Florida: SpaceX lëshon me sukses raketën Falcon 9

Space XKomania SpaceX lëshoi me sukses raketën Falcon 9 nga Qendra për Hapësirën “Kennedy” në Cape Canaveral, Florida.

Raketa Falcon u lëshua të dielën nga vendi historik 39A, ku janë lëshuar gjatë viteve ‘60 shumë prej misioneve Apollo për në hënë, si dhe fluturime të tjera të programit tashmë të shpërbërë për anijet kozmike. Raketa mban brenda capsulën pa pilot Dragon, e cila mban ushqime dhe gjëra të tjera për astronautët e në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Nisja e së dielës erdhi vetëm pesë muaj pasi një raketë SpaceX shpërtheu në një vend lëshimi po në Cape Canaveral, duke shkatërruar një satelit komunikimi me vlerë prej 200 milionë dollarësh që do të përdorej nga Facebook-u. (voa)

Protesta, Basha: Nuk ka kthim pas

bashaNë Shqipëri, në ditën e tretë të protestës së opozitës përpara godinës së Qeverisë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se nuk do të ketë kthim prapa nga kërkesa për një qeveri teknike e cila të mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke folur nga tenda e madhe para zyrave të kryeministrit Edi Rama, ku që prej së shtunës mbështetësit e opozitë dhe udhëheqësit e saj qëndrojnë të mbledhur, zoti Basha theksoi se vendimi tanimë është marrë nga qytetarët. “Unë nuk kthehem nga kjo rrugë pa fitoren që ju kam premtuar: Zgjedhje të lira ka e do të ketë vetëm me një qeveri pa Edi Ramën kryeministër”, u shpreh zoti Basha.

Sot është 26-vjetori i rrëzimit në Tiranë të monumentit së ish diktatorit komunist Enver Hoxha, pas grevës së urisë të studentëve shqiptarë. Zotit Basha bëri një paralele mes zhvillimeve të asaj kohe dhe protestës së sotme të opozitës. “Më parë, studentët e dhjetorit dhe intelektualët ja dolën ti shkëpusnin të drejtën e pluralizmit politik, por për dy muaj me radhë kjo e drejtë mbeti nën hijen e diktatorit. Greva e urisë ishte kundër pluralizmit fasadë”, theksoi zoti Basha duke shtuar se “sot, jemi këtu sepse njësoj si para 26 vitesh bijtë e etërve duan të zëvëndësojnë demokracinë e vërtetë me një demokraci fasadë. Demokracia fasadë është e keqja të këqijave, sepse pas saj gëlojnë kriminelë me pushtetë, njerëz të dënuar për drogë prostituvion e vrasje, të cilët sot janë bërë deputetë e kryetarë bashkisë. Shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë, ekonomi fasadë, parlament fasadë. Shqiptarët janë ngritur për demokracinë dhe lirinë e vërtetë dhe kjo arrihet vetëm përmes zgjedheve të lira e të ndershme”, nënvizoi kreu i opozitës.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, ashtu si dhe dje në komunikimin e tij javor, ka përsëritur dhe sot se sipas tij “PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e rradhës, por ne s’kemi ç’bëjmë. Ata kërkojnë gjëra që nuk varen nga ne. Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bëjë me zgjedhjet të adresohet në komisionin e reformës zgjedhore. Madje kemi thënë se cdo kërkesë e opozitës për të cilën OSBE/ODIHR jep mbështje, ka automatikisht edhe mbështetjen tonë”.

Sipas kryeministrit qëllimi i vërtetë i opozitës, është bllokimi i Reformës në Drejtësi. “Bojtkoti i parlamentit është një mekanizëm i qartë për të bllokuar përzgjedhjen e komisioneve të vetingut, që duhet të fillonte javën e ardhshme. Formulat janë të tilla që të dyja komisionet e vetingut, qoftë shkalla e parë, qoftë Apeli. nuk formohen dot pa opozitën. Nëse bojkoti nuk do kishte ndodhur, mund të ishte e vështirë të provohej se protesta bëhet për të bllokuar vetingun. Por bojtkoti është prova që gjithcka ka të bejë me vetingun”, mësohet të ketë deklaruar zoti Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë së tij.

