BonnMe takimin e ministrave të Jashtëm në Bonn (16-17.02) hapet sipari i samitit të 20 vendeve më të industrializuara, presidencën e radhës e mban kësaj here Gjermania me synime mjaft ambicioze.

Pasiguria dhe trazimi po përhapen në botë. Jo vetëm me ardhjen në post të Donald Trumpit por shumë gjëra të vëtëkuptueshme janë vënë papritur në pikëpyetje. G20 është një forum i rëndësishëm për të debatuar për këto dhe Gjermania mban nga 1 dhjetori presidencën e radhës.

Afrika – si pikërëndesë

Gjermania ka përgatitur një program ambicioz. Krahas temave të njohura si tregtia e lirë, rregullimi i tregjeve financiare, mbrojtja e klimës, bëhet fjalë edhe për luftën kundër terrorizmit, epidemive, dhe zhvillimet në politikën ndaj refugjatëve. Gjermania dëshiron të bindë vendet e G20-s për të luftuar më shumë shkaqet e emigracionit. Gjatë kësaj presidence për këtë arsye Gjermania ka vendosur si pikërëndesë Afrikën, për zhvillim të qëndrueshëm në këtë kontinent, dhe krijimin e shanseve për rajonin afrikan që deri në vitin 2050 do të numërojë 2 miliardë banorë.

Claudia Schmucker nga Shoqëria Gjermane për Politikën e Jashtme, DGAP mendon se njohja dhe shkëmbimi i opinioneve janë traditë e takimit të G20-s. “Por në këtë rast ky takim merr një rëndësi të veçantë, sepse është kontakti i parë me SHBA për të kuptuar se ç’qëndrim kanë ata mbi temat e G20-s.” Presidenti Donald Trump ka qenë kritik ndaj tregtisë së lirë dhe ndjek kursin e proteksionizmit.

Takim në kohë krize

Për eksperten gjermane, Claudia Schmucker presidenca gjermane ka ardhur në kohë jo të mira. “Ekonomia botërore nuk është në gjendje të mirë. Kemi një president të ri amerikan, tek i cili nuk dimë, se si duhet të sillemi me SHBA-n si partnere. Kemi një samit të hershëm në korrik, sepse në shtator në Gjermani zhvillohen zgjedhje”, thotë Schmucker duke theksuar se të gjitha këto ta bëjnë të vështirë marrjen e vendimeve të rëndësishme. Për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-s në Bonn janë paralajmëruar protesta. Por edhe në Hamburg, ku mbahet samiti kryesor priten shumë mitingje. (dw)

Lavdata dhe inkurajime për Shqipërinë

Parlamenti Evropian në raportin e fundit vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për reforma. Por kërkohen përparime të tjera konkrete.

PENë qershor të vitit 2014 Shqipëria e ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por ky ishte vetëm fillimi i rrugës drejt anëtarësimit. Predispozita aktualisht është pozitive: shumica e madhe e eurodeputetëve (546 pro, 85 kundër dhe 62 abstinime) e miratuan në Strasburg raportin e eurodeputetit Knut Fleckenstein (SPD), për përparimet e bëra në Shqipëri dhe pa asnjë kufizim e kanë mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Por negociatat për anëtarësim mund të fillojnë vetëm kur të “ofrohen dëshmi konkrete për përparimet e bëra në reformën e drejtësisë, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit‟, thuhet në raport.

Vlerësimi i procesit nga Parlamenti mbështetet tek raporti i Komisionit të BE-së. Në këtë kuptim, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka kërkuar vazhdimin e reformave. Ai ka përshëndetur fillimin e reformës në drejtësi dhe për këtë Shqipëria meriton vërtetë një vlerësim, tha Hahn në Strasburg. Por “tani është shumë me rëndësi që të fillojë i ashtuquajturi proces i verifikimit të autoritetve të drejtësisë”. Një temë e nxehtë: autoritetet e pavarura duhet të sigurojnë një transparencë dhe ushtrimin e denjë të detyrës në gjykata dhe prokurorinë e Shqipërisë, për të cilën kanë rënë dakord partitë politike me BE-në, në verën e vitit të kaluar. Gjykatësit duhet t’i nënshtrohen evaluimit në punën e tyre nga ekspertët evropianë. Nga zbatimi i shpejtë i reformës në drejtësi varet edhe funksionimi i shtetit juridik si dhe stabiliteti ekonomik dhe investimet e huaja në Shqipëri, tha Hahn. Ndërsa raportuesi Fleckenstein pohon: „Pa një verifikim serioz të anëtarëve të drejtësisë nuk mund të ketë as reformë serioze juridike‟.

