Fleckenstein: Vendi i deputetëve në parlament

FleckensteinRelatori për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein, tha sot në Tiranë se vendi i deputetëve është në parlament, ndërsa saktësoi se ai nuk do të përfshihet në ndonjë negociatë për zgjidhjen e krizës së krijuar pas vendimit të opozitës për të bojkotuar parlamentit dhe për të protestuar pa ndërprerje për arritjen e një qeverie teknike. Kryetari demokrat Lulzim Basha nënvizoi se opozita nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të pjesshme

Eurodeputeti Knut Fleckenstein nisi sot vizitën zyrtare në Tiranë, një vizitë e programuar që më parë, por që përkon me zhvillime të tensionuara në vend, pas vendimit të opozitës për të protestuar deri në largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme 18 qershorin e ardhshëm. Opozita ka vendosur gjithashtu bojkotimin e parlamentit. Por për eurodeputetin Fleckenstein “anëtarët e parlamentit duhet të kryejnë punën e tyre në parlament”.

Një ditë më parë në një intervistë për Televizionin publik shqiptar, zëdhënësja e Komisionit europian Maja Koçijançiç u shpreh se “debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian” duke kujtuar rëndësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Edhe eurodeputeti i së djathtës europiane Eduard Kukan, një njohës i mirë i realitetit shqiptar, përmes një postimi në Twitter, shprehej sot se “Opozita ka ende shumë punë për të bërë para zgjedhjeve parlamentare, në Kuvendin e Shqipërisë. Bojkoti nuk e ndihmon atë t’i mbarojë këto punë”.

Relatori për Shqipërinë Fleckenstein takoi sot gjatë paradites Kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Ai tha se do të takojë gjithashtu edhe kreun e opozitës Lulzim Basha, duke saktësuar se nuk do të përfshihet në asnjë proces negocimi me opozitën.

Që prej ditës së shtunë opozita vazhdon protestën përpara selisë së kryeministrisë. Drejtuesit e saj kanë përsëritur me këmbëngulje se “nuk ka kthim pas nga rruga e nisur”. Kreu i opozitës Lulzim Basha theksoi sot se nuk do të pranohet asnjë zgjidhje e pjesshme: “Jemi këtu e do jemi këtu çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të vendosur deri në realizimin e plotë, jo të pjesshëm, të kushtit tonë, zgjedhje të lira e të ndershme, largimin e këtij kryeministri dhe krijimin e një qeverie teknike. Sot nuk ka detyrë më të madhe se sa këtë protestë ta shtrijmë anembanë Shqipërisë. Asgjë nuk do të jetë më si më parë derisa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”, deklaroi zoti Basha, sipas të cilit “kur në vend ka rënë çdo institucion, është koha të rrëzohet Qeveria”.

Për shumicën, protesta e opozitës është “një alibi për të justifikuar humbjen elektorale të radhës” dhe “ka si synim të pengojë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. “Le ta provojnë të kundërtën – tha sot kryeministri Edi Rama – Le të vazhdojnë të protestojnë, le të vazhdojnë ta bojkotojnë Parlamentin dhe le të çojnë atje ata, 3 njerëz duhen, që i përfaqësojnë për të ngritur komisionet që populli shqiptar përmes Parlamentit dhe me Kushtetutën në dorë të shpëtojë nga kthetrat e këtyre killer-ave të veshur me të zeza, që kanë 25 vjet që i bien me çekiç kokës, nënave të viktimave, vajzave të përdhunuara dhe të gjithë atyre që shkojnë në gjykatë për të marrë një pronë dhe e humbasin pronën, duke marrë çekiçin në lule të ballit”, u shpreh kryeministri gjatë një aktiviteti me Policinë e Shtetit. (voa)

Komisioni për demarkacionin: Kosova nuk humb territor

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, konstaton se Kosova momentalisht ka një sipërfaqe prej 10.905.25 kilometrash katrorë dhe se nuk ka humbur territor me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

kufiri ks mzPeizazh në kufirin Kosovë-Mali i Zi me Bjeshkët e Nëmuna në sfond

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, publikoi të dhënat e tij të martën (21.02), duke konstatuar se Kosova nuk humb territor me marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare ndërmjet dy vendeve. Komisioni për matjen e territorit të Kosovës u formua një muaj më parë nga qeveria e Kosovës, pas pretendimeve të vazhdueshme të opozitës kosovare se Kosova me marrëveshjen e demarkacionit të 25 gushtit të vitit 2015 me Malin e Zi, humb mbi 8000 mijë hektar tokë.

