Protestat nё Rumani vazhdojnё

rumani protestatEdhe pas tёrheqjes sё dekretit pёr korrupsionin nё Rumani vazhduan protetsta edhe nё fundjavё.

Pavarёsisht kthimit tё dekretit tё diskutueshёm pёr zbujen e dёnimeve pёr korrupsion sёrish qindra mijёra vetё demonstruan kundёr qeverisё rumune. Rreth 250.000 demonstrues u mblodhёn nё Bukuresht para selisё sё qeverisё. Ata deklaruan, se do ta ndjekin me vёmendje qendrimin e mёtejshёm tё qeverisё. Nё mbarё vendin bёhet fjalё pёr rreth njё gjysmё milioni protestues. Qeveria vendosi ta anulojё dekretin e miratuar me procedurё tё pёrshpejtuar, i cili menjёherё u publikua nё fletoren zyrtare. Qeveria socialiste me kёtё vendim iu pёrgjigj premtimit tё kryeministrit Sorin Grindeanu, i cili tё shtunёn (04.02) u lut tё kthehet dekreti. Edhe pёrpara miratimit tё dekretit nё mbarё vendin u zhvilluan protesta masive dhe pati mjaft kritika nga bota e jashtme. Dekreti parashikonte zbutje dёnimesh pёr korrupsion dhe abuzim me postin. Ndёshkim parashikohej sipas dekretit vetёm nё rast se shuma e dёmit i kalonte 45 eurot. Ky dekret do tё favorizonte kryetarin e partisё socialdemokrate nё pushtet, i cili ndёrkohё ndodhet nё gjyq pёr abuzim nё detyrё me njё dёm prej rreth 100.000 Lei.

Presidenti Klaus Johannis, e pati kritikuar dekretin duke u indinjuar pas miratimit të tij. Ai e quajti një “ditë zie” dhe deklaroi, se “deri në ditën e tij të fundit në detyrë” do të luftojë për rivendosjen e shtetit ligjor në Rumani. Presidenti madje është kërcënuar disa herë me shkarkimin nga posti prej krerëve të partisë populiste socialdemokrate dhe aleatëve të saj liberal në koalicion. Kritika të ashpra pati edhe nga organizma relevantë duke përfshirë edhe sindikatat, që tradicionalisht janë të afërta me qeverinë e majtë nacionaliste. (dw)

Rumani: Protestat detyrojnë qeverinë të tërheqë ligjin e debatueshëm

RumaniPas një takimi urgjent të kabinetit qeveritar të dielën, Kryeministri rumun Sorin Grindeanu deklaroi për mediat se do të tërhiqet dekreti që do të dekriminalizonte veprime korruptive të zyrtarëve. Vetë Kryeministri pati deklaruar një javë më parë se nuk kishte ndërmend të tërhiqte mbrapsht projektligjin në fjalë. Protestuesit premtuan se do të vazhdojnë grumbullimet masive, të cilat janë më të mëdhatë që ka përjetuar Rumania, që nga viti 1989 me rënien e diktaturës komuniste.

Pas një takimi urgjent ditën e sotme të kabinetit qeveritar, Kryeministri Grindeanu, deklaroi në televizion se nuk dëshironte përçarjen e vendit dhe se do të tërhiqte projektligjin që do të mbronte zyrtarët nga hetimi për korrupsion.

Me pjesëmarrje prej rreth 140 mijë vetësh, protestat e këtyre ditëve kanë qenë më të mëdhatë në Rumani, që nga viti 1989, kur u rrëzua diktatori Nicolae Ceausescu.

Në projektligjin që u tërhoq parashikohej dekriminalizimi i shkeljeve të politikanëve me fonde deri në shumën 47800 dollarë. Kritikët ishin shprehur se ky ligj do të mundësonte lirimin e politikanëve të korruptuar, si dhe do të inkurajonte zyrtarët të vidhnin nga fondet publike.

Qytetarët rumunë thonë se ata nuk do t’i ndalojnë protestat, edhe pasi qeveria tërhoqi dekretin që do të kishte mbrojtur dhjetëra politikanë nga hetimi për korrupsion.

