Theresa May: Rusia përpjekje për influencë në Ballkan

Theresa MayNë samitin e BE-së që zhvillon punimet në Bruksel (09-10.03) kryeministrja britanike, Theresa May ka akuzuar Rusinë për përpjekje infuence në Ballkan. BE duhet të kundërveprojë.

Kryeministrja britanike, Theresa May dje (09.03) në samitin e Bashkimit Europian që po zhvillon punimet në Bruksel ka akuzuar Rusinë për qëllime influencimi në Ballkan. Ajo përmendi posaçërisht gjendjen në Malin e Zi, ku prokuroria e përgjithshme akuzon Rusinë të fshihet pas një përpjekjeje të dështuar për puç në tetor 2016. Theresa May i bëri thirrje BE-së të “bëjë më shumë për të vepruar kundër fushatave dezinformuese ruse dhe të bëjë më të dukshme angazhimin perëndimor në këtë rajon.”

Edhe kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk bëri fjalë për “tensione dhe përçarje” në rajon, të cilat “përmes një influence të pashëndetshme kanë dalë jashtë kontrolli”. Sipas tij disa vende janë “destabilizuar” përmes kësaj. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, e cila së fundmi vizitoi Ballkanin në një tur disa-ditor, kishte paralajmëruar më parë se rajoni rrezikon të kthehet në “një fushë shahu të lojërave të fuqive të mëdha”. “Kam parë një rajon të prekur më shumë në nivele të ndryshme nga tensionet dhe sfidat”, theksoi Mogherini.

Tusk: BE mbetet e angazhuar në rajon

Krerët e vendeve e qeverive të BE-së janë konsultuar të enjten në mbrëmje për gjendjen në rajon, ku katër vende janë vende kandidate për anëtarësim: Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi. Por procesi i integrimit duket i vështirë dhe në disa vende është përhapur zhgënjiimi për mungesën e rezultateve konkrete në jetën e përditshme të njerëzve. Fokusi tek Ballkani këtë herë është më shumë përsëritje e premtimit për paqe në Ballkan përmes perspektivës europiane dhe një sinjal se BE nuk e harron rajonin. Një përfaqësues i qeverisë gjermane tha për DW se vendet e Ballkanit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se BE merret vetëm me veten, me Trump apo Brexit, por se BE i merr seriozisht zhvillimet në fqinjësinë e drejtpërdrejtë të saj. Vetëm para pak ditësh ishin ministrat e Jashtëm të BE-së që diskutuan për Ballkanin, duket vënë në dukje, se Ballkani ende mbetet fuçi baruti

Prandaj kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk theksoi dje në Bruksel se BE i “qëndron angazhimit për stabilitet dhe mirëqenie në rajon”. Kryeministrja britanike bëri të ditur se Britania e Madhe në vitin 2018 parashikon të mbajë samitin e Ballkanit Perëndimor. Iniciativa që doli nga Gjermania në vitin 2014 me mbajtjen e samitit të Berlinit, vazhdoi në Vjenë, e Paris. Këtë vit samiti mbahet në Romë. (dw)

Shqipëri, partitë opozitare kushtëzojnë regjistrimin në zgjedhje me qeverinë teknike

vula nenshkrime partiveNdërsa protesta e opozitës para selisë së qeverisë ka mbushur tre javë, situata ka marrë një kthesë të fortë sot. Mbi 20 parti opozitare iu drejtuan me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke njoftuar se nuk do të regjistrohen për në garën e 18 qershori të ardhshëm.

Në letër shkruhet se “duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shkak të kërcënimit serioz dhe real të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare”, partitë e opozitës kanë vendosur “të mos paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ, dhe rrjedhimisht as si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, deri në momentin e arritjes së një marrëveshjeje politike që siguron realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të votojnë të lirë”.

Vendimi i zyrtarizuar sot u mor dy ditë më parë. Kreu demokrat Lulzim Basha refuzon ta quajë këtë veprim një bojkot të zgjedhjeve, pasi sipas tij opozita nuk do të lejojë që të ketë një proces zgjedhor pa u ndryshuar më parë qeveria: “Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri”.

