Vendimi për Ramush Haradinajn më 2 mars

RamushGjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, pritet të vendosë më 2 mars lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Të enjten kjo gjykatë mbajti një seancë lidhur me këtë kërkesë, por shtyu për datën dy mars vendimin rreth saj.

Pas seancës zoti Haradinaj tha se shpreson në një vendim më të shpejtë dhe se shtyrja deri më 2 mars ishte e panevojshme, meqë kërkesa e Serbisë është politike dhe keqpërdorim i Policisë Ndërkombëtare.

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thanë se nuk kishte ndonjë arsye për shtyrjen e vendimit që duket të jetë kushtëzuar nga vëllimi i lëndës së dorëzuar nga autoritetet serbe.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që siç thuhet nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë.

Avokatët thonë që nëse gjykata hedh poshtë kërkesën serbe, zoti Hardinaj do të jetë i lirë dhe Serbia nuk ka mundësi apelimi, ndërsa në një rast të kundërt, vendimin përfundimtar për ekstradim apo jo do ta merrte qeveria franceze, përkatësisht ministri francez i drejtësisë.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë.

Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Ndalimi i zotit Haradinaj nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë. (voa)

Çfarë pushteti ka presidenti i SHBA-së?

TrumpPresidenti i SHBA-së është njëkohësisht edhe kryeministër dhe komandant i forcave të armatosura. Çfarë mund të bëjë ai?

Presidenti amerikan ka në duar një fuqi të jashtëzakonshme politike. Por Gjykata Kushtetuese parashikon edhe parimin “Checks and Balances” nga Kongresi dhe Gjykata më e lartë në vend, e cila mund t’i pezullojë vendimet e tij. Qëllimi është që të ruhet balanca e veprimit të organeve më të larta të shtetit. Po çfarë do të thotë kjo?

Postet drejtuese

Presidenti mund të emërojë anëtarët e kabinetit të tij. Por postet e ministrave duhet të miratohen nga Senati me shumicën e thjeshtë. Ndërsa presidenti ka të drejtë edhe t’i largojë ministrat. Për këshilltarët dhe bashkëpunëtorët nuk i duhet miratimi i Senatit.

Presidenti i SHBA-së ka të drejtë të propozojë gjykatësit e Gjykatës Supreme (Supreme Court). Por për emrimin duhet shumica prej 3/5 e votave në Senat, pra 60 nga 100 senatorë. Gjykatësit e Supreme Court, i cili në rastet kontestuese ka fjalën e fundit, emërohen për tërë jetën. Kjo do të thotë që një president mund të influencojë punën e Gjykatës për një kohë shumë më të gjatë se sa mandati i tij.

Presidenti emëron edhe gjykatësit në mbi 100 gjykata federale, në rastet kur ndonjë gjykatës vdes apo largohet, sepse edhe ata emërohen për tërë jetën. Për emërimin e tyre i duhet shumica e thjeshtë në Senat.

Presidenti vendos edhe për mijëra vendet e punës në autoritetet e ndryshme, si për shembull Banka Amerikane (US Federal Reserve). Kjo është një pjesë e vogël e gati tre milionë nëpunësve, por presidenti vendos për postet drejtuese.

Ligjet

Presidenti i SHBA-së nuk mund të nxjerrë ligje. Kongresi e ka këtë të drejtë. Por Trumpi mund të kërkojë nga deputetët që të shqyrtohen projektligjet e tij. Ndërsa përmes prezencës së tij në media dhe opinion, presidenti ka një influencë të jashtëzakonshme në përcaktimin e agjendave në SHBA.

Presidenti ka të drejtën e vetos dhe mund të kthejë mbrapsht çdo ligj të mirautar në Kongres. Në rastin e një vetoje normale, presidenti e kthen ligjin në Kongres për rishqyrtim. Por në rast se ligji sërish miratohet nga të dy dhomat me shumicën prej 2/3, atëherë ligji hyn në fuqi. Vetot janë shumë të rralla, sepse parimisht presidenti dhe shumica në Kongres merren vesh për normat kontestuese.

