Dekriminalizimi prek dy deputetë dhe kryebashkiakun e Kavajës

Në Shqipëri, dy deputetë dhe një kryetar Bashkie pritet të humbasin mandatin e tyre në kuadër të të ashtuquajturit ligj për Dekriminalizimin. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka konstatuar se deputeti i Partisë Demokratike Dashamir Tahiri, ai i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Shkëlqim Selami dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, përfaqësues i Partisë Socialiste “janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve” që kryejnë. Vendimi përfundimtar për heqjen e mandateve të tyre pritet tani të merret nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Për deputetin Dashamir Tahiri, prokuroria deklaroi se pas hetimeve të thelluara nuk ka deklaruar në formularin për Dekriminalizimin thë dhënat se “në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave; Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar” dhe se “ është kontrolluar disa herë nga policia”.

Për deputetin tjetër të LSI-së Shkëlqim Selami, rezulton se ndaj tij ka patur “një masë sigurimi ‘arrest me burg’, nxjerrë nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit”.

Një listë më e gjatë të dhënash të fshehura është zbuluar për kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. Bëhet fjalë për “një dënim për veprën penale të përdhunimit në grup”, në vitin 1995 në Itali. Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish”. Rroshi madje rezulton që në vitin 2015 të ketë qenë nën hetim, me një nga emrat e ndryshëm që ka përdorur, dhe të Agjencisë amerikane të luftës kundër drogës, DEA. Sipas prokurorisë “në vitin 2015 DEA , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”.

Kryebashkiaku i Kavajës, ishtë vënë prej kohësh në shënjestër të akuzave për të kaluarën e tij. Në Maj ai dha dorëheqjen pasi u bë publik vendimi i dënimit të tij për “përdhunim në grup”. Kryeministri Edi Rama e kishte mbështetur publikisht atë ndaj lumit të akuzave. Por pas dorëheqjes, kreu i qeverisë reagoi duke deklaruar se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka”. Megjithatë ai nuk shkoi më tej se kaq, dhe nuk firmosi shkarkimin e Rroshit i cili më pas u tërhoq nga ideja e largimit vullnetar nga detyra, ndonëse në qershor do të arrestohej. Në muajin Tetor, me vendim Gjykate atij ju hoq “arresti shtëpiak”, ndërkohë që hetimi ndaj tij vazhdon. (voa)

Nulleshi: KEK-u nuk është ndotësi kryesor i ajrit

cilesia-e-ajritNë Korporatën Energjetike të Kosovës thonë se gjendja e cilësisë së ajrit që ka ndikuar në keqësimin e situatës nuk është vetëm faji i termocentraleve të kësaj korporate, por edhe të industritë e tjera.

“Elementi kyç që ndikon është diçka tjetër, ndonjë burim tjetër e jo termocentralet e KEK-ut. Pra KEK, nuk është determinues në këtë rast të gjendjes alarmuese që jemi”, ka thënë Edmond Nulleshi në emisionin “Përballje” bashkëprodhim i RTV Dukagjini dhe Telegrafi.com.

Vritet ambasadori rus në Turqi

atentatori-i-ambasadorit-rus-1Një person i armatosur, i veshur me kostum dhe kravatë, e ka qëlluar ambasadorin e Rusisë në Turqi, Andrei Karlov, derisa ky i fundit mbante fjalim në një galeri arti në Ankara.

Pak orë më vonë, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se diplomati i tyre ka vdekur nga plagët e marra.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova, u ka thënë gazetarëve në Moskë se ambasadori Andrei Karlov, ka vdekur pothuajse menjëherë pas sulmit të mbrëmjes së 19 dhjetorit.

Televizioni turk, NTV, raporton se edhe tre persona të tjerë janë plagosur, ndërsa policia turke e ka goditur për vdekje sulmuesin, i cili duket se e ka kryer aktin i vetëm.

“Ne e konsiderojmë këtë si vepër terrorizmi”, ka thënë Zakharova dhe ka shtuar: “Terrorizmi nuk do të fitojë dhe ne do të luftojmë kundër terrorizmit me vendosmëri”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka biseduar në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, në lidhje me sulmin, ka njoftuar zyra e Erdoganit.

Duke folur jashtë spitalit ku është dërguar Karlov, kryetari i Ankarasë, Melih Gokcek, ka thënë se vrasja ka qëllim të rrënojë marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë.

Karlov ishte duke mbajtur fjalim në Qendrën për Artin Modern, në hapjen e një ekspozite të fotografive turke, të realizuara në Rusi.

Pamjet filmike, të xhiruara nga pjesëmarrësit në këtë ngjarje, e tregojnë një burrë që kishte të veshur kostum dhe kravatë, ndërsa në dorë e mbante një pistoletë. Pasi ka sulmuar ambasadorin, ai ka bërtitur në arabisht, e më pas në turqisht, derisa qëndronte afër mikrofonit:

“Allahu akbar! Ne jemi ata që i kemi premtuar (Profetit) Muhamed që të bëjmë xhihad. Allahu Akbar! Kjo hakmarrje është për Alepon. Kjo hakmarrje është për Sirinë. Kjo hakmarrje është për Alepon. Kjo hakmarrje është për Sirinë”, ka thënë ait në gjuhën arabe.

Thirrja “Allahu akbar” është fjalia në arabisht që nënkupton “Zoti është i madh.”

Ai më pas ka bërtitur në turqisht.

“Ju do të përgjigjeni për gjithçka që keni bërë në territoret tona. Derisa ne nuk jemi të sigurt, as ju nuk do të jeni të sigurt. Largohuni, rrini në vendet e juaja. Unë do të largohem nga këtu vetëm si trup i vdekur”, ka thënë ai.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se presidenti rus,Vladimir Putin, është informuar për sulmin.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit,John Kirby, ka thënë se SHBA-ja e dënon sulmin.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka thënë se është “i tronditur” nga vrasja dhe e ka dënuar po ashtu “sulmin frikacak”.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, ka thënë se vendi i tij qëndron me Turqinë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit,

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka dënuar “fuqishëm” vrasjen.

Prej shtatorit të vitit 2015, Rusia ka nisur fushatë ajrore në Siri, duke kërkuar forcimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar al Assad, dhe shkatërrimin e grupeve rebele që mundohen ta rrëzojnë nga pushteti Assadin.

Agjencia Reuters e citon një raport të agjencisë ruse të lajmeve, Interfax, e cila thotë se bisedimet në Moskë rreth së ardhmes së Sirisë, që përfshinin Rusinë, Iranin dhe Turqinë, do të mbahen nesër, me gjithë vrasjen e ambasadorit Karlov në Ankara.

Interfax e ka cituar udhëheqësin e komisionit parlamentar rus për çështje ndërkombëtare, Leonid Slutsky. (REL)

Top Story, Tirana sipas…Erion Veliajt

veliajTirana përgatitet për festat, por në ditët e fundit kryeqyteti kalon dy momente të rëndësishme. Më 29 dhjetor miratohet plani i ri rregullues i Tiranës dhe po në të njëjtën ditë edhe buxheti 2017 i bashkisë.

