Kuvendi i Kosovës kërkon pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt

protesta ramushinParlamenti i Kosovës miraton një rezolutë ku kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Haradinaj, po mbahet në Francë, në pritje të vendimit nga një gjykatë në Kolmar, nëse do ta lirojë, apo, ekstradojë  atë në Serbi. Ai u arrestua me (04.01) nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte. Rezoluta me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut  me Serbinë, u propozua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, dhe ajo mori 78 vota të deputetëve.

Lirim pa kusht i Ramush Haradinajt

“Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga Bashkimi Evropian, që ta detyrojë Serbinë për t’i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë-arrestet e  lëshuara nga Serbia, përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës”.

Po ashtu rezoluta i bën thirrje qeverisë së Kosovës që t’i informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se “refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në territorin e ish-Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkohet edhe lirimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj”.

Më 2 mars gjykata në Colmar të Francës,  vendosi që ta shtyjë për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e Ramush Haradinajt.

Dialogu Kosovë-Serbi

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u nënshkrua me 19 prill të vitit 2013. Që nga ajo kohë janë zhvilluar shumë takime të nivelit të lartë politik dhe janë nënshkruar edhe  një sërë marrëveshjesh ndërmjet të dy vendeve. Për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, foli  në vizitën e saj të para pesë ditösh nö Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini.  Ajo tha në Prishtinë se “përshëndet angazhimin e Kosovës në dialog me Serbinë, duke ritheksuar që “dialogu me Serbinë mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Partia e zotit Haradinaj i kërkoi Mogherinit që BE,  të ndikojë në lirimin  e zotit Haradinaj, mirëpo, përgjigja e Mogherinit ishte se BE-së nuk mund të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë franceze. (dw)

Samiti i BE-së: Përsëritje e premtimit për Ballkanin

MerkelKrerët e shteteve dhe qeverive të BE-së tradicionalisht konsultohen në samitin e marsit për ekonominë, rritjen e saj e reformat. Por këtë herë ata do të konsultohen edhe për gjendjen në Ballkan.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk do të donte ta zgjaste mandatin e tij edhe me dy vjet të tjera, normalisht një procedurë disa minutëshe për krerët e shteteve dhe qeverive në samitin e marsit në Bruksel. Këtë herë është ndryshe: Qeveria polake ka refuzuar zgjatjen e mandatit të kreut të Këshillit të BE-së. Kryeministrja Beata Szydlo në një letër pretendon se Tusk, ish-kryeministër polak, që i përkiste partisë “Platforma Qytetare” (PO) është përzier në mënyrë të palejueshme në politikën e brendshme polake. “Nuk mund të lejojmë një rast precedent”, thuhet në letrën e Szydlos drejtuar 27 krerëve të BE-së. Prova për këtë nuk sillen.

Polonia provon rebelimin

Sfond i këtij sulmi ndaj Tusk duhet të jetë grindja mes qeverisë së Varshavës dhe Komisionit Europian, që akuzon qeverinë polake për keqpërdorim të parlamentit dhe shkelje të parimeve të shtetit ligjor. Donald Tusk kërkoi në dhjetor respektimin e shtetit ligjor edhe në Poloni. Krahas këtyre akuzave, partia qeverisëse, PiS akuzon Tusk edhe për vdekjen e vëllait binjak të kreut të partisë PiS, Lech Kaczyinski. Ai ndërroi jetë gjatë rrëzimit të avionit në vitin 2010 në Smolensk. Komisioni hetimor kishte dhënë konkluzionin, se përgjegjës për katastrofën ishte piloti dhe moti. Por PiS mendon pas kësaj komplot, ku fshihet edhe Tusk.

Qeveria polake dëshiron që në këtë post të mbetet një polak, prandaj ka ofruar një kundërkandidat, Jacek Saryusz-Wolski. Por sipas të dhënave nga qarqet qeveritare gjermane, rizgjedhja e Tusk është punë e mbaruar, sepse qeveria polake nuk ka aleatë për kandidaturën e saj.

Ballkani Perëndimor

Pas vendimit për këtë çështje personeli, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, do të diskutojnë për Ballkanin Perëndimor. Ata do të shqyrtojnë gjendjen në krahun juglindor të Europës, zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve, që aspirojnë për të hyrë në BE. Një përfaqësues i qeverisë gjermane tha se vendet e Ballkanit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se BE merret vetëm me veten, me Trump apo Brexit. Zhvilimet në fqinjësinë e drejtpërdrejtë të BE ndiqen me vëmendje nga BE dhe për to flitet. Pritet që samiti të përsërisë edhe njëherë premtimin për paqe në Ballkan përmes perspektivës europiane.