Dekretet

Presidenti mund të qeverisë përmes dekreteve, të cilat shpesh kanë karakterin e ligjeve. Përmes dekreteve Donald Trump ka filluar menjëherë ndryshime të mëdha që kanë të bëjnë ndër tjera edhe me ndalimin e futjes së myslimanëve nga shtatë vende në SHBA. Presidenti mund të fusë në fuqi përmes dekretit edhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga qeveria, por të cilat Senati refuzon t’i miratojë, përmes të ashtuquajturve – “Executive Agreements”. Presidenti Obama e ka miratuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Por Kongresi ka të drejtë të miratojë një ligj, me të cilin mund të nxirret nga fuqia një dekret  – një “Executive Agreement”. Ndërsa qytetarët, politikanët apo grupet e interesave mund ta dërgojnë ndonjë çështje në gjykata nëse mendojnë se dekretet janë kundër Kushtetutës. Presidenti mund të shfuqizojë me një nënshkrim dekretet e lëshuara nga presidenti i mëparshëm.

Fuqia në politikën e jashtme

Ndryshe nga politika e brendshme, ku Kongresi mund ta frenojë, presidenti amerikan ka shumë më tepër hapsirë manovrimi në politikën e jashtme. Ai vendos vet se me cilët politikanë mban kontakte më të ngushta dhe kështu i jep kahjen politikës amerikane. Presidenti vendos, se cilat shtete janë partnere të SHBA-së e cilat jo. Ai mund të legjitimojë vendet e tjera me hapjen p.sh. të ambasadave në ato vende, apo dhe të degradojë diplomacinë në një nivel më të ulët.

Kontrolli i ushtrisë dhe i shërbimeve sekrete

Presidenti është komandanti suprem i forcave të SHBA-së. Sipas Kushtetutës, të drejtën për t’i shpallur luftë ndonjë vendi tjetër e ka Kongresi. Në realitet megjithatë është presidenti dhe kabineti i tij ai që vendos për misionet ushtarake jashtë vendit. Nëse vendi rrezikohet, presidenti ka të drejtën e fillimit të një lufte pa miratimin më parë të vendimit nga Parlamenti. E ashtuquajtura “War Powers Resolution” parashikon që presidenti brenda 48 orësh duhet të informojë Kongresin ndërsa brenda 60 ditësh duhet të marrë pëlqimin e tij për ndonjë luftë. Kongresi gjithmonë deri më sot i ka miratuar misionet ushtarake të presidentit – si për shembull luftërat e Irakut apo Afganistanit.

Të gjitha 16 shërbimet e mëdha sekrete të SHBA-së i nënshtrohen presidentit, ndër to edhe FBI, NSA dhe CIA. Ato raportojnë çdo ditë për gjendjen.

Përdorimi i armëve bërthamore

Presidenti është i vetmi, i cili mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore. Por nëse jep urdhërin për ndonjë sulm, ai duhet të kalojë nëpër disa instanca: Ministri i Mbrojtjes kontakton ushtrinë, gjeneralët duhet të kalojnë urdhërin tek ushtarakët më të ulët dhe ata japin komandën për goditje.

Që ministri mund të ndalojë ushtrinë nga përdorimi i armëve bërthamore, e dëshmon edhe rasti i Richard Nixonit. Në ditët e fundit të mandatit të tij, presidenti Nixon pinte shumë dhe është vërejtur sjellja e tij i pazakonshme. Ministri i Mbrojtjes ka kërkuar nga ushtarakët, që të gjitha urdhërat që kanë të bëjnë me armët bërthamore, duhet të kalohen tek ai dhe Ministria e Jashtme. Juridikisht ishte ky një vendim i kontestueshëm por praktikisht askush nuk e vuri në pikëpyetje.

