Pano: SHBA e duan Ballkanin të qëndrueshëm

nikolla-panoProfesori i historisë, Nikolla Pano, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk beson që si rrjedhojë e zgjedhjes së zotit Donald Trump, politika e SHBA në Ballkan të ketë ndryshime dramatike. Profesor Pano, i cili është njohës i çështjeve të Ballkanit, tha gjithashtu se e shqetëson pabarazia sociale dhe ekonomike në Shqipëri. Ai u intervistua nga shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, së pari faleminderit shumë për këtë intervistë. Është kënaqësi t’ju kemi në Zërin e Amerikës.

Nikolla Pano: Është kënaqësi edhe për mua t’ju shoh sërish.

Zëri i Amerikës: Po përjetojmë rishtazi kohëra shumë interesante me zgjedhjet e debatueshme këtu në Amerikë. Për shikuesit tanë, a mendoni se këto zgjedhje do të kenë ndonjë ndikim në Ballkan?

Nikolla Pano: Përgjithësisht nuk mendoj se do të ketë një ndryshim domethënës në politikën e jashtme amerikane. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ballkani të jetë një zonë stabiliteti. Ky ka qenë një tipar themelor i politikës së jashtme amerikane në atë rajon. Në këtë këndvështrim, vendet kryesore në rajon do të marrin sigurime se nuk do të ketë ndryshime dramatike. Mund të ndodhë ndonjë ngjarje kataklizmike që mund të ketë pasoja edhe për Ballkanin, por nëse zhvillimet do të jenë përgjatë trajektores së tanishme, nuk parashikoj ndonjë ndryshim madhor në Ballkan apo në politikën e jashtme të administratës së re në Uashington.

Zëri i Amerikës: Janë ngritur disa shqetësime rreth marrëdhënies së administratës së re me Rusinë. A mund të sjellë kjo një ndikim të tërthortë për Ballkanin?

Nikolla Pano: Nëse do të ketë ndryshime, në rast se SHBA do të përqafonin një qasje më të ashpër apo më të butë ndaj Ballkanit, atëherë natyrisht që do të kishte pasoja. Për shembull, nëse Shtetet e Bashkuara do të mendonin se Rusisë i duhet lënë një dorë më e lirë në Ballkan, kjo mund të inkurajonte serbët të jenë më agresivë ndaj Kosovës në kërkesat e tyre për disa lëshime në negociatat ndërmjet dy vendeve. Por sërish, unë nuk e shoh për momentin të ndodhë një gjë e tillë. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, e cila do të ndikohej nga disa zhvillime në vende të tjera të Ballkanit. Por, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje kanë qenë përgjithësisht të mira dhe problemet që kanë lindur janë sheshuar. Sërish, nuk parashikoj ndryshime të menjëhershme, por sigurisht e ardhmja afatgjatë është një çështje tjetër.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, le të flasim pak për Shqipërinë. Nëse mund t’ju bëj fillimisht një pyetje të përgjithshme, çfarë mendoni për gjendjen e tanishme në Shqipëri?

Nikolla Pano: Nëse flasim për gjendjen e tanishme në Shqipëri, shohim se ka patur disa ndryshime, ka patur një lloj progresi gjatë viteve. Por, është e qartë se sfidat që ka patur, vazhdojnë të jenë të pranishme. Ka qartësisht zhvillime tepër serioze për sa i përket çështjes së reformës ligjore, e cila duhet trajtuar. Është bërë progres, por qëndrojnë pikëpyetjet për zbatimin e mëtejshëm të saj nëpërmjet akteve të tjera ligjore që duhet të miratojë parlamenti. Ka patur zvarritje, por komuniteti ndërkombëtar, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por komuniteti ndërkombëtar si i tërë, vendet e BE-së, nxisin me forcë disa nga këto ndryshime që janë miratuar nga parlamenti dhe që kërkojnë akte mbështetëse për t’i bërë të zbatueshme.

Zëri i Amerikës: Megjithëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, shumë vëzhgues mendojnë se Shqipëria gjendet ende në periudhë tranzicioni nga sistemi i vjetër drejt një demokracie funksionale të tregut. Cili është vlerësimi juaj për demokracinë në Shqipëri?

Nikolla Pano: Çështja e tranzicioneve demokratike në vendet ish-komuniste është një temë debatesh të shumta në radhët e akademikëve, në disa prej të cilave kam marrë pjesë edhe unë. Besoj se në rastin e Shqipërisë procesi i tranzicionit nuk është përmbushur. Kemi një bazament që është krijuar për institucionet demokratike, por nëse do të thonim se këto institucione demokratike në Shqipëri, sistemi parlamentar, sistemi politik shumë partiak, janë të shëndosha, atëherë do të ishim disi jorealistë. Ka patur një tranzicion ekonomik dhe mendoj se është bërë progres domethënës në këtë fushë. Kjo është inkurajuese. Një tjetër fushë që mua më shqetëson, për sa i përket shoqërisë, është pabarazia sociale dhe ekonomike që ka Shqipëria. Është një çështje tepër serioze dhe qeveria shqiptare duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje trajtimit të problemeve në këtë drejtim. Këtu përfshihen shumë gjëra, që nga shpërndarja jo e barabartë e të ardhurave deri tek pabarazia në zhvillimin rajonal në Shqipëri. Këto janë çështje që janë diskutuar. Udhëheqësit qeveritarë tregojnë se janë në dijeni të këtyre problemeve dhe sfidave, por ato duhen trajtuar. Ekziston sigurisht çështja e korrupsionit që është i kudondodhur, jo vetëm në sektorin qeveritar, por edhe në sektorin privat.

Zëri i Amerikës: Megjithëse Shqipëria hyri në një sistem të ri duke e filluar nga një stad tepër i ulët, a nuk janë të mjaftueshme 25 vite që vendi të kishte arritur më shumë?

Nikolla Pano: Kur u rrëzua regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1990, unë dhe disa kolegë të mitë menduam se do të duheshin 20 deri në 25 vite që Shqipëria të kalonte sfidat me të cilat përballej, për shkak të, siç thatë edhe juve, nivelit nga ku shqiptarët po ia fillonin. Pas 25 vitesh, po arrijmë në pikën ku do të ishte e dëshirueshme të shihnim konsolidim më të fortë të institucioneve. Do të kishte qenë më mirë nëse do të ishin trajtuar disa nga çështjet sociale të vendit, zhvillimi jo i barabartë i zonave rurale dhe atyre urbane. Jam i kënaqur që të paktën qeveria flirton me idenë se duhet më shumë zhvillim në zonat rurale dhe infrastrukturën rurale. Krahas shumë çështjeve të tilla është dhe nevoja për ndryshimin e qëndrimeve të udhëheqjes politike. Sjelljet e udhëheqjes komuniste janë ende të rrënjosura…

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni ju këtë? Përse është aq i vështirë ndryshimi i këtij mentaliteti?