Ekonomia

Zhvillimi ekonomik në BE, sipas Komisionit Europian ka ecur më mirë se pritej. KE rekomandon ndjekjen e rrugës së reformave. Pritet që në samit të flasë edhe kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi. Ai kritikon krerët e shteteve dhe qeverive të BE për vullnet të vakët për reforma, duke e kaluar përgjegjësinë për zhvillimin ekonomik tek Banka Europiane.

Tema të nxehta si gjendja ekonomike në Greqi, politika tregtare me qeverinë e Trumpit në SHBA nuk do të preken. Edhe Brexit, pra dalja e Britanisë së Madhe nga unioni nuk qëndron në rend të ditës. Pas dy javësh BE dëshiron të miratojë një deklaratë të posaçme në festimet e 60-vjetorit të unionit – marrëveshjeve të Romës. Nga kjo deklaratë pritet edhe kursi i ardhshëm i BE-së. Shumica e shteteve të BE duan uljen e tempit të integrimi dhe një Europë të shpejtësive të ndryshme në bashkëpunimin në fusha të ndryshme. (dw)

NATO dhe SHBA: Transformimi i FSK-së vetëm me ndyshime kushtetuese, jo me ligj.

9 vjetSHBA thotë se “miratimi i ligjit të propozuar për transformimin e FSK-së në ushtri, do ta detyronte atë që ta rivlerësojë bashkëpunimin dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën afatgjatë për këto forca.

NATO dhe SHBA-së, shprehën shqetësimin e tyre me nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që me një ligj të transformojë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës.  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një komunikatë për medie, thotë se për këtë çështje ka biseduar në telefon me Presidentin e Kosovës Hashim Thaci dhe kryeministrin Isa Mustafa, ku shpreh kundërshtimin e tij për të shndërruar FSK-në në Ushtri, pa ndryshimet e nevojshme Kushtetuese.

“U kam përcjellë shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s në lidhje me propozimet e fundit nga autoritetet e Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një Forcë të Armatosur, pa bërë ndryshimet e Kushtetutës. Ua kam bërë të qartë se hapat e tillë të njëanshëm janë të padobishëm dhe u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbeten në kontakt të ngushtë me Beogradin”, thuhet në deklaratën e shefit të NATO-os Jens Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-os, vazhdon më tej, duke thënë se NATO e ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale, duke shtuar multi-etnicitetin në radhët e saj. “Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë një çështje për institucionet lokale të Kosovës, në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese. Megjithatë, nëse duhet që mandati i FSK-së tani të zhvillohet në mënyrën e propozuar, NATO do të duhet të rishikojë nivelin e saj të angazhimit, sidomos në drejtim të ngritjes së kapaciteteve. Unë e bëra këtë të qartë gjatë vizitës sime të fundit në Kosovë dhe e kam përsëritur edhe  në bisedat e mia telefonike sot me Presidentin  dhe kryeministrin”, thotë Stoltenberg.

SHBA e shqetësuar

Idenë për transformimin e FSK-së me ligj në ushtri të Kosovës e  kundërshtoi edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Në një deklaratë për  mediet të kësaj ambasade, thuhet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues.

“Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s.  Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë të tillë që e rritë sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Madje  në reagimin e mbasadës amerikane, thuhet se “miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”.

Serbia pret ndihmë

Edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi  per mediet  në Serbi se, “për çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës pret ndihmën e Bashkimit Evropian, SHBA-ve, Rusisë, duke pohuar se këto janë gjëra të mëdha që dikush të luajë me to”. Vuqic, thotë se “formimi i Ushtrisë së Kosovës,  do të përbënte  shkelje të Rezolutës 1244 të KS të KB-ve, por është edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Sidoqoftë, kryesia e kuvendit të Kosovës sot i procedoi për rishqyrtim qeverisë, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, ndërsa, është qeveria e ajo e cila duhet ta procedojë në kuvend këtë projektligj pas rishikimit të tij. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha pas mbledhjes së kryesisë se kuvendit se  “cdo akt të cilin Kosova e ka ndërmarrë në këto 18 vite është kontinuitet i partneritetit të fuqishëm me bashkësinë ndërkombëtare dhe ky kontinuitet do të vazhdojë, tha Kadri  Veseli.

