Deklaratë e përbashkët në 60-vjetorin e themelimit të BE-së

BEKrerët e qeverive dhe vendeve të BE-së në një ceremoni festive nënshkruan deklaratën e përbashkët me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës, për një të ardhme të përbashkët në unionin europian.

Të shtunën (25.03) krerët e qeverive dhe vendeve të BE-së në një ceremoni festive nënshkruan deklaratën e përbashkët me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës, që konsiderohet sot edhe si lindja e Bashkimit Europian. Me këtë deklaratë përforcohet bindja e një të ardhmeje të përbashkët në unionin europian. Edhe presidenti Trump e uroi Bashkimin Europian në 60-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë theksohet angazhimi i përbashkët për “liri, demokraci dhe shtetin ligjor.”

Vendimi i Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Europian, hedh hije mbi këto festime, por kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk pret largime të tjera nga unioni. Merkel thotë, se Brexit nuk do të imitohet nga të tjerë. “Vende të caktuara sigurisht kanë përfytyrime të ndryshme, se si duhet të formësojmë të ardhmen, por në përgjithësi rruga është e qartë: Më shumë bashkëpunim në politikën e mbrojtjes, mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, luftimin e terrorizmit islamist dhe bashkëpunim për gjithçka na bën të suksesshëm për sigurimin e vendeve të punës për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona”, tha Merkel për gazetën “Passuer Neuer Presse” dhe “Donaukurier”.

As presidentja lituaneze,Dalia Grybauskaite nuk i trembet shpërbërjes së mëtejshme të BE-së “Ka 60 vjet që Europa, megjithë vështirësitë, me të cilat është konfrontuar, ka qenë në gjendje të gjejë kompromise e zgjidhje për t’i kaluar vështirësitë”, tha ajo për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Brexit nuk do të ketë ndikime substanciale në BE, tha ajo.

Për të mërkurën Britania e Madhe ka bërë të ditur, se do të dorëzojë kërkesën për largimin nga BE. Por Merkel nuk mendon, se kjo do të prishë festimet. “E dinim që kjo letër do të vinte, nuk luan ndonjë rol. Shtetet anëtare, që duan të shohin së bashku drejt së ardhmen, mund edhe të festojnë së bashku.”

Samit i posaçëm

Të shtunën krerët e qeverive dhe vendeve të 27 anëtarëve të BE-së takohen në Romë në një samit të posaçëm për të festuar nënshkrimin e Marrëveshjeve të Romës para 60 vjetësh, në mars 1957, marrëveshje që u bënë edhe baza e Bashkimit Europian. Në samitin e posaçëm të shtunën në kryeqytetin italian, krerët e qeverive dhe vendeve të BE-së nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për strategjinë e Bashkimit Europian për 10 vitet e ardhshme, e njohur si “Axhenda e Romës”. Për deklaratën e Romës ka kundërshtime lidhur me politikën sociale, por edhe termin e ri të një Europe të shpejtësive të ndryshme. Kancelarja Merke është ajo që kërkon që shtete të caktuara të ecin më shpejt me integrimin, nëse bien dakord, por ka kundërshtime. Polonia i trembet një Europe me dy klasa.

Por megjithë kërcënimet për të bllokuar deklaratën e përbashkët të BE-së, nuk priten përplasje në Romë. Polonia ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga bllokada e saj, dhe se do të nënshkruajë deklaratën, pasi uniteti i BE-së ka rëndësi prioritare, ka thënë kryeministrja, Beata Szydlo. Edhe Greqia e mbështet deklaratën. Më parë politikanët grekë kishin kërkuar që të mos nënshkruhet deklarata, sepse kreditorët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga ky vend një liberalizim të gjerë të tregut të punës.

Sipas kancelares gjermane, puna e Bashkimit Europian në vitet e ardhshme do të përqëndrohet në dy drejtime. “Nga njëra anë kemi negociatat e daljes së Britanisë së Madhe nga unioni, dhe nga ana tjetër përpjekjet për të aftësuar sa më shumë për të ardhmen e përbashkët 27 vendet anëtare.” (dw)

Ata që akuzonin se ne po duam ta marrim pushtetin me dhunë, duan ta mbajnë pushtetin me dhunë

dardanvisarNë lidhje me sulmin e mbrëmshëm nga persona të panjohur ndaj aktivISTIT AGRON KABASHI, I CILI PO SHOQËRONTE NË SHTËPI SEKRETARIN ORGANIZATIV, DARDAN MOLLIQAJN, SOT NË NJË KONFERENCË TË JASHTËZAKONSHME PËR MEDIA FOLËN KRYETARI VISAR YMERI DHE SEKRETARI ORGANIZATIV DARDAN MOLLIQAJ.

Molliqaj sqaroi këtë akt, të cillin e quajti me motive politike nga segmentet e pushtetit. Ai tregoi se është përcjellë nga një veturë ku ishin katër persona dhe shpjegoi që sulmi ndaj aktivistit Kabashi kishte ndodhur 20 sekonda pasi që ky kishte hyrë në banesën e tij, duke shtuar se këta persona i kishin bërë edhe presion aktivistit Kabashi që të mos e shoqëronte më kurrë atë. Ai prezantoi po ashtu një kërcënim që kishte marrë një ditë më herët nëpërmjet facebook-ut, nga një faqe e cila mbrëmë pas sulmit është mbyllur, kërcënim i ardhur në adresë të tij pas konferencës ku ky kishte publikuar rezultatet e një sondazhi që nxjerrë fitues të zgjedhjeve Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

“Shumë shpesh pushteti na ka akuzuar se ne po duam ta marrim pushtetin me dhunë, por e vërteta po del se këta po duan ta mbajnë pushtetin me dhunë”, tha veç tjerash, Molliqaj.