Çfarë do të bëje Erion Veliaj me 100 milionë eurot që pritet të marrë nga buxheti i Qeverisë? Cili është plani i tij për sheshin Skënderbej? Cilat janë zgjidhjet për problemin modern të kryeqytetit, trafikut të rëdnuar dhe cila është e nesërmja e tij në politikë?

Për këto dhe të tjera pyetje, Top Story u zhvendos këtë të hënë në rrugët e Tiranës në një intervistë të pazakontë me vetë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Intervista nisi nga njëri prej kantiereve të punimeve të hapura nga Bashkia, në atë tek Pazari i Ri.

Erion Veliaj: Është një kantier që do edhe 2-3 muaj që të përfundojë. Besoj që për Ditën e Verës i gjithë kompleksi i Pazarit të Ri do të jetë hapur. Jemi duke punuar me 3 turne që të kapim shumë kohë që ka humbur Tirana. Lajmi i mirë është që shumë banesa kanë fituar vlerë. Vlera e pronës është rritur deri në 50 përqind. Një pjesë e tyre kanë filluar të hapin aktivitete. Në tregun e fruta-perimeve kemi ndërhyrë duke u fokusuar kryesisht tek produktet vendase. Struktura ka një koncept skandinav me thepisje të çatisë, që në fakt është konturi i Malit të Dajtit, një pasqyrim në miniaturë i Malit të Dajtit.

Sokol Balla: Hasi rezistencë kur u nisën punimet?

Erion Veliaj: Ndryshimi has gjithmonë në një lloj rezistence. Kemi patur rezistencë, por në fakt ata që kanë qenë më rezistentët, sot kanë bërë disa kryevepra rreth e rrotull pazarit dhe besoj që ka një konsensus që gjithë ndryshimi vjen për mirë.

Sokol Balla: Cili është koncepti i rigjallërimit të këtyre zonave?

Erion Veliaj: Së pari, zona ishte e nënpërdorur. Kemi një koncept sesi do të menaxhohet, ku ata që do të bëjnë biznes këtu do të jenë automatiksiht edhe anëtarë të një shoqërie që do të menaxhojë këtë zone, ku me një pagesë modeste do të jetë krejtësisht i pavarur nga politikat fiskale të Bashkisë së Tiranës.  Nuk do t’i paguajnë taksë Bashkëisë së Tiranës, do t’i administrojnë vetë të ardhurat e tyre, njësoj sikur të paguanin taksë, por që t’i kthejnë sërish këtu për pastrim, mirëmbajtje, punime shtesë.

Sokol Balla: Megjithatë, edhe në Tiranë nata është e gjallëruar deri në një orë të caktuar dhe e përqendruar në pak zona.

Erion Veliaj: Gjëja e parë që duam të bëjmë për gjallërimin e jetës së natës është që zona të tilla të jetojnë 24 orë. Domethënë, pasi tregtohet gjatë paradites, pasditja të jetë një zonë kulinarie, minikoncerte. Do të jetë një zonë e gjitha pedonale, nga sheshi Avni Rustemi deri tek rruga Qemal Stafa. Së dyti, bashkia po mundohet të jetë aktive në jetën e natës. Ne duam të kemi simbolikisht një kryetar bashkie të natës, një aktivist që promovon jetën e natës, që të punojë turnin e tretë për t’u siguruar që jeta e natës të gjallojë. Shumë bashki e kanë një të tillë. Këtu jeta e natës shkon në disa milionë euro në fundjavë. Kjo do të thtoë që këtu ka njerëz që shpenzojnë, që punësojnë.

Sokol Balla:  Po duket sikur mungon larmishmëria?

Erion Veliaj: Momentalisht në Tiranë nuk ka natë që të mos ketë një opera, një film të ri që ka dalë, një koncert, ndaj na duhet të promovojmë atë që kemi. Për një qytet me këto përmasa, për këtë rajon besoj që Tirana ka më shumë aktivitete në mbrëmje deri në mesnatë se shumë qytete të tjera. Besoj që po të bëjmë një promovim më të mirë kemi mundësi që ekonominë e natës ta shfrytëzojmë më mirë.

Sokol Balla: Nga vijnë paratë për projektet?

Erion Veliaj: Për Paazarin e Ri këtu kemi bërë një propozim ku kemi ndarë disi kostot. Investimin e parë e bëri Fondi Shqiptaro-Amerikan. Ajo që premtuam ne është që ne do të paguanim çdo qindarkë që do të paguanin ata dhe ne investuam tek tregu i mishit dhe peshkut. Pastaj vajtëm tek qeveria që pranoi të bënte fasadat. Kështu, të trija palët nuk u rënduan më shumë se normalisht.

Sokol Balla: Për tregtarët e vegjël e ka vdekur deri më tani aktivitetin e tyre?

Erion Veliaj: Momentalisht aktiviteti është zhvendosur tek sheshi Avni Rustemi. Për momentin askush nuk ka patur një humbje ekonomike. Përkohësisht kemi pezulluar pak trafikun, pak aktivitetin e përditshëm për t’u siguruar që do të marrim një përfitim shtesë. Sot është rritur vlera e pronës në këtë zonë këtu me 50 përqind pa bërë asgjë pronarët e banesave këtu. Me plani i ri urbanistik kjo zonë dhe gjithë pjesa tjetër e njësisë 8, që quhej zona e Shkollës së Partisë, nuk do të ketë më statusin e zonës së mbrojtur për disa arsye. Së pari, vetëm për Shtëpinë e Partisë, e cila sot nuk ekziston vetë, krejt papritur e gjithë zona merrte një status ku askush nuk mund të bënte rregullimin më të vogël të banesës së vet.

Sokol Balla: Në këtë zonë, do të ndërtohet?

Erion Veliaj: Në këtë zonë, nëse qytetarët do të duan të zhvillojnë pronën e tyre mund të zhvillojnë përsa kohë që shtëpia nuk është monument kulture. Ajo që na ndodh në këtë zonë, është që për një shtëpi që nuk është më, e gjithë zona ishte shpallur zonë e mbrojtur për shtëpi që ishin të gjitha të vjetra, pa pikë vlerë kulturore, pa asnjë lloj statusi të vecantë. Ka qenë një premtim elektoral që kam dhënë për këtë zonë.

Sokol Balla: Plani i ri nuk është miratuar akoma, pse po vonon kaq shumë?

Erion Veliaj: Ka qenë një pjesë e rifinituarave kryesisht në zonat rurale. Plani urbanistik i Tiranës sot do të thotë edhe plani urbanistik i Shën Gjergjit, Zall Dajtit e të tjera zonave të reja.

Sokol Balla: Do të ketë një mbrojtje nga sindroma e betonit? Do të ketë kontroll për këtë zonë pasi mbetet zona e fundit historike e Tiranës?

Erion Veliaj: Plani i vjetër që trashëguam që planifikonte mjaftueshëm ndërtim për 4.5 mln banorë. Kjo ishte një utopi, një plan i tillë nuk ka mundësi që të ndodhë. Ishte vënë një koeficient i tillë për të akomoduar oreksin e atyre që donin të ndërtonin dhe vetmja mënyrë si të justifikohej ishte se qyteti në 10 vitet e ardhshme do të shkojë 4.5 mln banorë. Ndërkohë, plani ynë parashikon komplet të kundërtën. Ne parashikojmë që deri në 2030 Tirana të jetë maksimumi 1.6 milionë banorë, nga 1 që është sot. Tirana rritet çdo vit me 20-30 mijë banorë. Ambicia jonë për këtë zhvillim është sa 1/3 në çështjet e volumit krahasuar me atë që gjetëm.