(dw)

Tusk: Situatë e brishtë në Ballkan

TuskBashkimi Europian mbetet i angazhuar në Ballkanin perëndimor dhe do t’i qëndrojë zotimeve të tij, thotë Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në letrën e dërguar anëtarëve si ftesë për mbledhjen e këshillit të enjten.

“Do ta shohim me kujdes situatën në rajon, e cila është mjaft e brishtë. Do të shohim gjithashtu mënyrat si duhet vepruar përballë objektivit tonë të përbashkët të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Europës”, shkruan Tusk.

Takimi do të fokusohet edhe në zgjedhjen e Presidentit të Këshillit Europian për periudhën qershor 2017-nëntor 2019, ndërsa do të preken dhe tema të tjera si emigracioni, ekonomia dhe mundësia e krijimit të një zyre të Prokurorit Publik të BE-së.

Një ditë pas kësaj mbledhjeje, krerët e shteteve apo qeverive të 27 vendeve të bllokut do të kenë një takim jozyrtar mbi përgatitjet e 60-vjetorit të Traktatit të Romës.

/ Top Channel

SHBA, mesazh Shkupit: Sa më shpejt kompromisi për qeverinë e re

LiShtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara për stabilitet dhe prosperitet të shteteve të rajonit, ishte mesazhi i qartë për Shkupin nga zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane e Euroaziatike, Hojt Brajan Li.

Li i ka ftuar të gjitha palët në Maqedoni të jenë të hapura ndaj kompromisit dhe të formohet sa më parë qeveria e re paszgjedhore.

“Shpresoj sinqerisht që Presidenti maqedonas do u krijojë deputetëve mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre për këtë dhe partitë që ata përfaqësojnë, e të krijohet sa më parë ekzekutivi sepse vendit i nevojitet qeveri që do të vazhdojë dhe kryejë proceset e filluara në kuadër të procesit paraqasës të BE-së”, ka thënë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

/ Top Channel

Schaeuble: Rusia, propagandë me lajme të rreme

SchaeubleMinistri gjerman i financave Wolfgand Schaeuble tha se Rusia po udhëheq një “propagandë lufte”, duke përdorur lajme të rreme.

Ai u tha të martën disa korrespondentëve të huaj në Berlin se kanali televiziv shtetëror “Russia Today” prodhon “nga mëngjezi në darkë” lajme të rreme. Kjo sipas tij “është e papranueshme dhe duhet të ndalet”.

Zoti Schaeuble tha se egziston “një konstante e pabesueshme bombarduese mashtrimi” e propagandës ruse.

Muajin e kaluar autoritetet lituaneze hodhën poshtë një lajm se një ushtar gjerman në shërbim të misionit të NATO-s kishte përdhunuar një adoleshente. Ministri gjerman i financave nuk komentoi mbi këtë.

Por sipas autoriteteve lituaneze, Rusia kishte sajuar lajmin me qëllim diskretitimin e forcave të reja të NATO-s të vendosura në kufi me të. (voa)

Turqia varet nga Gjermania

flamuri gjerman turkTurqia është shumë më e varur ekonomisht nga Gjermania se anasjelltas. Presidenti Erdogan luan me zjarrin, kur e shan Gjermaninë, sepse realisht Turqia është ajo që varet shumë nga ky vend. Një vështrim në ekonomi.

Zënkat e Erdoganit me gjemanët janë një shembull klasik i prerjes së degës ku je ulur! Shumë komentatorë thonë se Gjermania dhe i gjithë Bashkimi Evropian varen nga Turqia, sepse Turqia mund të rihapë rrugën për kalimin e refugjatëve. Por prej mbylljes së rrugëve në Ballkan, gjendja ka ndryshuar. Në anën tjetër, Turqia varet shumë ekonomikisht nga Evropa – në veçanti nga Gjermania.

Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Turqisë. Rreth 10% e të gjitha eksporteve turke në vlerë prej rreth 14 miliardë eurosh, shiten në Gjermani. Në vendin e dytë është Britania e Madhe. Ndërsa shumë më larg, në vendin e tretë, është Iraku e pastaj vijnë vendet e Azisë lindore, të cilat Ankaraja i konsideron si zëvendësim të mundshëm për BE-në.