Në një konferencë për media, kryetari i komisionit Hivzi Islami tha se “në mbështetje të të dhënave dhe gjetjeve shkencore që u ofruan nga institucionet pjesëmarrëse në këtë komision, komisioni i ekspertëve e njofton qeverinë se madhësia territoriale para 25 gushtit 2015, pra nga viti 1961 është 10 mijë e 876 kilometra katrorë. 10 mijë e 908 kilometra katrorë sipas planit të Marti Ahtisarit, ndërsa, sipas matjeve të fundit Kosova ka territor 10.905.25 km katrore, pra një ndryshim shumë i vogël”.

Komisioni larg ndikimeve politike

Kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, i cili njëherësh është edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tha se “puna e Komisionit ishte e pavarur dhe larg ndikimeve politike”.

“Ekzistojnë kufijtë adminstrativ midis Kosovës dhe shteteve që kufizohet Kosova, padrejtësisht të vëna nga Serbia. Të gjitha vendimet e marrëveshjes bazohen në dokumente ndërkombëtare, institucionet tona janë zotuar se do t’i zbatojnë, që është marrëveshja tekniko ushtarake e Kumanovës, Plani i gjithëpërfshirës i Marti Ahtisaarit, Rregullorja e UNMIK-ut, marrëveshja për demarkacionin e nënshkruar me 25 gusht 2015, konstatimi i departamentit amerikan që kohë më parë shqyrtoi vijën kufitare të Kosovës me Malin e Zi dhe tha se Kosova nuk humb territor”, tha Hivzi Islami.  Sipas tij, të gjitha të dhënat dhe konkluzionet e komisionit do t’i ofrohen opinionit publik, e pastaj do t’i dorëzohen Qeverisë.

Tre anëtarë të komisionit u shprehën, se nuk pajtohen me përfundimet  e komisionit. Agron Luta, Faruk Bojaxhiu dhe Fitim Humolli janë shprehur kundër raportit. “Duhet të deklarojmë atë që kemi thënë edhe dje në komision se nuk pajtohemi me vlerësimin e raportit nga ana profesionale. Raporti është joprofesional”, tha njëri nga anëtarët e komisionit Agron Luta.

Ndërsa, Fitim Humolli, anëtar komisionit, i vetmi gjeograf në komision që dha dorëheqje një ditë më parë, tha se ”metodologjia e komisionit mbi bazën e kadastrit është e gabuar dhe janë anashkaluar institucionet profesionale në punën e komisionit”. Partitë politike opozitare edhe pas formimit të komisionit për matjen e territorit të Kosovës nga ana e qeverisë një muaj më parë, thanë se ata nuk do të jenë pjesë e këtij komisioni, për sa kohë nuk shfuqizohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

Kosova dhe Mali i Zi me 25 gusht të vitit 2015 nënshkruan marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet dy vendeve. Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa, parlamenti i Kosovës akoma jo, për shkak të kundërshtimeve të ashpra të opozitës, e cila pretendon që Kosova me marrëveshjen e 25 gushtit humb territor. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës janë shprehur se në fillim të muajit mars do ta procedojnë për ratifikim në kuvend marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, si kusht ky i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. (dw)

Zaev: Janë kapërcyer disa dallime me BDI-në për formimin e qeverisë

ZaevLidhja Social Demokrate ka shtuar komunikimet me partitë shqiptare, në përpjekje të arritjes së një marrvëveshjeje për formimin e kabinetit qeveritar, ndërsa çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbizotërojë në këto bisedime.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ishte të martën në mbrëmje në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë për të biseduar me Ali Ahmetin, kryetar i kësaj partie. Zoti Zaev u tha më pas mjeteve të informimit se “janë kapërcyer disa dallime me BDI-në, se nuk do të sillen zgjidhje për përdorimin e gjuhëve që nuk do të jenë në kornizat e Kushtetutës, ndërsa grupet e punës nga të dyja partitë po punojnë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për formimin e qeverisë”.

Por, nga ana tjetër, pretendenti për formimin e qeverisë u shpreh në mënyrë të prerë se ai po kërkon nënshkrimet e ligjvënësve të BDI-së por se nuk do të rrezikonte në asnjë mënyrë të kushtëzohej me ndryshime të Kushtetutës.

