçohet nga violina, flauti, pikolo.” Edhe tek shkrimi i notave ai sheh një kombinim mes pikave dhe vizave. Kësisoj në mënyrë të thjeshtuar shpjegohen tinguj të ndërlikuar. Këtë thjeshtim ai do ta përçojë edhe në art. “Edhe këtu ka vetëm një rrugë – ndarja analitike e elementëve bazë, për të arritur së fundi tek shprehja vetiake grafike.” Këto elementë bazë janë rrethi, kuadrati dhe trekëndëshi gjeometrik, të cilat karakterizojnë edhe veprën e Kandinskyt gjatë kohë së punës në Bauhaus.

Kandinsky, një “artist dekadent”

Mies van der Rohe, drejtori i fundit i Bauhaus, në vitin 1933 mori një njoftim prej nazistëve: “Kandinsky duhet të pushohet nga puna, sepse ai është i rrezikshëm për ne për shkak të qendrimeve të tij.” Si rrjedhojë Kandinsky emigroi në Paris, ku shoku i tij Marcel Duchamp u kujdes t’i gjej një shtëpi në lagjen periferike Neuilly-sur-Seine. Atje ai jetoi deri në vdekje më 13 dhjetor 1944.

Gjatë kohës së nazizmit 57 vepra të tij u konfiskuan me vulën si “dekadente”, më 1937 të apasionuar të artit nga e gjithë bota vërshuan në Zvicer për të kundruar në një ekspozitë pikturat e themeluesit të madh të pikturës abstrakte. Ekspresionisti ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare vetëm pak muaj pas çlirimit të Parisit. Pikturën  abstrakte ai e ka cilësuar gjithmonë si artin më të vështirë: “Ajo presupozon, që të dish të vizatosh, që të jesh jashtëzakonisht i ndjeshëm për kompozimin dhe ngjyrën dhe që të jesh një poet i vërtetë – kjo është vendimtarja.” (dw)

 

Si DioGuardi detektoi para Kongresit Amerikan Qeverinë e korruptuar VMRO-BDI

dioguardiIsh-kongresmeni shqiptaro- amerikan, Joseph DioGuardi në raportimin e tij të fundit në Kongres për situatën në Ballkan, përfshirë edhe Maqedoninë, kishte shprehur shqetësim për implikimin në korrupsion të Qeverisë së VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI.

Sipas tij, dëshpërimi i shqiptarëve të Maqedonisë me korrupsionin e qeverisë Gruevski, tu’ përfshi edhe bashkëpunimin e partisë së Ali Ahmetit është një bombë që mundet me shpërthye kurdo.

Gjithashtu burime nga Nju Jorku nënvizojnë për INA, se DioGuardi si politikan republikan me ndikimin në Distriktin e Nju Jorkut, ka komunikime me institucionet e ndryshme amerikane.

DioGuardi ka akuzuar direkt Ahmeti dhe Gruevskin si një partneritet i të korruptuarëve.

“Partneriteti i korruptuem Gruevski-Ahmeti po e skllavnon politikisht dhe ekonomikisht vendin që qeveriset nga frika dhe intimidimi i partisë së Gruevskit. Shqiptarët në Maqedoni duhet të trajtohen si partnerë të barabartë në një Kushtetutë të re të këtij shteti tanimë të dështuar, ose duhet me u përballë me opsionin e federalizmit të Maqedonisë së shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve etnikë. Maqedonia është një shtet aparteidi dhe kjo duhet korrigjuar, përndryshe ky shtet vështirë do të mbijetojë si shtet sovran.

Ma poshtë, lexoni të plotë fjalën e Dioguardi’t:

Maqedonia

Në Maqedoni, përkeqësimi i situatës politike dhe i marrëdhënieve ndërmjet grupeve etnike – në të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë etni e vetme nuk e ka shumicën – është bërë akute, megjithatë qeveria e SHBA-së dhe Bashkimi Evropian janë duke dështuar në zgjidhjen e kësaj krize në rritje e sipër. Siç ka thënë Erwan Fouere, ish-Përfaqësuesi Special i BE-së në Maqedoni gjatë viteve 2005-2011, në shkrimin e tij të datës 23 mars 2015, në Balkan Insight, të titulluar “Gruevski Must Resign and Make Way for Transition Process” (Gruevski duhet të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për procesin e tranzicionit”, që unë po e dorëzoj për t’u dokumentuar si pjesë e kësaj seance të Kongresit, “shkalla e korrupsionit të dyshuar dhe veprimeve kërcënuese nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij në pushtet VMRO-DPMNE, ka dalë në shesh falë zbulimeve tronditëse që janë vënë në dispozicion për publikun nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, në lidhje me operacionin e gjerë të përgjimit që ka drejtuar Gruevski. Në një tjetër artikull të muajit prill, 2015, Fouere doli në përfundimin se sot Maqedonia “është një vend i qeverisur nga frika dhe kërcënimi, me një parti në pushtet që ka një agjendë etno-nacionaliste dhe populiste që ka krijuar çarje të reja në një mjedis tashmë të brishtë,” më alarmuesja prej të cilave është rihapja e tensioneve të thella ndërmjet komunitetit etnik shqipëtar dhe atij maqedonas.

Ndërkohë, Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partia shqiptare e të cilit është partnerja e vogël në koalicionin qeverisës, ka përdorur kartën nacionaliste kurdo që e gjen atë politikisht të përshtatshme dhe ka heshtur për skandalin e përgjimit, që me sa duket është rezultat i përfshirjes së parties së tij në korrupsion me partnerin e tyre të madh të koalicionit, VMRO-DPMNE, kryesuar nga kryeministri Gruevski, i cili tani akuzohet publikisht nga opozita maqedonase, Bashkimi Social Demokratik i Maqedonisë, për një agjendë politike dhe ekonomike kriminale masive, veçanërisht kundër popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni.