Zgjedhjet parlamentare si provë

Por jo vetëm agjenda e reformave në fushën e drejtësisë dhe funksionimi i shtetit juridik janë një mollë sherri mes partive më të mëdha në Shqipëri. Një problem shumë i madh janë edhe grindjet e brendshme, që kanë ndikuar në shtyrjen tri herë të fillimit të negociatave BE – Shqipëri, para vitit 2014. Shumë eurodeputetë kanë theksuar gjatë debatit në Strazburg se zgjedhjet e reja në Shqipëri, në qershor të këtij viti, do të jenë “vendimtare” për të ardhmen evropiane të këtij vendi. Ata kanë theksuar domosdoshmërinë e një vlerësimi pozitiv të zgjedhjeve nga OSBE-ja. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me ditën e zgjedhjeve, theksoi sllovenja Tanja Fajon. „Në periudhën e zgjedhjeve humbet shumë kohë, e cila mund të shfrytëzohet për reforma. Unë pres që Shqipëria t’i mbetet besnike kursit të reformave edhe në kohën e zhvillimit të procesit të zgjedhjeve‟, thotë Fajon, në bisedë me Deutsche Welle-n. Veçanërisht e rëndësishme është që të gjitha partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe që të mos përdorin lojërat e vjetra për pushtet, siç është për shembull, bojkotimi i punës së Parlamentit.

Për Partitë Evropiane Popullore (EVP), të cilat prej vitit 1999 paraqesin grupin më të madh të eurodeputetëve, të udhëhequr nga Eduard Kukan, Shqipëria duhet të ofrojë dëshmi konkrete për reforma. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një test për funksionimin e demokracisë në vend. Lavdata në drejtim të Tiranës ka edhe Kukan. “Është shumë mirë që Shqipëria po bën gjithnjë e më shumë përparime drejt integrimeve evropiane. Shpresoj që ajo do të vazhdojë këtë rrugë”, theksoi Kukan.

Termini i fillimit të negociatave ende nuk dihet

Shqipëria është vlerësuar pozitivisht edhe për shkak të përmirësimit të raporteve me vendet fqinje. Shqipëria dhe Serbia janë të angazhuara për përmirësimin e raporteve. Por eurodeputetët kanë paralajmëruar për mospajtimet mes Shqipërisë dhe Greqisë. PE ka kërkuar nga të dy palët që të heqin dorë nga masat apo deklaratat që mund të kenë pasoja negative.

Etapa tjetër në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së është caktimi i datës për fillimin e negociatave për anëtarësim. Raportuesi Fleckenstein do të donte që kjo të ndodhë sa më parë. Në konkludimin e tij thuhet se BE do të duhet të fillojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në momentin kur të nisin hapat e parë në zbatimin e reformës së drejtësisë, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. (dw)

Lufta për demokracinë në Rumani

Dhjetëra mijëra vetë demonstrojnë prej dy javësh në Bukuresht kundër korrupsionit dhe qeverisë social-liberale. Besueshmëria tek politika është tronditur më thellë se mendojnë qeveritarët.

RumaniNga strehët e Bukureshtit varen kërcënueshëm hejet e akullit. Bora dhe ngrica i bëjnë disa rrugë të pakalueshme. Autoritetet pastrojnë vetëm bulevardet kryesore nga bora. Qeveria duket se ka shqetësime të tjera, më të mëdha. Ajo ka humbur shumë nga besimi i votuesve, që solli një revolucion të kadifenjtë, që ka përfshirë të gjithë vendin. Në sheshin Piata Victoriei, sheshi i fotres grumbullohen dhjetëra mijëra vetë darkave për të protestuar paqësisht kundër qeverisë së kryeministrit Sorin Grindeanu dhe planeve të tij për të zbutur ligjet kundër korrupsionit.