Amnestia

Presidenti ka të drejtë të amnestojë të dënuarit nga Gjykata Federale. Presidenti Obama ka amnestuar për shembull Chelsea Manning, të dënuar për tradhëti. Të përjashtuar nga amnistia janë politikanët dhe autoritetet federale, të cilët largohen nga puna.

Nuk ka të drejtë buxheti

Presidenti ka të drejtën e kontrollit ndaj autoritetit ekzekutiv, por Kongresi e ka të drejtën e kontrollit të financave. Në këtë mënyrë, të dy dhomat e Parlamentit mund të bllokojnë vendimet e presidentit, përmes bllokimit të buxhetit. Në rastet ekstreme, autoritetet thjesht mbeten pa para dhe nuk kanë mundësi të zbatojnë urdhërat e presidentit. Një “Government Shutdown” kërcënonte së fundi edhe në tetor të vitit 2013.

Largimi nga posti

Nëse sipas mendimit të Kongresit apo kabinetit qeveritar sjellja e presidentit bëhet e padurueshme, ekzistojnë dy mënyra për largimin e presidentit nga posti i tij.

Së pari: mund të niset procedura e largimit nga posti për shkak të sjelljes së gabuar. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të largohet nga posti nëse bën ndonjë tradhëti, korruptohet, apo bën ndonjë krim të rëndë. Procedurën e nis Dhoma e deputetëve me shumicën e thjeshtë. Më pas presidenti merret në pyetje në Senat, i cili mund ta largojë nga posti vetëm nëse sigurohen 2/3 e votave.

Në këtë mënyrë nuk është shkarkuar kurrë ndonjë president. Vetëm tri herë është nisur një procedurë e tillë. Në rastet e Andrew Johnson (1868) dhe Bill Clinton (1999), Senati ka votuar kundër shkarkimit të presidentit. Ndërsa Richard Nixon në vitin 1974 dha dorëheqjen vullnetarisht pas skandalit “Watergate”, para se të fillonte procedura e largimit.

Dhe mundësia e dytë për nxjerrjen e një presidenti amerikan nga Shtëpia e Bardhë: Presidenti mund të largohet nga posti nëse kabineti qeveritar apo Kongresi me mbështetjen e zëvendëspresidentit konstatojnë, se presidenti nuk është në gjendje që t’i përmbushë detyrimet dhe të drejtat e tij. Kjo parashikohet në nenin 25 të Kushtetutës. Presidenti mund ta kontestojë një vendim të tillë, por në fund Kongresi është ai që vendos. Në një rast të tillë, e domosdoshme është shumica prej 2/3 e votave në Kongres dhe në Senat. (dw)

Haradinaj: ekstradim në Serbi apo lirim?

RamushNë Colmar të Francës nesër vendoset nëse Ramush Haradinaj do të ekstradohet në Serbi apo do të lirohet përfundimisht nga fletëarrestet e Beogradit.

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pret lirimin e tij nga gjykata franceze në Colmar, ku po mbahet që nga data 4 janar kur është arrestuar sipas një fletarresti të Serbisë, nën akuzat për krime lufte. Serbia ka kërkuar ekstradimin e tij dhe nxjerrjen para gjykatave serbe, ndërsa Haradinaj thotë se në aktakuzën e Serbisë, me të cilën kërohen estradimi, “nuk ka asgjë të re me të cilën nuk është përballur edhe në Hagë”, ku dy herë është shpallur i i lirë ndaj akuzave për krime lufte.

