Maqedoni, Presidenti i përmbahet vendimit për mandatin

MaqedoniNë Maqedoni, presidenti i vendit nuk po ndryshon vendimin në lidhje me mandatimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë. Kjo gjë duket se po e zhytë vendin në një krizë edhe më të thellë; partitë pretendente, megjithatë kanë mundësi kushtetuese që vetë ta thërrasin seancën e parlamentit dhe ta miratojnë kabinetin qeveritar, por kjo gjë, sipas vëzhguesve, do të mund nxiste trazira.

Presidenti maqedonas Gjogje Ivanov nuk ka reflektuar nga vendimi i tij para pesë ditësh kur njoftoi se refuzonte t’ia japë mandatin shumicës së re parlamentare. Dhe kjo ka barë që kriza të thellohet edhe më tej. Sot ishte dita e fundit kur duhej shpallur data e zgjedhjeve vendore, por në mungesë të kryetarit të parlamentit, kjo nuk bëhet dot. Përbërja e re parlamentare e dalur nga zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk ka kryetar të ri për shkak të rrethanave të krijuara me mos-dhënien e mandatit për formimin e qeverisë.

VMRO-DPMNE, e cila nuk arriti ta formojë qeverinë, tash së bashku me zotin Ivanov, i cili po e ushtron madantin e dytë si president me mbështetjen e kësaj partie, por dhe me votat e elektoratit të Partisë Demokratike Shqiptare, thotë se platforma e partive shqiptare synon federalizimin dhe ndarjen e vendit. VMRO-ja e quan atë një platformë të hartuar në Tiranë dhe të rrezikshme për tërësinë territoriale të Maqedonisë. Në një vijë me VMRO-në është edhe Moska zyrtare, e cila akuzon Tiranën, Naton dhe BE-në “për përpjekjet për formimin e një Shqipërie të madhe”.

Kjo ka bërë që në qendër të Shkupit dhe nëpër qytete të tjera të mblidhen për çdo natë qindra dhe mijëra përkrahës të VMRO-së duke protestuar kundër gjuhës shqipe dhe duke hedhur parulla ofenduese kundër shqiptarëve.

Partitë pretendente për formiine qeverisë së re bëjnë thirrje për qetësi:

Thirrjet që krijojnë urrejtje ndërjet etnive nuk i ndihmojnë ardhmërisë evropiane të vendit tonë, as nuk ndihmojnë për një vend stabil dhe për adhmëri për të gjithë”, theksoi Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.

BDI-ja si faktor i përpilimit të përbashkët, siç thotë, të deklaratës së partive parlamentare shqiptare në Maqedoni, thekson se dokumenti u përpilua në Shkup si përmbledhje e programeve zgjedhore të të gjitha partive parlamentare shqiptare dhe se në asnjë mënyrë nuk paraqet imponim nga asnjë faktor i jashtëm. “Asnjë rresht i vetëm nga Deklarata nuk e cënon Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, thekson BDI-ja.

BE dhe SHBA i kanë bërë thirrje autoriteteve maqedonase që ta respektojnë kushtetutën dhe që mandati për forminin e qeverisë t’i jepet shumicës parlamentare.

Ndërkohë, në Bruksel, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini ka njoftuar ministrat e jashtëm të vendeve të Unionit me pikëpamjet nga vizita e saj e fundit në Ballkanin perëndimor.

Zonja Mogherini pret nga Këshilli i ministrave dhe nga kryeministrat e vendeve të BE-së që të shprehin zotime të qarta për Ballkanin perëndimor për sa i përket të ardhmes së integrimit të tyre. (voa)

Smajlaj kampion Europe, fiton në kërcim së gjati në Beograd

Izmir smajlajIzmir Smajlaj është shpallur kampion Europe në kërcim së gjati, duke thyer edhe rekordin kombëtarë me kërcimin e tij 8.08.

Në Europianin e sallave që po zhvillohet në Beograd, atleti shqiptar ka mundur të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit duke mbajtur premtimin dhe duke i dhënë shansin për herë të parë në histori vendit tonë që të ketë një kampion Europe në mbretëreshën e sporteve, atletikë.

