Kryeministri Edi Rama në Kosovë

RamaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri thirrje sot për bashkërendim të punës ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për siç tha fshirjen e listave të urdhër arresteve, si ai i lëshuar nga autoritetet serbe në bazë të të cilit, Ramush Haradinaj u ndalua në Francë. Ai bëri këto komente gjatë një vizitë në Kosovë, ku po takohet me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike. Kryeministri Rama vizitën e filloi në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku shprehu besimin për lirimin e shpejtë të Ramush Haradinaj.

“Unë me gjithë zemër uroj dhe besoj do të jetë përfundimi që duam gjithë. Nuk është fundi por është fillimi i një pune të përbashkët të qeverisë sonë dhe qeverisë së Kosovës për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhër arreste të një kohe që i përket të shkuarës dhe që na shfaqet hera herës në këto forma”, tha kryeministri Rama.

Të mërkurën në një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, është paraqitur dosja e autoriteteve serbe kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte. Shqyrtimi i dosjes së dorëzuar të mërkurën dhe kërkesës serbe për ekstradim të zotit Haradinaj në Serbi, do të bëhet të enjten e ardhshme më 9 shkurt.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi me kusht zotin Haradinaj, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që siç thuhet nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm.

Ndalimi i zotit Haradinaj nxiti reagime ne shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës, por mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë. (voa)

Ambasadori amerikan dhe prokurori i përgjithshëm shkëmbejnë akuza

Ambasadori SHBA LuAmbasadori i SHBA-vë në Shqipëri, Donald Lu, deklaroi sot se gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet e ardhshme, reformën në drejtësi dhe ekonominë e vendit, ndaj shoqëria civile dhe mediat duhet të jenë syçelur.

Ambasadori Lu tha në një konferencë për demokracinë shqiptare se “njerëz të fuqishëm po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorinë. Prokurori i përgjithshëm për më shumë se 18 muaj ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi”.

Zoti Lu shtoi se në muajt nëntor dhe dhjetor “prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPI-së, që është jetik për vettingun”.

Ndërsa të premten e shkuar u hodh në Kuvend shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja, që do të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit.

“Prokurori i përgjithshëm dhunoi frymën e përgjithshme të Kushtetutës, duke dërguar një listë me vetëm 3 prokurorë për të plotësuar pozicionet në të. Kushtetuta është e qartë, që këta anëtarë të KED duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë etj., dërguan lista të gjata me persona të pandikuar për shortin për pozicionet në KED. Në dallim me to, prokurori i përgjithshëm dërgoi një listë me vetëm 3 emra të përzgjedhur pa transparncë, për të plotësuar 3 poste” - tha ambasadori Lu.

Ai shtoi se hartuesit e reformës kishin parashikuar që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin KED. Në kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e KED duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut, por disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen në vend që të përballeshin të parët me vettingun.

“Ne do t’i ndjekim nga afër për të parë nëse komisionet e vettingut, do t’i përmbahen kësaj kërkese, dhe nëse të gjithë antarët e KED do të kalojnë procesin e vetingut” - tha zoti Lu.

Javën e ardhshme, bëri të ditur ai, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kuvendi do të vlerësojë kandidatët për komisionet e vetingut, dhe më pas ata do të shërbejnë si monitorues për secilin prej komisioneve të vetingut, për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa anësi politike dhe apo paaftësi profesionale.

“U bëjmë thirrje gjyqtarëve patriotë e të kualifikuar që të aplikojnë për të shërbyer në komisionet e vetingut. Mesazhi im sot është i qartë: SHBA i kanë sytë këtu. Edhe BE dhe vendet e tij anëtare. Edhe OSBE-ja. Edhe Këshilli i Europës. Dhe më e rëndësishmja: populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar njerëz të fuqishëm të vjedhin demokracinë” - theksoi ambasadori amerikan Lu.

Por prokuroria e përgjithshme i hodhi poshtë akuzat se ka penguar reformën në drejtësi. Një zyrtare e kabinetit të prokurorit të përgjithshëm tha se prokuroria e ka mbështetur reformën në drejtësi dhe ka dhënë sugjerime, që janë mbështetur edhe nga Komisioni i Venecias.

Ajo tha se deklaratat e sotme janë një sulm i hapur paprecedent i një diplomati ndaj prokurorisë së përgjithshme dhe janë në vazhdën e një serie shantazhesh dhe presionesh të mëparshme, për të cilat është njoftuar presidenti i Republikës.

Në deklaratën e prokurorisë u përmendën edhe mosdhënia e vizave të udhëtimit drejt SHBA-ve për prokurorin e përgjithshëm dhe familjarë të tij, si dhe për prokurorë të tjerë.