Arianit Koci i bindur se Haradinaj do të lirohet

Seanca ku do të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradim, do të fillojë në orën 14.00 në Colmar. Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci pohon se “kërkesa e Serbisë për ekstradim është e pabazuar”, e madje edhe “keqpërdorim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë”. Avokati Koci pohon se kërkesa e Serbisë për ekstratikm “është politike”. Këto pohime i dëshmon me deklaratat e politikanëve në Serbi: Kryeministrit, ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Jashtëm. “Mos të harrojmë se Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër për Informacion në kohën e Millosheviqit dhe Ivica Daçiq ka qenë zëdhënës i partisë SPS”, pohon Koci. Sipas palës mbrojtëse, “pushtetarët e Serbisë nuk do t’ia falin kurrë Haradinajt, anagazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës dhe luftimin e politikës gjenocidale të pushtetit të Millosheviqit”. Avokati Koci është i bindur se Haradinaj do të lirohet nesër në Colmar nga të gjitha akuzat.

Politikanët serbë bëjnë presion

Së fundi jo vetëm organet juridike dhe krerët e shtetit por edhe disa deputetë serbë kanë kërkuar ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Shefi i deputetëve të partisë SNS (partia e presidentit Nikoliq dhe kryeministrit Vuçiq), Aleksandar Martinoviq ka deklaruar në një takim me dy deputetë francezë, se “Serbia pret ekstradimin e Haradinajt në Serbi”.  Martinoviq pohon se “të gjithë popujt në rajon kanë qenë viktimë e luftërave të kaluara, por populli serb në Kosovë e Metohi ka qenë një prej viktimave më të mëdha. Ndaj presim nga drejtësia franceze që Haradinajn ta ekstradojë në Serbi.”

Ekstradimi vetëm nëse ka akuza të reja

Eksperti gjerman Christian Tomuschat ka deklaruar për Deutsche Wellen pak ditë pas ndalimit të Haradinajt në aeroportin e Baselit dhe dërgimit të tij në Colmar, se Haradinaj mund të ekstradohet dhe gjykohet vetëm nëse ka ndonjë akuzë për krime që nuk janë trajtuar në Tribunalin e Hatgës. Ekstradimin në Serbi nuk e besojnë as shumë analistë serbë. Në deklaratat e tyre për DW ata thonë se më parë është i mundur ekstradimi i tij në Gjykatën Speciale në Hagë se sa në Serbi. Ndërsa Haradinaj mendon se kjo nuk do të trajtohet fare si mundësi. “Më Gjykatë speciale se Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, i themeluar nga OKB, nuk ka. Dhe atje unë jam shpallur dy herë i lirë”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë me DW, të zhvilluar ditë më parë.

Mangësitë në transparencën e gjykatave në Shqipëri

Gjykata ALBNë Shqipëri seancat gjyqësore duhet të regjistrohen përmes sistemit audio për të rritur transparencën e gjykatave. Por ndonëse ligji e kërkon një gjë të tillë, shpesh ajo nuk ndodh në praktikë. Në materialin në vazhdim, një bashkëpunimi i Zërit të Amerikës me rrjetin investigativ BIRN, i hidhet një vështrim mangësive në këtë proces.

Prej vitit 2013, gjyqtarët shqiptarë kanë detyrimin ligjor që seancat gjyqësore dhe procesverbalet e tyre t’i regjistrojnë dhe administrojnë përmes sistemit audio. Megjithatë, përdorimi i këtij sistemi që i shërben rritjes së transparencës dhe lehtësimit të procedurave gjyqësore po has vështirësi në praktikë, ndërsa nuk mungojnë rastet kur gjyqtarë të veçantë dyshohet se refuzojnë qëllimisht ta përdorin atë.

Mungesa e vullnetit për përdorimin e sistemit audio përbën shkelje të Kodit të Procedurës Civile dhe shkak për nisjen e një procesi disiplinor ndaj gjyqtarit.Gjatë tre viteve të fundit, Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka proceduar vetëm një gjyqtar për këtë arsye dhe ka në proces verifikimi tetë gjyqtarë të tjerë.

Sipas Inspektoriatit të KLD-së, 2 gjyqtarë të gjykatës së Durrësit, 1 gjyqtar i Gjykatës së Shkodrës, 4 gjyqtarë të gjykatave administrative të Apelit dhe 1 gjyqtar i rrethit gjyqësor të Kavajës rezultojnë me përdorim të ulët të sistemit audio në verën e vitit 2016.