Nga 6 tentativat që kishte në dispozicion, Smajlaj nuk plotësoi vetëm dy dhe me avantazhin e më shumë provave të sakta arriti të lë pas suedezin Mishel Torneus që gjithashtu kërceu 8.08 dhe ukrainasin Serhi Nikiforov, i cili kërceu 8.07.

Ky është suksesi i dytë brenda pak ditëve për Smajlajn pikërisht në Beograd, ku përpara Europianit u zhvillua edhe Ballkaniada.

Menjëherë pas këtij suksesi historik për vendin tonë, Izmir Smajlaj tregon emocionet e para në një intervistë për Top Channel.

“Gara ishte e fortë. Objektivi im ishte medalja. Në kërcimin e fundit mora më shumë korajë, pasi kisha siguruar edhe një vend në podium. Këtë arritje dua t’ja dedikoj familjes dhe në veçanti babait tim. Prej tij e kam vazhduar sportin”, tha Smajlaj për Top Channel.

Ndërkohë, atletja tjetër shqiptare Luiza Gega u rendit në vendin e pestë në garën e saj të 1500 metrave, një pozicion të cilin deri diku e kishte paralajmëruar me pritshmëritë e saj të ulëta në këtë disiplinë që nuk është më e saja, duke qenë se gjithë përgatitjet i ka bërë për garën e 3000 metrave me pengesa. Në këtë disiplinë do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti që do të zhvillohet në Mujin gusht në Londër.

Ndërkohë, ceremonia e medaljeve për Izmir Smajlaj do të zhvillohet ditën e diel, në ditën e mbylljes së këtij Europiani.

/ Top Channel

Prodhimet në Lindje me cilësi më të dobët?

NugatProdhimet që shiten në Perëndim e Lindje nuk kanë të njëjtin kualitet, protestojnë përfaqësuesit e grupit të Vishegradit. P.sh. Nugat ka më shumë kakao në Gjermani se në Poloni. Prodhime pa cilësi shiten edhe në Ballkan.

A jemi ne fusha depozitimi të plehrave të Evropës? Pse tek ne shiten mallra me kualitet më të dobët se në Gjermani apo Austri? Akuza të tilla mund të dëgjohen edhe në Çeki apo Sllovaki. Konsumatorët nuk janë të sigurtë se vërtetë blejnë gjërat, të cilat u premtohen në reklama. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico kritikon ashpër kompanitë multinacionale. Ai thotë se është e papranueshme që në vendet ish-komuniste dërgohen prodhime me kualitet më të dobët se në Evropën perëndimore. Ky është “poshtërim”.

Fico së bashku me homologët nga Çekia dhe Hungaria ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion për kontrollin e prodhimeve. Grupi i Vishegradit thonë se në “BE nuk guxon të ketë ndarje të tilla të kualitetit të prodhimeve”, thotë kryeministri i Çekisë, Buhuslav Sobotka. Testimet i ka bërë Ministria e Bujqësisë në Bratislavë dhe ato kanë treguar se gati gjysma e prodhimeve që shiten në Sllovaki janë më të dobëta se ato në Austri. Dallime ka në përmbajtjen e mishit, në sasi, djath.

Prodhimet në Gjermani me kualitet më të mirë

Millosh Lauko nga shoqata e konsumatorëve thotë se prodhimet në vendet e tyre janë me kualitet më të dobët, por jo edhe më të lira. Ndërsa kritikët e grupit të Vishegradit thonë se ata po përpiqen në fakt vetëm të gjejnë një temë të re populiste, e cila i bashkon. Në kohën e krizës se refugjatëve ata nuk janë pajtuar me propozimet e Brukselit për shpërndarjen e tyre – ndonëse në këto vende gati që nuk ka pasur asnjë refugjatë. Tani dëgjohen akuza edhe për diskriminime tregtare.

