A do të shkaktojë gjakderdhje Gruevski në Maqedoni? Ja çka mendojnë zyrtarë të BE-së

gruevski1Përkundër protestave anti-shqiptare tash e më shumë se një muaj dhe përkundër kërcënimeve të VMRO-DPMNE dhe kreut të saj Nikolla Gruevski, zyrtarët të lartë të BE-së për portalin Zhurnal.mk , thonë se ende nuk besojnë që kjo parti dëshiron që të provokojë gjakderdhje të re me shqiptarët e Maqedonisë, përkundër frikës së kjo mund të ndodhë.

“Të gjithë po frikohemi, por shumica prej nesh ende nuk po besojmë se gruevski mund të shkojë aq larg për të shkaktuar gjakderdhje të re…”, thonë për Zhurnal.mk në bisedë burime të BE-së në Bruksel, të cilat kërkuan që të mbesin anonime.

“Cili do të ishte interesi i kësaj ? Ne jemi shumë të shqetësuar se kjo do të ndodhë por nuk mund të besojmë se ai kërkon që të shkaktojë gjakderdhje të re… Si do t’ia bënte ai pastaj nëse kjo do të ndodhte… ? çka do të bëhej me maqedoninë …? ka shumë enigma dhe të panjohura në këtë situatë dhe këso lloj skenarësh eventual …” vazhdojnë tutje për Zhurnal.mk burimet e BE-së.

Të njëjta burime shprehin keqardhje për situatën e krijuar të ngërçit dhe përsërisin kritikat ndaj VMRO-DPMNE dhe kryetarit të shtetit Gjorge Ivanov.

“Është për keqardhje tërë kjo që po ndodhë në Maqedoni. Ivanovi duhet të respektojë kushtetutën dhe t’ia jap mandatin Zaevit. Shumica e re parlamentare është realitet i ri të cilin duhet pranuar. Kjo është rregullë e demokracisë…” thonë këto burime për Zhurnal.mk.

Në të njëjtën kohë, sipas këtyre burimeve, BE do të vazhdojë që të dërgojë porositë dhe kërkesat tashme të njohura deri tek krerët partiak në Shkup de Ivanovit.

“Kjo do të bëhet edhe javën e ardhshme nga Donald Tusk….” thanë burimet për Zhurnal.mk.

Në të njëjtën kohë burime të tjera përkujtojnë ‘shkopin’ që po e paralajmëron BE ndaj maqedonisë në rast se kjo krizë do të vazhdojë edhe më tutje.

“Maqedonia mund të humbas rekomandimin për hapje negociatash. Ndihmat e rregullta vjetore (IPA) për vendin mund të suspendohen dhe të mos arrijnë në Shkup. Invesimet e kompanive evropiane nuk do të mund të vazhdojnë në këtë situatë të tensionuar… Këto janë pasojat e shpejta që mund të ndodhin për shkak të krizës dhe bllokadës aktuale”, përkujtuan kështu burime të tjera në bisedë për Zhurnal.mk.

Javën e ardhshme në Shkup do të arrijë edhe Kryetari i Këshillit Evropian, Tusk. Është kjo vizita e tretë e zyrtarëve të lartë të BE-së me radhë që nga fillimi i krizës në Maqedoni.

Më herët në kryeqytet ishin Federica Mogherni, shefe e diplomacisë së BE-së dhe Johannes Hahn, Komisionar për çështje të Zgjerimit të BE-së. Por asgjë nuk ka ndryshuar përkundër këtyre vizitave dhe kërkesave të tyre bërë VMRO-DPMNE dhe Ivanovit. (ina)

NATO: Tillerson kërkon premtime konkrete

SHBA vazhdojnë të kërkojnë angazhim më të madh të evropianëve në NATO. Gjermania pohon se duhet të merren parasysh edhe kritere të tjera.

tillersonNë takimin e tij të parë me homologët në NATO, ministri i Jashtëm amerikan Rex Tillerson tha atë që edhe është pritur: Ai siguroi se Presidenti Donald Trump do të plotësojë obligimet ndaj NATO-s. Por Tillerson kërkoi nga partnerët një mbështetje më të madhe financiare. Një “disbalancë” e obligimeve në çështjet e sigurisë nuk mund të ekzistojë për një kohë të gjatë. Ai tha se deri në fund të vitit duhet të hartohen plane konkrete për veprim.

