FMN: Vettingu s’kalon në tendë. Bëni detyrën tuaj në Parlament

fmnMesazhet e forta për politikën në Tiranë zakonisht vijnë nga Brukseli ose Uashtingtoni, por këtë herë ai që ka një apel të fortë është institucioni ndërkombëtar më prestigjioz në botë për ekonominë dhe mesazhi i FMN-së më shumë shkon për opozitën.

“Bordi i drejtorëve në Uashington theksoi se zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi është shumë i rëndësishëm për ekonominë. Për këtë arsye ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë opozitën, të angazhohen në mënyrë më konstruktive dhe të bëjnë detyrën që duhet bërë në Parlament, sepse reforma në drejtësi nuk mund të kalojë kur njerezit janë në rrugë, duke u ulur në një tendë të bardhë”, ka deklaruar përfaqësuesi i përhershëm i Fondit për Shqipërinë, Jens Reinke.

Deklarata e zotit Reinke duket një referencë e qartë më shumë për protestën e opozitës, e cila është prej dhjetë ditësh jashtë Kuvendit. Por pse FMN lëshon një mesazh për reformën në drejtësi, në dukje një çështje jashtë misionit të tij?

“Sundimi i ligjit është ndoshta pengesa më e madhe për rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Pra, ka nevojë për sigurinë e pronës, zbatimin e kontratave dhe për më shumë parashikueshmëri. Të gjitha këto kërkojnë që gjyqësori të jetë më efektiv në mënyrë që investitorët dhe publiku të sigurohen se korrupsioni nuk do të luajë rol domethenës”, thotë Reinke.

Sipas kreut të FMN-së në Shqipëri, zvarritja e reformave rrit faturën për Shqipërinë. “Reformat duhet të bëhën të besueshme duke kaluar përtej një cikli zgjedhor dhe qeveria e re që do dalë nga zgjedhjet duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i çuar përpara, qoftë reformën në drejtësi qoftë atë të financave publike, për t’u bërë të besueshme për investitorët vendas apo të huaj”, shton Reinke.

/ Top Channel

OKB, Përplasen përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë

sr ksNë një sesion rutinë të Këshillimit të Sigurimit për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës u përplasën përsëri me dy vizione të kundërta. Serbia përfaqësohej kësaj here nga Presidenti Tomislav Nikoliç, i cili shprehu pakënaqësi rreth përpjekjeve të Prishtinës për krjimin e një ushtrie. Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku tha nga ana e saj se Prishtina nuk do të diskutojë me Serbinë dhe me asnjë vend tjetër për krijimin e forcave të armatosura.

President serb Tomisllav Nikoliç tha se Republika e Serbisë është e angazhuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të debatueshme nëpërmjet dialogut brenda kornizës së statusit-neutral. Vetëm përmes një qasjeje të tillë është e mundur arritja e stabilitetit në Kosovë. Qëllimi ynë kryesor, tha ai, është ruajtja e paqes, stabilitetit dhe jeta e njerëzve. Duke iu përgjigjur me vendosmëri të të gjitha sfidave, tha zoti Nikoliç, institucionet qeveritare të Republikës së Serbisë kanë qenë të dobishëm në qetësimin e tensioneve në Kosovë që kërcënojnë të shkallëzohet.

“Në këtë kontekst, do të doja të theksoj në veçanti deklaratat e dëmshme të bëra në lidhje me një formacion të mundshëm të Ushtrisë së Kosovës; do të ishte një shkelje e qartë e Rezolutës 1244 dhe në të njëjtën kohë, një kërcënim i ri serioz i përpjekjeve të investuara për stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe për Ballkanin Perëndimor,” tha zoti Nikoliç.

Presidenti serb tha se Serbia kërkon që Kosova të përmbushë marrëveshjet e arritura katër vjet më parë dhe se angazhimi i vendit të tij për të plotësuar marrëveshjet e arritura mes palëve përmes dialogut nuk ka patur të njëjtën përgjigje nga pala shqiptare.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku tha se mësimet e Kosovës janë mjaft të thjeshta: mund të fitosh nëse ke të drejtë, nëse kauza është e drejtë, edhe nëse nuk je më i fuqishmi. Ambasadorja Çitaku tha se vendi i saj do të nderojë gjithmonë rolin e Këshillin e Sigurimit, por ka ardhur koha për të ecur përpara. Në kundërshtim me deklaratën e Presidentit serb, ajo tha se takime të tilla të janë shpenzim i pajustifikuar kohe.