Vendimi i sotëm praktikisht krijon një situatë ngërci dhe të komplikuar. Ndonëse teknikisht zgjidhjet janë, një proces ku në bllok opozita refuzon të marrë pjesë, do të kishte pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin e vet, ndërkohë që do të rrezikonte të ushqente një acarim të skajshëm të situatës. (voa)

Përpjekjet ruse për të përçarë Perëndimin

IlvesAnalistë amerikanë dhe ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves thanë dje para një komisioni të Kongresit se Presidenti rus Vladimir Putin po bën çdo përpjekje për të minuar demokracinë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe për të dobësuar lidhjet e tyre ushtarake në mënyrë që të rrisë influencën ruse në botë.

Partia Demokrate i përmbahet bindjes së Rusia u përpoq të ndikonte tek zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016, një bindje që mbështetet edhe nga përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit.

“Këto veprime ishin sulm ndaj vendit tonë dhe nëse nuk japim një përgjigje efektive, Putini do të bëhet një kërcënim edhe më i madh për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” tha ligjvënësi demokrat Eliot Engel.

Gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti Donald Trump tha se donte të përmirësonte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë. Por republikanë të tjerë nuk janë aq entuziastë në këtë drejtim.

“Rusët nuk janë miqtë tanë. Ata kanë pushtuar Krimenë,” thotë udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Dje në seancën me pyetje-përgjigje në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, një analist tha se Moska po bën propagandë intensive për të minuar demokracinë në Perëndim si dhe për të dëmtuar aleancën ushtarake SHBA-Evropë.

“Kemi parë se Rusia ka testuar më parë shumë nga teknikat e propagandës që tani po i përdor në Perëndim. Këto koncepte dhe teknika i ka testuar më parë në Evropën Qendrore. Këto veprime që po bën tani nuk kanë asgjë të re. Por do të theksoja shpejtësinë dhe urgjencën me të cilën po evolojnë këto teknika,” thotë Peter Doran, analist në Qendrën për Politika Evropiane.

Analistët thonë se përhapja e lajmeve të sajuara synon të nxisë konflikte politike dhe të largojë vëmendjen nga Rusia.

Ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves tha në seancë se Rusia po përpiqet të ndikojë tek zgjedhjet në Francë, Gjermani dhe Holandë, ashtu siç veproi në Shtetet e Bashkuara.

“Holandezët janë aq të shqetësuar sa që kanë vendosur të rikthejnë fletëvotimet, pasi kanë frikë se mund të ndodhë diçka”.

Peter Eltsov i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes u jep të drejtë holandezëve që janë të shqetësuar:

“Rusia po përpiqet ta përçajë Bashkimin Evropian dhe NATO-n; asaj i intereson të mbështesë politikanë që mund të heqin në të ardhmen sanksionet kundër Moskës”.

Analisti thotë se Rusia po mbështet me fonde disa politikanë evropianë, ndër ta edhe kandidaten e ekstremit të djathtë francez, Marine le Pen.

“Ajo e admiron Putinin. Ajo ka në plan të njohë edhe aneksimin e Krimesë,” thotë zoti Eltsov.

Analisti thotë se Rusia po mbështet politikanë si të krahut të djathtë, ashtu edhe atij të majtë në Evropë në përpjekje për të sjellë përçarje.

Ekspertët u kanë bërë thirrje aleatëve amerikanë dhe evropianë të bashkëpunojnë më shumë për t’u prerë rrugën synimeve ruse. (voa)

Maqedoni: Zaev shpalos programin qeveritar

ZaevPretendenti për formimin e qeverisë së Maqedonisë, kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev shpalosi sot programin qeveritar, edhe pse atij nuk po i jepet mandati për formimin e qeverisë.

Në lidhje me çështjen shumë te debatueshme të gjuhës shqipe, Zaev paralajmëroi një ligj për avancimin e gjuhëve që do të ishte në përputhje me kushtetutën e vendit.

“Me ligjin do të zgjerohet përdorimi i gjuhës të cilën e flet më së paku 20 përqind e popullatës, që do të thotë gjuha shqipe”, theksoi zoti Zaev, duke lënë të kuptohet se shqipja do të jetë në komunikim për qytetarët shqiptarë me institucionet shtetërore të Maqedonisë.

