Kosova afër proceseve gjyqësore për krime lufte

peshorja e drejtesiseNë Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë janë duke u bërë përgatitjet për miratimin e dokumentit kyç, Rregullat e Procedurës dhe Provave, i cili do të hapë rrugën për fillimin e proceseve gjyqësore.

Zëdhënësja e Dhomave të specializuara të Kosovës, Avis Benesh, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht të gjitha përpjekjet janë të fokusuara drejt mbledhjes plenare, e cila do të mbahet gjatë muajit mars, kur edhe pritet miratimi i Rregullores, e cila rregullon udhëheqjen e proceseve gjyqësore në Dhomat e specializuara.

Pa miratimin e këtij dokumenti dhe hyrjes së tij në fuqi, proceset gjyqësore nuk mund të fillojnë, kështu që momentalisht po punojmë për këtë”, ka thënë Benesh.

Në mbledhjen plenare në Hagë do të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët ndërkombëtarë të emëruar, që janë 19 dhe të cilët deri më tash kanë pasur rastin ta komentojnë draftin e Rregullores.

Mbetet që ata të pajtohen për versionin përfundimtar dhe që dokumenti të miratohet. Më pas, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në afat prej 30 ditësh duhet ta konfirmojë se rregullorja është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vetëm pas kësaj, rregullorja mund të hyjë në fuqi dhe atëherë Dhomat mund të fillojnë me proceset gjyqësore. Rregullorja do të jetë mjaft voluminoze dhe ajo në detaje do t’i rregullojë udhëheqjet e procedurave gjyqësore, pra, para gjykimit, gjatë gjykimit, apelin, por hyn edhe më thellë në çështjet e organizimit dhe administrimit të Dhomave të specializuara, gjegjësisht të drejtën e personave gjatë hetimit, arrestimit, paraburgimit, pjesëmarrjes së viktimave dhe të tjetra”, theksoi Benesh.

Gjatë kohës deri sa po bëhen përgatitjet përfundimtare për fillimin e proceseve gjyqësore, në Kosovë edhe më tej po mbretëron pakënaqësia me Gjykatën speciale, të cilin e kanë formuar autoritetet e Kosovës.

Javën e kaluar, në seancën e Kuvendit të Kosovës, është prezantuar kërkesa që përsëri të shqyrtohet dhe ndryshohet Ligji për Dhomat e specializuara dhe Prokurorinë e specializuar.

Marrë parasysh që për ndryshimin e ligjit është paraparë procedura, deputetët kanë refuzuar që të miratojnë kërkesën që për këtë ligj të diskutohet në seancën e radhës, por kanë rekomanduar që kërkesa t’i drejtohet Komisionit parlamentar dhe Kryesisë së Kuvendit, sipas procedurës.

Diskutimin, në bazë të procedurës, e kanë mbështetur partitë në pushtet.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike, Driton Selmanaj,duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se marrë parasysh faktin që Gjykata do t’i trajtojë rastet në të cilat janë të përfshirë njerëzit nga niveli i lartë i institucioneve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të kuptueshme tensionet në vend, para fillimit të punës së Gjykatës.

Megjithatë, ai vlerëson se nismat sporadike, sikurse kërkesa e veteranëve të UÇK-së që Kuvendi sërish ta shqyrtojë Ligjin dhe t’i përfshijë edhe krimet serbe, si dhe nisma e udhëheqësve të Kosovës që të formohet ushtria, më shumë janë “tendencë që t’i dërgohet porosi bashkësisë ndërkombëtare se të vetmit faktor stabiliteti në Kosovë janë ata që eventualisht mund të jenë subjekt i Gjykatës Speciale”.

Më tepër e shoh një tendencë të tyre për të provuar për ta shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare, sesa ndonjë tendencë e cila mund të shkaktojë definitivisht destabilitet ose mund ta shkundë skenën politike të Kosovës. Kosova është e gatshme që të merret me secilën pasojë eventuale që mund të vijë nga Gjykata Speciale”, thotë Selmanaj.

Selmanaj ka shtuar se sa më shumë që ofrohet data e arrestimeve dhe aktakuzave të para, kjo mund të ngjallë tensione. Por, sipas tij, Kosova tashmë e ka kaluar krizën e mundshme që mund ta rrezikojë stabilitetin.

Nuk e besoj këtë që mund të ndodhë. Njerëzit në Kosovë tashmë e kanë kuptuar që përgjegjësia individuale e njerëzve, çfarëdo natyre qofshin ata, në çfarëdo pozite qofshin ata, është tërësisht individuale, dhe si i tillë duhet trajtuar. Nuk gjykohet në Gjykatën Speciale lufta e UÇK-së, nuk gjykohet Kosova. Gjykohen individë, të cilët dyshohet eventualisht se kanë bërë krime eventuale. Unë mendoj që Gjykata Speciale do ta pastronte, një herë e përgjithmonë, gjithë atë dyshim që është ngritur që nga paslufta, rreth involvimit të njerëzve të rëndësishëm të skenës politike të Kosovës në krime të rënda”.

Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ka miratuar legjislacionin e plotë për formimin e Gjykatës Speciale, pas një debati të ashpër ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të merret me hetimin e krimeve të cilat “pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë bërë mbi pakicat etnike dhe rivalët politikë” që nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000 dhe të cilat, senatori Dick Marty i ka theksuar në raportin e tij para Këshillit të Evropës.(REL)

Makina si armë

Gjermania është një vend makinash dhe këtu është patentuar makina e parë para 130 vitesh. Në Gjermani e kanë selinë disa nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve. Por garat ilegale me makina janë shpallur si vrasje.

ndeshje makina

Kalimtarët në rrugë natën rrinë pranë semaforëve dhe presin dritën jeshile, ndonëse askund nuk shihet ndonjë makinë. Kur shihni një skenë të këtillë, e dini shumë mirë se jeni në Gjermani. Në të gjitha anketat, kur shtrohet pyetja, se “çfarë është tipike gjermane?”, përgjigja është: pritja e dritës jeshile në semafor edhe natën, kur në rrugë nuk ka asnjë makinë! Kjo ka të  bëjë me disiplinën dhe respektimin ndonjëherë edhe të verbër të rregullave, ligjeve dhe rendit publik.

Kur një gjerman i durueshëm i shpjegon një të huaji pse pret në semafor, edhe pse nuk kalon asnjë makinë, ai përgjigjet: çfarë do të ndodhte sikur askush të mos i respektonte rregullat? Katastrofë dhe një numër jashtëzakonisht i madh i aksidenteve. “Respektimi i sistemit të rregullave është themeli i civilizimit tonë. Disa rregulla ndoshta nuk na pëlqejnë, por ato kanë kuptim vetëm nëse respektohen”, shkruan psikologu Jörg-Michael Sohn në gazetën “Der Spiegel”. Kjo është një mënyrë tipike e të menduarit gjerman: “Në Francë drita e kuqe në semafor do të thotë: duhet të jem më i kujdesshëm kur ta kaloj rrugën. Francezët janë mësuar që këto gjëra t’i kuptojnë më ndryshe. Ndërsa ne gjermanët i respektojmë rregullat. Këto janë sjellje të ndryshme dhe të dyja sistemet funksionojnë”, thotë Sohn. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore: numri i të vdekurve në vitin 2015 në trafik ka qenë 43 në një milionë në Gjermani, që është shumë më i ulët se mesatarja evropiane (57). Në kreun e listës është edhe Kroacia me 82 të vdekur në një milion.