Sokol Balla: Më kujtohet një premtim i juaj që do të tregoheshit më të kujdesshëm në çështjet e ndërtimeve. Ju shoh më të relaksuar sot.

Erion Veliaj: Në fakt, u bë një vit e gjysmë që nuk janë dhënë leje ndërtimi në tiranë. Ajo që asnjë kryetar bashkie nuk do është që qyteti t’i mbingarkohet nga njerëz që vijnë në tiranë. Studentët që u diplomuan vjet kur u zgjodha unë, një pjesë e madhe nuk janë larguar nga tirana, madje fejuar e martuar dhe do të gjejnë punë në tiranë. Kjo është arsyeja pse po japim kredi të buta. Për një qytet është lajm i mirë që njerëziit duan të vijnë dhe të jetojnë në atë qytet. duhet të gjejmë mënyrën më të drejtë për të akomoduar njerëzit që e shohin tiranën si mundësi për sukses.

Sokol Balla: Kjo është një nga zonat ku aktivitete të vogla ka patur histori9kisht dhe një problem kryesor ka qenë higjiena, furnizimi me ujë, kontrolli ushqimor. Furnizimi ka qenë gjithmonë një problem. Furnizimi me ujë?

Erion Veliaj: Tiranën e kemi gjetur me 7 orë e gjysmë  8 orë në ditë, sot jemi 13-14 orë në ditë, dyfish në një periudhë relativisht të shkurtër. Kemi bërë 101 ndërhyrje me ujësjellës kanalizime për zëvendësime tubash. Tirana është parashikuar për 200 mijë banorë, ka patur tuba të vegjël gize, instaluar në 50=60, që kanë degraduar. Sot ndërmarrja e ujësjellësit është një histori suksesi e menaxhimit publik. Ne kemi patur disa oferta…

Sokol Balla: Oferta kineze te 200 mln euro

Erion Veliaj: Jo vetëm kineze. Kemi patur edhe franceze dhe spanjolle. Ajo që gjykoj është sa aksione mund të shesim për të rritur kapital, jo për të hequr dorë ngaujësjellësi. Bëhet fjalë për të shitur diçka për të marrë kapital dhe për të investuar. Sot nuk jemi në një situatë për të marrë kredi dhe e vetmja mundësi për të rritur kapital është duke shitur një pjesë të aksioneve. Kjo bëhet që tirana të ketë ujë 24 orë brenda kohës që ne jemi gjallë, se mund të ketë pas 100 vitesh, por na duhet kapital për këtë që ta bëjmë në kohë të shkurtër. Kjo është arsyeja se pse besoj që ujësjellësi ka qenë një histori suksesi. Uji në tiranë është me të njëjtat shifra pegese që është edhe në Korçë e Përmet e Gjirokastër, që kanë qenë 2-3 qytetet me shëmbull dhe më vjen mirë që ja kemi arritur kësaj dite.

Sokol Balla: Le të flasim pak për trafikun. Trafiku është rënduar në kryeqytet, aq sa pak ditë më parë edhe policia u dorëzua dhe tha që nuk ka çfarë të bëjë.

Erion Veliaj: Secili duhet të bëjë detyrën e vet. Të kuptojmë që në një qytet me 1 milionë banorë do të ketë trafik. Do të thotë që me njerëzit që vijnë për festa, me ata që e përdorin si tranzit, shumë lëvijze që mund të bëhen me bicikletë, ose këmbë, besoj që një qytet i këtyre përmasave ka këtë lloj trafiku. Nëse njerëzit duan një qytet që s’ka trafik, do të thotë që është një qytet që nuk ka jetë, s’ka biznes.

Sokol Balla: 170 mijë makina në tiranë, nëse flasim për 20 mijë të tjera shtesë cdo ditë që cijnë nga rrethet dhe që flasim për këto ditë feste, flasim për gati 300 mijë makina, ju përuruat aksin e ri pas INSIG-ut dhe sërish duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar?

Erion Veliaj: Ajo që duhet të ndryshojë nuk është vetëm infrastruktura, por edhe kultura e mënyra sesi ne e përdorim makinë. Ky është një qytet që është ndërtuar për 170 mijë banorë, jo 170 mijë makina.

Sokol Balla: Ky nuk është justifikim për një person që votohet si një menaxher i ri me ide të reja, siç ishte Pazari i Ri.

Erion Veliaj: Asnjëherë nuk kam thënë që do të zhduket trafiku në Tiranë sepse përsa kohë është zemra e Shqipërisë, është kthyer në vendin e suksesit, nëse dikush do të bëjë jetën e vet aktive në Tiranë do të paguajë edhe këtë çmimin e transportit duke qëndruar në trafik. Do jetë një çmim përsa kohë shumë prej nesh, unë i pari nuk përdorim biçikletën dhe ecjen në këmbë në një vend që ka 300 ditë diell.

Sokol Balla: Pavarësisht se janë shtuar, rrugët për biçikleta nuk janë mjaft. E dyta transporti publik është ai që është dhe e treta janë disa akse që nuk kanë përfunduar, si rruga e re që do të shkojë nga Sauku tek Qyteti i Nxënësve, e që do të përfundojë para qershorit, por deri atëherë, Tirana po vuan në mënyrë ditore, është kthyer në një gangrenë dhe të bllokosh në këtë moment sheshin Skënderbej, i bie që të krijosh me ose pa dashje një ngjeshje më të madhe në trafik.

Erion Veliaj: Në Tiranë vetëm 17 përqind e njerëzve janë pronarë të një makine. Po 83 përqind e njeëzve që nuk kanë makina, nuk meritojnë të kenë një shesh?! Këta që ecin, prindërit tanë që nuk kanë makina, ata që duan të përdorin sheshin Nënë Tereza për të luajtur me fëmijët, ata që duan më shumë hapësira të gjelbërta?!

Sokol Balla: Pastrimi ka ndryshuar, çfarë u bë ndryshe nga më parë?

Erion Veliaj: Kemi patur një sistem pastrimi që ka qenë i kontraktuar tek privati që nuk ka bërë ndonjë punë të shkëlqyer dhe gjithë mbeturinat hidheshin në një vend. Ne kemi një seri koshash të rinj që janë vendosur. Kemi dy makineri, kemi një makineri që mbledh plehrat që riciklohen dhe një tjetër që mbledh plehrat që nuk riciklohen. Deri më tani po funksionon dhe fatmirësisht fëmijët kanë qenë ata që kanë qenë më entuziastë dhe me trajnimet që kemi bërë ata imponojnë edhe prindërit e tyre për ndarjen e mbeturinave. Nuk është perfekt, por të mendojmë që ka vetëm një javë që është prezantuar. Në shumicën e vendeve të BE ka vite dhe unë them që për kaq pak ditë jam shumë i lumtur.

Sokol Balla: Në pjesën e dytë e nisim bisedën 9 metra poshtë nivelit të sheshit Skënderbej, në nivel nëndetësje.