“Nëse dikush ka të drejtë të flasë në gjuhën e vetë amtare, me këtë nuk dëmtohen qytetarët e tjerë, por përfiton Maqedonia”, u shpreh drejtuesi social-demokrat.

Ndërkohë, ai tha se shqipja nuk do të përdorej në banknota as në amblemat e uniformave policore e ushtarake, sepse kjo tejlakon kornizat kushtetuese, sipas ekspertëve.

Zoti Zaev shpalosi dhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe social të qytetarëve dhe të vendit. Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke thënë se shqipja do të figurojë edhe në uniformat e forcave policore dhe ushtarake.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE e quajti programin e Lidhjes Social Demokrate, si një pamflet partiak, ndërsa akuzoi zotin Zaev se nuk është në gjendje të heqë dorë nga “platforma e Tiranës”, siç e quan VMRO-ja platformën e partive shqiptare të Maqedonisë. (voa)

Ballkani përparësi e Bashkimit Evropian

JunckerUdhëheqësit e Bashkimit Evropian i kushtuan rendësi të madhe Ballkanit gjatë takimit në Bruksel, për të treguar se pavarësisht tensioneve etnike dhe plagëve nga luftrat e viteve 90-të, rajoni ka përparësi për Bashkimin Evropian, veçanërisht pasi Rusia gjithashtu kërkon të rrisë ndikimin e saj atje.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një përspektivë të qartë Evropiane”, tha Jean-Claude Juncker, shef i Komisionit Evropian që po drejton negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. “Ne nuk po largohemi, por po afrohemi”, tha ai.Dy vite më parë zoti Juncker tha se nuk do të kishte anëtarësime të reja në Bashkimin Evropian gjatë mandatit të tij që përfundon në vitin 2019.

Zyrtarët thanë se kjo ishte thjesht çështje teknike sepse Ballkani nuk ishte gati për anëtarësim. Por disa në rajon thonë se mesazhi e dëmtoi kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Britania do të mbajë një takim special mbi Ballkanin Perëndimor në vitin 2018, tha kryeministrja britanike Theresa May, ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi rendësinë e Ballkanit. Taki i së enjtes nuk doli me politika të reja të bllokur për Ballkanin ndërsa udhëheqësit evropianë do të përpiqen të vizitojnë më shpesh për të nxitur reforma.

Rusia e cila po përpiqet të shfrytëzojë lidhjet e vjetra historike në rajon për të sfiduar përfshirjen evropiane dhe amerikane, e kundërshton futjen e shteteve ballkanike në BE. Rusia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Vendet ballkanike janë në faza të ndryshme reformash që synojnë hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në BE, ndërkohë që Serbia shihet si pykë, zhvillimi së cilës mund të pengojë të tjerët.

Por, megjithë disa përparime gjatë pesë viteve të shkuara, reformat në rajonin në drejtësi dhe klimën e biznesit, kanë ngcur, duke lejuar lulëzimin e krimit të organizuar dhe nxitur prurjet e emigratëve drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministrja britanike paralajmëroi për “mundësinë e shtimit të destabilitetit dhe rreziqeve ndaj sigurisë së përbashkët.”

Maqedonia është zhytur në një krizë politike, ndërsa Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Në Mal të Zi, partitë politike pro-perëndimore dhe ato të opozitës po bojkotojnë parlamentin pas një votimi të kohëve të fundit, për të cilin shprehen se njerëzit u frikësuan për të shprehur mbështetje për qeverinë. (voa)

OSBE-ja kërkon zbatimin e marrëveshjeve Kosovë- Serbi

ZannierLamberto Zannier – foto nga arkivi

Ai tha se ky çelësi për përparimin dhe qëndrueshmërinë e rajonit.

Zoti Zannier gjatë një vizite në Kosovë, është takuar me udhëheqësit e institucioneve vendase e ndërkombëtare dhe partive politike, një ditë pasi që parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë për pezullimin e bisedimeve më Serbinë, deri në lirimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj që po mbahet në Francë, në bazë të një urdhër arresti serb.