Diplomatët e NATO-s e përshkruajnë paraqitjen e tij në Bruksel si një “mainstream”. Tillerson nuk përsëriti akuzat e Presidentit Trump, se NATO është vjetëruar në formën e tanishme dhe se partnerët nuk po i kryejnë obligimet e tyre. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka relativizuar pohimet se shtetet anëtare duhet të ndajnë 2% të GDP për mbrojtje. Në samitin e vitit 2014 është rënë dakord që gjërat të zhvillohen në këtë drejtim, tha Gabriel duke shtuar se ai nuk njeh asnjë politikan në Gjermani që do të mbështeste një buxhet prej 70 miliardë eurosh në vit për sektorin e mbrojtjes. “Kjo nuk është fare reale”, tha ai duke shtuar se Gjermania po angazhohet shumë edhe në sektorë të tjerë, siç është ai humanitar, dhe ai i refugjatëve.

Sa janë 2%?

Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg i ka shprehur kërkesat amerikane me tone pak më diplomatike. “Ne kemi rënë dakord që deri në vitin 2024 të ndajmë 2% për mbrojtjen. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për para të gatshme, por edhe për obligime të tjera”, tha Stoltenberg. Sipas tij, Evropa dhe Kanadaja janë në rrugë të mirë që të realizojnë këto qëllime. Pas presioneve amerikane, qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s po mendojnë edhe për plane të ndryshme nacionale, për të arritur këtë 2%. Por deri tani nuk ka ndonjë plan konkret. Gabriel tha se këtu duhen llogaritur edhe shpenzimet për misionet ushtarake, luftën kundër terrorizmit dhe përgatitjet profesionale.

Borxhet

Pas vitizitës së kancelares Merkel në SHBA, Presidenti Trump tha se Gjermania i ka borxh NATO-s me miliarda dollarë. “NATO nuk funksionon kështu”, ishte komenti i diplomatëve në Bruksel. Secili vend anëtar i paguan pak a shumë vet shpenzimet e veta. Në dallim nga Trumpi, delegacioni amerikan nuk ka folur në Bruksel për ndonjë faturë apo borxhe. Çështja e obligimeve do të jetë në rend dite edhe në samitin që do të mbahet me 25 maj në Bruksel, ku do të jetë edhe Trump. SHBA ndan për mbrojtjen 3,6 % të prodhimit bruto. Presidenti Trump ka paralajmëruar rritjen e buxhetit, por këto para janë për bazat në Evropë, Azi, Lindjen e Mesme dhe në Paqësor.

Vendet e NATO-s duan të forcojnë aktivitetet edhe në luftën kundër terrorizmit, tha Jens Stoltenberg. Se në ç’formë do të bëhet kjo, do të saktësohet në samitin e majit. Mosmarrëveshje ka edhe rreth armatimeve. SHBA do të furnizojë kurdët me armë në luftën e tyre për rimarrjen e qytetit Raka, Turqia është kundër, sepe ajo luftëtarët kurdë i sheh si terroristë. Në Bruksel vlerësohet si e rëndësishme pjesëmarrja e Tillerson në këtë takim. (dw)

Investimet e huaja, 1 miliard euro

INVESTIMET E HUAJABanka e Shqipërisë raportoi se investimet e huaja direkte gati arritën shifrën 1 miliard euro në vitin 2016, duke shënuar një rekord të ri historik.

Sipas të dhënave, të publikuara në bilancin e pagesave, në vitin 2016 kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare saktësisht 983 milionë euro, ose 10.5 për qind më shumë se një vit më parë.