Kurse, Kryetari Visar Ymeri sulmin ndaj Agronit e quajti sulm ndaj Dardanit, e më pas sulm ndaj gjithë Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe tha se është sulm tinëzar nga njerëz të mjerë e të kapur nga krimi. Ndër të tjera, Kryetari Ymeri tha se kjo nuk është thjesht dhunë fizike, por dhunë kriminale. Megjithatë ai tha se krimi nuk do të fitojë, dhe tentimi për heshtje dhe demoralizim të qytetarëve nga pushteti po kontribuon në rritje të revoltës dhe mosdurimit.

“Sulmi i mbrëmshëm është konfirmim i dobësisë së këtij pushteti. Me ketë ata po e konfirmojnë paqëndrueshmërinë e tyre, mungesën absolute të fuqisë politike e konceptuale, organizative e strategjike. Prandaj edhe betejën politike po duan ta zhvendosin në rrafsh kriminal, aty ku kanë monopol, në të vetmin rrafsh ku pushteti ndihet superior ndaj popullit”, deklaroi Kryetari Visar Ymeri.

Në fund u tha se çrrënjosja e krimit është domosdoshmëri, dhe se nuk mund të ketë asnjë zhvillim pozitiv në Kosovë pa i larguar kriminelët me tesha zyrtarësh nga institucionet.

Engel: SHBA të mbështesin krijimin e ushtrisë së Kosovës

Eliot EngelLigjvënësi amerikan Eliot Engel tha se SHBA duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur aspiratat e Kosovës drejt integrimeve ndërkombëtare.

Zoti Engel, një ndër anëtarët më aktivë të Kongresit në mbështetje të çështjeve shqiptare, e shfrytëzoi dje kohën që i ishte rezervuar në një seancë të Kongresit për të ndarë me kolegët problemet me të cilat ndeshet Kosova.

Ai i lidhi këto probleme me një fushatë intensive të Beogradit, që ai tha se synon të pengojë proceset integruese të Kosovës.

Numri dy i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, theksoi në fjalimin e tij se mbështetja e Shtetet e Bashkuara për Kosovën duhet të shtohet:

“Mbështetja e Amerikës për Kosovën është më e rëndësishme se kurrë. Prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të thelluar lidhjet mes dy vendeve, për të pasuruar mirëkuptimin e përbashkët dhe për të forcuar në vazhdimësi stabilitetin në gjithë Ballkanin. Kjo është mënyra drejt një Kosove më të begatë, më demokratike dhe shumetnike; kjo është rruga që Shtetet e Bashkuara të shohin një Ballkan të lirë, në paqe dhe pjesë të Evropës”.

Kosova, tha zoti Engel, dëshiron të jetë pjesë e një Evrope të sigurtë dhe të integruar, por synimi i saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO pengohet nga pesë vende evropiane, si dhe nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia.

Zoti Engel kritikoi qëndrimin e administratës amerikane që nuk e mbështeti nismën e Kosovës për të patur ushtrinë e saj:

“Uashingtoni po përcjell kritika e kërcënime diplomatike. Ne po deklarojmë se nuk do ta mbështesim ngritjen e ushtrisë së Kosovës. Kjo është absurde dhe ky qëndrim duhet të ndryshojë menjëherë, Armë e materiale po dërgohen në Serbi, falë Vladimir Putinit. Me sa kam parë, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar në heshtje,” tha ligjvënësi.

NATO-ja, e cila ka rreth 4,500 ushtarë në Kosovë, ka thënë se plani për krijimin e një ushtrie ngre shqetësime serioze.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se SHBA e mbështesin transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s. Por ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës.

Zoti Engel ngriti shqetësimin se Serbia është bërë kohët e fundit pengesë e Kosovës në çdo formë të mundshme, përmes akteve që sjellin shkallëzim tensionesh. Ligjvënësi veteran sjell si shembuj të kësaj politike një numër veprimesh që nga “dërgimi i një treni propagande në Kosovë”, rolin në Beogradit në votën e dështuar për antarësimin e Kosovës në UNESCO, mungesën e përparimit për të vënë në vend drejtësinë për viktimat e luftës e deri tek arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Kjo sjellje, thotë ligjvënësi Eliot Engel, ka vënë në pikëpyetje angazhimin e Beogradit ndaj procesit të normalizimit:

“Çfarë normalizimi përfshin nxitjen e tensioneve tek popullata pakicë e një vendi fqinj dhe pengimi i procesit të integrimit ndërkombëtar të këtij vendi? Këtë po bën Serbia në Kosovë. Kjo duhet të ndalë”.

Për këtë arsye, thotë zoti Engel, Shtetet e Bashkuara duhet t’i përmbahen kursit si përkrahëse të Kosovës. Ai iu drejtua kolegëve në Kongres, miqve dhe të gjithë bashkëkombasve amerikanë me fjalët:

“Kur të vizitoni Kosovën, do ta shihni dhe do të ndjeheni krenarë që jeni amerikanë. Njerëzit do t’ju afrohen në rrugë, do të duan t’ju prekin, të flasin me ju, do të duan të jenë e të përqafojnë çdo gjë amerikane”.

