Kurti: Shtratin e murit e ka ndërtuar Isa Mustafa

kurtiIsh-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se gara e Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit se cili do ta rrënojë murin dhe si, vetëm sa e mobilizon Serbinë dhe i demobilizon shqiptarët.

Ai në debatin për murin ilegal në veri të Mitrovicës, ka thënë se është me rëndësi të dihet që përfaqësues të UÇK-së të dihet çka kanë bërë në vitin 1999, kur është ndarë Mitrovica.

“Nuk është çështje bukurie e shëmtie, është çështje morale, etike, politike, shtetërore e kombëtare, vetëm ashtu do të zgjidhet drejt. U pa një garë e Thaçit, Veselit dhe Mustafës se cili do ta rrënojë murin dhe si, a me eskadrona, a me eskavator, a me ku e di se si, pra kjo garë me cilin ministri do të bëhet vetëm sa e mobilizon Serbinë e paralajmëron Serbinë dhe i demobilizon shqiptarët, nuk tregojnë kur, s’ka afate kjo gjë, po këta edhe kur të tregojnë kur janë të rrezikshëm sepse e lejnë punën në gjysmë si me 25 korrik të vitit 2011”, tha ai. (rtk)

 

Shqipëri: hyn në fuqi ligji i Vetting-ut hapet rruga përzbatimin e reformës në drejtësi

Në Shqipëri hyn në fuqi ligji i Vetting-ut dhe hapet rruga përzbatimin e reformës në drejtësi. Gjykata Kushtetuese vendos të hedhë poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për ta shpallur ligjin antikushtetues.

cekani-i-drejtesiseViti 2017, që do të mbrrijë pas disa ditësh , mund të hyjë në histori. Që javët e  tij të para pritet të fillojë zbatimi i Ligjit të Vetting-ut, motorit të Reformës të shumëpritur në Drejtësi. Ligji i ka gjasat që të bëhet funksional menjëherë pas vendimit të sapo marrë të Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar kërkesën e PD-së në opozitë për ta shpallur atë antikushtetues. Me shumicë votash- 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese votuan pro ligjit të Vetting-ut dhe 2 kundër. Gjykata. më e lartë në Shqipëri, la në fuqi ligjin që ajo pezulloi para 2 muajsh pas ankimit të PD-së, sipas së cilës ligji në fjalë cënonte të drejtat e njeriut dhe i mundësonte qeverisë kontrollin e sistemit të drejtësisë. Në marrjen e vendimit të saj Gjykata Kushtetuese pati mbështetjen e Komisionit të Venecias, trupës më të lartë këshillimore të Këshillit të Europës që dha opinion pozitiv për Ligjin e Vetting-ut.

” Dispozitat e Ligjit të Vetting-ut  nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në tërësi  ky ligj është pozitiv. Ligji i Vetting-ut është  i nevojshëm për Shqiperinë”, vlerësoi ky komision në opinionin e tij. Por në vendimin e Gjykatës Kushtetuese pati ndikimin e vet edhe presioni në rritje i shoqërisë civile me peticione dhe thirrje të shumta për të mos u bërë pengesë në zbatimin e reformës duke e shpallur ligjin antikushtetues. Pa lënë menjëanë e rolin e apeleve këmbëngulëse të politikanëve të nivelit të lartë të vendeve të BE-së për ta filluar pa vonesë znbatimin e reformës, më i freskëti prej të cilëve, ai i Ministrit gjerman të Shtetit për Çështje Europiane,  Michael Roth, i cili vizitoi (19.12) Tiranën. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet historik nëse kihet parasysh edhe konflikti i intertesit që gjyqtarët e saj kanë me Ligjin e Vetting-ut, pasi edhe ata, siç këshillon Komisioni i Venecias, do t’i nënshtrohen skanerit të Vetting-ut për burimin e pasurive të tyre dhe pastërtisë së  figurës.

B-ja do ta mbështesë Shqipërinë

Reforma në Drejtësi është mbështetur fuqimisht që në fillimet e saj, rreth dy vjet më parë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Kjo mbështetje i ka dhënë konsensus ndërkombëtar kësaj reforme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e vlerësoi në përputhje me Kushtetutën Ligjin e Vetting-ut dhe e la atë në fuqi, u vlerësua dhe u përshëndet fuqimisht prej tyre.Në një deklaratë për mediat BE nxit autoritetet e Tiranës të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Komisioni Europian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi Vetingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”, theksohet në deklaratë. Ndërsa SHBA-ja në deklaratën e saj u bën thirrje “të gjitha partive politike dhe drejtuesve të Shqipërisë të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese , të punojnë me shpejtësi, për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë”theksohet në këtë deklaratë. Kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke shkruar në rrjetet Sociale, se “Ata (PD) e vonuan por nuk mundën ta ndalonin atë.  Tani ka ardhur koha të shohim zbatimin e ligjit të Vetting-ut”.

