Përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të shkaktojë depresion

facebook-twiterSipas një studimi të ri, përdorimi i tepërt i mediave sociale mund të çojë në depresion.

Në një shkrim të revistës “Computers in Human Behavior”, hulumtues nga Qendra për Kërkime në Media, Teknologji dhe Shëndet, në universitetin e Pitsburgut thonë se “përdorimi i platformave të shumta është i lidhur më ngushtë me depresionin dhe ankthin në mesin e të rinjve.”

Në mënyrë të veçantë, studiuesit zbuluan se njerëzit që përdorin nga 7 deri 11 platforma të mediave sociale kanë tre herë më shumë gjasa për t’u prekur nga depresioni dhe ankthi se sa ata që përdorin nga zero në dy platforma.

Këto rezultate ishin të njëjta edhe kur përkthehen në orët totale që përdoruesit kalojnë në mediat sociale.

“Kjo lidhje është mjaft e fortë saqë mjekët mund ta marrin në konsideratë duke i këshilluar pacientët e tyre me depresion dhe ankth se ky përdorim mund të jetë e lidhur me simptomat e tyre,” thoti autori kryesor dhe mjeku Brian A. Primack.“Ndërsa ne nuk mund të themi nga ky studim nëse njerëzit me depresion dhe ankth kërkojnë përdorimin e platformave të shumëfishta apo në se përdorimi i platformave të shumta mund të çojë në depresion dhe ankth. Por në secilin rast rezultatet janë potencialisht të vlefshme.”

Për këtë studim, hulumtuesit shqyrtuan rastet e 1,787 të rriturve amerikanë mes moshës 19 dhe 32 vjeçare, për të përcaktuar lidhjen mes përdorimit të mediave sociale dhe depresionit. Sondazhi u shtri në 11 faqe të mediave sociale, duke përfshirë Facebook, YouTube, Twitter, Snapchat, Pinterest, LinkedIn dhe të tjerë.

Ndërsa ata që përdorin mes 7 deri 11 prej këtyre platformave kanë tri-herë më shumë shanse për t’u prekur nga depresioni, Primack thotë se janë të nevojshme më shumë studime. (voa)

Berlin: policia gjermane identifikon të dyshuarin për krimin me kamion

atentatori-amriPolicia gjermane është angazhuar në një kërkim të organizuar për të gjetur të dyshuarin rreth sulmit me kamion të ditës së hënë.

Një urdhër arresti i lëshuar të mërkurën përmend emrin e tunizianit Anis Amri, i cili ka lindur në qytetin e Ghazës në Tunizi. Njoftimi thotë se ai ka përdorur të paktën gjashtë pseudonime të ndryshme dhe tri kombësi të ndryshme në të kaluarën dhe konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm.

Autoritetet gjermane kanë lëshuar edhe dy foto të të dyshuarit dhe e përshkruajnë atë si me gjatësi dhe peshë mesatare, me flokë të zeza dhe sy kafe.

Policia aktualisht po kërkon për të në të gjithë Gjermaninë dhe në të gjithë shtetet e Zonës Shengen në Evropës. Një burrë tjetër, një pakistanez i cili ishte arrestuar pas sulmit, u lirua për shkak të mungesës së provave.

Pas një konferencë të mërkurën, Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere tha se policia e kishte identifikuar Anis Amrin si të dyshuar të ri, por theksoi se “ai është një i dyshuar, por jo domosdoshmërisht autori i sulmit”.

Pavarësisht se de Maiziere nuk pranoi të konfirmojë apo mohojë raportet e mediave rreth lidhjeve të Anis Amrit me grupet ekstremiste islamike, Stephan Mayer, një ligjvënës konservator, tha se Amri ka qenë nën mbikqyrje për disa kohë. (voa)

Tensionet në Maqedoni

gruevskiGjendja në Maqedoni duket se po tensionohet pas debateve të shumta lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit. Gjykata administrative ka urdhëruar rivotimin në një qendër-votimi në Tearcë pranë Tetovës, që mund ta ndryshojë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve, në dëm të partisë VMRO-DPMNE. Kjo e fundit thotë se nuk do të marrë pjesë në rivotim e as nuk do ta njohë rezultatin. Gjendja e tensionuar ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar, pas retorikës kërcënuese ndaj disa ambasadorëve perëndimorë. Ka reaguar edhe Departamenti i Shtetit.