Revista për konsumatorët „DTest” në Pragë ka botuar në vjeshtë rezultatet e një analize të prodhumit Nugat në Gjermani, Itali, Poloni dhe Sllovaki. Fitues i testit ka qenë prodhimi në Gjermani, sepse ka pasur më shumë përqindje të kakaos. Por ka pasur edhe kritika të tjera, thotë kryeredaktorja e gazetës, Hana Hofmanova.

Debati kontrovers

Lubosh Palata thotë se i gjithë debati është kontrovers. Këto vende kërkojnë në njërën anë më shumë kontroll, ndërsa në anën tjetër thonë se nuk i duan “diktatet e Brukselit”, si për shembull kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit. „Kemi të drejtë të kemi kualitet të njëjtë prodhimesh si i gjithë BE, por duhet të kemi edhe nivelin e njëjtë të demokracisë”, thotë ai.

Të brengosur janë edhe politikanët e Rumanisë, të cilët pohojnë se në supermarketet e tyre po paraqiten gjithnjë e më shumë prodhime më të lira nga vende të tjera. Ndaj në këtë vend është miratuar edhe ligji që parashikon që në supermarkete të ketë të paktën 51 % të prodhimeve vendore. BE ka nisur një procedurë kundër këtij vendimi. (dw)

Mogherini në Shkup: Kujdes me retorikën nxitëse

Mogherini ivanovPërfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini, kërkoi nga Presidenti i Maqedonisë, Ivanov në Shkup rikthimin e vendimit për të mos mandatuar liderin e opozitës, Zoran Zaev për kryeministër.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka bërë thirrje në Shkup për shmangien e retorikës nxitëse që sipas saj mund të çojë jo vetëm në krizë ndëretnike por edhe në krizë gjeopolitike. “Kërkova nga Presidenti të reflektojë të rikthejë vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të këtij shteti dhe ashtu siç e thotë kushtetuta t’ua besoj mandatin partive që kanë shumicën në Parlament.Të gjithë liderët politik kanë për detyrë të zbusin retorikën dhe të shmangin shndërrimin e krizës institucionale në krizë ndëretnike dhe më e keqja në krizë gjeopolitike”, ka thënë eurokomisionerja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Maqedonia është një shtet kompleks, në një rajon kompleks dhe ne jetojmë në kohë komplekse. Andaj nuk na duhet benzinë për shkak se ne kemi shuar disa zjarre tashmë. Sinqerisht besoj se secili do të japë maksimumin e përgjegjësisë dhe do të shmangë çdo retorikë përçarëse ose konfrontuese në këtë shoqëri”, ka deklaruar Mogerini.

Bejli: Uashingtoni i dëshpëruar nga vendimi i presidentit

Uashingtoni është i dëshpëruar nga vendimi i presidentit Ivanov për mos dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë së re, kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, ka thënë ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli. Ai ka thënë se vendimi i Ivanovit nuk përputhet me parimet demokratike dhe sundimin e së drejtës si vlera thelbësore për integrimin euroatlantik të këtij vendi.

“Si partnerë dhe miq strategjikë të Maqedonisë, duke e respektuar plotësisht edhe sovranitetin e shtetit, i bëjmë thirrje presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të jenë të përmbajtur dhe të tregojnë konstruktivitet, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në Maqedoni “, është shprehur ambasadori Bejli.

Opozita kërkon mandatin, pozita zgjedhje të reja

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev vlerëson se vendimi antikushtetues i Presidentit Ivanov rrezikon përshkallëzimin e situatës. Këtë vlerësim Zaev ia ka kumtuar diplomates Federica Mogherinit. “67 firmat e deputetëve janë bazë themelore demokratike për marrjen e mandatin për nisjen e bisedimeve për qeverinë e re. Pritjet e BE-së janë , nëse qeveria e re tregon rezultate për reforma, BE-ja nëpërmjet institucioneve do të ketë më shumë arsye të përshpejtojë procesin e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë për anëtarësimin e saj të plotë në BE”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE në takimin me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini e ka përsëritur vlerësimin se mënyra më e mirë për tejkalimin e krizës politike është zbatimi i zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ahmeti: Të mos lejojmë kthimin e krizës politike në atë ndëretnike

Nga BDI kanë shprehur përkushtimin për të ndihmuar nxjerrjen e vendit nga kriza dhe kanë kërkuar që kriza institucionale të mos shndërrohet në krizë ndëretnike. “Kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike. Sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndër-fqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritete tona”, ka deklaruar kryetari i BDI.