Të dhënat e detajuara tregojnë se ekonomia ka përfituar dy nga projektet madhore në fushën e energjitikës, përkatësisht Gazsjellësi Transadriatik dhe kaskada e Devollit, të cilët kanë hyrë në fazën kulmore të punimeve.

Sipas bankës, vetëm në tremujorin e katërt investimet në sektorin e energjisë dhe gazit ishin 166.5 milionë euro, ndërsa në total për të gjithë vitin shifra llogaritet në rreth 370 milionë euro.

Pas energjisë, në vendin e dytë sektori që ka marrë më shumë investime nga jashtë në ekonominë shqiptare rezulton industria nxjerrëse.

Sipas të dhënave nga banka, vetëm në tremujorin e katërt kompanitë e huaja investuan 55 milionë euro në këtë sektor. Këtu bëjnë pjesë investimet në fushën e naftës, përkatësisht në vendburimin e Patos-Marinzës dhe kërkimet në zonën e Shpiragut.

Ndryshe nga sa ka ndodhur në vendet e tjera të rajonit, në Shqipëri investimet e huaja kanë patur një ecuri pozitive pavarësisht krizës.

Aktualisht ato llogariten në 10 për qind e Prodhimit Kombëtar, duke qenë një nga kontribuesit kryesorë në rritjen e kërkesës së brendshme dhe punësimit në ekonominë shqiptare.

/ Top Channel

Totozani: 84 kandidatë për në komisionet e vetingut plotësuan kriteret

TotozaniAvokati i Popullit i dorëzoi sot Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat me 84 kandidatë që plotësuan kriteret dhe 109 që nuk i përmbushën ato për t’u bërë pjesë e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, bëri sot të dtur se ekspertët e institucionit të tij, nën vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitoritmit, përfunduan vlerësimin e dokumentave të gjithë kandidatëve, ndërkohë që në 27 mars u mbyll edhe afati i fazës së dytë.

Në këtë proces gjithsej ishin 193 kandidatë; 29 nga këta i plotësuan kriteret qysh në fazën e parë dhe ishin në listën A. Nga 164 kandidatët e mbetur në listën B, 61 nuk u paraqitën për në fazën e dytë.

Kështu, nga 103 kandidatët e mbetur në fazën e dytë, 55 i plotësuan kriteret dhe kaluan në listën A, duke iu bashkuar 29 kandidatëve fitues të fazës së parë. Ndërsa 48 të tjerë nuk i plotësuan kriteret as në fazën e dytë.

Pra, gjithsej, në fund të dy fazave, 84 kandidatë i plotësuan kriteret dhe 109 të tjerë jo.

“Kandidatët u bënë pjesë e një procesi historik për vendin tonë, për të çuar deri në fund reformën më jetike për shqiptarët, Reformën në Drejtësi” – tha zoti Totozani.

Ai i dorëzoi Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listën me emrat e kandidatëve, të cilët i plotësuan kriteret ligjore dhe listën e kandidatëve, që nuk i kanë plotësuar ato.

Zoti Totozani vlerësoi përkushtimin në këtë proces të ekspertëve të institucionit, të cilët kontaktuan me 164 aplikantët, që nuk plotësuan kriteret gjatë fazës së parë.

“Kandidatët u vunë në dijeni në mënyrë të detajuar për dokumentacionin, që u mungonte dhe u asistuan gjatë gjithë kohës, për dorëzimin e dokumentacionit të duhur” – tha zoti Totozani.

Ai vlerësoi për ndihmën dhe mbështetjen ekspertët e ONM-së, të cilët “punuan me profesionalizëm dhe korrektesë të jashtëzakonshme, duke përmbyllur me sukses të plotë, këtë punë voluminoze dhe tejet të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndeti përfundimin e punës me kandidatët nga Avokati i Popullit për krijimin e institucioneve të vetingut.

“ONM-ja vlerëson punën e komisionit të vlerësimit pranë Avokatit të Popullit si shumë të plotë, të saktë dhe profesionale. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me ligjin” – deklaroi ONM-ja.

ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit për të publikuar në kohë një listë të konsoliduar kandidatësh, që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të nisin tani shqyrtimin e pavarur të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, Avokatit të Popullit mund t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar parlamentit në mënyrë konfidenciale.

ONM ka vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë, që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut.

“Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme”- thuhet në deklaratën e ONM-së.

ONM-ja po punon për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë me shqyrtimin e kandidatëve. (voa)

Itali, tre qytetarë të Kosovës arrestohen për terrorizëm

italiaPolicia italiane tha se ka arrestuar tre persona dhe ka ndaluar një të mitur gjatë një operacioni për shkatërrimin e një celule të dyshuar ekstremiste në qendër të Venedikut.

Policia tha se dymbëdhjetë bastisje janë kryer në qendrën historike të qytetit si dhe qytetet aty pranë Mestre dhe Treviso.

Të gjithë të arrestuarit janë me prejardhje nga Kosova por me leje qëndrimi në Itali. Ata ishin vëzhguar për një kohë nga policia nën dyshimet se mund të jenë përfshirë në veprimtari radikale fetare.

Kryeprokurori i Venedikut Adelchi D’Ippolito, tha se të paktën edhe tre shtetas të Kosovës janë nën hetime për shkak të lidhjeve me të arrestuarit.

Policia ishte vëzhguar grupin që nga vitit i kaluar. Ajo ka përgjuar telefonat dhe banesat e tyre dhe ka ndjekur komunikimet në internet dhe ajo që është gjetur ishte “shqetësuese dhe brengosëse”, tha prokurori. Grupi kishte shprehur një mbështetje të pakushtëzuar për Shtetin Islamik, tha ai.

Të arrestuarit, sipas autoriteteve, kishin kremtuar pas sulmit vdekjeprurës të 22 marsit në Londër, ndërsa në përgjime njëri prej tyre dëgjohet të ketë thënë se “duke pasur parasysh sa shumë jobesimtarë ka në Venedik, do të shkonim drejt në parajsë nëse vendosim një bombë në urën Rialto”, që është e shekullit të 16-të dhe një nga pikët më të vizituara.

Nuk është e qartë nëse deklarata ishte një kapardisje apo paralajmëronte një rrezik të menjëhershëm.

Presidenti i Parlamentit Evropian, bëri thirrje pas arrestimeve të sotme që vendet e Bashkimit Evropian të jenë më të kujdesshëm me rajonin e Balkanit.

“Ka shumë terrorist që vijnë nga Raqqa, nga ISIS-i. Sot policia italiane ndaloi katër terrorist që vinin nga Kosova. Kujdes me Ballkanin. Ne duhet të punojmë së bashku edhe në këtë rajon, kemi nevojë për qëndrueshmëri derisa angazhimi evropian është thelbësorë për këtë rajon”, tha ai.

Italia ka deportuar 153 të dyshuar për terrorizëm që nga janari i vitit 2015 dhe 21 syresh që nga fillimi i këtij viti.

Më herët gjatë këtij muaji, Italia dëboi një tunizian që dyshohej për lidhje me Anis Amrin, autor i një sulmi më kamion në një treg të Berlinit në muajin dhjetor, që la pas vetes 12 të vrarë. Amri qe vrarë nga policia italiane disa ditë më pas në Milano.

Në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2015, policia italiane kishte arrestuar në dy operacione të ndryshme katër shqiptarë nga Kosova nën dyshimet për përfshirje në nxitjen e terrorizmit.

Kosova është përballur me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja që nga fillimi i konfliktit në Siri. Që atëherë rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Edhe me tej, në atë zonë besohet se janë rreth 140 qytetarë të Kosovës. (voa)

SHBA, rritet përdorimi i heroinës mes të rinjëve të bardhë

HeroinNë Shtetet e Bashkuara, mes rritjes së krizës së përdorimit të ilaçeve kundër dhimbjeve, si OxyContin, të njohur edhe si opioide, një studim i ri ve në dukje se është rritur edhe përdorimi i heroinës mes të rinjëve të bardhë.