Ai tha, megjithatë, se shpreson që procesi i bisedimeve të përfundojë shumë shpejtë. “Më vjen mirë që të dy partitë kanë të njetin qëndrim që zgjdhjet të dalin nga kushtetuta”, theksoi Zaev, duke lënë të kuptohet se dallimet kanë të bëjnë me interpretimin e zbatimit kushtetues të ligjit për gjuhët. Kryetari social-demokrat shtoi se nëse ngelen çështje të hapura, do të mund që edhe pas gjashtë muajsh të hapen debate, të konsultohen ekspertët dhe të shikohet se çka është kushtetuese e çka jo.

Në lidhje me ndarjen e baraspeshuar të buxhetit të shtetit nëpër rajone, Zaev tha se ndajnë qëndrime identike me zotin Ahmeti, sepse kjo nuk është një çështje etnike por qytetare për çka të gjithë qytetarët do të kishin dobi, tha ai.

Ndërkaq, nga BDI-ja nuk bënë komente pas takimit. Qëndrimi publik i partisë shqiptare është se nuk heq dorë nga kërkesat e njohura nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare, ndër to: zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, ndarja e barabartë e buxhetit, zbatimi i Marrvëshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë i komuniteteve në administratën publike, etj.​

Më herët gjatë ditës, zyrtarë të lartë të LSDM-së u takuan me përfaqësues të Lidhjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare për të biseduar po për çështjen e gjuhës shqipe. Ndonëse partia shqiptare me koalicionin “Aleanca për shqiptarët” me tre deputetët e saj ka bërë me dije prej para disa javësh se do t’i japë nënshkrimet e nevojshme LSDM-së në mënyrë që ajo të marrë mandatin për formimin e qeverisë, por për të biseduar më pas për kushtet dhe aspektet tjera për formimin e kabinetit, mba po ashtu qëndrimin se shqipja duhet të jetë zyrtare në të gjitha nivelet e pushtetit qendror në të gjithë vendin.

Për formimin e qeverisë së Maqedonisë nevojiten votat e shumicës së thjeshtë në parlament, përkatësisht 61 vota. BDI, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, ndonëse doli me një numër më të vogël deputetësh se sa që kishte në mandatin para këtij, tash ka një rol kyç dhe pa votat e saj në parlament nuk formohet dot qeveria e re. (voa)

Tregtia botërore e armëve vazhdon të rritet

Periudha e shtensionimt politik ka marrë padyshim fund. Dekadën e fundit eksportet e armëve janë rritur mënyrë të vazhdueshme. SHBA-ja dhe Rusia sërish në krye.

 

TankNjë çerek shekulli pas përfundimit të Luftës së Ftohtë tregtia botërore e armëve është rritur ndjeshëm. Sipas raportit të fundit të Institutit ndërkombëtar për Kërkime për Paqen SIPRI, me seli në Stokholm, eksporti i armëve në pesë vitet e fundit ka arritur volumin e tij më të madh që nga viti 1990. Në periudhën 2012 – 2016 eksporti i armëve ka qenë 8.4 për qind më i lartë se në periudhën 2007 – 2011.

Eksportuesit më të mëdhenj janë sipas SIPRI-t SHBA-ja, e cila zë 33 për qind të tregut botëror të armëve dhe Rusia me 23 për qind. Në vendin e tretë renditet Kina me 6.2 për qind. Eksportet nga Kina janë rritur në këtë periudhë me 74 për qind.

Gjermania shet më pak armë

Eksportet e armëve nga Gjermania kanë rënë – sipas këtij raporti – gjatë pesë viteve të fundit me 36 për qind, pavarësisht një kulmi në vitin 2016. Gjermania renditej në vitin 2011 e treta ndër eksportueset e armëve në botë, kurse tani është në vend të pestë pas Francës.

Gjatë periudhës së analizës nga viti 2012 deri më 2016 Gjermania ka eksportuar armë në 60 shtete. Kurse SHBA-ja eksporton armë në 100 vende të botës.

Sa i përket ndarjes së tregut SHBA eksporton kryesisht në vendet e Lindjes së Mesme, ku kanë shkruar rreth gjysma e eksporteve amrerikane të armëve. Kurse Rusia furnizon kryesisht Indinë, Vietnamin dhe Kinën.