Kasami: Maqedonia në krizë të thellë institucionale

Kryetari Lëvizjes BESA Bilall Kasami për krizën e thellë politike ka fajsuar qeverisjen VMRO-BDI. “Maqedonia nuk është e vetmuar në këtë krizë të thellë. Ne vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe besojmë se Maqedonia nuk është e vetme në këtë proces”, është shprehur Kasami.

Sela: Platforma shqiptare nuk është kundër maqedonasve

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët ka njoftuar Mogherinin, se platforma shqiptare nuk është e orientuar kundër maqedonasve, por është e drejtë legjitime e kërkuar gjatë 25 vjetëve të fundit. “Gjuha shqipe nuk është problem në krizën aktuale, por se ajo shërben për të nxitur qytetarët dhe për të manipuluar me qëllim për të mbrojtur kriminelët dhe për të penguar dekriminalizimin e institucioneve”, thotë Sela.

A mund Parlamenti të zgjedhë qeverinë?

Qeveria mund të formohet edhe nëse presidenti Ivanov nuk ia jep mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, thotë profesori universitar Bekim Kadriu. Neni 90 i Kushtetutës parashe,h që nëse presidenti nuk e jep mandatin, parlamenti vetë mund ta zgjedhë Qeverinë. “Partitë politike doemos të vazhdojnë negociatat për Qeverinë, dhe nëse arrihet konsensus për Qeveri, vazhdohet seanca konstituive e Parlamentit, zgjidhet kryetari i saj dhe atëherë kemi një Parlament funksional. Parlamenti si një nga pikat në seancë të caktuar do ta kishte zgjedhjen e Qeverisë, me apo pa mandatin e dhënë nga presidenti Ivanov”, shpjegon profesori Kadriu. (dw)

Mogherini: Bojkoti i parlamentit, vonon integrimin

Mogherini1“Bojkoti i parlamentit do të thotë bllokim i krijimit të Komisionit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe de facto ndal progresin drejt Bashkimit europian dhe kjo në një moment kur vendi ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara në rrugën drejt BE. Ky është një mesazh që e kam përcjell fare qartë”, deklaroi sot në mbrëmje në përfundim të takimeve të saj në Tiranë me të gjithë drejtuesit kryesorë politik të vendit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini. “Ata që po përpiqen të vonojnë apo ulin ritmin e reformave do të rrezikojnë integrimin në BE”, theksoi zonja Mogherini ndërsa nënvizoi se “ne si BE, jemi gati, siç kemi qenë, që të vazhdojmë të jemi të besueshëm e të çelim negociatat me Shqipërinë, në momentin kur zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe në veçanti rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të nisë. Tani e keni radhën ju”.

Që në fillim të vizitës së saj, në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, zonja Mogherini deklaroi se “betejat politike zhvillohen brenda parlamentit i cili është dhe zemra e demokracisë”. Vizita e saj përkoi me një situatë të ndezur politike. Opozita prej dy javësh po proteston para selisë së Kryeministrisë duke kërkuar formimin e një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhjet të lira e të ndershme 18 Qershorin e ardhshëm. “Udhëheqësit politikë kanë përgjegjësi sa i përket veprimit brenda institucioneve. Lufta politike mund të jetë e fortë, por ashtu si dhe në një lojë futbolli, ndeshja bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj”, u shpreh zonja Mogherini.