Viktimat e pafajshme

Si një kundërshtim i plotë me këtë sjellje, në Gjermani janë shtuar garat ilegale në rrugë. Kryesisht bëhet fjalë për gara spontane ilegale mes të rinjve. Deri sa presin në semaforë, të rinj të panjohur mes vete, merren vesh me sy dhe kur hapet drita jeshile “ia shkelin deri në fund”. Ai që mbërrin i pari deri tek semafori tjetër është fitues. Por ka dhe raste të marrëveshjeve paraprake për gara, kur shpesh injorohen semaforët dhe drita e kuqe, pavarësisht që pasojat mund të jenë të rënda. Ka pasur edhe raste me viktima të vdekura, arrestime dhe dënime.

Ky fenomen ka lindur në SHBA në vitet 90-të dhe më pas është përhapur edhe në Gjermani. Qëllimi i këtyre garave të pakuptimta është ngritja e adrenalinës dhe konfirmimi para të tjerëve. Ndërkohë që është shtuar numri i viktimave. Në vitin 2001 në Këln është goditur për vdekje djali i kryetarit të atëhershëm të bashkisë, Fritz Schramm, i cili së bashku me shokët e tij priste në semafor dritën jeshile. Shoferi i garës ilegale e ka humbur kontrollin dhe është futur në grupin e njerëzve të pafajshëm. Në fund të vitit 2006, në të njëjtën mënyrë është qëlluar për vdekje një kalimtar në Bochum. Në Këln në vitin 2015 është lënduar rëndë një femer me biçikletë, e cila më pas ka vdekur.

Denimet

Pjesëmarrja në garat ilegale është trajtuar deri tani si një shkelje e rregullave në trafik dhe është denuar me 400 deri 500 euro dhe marrjen e lejes për një muaj. Dëmtimi i pjesëmarrësve të tjerë në trafik është trajtuar si çdo aksident tjetër. Por kohët e fundit rregullat janë ndryshuar. Në vjeshtë Bundestagu ka miratuar një ligj me të cilin pjesëmarrja në garat ilegale trajtohet si vepër penale, pavarësisht se a ka pasur dëme apo jo.

Një kthesë të madhe në praktikën e gjykimeve paraqet denimi para një muaji i një personi me burgim të përjetshëm, për shkak të goditjes dhe vrasjes së një kalimtari në rrugë. Hamid H. e kishte qëlluar për vdekje 69-vjeçarin Michael W. Gjykata ka konstatuar se personat që kanë marrë pjesë në këtë garë e kanë ditur se mund të ketë viktima, që do të thotë se vepra penale është kryer me paramendim. Ky është një vendim historik në jurisprudencën gjermane, sepse deri më tani kurrë askush nuk është dënuar me heqje të përjetshme lirie, për shkak të ndonjë gare ilegale në trafik. (dw)

Studim për trajtimin me antitrupa të virusit HIV

majmunet makakeMajmunëve makakë, që iu injektuan dy antitrupa të fuqishëm kundër virusit HIV, menjëherë pasi ishin infektuar me variantin fillestar të këtij virusi para se ai të përhapej tek njeriu, arritën ta mbanin virusin për një kohë të gjatë nën kontroll.

Kundërtrupat neutralizues u injektuan tek trembëdhjetë majmunë tre ditë pasi ishin infektuar me variantin fillestar të virusit, të njohur si SHIV, i cili nuk prek njerëzit. Gjatë një periudhe dyjavore, makakëve iu bënë tre injeksione intravenoze me kundratrupa të fuqishëm njerëzor.

Kundërtrupat 3BNC117 dhe 10-1074 e sulmojnë SHIV-in në dy drejtime, duke e çarmatosur virusin dhe duke ndihmuar sistemin imunitar ta largojë nga organizmi.

Ky trajtim me kundratrupa e çoi SHIV-in afër ose në nivele të pakapshëm nga analizat. Ky efekt zgjati derisa kundratrupat u zhdukën nga organizmi i kafshëve. Pas kësaj virusi u tkurr te të gjithë majmunët, përveçse te njëri prej tyre.

Por midis periudhës kohore nga 5 deri në 22 muaj më vonë ndodhi diçka që i mahniti studiuesit. Sistemet imunitare të gjashtë majmunëve arritën ta luftojnë vetë virusin vdekjeprurës, duke e çuar atë sërish në nivele të pakapshme nga analizat. Ky efekt dobiprurës zgjati 5 deri në 13 muaj të tjerë.

Sistemet imunitare të katër makakëve nuk mundën të fitonin kontroll të plotë ndaj virusit, por ruajtën nivele tejet të ulëta të SHIV-it në organizëm, si dhe nivele të shëndetshme të qelizave kyçe imunitare për 2-3 vite pas infektimit.

10 prej 13 primatëve përfituan nga imunoterapia afatgjatë.

Studimi u krye nga shkencëtarë të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe Universiteti Rokfeler në Nju Jork. Përfundimet e studimit u publikuan në revistën shkencore “Natyra”.

Studiuesit do të eksperimentojnë tani duke u dhënë majmunëve me SHIV kundërtrupat gjashtë javë pas infektimit, koha që i duhet përafërsisht virusit HIV që të diagnostikohet te njeriu dhe të nisë trajtimi.

Ka mbi 25 lloj ilaçesh për të trajtuar infeksionin me HIV te njerëzit, por ato duhen marrë çdo ditë për ta mbajtur virusin, që është në gjendje të fjetur, nën kontroll dhe që ai të mos të aktivizohet sërish sapo kura të ndërpritet.

Kërkuesi i Rokfelerit, Michael Nussenzweig, tha se kundërtrupat neutralizuese sigurojnë “imunitet të fuqishëm ndaj HIV-it, duke i lejuar të infektuarit që ta mbajë atë nën kontroll”.

Nussenzweig është shefi i Laboratorit të Imunologjisë Molekulare dhe studiues në Institutin Mjekësor “Howard Hughes”.

Ai thotë se kjo terapi përdor mekanizmat natyralë mbrojtës të vetë organizmit të njeriut për ta mbajtur virusin nën kontroll. Terapia është e ngjashme me imunoterapinë ndaj kancerit, që përdor sistemin imunitar të vetë trupit për të luftuar infeksionin.