Sipas studiuesve në Universitetin Kolumbia, “Pjesa e amerikanëve që përdor heroinë është pesëfishuar në dekadën e fundit, ndërsa numri i atyre që kanë varësi klinike ndaj saj është më shumë se trefishuar.”

Studiuesit thane se këto rritje janë shënuar “mes meshkujve të bardhë, me pak arsim dhe të ardhura,” me rritjen më të shquar mes grupmoshës nga 18 deri në 44 vjec.

“Nga viti 2001 në 2002, të bardhët dhe jo-të bardhët njoftohet të kenë patur varësi të ngjashme ndaj përdorimit të heroinës. Megjithatë në vitin 2012-2013, rritja e përdorimit të heroinës dhe çrregullimeve të lidhura me të, u pa dukshëm mes të bardhëve, duke çuar në hendekun më të dukshëm racor në përdorimin e heroinës deri në vitin 2013” tha Silvia Martins, ndihmës profesore e Edidemiologjisë në Universitetin e Kolumbias.

Sipas hulumtimeve, përdorimi i heroinës u rrit nga 0.33 përqind në 1.6 për qind nga viti 2001-2002 në vitin 2012-2013. Mes të bardhëve, u rrit nga 1.1 për qind në 1.9 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Përdorimi i heroinës u rrit ndjeshëm mes të rriturve të pamartuar sesa atyre të martuar.

Studiuesit thonë se përdorimi jo-mjekësor i ilaceve kundër dhimbjeve me përmbajtje narkotikësh ishte një nxitës për rritjen e përdorimit të heroinës. Në vitin 2001-2002, 36 përqind e përdoruesve të heroinës që ishin të bardhë kishin përdorur ilaçe të kësaj natyre për argëtim, para se të përdornin heroinën. Në vitin 2012-2013 kjo u rrit në 53 përqind.

“Për arsye se efektet e heroinës duken të ngjashme me ato të ilaçeve kundër dhimbjeve që lëshohen me recetë nga mjeku, përdorimi i heroinës duket të jetë bërë më i pranueshëm në shoqëri mes të bardhëve në zonat rurale,” thotë Martins.

Martins thotë se zbulimet tregojnë ka nevojë për veprim për të ulur përdorimin e heroinës.

Përfundimet e studimit janë publikuar në faqen elektronike të organizatës “JAMA Psychiatry”. (voa)

Aleksandar Vuçiç anulon vizitën në Kosovë

KosovaDisa rrugë të Kosovës bllokohen për të kundërshtuar vizitën në Kosovë të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë. Reagon Presidenti i Kosovës dhe BE-ja.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç e anuloi vizitën e tij në Kosovë, që e kishte të planifikuar në kuadër të fushatës për zgjedhjet Presidenciale të Serbisë, edhe pse kishte marrë lejen nga qeveria e Kosovës. Vuçiç, kandidat për President të Serbisë, pasi kishte kuptuar që qeveria e Kosovës i ka dhënë leje vetëm për tre orë që të qëndrojë në Kosovë, anuloi vizitën, duke thënë se “ndihet i ofenduar dhe nuk pranon të marrë urdhëra nga Prishtina”.

“Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që vizita ime në Leposaviq të zgjasë vetëm tri orë dhe të mos shoqërohem nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç. Nuk vjen në konsiderim ky presion dhe cirku çfarë ka bërë Prishtina”, ka thënë Vuçiç për televizionin publik të Serbisë.

Për të kundërshtuar vizitën e mundshme të Aleksandar Vuçiçit në Kosovë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë së Serbisë, shumë rrugë të Kosovës u barrikaduan nga protestues shqiptar. Për barrikadimin e këtyre rrugëve reaguan edhe autoritetet më të larta të Kosovës, ato të Bashkimit Evropian dhe të vet qeverisë së Serbisë.