Erion Veliaj: Praktikisht rrethohemi nga uji. Do të ketë dy depozita me 1 mijë metër/kub ujë, që do të kenë dy funnksione. Një vaditjeje dhe tjetra për shatërvanet.

Sokol Balla: Thatë që lulishtja prapa Teatrit të Operas dhe Baletit do të jetë një tip fidanishteje.

Erion Veliaj: Në fakt shumica e pemëve janë porositur. Pjesa pas do të funksionojë si fidanishte e përkohshme dhe shumica e ujit do të shkojë për ujitje dhe vaditje, ndërsa pjesa tjetër për shatërvane. Do të kemi 120 shatërvane, 100 me rrjedhje të lirë, kurse pjesa tjetër shatërvane klasike. Si projekt hidrotenik dhe inxhinierik është ndoshta projekti më i ndërlikuar në Shqipëri.

Sokol Balla: Këto punime janë të vjetra, datojnë në 2011 kur u ndërprenë pasi erdhi Basha?

Erion Veliaj: Ky ishte fillimi i projektit që dolën jashtë funksionit pas ndërprerjes së bërë nga Qeveria Berisha. U mbushën me baltë dhe me ujë deri në tavan. Me ditë të tëra u vendosën pompat që hoqëm ujin. Arritëm të rikuperonim investimin që të mos shkonte dëm. Kursyem shpenzimet e zonës së nëntokës.

Sokol Balla: Pse ky fiksim i qeverive me sheshin Skënderbej? Duket sikur secila qeveri kërkon të vendosë stampën e vet.

Erion Veliaj: Jemi i vetmi qytet në Europë që nuk ka një qendër të veten. Ne nuk e kemi dhe e kishim zënvendësuar me një rrethrrotullim makinash. Nëse duam që qendra të jetë një monument dedikuar makinave apo njerëzve? Unë besoj që qendra duhet të jetë për njerëzit.

Sokol Balla: Ça kostoje ka gjithë ky ndërtim dhe a ka përfunduar ndërtimet nga pikëpamja infrastrukturore?

Erion Veliaj: Nëse e krahasojmë me projekte të ngjashme me rajonin tonë, për shembull me atë të Shkupi 2014, që kapi një vlerë rreth 800 mln dollarë, sheshi Skënderbej me të gjtiha shkon më pak se 10 mln.

Sokol Balla: Këto para të taksapaguesve apo grante?

Erion Veliaj: Disa kanë qenë para të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, disa të bashkisë dhe disa të qeverisë. Ka një miks financimi. Sheshi do të ketë një ndriçim me një koreografi spektakolare.

Sokol Balla: Pse nuk u investua që ky shesh të gërmohej dhe të krijoheshin kalime nëntokësore, pra të lidhjes së bulevardit kryesor me bulevardin Zogu i Parë dhe sipër të ishte pedonale?

Erion Veliaj: Së pari sepse kostot janë të mëdha për një qytet të përmasave të Tiranës. Së dyti, ajo që kemi kuptuar është se edhe nëse do të ndërtonim nënkalim, është që thjeshtë zhvendosim bllokimin e trafikut. Ajo besoj se mund të vlejë kur të kemi financa të shëndosha sepse kostoja e një tuneli të tillë, që të lidhë bulevardin shkon deri në 50-60 mln dollarë, pra gjithë buxheti i investimeve të bashkisë për dy vjet. Për momentin kemi zgjidhjen teknike më të përballueshme për Tiranën.

Sokol Balla: Sa ishte fiksimi juaj dhe sa i Ramës për ta përfunduar sheshin Skënderbej?

Erion Veliaj: Ishte më shumë çështje pasioni sesa çështje fiksimi.

Sokol Balla: Na jepni fjalën që nuk do të lëvizni simbolin e sheshit? (monumentin e Skënderbeut)

Erion Veliaj: Jo vetëm që nuk do të lëvizë, por edhe do të çlirohet dhe do të jetë më i aksesueshëm. Do të jetë në qendër të sheshit dhe respektin dinjitoz që meriton heroi ynë kombëtar. Sheshi do të jetë 24 mijë metra katrorë dhe kur të përfundojë do të jetë pedonalja më e madhe në Ballkan. Sheshi do të ketë rreth 12 minisheshe të tjera të gjelbëruara me pemë të larta. Do të mbillen rreth 5 mijë pemë në shesh. 50 përqind e sheshit do të jetë në hije me pemë dhe nuk do të jetë  një shesh pompoz e autoritar që është parë në vendet e lindjes.

Sokol Balla: Ka një ndryshim të projektit apo jo?

Erion Veliaj: Ka një përmirësim të projektit. Ka shumë kosto gërrmimi, kosto më e vogël ishte që pasi bëmë gërrmimin ishte bërë të bënim një parking nëntokësor që do të futet nga rruga e Kavajës dhe do të dalë tek ajo e Durrësit, ose do të bëhet me dy hyrje-dalje. Ka 300 makina të përashikuara që për bashkinë e nxjerr koston për 1 vit e gjysmë. Është pronë e Bashkisë së Tiranës. Ndryshuam projektin sepse patëm kërkesa nga njerëzit që e duan sheshin, por donin edhe vend ku të linin makinën. Bashkuam këto ide.

Sokol Balla: Cili është argumenti që si menaxher i qytetit jepni me këtë shesh dhe me bllokimet e rrugëve të tjera? Kam përshtypjen që po mundoheni që ta bëni makinën antipatike në sytë e shqiptarëve, jeni i sigurtë për këtë?

Erion Veliaj: Stacioni i ndotjes na tregon që në ditët pa makina kemi patur norma të ndotjes së ajrit të njëjta me ato të BE-së. Së dyti, na ka treguar që ndotësit më të mëdhenj janë mikrogrimcat që vijnë nga makinat që përdorin naftë dhe benzinë. Në gjithë botën sot, në gjithë vendet e qytetëruara po i shpallet luftë makinës. Ne sot harxhojmë më shumë për makinat sesa po harxhojmë për fëmijët. Është e arsyeshme që t’ja bëjmë me dije publikut këtë. Nuk është shumë popullore, por qytete të tjera e kanë marrë këtë vendim.

Sokol Balla: Pllakat, gati për t’u shtruar?

Erion Veliaj: Në fillim të janarit do të fillojmë me shtrimin e pllakave. Pllakat vijnë nga troje të ndryshme, nga të gjitha trojet shqiptare. Pllakat do të formojnë një mozaik dhe unë besoj që deri në qershor të vitit tjetër, projekti do të jetë totalisht i përfunduar dhe aktivitetet e para besoj do t’i kemi në qershor të 2017.

Sokol Balla: Nga i gjeni paratë për të bërë projektet, pasi ka shumë investime dhe shumë ndërtime në shumë fusha?

Erion Veliaj: Buxheti që gjeta ishte një buxhet që nuk tejkalonte 35-36 mln eurot, ndërsa sot është trefishuar. Është zgjeruar baza, disa taksa për bizneset e mëdha janë rritur. Ajo që kemi ulur për biznesin janë procedurat dhe afatet.

Sokol Balla: Jeni në prag të miratimit të planit rregullues që do të zhvillojë shumë zona që nuk janë në planin rregullues. Unë kam folur me disa ndërtues që thonë se nuk është më aq ekzotike të investosh në Tiranë për shkak të taksës së ndërtimit.