Nëse imunoterapia jep efekt te njerëzit, me shumë mundësi do ta bllokojë për një kohë të gjatë virusin që shkakton SIDA-n, duke shmangur nevojën që të infektuarit kanë çdo ditë për ilaçe anti-retrovirale, të cilat kanë efekte anësore. (voa)

Novacionet më të fundit të teknologjisë

AeroplanFusha e teknologjisë mund të jetë sfiduese dhe, që të jesh i mirëinformuar rreth teknologjisë së re, kjo mund të jetë e vështirë dhe e komplikuar. Por, është me rëndësi të mbajmë parasysh se qëllimi i saj është të lehtësojë jetën tonë dhe se gjithë kjo teknologji mund të shndërrohet në telajon e ëndrrave tona për të ardhmen. Zëri i Amerikës shqyrton disa nga idetë më të fundit të novacionit teknologjik.

Sa mirë do të ishte nëse një shërbim taksi pa shofer vjen të të shpëtojë nga trafiku.

“Mendojmë se duke kombinuar udhëtimin në ajër dhe tokë do ta shfrytëzojmë më mirë hapësirën e qyteteve tona”, thotë Mathias Thomsen, i firmës “Airbus Urban Air Mobility”.

Një kapsulë për rrugën, qiellin dhe shinat është ëndrra e kompanisë së dizenjimit të makinave “Italdesign”, që u paraqit në panairin e makinave të Gjenevës.

Dhe nëse ju duhet të dërgoni një email të shpejtë, apo një mesazh pa shtypur gërmat, ju ndihmon “Senstone”.

Është një varëse e vogël që mund ta mbani në qafë ose në kyç.

Vetëm e prek dhe i flet. Aplikacioni i saj përkthen në çast fjalët e folura në fjalë të shkruara dhe i transmeton nëpërmjet mesazhit apo email-it.

Projekti u financua nga një fushatë mbledhje fondesh dhe ekipi ideues ukrainas shpreson ta hedhë në treg paisjen në muajin korrik.

Dhe së fundi, një mënyrë e re për ta mbajtur biçikletën të sigurtë dhe për ta monitoruar nëpërmjet telefonit.

Paisja e quajtur “Bisecu” është dizenjuar nga një grup inxhinierësh koreanojugorë. Ajo montohet në rrotën e përparme dhe kyçet, ose hapet, nëpërmjet telefonit.

Nëse biçikleta lëvizet, aktivizohet një alarm dhe pronari njoftohet me mesazh.

Pajisja u prezantua këtë vit në Kongresin Botëror të Paisjeve të Lëvizshme, dhe mendohet të hyjë në treg gjatë këtij viti. (voa)

Kriza maqedonase dhe Ballkani

protestat mkKriza dy-vjeçare politike në Maqedoni po hyn në një fazë të rrezikshme, ndërkohë që nacionalistët po akuzohen për nxitjen e tensioneve etnike në përpjekje për të penguar hetimet për korrupsion.

Mijëra maqedonas kanë zhvilluar protesta kundër formimit të një qeverie koalicioni mes tre partive shqiptare dhe social demokratëve. Presidenti Gjorge Ivanov po mban anën e protestuesve dhe deri tani ka refuzuar t’i japë dritën e gjelbër një qeverie koalicioni, që do të linte jashtë partinë kryesore nacionaliste.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët thonë se acarimi i përplasjeve politike mund të dalë jashtë kontrollit, duke i rritur më tej tensionet etnike në një Ballkan që shkon drejt destabilizimit.

Grupi “Për një Maqedoni të Bashkuar”, njoftoi të hënën se do të vazhdojë të organizojë protesta masive në Shkup dhe qytete të tjera në mbarë vendin kundër formimit të koalicionit. Grupi akuzon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si autori i vërtetë i idesë së koalicionit.

“Maskat kanë rënë”, tha në një deklaratë Bogdan Ilievski, njëri prej udhëheqësve të grupit. “Ne, – tha ai, – jemi në favor të një Maqedonie të bashkuar për të gjithë; jemi kundër platformave të hartuara në vende të tjera, që disa nga politikanët tanë nuk duan t’i kundërshtojnë në mënyrë të qartë. Pavarësisht nga përpjekjet e tyre për të fshehur qëllimet e vërteta, ata do të hasin në kundërshtimin e fortë të publikut demokratik. Njerëzit nuk do të kthehen në shtëpi”.

Një nga kërkesat kryesore të partive shqiptare është që gjuha shqipe të njihet si gjuhë e dytë zyrtare. Presidenti Ivanov i ka quajtur “kërcënim për sovranitetin e Maqedonisë” kërkesat për njohjen e të drejtave më të mëdha për shqiptarët.

Ngërçi mes dy grupeve më të mëdha etnike të vendit u keqësua dhjetorin e kaluar, kur partia nacionaliste maqedonase VMRO fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet parlamentare. Partitë shqiptare nuk pranuan të hyjnë në një qeveri koalicioni me VMRO dhe vendosën të bëhen partnere me socialdemokratët.

Socialdemokratët thonë se presidenti Ivanov po nxit grindjet etnike. Ata argumentojnë se ai po e përdor situatën për të mos i dhënë mandatin e formimit të qeverisë udhëheqësit të tyre Zoran Zaev, pasi Presidenti Ivanov dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski tremben se socialdemokratët do të hapnin hetimet rreth përgjimeve të paligjshme politike dhe akuzave për korrupsion, të cilat nuk i janë ndarë qeverisë së VMRO qysh nga viti 2015.

Mosmarrëveshjet mbi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni mendohej se ishin zgjidhur më shumë se një dekadë më parë. Në vitin 2001, kryengritja shqiptare që zgjati shtatë muaj dhe që la më shumë se 100 të vrarë, përfundoi me një marrëveshje, e cila u siguronte shqiptarëve më tepër të drejta. Megjithatë, përparimi për zbatimin e marrëveshjes ka qenë i ngadalshëm.

“Për të shmangur burgosjen e miqve të tij, Presidenti Ivanov po nxit përplasjet etnike mbi një çështje të parëndësishme si përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike,” thotë Gjovalin Shkurtaj, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Zakonisht, politikëbërësit në Bruksel apo në Uashington nuk do të shqetësoheshin për mosmarrëveshjet politike në një vend me vetëm 2 milion banorë si Maqedonia. Mirëpo grindjet në Ballkan historikisht kanë pasur pasoja të rënda për Evropën, duke filluar me vitin 1914, kur një serb i Bosnjes vrau Kryedukën Franz Ferdinand, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, gjë që solli Luftën e Parë Botërore. Dekada më vonë, pas Luftës së Ftohtë, shpërbërja e shtetit jugosllav u bë shkak për një konflikt të përgjakshëm që solli ndërhyrjen e NATO-s.