India importuesja më e madhe

Azia, Oqeania dhe Lindja e Mesme janë importueset kryesore të armëve dhe të pajisjeve ushtarake. Importuesja më e madhe për periudhën 2012 – 2016 është India, importet e së cilës janë shtuar me 43 përqind. Edhe Vietnami ka importuar shumë armë. Në vendet e Azisë dhe të Oqeanisë nuk ka mekanizma rajonalë kontrolli dhe për këtë vendet e këtyre rajoneve po shtojnë arsenalet e armatimeve, thonë studjuesit e CIPRI-t. (dw)

Mediat në Maqedoni, përfshi ato shqiptare, donatorë të mëdhenj të partive politike

mediatProkuroria Speciale Publike (PSP) është duke hetuar disa media në Maqedoni të cilat kanë dhënë shuma të majme për partitë politike gjatë fushatave zgjedhore të mëhershme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas hulumtimit të përgatitur nga Nova Tv, janë duke u hetuar media që kanë lidhje me OBRM-PDUKM-në, LSDM-në dhe BDI-në, ndërkaq bëhet fjalë për 4.5 milionë euro. Më shumë donatorë ka patur OBRM-PDUKM-ja.

Nga të dhënat del se OBRM-PDUKM-ja ka marrë 3.648.000 euro donacione në vitin 2011 dhe 642.000 mijë euro në vitin 2013, kurse në vitin 2014 ka marrë 145.000 mijë euro. Donatorë më të mëdhej një këto zgjedhje kanë qenë Tv Sitel, Kanal 5 dhe Media Print Maqedonia.

Për LSDM-në në vitin 2011, Tv A1 ka dhuruar 90 mijë euro. Në vitin 2013, LSDM-ja ka marrë vetëm 690 euro nga firma Trendolend. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, LSDM-ja ka marrë 26.700 euro nga 24Vesti, Telma, Slloboden Peçat dhe disa media jo shumë të njohura.

Ndërkaq, BDi në vitin 2014 ka marrë 14.000 euro donacione nga Tv Uskana dhe Tv Koha.

Gjorge Ivanov në fushatën e tij zgjedhore në vitin 2014 ka marrë 48 mijë euro nga 38 media të ndryshme përfshirë media shqipare si Tv Koha, Tv Era dhe Tv Uskana. Kundërkandidati i tij, Stevo Pendarovski ka marrë 90 mijë euro donacione nga pesë media të ndryshme. Iljaz Halimi ka marrë 3200 euro donacion nga Tv Koha./Telegrafi/

Pse po tregohet i pafuqishëm Kuvendi i Kosovës?

kuvendi i ksVendimmarrja në Kuvendin e Kosovës është sfiduar seriozisht këto dy vitet e fundit. Kuvendi po përballet me mungesën e votave për marrjen e vendimeve për disa çështje të proklamuara si prioritete politike në nivel të Kosovës, siç është Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ndërlidhet me liberalizimin e vizave apo edhe me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Përderisa demarkacioni me Malin e Zi mbetet peng i mosmarrëveshjeve politike, jo vetëm ndërmjet forcave politike në pushtet dhe opozitë, por edhe ndërmjet vet partive në pushtet, çështja e ushtrisë së Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë dhe përfshirje të përfaqësuesve serb në vendimmarrje.

Kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ish-kryetari i këtij institucioni, Jakup Krasniqi ndajnë mendime të ndryshme pse legjislativi i tashëm po tregohet kaq i pafuqishëm në vendimmarrje.

Për kryekuvendarin Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, problemet burojnë te mungesa e një transformimi ekonomik, çka sipas tij do të ndikonte që politikanët dhe partitë politike të merreshin më shumë me çështjet zhvillimore të vendit dhe jo me politika të thata dhe arkaike.

Te çështja e demarkacionit, Veseli thotë se faji mbetet te pala kosovare që nuk ka arritur ta ratifikojë ende marrëveshjen me Malin e Zi.

“Demarkacioni duhet të përmbyllet, ngase kemi të bëjmë me një shtet fqinj i cili ka luajtur një rol pozitiv historik dhe aktual. Është çështje më shumë e egove dhe vonesave që vijnë më tepër për fajin e Kosovës”.