“Nga raportet mujore të kryetarëve të gjykatave ne na ka rezultuar që bëhet fjalë se këta gjyqtarë kanë një masë të ulët të përdorimit të sistemit audio jo vetëm me të dhënat e tyre personale, por krahasimisht edhe me gjyqtarët e tjerë të së njëjtës gjykatë. Megjithatë duhet të jemi të qartë se nuk do të thotë apriori se të tetë rastet do të shkojnë në procedim disiplinor, pasi duhet të vërtetohet se kemi të bëjmë me një veprim me dashje në mospërdorimin e sistemit audio”, thotë Marsida Xhaferrllari, kryeinspektore e KLD-së.

I financuar nga projekti JUST i USAID-it si një mekanizëm që rrit kontrollin dhe transparencën brenda sistemit defektoz të gjyqësorit shqiptar, niveli i përdorimi i sistemit audio është tregues i performancës së gjyqtarëve, por edhe i gjykatave në krahasim me njëra-tjetrën.

Të dhënat e monitorimit të Inspektoriatit të KLD-së tregojnë se ndonëse në disa gjykata është arritur regjistrimi i 100 për qind i seancave, në disa gjykata të tjera ky nivel është në pragun e 20 për qindëshit.

Gjykata e Tiranës, ajo e Elbasanit, gjykata e Durrësit apo disa gjykata administrative të shkallës së parë apo të Apelit rezultojnë të kenë një nivel minimal të regjistrimit të seancave gjyqësore. Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari thotë se problem kryesor është mungesa e infrastrukturës.

“Sigurisht që ka disa arsye pse niveli nuk është 100 për qind nëpër gjykata. Së pari, kjo lidhet me infrastrukturën. Ne nuk duhet të harrojmë se ky sistem është instaluar në sallat e gjykimit dhe ne duhet të pranojmë që kemi ende gjyqe që zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Në rastet më të shumta, vjen nga fakti që kemi ende disa gjykata që kanë infrastrukturë të dobët, që nuk kanë ende standardin e duhur-numrin e gjyqtarëve me sallat e gjykimit”.

Gjykata më e madhe në vend, ajo e Tiranës përballet prej vitesh me mungesën e sallave të nevojshme të gjyqit-çka reflekton edhe nivelin e ulët të kryerjes së regjistrimeve audio në të. E ndarë aktualisht në dy godina, kjo gjykatë ka marrë vazhdimisht premtime nga politika për ndërtimin e një Pallati Drejtësie, por ende asnjë zgjidhje.

Në vitin 2011, qeveria e drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha vendosi që Pallati i Drejtësisë të ndërtohej në vendin ku ndodhej stacioni i trenit në Tiranë, por projekti u dublua nga ndërtimi i bulevardit të ri derisa u la në harresë.

Në vitin 2015, qeveria e Edi Ramës shpalli projektin e ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë në një zonë tjetër të Tiranës. Projekti nuk u shoqërua megjithatë nga një faturë financiare, duke mbetur ende në letër.

Ndërsa njeh avantazhet e përdorimit të sistemit audio, kryetarja e Gjykatës së Tiranës i tha BIRN se performanca e ulët lidhet me faktin se shumica e gjyqeve zhvillohen ende në zyrat e gjyqtarëve.

“Në dhomën civile kemi 55 gjyqtarë, janë në dispozicion të tyre vetëm 20 salla gjykimi dhe duke patur parasysh që vetëm në një muaj zhvillohen 5600 seanca gjyqësore atëherë na rezulton që 20 për qind regjistrohen në audio. Sa i takon dhomës penale ne kemi gjithsej 21 gjyqtarë, janë vetëm 7 salla në dispozicion të tyre dhe vetëm 19 për qind e tyre bëhen me regjistrim audio. Problemi i gjykatës së Tiranës është një problem i njohur-është gjykata më e madhe në vend që përbëhet nga 76 gjyqtarë dhe duhet ta pranojmë se përmirësimi i gjyqësorit në vend do të vijë vetëm nga gjykata e Tiranës”.

