Shtëpia e Thomas Edisonit

thomas-edisonEdhe pse kur përmendet emri i tij, mendohet rreth llambës elektrike, Thomas Edisoni gjatë jetës së tij krijoi qindra pajisje mekanike dhe elektrike të cilat ndryshuan jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Shtëpia ku ai jetoi dhe punoi në Nju Xhersi, tani është një objekt nën kujdesin e Shërbimit Kombëtar amerikan të Parqeve. Atje vizitorët mund të krijojnë një ide më të mirë se si ishte jeta e përditshme e shpikësit më të madh të Amerikës. Vizitori i parqeve kombëtare Mikah Meyer i cili është në një mision për të vizituar më shumë se 400 vendet të mirëmbajtura nga Shërbimit Kombëtar i Parqeve ishte aty dhe ndau disa nga përshtypjet e tij me Zërin e Amerikës.

Thomas Alva Edison konsiderohet shpikësi më i madh i Amerikës.

Ai njihet për shpikjen e llambës elektrike në vitin 1879. Por ai shpiku ose përmirësoi më shumë se një mijë produkte të tjera.

I preferuari i tij, thonë historianët, ishte gramafoni, pajisja e parë që mund të luante muzikë.

Ky regjistrim i vitit 1888 besohet të jetë një nga më të hershmit që ekziston i zërit të Edisonit.

Ai ishte gjithashtu një nga shpikësit e parë të kameras.

“Gjendem në Parkun Historik Kombëtar Thomas Edison në Nju Xhersi, ku pas meje ndodhet një laborator tre-katësh ku janë prodhuar disa nga shpikjet më të famshme të Edisonit”.

Vizitori i parqeve kombëtare Mikah Meyer kaloi një ditë i zhytur në historinë e Edisonit, në shtëpinë dhe laboratorin e shkencëtarit.

“Është një vend i përshtatshëm për të bërë një video me telefon sepse, po të mos ishte për shpikjet e Edisonit, ky telefon dhe energjia që e karikon atë nuk do ekzistonin” thotë ai.

Pjesa më e madhe e vendit është ruajtur si më parë…

“Ai kishte këtë bibliotekë të mahnitshme ku mbante shënimet e tij, dhe ngjitur ndodhet fabrika. Çdo gjë ishte këtu, në mënyrë që projektimet, ndërtimet, dhe transporti të bëhej nga shtëpia e tij”.

Me 400 mijë objekte dhe mbi pesë milionë fletë dokumentash, vendi duket pak a shumë si ishte kur Edisoni punonte këtu.

Gjithashtu në këtë vend ndodhet “Black Maria”, që konsiderohet të jetë ndërtesa e parë në botë e ndërtuar vetëm për prodhimin e filmave.

Përpjekjet e hershme të Edisonit në prodhimin e filmave bënë të mundur arritjet e mëdha në prodhimin e filmave… dhe gjithashtu bënë të mundur krijimin e çdo forme të medias dixhitale që është pjesë e pandarë e kulturës moderne në ditët e sotme. (voa)

DioGuardi: Maqedonia është një shtet aparteidi në mes të Evropës, Federalizimi opsion

dioguardiKryetari i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, ish –Kongresmeni Joseph Dioguardi, në dëshminë e tij të fundit para Komitetit të Kongresit për Punë të Jashtme në Washington kishte përmendur opsionin e federalizimit për Maqedoninë.