Çfarë pritet të sjellë Vetting-u?

Vetting-u synon që në Shqipëri të mos ketë më të paprekshëm, që dora e drejtësisë të kapë dhe të dënojë jo “peshq të vegjël” si deri më tani por “peshkaqenë” , pushtetarë dhe zyrtarë të lartë të korruptuar duke nisur kështu shembjen e cultures së pandëshkueshmërisë, pothuajse “të betonizuar ” gjatë viteve të tranzicionit.  Të 71 nenet e tij përcaktojnë qartë se si do të realizohet procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata do të kontrollohen për pasuritë e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Gjithë procesi vendimmarrës në vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve do të mbikqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Sipas ligjit, gjetjet e vëzhguesve ndërkombetarë gjatë procesit të vlerësimit janë një provë thelbësore. Nëse këto gjetje refuzohen nga strukturat përkatëse që do të bëjnë vetting-un, atëhere ato detyrohen të japin me shkrim arësyet e vendimit të tyre për një gjyqtar apo prokuror, që përjashtohet nga sistemi i drejtësisë si i inkriminur apo i korruptuar apo që mbetet në sistem. Në muajt e parë të vitit 2017 do të shihet ecuria e zbatimittë ligjit të Vetting-ut, por duke pasur këmbët në tokë reformës në drejtesi do t’i duhen vite që të japë rezultatet e saj.

Ligji i Vetting-ut dhe negociatat e anëtarësimit me BE-në

Zbatimi i ligjit të Vetting-ut dhe rezultatete tij në muajt e pare të vitit 2017 përbëjnë kushtin kryesor nga BE-ja për Shqipëinë për hapjen e negociatavetë anëtarësimit. Nëse rezultatet janë positive dhe të prekshme atëherë Komisioni Europian pritet t’u sugjerojë vendeve anëtare të BE-së hapjen e negociatave. Në prag të vendimit të (22.12) të Gjykatës Kushtetuese , PD ështe ankimuar në këtë gjykatë për një ligj tjetër të paketës kushtetuese të Reformës në Drejtësi, të votuar edhe me votën e opozitës më 22 korrik 2016. Fjala është për organet e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. PD-ja i këkon Gjykatës Kushtetuese që të shpallë antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji,pikërisht ato që kanë të bëjnë me mënyrën sesi Parlamenti zgjedh 10 anëtarët e këtyre këshillave. Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të shqyrtojë aneksën e PD-së brenda 4 muajve. Burime nga kjo gjykatë thanë për DW se ankesa e re e PD-së nuk e bllokon zbatimin e Ligjit të Vetting-ut. (dw)

Vritet i dyshuari për sulmin në Berlin

vritet-anis-amriMinistri i Brendshëm italian Marco Minniti tha se tuniziani i dyshuar për sulmin e së hënës në Berlin është vrarë në Milano.

“I vrari është pa dyshim Anis Amri,”, tha ministri Minniti, duke ju referuar 24 vjeçarit tunizian i dyshuar se goditi me kamion turmën në tregun e krishtlindjeve në Berlin më 19 dhjetor duke vrarë 12 veta dhe duke plagosur rreth 50 të tjerë.

Ministri Minniti nuk dha shumë hollësi për operacionin që çoi në vrasjen e të dyshuarit në një lagje të Milanos. Ai tha se një patrullë policie e ndaloi Amrin në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. Ai nxori revolen dhe qëlloi mbi patrullën duke plagosur njërin nga policët, i cili nuk është në gjendje të rëndë.

Një biletë treni e gjetur në xhepin e Amrit dëshmon se ai kishte udhëtuar me trenin e shpejtë nga Franca për qytetin verior italian të Torinos, prej nga kishte marrë trenin rajonal për në Milano.

Grupi militant Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në Berlin.

Një nga 12 të vdekurit ishte shoferi polak i kamionit që ishte rrëmbyer. Trupi i tij u gjet i therur dhe i qëlluar më armë zjarri në kamion.