Rivotimi në Tearcë të Tetovës, i caktuar për më 25 dhjetor, me vendim të Gjykatës Administrative, mund të ndikojë, sipas analistëve, në më shumë aspekte, si të politikës, por dhe të sigurisë. VMRO-DPMNE edhe sot ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në rivotim në Tearcë, që bën pjesë në zonën e gjashtë zgjedhore. VMRO-ja nuk do të njihte rezultatin, ashtu siç ka paralajmëruar.

Për pasojë, ajo do të mund të organizonte protesta dhe kjo do ta thellonte krizën, parashikon një pjesë e analistëve. Zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit, ndërkaq, kishin për qëllim t’i japin fund krizës dy vjeçare që u shkallëzua me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike sidomos të zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Në këtë kuadër, VMRO-ja ka shtuar retorikën negative jo vetëm ndaj partive opozitare e shoqërisë civile, por edhe ndaj ambasadorëve perëndimorë, për të cilët mendon se po ndikojnë për t’ia rrëmbyer fitoren në zgjedjet e 11 dhjetorit. Kryetari i VMRO-së dhe ish-kryeministër Nikolla Gruevski gjatë një proteste para pak ditësh u kërkoi ambasdorëve që të mos përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë. Protestuesit në tubimin e VMRO-së mbanin pankarta ku mes tjerash shkruhej “Ambasador Bejli larg duart nga Maqedonia”.

Gjendja e krijuar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit ka shqetësuar dukshëm komunitetin ndërkombëtar.

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka dënuar retorikën provokuese nga disa udhëheqës politikë, siç tha të marten zëdhënësi John Kirby në Uashington, që bëhet shkas për nxitjen e sulmeve ndaj institucioneve demokratike dhe ambasadorëve të akredituar në Maqedoni”.

Zoti Kirby, u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Maqedoni të heqin dorë, siç u shpreh ai, “nga këto sulme të pajustifikuara, të respektojnë procesin demokratik dhe të lejojnë formimin e një qeverie të besueshme e të qëndrueshme, që respekton shtetin ligjor dhe liritë bazë. Shtetet e Bashkuara,tha zëdhënësi amerikan, janë të gatshme ta ndihmojnë një qeveri të tillë, që të realizojë synimet e Maqedonisë për integrimin euro-atlantik”.

Një numër analistësh në Shkup, ndërkaq, mendojnë se sjellja e këtillë e drejtuesve të VMRO-DPMNE-së flet për përgatitjen e tyre për të kaluar në opozitë. Kjo parti e djathtë erdhi në pushtet në vitin 2006. Një vit më parë Maqedonia mori statusin vend kandidat për anëtarësim në BE, por që prej atëherë nuk është shënuar ndonjë përparim i dukshëm drejt integrimit euro-atlantik. (voa)

Rivotim në Maqedoni?

kshzGjykata Administrative pranoi ankesën e opozitës dhe vendosi që të rivotohet në Tearcë. Votimi mund të ndryshojë forcat në parlament.

Gjykata Administrative ka mbështetur i ka dhënë të drejtë opozitës dhe ka vendosur që të pranojë ankesën e saj për parregullësi në qendrën e votimit në Tearces, në zonën e gjashtë zgjedhore. Ankesa është shqyrëtuar nga një panel prej 5 gjykatësish.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të bëjë simulim nëse rivotimi do të ndikojë në rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve më 11 dhjetor. Sipas rregullores së KSHZ-së, votimi do të përsëritet vetëm nëse numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë vendvotim ndikon në rezultatet e përgjithshme. Nëse ka ndikim, do të rivotohet me 25 dhjetor. Dallimi mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në njësinë e gjashtë zgjedhore është rreth 300 vota në avantazh të partisë së Gruevskit.

“Vendim skandaloz”

VMRO-DPMNE vlerëson se vendimi i Gjykatës është “i kundërligjshëm dhe skandaloz”. Nikolla Todorov, në konferencën për shtyp tha se vendimi është sjellë nën presion të LSDM-së, mediave të afërta të kësaj partie dhe disa faktorëve të tjerë nga jashtë.