Miq të tillë i duhen Amerikës, thotë në fjalën e tij para Dhomës së Përfaqësuesve ligjvënësi Eliot Engel. (voa)

Bushati: tensioni politik në Shqipëri, artificial

BushatiAdministrata e Presidentit Trump organizoi të mërkurën në Departamentin e Shtetit, takimin e saj të parë të Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik me pjesëmarrjen e ministrave të jashtë të 68 vendeve të koalicionit. Nga Shqipëria në takim mori pjesë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Pas takimit, zoti Bushati bisedoi në studion e Zërit të Amerikës me kolegun Arben Xhixho mbi rolin e Shqipërisë në këtë koalicion si dhe mbi tensionet politike që po kalon vendi aktualisht.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit, Tillerson, tha gjatë fjalimit të tij se komuniteti ndërkombëtar është ende në një fazë të ndërmjetme në përpjekjet për shkatërrimin e Shtetit Islamik. Administrata e Presidentit Trump e ka vënë si përparësi shkatërrimin e ISIS-it. Sipas jush, çfarë mund të bëhet në të ardhmen, çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen dhe çfarë kontributi mund të japë Shqipëria?

Ditmir Bushati: Natyrisht, ky është një prioritet jo thjeshtë për administratën e re amerikane, po përgjithësisht për të gjitha vendet që janë pjesë e këtij koalicioni. Shqipëria ka qënë që në krye pjesëtare e koalicionit, i cili në fakt është shtrirë përtej suazës së NATO-s dhe, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne kemi ndërmarrë masa të tre-llojshme. Masa operacionale, institucionale dhe sociale. Tek masat operacionale do të doja të veçoja kryesisht kontributin tonë (të Shqipërisë) me municione për forcat Pashmerga, por edhe kontribute të tjera kryesisht në Mesdhe. Tek masat institucionale, i gjithë rishikimi i legjislacionit dhe bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe agjencive të inteligjencës. Tek masat sociale, ky ndoshta është elemet unik i Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit, do të veçoja punën e lavdërueshme që bëjnë institucionet shtetërore me përfaqësues të komuniteteve fetare, me përfaqësues të shoqërisë civile, pra tek aspektet kryesisht edukative dhe sociale të përballimit të këtij fenomeni. Siç u dakordua gjatë takimit të ministrave (në Uashington), ka një progres të dukshëm në drejtim të zhdukjes së Shtetit Islamik, por nuk jemi ende në fazën përfundimtare, ku mund të deklarojmë që jemi ndarë nga ky fenomen.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka deklaruar së funmdi se do të angazhohet me trupa ushtarake në Irak, në kuadër pikërisht të kësaj përpjekjeje kundër Shtetit Islamik. Për sa trupa bëhet fjalë dhe kur pritet të shkojnë?

Ditmir Bushati: Jemi në fazën përfundimtare të përcaktimit të modaliteteve për mënyrën se si do të kontribuojmë në këtë proces. Ka një angazhim të qartë të qeverisë shqiptare të njoftuar në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Jemi në një bashkëpunim të ngushtë kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sa i përket formatit dhe mënyrës se si do të angazhohemi në këtë proces. Gjatë takimit pata mundësi për të këmbyer disa pikëpamje të shpejta edhe me kryeministrin irakian në lidhje me detajet, por pak a shumë sot për sot mund të them që Shqipëria dhe forcat shqiptare që do të kontribuojnë në Irak, do të kenë të njëjtin status, siç kanë forcat e tjera aleate.

Zëri i Amerikës: Këto ditë në Shqipëri ka patur disa vizita nga politikanë amerikanë, e kam fjalën për ish-ambasadorin Bolton, apo ish senatorin Torricelli, që janë takuar me komunitetin e opozitës iraniane, MEK, që ndodhet në Shqipëri. E para, sa është numri i tyre dhe a mendoni se ata do t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre gjatë kohës që janë strehuar në Shqipëri?

Ditmir Bushati: Shqipëria ka marrë një angazhim ndërkombëtar kryesisht me agjencitë e OKB-së për të strehuar këtë kategori, së cilës ju i referoheni. Natyrisht, që ka angazhime specifike në përputhje me ligjet dhe praktikat e së drejtës ndërkombëtare. Nuk bëhet fjalë për një aktivitet politik të tyre në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për një qëndrim politik të Shqipërisë në këtë proces. Bëhet fjalë thjesht për një qëndrim humanitar. Natyrisht mund të ketë dashamirës, partnerë dhe njerëz që vijnë dhe i takojnë, por qëndrimi i Shqipërisë ka qënë dhe mbetet i pandryshueshëm, duke e konsideruar këtë çështje thjesht dhe vetëm brenda kornizës humanitare.

Zëri i Amerikës: Sa është numri i tyre në Shqipëri?

Ditmir Bushati: Shqipëria është kontribuesi kryesor në këtë proces dhe numri është rreth 3 mijë.

Zëri i Amerikës: Para disa kohësh, shefi i zyrës italiane të antimafias tha se ka dyshime, që para të dala nga trafiku i drogës në Shqipër i mund të shkojnë për të financuar grupin ISIS. A jeni ju i shqetësuar për këtë dhe çfarë masash po merr shteti shqiptar në këtë drejtim?