Turqia varet nga Gjermania në tregti më shumë se nga çdo vend tjetër. Turqia blen nga Gjermania mallra të koncerneve të specializuara, ndërsa Gjermania importon nga Turqia në radhë të parë tekstil, që është dega më e rëndësishme e këtij vendi, si dhe mallra ushqimore. Por Gjermania mund të gjejë pa problem furnizues të tjerë me këto mallra, sepse Kina dhe Bangladeshi janë eksportues shumë të mëdhenj të tekstilit. Dy të dhëna tregojnë shumë: Gjermania është për Turqinë partneri më i rëndësishëm tregtar, ndërsa Turqia për Gjermaninë është në vendin e 13! Një disbalancë tepër e madhe.

Tursitët gjermanë nuk shkojnë në Turqi

Një Turqi ka gati 6000 firma gjermane. Asnjë vend tjetër nuk ka as përafërsisht kaq shumë përfaqësi ekonomike në Turqi, që ka lidhje edhe me numrin e madh të turqve që jetojnë në Gjermani. Turqia ka rregullisht deficite në bilancin tregtar me botën e jashtme, sepse ajo importon më shumë se sa eksporton. Këtë dallim ajo e kompenson përmes turizmit. Edhe në këtë degë gjermanët janë në vendin e parë. Në vitin 2016, gati 15 % e turistëve në këtë vend kanë ardhur nga Gjermania.  Por gjatë vitit të kaluar ka rënë numri i turistëve për gati 1/3. Tendenca e uljes së numrit të turistëve ka vazhduar, në veçanti për shkak të valës së sulmeve terroriste në Turqi. Në fillim të vitit turizmi ka shënuar rënie prej 58% dhe pritet që edhe këtë vit shumë turistë të mbeten larg Turqisë.

Investorët e urrejnë pasigurinë

Jo vetëm turizmi por e gjithë ekonomia turke po vuan pasojat e gjendjes. Në fillim të këtij shekulli Turqia ka pasur një zhvillim ekonomik marramendës prej rreth 7% në vit, që ishte madje më shumë se Kina. Ndërsa tani, në tremujurin e fundit të vitit 2016, ka shënuar madje rënie ekonomike. Lira turke ka rënë prej tentativës së puçit për 30 %, inflacioni aktualisht është rreth 9%, ndërsa papunësia mbi 10%.

Pasiguria ekonomike ka të bëjë edhe me zhvillimet politike. Pas tentativës për puç ushtarak, presidenti Erdogan ka arrestuar apo larguar nga puna me dhjetëra mijëra njerëz dhe po sillet gjithnjë e më shumë si autokrat. Klima politike dhe ekonomike në vend kanë ndryshuar. Investorët nuk duan të fusin para në një vend pa stabilitet politik, pa siguri juridike dhe pa mundësi planifikimi.

Nëse Turqia kërkon zgjidhjen e problemeve, atëherë Gjermania luan një rol vendimtar. Investitorët gjermanë nuk janë larguar nga Turqia ende, por nuk ka investime të reja. Ndërsa nëse Erdogani vazhdon me sharje dhe ofendime kundër Gjermanisë, atëherë shumë shpejt mund të pritet që investitoorët të largohen nga Turqia. (dw)

Futbolli mund të sjellë rreziqe nga dëmtimet në tru

FutbollistiNdërsa shtohen faktet për lëndimet e trurit mes lojtarëve të futbollit amerikan, hulumtime të reja çojnë në përfundimin se madje edhe tek futbolli evropian, që është më pak i dhunshëm, vihen re lëndime të tilla.

Goditja e topit me kokë është pjesë e futbollit, sportit më popullor në botë. John Hardy është profesor i shkencave neurologjike në “University College London”. Truri, thotë ai, është masë xhelatinoze si pudingu.

Enët e gjakut janë pak më të forta. Po të bësh një rrotullim të shpejtë, ato veprojnë si fije metali në xhelatinë dhe shkaktojnë dëmtime.”

Në futbollin amerikan, përplasjet e forta janë të zakonshme ndërsa shtohen shqetësimet për pasoja tek truri i lojtarëve. Ende nuk është e qartë nëse goditja me kokë në futbollin evropian po ashtu përbën problem.