“Një prej dëshmive më të mëdha për vendimin e kundërligjshëm është fakti që në mënyrë jo standarde për praktikën gjyqësore, në elaborimin e vendimit nuk janë theksuar arsyet konkrete ligjore dhe bazat për shkak të së cilave meret ky vendim. Cilat janë ato parregullsi, për çfarë parregullsishë bëhet fjalë, kjo aspak nuk përmbahet në elaborimin e aktgjykimit”, thekson Todorov. Sipas tij, VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin e publikuar ditë më parë se nuk do të merë pjesë nësa ka rivotim.

“Kthim pas nuk ka”

LSDM kumtoi se në zgjedhjet e 11 dhjetorit qytetarët votuan ndryshimet, votuan “për jetë më të mirë, për paga më të larta, firma më të fuqishme vendore, që paratë të kthehen tek qytetarët, institucionet të punojnë në interes të qytetarëve dhe për të drejtat e të gjithëve.”

“Mbi 600.000 qytetarë deklaruan se më nuk ka vend për politikën e Gruevskit, nuk ka krim, nuk ka vjedhje të zgjedhjeve. Republika e Maqedonisë do të ketë qeveri për të gjithë qytetarët. Proceset demokratike kanë filluar dhe nuk ka kthim pas”, thuhet ndër tjerash në reagimin e LSDM-së.

Destabilizimi i Maqedonisë

Për momentin askush nuk mund të paragjykojë se çfarë procese mund të prodhojë bojkotimi i rivotimit. Ekspertët e vendit vlerësojnë se situata merr kahjen e destabilizimit, pasi VMRO-DPMNE konfirmon mospjesëmarrje në rivotim në Tearcë. Analisti smet Ramadani nuk përjashton mundësinë e trazirave të organizuara nga VMRO-DPMNE.

“Ai mund t’i përdorë format tjera, të përdorë bojkotin . Nëse i ka atje votuesit e dëgjueshëm dhe nën kontroll, mund t’i dirigjojë nga lart që të bojkotojnë votimin. Por është shumë interesante se si do të veprojë VMRO-DPMNE-ja, sepse kjo mund të shkaktojë tensione, trazira…”

Profesori Mersim Maksuti kritikon veprimin e partisë së Gruevskit. Bojkoti i rivotimit nuk është zgjidhje e mirë dhe VMRO duhet t’i kthehet rrugës së zgjedhjeve si çelës i vetëm i zgjidhjes së krizës. “Kjo të brengosë. VMRO-ja dhe cilido qoftë subjekt politik duhet të luajë konform rregullave të demokracisë  dhe t’i përgjigjet rregullave të saj. Faktori ndërkombëtarë duhet ta bindë VMRO-në që t’i kthehet procesit të zgjedhjeve sespe rrugë tjetër nuk kemi”, shprehet Maksuti.

Ndërsa profesori Denko Malevski thotë se ankesat e partive politike dhe shqyrtimi i të njëjtave nga KSHZ-ja dhe Gjykata Administrative janë pjesë e rregullt e procesit zgjedhor, që duhet të respektohet nga të gjitha palët. Nëse VMRO-DPMNE nuk e respekton vendimin e Gjykatës Administrative për rivotim, do të vihet në pikëpyetje i tërë procesi zgjedhor dhe shteti do të hyjë në spirale të re të krizës.

VRMRO kërcënon

“VMRO-DPMNE kërcënon se do t’i nxjerrë përkrahësit e vet në rrugë për të protestuar. E atëherë kriza do të marrë dimensione tjera. Nëse ka mospranim të rezultateve të zgjedhjeve mund të vihen në pikëpyetje vet zgjedhjet dhe atëherë shteti do të hyjë në një jostabilitet të rrezikshëm” thekson Malevski. Profesori Bashkim Selmani thotë se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtarë duhet të jetë e drejtëpërdrejtë, sepse hapi tjetër i Gruevskit është mospranimi i zgjedhjeve. “Në momentin që s’pranon zgjedhjet, kjo shpie në konflikt. VMRO ka zgjedhur rrugën e gabuar. Kjo rrugë do ta dëmtojë ardhmërinë në përgjithësi. Pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar situata nuk mund të përmisohet”, shprehet Selmani. (dw)

Mashtrimet gjatë blerjeve në internet

Federata Kombëtare e Shitjeve me pakicë ((NRF)) përcjell lajme të mira dhe të këqia për blerësit. Lajm i mirë: priten ulje të mëdha të çmimeve për produktet elektronike dhe artikujt e veshmbathjes me rastin e festave të fundvitit. Lajmi i keq: vjedhësit do të shkojnë online për të shfrytëzuar rastin.