Policia gjithandej Evropës u vu në kërkim të sulmuesit që nga e hëna. (voa)

Kosova: vatër e islamizmit?

Shifrat e myslimanëve të radikalizuar në Kosovë janë alarmuese. Strukturat shtetërore dhe të shoqërisë civile në Kosovë përpiqen t’i frenojnë këto zhvillime.

islamizmiFeja radikale islame është një problem në rritje për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin dhe për Evropën. Ekspertët në Kosovë janë të alarmuar për zhvendosjen e identitetit në drejtim të fesë tek shqiptarët dhe kërkojnë masa të vendosura politike dhe sociale.

Megjithëse Kosova numëron vetëm më pak se dy milionë banorë, që prej vitit 2012 kanë shkuar në luftë 316 vetë për t’u bashkuar me Shtetin Islamik, midis tyre edhe gra edhe fëmijë. 58 prej tyre ndërkohë janë vrarë. Aktualisht për Shtetin Islamik, IS vazhdojnë të luftojnë ende 140 kosovarë. 117 vetë prej tyre janë kthyer në Kosovë. Këto shifra ia deklaroi sot Deutsche Welle-s Baki Kelani, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Kosovës. Sipas Kelanit, hetime po bëhen kundër 237 personave, me akuzën: organizim dhe pjesëmarrje në akte terroriste, pjesëmarrje në akte terroriste jashtë Kosovës, rekrutim, mbështetje, financim i terrorizmit. Prej vitit 2013 janë arrestuar 127 vetë prej të akuzuarve, midis tyre edhe të dyshuarit si drejtues.

Zhvendosje identiteti

Pas këtyre shifrave qëndrojnë fenomene sociale të përmasave të mëdha: varfëria në rritje, 40 përqind papunësi, mungesë shansesh dhe zhgënjim i shumë njerëzve si dhe njëkohësisht kthimi në rritje drejt interpretimeve më të rrepta të fesë islame, të cilat më parë nuk i gjeje në Kosovë. Sipas të dhënave të ekspertëve të sigurisë, rreth 50.000 kosovarë janë sot ithtarë të një feje konservatore islame. Pjesa më e madhe e popullatës së Kosovës janë myslimanë, shqiptarë, romë, turq, boshnjakë.

Sot mund të shikosh në rrugët e Prishtinës, por dhe në qytete të tjera e nëpër komuna gjithnjë e më shumë vajza dhe gra me shami koke, 15 vite më parë kjo përbënte përjashtim. Edhe gra të mbuluara krejtësisht sot nuk janë më të rralla. Që këtu është e dukshme që feja tradicionale islame e periudhës osmane, e ndikuar fort nga sufizmi, po mbulohet gjithmonë e më tepër nga forma më të rrepta, të cilat kanë mbërritur në Ballkan përmes ndikimit saudit.

Sipas një studimi të publikuar në verë 2016 nga Instituti për Studime Politike (KIPRED) në Kosovë “57% e shqiptarëve myslimanë në Kosovë ndihen më parë si shqiptarë, në një kohë kur 32% e shohin veten më parë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë”. Lulzim Peçi, autori i studimit sheh te këta njerëz “një zhvendosje të madhe identiteti, nga përkatësia linguistike etnike (komb i gjuhës) drejt një shoqërie fetare-etnike.”

Ndikim i shteteve islamike

Islamizimi i shqiptarëve të Kosovës filloi pas fundit të luftës së Kosovës fillimisht ngadalë. Arabia Saudite, Kuvajti dhe shtete të tjera islamike investuan në mënyrë masive në rindërtimin dhe në ndërtimin e xhamive, dërguan predikues dhe mbështetën njerëz në nevojë. Sot në Kosovë ka 742 xhami. Në përgjithësi, numri i ndërtesave myslimane, duke përfshirë edhe shkollat e Kuranit arrin në 798. Por me paratë e predikuesve në vend hyri edhe një fe tjetër islame. Sociologu Smajl Hasani e sheh fajin edhe në sistemin e keq arsimor të Kosovës, ku i është kushtuar pak rëndësi pajisjes së identitetit kosovar me një identitet fetar, multifetar. Kjo u dëshmua edhe nga studimi i fundit i Pisas.

Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame nuk pranojnë se janë bashkëfajtorë për radikalizimin. Asnjë nga personat që janë bashkuar me rrjetet terroriste nuk ka dalë nga bashkësia e saj, thotë Besa Ismaili, teologe e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ajo thotë se midis besimtarëve të vërtetë “nuk ka ekstremizëm, në besim nuk ka dhunë, por vetëm dashuri.”