Profesori dhe kolegët e tij studiuan trurin e gjashtë futbollistëve me karrierë të gjatë, të cilët me probleme demence. Ata zbuluan në katër prej tyre një lloj dëmtimi të trurit të quajtur encefalopati kronike, traumatike, ose CTE. Kjo sëmundje është ndryshe nga Alzheimer, por profesori thotë se pasojat janë të ngjashme.

“Nëse pacienti ka dëmtime të vogla të trurit që kanë lidhje me evolimin e Alzheimerit dhe disa dëmtime të trurit që kanë lidhje me CTE, shtohet mundësia e shfaqjes së demencës”.

Futbolli është sporti më popullor në botë, me përfitime të njohura shëndetësore dhe sociale. Profesori thotë se studimet janë ende në fazën e hershme dhe nuk mjaftojnë për të penguar angazhimin e fëmijëve në këtë sport.

“Dua të theksoj se ata që kemi studiuar kanë qënë sportistë profesinistë që e kanë ushtruar sportin për 25 deri 30 vjet, ndoshta disa orë në ditë. Kjo ndryshon nga futbolli që luajnë fëmijët në fundjavë apo në shkollë”.

Shoqata britanike e futbollit ka premtuar të mbështesë hulumtime të mëtejshme në këtë fushë.

Intervistë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi

HashimPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dorëzoi sot në parlament projektligjin për ndryshimin e misionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga një forcë civile, në një forcë me përgjegjësi mbrojtëse e ushtarake. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” pas dorëzimit të projektligjit, ai tha se do të dëshironte që ky proces të mbështetej edhe nga përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë, që siç tha ai, po pengohen nga Beogradi. Në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti president, sot dorëzuat projektligjin për ndryshimin e misionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë?

Hashim Thaçi: Në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si president i Republikës së Kosovës dhe si komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke respektuar edhe rregulloren e punës së parlamentit të Kosovës, sot i kam dorëzuar kryetarit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryesisë së parlamentit, projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ushtri moderne, një ushtri të standardeve të NATO-s e shumë etnike, si një proces krejt normal, një ndryshim ligjor që e ndryshon karakterin, përmbajtjen dhe misionin aktual të FSK-së. Pra nga një mision civil në një mision të qartë ushtarak.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për misionin ushtarak, çfarë përgjegjësish pritet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës?

Hashim Thaçi: Forca e Sigurisë do të luaj rolin dhe detyrat si çdo ushtri e çdo vendi të pavarur dhe sovran. Do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Kosovës, do të jetë forcë shumë etnike dhe do të ruaj tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të miratohet kjo në parlament?

Hashim Thaçi: Tanimë, hapat e parë janë bërë në kuptimin zyrtar institucional. Kryesia e Parlamentit nesër do të shqyrtojë këtë çështje, do t’ia dërgojë qeverisë së Kosovës për të dhënë mendim dhe unë dua të besoj që në ditët e ardhshme, më së largu javën e ardhshme, do të dërgohet për votim në Parlamentin e Kosovës. Dua të besoj dhe shpresoj dhe i bëjë thirrje gjithë spektrit politik të Kosovës pa dallime ideologjike dhe partiake, të bëhemi bashkë për interesin e shtetit, për interesin e qytetarëve të Kosovës, për interesin e së ardhmes së anëtarësimit të Kosovës sa më shpejt në NATO. Nuk ka anëtarësim të Kosovës në NATO, pa ushtri. Dua të besoj që kjo çështje do të bashkojë spektrin politik të Kosovës pa dallim etnik apo partiak.

Zëri i Amerikës: Zoti President, këto ndryshime po kundërshtohen nga përfaqësuesit politik serb në Kosovë dhe autoritetet në Beograd, si i përgjigjeni këtyre kundërshtimeve?

Hashim Thaçi: Unë edhe në vitin 2014 në kuadër të rishikimit të sektorit të sigurisë në Kosovë kam propozuar në atë kohë dhe kemi patur miratimin e plotë të të gjithë faktorit relevant ndërkombëtar, që të kemi shndërrimin nga Forca e Sigurisë, në Forca të Armatosura të Kosovës. Për fat të keq, atëherë, për shkak të çështjeve të ndryshme të brendshme të politikës shqiptare në Prishtinë, nuk ndodhi. Në atë kohë serbët e kanë mbështetur themelimin e Forcave të Armatosura si dhe të gjitha komunitetet tjera, ndërsa tash e tri vite jemi në pritje të një përgjigje tjetër tanimë nga deputetët e Listës Serbe dhe të cilët janë deklaruar shumë qartë se kurrë nuk do ta votojnë themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Ky qëndrim i Listës Serbe është i dirigjuar direkt nga qeveria e Beogradit. Fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit. Jemi vend i pavarur dhe sovran që marrim vendimet tona. Lista Serbe nuk ka qenë e gatshme të votojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të votojë ligjin për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, një ushtri jo vetëm e shqiptarëve, por një ushtri shumë etnike dhe në shërbim të të gjithëve.