Kur është fjala për Maqedoninë, realiteti kyç është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur ndërmjet maqedonasëve dhe shqiptarëve atë vit dhe parashtroi një numër ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore të hartuara për të përmbysur një dekadë diskriminimi kundër shqiptarëve, ende nuk është zbatuar plotësisht.

Frustrimi dhe dëshpërimi në rritje i popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni me qeverinë e korruptuar Gruevski, duke përfshirë edhe partitë politike shqiptare bashkëpunëtore të udhëhequra nga Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, është një bombë figurative që mund të shpërthejë në çdo moment, sidomos në një ekonomi që prodhon vetëm vende pune në qeveri që shkojnë kryesisht te maqedonasit etnikë dhe pastaj vetëm për ata që votojnë për partneritetin e korruptuar Gruevski/Ahmeti, i cili është duke e skllavëruar të gjithë vendin politikisht dhe ekonomikisht. Strategjia e status quo-së së Departamentit të Shtetit ndaj Ballkanit, e cila tani mund të “përkthehet” si “paqe dhe stabilitet në Ballkan me çdo kusht,” është bërë një aspirinë, ose koktej i përditshëm, për popullin shqiptar për ta qetësuar dhimbjen e tyre për sot, ndërsa mbjell farën për shpërbërjen etnike të Ballkanit, e jo për integrimin evropian.

Konkluzioni

Në fund, asgjë nuk do të arrihet në Ballkanin Perëndimor pa përfshirjen e fortë të Shteteve të Bashkuara. Historia e rajonit ka treguar që kjo është e vërtetë. Lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e BE-së duhet të njohin pavarësinë e Kosovës dhe t’i japin fund izolimit të vendit duke ofruar mundësi ekonomike. Për sa i përket Maqedonisë, shqiptarët duhet të trajtohen si partner i barabartë në një Kushtetutë të re të këtij shteti që tani po dështon, ose duhet të përballemi me mundësinë e federalizimit, i cili do t’i lejonte popullit shqiptar të ketë kontroll administrativ, social dhe financiar mbi fatin e tyre si pjesë të një federate maqedonase të shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve etnikë. Maqedonia është tashmë një shtet aparteidi, në të cilin grupet e mëdha etnike jetojnë të ndara, por jo në mënyrë të barabartë, dhe kjo duhet të korrigjohet. Përndryshe, Maqedonia nuk do të mbijetojë si shtet sovran që mund të integrohet në Bashkimin Evropian. (INA)

Premtimi i Kotzias: Zgjidhim problemet me Shqipërinë

steinmeier-kotziasMinistri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar se Athina mbështet integrimin europian të Shqipërisë, por Tirana zyrtare, nga ana e saj duhet të përmbushë kushtet e kërkuara, midis tyre edhe respektimi i të drejtave të minoritetit grek.

I pyetur në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun e tij gjerman, Steinmeier, për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, të dy diplomatët u janë referuar në fillim marrëdhënieve me Ankaranë dhe lojërave politike me Traktatin e Lozanës, të cilat, siç ka theksuar zyrtari gjerman nuk janë zgjidhja e duhur politike.

“14 ditë më parë unë isha në Turqi dhe zhvillova bisedime me ministrin e Jashtëm, kryeministrin dhe presidentin, për emigracionin dhe çështjet e brendshme. Sigurisht që i shpreha qëndrimin tonë mbi Traktatin e Lozanës, pozicionin tonë të palëkundur se ai traktat nuk mund të vihet në dyshim nga askush”, tha Frank-Walter Steinmeier.

Kotzias ka theksuar se qeveria “Tsipras” do që të zgjidhë në mënyrë sa më të mirë të mundshme dhe produktive, problemet që vijnë nga e kaluara me Shqipërinë, teksa ka përmendur edhe krijimin e 6 grupeve të konsultimit, nën përgjegjësinë e Sekretarëve të Përgjithshëm të të dy shteteve, për të gjetur zgjidhje të pranueshme, si për këto probleme, ashtu edhe për ato që përcaktojnë të ardhmen.

Kotzias ka thënë se, për fat të keq, në Shqipëri ka një tendencë në rritje të nacionalizmit në prag të zgjedhjeve.

“Rekomandimi dhe inkurajimi im për të gjithë – ka shtuar Kotzias, – është që të ulim tonet, të biem dakord në një rrugë europiane, të mund të zgjidhim menjëherë problemet tona, duke mos i lejuar ato të ndikojnë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë”.

“Do të duket edhe më 12 dhjetor, në konkluzionet e KE-së, se ne duam integrimin e Shqipërisë në BE. Duam fqinjë europianë rreth nesh, sepse kështu kemi përfitim, por duhet veçse që Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet e kërkuara, si gjyqësorin, reformën administrative, luftën kundër krimit të organizuar, drogës, të drejtën e pronës dhe mbrojtjen e minoritetit etnik grek”.

“Duhet të tejkalohet logjika e Hoxhës”, ka përfunduar Kotzias, sipas të cilit minoritar është vetëm ai që jeton në këtë zonë dhe popullsitë e mëdha, që janë shumicë në disa zona, të mos kenë të drejtat e pakicave.

Ndërkohë, edhe ish-kryeministri grek Antonis Samaras, në një intervistë për gazetën “Vradini”, duke bërë thirrje për një linjë kombëtare përsa u përket marrëdhënieve me fqinjët, ka kritikuar përveç Ankarasë, edhe Tiranën zyrtare.

“Është e vërtetë që Erdogani kërcënon, por ka filluar edhe kryeministri Rama të sfidojë”, shton ai, duke theksuar se “shqetësohet, pasi dobësimi i rolit të Greqisë ka trimëruar provokimin e fqinjëve shqetësues”.