Në fillim të këtij muaji, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, vizitoi Shkupin dhe i bëri thirrje Presidentit Ivanov të lejonte zotin Zaev për të formuar qeverinë. “I kërkova presidentit të reflektonte për të ardhmen dhe ta anulonte vendimin e tij në interes të të gjithë qytetarëve të vendit”, u tha zonja Mogherini gazetarëve.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ndërkaq kanë vazhduar përpjekjet për të shmangur acarimin e tensioneve etnike mes Serbisë dhe Kosovës. Në muajin janar, presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç paralajmëroi se ishte i gatshëm të dërgonte trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët e atjeshëm nëse kjo do të ishte e nevojshme. Presidenti serb tha se dy vendet ishin në prag të konfliktit.

Çështje të tjera që shkaktojnë ndarje mes partive dhe në opinionin publik janë ato që kanë të bëjnë me gjeopolitikën, pra nëse do të anohet nga Bashkimi Evropian apo nga Rusia.

Tensionet etnike janë në rritje edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Bosnja mbetet e ndarë mes serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve dhe plagët e luftës së egër tre-vjeçare të viteve 1990 ende nuk kanë filluar të shërohen.

Rritjet e përplasjeve etnike përkojnë me përpjekjet e Kremlinit për të zgjeruar ndikimin në krejt Ballkanin, i cili po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm, thonë analistët. Moska vazhdon ofensivën e saj të joshjes, duke ofruar ndihma apo furnizime me armë të sofistikuara.

Historikisht Rusia e ka parë Ballkanin si sferën e saj të ndikimit.

Në Serbi, ofensiva diplomatike e Moskës ka dhënë rezultate. Nga një sondazh i organizatës Gallup, del se serbët e shohin Rusinë si aleate më të besueshme sesa NATO-n, organizatë që Beogradi zyrtar thotë se synon t’i bashkohet.

Në Maqedoni, Rusia po përpiqet gjithashtu të luajë kartën e saj. Moska akuzon Perëndimin se po përpiqet të instalojë në Maqedoni një qeveri që do të ndihmonte Shqipërinë të ndjekë politika ekspansioniste. Udhëheqësit e BE-së thonë se Moska është e vendosur të mos lejojë integrimin e Ballkanit në NATO.

Zoti Zaev ka paralajmëruar se llogaritë e gabuara në përplasjet e tanishme mund t’i “vënë zjarrin vendit.” (voa)

Paramilitarët e Gruevskit, ditën policë, natën protestues, ja reagimi i gazetarit Geroski

tvrdokorniBranko Geroski është tallur me paramilitarët e Nikolla Gruevskit. Ai shkruan se nuk ka paramilitar regjimi, por ato që paraqiten si të tillë janë policë të thjeshtë që në mëngjes e kryejnë profesionin e tyre, ndërsa në mbrëmje marrin pjesë në protestat e Gruevskit.

“Lexoj dhe habitem me naivët që besojnë-regjimi paska paramilitar të gatshëm që në secilin moment të aktivizohen nën armë dhe të bëjnë gërdi në rrugë, ta pengojnë grusht shtetin dhe ta nxjerrin agresivitetin ndaj qytetarëve mendjelirë të këtij vendi.

A bënë më mirë të informohemi dhe të jemi më të hapur. Nuk ka paramilitar. Regjimi ka ushtri të cilën e paguajmë të gjithë ne, obliguesit tatimor. Armata e paguesve e gatshme që t`i dëgjoje urdhrat e shefave në MPB të cilat nuk janë nën kontrollin e ministrit, por nën kontrollin e diktatorit.

 Për çdo natë përfaqësuesit e njësive të Alfave të veshur me rroba normale marrin pjesë në protestat e regjimit. Zgërdhihen, kërcënohen, fotografohen, argëtohen. Në mëngjes janë polic, në mbrëmje protestues”, shkroi Branko Geroski në shkrimin e tij të fundit. (ina)

Zaev: Më shumë se 5 miliardë euro janë nxjerrë nga Maqedonia nga familja e Gruevskit

zaeviLideri i LSDM, Zoran Zaev ka theksuar se më shumë se 5 miliardë euro janë nxjerrë jashtë shtetit nga Gruevski dhe familja e tij.

“Ata do të duhet ti kthejnë këto para. Do të ketë konfiskim të pronës së përfituar përmes kriminalitetit, duke zbatuar praktikat evropiane”, ka theksuar Zaev në intervistën për gazetën serbe “Politika”.

Sipas tij, sa më shpejt duhet të formohet qeveria reformatore, e cila do ta nxjerrë vendin nga kriza. (INA)

Interkonjeksioni Shqipëri-Kosovë i bllokuar pa afat nga Beogradi

InterkonjekcioniAfati i përcaktuar për Serbinë, 31 dhjetori 2016, u shkel dhe Serbia nuk pritet të ketë pasoja nga kjo shkelje, ndërsa Shqipëria dhe Kosova po paguajnë rreth 70 milionë euro kredi për një linjë interkonjeksioni që nuk ka funksionuar asnjë ditë.

Linja e interkonjeksionit të energjisë elektrike që lidh Shqipërinë dhe Kosovën u përurua me fanfara në prani të dy kryeministrave dhe shumë zyrtarëve të tjerë qershorin e kaluar, pas shumë vitesh vonesash në projektim dhe ndërtim, por mosmarrëveshjet politike të Serbisë me Kosovën e bëjnë të pamundur vënien në punë të kësaj linje duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për operatorët e transmetimit si dhe duke bllokuar zhvillimin e tregut të përbashkët të energjisë mes Shqipërisë e Kosovës dhe më gjerë, tregun e përbashkët të të gjithë Ballkanit.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vienë Dirk Buschle i tha BIRN se problemi është politik dhe jo teknik dhe se aktualisht nuk shihet një rrugëzgjidhje.

“Kjo linjë nuk mund të vihet në punë. Ky është një problem politik dhe ne nuk jemi të lumtur për këtë. Çështja do të shtrohet sërish për diskutim në Samitin e Triestes në Korrik 2017”, tha Buschle.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me qendër në Vienëështë organizata ndërkombëtare që koordinon dhe mbikëqyr zbatimin e Traktatit të Athinës, traktat i miratuar në vitin 2015 përmes të cilit, vendet e Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit e të rajonit të Detit të Zi, kanë rënë dakord të krijojnë një treg të përbashkët për energjinë, si pjesë e procesit të integrimit të rajonit tonë në tregun e përbashkët Europian.

Engjëll Zeqo, drejtor i Operatorit të Transmetimit të Energjisë, (OST) kompanisë publike që ka nën pronësi linjat e tensionit të lartë, tha se kompania e tij ka humbje vjetore në të ardhura të munguara prej së paku 500 mijë eurosh nga mosvënia në punë e kësaj linje ndërkohë që edhe plani për optimizimin e operimit të sistemit të energjisë së Kosovës dhe të Shqipërisëështë bllokuar për shkak të linjës.

“Nëse do t’i shisnim kapacitetet e linjës në tregun e përbashkët, të ardhurat vjetore të realizuara do të ishin rreth 500 mijë euro,” tha Zeqo.

“Problemi është teknikisht i thjeshtë,” shtoi ai.

