Qeveria gjermane: thirrje partive politike shqiptare për qendrime të moderuara në debatin politik

Steffen SeibertZëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se të gjitha forcat të bashkëpunojnë në Parlament me njëra-tjetrën. Dhuna, retorika e dhunshme nuk duhet të bëhet mjet për arritjen e pozicioneve të kundërta politike.

DW: Që prej dy javësh opozita bllokon në Shqipëri Parlamentin. Udhëheqësi i opozitës Basha thotë se ka mbështetjen e shumë përfaqësuesve ndërkombëtarë që qeveria e korruptuar e Edi Ramës të largohet nga pushteti dhe që në vend të saj të vijë në pushtet një qeveri teknike, e cila të qëndrojë në pushtet deri në qershor. A bën pjesë qeveria gjermane të shumë përfaqësuesit ndërkombëtarë, që e mbështesin këtë kërkesë të opozitës?

Steffen Seibert: Unë nuk e njoh këtë pohim të drejtuesit të opozitës. Ajo që mund t’ju them për qeverinë gjermane është se ne e mbështesim kursin e reformave të qeverisë shqiptare. Siç e dini Shqipëria ka bërë disa hapa në drejtim të reformës së saj të gjerë të drejtësisë.

Gjermania e shoqëron dhe e mbështet pikërisht këtë proces të reformës në drejtësi, për shembull duke dërguar gjykatës gjermanë në misionin e shtetit juridik Euralius. Është në interesin e njerëzve në Shqipëri, shumica dërmuese e të cilëve e kërkon këtë reformë, që të ecet përpara në këtë rrugë. Për këtë është e rëndësishme që të gjitha forcat të bashkëpunojnë në Parlament me njëra-tjetrën. Në këtë kuadër, qeveria gjermane u bën thirrje partive politike shqiptare që të mbajnë qëndrime të moderuara në debatin politik. Dhuna, retorika e dhunshme, siç dëgjohet pjesërisht, nuk mundet dhe nuk duhet të lejohet që të bëhet mjet për arritjen e pozicioneve të kundërta politike. (dw)

Zaev: Presidenti Ivanov po zhyt vendin në krizë

ZaevUdhëheqësi i Partisë Social-Demokrate – LSDM – Zoran Zaev e akuzoi të mërkurën në mbrëmje Presidentin Gjorgje Ivanov se po bën grusht shteti dhe po e fut vendin në një krizë më të thellë, pasi ai refuzoi t’i japë mandatin për themelimin e qeverisë.

Ivanov nuk e respekton vullnetin e qytetarëve dhe ligjvënësve dhe po pengon transferimin ligjor dhe legjitim të pushtetit”, tha zoti Zaev.

Presidenti Ivanov e akuzoi zotin Zaev për veprime që “cenojnë karakterin unitar të Maqedonisë” dhe se arsyeja për këtë vendim ishte platforma e partive politike shqiptare e cila ishte hartuar sipas tij në “shtetin fqinj”.

“Deri sa të jem president i Maqedonisë nuk do të mandatoj askënd që pranon platforma të shteteve fqinje që rrënojnë sovranitetin e shtetit”, tha presidenti Ivanov. Ai e akuzoi kryetarin e Lidhjes Social-Demokrate për shkelje të Kushtetutës dhe të interesave kombëtare.

“Maqedonia është gjithçka që kemi dhe nuk kemi të drejtë historike për të shkatërruar atë për të cilën brezat e mëhershëm kanë luftuar”, tha ai.

Ai tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu siç “ndërkombëtarët nuk reaguan për platformën shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj”.

Presidenti Ivanov dhe partia VMRO-DPMNE kishin akuzuar Tiranën për hartimin platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni.

Në reagimin e tij, zoti Zaev theksoi se LSDM nuk do të lejojë që dikush “të luajë me shtetin për interesa të caktuara politike”, ndërkohë që i bëri thirrje presidentit maqedonas që ta tërheqë vendimin dhe ta japë mandatin për formimin e qeverisë.

Zoti Zaev pati të mërkuren një takim me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, por nuk janë dhënë hollësi nga takimi. Zaev tha se me zotin Ahmeti duhej të bisedonte mbi ndarjen e posteve qeveritare por pas vendimit të presidentit, nuk ishte folur mbi këtë.