Nikolla Pano: Është e vështirë të ndryshojë ky mentalitet, sepse së pari, një numër i madh i qeveritarëve, i udhëheqësve në të dyja partitë kryesore, madje edhe në disa nga partitë më të vogla, janë rritur në sistemin komunist. Kjo është e vetmja gjë që ata njohin. Influenca e tyre vetëm tani ka filluar të venitet. Po fillojmë të shohim një tranzicion gradual drejt një klase të re udhëheqësish, një brezi të ri udhëheqësish. Por, jam gjithashtu i pikëlluar që edhe në radhët e disa udhëheqësve të brezit të ri ekziston i njëjti mentalitet. Shpresoj se tani që gjithnjë e më shumë shqiptarë po arsimohen në vende të tjera dhe shumë të tjerë fillojnë të përjetojnë nëpërmjet udhëtimeve se si funksionon atje demokracia, mund të krijohet një mentalitet më qytetar. Mendoj gjithashtu se edhe shkollat shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për arsimimin qytetar.

(voa)

Gruevski: jo presion ndaj Gjykatës Administrative

gruevskiKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e miratoi ankesën e fundit të Lidhjes Social Demokrate në Maqedoni për parregullsi në vend-votimin numër 2011 në Tearcë pranë Tetovës, që bën pjesë në zonën e gjashtë zgjedhore.

Katër anëtarë të komisionit votuan për dhe katër të tjerë kundër; një anëtar ishte i përmbajtur.

Me këtë, komisioni i hap rrugë procedurave në Gjykatën administrative mbi ankesat e partive. Të premten KSHZ miratoi një ankesë të Lëvizjes “Besa” për parregullsi në një qendër votimi në Gostivar, ku është konstatuar pengesa e një gruaje për të hedhur votën. Rivotimi i urdhëruar nga Komisioni Shtetëror i Zgedhjeve në këtë qendër që ka vetëm 800 votues mund ta ndryshojë rezultatin e mandateve të ligjvënësve, në dëm të partisë VMRO-DPMNE. Por, për këtë duhet të vendosë Gjykata administrative brenda një afati prej 48 orësh, nga paraqitja e ankesës.

Në kohën që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni diskutonte mbi një ankesë të opozitës për zgjedhjet e 11 dhjetorit, para zyrave të tij edhe të shtunën u mblodhën qindra përkrahës të partisë VMRO-DPMNE.

Para masës së tubuar foli Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së. Fjalimi i tij u cilësua si mjaft kërcënues jo vetëm ndaj anëtarëve të komisionit e opozitës por edhe kundër komunitetit ndërkombëtar.

Ai tha se KSHZ ka sjellë vendime të paligjshme me qëllim mashtrimin dhe manipulimin me vullnetin e popullit. Ai shtoi më tej se ka njoftime për përzierje të disa ambasadorëve të huaj, siç tha, për të ndikuar tek disa prej anëtarëve të komisionit me qëllim të falsifikimit të vullnetit të popullit në Maqedoni.

Kërkojmë që të qëndrojnë në kornizat e mandatit të tyre dhe të ndalojnë përzierjen në punët e brendshme të Maqedonisë”, tha Gruevski.

Opinioni publik këtë e nënkupton si porosi apo kërcënim në radhë të parë ndaj ambasadorit amerikan në Shkup Jess Baily, por dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Nikolla Gruevski bëri thirrje që të mos ushtrohet trysni ndaj Gjykatës administrative, e cila do të vendosë mbi ankesat e faktorëve politik të pakënaqur me vendimet e KSHZ-së.

“Nëse edhe gjykata i konfirmon vendimet e KSHZ-së, VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në rivotim dhe nuk do t’i njohë rezultatet e rivotimit”, tha z. Gruevski për të shtuar se: “Nuk do të lejojmë që krimineli i falur Zoran Zaev të formojë qeveri me vullnet të falsifikuar. Nuk lejojmë funksionimin e institucioneve të cilat nuk kanë legjitimitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha ai.

Ndërkohë, protestuesit para Komisionit të zgjedhjeve mbanin pankarta, në të cilat, mes tjerash shkruhej: “Donald Trump ne të duam” dhe “Ambasador Bejli, larg duart nga Maqedonia!”.

Ambasadori amerikan Baily pati një takim të premten me Gruevskin. Ambasadori nuk dha shumë hollësi për bisedën, por theksoi se SHBA janë partnere të këtij vendi dhe ai do të ketë takime të ngjashme me drejtues të tjerë, partitë e të cilëve fituan mandate në këto zgjedhje.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski doli me 51 mandate, ndërsa social-demokratët rivalë me 49. Të gjitha partitë shqiptare fituan së bashku 20 vende në parlamentin e Maqedonisë. Formimi i një koalicioni qeveritar duket të jetë tepër i vështirë, megjithëse për këtë mjaftojnë votat e shumicës së thjeshtë të deputetëve, apo 61 vota. (voa)

Obama: Rusia, Irani dhe Siria kanë “gjak në duart e tyre” në Aleppo

obama1Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Rusia, Irani dhe Siria “kanë gjak në duart e tyre” nga betejat brutale të Aleppos, derisa është ankuar se nuk ka mundur ta ndalë gjakderdhjen në Siri, me gjithë përpjekjet disa vjeçare.

“Bota në kohën si është tani, është e tmerruar nga sulmet brutale nga regjimi sirian dhe aleatët e saj rusë dhe iranianë në qytetin e Aleppos. Ne e kemi parë një strategji të qëllimshme të rrethimit dhe mbajtjes së civilëve të uritur. Ne kemi parë sulmet që kishin cak punonjësit humanitarë dhe personelin mjekësor”.

“Lagje të tëra janë shndërruar në gërmadha dhe pluhur. Ka raportime të vazhdueshme për civilët që po ekzekutohen. Këto janë shkelje të tmerrshme të ligjit ndërkombëtar. Përgjegjësia për këtë brutalitet bie mbi një adresë, regjimin e Assadit dhe aleatët e tij, Rusinë dhe Iranin. Ky gjak dhe këto krime gjenden në duart e tyre”, ka thënë Obama gjatë konferencës së fundit për këtë vit me gazetarë.