Ja thekset e tij nga fjalimi në Kongres:

Për Maqedoninë: Shqiptarët përfundimisht duhet të trajtohen si një partner i barabartë në një shtet i cili nuk ka asnjë etni me shumicë absolute. Aty ka bullgarë, sllavë, dhe shqiptarë. Kur ky shtet u krijua, sipas kushtetutës së vitit 1992, u krijua si një shtet maqedonas, dhe ky botëkuptim ende i lëndon shqiptarët dhe i trajton ata si të pabarabartë. Opsion tjetër mbetet federalizimi, për të cilin është folur edhe në fillim vitet e 1990-ta. Dhe nëse kushtetuta nuk ndryshohet për të pranuar shqiptarët si popull shtetformues, atëherë shpëtimi i Maqedonisë është federalizimi – pra një Federatë që u jep të drejtë administrative, financiare, dhe shoqërore, mbi menaxhimin e jetës së vet trojeve të banuara me shqiptar në njërën anë, dhe maqedonasve në anën tjetër. Problemi që kemi në Maqedoni është shumë i kjartë – bardhë e zi: Maqedonia është një shtet aparteidi në mes të Evropës! Shqiptarët nuk jetojnë bashkë me maqedonasit – ata jetojnë të ndarë, por të pabarabartë. Ky është problemi. Tanimë e keni Gruevksin të ekspozuar nga lideri i opozitës sllavo-maqedonase, si një nga pushtetarët me të korruptuar në Evropë. Dhe shqiptarët ende po qëndrojnë të qetë atje deri sa të gjendet një zgjidhje e duhur… (B.Sina/INA)

Asociacioni i Komunave Serbe ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës

shpend_ahmetiI pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një interviste për “Zërin” mohon që Unioni i Komunave Shqiptare në Ballkan të jetë një kundërpërgjigje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Thotë se Unioni nuk ka fuqi ekzekutive në asnjërën prej këtyre shteteve, shkruan “Zeri.info”.

Ahmeti ndër të tjera thotë se Asociacioni i Komunave Serbe ka për qëllim rrënimin e shtetit të Kosovës, duke shtuar se ideja e tyre është qe të kenë edhe fuqi ekzekutive.

Zëri: A është kjo njëfarë kundërpërgjigje për Asociacionin e Komunave Serbe apo jo?

Ahmeti: Absolutisht jo. Domethënë, Asociacioni i Komunave Serbe është një ide komplet tjetër me qëllim të rrënimit të funksionimit normal të shtetit të Kosovës dhe ideja e tyre është që të kenë edhe fuqi ekzekutive. Ne thjesht po e bëjmë një rrjet të komunave shqiptare, që është platformë e bashkëpunimit. Ne nuk kemi fuqi ekzekutive në asnjërin prej këtyre shteteve si rrjet. Ne e kemi edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, është thjesht sikurse plot rrjetet e tjera ku jemi. Tash dikush mund ta quajë përse kështu, përse ashtu? Por nuk na ka çuditur apo së paku mua nuk më ka çuditur reagimi i Serbisë edhe atë prej kryetarit të Serbisë.

Dorëzohen në Gjykatë dhe Prokurori dëshmitë e pafajësisë së gjashtë aktivistëve

lvvAktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Themelore dhe poashtu Prokurorinë Themelore materialet me video ku dëshmohet pafajësia e gjashtë aktivistëve të Lëvizjes, të arrestuar para më shumë se 3 muaj dhe duke u hetuar për terrorizëm. Ky sistem i drejtësisë që i trajton ata si të dyshuar për  sulmin mbi Kuvendin e Kosovës, tashmë i ka edhe provat se aktivistët nuk kanë qenë fare as afër vendit ku ka ndodhur sulmi atë natë.

“Tashmë faktin që aktivistët e nuk kanë qenë aty dhe alibinë e dëshmuar me video dje në konferencën e Lëvizjes, e ka parë gjithë opinioni në Kosovë, por meqë mund të ketë hapësirë për keqkuptime, ne sot i kemi sjellë nga një kopje të kësaj videoje edhe prokurorisë e edhe gjykatës”, ka thënë aktivisti Valdrin Ahmeti pas dorëzimit të alibive në Gjykatë.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë që po mbahen padrejtësisht në burg: Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, dhe aktivistët Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi që po mbahen në arrest shtëpiak.

“Deri më tani, përveç fotografive nga disa markete dhe fotografive nëpër bankomate, hetuesia dhe prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë provë bindëse as për t’i mbajtur 48 orë, e lëre më 95 ditë siç po ndodhë”, shtoi më tej Ahmeti.