Një komunikatë të misionit të OSBE-së, ai citohet të ketë thënë se “udhëheqësit duhet të mbeten të përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe në procesin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian me energji të re. Jam takuar me udhëheqësit e qeverisë dhe opozitës, i inkurajova ata që të mbajnë një qasje konstruktive në mënyrë që të shmanget përhapja e tensioneve“, ka thënë ai.

Zoti Zannier, i cili ka shërbyer më herët në Kosovë si shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për dialog të mëtutjeshëm në mes të të gjitha palëve të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës për siç thuhet, zgjidhjen e sfidave politike për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë.

Dialogu në mes të përfaqësuesve të të gjitha partive politike duhet të bëhet në parlament pa frikësim dhe dhunë. Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit, si zyrtarë të zgjedhur për të përfaqësuar interesat e elektoratit të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme me anë të diskutimeve aktive dhe demokratike“, citohet të ketë ai.

Zoti Zannier përshëndeti edhe nismën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të themeluar Komisionin e së vërtetës dhe pajtimit, si një mekanizëm për të trajtuar çështjet e së kaluarës dhe për të ndërtuar të ardhmen. (voa)

Aktiviteti fizik, kyçi i suksesit për të qenë i shëndetshëm

barnatSa më shumë të reja zbulon shkenca për të jetuarit shëndetshëm, aq më shumë forcohet ideja se të jesh në formë, mendërisht e fizikisht, duhet të lëvizësh sa më shumë. Çka mund të jetë e vështirë në këto kohë kur shumë njerëz janë të detyruar të rrinë ulur në tryezën e punës gjatë gjithë ditës. Sipas një studim të kohëve të fundit, edhe nëse qëndron në karrige për një kohë të gjatë, pak orë ecje në javë do të mjaftonin për të qendruar në formë.

Shumë të punësuar në kohët e sotshme kalojnë një kohë të gjatë ulur. Ulur gjatë rrugës për në punë, pastaj gjatë vetë orarit të punës…Pastaj kur kthehen në shtëpi, përsëri ulen… përpara televizorit..Nuk ka pra asnjë dyshim se gjithë kjo kohë ulur sjell pasoja negative në shëndet.

Por një studim i fundit nga shkencëtarë në Britaninë e Madhe dhe Australi ka bërë disa zbulime interesante. Pikë së pari, jo të gjitha mënyrat e të qëndruarit ulur sjellin të njëjtat pasoja. Emmanuel Stamatakis është me Universitetin e Sidneit.

“Ajo çka jemi duke bërë teksa jemi ulur është e rëndësishme për studimin, sepse njerëzit thuajse kurrë nuk rrinë thjesht ulur, por janë duke bërë diçka tjetër në të njëjtën kohë. Ulen për të punuar, për të parë televizor, për t’i dhënë makinës dhe deri në njëfarë pike, ndikimi që ka të qëndruarit ulur te shëndeti varet edhe nga ajo çka jemi duke bërë paralelisht.”

Për shumë kohë është menduar se ka një lidhje midis të qëndruait ulur, pa u marrë me asgjë tjetër, dhe diabetit të tipit 2 apo kancerit. Por këto studime tregojnë se të qenit i shëndetshëm ka më tepër lidhje me atë që bën pas një dite të gjatë ulur në karrige.

“Stili i të jetuarit ka shumë elemente, nuk është vetëm “të qëndruarit ulur”. Për ata që merrem me aktivitet fizik madje, ky është ndoshta një detaj i dorës së dytë. Por nuk duhet të harrojmë se realiteti dëshmon se jo shumë njerëz janë fizikisht aktivë. Pjesa dërrmuese ushtrohet pak dhe është pak aktive.”

Studimi doli në përfundimin se qoftë edhe pak minuta ushtrime në javë veprojnë si kundërpeshë ndaj të qëndruarit ulur gjithë ditën.