“Shpenzimi i milionave për të mbajtur në Kosovë UNMIK-un, i cili nuk ka më një mision ose funksion është gjithashtu kosto e pajustifikuar,” tha ambasadorja e Kosovës.

Zonja Çitaku tha se Kosova nuk do të diskutojë me Serbinë apo dhe me asnjë vend tjetër krijimin e forcave të saj të armatosura. Ky, tha ajo, është një vendim i ligjshëm i autoriteteve të Kosovës.

Ajo e quajti ndalimin e zotit Haradinaj në Francë me kërkesë të Serbisë “një akt të dëshpëruar” të Beogradit për të kthyer prapa historinë. Serbia, tha ajo, ka ngritur më parë akuza të ngjashme kundër të gjithë udhëheqësve perëndimorë, duke përfshirë presidentin Bill Clinton. Zonja Çitaku tha se Serbia ka dështuar të merret me të kaluarën e vet, me krimet e vërteta që janë kryer në Kosovë gjatë luftës. Ajo tha se asnjë serb nuk është akuzuar apo dënuar për krime lufte në Kosovë,’ përkundrazi, ata janë ngritur në pozita të larta. Zonja Çitaku përmendi ato që ajo i quajti provokime të Serbisë, si treni me simbole serbe dhe muri në Mitrovicë. Ajo tha se serbët që jetojnë në Kosovë nuk duhet të mbahen peng nga Beogradi dhe të shërbejnë si vegla të tij. (voa)

Zaev dorëzon firmat e deputetëve për të marrë mandatin për qeverisje

zaevKryetari i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev ia dorëzoi të hënën presidentit Gjorgje Ivanov 67 nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për shqiptarët, si garanci e krijimit të shumicës parlamentare për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Zoti Zaev e quajti ditën e sotme si historike për vendin, ndonëse presidenti ende nuk e ka mandatuar:

Këto nënshkrime, tha ai, mundësojnë kapërcimin e krizës dhe që vendi të lëvizë përpara”. Ai pret nga presidenti Ivanov që ta mandatojë brenda një kohe sa më të shpejtë, në mënyrë që të mund të fillohen bisedimet për formimin e qeverisë. Zoti Zaev është i bindur se do të ketë një transferim të qetë dhe të shpejtë të pushtetit.

Kabineti i presidentit maqedonas la të kuptohej se ai do ta bëjë publik këtyre ditëve vendimin për mandatin për formimin e qeverisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, megjithatë pritet të sjellë një vendim nëse do të bëhet pjesë e qeverisë apo do të mbetet në opozitë.

Ndërkohë, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nuk po pajtohet me ngeljen në opozitë. VMRO-ja bën thirrje për pengimin e ndarjes së vendit, siç e quan ajo mundësinë e qeverisjes së LSDM me partitë shqiptare. Z. Gruevski në një intervistë për televizionin proqeveritar Sitel u shpreh se dygjësia do të çojë drejt shtetit dy-kombësh, kantonizimit ose federalizimit, ndërsa synimi kryesor, sipas tij, i zotit Zaev është ndryshimi i emrit të Maqedonisë:

Personalisht i ofroj zotit Zaev, nëse partitë shqiptare e sjellin në pushtet, dhe nëse heq dorë nga zbatimi i asaj axhende, VMRO-DPMNE-ja me 51 deputetë do t’i japë mbështetje të jetë një qeveri e pakicës për një periudhë për çka do të merremi vesh”, tha Nikolla Gruevski. Ai tha më tej se partia e tij do ta mbështesë Zaevin për të gjitha ligjet që dëshiron t’i zbatojë përveç atyre që kanë të bëjnë me “ridefinimin e shtetit”. “Le të më burgos mua por ta lërë të qetë Maqedoninë”, e porositi ai rivalin e tij Zaev.

Kjo lloj oferte, nga një pjesë e analistëve u cilësua si patetike apo si përpjekje për të mbrojtur veten nga akuzat që e rëndojnë për veprimtari të paligjshme.

Nga ana tjetër, Lidhja Social Demokrate iu përgjigj se vendi do të drejtohet nga një qeveri e qytetarëve, se ndryshimet po ndodhin, se Maqedonia e lirë do të hapërojë përpara dhe se këtë askush nuk do të mund ta pengojë.