Prokuroria e përgjithshme publikoi edhe një letër dërguar presidentit Nishani lidhur me presionet, që sipas saj, i ka bërë ambasadori amerikan, si dhe mbi mohimin e vizave të udhëtimit. (voa)

OSBE: Reforma zgjedhore, në dorë të shqiptarëve

OSBE BorchardtDrejtuesi i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, u bëri thirrje institucioneve dhe shqoërisë civile, që të kryejnë reformën zgjedhore dhe një proces të besueshëm zgjedhor, duke përfituar nga këshillat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar, për të këshilluar, për t’iu dhënë praktikat ndërkombëtare më të mira, por ne nuk mund të ndikojmë në mënyrë thelbësore dhe as të legjitimojmë sjellje apo rezultate” – tha ambasadori Borchardt.

OSBE/ODIHR-i do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri, vëzhguesit ndërkombëtarë do të jenë dëshmitarë të zgjedhjeve dhe punës së KQZ-së, komisionerëve, partive dhe votuesve. “ODIHR nuk është arbitër dhe as garantues për zgjedhje të pastra. Vëzhguesit ndërkombëtarë japin këshilla dhe praktika të mira, por ata nuk mund të ndryshojnë thelbësisht sjelljet apo rezultatet” – tha zoti Borchardt.

“Nëse doni zgjedhje të lira e të ndershme, kërkojuani partive politike që të punojnë për to. E kanë ata në dorë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme; me mënyrën si mbledhin fonde, me mënyrën si bëjnë fushatë, me kandidatët që vënë në lista, me personat që zgjedhin si komisionerë dhe me mënyrën si numërojnë votat. Ka ende kohë për të forcuar kodin zgjedhor, por tik-taku ecën” – tha ambasadori Borchardt.

Ai tha se kohët e fundit është drejtuar gishti nga OSBE-ja për dështimin e procesit të reformës zgjedhore, por qytetarët duhet të pyesin udhëheqësit e tyre përse reforma nuk ka ecur përpara.

“Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik teknikisht të brishtë?” – pyeti ambasadori Borchardt, duke shtuar se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë, për të ruajtur besimin te zgjedhjet.

Ai tha se qysh nga viti 2013 dhe në vitin 2015 kemi bërë thirrje për reforma sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe është detyrim i Shqipërisë, si çdo shteti pjesëmarrës të OSBE-së, të adresojë me shpejtësi rekomandimet e ODIHR-it.

“Ne kemi ofruar mbështetje teknike për zbatimin e tyre dhe e ofruam të sillnim ekspertizë ndërkombëtare të nivelit të lartë për çështjet zgjedhore. Ka ende kohë për të rregulluar raportimin financiar, shmangien e mashtrimit zgjedhur duke rritur gjobat, për të ndaluar që kronikat televizive të përgatitura nga partitë të transmetohen pa kontroll, si edhe për të garantuar kuotat gjinore. Por ne nuk mund ta bëjmë reformën për ju” - tha ambasadori Borchardt. (voa)

Ivanov: Së pari shumicën – pastaj mandatin

IvanovPresidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, nuk e jep mandatin për formimin e qeverisë pa konfirmimin e shumicës në parlament. Ai ka ndërmarrë një nismë për t’u konsultuar me drejtuesit e partive politike dhe me institucione të tjera lidhur me formimin e qeverisë së vendit.

Ivanov ka pritur në takime të ndara kryetarët e Lidhjes Social Demokrate, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa, Lëvizjes për Reforma dhe të VMRO-DPMNE-së. Zyra e presidentit Ivanov ka bërë të ditur se edhe përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare ishin ftuar për konsultime.

Presidenti maqedonas është shprehur “së pari shumica, pastaj mandati”.

Duke folur pas takimeve, presidenti Ivanov tha se kërkon nga ata të cilët do ta formojnë qeverinë që të mbrojnë interesat e shtetit dhe të kapërcejnë krizën përmes reformave të sistemit të sigurisë kombëtare.

Ndërkaq, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, u tha gazetarëve se “kishte shkuar për të marrë mandatin, por nuk i ishte dhënë meqenëse nuk ka siguruar shumicën në parlament”.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha pas takimit se të gjithë duhet të kontribuojnë për kapërcimin e krizës dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e vendit. Ai tha se të gjitha mundësitë mbeten të hapura për formimin e qeverisë. Zoti Ahmeti u shpreh se “çelësi për koalicionin qeveritar ishte tek partia e tij, por se tani atë ia ka dorëzuar presidentit Ivanov”. Ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të hynte në koalicion qeveritar me Lidhjen Social Demokrate.