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “barrikadat, të cilat janë vendosur në Kosovë në një aksion të sinkronizuar dhe të organizuar, janë në fakt sulm ndaj serbëve në Kosovë, në lirinë e tyre të lëvizjes, por edhe në të drejtën e tyre që të zgjedhin”. Sipas tij, “qarqet politike në Prishtinë tregojnë frikën nga mbështetja, të cilën kryeministri Aleksandër Vuçiç gëzon tek serbët e Kosovës”.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi lidhur me barrikadimin e disa rrugëve në Kosovë. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic, tha, se b”BE-ja i ka mirëpritur vizita të tilla të planifikuara në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-Ja”.

“Është për të të ardhur keq se si kohëve të fundit vizitat e planifikuara në bazë të këtyre marrëveshjeve nuk po realizohen. Ne kemi marrë raporte rreth bllokimit të rrugëve, duke parandaluar njerëzit që të marrin pjesë në tubimet në veri të Kosovës. BE-ja kërkon nga autoritetet përkatëse në Kosovë që të sigurojnë kushtet për njerëzit që dëshirojnë të marrin pjesë në këto tubime”, tha Maja Kocijancic.

Një tubim i serbëve ishte parashikuar që të mbahet në Leposavic në veri të Kosovës, i fundit para zgjedhjeve presidenciale të së dielës (02.04)në Serbi.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj bllokimit të disa rrugëve në Prishtinë, Gjilan, Shtërpcë, Mitrovicë dhe Rahovec, duke thënë, se “bllokimi i rrugëve është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë”.

“Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Këto vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime. Nga bllokimi i rrugëve përfitojnë vetëm ata që nuk ia duan të mirën Kosovës”, tha Presidenti Thaçi. Sipas tij, institucionet shtetërore duhet ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive për secilin qytetar.

Sidoqoftë, policia e Kosovës bëri të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat për të zbllokuar rrugët kryesore dhe për t’u mundësuar serbëve të rajoneve tjera që të marrin pjesë në tubimin në Leposaviq në veri të Kosovës, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet Presidenciale të Serbisë. Këto zgjedhje do të mbahen edhe në Kosovë. Në grumbullimin e votave do të angazhohet misioni i OSBE-së, ndërsa numërimi i tyre do të bëhet në Serbi nga komisioni republikan zgjedhor i Serbisë. (dw)

 

Rezoluta e PPE: Në Parlament dhe në zgjedhje

PPEShtimi i rrezikut të tensioneve dhe përplasjeve në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe forcimi i rolit të Rusisë me ndërhyrjet e saj në rajon, përfshirë edhe zgjedhjet, kanë shtyrë Partinë Popullore Europiane që për herë të parë të miratojë një nga rezolutat më të forta për perspektivën europiane të rajonit.

Partia Popullore Europiane, e qendrës së djathtë që qeveris shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, nëpërmjet rezolutës shpreh vullnetin për të ndihmuar Ballkanin perëndimor nga ndërhyrja e vendeve të treta.

Nga 19 pikat e rezolutës duket se dy prej tyre kanë të bëjnë edhe me Shqipërinë. Në njërën prej tyre, megjithëse nuk përmend me emër Shqipërinë, problematika duket se i ngjan aktualitetit shqiptar.

Partia Popullore inkuarjojn të gjitha forcat politike të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe insititucionet në vendet respektive të tyre dhe të fokusohen në reformat strukturore, për të cilat ekonomia e tyre ka nevojë urgjente.

Për kushtet e Shqipërisë, pjesëmarrja e plotë në proceset demokratike dhe institucione është një referencë e qartë për Parlamentin dhe për zgjedhjet.

Paragrafi tjetër thekson nevojën dhe urgjencën që Ballkani perëndimor të ecë përpara me reformën në drejtësi, duke vendosur shtetin e së drejtës dhe një gjyqësor transparent dhe të pavarur. Partia Popullore Europiane kërkon që të forcohet më tej procesi i dekriminalizimit për drejtuesit politikë.

Delegacioni i Partisë Demorkatike nuk mori pjesë gjatë votimit. Të kontaktuar nga Top Channel, burime në delegacion thanë se mospjesëmarrja lidhej me takimet biletarlae të kryetarit Basha.