Rol i rëndësishëm i Gjermanisë

Por megjithë përpjekjet për punë sqaruese, kushtet kuadër në Kosovë mbeten shumë të vështira. Kushtet ekonomike shumë të vështira si dhe mungesa e perspektivës për rininë, e cila e sheh veten gjithnjë e më të izoluar në Evropë si dhe strukturat e dobëta shtetërore, me pavendosmërinë, korrupsionin dhe paaftësinë e tyre kanë ndikuar në gjendjen aktuale, thotë Florian Qehaja, drejtor i Qendrës për Studimet e Sigurisë në Kosovë. Ai kërkon një strategji të gjerë të integruar, si në arsimimin e rinisë, në zgjedhjen e imamëve, në mediet si dhe në arkitekturën e sigurisë në vend, në bashkëpunimin rajonal me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe mbështetje të mëtejshme ndërkombëtare, për ta ndalur islamizimin e mëtejshëm.

Kosova është pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ka plotësuar në këtë kuadër edhe kushtet ligjore kuadër, për të vepruar kundër terrorizmit. Por në mënyrë që feja radikale islame të mos zërë rrënjë në Kosovë dhe që vendi të mos kthehet në vatër të islamizmit, nevojiten masa të gjera të shoqërisë dhe të politikës, po edhe fuqitë mbrojtëse ndërkombëtare duhet të veprojnë në mënyrë më të vendosur kundër zhvillimeve. Gjermania është e lidhur me Kosovën veçanërisht përmes një numri të madh migrantësh (rreth 400.000 vetë). Atentatori i aeroportit, që vrau në 2011-ën dy ushtarë amerikanë, ishte fëmijë migrantësh shqiptarë. Dhe arrestimi sot i dy kosovarëve në Oberhausen, në Gjermani tregon forcën shpërthyese që ka radikalizimi në Kosovë edhe për Gjermaninë. (dw)

Një vaksinë e suksesshme për Ebolën

vaksina-ebolaNjë vaksinë për ebolën ishte 100 për qind e efektshme në një studim në shkallë të gjerë të realizuar në Guine. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se ata do të jenë më të përgatitur për një krizë të ardhshme.

Në vitin 2014, kur ebola bënte kërdinë në Guine, Sierra Leone dhe Liberi punonjësit e shëndetësisë nuk mund të bënin asgjë, përveç se të izolonin viktimat në përpjekje për të frenuar epideminë ose për të parandaluar përhapjen e saj.

Kështu që, rezultatet përfundimtare nga studimi i parë i madh për një vaksinë për ebolën përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë organizoi studimin e më shumë se 11 mijë njerëzve të ndarë në dy grupe, thotë përgjegjësja e hulumtimit për ebolën, Marie-Paule Kieny:

“Kishim zero raste infektimi me ebolë në grupin që u vaksinua menjëherë, në krahasim me 23 raste në ata që nuk u vaksinuan. Pra, zero me 23, mund të thuhet se kjo vaksinë duhet të jetë mjaft e efektshme”, thotë ajo.

Disa nga vaksinat janë në faza të ndryshme të testimit. Por grupi i zonjës Kieny mori rezultatet e fundit pasi përdori një strategji të veçantë.

Epidemia po ngadalësohej kur vaksinat ishin gati për testim. Numri në ulje i rasteve e bënte të vështirë të testoheshin fuqitë parandaluese të vaksinës.

Për këtë shkak, studimi i saj u përqëndrua në njerëzit që ishin të infektuar nga ebola:

“Nga ky rast infektimi u identifikuan të gjithë kontaktet, ata që kishin qenë në kontakt me personin me ebolë, si dhe kontaktet e tyre” thotë zonja Kieny.

Në këtë mënyrë u asgjësua sëmundja e lisë. Zonja Kieny thotë se kjo është hera e parë që është vepruar kështu për të provuar efektshmërinë e një vaksine.

Rezultatet, të botuara në revistën mjekësore The Lancet, pasojnë të dhëna premtuese të publikuara më parë, në korrik të 2015-ës. Vaksina tashmë ka ndihmuar në ndalimin e përhapjes së ebolës në Guine në fillim të këtij viti.