/ Top Channel

Në dhjetë ditët e ardhshme do të paraqiten argumentet e prokurorisë dhe të mbrojtjes në procesin kundër Ratko Mlladiqit. Ai akuzohet për gjenocid, krime…

ratko-mladicTrupi gjykues i Tribunalit të Hagës, me 16 gusht të këtij viti, e ka përfunduar procesin e nxjerrjes së dëshmive kundër të akuzuarit për gjenocid dhe krime lufte, Ratko Mlladiq. Ndërsa prej 5-12 dhjetor do të mbahen pretencat e prokurorisë dhe të mbrojtjes. Prokuroria ka në dispozicion tri ditë për të argumentuar aktakuzën kundër Mlladiqit. Ndërsa pas një dite pushim, mbrojtja të premten (09.12) do të fillojë nxjerrjen e argumenteve të veta. Prokuroria dhe mbrojtja më 15 dhjetor do të kenë edhe një seancë të përbashkët ku do t’i përgjigjen njëra – tjetrës. Ky do të jetë edhe akti i parafundit, para shpalljes së vendimit, i cili pritet nga fundi i vitit të ardhshëm.

Gjenocidi i dyfishtë

I akuzuari Ratko Mlladiq është në burg qysh prej 5,5 vitesh. Ai u arrestua në vitin 2011, pas më shumë se 16 vitesh, gjatë të cilave qendronte i fshehur në Serbi. Ai akuzohet për gjenocid në Bosnje-Hercegovinë në vitin 1992 dhe në veçanti në Srebrenicë në vitin 1995. Gjykimi ka filluar më 16 maj 2012. Prokuroria ka ftuar 172 dëshmitarë dhe ka prezantuar 7.500 dëshmi dhe dokumente. Ndërsa mbrojtja ka ftuar 208 dëshmitarë dhe ka paraqitur 2.000 dokumente.

Në verë 2015 u lejua rihapja e procesit, i cili kishte përfunduar njëherë në shkurt të vitit 2014, për të paraqitur edhe dëshmitë e një varreze masive në Tomashice afër Prijedorit. Në pjesën shtesë janë marrë në pyetje edhe gjashtë ekspertë dhe dy dëshmitarë. Ndërsa pesë persona kanë dhënë dëshmi me shkrim. Në këtë varrezë janë gjetur mbetjet e 712 viktimave. Shumica e tyre janë ekzekutuar nga nga pas, si pjesë e fushatës së spastrimeve në Prijedor. Mlladiqi akuzohet edhe për terror ndaj banorëve të Sarajevës gjatë gjithë kohës së luftës si dhe marrjen peng të helmetkaltërve të OKB-së.

Vëretjejt e mbrojtjes së Mlladiqit

Para përfundimit të nxjerrjes së dëshmive, mbrojtja ka formuluar shumë ankesa dhe vërejtje ndaj procesit. Vërejtjet kryesore të avokatëve Branko Llukuq dhe Miograd Stojanoviq janë që Ratko Mlladiqi po përballet me një gjykim të padrejtë dhe të njëanshëm. Ata kanë kërkuar largimin e shumicës së gjykatësve nga trupi gjykues dhe ndërprerjen e procesit. Në veçanti kritika ka pasur ndaj anëtarëve të trupit gjykues Alphonso Orie dhe Christoph Fluegge. Por është kontestuar edhe integriteti i tre gjykatësve të tjerë, italianit Fausto Pocar, amerikanit Theodor Meron dhe francezit Jean-Claude Antonetti. Ndërkohë që si i njëanshëm është cilësuar edhe kryetari i Tribunalit Carmelo Agius. Ankesat janë refuzuar.

Vendimi i parë pritet pas një viti

Gjykata e ka hedhur poshtë edhe kërkesën për ndërprerjen e gjykimit, sepse mbrojtja nuk ka dëshmuar ndonjë shkelje të procedurës ligjore. Avokatët Llukiq dhe Stojanoviq thonë se janë shkelur rregullat, pasi në këtë proces janë angazhuar edhe gjykatës që e kanë dënuar Radovan Karaxhiqin me 40 vjet heqje lirie. Sipas tyre, kjo mund të ndikojë në dënimin e Mlladiqit.

Pas prezantimit të argumenteve të palëve në dhjetë ditët e ardhshme, trupi gjykues duhet të marrë vendim. Por do të duhet së paku një vit kohë për të shqyrtuar të gjitha argumentat e paraqitura në proces. (dw)

Renzi jep dorëheqje pas dёshtimit nё referendum

Italianёt nё referendum sipas sondazheve pas votimit e kanё refuzuar reformёn kushtetuese tё kryeminsitrit Matteo Renzi. Renzi sikurse kishte deklaruar qysh para referendumit, pas dёshtimit komunikoi dorёheqjen.

referendumi-italiShumica e italianёve, sipas parashikimeve pas elektorale, kanё votuar kundёr qeverisё sё kryeministrit Matteo Renzi. Nё bazё tё kёtyre rezultateve 54 deri nё 58 pёrqind nё referendum kanё votuar kundёr reformёs kushtetuese dhe 42 deri nё 46 pёrqind pro, vё nё dukje televizioni publik RAI nё bazё tё sondazheve tё veta elektorale. Edhe Mediaset konstaton tё njёjtёn tendencё.

Renzi kishte deklaruar, se nё rast dёshtimi do tё japё dorёheqjen. Dёshtimi i kёsaj reforme ngjall frikёn, pёr krizё qeveritare dhe turbullim nё tregjet e financave.

Pjesёmarrja nё zgjedhje ishte rreth 64%. Synimi i reformёs ishte thjeshtimi i sistemit parlamentar me dy dhoma qё janё tё barazvlefshme. Ishte parashikuar qё nga ndёrkohё 315 anёtarё numri i tyre tё ulej nё 100. Po ashtu synohej qё senati tё mos kishte mё mundёsi tё rrёzonte qeverinё dhe tё vendoste vetёm pёr njё numёr tё kufizuar ligjesh.

