Takimi i parë Trump-Merkel

Trump merkelPas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kancelaren Angela Merkel, Presidenti Donald Trump tha se ai mbështet NATO-n, por përsëriti thirrjet që vendet anëtare të rrisin kontributin financiar për të mbështetur Aleancën.

Zoti Trump shprehu një “mbështetje të fortë për NATO-n” por u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare “që kanë borxhe të mëdha” të “paguajnë atë që u takon”.

Presidenti amerikan i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren Merkel, të cilën më parë e kishte akuzuar se me politikën e saj të pranimit të refugjatëve sirianë po e shkatërronte Gjermaninë.

Ky ishte takimi i tyre i parë që kur zoti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump tha se marrëdhënia mes SHBA dhe Gjermanisë bazohet “në vlera të përbashkëta” dhe se aleanca është “simbol force” për botën.

Përveç NATO-s kishte edhe një numër temash të tjera me interes të përbashkët për të dy vendet. Zoti Trump tha se e vlerësonte mbështetjen e Gjermanisë për të gjetur një zgjidhje për situatën në Ukrainë.

Zoti Trump tha se të dy vendet do të vazhdonin luftën kundër radikalizmit islamik duke thënë se “siguria në imigracion është siguri kombëtare”.

Presidenti aludoi përsëri gjatë konferencës se është përgjuar në Kullën Trump gjatë administratës Obama. Ai në fakt foli me humor se ai dhe Kancelarja gjermane Merkel, siç u shpreh zoti Trump “të paktën kanë diçka të përbashkët”, duke kujtuar faktin që zonja Merkel zbuloi se ishte një ndër udhëheqësit që ishin përgjuar nga shërbimet amerikane të zbulimit gjatë administratës Obama.

Tregtia ishte një ndër temat kryesore që u prekën në konferencën për shtyp. Presidenti i Shteteve të Bashkuara theksoi disa herë se partnerët tregtarë të Amerikës nuk janë treguar të drejtë në shkëmbimet e tyre dhe se tregtia ndërkombëtare ka rënduar negativisht mbi punëtorin amerikan. Presidenti përmbendi se që nga ardhje e tij në Shtëpinë e Bardhë janë hapur mijëra vende të reja pune dhe se synimi është që të kthehet aktiviteti i prodhimit industrial në Shtetet e Bashkuara.

Tregtia me Gjermaninë, ekonomia e tretë më e madhe në botë, do të jetë temë diskutimesh mes dy udhëheqësve në një takim pune pas konferencës së shtypit. (voa)

Situata politika, Rama takon ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE-së

RamaMenjëherë pas kthimit nga takimi i djeshëm i Sarajevës, i krerëve të qeverive të Ballkanit, kryeministri Edi Rama thirri sot në një takim ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe atë të OSBE-së Bernd Borschard. Mbi takimin nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar, por mësohet se tema e diskutimeve ka qenë situate e rënduar politike në vende.

Tre ditët e fundit, edhe kreu i opozitës Lulzim Basha pati disa dreka pune me ambasadorët e vendeve europiane. Prej 4 javësh opozita po proteston poshtë zyrave të kryeministrit duke kërkuar largimin e tij si një kusht të panegociueshëm, për t’I hapur rrugë një qeverie teknike e cila sipas opozitës do të garantonte standartet për zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Protesta është shoqëruar me bojkotin e parlamentit, veprim i cili ka çuar në bllokimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ndërkohë që muajin e ardhshëm do të duhet të nisin procedurat dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Pak ditë më parë kryeministri ndërmori papritur dhe disa lëvizje të rëndësishmë në kabinet që çuan në largimin e katër ministrave të tij, ndonëse sipas zotit Rama ato nuk kishin fare të bënin me situatën aktuale politike. Ndryshimet në qeveri mësohet të kenë gjithashtu pjesë e diskutimeve të sotme me ambasadorët.

Opozita i ka konsideruar lëvizjet në kabinetin qeveritar si një “truk të kryeministrit për t’i hedhur hi syve qytetarëve”, duke bërë të qartë se ajo nuk mjaftohet, siç është shrehur me “koka turku” dhe se koka e vetme që kërkon është ajo e vetë kryeministrit. Ndërsa sot kryetari Basha foli me tone të ashpra edhe kundër emërimit në postin e ministrit të Brendshëm të Fatmir Xhafajt, i cili sipas tij ka patur një të kaluar si hetues në kohën e diktaturës: “Ndaj sot nga ky shesh, në prani të kaq shumë të përndjekurve politikë dhe pasardhësve të tyre, le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafaj nuk do kalojë pragun e Ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë”

Dy ditë më parë, për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan Donald Lu duke folur për emërimin e zotit Xhafaj u shpreh se nëse ai “punon në mënyrë agresive kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë”, ndërsa nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë që kishin patur me të për Reformën në Drejtësi.