Më herët dhe përfaqësuesë të tjerë europianë kanë kritikuar vendimin e opozitës shqiptare për të dalë nga parlamenti, duke theksuar nevojën që vendi ka për të çuar përpara reformat e nisura dhe veçanërisht Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e procest të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por dhe takimi me zonjën Mogherini nuk ka sjellë asnjë ndryshim në qëndrimin e opozitës. Pas bisedës me të, zoti Basha ripërsëriti kërkesën për një qeveri teknike e cila “të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, të ndërmarë një aksion energjik kundër drogës që kërcënon zgjedhjet, të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke i hapur kështu rrugë dhe reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”. I pyetur se cili kishte qenë pozicioni i zonjës Mogherini, kryetari demokrat Basha tha se “kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë”, duke shtuar se “qeveria teknike, është e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë nën ndikimin e krimit”. Pavarësisht kritikave të përfaqësuesve ndërkombëtarë, por edhe të vetë zonjës Mogherini për bojkotin e parlamentit, zoti Basha këmbënguli duke deklaruar se “nuk ka dhe nuk ka për të patur parlament tjetër veç Sheshit të Lirisë deri në arritjen e një Pakti kombëtar për zgjedhje të lira e të ndershme”. (voa)

Mogherini përballë thirrjeve proruse në Serbi

MogheriniShefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i bëri thirrje Serbisë të premten që të qëndrojë në orientimin e saj drejt integrimeve evropiane, në një fjalim në parlamentin serb që pengua nga brohoritjet pro ruse të deputeteve radikal.

Thirrjet “Serbia, Rusia, nuk na duhet Bashkimi Evropian” shoqëruan fjalimin e zonjës Mogherini, ndërsa disa deputetë po mbanin edhe parulla “Serbia nuk i beson Brukselit” dhe po qëllonin me pëllëmbë nëpër ulëset e parlamentit.

“Fjalimi im është i gjatë, prandaj bëhuni gati” tha zonja Mogherini në një çast derisa po vazhdonin brohoritjet.

Ajo u tha deputetëve serb se Serbia luan në rol thelbësor në Ballkan dhe ka përgjegjësi të madhe për ruajtjen e paqes rajonale. Serbia, Ballkani perëndimorë dhe Bashkimi Evropian, tha ajo, kanë nevojë për njëri tjetrin.

“Ky mesazh bëhet edhe më i rëndësishëm sot në një kohe të ndjeshme për këtë rajon dhe për gjithë Evropën”, tha ajo duke ritheksuar mbështetjen për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E kuptoj që keni një fushatë të gjatë elektorale dhe mbase është mirë të ruani zërin që t’u flisni qytetarëve tuaj”, u tha zonja Mogherini deputetëve që brohoritën gjatë tërë fjalimit të saj.

Beogradi shpalli dje zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 2 prill dhe që shihen si një sprovë për orientimin politik të Serbisë, e cila po ecën nëpër rrugën e ngushtë ndërmjet aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me aleaten e saj, Rusinë.

Udhëheqësi i Partisë Radikale serbe Vojislav Sheshel, pjesë e së cilës ishte dikur edhe kryeministri aktual Aleksandër Vuçiç, tha të premten se brohoritjet në parlament ishin porosi e qartë se Serbia nuk dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, por të integrohet me Rusinë.

Zonja Mogherini ndodhet në një vizitë disaditëshe në Ballkanin perëndimorë në përpjekje për të siguruar vendet e rajonit se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.

Zonja Mogherini e cila në mbrëmje do të qëndrojë në Shqipëri, të shtunën do të qëndrojë në Kosovë, ku pritet të debatojë pos tjerash edhe çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, që është kusht për përfshirjen e Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Zonja Mogherini ndërmjetëson bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat u përfshinë në një valë tensionesh të larta politike në fillim të vitit 2017. (voa)

Përpjekje për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

ShkupiPartitë politike në Maqedoni që synojnë formimin e qeverisë, pasi presidenti i vendit Gjorgje Ivanov refuzoi t’ia japë mandatin shumicës parlamentare, po përpiqen të gjejnë zgjidhje.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogerini u tha dje zyrtarëve shtetërorë dhe drejtuesve politikë në Shkup, se duhet ta respektojnë kushtetutën dhe të mos lejojnë shkallëzimin e gjendjes politike në një krizë ndëretnike.