Pikërisht duke vujatur padrejtësisht burgun nga ky proces gjyqësor i montuar politikisht, vdiq në rrethana shumë të dyshimta shkoku dhe bashkeaktivisti yne Astrit Dehari. Siç dëshmohet edhe nga videoja Astriti dhe 5 aktivistët e tjerë nuk kanë të bëjnë fare me rastin, dhe shteti duhet të japë përgjegjësi për burgosjen e tyre.

Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi në Kosovë, nuk do të ndalemi së kërkuar Drejtësi për Astritin deri sa të zbardhet i gjithë rasti. Nuk do të ndalemi së kërkuari Drejtësi për aktivistët që po mbahen padrejtësisht nëpër burgje e arreste shtëpiake. (LVV)

PDIU: Deklarata e ministrit grek, absurde. Kërcënimet e tij pa vend

pdiuPartia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Mbrojtjes grek drejtuar Tiranës zyrtare.

“Nëse ministrat e Mbrojtjes bëjnë politikë të jashtme me manovra ushtarake dhe shpallje pompoze në kufirin e fqinjit, anëtar i NATO-s, atëherë rezultati është katastrofik. Ky është rasti i ministrit grek të Mbrojtjes, Kamenos, kur flet për çamët, etj”, thuhet në reagimin e PDIU.

Sipas PDIU, Kamenos është kryetar i një partie të njohur për ekstremizmin, qëndrimet anti-semite e anti-europiane, që i konsideron udhëheqësit e Gjermanisë së sotme si neonazistë.

“Tani konsideron çamët pa dallim si bashkëpuntorë të nazistëve. Historinë dhe të drejtën ndërkombëtare e ka infektuar Greqia, nëpërmjet manipulimit të saj dhe genocidit ndaj komunitetit çam. Shqipëria duhet të mbajë qëndrime të prera ndaj këtij ministri që nuk kupton se ne sot jemi anëtarë të NATO-s, njëlloj si Greqia, ndaj gjuha e kërcënimit nuk ka vend”, vijon reagimi.

Në vijim deklarata e plotë e PDIU-së

“Dje ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kamenos, nga një zonë e kufirit shqiptaro-grek, pas organizimit të manovrave ushtarake provokative kundrejt një vendi fqinj, anëtar i NATO-s, vendosi të provokojë edhe me fjalë Shqipërinë dhe vende të tjera anëtare të Aleancës.

Ai, duke iu referuar çështjes çame të ngritur nga kryeministri Rama, tha se bëhet fjalë për bashkëpunëtorë të nazistëve dhe kjo çështje helmon historinë dhe të drejtën ndërkombëtare.

E vërteta është krejtësisht e kundërta e asaj që tha kryetari i një partie antisemite, antieuropiane, parti me frymëzim fetar fondamentalist.

Kur politika e jashtme bëhet nga ministri i Mbrojtjes veshur me rroba lufte, në një zonë kufitare, mund të presësh vetëm deklarime të tilla absurde.

Çështja çame është një çështje genocidi të Greqisë, që u zhvillua në mënyrë të pandërprerë nga paraardhësit e Kamenos, për ta përmbyllur me spastrimin e këtij komuniteti në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Greqia e Zervasit spastroi gjithë komunitetet e huaja, madje duke bashkëpunuar me gjermanët dhe është e pafalshme që këto vepra kriminale të justifikohen sot nga politikanë të demokracisë.

Helmimi i historisë dhe po ashtu i së drejtës ndërkombëtare, për të cilën flet Kamenos, vazhdon prej politikanëve si ai që duan të vetidentifikohen si pasuesit e Zervasit.

Kamenos nuk mund ta ndalë në asnjë mënyrë as rikthimin e dinjitetit në politikën e jashtme shqiptare dhe as ndërkombëtarizimin e çështjes çame, që u duk qartë në letrën e komisionerit europian Hahn.