Emërimet e ministrave të rinj nuk janë dekretar ende nga presidenti Nishani. Duke cituar burime pranë tij, mediat shqiptare, kanë bërë të ditur se ai do të marrë kohën e nevoshme për të bërë verifikime rreth figurës së tyre. (voa)

Përpjekje për zgjidhjen e ngërçit në Maqedoni

Kuvendi rmLidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka dorëzuar nismën e nënshkruar nga 67 deputetë për vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit. Partia i kërkon kryetarit në detyrë të parlamentit, Trajko Velanovski që sa më parë ta thërrasë seancën, në të cilën do të zgjidhej kryetari i ri. Nismën e kanë firmosur ligjvënësit e LSDM-së, të BDI-së, Lëvizjes “Besa” dhe të Aleancës për Shqiptarët.
Për këtë nuk ka një afat të caktuar kushtetues se kur duhet të thirret seanca, ndërsa përfaqësuesi i LSDM-së, Oliver Spasovski, i cili e dorëzoi nismën, theksoi se pret që kjo të ndodhë menjëherë.
Së pari, duhet të caktohet një bashkërenditje e përfaqësuesve të partive të përfshira në parlament që do të rezultojë në formimin e komisionit parlamentar për emërime dhe mandate. Ky komision do ta propozojë kryetarin e ri të parlamentit, i cili miratohet me shumicën e thjeshtë prej 61 votash. Sipas pritjeve dhe burimeve brenda partive, kryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë do të jetë një shqiptar, nga përbërja aktuale e ligjvënësve të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka refuzuar t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare, përkatësisht Lidhjes Social Demokrate me partitë shqiptare, me arsyetimin se ato do të rrezikonin sovranitetin e shtetit dhe të popullit duke zbatuar atë që ai dhe partia VMRO-DPMNE e quajnë “platforma e Tiranës”, e që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes së partive shqiptare është zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjithë nivelin e pushtetit qendror. LSDM së fundmi ka paraqitur programin qeverisës, megjithëse pa praninë e partnerëve të ardhëshëm shqiptarë, por aty megjithëse parashikohet zgjerimit i përdorimit të shqipes në më shumë fusha, nuk lejohet dygjuhësia në polici as në ushtri.
Shqiptarët duken të zhgënjyer paksa me ndryshimin e qasjes së LSDM-së sa i përket gjuhës, por kjo mbase do të jetë çështje debatesh midis partive të koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Nga ana tjetër, LSDM është shprehur e prerë se nuk do të bëjë ndryshime kushtetuese. Por, kjo nuk ka mjaftuar që protestuesit e mbështetur nga VMRO-ja t’i ndërpresin protestat rrugëve të Shkupit dhe të disa qyteteve të tjerë për të shprehur kundërshtimin ndaj instalimit, sipas tyre, të dygjuhësisë që do të çonte drejt fedralizimit dhe ndarjes së Maqedonisë.
Të marten në Shkup pritet të vijë komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn. Zoti Hahn, verën e kaluar ka ndërmjetësuar Marrëveshjen e Përzhinës ndërmjet katër partive më të mëdha në Maqedoni, e cila u bë pikënisje e disa ndryshimeve dhe reformave gjyqësore, ndër më të rëndësishmet formimi i Prokurorisë së Posaçme, një organ që po heton rastet e shumta që kanë të bëjnë me përgjimet e paligjshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe të politikanëve të dyshuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera kriminale. (voa)

Hahn: BE-ja ose do të eksportojë stabilitet ose do të importojë mungesë stabiliteti

HahnTregu i përbashkët ofron një kontribut për paqëtimin dhe stabilizimin duke përgatitur paralelisht edhe integrimin europian.

Deutsche Welle: Në një kohë që në Ballkan ka probleme në proceset e zhvillimit demokratik  dhe ekonomi, shfaqen tani edhe tensione ndërshtetërore apo ndëretnike. Në takimin e gjashtë krerëve ballkanikë në Sarajevë ju propozoni krijimin e një tregu të përbashkët. A është kjo rruga e duhur për uljen e tensioneve?

Johannes Hahn: Po, kjo është rruga e duhur. Procesi i Berlinit ka idenë e procesit europian. BE ka bërë që të sigurohet paqja në kontinent. Rajoni i vetëm, ku Europa nuk është e sigurtë 100% për paqen është Ballkani. Procesi i Berlinit nuk është gjë tjetër, veçse dyfishimi i idesë themeluese të BE. Përmes bashkëpunimit intensiv të largohet oreksi për shkatërrim. Këtu ka fusha të ndryshme bashkëpunimi: transporti për shembull, ku thjesht me ndërtimin e autostradave vendet afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Po ashtu hekurudha. Këto çojnë në varësi e lidhje të gjithanshme. Dhe kur të kemi tregun e përbashkët, atëherë mund të ndiqen po të këto qëllime, pra të ofrojmë një kontribut për paqëtimin, duke përgatitur paralelisht integrimin europian. Një perspektivë e shkurtër e afatgjatë.

Kundër propozimit tuaj ka rezistencë nga Mali i Zi dhe Kosova…

Sigurisht duhet të bëjmë punë bindëse. Mendoj se ia kam dalë të heq disa shqetësime. Pra, varet nga ekipet tona që të bëjnë të qartë gjatë përgatitjeve të samitit të Triestes, se çfarë është në thelb tregu i përbashkët. Edhe skeptikët do ta kuptojnë se ai është në interes të tyre.