Kosova duhet të marrë një kod transmetimi nga ENTSO-E, por nuk njihet si zonë kontrolli nga ENTSO-E. Serbia ka kërkuar që Kosova të njohë operatorin serb të shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës në shkëmbim të njohjes së Operatorit të Transmetimit të Kosovës si entitet më vete.

ENTSO-Eështë rrjeti Europian i Operatorëve të Transmetimit të Energjisë elektrike dhe përgjegjës për operimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike.

Nuk ka ndëshkim për Serbinë

Serbia ndërkohëështë konstatuar nga Komuniteti i Energjisë si shkelës i rregullave që ajo vetë ka firmosur për krijimin e tregut të përbashkët, të njohur si Paketa e Dytë e Energjisë. Tetorin e kaluar, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisëkonstatoi shkeljen nga ana e Serbisë dhe i vendosi afat deri më 31 dhjetor 2016. Teorikisht, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë duhet të propozojë sanksione për Serbinë në Këshillin e Ministrave, por sipas Buschle, mund të jenë të karakterit politik e për rrjedhojë, jo shumë efikase.

Linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës synonte njëkohësisht rritjen e sigurisë energjetike të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për optimizimin e operimit të sistemeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës. Në rast se linja do të funksiononte, Shqipëria mund të përfitonte nga përmirësimi i eficencës së shfrytëzimit të hidrocentraleve ndërsa Kosova do të përfitonte nga përmirësimi i eficencës së shfrytëzimit të termocentraleve të qymyrit. (rtk)

Rama: Tahirin e lirova, nuk e shkarkova. Ndryshime të tjera

rama 1Pyetjeve të shumta në studion e Top Story për shkarkimin e Saimiri Tahirit, ministrit të cilësuar kampion të kësaj qeverie, kryeministri iu përgjigj se ai do të jetë udhëheqësi i fushatës së PS-së në Tiranë.

Rama preferoi ta quajë lirim dhe jo shkarkim, ndërsa mohoi që kjo të jetë kërkuar nga ndërkombëtarët apo Meta. Por ai paralajmëroi ndryshime të tjera nëse ministrat e tjerë drejtues fushate, nuk i përballojnë dot të dyja detyrat.

I pyetur se perse ai nuk e jep dorëheqjen si kryeministër dhe të merret me fushatën e Partisë Socialiste të 18 qershorit, duke plotësuar edhe një kërkesë të opozitës, Rama tha se ka mandat të plotë të Qeverisë.

Kryeministri u shpreh i bindur se opozita do të hyjë në zgjedhje dhe se është gati të negociojë me PD-në për çdo gjë të arsyeshme.

Sokol Balla: Lajmi kryesor është ndryshimet në qeveri. Nëse pyet opozitën thotë ditët e fundit të republikës së vjetër, nëse pyet një mbështetës të LSI-së, thotë se janë ditët e fundit të Edi Ramës, nëse pyet një socialist, do të thonë se nuk e dine se çfarë po ndodh. Qeveria u është nënshtruar disa ndryshimeve të thella. Cilat janë arsyet e vërteta pas këtyre lëvizjeve.

Edi Rama: Meqenëse përmende mbështetësit e PS, ju siguroj se ata e kanë të qartë që ne jemi me sytë nga 18 qershori dhe jo nga 18 shkurti.

Sokol Balla: Kjo është për t’u diskutuar.

Edi Rama: Ju mund të diskutoni gjërat tjera, po për mbështetësit e PS jam unë burim i sigurt. Unë doja të informoj se mbështetësit e PS e kanë shumë të qartë atë që po ndodh.

Sokol Balla: Si shpjegohet që larguat kampionin e ministrave, Saimir Tahirin?

Edi Rama: Një fakt që jam shumë krenar, ku në mjedisin opinionet i bëjnë burra që u duket vetja shumë të zgjuar, nuk është një fakt që ka rënë në sy, faktin që sot kemi një qeveri që ka 50 përqind burra dhe 50 përqind gra. Unë besoj që ky është një fakt që nuk meriton të lihet në harresë, por meqënëse në mjedisin tonë publik, aty ku bëhen thashetheme e konspiracione, nuk ka shans që një fakt i tillë të vlerësohet. Sot gratë shqiptare janë të përfaqësuara baraz me burrat.

Sokol Balla: Ju shkarkuar Tahirin se nuk ishte grua?

Edi Rama: Nuk thashë këtë. Unë dua të përmend me krenari këtë fakt.

Sokol Balla: Përse e larguat Saimir Tahirin?

Edi Rama: Unë nuk e kam shkarkuar Saimir Tahirin, nuk kam shkarkuar asnjërin prej ministrave. Jemi sot në një moment kyç. 18 qershori nuk vendos vetëm kush fiton zgjedhjet, por edhe si do të jetë Shqipëria pas 10 vitesh.

Sokol Balla: Shqiptarët votojnë për katër vitet e ardhshme jo për 10 vitet e ardhshme, tani më thoni përse u largua Saimir Tahiri nga Qeveria?

Edi Rama: Refuzoj që të qëndroj këtu nëse nuk më lejoni të vazhdoj të jap përgjigjen. Nuk e cakton ti është apo jo kushtetuese dhe gjithë kjo ndërprerje ishte e pavend. 18 qershori përcakton sesi do të jetë Shqipëria pas 10 viteve, ashtu sikundër zgjedhje të caktuara kanë përcaktuar Shqipërinë që ne trashëguam, ashtu zgjedhjet përcaktojnë Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Janë zgjedhje që vendosin nëse ky vend do të bëhet shtet, ku gjykatësit dhe prokurorët japin drejtësi dhe nuk e tregtojnë, nëse do të jetë vendi ku fëmijët tanë do të kenë një të ardhme më të mirë. Kjo ka të bëjë me vizionin dhe perspektivën e këtij vendi sepse 18 qershori është një zgjedhje afirmative për botën që po mundohemi të ndërtojmë dhe asaj që trashëguam në 2013. Unë kam bindjen se është ky momenti që ministrat që kanë një barrë shumë të madhe si ministra, por janë ndërkohë edhe drejtues qarqesh për PS. Saimir Tahiri është liruar nga një detyrë që kërkon një angazhim shumë të madh për të folur derë më derë dhe fshat më fshat në Tiranë për të treguar sesi ndërtuam Policinë e Shtetit dhe gjithë reformat dhe sesi me të njëjtën vendosmëri do të shtojmë reformat dhe këtë vend përpara. Kjo është një betejë që e kemi me njerëzit.

Sokol Balla: Ju pak vite më parë këtu keni thënë që të gjithë ministrat do të përfundojnë mandatin e tyre dhe keni thënë që ky ishte basti që vutë. Në momentin që ndatë mandatin e ministrit nga ai i deputetit, atëherë u detyroheni shikuesve se përse e ndryshuat këtë kontratë me publikun? Përse, Saimir Tahirin e lironi nga detyra, në një moment kur ai kërkohet të shkarkohet nga opozita?