Situata e nderë politike koinçidon me vizitën që nis sot në Tiranë relatori për Shqipërinë në parlamentin europian Knut Fleckenstein. Procesi zgjedhor i qershorit ishte një nga pikat e rezolutës së miratuar javën e shkuar nga PE, dhe zoti Fleckenstein pritet të diskutojë me palët dhe për gjendjen e krijuar pas vendimit të opozitës për një qeveri teknike. (voa)

Burime britanike thonë se Rusia ishte pas komplotit kundër Gjukanoviçit

GjukanovicZyrarët britanikë besojnë se autoritetet ruse ishin organizatorët e një komploti në tetor të vitit të kaluar për të vrarë kryeministrin pro-perëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, siç njofton gazeta Telegraph e cila citon burime të qeverisë britanike.

Gazeta britanike njoftonte të dielën se zyrtarë të lartë britanikë besonin se kishte pasur një komplot për vrasjen e Gjukanoviçit dhe se Rusia e kishte organizuar në një mënyrë të tillë që nëse zbulohej, të fajësoheshin nacionalistë rusë.

“Bëhet fjalë për një komplot për të shkatërruar ose marrë nën kontroll një qeveri, në një mënyrë ose një tjetër. Është e vështirë të imagjinohet që të mos ketë pasur një proces autorizimi”, citonte gazeta një zyrtar të paidentifikuar.

Gazeta shkruante se agjencitë britanike dhe amerikane të zbulimit kishin mbledhur prova të përfshirjes ruse të niveleve të larta në komplotin kundër qeverisë malazeze.

Grupi i shtetasve serbë, që u arrestua nën dyshimet për përgatitje të sulmeve terroriste ka nënshkruar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë. Grupi prej 13 vetëve ka pranuar dënimet prej tre deri në pesë muaj burgim, ndërkaq që fjalën përfundimtare mbi marrëveshjet do ta japë Gjykata Supreme.

Bratislav Dikiqin, ish-shefin e xhandarmërisë serbe, e pret gjykimi, sepse sipas autoriteteve të vendit, ai është koordinatori kyç i aksionit para ndërtesës së Kuvendit ne Podgorice dhe ishte drejtperdrejt i lidhur me qarqet ruse per realizimin e grushtit të shtetit në Mal te Zi ne ditën e zgjedhjeve presidenciale.

Një prokuror i posaçëm në Mal të Zi tha në nëntor se një grup “nacionalistësh rusë” kishte planifikuar vrasjen e kryeministrit Gjukanoviç, për të sjellë në pushtet një parti opozitare, gjë që Moska e ka mohuar.

Sipas prokurorisë, ne grupin kriminal, kanë marrë pjesë dy shtetas rus Eduard Sirokov dhe Vladimir Popov per te cilët Mali i Zi kërkon ekstradimin.

Gjatë kohës se planifikimit të sulmit ata ishin në Beograd dhe janë marrë vesh me paramilitarin e njohur Aleksandar Sindjelic, i cili ka pranuar se sipas urdhrit të tyre ai ka rekrutuar njerëzit të cilët është dashur të mblidhen para Kuvendit, te shkaktojnë kaos, dhe dhunshëm të hyjnë në këtë institucion, të hapin zjarr naj publikut dhe më pas të likuidojnë kryeministrin e atëhershëm Djukanovic.

Moska mohoi çdo lloj përfshirjeje në komplot dhe partitë opozitare malazeze kanë thënë se ai ishte fabrikuar, duke akuzuar Gjukanoviçin se kishte përdorur shërbimet e sigurisë për të zgjeruar pushtetin e tij prej çerek shekulli.

Si pasojë e dyshimeve për implikim në këtë ngjarje, dy deputetëve të opozitës proserbe, iu hoq këtë javë imuniteti dhe prokurori publik paralajmëroi se ditëve të ardhshme do të ndiqen penalisht.

Javët e ardhshme pritet ekstradimi i dy shtetasve serb Nemanja Ristic dhe Predrag Bogicevic, të cilët akuzohet se kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e sulmit terrorist.

E pyetur për artikullin në gazetën Telegraph, Ministria e Jashtme britanike përmes një zëdhënëseje tha se Mali i Zi duhet të kryejë një proces gjyqësor kompetent, transparent dhe të vërë para drejtësisë të të dyshuarve për goditjen.