“Duam që qeveria jonë të largohet. Është një turp i madh. Demokracia është për popullin, për të respektuar dëshirën e popullit që ka dalë në rrugë. Ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë protestat. Shpresoj të mblidhemi këtu edhe nesër dhe për çdo ditë në vazhdim”, thotë një protestuese.

Me një deklaratë të përbashkët për projektligjin e qeverisë rumune, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja, Finlanda, Hollanda, dhe Franca ishin shprehur se qeveria rumune zhbëri progresin e arritur gjatë 10 viteve të fundit për funksionimin e shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. (voa)

Ilaç i ri kundër kancerëve vdekjeprurës

KancerMe rastin e Ditës Botërore të Kancerit (4 shkurti), Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur disa udhëzime të për diagnostikimin e hershëm, gjë që mund të përmirësojë shanset për mbijetesë. Rastet e mbijetesës për disa lloje kancerësh janë përmirësuar ndjeshëm gjatë 50 viteve të fundit, ndërkohë që disa forma të kësaj sëmundje janë ende shumë të vështira që të trajtohen. Siç na njeh materiali në vazhdim, një numër pacientësh me kancer, tek të cilët trajtimet e tjera kanë dështuar, po tregojnë përmirësime gjatë provave të reja klinike.

Shkencëtarët në kompaninë farmaceutike “Pfizer” dhe firmën e vogël bioteknologjike “Abbvie Stemcentrix”, po kryejnë prova me një ilaç të ri që trajton disa lloje agresivë kancerësh, që janë të vështirë për t’u trajtuar dhe shpesh ripërsëriten. Ilaçi në fjalë funksionon tek minjtë dhe majmunët, ndërkohë që janë duke u zhvilluar prova edhe tek njerëzit. Doktor Marc Damelin punon për gjigandin farmaceutik “Pfizer”.

“Shpresojmë të godasim qelizat kanceroze në lindje të tyre. Sikurse kur pastron kopështin dhe heq barërat e këqija duke i shkulur nga rrënjët që të mos rriten më. Ilaçi i ri synon ë të godasë rrënjët e tumoreve. Kjo kimoterapi në thelb vret këto qeliza” , i tha ai Zërit të Amerikës, përmes Skype, nga qendra kërkimore “Pfizer” në Nju Jork.

Ilaçi ka qasje të dyanshme. Është një antitrup që lufton kancerin. Shkencëtarët kanë futur një ilaç kimioterapie tek antitrupi, që është molekulë proteine. Antitrupi kapet tek një qelizë kanceroze në zhvillim për të ndaluar rritjen e saj ndërkohë që kimoterapia e shkatërron atë.

“Kjo terapi është si një raketë e komanduar”, thotë Dr. Marc Damelin.

Ai shton se afro 30 për qind e pacienteve me kancer të vezoreve, gjatë provës po tregojnë reagim pozitiv. Janë paciente që nuk kanë patur shanse me terapitë e tjera.

Shpresohet që ky ilaç i ri do të zëvendësojë kimoterapinë standarde. Meqënëse ajo vepron ndaj qelizave të caktuara do të ketë më pak efekte anësore.

Nëse funksionon, shkencëtarët thonë se kjo mund të ndihmojë edhe pacientët me lloje të tjera kancerësh, përfshi kancerin e prostatës, stomakut, ezofagut dhe një lloj agresiv të leukemisë. Një provë klinike me më shumë pacientë pritet të fillojë këtë vit. Nëse del me sukses, ky ilaç mund të shpëtojë jetët e njerëzve me kancerë të vështirë. (voa)

Kërkohet shkarkimi i ambasadorit Xhes Bejli në Maqedoni

Xhems BejliKongresmeni udhëheqës republikan amerikan Kristofer Smit paralajmëroi hetim për politizimin e rolit të Ambasadës amerikane në Maqedoni dhe i bëri thirrje sekretarit të sapoemëruar të shtetit Reks Tilerson që ta shkarkojë ambasadorin Xhes Bejli.

Në krye të grupit nga gjashtë kongresmenë republikanë, Smit që nga mesi i janarit ka kërkuar shpjegim nga ambasadori Bejli për akuzat se Ambasada në Shkup punon në dobi të partive politike dhe financon projekte të fondacionit të Xhorxh Sorosit në Maqedoni. Pasi Bejli nuk i është përgjigjur letrës së kongresmenëve, Smit, i cili është anëtar i Komisionit kongresist për punë të jashtme dhe kryeson me Komitetin e Helsinkut për bashkëpunim me OSBE-në, deklaroi se nevojitet hetim i thellë i aktiviteteve të Ambasadës Amerikane në Maqedoni dhe shkarkim të ambasadorit.