“Por, edhe ushtria e Kosovës edhe demarkacioni kalojnë kur kemi një shtet i cili ka institucione që e bazojnë funksionimin e tyre në shtetin ligjor, dhe të njëjtën kohë ka prioritet zhvillimin ekonomik, për arsye se këto ndërlidhen”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tani Kryetar i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma, thotë se rezultatet që po tregohen në legjislaturën aktuale, dëshmojnë për një joefikasitet që nuk është parë deri më tani në historinë e institucioneve dhe të shtetit të Kosovës.

“Problemet që janë krijuar nga koalicioni qeverisës dhe Qeveria, më pastaj janë bartur në Kuvend dhe në këtë legjislaturë, mund të them që Kuvendi, edhe pse numerikisht koalicioni ka më shumë se dy të tretat e deputetëve, vendimmarrja ka qenë ndër më të dobëtat dhe më të papërgjegjshmet në historinë e funksionimit të Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Puna e Kuvendit, monitorohet nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky Institut e ka vlerësuar si shumë të dobët punën e këtij institucioni dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet dhe çështjet tjera.

Albert Krasniqi nga ky institut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kuvendi u tregua i dobët, gjë që sipas tij, detyrimisht çon në konkludimin se ky legjislativ është jofunksional për të marrë vendime, si dhe i paaftë politikisht për të përmbushur mandatin e vet.

Instituti Demokratik i Kosovës ka konstatuar se Kuvendi është ballafaquar me mungesa të shpeshta të kuorumit, si në seanca ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve.

Shumica parlamentare dhe koalicioni qeverisës, sipas KDI-së, janë treguar të paafta politikisht për të trajtuar disa prej temave më të rëndësishme, siç është ratifikimi marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Marrë parasysh vështirësitë që po hasë në vendimmarrje, pritet që Kuvendi sfidën e radhës ta ketë në muajin mars, kur Qeveria pritet të riprocedojë për miratim Marrëveshjen përdemarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Nëse edhe atëherë dështon ta ratifikoj këtë marrëveshje, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, kanë paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme, mund të vinin si opsion për të dalë nga bllokada aktuale. (rel)

Koçijançiç kundër bojkotit të Parlamentit

KocijancicDuke folur në emër të Komisionit Europian, zëdhënësja e tij, Maja Koçijançiç është shprehur kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Demokratike.

Ajo u shpreh në një intervistë dhënë për TVSH se Komisoni mbështet vetëm debatin politik në Parlament dhe jo atë jashtë tij, që vetëm përkeqëson klimën politike.

“Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij. Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e  Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane”, deklaroi ajo.

Roli i Parlamentit është thelbësor në vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe vetë kjo e fundit për rrugën integruese të Shqipërisë. Për këtë, Koçijançiç kujtoi rekomandimin e Komisionit në nëntorin e shkuar.

“Është e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e Parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e  drejtësisë. Këto ndryshime kanë rëndësi thelbësore për të siguruar progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe siç e mbani mend, Komisioni rekomandoi në nëntor nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, subjekt i zbatimit të prekshëm e të besueshëm në reforma specifike dhe pikërisht reforma e drejtësisë është ajo që kam në ndërmend”, deklaroi ajo.

Zëdhënësja foli edhe për vërejtjet e LSI-së në lidhje me Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Siç e dini ngritja e bordit për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është diçka e diskutuar thellësisht në detaje me qeverinë shqiptare. Është dhënë shumë informacion mbi këtë dhe është ngritur në përputhje me legjislacionin përkatës dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe detyra e bordit është për të monitoruar procesin. Pra, është tejet e qartë dhe transparente”, deklaroi ajo.

Koçijançiç nuk komentoi kërkesën e Partisë Demokratike për qeveri teknike.

/ Top Channel

Meta përshëndet protestën e PD: Kërkesa për zgjedhjet, legjitime

MetaKryetari i LSI, Ilir Meta ka përshëndetur protestën e Partisë Demokratike, e cila është vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që prej ditës së shtunë.

“Çdo protestë qytetare është për t’u respektuar”, ka thënë Meta pasditen e së hënës.

Gjithashtu, partneri i koalicionit qeverisës ka shprehur mbështetjen për kërkesën e opozitës për garantimin e zgjedhjeve.

“Çdo kërkesë për zgjedhje të lira e të ndershme meriton vlerësim dhe dialog”, ka shtuar Meta.