Çfarë dinamike sjell tregu i përbashkët për këto vende?

Nga njëra anë nuk dua që ato vende që ecin më shpejt përpara në këtë gjë të kenë probleme, ky do të ishte sinjali i gabuar. Nga ana tjetër po ta shohim nga interesi i përbashkët, është mirë që disa gjëra të përshpejtohen. Shpresoj nga vënia në realitet e këtij projekti që vendet që çalojnë t’i bashkangjiten më shpejt të tjerëve.

Takimi i Sarajevës është edhe përgatitje për procesin e Berlinit që zhvillohet këtë vit në Trieste. Çfarë do të mund të vendoset aty?

Në rastin më ideal një vendim parimor për krijimin e tregut të përbashkët. Kjo mund të bëhet, nëse malazezët e kosovarët e dinë se për çfarë bëhet fjalë dhe nuk kanë më kundërshtime e të tjerët që donin më shumë të kuptojnë, se nuk bëhet ndryshe, por që ky është hapi i parë. Shpresoj po ashtu që të arrihet një nënshkrim i marrëveshjes për komunitetin e transportit (Transport Community Treaty), që mund të përshpejtojë çështjet e transportit.

Bashkëpunimi ekonomik është njëra anë. Por BE është bashkësi vlerash, këtu shtetet e Ballkanit kanë deficite të dukshme, sidomos liderët ballkanikë janë në qendër të kritikave…

Po e vërtetë është që kemi një fenomen, që në këto  vende ka “player” të cilë janë prej shumë kohësh aty dhe që për arsye të ndryshme është e vështirë që kjo të ndryshohet në këto vende. E me sa kuptoj ata duan të vazhdojnë të jenë në skenë. Liderët do ta kuptojnë, që duhet të ndryshojnë, kur vjen momenti që të rizgjidhen. Para një situate, kur të rinjtë dinamikë largohen nga vendi, që kemi një papunësi të lartë, sidomos tek të rinjtë, kur njerëzit janë të zhgënjyer, ata e kuptojnë së gjërat duhet të ndryshojnë. Për të ndryshuar cilësinë e jetës së njerëzve duhet të ndryshojnë edhe kushtet ekonomike. E këtu unë kam gjithmonë tezën time që e përsëris jo vetëm në Ballkan, se atraktiviteti ekonomik rritet me sigurinë e shtetit ligjor.

Mendoni se ndryshimi është i mundur pa ndryshime elitash?

Kam folur me të rinjtë (Projekt e4u9 dhe u them se është e mrekullueshme që angazhoheni politikisht. Se nëse nuk e bëni ju e bëjnë të tjerët, dhe ata marrin vendime që prekin edhe jetën tuaj. Erdhi dikush, që më tha se është shumë e vështirë të krijohet një parti, por ata kanë vendosur ta bëjnë këtë. Sigurisht tek të rinjtë kanë filluar të ndryshojnë disa gjëra. Ata që kanë kuptuar se strukturat tradicionale nuk sjellin gjë e krijojnë të reja, ne e mbështesim këtë.

Vërehet rritje e ndikimit rus dhe të Turqisë, atraktiviteti i BE-së ka rënë…

Në Serbi mbështetja për BE-në është 52%, në vende të tjera 75%, në Shqipëri 90%. Me këto shifra duhet të jemi më të vetësigurtë. Kjo nuk do të thotë që nuk pranojmë kritika. Problemi që kemi është se ne pikërisht në emër të kësaj aspirate europiane paraqitemi si dikush që vë kushte. E kur dikur të vë kushte, si reformat, kjo nuk është gjithmonë e lehtë, prandaj nisma si tregu i përbashkët, apo dyfishimi i buxhetit të  programit “Erasmus” për bursat, synojnë që njerëzit ta kuptojnë vlerën e shtuar.

Si e shpjegoni ju domosdoshmërinë e angazhimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në BE?

Evropa duhet ta kuptojë se Ballkani vazhdon të jetë një rajon i paqëndrueshem, pa stabilitet dhe me potecial relativisht të madh rreziku. Në rast se ndodh diçka ne mund të përjetojmë një valë të madhe migrimi si para 20 vjetësh. Rrugët nga Ballkani në BE janë të shkurtra. Por pozitivja është se ky rajon ka potencial të madh rritjeje ekonomike dhe në rast se krijohet tregu i brendshëm në rajon mund të krijohen vende pune. Ne si BE kemi interes për stabilitet në rajonin tonë fqinjë. Unë them gjithmonë, ne ose do të eksportojmë stabilitet ose do të importojmë mungesë stabiliteti. Kjo vlen si për Ballkanin edhe për vendet e partneritetit lindor dhe jugor. (dw)

Tanja Fajon: Kosova nuk duhet të ndërmarrë veprime unilaterale

Tanja FajonPalët duhet të kthehen tek dialogu dhe Kosova nuk mund të bëjë veprime unilaterale lidhur me ushtrinë. Ky është mesazhi i europarlamentares e raportueses për Kosovën në PE, Tanja Fajon në bisedë me Deutsche Wellen.

Në Sarajevë po zhvillohet takimi i kryeministrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Çfarë rëndësie ka ky samit për forcimin e bashkëpunimit rajonal?