Ndërsa gjykatat administrative pretendojnë se specifika e tyre e zhvillimit të seancave përgatitore nuk është marrë parasysh në monitorim, duke i nxjerrë artificialisht si përdorues të ulët të sistemit audio.

“Për një çështje kërkohen mesatarisht një ose dy seanca gjyqësore, por në sistem regjistrohen 10 veprime. Këto veprime regjistrohen artificialisht si seanca gjyqësore dhe duke u rritur numri i këtyre veprimeve pakësohet edhe niveli i përdorimit të sistemit audio”, thotë Erjol Roshi, kryetar i gjykatës administrative të Tiranës.

Pavarësisht problematikave me të cilën përballet, sistemi i regjistrimit audio konsiderohet një histori suksesi nga aktorët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Për këtë arsye, paketa ligjore e reformës në drejtësi ka synuar ta shtyjë përpara përdorimin e këtij sistemi, duke e cilësuar atë një kriter të rëndësishëm në vlerësimin profesional të gjyqtarëve. (voa)

Drejtësia, mbërrijnë ekspertët ndërkombëtarë

MNM GenovevaNë Shqipëri, Misioni ndërkombëtar i monitorimit, i cili do të vëzhgojë të gjithë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë do të nisë zyrtarisht punën nesër, ndërkohë që sot u themelua Bordi i tij menaxhues, me përbërje të përfaqësuesve të Komisionit europian dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Misioni do të nisë menjëherë aktivitetin me verifikimin e kandidaturave për strukturat që do të vënë në zbatim procesin e rivlerësimit.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, do të jetë në krye të misionit të ekspertëve europian dhe amerikanë. Dita e sotme për të nisi me takimet e prezantimit me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, për të vijuar më pas me themelimin e Bordit menaxhues të misionit, në përbërje të të cilit janë përfaqësuesë të Komisionit Evropian dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ky bord do të ketë një rol mbikqyrës dhe koordinues për aktivitetin e misionit ndërkombëtar.

“Operacioni Ndërkombëtar do të kryejë një monitorim të fortë të procesit të rivlerësimit, por ai nuk do të marrë vendime ekzekutive. Të gjithë vendimet përfundimtare do t’u takojnë autoriteteve shqiptare, sic dhe duhet të jetë”, shpjegoi Calavera

Faza e parë e punës do të jetë ajo e verifikimit të kandidaturave për komisionet e rivlerësimit. Afati për aplikimet përfundon nesër. Dhe brenda 7 ditëve Avokati i Popullit, në konsultim me misionin ndërkombëtar, i cili ka qasje në të gjithë dokumentacionin, harton dy lista me ata që plotësojnë ose jo formalisht kriteret. Më pas do të jetë misioni ndërkombëtar që do të bëjë vlerësimin për cdo kandidaturë, duke hartuar dhe rekomandimet që përmes Avokatit të Popullit i kalojnë parlamentit. Në këtë fazë do të jenë të angazhuar dy ekspertë amerikanë dhe tre europianë.

Pas ngritjes së strukturave të rivlerësimit, Misioni do të shtohet me të tjerë ekspertë të nivelit të lartë. Në total numri i tyre pritet të jetë mbi 20 dhe ata do të qëndrojnë në Shqipëri për të paktën 3 vjet.

Zonja Calavera, i mëshoi sot faktit se veprimtaria e Misionit do të jetë professionale, e paanshme dhe në respekt të ligjit, ndërsa theksoi rëndësinë e procesit të rivlerësimit për të ardhmen e raporteve të Shqipërisë me Brukselin: “Besoj se mesazhi ynë është i qartë. Ky procesi rivlerësimi është jetik për të hapur derën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, nënvizoi zonja Calavera. (voa)

Tusk: BE duhet të përmirësojë situatën në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shkroi të mërkurën në rrjetin social twitter se “Bashkimi Evropian duhet të bëjë gjithçka për të përmirësuar situatën në Ballkanin Perëndimor”.