Obama, veçanërisht e ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al Assad, lufta civile e të cilit ndaj kundërshtarëve të armatosur prej vitit 2011 ka vrarë mbi 250 mijë njerëz, se ai nuk do të jetë në gjendje që “duke kryer vrasje masive, t’i japë vetes legjitimitet”.

Mirëpo, të njëjtën kohë, Obama e ka pranuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë arritur pak sukses në përpjekjet e tyre që ta ndalin gjakderdhjen apo ta zvogëlojnë sado pak atë. Sipas Obamës, kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e vendimit të tij të mëhershëm gjatë luftës që të mos e përfshijë SHBA-në ushtarakisht.

“Për vite të tëra, ne kemi punuar që ta ndalim luftën civile në Siri dhe t’i lehtësojmë vuajtjen e njerëzve… Kjo ka qenë një nga çështjet më të vështira, me të cilat jam përballur si president”, ka theksuar Obama.

Presidenti Obama ka thënë se ai ka arritur në përfundim se përfshirja e SHBA-së ushtarakisht në Siri, nuk do të ishte diçka që do të bëhej lehtë apo pa pasoja.

“E vetmja mënyrë ishte që ne të përfshihemi në tërësi dhe të marrim kontrollin mbi Sirinë, ndryshe do të përballeshim me probleme”, ka thënë Obama dhe ka shtuar se okupimi ushtarak nënkuptonte “vendosjen e shumë ushtarëve në terren, të paftuar, pa një mandat sipas ligjit ndërkombëtar”.

Obama, gjithashtu, e ka pranuar se përpjekjet e administratës së tij për të vendosur një proces paqeje përmes Kombeve të Bashkuara apo edhe me negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, nuk kanë dhënë rezultate.

“Nuk mund të pretendoj se kemi qenë të suksesshëm. Dhe, kjo është diçka, njëjtë si me shumë probleme e telashe të tjera nëpër botë, me të cilën më duhet të shtrihem në shtrat çdo natë. Por, unë vazhdoj të besoj se kjo ishte qasja e duhur, marrë parasysh atë që ne realisht do të mund të bënim”, ka thënë presidenti amerikan.

Shumë analistë konsiderojnë se mosveprimi nga perëndimi ka nxitur vendimin e Rusisë që të ndërhyjë. Moska është duke e ndihmuar regjimin e Assadit që të shënojë sukses të madh në rimarrjen e territoreve të kontrolluara nga rebelët.

Derisa Obama po mbante konferencën me gazetarë, Rusia dhe Siria kanë ndaluar evakuimin e mijëra civilëve dhe luftëtarëve, ndërsa po i vazhdojnë përpjekjet të marrin pjesën e fundit të Aleppos, që ende është nën kontroll të rebelëve.

Obama e ka përkrahur iniciativën franceze në OKB që të autorizohen vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara për të monitoruar evakuimin, mirëpo Rusia e ka bllokuar këtë duke i lënë zyrtarët e OKB-së po aq të zemëruar sa presidenti amerikan rreth asaj se si të vazhdohet tutje.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në konferencën e fundit të tij në këtë pozitë, më 16 dhjetor, ka thënë se lufta në Siri është diçka që “i ka thyer zemrën atij”, veçanërisht pasi përpjekjet për evakuimin e qindra mijëra civilëve të lënduar, janë pezulluar më 16 dhjetor.

Forcat siriane kanë thënë se e kanë pezulluar evakuimin, sepse grupet rebele nuk i janë mbajtur premtimit që të lejojnë evakuimin e trupave qeveritare dhe civilëve të lënduar nga dy fshatra shiite që rebelët i mbajnë nën kontroll në krahinën e Idlibit.

Irani ka kërkuar që fshatrat të përfshihen në marrëveshjen e armëpushimit që ka mundësuar largimin e njerëzve nga Aleppo, thonë zyrtarë të OKB-së.

Turqia, një nga përkrahësit kryesor të rebelëve, ka thënë se Ankaraja është duke biseduar me homologër në Teheran në përpjekje për të lejuar vazhdimin e evakuimit.

Presidenti amerikan, Obama, i ka hedhur poshtë pretendimet ruse dhe siriane se të gjithë civilët që kanë qenë të ngujuar në Aleppo, kanë pasur mundësi të largohen.

“Aktualisht, rusët dhe Assadi pretendojnë se të gjithë civilët e pafajshëm që kanë qenë të ngujuar në Aleppo kanë dalë, derisa organizatat ndërkombëtare, organizatat humanitare që janë në terren, kanë thënë se ka ende dhjetëra mijëra njerëz që mbesin të ngujuar dhe janë të gatshëm të largohen në çfarëdo rrethana. Pra, momentalisht prioriteti ynë më i madh është t’iu bëjmë presion aty ku mundemi që t’i nxjerrim ata jashtë”, ka thënë Obama. (rel)

Obama: Rusët, përgjegjës për sulmet kibernetike

obamaNë konferencën e fundit të shtypit për vitin 2016, Presidenti Barack Obama tha se shpreson që presidenti i zgjedhur të garantojë që në të ardhmen të mos ketë ndërhyrje të huaja në zgjedhje.

Ai tha se nuk dëshironte që çështja e sulmeve kibernetike të kthehet në një “futboll politik” me akuza dhe kundërakuza politike. Ai tha se rusët janë përgjegjës për sulmet kibernetike kundër DNC.

Presidenti Obama tha se SHBA e trajtuan çështjen e sulmeve kibernetike ruse në mënyrën e duhur.

Presidenti Obama tha se i kishte thënë Presidentit rus në shtator që “t’i jepte fund” duke iu referuar sulmeve kibernetike për të cilat akuzohet Rusia, duke paralajmëruar për “pasoja serioze” nëse ato vazhdonin.

“Pas kësaj nuk pamë më ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve, por rrjedhja e informacionit përmes WikiLeaks ka ndodhur tashmë”, tha ai.

Presidenti Obama tha se nuk e shtroi këtë çështje përpara zgjedhjeve për të mos lejuar që ajo të merrte natyrë partiake.

Nëse do të kishim bërë të kundërtën kjo mund të kishte dëmtuar integritetin e zgjedhjeve, tha zoti Obama.

“Mund ta siguroj publikun se votat në zgjedhje u numëruan dhe u numëruan si duhet,” tha zoti Obama i pyetur nëse zgjedhjet ishin të drejta e të lira, pas akuzave se Rusia u përpoq të ndërhyjë.