Është bërë pjesë tradite pas festës së Falenderimeve – radhë të gjata konsumatorësh për të blerë mallra me çmime të ulta. Edhe këtë vit, shitësit parashikojnë një vit të mbarë.

“Në sezonin e festave ne parashikojmë 656 miliardë dollarë xhiro vetëm gjatë periudhës së pushimeve,” thotë Ana Smith, zëdhënëse e Federatës së Shitjeve me Pakicë.

Kjo shifër përfaqëson 4% rritje krahasuar me vitin e kaluar. Për të shmangur rradhët e gjata – konsumatorët kryejnë blerje përmes internetit. Mbi 10% e dhuratave gjatë këtij viti do të blihen online nëpërmjet smartphoneve ose kompjuterve. Për shkak të shtimit të masave të sigurisë në kartat e kreditit – shumë mashtrues do të përdorin internetin për të vjedhur.

“Për shkak të kartave të pajusura me “çip”, është shumë më e vështirë për kriminelët e shitjes me pakicë për të bërë mashtrime në dyqan, kështu që ata veprojnë në internet,” Robert Moraca, Zyra e parandalimit të krimeve pranë Federatës së shitjeve.

Ekspertët e sigurisë thonë se mbi 1.2 % e të gjitha transaksioneve me smartphone të jenë operacione të vjedhësve. Një transaksion mashtrues online arrin mesatarisht rreth 200 dollarë.

“Vjedhësit shpesh krijojnë fatura blerjeje të rreme, dhe thonë se e kanë marrë mallin si dhuratë dhe duan ta kthejnë “ thotë zoti Moraca.

Ekspertët e bankave presin këtë vit një rritje prej 43% në transaksionet mashtruese. Ata po u bëjnë thirrje konsumatorëve që të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre, të shmangin klikimet në reklama të dyshimta, të mos hapin emaile të panjohura dhe të blejne vetëm nga faqe internetit të sigurta dhe të ligjshme. (voa)

Vetting-u, ankth dhe barazim. Gjyqtarët ndahen para vendimit

vetinguE mërkura dhe e enjtja janë vendimtare për ligjin e Vetting-ut. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vendosin nëse ligji është apo jo në përputhje me Kushtetutën dhe nëse cënon apo jo të drejtat themelore të njeriut.

Të enjten, 8 gjyqtarët kushtetues do të mblidhen me dyer të mbyllura dhe pasi të thotë secili opinionin e vetë vendimi do të hidhet në votë.

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, që në këtë rast janë 5, të cilët duhet të votojnë ose pro, ose kundër pasi abstenimi nuk është një opsion.

Por Top Channel ka mësuar se vendimmarrja mund të mos arrihet dhe kërkesa e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit mund të rrëzohet.

Një burim shumë i lartë diplomatik dhe i konfirmuar nga burime të larta politike shqiptare bëri të ditur për TCH se gjyqtarët janë ndarë: 4 në favor të kalimit të ligjit të Vetting-ut kështu siç është; 2 kërkojnë miratimin e tij, por me ndryshime të vogla; ndërsa vetëm 2 janë për kthimin e tij mbrapsht.

Nëse ky raport votash nuk ndryshon deri të enjten, kjo do të thotë se kërkesa e Partisë Demokratike rrëzohet. Ky është një formulim shumë i qartë në ligjin e ri të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, “kur nuk formohet shumica prej 5 anëtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar”.

/ Top Channel

Prononcimi i kancelares: Merkel: “Jam e tmerruar dhe e tronditur”

merkelDymbëdhjetë vetë gjetën vdekjen dhe 49 të tjerë u plagosën, kur një kamion depërtoi në masën e njerëzve. Kancelarja Angela Merkel u quajti këtë “një akt mizor dhe të pakuptueshëm”.