“Nëse kjo bëhet me sukses, do të ishte një hap madhor në bindjen e komunitetit n ndërkombëtar për një përparim të vërtetë në reformën për shtet ligjor në Mal të Zi dhe plotësimin e standardeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Kreu i agjencisë kryesore të zbulimit të brendshëm në Britani tha në nëntor se Rusia po përpiqej gjithnjë e më me më shumë agresivitet të impononte politikën e saj të jashtme, përfshirë përmes sulmeve kibernetike dhe spiunazhit, duke paraqitur një kërcënim në rritje ndaj Britanisë dhe pjesës tjetër të Evropës.

Moska e ka mohuar një gjë të tillë dhe e ka sfiduar Britaninë që ta mbështesë akuzën me prova konkrete.

Në të kaluarën Moska ka kritikuar ashpër hyrjen e Malit të Zi në NATO, dhe ka kërcënuar ish republikën jugosllave në mënyrë të hapur nëpërmjet zyrtarëve rusë, që të mos bashkohet me NATO-n.

Nderkohe, analistet vlerësojnë se Kremlini po e sheh veten të rrethuar nga një NATO që po zgjerohet, si dhe kishte shpresuar se do ta siguronte për vete qasjen në portin e njohur të Adriatikut, ne Tivarin e Malit te Zi. (voa)

A ka bota një kontinent të tetë?

Kontinenti i 8Bota mund të ketë 8 kontinente dhe jo shtatë sa ç’mendohet deri tani.

Studiuesit thonë se gjendet një kontinent i zhytur në jugperëndim të Oqeanit Paqësor, i cili duhet të konsiderohet si kontinenti i tetë.

Shkencëtarët po e quajnë atë Zealandia, në lidhje me emrin e pjesës më të madhe të kontinentit që ndodhet mbi nivelin e detit.

Sipas një hulumtimi mbi Zealandian, të botuar në revistën akademike të Shoqërisë Gjeologjike të Amerikës, studiuesit thonë se kontinenti është rreth dy të tretat e madhësisë së Australisë, rreth pesë milionë kilometra katrorë.

Por vetëm gjashtë për qind i tiji është mbi nivelin e detit, pjesa më e madhe e kësaj është Zelanda e Re, Kaledonia e Re dhe disa ishuj të vegjël.

Sipas autorit kryesor të studimit, Nick Mortimer, do të jetë e vështirë për ta klasifikuar Zealandian si kontinent, sepse është nën ujë.

Tradicionalisht, Zelanda e Re ka qenë lidhur me kontinentin e Australisë.

Edhe pse ne zakonisht mendojmë se kontinentet duhet të jenë mbi nivelin e detit, studiuesit thonë se kontinenti i ri i plotëson kërkesat e tjera për titullin, duke përfshirë: lartësi mbi zonën përreth, gjeologji të veçantë, një zonë të përcaktuar mirë dhe sipërfaqe më të trashë sesa fundi i oqeanit, njofton BBC-ja.

Zealandia u emërua për herë të parë në vitin 1995 nga shkencëtari amerikan Bruce Luyendyk. (voa)

Konferenca e Sigurisë: Skenë e politikës botërore

MCSMynihu mburret me dëshirë si “Qytet botëror me zemër” -Nga data 15-17 shkurt Mynihu kthehet në qytet të diplomacisë, si çdo shkurt. Të premten Konferenca e Sigurisë në Mynih e kthen hotelin luksoz, Bayerischer Hof në një lloj asambleje të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Të mbrojtur nga 3.700 policë, të vëzhguar nga 1000 gazetarë nga e gjithë bota, elita ndërkombëtare e politikës së sigurisëtakohet në Mynih për të 53-n herë. Drejtuesi i Konferencës Wolfgang Ischinger thekson se “mes të ftuarve kemi presidentin e Afganistanit, presidetin ukrainas, Poroshenko, atë polak, Duda.” 47 ministra të Jashtëm priten në këtë konferencë, përfshirë ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, Boris Johnson nga Britania e Madhe, ministrin e Jashtëm iranian, Zarif, por ashtu edhe ministra të Mbrojtjes nga 30 vende. Nga Shqipëria merr pjesë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kosova përfaqësohet në Mynih në nivel të lartë, me presidentin, Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Sytë tek SHBA

Në Mynih i kanë drejtuar sytë të gjithë tek SHBA, dhe qeveria e re. Si do të pozicionhet superfuqia perëndimore nën presidentin, Donald Trump. Në Mynih shpresohet të krijohen lidhjet e para. Konferenca e Sigurisë do të jenë skena e parë, ku do të ngjiten anëtarët e rinj të ekipit Trump. Zëvendëspresidenti, Mike Pence do të jetë në Mynih, ministri i Mbrojtjes, James Mattis, ai i Mbrojtes së Atdheut, John Kelly, përveç kësaj në konferencë marrin pjesë edhe senatorë, si republikani John McCain, një nga kritikët më të fortë të Donald Trump.