“Rusët nuk mund të na ndryshojnë ose të na dobësojnë ne në mënyrë të konsiderueshme. Ata janë një vend ekonomikisht më i vogël dhe nuk prodhojnë tjetër gjë veçse armë, naftë e gaz”, tha Presidenti Obama. “Rusia mund të na dobësojë nëse ne humbasim vlerat tona”, tha ai.

Ai tha se “jemi një kulturë e dixhitalizuar” dhe sulme kibernetike do të ketë gjithmonë. Por ai paralajmëroi për nevojën e mbrojtjes së institucioneve zgjedhore dhe financiare nga sulme të tilla.

Kjo nuk do të thotë se nuk do të kundërpërgjigjemi, tha ai. Zoti Obama premtoi se do ti dëgojë një mesazh të qartë Rusisë të mos e bëjë më këtë.

Disa nga kundërpërgjigjet do të jenë të hapura, disa të tjera jo, tha ai.

Pak para se Presidenti Obama të fillonte konferencën për shtyp, zyrtarët amerikanë konfirmuar se FBI-ja dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, kishin rënë dakord me përfundimin e CIA-s se Rusia kishte depërtuar tek emailet e institucioneve të partisë demokrate dhe figurave politike për të ndihmuar për zgjedhjen e zotit Trump.

Zoti Obama tha se ka patur biseda në të kaluarën me presidentin e Kinës për sulmet kibernetike kineze. Është vënë re se ka patur një farë pakësimi të sulmeve prej tyre, tha Presidenti.

Duke folur për Sirinë, presidenti Obama fajësoi për gjendjen në Siri “regjimin e Assadit dhe aleatët e tij, në Rusi dhe Iran”.

“Gjaku i derdhur nga këto mizori është në duart e tyre”, tha ai.

Presidenti Obama i bëri thirrje botës për të “mos i hequr sytë nga kriza në Siri.” Ai tha se kishte ndjekur kursin më të mirë të mundshëm por kjo kishte qenë një nga çështjet më të vështira me të cilat ishte përballur si president.

“Nuk mund të pretendoj që kemi qenë të suksesshëm, tha ai për politikat e tij në Siri. Është diçka që më prish gjumin çdo natë”, tha ai.

Zoti Obama e filloi konferencën për shtyp duke thënë se ajo ishte e veçantë dhe se do të analizonte edhe përpjekjet e tetë viteve, jo vetëm të vitit të fundit.

Është konferenca e fundit e shtypit për zotin Obama, që mbaron mandatin e tij në 20 janar.

Pas pas konferencës për shtyp, zoti Obama do të niset me familjen për pushimet vjetore të Krishtlindjeve në Hawaii. (voa)

Studim: Kompiuterat në klasë dëmtojnë mësimin

kompjuterVetëm me disa klikime në tastierë, interneti do të revolucionarizojë arsimin dhe marrjen e dijes. Ky ishte premtimi që shoqëroi në fillim masivizimin e internetit. Por një studim i ri tregon se prezenca e internetit në klasë shoqërohet me rezultate më të ulëta në provime.

Shkencëtarët e Universitetit Shtetëror në Miçigan kanë botuar një studim të ri në revistën psikologjike Psychological Science, ku thonë se u vërejtën nota më të ulëta dhe rezultate më të dobëta në provime edhe në rastet e nxënësve më të zgjuar e më punëtorë.

Në kuadër të studimit, shkencëtarët analizuan kohën që shpenzonin 127 nxënës në kompiuter gjatë një klase elementare psikologjie. Ata arritën në përfundimin se mesatarisht nxënësit shpenzuan 37 minuta në kompiuter duke u marrë me gjëra që s’kishin lidhje me materialin mësimor si për shembull kontrollonin emailin, llogaritë e tyre në median sociale, blenin gjëra përmes internetit apo shihnin video.

Aktiviteti i tyre në kompiuter kontrollohej për këtë studim nga monitorimi i serverit të kompiuterit.

Gjatë orëve të mësimit për të 15 seancave që përfshiheshin në kurs, 83 vetë nga grupi i nxënësve në eksperiment shpenzuan më shumë se gjysmën e kohës duke vizituar faqe të ndryshme interneti. Shkencëtarët zbuluan se koha e shpenzuar në internet ishte një faktor i rëndësishëm në rezultatin që merrnin nxënësit në këtë lëndë.

“Ndikimi negativ që ka përdorimi i internetit për aktivitete që nuk lidhen me mësimin na bën të vëmë në pikëpyetje praktikat që nxisin nxënësit të sjellin kompiuterat personalë në klasë, kur në fakt kompiuteri nuk i shërben mësimit,” thotë Susan Ravizza, asistente pedagoge e psikologjisë dhe kryesuesja e studimit.

Edhe në rastet kur nxënësit e përdorin kompiuterin për aktivitete që lidhen me mësimin, shkencëtarët zbuluan se nuk ndihmonte në përmirësimin e rezultateve.

“Ky kurs nuk kishte detyra që duheshin përmbushur duke përdorur internetin, pra aktiviteti në internet që cilësohej si “i lidhur me mësimin” përgjithësisht kishte të bënte me hapjen e dokumentave dixhitalë ku ishin regjistruar instruksione për leksionet që ndihmonin për të mbajtur shënime apo për të ndjekur lëndën,” tha zonja Ravizza.

Ajo shton se mbajtja e shënimeve përmes kompiuterit ka rezultuar nga studime të mëparshme si më pak e efektshme se mbajtja e shënimeve me dorë.

“Kur nxënësit hapin kompiuterin, vetvetiu tërhiqen nga aktivitete të tjera që s’kanë lidhje me mësimin”.

Ajo shton se, pas këtij studimi, sa herë sheh nxënës që kanë marrë me vete kompiuterin, u thotë të ulen në fund të klasës, që të mos shpërdëndrojnë vëmendjen e të tjerëve. (voa)

Mesila Doda jep alarmin: Për një pakt të madh mbarkombëtar

Për një pakt të madh mbarkombëtar

 

Shqipëria ka qenë qysh në fillesat e saj në përpjekje me mëvetësinë. Etërit e Kombit përherë kanë qenë para një udhëkryqi, i cili vinte në dyshim ekzistencën e tij.
Qysh në frymën e parë e deri më sot shqiptaria është përherë në këtë dilemë; në atë të shpërbërjes ose në atë të lartësimit.