“Në rrethanat aktuale mund të mendojmë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist”, tha Merkel në Berlin. “Kjo është një ditë shumë e rëndë për Gjermaninë.” Merkel tha në një prononcim, se ajo në këto çaste mendon në radhë të parë për të vdekurit dhe të plagosurit. Një vend i tërë është i bashkuar në hidhërim. “Unë jam me mendime edhe tek forcat e shpëtimit, policët, zjarrëfikësit, mjekët e kujdestarët.” Ajo i falendëroi ata “nga zemra për angazhimin e tyre të vështirë.”

Kancelarja tha, se ka besim të madh tek hetuesit, që po punojnë për ta zbardhur këtë akt. Sipas saj ky është një akt “mizor dhe i pakuptueshëm”, që më ka shokuar. Ky akt do të ndëshkohet, “aq rreptë sa e kërkojnë ligjet tona”.

Merkel theksoi: “Ne nuk duam të jetojmë me mendimin, se frika nga e keqja na paralizon.” Ne nuk do të heqim dorë nga tregjet e Krishtlindjeve. (dw)

Z-Mobile fiton arbitrazhin Vala-s i mer 30 mln euro dhe 100 mijë numra

posta-vala-ksTelekomi i Kosovës gjatë orëve të mbrëmjes konfirmoi vendimin e Tribunalit Ndërkombëtarë të Arbitrazhit, vendim i cili thotë se Telekomi i Kosovës-Vala, duhet t`i paguajë rreth 30 milionë euro Devolli Group apo Z-Mobile , t`ia jap 100 mijë numra shtesë dhe t`ia ofrojë shërbimet 3 dhe 4 g të internetit për të gjithë numrat. Ky vendim pritet të falimentojë kompaninë publike Telekomin e Kosovës.

Ky eshte njoftimi qe ka ardhur ne oret e mbremjes

Telekomi i Kosovës, (unë si Drejtor Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Bordi i Drejtorëve, Menaxhmenti dhe të gjitha punëtorët e Telekomit të Kosovës, me shqetësim të thellë morëm lajmin,- vendimin e  Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, me seli në Londër dhe mbajtur në Vjenë të Austrisë.

Vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, ka marrë vendim negativ për Telekomin e Kosovës, në të cilin vendim thuhet se Telekomi i Kosovës është i obliguar të paguajë 26.1 milionë euro gjobë, duke përjashtuar interesin e kalkuluar si dhe dhënien e bllokut të numeracionit prej 100 mijë numrave shtesë, sipas kërkesës së Z-mobile dhe vendimit të ARKEP. Gjithashtu vendimi i Tribunalit thekson se Z-Mobile duhet t’i jepen edhe shërbimet e 3G dhe 4G.

Ky vendim befasues dhe shqetësues për gjithë atë që quhet Telekom i Kosovës, është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga ndonjë gjykatë në dëm të Telekomit të Kosovës dhe rrezikon seriozisht të ardhmen e korporatës,- deri në falimentim.

Publiku dhe klientët e Telekomit të Kosovës- Vala, duhet të jenë në dijeni se ky vendim i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, erdhi pasi kompania Z-mobile, ka ushtruar padi pranë këtij institucioni, me pretendimet se është shkelur kontrata dhe nuk i janë ofruar shërbimet e kërkuara sipas kësaj kontrate.

Janë 4 pika, apo çështje, mbi të cilat u ushtrua padi dhe ne konsiderojmë se publiku dhe klientët e Telekomit të Kosovës duhet t’i dijnë.

Fillimisht të sqarojmë se kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Daradanet apo Z-Mobile, është nënshkruar në janar të vitit 2009, në mes të përfaqësueve të kompanisë dhe drejtorit të atëhershëm të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Kjo kontratë, e cila themeloi operatorin virtual Z-Mobile, parashihte që këtij operatorit ti jepeshin 200 mijë numra ndërsa raporti i të hyrave mes dy kompanive do të ndahej 73 përqind për Z-mobile dhe 27 për qind për Telekomin e Kosovës.