Ne duam t’i themi këtij ministri anti-semit e anti-europian se, komuniteti çam nuk mund të vizatohet sot në kohë lirie si komunitet bashkëpunëtor i nazizmit.

Lexoni historianët realistë grekë, lexoni burimet amerikane që konfirmojnë se pikërisht mosbashkëpunimi i shqiptarëve çamë me pushtuesit italianë solli dështimin e tyre në Greqi.

Por Kamenos, i ngrehur me rroba ushtarake, do të lexojë vetëm historinë që shkroi Zervas me gjakun e mijëra grave, pleqve dhe fëmijëve çamë”.

/ Top Channel

Ministri grek i Mbrojtjes: Të papranueshme deklaratat fyese të Tiranës

kamenosMinistri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, në një deklaratë të bërë nga posta kufitare greke në Molivdhoskepasti, në kufijtë me Shqipërinë, vetëm disa km larg Çarshoves, ka përcjellë një mesazh ndaj Ankarasë dhe Tiranës.

“Është përgjigjja jonë ndaj të gjithë atyre që guxojnë të vënë në dyshim marrëveshjet ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare dhe bëjnë deklarata sfiduese ndaj nesh”, ka thënë Kamenos.

Në fillim ai i është drejtuar Turqise, duke i cilësuar madje deklaratat e Erdoganit, që kërkon ndryshimin e Traktatit të Lozanës për kufijtë me fqinjët, si deklarata idiote. Ndërsa më pas i është referuar edhe Shqipërisë dhe acarimeve të fundit me Tiranën zyrtare.

“Deklaratat e fundit të zotit Rama, deklarata që nuk kanë bazë historike, duhet të na sjellin ndërmend se ata për të cilët ai flet ishin bashkëpunëtorë të nazistëve, ishin ata që qëndruan në anën e të humburve në luftë. Ne nuk do pranojmë këto sfida, këto deklarata që fyejnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Kamenos.

Ministrin grek e ka shoqëruar në këtë inspektim në këtë pikë të largët kufitare të Greqisë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ushtrisë, zv/gjenerali Vasilis Telidhis, si dhe disa zyrtarë dhe oficerë të lartë të ministrisë, të cilët madje kanë qëndruar bashkë me te për më shumë se 24 orë në postën kufitare të kësaj zone.

/ Top Channel

Itali: Referendumi kërcënim për euron?

Tregjet financiare janë nervoze para referendumit në Itali, sepse në rrezik është edhe eurozona.

renziPas votës së Britanikëve për Brexit-in dhe fitores se Trumpit në SHBA, referendumi i 4 dhjetorit në Itali po prezantohet si ngjarje vendimtare. Nëse italianët do të votojnë me Po, atëhere vendi mund të reformohet me themel, beson kryeministri Matteo Renzi, nëse votojnë me Jo, ky mund të jetë fillimi i fundit të eurozonës.

Shumica e anketimeve flasin për një Jo, pra për refuzimin e reformës kushtetuese, e cila do ta pakësonte pushtetin dhe madhësinë e Senatit, dhomës së dytë të parlamentit. Bashkë me ndryshimin e ligjit zgjedhor të miratuar këtë verë, kjo do të lehtësojë punën e qeverisë, sepse partia që do të fitojë në të ardhmen 40% të votave, do të ketë në parlament shumicën absolute. Në këtë mënyrë ajo mund të realizojë reformat urgjentisht të domosdoshme.

Dobësia e reformave

Politika italiane ka vuajtur gjithmonë prej dobësisë, dhe në 70 vitet e fundit ka pasur 63 qeveri. Christian Dunstmann, profesor për ekonominë në University College në Londër, thotë për DW-në se “qeveritë italiane kanë dështuar pikërisht, kur janë përpjekur të ndërmarrin reforma.”

Tregjet financiare janë nervoze tani para referendumit. Përqindjet e interesit për bonot e thesarit italian të shtetit janë dyfishuar me më tepër se 2% – një tregues që investitorët llogarisin se do të shtohet pasiguria. Sipas tyre një Jo në referendum do të thotë fitore e populistëve dhe kundërshtarëve të euros.