Partitë politike, të cilat përmes firmave për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë përbëjnë shumicën parlamentare, po mendojnë për një plan B pas refuzimit të presidentit Ivanov për t’i dhënë mandatin për formimin e qeverisë Zoran Zaevit të Lidhjes Social Demokrate, i cili pretendon të marrë postin e kryeministrit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka pranuar për një plan të tillë, nuk ka dashur të japë hollësi për të. Ajo që parashikohet me kushtetutë, nëse presidenti përfundimisht nuk e jep mandatin, është mbledhja e parlamentit dhe miratimi i kabinetit qeveritar nga vetë shumica parlmentare. Por, aktualisht parlamenti nuk e ka zgjedhur kryetarin e tij pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit e as komisionet përkatëse, që do ta zvarrisnin me javë të tëra realizimin e këtij plani, sipas ekspertëve.

Gjendja e krijuar ka zhgënjyer komunitetin ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimin Evropian që kanë ndihmuar në arritjen e marrëveshjes së Përzhinës verën e kaluar, për t’i dhënë fund krizës politike dyvjeçare në Maqedoni dhe për t’i hapur rrugën reformave.

Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila të enjten ishte për një vizitë në Shkup, i ka kërkuar presidentit Gjorgje Ivanov që të reflektoj dhe ta tërheqë vendimin në interes të qytetarëve.

Zonja Mogherini citoi pjesë të kushtetutës së Maqedonisë, ku thuhet se mandati duhet t’i jepet një kandidati të partive që kanë shumicën në parlament. “Ne presim që të respektohet kushtetuta”, – tha zyrtarja e lartë evropiane.

Ajo u ka kërkuar edhe drejtuesve të tjerë politikë me të cilët u takua, që të ulin retorikat dhe të shmangin shndërrimin e krizës politike dhe institucionale në një krizë ndëretnike, madje edhe më keq, në një konflikt gjeopolitik, siç tha ajo.

Nga ana tjetër, Rusia, e cila kohët e fundit ka shfaqur interes për ta shtrirë ndikimin e saj edhe në Maqedoni, ka reaguar përmes Ministrisë së saj të Jashtme, duke akuzuar Shqipërinë, Naton dhe Bashkimin Evropian për përpjekjet, sipas saj, për t’i imponuar një qeveri pro-shqiptare Maqedonisë.

“Platforma shqiptare e përpiluar në Tiranë”, sipas ministrisë ruse, “paraqet dëshmi për pretendimet e Shqipërisë ndaj territoreve të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë, si pjesë e një projekti të quajtur Shqipëri e Madhe”.

Moska, në këtë kuadër akuzon edhe Kosovën për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, “ndërsa Perëndimi deshi ta sjellë opozitën humbëse në pushtet”, theksonte komunikata.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë hedhur poshtë kritikat ndaj tyre dhe ndaj autoriteteve të larta të Shqipërisë, duke thënë se ajo që njihet si platformë në opinionin publik, është përpiluar në Shkup, ndërsa në Tiranë janë mbajtur takime, për shkak të refuzimit të Lëvizjes Besa për t’u takuar pa praninë e kryeministrit Edi Rama.

BDI, ndërkohë, ka lënë të kuptohet se edhe me VMRO-në është biseduar mbi platformën e njejtë dhe se partia maqedonase kishte pranuar shumë çështje të parashtruara nga ajo, përfshirë zyrtarizimin e shqipes, por se kishte qenë kundër vazhdimit të mandatit të Prokurorisë së Posaçme, një nga çështjet e përfshira në këtë platformë. Megjithatë, VMRO-ja i hedh poshtë thëniet, ndërsa mbështetës të saj për çdo natë po hidhen në protesta kundër zyrtarizimit të shqipes, që do të çonte drejt asaj që ata e quajnë federalizim dhe ndarje të Maqedonisë. (voa)