Ai bëri të ditur se do të shikohen hapat e mëtejshme dhe me ndihmën e ekspertëve ligjorë do të merren vendime. Ai u bëri thirrje mbështetësve të partisë së tij dhe të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe “të mos bien pré e provokimeve”, siç tha.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate i dorëzoi të hënën më 27 shkurt presidentit Gjorgje Ivanov 67 nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij, të Bashkimit Demokratik për Integrim, të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për shqiptarët, si garanci e krijimit të shumicës parlamentare për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Pjesë e marrëveshjes ishte propozimi i hartuar nga partitë shqiptare për përdorimin e gjuhës shqipe në shkallë vendi, gjë që nxiti reagime të VMRO-DPMNE-së e cila dështoi të sigurojë mbështetjen për themelimin e qeverisë.

Mbështetësit e kësaj partie u hodhën ne protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe. (voa)

Shqipëri: Mangësi të theksuara në sistemin e vlerësimit të gjykatësve

keshilli i larte i drejtesiseKëshilli i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri nuk arriti të përmbushë detyrimin ligjor për përmbylljen e raundit të dytë të vlerësimit profesional për gjyqtarët, duke lënë një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh jashtë garës për institucionet e reja të drejtësisë. Analiza mbi sistemin e deritanishëm të vlerësimit profesional tregon se procesi u shoqërua me zvarritje dhe dështoi të garantojë promovime të bazuara në meritë brenda sistemit gjyqësor.

Materiali në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, është përgatitur nga gazetari Elton Qyno.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk arriti të përmbyllë raudin e dytë të vlerësimit profesional për të gjithë gjyqtarët e shkallës së parë dhe Apelit në vend, duke lënë rreth 40 gjyqtarë jashtë kandidimit për institucionet e reja që do të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi.

Sipas ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, KLD kishte tre muaj kohë për përmbylljen e vlerësimeve për vitet 2007-2009-afat i cili ka skaduar më 22 shkurt.

Në mbledhjen e fundit të 10 shkurtit, disa anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përcollën shqetësimin e gjyqtarëve për mungesën e vlerësimit të dytë profesional-kusht ligjor ky për të kandiduar në institucionet e reja të drejtësisë. Një tjetër problem i shkaktuar nga zvarritjet e procesit të vlerësimit, sipas debatit mes anëtarëve të KLD është pabarazia mes gjyqtarëve që do të përfshihen në procesin e vetingut.

I përcaktuar si detyrim ligjor prej vitit 2008, procesi i vlerësimit profesional të gjyqtarëve është shoqëruar vazhdimisht me bllokime dhe zvarritje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ekspertë të kontaktuar nga BIRN kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi eficensën e deritanishme të këtij procesi, në funksion të promovimeve të gjyqtarëve brenda sistemit të drejtësisë.

Sipas ligjit të vitit 2008 për “organizimin e pushtetit gjyqësor”, çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do të duhej t’i nënshtrohej vlerësimit profesional të paktën një herë në tre vjet.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tregojnë se ky detyrim ligjor nuk është respektuar.

Përgjatë 9 viteve, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar vetëm raundin e parë të vlerësimit për 279 gjyqtarë për vitet e punës 2005-2006 dhe është në përmbyllje të raundit të dytë për vitet 2007-2009. Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari tha në mbledhjen e fundit të KLD-së ka përfunduar vlerësimi i 246 gjyqtarëve nga 316 gjithsej, ndërsa dosjet e pjesës së mbetur ndodhen në faza të ndryshme vendimarrjeje.

Analiza e të dhënave të siguruara nga BIRN në Inspektoriatin e KLD-së tregon se shumica e gjyqtarëve shqiptarë janë vlerësuar me notën “ shumë mirë” për të dyja raundet e vlerësimit. Një numër më i vogël gjyqtarësh kanë marrë notën mirë dhe asnjë prej tyre nuk është vlerësuar si i paaftë nga inspektorët e KLD-së.