Ditmir Bushati: Ne kemi një komunikim shumë të zhdërvjellët me partnerët tanë kryesorë në këtë fushë. Natyrisht që, unë jam njohur me këtë deklarim, thjesht nga media. Në rrugë zyrtare dhe diplomatike nuk ka një shqetësim të shprehur nga asnjë prej partnerëve në lidhje me këtë çështje që ju thoni. Ka patur gjithashtu një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti i Republikës në lidhje me fenomenin e kultivimit të drogës, por asnjë prej përfaqësuesve të institucioneve kryesore që janë pjesë e asaj tryeze, e atij institucioni të rëndësishëm, nuk ka parashtruar një shqetësim të tillë.

Zëri i Amerikës: Flitet shumë kohët e fundit për një shtim të ndikimit rus në Ballkan. Sa ndikim mendoni ju se ka Rusia, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe a jeni ju i shqetësuar nga një gjë e tillë?

Ditmir Bushati: Natyrisht, Ballkani Perëndimor po përjeton një lloj turbullire dhe sot për sot Bashkimi Evropian duket sikur nuk ka një fokus shumë të qartë tek Ballkani Perëndimor, për shkak të sfidave dhe krizave me të cilat po përballet nga brenda, duke filluar nga kriza e Eurozonës, Brexit-i, ajo e refugjatëve, dallimet Lindje-Perëndim, jug-veri dhe një seri zgjedhjesh politike të rëndësishme që mbahen në kryeqytetet kryesore të Evropës; dhe në këtë drejtim, Rusia apo aktorë të ndryshëm, që ne i konsiderojmë si aktorë të tretë në rajon, tentojnë të rikthehen tek politika e sferave të influencës, apo gjeopolitika, përmes ndikimeve të tyre të drejtpërdrejta, qoftë në ekonomi apo në jetën publike. Është një fakt i pamohueshëm, që vitet e fundit shohim një prezencë më të madhe të Rusisë në këtë drejtim, qoftë përmes drejtimeve politike, për sa i përket zhvillimeve në rajon, zhvillimeve në Mal të Zi, zhvillimeve në Maqedoni, ecurisë së dialogut Serbi-Kosovë. Por edhe një lloj penetrimi në hapësirën publike, në hapësirën mediatike ku disa prej mediave kryesore ruse janë prezent në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk e shohim Rusinë si një kërcënim për Shqipërinë, apo për Ballkanin Perëndimor, por do të dëshironim të shikonin pozicionimin e saj në raport me Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë, si përplotësues të aspiratës sonë për të qenë anëtarë të familjes europiane.

Zëri i Amerikës: Shqipëria po kalon kohët e fundit momente jo fort të qeta, madje situata është e tensionuar. Opozita është në protestë, ka kërcënuar se do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme, kryeministri e ka hedhur poshtë kërkesën e saj për një qeveri teknike, si një formë për të dalë nga situata, për të shkuar drejt zgjedhjeve… Çfarë dëmi mendoni se do t’i shkaktohej Shqipërisë, në qoftë se vendi do të hynte në zgjedhje pa opozitën?

Ditmir Bushati: Së pari dua të them se Shqipëria ka dalluar nga vende e tjera të rajonit, sidomos kohët e fundit për shkak të hapave që ka hedhur drejt procesit të integrimit europian në një moment të vështirë për vetë Bashkimin Europian; kujtoj këtu marrjen e statusit të vendit kandidat në vitin 2014, rekomandimin e nëntorit të vitit të kaluar nga ana e Komisionit të B.E. për të filluar bisedimte për anëtarësim, me mirëkuptimin, apo kushtin, që Shqipëria do të zbatojë reformën në drejtësi dhe ligjin e vetingut. Ne sot jemi në një situatë që do ta konsideroja më tepër artificiale; të kërkosh zgjedhje të lira dhe të drejta është një kërkesë më se legjitime, por mënyra se si mund të përmbushet kjo kërkesë në një sistem siç është sistemi shqiptar, që të paktën ka më shumë se sa një dekadë që ka sanksionuar një lloj bipolariteti në mënyrën se si administrohen zgjedhjet, që nga kutia e votimit dhe komisioni i kutisë së votimit, e deri tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku çdo gjë është në paritet të plotë mes pozitës dhe opozitës. Pra, kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe garancitë për të përmirësuar strukturën zgjedhore dhe infrastrukturën zgjedhore, nuk janë tek çadra poshtë kryeministrisë, por janë tek zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Së dyti, mendoj që kërkesa për zgjedhje të parakohëshme, apo për një qeveri teknike, mund të jenë gjithmonë në të drejtën e një opozite për t’i parashtruar, por mënyra se si parashtrohen këto kërkesa, në fund të ditës, duhet të verifikohet me vullnetin e zgjedhësve. Ne flasim për një qeveri, e cila ka dalë si rezultat i zgjedhjeve të qershorit të 2013-ës, ka një mandat të qartë për të qeverisur Shqipërinë për katër vite, pra nuk është në mundësinë tonë për të shtyrë zgjedhjet, siç kam dëgjuar një tjetër kërkesë të Partisë Demokratike, por është në detyrimin tonë si qeveri dhe si maxhorancë për t’u ulur me Partinë Demokratike dhe me opozitën në komisionin e reformave zgjedhore së bashku me OSBE-ODIHR-in dhe për të hulumtuar të gjitha rrugët dhe të gjitha mundësitë që e bëjmë sistemin zgjedhor dhe infrastrukturën zgjedhore më garantiste. Ka pretendime për raportin e medias me politikën dhe biznesin. OSBE ODIHR-i ka disa rekomandime mjaft të vlefshme në lidhje me transparencën e financave dhe financimin e partive politike, në lidhje me reklamën televizive në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore; pra, ka disa hapësira ku si ne, ashtu edhe opozita, mund të gjejmë gjuhën e përbashkët për të plotësuar reformën zgjedhore, Natyrisht, një situatë artificiale e dëmton vendin, e dëmton sepse ne kemi gjetur gjuhën e përbashkët më 21 korrik, kur votuam së bashku reformën në drejtësi, paketën kushtetuese; sot për sot jemi në një moment kritik, kur duhet të implementojmë reformën në drejtësi. Implementimi i reformës në drejtësi dhe sidomos ligji i vetingut, do t’i krijonte mundësi Shqipërisë për të shikuar drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim dhe besoj që në këtë proces të dyja palët do të duhet që të ishin kontribuese. Sepse është kollaj të hedhësh tavolinën, apo ta përmbysësh atë, por duhet të llogarisësh gjithmonë edhe pasojat që mund të vijnë nga ky veprim.