Edi Rama: Saimir Tahiri nuk është shkarkuar asnjëherë për arsye të sulmeve të opozitës. Është ministri më i sulmuar. Janë mbi 1400 konferenca shtypi, statuse, sulme të shkruara nga PD, pra nga udhëheqja e PD dhe deputetët e saj mbi Saimir Tahirin dhe nuk është shkarkuar. Sot nuk kërkohet shkarkimi i Saimir Tahirit, sot ata që kanë dalë në bulevard kërkojnë shkarkimin e gjithë qeverisë. Kjo bëhet për të treguar dhe folur me njerëzit se përse meritojmë një mandat tjetër, sesi po luftojmë që të gjithë ata që kanë protagonistë të kësaj janë Ilir Beqaj, Saimir Tahiri, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi janë njerëzit që janë protagonistë për mirë apo për keq, këtë do ta gjykojnë njerëzit.

Sokol Balla: Keni “martirizuar” katër nga drejtuesit e reformave që ju vetë thoni që janë flamujt e kësaj mazhorance për një mandat të dytë?

Edi Rama: Nëse quhet martir dikush që lë karrigen e ministrit për t;u angazhuar në një betejë që vendos për Shqipërinë në dekadën e ardhshme…

Sokol Balla: Nuk më dhe përgjigjen, pse u shkarkua Tahiri? E keni cilësuar kampion? U shkarkua për shkak se kanabisi është një problem kombëtar? Apo se aleati juaj thotë që kanabisi është shqetësues në Shqipëri?

Edi Rama: Këta njerëz janë drejtues politikë të PS. Këta drejtojnë qarqe dhe kam kërkuar që në fillim dhe vazhdimisht që ngarkesa e madhe e punës së ministrit dhe e punës së drejtuesit të qarkut të përballohet për të shkuar sa më pranë për të diskutuar me njerëzit pa ndërmjetësim. Kjo është një betejë për njerëzit. Ne kemi nevojë sot të bëjmë këtë dhe kjo është PS. Pse duhet të japim llogari për opinionet, për konspiracionet dhe mendimet krejtësisht në hava që keni ju dhe nuk kemi të drejtë që të marrim kohën tonë për të folur me njerëzit. Ne kemi nevojë që të flasim me shqiptarët e zakonshëm që na kanë parë përmes filtrit të distancës që krijohet nga televizori dhe “Facebook” e të tjera. Udhëheqja e Tiranës, Gjirokastrës dhe Beratit në këtë betejë nuk janë një punë që mund të bëhet pa kohë të plotë në këtë fazë. Çadra kërkon qeveri teknike, nuk kërkon Saimir Tahirin. Këtu bëhet fjalë për qasjen tonë, ndërkohë që detyra e ministrit të Brendshëm është një detyrë me një ngarkesë të jashtëzakonshëm në këtë periudhë dhe nuk mund të bëhen të dyja në të njëjtën kohë në këtë fazë.

Sokol Balla: Më shpjego ndryshimin mes Saimir Tahirit dhe Damian Gjiknurit?

Edi Rama: Gjiknuri ka filluar një punë intensive prej kohësh në Qarkun e Vlorës dhe është duke e përballuar atë punë me gjithë ato parametrat që kërkohen.

Sokol Balla: Tahiri po bënte më keq punën e drejtuesit të Qarkut të Tiranës?

Edi Rama: Nuk është e njëjta gjë. Beteja e Tiranës është një betejë ku ne kemi ambicie që të fitojmë edhe më shumë se katër vite më parë. Damiani ka përballuar deri më tani ritmin e nevojshëm. Nëse nuk e përballon mund të ndryshojë.

Sokol Balla: Mund të ketë ndryshime të tjera në qeveri po thoni?

Edi Rama: E njëjta gjë edhe me ministrin e Jashtëm dhe ministren e Arsimit. Sot duhet dhe duam të flasim me shqiptarët. Të takojmë njerëzit në çdo cep dhe këta njerëz që janë parë si protagonistë të takohen si përfaqësues të PS e të dëgjojnë se çfarë do të bëjmë ne. Bushati ka punë shumë të rëndësishme, kemi edhe samitin e NATO-s në maj.

Sokol Balla: Ju thoni që këta ministra të rëndësishëm ka ardhur momenti të flasin pa ndërmjetës, të flasin me njerëzit. Në këtë vend nuk mund të ketë një qeveri teknike përsa kohë nuk jemi në kushtet normale për këtë. Kjo qeveri kanë marrë një mandat katërvjeçar për të qeverisur këtë vend dhe për këtë arsye nuk ka asnjë arsye për qeveri teknike? Përse nuk largoheni ju i pari, për të drejtuar PS, të shkosh në terren, të flasësh me njerëzit kënaq dhe kërkesat e opozitës për qeveri teknike?

Edi Rama: Unë jam kryetar i PS, nuk jam drejtues në një qark. Jam kryeministër dhe unë kam mandat kushtetues dhe një kontratë që jam në gjendje ta zbatoj plotësisht sepse nuk është se ikën ministrat për të parë punët e partisë dhe qeveri mbeti bosh. Këtu ministrat janë zëvendës nga ministra dhe ministre që do të garantojë që për asnjë sekondë puna e qeverisë të mos ndalojë. Mos u merrni me teori konspiracioni. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është ky dhe vetëm ky. PS sot është në domosdoshmërinë që të shtrihet në territor dhe të udhëhiqet në këtë punë kaq voluminoze.

Sokol Balla: Ju thoni që nuk ka patur asnjë ndikim protesta e opozitës?

Edi Rama: Çfarë ndikimi mund të ketë kur opozita që kërkon qeveri teknike. Saimir Tahiri ishte ministër i Brendshëm. Kërkuan shkarkimin e tij para se të mbylleshin në çadër dhe nuk e morën dhe as kishin shans ta merrnin. Shqipëria nuk do të mbetet pa ministër të Brendshëm. Do të ketë ministër të Brendshëm që do të jetë në detyrë 24 orë. Ju siguroj që do të ketë një ministër të Brendshëm që do ta çojë përpara me shumë vendosmëri punën e bëri deri më tani.

Sokol Balla:A ishte dakord Tahiri për këtë gjë?

Edi Rama: Këtu bëhet fjalë për një ekip dhe Saimir Tahiri është një prej pjesëtarëve të këtij ekipi, është ekipi i PS, që ka një detyrë historike, të bëjë shtet. Nuk i kam kërkuar dorëheqje, as ka ardhur të dorëhiqet dhe as ka patur asnjë gjë të kësaj natyre.

Sokol Balla: Por si ndodhi?