/ Top Channel

TAP “bëhet” shqiptar, krijohet ndërmarrja për shpërndarjen e gazit

tapShteti shqiptar do të përfitojë një tarifë fikse nga konsorciumi TAP për mirëmbajtjen e tubacionit të gazit në territorin shqiptar.

Mirëmbajtja e gazsjellësit do të kryhet nga kompania më e re publike e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit, që sapo është krijuar duke u ndarë nga Albpetrol.

“Ne kemi filluar hapat e para të negociatave me TAP-in dhe kjo do të jetë një e ardhur shtesë që garanton të ardhura për shtetin shqiptar përsa i përket transmetimit të gazit përmes tubacionit të TAP-it në Shqipëri”, deklaron Klodian Gradeci, administrator i ALBGAZ.

Administratori i ALBGAZ thotë se ka disa kompani ndërkombëtare që kanë shprehur interes për të investuar në ngritjen e rrjetit të shpërndarjes së gazit në Shqipëri.

Projektet prioritare janë lidhja me gazsjellësin Jonian-Adriatik, ndërtimi i tubacionit që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, si dhe rrjeti i shpërndarjes së gazit fillimisht për industrinë.

“Shqipëria ka të trashëguar një rrjet shpërndarjeje kryesisht të gazit që shtrihet përafërsisht në 500 km. Ky është një rrjet tërësisht i amortizuar, është mbi 40-vjeçar, dhe aktualisht ne jemi duke bërë një vlerësim për të parë dhe për të vlerësuar kapacitetet transmetuese faktike të këtij tubacioni”, thotë Gradeci.

Synimi tjetër, ndonëse më afatgjatë, është rrjeti i shpërndarjes për konsum familjar, kryesisht për zonat e ftohta.

“Kemi sot një interes nga Bashkia e Korçës dhe disa kompani të huaja që kanë interes për të zhvilluar rrjetin e shpërndarjes, pasi Korça supozohet të jetë një nga vendet më të ftohta dhe që mund të ketë konsumin më të madh të gazit”, vijon drejtori i ALBGAZ.

Gazi i parë do të shpërndahet nga fushat e Shah Deniz drejt Europës në 2020-n. Ai nis në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku lidhet me Gazsjellësin TANAP. Përshkon Greqinë e veriut për 550 km dhe Shqipërinë për 215 km, ku nis edhe pjesa detare në Adriatik.

Kapaciteti fillestar i TAP është 10 mld meter kub gaz në vit dhe dyfishohet me futjen në punë të dy kompresorëve të rinj.

/ Top Channel

Seanca konstituuese e Parlamentit të Maqedonisë në hijen e krizës

parlamenti mkNë Shkup ka nisur senaca konstituuese e Parlamentit të Maqedonisë. Deputetët me fjalime pafund po pengojnë zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.

Ka rifilluar seanca konstituive e parlamentit të Maqedonisë. Që në fillim të seancës, deputetët e VMRO-DPMNE-së e bllokuan foltoren e Parlamentit, duke u paraqitur të gjithë për të folur, ndërkaq më pas ndaj njëri-tjetrit kanë vazhduar me replika dhe kundër-replika.Udhëheqësi i seancës, Trajko Veljanovski, thotë tha se rregullorja e ndalon replikimin dhe kundër-replikimin mes të njëjtëve anëtarë të një grupi të deputetëve, por duke e pasur parasysh se ende nuk janë formuar grupet e deputetëve, deputetët kanë të drejtë për replikë dhe kundër-replikë.  Kjo mënyrë e bllokadës së VMRO-DPMNE-së, do të zvarriste zgjedhjen e kryetarit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe të kreut të Parlamentit.

Bllokimi i institucioneve në dëm të qytetarëve

Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoan Zaev ka shfaqur shpresën e tij për zhbllokimin e shpejtë të punës së Parlamentit.