Është i një rëndësie të posaçme do të thoja takimi për herë të gjashtë i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku diskutohet procesi i integrimit të rajonit në BE, kooperimi mes vendeve të Ballkanit dhe ecja e përpara e këtij kooperimi përmes projekteve të ndryshme, ne e ndjekim me shumë vëmendje ç’po ndodh në Ballkan. Takimi i Sarajevës zhvillohet natyrisht në kuadër të përgatitjeve për samitin tjetër të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE si vazhdim i Procesit të Berlinit, ku pas Berlinit, Vjenës, Parisit, këtë herë takimi mbahet në Trieste, Itali.

Në fakt takime të tilla me pjesëmarrjen e BE e nga ku dalin premtime optimiste janë zhvilluar gjithmonë, por kur kthehen në vend, politikanët e rajonit ndjekin ligjërim tjetër politik. A nuk shihni këtu dy mënyra komunikimi, një për Europën, e një për brenda vendit?

Mund të biesh dakord me këtë, shpesh ne e shohim këtë, kur kemi takime në Bruksel, ku liderët bien dakord për një çështje, së fundmi një rast i tillë ndodhi në takimin për dialogun Kosovë-Serbi, ku ka një retorikë për Brukselin, e pastaj kur kthehen në vend implementimi i asaj që është arritur është ndryshe. Prandaj ajo që dua të theksoj është rëndësia e një zotimi të qartë të liderëve të Ballkanit për të përmbushur detyrimet e tyre. Duhet të themi se nuk jetojmë në kohë të lehta për BE-në. Por megjithatë më në fund javën e kaluar në samit liderët e BE-së e theksuan rëndësinë e perspektivës së qartë të këtyre vendeve në BE. Sidomos tani kur situata në disa vende aty, do thoja më shumë po destabilizohet. Prandaj është shumë e rëndësishme që liderët e Ballkanit të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë.

Një ndër tensionet e fundit në Ballkan lidhet me marrëdhënien Kosovë-Serbi. Marrëdhënia është përkeqësuar së fundmi, sidomos pas arrestimit të Ramush Haradinajt. Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë për ndërprerjen e dialogut deri në lirimin e Haradinajt. Si e vlerësoni këtë hap?

Shpreh keqardhje të thellë për përkeqësimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, sepse ai është kardinal për të lehtësuar jetën e njerëzve atje, prandaj ne këmbëngulim që të dyja palët të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjitha tensionet shtesë tani vetëm sa e dëmtojnë procesin. Do të doja të kishim një situatë tjetër, ne shohim tensione mes Kosovës e Serbisë së fundmi, situata nuk është më e mirë në Maqedoni, prandaj dua me emergjencë t’u drejtohem politikanëve përgjegjës të ulin tensionet, e të kthehen tek dialogu.

Rezoluta e parlamentit të Kosovës është edhe një thirrje ndaj BE-së për t’i bërë presion Serbisë të ndalë fletëarrestet për personat drejtues të UÇK-së. Cili është qëndrimi juaj?

Shikoni ne jemi europarlamentarë, mund të ndjekim me shumë vëmendje veprimet në Kosovë, dhe mund të shpreh shumë keqardhje, nëse ka tensione shtese apo vendime unilaterale, siç kemi parë javët e fundit. Sigurisht ato nuk ndihmojnë për të shkuar drejt një fqinjësie më të mirë, apo aq më pak për të bërë jetët e njerëzve më të mira.

Por dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i vështirë edhe më parë, pasi palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Kosova do ta finalizojë dialogun me njohjen e pavarësisë nga ana e Serbisë, ndërsa Serbia kërkon të dialogojë për çështje të caktuara, por përjashton njohjen e pavarësisë. Mundet kjo kontradiktë ta zhbëjë vetë dialogun një ditë?

Vetë dialogu e qëllimi i dialogut është të lehtësojë jetët e njerëzve aty, është i një rëndësie kardinale vazhdimi i tij, dhe kthimi i të dyja palëve në tryezën e bisedimeve, pa paragjykuar më parë se çfarë do të sjellë ky dialog në fund. Tani për tani dialogu duhet të vazhdojë, jo të kemi rezultate ku dështohet të integrohet një sistem paralel drejtësie në veri, ose ajo që pamë së fundmi, lidhur me mosverifikimin e 520 pronave të Kosovës. Prandaj dua të rikujtoj përgjegjësit ta vënë fokusin tek qytetarët e jetët e tyre.

Ka përpjekje për themelimin e ushtrisë së Kosovës, presidenti Thaçi ndërmori një inciativë, duke theksuar se kohë kanë ndryshuar e Kosova duhet të mbrojë territorin e saj. Deri tani nuk ka mbështetje nga ndërkombëtarët për krijimin e ushtrisë së Kosovës me ndryshimin e ligjit të FSK-së, por duhen bërë ndryshime kushtetuese. Si i shikoni ju këto hapa?