Kryeredaktorja e revistës gjermane “Politika Ndërkombëtare”, Sylke Tempel e sheh si shenjë të rëndësishme, që SHBA ka dërguar këtë herë në Mynih delegacionin më të madh, shenjë kjo, se i jepet rëndësi shkëmbimit të qëndrimeve me europianët. Politologja mendon, se në Uashington ka një përplasje mes atyre që duan ruajtjen e rendit aktual -ku bën pjesë ministri i Mbrojtjes, Mattis, dhe atyre që duan ndryshime radikale, si Stephen Bannon. Mynihu është një mundësi për të kuptuar se ku jemi, thotë Tempel.

Autokratët në Mynih – Kontrolli që të bën realiteti

Sipas kryeredaktores Sylke Tempel interesante në Mynih është të shohësh, se si “liderë nga shtete autoritare duhet të kalojnë nëpër kontrollin që të bën realiteti.” Kur thuhet, se në botën tuaj, ju mendoni se çdo gjë është në rregull, por ka edhe shqetësime serioze, që nuk janë të parëndësishme, e me këtë, ju duhet të përballeni.”

Konfrontimi i qëndrimeve të ndryshme si në çështjen e Ukrainës pritet të jetë pjesë e konferencës. Ministri i Jashtëm, Lavrov do të ndeshet aty me presidentin ukrainas, Poroshenko. Por tensione mund të ketë edhe të dielën paradite, kur të ngjitet në podium për të dhënë deklarata e përgjigjur pyetjeve, ministri izraelit i Mbrojtjes, Lieberman, ministri i Jashtëm saudit, Al-Juber dhe në fund ai iranian, Zarif. Sipas drejtorit të Institutit Suedez të Paqes (SIPRI), Dan Smith, Lindja e Mesme është një rajon, ku ka pasur ndryshime të mëdha nga konferenca e fundit. “Orientimi strategjik i Lindjes së Mesme ka ndryshuar, së paku për momentin: Rusia ka një rol më të rëndësishëm se më parë, edhe Irani po ashtu. Arabia Saudite ka kaluar dukshëm në defensivë”, analizon Smith për Deutsche Wellen. Ai mendon se “SHBA duhet të marrin disa vendime këtu, se si duhet të reagojnë për këtë, po ashtu edhe europianët, sepse ky rajon është direkt para pragut të tyre.” Pyetja që i intereson ekspertit Smith në këtë konferencë është: Do të angazhohen fuqitë e mëdha për rendin botëror të bazuar në rregullat të caktuara, apo do të dominojnë interesat e veçanta. (dw)

Gjelbërimi i Tiranës, Veliaj: 8 mijë pemë dhe 32 mijë bimësi

veliaj trNë më pak se një vit në Tiranë janë mbjellë 8 mijë pemë dhe 32 mijë bimësi në të gjitha parqet dhe rrugët ndërsa Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030.

Në analizën vjetore të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, kryebashkiaku Veliaj tha se vetëm në Parkun e Liqenit janë mbjellë 1 mijë pemë në muaj, duke e shndërruar në destinacionin më të vizituar nga qytetarët.

“Mezi pres që traditën e mbjelljes së pemëve ta kalojmë në një operacion gjigant të pyllëzimit të Tiranës dhe të oksigjenimit të qytetit. Ndaj, unë besoj se mënyra se si kemi filluar të identifikojmë perimetrin rreth e rrotull Unazës së Madhe të Tiranës për mbjelljet, është mënyra e duhur për të ecur përpara. Tashmë kemi një pjesë të parcelave që preken nga parqet dhe një pjesë tjetër që është në zonën e Tiranës urbane ku ne do të fillojmë të gjithë investimin e pyllit orbital”, tha Veliaj.