Kompania Merck është duke aplikuar për miratim nga ligjvënësit:

“Ka një nivel të mirë përgatitjeje tani, dhe ne shpresojmë se do të përgatitemi edhe më mirë pasi të regjistrohet vaksina” shtoi ajo.

Organizata jofitimprurëse për shëndetin GAVI ka rënë dakord të blejë 300 mijë doza pasi të miratohet. Por zonja Kieny paralajmëron se ka një tjetër lloj ebole që kjo vaksinë nuk mund ta ndalojë dhe zyrtarët e shëndetësisë duhet të jenë të gatshëm të luftojnë përhapjen e pashmangshme në të ardhmen. (voa)

Rritja e nivelit të detit përbën kërcënim

detiRritja e nivelit të deteve po shkakton përmbytje gjithnjë e më të shpeshta në shumë komunitete bregdetare amerikane. Shtimi i përmbytjeve po dëmton tregun e shitblerjes së shtëpive po rrit siguracionet dhe po dëmton një industri të re që ka për synim kufizimin e dëmeve dhe kostos. Ekspertët kanë dhënë alarmin se situata mund të përkeqësohet.

Rritja e nivelit të deteve i ka bërë më të shpeshta dhe serioze përmbytjet në qytetet bregdetare që nga Florida e deri në Nju Jork.

Në Norfolk të shtetit Virxhinia, deti, gjiri dhe lumenjtë për shekuj me rradhë sollën begati si rezultat i transporti detar, bazës ushtarake dhe shumë bizneseve të bazura në aktivitete detare.

Por rritja e niveleve po bëhen problem në rritje për shumë lagje bregdetare.

Shtëpia e Karen Speights u përmbyt tre herë gjatë viteve të fundit. Për dhjetra vite ajo nuk kishte probleme, ndërsa rritja e baticës ishte një surpizë e padëshiruar në shtëpinë e saj.

“Sendet filluan të pluskonin ndërsa uji u fut brenda sikurse valët e detit që rrahin bregun. Kështu nxituam të shpëtonin ç’të mundnim.”

Hulumtuesi me Universitetin “Old Dominion”, Ray Toll thotë se niveli i ujit ka kohë që po rritet dhe ai shqetësohet se problemi mund të përkeqësohet me shpejtësi.

“Çdo njëzet vjet niveli rritet me këtë lartësi në bazë të 100 viteve të fundit. Aktualisht po shqetësohemi nga përshpejtimi i rritjes sepse nuk është rritje konstante dhe mund të përshpejtohet.”

Eksperti për pasuritë e patundshme, Daren Blomquist, thotë se shtëpitë bregdetare zakonisht kushtojnë më shtrenjtë. Por përmbytjet po i largojnë blerësit.

“Kjo nuk është diçka që po parashikohet nga njerëzit por aktualisht po ndodh. Shtëpitë po shkatërrohen nga këto fatkeqësi natyrore. Ndaj mendoj se kjo është arsyeja që po fillojmë të shohim ndryshime.”

Disa pronarë i ngrenë shtëpitë mbi nivelet e mundëshme të përmbytjeve, duke ulur edhe koston për siguracionet.

Tubacionet dhe drenazhimi bën të mundur që uji i përmbytjeve të futet dhe largohet nga nivelet e ulta të banesave. Por ngritja e një stukture është procedurë e kushtueshme dhe e komplikuar dhe nuk është e përshtatshme për disa ndërtesa.

Për një pallat shekullor, pajisjet shtëpijake, kabinat elektrike dhe sende të tjera duhet të vendosen mbi nivelin e parashikuar të përmbytjeve, thotë eksperti Mike Vernon.

“Duhen zhvendosur matësit e energjisë elektrike dhe të ujit, si dhe sistemit të kullimit dhe pastrimit të mjedisit.”

Kufizimi i dëmtimeve nga përmbytjet shkurton koston e siguracionit, e cila në të kundërt e bën të vështirë shitjen e shtëpisë me kosto të përballueshme nga blerësit.

Problemet financiare nxisin qeveritë, drejtuesit ushtarakë, shitësit e shtëpive, siguracionet dhe shkencëtarët që të punojnë së bashku në mënyrë që të përcaktohen rregulla më të efektshme për ndërtimet e reja me synim minimizimin e dëmeve që u shkaktohen komuniteteve ekzistuese. (voa)

Media gjermane: Maqedonia drejt Rusisë, Shqipëria drejt…Kinës?

kolumneNë kohën kur shumë media në gjuhën gjermane shkruajnë se qeveria e Maqedonisë gjithmonë e më tepër orientohet drejt Moskës si Der Standard, Der Spiegel dhe Neu Zürcher Zeitung, në anën tjetër një media gjermane sheh mundësinë e orientimit të Shqipërisë drejt Kinës. Kjo edhe për faj të BE, që si pasojë e votuesve të saj ka ngrirë zgjerimin, shkruan botasot.info.