Në Kongresin e Manastirit pas fjalimit të Patër Fishtës, i cili pa asnjë dilemë zgjidhte alfabetin latin, një hoxhë është çuar dhe ka përqafuar priftin. Sot, nuk e dimë cili ka më shumë meritë në këtë zgjedhje themelore të Kombit, prifti që mbajti atë fjalim tronditës, apo hoxha që kaloi mbi dallimet fetare dhe e sanksionoi me atë përqafim kahjen perëndimore të gjuhës shqipe, të shkrimit të saj. Burrat e asaj kohe, të cilët ende na bëjnë hije, nuk zgjodhën gërmat arabe, as ato cirilike apo greke, por zgjodhën latinin, Perëndimin.

Të njëjtën zgjedhje bën këta shtetformues ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Firmëtarët vinin nga të gjitha krahinat e pushtuara si nga Kosova, Çamëria, gegë e toskë dhe zgjodhën Republikën, zgjodhën Perëndimin.

Sa herë në historinë e kësaj toke forcat e errëta kanë fituar, këtë vend e ka pllakosur mjerimi, fatkeqësia, vëllavrasja. Komunistët zgjodhën Lindjen dhe ja ku jemi sot, të përçarë, në një sherr të vazhdueshëm, të ndarë më keq se kurrë si zogjtë e korbit. Kemi një Shqipëri që rrethohet nga shqiptarë, fqinj me Kosovën me dogana të ngrehura, në jug na pret Çamëria, të cilës po ja thamë emrin na mërziten ca grekofonë që i kanë gjyshërit me emra të pandryshuar në Mihal.

Qëmtojmë me qetësi vrasëse se si shqiptarët e Malit të Zi zbrazin tokat e tyre dhe nuk pipëtijmë. Në Plavë e Guci shqiptarët po shkojnë në pakicë. Atje ku u vranë për shqiptari, gjuha shqipe flitet pak e më pak. Në Maqedoni fotokopja e keqe e jetës politike të Tiranës, detyroi që për herë të parë shqiptarët të humbin mandate, por edhe të votohet për LSDM-në sllave, sepse e drejta për flamur atje kufizohet në 30 centimetër. Në Mitrovicë është ngritur një mur, ne sërish heshtim. Në Preshevë po riluhet tragjedia çame dhe ne sërish heshtim.

Jetojmë në një kohë, kur projekti i famshëm përbashkues i Europës po ngurtësohet, po dështon, kufiri sllavo-rus po na vjen tek dera dhe ne heshtim.

Sot, Shqipëria më shumë teknologjike, me një klasë politike plot hajna dhe banditë, duhet të rimarrë në shqyrtim mëvetësinë e saj. Sërish si Etërit Themelues të dikurshëm kemi të njëjtin udhëkryq; Lindjen apo Perëndimin? Duhet ta bëjmë këtë zgjedhje në kushte tejet të vështira, teksa Europa e Bashkuar nuk ka dëshirë të çelë dyer, teksa po ringjallen aleancat e vjetra. Në rajon janë shtuar qeveritë dhe shtetet që po u pëlqejnë traktatet apo konferencave të paqes të fillimit të shekullit XX. Edhe atëherë ishim të përçarë dhe shkonim nëpër kancelari me një, dy, tre dërgata. Kështu bëjmë dhe sot. Atëherë gjeti vend një i marrë që nisi lëvizjen “Dum babën!”, sot kriminalizimi i tejskajshëm, korrupsioni, retorika antishqiptare, aleancat fluide kanë rithemeluar të njëjtën lëvizje haxhiqamiliste.

Më shumë se kurrë, nëse kërkojmë të mbrojmë mëvetësinë, duhet të rikonceptojmë Çështjen Shqiptare. Kemi nevojë për një Pakt të ri Kombëtar.

Integrimi ynë në Europë ka të bëjë me ekzistencën e pavarësisë. Nuk ka vend për euroskeptikë në Shqipëri, ndërsa sllavët dhe lindorët po trokasin kudo ku kemi sinore.

Por, vetëm ky alarm nuk na bën europianë. Europa e burokratëve e ka të vështirë ta pranojë djalin plangprishës me kaq shumë vese sa tregojmë ne. Thonë që duhet të vrasim disa nga këto vese. Kanë të drejtë, sepse edhe atje çatia fut ujë. Nuk mund të vazhdohet që në darkë e lëmë trafikun të na kalojë nën hundë dhe në mëngjes të bëjmë deklarata shtypi. Nuk ka përse të presim nga ambasadorët të na kërkojnë llogari përse janë banditët jashtë, sepse ata duhet të jenë brenda në radhë të parë për fëmijët që po rriten këtu.

Pika e parë e paktit duhet të jetë: Të prishet aleanca politike me krimin. Loja e kungulleshkave me reformën në drejtësi duhet të mbarojë sot, këtu, tani. Nuk ka asnjë shqiptar që nuk e kupton që zvarritja sa në Gjykatën Kushtetuese, sa në Komisionin e Venecias dhe sërish në Gjykatën Kushtetuese, është thjeshtë një lojë e të gjithë forcave politike në dëm të shumicës së qytetarëve. Vetingun nuk e bëjmë as për Donald Lu, as për Romana Vllahutin, sepse ata dikur do shkojnë në shtëpinë e tyre. E bëjmë sërish për fëmijët që rriten këtu.

Pika e dytë e paktit duhet të jetë: Reforma në drejtësi pa kushte. Kështu të ndarë, veç e veç në shtete të ndryshme shpërbërja është e lehtë. Muri i Mitrovicës e rrëfen më së miri, ndaj atë legjendën e Skënderbeut me thuprat nuk ka nevojë ta tregojmë si rrëfenjë në shkolla. Eskursion duhet të bëjmë në Murin e Mitrovicës për të kuptuar që ka nisur shpërbërja. Po bie mëvetësia, teksa ju merreni me sherrnajën tuaj si gjelat në kotec.

Pika e tretë e paktit duhet të jetë: Bashkimi Kombëtar. Por, bashkimi nuk bëhet me fjalime në Kuvend, analiza në shtyp, polemika në studio apo fitore të Kombëtares. Bashkimi ka të bëj pikësëpari me ekonominë.

Në Samitin e Diasporës Shpëtim Idrizi kërkoi që simbolikisht Diaspora të shpallet zonë e lirë ekonomike. Duhet të heqim barrën fiskale për investimet e shqiptarëve në Shqipëri. Duhet të heqim barrat doganore pikësëpari me Kosovën, të hartojmë një strategji ekonomike ku të përfshijmë shqiptarët e Çamërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, shtetin e Kosovës, Diasporën.