Ne e dimë cili është pozicioni i NATO-s, ai i palës amerikane dhe BE. Kjo u theksua qartë edhe javën e kaluar. Të gjitha institucionet e bëjnë të qartë të mos ndërmerren veprime unilaterale për krijimin e ushtrisë. E unë i bashkohem këtij apeli. (dw)

Jam nga Gostivari, do ta mbrojë Kumanovën, Preshevën e Çamërinë e gjakosur

Mesila DodaJava që shkoi ka shënuar një kohë të rëndësishme për mua personalisht, por edhe për të gjithë ne.
Kemi qenë në këtë Parlament, kur kam kërkuar interpelancë me ministrin e Jashtëm për ngjarjet dramatike të Kumanovës, kur qindra forca të armatosura u sulën egërsisht mbi një popullsi të paarmatosur. Kemi qenë po në këtë sallë, kur kam kërkuar shpjegime për devijimin e Radikës dhe pozicionimin e shtetit shqiptar. Kemi qenë këtu, kur kemi reaguar ndaj deklaratave te ish-ministres së Brendshme të FYROM-it, kur shfaqej me dëshirën, thuajse perverse për të shfarosur shqiptarwt.
Unë kam reaguar dhe jo vetëm unë, por një pjesë e mirë e jona e ndjen, e di që duhet të respektojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të interesohemi për bashkombasit tanë, kudo ku ata jetojnë.
Një pjesë e mirë e origjinës time rrjedh nga malësitë e Gostivarit, ndaj çështja sigurisht që më takon edhe personalisht, por kjo që po ndodh e që unë e mbroj pa kushte është më e madhe se ky fakt personal e që po e rrëfej sot publikisht. Unë kam reaguar njësoj për Çështjen e Preshevës që po shfaroset, Kam reaguar qartë e fort për Çamërinë e gjakosur, vrarë e torturuar, kam reaguar njësoj per Kosovën e forcimin e lidhjeve që duhet të kemi mes vedi si mundësi e vetme për të forcuar njëra-tjetrën. Kam reaguar jo se jam nacionaliste, jo se jam shoviniste e as pasionante sherrnajash politike, por sepse jam shqiptare, jam njeri që nuk e kam frikë të vërtetën e që e ndjej se detyra jonë më e parë në këtë sallë është të sillemi e të përbetohemi veç për një Atdhe.
Ka shumë mes nesh që sa herë që ne përmendim fjalën Çamëri, vrapojnë të terrin lotët e Athinës, e cila nuk ka asnjë sens europian që të pranojë masakrën dhe të zgjidhë tragjedinw. Ka të tjerë që Presheva i duket krejt nocion gjeografik e nuk e shohin se një Çamëri e dytë qw po ndodh në mesin tonë. Ka të tjerë që lëshojnë edhe sot po tw munden Shën-Naunin e Ohrin, veç të zgjasin ditët apo të arrijnë të marrin pushtet…
Ky është mallkimi ynë, kjo është drama e politikanëve shqiptarë. Jemi frikacakë e mjeranë, tutemi para së vërtetës. E vërteta është një dhe vetëm një! Na kanë ndarë, na kanë shqyer në 6 shtete, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Greqi e Iliridë. Ne nuk kemi hapur gojë, kemi heshtur e nuk kemi thënë se kemi nevojë të jemi të lirë e të vlerwsuar, të bashkuar e të respektuar, sepse kemi patur frikë.
Mjaftoi një fjalim i imi që barërat e kwqija të shtetit fqinjë të ngjalleshin si të marrosur. Të dy bashkw mazhorancë dhe opozitë thanë që kjo është e papranueshme. Cila pjesë e fjalimit tim ishte e paparanueshme? Ajo që thashë se quhet Iliridë? Është përdorur qysh para 22 shekujsh, është përdorur edhe në mesjejtë e ishte krahinë autonome pjesë e Dardanisë. Cila ishte pjesa që nuk kuptuan sllavwt e maqedonisë? Ajo, ku kërkova qw nëse një qeveri nuk dekretohej, veç nga frika e gjuhës së Nënw Terezës shqiptarët kishin gjithë të drejtën e Zotit të shpallnin referendum për mëvetësinë? E them dhe e ripërsëris sot e gjithw ditën, në një shtet që nuk i do, nuk i vlerwson e nuk i respekton, nën një President që shpall armike gjysmën e popullsisë së vet, ata nuk kanë pse të jetojnë. Jetojmë në vitin 2017 dhe shqiptarët e Iliridës duhet të jetojnë të lirë, të gëzojnë të drejtën e gjuhës, flamurit, prosperitetit, të gëzojnë të drejtat si shtetas të barabartë e nëse këtë uzurpuesit e këtij shteti të sajuar nuk e duan, këtë nuk e pranojnë,shqiptarët duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe në këtë akt ne të gjithë bashkë s’duhet dhe s’mund t’i lwmw të vetëm, Shqipëria nuk i lw vetëm, Kosova nuk duhet t’i lërë të vetëm, diaspora duhet të rreshtohet për të lobuar për ta e për të mos i lënë të vetëm. Çfarë ka këtu për të mos u kuptuar? Cilin politikan shqiptar tremb kjo që them sot? Cilin ligj të Zotit apo të njeriut dhunon kjo kërkesë? Gjuhë, dinjitet, liri ose mëvetësi apo çdo lloj forme tjetër drejtimi politik e shtetëror që meriton të ketë një njeri i shekullit të XXI në tokën e lashtë të Iliridës.
Të nderuar kolegë.
Gjatë këtyre ditëve kam patur një lumë të pamatë mesazhesh mbështetje nga shqiptarët dhe sharjesh e kërcënimesh nga sllavwt e serbët e FYROM-it. Pati edhe ndonjë gjakprishur pjesë e atyre që e kanë zhytur atë vend në injorancë e padije, i cili i shkoi ndër mend të shihte në ëndrra shërbimesh sekrete maqedonase apo qw reagimi im kishte prapavijë politike. Më duhet t’i zhgënjej. Në Shqipëri nuk votojnë shqiptarët e Iliridës, por edhe sikur të ishte kjo çështje, për mua shkon përtej politikës. Në politikë nuk dua e nuk kërkoj as vota e as mbështetje, duke përdorur Zotin dhe Atdheun. A e dini pse? Sepse të dyja janë të përbashkëta për të gjithë qëniet njerwzore e janë të shenjta edhe për ne shqiptarët dhe gjithë gjërat e bukura e të shenjta të kësaj bote janë të papërdorshme. Nëse përdoren janë diçka tjetër, por jo ato që njeriu i ka më të shenjtat brenda vetes.
Kur hedh një vështrim prapa në histori shoh me hidhërim se si krerët e shqiptarëve grindeshin me njëri-tjetrin e ndërsa përmbushnin revolucionin grek e i jepnin pavarwsinë Greqisë, linin atdheun e tyre Shqipërinë nën pushtimin osman. Unë kam parë e tmerruar se si Shqipëria mbetej një pëllëmbë, ndërsa ende shqiptarët nuk kishin forcën të bashkoheshin e të mbronin trojet e veta. Kam parë në histori se si u shkëput Kosova, Çamëria, Sanxhaku, Presheva, Plava e Gucia dhe pashë disa politikanë që nuk ishin as më të mirë e as më të këqinj se ne që heshtën si gurë pa jetë, pa fjalë e të friksuar. Unë nuk dua të bëj pjesë tek ata që murosen me mëkatin e heshtjes. Politika jonë ka nevojë të trimërohet, jo të hapë luftë, por të thotë të vërtetat me zërin lart e të punojë për Atdheun. Të vërtetat janë këto, Çamëria u vodh, u torturua e u gjakos nga fqinjët grekë dhe kjo është një çështje ndërshtetërore që vazhdon sot e kësaj dite e që do marrë urgjentisht zgjidhje…, ndryshe s’do ketë qeveri që t’i jetojë e qetë ditët e saj. E vërteta është kjo; që Ilirida u shtrëngua të jetojë nën një pushtet, i cili nuk e do dhe nuk e respekton… e nese dy vetw nuk duhen, asnjë forcë nuk i shtrëngon dot t’i lidhë me zor në një altar. Ata duhet të vendosin vetë e ne duhet t’i ndihmojmë, sepse e kemi detyrë nga Kushtetuta e nga gjaku.
E vërteta është që Presheva është Çamëria e dytë dhe askush nuk e përmend, por atje shqiptarët po i heqin ngadalë e përditë. Ka shumë të vërteta të tilla tragjike, por më tragjikja është që ulim kokat dhe i pranojmë në heshtje, madje nëse dikush i thotë i ngremë gishtin tregues herë me shpoti, herë me intrigë e herë me kanosje.
Unë për vete nuk kam frikë. Nuk do pushoj së thëni që kemi nevojë të ndihemi më afër, që kemi nevojë të jetojmë të bashkuar, por në një shtet të drejtë e modern. Kjo është ëndërra ime dhe në të nuk ka luftë, ka bashkim dhe prosperitet, besim e dashuri. Në të ka vetëm një Atdhe!!!