Edhe komuniteti ndërkombëtar së fundmi ka reaguar duke kërkuar respektimin e rregullave demokratike nga ana e drejtuesve politikë të Maqedonisë.

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka kërkuar që presidenti maqedonas t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit nga partitë të cilat kanë siguruar shumicën e nevojshme në parlament.

“Pranimi dhe respektimi i rezultateve zgjedhore dhe e drejta e politikëanëve për të tentuar formimin e qeverisë është shenjë e demokracisë së shëndoshë”,shkruan zoti Hahn, i cili nënvizon se pengesat dhe nënçmimet e këtyre përpjekjeve nuk kanë vend në një proces demokratik. Ai më tej thekson se opozita dhe pushteti kanë detyra dhe përgjegjësi të njejta për funksionimin e një demokracie.

Edhe Sekretari i përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg po ashtu ka kërkuar që shumicës së krijuar në parlament t’i jepet mandati për formimin e qeverisë. Ai kërkon nga të gjitha palët që të marrin vendime për të mirën e qytetarëve, ndërkohë që nënvizon përkushtimin e Aleancës për anëtarësimin e Maqedonisë në organizatë. (voa)

 

Gabim skandaloz në ndarjen e çmimeve Oskar

oskar1Gabimisht si fitues u shpall filmi “La La Land”në katëgorinë e filmit më të mirë. Por fitues ishte një film tjetër. Emma Stone fitoi çmimin Oskar si aktorja më e mirë.

Aktorja e re amerikane fitoi çmimin Oskar në kategorinë më të rëndësishme – si aktorja kryesore e filmit. Me vetëm 28 vjet, Emma Stone është fituesja më e re e këtij çmimi. Këtë çmim ajo fitoi për rolin e saj në mjuziklin “La La Land”, i cili kishte 14 nominime.

Gabimi i rëndë

Gjatë ndarjes së çmimeve ndodhi edhe një skandal: në kategorinë më të rëndësishme, për filmin më të mirë, aktori Warren Beatty dhe aktorja Faye Dunaway lexuan gabimisht emrin e mjuziklit “La La Land” si fitues! Ndërkohë që Akademia amerikane e Filmit kishte marrë një vendim tjetër: filmi më i mirë ishte shpallur “Moonlight”. Duket se ishin përzier zarfat me emrat e filmave. Regjisori dhe përfaqësuesit e mjuziklit ishin nisur për të dalë në bunë, kur u kuptua gabimi….

Ceremonia me probleme

Çmimin Oscar për regjinë më të mirë e ka fituar Damien Chazelle me filmin “La La Land”. Ai është regjisori më i ri që ka fituar një Oskar. Ndërsa si aktori më i mirë u shpall për këtë vit Casey Affleck, për rolin në dramën “Manchester by the Sea”. I pari në mbrëmje u nderua Mahershala Ali, në kategorinë “aktori më i mirë dytësor”. Aktori amerikan e fitoi këtë çmim për rolin në filmin “Moonlight”, i cili ishte nominuar në tetë kategori dhe ishte një ndër favoritët më të mëdhenj këtë vit. Regjisori Barry Jenkins e ka shkruar vet skenarin ku ka shumë elemente personale.

Mahershala u tregua shumë i prekur me këtë çmim. Në historinë e Academy Awards, kjo është hera e pestë që Oskarin fiton një aktor me ngjyrë, që vlerësohet si shumë pak.

Oscarin fiton aktora e mrekullueshme – Viola Davis

Befasia tjetër: aktorja amerikane Viola Davis fitoi çmimin Oskar si aktore në një rol dytësor në filmin “Fences”. Në këtë mënyrë ajo fitoi në konkurrencën me aktoret shumë të njohura si Nicole Kidman apo Michelle Williams. Ndaj nuk ishte befasi që në ceremoninë e ndarjes së çmimin nuk përmbante dot as lotët. Davis ishte personi i dytë me origjinë afroamerikane që fitoi një Oskar!

Në këtë mënyrë Akademia bëri ca ndryshime, pas kritikave dhe protestave të shumta që janë dëgjuar vitin e fundit kur aktorët me ngjyrë kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni, sepse me këtë çmim janë nderuar gati gjithmonë vetëm të bardhët.