Protestë e pandalshme e qytetarëve të zemëruar

Demonstruesit duan të shprehin pakënaqësinë, megjithëse qeveria nën presionin e rrugës i tërhoqi ndërkohë rregulloret e miratuara me nxitim, që do të dekriminalizonin keqpërdorimin e postit dhe do të nxirrnin jashtë loje shtetin ligjor. Partia populiste qeverisëse, PSD dhe kreu i saj i dënuar për manipulim zgjedhor, Liviu Dragnea e larguan fillimisht nga detyra ministrin e Drejtësisë, por besimi nuk është rikthyer. Besueshmëria tek politika është tronditur më thellë se paramendojnë Dragnea e përkrahësit e tij. Protestuesit janë nga të gjitha moshat, të rinj, në moshë të pjekur, aty sheh baballarë me fëmijë në supe, pensionistë, njerëz me karrige invalidi. Gruppe të tëra bashkohen dhe fotografohen nga gazetarët e huaj.

Lista e gjatë e kërkesave

Ioana, Elena dhe Catalin tregojnë një letër, ku janë renditur tetë kërkesa. Ato i rendisin me krenari pikat: „Asnjë qeveri nuk duhet të nxjerrë më një ligj të tillë. Ato kërkojnë „transparencë përmes „e-government‘”, një avovat të popullit me prestigj të vërtetë, „që është aty për njerëzit e thjeshtë”. Zyrat publike duhet të depolitizohen, personat, kundër të cilëve janë zhvilluar procese gjyqësore nuk duhet të mbajnë poste publike. Kërkesa tjetër lidhet me heqjen e imunitetit parlamentar. Por a mund të arrihen këto me një demonstratë? „Këtë nuk e dimë, por ne jemi të vendosur të demonstrojmë, sa kohë që e kemi arritur atë që është më e rëndësishme”, thotë Catalin. „Ne bëjmë rezistencë.”

Thirrjet për një qeveri të re shtohen, smartphonet  ndriçuan të dielën (12.02) sheshin në ngjyrat blu-të verdhë-të kuqe të flamurit rumun. „Hajdutë”, „haujdutë”, „Dorëheqje”, thërrisnin protestuesit me flamuj rumunë, amerikanë.

Shoqëria e përçarë

Mes demonstruesve edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Vlad Voiculescu. Çfarë e shqetëson atë tek qeveria që del bashkë me të tjerët në rrugë dhe a është optimist për protestat? 34 vjeçari thotë se “ligjet e miratuara me shpejtësi ishin test lakmusi, ato zgjuan shumë vetë, sollën një pjekuri politike, dhe në të njëjtën kohë kanë zbuluar fytytën e vërtetë të qeverisë.”

Ndërkohë paralelisht me protestat masive kundër qeverisë, grumbullohen disa qindra vetë, rumunë të moshuar para pallatit presidencial dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit, Klaus Iohannis, sepse ai i mbështet protestat kundër qeverisë. Ata  e bëjnë atë përgjegjës për demonstratat në Piata Victoriei e në të gjithë vendin dhe e akuzojnë për përçarje të shoqërisë. Televizionet e afërt me partinë, PSD e akuzojnë presidentin për tradhti ndaj atdheut dhe shitje të Rumanisë. “Ai duhet të kthehet në Gjermani”, thërrasin disa, duke i kujtuar atij origjinën nga pakica gjermane në Rumani. Para disa ditësh presidenti doli në rrugë dhe kërkoi të bisedojë me ta. Pa sukses. Masa e zemëruar bërtiste, dëgjoheshin parulla, por nuk kishte dëshirë për bisedime. Demokracia e vërtetë ka pamje tjetër. (dw)

Kosovë, parlamenti me rezolutë për përshpejtimin e formimit të ushtrisë

Me 68 vota për dhe asnjë kundër, Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur.

