Rusia përpiqet të rrisë influencën në Ballkan

Lavrov VucicKryeministri i Serbisë Aleksander Vuçiç siguroi zyrtarët e BE që po vizitonin dje Beogradin se vendi i tij mbetet i përkushtuar për anëtarësim në bllokun evropian, por ai paralajmëroi se serbët duan të vazhdonë lidhjet tradicionale edhe “me miqtë e Lindjes”.

Në muajt e fundit, aleatët e Serbisë në Kremlin kanë qenë më aktivë, thonë zyrtarët dhe analistët perëndimorë. Ata i kanë ofruar mbështetje Serbisë në forma nga më të ndryshmet, që nga ndihmat pas katastrofave natyrore e deri tek armatime të sofistikuara, përfshirë avionë luftarakë. Duket se Kremlini po përpiqet të forcojë ndikimin në Ballkan, një rajon që Moska e ka parë historikisht si pjesë e sferës së saj të influencës, thonë analistët.

Ofensiva diplomatike e Moskës me sa duket po jep rezultat. Një anketë e fundit e organizatës Gallup tregon se shumica e serbëve e shohin Moskën si një aleate më të besueshme se NATO-n, ku Beogradi shpreson të antarësohet një ditë.

“Serbia po ndjek rrugën drejt Evropës, pasi ne besojmë se na takon një vend në një shoqëri evropiane, duam të bashkohemi me vende që besojnë në demokraci, sipërmarrje dhe të drejtat e njeriut” tha Kryeministri Vuçiç në takimin me zyrtarët evropianë.

Ai paralajmëroi se shpesh serbët e thjeshtë “e shohin BE si një mjet presioni lidhur me Kosovën”. Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Shumë serbë e mirëpritën fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, pasi kundërshtonin kandidaturën e Hillary Clintonit, gjë që pasqyron zemërimin që ruajnë shumë serbë për fushatën e bombardimit nga NATO në 1999, të zhvilluar gjatë administratës së Presidentit Bill Clinton.

Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se mbështetja amerikane për Kosovën mbetet e pandryshuar edhe gjatë administratës së Presidentit Donald Trump.

Ambasadorja e re amerikane në OKB, Nikki Haley ka bërë thirrje për antarësim me të drejta të plota të Kosovës në Kombet e Bashkuara. (voa)

SHBA, thirrje për rishqyrtimin e vendimit të presidentit maqedonas

BailyAmbasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, i bëri thirrje të enjten presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov që të rishqyrtojë vendimin për të mos i dhënë mandatin për formimin e qeverisë, udhëheqësit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev.

Ambasadori Baily tha të enjten se “Shtetet e Bashkuara janë të dëshpëruara me vendimin e presidentit Ivanov për të mos ia dhënë mandatin shumicës parlamentare për ta formuar qeverinë. Besojmë se kjo nuk përputhet me parimet themelore demokratike dhe sundimin e ligjit që paraqesin vlera themelore të NATO-s. Si partner strategjik të Maqedonisë, si miq dhe me respekt të plotë për sovranitetin e popullit të Maqedonisë inkurajojmë zotin Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij“, thuhet në deklaratën e ambasadorit Baily.

Ai u bëri thirrje fqinjëve të Maqedonisë që, siç thuhet, të përmbahen dhe të jenë konstruktivë në këtë kohë të ndjeshmërisë së shtuar politike në vend.

Më herët, Komisionari për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn shkruante në rrjetet sociale se “në një demokraci duhet të njihet shumica parlamentare, qoftë edhe nëse kjo nuk i pëlqen dikujt”.

Në Shkup, pasdite arrin përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila nuk kishte planifikuar se do të haste në një krizë edhe më të thelluar atje. Ajo takohet me presidentin maqedonas dhe me drejtuesit e partive të përfaqësuara në Parlament.