Ta nisim fillimisht me lekun që duhet të jetë monedhë e të gjithë kombit. Të unifikojmë sistemet doganore dhe tatimore me Kosovën. Si fillim, ta kthejmë tregun e Shqipërisë dhe tregun e Kosovës si një autostradë me dy kalime për qarkullimin e mallrave. Porte, rrugë, hekurudha duhen vënë në dispozicion. Të hiqet taksa e Rrugës së Kombit.

Pika e katërt e paktit duhet të jetë: Bashkim dhe prosperitet ekonomik. Në Maqedoninë e sotme, Marrëveshja e Ohrit nuk pi më ujë. Abetarja atje nuk ekziston e kanë vrarë sllavët, të cilëve u dhamë pushtet dhe aleanca. Në Malin e Zi situata është e ngjashme, në Çamëri as që bëhet fjalë për shkolla shqipe.

Pika e pestë e paktit duhet të jetë: Arsim i unifikuar kudo, ku ka shqiptarë në rajon, Europë dhe gjetkë.

Akademikët nuk mund të merren më me zell se kush e vrau Mehmet Shehun, por të merren me historinë, etnografinë, gjuhësinë, folklorin, arkeologjinë, shkencat në përgjithësi. Qeveria nuk mund të rrudhë më dorën për të investuar në mendjen e Kombit. Duhen bërë botime, publikime, simpoziume, kërkime shkencore, vepra arti, sepse me analfabetë që ka edhe këtu në këtë sallë nuk ulesh dot në një tryezë dialogu, jo më të zgjidhësh Çështjen Kombëtare.

Pika e pestë e paktit duhet të jetë: Të lartësohet Miti i shqiptarit nga lashtësia dhe deri më sot. Zonja dhe zotërinj,

Sot, po flas për një Marrëveshje Kombëtare, sepse rrezikojmë pavarësinë, rrezikojmë shpërbërjen. Duhet të zgjedhim Perëndimin, duhet të zgjedhim integrimin. Askush nuk duhet të gëzohet përse ka ende shkopinj në rrota, sepse ca nuk na duan, pasi nuk kemi ç’u afrojmë veç veseve. Ca shkopinj i fusim vetë duke rënduar njëri-tjetrin në institucionet europiane, njësoj si dërgatat e dikurshme në konferencat e paqes.

Europa për ne është oksigjen, përndryshe të presim dyndjet sllave në veri dhe nacionalistët e sëmurë në jug. Integrimi për ne do të thotë ekzistencë. Ndaj prioritetet duhet t’i plotësojmë, vetingu duhet të funksionojë, kriminelët duhet të jenë pas hekurave, fushat me hashash duhet t’i mbjellim me domate e speca. Përndryshe, pas pak kohësh shefat tanë do kenë mbiemra që mbarojnë me “viç” apo emra psikopatësh politikë si ata të “Agimit të Artë”. Kush gëzon sot, sepse Shqipëria ka ngecur në procesin e integrimit është veç tradhëtor që fatin e ka të përcaktuar fort mirë në vargjet e Himnit Kombëtar.

Ky Kuvend duhet të ketë veç një prioritet; Integrimin. Çdo ligj, çdo debat, çdo reformë duhet të jetë vetëm në këtë funksion; Integrimin. Vetëm nëpërmjet integrimit mund të arrijmë të garantojmë mëvetësinë, mund të paraqitemi denjësisht në tregun gjeopolitik të rajonit. Aspirata europiane na jep një përmasë lirie të jashtëzakonshme, na heq të gjitha komplekset e inferioritetit ndaj fqinjëve, ndaj komplekset e tyre të fajit nuk kemi përse t’i shohim si virtyt.

Një pyetje kam unë: Ç’do të thotë probleme me fqinjët?
Do të thotë që ata ngrenë Murin e Mitrovicës dhe ne heshtim?
Do të thotë që ata japin 30 centimetra flamur shqiptarëve në Maqedoni dhe ne heshtim?
Do të thotë që ata kthejnë një zonjë 80 vjeçare në kufi, sepse ka lindur në Çamëri dhe ne heshtim?
Do të thotë që po zbrazin krahinat shqiptare në Malin e Zi dhe ne heshtim?
Do të thotë që po ushtrojnë represion në Preshevë, Bujanoc dhe ne heshtim?
Jo zotërinj, heshtja është halli, sepse kur nis e flet pas një heshtje të gjatë duket sikur kërkon harresën, padrejtësinë që krijon ajo.

Na akuzojnë për Shqipërinë e Madhe dhe kërkojnë Himarën. Na akuzojnë për Shqipërinë e Madhe dhe ngrejnë Murin në Mitrovicë. Jo, nuk ka si të heshtësh. Mos kërko luftën, por nëpërmjet paqes kërko zgjidhjen e çështjes. E vështirë është t’ia dalësh, por aspak e pamundur.

Shihni kë kemi fqinj dhe sa të mbrapshtë janë që t’i trajtosh butë. Njëri merr mistrinë dhe ndërton Murin, tjetri vishet si gjeneral dhe shkumëzon në kufi për tanke e avionë. Dy vende anëtare të NATO-s, ku njëri ka Ligj Lufte për tjetrin.

Zonja ministre e Mbrojtjes, të kam çmuar shumë për qëndrimin tënd këto kohë. Nuk zgjodhe të bësh zbor apo të dalësh mes ushtarëve dhe t’ua kthesh dylekëshin. Bëre mirë, sepse si ministre nuk përfaqëson vetëm ata që të kanë votuar, por edhe mua që nuk të kam votuar. Bëre mirë që nuk re pré e zellit mediatik si grek, ashtu dhe shqiptar, të cilët fyen rëndë qënësinë tënde si grua, nënë, zonjë, politikane.

Tani, unë kam një ftesë për ty. Shkojmë të dyja bashkë në kufi, në shtëpinë e Hasan Tahsinit në Ninat të Çamërisë. Mbledhim të rinjtë e Konispolit dhe jo vetëm dhe u flasim për integrimin, Çështjen Kombëtare, pavarësinë e Shqipërisë. E bëjmë jo në fushimet e tankeve, por tek ullinjtë e paqes. Eja shkojmë dhe nisim bashkë një rrugëtim, i cili jo përherë do na gjejë në një mendje, por do na gjejë në të njëjtën udhë. Ndoshta me ne vijnë dhe të tjerët, sepse më lehtë është të merresh vesh në shqip, se sa në greqisht dhe rusisht.