(ina-online.net)

Media austriake paralajmëron përçarjen e partisë së Nikola Gruevskit, ja çfarë shkruan për Lëvizjen BESA dhe BDI

demo kunder shqipNga demonstratat kundër të drejtave të reja për shqiptarët në Maqedoni bëhet fjalë për përleshje mes ndjenjave autoritare dhe liberale, shkruan “Der Standard”.

Në protestat e organizuara nga maqedonasit mbizotëron flamuri kuq e verdhë. Është e zhurmshme, bile edhe bilbilat fërshëlluese janë të ngjyrosura me flamurin e tyre. Bojani 52 vjeçar mendon se kërcënohet Maqedonia nëse gjuha shqipe bëhet zyrtare në gjithë vendin, iniciativë që mbështetet nga social demokratët. Andaj ai ka fluturuar nga jashtë për të mbështetur protestat. “Me ligjin e ri detyrohen banorët të mësojnë gjuhën shqipe, dhe do jenë vetëm shqiptarët në pozicionet udhëheqëse,” arsyeton ai frikën e tij. Sipas tij shqiptarët janë një “pakicë” dhe “ne jemi shumicë”. Protestuesit nuk dëshirojnë që Maqedonia të kthehet në shtet “binacional”, pra që shqiptarët që përbëjnë rreth një të katërtat e banorëve, të përmendet si popull konstitutiv në Kushtetutën e vendit. “Ata janë mbrojtur nga Komuniteti Ndërkombëtar prej njëzet vitesh dhe kanë fituar gjithshka çfarë kanë dashur. Tani ka ardhur fundi. Pasi Hillary Clinton ka humbur zgjedhjet dhe Trump nuk mbështet politikën pro-shqiptare.”