Ky është takimi i parë i zotit Ali Ahmeti me presidentin Gjorgje Ivanov, qëkur ky i fundit mori mandatin e dytë si president. Në atë kohë BDI-ja shprehej se nuk e njihte legjitimitetin e presidentit Ivanov dhe kërkonte një president që do të zgjidhej me konsensus politik nga të gjitha palët.

Zoti Ahmeti, i pyetur nga gazetarët për këtë, tha se sot kishte vepruar me kokë dhe jo me zemër.

Pasi që mandatari për formimin e qeverisë Nikolla Gruevski nuk arriti ta formojë kabinetin, presidentit Gjorgje Ivanov, sipas analistëve, po i kalon afati dhjetë ditor për t’ia dorëzuar mandatin një kandidati tjetër, që do të duhej të ishte partia e dytë me më së shumti vota të fituara në zgjedhjet e 11 dhjetorit, në këtë rast LSDM.

Dy partitë tjera shqiptare, Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma kanë lënë të kuptohet se mund të hyjnë në koalicion qeveritar me LSDM-në, por kabineti qeveritar i Maqedonisë nuk arrin të formohet dot pa votat e BDI-së. LSDM ka 49 deputetë nga 120 vende të parlamentit. Qeveria mund të formohet me votat e shumicës së thjeshtë, apo 61 vota.

Ekspertët ligjorë mendojnë se presidenti Ivanov nuk ka pse bën konsulta dhe se ai duhet t’ia japë mandatin Lidhjes Social Demokrate për të formuar qeverinë, ashtu siç veproi pa u këshilluar kur i dha mandatin Nikolla Gruevskit të VMRO-së, i cili nuk siguroi shumicën.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se në Maqedoni mund të thellohet kriza nëse presidenti e zvarrit çështjen. Disa nga alternativat mund të jenë një qeveri e gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, apo edhe zgjedhjet e reja. (voa)

Një “Grammy” për Pirgun?

SAIMIR PIRGUFundi i muajit janar ka qenë tepër i suksesshëm për tenorin shqiptar Saimir Pirgu, fama e të cilit ka mbërritur deri në Australinë e largët.

Roli i pastorit në operan “King Roger” dhe interpretim i tij kanë tërhequr vëmendjen e specializuar muzikore australiane,  që thuri lavde tenorit shqiptar. Menjëherë pas interpetimit Pirgu, ndan për Top Channel emocionet e skenës përmes një bisede telefonike.

“Është hera e parë që unë ndodhem këtu dhe sigurisht që jam tepër i emocionuar pasi kam debutuar.  Shfaqja ka pasur goxha sukses dhe është pritur mirë si nga publiku, ashtu edhe nga teknikët, kështuqë shkalla e parë për të kapur audiencën australiane kaloi. Tani do të shohim në vijim nëse opera e Sydney-t do të presë produksione të reja”, thotë Pirgu.

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga ndarja e çmimeve Grammy, Pirgu thotë se trofeun e tij tashmë e ka marrë, ndërsa është i pari shqiptar që nominohet në një kompeticion të tille në kategorinë  “Best Opera Recording”.

“Ishte një surprizë tepër e madhe për mua, sepse ne të botës operistike apo të muzikës klasike, mendojmë krejt ndryshe dhe nuk kemi kontakt me botën e pop-it. Fitoj apo nuk fitoj kjo ka pak rëndësi . Vetë fakti se duke mos ditur që produksioni ishte i nominuar, për mua është e arritur ajo që ne deshëm. Produksioni është pëlqyer si në Londër, ashtu edhe në një kontinent tjetër, nga një publik krejt i ri, siç është ai i Sydney-t, kështuqë produksioni i dha provat e veta, tregoi që ka sukses. Fitojmë apo jo çmimin Grammy, kjo i mbetet pak rastësisë, pak fatit, por edhe me kaq unë jam tepër i kenaqur”, rrëfen tenori.

Saimir Pirgu e bashkë me të edhe “Mbreti Roger” do të vijojnë të shijojnë suksesin australian deri në mesin e muajit shkurt në Operan e Sydney-t.

/ Top Channel

Nikoliq: „Zajednica do të kërkojë pavarësi nga Prishtina, nëse…“

NikoliqNë Bruksel kanë nisur negociatat në nivelin më të lartë për çështjet e parealizuara, por që në fillim u pa që palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme.

Kërkesa kryesore e Kosovës që negociatat të përfundojnë me njohjen e pavarësisë, „nuk do të pranohet nga Beogradi”. Këtë e deklaroi presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq, në prag të fillimit të raundit të ri të dialogut.