Zëri i Amerikës: Kur qeveria juaj erdhi në pushtet para gati katër vjetësh, ajo erdhi në emër të Rilindjes, që madje u bë edhe sinonim me emrin e partisë tuaj. Fakti është që tensionet në Shqipëri po vazhdojnë të përsëriten, pavarësisht se kush e ka fajin dhe pavarësisht se cila është arsyeja. Në këtë kuptim, a vihet re një lloj dështimi i Rilindjes dhe a ndjeni ju përgjegjësi për këtë situatë të krijuar, se është e pamundur që të ketë vetëm një palë fajtore…

Ditmir Bushati: Është e vështirë të flasësh për përgjegjësi në kushtet kur njëra palë, çdo ditë parashtron kërkesa nga më të ndryshmet. Natyrisht, që nuk do të ndaja argumentin që këto janë dështime të qeverisë sonë. Pse? Sot për sot, opozita proteston lirisht në shesh, pavarësisht se ka bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që është arteria kryesore e Tiranës dhe e shqiptarëve të përgjithësi. Nuk ka asnjë lloj incidenti, nuk ka vrajse, nuk ka edhe asnjë lloj çensure. Dhe mendoj se në fund të fundit, është progres. Së dyti, nuk i mohohet asnjë lloj e drejte, sepse e thashë edhe një herë tjetër, rregullat e lojës janë shkruar së bashku, ne jemi një shumicë që i kemi numrat për të vazhduar dhe për të ofruar ndryshime në kodin zgjedhor, por nga ana tjetër, kemi preferuar që në çdo moment, ndryshimet në kodin zgjedhor, ndryshimet për partitë politike, të bëhen së bashku. Së treti, nga dita e parë e deri më sot tek protesta, ne kemi dëgjuar justifikime, apo qëndrime nga më të ndryshmet: fillimisht kërkohej votimi elektronik, më pas numërimi elektronik, më pas doli qevria teknike, më pas ju tha Bashkimit Europian që jeni duke folur broçkulla, sepsek nuk janë këto kushtet për Shqipërinë, por janë disa kushte të tjera, më pas u kërkua qeveria teknike, tani kërkohet shtyrja e zgjedhjeve dhe një qeveri teknike që të vendoset nga Partia Demokratike, Pra, këtu nuk jemi më tek rregullat bazë të një sistemi demokratik, ku çdo gjë përcaktohet nga mënyra se si votojnë qytetarët dhe përgjegjësia jonë si qeveri dhe përgjegjësia e atyre që sot për sot janë në opozitë, është për të punuar së bashku, që një demokraci zgjedhore për ta transformuar në një demokraci më xhenuine, ku rregullat e lojës përcaktohet bashkarisht.

Erler: E palejueshme nxitja e konflikteve etnike në Maqedoni

Gernot ErlerDeputeti i Bundestagut dhe presidenti i Shoqatës së Europës Juglindore, Gernot Erler në intervistë me Deutsche Wellen flet mbi zhvillimet në Ballkan dhe rrezikun e përpjekjeve për të krijuar tensione etnike në Maqedoni.

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen, Gernot Erler, deputeti socialdemokrat gjerman, i ngarkuar i qeverisë gjermane për Rusinë dhe president i Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani, shprehet mbi situatën në Ballkan dhe humbjen e durimit për t’u bërë një ditë pjesë e familjes europiane.

Erler i shqetësuar për gjendjen në Maqedoni

Gernot Erler shprehet i shqetësuar për gjendjen kaotike në Maqedoni, pasi kishte shpresuar, që me zgjedhjet të arrihej edhe stabilizimi i gjendjes. Ai nuk i kursen kritikat ndaj qëndrimit të presidentit Ivanov. “Tani përjetojmë që presidenti Ivanov refuzon dhënien e mandatit, megjithëse opozita është në gjendje të krijojë mazhorancën. Kjo është një krizë e rëndë shtetërore dhe kushtetuese dhe nuk mjaftojnë më përpjekjet bilaterale. Prandaj jam i gëzuar që Federica Mogherini si përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e Jashtme është shprehur qartë në adresë të presidentit, së fundmi edhe vizita e eurokomisionerit, Johannes Hahn, edhe këtu kishim një rast unikal, që presidenti refuzon ta presë, kjo sigurisht që regjistrohet, jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera europiane.”