“Duhet të theksojmë se ata që morën pjesë në këtë studim ishin punonjës zyre shumë aktivë fizikisht, që bënin afërsisht 45 minuta ecje në ditë. Kjo është shumë dhe ndoshta është pikërisht ky nivel i lartë aktiviteti fizik që i ka mbrojtur ata nga diabeti. Në këto raste, të qëndruarit ulur për shumë kohë nuk përbën më një poblem shqetësues.”

Grupi i shkencëtarëve doli pra në përfundimin se të ndejturit ulur nuk është problemi i vërtetë, por është mungesa e aktivitetit fizik ajo që vret përafërsisht pesë milionë njerëz në vit. Ndaj, nëse do që të mbrosh shëndetin, sigurohu të lëvizësh në ato momente kur nuk je i detyruar të rrish ulur. (voa)

Prestigjiozja austriake: Situata e shqiptarëve në Ballkan është gjithkund eksplozive, Maqedonia shteti pa-shtet

ivanovPa qeveri, pa parlament, pa kryetarë komunash dhe mbi të gjitha pa rrugëdalje: Kaosi në Maqedoni kërcënon pa mëdyshje zgjerimin e krizës mbi Ballkan. Gjithashtu edhe shtetet e BE dhe shefat e saj shqetësohen për këtë. Shteti i vogël ballkanik zhytet gjithmonë e më thellë në kaos. Tani janë pezulluar edhe zgjedhjet komunale, ku kryetarët dhe këshilltarët nuk do kenë pasardhës. Akoma më keq – një zgjidhje nuk duket afër. Së fundi presidenti Gjorgje Ivanov i ka shkruar presidentit të BE, Donald Tusk, për të justifikuar situatën e komplikuar, shkruan e përditshmja më e madhe austriake “Kurier”.

Kërcënohet unitarizmi i shtetit

Hierarkia e BE duhet të merret me problemin në fjalë, për të evituar zgjerimin e saj në vendet fqinje. Ivanov refuzoi të mandatojë për qeveri liderin e LSDM, Zoran Zaev që mori 67 nënshkrime nga 61 të nevojshme. Ai e mbështeti veprimin e tij se “LSDM me tre partitë shqiptare rrezikojnë unitarizmin e shtetit.” Koalicioni i lartëpërmendur duhej të zyrtarizonte gjuhën shqipe, e folur nga 25-35 përqind e dy milion banorëve të Maqedonisë. Deri tani gjithshka ishte në gjuhën qirilic. Më pas edhe monedha “denar” duhet të shkruhet në të ardhmen në dy gjuhë. Shenjat dhe uniformat e policisë dhe ushtrisë do jenë në dy gjuhë në gjithë komunat ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20 përqind. Gjithashtu edhe në Gjykatë gjuha shqipe do jetë prezente.

As Brukseli dhe as Uashingtoni nuk mund të bindnin Ivanovin për të respektuar standardet demokratike dhe që të mundësojë krijimin e qeverisë nga shumica parlamentare. Se në themel nuk bëhet fjalë për çështje kombëtare, por për frikë nga veprat penale. Prej një vitesh nga Prokuroria Speciale hetohet qeverisja e Nikola Gruevskit, ku bën pjesë edhe Ivanovi. Qeveria akuzohet për shpërdorim detyre dhe kontroll të gjykatave dhe drejtësisë.

Për shkak se Gruevski rrezikon burgun, në asnjë mënyrë nuk do lejonte ndryshimin e qeverisë. Ai kërkon zgjedhje të reja pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Retorika e partisë së Gruevskit gjithmonë ka qenë më anti-shqiptare dhe ditën e “Festës së Alfabetit” u sulmua muzeu shqiptar në Manastir. Shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini nga Shkupi tha se loja politike në Maqedoni është si loja me zjarrin. Sepse situata e shqiptarëve në gadishullin ballkanik është gjithkund eksplozive: Në Serbinë jugore, si në Kosovë dhe në Malin e Zi. Vetë në “Mëmëdheun” Shqipëri është e tensionuar situata mes qeverisë dhe opozitës. Shpërthimi i dhunës ekziston si mundësi. Konflikti i fundit mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve është zhvilluar në 2001, pra nuk është histori e vjetër. Para dy vjetëve në qytetin e tretë më të madh në Kumanovë erdhi deri te dhuna ku mbetën të vrarë rreth njëzet persona. /BS/

Borxhet e biznesit, lista e zezë e ekonomisë, 3 mld euro

borxhetPër Ardian Civicin krijimi i borxheve të këqija në ekonomi lidhet me keqadministrimin e bizneseve.