„Ne jemi të interesuar që t’i realizojmë gjërat për të cilat jemi dakorduar dhe të shohim nëse ka çështje të tjera për të cilat mund të dakordohemi. Por është e qartë që për statusin e Kosovës dhe Metohisë kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme: ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, theksoi Nikoliq duke shtuar se „Serbia nuk do të flas me askend për pavarësinë e Kosovës”.

Tema për të cilën është e interesuar pala serbe, sipas tij, është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. “Serbia i ka plotësuar gati të gjitha obligimet e veta, ndërsa Kosova nuk e ka plotësuar të vetmin obligim  që ka marrë: themelimin e Asociacionit të komunave me shumisë serbe”. Nikoliq mendon se pala shqiptare “duket se e ka kuptuar se çfarë ka nënshkruar: që të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Begoradi,  duhet t’ia japë edhe “Zajednicës”. Pa realizimin e këtij obligimi, nuk kemi çfarë të flasim.”

Në pyetjen tonë nëse kjo do të thotë se Serbia do të kërkojë pavarësi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi Prishtina e konsideron Kosovën si shtet të pavarur, Nikoliq përgjigjet: “Po, do të kërkojë pavarësi nga Prishtina. Nëse Prishtina mendon se mund t’i kryejë të gjitha punët e pavarur nga Beogradi, atëherë edhe “Zajednica” duhet të jetë e pavarur nga Prishtina. Kjo ka qenë ide e propozuar nga unë dhe më vjen mirë që është pranuar”. Nikoliq thotë se tani duhet pritur se si do të interpretohet kjo ide.

Bisedimet në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Federica Mogherini, zhvillohen së pari të ndara e më pas takohen delegacionet së bashku. (dw)

Majko: Me akuzat le të merret Prokurori i Përgjithshëm

MajkoIsh-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, i tha Zërit të Amerikës se me akuzat e ngritura kohët e fundit ndaj qeverisë le të merret Prokurori i Përgjithshëm, nëse ai verifikon se në to ka diçka që vlen për t’u proceduar. Në një intervistë me gazetarin Ilir Ikonomi, deputeti socialist Majko foli për disa nga problemet e mprehta me të cilat përballet koalicioni i majtë, duke përfshirë edhe dështimin e qeverisë në frenimin e kultivimit të drogës. Ai ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme “Mëngjesi i Lutjeve”.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ditët e fundit në Shqipëri ka patur zhvillime të tensionuara brenda shumicës, Ministri i Drejtësisë u shkarkua. Ndërkohë ai lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë për korrupsion, për lidhje me krimin, për vendime që merren – sipas tij – nën ndikimin e interesave të bizneseve të caktuara. Këto janë akuza mjaft serioze. A nuk meritojnë ato një hetim të posaçëm?

Pandeli Majko: Kjo është një pyetje për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës në qoftë se ai do të verifikojë që nga këto akuza ka diçka që vlen për t’u proceduar, mendoj që është në të drejtën e tij për ta bërë këtë. Megjithatë mendoj që shpesh metaforat në politikë keqkuptohen dhe mendoj se ne kemi të bëjmë pak a shumë me një histori të tillë. Në qershor ne kemi zgjedhjet dhe mendoj që aktualisht marrëdhënia e Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim është në një diskutim – si marrëveshje – nëse ne do ta vazhdojmë këtë apo jo. Unë jam partizan i të vazhduarit, prandaj në komentet e mia do të jem mjaft i rezervuar, ashtu siç bëjnë të gjithë kolegët e mi.

Zëri i Amerikës: Por normalisht akuzat, siç thashë, janë mjaft të rënda, do të meritonin të paktën ngritjen e një komisioni parlamentar.

Pandeli Majko: Nuk besoj se do të vlente shumë një komision parlamentar. Ai do të keqpërdorej dhe do të vihej në funksion të fushatës elektorale të qershorit. Mendoj se ai që duhet të flasë dhe të tjerët të dëgjojnë, është Prokurori i Përgjithshëm, i cili nëse vlerëson se në këto akuza ka diçka të vërtetë dhe të faktuar, të procedojë sipas ligjit në fuqi.

Zëri i Amerikës: Por çfarë po ndodh brenda koalicionit tuaj? Edhe më parë LSI-ja ka bërë kritika të ashpra për qeverinë, sidomos për ministrin e brendshëm, kanë folur për ndikimin që policia mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme. Duket qartë se marrëdhëniet janë të vështira dhe të tensionuara.