Emocione të vjetra

Shumica e protestuese janë burra të vjetër – mes tyre edhe veteranë lufte. Në 2001 Maqedonia kishte një konflikt të dhunshëm dhe tani emocionet të kujtojnë vitet e atëhershme. Kjo bën situatën e rrezikshme. Në Manastir është sulmuar me koktej molotovi muzeu shqiptar i alfabetit. Nxënësit shqiptarë lëshojnë para kohe mëzimin, pasi kanë frikë nga sulmet, pasi protestast fillojnë çdo ditë në ora 17. Bojan tregon shallin e tij me ngjyrat e Maqedonisë. Shumë maqedonas nuk ndjehen si “komb” pasi Greqia ia konteston emrin dhe për këtë arsye ka bllokuar vendin për anëtarësim në NATO dhe BE. Është e lehtë për t’u mobilizuar për “interesa kombëtare”.

Mijëra protestues

Është një tren i gjatë i protestuesve që lëviz nga ndërtesa qeveritare deri të parlamenti. Një nga bateritë më të mëdha të protestuesve janë burrat romë, edhe pse kërkesat e protestuesve për ta janë pa interes. Ata janë vetëm taktikisht aty. Zgjedhjet e 11 dhjetorit nxorën ngushtë fitimtare OBRM-PDUKM (39,4 përqind), megjithatë partitë shqiptare kërkojnë të koalicionojnë me LSDM (38 përqind). Partia më e mahe shqiptare BDI ka humbur vota masive, pasi shumë shqiptarë votuan LSDM dhe të tjerë partinë e re shqiptare BESA.

Përpjeke demokratizimi

Prej kohës kur Maqedonia u fut në krizë të thellë politike, 2015, për arsye tashmë të ditura si falsifikim të proceseve zgjedhore, BE dhe SHBA kanë punuar për krijimin e shtetit ligjor. OBRM që frikësohet nga proceset zgjedhore, kërkon me ndihmë të presidentit Ivanov për të evituar proceset. Nuk ka të bëjë vetëm me luftë për pushtet, por edhe me çështje ideologjike. Një pjesë e OBRM janë antiliberalë dhe luftojnë në mënyrë agresive për të gjithë ata që janë për “vlera perëndimore”. OJQ dhe gazetarë po sulmohen, dhe atë jo vetëm ata që financohen nga George Soros, por edhe ata që marrin para nga USAID. Inspektorët financiarë kanë filluar hetime dhe bastisje në 20 OJQ. Por edhe në OBRM ka lëvizje kundërshtuese. Shumë kërkojnë të largohen nga shefi i tyre Nikola Gruevski, bile në fazën e ndryshimit të pushteteve që mund të ndodhë ditët vijuese, të distancohen nga intrigat e tij./BS/

Lu: 2017, vit i shkëlqyer

dhoma amerikane LuAmbasadori Amerikan Donald Lu shfrytëzoi një takim me bizneset e Dhomës Amerikane për të bërë publike pritshmëritë që Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë gjatë këtij viti.

“2017 do të jetë një vit i shkëlqyer për Shqipërinë. Ky është viti kur Shqipëria nis zbatimin e reformës në drejtësi, e cila do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit për të gjithë ju. 2017 do të jetë gjithashtu viti i zgjedhjeve parlamentare që do të vënë Shqipërinë në një kurs demokratik për katër vite stabiliteti politik dhe përparimi më të madh drejt të ardhmes europiane të Shqipërisë”, tha Ambasadori.

Por Lu nuk la pa përmendur atë që së fundmi ka qenë tema më e nxehtë e debatit politik në Shqipëri, luftën ndaj krimit dhe drogës.

“2017 do të jetë viti në të cilin Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për t’u përballur me sfidën e stërmadhe shoqërore të krimit të organizuar dhe drogërave të paligjshme. Kjo do të krijojë mundësi edhe më të mëdha për biznesmenët e ndershëm. 2017 është viti kur Shqipëria do të trajtojë korrupsionin në nivele të larta përmes krijimit të strukturës së posaçme antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit”, u shpreh kryediplomati amerikan në Tiranë.

Zoti Lu i bëri këto deklatrata gjatë prezantimit nga Dhoma Amerikane e indeksit të biznesit në Shqipëri. Sipas sondazhit, vitin e kaluar klima e biznesit ka shënuar përmirësim.

“Indeksi i biznesit për vitin 2013 është në vlerën 43.7. Siç thamë ka një ngritje të ndjeshme krahasuar me vitin e mëparshëm. Madje është më e lartë edhe nga 2012-ta, kur mbante rekordin. Por siç duket, kemi ende punë për të bërë”, thotë drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane, Lorenc Gjoni.

/ Top Channel

Vettingu, mbeten 79 emra; Kuvendi mbyll derën për kandidatë të rinj

VettinguDhjetë ditë pasi vendosi të rihapë garën për kandidatë të rinj për procesin e Vettingut, Parlamenti e shfuqizoi këtë vendim.