“Shqipëria zhvillohet dhe ka kryer mjaft reforma. Megjithatë për shkak se BE ka ngrirë zgjerimin, Brukseli qëndron në distancë. Tani investon Kina në vendin e shqiponjave – natyrisht, me prapavijë,” shkruan e përditshmja ekonomike gjermane handelsblatt.com.

A po e shqyrton sa duhet BE rastin e Shqipërisë? Se Shqipëria është një vend i varfër, që shumica e gjermanëve nuk e kanë idenë se ku ndodhet, pavarësisht se ka fqinj Greqinë dhe është vetëm 40 kilometra larg brigjeve të Italisë, kjo nuk përbën lajm. Por vendi ka një rritje vjetore prej 3.4 përqind dhe sipas Fondit Ndërkombëtar Monetar, vendi qëndron mirë me reformat. Gjatë largimit brutal të shqiptarëve nga Kosova në 1998, Shqipëria arriti të qëndrojë stabile dhe sot është anëtare e NATO. Në vend që bisedimet për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE të fillonin tani, ata janë shtyrë për në mars 2017. Drejtësia nuk është në nivelin e duhur, krimi i organizuar është i kudondodhur dhe Shqipëria është prodhuesja më e madhe e kanabisit ilegal në BE, thuhej në raportin e Komisionit Europian.

Brukseli është i vëmendshëm. Zgjerimi i BE shihet me pesimizëm të madh te votuesit. Shumica e gjermanëve mendojnë për shqiptarët se kanë humbur besimin – pikërisht përpara festave të fundvitit dhe përkundër që Nënë Tereza është shqiptarja më e famshme, përcjell botasot.info.

Brukseli mund të zëvendësohet nga Pekini?

Në Pekin, 7000 kilometra të mira larg, çështjet shikohen më me pragmatizëm. Vendi i vogël me tre milion banorë, me histori të lashtë dhe bregdet të jashtëzakonshëm, shikohet si vend strategjik dhe mjaft i leverdishëm. Shumë në veri, që mund të tregtohen mallrat në qendrat e veriut; por edhe shumë në jug, që me anije mund të shkosh menjëherë në Itali dhe pa harkuar mund të lundrosh deri në Tunizi. Dhe: Kush dëshiron në lundrojë në Adriatik, duhet të shkojë pranë Shqipërisë.

Andaj kinezët janë vetëofruar për të marrë aeroportin e Tiranës, bile deri në 2025. Ata premtojnë për të riparuar aeroportin dhe të ndërtojnë rrugë 200 milion euro drejt Maqedonisë ( Rruga e Arbërit -SHP, Fitim Dika). Për 450 milion euro ata kanë blerë dy impiante nafte, që më pas ua kanë dorëzuar kompanisë Shell. Fshatarët shqiptarë kanë marrë 1.3 milion euro kredit, për të blerë maqineri të reja. Dhe ndërkohë, Kina është vendi i dytë sa i takon shkëmbimeve tregtare më Shqipërinë. Po ndërtohet edhe një gazsjellës Transadriatik, që Shelli me 20 përqind është investitori më i madh.

Gjithashtu nga investitorët kinezë Shqipëria është klasifikuar nga “Standard & Poor’s” me një B+. Për krahasim: BE në 27 vitet e fundit ka investuar në Shqipëri vetëm rreth një miliardë euro. Kjo është skurile. Nga përpejket për fitim dhe largpamësia gjeostrategjike, Pekini po i jep shansë Shqipërisë për ne BE.

Vërejtje: Artikulli është shkruar nga eksperti gjerman Frank Sieren, që prej 20 vitesh jeton në Pekin.