Nga ana tjetër, mbështetësit e VMRO-së të cilët po mbajnë protesta mbrëmjeve në Shkup dhe nëpër disa qytete të tjera të Maqedonisë, po shfaqen me retorikë ofenduese, duke e quajtur kryetarin e Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev “tradhtar të kombit dhe interesave maqedonase” për shkak të gatishmërisë së tij për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Disa nga themeluesit e partisë djathtiste janë shprehur se “do të luftojnë deri në vdekje për mbrojtjen e atdheut”.

Vendimi i djeshëm i presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, sipas analistëve, po e zhytë vendin edhe më thellë drejt krizës.

Nuk është hera e parë që presidenti Maqedonas nxitë trynsi për ndryhsimin e vendimeve të tij. Vitin e kaluar ai fali mbi pesëdhjetë politikanë e zyrtarë qeveritarë të dyshuar dhe të akuzuar për veprimtari kriminale. Më pas u detyrua ta tërheqë vendimin për falje pas kritikash dhe trysnish të shumta të opinionit publik në vend dhe kërkesave nga komuniteti ndërkombëtar.

Ekspertët ligjorë thonë se me vendimin e fundit presidenti ka shkelur rëndë ligjet dhe kushtetutën e Maqedonisë. (voa)

Mogherini në Shkup, bën thirrje për reflektim

MogheriniPërfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ishte të enjten në Shkup, në një kohë kur atje po mbretëron një krizë politike, me tendenca për t’u thelluar edhe në aspektin ndëretnik, pas vendimit të presidentit Ivanov për të mos ia dhënë mandatin shumicës parlamentare për formimin e qeverisë.
Zonja Mogherini ka takuar presidentin dhe drejtuesit politkë të Maqedonisë.Ajo i bëri thirrje presidentit maqedonas që të reflektojë mbi vendimin që mori dhe t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re shumicës parlamentare ashtu siç e parashikon kushtetuta e vendit.
Partitë të përmbahen nga retorikat nxitëse që mund të çojnë vendin në një konflikt ndëretnik dhe gjeopolitik”, tha ajo, duke shtuar seaktorët politikë duhet të kenë parasysh që Maqedonia është shtet shumëetnik dhe të drejtat e të gjithëve duhet të respektohen”.
Ajo kërkoi vazhdimin e negociatave për formimin sa më shpejt të qeverisë, që do të kapërcente krizën institucionale. Zonja Mogherini tha se Bashkimi Evropian është i interesuar që vendi të ecë përpara me reformat.
Ndërkohë, pretendenti për formimin e qeverisë, kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev tha pas takimit me zonjën Mogherini se është i lumtur me që Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për Maqedoninë.
Ai i bëri thirrje edhe një herë presidentit Ivanov, që ta rishqyrtojë vendimin sepse, siç tha, “pas atyre 67 firmave të deputetëve qëndrojnë rreth 700 mijë votues dhe se me çdo zvarritje thellohen shqetësimet për shkallëzimin e gjendjes.”
Zoti Zaev tha se është për vendime të shpejta, por të mençura:
Këtë nga ne e presin qytetarë, por dhe BE”, – tha ai.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti njoftoi përmes një komunikate për çka kishte biesduar me zonjën Mogherini.
Zoti Ahmeti i ka thënë zyrtares së lartë evropiane se kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike dhe se partia e tij do të mbetet e përkushtuar për të arritur zgjidhje politike. Ai ka shtuar se sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE janë prioritetet e BDI-së.
Kryetari i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare Ziadin Sela, i cili përfaqëson koalicionin “Aleanca për shqiptarët”, tha pas takimit se presidenti Ivanov dje shpalli anarkinë në vend:
Deklarata e partive shqiptare nuk rrezikon asnjë popull, ndërsa ai i cili e quan veten president nuk mund të jetë pronar i të drejtave të shqiptarëve,” – u shpreh Sela.
Kryetari i “Lëvizjes Besa”, Bilall Kasami tha se Maqedonia prej dje është në krizë institucionale. Kasami, megjithatë fajëson VMRO-në dhe BDI-në për gjendjen e krijuar, ndërsa thotë se “ato po aktrojnë se nuk janë më bashkë”.
Nikolla Gruevski i VMRO-së nuk u prononcua pas takimit me Mogherinin dhe as partia e tij nuk ka dhënë ndonjë hollësi.
Megjithatë, vendimi i së mërkures i presidentit maqedonas, përveç që ka hasur në kritika të shumta nga njëra anë, është mbështetur nga përkrahës të partisë djathiste VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, të cilët po protestojnë për çdo natë në Shkup dhe në disa qytete të tjera kundër mundësisë së zgjerimit të përdormit të gjuhës shqipe apo dygjuhësisë, sipas tyre, që do ta çonte vedin drejt federalizimit, ose copëtimit. (voa)