Zëri i Amerikës: Por, këto ndryshime a mund të rrisin tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, për shkak të mënyrës se si po ndryshohet statusi i Forcave të Sigurisë?

Hashim Thaçi: Definitivisht Forca e Sigurisë së Kosovës si Ushtri e ardhshme dhe moderne e Kosovës, synim kanë anëtarësimin në NATO, do t’u shërbejë të gjithë njerëzve të Kosovës, do të ruaj tërësinë territoriale të vendit, do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe do të jetë në shërbim të paqes kudo në botë. Pra do të jetë një ushtri e paqes, mbrojtëse dhe do të jetë një ushtri në suaza të funksionimit të vlerave dhe vizionit euro-atlantik.

Zëri i Amerikës: Zoti President, a keni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara, të cilat vazhdimisht kanë deklaruar se kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe me marrëveshje me përfaqësuesit serb në Kosovë?

Hashim Thaçi: Edhe unë kam punuar tash e tri vite që kjo çështje të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të dëshiroja shumë që kjo të ndodhë. Një mbështetje të tillë kemi pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga NATO-ja, mirëpo është bërë e pamundur thjeshtë pas deklarimeve shumë të hapura, të qarta dhe të vendosura të Listës Serbe dhe të Beogradit që nuk e lejon dhe e kërcënon listën Serbe për të mos votuar FSK-në. Kështu që, tash e vetmja mundësi ka mbetur që Kosova të mbetet pa ushtri ose të kalojë në planin B, do të thotë shndërrimin e FSK-së në ushtri moderne. Kështu që ky vendim është në autoritetin tonë. I kemi informuar të gjithë faktorët relevant ndërkombëtarë. Të gjithë i dëshirojnë ndryshimet kushtetuese dhe do të punojmë deri në momentin e fundit që kjo të ndodhë. Thënë ndryshe procesi i shndërrimit ka filluar është institucional, kushtetues e ligjor, është në kuadër të vlerave dhe kornizës Euro-Atlantike, prandaj unë kam besim të plotë se edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë reflektuese në mirëkuptimin e këtij angazhimi shumë të drejtë të institucioneve të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk po bëhet për t’u angazhuar kundër askujt. Askush nuk ka nevojë të ndihet i kërcënuar, përkundrazi, do të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit, fqinjësisë së mirë. Dialogun me Serbinë do t’a vazhdojmë dhe do të punojmë për normalizimin e marrëdhënieve. Unë dua gjithashtu të shpresoj që ky do të jetë një mesazh shumë i mirë se Kosova po konsolidohet si shtet i pavarur dhe Sovran.

Zëri i Amerikës: Zoti President, këto ndryshime në statusin e Forcave të Sigurisë, po ndodhin në një kohë kur rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me tensione në rritje. Dje shefja për politikën e jashtme në Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se këto tensione janë “skajshmërisht të rrezikshme”. Çfarë po ndodh aktualisht në këtë rajon sipas jush?

Hashim Thaçi: E ritheksoj edhe njëherë që e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka punuar me ne që të ndodhin ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë, mirëpo këto nuk ndodhën dhe bashkësia ka një qëndrim shumë të qartë, në fund të fundit është vendim i institucioneve vendore për formën dhe themelimin e ushtrisë. Është e vërtetë që Ballkani Perëndimor po përballet me një situatë të palakmueshme, të paqëndrueshme, me kriza të brendshme politike, me një vonesë të pajustifikueshme të Bashkimit Evropian për zgjerimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Një vonesë e tillë po ndodh edhe me Kosovën për fat të keq dhe në kuadër të këtyre vonesave krejt teknike e burokratike të BE-së, kemi lindje të ekstremizmave të formave të ndryshme, të nacionalizmave, por edhe të pretendimit për ndikim të Rusisë në gjithë Ballkanin Perëndimor. Kështu që, Brukseli duhet të ketë një qasje më të shpejtë dhe më strategjike për rajonin që të integrohet. Nuk është e justifikueshme të na tregohet si nuk mund të integrohemi, por duhet të jepen mesazhe si mund të integrohemi sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ditët të fundit janë rikthyer debatet për çështjen e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kur pritet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje?