Kjo parashikohej tё krijonte mё shumё stabilitet nё Itali, ku ka shpesh ndryshime tё qeverisё si dhe t’i jepej fund proceseve tё stёrzgjatura pёr miratimin e ligjeve. Po ashtu rajonet duhej t’i kalonin mё shumё kompetenca Romёs pёr tё pёrshpejtuar projektet e infrastrukturёs.  110 provincat si njёsi administrative mes rajoneve dhe komunave duhej tё hiqeshin.

Renzi shpresonte qё me miratimin e kёsaj reforme do tё kishte mё shumё mbёshtetje pёr ndryshime nё Europё. Pёr partinё e tij demokatike ky rezultat ёshtё njё goditje e rёndё gjatё mandatit tё tij tre vjeҁar. Kundёrshtarё tё reformёs ishin ndёr tё tjera lёvizja kritike ndaj Eruopёs „Pesё yjet”, populistёt e djathtё tё Lega Nordit dhe Forca Itala e ish.kryeinistrit Silvio Berlusconi. (dw)

Lu: SHBA mbështet institucionet e reja kundër krimit dhe korrupsionit

luSHBA do të mbështetin fuqishëm institucionet e reja shqiptare SPAK dhe BKH në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, deklaroi sot ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Ambasadori Lu tha se korrupsioni në nviele të larta ka kosto të tmerrshme në shoqërinë e qytetarëve të thjeshtë të çdo moshe.

Ai tha që pothuajse çdo familje shqiptare është prekur nga inspektorë tatimorë të pangopur që u mbyllin bizneset, biznesmenë të korruptuar me monopole në tregun farmaceutik, dhe që kontrollojnë politikanë në vendimet për tendera dhe prona; gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar kërkojnë para, seks dhe favore të tjera për një vendim gjyqësor korruptiv.

“Korrikun e kaluar, tha ambasadori Lu, parlamenti i bëri popullit shqiptar një dhuratë: miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e strukturës së posaçme anti-korrupsion SPAK dhe të byrosë kombëtare të hetimit BKH. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë këto dy institucione do të krijojnë një kapacitet të pavarur të akuzës dhe të hetimit për të kapur krerët e krimit të organizuar dhe zyrtarët e lartë të korruptuar”.

Ambasadori amerikan tha se pritshmëria e opinionit publik shqiptar për reformën e drejtësi është shumë e lartë dhe ndërkohë partitë kryesore politike i kanë dhënë gjithë besimin e tyre Komisionit të Venecias, që pritet të thotë fjalën e vet.

Të gjitha palët aktualisht janë në pritje të opinionit të Venecias për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Zyrtarët amerikanë dhe shqiptarë i bënë këto komente në një simpozium kundër korrupsionit organizuar nga misioni OPDAT në ambasadën amerikane. Në të folën diplomatë dhe ekspertë nga Kroacia, Rumania dhe SHBA, të cilët sollën përvojat e goditjes së korrupsionit në vendet e tyre. (voa)

Kompania “Carrier”; reagojnë punonjësit

kompania-carrierPresidenti i zgjedhur Donald Trump ka paralajmëruar kompanitë amerikane që të mos zhvendosin operacionet e tyre jashtë vendit. Paralajmërimi pason vizitën që zoti Trump bëri në fabrikën në Indiana, të cilës iu ofruan stimuj në këmbim të mbajtjes së vendeve të punës në Amerikë. Për të mësuar më shumë mbi këtë rast, Zëri i Amerikës dërgoi një korrespondent në Meksikë dhe një tjetër në Indiana.

“Kompanitë nuk do të largohen më nga Shtetet e Bashkuara pa pasoja,” thotë Presidenti i zgjedhur Trump.

Ai po mban premtimin që bëri gjatë fushatës. Në Indiana zoti Trump njoftoi se ulja e taksave do të shmangë largimin e 800 vendeve të punës të kompanisë “Carrier” drejt Meksikës. Por marrëveshja me kompaninë “Carrier”, që prodhon sisteme të ajrit të kondicionuar, është një pjesë e vogël e planeve të zotit Trump. Të dielën, përmes një postimi në Tweeter ai kërcënonte për vendosjen e një tarife prej 35 për qind për mallrat që prodhohen jashtë vendit nga kompanitë amerikane.

Në këtë intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, kryetari i bashkisë së Santa Katarinës në Meksikë, ftoi për vizitë presidentin e zgedhur Trump.

“Ne e ftojmë atë të njihet me njerëzit tanë, me cilësinë e qeverisë, infrastrukturës sonë dhe të kapitalit të huaj që kemi.”

Deri tani ai nuk ka marrë përgjigje nga ekipi i zotit Trump.

Uzina e kompanisë “Carrier” ndodhet në një qytet industrial të Meksikës. Nëse një kompani mbyllet, një tjetër hapet, thotë kryebashkiaku i qytetit. Këtu, punëtorët vlerësojnë trajtimin që u bën kompania “Carrier”, por kërkuan që Zëri i Amerikës të mos i identifikojë, meqë nuk janë të autorizuar të flasin për median.

“Kompania paguan për transport, ushqim, bursa dhe arsimimin e punonjësve. Ajo është një nga kompanitë që paguajnë më mirë këtu,” thotë një mekanik.

Ndërsa në Indianapolis, “Carrier” është një kompani tipike amerikane. Brenda uzinës ka familje dhe breza të ndryshëm punonjësish.

“Unë, nëna, vëllai dhe xhaxhai punojmë këtu,” thotë Will Cornett.

Pesë anëtarë të familjes Cornett punojnë në kompaninë “Carrier”.

Will ishte një mbështetës i hershëm zotit Trump. Ai regjistroi një pjesë të një tubimi të fushatës së zotit Trumë këtu në prill të këtij viti.