Oskari  për film të huaj shkon në – Iran

Filmi i suksesshëm gjerman “Toni Erdmann”, i regjisores Maren Ade nuk fitoi asnjë Oskar. Çmimin si filmi më i mirë në konkurrencën e filmit të huaj fitoi “The Salesman”, i regjisorit Ashgar Farhadi. Kjo është hera e dytë që fiton ndonjë film iranian, sepse në vitin 2012 ka fituar  – “Nader dhe Simin – një ndarje”.

Farhadi në shenjë proteste nuk ishte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në SHBA. “Mungesa ime është shenjë respekti ndaj banorëve të vendit tim, të cilët u është ndaluar hyrja në SHBA dhe trajtohen në mënyrë jo njerëzore”, ishte mesazhi i tij.

Çmimet Oskar janë më të rëndësishmet në kinematografi dhe ndahen në Hollywood që nga viti 1929. Moderator ishte Jimmy Kimmel, i cili në fillim bëri disa barcoleta shumë të mprehta në drejtim presidentit Trump. Aktorja e nominuar për Oskar Meryl Streep, e cila kishte një shkëmbim të ashpër fjalësh me presidentin Trump, u përshëndet me një duartrokitje të veçant nga Kimmel. Ai u tregua shumë i shkathtë edhe me rastin e gabimit, sepse Kimmel mori vet përgjegjësinë për gabimin. “E kam ditur që do ta prishë këtë ceremoni. Premtoj se nuk do të vi më kurrë!”, tha ai në fund me një dozë të theksuar humori.

bc/hm/haz/ml (dpa, afp, rtr)

Ndahen Çmimet Oscar

oskarDrama “Moonlight” fitoi çmimin Oscar për fotografinë më të mirë, në një ceremoni që u përmbyll përmes një gabimi ku fillimisht çmimi tha se i takonte filmit “La La Land”.

Ceremonia e mbrëmshme u shndërrua në një kaos kur prezantuesja Faye Dunaway, gabimisht shpalli se “La La Land”, është fitues i çmimit për fotografinë më të mirë.

Deri në atë çast, çdo gjë shkoi sipas planit, ndonëse ceremonia u përshkua me deklarata politike dhe goditje ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë sulmet ndaj politikave të tij mbi emigracionin.

Një prej deklaratave më të fuqishme u bë nga regjisori iranian, Asghar Farhadi, filmi i të cilit “The Salesman” fitoi çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj. Ai e bojkotoi ceremoninë në shenjë proteste ndaj politikave të presidentit Trump ndaj imigrantëve.

“Më vjen keq që nuk jam me ju sonte. Mungesa ime është respekt për njerëzit e vendit tim dhe të atyre gjashtë vendeve të tjera, që janë përçmuar me ligjin çnjerëzor, i cili u ndalon migruesve hyrjen në SHBA”, thuhej në deklaratën e regjisorit Farhadi, të cilën e lexoi inxhinierja iraniane, Anousheh Ansari, e cila mori çmimin në emër të Farhadit.

“La La Land”, që ishte propozuar për 14 çmime, fitoi gjashtë sish përfshirë edhe çmimet për aktoren dhe regjinë më të mirë.

Dokumentari sirian “The White Helmets”, fitoi çmimin Oscar për dokumentarin më të mirë.

Në kategoritë e tjera, Casey Affleck fitoi çmimin si aktori më i mirë në filmin “Manchester by the Sea”. Mahershala Ali fitoi si aktorja më e mirë mbështetëse në filmin “Moonlight”. Viola Davis, po ashtu mori çmimin për aktoren më të mirë mbështetëse në filmin e Denzel Washington, “Fences”. (voa)

SHBA: Katërfishohen vdekjet nga heroina

HeroinaVdekjet e shkaktuara nga mbidoza e heroines në Shtetet e Bashkuara u katërfishuan nga viti 2010 deri në 2015-ën, sipas një raporti të ri.

Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore thotë se kishte 12 mijë e 989 vdekja nga mbidoza me heroine në vitin 2015. Në vitin 2010, numri ishte 3,036. Në përqindje, heroina shkaktoi 8 për qind vdekje nga mbidoza me heroine në vitin 2010 ndërsa tani përbëjnë 25 për qind të vdekjeve.

Qendra përmend rënien e çmimeve dhe rritjen e përqendrimit të saj për rritjen e numrit të vdekjeve.