“Ambasadori amerikan nuk guxon të ketë rol në formimin e qeverisë dhe të marrë anë gjatë formimit të koalicionit. Ai nuk është vend i SHBA-së as i përfaqësuesve amerikanë në Shkup. Ne, si grup i kongresmenëve, parashtruam pyetje konkrete në këtë letër se nëse ka pasur ose jo bashkëpunim ambasada me partitë majtiste në zgjedhje. Ne nuk guxojmë të kemi rol në këtë. Duhet të jemi për zgjedhje të lira dhe korrekte dhe qasje ndaj mediave, por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të mbajmë anë. Ky ambasador ka mbajtur anë dhe duhet të shkarkohet menjëherë. Unë jam në Kongres 37 vite dhe jam anëtari më i vjetër i Komisionit për bashkëpunim me OSBE-në dhe me Komisionin për të drejtat e njeriut. Nuk ka ndodhur që ambasadori ynë në Shkup të mbajë anë në këto zgjedhje ose në cilado qoftë zgjedhje të tjera në të kaluarën ose në të ardhmen. Kjo nuk është punë e tij. Dëshirojmë të zbulojmë gjithçka dhe për këtë arsye kërkojmë nga inspektori i përgjithshëm të dorëzojë raport. Në qoftë se e kanë shkelur ligjin, do të përgjigjen”, deklaroi kongresmeni Smit për Radio Televizionin e Maqedonisë.

Smit posaçërisht reagoi ndaj informatave se Ambasada Amerikane është financier serioz i aktiviteteve të organizatave joqeveritare të lidhura me fondacionin e Sorosit dhe thotë se në qoftë se SHBA-ja ndan financa për aktivitete të këtilla, kjo duhet të bëhet në mënyrë neutrale dhe pa mbajtur anë politike.

Let kongresitLetrën të cilën kongresmenët e kanë dërguar deri te ambasadori Bejli më 17 janar, krahas Smitit, është nënshkruar nga kongresmeni i njohur nga Teksasi Lui Gomert, Robert Aderholt, i cili është mbështetës afatgjatë i Maqedonisë në Kongres, Rendi Haltgrin, Robert Pintenger dhe Xhed Fortenberi. Të gjithë nënshkruesit janë republikanë të afërt me administratën e presidentit Donald Tramp dhe në letër parashtrohen një sërë pyetjesh për aktivitetet e Ambasadës në Shkup, për mbështetjen e saj ndaj partisë LSDm dhe për financimin e aktiviteteve të Sorosit. Letra e kongresmenëve vjen pasi senatori Majk Li, gjithashtu nga partia Republikane në pushtet, publikisht i bëri thirrje ambasadorit Bejli përmes rrjeteve sociale, që të japë shpjegim për financimin e projekteve të fondacionit të Xhorxh Soros në Maqedoni.

“E vlerësojmë shumë bashkëpunimin midis SHBA-së dhe Maqedonisë në 25 vitet e fundit nga pavarësia e saj. Ky bashkëpunim mundësoi që SHBA-ja të kontribuojë ndaj zhvillimit politik dhe ekonomik të Maqedonisë, derisa Maqedonia ka bashkëpunuar me SHBA-në dhe ka kontribuuar ndaj prioriteteve tona të jashtme politike. Konsiderojmë se do të ishte me të vërtetë konstruktive për marrëdhëniet tona të ndërsjella nëse në Maqedoni zhvillohet ndjenja se SHBA-ja përzihet në çështjet e saja të brendshme politike, në mediat dhe shoqërinë civile, në mënyrën në të cilën një opsion politik ndihmohet kundrejt tjetrës. Shpresojmë se do të marrim informacione të sakta nga ju më së voni dy javë pas dërgimit të kësaj letre. Gjithashtu shpresojmë se do të jeni në dispozicion të takoheni me ne gjatë vizitës tuaj të ardhshme në Uashington”, shkruan në letrën e kongresistëve deri te ambasadori Bejli.