Vendimi, që hyri papritur në rendin e ditës së Parlamentit do të thotë se Avokati i Popullit tani do të fokusohet vetëm tek dosjet ekzistuese të 79 kandidatëve, që sipas ONM-së përmbushin kriteret formale, por iu mungon ndonjë certifikatë për të provuar atë që shkruajnë në CV.

Top Channel mësoi se Avokati i Popullit i kishte bërë rezistencë Kuvendit për vendimin e rihapjes së garës, duke e quajtur atë antikushtetuese, një fakt që e provon edhe dokumenti i hartuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Në shpjegimin që bën për deputetët, zoti Xhafaj thotë se shfuqizimi i vendimit për rihapjen e garës për organet e Vettingut është rezultat i kërkesës së paraqitur në Kuvend të mërkurën nga Avokati i Popullit.

Tani, në kushtet kur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kualifikuar vetëm 21 kandidatë për 27 vende, shpresa e vetme që procesi të mos ketë komplikacione të tjera është që disa nga 79 kandidatët e vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë të paraqesin dokumentat që u mungojnë për kualifikimin përfundimtar.

/ Top Channel

Hapësirë e vetme ekonomike në Ballkanin Perëndimor

Western Ballkan 6Kryeministrat e Shqipërisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë- Herzegovinës nënshkruan deklaratën e përbashkët për krijimin e një hapësire të vetme ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës europiane të Kancelares gjermane, Angela Merkel, për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perënmdimor si një parakusht për përshpejtimin e ritmeve të integrimit europian të rajonit kryetarët e qeverive të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Samitin e Sarajevës.

Në samit u diskutua mbi proceset euro-integruese të vendeve të rajonit, bashkëpunimin ndërmjet tyre,  progresin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme në ekonomi, transport, energji, infrastrukturë që nga fillimi Procesit të Berlinit.

Samiti i Sarajevës mbahet në kuadër  të përgatitjeve për Samitin e Triestes më 12 korrik të këtij viti, i katërti në kuadër të procesit të Berlinit, pas konferencës së nivelit të lartë në Berlin, më 28 gusht 2014, për të vazhduar me Samitin e Vienës më 27 gusht 2015 dhe atij në Paris më 4 korrik 2016.

Nxitje aktive e biznesit dhe e investimeve

Në  deklaratën e përbashkët në Samitin e Sarajevës pesë kryeministrat ranë dakort për të intensifikuar bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik mes vendeve të tyre dhe ndërtimin e  një tregu të përbashkët, që përfshin qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, lëvizjen e lirë të forcës së kualifikuar të punës dhe një hapësirë dinamike investimesh.

Gjithashtu në samit u ra dakord për nxitjen në mënyrë aktive të biznesit dhe promovimin e investimeve në nivelin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Pjesëmarrësit propozuan që përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse së bashku me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe me mbështetjen e Komisionit Europian, të fillojnë punën për të përgatitur një propozim për një qasje të përbashkët për një bashkëpunim të mëtejshëm Ekonomik në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet nismave të ndryshme që do të paraqiten në Samitin e Triestes.​

Krijimi një  hapësire të vetme ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimeve zyrtare Johannes Hahn, komisioneri BE për çështjet e zgjerimit dhe fqinjësisë së mirë që mori pjesë në Samitin e Sarajevës theksoi se “ekonomia është e para për të sjellë progres në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”. Ai propozoi  krijimin e një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor si një bazë për hyrjen e rajonit në BE si edhe heqjen e të gjitha pengesave për vendosjen e një hapësire të vetme ekonomike  me synimin e integrimit në tregun e brendshëm të BE për një periuudhë afatgjatë.

Hahn propopozoi gjithshtu edhe heqjen e pengesave për lëvizjen e mallarave edhe të kapitaleve: “Ndërtimi i një tregu të përbashkët ështe ajo që ndodhi brenda BE dhe që prodhoi zhvillime jashtëzakonisht  pozitive. Në skenarin më të mirë nga krijim i tregut të përbasshkët rajonal do të krijohen më shumë se 80,000 vende të reja pune në rajon deri në vitin 2025.

Rajoni në një situatë të rëndë tensionesh etnike

Përspektiva që i hap rajonit tregu i përbasshkët rajonal për zhvilimin ekonomik dhe përshpejtimit të ritmeve të procesit të integrimit hapet kur disa vende të Ballkanit po përballen me kriza të brendshme dhe marrëdhënie të tensionuara midis tyre, gjë që pengon  procesin e integrimit

“Jemi në një situatë ku disa vende po kalojnë përmesh krizash të rënda të brendshme politike, ndoshta të tensioneve etnike. Vendet janë në faza të ndryshme të përpjekjeve të tyre për t’u bashkuar me BE-në. Përplasjet e fundit politike të brendshme dhe marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet shteteve në rajon përbëjnë pengesa për procesin e integrimit. Kjo duhet të zgjidhet. Brukseli i dërgon sinjale të qarta dhe të forta rajonit. BE-ja si tërësi kupton plotësisht seriozitetin e situatës në rajon”theksoi komisioneri Hahn. (dw)