Edi Rama: E kemi diskutuar këtë prej kohësh në kuptimin e nevojës dhe domosdoshmërisë që të ngremë një fushatë që do të ketë një qasje dhe në qendër njeriun e zakonshëm, për të cilin bëhet edhe lufta jonë me ata që janë në çadër, që nuk na ka borxh, por ne i kemi borxh që t’i shpjegojmë Shqipërinë që duam të ndërtojmë. Ata që flasin për republikën e re, janë pikërisht ata që nuk duan republikën e re. republika e re është republika ku prokurorët dhe gjykatësit japin drejtësi në këtë vend, që bëjnë që Shqipëria të mos marrë investimet e duhura për shkak të zallamahive që bëjnë me pronat dhe sipërmarrësit.

Sokol Balla: Nëse për lirimin e Tahirit, ka patur apo jo presion ndërkombëtar dhe ka patur apo jo bashkërendim dhe diskutim me Metën?

Edi Rama: As njëra dhe as tjetra. Kam folur me Metën, e kam informuar me këtë ide.

Sokol Balla: Fatmir Xhafaj, një zgjedhje që nuk ka kaluar pa koment.

Edi Rama: Besoj fort që është zgjedhja e duhur dhe do të vazhdojë punën e bërë nga Saimir Tahiri.

Sokol Balla: Do të jetë kryetar i reformës në drejtësi?

Edi Rama: Natyrisht që jo. Komisioni e ka përmbyllur misionin e tij.

Sokol Balla: Cili është mesazhi që i përcillni atyre që nuk kanë qenë shumë dashamirës në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi?

Edi Rama: Kjo është zgjedhja e 18 qershorit. Fokusi im është tek 18 qershori jo 18 shkurti dhe ne po organizojmë fazën finale të një mandati, ku krahas detyrës së qeverisë pa asnjë boshllëk të kryejmë një detyrë shumë të madhe; të tregojmë çka kemi bërë dhe çka duam të bëjmë dhe çka rrezikon vendin në 18 qershor dhe për këtë arsye të marrim një besim edhe më të madh se ai i 2013 për të bërë shtet, për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të hapur shtigje të reja punësimi e rritje ekonomike.

Sokol Balla: Çfarë rrezikon vendi në 18 qershori?

Edi Rama: Shumë nëse besimi i cili ne kërkojmë të rikonfirmohet nuk është në atë forcë dhe me atë përcaktueshmëri bindëse nga pikëpamja e votës që kërkon mandati i dytë për të çuar përpara reformat që bëjnë shtet.

Sokol Balla: Në seancat e ardhshme të parlamentit, deri më tani sinjalet janë që këto ndryshime do të miratohet dhe respektohet detyrimi kushtetues, por sa i përket reformës në drejtësi, jemi në kushtet e një bojkoti total të opozitës, që prek reformën në drejtësi dhe një precedenti të panjohur deri më sot, atë të bojkotit të zgjedhjeve, ku shkojmë?

Edi Rama: Ne e vumë në program qeverisë reformën në drejtësi dhe aty kemi patur një debat se përse duhet ta vendosnim për sa kohë nuk mund të merrnim një shumicë për ndryshime kushtetuese. Jeni dëshmitar që e kam thënë që reforma në drejtësi do të votohet dhe kalojë. Po them që Vettingun nuk e ndalojnë dot, as me çadër, as me thirrjen për një republikë të re imagjinare. Vettingun do të vijnë ta votojnë. Mund ta vonojnë, por nuk mund ta ndalojnë. Ky popull ka sot të drejtën historike që të kërkojë të shikojë të ndahen menjanë gjykatësit dhe prokurorët me dinjitet dhe profesionalizëm nga ata që duhet të paguajnë çmimin dhe dëmin që i kanë bërë këtij vendi. është koha për të bërë një ndarje me thikë mes Shqipërisë që kemi trashëguar dhe Shqipërisë që duhet, duam dhe do të ndërtojmë dhe këtë ndarje e përcakton Vettingu si hap të parë dhe në atë çadër është frika nga Vettingu motivacioni themelor dhe pas kësaj janë të tjera që i shtyjnë të rrinë në çadër në vend që ta shohin 18 qershorin si destinacionin, ku çdo parti ka detyrimin të shkojë për të dhënë llogari.

Sokol Balla: Ka sinjale për mospjesëmarrjen në këto zgjedhje pa një qeveri teknike. Mendoni se do t’i bënte mirë këtij vendi zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare?

Edi Rama: Jam i bindur që opozita do të hyjë në zgjedhje.

Sokol Balla: Jeni gati për një marrëveshje me ta, përveç kërkesës për qeveri teknike?

Edi Rama: Nuk ka opozitë në botë që thotë o ik ti, o ikni ju o s’ka. Unë kam qenë në çadër, kam kaluar nga rruga e drejtimit të opozitës dhe kam udhëhequr betejat e opozitës, por kurrë nuk më ka shkuar mendja se mund të hipi në majë të një pallati dhe të them hapni vendin se unë do hidhem ose më jepni mua gjithë pallatin. Kjo është një sjellje pa lidhje dhe ne, unë jam gjithmonë i gatshëm për të bërë çdo marrëveshje që kanë të bëjnë me rregullat e lojës, por marrëveshje që kanë të bëjnë me detyrime kontraktuale me shqiptarët, nuk negociohen me opozitën. OSBE nuk ka thënë ndonjëherë që në Shqipëri që nga 2013 nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka nxjerrë probleme, ka dhënë rekomandime dhe i kemi zbatuar. S’po i zbatojmë këtë herë sepse opozita thotë hapni vendin se do të hidhem.

Sokol Balla: Kemi zgjedhjet e 2015, ku OSBE është deri diku më kritike se 2013. Në këtë vend në këto 25 vjet, problemi kryesor ka qenë kontestimi i zgjedhjeve, në 2013 nuk pati kontestimi, në 2015 pati blerje të votës dhe intimidimi i votës e të tjera.

Edi Rama: Zgjedhjet e 2013 i fituam me 1 mln vota dhe për herë të parë në histori, KQZ e drejtonte opozita e sotme në 2015. Ne kemi të metat tona, por më thoni një arsye, pse duhen votuar ata që janë të çadra dhe ç’është kjo histori që zgjedhjet janë të paracaktuara?! Arsyet që njerëzit të kenë pakënaqësi dhe shqetësim me ne ka plot, por më thoni një arsye pse të votojnë që të mbajnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar në punë. Këta jo vetëm nuk kanë reflektuar sepse ka frikë Saliu vettingun. Vettingun nuk e bën PS, do ta bëjnë shqiptarët që do të monitorohen nga ndërkombëtarët që të jenë garantë të shqiptarëve.

Sokol Balla: Në këtë studio, kryetari i kuvendit tha që Vettingu është një proces që është për shqiptarët dhe do ta bëjnë shqiptarët. Ministri i tij i drejtësisë ka patur vërejtje themelore në këtë drejtim. Këtu bëhet fjalë për njeriun që qëndron përkrah jush.

Edi Rama: Vasili ka shprehur shqetësime që janë shqetësime të qeverisë. Ndërkombëtarët janë këtu që të garantojnë procesin për të mos e kapur Edi Rama, siç thonë.