Pandeli Majko: Nuk kemi thënë ndonjëherë që marrëveshja me LSI-në do të ishte një marrëveshje e lehtë, përkundrazi. Unë hyj tek njerëzit që kanë pasur rezerva, por tani bëj pjesë tek kategoria e njerëzve që mendojnë se vazhdimi i marrëveshjes është mjaft i dobishëm. Mjaft i dobishëm edhe në sensin e asaj që ka të bëjë me stabilitetin e vendit. Dhe në këtë këndvështrim mendoj se ia vlen që të dyja palët të ulen dhe më shumë se sa të komunikojnë nëpërmjet mediave, qoftë edhe me akuza, të ulen në një tavolinë dhe të diskutojnë së bashku, me transparencë, lidhur me ato që bëjnë mirë, dhe me ato që mund të bëjnë më mirë.

Zëri i Amerikës: Më thoni ju lutem, përveç arsyes për të mbajtur pushtetin, çfarë arsyeje ka ky koalicion për të ekzistuar?

Pandeli Majko: Ky koalicion filloi si arsyetim i marrjes së pushtetit, dhe do të vazhdojë si një arsyetim i mbajtjes së pushtetit. Dhe mendoj se në fund fare do të jenë votuesit shqiptarë ata që do të vendosin. Në këtë që sapo thashë e ndjej që ka një lloj cinizmi por mendoj se në kushtet në të cilat po zhvillohet politika në Shqipëri, ne do ta fillojmë nga stabiliteti, e para, dhe pastaj të diskutojmë standarde të natyrave të ndryshme. Unë nuk hyj tek pesimistët, por mendoj se krahas atyre që mund të konsiderohen si kritika të natyrshme pas tre vjet e gjysmë në pushtet, ka edhe arritje të cilat vlen të theksohen dhe në çdo rast këto do të jenë gjërat, të cilat do të diskutohen në publik dhe do të kërkohet vota e njerëzve. Ata që janë cinikë dhe mosbesues kanë të drejtën të mos votojnë alternativën e këtij koalicioni, apo alternativën e Partisë Socialiste, të tjerën do të bëjnë atë që kanë bërë në 2013-tën.

Zëri i Amerikës: Është e qartë që në politikë ka mjaft cinizëm, por është e qartë gjithashtu se policia në Shqipëri ka dështuar në frenimin e dukurisë mjaft të ndjeshme për kultivimin e marijuanës. Sipërfaqja e mbjellë krahasuar me 2015 ishte gati 5 herë me e lartë, dhe thuajse çdo ditë po kapen sasi të mëdha marijuana si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali apo Greqi? Si e shpjegoni një dështim të tillë të qeverisë?

Pandeli Majko: Nuk e fus veten tek ekspertët e policisë, prandaj dua të jem në përgjigjet e mia deri diku larg pritshmërisë së pyetjes suaj shumë teknike. Mendoj se është e vërtetë, në Shqipëri ka një fenomen, që është fenomeni i mbjelljes së hashashit, është një fenomen që ka krijuar goxha shqetësime në shoqërinë shqiptare dhe shqetësimi kryesor është se gjithë kjo para që del nga industria kriminale e hashashit, bie në duart e njerëzve që janë baza kriminale a një shoqërie. Dhe bërja e pasur e kësaj shtrese sigurisht që është një shqetësim i cili e tejkalon faktin që shkelet apo nuk shkelet ligji, në çfarë niveli në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Dhe mendoj se ky ka të bëjë me një nervozizëm të natyrshëm, por nuk besoj se ne mund të flasim këtu dhe vetëm për një bashkëpunim të policisë me këtë kastë kriminale që ekziston në Shqipëri, po flas lidhur me mbjelljen e hashashit, pasi akuza të tilla metaforika që policia po bashkëpunon, mendoj se duhen shmangur. Nëqoftëse do të flasim për dështim të policisë kemi histori me dështime të policisë këto 25 vjet sa të duash.

Zëri i Amerikës: Por ju jeni të vetëdijshëm se fenomeni është mjaft i përhapur …

Pandeli Majko: Absolutisht, fenomeni ekziston.

Zëri i Amerikës: Dhe atëherë ju duhet të keni një koment të paktën për Klement Balilin, për moskapjen e tij. Ka kaluar një kohë kaq e gjatë…

Pandeli Majko: Mendoj që kjo legjenda e Balilit është tepruar, është tepruar në sensin sepse ka kaluar dhe po i vihet si një llogari politikës, a thua se politika është ajo që merr vendime se duhet arrestuar dikush

Zëri i Amerikës: Po akuzat kryesore janë nëse ai ka mbështetje në rangjet më të larta të politikës…

Pandeli Majko: Nëqoftëse ai ka mbështetje në rangjet e larta të politikës, kjo është shumë e lehtë për t’u vlerësuar sepse edhe sot që flasim, Prokurori i Përgjithshëm nuk është emërim i Partisë Socialiste, shefi i Shërbimit Informativ nuk është njeri që kontrollohet nga Partia Socialiste, aq më tepër pastaj për Presidentin e Republikës. Megjithatë unë jam kurioz të shikoj se si për herë të parë do të mblidhet Këshilli i Sigurimit. Besoj se në historinë e shumë shteteve kjo do të ngjallë interes, pasi do të mblidhet vetëm për një çështje: a arrestohet apo nuk arrestohet një individ, i cili ndiqet penalisht.