Papunësi e lartë

Renzi erdhi në pushtet para tre vitesh si reformator. Dunstmann-i thotë se ai ka bërë disa gjëra në drejtimin e duhur, si p.sh. reformimin e ligjit të punës, e cila ua bën më të lehtë sipërmarrjeve pushimin e personelit. Po ashtu ai ka arritur edhe lehtësime fiskale për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla.

Reforma kushtetuese është nëna e të gjitha reformave, thotë Jërg Buck, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë Gjermano-Italiane në Milano, i cili thotë se qeveria i ka bërë detyrat e saj të shtëpisë. Por gjendja e vështirë ekonomike e dobëson pozitën e Renzit. Po ashtu rreth 12% e italianëve janë të papunë, kurse në radhët e të rinjve papunësia është rreth 40%.

Ekonomia është sot më e dobët se para dhjetë vjetësh, dhe borxhi i shtetit është mbi 130% e PBB-së. Italia renditet kështu direkt pas Greqisë.

Problemi qëndron tek euroja

“Rreziku më i madh për Italinë nuk është referendumi, por stanjacioni ekonomik”, mendojnë analistët. “Problemi është se me anëtarët e sotëm të eurozonës, euroja nuk funksionon dhe është po ashtu tejet josociale.” – thotë Charles Dumas nga LSR. Gjermanët kanë nevojë për një politikë krejt të ndryshme monetare nga italianët dhe kjo u jep populistëve një bazë solide.

Pas referendumit në Itali ata kanë disa mundësi të tjera për të tronditur Evropën. Zgjedhjet në mars 2017 në Holandë, në prill ato në Francë dhe në vjeshtë në Gjermani. Në këto vende ka parti të forta populiste të djathta që e refuzojnë euron dhe BE-në. Në Itali zgjedhjet e rregullta zhvillohen në pranverën e vitit 2018, kuptohet në rast se Renzi vazhdon ta mbajë pushtetin. (dw)

Kosovë: Gjykata Speciale fillon punimet më 1 janar 2017

Holanda ka rafitikuar Marrëveshjen që të ofrojë selinë e Gjykatës Speciale për krimet e luftës nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

gjykataGjykata Speciale do të fillojë të funksionojë nga fillimi i vitit 2017, respektivisht nga 1 janari i këtij viti. Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, ku edhe thuhet se ajo të fillojë funksionimin nga 1 janari 2017. Në kumtesë nënvizohet se Marrëveshja që Holanda të jetë shtet i selisë së kësaj Gjykate, është mirëpritur edhe nga institucionet e Kosovës, respektivisht Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Marrëveshja siguron bazat ligjore për Dhomat e Specializuara në Kosovë, që të fillojnë procedurat ligjore në Holandë, nga fillimi i vitit 2017.

Hetimet sipas ligjit

Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale, David Schwendiman, ka qëndruar muajin e kaluar në Kosovë dhe Serbi ku është takuar me autoritetet më të larta ndërkombtare dhe ato vendase. Gjatë qëndrimit është thënë se përgjegjësia për krime gjatë kohës së luftës do të jetë personale dhe jo mbi bazën e përgjegjësisë komanduese. Megjtihatë, në opionion janë lakuar shumë emra, të cilët mund të gjenden para Gjykatës Speciale, ndër ta edhe persona në pozita të larta të shtetit. Schwendiman ka theksuar se hetimet do të jenë  profesionale dhe mbi bazën e fakteve, pa ia mbajtur anën askujt.

Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000 dhe do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. (dw)

Kërcënimet nga ndryshimi i taktikave të veprimit të ISIS-it

isisSenatori republikan, Bob Corker, tha se administrata e re amerikane do të mund të përballet me një gamë të re problemesh derisa grupi militant Shteti Islamik po ndryshon qasjen duke u përqendruar në shpërndarjen e ideologjisë radikale dhe nxitjen e veprimeve t dhunshme jashtë territoreve qe kontrollonte deri tash.