Së shpejti kryeqytetasit do të mund të vizitojnë edhe parkun e Vaqarrit, atë të Pezës si dhe liqenin e Farkës, për të cilat punimet ende vijojnë. Veliaj u ndal edhe tek ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijëve, duke i cilësuar debatet politike, për të, të padrejta.

“Ky park, në fakt, sa ç’është dëshmitar i punës është dëshmitar i disa betejave histerike që sot të bëjnë për të qeshur. Por kur kujton ato ditë, në fakt nuk ishte fare për të qeshur. Do hyjë në histori se si mund të bësh politikë me çfarëdolloj gjëje. Ja ku jemi sot, s’ka as pallate, as kafe, as çudira të kësaj natyre”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Tirana ende ka nevojë për përmirësimin e transportit publik, ndonëse u shpreh i kënaqur për faktin që qytetarët kanë nisur të përdorin më shumë biçikletën.

“Do të vazhdojmë gjithë vitin për kthimin në binarë të rregullit të transportit publik në Tiranë. Lajmi i mirë është se për herë të parë në historinë pas viteve ’90 kemi më shumë njerëz që  ecin,  që përdorin  biçikletën,  apo  transportin publik,  se  ata që  përdorin makinën. Po çështja është se ky është një trend që duhet mbajtur”, shtoi Veliaj.

/ Top Channel

Maqedonia drejtë ndarjes, Parlamenti shqiptar ide që po gatuhet

flamuj RM ALBNë kohën kur partitë maqedonase po shprehin hamendje dhe rezerva për platformën shqiptare, gjithnjë e më tepër po dalin në pah alternativa tjera për zgjidhjen e cështjes shqiptare në Maqedoni.

Jo rallë herë, nga protagonistë të forcave politike por edhe analistë politik dëgjohet plani B, ose ideja e federalizimit apo ridefinimit të Maqedonisë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Më i zëshmi në këtë drejtim është lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili ka deklaruar se, nëse maqedonasit nuk e pranojnë gjuhën shqipe, shqiptarët do ta krijojnë Parlamentin e tyre në Maqedoni.

“Ne do të largohemi nga ai parlament dhe do ta bëjmë parlamentin e shqiptarëve e më pas vet do ta zyrtarizojmë gjuhën shqipe aty ku janë shqiptarët”, është shprehur Ziadin Sela.

Profesori dhe analisti i njohur kosovar, Avni Mazrreku në një deklaratë për agjencinë e lajmeve INA thotë se, Maqedonia s’mund të mbijetoj pa shqiptarët.

Sipas tij, shqiptarët etnik  si taksapaguesit më të mëdhenjë mbajnë gjallë ekonominë  dhe stabilitetin e Maqedonisë.

“Më shumë se gjysma e arkës së buxhetit të shtetit mbushet nga shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe në diasporë. Ata kontribuojnë në stabilitetin makro dhe mikro ekonomik të këtij shteti. Ndërsa cfarë marrin si kundërshpërblim? Pothuajse asgjë. Dhe kjo vërtetohet shumë lehtë nëse shohim dallimet në zhvillim mes rajoneve shqiptare dhe atyre maqedonase”, shprehet Mazreku.

Ai kërkon bojkotimin e shtetit maqedonas, nëse vazhdon të refuzoj realizimin e të drejtave fundamentale të shqiptarëve.

Sipas tij, edhe partitë politike shqiptare  janë fajtore për situatën e rëndë të shqiptarëve në këtë shtet.

“Partitë shqiptare  kanë rol negativ në Maqedoni. Ato ndihen inferiore dhe nuk artikulojnë si duhet kërkesat e shqiptarëve të cilat duhej të reflektonin në aspektin social, ekonomik e më gjerë. Nëse ndonjë lider shqiptar në Maqedoni, u bën thirrje shqiptarëve që mos ta paguajnë tatimin në shtet, Maqedonia nuk do të mbijetonte”, thekson Mazrreku.

Sipas tij,  70 për qind e tatimeve në Maqedoni vijnë nga shqiptarët, derisa shqiptarëve u jepet vetëm 3 për qind.(M.Pajaziti/INA)

Shqiptarët as 5 % në kompanitë private T-Mobile, EVN, One-Vip dhe në banka

shallterShqiptarët nuk janë as 5 për qind të punësuar në kompanitë e njohur publike, por edhe në sektorin bankar, informon INA. Kjo përqindje është skandaloze dhe se bëhet e ditur sipas një hulumtimi të bërë në bazë të dhënave jozyrtare të siguruara nga këto kompani.