/ Top Channel

Maqedoni: Biseda intensive ndërmjet partive për avancimin e gjuhës shqipe

bratstvo edinstvoNuk janë dhënë shumë hollësi nga rrjedha e bisedimeve që po zhvillohen prej më shumë se një jave ndërmjet Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, në koordinim me Koalicionin Aleanca për Shqiptarët, që ndërlidhet me avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave tjera të platformës së partive shqiptare, si kusht për të deponuar nënshkrimet e deputetëve shqiptarë për partinë e Zoran Zaevit.

Artan Grubi, shef i kabinetit te liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, për Radion Evropa e Lirë shkurt ka thënë se propozim-ligji i ofruar nga Këshilli i partive politike shqiptare është absolutisht në përputhje me Kushtetutën dhe se i njëjti është i pa kompromis.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë tha ndërkaq se grupet punuese intensivisht janë duke punuar në harmonizimin e qëndrimeve sa i përket ligjit që avancon përdorimin e gjuhës shqipe.

Osman Kadiu i cili është konsultuar si ekspert juridik, gjatë hartimit të propozim draftit të ligjit të gjuhës shqipe nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim, në bashkërendim edhe me Aleancën për Shqiptarët për Radion Evropa e Lirë zbulon se drafti i gjuhës shqipe mundëson avancimin e përdorimit të shqipes në jetën publike e politike në Maqedoni.

Kadriu thotë se në masë të caktuar është avancuar përdorimi i shqipes edhe në sistemin gjyqësor, megjithëse nuk mundësohet që proceset gjyqësore të zhvillohen në gjuhën shqipe për shkak se për këtë nevojitet ndryshimi i Kushtetutës.

“Unë do të thosha se vërehet një lloj avancimi juridik sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në draftin e propozuar nga partitë shqiptare. Në këtë rast unë do të theksoja dy-tre risi, që vërehet disponim dhe nga pala maqedonase që kryesuesi në seancat plenare nëse është shqiptar, të kryesojë në gjuhën shqipe; në Qeveri ajo që deri më tani nuk ka qenë, parashihet që anëtarët shqiptarë të mund të flasin në gjuhën shqipe; risi e veçantë sa i përket sistemit gjyqësor kemi tek noterët dhe më duhet të theksoj se ky propozim ishte në draftin e propozuar nga Lidhja Social Demokrate. Noterët në ato noteri ku janë shqiptarë dhe nëse palët janë shqiptarë, me kërkesë të palës, noteri aktin e solemnizimit, si dhe aktet tjera që i sjell në kuadër të kompetencave noteri shqiptar t’i lëshojë në gjuhën shqipe”, bën të ditur Osman Kadriu.

Ai tha se të dyja palët, si maqedonase dhe edhe shqiptare, kanë disponim pozitiv për të harmonizuar qëndrimet që të arrihet ujdi rreth ligjit për gjuhën shqipe.

Ndërkohë që partitë politike zhvillojnë bisedimet për ligjin e gjuhës shqipe, gjuhëtarët thonë se është më se e nevojshme që krahas ligjit që do të mundësojë përdorimin e gjuhës shqipe, me ligj të sigurohet dhe mbrojtja e shqipes gjatë përdorimit zyrtar, si dhe mekanizma që do të sanksionojnë ato institucione që do të pengojnë realizimin e kësaj të drejte nga ana e qytetarëve.

“Për fat të keq kjo çështje, do të thotë mbrojtja e gjuhës shqipe gjatë përdorimit zyrtar, nuk është parashikuar në deklaratën e partive politike shqiptare. Një ligj special përkatësisht një ligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe mund të sillet duke pësuar ndryshim ligji ekzistues për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, pra në të gjitha segmentet ku përdoret mbrojtja e gjuhës maqedonase duhet të shtohet dhe mbrojtja e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare”,thekson Dervish Alimi, ligjërues në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tetovës.

Ndryshe, pas dështimit të liderit të VMRO Nikolla Gruevski që të formojë Qeverinë, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov doli me qëndrimin sedo t`ia japë mandatin asaj partie politike që do të sigurojë shumicën parlamentare.

Pas kësaj, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kërkuar materiale të nënshkruara si garanci nga ana e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë për realizimin e kërkesave të shqiptarëve të inkorporuara në deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare për të deponuar deputetët shqiptarë nënshkrimin e tyre në mbështetje të mandatarit. (rel)

Sa realiste është frika e opozitës? -Fleckenstein në Tiranë

Para vizitës në Shqipëri (20.02), eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian thotë për Deutsche Wellen, se zgjedhjet e qershorit janë moment kyç për hapjen e bisedimeve.