Komenti i tij pasoi takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjatë ditës u prit edhe nga presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Të enjten ai do të pritet nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Në një njoftim të zyrës aë presidentit Thaçi thuhet se ai i njoftoi mikpritësit e tij me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe theksoi nevojën për angazhim strategjik të BE-së në Kosovë dhe në Ballkan Perëndimor.

“Jemi të përkushtuar për të ardhmen tonë evropiane dhe kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga nënshkrimi Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, mirëpo procesi i integrimit të Kosovës në BE duhet të përshpejtohet me veprime konkrete, sepse vonesat vetëm sa e dëmtojnë kredibilitetin e BE-së dhe e zbehin përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për këtë proces”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “është qenësore për Kosovën, për tërë rajonin, që Bashkimi Evropian të mbetet i angazhuar në Ballkanin Perëndimor dhe ky angazhim të jetë politik dhe gjeostrategjik”.

Takimet e presidentit Thaçi me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pasuan dy takime me radhë të udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në përpjekje për të ulur tensionet e larta ndërmjet të dyja palëve.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur nëntë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ajo ka hapur negociatat pë anëtarësim, ku çështje kryesore mbeten marrëdhëniet me Kosovën, e cila ndërkaq ka arritur Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian në shkëmbim të angazhimit në bisedime, por mbetet e fundit në rajon në proceset integruese. (voa)

Kurti: Tirana më e avancuar se ne në qëndrimet ndaj Serbisë

Për Albin Kurtin, ish kreun e “Vetëvendosjes”, Tirana zyrtare po mban një qëndrim më të avancuar se Prishtina për konfliktin Kosovë-Serbi.

Deklarata e kryeministrit shqiptar se nëse Serbia cenon 1 cm të territorit tonë, Shqipëria e Kosova do të jenë gati t’i përgjigjen, duket se ka gjetur përkrahjen e “Vetëvendosjes”.

Sipas “rebelit” të politikës kosovare, kundër Serbisë reagimi duhet të jetë si komb.

Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë lindin pas ndalimit në kufi të një treni serb me mbishkrimin “Kosova është Serbi” vizita dhe deklaratat e Ramës në kosovë ngjallën reagime në Beogradin zyrtar. (botasot)

“Drejtësia”, vjen misioni monitorues. Nis punën të mërkurën

VettinguProcesi i “vetting”-ut të gjyqtarëve është ndërtuar duke pasur garant për paanësi politike dhe vendimarrje të drejtë, vëzhguesit ndërkombëtarë. Dhe në prag të nisjes së punës për ngritjen e institucioneve të reja të “vetting”-ut, vëzhguesit ndërkombëtarë janë vendosur në Tiranë, më sakte 4 prej tyre që do të drejtojnë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Shefja e tyre është drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Gjenovefa Ruiz Kalavera, e cila do të mbajë të mërkurën një deklaratë publike, bashkë me 3 të dërguar të tjerë të Brukselit, që do të qëndrojnë në Shqipëri derisa Parlamenti të zgjedhë se kush do të jenë 27 personat që do të bëjnë procesin e “vetting”-ut.

Burime jozyrtare konfimuan për Top Channel se, vëzhguesit ndërkombëtarë, që janë me detyrë prokruorë dhe gjyqtarë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, do të jenë kryesisht nga Gjermania, Austria dhe Italia dhe do të vijnë në Shqipëri sapo të nisë procesi i “vetting”-ut.

Ndërkohë, në grupin drejtues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është edhe gjermani Reinhard Pribe, një njohës i mirë i Shqipërisë, dikur drejtor i Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot një nga njerëzit e angazhuar për ekspertizën e ligjit të “vetting”-ut.