Sokol Balla: Vettingu do të jetë një kartë kryesore elektorale dhe politike?

Edi Rama: Është kartë kryesore për të ndarë Shqipërinë e të shkuarës me Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Sokol Balla: Fakti që ju e përmendni shpesh, është interpretuar sikur po e përdorni si “shpatë” për të ndëshkuar rivalët apo kundërshtarët tuaj politikë. Fakti që po e përdorni kështu, mos po jep efektin e kundërt për ju?

Edi Rama: Më 18 qershor do të pyesim qytetarët dhe do të dëgjojmë se çfarë thotë populli. Skeptikët dhe analitikët janë të mpleksur me interesa dhe gatuajnë të gjithë një supë dhe më pas u thonë shqiptarëve hajeni këtë supe.

Sokol Balla: Zgjedhja juaj e ministrit të Brendshëm ishte pikërisht një provokim në të njëjtin drejtim…

Edi Rama: Ajo që unë dhe ne në PS kemi punë është të shkojmë tek njerëzit e t’u themi se sa shumë është bërë, sa shumë mund të bëhet dhe çfarë kemi për të humbur. Cila është e vërteta për këtë alarmin kimik të lëshuar nga çadra? Nëse këtu ka një alarm kimik, atëherë këtu ka marrë fund çdo gjë. Gazetarët që shkojnë tek çadrat, pse nuk e verifikojnë dhe pse nuk i thonë çadrës dhe shqiptarëve që kjo është një poshtërsi. Kjo tregon dëshpërimin e çadrës. Të paguash për të nxjerrë një lajm të rremë të këtyre përmasave dhe jashtë shtetit. Ne do të hapim një gjyq për këtë. Kjo nuk ka ndodhur dhe ne kemi marrë konfirmim për këtë nga inteligjenca italiane e doganave. Ne do të hapim gjyq ndaj një portali që ka nxjerrë këtë lajm jashtë shtetit.

Sokol Balla: Në raportin e mbledhjes së Kryesisë së PS, sipas burimeve të keni thënë që çadra mbështetet nga shtete që jo domosdoshmërish i duan të mirën vendit tonë. A është e vërtetë dhe nëse po, çfarë keni dashur të thoni?

Edi Rama: Ne gjatë kësaj periudhë kemi bërë të ndjehen krenarë shqiptarët në raport me politikën dinjitoze në rajon dhe padyshim edhe për faktin se kemi vënë në çdo sekondë interesin kombëtar dhe dinjitetin kombëtar mbi çdo inerci të së shkuarës si sjellje e përulur apo si sjellje pragmatiste duke bërë sikur s’shikojmë dhe s’dijmë për çështje të ndjeshme dhe praktikisht vlerësohemi me superlativa për çka i kemi dhënë dimensionit të paqes në rajon. Nuk është sekret që Shqipëria ka miq të mirë, por ka edhe qarqe që nuk jetojnë për t’i bërë mirë Shqipërisë. Ajo që mund të shtoj këtu, është se partnerët tanë strategjikë do të dëshpëroheshin nëse Shqipëria do të shkonte në drejtim të gabuar, nëse për arsye të politikës dhe interesa të pushtetit, në Shqipëri do të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër gjithë këtij procesi, por ka të tjerë që do ta dëshironin këtë gjë.

Sokol Balla: Pse më duket sikur i referoheni Greqisë?

Edi Rama: Më lër ta mbaroj në parim. Një kryetar opozite mund të shkojë në një vend që të thotë më ndihmoni që të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dorën tuaj. Unë uroj që ky të mos jetë rasti. Siç partnerët tanë i kanë sytë tek zhvillimet dhe duan që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë angazhuar që të japin maksimumin për to, të tjerë janë angazhuar ose janë gati të angazhohen për të kundërtën. Kaq mund të them unë sot. Flas për qarqe të caktuara.

Sokol Balla: Ju vlerësuat katër ministrat në mënyrë maksimale, do të thotë kjo që mund të jenë sërish ministra në një mandat të dytë nëse fitoni zgjedhjet?

Edi Rama: Ne kemi bërë gjithçka kemi ditur dhe kemi parë të udhës se duhet të bëjmë. Sot kërkojmë një mandat të dytë dhe sot nuk jemi më në kushtet e 2013 për disa arsye sepse këta ministra sot suksesi i këtij mandati dhe këta ministra duhet t’u garantojnë njerëzve se kjo qeveri meriton një mandat tjetër për të vazhduar atë që ka nisur. Secili prej tyre pas zgjedhjeve do të kthehen me rezultatin e Partisë Socialiste dhe në bazë të këtyre rezultateve do të kenë vlerësimin.

Sokol Balla: Për dy javë mbushen katër vjet nga kontrata me LSI, nga 1 deri tek 10, si e vlerësoni a do të ripërtërihet kjo kontratë?

(Kryeministri ngre 10 gishtat)

Sokol Balla: Pra 10?

Edi Rama: Po.

/ Top Channel

Rreziku i konfliktit në Maqedoni

shkupTensionet me politikanët shqiptarë në Maqedoni mund të degjenerojnë në konflikt, paralajmeron “The Economist”. E përjavëshmja prestigjoze britanike analizon interesin e politikanëve perëndimore për Shkupin, deklaratat polemizuese ruse dhe afrimin e luftës së trumpetuar nga gazetat serbe.

Ngërçi nisi me grindjen për koalicion kur BDI-ja vendosi që të mos bashkëpunonte më tej me VMRO-DPMNE-në dhe u përshkallëzua nga refuzimi i Gjorgje Ivanovit për t’i dorëzuar mandatin LSDM-së me argumentin se kërkesat e shqiptarëve do të “shkatërrojnë” vendin.

Por, duke u thelluar më tej në situatën që ka bllokuar jetën politike të Maqedonisë, “The Economist” shkruan se kriza politike i ka rrënjët që në vitin 2015, kur LSDM-ja filloi të publikojë përgjimet e paligjshme që përfshinë Nikolla Gruevskin.

Për këtë arsye u krijua Prokuroria Speciale Publike dhe mbështetësit e VMRO-së kaluan në akuza ndaj George Soros për konspiracion ndaj Maqedonisë. Pretendimeve të ngjashme nuk i ka shpetuar as vetë Federica Mogherini. Sipas Radmila Sekerinska, zv.kryetare e social-demokratëve është vetë Gruevski ai që e nxiti krizën në momentin kur kuptoi se mund të humbiste pushtetin, e kjo do ta linte të ekspozuar ndaj hetimeve të Prokurorisë Speciale.

Ahmeti vazhdon “The Economist”, paralajmëron që mosmarrëveshjet të mos kthehen nga politike në përplasje të karakterit etnik dhe mohon çdo plan të Shqipërisë së Madhe.

Rusia, sipas saj, është ajo që po ndez gjakrat në Ballkan. Mënyra më e mirë për të dalë nga kjo gjendje, përfundon artikulli mbetet përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, e këtu i urojmë fat!

/ Top Channel