Gjatë një dëgjimi në komitetin për marrëdhënie me jashtë të Senatit amerikan mbi “të ardhmen e strategjisë kundër terrorizmit”, ai tha se derisa po vazhdon operacioni në Mosul dhe fushata në Raqqa, ISIS-i mund të humbë shumë shpejt territoret më të rëndësishme që mbante nën kontroll.

“Derisa ISIS po ndryshon nga një organizatë që synonte mbajtjen e territoreve, në një organizatë të përqendruar më shumë në frymëzimin dhe drejtimin e dhunës dhe shpërndarjes së ideologjisë radikale, administrata e ardhshme do të përballet me një gamë të re e mbase edhe më të llojllojshme të problemeve”, tha ai.

“Ne tashmë e kemi parë se si ISIS-i dhe grupet tjera kanë përdorur taktika të ndryshme – nga rrjetet e organizuara që kryen sulme të bashkërenduara në Evropë deri tek bombardimet e mëdha vetëvrasëse ë botën arabe, tek sulmet e frymëzuara të ‘ujqërve të vetmuar’ si ato që ndodhën në qytetin tim Chattanooga, Orlando, San Bernardino dhe këtë javë në Universitetin Shtetëror të Ohios”, tha senatori Corker duke theksuar se “ISIS-i dhe Al Qaeda e kanë dëshmuar se mund të jenë mjaft elastik përballë trysnisë së skajshme duke e ndryshuar veten dhe duke shfrytëzuar konfliktet gjithandej nëpër botë për të lëshuar rrënjë në popullatën lokale”.

Shqetësime të ngjashme ka ngritur edhe policia evropiane (EUROPOL), sipas së cilës derisa ISIS-i po humbë territore në Lindjen e Mesme, modeli i sulmeve të fundit terroriste në Evropë lë të kuptohet se ai tashmë ka përshtatur taktika të reja për sulme në perëndim.

Këto shqetësime janë ngritur ne raportin e Qendrës së EUROPOL-it për luftë kundër terrorizmit, që është publikuar të premten. Raporti përmbledh vlerësimet për kërcënimet që paraqet ky grup për BE-në dhe bazën mbi të cilën vendet anëtare mund të përgatiten për sulmet e ardhshme.

Aktualisht, thuhet në raport, BE-ja përballet me një varg kërcënimesh terroriste: nga grupet e organizuara tek ‘ujqërit e vetmuar'; sulmet e drejtuara nga ISIS-i tek ato të frymëzuara prej tij; nga përdorimi i mjeteve shpërthyese e armëve automatike tek armët e ftohta dhe makinave; sulmeve të përgatitura me kujdes dhe atyre të kryera spontanisht.

Në raport thuhet se mund të ketë përpjekje të reja për “sulme të tjera në BE, qoftë nga ‘ujqërit e vetmuar’ apo grupet. Sipas vlerësimeve të disa shërbimeve të zbulimit lënë të kuptohet se dhjetëra njerëz të drejtuar nga ISIS-i mund të jenë të pranishëm në Evropë me mundësi për të kryer sulme terroriste”.

Përveç Francës e Belgjikës, të gjitha vendet tjera anëtare të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it mund të jenë në shënjestër të terroristëve të drejtuar nga ISIS-i, thuhet në raport në të cilin tërhiqet vërejtja se skenari më i mundshëm është përdorimi i “mënyrës së njëjtë të veprimit”, përfshirë edhe armët e ngjashme të përdorura në sulmet e mëhershme.

EUROPOL-i tërheq vërejtjen që nëse ISIS-i mundet apo dobësohet shumë në Siri dhe Irak, mund të ketë një kthim të luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre dhe se ekspertët e kundër terrorizmit pohojnë se ISIS-i mund të fillojë planifikimin dhe kryerjen e sulmeve nga Libia.