Hashim Thaçi: Unë besoj që qeveria e Kosovës do t’a dërgoj në ditët e ardhshme dhe gjithashtu shpresoj që deputetët e Parlamentit të Kosovës më në fund do të votojnë për marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe Kosova do të ketë të drejtën e liberalizimit të vizave, sepse tashmë është qëndrim shumë i qartë i Bashkimit Evropian, pa votimin e kësaj marrëveshjeje nuk ka viza për Kosovën, jo me muaj apo vite, por dekada.

Zëri i Amerikës: Si mund të ndodhë kjo kur ka ende mospajtime të thella ndërmjet partive politike?

Hashim Thaçi: Unë besoj dhe shpresoj që këto mospajtime të tejkalohen dhe do të dominojë përgjegjësia dhe arsyeja e interesit shtetëror më tepër sesa interesat partiake.

Zëri i Amerikës: Zoti President, për sa i takon detyrimeve ndërkombëtare, ditët e fundit janë shuar kërkesat për të rishqyrtuar ligjin mbi Gjykatën e Posaçme për Kosovën. Sa është e mundur të bëhen ndryshime në të?

Hashim Thaçi: Ne e kemi theksuar edhe më herët rëndësinë e themelimit të kësaj gjykate, por edhe padrejtësinë historike për themelimin e saj vetëm për shqiptarët. Sidoqoftë, institucionet e Kosovës kanë kryer obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore dhe i kemi dhënë mbështetje të plotë funksionimit të drejtësisë. Nuk kemi asgjë për të fshehur dhe në kuadër të bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare kemi bërë edhe këta hapa konkretë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, jeni kritikuar kohët e fundit për themelimin e komisionit për pajtim dhe për shumë në Kosovë ky është një veprim i parakohshëm që do të duhej të bëhej pasi të jetë vënë drejtësia në vend. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Hashim Thaçi: Iniciativa ime për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin është në kuadër të angazhimeve të mia presidenciale për ndërtimin e një shoqërie shumë etnike, me demokraci qytetare për Kosovën si atdhe i gjithë qytetarëve të saj. I kuptoj zërat kritikë, por ndihem i inkurajuar nga një mbështetje masive prej spektrit politik, prej shoqërisë civile, mediave dhe prej shoqatave të personave të pagjetur. Prandaj nëse po ndodh fenomeni i mrekullueshëm, që njerëzit që kanë të humburit e tyre po deklarohen për të vërtetën dhe pajtimin, mendoj se deklarimet politike janë krejt të paqëndrueshme, të individëve të caktuar. Do të vazhdojmë të punojmë për të vërtetën, sepse e vërteta e ndihmon drejtësinë dhe nuk e zëvendëson dhe që të ndodhë pajtimi ndër etnik në Kosovë. Ky pajtim e ndihmon Kosovën të ecë përpara, është standard ndërkombëtar dhe civilizues evropian është edhe në traditën tonë. Ne e dimë që Serbia ka kryer gjenocid, por nuk duam armiqësi, urrejtje dhe hakmarrje, por duam mirëkuptim, fqinjësi dhe të ardhme të përbashkët si vende të pavarura në rajon që të jemi si Kosova edhe Serbia pjesë e NATO-s dhe BE-së. Prandaj i kuptoj edhe zërat ndryshe, por kjo është rruga e drejtë, e qëndrueshme, efektive dhe një rrugë që na çon përpara.

Thaçi procedon në Kuvend Projektligjin për ushtrinë e Kosovës

thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë me kompetenca mbrojtëse, ushtarake.

Me këtë Projektligj, Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i jap një mision dhe mandat të ri Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë edhe komponentin e mbrojtjes.

Njëherësh, Presidenti i Kosovës ka deklaruar se ky mision i ri i FSK-së, nuk do të ndeshet me misionin që aktualisht e ka forca e KFOR-it në Kosovë.