Përpjekje për të krijuar tensione etnike

Erler kërkon që kjo situatë të marrë fund, sepse “nuk mund të pranohet që vetëm pse zoti Gruevski me qeverinë e tij i trembet daljes para drejtësisë, nëse kemi ndërrim të qeverisë, pengon krijimin e saj me ndihmën e presidentit. Kjo nuk është e pranueshme dhe rrëzon përpjekjet e Maqedonisë për të qenë anëtare e mirëpranuar në familjen  e Bashkimit Europian.”

Por si zhvillimet më të rrezikshme aktualisht në Maqedoni, Gernot Erler shikon përpjekjen e Gruevskit dhe njerëzve të tij për të krijuar tensione etnike. Pika qendrore e polemikës është njohja e gjuhës shqipe si gjuhë shtetërore. Erler thotë, se “natyrisht mund të jesh kundër kësaj, kjo është normale në një demokraci, pra që të kesh shumë qëndrime, por është absolutisht e palejueshme dhe e pakuptueshme që të organizosh demonstrata masive kundër shqiptarëve, pra që të prodhosh e të nxisësh tensionet etnike. Këtë ne nuk mund të pranojmë, edhe përpjekjet e BE-së drejtohen kundër kësaj. Unë jam i gëzuar që BE është bërë mjaft aktive në këtë rast, sepse kjo mund të çojë në një destabilizim rajonal edhe përtej Maqedonisë.”

Për Ballkanin duhet bërë diçka shtesë

Erler shprehet edhe mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke theksuar, se pavarësisht që vlen vendimi i samitit të njohur të Selanikut më qershor 2003, pra që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duhet thënë se ka kaluar mjaft kohë nga ky samit. Sipas Erler hapat që janë bërë në këtë periudhë kanë qenë të ngadalshme. “Pas Rumanisë e Bullgarisë, kaloi një kohë e gjatë deri në anëtarësimin e Kroacisë. Aktualisht kemi hapur negociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe Malin e Zi, por vendet e tjera paraqesin vështirësi. Le të marrim Maqedoninë, ende me çështjen e pazgjidhur të emrit me Greqinë, e për fat të keq mund të thuash, se procesi është ngadalësuar kaq shumë, saqë vihet re një rritje e padurimit.”

Gernot Erler thekson se është kuptuar edhe në Gjermani, se “vetëm perspektiva, pra vetëm shansi për t’u bërë një ditë pjesë e BE-së nuk mjafton më për të pasur gjithkund gatishmërinë për reforma, konstruktivitetin dhe stabilitetin politik që janë kriter për të pasur shansin e hyrjes në BE”. Erler thotë se duhet bërë diçka shtesë.

Ai përmend sjelljen në jetë të procesit të Berlinit, me konferencat që çdo vit zhvillohen në një vend tjetër, të inicuar nga Gjermania. “Por me që m’u dha rasti dua të theksoj edhe një herë se duhet pasur besim i plotë tek perspektiva europiane, edhe pse po vëmë re, se efekti lidhës i kësaj perspektive po bie, por kjo nuk sjell zhvillime më të mira në Ballkan.”

Lidhur me zërat e shtuar për rritjen e influencës ruse në vendet e Ballkanit, Erler përmend se “natyrisht e shohim, që Rusia përpiqet që të shfrytëzojë mundësitë që ka për ndikim, por kjo nuk prek vetëm Ballkanin. Rusia vendos kontakte për shembull me partitë populiste në vende të tjera, madje edhe në Gjermani, ajo ndjehet e afërt në botëkuptimet e saj dhe vlerat. Në këtë kuptim politika që ndjek Rusia kundrejt BE-së nuk dallon shumë nga ajo që ndjek në vendet e Ballkanit.” (dw)

Londër: Policia identifikon autorin e sulmit

policia londerPolicia në Londër identifikoi autorin e sulmit të djeshëm pranë Parlamentit britanik, si Khalid Masood. 52 vjeçari i lindur në Britani, ishte emër i njohur për policinë për një numër dënimesh së mëparshme për agresion dhe armëmbajtje, por jo për terrorizëm. Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin që shkaktoi vdekjen e tre personave, para se një oficer të vriste Masoodin. Një deklaratë e botuar në agjencinë e lajmeve të ISIS-it thoshte se autori i sulmit ishte një “ushtar i Shtetit Islamik”. Policia britanike tha sot se ka arrestuar tetë vetë në lidhje me sulmin.

Megjithëse mori përgjegjësinë për sulmin, Shteti Islamik nuk la të kuptohej se kishte ndihmuar në planifikimin apo ekzekutimin e sulmit, duke thënë se autori i ishte përgjigjur thirrjes së grupit terrorist për të sulmuar civilë dhe ushtarakë në vendet aleate të koalicionit që po lufton ISIS-in, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Mark Rowley, shefi i kundër terrorizmit në policinë e Londrës, tha se tetë arrestimet pasuan kontrollet në gjashtë adresa të ndryshme dhe se “hetimet”në Londër, Birmingham dhe pjesë tjera të vendit po vazhdojnë.