Z-Mobile arriti brenda një kohe t’i shesë 200 mijë numra dhe bëri kërkesë për një bllok prej 100 mijë numra të rinj. Kjo kërkesë u refuzua nga drejtori i atëhershëm, Ejup Qerimi dhe Bordi i Drejtorëve. Kjo arsye dhe disa të tjera të cilat po i përmbledhim në formë të shkurtër, ishin pikat ku u mbështet padia e Z-Mobile.

1.      Vonesat në liferimin e e SIM kartelave nga ana e PTKsë për Zmobile,

2.      Mos alokimi i bllokut numerik shtesë prej 100 mijë numrave që fillon me 045 7XX XXX,

3.      Mos dhënia e shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe

4.      Degradimi i shërbimeve.

Problemet me pikën e parë të mësipërme që ka të bëjë me vonesat në liferimin e SIM kartelave nga ana e PTKsë drejt Zmobile, datojnë që në vitin 2010 dhe vien si rezultat i dyshimeve te aktiviteteve jo ligjore, apo siç quhej “SIM to SIM”. Ky aktivitet, i humbiste miliona euro PTK-së së atëhershme.

Tutje, në vitin 2012, Zmobile i drejtohet PTKsë me kërkesën për lëshimin e numrave shtesë, me arsyetimin se 90% e 200mijë numrave të ëparë vetëm se janë utilizuar dhe se kanë nevojë për të tjerë. Kjo kërkesë është refuzuar nga Drejtori i atëhershëm I  PTK-së, Ejup Qerimi.  ARKEP, pati marrë një vendim ku kërkonte nga PTK që blloku numerik 045 7XX XXX ti rezervohet Zmobile, vendim i cili ishte atakuar nga PTK në gjykatën vendore, si vendim i padrejtë.

Gjithashtu, Në vitin 2014 Zmobile i drejtohet PTK-së me kërkesën për dhënien e shërbimeve të 3G dhe 4G. Përkundër disa takimeve të mbajtura në mes palësh, nuk arrihet në ndonjë marëveshje të pranuar për palët dhe ish Drejtori Ejup Qerimi së bashku me Bordin e Drejtorëve, refuzon dhënien e këtyre shërbimeve.

 

Në maj 2015, Telekomi i Kosovës njoftohet nga Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit mbi padinë e dorëzuar nga Dardafon.net në këtë arbitrazh me datën 14.04.2015, sipas pretendimeve të tyre në pikat e cekura më lartë.

 

Ne si Telekom i Kosovës, edhe pse kemi marrë vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas njoftimit të Aksionarit, jemi duke u konsultuar me cdo instancë juridike dhe institucionale, për të parë mundësinë e ankimimit dhe refuzimit të këtij vendimi.

 

Poashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të japë të gjithë asistencën e mundshme në këtë drejtim, pasi ky vendim rrezikon Telekomin e Kosovës, në të cilin punojnë mbi 2.300 punëtorë në mënyrë direkte, ndërsa 20 mijë familje jetojnë nga të hyrat që krijojnë prej aktiviteteve të kompanisë. (rtk)

Maqedoni: Gjykata vendos kundër rivotimit në Gostivar

gjykataNë Maqedoni, Gjykata Administrative vendosi që të mos përsëriten zgjedhjet në një qendër votimi në Gostivar, duke shmangur kështu mundësinë e përmbysjes së rezultatit të votimit në vend.

Por Gjykata vendosi në favor të rivotimit në Tearcë pranë Tetovës, që në varësi të rezultatit mund të sjellë ndryshime në numrin e vendeve në parlament për dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE-në dhe Lidhjen Social Demokrate, duke i nxjerrë me numër të njëjtë ligjvënësisht, me nga 50 secila.

Votimet në Tearcë, ku ka 714 votues të regjistruar pritet të mbahen më 25 dhjetor.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kishte vendosur të premten për ripërsëritjen e votimeve, pas një ankese të partisë Besa.

Në votimet e 11 dhjetorit VMRO-DPMNE fitoi në këtë zonë me vetëm 76 vota më shumë se Lidhja Social Demokrate.

Qendra e votimit në Gostivar ka më pak se 900 votues të regjistruar, shumica e tyre shqiptarë.