Puna e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nis plotësisht më 16 shkurt, kur, me të drejtën që u jep ligji, vëzhguesit ndërkombëtarë të shqyrtojnë listat e Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesin Kuvendit deri më 1 mars “listën e tyre të zezë”, që do të përbëhet nga ata kandidatë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit gjykon se nuk duhet të jenë anëtarë të organeve të reja të “vetting”-ut.

/ Top Channel

Gruevski kërcënohet me “probleme” nëse mbetet jashtë qeverisë

GruevskiVMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit është kërcënuar me “probleme” nëse nuk respektohet fitorja e saj në zgjedhje dhe mbetet jashtë qeverisë së re.

Reagimi i partisë së ish kryeministrit vjen pas njoftimeve për intensifikimin e bisedimeve për formimin e qeverisë së re mes LSDM-së së opozitarit, Zoran Zaev dhe BDI-së së Ali Ahmetit, e cila në dhjetë vitet e fundit ishte në koalicion më VMRO-në.

Gruevski ka kërkuar nga BDI-ja që të respektoj parimin e vendosur nga ana e tyre që qeveria e Maqedonisë të formohet nga partitë fituese në bllokun politik shqiptar dhe maqedonas.

“Çdo parti që do të vendos të formojë koalicion pa partinë e cila ka fituar më shumë vota nga populli në zgjedhje, duhet ta dijë se në të njëjtën kohë merr vendim që të ballafaqohet me probleme në të ardhmen, të natyrshme për situatën kur injorohet vullneti i shumicës së qytetarëve”, thuhet në reagimin e VMRO-së

“Tani kur VMRO-DPMNE është fituese, edhe nga jashtë edhe nga brenda harrohet ky parim. Të gjithë duhet ta dinë se nëse një herë shkelet ky parim, kjo do të shndërrohet në një proces të pakthyeshëm. Nuk mundet ai parim të vlejë sipas nevojës, vetëm kur dikujt i konvenon”, vlerëson partia e Gruevskit.

Bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së kanë nisur pasi paraprakisht VMRO-ja nuk arriti marrëveshje me BDI-në për formimin e qeverisë së re. (rel)

Qeveria e koncentruar për dalje nga kriza, Hahn-i kumbar

HahnQeveria e koncentruar politike do të jetë zgjidhja dhe kompromisi për nxjerrjen e vendit nga kriza e re politike. Burime diplomatike europerëndimore në Shkup i thanë agjencisë së lajmeve INA se zgjidhja është tek qeveria e koncentruar, pasi që nuk presin zgjidhje edhe midis LSDM dhe partive shqiptare, për shkak të kushteve, sidomos Platformës së partive shqiptare.

“Presim bisedimet midis LSDM dhe partive shqiptare. Por në këtë situatë të krijuar vlerësojmë se do të ketë një qeveri të koncentruar politike, pjesë e cilës do jenë të gjitha partitë politike që kanë fituar mandate deputetësh. Kjo qeveri do të jetë e obliguar që të miratojë çështjet kyçe që kërkohen nga raporti i Pribesë, nga platforma e partive shqiptare, zgjidhja e kontestit të emrit dhe çështja tjera të rëndësishme për vendin. Kjo zgjidhje pritet të ndodhë, pasi që kemi palët politike me qëndrimet diametralisht të kundërta dhe çdo qeveri e pakicës, mund të regjenerojë krizë më të thellë”, theksoi për INA, diplomati evropian, duke ngelur anonim.

Siç bëhet e ditur, pikërisht me këtë propozim do të vjen të enjten në Shkup edhe eurokomisari për zgjerim, Johannes Hahn. Bashkimi Evropian javën e kaluar dështimit të Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë bëri thirrje për formimin e një qeveri sa më të gjerë, që nënkupton qeveri të koncentruar, e cila do të merret me zbatimin e reformave kyçe, por edhe çështjet e hapura në negociatat midis partive për formimin e Qeverisë, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. (INA)