Në rezolutën e përkrahur nga të gjitha partitë politike, i bëhet thirrje qeverisë së Kosovës që sa ma parë, të bashkërendojë dhe ta procedojë në parlament për miratim, strategjinë për transformim të Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Po ashtu në rezolutë thuhet së “duke shprehur solemnisht përkushtimin e pa alternativë për integrim në Organizatën e Paktit Veri-Atlantik (NATO), Parlamenti, qeveria e Kosovës dhe mekanizmat tjerë institucional të bashkërendojnë angazhimet për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve operacionale nën mandatit e ri të Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Miratimi i rezolutës pasoi një debat të gjatë, në një periudhë të shtimit të shqetësimeve për gjendjen e sigurisë në vend.

Por, ngritja e Forcave të Armatosura që nënkupton miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit, kërkon votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare.

Por, këto ndryshime janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre.

Kjo ka bërë që deputetët e shumicës të hapin debatet për ndryshime ligjore që do të mundësonin rritjen e përgjegjësive për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ata thanë se themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk duhet të paraqes kërcënim për askënd.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura duhet bërë nëpërmjet ndryshime kushtetuese, pasi që sipas tij kjo mënyrë përkrahet edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Nga kontaktet e deri tanishme kemi kuptuar se NATO dhe partnerët tanë strategjik mbesin të përkushtuar që Forca e Sigurisë së Kososvës mund të transformohet në çdo kohë në Forcë të Armatosur, përmes ndryshimeve kushtetuese me përkrahje të nevojshme të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, duke i ruajtur të arriturat e deritanishme në konsolidimin e vendit, dhe integrimin e komuniteteve. Kjo na është thënë qartë në të gjitha takimet që i kemi pasur me faktorin ndërkombëtar”, tha kryeministri Mustafa.

Autoritetet thonë se shndërrimi i Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës ka përkrahjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ju referuar një dokumenti mbi seancën e konfirmimit në senatin amerikan më 12 janar të sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, i cili citohet të ketë thënë se para çdo vendimi për shkurtimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, Forca e Sigurisë duhet të marrë mandatin për sigurinë dhe mbrojtjen territoriale.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. (voa)

SHBA shpreh përkushtimin ndaj Kosovës

TillersonSekretari amerikan i shtetit, Rex W. Tillerson, përgëzoi Kosovën me rastin e nëntë vjetorit të pavarësisë duke shprehur përkushtimin për mbështetjen amerikane ndaj saj.

Në një deklaratë të sekretarit Tillerson thuhet se “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e saj të fortë me Kosovën të mbështetur në aspiratat e përbashkëta për qëndrueshmëri, paqe dhe përparim për të gjithë qytetarët tanë.

Ne përshëndesim përparimin që populli i Kosovës ka arritur në ngritjen e institucioneve demokratike e shumetnike gjatë nëntë viteve të pavarësisë.

Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara ishin të kënaqura që panë medaljen e parë olimpike të Kosovës dhe që ekipi i saj kombëtar i futbollit hapi lojërat e para në FIFA. Ne i gëzohemi vazhdimit të arritjeve të Kosovës në punën e saj për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimit të marrëdhënieve pozitive më fqinjët e saj dhe botën.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar suksesin e Kosovës dhe do të vazhdojnë të punojnë me udhëheqësit e saj në synimet e paqes dhe përparimit”, thuhet në urimin e sekretarit amerikan të shtetit. (voa)

Mësohet se kur Qeveria do të themelojë Asociacionin?

QeveriaStatuti i Asociacionit të Komunave Serbe pritet të miratohet me një dekret në bazë të marrëveshjes për Dialog.

Çdo ndryshim do të prezantohet nga Asociacioni dhe do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo është ajo për çfarë zotohen zyrtarët qeveritar, por jo edhe pa kthimin e përfaqësuesve të Listës serbe në institucionet qendrore të Kosovës.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, thotë për Tribuna Channel se marrëveshja e Brukselit në vitin 2015 nuk ka qenë dokument juridikoformal, por që është si një udhërrëfyes e cila e ndihmon se si t’a themelohet statuti.