Vlerësimi për vitet 2005-2006

Shumë mirë 225 gjyqtarë

Mirë 51 gjyqtarë

Pranueshëm 3 gjyqtarë

I paaftë 0 gjyqtarë

Vlerësimi për vitet 2007-2009

Shumë mirë 224 gjyqtarë

Mirë 33 gjyqtarë

Pranueshëm 5 gjyqtarë

I paaftë 0 gjyqtarë

Vlerësimi profesional i gjyqtarëve për punën e kryer shumë vite më përpara është është cilësuar si një mangësi serioze e këtij procesi, sipas një analize të bërë nga ekspertë të Këshillit të Europës. Ndërsa për delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, sistemi i vlerësimit i ndjekur deri tani nga KLD nuk garanton një dallim mes gjyqtarëve të niveleve të ndryshme.

I kontaktuar nga BIRN, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi se reforma në drejtësi ka adresuar defektetet e sistemit të vlerësimit profesional dhe tanimë parashikon 5 nota të dallueshme qartë nga njëra-tjetra për gjyqtarët.

“Një nga sfidat më të mëdha në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve është guximi institucional për të bërë ndryshimin dhe për të dalluar gjyqtarët me performancë mesatare nga të tjerët. Në fakt, vetëm një skemë vlerësimi që “bën dallime” mund të cilësohet e ndershme. Ajo inkurajon dhe stimulon performancën më të mire,” deklaroi delegacioni i BE.

Delegacioni vlerëson gjithashtu se një sistem funksional dhe në kohë i vlerësimeve profesionale është parakusht për sistemin e promovimit të gjyqtarëve dhe prokurororëve, bazuar në meritën e tyre.

“Progres-raporti i Bashkimit Europian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se promovimet e gjyqtarëve nuk janë të bazuara në mënyrë të mjaftueshme në meritë dhe u mungon transparenca. Delegacioni i BE është i vetëdijshëm për rastet ku kritere të ndryshme nga merita kanë qenë arsyeja e promovimit dhe ato janë raportuar në mënyrë të vazhdueshme nga media,” tha delegacioni i BE për BIRN.

Elvis Çefa, i cili ka drejtuar si zëvendëskryetar Këshillin e Lartë të Drejtësisë i tha BIRN se sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve u konceptua drejt klasifikimit të gjyqtarëve, në mënyrë që KLD të orientohej për promovimet apo sistemin e karrierës. Megjithatë, zvarritja për disa vite e procesit solli defekte, pasi për disa gjyqtarë kishte një vlerësim dhe për disa të tjerë dy vlerësime.

“Por a ka pasur ndikime apo njerëz që kanë mbështetur persona të caktuar? Kjo sigurisht që është një element krejtësisht normal për një institucion kolegjial dhe është krejt e natyrshme dhe njihet edhe nga doktrina ligjore lobimi dhe institucioni i lobimit në këtë rast. Gjyqtarët shpeshherë për zgjedhjen si anëtarë KLD apo si kryetarë gjykatash apo për promovimin dhe transferimin e tyre sigurisht që kanë lobuar dhe kjo është krejtësisht e ligjshme dhe normale,” tha Çefa.

Juristi Sokol Hazizaj, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e zv.ministrit të Drejtësisë i tha BIRN se ndonëse ligji e pohonte qartë, promovimi i gjyqtarëve në Shqipëri nuk është bazuar në sistemin e meritokracisë.

“Nuk di ndonjë rast që të jetë bërë, mbase informacioni im është i reduktuar, që një gjyqtar të ketë kaluar nga gjykata e faktit në shkallët e tjera nëse nuk ka pasur mundësi sociale për t’u njohur me anëtarët e KLD-së. Nëse ju më gjeni ndonjë, unë do ta pranoj. Nuk di ndonjë rast që të jesh ngritur në karrierë për shkak të aftësive. Di mjaft raste që janë ngritur në karrierë për shkak të njohjeve,” thotë Hazizaj.

Ligji për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” prezanton për herë të parë konceptet “e transferimit” dhe “promovimit”, i vendos ato në kushte transparence dhe të lidhura ngushtësisht me rezultatet e vlerësimit professional për gjyqtarët dhe prokurorët. (voa)

Tiranë: Qeveria vendos të dëmshpërblejë plotësisht banesat e Zharrëzës

tiranaQeveria miratoi në Tiranë një paketë masash për dëmet e shkaktuara nga lëkundjet e tokës në Zharrëz të Patosit dhe Kuman të Roskovecit.