Përqindja më e keqe është në T-Mobile dhe One-Vip ku përqindja nuk mbërrinë as 3 për qind, ndërsa përqindje më e lartë është në EVN Maqedoni.  Po ashtu niveli i ulët është edhe në sistemin bankar, gjegjësisht në të gjitha bankat e vendit. Disa prej bankave si UniBank, Komercijalna, Ohridska Banka dhe Sparkasse bank kanë vetëm përfaqësim tejet simbolik të shqiptarëve, ndërsa në disa filiale të tyre nuk ka as edhe një shqiptarë. (INA)

Përpjekjet për formimin e qeverisë në Maqedoni

Ali ZaevKryetari i Lidhjes Social-Demokrate në Maqedoni, Zoran Zaev i cili pretendon të marrë mandatin për formimin e qeverisë, tha sot se kishte pranuar shkresën nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe se partia e tij po e analizon përgjigjen e partisë shqiptare.

Zoti Zaev priste të sigurojë nënshkrimet e dhjetë ligjvënësve të BDI-së, të cilat do t’i mundësonin marrjen e mandatit. Sa i përket këmbënguljes së BDI-së dhe partive të tjera shqiptare që gjuha shqipe në Maqedoni të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në nivel të pushtetit qendror dhe në të gjithë vendin, Zaev la të kuptohej se për partinë e tij gjithçka që është brenda kornizave kushtetuese është e pranueshme. “Por do të shqyrtohet nëse kërkesat kanë të bëjnë me nevojën reale dhe praktike të përdormit, si për komunitetin shqiptar, po ashtu edhe për secilën pakicë tjetër etnike”, tha ai.

As Lidhja Social Demokrate e as Bashkimi Demokratik për Integrim nuk japin hollësi mbi përmbajtjen e dokumentit të BDI-së, për çka janë konsultuar ekspertë ligjorë mbi avancimin, sidomos, të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Maqedonia ende nuk po arrin të formojë qeverinë që prej zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Votat e deputetëve të BDI-së në parlament janë vendimtare për këtë. Por, me gjasë, qëndrimet e kësaj partie, sipas analistëve, duket se po e çojnë vendin drejt formimit të një qeverie të gjerë, gjithpërfshirëse dhe drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. (voa)

Bushati: Dialogu Kosovë-Serbi të rivlerësohet

BushatiZëri i Amerikës: Zoti Ministër, Kosova feston 9 vjetorin e Pavarësisë së saj por këtë herë në një situatë jo fortë të qetë, nëse i referohemi zhvillimeve të fundit. Në vlerësimin tuaj, a ka rrezik që kjo situatë të përkeqësohet? Dhe çfarë ka bërë apo mund të bëjë Shqipëria?

Ministri Bushati: “Gjatë këtyre 9 viteve, Kosova ka bërë hapa përpara drejt procesit të shtetndërtimit demokratik dhe fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar në rast se do t’i referohemi njohjeve ndërkombëtare. Kosova është sot prezente në shumicën e forumeve rajonale dhe platformave më të rëndësishme. Por nga ana tjetër nuk mund të mohohet fakti që është i vetmi vend, shtetasit e të cilit nuk lëvizin dot pa viza në hapësirën Schengen. Sikundër, procesi i dialogut i nisur para pak vitesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, duket se ka ngecur dhe nuk ka prodhuar frytet që të gjithë do të dëshironin.

Në këtë kontekst, mendoj se është e rëndësishme së pari të kemi një rivlerësim për sa i përket objektivave dhe çështjeve me të cilat do të duhet që të diskutohet në Bruksel. Sepse në Bruksel, nuk mund të diskutohet thjesht dhe vetëm Kosova. Dialogu duhet të jetë një proces i dyanshëm ku edhe Kosova do të duhet të ketë çështjet e saj konkrete përkundrejt Serbisë, në të cilat, Bashkimi Evropian do të duhet të luaj një rol më të përcaktuar dhe më të vendosur. Nga ana tjetër, mendoj se ky proces do të duhet të ketë një shpirt më të madh politik, t’i krijojmë një mundësi më të madhe Kosovës, për t’u anëtarësuar në disa prej organizmave ndërkombëtarë më të rëndësishëm në të cilët Kosova nuk është ende anëtare.