(Bota sot)

 

Dëmi 30 milionësh mbi PTK-në gjobë e vëllazërisë Pronto

prontoTribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit e ka obliguar Postë dhe Telekomin e Kosovës që t’ia paguaj kompanisë Z Mobile humbjen e pretenduar prej 30 milionë euro tashmë të konstatuar. Posta dhe Telekomi i Kosovës u padit për mos zbatimin e këtyre pikave të kontratës:

  1. Vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTK-së për Zmobile,
  2. Mos alokimi i bllokut numerik shtesë prej 100 mijë numrave që fillon me 045 7XX XXX,
  3. Mos dhënia e shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe
  4. Degradimi i shërbimeve.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar me kohë për kontratën mes PTK-së dhe operatorin “Z Mobile”. Kontrata e nënshkruar dhe tash dëmi i bërë lidhet me njerëz kryesorë të asaj kohe, veçanërisht me Hashim Thaçin si kryeministër dhe paraardhësin e tij Agim Çeku, me Ahmet Shalën si ministër i zhvillimit ekonomik dhe drejtuesve të ART-së e PTK-së, veçanërisht të Etrur Rrustemaj si drejtues i PTK-së dhe pasardhësit të tij Shyqyri Haxha.

Kjo kontratë që kur u nënshkrua kishte vetëm një qëllim: zhvatja e pasurisë publike dhe orientimi i saj në xhepat privat, në këtë rast vëllazërisë Pronto të Hashim Thaçit e Kadri veselit dhe të vëllezërve Devolli.

Asnjë nevojë, asnjë përfitim e asnjë arsye nuk kishte Republika e Kosovës e as PTK-ja e publikut që të hynte në një kontratë të tillë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht ka kërkuar hetime në lidhje me menaxhimin e kësaj ndërmarrje publike, ndërhyrjet e mafioze të klanit pronto në të, gjë që tash u konfirmua me humbjen 30 milionë eurove në arbitrazh nga Kompania Dardafone.net e njohur në treg si Z-mobile.

Historia e kontratës kriminale të bërë midis PTK-së dhe Dardafon.net është debatuar e adresuar në Kuvendin e Kosovës, e atë botë Ministri Shala, ose personazhi që i realizoi Hashim Thaçit gjithë punët e pista në ekonomi, deklaronte se gjithçka është bërë sipas ligjit, anipse  Dardafon, një kompani private do të përdorte të gjithë infrastrukturën e entit publik dhe do të merrte 73% të fitimit kundrejt 27 % që i lihej PTK-së.

Në këtë kuptim edhe ndërrimet e pronësisë nga Dardafon.LCC, në Dardafon.net/Z-mobile janë po ashtu të dhëna për komprometimin e kësaj kontrate.

Për këtë kontratë mafioze, EULEX pati hapur hetime dhe arrestoi drejtuesit e PTK-së. Ato hetime pas ndikimeve nga klani printo u heshtën, madje edhe u shuan.

Kudo, pra në çdo vend normal, me qeveri e institucione serioze, kjo kontratë do të ishte objekt i hetimit e më pas i anulimit të saj për shkak të shkeljeve të shumta që përmban. Por në qeverisjen e zaptuar nga krimi i organizuar u sajuan shkelje të qëllimshme të kontratës që duhej të hetohej, dhe si pasojë u ndërtua  një rast kundër kompanisë publike në Tribunalin ndërkombëtar të Arbitrazhit. Rast i cili rezultoi me një gjobë 30 milionëshe kundrejt PTK-së e si fitim nga një kontratë e paligjshme.

Nuk ka reagim të institucioneve shtetërore në këtë rast. Nuk tregohet se pse u pranua arbitrazhi në këtë rast, duke e ditur se dërgimi i një rasti në arbitrazh nuk mund të bëhet pa pajtimin e të dyja palëve. Për më tepër pse u pranua arbitrazh ndërkombëtar kur në sistemit juridik të Kosovës ka mekanizëm të arbitrazhit? Ende nuk kemi asnjë informatë nga institucionet shtetërore për atë se kush e ka përfaqësuar PTK-në në arbitrazh? Cila ka qenë strategjia e mbrojtjes? Pse nuk u padit ARKEP nga PTK-ja kur e obligoi këtë të fundit që ta zgjerojë bllokun numerik përtej kontratës fillestare në favor të Z Mobile? Pse ARKEP si rregullator i pavarur i tregut ia mirëmban me vendime të veta pozicionin zhvatës një kompanie private karshi publikut?