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e punës së Parlamentit që proceset të ecin para, sepse Maqedonisë i duhet qeveri e re. Nëse vazhdon edhe më tej bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të parlamentit dhe pastaj zgjedhjes së qeverisë së re, në një periudhë të shkurtër kohore do të rrezikohet dhe dhënia e pagave dhe pensioneve prandaj besoj se në një afat sa më të shkurtër duhet të lëvizin proceset përpara”, ka theksuar Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se mbajtja peng e konstituimit dhe funksionimi normal i parlamentit si organ ligjvënës përmes polemikave të VMRO-DPMNE nuk është në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka vlerësuar se bllokimi i institucionit ligjdhënës nuk çon në drejtim të zgjidhjes së krizës.

“Nuk mendoj se zgjidhje më e mirë janë bllokadat. Të gjithë duhet të angazhohen dhe të kontribuojnë për zhbllokimin e situatës dhe zhvillimin e proceseve”, ka thënë Ahmeti.

Deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ka theksuar se partia që përfaqëson do të përpiqet me të gjitha mënyrat demokratike për të penguar formimin e një shteti binacional, sepse sipas tij, kjo rrezikon stabilitetin e vendit.

“Nuk është mirë që të tentojmë të formojmë shtet binacional duke lënë nën hije shumicën e vullnetit të qytetarëve. Përvoja flet se shtetet binacionale nuk janë shtete të qëndrueshme. Ideja për shtet binacional mund të rrezikojë stabilitetin e shtetit. Kandidat për kryetar të Parlamentit nuk mund të jetë kriminel ose dikush që nuk ka integritet të refuzojë platforma të huaja”, ka thënë deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Miloshoski.

Analistët: Veprimet e VMRO-DPMNE-së të rrezikshme

Mënyra e sjelljes së deputetëve të VMRO-DPMNE-së për analistët politik paraqet edhe një shenjë se partia e Nikolla Gruevskit bllokadën e formimit të qeverisë, krahas në rrugë, e zgjeron edhe në institucione. Profesor Mersel Bilalli vlerëson se kjo mënyrë e zhvillimit të ngjarjeve tregon se ata që ushtrojnë bllokadë institucionale nuk kanë interes për Maqedoninë, dhe jo rastësisht e sollën atë në këtë gjendje ku është sot.

“Zgjatja e seancës konstituive është një instrument që mund të keqpërdoret dhe është duke u keqpërdorur. Unë mendoj t’i animojmë faktorët e brendshëm nga faktori ndërkombëtar që të mos bëhen obstruksione në formimin e qeverisë së re”, thotë Bilalli.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se përpjekja e VMRO-DPMNE-së që ta bindë opinionin se nëse nuk është në opozitë nuk do të mund të funksionojnë institucionet, është një veprim i rrezikshëm që mund të bart me vete pasoja të rënda jo vetëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, por edhe për rajonin në përgjithësi.

“VMRO-DPMNE politikën e bllokadës së shtetit e zgjeron edhe në institucione. Përveç protestave në rrugë, kjo parti do të tentojë të pamundësojë funksionimin e institucioneve. Me këtë strategji VMRO tenton të bindë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, se institucionet nuk do të mund të funksionojnë, nëse kjo parti do të ngelej në opozitë. Është një veprim i rrezikshëm që mund të bart me vete pasoja të rënda për të gjithë qytetarët”, thotë Neziri.

Analisti Nikolla Dujoski konsideron se edhe në rast të zgjedhjes së kryetarit të parlamentit, opozita potenciale VMRO-DPMNE do të bëj obstruksione të ndryshme me qëllim bllokimin e punës së Parlamentit.

“VMRO-DPMNE dhe partitë që do të mbesin në opozitë mund të orkestrojnë obstruksione të ndryshme. Kjo ka ndodhur edhe më herët kur nuk është respektuar vullneti i shumicës dhe kishim situata absurde, por ky është principi bazë i demokracisë. Shumica vendos dhe këtu nuk ka dyshime se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në Maqedoni”, thotë Nikolla Dujoski.

Vazhdimi i seancës konstituive të parlamentit ndiqet nga një numër i madh i diplomatëve të huaj. (dw)