*Fjalimi në parlament 

(Mesila Doda)

Protestuesit maqedonas përpara KSHZ me brohoritje anti-shqiptare

protesta-vmroQindra mbështetës të partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE-së të drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, po protestojnë përpara Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Komisioni po shqyrton ankesat e parashtruara nga partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve dhe veçanërisht për procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.

“Planifikojmë të qëndrojmë këtu derisa anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të mos i verifikojnë rezultatet e fitores së VMRO DPMNE-së me dy deputetë në epërsi kundrejt LSDM-së”, është shprehur një nga protestuesit e sotëm para KSHZ-së.

Ndryshe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka punuar mbrëmë deri në orët hershme të mëngjesit me protestuesit – përkrahës të VMRO DPMNE – që në vazhdimësi kanë brohoritur thirrje kërcënuese dhe fyese ndaj shqiptarëve si: “shqiptarë të mallkuar!”, për shkak se opozita maqedonase ka siguruar një numër të konsiderueshëm të votave nga elektorati shqiptarë.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se pas gjuhës së shprehur të urrejtjes nga simpatizantët e partisë maqedonase VMRO DPMNE, kjo parti duhet të kërkojë falje publike, ndërkohë që organet e gjyqësisë duhet të nxjerrin përpara drejtësisë ata që nxisin gjuhë të urrejtjes.

“Çdo parti politike shqiptare para se të fillojë bisedimet për çfarëdo lloj koalicioni të përbërjes qeveritare duhet të kërkojë nga VMRO DPMNE të kërkojë falje sepse gjatë tërë kohës ka bërë fushatë bazuar në albanofobi, gënjeshtra për shqiptarët dhe të gjitha këto janë bërë zyrtarisht”.

“Ky është minimumi që duhet të bëjë VMRO DPMNE, është të detyrohet të kërkoj falje. Gjuha e shprehur e urrejtjes në Maqedoni paraqet vepër penale dhe organet e drejtësisë duhet sa më parë të veprojnë në këtë drejtim”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Ramadani, aktivist për të drejtat e njeriut, drejtues i organizatës joqeveritare NISMA.

Masës së tubuar gjatë natës së kaluar para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i janë drejtuar edhe zyrtarë të lartë të VMRO DPMNE-së të cilët janë kërcënuar me zemërimin e popullit nëse anëtarët e KSHZ-së siç janë shprehur “nuk e respektojnë fitoren e VMRO DPMNE-së”.

“Nuk do të lejojmë që në tavolinë të gjelbër dikush t`ia vjedh fitoren VMRO DPMNE-së”, ka theksuar Ilia Dimoski zyrtar i lartë i VMRO DPMNE-së.

Temellko Ristevski, profesor universitar, konsideron se është parë qartë se protestat para KSHZ-së në formë të drejtpërdrejtë janë të drejtuara nga partia e Nikola Gruevskit, por ky veprim jo vetëm që krijon presion ndaj KSHZ-së, por do të dëmtojë në masë të madhe vetë partinë, tha ai.

“Vlerësoj kështu sepse nëse i pamundësohet KSHZ-së që të marrë vendime në formë të pavarur dhe nëse konsiderohet se anëtarët e KSHZ-së kanë qenë të detyruar të marrin vendim që t’i hedhin poshtë të gjitha ankesat e parashtruara, atëherë Gjykata Administrative në bazë të kësaj të shfuqizojë të gjitha vendimet e KSHZ-së”, vlerëson Ristevski.

Ndërkaq, dy partitë Lëvizja Besa dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, parti këto që paraqitën ankesa në KSHZ, kanë bërë të ditur se ankesat në afatin e paraparë ligjor do t`i parashtrojnë edhe në Gjykatën Administrative.

Siç thonë ata, ka patur “parregullsi gjatë ditës së votimit veçanërisht gjatë procesit të numërimit të votave dhe këtyre dy partive u janë hequr pa të drejtë së paku nga dy deputetë”. (REL)

“Venecia” s’ka internet, Dede: Nuk na ka ardhur akoma opinioni

gjykata-kushtetueseKomisionit të Venecias nuk i punon interneti. Kjo është arsyeja përse Gjykata Kushtetuese ende ka marrë një vendim për ligjin e Vetting-ut. Deklarata shokuese ka ardhur nga kreu i gjykatës, Bashkim Dede.

Ai thotë se po pret variantin fizik të opinionit, që Top Channel, Partia Demokratike dhe qeveria e kanë që prej 12 dhjetorit. Por Dede thotë se vendimi është gati.

“Ndonëse të gjithë thonë se e ka sjellë Komisioni i Venecias, edhe sot e kësaj dite opinioni nuk ka ardhur në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi kërkuar zyrtarisht, por s’kemi ende një përgjigje zyrtare. Ne kemi komunikuar dhe dje dhe sot me Venecian dhe më është kthyer përgjigje që ka patur një problem teknik që nuk e kanë dërguar. Them unë ta nisin që sot në rrugë elektronike dhe manuale”, ka thënë Dede.

Ai ka theksuar se, gjykatës nuk i duhet bërë presion dhe se nuk është gjyqsori ai që pengon integrimin e vendit.

“Ka presion direkt për faktin se çdo ditë në media, shtyp, Parlament e portale thuhet se gjykata zvarrit qëllimisht reformat, është bllokuese e integrimit, se gjyqtarët janë të kësaj apo asaj natyre, të lidhur me kriminelë, etj. Ka një ligj që do t’i sqarojë këto gjëra bashkë me strukturat mbështetëse, ku secili do të përgjigjet për gjithçka ka bërë e gjithçka është, nga gjyqtarët e Kushtetueses deri tek gjyqtarët dhe prokurorët e thjeshtë. Ai që e ka bërë vendin dhe do ketë përgjegjësi t’i nënshtrohet drejtësisë, të dënohet, të shkojë në ferr. Ai që është i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj punës patjetër që duhet të vlerësohet”, ka thënë Dede.

/ Top Channel

Maqedoni: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hedh poshtë ankesat e partive

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të premten (16.12) ndërpreu seancën publike, ku shqyrtoheshin ankesat nga partitë politike LSDM dhe BESA për zgjedhjet e mbajtura më 11 dhjetor.

kshz-harta-mkdKSHZ-ja deri më tani ka refuzuar shtatë nga gjithsej tetë ankesat e Lëvizjes BESA, ndërsa për ankesën e fundit është parashikuar që një grafolog të bëjë ekspertizë të nënshkrimit të një votueseje. KSHZ të enjten (15.12) ka diskutuar edhe për katër nga gjithsej tetë ankesat e LSDM-së opozitare, të cilat i refuzoi.