Menaxhmenti i tanishëm i PTK-së dhe Ministria e Zhvillimit ekonomik, madje dhe kryeministri sigurisht që nuk dërgojnë për ndjekje penale përgjegjësit për kontratën e dëmshme dhe nuk kërkojnë dëmshpërblimin për dëmtimin e kompanisë publike por dorëzohen para kompanisë private me të cilën sigurish që i lidh shumëçka e paligjshme. (LVV)

Ushtria siriane merr nën kontroll Alepon

alepoAlepo, qyteti sirian i shkatërruar nga lufta, u vendos nën kontrollin e ushtrisë siriane, duke shënuar fitoren më të madhe të kësaj ushtrie në afro gjashtë vjet luftë civile.

Qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka tani për herë të parë që nga viti 2012 kontroll të plotë mbi Alepon, qyteti me popullsinë më të madhe para luftës.
Forcat kryengritëse ranë dakord të tërhiqen nga qyteti, pas një ofensive të ushtrisë që i nxorri ata jashtë 90 për qind të territorit fillestar.

Njoftimi erdhi disa orë pasi autokolona e fundit e banorëve u largua nga qyteti, grupi i fundit në përpjekjen njëjavore të evakuimit.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se deri të enjten rreth 34,000 vetë kishin dalë nga Alepo lindore, që kryengritësit e kishin mbajtur nën kontroll për katër vjet në një përpjekje për ta rrëzuar Assadin nga pushteti. (voa)

Gjermani – Shqipëri: Tani mjafton vetëm vula Apostille

Pas Italisë dhe Belgjikës në muajin dhjetor dhe Gjermania filloi zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve sipas Konventës së Hagës. Ky hap u kursen qytetarëve kohë dhe shpenzime.

vule-arbeitserlaubnisNisur prej modernizimit dhe garancive të rregullshmërisë së dokumenteve që lëshohen nga administrata shqiptare, Gjermania vendosi të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s. Nëpërmjet këtij vendimi përmirësohen ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve që duhet të paraqesin dokumente në Gjermani ose anasjelltas.

Nga kjo marrëveshje përfitojnë të gjithë personat që u duhet të përdorin dokumente gjermane në Shqipëri, pra jo vetëm shtetasit shqiptarë por edhe ata gjermanë apo të tjerë.

Cili është përfitimi i qytetarëve prej kësaj marrëveshjeje?

Deri tani mes Shqipërisë dhe Gjermanisë përdorej procedura e legalizimit të dokumenteve, pra procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Sipas kësaj procedure duhej që dokumentet me parë të certifikoheshin tek autoritetet gjermane e pastaj në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, ku diplomatët konsullorë konfirmojnë funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar nënshkrimin dhe vulën.

Me zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve sipas Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961 mjafton që dokumentet thjesht të pajisen me vulën Apostille nga autoritetet gjermane dhe mund të përdoren si të tilla edhe në Shqipëri.

apostileAplikimi i vulës Apostille për dokumentet e huaja u kursen të interesuarve jo vetëm kohë por edhe shpenzime. “Së pari tani e tutje atyre nuk u duhet të paguajnë më tarifën e legalizimit të dokumenteve. Së dyti duke pasur parasysh kohën e gjatë dhe mbingarkesën që mbartte legalizimi i dokumenteve, si dhe shqetësimin për afatet shumë herë të kufizuara të vlefshmërisë së disa dokumenteve, tani është e dukshme se procedura shkurtohet shumë në kohë, gjë që u lehtëson ndjeshëm jetën të gjithë qytetarëve që dërgojnë për arsye të ndryshme dokumente në Shqipëri.” – tha për Deutsche Wellen Belinda Shtylla, konsulle pranë Ambasadës shqiptare në Berlin.

Ana tjetër pozitive është se në zbatim të reciprocitetit, edhe shtetasve shqiptarë që do të përdorin dokumente shqiptare në Gjermani, thjesht do t’u duhet t’i apostilojnë, pra t’i pajisin me vulën Apostille, dokumentet në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, pa qenë më e nevojshme të kryejnë legalizime në Ambasadën e RFGj-së në Shqipëri.

Ku merret vula Apostille, që kërkohet tani nga autoritet përkatëse?

Vula Apostille merret në Shqipëri vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ndërsa në Gjermani ato që apostilojnë dokumentet, janë autoritetet kompetente të landeve. Këto autoritete janë të listuara në websitet për informimin e qytetareve (Bezirksregierung, Regierungspräsidium, Landesverwaltungsamt, Bundesverwaltungsamt apo Ministria e Brendshme dhe Landgericht, në rastin e akteve noteriale dhe gjyqësore, sqaron konsullja e Ambasadës shqiptare në Berlin. (dw)