Në raport thuhet mes tjerash se ISIS-i mund të përdorë forma të ndryshme të dhunës, rrjetet kriminale por edhe krizën e refugjatëve, ndërsa tërhiqet vëmendja në ekzistimin edhe të grupeve të tjera që mund të paraqesin kërcënim për perëndimin.

Vlerësimet e organizatave të ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit flasin për rreth 6 mijë luftëtarë nga Evropa që mund t’u jenë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak.

Afro 4 mijë e 200 prej tyre janë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe pjesa më e madhe, rreth 2 mijë e 800 prej tre janë nga katër vende: Belgjika, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.

Rreth 900 luftëtarë nga Ballkani mund t’u jenë bashkuar konflikteve pas shpërthimit të luftës në Siri. (voa)

Ekspozita “Mineralet në Mjekësi”

mineraletMineralet janë elemente thelbësore për shëndetin e trupit të njeriut. Ato janë përbërës të ilaçeve të rëndësishme dhe përdoren si burime ose komponente të pajisjeve të sofistikuara mjekësore. Qendra Klinike e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në Uashington ka hapur një ekspozitë të veçantë për të nxjerrë në pah rolin e tyre të rëndësishëm.

Mineralet ekspozuara në Qendrën Klinike të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë duken si gurë të çmuar në dyqanet e bizhuterive. Por ekspozita me titull “Mineralet në Mjekësi” shpjegon se si substancat që mund të nxirren nga toka luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut, ilaçet dhe trajtimet mjekësore.

“Secili mineral ka një rol të ndryshëm. Disa janë tepër të rëndësishëm, si antibiotikët ose argjendi. Të tjerët janë të rëndësishëm sepse ndihmojnë në trnasferimin e proteinave të caktuara, si për shembull bakri. Fluori është i rëndësishëm për shëndetin e dhëmbëve. Pra, ato kanë funksione të ndryshme dhe për këtë arsye janë kaq të rëndësishme,” thotë John Gallin, drejtor i Qendrës Klinike.

Drejtori i Qendrës Klinike thotë se këto minerale janë gjithashtu komponentë të rëndësishëm në disa nga pajisjet më të sofistikuara mjekësore të përdorura në spitale në të gjithë botën.

“Për shembull berili, një kristal i bukur, është shumë i rëndësishëm në pajisjet tona të kontrollit dhe diagnostikimit si radiografia e kompjuterizuar apo mamografia”.

Les Folio, radiolog në Institutit Kombëtar të Shëndetit thekson rëndësinë e mineraleve të tjera si kuarci, të cilat janë gjithashtu komponente kritike për pajisjet mjekësore.

“Këto imazhe të radiografisë së kompjuterizuar tani na ofrojnë informacion tre-dimensional. Ju mund të shihni mushkëritë dhe organet e brendshme. Këto zona të gjelbra janë nyjet limfatike nga metastazat e kancerit. Radiografia i kap shumë mirë këto probleme falë mineraleve të paraqitura në ekspozitë”.

Gipsi, i nxjerrë kryesisht në Spanjë, ka qenë prej kohësh një element thelbësor në stomatologji.

“Gipsi, në këtë rast përdoret për të krijuar derdhjen e formës së nofullave dhe dhëmbëve të pacientit për qëllim diagnostikimi.”

Dyzet mineralet e paraqitura në ekspozitë janë huazuar nga Muzeu Kombëtar i Historisë Natyrore i Institutit Smithsonian. “Mineralet në Mjekësi” është pjesë e ekspozitave të vazhdueshme të artit në qendrën klinike të Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë.

“Ndikimi i artit mbi shëndetin është shumë intrigues dhe ndoshta shumë i rëndësishëm. Arti mund të jetë pikturë, muzikë, apo gjëra të tilla si kristalet dhe mineralet që i bën njerëzit të buzëqeshin dhe të ndjehen më mirë.”

Zoti Gallin shpreson se vizitorët do të fillojnë të vlerësojnë rolin kritik që mineralet kanë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. (voa)