Tirana e shqetësuar nga qëndrimi i Presidentit maqedonas

skenderbeu trAutoritetet shtetërore dhe politike në Shqipëri kanë reaguar me shqetësim ndaj vendimit të presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov për të mos mandatuar udhëheqësin e Partisë Social-Demokrate (LSDM) Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re për shkak të pranimit nga ana e tij të platformës së paraqitur nga partitë shqiptare me pretendimin se është “një platformë e shteteve fqinje që rrënojnë sovranitetin e Shtetit”, një referencë e qartë ndaj autoriteteve të Shqipërisë, ku dhjetorin e shkuar, kryeministri Edi Rama dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati mblodhën në Tiranë udhëheqësit e partive shqiptare në Maqedoni. Platforma e partive shqiptare synon respektimin e të drejtave të shqiptarëve, njohjen e tyre si element shtetformues si dhe të shqipes si gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë

Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama ju drejtua presidentit maqedonas Ivanov duke theksuar se “gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, nënvizoi kryeministri.

Shqetësim për “situatën e rënduar”, shprehu dhe kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta. “Shpreh keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike, si garanci për stabilitetin e vendit fqinj. Shpresoj që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, thekson një deklaratë e zotit Meta.

Edhë kryetari i opozitës Lulzim Basha, e cilësoi vendimin e presidentit Ivanov “një akt diskriminimi etnik që nuk i kontribon harmonisë midis etnive shtetformuese në Maqedoni. Maqedonia stabile, demokratike dhe e integruar në NATO dhe BE është interesi më i mirë i shqiptarëve në Maqedoni, dhe vullneti i të gjithë shqiptarëve në këtë drejtim është i palëkundur. Por stabiliteti dhe rruga e integrimit të Maqedonisë cënohet rëndë nga akte të tilla diskriminuese. Pranimi i dygjuhësisë e emancipon Maqedoninë nga ngërçet dhe paragjykimet dhe zgjeron hapësirën e lirisë duke forcuar kështu vetë themelet e saj”, nënvizon zoti Basha, ndërsa rikonfirmon “mbështetjen për Platformën Shqiptare” dhe ju kërkon partive politike shqiptare në Maqedoni “të veprojnë të bashkuara në mbështetje të të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni”. (voa)

Marëdhëniet shqiptaro greke, mosbesim Tiranë – Athinë

alb heMinistri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati nisi një vizitë zyrtare në Athinë për t`i dhënë një shtytje marëdhënieve mes të dy vendeve. Këto marëdhënie vijojnë të mbeten në një frymë mosbesimi mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Por çfarë mendojnë studiuesit për nivelin aktual dhe ardhmërinë e marëdhënieve shqiptaro – greke. Korespondenti i Zërit të Amerikës Raimond Kola bisedoi në Selanik me Doktorin e Shkencave Historike në Universitetin “Aristoteli”, Stavri Dajo, ndërsa Korespondenti në Tiranë Ilirian Agolli bisedoi me Profesorin e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, Ksenofon Krisafi:

Shqipëria dhe Greqia përballojnë një problematikë komplekse në marëdhëniet mes tyre. Ndonëse nuk kanë munguar bisedimet në nivele diplomatike, të dy vendet kanë kohë që nuk kanë shkëmbyer vizita në nivele presidenciale dhe kryeministrore dhe për me tepër nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate për një numër cështjesh që kanë kohë që janë në tryezat e bisedimeve. Doktori i Shkencave Historike në Universitetin “Aristoteli”, Stavri Dajo thote se marëdhëniet shqiptaro – greke karakterizohen nga nje skepticizem dhe mosbesim i ndërsjelltë i cili sipas tij duhet kapërcyer:

”Kohët e fundit është botuar një libër i imi për marëdhëniet shqiptaro – greke në kohën e sundimit komunist në Shqipëri dhe këto marëdhënie cilësoheshin me dy fjalë: skepticizëm dhe mosbesim recipork. Në qoftë se ky mosbesim ishte plotësisht i përligjur në kushtet e Luftës së Ftohtë dhe përkatësisë së ndryshme politike në të dy vendet, tani ai është absurd.”

Edhe Profesori i Universitetit Europian të Tiranës Ksenofon Krisafi thotë se“marëdhëniet shqiptaro – greke duhet të jenë marëdhënie prioritare të popujve të Ballkanit. Kjo vjen nga tradita e tyre e hershme: kanë qenë dy popuj vëllezër, popuj miq, popuj që e kanë parë njëri tjetrin si fqinj ku kanë trokitur për cdo hall në të kaluarën”.

Studiuesi Stavri Dajo thotë se e kaluara historike prodhon ngarkesa toksike te cilat nuk ndihmojnë marëdhëniet mes të dy vendeve.

“Unë besoj që politika retorike e Tiranës dhe sidomos evokimet e fundit historike të zotit Rama me deklaratat e tij nuk ndihmojnë sepse e kaluara historike për të gjitha vendet e Ballkanit, jo vetëm për Shqipërinë dhe Greqinë, ka ngarkesa toksike. Dhe këto ngarkesa toksike nuk ndihmojnë marëdhëniet mes të dy vendeve, përkundrazi i acarojnë ato. Unë mendoj se dy faktorë kanë rëndësi; është minoriteti grek në Shqipëri që duhet marrë parasysh seriozisht nga politika shqiptare dhe është emigracioni shqiptar në Greqi që duhet marrë seriozisht nga politika greke”.

Ndërsa studiuesi Ksenofon Krisafi vlerëson se Tirana zyrtare ka pasur nje qasje realiste kohëve të fundit ndaj problemeve në marëdhëniet shqiptaro – greke.

”Kjo qeveri këtë pati, për mendimin tim, meritën kryesore: identifikoi problemet që egzistojnë me Greqisë, probleme që gjithmonë kapërceheshin në emër të atij pretendimi që të mos krijojmë probleme, të mos ngremë gjëra të paqena etj, etj. Nuk është gjë e paqenë problemi cam, nuk është gjë e paqenë problem i pasurisë së shqiptarëve në Greqi, nuk është gjë e paqenë fakti që grekët pretendojnë të marrin një pjesë të detit të Shqipërisë, nuk është gjë e paqenë fakti që grekët nuk pranojnë të ulen e bisedojnë për Ujrat e Vjosës dhe ujrat e lumenjve kufitare që kanë të bëjnë me Shqipërinë, nuk është gjë e paqenë cështja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri e plot të tjera”.

Lidhur me ardhmërinë e marëdhënieve studiuesi Dajo thotë se eshte tepër skeptik për arritjen e mareveshjeve të shpejta ne marëdhëniet mes të dy vendeve:

”Unë jam tepër skeptik për arritjen e marëveshjeve të shpejta ose të përmirësimit sa më të shpejtë të klimës mes të dy vendeve sepse ky mosbesim dhe ky skepticizëm është ngulitur edhe në mentalitetin diplomatik, por dhe politik të të dy vendeve. Fakti që nuk është aktualizuar Traktati i Miqësisë mes të dy vendeve, i cili ka skaduar vjet, tregon që akoma ka paragjykime dhe këto paragjykime nuk ndihmojnë”.