Vendimi i qeverisë përcakton afate të shpejta për vlerësimin e banesave të dëmtuara rëndë apo të shkatërruara plotësisht dhe dëmshpërblimin e plotë të tyre nga buxheti i shtetit dhe kompania e naftës Bankers Petroleum.

Një ekspert i pavarur ndërkombëtar po kontraktohet për vlerësimin shkencor mbi shkaqet e lëkundjeve.

Ministri i energjisë dhe industrisë urdhëroi dy ditë më parë kompaninë Bankers Petroleum të ndalojë injektimin e ujit në shtresat gëlqerore në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit pa dëmtuar mjedisin, sipas standarteve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat për komunitetin.

Qeveria ftoi banorët të mbështesin grupet e punës në terren, të cilat po fillojnë punën menjëherë, në mënyrë që vlerësimi i banesave të dëmtuara të kryhet brenda muajit.

Një grup banorësh të fshatit Zharrëz nga bashkia e Patosit zhvilluan një protestë prej disa ditësh para ministrisë së energjisë, duke kërkuar të dëmshpërblehen për dëmet e rënda që ka marrë mjedisi dhe disa qindra banesa të tyre, për shkak të lëkundjeve të forta sizmike.

Ata kërkuan rehabilitimin e mjedisit në zonën e ndotur në ajër, ujë, dhe toka bujqësore.

Pas dy greva urie dhe pas një marshimi 4 ditë në këmbë nga fshati i tyre deri në ministrinë e energjisë në Tiranë, protestuesit e mbyllën protestën e tyre para ministrisë së energjisë, duke pritur të zbatohet vendimi i qeverisë. (voa)

Kosovë: Së shpejti në parlament marrëveshja për kufirin me Malin e Zi

parlamenti i ksNë Kosovë, autoritetet paralajmëruan të mërkurën se marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi do të dërgohet shpejt në parlament, ndërsa u kanë bërë thirrje deputetëve që të mbështesin ratifikimin e saj. Kjo marrëveshje që nxiti ndarje të thella politike, ishte tërhequr në shtator të vitit të kaluar nga qeveria për shkak të mungesës së votave të nevojshme për ta miratuar atë, pasi veç kundërshtimit të opozitës, nuk kishte mbështetjen as të të gjithë deputetëve të shumicës. (voa)

Coats: Rusia, kërcënimi më i madh për Amerikën

Dan CoatsDirector of National Intelligence-designate Dan Coats is sworn-in on Capitol Hill in Washington, Feb. 28, 2017, at his confirmation hearing before the Senate Intelligence Committee. in Washington.

Kandidati i zgjedhur nga Presidenti Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Kombëtare të Zbulimit, ish Senatori Dan Coats, tha se Rusia është kërcënimi më i madh për Amerikën. Këto komente zoti Coats i bërë të martën në një takim me ligjvenësit në Kongres.

Ish Senatori i Indianës, i emëruar nga presidenti Trump për të drejtuar Agjencinë Kombëtare të Zbulimit u tha ligjvenësve në Kongres se është një fakt tashmë i pranuar se Moska është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

“Rusia ka një histori të gjatë propagande në ndikimin e kombeve, kulturave dhe zgjedhjeve në vende të ndryshme, siç po ndodh aktualisht në Europë. Por ata i kanë intensifikuar këto përpjekje dhe po përdorin internetin e mënyra të tjera më të stërholluara për të ushtruar ndikimin e tyre. Kjo është një çështje kyç dhe duhet të kuptojmë plotësisht se çfarë ka ndodhur, e si ka ndodhur. Duhet të kemi një raport të plotë për këtë problem.”

Zoti Coats, u zotua gjatë dëshmisë përpara Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit se mbështet një hetim të plotë të rolit që ka luajtur Kremlini gjatë zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Ky qëndrim i zotit Coats, bie në kundërshtim me atë të Presidentit Trump, i cili si gjatë fushatës, ashtu edhe pasi u zgjodh president, nuk u dha rëndësi informacioneve të shërbimeve amerikane të zbulimit.

Gjatë fjalës së tij, duke identifikluar rreziqet e tjera që u kanosen Shteteve të Bashkuara, zoti Coats përmendi edhe atë që ai e quajti “terrorizëm islamik radikal”.