Zëri i Amerikës: Jam kurioz gjithashtu të di se çfarë mendoni ju për administratën e re të Presidentit Donald Trump? Ai ka lëshuar disa urdhra ekzekutiv. Por cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë administrate?

Pandeli Majko: Pritshmëria ime është ajo që ka qenë edhe me Presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falë këtij bashkëpunimi 25 vjeçar, sidomos flas 25 vjeçarin e fundit, Shqipëria ka kuptuar dhe politika shqiptare në përgjithësi mendoj se ka kuptuar një gjë: Nuk është Presidenti që bën Amerikën, është Amerika që bën presidenti. Unë mendoj dhe jam optimist se me presidentit të sapozgjedhur ne do të kemi marrëdhënie shumë të mira, të lidhur me strategjinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me bashkëpunimin e vjetër dhe të ri që Shqipëria ka ofruar për politikën amerikane në rajon dhe janë disa gjëra të cilat ne na çojnë normalisht drejt të vërtetave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Amerikës, të cilat as i ka vënë njeri në dyshim, as mund t’i vendosë në dyshim.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju ndoshta nuk e dini po sot është pikërisht 75-vjetori i themelimit të Zërit të Amerikës. Desha të kisha ndonjë mendim tuajin sepse ju keni qenë shpesh i ftuari ynë këtu. A kanë qenë pyetjet tona të vështira sa duhet?

Pandeli Majko: Sa të duash kanë qenë të vështira. Unë të kërkova 10 minuta që të m’i tregoje pyetjet dhe nuk m’i tregove që nuk m’i tregove. E them këtë nisur nga ky moment mjaft familjar dhe që ne kemi gjetur tek Zëri i Amerikës, sigurisht ndonjëherë edhe duke kruajtur kurrizin pasi pyetjet e VOA janë të drejtpërdrejta dhe një standard i medias së lirë. Vazhdoni kështu siç jeni. Është një pasqyrë që kushdo që ka dëshirë ta shikojë veten ashtu siç është, ta shikojë. Ata që nuk kanë dëshirë ta shikojnë, është problemi i tyre jo i Zërit të Amerikës.

Maqedoni: Konsultimet për qeverinë tek Presidenti Ivanov

Kuvendi i rmPresidenti i Maqedonisë George Ivanov ka filluar konsultime të veçanta me përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare lidhur me gjendjen aktuale politike. Konsultimet me partitë parlamentare fillojnë pas takimit të presidentit me kryetarin e Gjykatës Kushtetutese, Nikolla Ivanovski dhe me ambasadorin e BE-së, Samuel Zbogar. Kabineti i Presidentit Ivanovit thotë, se edhe në rrethanat e reja do të veprojnë në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Maqedonisë.

Brukseli bën thirje për konsensus të zgjeruar

Formimi i qeverisë me bazë sa më të gjerë të jetë e mundur ka të bëjë me nevojën për të pasur konsensus të gjerë politik dhe koalicion të gjerë, me çka vendi do të mund të përballet në mënyrë efikase me shumë sfidat, që pasojnë, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiq. Ajo thotë se zbatimi i reformave urgjente, Marrëveshja e Përzhinos dhe zgjidhja e çështjeve bilaterale kërkon përkushtim të fuqishëm nga të gjitha partitë. “Të gjitha partitë e mëdha janë dakord me agjendën reformuese të BE-së dhe pajtohen se rruga drejt BE-së është qëllim strategjik i vendit. Nëse ato punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët, do të kenë defakto shumicë kushtetuese, që është me rëndësi për rrugën euroatlantike të vendit. Dhe për këtë, BE-ja përshëndet përpjekjet e presidentit Ivanov për t’u takuar dhe për t’i përfshirë në proces të gjitha partitë politike”, thuhet në komunikatën e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq.

VMRO “shqetësohet” nga qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së

VMRO-DPMNE  përmes një kumtese kërkon sqarim nga Ambasada e SHBA-së në Shkup dhe Komisioni Europian për deklaratat e tyre pas skadimit të afatit për formim të qeverisë. VMRO-DPMNE kërkon sqarim, se:  “në bazë të cilës pjesë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë BE-ja pret që presidenti i vendit George Ivanov të përcaktojë lider për formimin e, siç theksojnë, ‘qeverisë sa më të gjerë’”.