Deputeti KnutKnut Fleckenstein

Zoti Fleckenstein, cili është qëllimi i vizitës suaj sot në Tiranë?

Knut Fleckenstein: Qëllimi është i trefishtë, së pari Parlamenti Europian sapo ka miratuar raportin e përgatitur prej meje. Për mua është e rëndësishme të flas me të gjithë aktorët aty, si shoqërinë civile ashtu edhe në politikë për të diskutuar për ato që thotë parlamenti. Këtë e pason qëllimi i dytë, natyrisht zbatimi konkret i reformës në drejtësi, kaq e rëndësishme për vendin, me qëllim që në vjeshtë të fillojmë, me shpresë, bisedimet e anëtarësimit. E treta lidhet me pritshmëritë tona lidhur me zgjedhjet, e në këtë kontekst do të kem me vete edhe rekomandimet e ODHIR-it.

Pas raportit tuaj duken se shanset janë shumë të mira…apo priten edhe zgjedhjet…

Po qe se fillohet me zbatimin e reformës në drejtësi, pra nëse vihet në lëvizje procesi i vetingut, shanset janë, sepse gati të gjitha fraksionet në parlament e kanë mirëpranuar se qeveria shqiptare dhe parlamenti kanë bërë shumë kohë e fundit për t’u zhvilluar në drejtim të Bashkimit Europian.

…por opozita në Shqipëri nuk e sheh kështu gjendjen. Të shtunën filluan protestat e opozitës që kërkojnë largimin e Ramës dhe qeveri teknike. Si i shikoni këto protesta. Opozita duket se nuk ka aspak besim tek kjo qeveri për zgjedhje të lira…

Opozita e ka gjithmonë një frikë të tillë para zgjedhjeve. Se sa realiste është kjo, për këtë dua të krijoj një përshtypje, kur të jem këto ditë në Shqipëri. Sigurisht do të takoj edhe përfaqësues të opozitës.

Palët politike nuk e gjetën gjuhën e duhur për reformën zgjedhore para zgjedhjeve. Problemet e zgjedhjeve e kanë shoqëruar demokracinë në Shqipëri gjithmonë, por kësaj here opozita ngre shqetësim të madh blerjen e votave, sipas saj me paratë e drogës dhe krimit. Këto janë akuza shumë të rënda…

Po, por kjo akuzë duhet të provohet fillimisht, e është gjithmonë e vështirë ta bësh këtë para zgjedhjeve. Por të gjithë ata që marrin pjesë në këto zgjedhje duhet ta dinë, se nëse këto zgjedhje nuk zhvillohen me korrektesë, atëherë do të ketë një problem për hapjen e negociatave me BE-në. Prandaj do të varet shumë nga ajo se sa palët në zgjedhje do t’i respektojnë rregullat e lojës që njihen në Europë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ky pretendim është i vjetër sa demokracia në Shqipëri, të dyja palët thonë duam zgjedhje të lira, të dyja akuzojnë njëra-tjetrën se nuk i respektojnë rregullat e lojës, se kanë bërë manipulime…

Po, e vërtetë, por duhet të themi se me kalimin e viteve ka pasur përmirësime, kësaj here është shumë e rëndësishme, prandaj do të dërgohen edhe shumë vëzhgues zgjedhorë nga vetë vendi, por edhe vëzhgues të huaj, të cilët do të ndjekin me shumë  kujdes se çfarë do të ndodhë para zgjedhjeve e në ditën e zgjedhjeve.

Pra vlerësimi i zgjedhjeve është moment vendimtar…

Natyrisht kjo është shumë e rëndësishme, nuk mund të fillosh me implementimin e reformës në drejtësi dhe të bësh zgjedhje jo demokratike dhe jo duke respektuar kriteret ligjore. Kjo do të ishte një shenjë, se Shqipëria nuk është ende gati për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e rëndësishme që në lista të mos gjenden kandidatë me të shkuar kriminale, të mos blihen votat. Para të atyre që kultivojnë drogën ka, këtë e di, por ato nuk duhet të përdoren për gjëra të tilla. Por kam edhe dyshime që ky është një problem vetëm i njërës anë. (dw / Lindita Arapi)