“Ne besojmë, në bazë të hetimeve se sulmuesi ka vepruar i vetëm dhe ishte frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar”, u tha ai gazetarëve.

Sulmi filloi kur një autostradë u përplas me një grup këmbësorësh në Urën Westminster, pranë Dhomës së Komuneve. Pas përplasjes, autori i sulmit doli nga makina dhe vrapoi drejt hyrjes së Parlamentit, ku sulmoi me thikë një oficer të sigurisë duke e vrarë atë para se të vritej nga një oficer tjetër.

Rowley më herët e identifikoi oficerin e vrarë si 48 vjeçarin, Keith Palmer, që kishte shërbyer për 15 vjet në radhët e policisë.

Rowley tha se 29 veta janë dërguar në spital, shtatë prej të clëve në gjendje të rëndë. Ai tha se numri i atyre që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore është i paqartë.

Parlamenti rifilloi seancat normale sot në Westminster me një minutë heshtjeje për të kujtuar ata që humbën jetën.

Kryeministrja britanike, Theresa May, përcolli një mesazh sfidues.

“Dje, një akt terrorizmi u përpoq t’i mbyllte gojën demokracisë tone por sot ne takohemi si normalisht, ashtu siç kanë bërë breza të tërë para nesh dhe siç do të bëjnë brezat e ardhshëm, duke përcjellë një mesazh të thjeshtë: ‘Ne nuk kemi frikë dhe vendosmëria jonë nuk do të lëkundet kurrë përballë terrorizmit”.

Masat e sigurisë në Londër janë intensifikuar.

Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një sulm terrorist, do të ishte i pari në Britani që nga maji 2013, kur një ushtar britanik që nuk ishte në detyrë, Lee Rigby u sulmua dhe u vra në një rrugë në Londër nga një i vetëdeklaruar xhihadist.

Është sulmi më i rëndë në Dhomën e Komuneve që nga një sulm me bombë të Ushtrisë Republikane Irlandeze në vitin 1979, kur politikani konservator Airey Neave, një bashkëpunëtor i afërt i Margaret Thatcherit, u vra.

Shtëpia e Bardhë i ka ofruar mbështetjen e plotë amerikane. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump kishte folur me Kryeministren Theresa May lidhur me ngjarjen dhe i kishte ofruar ndihmën amerikane për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë.

Kryeqytetet evropiane ishin sot në gatishmëri të lartë pas sulmit të djeshëm në Londër, përfshirë në kryeqytetin belg, Bruksel ku dje u shënua njëvjetori i sulmit terrorist, rreth parlamentit në Romë dhe pranë ndërtesave qeveritare në Berlin të Gjermanisë. Qytetarët dhe poltikanët shprehën solidaritetin me Britaninë. (voa)

Rusia mund të jetë duke furnizuar talebanët

talebanNjë komandant i lartë ushtarak amerikan tha se Rusia mund të jetë duke furnizuar talebanët, në luftën e tyre kundër forcave të NATO-s dhe atyre të SHBA në Afganistan.

Gjeneral Curtis Scaparrotti, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s tha në një seancë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura: “Kohët e fundit, kam vënë re ndikimin e Rusisë, një ndikim në rritje, në kuptimin e bashkimit me talebanët dhe ndoshta të furnizimit të tyre.”

Gjeneral Scaparrotti nuk dha hollësi se për çfarë lloj furnizimesh bëhej fjalë dhe sa e drejtpërdrejtë mund të ishte përfshirja e Rusisë.

Komentet e tij ishin në vazhdimësi të dyshimeve të ngritura muajin e kaluar nga gjenerali John Nicholson, komandant i forcave të NATO-s në Afganistan, i cili dëshmoi se Rusia është duke u dhënë inkurajim dhe justifikim diplomatik talebanëve. Nicholson nuk komentoi megjithatë për çështjen nëse Rusia është duke furnizuar grupin terrorist. (voa)

Shndërrimi i mbeturinave në burim energjie

MbeturinatËshtë e vështirë të arsimosh gratë që të përparojnë në teknologji kur atyre u mungon gjëja më elementare, ndriçimi në shtëpi. Projekti “Green Girls” në Kamerun u përball pikërisht me këtë vështirësi. Drejtuesit e projektit ndryshuan drejtimin dhe u përqendruan në zgjidhjen e këtij problemi.

Është një punë e vështirë por me rezultate ndriçuese. Projekti “Green Girls” në Kamerun u mëson vajzave përdorimin e teknologjisë që ato të përparojnë, por drejtuesit e projektit u përballën me një sfidë më të madhe. Monique Entumngia është me projektin “Green Girls”.

“Një prej vajzave më tha se nuk kishin drita në shtëpi dhe nuk ishte e mundur leximi dhe studimi i materialeve arsimore.”

Doli që zgjidha e problemit ishte para syve të tyre. Projekti bashkëpunoi me një kompani lokale energjitike për të instaluar paisje që konvertojnë mbeturinat e njerëzve dhe kafshëve në burime energjitike. Ato përzihen sëbashku dhe grihen duke prodhuar bio-gaz. Erica Lobe është studente.

“Në vend që të shpenzojmë para për të blerë gaz për të gatuar, përdorim bio-gazin e nxjerrë nga përzjerja e ujrave të zeza, mbeturinave ushqimore dhe hedhjet, për të përftuar elektricitet për shtëpitë tona.”