Pasi që kongresistët nuk morën përgjigje, ata paralajmëruan fillim të hetimit dhe bëjnë thirrje në shkarkimin e ambasadorit Bejli. “Porosia jonë është se, nëse Qeveria amerikane ka marrë një anë politike, ajo ka bërë gabim të madh dhe ata të cilët e kanë bërë këtë duhet të kërkojnë falje dhe të ndalojnë menjëherë”, thotë Smith në deklaratën për RTVM.

Në letrën e dërguar deri te ambasadori Bejli, thuhet se deri te Kongresi kanë arritur paralajmërime serioze për partizim të punës së Ambasadës Amerikane në Shkup.

Në pyetjet e drejtpërdrejta të drejtuara deri te ambasadori Bejli, kongresistët e pyesin për përzierjen e ambasadës në ngjarjet politike në Maqedoni.

Kongresistët e pyesin ambasadorin Bejli nëse është e vërtetë se ambasada amerikane e ka zgjedhur Fondacionin “Shoqëri e hapur Maqedoni”, më mirë të njohur si Fondacioni i Xhorxh Soros, të zbatojë projekte të mëdha të financuara nga ana a e organizatës amerikane për zhvillim USAID.

Në lidhje me mbështetjen amerikane për mediat në Maqedoni, shtrohet pyetja nëse paratë shtetërore amerikane i janë dhënë Fondacionit të Soros-it që përmes tij të financohen mediat e orientuara majtiste. Kongresistët kërkojnë nga Bejli t’i informojë sa nga mediat që i ka financuar ambasada ose misioni i USAID-it janë majtiste, e sa djathtiste të orientuara dhe pyesin edhe nëse ambasada amerikane ka ndikuar që të miratohen ligje me të cilat është kufizuar bashkëpunimi i shprehjes së mediave dhe gazetarëve, që ndodhi në periudhën parazgjedhore.

Në mënyrë shtesë, sa i përket financimit të organizatave joqeveritare, kongresistët pyesin “Sa nga organizatat joqeveritare të cilat marrin mjete amerikane, duke përfshitë edhe përmes FHSHC, janë përcaktuar politikisht gjatë zgjedhjeve ose gjatë formimit të Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë? Dhe cilën anë e kanë zgjedhur këto organizata? (ina)

Vuçiq kërcënon Kosovën nga Rashka -në takimin me Lista Srpska edhe shefi i ushtrisë së Serbisë

VuciqPërveç udhëheqësve të Lista Sprska të cilët kanë shkuar në Rashkë për ta takuar Vuçiqin në takim po marrin pjesë edhe Ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq dhe Shefi u Ushtrisë së Serbisë, Ljubisa Dikoviq

Përfaqësuesit politikë serbë nga Kosova tashmë kanë arritur në Rashkë, aty ku i thirri kryeministri serb, Aleksandar Vucic të takohen dhe ta flasin për Kosovë. Në këtë takim janë edhe Ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjoviq dhe Shefi i Ushtrisë serbe, Ljubisa Dikoviq, transmeton Gazeta Express.

Ata kanë mbërritur rreth orës 16:30, derisa takimi është thënë se do të mbahet në ora 17:00. Është bërë e ditur se kryeministri serb do të flasë më ta për situatën dhe rezultatet e bisedimeve në Bruksel.

Në këtë takim, i cili u planifikua të fillojë në ora 17:00, të pranishëm janë edhe përfaqësuesit e Listës Srpska dhe përfaqësues të komunave në Veri të Kosovës. (zeri)

Shpërthen lufta, Nishani thërret Llallën, refuzon Lu

PresidencaMbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” ka thelluar konfliktin institucional në vend. Presidenca dhe Kryeministria janë përplasur sërish.

Në mungesë të kryeministrit Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka kërkuar që qeveria të përfaqësohet me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Por, përgjigja e Presidencës ka qenë refuzimi.

Burime nga Presidenca thanë për Top Channel se kryeministri duhet t’i ishte drejtuar vetë presidentit me një kërkesë për t’i treguar arsyet e mospjesëmarrjes. Dhe nëse presidenti do ta pranonte, kryeministri mund të autorizonte dikë tjetër për ta zëvendësuar. Për rastin konkret, presidenti nuk sheh asnjë arsye objektive për të përligjur mungesën e kryeministrit dhe për të pranuar zëvendësin e tij, pohuan burime nga Presidenca.