Zoti Cornett thotë se ai tani do të qëndrojë në Indianapolis.

“Ai na quajti miq të tij të mirë. Miqtë e mbajnë premtimin.”

Por, për 1200 punonjësit e tjerë të cilët do të humbasin vendet e tyre të punës, gjetja e një pune të ngjashme në Indianapolis do të jetë e vështirë. Këtu ata paguhen mesatarisht 23 dollarë në orë.

“Mund të konkurrojmë në çdo nivel, por jo me 3 dollarë në orë pagë që ata u ofrojnë punonjësve në Meksikë.”

Në lidhje me zotin Trump, presidenti sindikatës thotë se më në fund dikush foli për mbajtjen e vendeve të punës në këtë vend, por me çfarë kosto për taksapaguesit? Në lëvizjen e parë para fillimit të mandatit të administratës Trump, “Carrier” do të përfitojë 7 milionë dollarë në formë të uljes së taksave për të mbajtur gjysmën e vendeve të punës këtu. (voa)

Aplikacioni “Flipagram” ofron muzikë falas

flipagramPërdorimi i muzikës në prodhimin e videove ka qenë gjithmonë një çështje problematike për shkak të së drejtës së autorit. Një aplikacion i mediave sociale, i quajtur “Flipagram” lejon përdoruesit e saj të krijojnë video me muzikë falas. Aplikacioni është gjithashtu një platformë për muzikantët e rinj, muzika e të cilëve mund të dëgjohet nga përdoruesit e këtij aplikacioni në mbarë botën. Drejtuesi i kompanisë që ka krijuar aplikacionin është një imigrant nga Irani. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton nga qendra e kompanisë “Flipagram” në Los Anxhelos.

Muzika dhe videot e grupit muzikor, “PinkFurs”, që përbëhet nga dy motra adoleshente, dëgjohet dhe shikohet në mbarë botën me ndihmën e aplikacionit “Flipagram”.

“Pasi filluam ta përdornim aplikacionin, numri i simpatizuesve të grupit tonë u rrit, më shumë njerëz filluan të shikonin videot tona,” thotë Kiersten Kehoe e grupit “PinkFurs”.

“Është shumë e vështirë të depërtosh në Youtube, Facebook dhe Instagram pasi ato janë aplikacione të shumë të famshme, por Flipagram gradualisht është duke u rritur, dhe ne u futëm në kohën kur aplikacioni filloi të bëhej më popullor.”

Aplikacioni “Flipagram” lejon përdoruesit të postojnë fotot dhe videot e tyre të shoqëruara me një minutë muzikë falas. Mundësia për të zgjedhur muzikën e bën aplikacionin “Flipagram” unik, thotë kreu i kompanisë, Farhad Mohit.

“Avantazhi ynë i madh është se ne kemi më shumë se 50 milionë këngë të liçencuara që përdoruesit tanë mund t’i kombinojnë me fotot dhe videot e tyre. Pra kemi një përzgjedhje fantastike të muzikës.”

Zoti Mohit, një iraniano-amerikan, ka negociuar marrëveshje me të gjitha kompanitë e mëdha të regjistrimit, duke hedhur idenë se media sociale është një mënyrë shumë e mirë për promovimin e muzikës së artistëve të njohur, si dhe atë të artistëve të rinj.

“Këngëtarët dhe grupet në rritje janë ata që e shfrytëzojnë më shumë aplikacionin Flipagram sepse përmes tij ata mund të zgjerojnë bazën e adhuruesve të tyre dhe mund promovojnë muzikën e tyre.”

Përdoruesit mund të blejnë këngët e plota për të krijuar përmbajtje më të gjatë të videove të tyre.

I themeluar tre vjet më parë, “Flipagram” tani ka përdorues në 150 vende dhe aplikacioni është përkthyer në 37 gjuhë të ndryshme. Zoti Mohit, i cili ka patur sukses në shumë kompani të tjera, thotë se historia e tij si imigrant e ka ndihmuar të jetë i suksesshëm.

“Mendoj se imigrantët iranianë, ose imigrantët në përgjithësi, kur vijnë në një kulturë të re, ata duhet të pajtohen me një mjedis të panjohur dhe të përpiqen ta kuptojnë atë. Imigrantëve kanë një ndjesi që nuk mund të shpërdorojnë kohën se nuk kanë një trashëgimi të tyre këtu.”

Nga ana tjetër, “Flipagram” po ndihmon artistët të bëhen më të suksesshëm në industrinë e muzikës.

“Unë dua të jem yll i muzikës rrok. Unë dua të jem një legjendë që mund të dëshmojë aftësitë para të gjithë njerëzve.”

Ndërsa konkurrenca në industrinë e muzikës është tepër e fortë, zoti Mohit është optimist se grupet muzikore si “PinkFurs” dhe krijuesit e tjerë në Flipagram do të tërheqin më shumë vëmendjen e publikut pasi aplikacioni sepse muzikantën uk janë të vetimit që duan të promovojnë krijimet e tyre.

Industri të larmishme janë në kërkim të platformave të videove për të promovuar produktet e tyre në telefonat inteligjentë. (voa)

Ndikimi rus në Shqipëri

shaban-muratiNë Tiranë, diplomati dhe studiuesi Shaban Murati thotë se Rusia ka shtrirë influencën e saj jo vetëm në ato që mund të konsiderohen si shtete sllave në rajonin e Ballkanit por dhe në Shqipëri. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai flet për ndikime në politikën shqiptare, një valë filoruse në mediat e vendit apo shtimin e shoqatave e qendrave studimore që përpunojnë teza e qëndrime në rezonancë me politikat ruse. Zoti Murati shprehet dhe për mundësinë e ndërhyrjeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Zëri i Amerikës: Zoti Murati, javën e shkuar parlamenti europian miratoi një rezolutë kundër asaj që është quajtur si një fushatë propagandistike apo dizinformuese të Rusisë për të sfiduar vlerat demokratike dhe për të ndarë Europën. Ndërkohë prej kohësh është folur për një ndikim në rritje të Rusisë edhe në rajonin e Ballkanit. Sipas jush, sa e pranishme është Rusia dhe ndikimi i saj në rajonin tonë?