Kosovë, qeveria miraton raportin për matjen e territorit

kosova matjeQeveria e Kosovës miratoi të premten raportin përfundimtar të Komisionit shtetëror për matjen e territorit, një hap ky me të cilin, sipas autoriteteve i hapet rruga ratifikimit në parlament të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se edhe me këtë raport vërtetohet se Kosova nuk humb territor nga marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Jam i lumtur që qëndrimet që i kemi pasur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerësimet e komisionit ndërkombëtar të caktuar nga ish presidentja Atifete Jahjaga dhe Komisionit Shtetëror, përputhen me të dhënat e këtij komisioni. Kjo tregon që Kosova nuk ka humbur territor. Kemi argumentet e plota dhe të pakontestueshme që Kosova nuk ka humbur territor dhe besoj që kjo do i hap rrugë ratifikimit”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se materiali do t’u dërgohet presidentit dhe deputetëve që të njoftohen për të gjeturat.

“Jam i bindur se ky raport do të jap rezultate në unifikimin e spektrit politik dhe ftoj për unifikim të spektrit politik. Po ashtu besoj që ky raport do t’u hap rrugë edhe proceseve integruese”, tha kryeministri Mustafa.

Udhëheqësit e institucioneve janë vënë në përpjekje për të bindur deputetët, por sfidë mbetet mungesa e përkrahjes nga vet deputetët e shumicës.

Autoritetet thonë se përmbyllja e çështjes së kufirit me Malin e Zi është me rëndësi strategjike dhe politike për qytetarët e Kosovës pas zhvillimeve të fundit në rajon.

Çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi nxiti mospajtime të thella që çuan në krizë politike. Debati për kufirin në Kosovë është përcjellë për një kohë të gjatë me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.

Opozita thotë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedh poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Ajo paralajmëron se do të kundërshtojë me të gjithë mjetet ratifikimin e marrëveshjes.

Kjo çështje pritet të jetë pjesë e vizitës së shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini e cila do të qëndrojë të shtunën në Kosovë. (voa)

Shumica ftesë për dialog, opozita: Gati, por për qeveri të re

basha ramaNë Shqipëri shumica e majtë u shpreh sot e gatshme të dialogojë me opozitën e cila që prej dy javësh ka nisur një protestë pa afat në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, duke deklaruar se është e gatshme të mirëpresë çdo propozim konkret dhe realist për procesin zgjedhor. Opozita u përgjigj duke u shprehur se është gjithashtu gati, duke i qëndruar idesë se kushtet për zgjedhje të lira krijohen përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike. Shkëmbimet mes palëve u bënë në prag të vizitës së sotme në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian Federica Mogherini.

Ftesa për opozitën erdhi pas një takimi që kryeministri Edi Rama pati me kryetarin e parlamentit, njëkohësisht dhe dretuesin e Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta, aleati kryesor i socialistëve në koalicionin qeverisës. “Në fokus të takimit ishin Reforma në Drejtësi, procesi i rivlerësimit si hap i parë në zbatimin e saj, si edhe Reforma Zgjedhore dhe domosdoshmëria për një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë e transparencë të plotë”, shpjegon deklarata e shpërndarë pas takimit në të cilën saktësohet se “koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërine e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor”. Drejtuesit e shumicës nënvizuan se janë të gatshëm “për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në parlament apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën”.

Pas kësaj ftese të shumicës, kryetari i PD Lulzim Basha mblodhi aleatët e opozitës, pas të cilës ata u shprehën gjithashtu të gatshëm “për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë” siç nënvizon deklarata. Opozita rikonfirmoi qëndrimin për “një qeveri me mbështetje të gjerë politike” e cila sipas saj duhet të garantojë përveç përgatitjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme” edhe “zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit; luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës si dhe zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”. Opozita është shprehur publikisht se e gjithë paketa ligjore për vënien në zbatim të reformës në Drejtësi duhet rishikuar përfshirë ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndonëse ai është konfirmuar dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Pas përgjigjes së opozitës, erdhi reagimi nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë socialiste Gramoz Ruci. “Ka shumë për të folur edhe për katër pikat e propozuara e sapo shtruara nga opozita” nënvizon deklarata e tij ndërsa shprehet gatishmëria për të biseduar “në parlament, në komisione apo ku të dëshirojë Partia Demokratike”, pohon zoti Ruci duke saktësuar megjithatë se “kush është në qeveri e kush në opozitë e vendos vetëm Populli me votën e tij”, duke hedhur kështu poshtë kërkesën për largimin e qeverisë.