Ndërsa studiuesi Ksenofon Krisafi thotë se brezi i ri i politikanëve si në Tiranë dhe në Athinë duhet të shohë përpara.

”Brezi i ri i politikanëve, qoftë në Athinë qoftë në Tiranë, nuk duhet të mbetet rob i dogmave të së kaluarës, duhet të shohë përpara dhe duhet të ketë kurajon të hedhë poshtë trashëgiminë e keqe të së kaluarës. Nuk ka lidhje as politika e Athinës dhe as politika e Tiranës me atë që ka ndodhur në të shkuarën dhe nuk ka pse të mbeten robër të veprimeve që kanë bërë gjyshërit apo stërgjyshërit qofshin bilogjikë qofshin politikë.” (voa)

Zbulim i ri: jeta në Tokë mund të jetë mbi 4 miliardë vjeçare

TokaDisa mikrofosile të gjetura kohët e fundit në Kanada, mendohet se janë fosilet më të lashta të gjetura deri më sot në Tokë dhe ato mund shërbejnë si provë se jeta në planetin tonë ka filluar më tepër se 4 miliardë vjet më parë. Ky përfundim i një studimi të ri është botuar në revistën “Nature”.

Shkencëtarët nuk qenë të aftë të përcaktojnë me saktësi kohën se kur janë formuar fosilet, ato mund të jenë deri në 4.3 miliardë vjeçare, por sipas tyre, janë e pakta 3.8 miliardë vjeçare. Kjo do të thotë se fosilet e zbuluara së fundi janë rreth 300 milionë vjet më të lashta se ato të zbuluara deri tani, thonë studjuesit e Universitetit College të Londrës, që e bënë zbulimin.

Fosilet janë shumë të vogla, sa rreth gjysma e trashësisë së një fije floku të njerëzve dhe ato janë të padukshme për syrin e njeriut. Shkencëtarët thonë se ato kanë ardhur nga mikrobe të lashta, të formuara në xhepat me ujë të ngrohtë në fundin e oqeanit.

“Zbulimi ynë mbështet idenë se jeta ka filluar nga xhepat e nxehta të oqeanit, pak pas formimit të planetit tonë,” – thotë autori i studimit,

Matthew Dodd. “Këtë fillim të hershëm të jetës në Tokë e mbështesin edhe të dhëna të tjera, si zbulimi kohët e fundit i shtresave sedimentare

3,700 milionë vjeçare, që ka marrë formën e mikroorganizmave, “- thotë ai.

Studjuesi Dodd thotë se fillimi i jetës në Tokë jo shumë kohë pas formimit të planetit, që mendohet të ketë ndodhur 4.57 miliardë vite më parë, do të thotë se ka mundësi që në një planet që kanë ujë, të ketë filluar jeta brenda një periudhë po aq të shkurtër.

“Tani mund të gjejmë fakte që të ketë patur jetë në Mars 4 miliardë vjet më parë,” thotë shkencëtari.

Vendi ku u gjetën fosilet ndodhet në veri të Kebekut në Kanada. Pikërisht atje janë zbuluar edhe shkëmbinjtë më të vjetër sedimentarë të Tokës.

Para këtij zbulimi, fosili më i vjetër mendohej se ishte një fosil rreth 3.46 milairdë vjeçar i zbuluar në Australinë Perëndimore (voa)

Qëndrimi i Ivanov, reagon Rama: Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni

rama ivanovKryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale “Twitter” dhe “Facebook” ka reaguar kundër qëndrimit të Presidentit maqedonas që nuk mandatoi qeverinë Zaev me pretendimin se platforma e partive shqiptare është përgatitur nga një vend tjetër.