Shaban Murati: Mendoj që rezoluta e parlamentit europian reflekton një situatë reale, qoftë të gjenjdes në terren qoftë të burimeve të kërcënimeve që vijnë nga një veprimtar e gjatë e heshtur dhe e qetë, në fushën e propagandës dhe fusha të tjera, elementë ose parametra të së quajturës luftë hibride që zhvillohet mes Lindjes dhe Perëndimit, ose më saktë mes Rusisë nga njëra anë, dhe BE, SHBA e Perëndimit nga ana tjetër.

Eshtë një situatë e cila nuk duhet të befasojë ata njerëz të cilët e kanë ndjekur me kohë situatën. Në mënyrë të vecantë kjo doli në dritë pas ngjarjeve në Ukrainë, ndërhyrjes ushtarake dhe ankesimit të dhunshëm të Krimesë nga ana e forcave ruse, dhe nxitjes apo nisjes së luftës separatiste pro ruse në Ukrainën lindore. Do të theksoja që këto elementë të ndërhyrjes së qetë apo të heshtur rusë në Ballkan apo në Europë, janë jo të rastësishme dhe kanë një shtrirje të gjerë gjeografike e cila bazohet në konceptin e themelor strategji të Rusisë, ose më saktë të Presidentit rus Vladimir Putin, në raportet dhe në synimet e politikës së jashtme ruse në Europë. Unë dua të tërheq vëmendjen në një element i cili për fat të keq në diplomacinë ballkanike, ka kaluar pa u vënë re apo pa u analizaur si dihet. Në Dhjetor të vitit 2014, pak muaj pas agresionit në Ukranië, presidenti Putin shpalli për herë të parë kundërshtimin e tij dhe të Rusisë për të njohur rezultatet e Luftës së Ftohtë. Për herë të parë Kremlini, ngre tezën e rinegocimit të Luftës së Ftohtë dhe të hartimit të një Traktati të ri paqeje mes Perëndimit dhe Rusisë. Ishte një kërkesë në pamjen e parë absurd, 25 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, një situatë e cila krijonte rrethana dhe situate krejt të reja gjeopolitike, por që kaloi në heshtje, në shumë qarqe diplomatike qa më tepër në qarqet diplomatike europiane apo ballkanike.

Unë i kam kushtuar një vëmendje të madhe këtij elementi, sepse të ndihmon që të zbërthesh cila është strategji ruse në Ballkan dhe në Europë. Strategjia është që së pari të mos pajtohet me hartën e re që u krijua pas shembejs së komunizimit. Dhe e dyta për ta rikrijuar në një farë mënre, me mjet të ndryshme, këtë lloj sfere influence që Rusia kishte në kohën e perandorisë sovjektike. Dhe pa dyshim ajo do të përshtatej me kohën e re e nuk mund të ishte e kohës se Cekosllovakisë, as e kohës së Hungarisë apo Polonisë. Do ishte një strategji e re, dhe natyrisht, Rusia dhe presidenti Putin si arkitekt kryesor i kësaj strategji të re rusë në ekspansion drejt kohërave të vjetra të ndikimit rus, ndërmorri një përshtatje, e cila ka qenë zbatimi apo koordinimi i mjeteve të luftës së heshtur, për ta zgjeruar këtë influencë të Rusisë dhe në rajone të tjera. Kjo doli me një forcë më të madhe pas krizës ukrainase. Sepse më krizën e Ukrainës ne kemi përplasjen e parë gjeopolitike të hapur mes BE-së dhe Rusisë. Pa dyshim kjo ishte një përplasje e ashpër dhe mori një rrjedhë e cilë në një farë mënyre ndryshoi edhe karakterin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për mua, Rusia me agresionin në Ukrainë realizoi 11 Shtatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pas Ukrainës ne nuk mund t’I shohim marrëdhëniet ndërkombëtare si më parë.

Kjo do të thotë që efektet e kësaj krize do të zgjateshin dhe do të shtriheshin edhe në rajone të tjera. Dhe logjika më e ftohtë të con te mendimi që do të shtrihej dhe në zona ku hallkat do të ishin më të dobta. Ballkani mbetet hallka më e dobët e arkitekturës europiane të sigurisë. Dhe pas ngjarjeve në Ukrainë ne kemi parë një intensifikim të formave të ndryshme të ndërhyrjes ruse në të gjitha shtetet e Ballkanit, pa përjashtim.

Zëri i Amerikës: Por është thënë shpesh se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende që kanë mbetur jashtë këtij ndikimi. Megjithatë në një shkrim tuajin para disa ditësh ju keni një qëndrim tërësisht të kundërt. Madje shprehni shqetësim dhe e konsideroni mungesën e jehonës në mjedisin shqiptar të rezolutës së PE-së, si pasojë të ndikimit rus…

Shaban Murati: Me të drejtë ju e veçoni Shqipërinë dhe Kosovën si elementë që ngjallin pikëpyetje, sepse tradicionalisht është menduar se ekspansioni rus ose ndikimi apo penetrimi i formave të ndryshme ruse, shtrihet vetëm në shtetet sllave, që janë me shumicë ortodokse, që kanë të njejtin alfabet, ose lidhje të vjetra historike, siç ka Rusia me Serbinë, Maqedoninë apo Malin e Zi. Mendoj se është një vizion jo i saktë, sepse për një njeri që ka ndjekur në mënyrë skrupoloze zhvillimet në Ballkan, e sheh që plani apo ofensiva ruse përfshin të gjitha vendet pa përjashtim.