Erion Veliaj: Kjo nuk është e vërtetë. Fakti që ne kemi dhjetra ndërtues që kërkojnë të zhvillojnë më bën të kuptoj që i bëjnë naze taksës dhe në fund fitimi që kanë e justifikon këtë taksë.

Sokol Balla: Na shpjegoni çfarë është kjo taksë dhe sa rritet?

Erion Veliaj: Kostoja e ndërtimit në Tiranë nuk i kalon 300-400 euro për metër/katrorë. Kostoja e shitjes në vendet më të lakmuara shkon mbi 1500 euro. Kjo do të thotë që për një metër katror, një ndërtues fiton 1 mijë euro. Do të thotë që për një ndërtim 10 mijë metra katror ndërtuesi të fitojë 10 mln euro dhe mua më duket e arsyeshme që 8 përqind të kësaj ndërtuesi t’ja paguajë bashkisë së qytetit. Po të krahasohet kjo taksë me rajonin jemi sërish më ulët. Ne e kemi vendosur 8 përqind të çmimit të shitjes.

Sokol Balla: Patët rezistencë?

Erion Veliaj: Patëm rezistencë. Patëm një betejë në Gjykatën Kushtetuese dhe një debat të madh edhe në këshillin bashkiak.

Sokol Balla: Jo vetëm kaq, mua më rezulton që ka patur një lobim të fortë edhe brenda mazhorancës tuaj kundër kësaj takse?

Erion Veliaj: Mund të ketë patur lobim. Fakti është që kjo mazhorancë në Parlament i ka qëndruar interesit publik.

Sokol Balla: Këtu keni qenë në unison të gjithë, pasi koalicioni ëshë shumëngjyrësh tashmë?

Erion Veliaj: Mundohem që të punoj me gjithë aleatët e koalicionit. Kam marrëdhënie të shkëlqyer me të katër partitë që janë aleate.

Sokol Balla: Disa funksionarë të lartë të LSI thonë që me erjonin jemi të kënaqur, të gjitha kërkesat për punësime na i ka plotësuar…

Erion Veliaj: Nuk besoj se thonë këtë të punësimeve sepse ndoshta nënkupton që kemi marrëdhënie komunikimi të shkëlqyer. Kam kolegë nga të gjitha partitë e koalcionit.

Sokol Balla: Festat janë një moment për të kujtuar ata që nuk kanë e që nuk janë më. Më duhet t’i rikthehem këtu një vdekjeje në Sharrë, një 17-vjeçar për vdekjen e të cilit kanë nisur hetimet dhe Bashkia e Tiranës është e përfshirë në këto hetime. A mendoni gjëra të tilla në ditë festash dhe a keni diçka më shumë për të thënë për atë ngjarje?

Erion Veliaj: Mendoj për këtë qytet dhe për atë ngjarje. Di gjithashtu që është më e rëndësishme që të flasë drejtësia. Unë nuk bëj politikë me ngjarje të dhimbshme. Mundohem të jem i dobishëm. Për disa gjëra, faktet që nuk i di dhe politizohen, preferoj më mirë të flasë drejtësia sesa të politizohet më tej një ngjarje që nuk ka lidhje direkte me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por është një ngjarje që ka ndodhur në një kantier për të cilën ne presim një zbardhje nga drejtësia.

Sokol Balla: Teatri Kombëtar ka qenë gjithmonë një objekt sherresh, si do të zgjidhet ky problem?

Erion Veliaj: Kemi një propozim që ta rindërtojmë teatrin kombëtar. Është krijuar si teatër për të argëtuar trupat italiane në tiranë, që ka shumë histori, por që duhet të ndryshojë. Sot në gjendjen aktuale që është, ku fut ujë, muret po bien ka nevojë që të rrisë kapacitetin dhe modernizohet. Propozimi ynë është që të ndërtojmë një teatër të ri, me më shumë vende me 500-600 vende, që të jetë vetëm teatër, por edhe me aktivitete të tjera që hapin qytetin për më shumë sesa orari i punës.

Sokol Balla: Më bëri shumë përshtypje deklarata e policisë për trafikun në Tiranë, si janë raportet tuaja më ministrin e Brendshëm? Shiheni të dy si mbështetës të Edi Ramës dhe ai ju ka mbështetur, por flitet për një rivalitet mes ju dyve për të ardhmen e PS.

Erion Veliaj: Ne nuk kemi asnjë rivaliteti. Jemi të fokusuar tek bashkëpunimi që kemi për menaxhimin e qytetit sepse na bie barra të dyve, përfshirë edhe punën e trafikut.

Sokol Balla: Aty u duk sikur ka patur pak…pra një polici që thotë unë dorëzohem! Nuk ka çfarë t’i bëj trafikut, duket sikur ua lë peshqesh juve, pra realisht qytetarët duan të dijnë sa ndikojnë këto fërkime të supozuara në menaxhimin e qytetit.

Erion Veliaj: Detyra jonë është të mos dorëzohemi, që të mendojmë për një zgjidhje. As unë, as Sajmiri nuk jemi dorëzuar. Ka trafik, por fundi i vitit ka qenë gjithmonë kështu. Gjithmonë themi që është ndryshe, por gjithmonë kështu ka qenë.

Sokol Balla: Tirana ka disa ‘black spote’ e njëra prej tyre është edhe Hotel Dajti…

Erion Veliaj: Jo dhe për shumë kohë. Ka një propozim shumë interesant që katet e sipërme t’i ushtrojë Banka e Shqipërisë për zyra, ndërsa ambientet poshtë t’i kthehen publikut.

Sokol Balla: Një nga vendimet e fundit, kalimi i piramidës në pronësi të bashkisë për një tjetër simbol të qytetit. Çfarë do të ndodhë me të?

Erion Veliaj: Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Piramida është sot e amortizuar dhe jashtë funksionit. Në gjysmën e dytë të janarit do të kemi një konkurs ndërkombëtar për arkitektë për mënyrën sesi e duan Tiranën. Ne duam t’i rikthehet qytetit, të jetë një vend për muzikë, ekspozita, debat, argëtim. Duam ta fokusojmë tek të rinjtë. Kemi një plan dhe kalimi në varësi të bashkisë na jep mundësi që të ecim pak më shpejt.

Sokol Balla: Cila është e ardhmja e Erion Veliajt?

Erion Veliaj: E ardhmja ime është në bashkinë e tiranës. Do shfrytëzoj maksimalisht ntë gjithë besimin që më japin qytetarët për ta cuar tiranën në shekullin e ri. Nuk është ende aty ku duhet. Disa gjëra kemi zgjidhur.

Sokol Balla: Gjithë ky investim i madh i juaji, duket e pamundur që të ndaloni projektin tuaj politik vetëm tek Tirana?

Erion Veliaj: Tirana është ajo me të cilën zgjohem çdo mëngjes. Ky është pasioni im, ky është fokusi im.

Sokol Balla: A ka nevojë Shqipëria për fytyra të reja në politikë?

Erion Veliaj: Kjo që po bëjmë ne është politikë, është politika e re ku ne besojmë.