Përveç kësaj, ekspertët thonë se ata besojnë se edhe epidemia e opioidëve shkaktuar nga ilaçet me recetë për lehtësimin e dhimbjes, mund të jetë duke i shtyrë njerëzit të përdorin heroinën që kushton shumë më pak.

“Shanset janë 40 për qind më të larta që të përdorësh heroine nëse fillon me ilaçet për dhimbjet”, i tha Rich Hamburg, nënpresidenti ekzekutiv për organizatën jofitimprurëse “Trust for America’s Health”, agjencisë së lajmeve Reuters.

“Heroina është pjesë e problemit më të gjerë të abuzimit me drogën”, shtoi ai.

Shtetet me përqindjen më të lartë të vdekjes nga mbidozat në vitin 2015, ishin Virxhinia Perëndimore, Nju Hampshër, Kentaki dhe Ohajo, sipas studimit. (voa)

Peticion pro Vettingut. 50 grupe të shoqërisë civile mbledhin firmat

PeticioniNga e shtuna nis mbledhja e firmave për një peticion që mbështet reformën në drejtësi dhe Vettingun, në një kohë kur java e ardhshme konsiderohet vendimtare për ngritjen e institucioneve.

50 organizatat më në zë të shoqërisë civile janë bërë bashkë në këtë nismë dhe i kanë nisur një letër krerëve të politikës shqiptare dhe ambasadave më të rëndësishme në vend.

Me në krye fondacionin Soros, shoqëria civile i apelon politikës që të shpejtojë me zbatimin e ligjit të Vettingut, pasi është kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Organizatat kërkojnë që të mos ngatërrohen axhendat partiake dhe llogaritë zgjedhore me prioritetin strategjik, rrugëtimin europian të vendit.

Duke qenë se më shumë se 90% e qytetarëve duan zbatimin e shpejtë të reformës në drejtësi, shoqëria civile i kërkon politikës që të tregojë përgjegjshmëri dhe integritet.

Firmëtarët e kësaj nisme thonë se qytetarët e Shqipërisë meritojmë një sistem gjyqësor profesional, të pakorruptuar dhe të pavarur. Ndreqja e këtij sistemi fillon me procesin e vettingut.

Në krye të peticionit që do të firmoset nga qytetarët i kërkohet çdo deputeti të Parlamentit që në këtë moment vendimtar për të ardhmen e reformës në drejtësi, të ketë përgjegjësinë të bëje një hap konkret në të mirën e vendit dhe të qytetarëve të tij, duke votuar ngritjen e institucioneve të Vettingut brenda afatit të përcaktuar nga ligji.

“Çdo bllokim i këtij proçesi është bllokim i zhvillimit të vendit dhe së ardhmes tonë evropiane. Reforma në drejtësi nis me Vettingun. Vota për Vettingun është detyra juaj si përfaqësues i vullnetit të zgjedhësve tuaj!”, apelon shoqëria civile.

/ Top Channel

Bregu: Jo bojkot të zgjedhjeve. Janë garanci për opozitën

Majlinda BreguSapo është kthyer nga vizita në Shtetet e Bashkuara, Majlinda Bregu i është bashkuar protestës së opozitës përballë Kryeministrisë.

Megjithëse një kritike e kryetarit Basha, ajo nuk ka dilema për mbështetjen e kauzës së protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, por lë të kuptohet se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është e mirëpritur.

“Do të mbështes deri në fund këtë kauzë të drejtë të opozitës jo vetëm për protestë, por për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk besoj që ka nevojë që kauza për zgjedhje të lira e të ndershme të jetë një kauzë që të ndahet me partnerë të tjerë politikë. Për mua është kauza e opozitës. Ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë”, deklaron Bregu.

Sipas deputetes demokrate, teza e bojkotit të zgjedhjeve nuk duhet të jetë një opsion për opozitën. “Ndërkohë që protesta vazhdon, duhet të ketë punë intensive me strukturat e PD. Nuk më duket se është alternativë bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare. Mbërritja tek zgjedhjet parlamentare me garanci për opozitën është domosdoshmëria numër një”, thotë Bregu.

Pasditen e së premtes, protestës së opozitës iu bashkuan të rinj që kanë studiuar jashtë vendit dhe disa artistë, mes të cileve edhe tenori Agim Hushi, i njohur në politikë si socialisti që kandidoi përballë Sali Berishës në Kavajë. Kryetari Basha e përdori këtë rast për të treguar dallimin mes tij dhe Ramës.