“Që të mos ketë keqkuptime dhe dilema tek opinioni në Maqedoni, dëshirohet që përgjigja e BE-së, gjithashtu të jetë publike”, ceket në kutmesën e partisë, për deklaratën e Komisionit Europian.

“Atë që kishim për ta thënë, e kemi thënë”, kështu janë përgjigjur nga ambasada e SHBA-së, në Shkup, pas kërkesës së VMRO-së për spjegime shtesë. Ambasada e SHBA-së, një ditë pas mossuksesit të VMRO-DPMNE-së për të formuar qeverinë, thanë se janë duke e mbikëqyrur procesin e formimit të qeverisë dhe bëri thirrje që partitë të vazhdojnë bisedimet për formimi e qeverisë së re.

Vajgl dhe Fleckenstein: Maqedonia nuk ka kohë për të humbur

Ndërmjetësuesit për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, eurodeputetët Ivo Vajgl dhe  Knut Fleckenstein porositën, se zgjedhjet e reja nuk do të jenë të dobishme për vendin. Pas dështimit të Gruevskit, përfaqësuesit europianë vlerësojnë se shansi për formimin e qeverisë duhet t’i jepet partisë së dytë për nga numri i mandatave, ashtu siç është praktikë në të gjitha vendet demokratike. Për deputetin slloven Vajgl zgjedhjet e reja kërcënojnë thellimin e krizës dhe destabilizimin e vendit. “Për Maqedoninë në këtë moment opsioni më kundërproduktiv do të ishte të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet sjellin paqartësi, humbje forcash, humbje kohe. Unë mendoj, se duhet të shfrytëzohen mundësitë normale që një shoqëri dhe shtet demokratik i ka. Nëse nuk ka pasur suksese njëri mandatar shansi duhet t’i jepet mandatarit tjetër”, thotë eurodeputeti Ivo Vajgl. Në vijë të njëjtë edhe eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein. Sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do të humbasë shumë kohë për zbatimin e reformave urgjente dhe krijimin e një qeverie të qendrueshme.

Ekspertët: Nuk janë shterruar të gjitha mundësitë për formim të qeverisë

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se pas dështimit të Gruevskit, Presidenti mandatin për nisjen e bisedimeve me partitë për krijimin e qeverisë duhet t’ia besojë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Profesori i së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se do të ishte veprim jo i drejtë i presidentit Ivanov nëse anashkalon ndarjen e mandatit LSDM-së. “Mandati patjetër se duhet t’i kalojë Zaevit. Çdo opsion tjetër, ashtu siç e interpretojnë kushtetutën në favor të VMRO-së, është kundër-kushtetues. Kjo parti pati afatin kushtetues prej 20 ditëve dhe tani kurrësesi nuk guxon që mandati t’i shkojë sërish së njëjtës parti”, thotë profesor Osman Kadriu.

Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve juridike, thotë se presidenti Ivanov duhet të kërkojë zgjidhje të tjera për formimin e qeverisë duke aluduar në dhënien e mandatit partisë së dytë, LSDM-së. “Vlerësoj se nuk janë shterruar as mundësitë kushtetuese e as ligjore për të formuar qeverinë. Nëse këtë nuk ka arritur ta bëjë njëra parti, nuk do të thotë se nuk mundet dikush tjetër. Unë pres që në ditët në vijim të ketë edhe një përpjekje për të formuar shumicën e nevojshme parlamentare e cila do të votonte qeverinë e re”, thotë Dujoski.

Opinionisti  Ahmet Selmani thotë se problem kyç është partia e Gruevskit, që me çdo kusht do të jetë pjesë e qeverisë, duke e thelluar krizën: “Problemi është kryekëput te VMRO-ja. Loja që është duke luajtur ka synim në çfardo varianti që ajo të jetë në konstelacionet e pushtetit, unë mendoj se është një tendencë shumë e rrezikshme.Gjërat të tilla nuk e ndihmojnë procesin e zgjidhjes së këtij problemi, por përkundrazi e thellojnë atë”, vlerëson Selmani. (dw)

Maqedonia vazhdon të jetë pa qeveri

Ivanov AliPresidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka ndërmarrë një nismë për t’u takuar me drejtuesit e partive politike, në kuadër të konsultave të filluara lidhur me formimin e qeverisë së vendit.

Ai ka pritur në takime të ndara kryetarët e Lidhjes Social Demokrate, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvzjes Besa, Lëvizjes për Reforma, ndërsa do të presë edhe kryetarin e partisë VMRO-DPMNE.

Zyra e presidentit Ivanov ka bërë të ditur se edhe përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare ishin ftuar, por nuk ka patur reagime.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev u tha gazetarëve se “kishte shkuar për të marrë mandatin, por nuk i ishte dhënë meqënëse nuk ka siguruar shumicën në parlament”.