Rusia së pari do të tentojë shtetet ish komuniste të Europës lindore dhe të Ballkanit, sepse ideologjia e përbashkët e këtyre shteteve që kanë qenë nën të njejtin Traktat ushtarak, pavarësisht se Shqipëria ka qenë deri në vitin 1961, por ka qenë anëtare e Traktatit të Varshavës, anëtare e KNER-it, Komisioni i Ndihmës Ekonomike Reciproke, një bllok ekonomik i drejtuar nga Rusia. Pra Rusia do të tentojë të hyjë në zonat e influencës që kanë qenë në një farë mënyre të legalizuara siç ka qenë Traktati i Varshavës dhe KNER-i.

Elementi tjetër është fakti që përveç vendeve që kanë qenë ish komuniste, Rusia synon shtetet anëtare të Natos apo aspirante për t’u bërë anëtare, siç është rasti i Shqipërisë apo dhe Kosova.

E treta, Rusia po vepron si kundërpërgjigje gjeopolitike ndaj avancimit të perëndimit në Ballkan, pasi shohim që të gjitha shtetet e Ballkanit janë të interesuara të anëtarësohen në BE, asnjë shtet nuk është jashtë proçesit të integrimit, pavarësisht nga nivelet në të cilat ndodhen. Gjë që Rusisë në planin gjeopolitik nuk i intereson. Prandaj ajo do të përpiqet të kundërbalancojë, apo të bëjë atë që unë e quaj ndryshim rregjimi, do të thotë, ndryshimi i kursit të njërit apo tjetrit shtet. Dhe praktika e Ballkanit, qoftë dhe e dy viteve të fundit, na ka treguar se Rusia ka arritur të depërtojë dhe të ketë efekte dhe në shtetet e Ballkanit duke nisur që nga Bullgaria, te Sllovenia apo qoftë dhe Greqia.

Zëri i Amerikës: Në të njejtin shkrim tuajin, flisni për veprime konkrete të ndikimit rus në Shqipëri. Flisni për media, think-tank, që mund të jenë të financuara apo sponsorizuara nga Rusia. Në çfarë shkalle është kjo shtrirje e ndikimit rus në Shqipëri?

Shaban Murati: Në librin tim Rusia Ballkanike të botuar në vitin 2014, arrij në konkluzionin se forca e lobit rus në Shqipëri është më e madhe nga sa ne e kemi menduar. Dhe realisht është e tillë. Do të theksoja disa drejtime. …

Drejtimi i parë është provokimi ose inkurajimi i një antiamerikanizmi politik. Shqipëria është mbajtur si vend proamerikan, proeuropian, apo dhe disa pro të tjera. Rusët dy vitet e fundit janë përpjekur të nxisin zhvillimin e një rryme antiamerikane në Shqipëri. Në Shqipëri ka antiamerikanizëm. Tradicionalisht antiamerikanizmi në Shqipëri ka qenë i majtë, por në vitin 2016 pamë që antiamerikanizmi ishte dhe i djathtë. Pra pamë forca të djathta në Shqipëri që në mënyrën më absurd dolën jo thjesht kundër ambasadorit amerikan, por ishte një qëndrim antiamerikan politik. Fakti që këtu kemi dhe forca të majta por dhe të djathta që dalin me qëndrime kundër SHBA-ve që do të thotë kundër aleancës tonë me SHBA-të, të çon te përfundimi që kjo është një lëvizje ose një profil politik i sponsorizuar nga jashtë, dhe natyrisht shteti më i interesuar për këtë është Rusia.

Së dyti, gjatë dy viteve të fundit, sidomos në vitin e fundit, kemi një valë rusofilie në mediat shqiptare të pa parë gjatë 24 viteve të pluralizimit në Shqipëri. Eshtë një proces i cili për çdo njeri që ka një përvojë të gjatë në shtyp e ka shumë të lehtë të kuptojë prirjet, theksin e një gazete, apo një medie apo portali. Kjo rusofili e cila është bërë fenomen, nuk është aksidentale, mendoj që ka qenë dhe është e sponsorizuar nga Rusia, sepse asaj i intereson ngjallja e kësaj ndjenje fallso të lavdisë, forcës së Rusisë, përpjekja për të përhapur panik, për të trembur publikun dhe orientuar atë drejt një pranimi të cdo veprimi agresiv që Rusia ka bërë që nga Krimea e deri në shtetet e tjera.

Së treti, kemi fenomenin e qendrave studimore apo shoqatave jo qeveritare të cilat qarkullojnë me studime, teza e qëndrime që janë në rezonancë me qëndrimet ballkanike të Rusisë.

Së katërti, ka një përpjekje për ringjalljen e një nostalgjie të vjetër për ish Bashkimin Sovjetik. Kjo nuk ka të bëjë me kulturën ruse apo sovjetike, por thjesht ngjallja e ndjenjave pro rusë, për krijimin e një klime të favorshme që të penetrohet me qëndrime e tezae në një farë mënyre të krijohet dhe klima për ndryshime të karakterit strategjik.