Aktualisht, VMRO-DPMNE ka 51 mandate, ndërsa Lidhja Social Demokrate 49. Nga partitë shqiptare, BDI ka 10 mandate, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSh 2. Deri tani ato nuk janë shprehur publikisht lidhur me koalicionet e mundshme.

Partisë që do të marrë mandatin për formimin e qeverisë i duhet një shumicë prej 61 deputetësh. Por, në bazë të numrit të deputetëve cilado qeveri që të jetë, sipas njohësve të rrethanave, nuk do të mundet të bëjë ndryshime dhe reforma që kërkojnë 2/3 e votave.

Zgjedhjet e parakoshme të 11 dhejtorit në Maqedoni, që u organizuan për të kapërcyer krizën politike në vend, pas skandalit të përgjimeve, duket se nuk e realizuan këtë pritshmëri. Një numër analistësh parashikojnë zgjedhje të reja parlamentare jo më larg se në pranverën ose verën e ardhshme. (voa)

Viruset që prekën botën gjatë 2016

virusetTani do t’i hedhin një vështrim tre viruseve që gjatë vitit 2016, shkaktuan tek foshnjet deformime e vdekje, si dhe sollën zhgënjime: Zika, Poliomeliti dhe virusi HIV. Në vazhdim ju njohim me mikrobet që shkaktuan panik në mbarë botën, zbulimet shkencore dhe përparimin e arritur në luftën kundër tyre.

Zika është një sëmundje kaq e fshehtë, saqë shumica e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar me të. Por gjatë dy viteve të fundit, shtimi i numrit të foshnjeve të lindura me kokë shumë të vogël i tregoi botës për rrezikun nga Zika.

Virusi u zbulua në Ugandë më shumë se 60 vjet më parë. Kohët e fundit u shfaq në Brazil, duke kaluar në Florida e ndoshta edhe Teksasi. Dr. Anthony Costello i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se edhe vetëm një fëmijë i prekur virusit ka ndikim të madh tek komuniteti dhe aftësitë e familjes për t’u përballur me situatën.

“Është problem i shëndetit publik dhe shqetësim i madh për mbarë botën. Gjatë dy viteve të fundit, Zika është shfaqur në 69 vende. Është një virus që shkakton dëmtim të trurit dhe paaftësi të përhershme, një goditje e madhe për familjet.”

Aktualisht, e vetmja këshillë është që grate të mos shkojnë në zonat ku po përhapet virusi, për të mënjanuar pickimin nga mushkonjat, apo të vonojnë shtatëzaninë. Deri në vitin 2018 pritet të dalë një vaksinë kundër Zikës.

Në Nigeri, virusi i poliomelitit u rishfaq në pjesën verirore vendit, të shkatërruar nga dhuna, ku vaksinimi i fëmijëve është i vështirë. Tre fëmijë u diagnostikuan me poliomelit, pikërisht atëherë kur mendohej se Nigeria ishte pranë zhdukjes së kësaj sëmundjeje.

Ky virus po ashtu ekziston në një tjetër zonë konflikti, përgjatë kufirit afgano-pakistanez. Ata që po luftojnë virusin thonë se janë të përkushtuar për eliminimin e tij. Rastet me poliomelit kanë rënë me rreth 99 përqind që nga viti 1988: nga 350 mijë raste atëherë, në më pak se 40 raste në vitin 2016.

Në fillim të dhjetorit, Instituti Kombëtar i Shëndetit njoftoi fillimin e provës së një vaksine esperimentale kundër virusit që shkakton SIDË-n..

“Nuk do të jetë e lehtë të kemi një vaksine kundër virusit HIV.”

Dr. Anthony Fauci i cilësoi spektakolare përparimet në trajtimin e SIDË-s.

“Sot, kombinimet e trajtimeve për individët e prekur nga virusi mund t’ja shtojnë atij jetën me 50 vjet. Ky është një nga përparimet më të jashtëzakonshme në fushën e mjekësisë.”- tha doktori.

Zbulimi i një vaksine të efektshme, do të sillte fundin e një virusi që ka prekur 70 milionë njerëz dhe u ka marrë jetët 35 milionë të tjerëve gjatë 50 viteve të fundit. (voa)