“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, shkruan Rama.

Përgjigja e tij vjen pas akuzave që kanë ardhur kohët e fundit nga Shkupi zyrtar, se platforma e paraqitur nga shqiptarët në Maqedoni është fryt i ndërhyrjeve të Tiranës.

Ivanov doli para mediave në një konferencë për shtyp rreth orës 16:30, ku bëri publik vendimin e tij.  “As Kushtetuta dhe as vetëdija ime nuk më lejojnë që të jap mandatimin për dikë që minon pavarësinë dhe sovranitetin e Maqedonisë. Sa të jem unë President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandat askujt që angazhohet, ose që në program të tij ka rrënimin e pavarësisë dhe sovranitetin e Maqedonisë”, tha ai.

/ Top Channel

Deklarata e raportuesve të KiE: Dialogu në Parlament, bëni vettingun

KiE vettinguRaportuesit e Këshillit të Europës që këto ditë kryen një mision faktmbledhës në Shqipëri, kanë dalë të mërkurën me një deklaratë ku rekomandojnë mes të tjerash kthimin e opozitës në Parlament dhe vazhdimin e reformave, me theks të veçantë tek ajo në drejtësi.

Për eurodeputetët Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, bojkotimi i Parlamentit nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë një strategji politike korrekte.

“Parlamenti është vendi i duhur ku forcat politike duhet të angazhohen në dialog dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar”, thuhet në deklaratë.

Në dokumentin në fjalë nënvizohet se, Shqipërisë i duhen si mazhoranca ashtu edhe opozita për të çuar përpara procesin e reformimit. “Prandaj, çdo bojkot do të ketë pasoja negative dhe serioze për vendin”, vijon deklarata.

Duke u ndalur tek ajo në drejtësi, dy raportuesit vlerësojnë se situata politike mund të komplikojë përpjekjet për një sistem gjyqësor efikas kundrejt ndërhyrjeve politike, gjykimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Vettingu gjyqësor është i një rëndësie parësore për të krijuar një gjyqësor të pavarur dhe është thelbësore që procesi të vazhdojë pa vonesa. Ndaj, të gjitha palët duhet të përmbahen nga pengimi i këtij zhvillimi të rëndësishëm”, vijon deklarata.

Nga ana tjetër, bashkëraportuesit e konsiderojnë jetike që ligji i Dekriminalizimit të implementohet me shpejtësi, pasi pastrimi i administratës publike nga elementë me rekorde kriminale është jetike për zgjedhjet e ardhshme të qershorit.

Në këtë drejtim, deklarata vë në dukje se, është e nevojshme që të gjitha forcat politike të angazhohen në përgatitjen e procesit elektoral, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen sipas parashikimeve kushtetuese.

“Përsërisim se problemi kryesor sa i takon zgjedhjeve në Shqipëri është mungesa e vullnetit politik në radhët e partive të mëdha për të implementuar Kodin Zgjedhor me mirëbesim dhe dëshira e tyre për të politizuar administratën elektorale”, vijon deklarata e raportuesve.

/ Top Channel

Basha: Qëndrimi i Ivanov, akt diskriminimi etnik

BashaKreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për situatën e fundit politike në Maqedoni, ku presidenti Ivanov refuzoi të mandatojë krijimin e qeverisë nga ana e Zoran Zaev.

“Përcolla me shqetësim qëndrimet e Ivanovit, për mosmandatimin e qeverisë së re dhe mund të them se ky qëndrim është një akt diskriminimi etnik”, u shpreh Basha.

Gjithashtu në reagim, lideri i opozitës konfirmoi mbështetjen e tij për platformën shqiptare dhe i bëri thirrje partive shqiptare në Maqedoni, që të veprojnë të bashkuara.