Këto zhvillime një ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kanë venë në lëvizje ambasadorin amerikan Donald Lu. Ai është takuar fillimisht me shefen e kabinetit të kryeministrit, por detajet mungojnë plotësisht.

Burime jozyrtare, tregojnë se në qendër është konflikti për Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i kërkuar nga kryeparlamentari Ilir Meta, sipas të cilit mosarrestimi i Klement Balili ishte i vetmi shqetësim konkret që iu ngrit në Departamentin e Shtetit.

Por ambasadori amerikan nuk ka mundur të takojë palën tjetër në konflikt, presidentin e Republikës. Burime jozyrtare konfirmuan për Top Channel se ambasadori Lu i kërkoi të enjten një takim presidentit Nishani, por takimi nuk u zhvillua.

Stafi i presidentit nuk pranoi të komentojë përse presidenti nuk e priti ambasadorin amerikan, por zëdhënësja e kreut të shtetit tha se ky nuk ishte refuzim.

Të enjten në mesditë, presidenti u takua me kryeprokurorin Adriatik Llalla, aktualisht në konflikt të hapur me ambasadorin amerikan dhe me informacion të thelluar për çështjen “Balili”.

/ Top Channel

Lu: Llalla është kundër reformës në drejtësi

LuAmbasadori amerikan akuzoi kryeprokurorin Adriatik Llalla për shkeljen e Kushtetutës në përzgjedhjen në emër të organit të akuzës të 3 kandidatëve për 3 poste si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Llalla u akuzua se për më shumë se 18 muaj ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi.

“Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe gjithcka etjetër në ekonominë e vendit.
Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorinë. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi.
Në muajt nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPI që është jetik për vettingun. të premten e shkuar u hodh shorti për anëtarët e Këshilli të Emërimeve në Drejtësi një prej institucioneve të reja që mbron pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua sic duhet nga sekretari i përgjithshëm i kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me 3 prokurorë për të plotësuar 3 pozicione”, tha Lu.

Ambasadori amerikan tha se javën e ardhshme do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE për fillimin e operacionit ndërkombëtar të monitorimit, ndërkohë që u bëri  thirrje shqiptarëve patriotë të kualifikuar që të aplikojnë për të shërbyer në komisionin e “vetting”-ut.

Akuzat ndaj kryeprokurorit erdhën pasi Amabasada Amerikane i revokoi vizën amerikane familjes Llalla dhe një grupi prokurorësh.

/ Top Channel

Deklarata e Lu, Llalla: Hakmarrje sorosiane

ballalalaProkurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është njëri nga 30 njerëzit e drejtësisë të cilëve Ambasada Amerikane u ka mohuar vizën dhe kjo mesa duket ka hapur kutinë e Pandorës.

“Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA i bashkëshortes së prokurorit të përgjithshëm. Ky veprim i ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Këto presione të ambasadorit amerikan në Tiranë janë tipike Sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet”, ka deklaruar Fjorida Ballauri, shefe e kabinetit të prokurorit të përgjithshëm.

Organi qendror i akuzës e akuzoi ambasadorin amerikan se lëvizjet e tij për heqjen e vizave lidhen me përfitimet personale të Donald Lu. Këto akuza Adriatik Llalla i ka bërë zyrtarisht të njohura nëpërmjet një letre presidentit të Republikës dhe kryetarit të Kuvendit. Thelbi i konfliktit, siç e paraqet prokuroria, e ka zanafillën tek reforma në drejtësi.

“Prej kohësh, zoti Lu, duke u prezantuar si nxitës i reformës në drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut”, ka vijuar Ballauri.

Ajo ka theksuar se, “në komunikimet zyrtare dhe informale, ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale”. Por nuk është vetëm reforma në drejtësi thelbi i konfliktit mes Ambasadës Amerikane dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

“Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bërë publik edhe në media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të ambasadorit të SHBA në Tiranë në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre.  Për këtë rast, ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”, ka thënë zyrtarja.

Top Channel i kërkoi informacion Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e dosjes “Bankers”, por organi i akuzës nuk konfirmon nëse hetimet vazhdojnë, apo janë mbyllur.