“Kjo republikë e turpit vazhdon të mbajë Armando Prengën deputet, jo me një, por me 9 identitete, sepse Edi Rama do kriminelët në Parlament. Mbështetja jonë, fuqia jonë janë qytetarët shqiptarë dhe ata më të mirët. Fuqia e Edi Ramës janë kriminelët dhe trafikantët”, deklaroi Basha.

/ Top Channel

Dy matje të territorit të Kosovës – dy rezultate të kundërta

demarkacioni me malin e ziDemarkacioni me Malin e Zi

Ndërkohë që një komision tjetër, i pavarur, ka konstatuar se me ratifikimin e demarkacionit aktual, Kosova do t’i falte Malit të Zi territor në sipërfaqe prej 70.44 km2.

Por, zëdhënësi i Komisionit shtetëror për matjen e territorit,Tomor Çela, ka thënë se territori i Kosovës mbetet i njëjtë, dhe se disa humbje kanë ndodhur vetëm me rastin e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë, vite më parë, por jo edhe me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Këto komente, Tomor Çela i ka bërë pas përmbylljes së debatit rreth gjetjeve të prezantuara nga Komisioni shtetëror për matjen e territorit të Kosovës.

“Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët e Kosovës se sipërfaqja e territorit të Kosovës do të vazhdojë të mbetet kjo që ka qenë nga viti 1974 deri më sot, me përjashtim të atyre zonave kadastrale (në vijën kufitare me Maqedoninë) të cilat ju kemi informuar mbi bazën e gjetjeve që ne i kemi pasur gjatë punës sonë”, ka thënë Çela.

“Në bazë të gjithë këtyre gjetjeve është vërtetuar se territori i Republikës së Kosovës është 10.905.25 km2”, ka theksuar ai.

Profesori Çela i ka ftuar ekspertët e pavarur dhe deputetët që po i kundërshtojnë gjetjet e Komisionit shtetëror që t’i prezantojnë faktet e tyre dhe të mos krijojnë huti në opinion.

liqeni i madhAi i ka kundërshtuar tezat, sipas të cilave, ky Komision është formuar vetëm për të bindur deputetët që të ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend, duke thënë se puna e Komisionit ishte profesionale dhe e paanshme.

Mirëpo, në anën tjetër, një komision i pavarur i prirë nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi ka prezantuar fakte të kundërta me Komisionin shtetëror.

Bulliqi ka thënë se puna e këtij komisioni të pavarur sjell si përfundim që me shënjimin e vijës kufitare, Kosova humb territor, kurse Mali i Zi, fiton sipërfaqe prej 70.44 km2.

“Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, Mali i Zi do të rris sipërfaqen e tij. Nga viti 1945 deri më 2015, Mali i Zi kishte më pak sipërfaqe sesa pas këtij demaskimi”, ka deklaruar Bulliqi.

Tutje, Bulliqi ka thënë po ashtu se Mali i Zi gjatë aplikimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është pranuar me sipërfaqe prej 13. 812 km2 dhe jo me 13 882 44 km2, siç rezulton pas Marrëveshjes së arritur me Kosovën.

Kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi është paraqitur edhe profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda. Ai tha se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me demarkacionin është i padrejtë.

“Neve tash na thonë, doni liberalizimin, edhe atë me një pafytyrësi të cilën unë në literaturë vetëm dy herë gjatë historisë e kam hasur, pra hiqni dorë prej territorit. E doni territorin, nuk e keni liberalizimin”, është shprehur Gruda.

Sidoqoftë, debatet për dhe kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare po vazhdojnë dhe pritet që një frymë e tillë të përcillet edhe në seancën e kuvendit, kur qeveria ta riprocedojë demarkacionin për ratifikim.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është vënë si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian. (REL)

David Phillips: Kujdes nga ndihmat turke

David Filips, drejtor i Institutit për Paqe në Universitetin Kolumbia të SHBA, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se drejtuesit politikë të vendeve të Ballkanit perëndimor duhet të kenë kujdes nga angazhimet e Turqisë dhe vendeve të Gjirit (Persik), sepse ato, sipas tij, ndikojnë në rritjen e ekstremizmit të dhunshëm. Ai thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe arsimin në këtë pjesë të Ballkanit, si masa për pengimin e radikalizmit.

Z. Filips i bëri komentet në Shkup, ku mori pjesë në një konferencë mbi ekstremizmin e dhunshëm.

(voa)