“Rruga e integrimit të Maqedonisë cenohet rëndë nga akte të tilla diskriminuese. Parimi i dygjuhësisë e emancipon Maqedoninë nga Ngërçet dhe paragjykimet”, tha në reagimin e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më herët, presidenti i Maqedonisë, Ivanov, refuzoi të mandatojë Zoran Zaev për krijimin e qeverisë së re, me arsyetimin se nuk mund të pranonte platformën shqiptare.

“Platforma e nxitur nga një shtet i huaj është një pengesë për mua që të mandatoj kreun e LSDM-së Zoran Zaev”, tha Ivanov.

/ Top Channel

Zaevit nuk i jepet mandati, Ivanov akuzohet për grusht-shtet

IvanovPresidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka refuzuar të mandatojë për kryeministër, liderin e Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev. Në një paraqitje të jashtëzakonshme, Presidenti Ivanov tha sa se shkas për këtë vendim është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën sipas tij rrënohet karakteri unitar të shtetit të Maqedonisë.

“Derisa të jem President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu, e asnjë partie e cila angazhohet, apo në programin e saj ka platformë për rrënimin e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë, pasi thellë besoj se këto janë vlera themelore me të cilat askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti dhe as që mendoj të heq dorë nga këto vlera”, ka deklaruar Ivanov duke drejtuar akuza të rënda ndaj liderit social-demokrat për shkelje të Kushtetutës dhe tradhti të interesave kombëtare.

“Me këtë platformë Maqedonia është shantazhuar, ndërsa karakteri i saj unitar, pavarësia dhe sovraniteti i saj janë rrezikuar. Procesi i koalicioneve pas-zgjedhore dhe formimi i Qeverisë së re, u bë peng i kësaj platforme pas-zgjedhore të një shteti të huaj. Dhe jo vetëm kaq, negociatat dhe pranimi i platformës së huaj është vepër e dënueshme sipas kodit penal, pasi kjo do të thotë sjellje e Maqedonisë në pozitën e gjunjëzimit apo varësisë nga një shtet i huaj”, ka shtuar Ivanov.

Ivanov tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare për mosdhënien e mandatit ashtu siç ndërkombëtarët nuk reaguam për platformës shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj, duke aluduar në Tiranën zyrtare.

“Nga bashkësia ndërkombëtare presim qartë dhe publikisht ta dënojë këtë platformë që paraqet përzierje e paskrupullt në punët e brendshme dhe ridefinim të karakterit unitar të shtetit tonë. Shumë mirë na kujtohet se bashkësia ndërkombëtare doli me qëndrime të tilla në raste të njëjta në vende tjera në rajon”, ka deklaruar Ivanov.

Ndërkohë, vendimi i presidentit ka shkaktuar reagime të ashpra të partive politike, në veçanti të Lidhjes social-demokrate. Zoran Zaev vendimin e ka quajtur grusht-shtet dhe të rrezikshëm për të ardhmen e stabilitetit të Maqedonisë.

“Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën e Maqedonisë dhe me këtë ka bërë grusht-shtet. Ai po e çon vendin në krizë të rënë me pasoja të rënda për të ardhmen e tij. Ai po shkakton krizë kushtetuese duke shkelur vullnetin e qytetarëve dhe firmave të siguruara për formimin e Qeverisë. Ivanov po pengon trasferin e pushtetit.Ai është vënë në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe NIkolla Gruevskit. LSDM-ja dhe unë si kryetar nuk do t’i lejojnë askush të luaj me të ardhmen e shtetit për qëllime të vetme kriminale. Ivanov duhet sa më parë të tërheq vendimin. Ai nuk guxon të shkelë mbi vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev duke i bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe ruajtjen nga provokimet e mundshme.

Vendimi i Presidentit Ivanov është dënuara edhe nga dy partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, duke e të cilësuar të dëmshëm për të ardhmen e vendit.

“Vendimi i Ivanovit rrezikon komunitetin shqiptar në Maqedoni, andaj i ftojmë SHBA-të, BE-në dhe NATO-në që të ndërhyjnë në rikthimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA. (rel)