“Roli dhe misioni i ri i FSK-së do të jetë ai i paqes, i stabilitetit, i mbrojtjes dhe natyrisht kurdo që të kërkohet do të jetë pjesë e misioneve ndërkombëtare, do t’i ketë detyrat e përcaktuara qartë me ligj për mbrojtjen e stabilitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi tha po ashtu se që nga koha kur ishte kryeministër dhe tani si president i Kosovës, ka tentuar që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, përkatësisht në ushtri, të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo ligjore. Por, këto ndryshime, theksoi Thaçi, janë pamundësuar nga Lista Serbe.

“Deputetët e komunitetit serb janë deklaruar dhjetëra herë dhe kanë qëndrime shumë të qarta se kurrë nuk do të votojnë për ushtrinë e Kosovës dhe se ky qëndrim është drejtpërdrejtë i vendosur në Beograd”, tha Thaçi.

“Por, ne nuk mund të mbetemi peng i disponimit të Beogradit se a duhet të themelojë Kosova ushtrinë e vet apo jo. Ne jemi vend i pavarur, sovran, kemi kushtetutën dhe ligjet tona dhe vendimet i marrim vet”, deklaroi ai.

Projektligji për transformimin e FSK-së, do t’i procedohet kryesisë së Kuvendit për hapat e mëtutjeshëm deri në miratimin e tij, ka deklaruar në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Nëpërmjet transformimit të FSK-së, Kosova nuk do të jetë më konsumues i paqes në rajon, por kontribuues saj. Shumica e kadetëve të FSK-së janë duke u trajnuar nëpër vendet më prestigjioze të botës. FSK-ja do të jetë partner i sigurt për NATO-n dhe të gjitha etnitetet në Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit vlerësoi se Kosova ka nevojë për rrumbullakimin e identitetit të saj shtetëror.

Partitë opozitare, e mbështesin në parim transformimin e FSK-së në forcë mbrojtëse, ndonëse preferojnë që fillimisht ta lexojnë dhe analizojnë Projektligjin e propozuar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, thotë se me rëndësi është përmbajtja se çfarë ushtrie synohet të formohet.

“Përmbajtja e projektligjit për ushtrinë është shumë më e rëndësishme sesa emërtimi. Çështja e emërtimit është shumë më e lehtë dhe është çështje e një votimi”, ka thënë Dërguti.

Ndërkaq, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë, thotë se pavarësisht nëse FSK merr përgjegjësi shtesë vetëm me anë të ligjit, kjo nuk e pengon atë që të ushtrojë funksionin e vet mbrojtës dhe ushtarak, nëse i ndryshohet misioni dhe roli që ka.

Ndërsa rreth dilemave, se a duhet të themelohet ushtria e Kosovës me ligj apo me Kushtetutë, Ramadani thotë se në me rëndësi është që në cilindo variant, ajo duhet të mbështetet nga NATO dhe partnerët ndërkombëtar.

“Unë besoj se në cilindo variant, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bashkërendojnë aktivitetet dhe veprimet me partnerët strategjik dhe në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n”.

“Bashkërendimi është i domosdoshëm, për faktin se FSK-ja, me misionin e ri ushtarak, nuk duhet të jetë e kontestuar nga partnerët strategjik të Kosovës, as nga SHBA dhe as nga NATO, sepse Kosova më pastaj synon që të anëtarësohet në NATO”, ka thënë Ramadani.

Kosova, është një shtet shumetnik, që nënkupton se institucionet e saj, duhet të respektojnë edhe parimin e shumëetnicitetit në përbërje.

Presidenti Thaçi ka premtuar që gjatë transformimit, FSK do të përmbushë edhe komponentin e shumë-etnicitetit.

“Është një transformim jo për krijimin e një ushtrie shqiptare, por shumetnike”, ka theksuar Thaçi.

Kosova, vijoi ai, dëshiron të jetë pjesë e NATO-s, por nuk mund të jetë anëtare e NATO-s pa ushtrinë e saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike, e armatosur lehtë dhe me uniformë, e cila aktualisht ka për detyrë të zbatojë operacione në rast të krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione këto për mbrojtjen civile në Kosovë dhe për të ndihmuar autoritetet civile në rast të fatkeqësive elementare dhe rasteve tjera të jashtëzakonshme.

Me transformimin e saj, presidenti dhe institucionet tjera të Kosovës pretendojnë që FSK-së t’i japin edhe kompetenca dhe përgjegjësi nga fusha e mbrojtjes, të cilat kryesisht u përkasin vetëm ushtrive. (REL)