Sokol Balla: Sheshi Nënë Tereza ka qenë vazhdimisht i mbyllur këtë vit. Keni një park lojrash sot këtu, por ndërkohë qarkullojnë zëra që parku tradicional i lojrave, ai tek Rruga e Elbasanit do të zhduket.

Erion Veliaj:  Nuk është kështu. Sheshi Nënë Tereza ka qenë vetëm një rrethrrotullim dhe nuk ka banorë në të. Më duket e paarsyeshme që Sheshi Nënë Tereza të kishte funksion vetëm rrotullimin e makinës. Kemi përdorur këto hapësira për t’i dhënë frymëmarrje qytetit. Sheshi tek 7 Xhixhat është një nyje që ka shumë trafik, është hapësirë e dhënë me qira nga shtetit dhe nuk më rezulton ndonjë kënd lojrash kushedi se çfarë. Ajo që propozojmë është që ta rimarrë Bashkia e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka një ide që të bëjë nën tokë një parkim nëntokësor dhe mbi një kend lojrash shumë më të bukur nga ai që kemi sot, ku përfiton vetëm një privat.

Sokol Balla: Do jetë park lodrash apo do të ndërtohet?

Erion Veliaj: Do të jetë park lodrash, do t’i kthehet Bashkisë së Tiranës, do të bëjë parkim poshte dhe park lodrash sipër.

Sokol Balla: Pjesa tjetër?

Erion Veliaj: Pjesa tjetër është pronë private dhe duhet të vendosin privatët në lidhje me rregullat e këtij shteti.

Sokol Balla: Duket se një nga synimet që ju keni është t’u ktheni dëshirën njerëzve për Tiranën, mendoni që ja keni arritur?

Erion Veliaj: Besoj dhe do vazhdoj të përpiqem çdo ditë për këtë.

Sokol Balla: Çfarë parashikoni për Tiranën për këto festa?

Erion Veliaj:  Do të kemi një koncert të madh për Krishtlindje, ndërsa koncerti i vitit të ri ku do të bëjmë numërimin mbrapsht, pastaj filarmonia e Vjenës. Në Bashkinë e Tiranës ka vetëm një stinë, stina e punës.

Sokol Balla: Më 29 dhjetor, ka dy ngjarje, buxheti i tiranës dhe plani urbanistik.

Erion Veliaj: Janë dy çështje që janë stërdebatuar.  Nuk besoj që ka patur një plan urbanistik që të ketë patur kaq shumë konsulencë dhe të jetë bërë në një kohë kaq rekord. Premtova që do ta mbyll brenda një viti dhe ja kam arritur.

/ Top Channel

Brukseli i shqetësuar nga retorika negative në Maqedoni

brukseliBrukseli ka shprehur shqetësime të hënën në lidhje me retorikën negative në Maqedoni, që është theksuar në veçanti në ditët pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit atje. Të shtunën, ish-kryeminisrti maqedonas Nikolla Gruevski, i cili është kryetar i partisë VMRO-DPMNE, foli para qindra protestuesve të grumbulluar para selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke thënë se “disa ambasadorë po përzihen në punë e brendshme të Maqedonisë”, ndërsa akuzoi KSHZ-në, OJQ-të dhe partitë opozitare se po përpiqen t’ia rrëmbejnë fitoren partisë së tij.

Në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç u bëri thirrje aktorëve politikë në Maqedoni që të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të kthehet besimi i popullit në institucionet e vendit dhe në proceset demokratike. Kocijançiç ka theksuar nevojën për të hequr dorë nga trysnitë ndaj KSHZ-së dhe gjyqësorit dhe që të lihen ato të kryejnë punën e tyre lidhur me ankesat mbi procesin zgjedhor.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily pati takime të ndara të hënën me drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe atë të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev. Nga Ambasada amerikane nuk kanë dhënë hollësi mbi takimet, por ambasadori Baily pati njoftuar të shtunën pas një takimi me z. Gruevski se do të takonte edhe drejtuesit e partive të tjera të cilat kishin fituar mandate në zgjedhje.

Zaev dhe Ahmeti kanë dënuar retorikën fyese ndaj diplomatëve perëndimorë.

Fjalimi i të shtunës i Nikolla Gruevskit u cilësua si mjaft kërcënues dhe fyes. Ai tha se ka njoftime për përzierje të disa ambasadorëve të huaj për të ndikuar tek disa prej anëtarëve të komisionit të zgjedhjeve me qëllim të falsifikimit të vullnetit të popullit në Maqedoni.

Kërkojmë që të qëndrojnë në kornizat e mandatit të tyre dhe të ndalojnë përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, tha Gruevski.

“Nëse edhe Gjykata administrative i konfirmon vendimet e KSHZ-së, VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në rivotim dhe nuk do t’i njohë rezultatet e rivotimit”, qe shprehur ai. Ndërsa Gruevski mbante fjalimin, protestuesit mbanin pankarta, në të cilat shkruhej: “Donald Trump ne të duam” dhe “Ambasador Bejli, larg duart nga Maqedonia!”.

Në këtë kuadër, në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi funerali në të cilat paraqiten ambasadorët amerikan, gjerman, britanik, italian, i BE-së në Maqedoni dhe të ish-ndërmjetësve në bisedimet për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Megjithëse nuk dihet se kush e ka bërë këtë, akti shikohet si vazhdim i kërcënimit ndaj komunitetit ndërkombëtar në vend. (voa)

Vritet me atentat ambasadori i Rusisë në Turqi

atentatori-i-ambasadorit-rusNjë person i armatosur hapi sot zjarr mbi ambasadorin e Rusisë në Turqi gjatë një ekspozite fotografike. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova konfirmoi se ambasadori Andrei Karlov vdiq nga plagët.

Ambasadori, Andrei Karlov, kishte pak minuta që po mbante një fjalim në ekspozitën ambasadës të hapur në kryeqytetin Ankara, kur një njeri i veshur me kostum dhe kravatë thirri “Allahu Akbar” dhe shtiu të paktën tetë herë, sipas një fotografi të agjencisë së lajmeve Associated Press që ndodhej në audiencë.

Personi që sulmoi tha gjithashtu “Mos harroni Alepon, mos harroni Sirinë” dhe theu disa nga fotot e varura në ekspozitë. Në sallë u krijua panik ndërsa të pranishmit u përpoqën të mbrohen.

“Sot në Ankara, si rezultat i një atentati ndaj ambasadorit rus në Turqi, Andrei Karlov u lëndua me armë zjarri dhe vdiq nga plagët,” tha zonja Zakharova. “Ne e cilësojmë incidentin si akt terrorist,” tha ajo.

Kanali turk i lajmeve NTV njoftoi se policia e kishte vrarë më pas autorin e atentatit. NTV tha se tre persona të tjerë u plagosën.

Sipas njoftimeve fillestare, autori i sulmit mund të ketë qenë polic.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit John Kirby tha se zyrtarët amerikanë ishin në dieni të incidentit:

“Ne e dënojmë këtë akt të dhunshëm, pavarësisht nga autorësia. Jemi pranë viktimës dhe familjes së tij me mendimet dhe lutjet tona”.

Agjencia ruse e lajmeve RIA njoftoi se siguria përreth ambasadës ruse në Ankara është forcuar pas incidentit.