Gecaj shprehet se përfaqësuesit e Listës Serbe së pari duhen të kthehen në Kuvend sepse ky Asociacion do të formohet për ta.

Ky kthim eventual sipas tij, do të mundësonte fillimin e hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimi i të cilit, sipas tij, është obligim ligjor por dhe obligim që ka dalë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. (zeri)

Ndahet nga jeta gazetari Faik Mustafa

Faik MustafaËshtë ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare gazetari Faik Mustafa nga Tetova.

Në nderim të tij nesër (e martë), në orën 13:00, do të mbahet një mbledhje komemorative në Qendrën Kulturore në Tetovë. Varrimi i të ndjerit, Faik Mustafa, do të bëhet po të martën, në varrezat e qytetit në Tetovë.

Gazetari i ndjerë, Faik Mustafa, u lind më 19 maj 1945 në Tetovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet në Fakultetin Filologjik – Dega e Albanologjisë, në fillim në Beograd, kurse më vonë i kreu në Prishtinë. Kjo zvarritje ka ndodhur, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, për çka detyrohet që një vit të studiojë e një vit të punojë.

Filloi punën si mësues në vitin shkollor 1964-1965 në fshatin Grupçin të Tetovës, për të vazhduar një vit më vonë /1966-1967/ në fshatin Shipkovicë dhe në fshatin Sellcë /1968-1969/.

Ishte në mesin e organizatorëve të demonstratave të Tetovës, më 22-23 dhjetor të vitit 1968 dhe si ideator i tyre, bashkë me një grup patriotësh tetovarë, në krye me Mehmetriza Gegën, burgoset dhe dënohet me 5 vjet e gjysmë heqje lirie.

Pas lirimit, vazhdoi me studimet në Prishtinë, ku punoi gazetar në gazetën studentore “Bota e Re”, prej nga u largua nga puna nga regjimi komunist, për shkak të dënimit të mëhershëm me burg, për aktivitetin e tij politik kundër këtij regjimi. Më vonë punësohet në gazetën e përditshme “Rilindja”, prej nga largohet për një kohë të shkurtër.

Gjatë viteve 1994-1998 punoi korrespondent i “Zërit të Amerikës”. Pastaj,  kryeredaktor i të përditshmes “Flaka” të Shkupit, ndërsa u pensionua si drejtor i Qendrës së Kulturës në Tetovë.

Gjatë veprimtarisë së tij gazetareske, ka botuar mbi dhjetë libra me epigrame dhe tregime të shkurtra, ndër to edhe “Vargjet e serta”, “100 vite pa Shqipërinë”, “Burrat e dheut”, “Uria e lakmisë” dhe së fundi, më 2016, përmbledhjen “Rrufetë e brengës”.

Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i Gjimnazit, për të vazhduar bashkëpunimin me shumicën e gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni. Ka shkruar vjersha për fëmijë, tregime për të rritur, pjesë teatrale, komedi, TV dhe radiokomedi, drama, skeçe, ku disa herë ka fituar edhe shpërblime.

“Taksa e krimit”, BERZH: 6,5 përqind e xhiros bruto

Taksa e krimitVeç kostove të aktivitetit apo tatimeve që paguajnë në shtet, bizneset kanë dhe një kosto tjetër më të padukshme. Ajo është e ashtuquajtura taksa e krimit.

“Për vendet si Shqipëria, apo ato lindore, ku ligji nuk funksionon si duhet, krimi zë një kosto të jashtëzakonshme tek sipërmarrjet private, sidomos tek ato që janë të ekspozuara ndaj krimit”, deklaron Nikolin Jaka.

Në vendet e zhvilluara, kostot që biznesi paguan për krimin kufizohen kryesisht tek shpenzimet për ngritjen e sistemeve të sigurisë. Por në vendet me institucione të dobëta, krimi ka kosto ekstra.

“Nga bastisjet, grabitjet, vjedhjet, marrja peng apo gjobat, por edhe shumë fenomene të tjera”, nënvizon Jaka. Por përtej perceptimit, kostot e krimit janë të matshme.

Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5 përqind të xhiros bruto. Në varësi të llojit të biznesit, në disa raste kjo shifër mund të jetë më e madhe edhe sesa tatim-fitimi që paguhet në shtet. Megjithatë, jo të gjithë paguajnë njësoj.

“Kjo ka të bëjë me aktivitetin që është i ekspozuar me krimin. Nëse ka një aktivitet që nuk ballafaqohet me krimin në aktivitetin e përditshëm, atëherë kostot mund të jenë të ulëta. Ndërsa në rast të kundërt, kostot janë të larta”, shton Jaka.

Sipas BERZH, për vendet e rajonit shpenzimet mesatare për krimin zënë 5.9 përqind të xhiros.

/ Top Channel

Çmimet amerikane “Grammy”, triumfon Adele

AdeleNjë natë yjesh, duartrokitjesh të gjata dhe vlerësimi për ata që bëjnë histori në muzikë ishte ajo e ndarjeve të çmimeve “Grammy”, në Los Anxhelos. Këngëtarja britanike Adele mori tre çmime duke lënë pas divën amerikane të popit Beyonce.

Takimi i 59-të i çmimeve “Grammy” që u mbajt në Los Anxhelos shënoi një fitore të trefishtë për Adele, për albumin, regjistrimin dhe këngën e vitit.

Këngëtarja britanike mundi divën amerikane të popit Beyonce me albumin e saj të titulluar “25” dhe këngën më të shitur “Hello”. Por kur u ngjit në skenë për të marrë trofeun për regjistrimin më të mirë të vitit me këngën “Hello”, ajo foli me nota të forta lavdërimi për kolegen e saj të famshme Beyonce.

“Ëndra ime dhe idhulli im është Queen B, të adhuroj. Ti më ndez shpirtin çdo ditë dhe e ke e bërë për 17 vite. Të adhuroj!

Këngëtarja Beyonce nuk doli duar bosh, ajo fitoi çmimin “Grammy” për albumin më të mirë bashkëkohor, të vlerësuar nga kritika, “Lemonade”.

Të gjithë ne përballemi me dhimbje dhe humbje dhe shpesh humbasim pa u ndjerë. Qëllimi im me këtë album ishte t’i jepja zë dhimbjes sonë, përpjekjes, të fshehtave tona të errëta dhe historisë sonë. Të përballojmë çështjet që na mundojnë”.

Takimi i përvitshëm i cmimeve “Grammy” njihet si nata më e madhe e muzikës dhe shfaqja e kësaj së diele nuk zhgënjeu. Ajo ishte e mbushur me duartrokitje të gjata dhe admirim, duke nisur me Beyoncen shtatzënë që përçoi një mesazh për amësinë, tek shfaqja muzikore e Bruno Mars e ngjashme me atë të legjendës së rrokut Prince.

Fitues të tjerë gjatë kësaj të diele ishin “Chance the Rapper”, në tre kategori, përfshirë artisti i ri më i mirë si dhe ylli në ngjitje i muzikës country, Maren Morris e cila fitoi çmimin për këngën më të mirë me “My church”. (voa)

“Home” – filmi nga Kosova që merr BAFTA-n

Kosova Filmi 20 minutësh ‘Home’, një bashkëprodhim Britani – Kosovë, mori çmimin “Filmi më i mirë britanik i metrazhit të shkurtër” në edicionin e 70-të jubilar të Akademisë prestigjioze Britanike të Filmit dhe të Arteve Televizive.

Filmi është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe. Autori i skenarit dhe regjisë së filmit është Daniel Mulloy, ndërsa në rolet kryesore paraqiten Jack O’Connell, Holliday Grainger, Arta Dobroshi e të tjerë.

Filmi trajton temën e refugjatëve të luftës duke vendosur në qendër të tij një familje britanike që largohet nga siguria e këtij shteti për të shkuar drejt një vatre të luftës.

Filmat e regjisorit Mulloy janë fitues të shumë çmimeve në festivale ndërkombëtare. Ai e shkroi skenarin e filmit Home gjatë qëndrimit në Kosovë dhe i frymëzuar siç ka thënë edhe nga familjet e Kosovës që ishin kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian.

Çmimi u prit me entuziazëm në Kosovë. (voa)