“Të krijosh një gropë kaq të madhe detyrimesh tregon në rastin më të mirë një keqmenaxhim të këtyre kompanive dhe në rastin më të keq një plan biznesi dhe një strukturim të tyre në raport me tregun që lë shumë për të dëshiruar”, shprehet Ardian Civici, ekspert ekonomie.

Por, profesor Sotiraq Dhamo i sheh më shumë përgjegjësitë tek vetë shteti.

“Shpesh në vendosjen jo të saktë dhe të drejtë të gjobave fiktive të cilat pastaj nuk grumbullohen dhe futen në këtë zinxhir dhe së dyti edhe kur janë borxhe të vendosura drejtë nuk grumbullohen për arsye subjektive”, thotë Dhamo.

Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i pashlyer në tatime dhe dogana arrin në 180 mld lekë. Ekspertët thonë se kjo ka pasoja të mëdha negative për financat publike dhe ekonominë

“Sepse mosrealizimi i të ardhurave çon në pamundësinë për të bërë politika publike, për të cilat ne kemi shumë nevojë dhe nga ana tjetër cenon disa parametra të rëndësishëm makroekonomik si deficiti apo borxhi”, thotë Civici.

Por si mundet që ekonomia të shpëtojë nga ky lak borxhesh të këqija?

“Neve duhet të kemi parasysh që jo çdo gjë zgjidhet në 4 apo 5 vjet me amnisti fiskale”, thotë Civici.

“Që kur vendosën detyrimet duhet të jenë të bazuara. Së dyti, ata që i vendosin duhet të mbajnë përgjegjësi. Së treti, politika s’duhet të ndërhyjë”, shprehet Dhamo.

Detyrimet fiskale nuk janë mali i vetëm i borxheve të këqija. Nëse përfshin dhe kreditë e pakthyera por dhe detyrimet e sektorit energjetik, në total borxhi i keq që ka krijuar ekonomia është mbi 3 miliardë euro.

/ Top Channel

Tusk: Dora ruse në Ballkan

tuskEdhe pse e ka shtyrë anëtarësimin e vendeve të reja në Bashkimin Europian pas vitit 2020, Presidenti i Komisionit Europian, Juncker ka konfirmuar prespektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në mbledhjen e së enjtes të Këshillit Europian në Bruksel Juncker tha:

“Ne u kemi konfirmuar më parë dhe ju kemi rikonfirmuar edhe njëherë qartësisht vendeve të Ballkanit Perëndimor prespektivën e qartë europiane. Kjo ishte ndër temat që kam diskutuar me liderët europianë në këtë samit”.

Udhëheqësit europiane i kanë zgjatur  mandatin edhe me 2 vite e gjysmë në krye të Këshillit, ish-kryeministrit polak, Donald Tusk. Në samitin europian, Tusk  deklaroi se “situata në Ballkan është e brishtë, por BE mbetet i vendosur për t’ju përmbajtur zotimeve të bëra”.

“Do të shohim gjithashtu mënyrat si duhet vepruar përballë objektivit tonë të përbashkët të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Europës duke paralajmeruar rrezikun permanent nga ndërhyrja ruse në rajon”, tha Tusk.

Tusk konfirmoi se ky diskutim ishte kërkuar në mbledhjet e mëparshme nga vetë liderët europianë, për shkak të një sërë zhvillimesh që kanë ndodhur në rajon, ku mund të përmenden ashpërsimi i toneve mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe bllokimi i formimit të qeverisë së re në Maqedoni.

Krerët e shteteve të BE-së janë informuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor nga shefja e diplomacisë europiane Mogherini. Në prag të samitit, Mogherini ka deklaruar se BE është i gatshëm të hapë negociata me Shqipërinë kur të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe procedura e vettingut.

/ Top Channel