Shkëmbimet në distancë mes palëve erdhën pak orë para vizitës në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian, për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini. Brukseli ka kritikuar vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin, gjë e cila sjell si pasojë bllokimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, e mbështetur me forcë nga Bashkimi europian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës. Në rrezik është vazhdimi i procesit të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, pasi komisionet parlamentare të cilat duhet të bëjnë përzgjedhjen e kandidaturave për në strukturat e rivlerësimit, kanë një përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës dhe pa praninë e kësaj të fundit ato nuk mund të funksionojnë.

Në një komunikim dje me disa gazetarë shqiptarë edhe ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh se “Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht, tha Lu, ndajmë disa nga synimet e protestës aktuale: thirrjen për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo zbatimi i reformës në drejtësi”.

Por sërish edhe mbrëmë zoti Basha ka këmbëngulur, duke u shprehur se ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve “do votohet vetëm kur të jetë hapur rruga për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira arrihen vetëm përmes një qeverie teknike, asnjë zgjidhje tjetër, është utopike, naive dhe e rrezikshme për vendin tu thuash shqiptarëve mbani dhe ca kohë kriminelët në parlament, ndoshta bëhen dhe ndoshta nuk bëhen zgjedhje të ndershme por hajde të votojmë vetingun”, tha drejtuesi i opozitës. (voa)

Fati i mëtejshëm Ramush Haradinajt vazhdon të mbetet i hapur

RamushGjykata e Apelit në Colmar e shtyu sot për më 6 prill vendimin në lidhje me dorëzimin në Serbi të Haradinajt. Gjykatësi e pranoi kërkesën e prokurorit dhe kërkoi informacione shtesë.

Ndaj ish-kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po i zhvillohet proces që nga arrestimi i tij në pjesën franceze të aeroportit të Baselit me 4 janar. Ai u arrestua në fillim të vitit për shkak të një urdhër arresti ndërkombëtar të paraqitur prej Serbisë, e cila e fajëson atë për krime lufte.

Arianit Koci, avokat i Ramush Haradinajt, tha se “Serbia nuk ka ofruar prova të reja që mund të shërbejnë si bazë për një gjykim të ri të Ramush Haradinajt për krime lufte”. E të njëjtit mendim është edhe avokatja e Haradinajt në Colmar, Rachel Lindon, e cila mendon se kërkesa e Serbisë është “politike dhe ilegale”.

Akuzat e Serbisë

Autoritetet serbe pohojnë se ata kanë dërguar mjaft prova të reja për ekstradimin e Ramush Haradinajt, të cilin e fajësojnë për krime lufte në vitin 1998 dhe 1999. Vetë Haradinaj në një deklaratë për Deutsche Wellen ka thënë se në dokumentet e paraqitura në Colmar nuk ka asgjë të re, që nuk e ka parë edhe gjatë gjykimeve në Tribunalin e Hagës, ku dy herë është liruar nga akuzat për krime lufte. “Këto janë vetëm akuza politke. Unë dy herë jam gjykuar në Hagë dhe  të dy herët jam shpallur i pafajshëm”, ka dekalraur për parë Haradinaj për DW. Në vitin 2008 ai është shpallur i pafajshëm ndaj të gjitha 37 pikave të aktakuzës, ndërsa katër vjet më vonë është liruar edhe në instancën më të lartë.

Avokatët e Haradinajt dhe ai vetë pohojnë se nuk ka asgjë të re. Autoritetet juridike serbe pohojnë se ata kanë dëshmi të mjaftueshme për ekstradimin e Haradinajt në Beograd. Gjykata në Colmar do të marrë të enjten vendimin nëse ai do të ekstradohet apo do të shpallet përfundimisht i lirë. (dw)