“Ata po shpërndajnë mesazhe frike dhe urrejtjeje përmes botës virtuale dhe po tregohen aktiv edhe në vende të tjera, përtej kalifatit të tyre të vetshpallur,” tha ai, duke cituar grupin terrorist të Shtetit Islamik.

Zoti Coats shprehu gjithashtu shqetësimet e tij në lidhje me Korenë e Veriut dhe Kinën. (voa)

Fjalimi i presidentit, reagojnë amerikanët

trump protestTrump Speech Protest

Në fjalimin e parë që mban para Kongresit, Presidenti Donald Trump prezantoi hollësi për politikat që synon të ndjekë administrata e tij për të bashkuar vendin pas zgjedhjeve përçarëse. Në komunitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, korrespondentë të Zërit të Amerikës ndoqën fjalimin në televizor, së bashku me banorë lokalë dhe morën përshtypjet e tyre mbi politikat që theksoi presidenti.

Në Holmes të Pensilvanisë, jo larg Filadelfias, një grup banorësh janë mbledhur për të luajtur bowling.

Televizioni po transmeton fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, drejtuar popullit amerikan:

“Të gjitha vendet e botës, miq dhe armiq, do ta kuptojnë se Amerika është e fortë, krenare dhe e lirë,” thotë presidenti.

Por ashtu si politikanët që kanë dërguar në Uashington si përfaqësues të tyre, edhe vetë amerikanët janë të ndarë mbi mesazhin që përcolli mbrëmë presidenti.

“Ai flet për rikthim të fitimeve dhe të vendeve të punës në Amerikë. Më në fund dikush po flet për ekonominë dhe punëtorin amerikan. Ç’të keqe ka këtu?”thotë Bryan Gallagher, përkrahës i presidentit Trump.

“Si do ta rindërtojë infrastrukturën kur shkurton taksat? Për të rindërtuar infrastrukturën duhet t’ua rrisësh taksat të pasurve. Ashtu përmirësohet infrastruktura e një vendi,” thotë Pete Harwan, përhrahës i ish-kandidates Clinton.

Në skajin tjetër të Shteteve të Bashkuara, në Las Vegas të Nevadës ku janë mbledhur për të ndjekur fjalimin një grup kinezo-amerikanësh që përkrahin zotin Trump, ngrihen pyetje për vizionin e presidentit për vendin:

“Deri tani ka thënë fjalë të mira, por ende nuk është bërë asgjë. E kanë prezantuar, por vazhdojnë të ndërrojnë herë një gjë, herë një tjetër. Dua të shoh që po bëhet diçka,” thotë Chris Villasenor.

Në Teksas, veterani Jeff Olsen thotë se i mirëpret propozimet e presidentit.

“Sa mirë do të ishte sikur këtë fjalim ta kishim dëgjuar pesë javë më parë. Të gjithë jemi amerikanë. Të gjithë ia duam të mirën Amerikës; mendoj se sonte ai foli me një ton shumë më pajtues se më parë”.

John, një banor i Ajovas, thotë se nuk është përkrahës i zotit Trump por shpreson që punët të shkojnë sa më mirë:

“Nuk jam republikan. Nuk më pëlqen Donald Trumpi, por duhet t’i japim mundësi të qeverisë. Ai fitoi, nuk vihen në dyshim kjo. Tani duhet ta mbështesim dhe të shpresojmë se do të bëjë një punë të mirë”.

Në Uashington, demonstruesit u mblodhën në mot me shi për të protestuar kundër presidentit. Sheldon Cohen ka kancer. Ai konsiderohet pacient me probleme ekzistuese shëndeti, por nën programin e Presidentit Obama për kujdes shëndetësor mund të gjente sigurime për shëndetin. Tani ky program është në rrezik nga administrata Trump:

“I jap notën më të lartë për cilësitë e argëtuesit dhe për kaosin presidencial. Por i jap notë ngelëse për punën që ka bërë si udhëheqës dhe për të bashkuar vendin,” thotë aktivisti Cohen.

Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara ka ardhur në Shtëpinë e Bardhë prej një muaji. Ai ka bërë miq e armiq me programin e tij qeverisës bazuar në premtimet e fushatës. Nëse do të arrijë ai ta vërë në jetë këtë program do të varet nga anëtarët e Kongresit dhe votuesit në të gjithë vendin që i zgjedhin këta anëtarë. (voa)