Presidenti maqedonas është shprehur “së pari shumica, pastaj mandati”.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha pas takimit se të gjithë duhet të kontribuojnë për kapërcimin e krizës dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e vendit. Ai tha se të gjitha opsionet mbeten të hapura për formimin e qeverisë. Zoti Ahmeti u shpreh se “çelësi për koalicionin qeveritar ishte tek partia e tij, por se tani atë ia ka dorëzuar presidentit Ivanov”. Ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të hynte në koalicion qeveritar me Lidhjen Social Demokrate.

Ky është takimi i parë i zotit Ali Ahmeti me presidentin Gjorgje Ivanovin, qëkur ky i fundit mori mandatin e dytë si president. Në atë kohë BDI-ja shprehej se nuk e njihte legjitimitetin e presidentit Ivanov dhe kërkonte një president që do të zgjidhej me konsensus politik nga të gjitha palët.

Zoti Ahmeti, i pyetur nga gazetarët për këtë, tha se sot kishte vepruar me kokë dhe jo me zemër. Pasi i mandatuari për formimin e qeverisë Nikolla Gruevski nuk arriti ta formojë kabinetin, presidentit Gjorgje Ivanov, sipas analistëve, po i kalon afati dhjetë ditor për t’ia dorëzuar mandatin një kandidati tjetër, që do të duhej të ishte partia e dytë më e madhe, e cila doli nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, në këtë rast LSDM.

Dy partitë tjera shqiptare, Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma kanë lënë të kuptohet se mund të hyjnë në koalicion qeveritar me LSDM-në, por kabineti qeveritar i Maqedonisë nuk arrin të formohet dot pa votat e BDI-së. LSDM ka 49 deputetë nga 120 vende të parlamentit. Qeveria mund të formohet me votat e shumicës së thjeshtë, apo 61 vota.

Ekspertët ligjorë mendojnë se presidenti Ivanov nuk ka pse bën konsulta dhe se ai duhet t’ia japë mandatin Lidhjes Social Demokrate për të formuar qeverinë, ashtu siç veproi pa u këshilluar kur i dha mandatin Nikolla Gruevskit të VMRO-së, i cili nuk siguroi shumicën.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se në Maqedoni mund të thellohet kriza nëse presidenti e zvarrit çështjen. Disa nga alternativat mund të jenë një qeveri e gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare, apo edhe zgjedhjet e reja. (voa)

Uashingtoni i shqetësuar nga luftimet në Ukrainë

UkrainaDepartamenti amerikan i Shtetit ka shprehur “shqetësim të thellë” në lidhje me rifillimin e luftimeve në Ukrainën lindore mes kryengritësve pro-rusë dhe trupave qeveritare, duke thënë se luftimet në afërsi të kufirit rus kanë shkaktuar dhjetëra viktima ushtarake dhe civile.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit të publikuar të martën bëhet thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, dhe theksohet se luftimet, të cilat shpërthyen të dielën në parkun industrial Promzona në Avdiivka, kanë lënë 17,000 civilë, duke përfshirë 2,500 fëmijë, pa ujë, ngrohje apo energji elektrike.

“Ndoshta do të duhet të largohemi nga qytetit. Nëse situata në Avdiivka nuk zgjidhet, ne padyshim që do të largohemi nga qyteti,” thotë Elena, një banore e qytetit.

Edhe Bashkimi Evropian dënoi rifillimin e luftimeve duke i quajtur ato një “shkelje flagrante” të marrëveshjes së Minskut për armëpushim, të arritur në vitin 2015. Marrëveshja u arrit me ndihmën e udhëheqësve gjermanë dhe francezë dhe në të ishte përfshirë tërheqja e armatimit të rëndë nga vijat e frontit.

Gati 10,000 njerëz, më shumë se gjysma e tyre civilë, janë vrarë në luftimet që shpërthyen në prill të vitit 2014, një muaj pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë, dhe dy muaj pas protestave pro-perëndimore në Kiev që detyruan presidentin pro-rus të Ukrainës të largohej nga vendi.

Aneksimi i Krimesë në vitin 2014 nxiti kritika të shumta nga qeveritë perëndimore dhe OKB-ja që u pasua me sanksione ekonomike të Perëndimit, si ndëshkim ndaj Moskës. Sanksionet janë ende janë në fuqi.

Ukraina ka shprehur shqetësim se presioni ndërkombëtar mbi Rusinë mund të dobësohet nën udhëheqjen e Presidentit të ri të Shteteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen e tij për normalizim në marrëdhënieve SHBA-Rusi. (voa)