Roli i Shqipërisë është i qartë, është konsistent, në mbështetje të dialogut, në mbështetje të procesit të shtet-ndërtimit, të shtet-konsolidimit të Kosovës dhe në mbështetje të stabilitetit demokratik në rajon. Mos të harrojmë se prezenca më e madhe e NATO-s, sot për sot është në Kosovë, çka është dëshmi e rëndësisë që Kosova ka hapur përsa i përket stabilitetit rajonal dhe arkitekturës së sigurisë europiane”.

Zëri i Amerikës: Nuk janë vetëm marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës që po shqetësojnë sot Ballkanin. Kemi një krizë të tej zgjatur politike në Maqedoni. Qeveria e re ende nuk po formohet. Shqipëria ndërkohë është akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Akuza të tilla janë artikuluar dhe ministria e Jashtme ruse. Ju si e shikoni situatën dhe zhvillimet e fundit atje?

Ministri Bushati: “Pozicionimi i Shqipërisë ka qënë i qartë që në krye të herës. Nuk ka një vend më mik dhe më dashamirës se Shqipëria përkundrejt Maqedonisë. Nuk ka një vend që të jetë më i interesuar në rajon për integritetitn territorial të Maqedonisë, për stabilitetin demokratik dhe për harmoninë ndërfetare. Ne kemi mbështetur platformën e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si një platformë e cila do të duhet të sigurojë, sepse tashmë është e vonuar, barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Sepse është e rëndësishme jo thjesht të thuhet, por edhe të pranohet dhe të jetësohet në praktikë ajo që pak a shumë përcaktohet në platformë, pra shqiptarët si një popullsi shtet-formuese në Maqedoni.

Së dyti, si një vend anëtar i Nato-s, na intereson dhe mbështesim perspektivën euroatlantike të Maqedonisë, e cila natyrisht kalon përmes procesit të dhimbshëm të reformave shtet formuese. Ne, vetë në Shqipëri jemi përfshirë në një reformë kirurgjikale në institucionet e shtetit të së drejtës, ndaj e mbështesim reformën në sistemin e drejtësisë, reformën e institucioneve të shtetit të së drejtës edhe në Maqedoni, sepse e konsiderojmë si një mundësi për më shumë siguri demokratike jo thjesht në vendin mik të quajtur Maqedoni, por si një investim për sigurinë demokratike në rajon.

Së treti, na intereson europianizimi i fqinjëve, siç na intereson europianizimi i shoqërisë tonë, sepse rruga jonë e përbashkët është anëtarësimi në Bashkimin Europian përmes mbështetjes që marrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian. Dhe harmonia ndëretnike, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi, janë disa çështje të rëndësishme të cilat nuk mund të anashkalohen.

Për fat të keq, kam dëgjuar politikanë të ndryshëm në Maqedoni që nuk e mohojnë nënvleftësimin e tyre për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni duke i konsideruar thjesht si punëtorë sezonalë, duke akuzuar Shqipërinë, Kosovën, apo faktorin shqiptar në përgjithësi, për të ashtuquajturën ndërhyrje në punët e brendshme. Besoj se është koha që të ecet përpara dhe të dilet nga kriza dhe mendoj se shqiptarët në Maqedoni kanë ofruar një platformë solide për një bashkëjetesë më të mirë për një implementim më të mirë të marrëveshjes së Ohrit, të marrëveshjes së Përzhinos dhe për ç’kyçjen e Maqedonisë nga rrethi vicioz e afrimin e saj me rrjedhat Euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Para pak ditësh ju morët pjesë në një takim së bashku me ministrant e Jashtëm të Malit të Zi dhe Kroacisë, në Split. Çfarë përfaqëson kjo Trilaterale? Cili është synimi i saj?

Ministri Bushati: “Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi kanë një interes strategjik përsa i përket zhvillimeve në Europën Adriatike, si tre vende që kanë dalje në Adriatik. Janë tre vende të cilat janë anëtare të Nato-s, edhe Mali i Zi për pak kohë besojmë se do të jetë vend anëtar i Nato-s. Kemi pra dy vende Shqipëri e Kroaci dhe Mali i Zi që është në fazën e fundit të anëtarësimit. Janë tre vende që dallohen për sa i përket përcaktueshmërisë së tyre në politikën e jashtme dhe në çështjet e sigurisë, krah për krah me SHBA-të dhe BE-në, çka nuk është rasti për të gjitha vendet e rajonit. Janë tre vende të cilat kanë një angazhim konkret në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit. Janë tre vende të cilat kanë investuar në çështjet e sigurisë duke prodhuar më shumë siguri për një rreze më të gjerë sesa Ballkani Perëndimor.