Andrei Karlov, 62-vjeç, ka qenë i dërguar i Rusisë në Phenian nga 2001-2006 dhe më pas ka kryesuar departamentit konsullor në Ministrinë e Jashtme ruse. Ai u bë ambassador i Rusisë në Turqi në 2013. (voa)

9 tё vdekur dhe 50 tё plagosur nё Berlin – Njё kamion mёsyn nё tregun e Krishtlindjeve

kamioni-sulm-berlin9 tё vdekur dhe 50 tё plagosur nё Berlin – Njё kamion mёsyn nё njё treg Krishtlindjesh nё Berlin.

Sipas dёshmitarёve okularё njё kamion mёsyu nё mes tё stendave tё tregut tё Krishtlindjeve nё sheshin Breitenscheidplatz nё Berlin.

Ai u pёrplas dhe shkatёrroi disa nga stendat dhe pёr pasojё gjetёn vdekjen 9 vetё dhe u plagosёn 50 tё tjerё, disa syresh rёndё.

Policia mendon, se kemi tё bёjmё me njё atentat dhe Prokurori i Pёrgjithshёm Federal ka nsur hetimet.

Pёrmasat e ngjarjes nё sheshin Breitenscheidplatz nё Berlin Charlottenburg janё ende tё paqarta. Njё regjistrim i drejtpёrdrejtё me video nё faqen e facebook tё gazetёs “Berliner Morgenpost” tregon stendat e shkatёrruara nё tregun e Krishtlindjeve nё kishёn e Kujtimit (Gedächtniskirche), dёgjohen njё sёrё automjetesh tё policisё. Zjarrёfikёset dhe policia bёjnё fjalё pёr nёntё tё vdekur dhe tё paktёn 50 tё plagosur. Policia njofton ndёrkohё se ёshtё arrestuar njё i dyshuar. Ndёrkohё qё personi tjetёr nё kabinёn e kamionit me targa polake ka gjetur vdekjen. (dw)

 

Maqedoni: Gruevski u kundërvihet të gjithëve

nikola-gruevskiMaqedonia rrezikon rrëshqitjen drejt një diktature, thonë analistët për DW, pasi ish-kryeministri Nikola Gruevski sulmoi me kërcënime përfaqësuesit perëdnimorë në vend dhe organizatat jo-qeveritare.

Një listë me kërcënime e përpiluar nga kryesia e partisë në pushtet në Maqedoni dhe eshpallur nga i saj dhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, e shtangu vendin dhe ngjalli  mosbesim, më pak se një javë pasi VMRO-DPMNE-ja nacionaliste fitoi me një shumicë të ngushtël dhe të kontestuar fort zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Lista, e lëshuar si një manifest, deklaron se partia në pushtet ka në plan për t’i dhënë fund  ndërhyrjes së huaj, të ndalë negociatat me ndërmjetësimin e BE-së apo SHBA-së dhe të luftojë kundër OJQ-ve të financuara nga jashtë.

E indinjuar, se opozita vendosi të ankohet për parregullsi në votime në disa qendra elektorale, Gruevski deklaroi para mbështetësive të tij të mbledhur më 17 dhjetor para Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ),  se ai nuk do të tolerojë më pazarllëqe me të huajt. “Disa ambasadorë po përzihen shumë në politikën tonë të brendshme. Kjo duhet të ndalet “, tha ai.

Duke sulmuar ashpër në adresë të diplomatëve perëndimorë në vend gruevski i akuzoi përfaqësuesit e huaj pa i përmendur me emër, se “po përpiqen për të ndikuar në KSHZ” dhe se këto përpjekje duhet të ndalen.
“Ne kemi informacione, se përfaqësuesit e huaj janë përfshirë në punën e KSHZ-së me  qëllim për të ndikuar anëtarët e tij që të kryejnë inxhinieri post-zgjedhore dhe për të falsifikuar vullnetin e qytetarëve”, tha Gruevski.

Gruevski dha dorëheqjen nga posti i tij në janar, pas gati 10 vjetësh në detyrë, pasi opozita zbuloi një skandal përgjimi si dhe korrupsionin e përhapur. Qeveria e re në përputhje me një marrëveshje politike ndërmjetësuar nga BE-ja u formua me detyrë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në një tjetër deklaratë shqetësuese, Gruevski njoftoi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në takime politike në praninë e ambasadorëve ose përfaqësuesit e huaj.

Mbështetja e BE-së dhe SHBA-së ka qenë vendimtare për Maqedoninë që kur fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991 dhe sidomos në vitin 2001 kur vendi ishte në një prag të luftës së përgjakshme civile mes shumicës së maqedonasve etnikë dhe pakicës etnike shqiptare, që përbën rreth një të katërtën e popullsisë së vendit. Në vitin 2015 Brukseli dhe Uashingtoni ndihmoi për zgjidhjen e krizës së thellë politike duke ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes mes partive politike maqedonase në armiqësi.

Nuk ka partner për Gruevskin

Bazuar në rezultatet paraprake VMRO-DPMNE e Gruevskit ka fituar 51 nga 120 vendet në parlament, dy më shumë se Social Demokratët e opozitës. Si rrjedhojë Gruevskii i duhet të formojë një koalicion me një partner të vogël nga blloku politik shqiptar etnik për të siguruar shumicën për një qeveri të re. Por deri tani, asnjë nga katër partitë e vogla që përfaqësojnë pakicën shqiptare nuk janë të gatshme për t’u bashkuar me atë.
Duke u përballur me mundësinë e humbjes së pushtetit dhe nën presionin e madh ndërkombëtar për të lejuar ndryshimet demokratike, Gruevski tregohet i pa kompromis, duke pretenduar se ai nuk do të lejojë që rivali i tij Zoran Zaev i opozitës Social Demokratëve të formojë një qeveri, dhe se partia e tij “nuk do të lejojë funksionimin e institucioneve që nuk kanë legjitimitetin e qytetarëve. ”

Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, thotë për DW, se Gruevski është duke u përpjekur dëshpërimisht për të zbatuar një skenar të ndryshëm dhe për ta ndryshuar fatin e tij.
“Ai dëshiron të hyjë në koalicionin e mundshëm qeverisës me çdo kusht”, tha Ruzhin. “Nëse ai nuk do të ketë sukses, ai do të përpiqet që ta kthejë vendin në autokraci me pasoja të paparashikueshme për vendin dhe demokracinë e saj”.

Nata e thikave të gjata
Që nga fillimi i krizës politike në Maqedoni mediat pro-qeveritare rregullisht kanë fajësuar BE-në, SHBA-në dhe OJQ-të që sipas tyre financohen nga miliarderi amerikan George Soros, për atë që ato e perceptojnë si konspiracion kundër qeverisë.  Fjalimi i Gruevskit shënon një nivel të ri të agresionit ndaj përfaqësuesve perëndimore në vend dhe të mbështetësve të opozitës.
“Ne do të luftojmë për të de-Soros-izuar Maqedoninë dhe për forcimin e një shoqërie civile të pavarur, që nuk do të jetë nën kontrollin e dikujt”, deklaroi Gruevski.