Zëri i Amerikës: Në rezolutën e parlamentit europian por dhe në diskutimet që u bënë lidhur me të, u ngrit shqetësimi dhe i financimit nga ana e Rusisë, në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, në vende të rëndësishme europiane, i forcave politike antieuropeiste. Por në Shqipëri nuk kemi forca të tilla, të paktën deri tanmi askush nuk ëstë shfaqur kundër Bashkimit europian apo procesit të integrimit…

Shaban Murati: Këtu shpesh herë mendohet se është e pamundur kjo kur të gjitha partitë janë proamerikane, proeuropiane. Por është naive të mendosh kështu. Sepse përpjekjet për të ndikuar në Shqipëri janë në forma të ndryshme dhe sidomos kohët e fundit në Ballkan shohim përdorimin e një instrumenti të ri të gjeopolitikës ruse, që është ndërhyrja e Rusisë në zgjedhje. Nuk është një fenomen vetëm ballkanik, është një fenomen që konstatohet dhe në shtete të fuqishme si në SHBA ku në rastin e zgjedhjeve presidenciale patëm akuza dhe nga zyra shtetërore amerikane për ndërhyrje të Rusisë në procesin zgjedhore. Patëm ndërhyje dhe në Britaninë e Madhe në procesin e referendumit për daljen nga BE-ja. Po kemi fakte të ndërhyrjes së Rusisë në zjedhjet në Bullgari, në Mal të zi, në Serbska Republika, në Serbi, në Moldavi, e në Greqi dhe unë nuk e përjashtoj që ky proces zgjedhor që afron në Shqipëri, në një mënyrë ose një tjetër, do të ketë me siguri, dhe ka, unë e kam paralajmëruar këtë dhe në shkrimet e mia, implikim dhe inkurajime të forcave apo institucioneve të specializuara ruse në drejtim të forcave politike të majta dhe të djathta.

Sponsorizimi apo financimi e ndërhyrja ruse nuk është vetëm për të inkurajuar forcat euroskeptike. Por është për të krjuar forca pro ruse. Pra duhet bërë një dallim. Eshtë e njejta gjë që mund të themi për Bullgarinë dhe Moldavinë. Aty nuk është se fituan euroskeptike, por në zgjedhjet presidenciale dolën forcat proruse në pararojë të skenës politike.

Pra dhe në Shqipëri duhet bërë ky dallim. Ne mund të shitemi shumë europianë, por për Rusinë ka rëndësi që në Shqipëri të inkurajohen ato forca që krijojnë trazira, turbullira, problete, që e spostojnë boshtin e orientimit strategjik të Shqipërisë, në fillim për ta ndarë mes SHBA-ve dhe BE-së dhe pastaj mes BE-së dhe Rusisë. Për mendimin tim shumë lëvizje që konstatohen në skenën politike shqiptare, gjatë një viti, në forca të majta, me personalitet të majta apo të djathta, me grupe të majta apo të djatha, nga qëndrimet apo strategjitë që ndjelin, për mendimin tim, më shumë janë të sponsorizuara nga jashtë.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj si duhet reaguar ndaj kësaj situate?

Shaban Murati: Unë e kam quajtur kundër-revolucioni i heshtur rus, për të krijuar erozionin e atyre rezultateve të revolucioneve demokratike që u zhvilluan 25 vjet më parë, që përmbysën rregjimet komuniste dhe që sollën dhe përmbysjen e perandorisë sovjektike. Pra ky kundër-revolucion kërkon të kthejë ato drejtime e orientime apo “vlera” që janë në kundërshtim me ato që ne kërkuam para 25 vitesh.

Reagimet mund të jenë të dy llojshme. Së pari që është më e rëndësishme, reagimi i kompleksit mbrojtës të institucioneve shtetrore të cilat mbahen nga taksapaguesit pikërisht për të ruajtur Shtetin dhe identitetin e vlerat demokratike. Së dyti natyrisht është dhe reagimi që bën vetë klasa politike dhe elita intelektuale shqiptare që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm se qoftë fitorja e revolucioneve demokratike, qoftë aspitatat demokratike, nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, që fitohen dhe i ke të siguruara. Ato duhen mbrojtur. Eshtë si një trup i cili kërkon profilaksinë e vetë dhe këtë profilaksi duhet ta bëjë dhe shteti dhe intelektualët dhe qytetarët.

Kërcënimet kibernetike për administratën e ardhshme amerikane

kercenimet-kibernetikeNjë komision presidencial amerikan i bëri thirrje dje administratës së ardhshme amerikane të ndërmarrë hapa të menjëhershme për forcimin e sigurisë kibernetike në sektorin publik dhe atë privat.

Komisioni për Forcimin e Sigurisë Kombëtare Kibernetike, në përbërje të të cilit janë edhe 12 ekspertë të pavarur të teknologjisë dhe sigurisë kompjuterike, i paraqiti një raport Presidentit Barack Obama me një seri rekomandimesh që duhen zbatuar brenda një periudhe 2 – 5 vjeçare.

Rekomandimet përfshijnë edhe propozimin për krijimin e dy posteve të reja në administratën e re Trump, një ndihmës të presidentit për sigurinë kibernetike, si dhe një ambasador për sigurinë kibernetike që do të bashkëpunojë me vendet e tjera për sigurinë ndërkombëtare.

Komisioni gjithashtu i bën thirrje administratës së re Trump që të trajnojë 100 mijë punonjës të rinj të sigurisë kibernetike deri në vitin 2020, si dhe të shmangë fenomenin e vjedhjes së identitetit duke eleminuar sistemin tradicional të fjalëkalimeve deri në vitin 2021.

Komisioni i bën gjithashtu thirrje qeverisë të marrë më tepër përgjegjësi për sigurinë e internetit duke ndihmuar kështu përdoruesit individualë.

Nëpërmjet një deklarate, Presidenti Obama i bën thirrje zotit Trump dhe Kongresit që t’i shfrytëzojnë këto rekomandime si një udhëzues, megjithëse nuk është e qartë nëse zoti Trump do ta pranojë këtë sugjerim.

Zoti Trump ka bërë një sërë premtimesh për të rritur sigurinë në rrjet gjatë administratës së tij. Ai ka premtuar edhe krijimin e një “ekipi mibkqyrës kibernetik” të përbërë nga ekspertë dixhitalë ushtarakë, civilë dhe privatë që do të bashkëpunojnë me të gjitha agjensitë federale për të rritur sigurinë.

Sipas zotit Trump, ky ekip do të punojë fillimisht për të përmirësuar sistemet më sensitive të SHBA-së, dhe më tej do të vazhdojë punën me të gjitha sistemet e tjera. (voa)