Akuzat e kryeprokurorit ndaj kryediplomatit amerikan u lidhën edhe me politikën. Më saktësisht, me procesin e dekriminalizimit. Ky proces drejtohet nga Rovena Gashi, të cilës i është hequr viza amerikane pa i dhënë asnjë shpjegim, një ditë para hedhjes së shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

“Fakti që prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Ballauri.

Por, duke paralajmëruar furtunë në politikë për shkak të Dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka akuzuar ambasadorin për shantazh edhe ndaj politikanëve.

“Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në Parlament të projektit të mbështetur prej tij për reformën në drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media”, ka shtuar Ballauri.

Gjatë mandatit të tij, kryeprokurori Adriatik Llalla ka paralajmëruar të paktën dy herë për dosje të mëdha që do të trondisnin politikën. Deri tani nuk kanë ndodhur, por këtë herë paralajmërimi i kryeprokurorit mori tone akuzuese për ambasadorin amerikan.

“Në vijim, ju informojmë gjithashtu se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, zotit Donald Lu. Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë”, ka shtuar zyrtarja e Prokurorisë së Përgjithshme.

/ Top Channel

Bruksel: “Takim tmerrësisht i keq”

Raundi i fundit i dialogut mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë dështoi në tërësi. Atmosfera përshkruhet si shumë e keqe.

serbia ksDelegacionet e Kosovës dhe Serbisë ku ishin përfaqësuesit më të lartë të vendeve, presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliq, si dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, nuk dolën fare para gazetarëve. Burimet e Deutsche Welles thonë se takimi ka dështuar në tërësi dhe nuk ka pasur asnjë rezultat. Në fakt, përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Evropian në dialog, Federica Mogherini dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hirë të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.

Mogherini pohon se ka pasur takim

Mogherini TH MPërfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Mogherini kumtoi se së bashku me presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur edhe një takim i nivelit më të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Takimi i sotëm ka qenë vazhdimësi e dialogut që kemi pasur me 24 janar. Unë jam e inkurajuar me angazhimin kontruktiv të të dy palëve. Ky takim dhe angazhimi i tyre do të kontribuojnë për uljen e tensioneve”, kumtoi Mogherini duke shtuar se puna do të vazhdojë në këtë drejtim.

„Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Progresi në normalizimin e raporteve është çelësi për paqë dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve drejt BE-së. Kjo është esenciale për Evropën dhe stabilitetin në rajon”, pohon Mogherini. Sipas saj, palët kanë konfirmuar se janë të përkushtuara të punojnë së bashku në dialog. Mogherini ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit, por sipas burimeve tona, takimi I përbashkët pothuajse nuk ka ndodhur fare.

Palët takohen vetëm sa për fotografim

Ishte e paraparë që pas takimeve bilaterale të delegacioneve me Përfaqësuesen e lartë të BE, të mbahet edhe një darkë e përbashkët. Kjo darkë nuk është mbajtur. Megjithë premtimet në prag të takimit, se palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut konstruktiv, bisedimet kanë dështuar në tërësi. “Takimi ishte tmerrësisht i keq dhe pa asnjë rezultat”, thotë për Deutsche Wellen një burim diplomatik në Bruksel, në kushte anonimiteti.

NikoliqDeklaratat në fillim të takimit ishin krejtësisht të kundërta për çështjen elementare: statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në prag të takimit se palët kanë rënë dakord që të “ulen tensionet”. Në mëngjesin e ditës së mërkurë, ai ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, duket se palët nuk janë të gatshme të lëvizin nga qëndrimet për çështjen kryesore – statusin e Kosovës.

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq tha në prag të takimit se pozicionet e delegacioneve janë krejtësisht të kundërta. “Ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, theksoi Nikoliq duke shtuar se „Serbia nuk do të flas me askënd për pavarësinë e Kosovës”. Pala serbe ishte e interesuar të fliste për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoliq tha madje se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Beogradi. Në pyetjen e DW nëse kjo do të thotë se ky Asociacioni do të kërkojë pavarësi, pasi Kosova e konsideron veten si shtet të pavarur, Nikoliq u përgjigj: “Po, do të kërkojmë pavarësi nga Prishtina, nëse Prishtina mendon se mund të jetë e pavarur nga Beogradi.”