Në këtë kontekst, ne kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët, kemi krijuar një mekanizëm sipas të cilit do të takohemi dy herë në vit në formate të ndryshme, dhe do të krijojmë mundësinë për projekte të përbashkëta, për qëndrime të përbashkëta dhe për demarshe të rakorduara brenda suazës së NATO-s, organizmave të tjera ndërkombëtare, për të qenë një front në çështjet e sigurisë dhe projektet zhvillimore për sa i përket hapësirës Adriatike. E çmojmë të pazëvendësueshëm rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces dhe kemi kërkuar gjithashtu që të kemi një format rakordimi, pra tre vendet e Adriatikut edhe me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pikërisht për të diskutuar këtë çështje”.

Zëri i Amerikës: Meqënëse jemi te administrata e re amerikane. Duket sikur ka një koincidencë mes rritjes së tensionit në disa zona të Ballkanit dhe ardhjes së administratës së re amerikane të Presidentit Trump. Ndërkohë është hapur dhe një debat mbi rolin e ardhshëm të Amerikës në rajonin tonë, sikundër ka pasur kritika apo dhe pakënaqësi, nga disa segmente të politikës, në disa vende, në Maqedoni apo dhe Shqipëri, ndaj ambasadorëve amerikanë dhe rolit të tyre ns këto vende. Në vlerësimin tuaj si do të ndikojë ndryshimi administrates së SHBA-ve, qoftë në raportet bilaterale, qoftë dhe kundret rajonit të Ballkanin?

Ministri Bushati: “Për fat të keq, edhe në këtë rast, Ballkani e e vërtetoi që mund të prodhojë më shumë histori se sa mund të konsumoni. Dhe të gjithë këtë lloj diskutimi, debate, spekulimi, apo në disa raste keqinformimi e disinformimi në portale nga më të ndryshmet, do ta konsideroja si një furtunë në gotë. Sepse, duket se, që nga shembja e regjimit komunist, nuk kemi nxjerrë mësimin e duhur kur diskutojmë me administratën, kryesisht me administratën amerikane, për sa i përket disa politikave të cilat janë të pazëvendësueshme dhe nuk varen nga individë që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kontekst, mendoj që mësimi numër një që nuk kemi nxjerrë, duket që është ai që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqëson politikën zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mësimi numër dy, që duket që nuk e kemi nxjerrë mirë është që reforma në drejtësi, reforma në shtetin e së drejtës, e cila duhet të jetë e thellë dhe kirurgjikale, buron nga nevoja jonë si shoqëri për t’u demokratizuar, nga nevoja jonë si shoqëri për të thithur investime serioze, nga nevoja jonë si shoqëri për të ndërtuar një shoqëri ku sundon e drejta dhe jo një shoqëri ku mund të sundojë tregu. Në këtë kontekst mbështetja e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësimi i linjës zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ambasadori në Shqipëri, Maqedoni apo vende të tjera të rajonit, është një vlerë dhe një mbështetje për të gjithë këtë proces të vështirë të demokratizimit në të cilin po kalon rajoni ynë.

Është e vërtetë që bota duket sikur ka dalë nga shinat dhe ndoshta jemi drejt krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar, por nuk duhet të harrojmë asesi, që vlerat e liberal-demokracisë dhe beteja për vlerat e liberal-demokracisë, kanë qenë betejat në të cilët shqiptarët përgjithësisht kanë fituar. Kujtoj këtu rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në 99-tën e cila ishte një betejë për vlera, parime, një luftë më qëndrime etike dhe jo e nxitur nga interesa të caktuara gjeopolitike, që bëri që shqiptarët të jenë në anën e duhur të historisë. Ndaj, nuk është aspak me vend që të bëjmë spekulime. Për ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një partner i pazëvendësueshëm, jo thjesht në Shqipëri por në Evropën Adriatike, në Evropën Juglindore dhe besojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe përmes këtij procesi të vështirë reformash, mbeten avokati kryesor i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. (voa)