Thirrjet për protesta para ambasadës së SHBA-së në Shkup, përmes mediave sociale janë plotësuar më pas me kërcënimet ndaj mbështetësve të opozitës dhe publikimin e adresave të shtëpive të tyre shoqëruar me mesazhin “Bëhuni gati, ne po vijmë”. Duke folur gjatë një tubimi të VMRO-së më 15 dhjetor një zyrtar i partisë u tha mbështetësve për t’u përgatitur për “Natën e thikave” ndoshta duke iu referuar ngjarjeve në Gjermaninë naziste në vitin 1934 të njohur si “Nata e thikave të gjata”.

Informacione vënë në dispozicion DW-së nga burime që nuk duan të identifikohen para zgjedhjeve konfirmojnë, se ka pasur plane nga ana e partisë në pushtet për të ndaluar financimin nga jashtë të OJQ-ve vendase. Ligji i ri besohet të jetë i ngjashëm me Ligjin Agjentët e Huaj të Rusisë, i aplikuar më 2012 nga administrata e Vladimir Putinit.

Por disa nga përfaqësuesit e sektorit joqeveritar të Maqedonisë duket se nuk janë lëkundur prej kërcënimeve të Gruevskit.
“Ky ishte fjalimi i fundit i Gruevskit”, i tha DW-së, Andrea Stojkovski president i Qendrës Maqedonase për arsim evropian, një think-tank. “Ai i shpalli luftë të gjithëve dhe me këtë fjalim ai vetëm sa e ka hapur derën për largimin e tij nga politika.” (DW/Boris Georgievski)

Suksesi i imigrantëve në Sillicon Valley

sillicon-valleySilicon Valley në Kaliforni, e njohur si qendër globale e novacionit të teknologjisë së lartë, është edhe një shembull suksesi për imigrantët. Në vitin 2013, dy kompani të reja të themeluara nga imigrantë ishin mes të pesë kompanive më të mëdha në Silicon Valley për nga kapitali që mblodhën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Saqib Ul Islam i hedh një vështrim suksesit që të sapoardhurit në Amerikë kanë gjetur në industrinë e teknologjisë.

Silicon Valley në Kaliforni ofron një platformë ku ëndrrat mund të kthehen në realitet. Për shumë imigrantë, ardhja në Amerikë është objektiv më vete. Të tjerët ëndërrojnë më shumë.

Qasar Younis është një shembull i tillë. Sot, ai është një nga drejtuesit e një prej firmave më të mëdha financiare në Silicon Valley, “Y Combinator”. Ai është rritur në një fshat të largët të provincës Punjab në Pakistan dhe thotë se e dinte se mund të arrinte sukses të madh në Silicon Valley:

“Mendoj se përveç Amerikës, Silicon Valley është një pjesë unike e përvojës sime. Më shumë se gjysma e kompanive në Silicon Valley janë themeluar nga imigrantët.”

Younis, dikur pronar i një kompanie që e kishte themeluar vetë, tani është drejtues ekzekutiv i kompanisë “Y Combinator”, e cila ndihmon bizneset e reja.

Zoti Younis është një investitor i cili beson se kompanitë e reja do të kenë sukses dhe në këmbim të huazimit të parave në formë kredie ai merr një pjesë të pronësisë së kompanisë. Qasar Younis bër kalimin nga pronar i një kompanie të re në një kompani financiare, por një tjetër imigrant nga Pakistani, Dilawar Syed, bëri të kundërtën.

“Freshdesk”, një kompani me bazë në San Francisko, përmes sistemit “Cloud” të ruajtjes së të dhënave, ndihmon bizneset në menaxhimin e shërbimeve për konsumatorët. Presidenti i kompanisë, Dilawar Syed thotë se Silicon Valley ofron mundësi të mëdha për imigrantët:

“Mendoj se Sillicon Valley është unike sepse është një ekosistem i cili u ofron mundësi njerëzve të mësojnë, të përparojnë, të ndërmarrin projekte me rrezikshmëri të lartë, të dështojnë dhe pastaj në shumë raste të bëhen të suksesshëm në një mënyrë spektakolare.”

Pra, cili është sekreti i Silicon Valley?

“Rreziko dhe mos ki frikë nga dështimi.” – thotë Dilawar Syed, President i kompanisë “Freshdesk”.

“Së pari bëhu inxhinier, së dyti themelo kompaninë tënde në vend që të punosh për dikë tjetër.”- thotë Qasar Younis, Shef Ekzekutiv i kompanisë “Y Combinator”

Dy histori suksesi në Silicon Valley që shpresojnë të frymëzojnë brezin e ardhshëm të sipërmarrësve. (voa)

Maqedoni, rrëzohen kërkesat e Zaev. Anëtari i BDI abstenon në KSHZ

kshzKomisioni Shtetëror Zgjedhor (SEC) në Maqedoni nuk e arriti dot shumicën e nevojshme mbrëmjen e së shtunës për të pranuar 16 ankesat për parregullsi në votime, të paraqitura prej LSDM-së dhe Lëvizjes Besa.

Në formën e tyre përfundimtare, ankesat u paraqitën nga LSDM-ja për një qendër votimi në fshatin Tearcë, ku një anëtar i Komisionit Zonal grisi aksidentalisht një letër që duhej t’i mbetej komisionit. Në fund, “SEC” pati 4 vota pro e 4 kundër, e kjo nuk mjaftonte për aprovimin e propozimit të opozitës.

Anëtarët e LSDM-së dhe dy pjesëtarë të pavarur të komisionit votuan në favor të propozimit; ndërsa një i pavarur tjetër, pjesëtarët e VMRO-DPMNE-së dhe një anëtar i Partisë Demokratike Shqiptare votuan kundër, ndërsa anëtari i BDI-së, Subhi Jakupi, njëkohësisht nënkryetar i komisionit dhe njeriu që mund të kishte lëvizur peshoren, abstenoi.

Nga 16 ankesat rezulton të jetë pranuar vetëm një, ajo e një qendreje në Gostivar, ku një grua nuk u lejua të votonte me pretendimin se e kishte hedhur një herë votën e saj. Rivotimi i urdhëruar nga “SEC” në këtë qendër me 800 votues mund ta ndryshojë rezultatin e mandateve të ligjvënësve në dëm të VMRO-DPMNE-së.

Tani palët kanë mundësinë ta apelojnë çështjen në Gjykatën Administrative, e cila ka 48 orë kohë për të vendosur nëse do t’i pranojë ankesat apo jo. LSDM-ja nxori një deklaratë për shtyp, ku thotë se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dështoi në përmbushjen e detyrës së tij dhe se udhëheqësi i kësaj partie, Zoran Zaev do të bëjë ç’është e mundur që ta ndalojë krijimin e një qeverie të re të kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja.

“Me një shumicë të qarte prej 600 mijë votash, qytetarët votuan për ndryshimin”, tha ai përmes rrjeteve sociale. “Dhe ndryshimi do të vijë, pavarësisht faktit që lidershipi i VMRO-së nuk e pranon dot një gjë të tillë”.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski doli me 51 mandate, ndërsa socialdemokratët rivalë me 49. Zaevi pretendon se nga përllogaritjet e tij, secila prej partive të mëdha duhet të kishte marrë 50 vende në Parlament dhe kërkon t’i hiqet një mandat VMRO-së. Të gjitha partitë shqiptare fituan së bashku 20 vende në Parlamentin e Maqedonisë.

/ Top Channel