Bio-gazi përdoret për të vënë në punë paisje të vogla gatimi në një shtet ku vetëm 50 përqind e popullsisë ka furnimzim me energji. Projekti po ashtu po u mëson grave rreth formave të tjera të përftimit të energjisë së rinovueshme si panelet diellore. Deri tani projekti ofron bio-gaz për 3 mijë shtëpi ndërsa kërkesat janë në rritje. (voa)

Presidenca estoneze: Vettingu, çelësi i negociatave

Estonia VetingunEstonia merr në korrik presidencën e Bashkimit Europian dhe një nga priorietet e saj ka zgjerimin. Zv.ministri i Jashtëm, Matti Masikas gjatë vizitës në Tiranë konfirmon se Shqipëria e ka një mundësi për çeljen e negociatave për anëtarësim, ndryshe nga vendet e tjera kandidate.

“Sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian, nuk do të kemi paketën e zakonshme të zgjerimit, që do të thotë nuk do të ketë progress raporte sic ndodh normalisht në gjysmën e dytë të vitit. Kemi vendosur ta bëjmë këtë në 2018-n. Por ka një çështje dhe një shtet, që komisioni ka deklaruar se do t’i rikthehet dhe kjo është Shqipëria”, thotë ai.

Zv.ministri i jashtëm i Estonisë lë të kuptohet se kjo mundësi varet nga vetë Shqipëria.

“Janë standardet dhe një prej tyre është më thelbësorja, nisja e procesit të vettingut për anëtarët e gjyqësorit. Sic e bën të qartë dhe qëndrimi i mbajtur nga Bashkimi Europian, Komisioni Europian është gati ti rikthehet cështjes së rekomandimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë këtë vit, nëse plotësohen standardet, një prej tyre është më thelbësorja, vettingu”, deklaron Masikas.
Zoti Maasikas nuk komenton situatën politike në Shqipëri por zgjeroi optikën e tij mbi Ballkanin Perëndimor, ku nuk anashkaloi shqetësimin mbi ndikimin rus.

“Kemi parë aktivitet të përsëritur nga Federata Ruse në rajon, përpjekje të shtuara për ndërhyrje. Liderët e Bashkimit Europian, 10 ditë më parë, diskutuan mbi Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka qenë i ekspozuar ndaj pasojave të krizës së emigracionit, kështu që mund të them se interesi dhe angazhimi i Bashkimit Europian në rajon është rritur së fundmi”, u shpreh diplomati estonez.

Një tjetër angazhim i shtuar është ai për të treguar se BE nuk rrezikon disintegrimin pas Brexit.

“Liderët e 27 vendeve të BE e kanë bërë të qartë rrugën e së ardhmes në deklaratën e Bratisllavës, shtatorin e shkuar, kur deklaruan se ne ecim përpara sëbashku, rrimë sëbashkë, forcojmë bashkëpunimin dhe vazhdojmë të përmirësojmë përfitimet për qytetarët tanë. Kjo është ajo cfarë qytetarët e vendeve anëtare presin nga Bashklimi Evropian, mbi të gjitha të fushën e sigurisë, shqetësimi kryesor I tyre, e jashtme dhe e brendshme, mbrojtja e kufijve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm por edhe lufta kundër terrorizmit dhe të japin më shumë për rajonet fqinje të BE së e këtu del në fokus politika e zgjerimit”, tha ai.

/ Top Channel

Kombëtarja në “karantinë”

kombetarjaPërfaqësuesja shqiptare që prej ditës së hënë është e ngujuar në grumbullim, ku po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme, për vetë De Biasin, por edhe për kombëtaren si ajo ndaj Italisë. Rojet private ndalojnë këdo t’i afrohen resortit, ndërkohë që edhe familjarët e futbollistëve, mundet t’i takojnë me minutazh të kronometruar.

Në konferencën e parë për shtyp për këtë ndeshje trajneri kishte përzgjedhur dy lojtar mesfushorë që e njohin shumë mirë kampionatin italian si Ledian Memushaj dhe Migjen Basha që njeh akoma më shumë trajnerin e axurrëve Xhanpiero Ventura, trajner që e ka patur kur luante tek Torino.

“Kur arrita në Torino ishte trajner Ventura. Nga Seria B u ngjitëm në A dhe vetëm sezonin e dytë u kualifikuam në Europa League. Aty shihet puna e mirë që Ventura ka bërë me lojtarë si mua, Darmian apo Immobile dhe unë dua ta falënderoj për ato vite të mira të karrierës. Ventura është një trajner që i pëlqen ta sulmojë kundërshtarin. Duhet të shohim edhe formacionin që ai do të përdorë, por me lojtarët që ka në dispozicion Italia mund të na krijojë probleme. Në disa ndeshje jemi mbrojtur mirë dhe kemi kundërsulmuar, mund ta vëmë Italinë në vështirësi”, thotë Basha.

Ndërsa  Ledian memushaj vuri në dukje rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe synimin e skuadrës sonë përfaqësuese për këto eliminatore.

“Kemi shumë mungesa, por secili prej nesh do të japë maksimumin. Është një ndeshje e vështirë, por ne do të përpiqemi që të marrim pikë ndaj Italisë. Kur luan ndaj ekipe si Italia nuk është i nevojshëm motivimi i trajnerit. Për këto eliminatore duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe objektivi kryesor yni është që të kapim vendin e dytë në grup”, tha Memushaj.

/ Top Channel