Palët nuk kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut dhe nuk kanë caktuar ndonjë datë se kur mund të takohen sërish. (dw)

Austri: Ndalim i shamisë së kokës

Qeveria austriake do të ndalë shaminë e kokës në administratën publike. Në një dokument zyrtar ndalesa emërtohet “rregullore neutraliteti”. Por kritikët shohin aty diskriminimin e myslimaneve.

ShamiaNë Francë, në Berlin, Belgjikë është realitet. Tani edhe në administratën austriake do të vlejë ndalimi i shamisë së kokës. Kjo është pjesë e programit të koalicionit me bazë të gjerë në Austri, socialdemokratëve të SPÖ-së dhe partisë popullore, ÖVP. Ministri austriak për integrimin, Sebastian Kurz kërkon prej muajsh një ligj të ri integrimi. Krahas ndalimit të shamisë së kokës në administratë, ai kërkon edhe ndalimin e mbulimit të plotë të femrës me burka apo nikab në hapësirën publike. “Burka dhe nikabi janë simbole të shoqërive paralele dhe nuk kanë vend në hapësirën publike”, thotë ai në një intervistë për radion austriake, Ö1 këtë javë.

Pas negociatash të gjata, propozimi i tij vjen në parlamentin austriak në një formë të zbutur. Në një kohë që partnerët në koalicion kërkojnë ndalimin e mbulimit të plotë në hapësirën publike dhe një vit të detyruar integrimi bashkë me punë vullnetare, ndalimi i shamisë së kokës vlen vetëm për disa sektorë të administratës publike – si në sektorin ekzekutiv. Masa prek edhe gjykatëset dhe prokuroret. Por vetë nocionin ndalim i shamisë së kokës nuk e gjen në dokumentin zyrtar. Ai quhet “rregullore e neutralitetit në administratën publike”.

Politoligu në Universitetin e Salzburgut, Farid Hafez thotë se, “neutraliteti përdoret si pretekst për ndalimin faktik të shamisë së  kokës.” Sipas tij me përcaktimin “rregullore neutraliteti”, partia konservatore, ÖVP kërkon t’i ikë akuzës për diskriminim.

Kryqet lejohen

Që neutraliteti fetar prek kryesisht ndalimin e shamisë së kokës, këtë la të kuptohej edhe ministri i Integrimit, Kurz. “Kryqet lejohen në klasa, dhe është mirë kështu”, tha Sebastian Kurz. Edhe në sallat e gjyqit ato do të vazhdojnë të lejohen. Rregullorja e neutralitetit prek vetëm simbolet fetare të personave.

Për konsulentin e politikës, Rudolf Fußi kjo ka kuptim, kur vlen për të gjitha simbolet fetare. “Unë jam për ndarjen strikte të kishës nga shteti”. Masat e qeverisë ai i sheh si politikë simbolike. Sipas Fußit qeveria kërkon të lëshojë një mesazh: “Kur ne për shekuj me radhë luftuam kundër ndikimit të kishës katolike nuk do të lejojmë tani, që të detyrohemi të fillojmë një luftë kundër islamit politik.”

Kritika nga organizatat myslimane

Nga organizatat myslimane vijnë kritika të forta. Ibrahim Olgun, president i Komunitetit Mysliman të Austrisë tha se “shamia e kokës nuk është simbol fetar dhe aspak simbol politik”. Sipas tij “gratë me vetëbesim tregojnë edhe sot se është e rëndësishme ajo që ke brenda në kokë, dhe jo se çfarë ke mbi kokë.” Ai merr shembullin e Britanisë së Madhe që e lejon shaminë e kokës në administratën publike.

Ndërsa Amani Abuzahra, docente e pedagogjisë ndërkulturore, që mban shaminë e kokës thotë se kjo rregullore është goditje e rëndë për demokracinë, larminë dhe lirinë fetare të Austrisë. “Me një ndalim të pjesshëm të shamisë së kokës nuk u lejohet qytetareve ushtrimi i lirë një feje të njohur nga shteti”, thotë ajo. Programi qeveritar me emrin “Për Austrinë” të martën (31.01) kaloi pengesën e parë: Deputetët socialdemokratë të SPÖ-së dhe ata konservatorë të ÖVP-s kanë sinjalizuar votimin parimisht të programit të punës së qeverisë. (dw)