KSHZ nën presion të madh

E gjithë puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është zhvilluar nën presion dhe në situatë të tensionuar. Para godinës së KSHZ-së ishin mbledhur militantë të VMRO-DPMNE-s së Nikolla Gruevskit për të parandaluar – siç thanë – vjedhjen e  fitores së saj. Para protestuesve, anëtarë dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së kanë mbajtur fjalime, ndërsa nuk munguan as ofendimet në drejtim të shqiptarëve me fjalët “Shqiptarët e mallkuar”, madje edhe duke kërcënuar me gjakderdhje rrugëve.

“Anëtarët e KSHZ-së duhet ta dinë se bartin përgjegjësinë më të madhe dhe nga ata varet se a do të jetë ky shtet normal dhe me prosperitet. Të mos mendojnë se ky popull ka fuqi që të tolerojë më shumë”, kërcënoi bartësi i listës për kandidatët për deputetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Funksionari i lartë i VMRO-DPMNE-s Filip Petrovski kërcënoi ambasadorin amerikan, Jess Baily me fjalët: “Largohu nga Maqedonia, mos na provoko më, në Maqedoni fitoi populli maqedonas. Mos i prish marrëdhëniet mes dy vendeve, edhe ashtu je në ikje. Nuk do të shkojmë derisa nuk shpallni fitore”.

Analistët: Presioni politik ndaj KSHZ i patolerueshëm

Analisti politik Alajdin Demiri vlerëson se VMRO-DPMNE e ka instaluar presionin e rrugës si metodën më të re dhe njëherit më efikase të veprimit politik qysh prej organizimit të kundër-protestës së parë.

“Tashmë ikonografia e veprimit të VMRO-së është bërë rruga, rruga në të cilën shkallëzojnë të gjitha llojet e nacionalizmave dhe presionit kundër punës së institucioneve të pavarura. Presioni që të fitojë me çdo kusht”, thotë Demiri.

“Bëhet fjalë për shkelje drastike të institucioneve, veçanërisht ndaj K SHZ, nga ana e VMRO DPMNE-së, e cila nuk lejon që në mënyrë institucionale dhe ligjore të konstatohet realiteti që ka të bëjë me procesin zgjedhor. VMRO -DPMNE shkon edhe një hap më tej, ajo kërcënohet dhe me sigurinë e shtetit, nëse vjen në ndryshimin e rezultatit gjatë procedurës së ankimimit “, vlerëson analisti Mersel Billalli.

Lidija Hristova, politologe, konsideron se një situatë e tillë është si rrjedhojë e asaj se në Maqedoni është instaluar logjika e mungesës së përgjegjësisë morale dhe politike.

“Situata është mjaft konfuze dhe shumë e paqartë do të thosha, sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Duhet të priten rezultatet pas ankesave në KSHZ dhe në Gjykatën administrative, edhe pse pas kësaj kam bindjen, se paqartësia do të jetë edhe më e madhe sa i përket asaj se kush doli fitues në këto zgjedhje”,thotë  Lidija Hristova.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve gjatë ditës (16.12.) duhet të vazhdojë seancën e shqyrtimit të ankesave të dorëzuara nga partitë politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas afateve ligjore, Komisioni Shtetror i Zgjedhjeve dhjetë ditë pas përfundimit të votimit duhet t’i shpall rezultatet përfundimatre zyrtare dhe numrin e mandateve për deputet të fituara nga partitë pjesmarëse në procesin zgjedhor. Pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare, Presidenti i shtetit ia dorzon mandatin për formimin e qeverisë së re, partisë, e cila ka fituar shumicën e manadateve në parlament. (dw)

Alepo, pezullohet evakuimi i popullsisë civile

alepoEvakuimi i popullsisë në Alepo është ndërprerë, duke lënë mijëra njerëz të bllokuar. Sipas njoftimeve, sot u dëgjuan shpërthime pranë autokolonave që transportojnë njerëzit nga ai qytet. Media shtetërore në Siri njoftoi se rebelët kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit me qeverinë, gjë që kundërshtohet si e pavërtetë nga ana e rebelëve. Nuk është e qartë se kur do të rifillojë operacioni i evakuimit.

Në një konferencë për shtypin në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Elizabeth Hoff, tha përmes telefonit se Kryqi i Kuq dhe zyrtarët e OKB-së ishin njoftuar që të largoheshin nga zona në fjalë.

“Shqetësimi ynë për momentin është se njerëzit janë ende në enklavat e rrethura në lindje të Alepos – pjesët e mbetura nga ku po zhvilloheshin evakuimet. Ende ka shumë gra, foshnje dhe fëmijë nën moshën pesë vjeçare që duhet të largohen nga aty. Ata kanë shkuar në pikat ku prisnin autobusët dhe ambulancat. Por me ndërprerjen e operacionit, ata duhet të kthehen në strehimet e tyre. Kjo përbën shqetësim të madh për ne, sepse e dimë se sa të dëshpëruar janë që të largohen nga aty.”

Autokolona me ambulanca dhe autobusë u larguan të enjten nga Alepo, qytet i njohur për historinë dhe kulturën myslimane dhe arabe para se lufta civile e ktheu atë në rrënoja.

Autobusët u larguan nga pjesa lindore e Alepos dhe kaluan në territorin e kontrolluar nga qeveria para se të shkonin në një tjetër pjesë të kontrolluar nga rebelët.

Presidenti rus tha sot se vendi i tij po punon me Turqinë për të filluar një raund të ri bisedimesh për paqen në Siri me synimin e arritjes së një armëpushimi në mbarë vendin.

Duke folur gjatë një vizite në Japoni, zoti Vladimir Putin tha se ai dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan propozojnë zhvillim negociatash mes qeverisë siriane dhe opozitës, të cilat mund të zhvillohen në kryeqytetin kazak, Astana.

Komentet e presidentit rus erdhën ndërsa më shumë civilë po përgatiteshin të largoheshin nga qyteti i shkatërruar i Alepos. Mijëra njerëz u larguan të enjten nga qyteti i ndarë, në bazë të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, duke rënë përfundimisht në kontrollin e qeverisë siriane. (voa)