Ivanov refuzon t’i japë Zaevit mandatin, Parlamenti mund të mblidhet së shpejti

ZaevPresidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov të hënën ka theksuar se nuk do t`ia japë mandatin liderit të Social Demokratëve Zoran Zaevit pasi që siç theksohet në komunikatën drejtuar mediave nga kabineti i tij, akoma nuk janë shmangur pengesat për të ndarë mandatin.

Më 1 mars Ivanov në një paraqitje drejtuar opinionit tha se platforma e partive shqiptare sic u shpreh ai ‘platforma e Tiranës’ paraqet pengesë për mos ndarjen e mandatit ngase ajo siç tha rrënon karakterin unitar të Maqedonisë si shtet.

Qëndrimi i përsëritur i presidentit Ivanov vjen pas insistimit të Social Demokratëve që presidenti Ianov t’ia ndajë mandatin Zoran Zaevit ngase programi qeveritar i prezantuar të premten nga ai dëshmoi se në asnjë mënyrë nuk cenohet karakteri unitar i shtetit.

“Programi i Qeverisë së re reformuese e garanton unitaritetin e shtetit dhe siguron zhvillim dhe përparim të vendit, për këtë arsye Gjorge Ivanov është i detyruar ta respektojë Kushtetutën, t’ia japë mandatin kryetarit Zaev, i cili siguroi 67 nënshkrime për formim të Qeverisë dhe të mundësojë transfer të qetë të pushtetit”, theksohet në kumtesënpër media të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë.

Social Demokratët shprehen të bindur se presidenti Ivanov do të jetë i detyruar të ndajë mandatin brenda dhjetë ditëve pas mbledhjes së parlamentit dhe konstatimit të një shumice të re parlamentare pa precizuar se cilën ditë do të mund të mblidhej parlamenti me iniciativë të 20 deputetëve.

Burime për Radion Evropa e Lirë thonë se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë po zhvillon bisedime me partitë politike shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit të Maqedonisë dhe me gjasë parlamenti pritet të thirret të enjten e kësaj jave.

Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, për Radion Evropa e Lirë thotë se pret nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë të marrë guximin që me ndëshkimet e 20 deputetëve të thirret seanca parlamentare dhe të zgjidhet kryetari i ri parlamentit.

“Presim që LSDM e cila në rastin konkret ka numrin më të madh të deputetëve sesa ne. Tani presim që zoti Zaev të ndërmarrë hapa konkret drejt konstituimit të parlamentit. Në politikë kërkohet dhe guxim dhe ai duhet të tregohet i guximshëm në këtë moment nëse presidenti Ivanov nuk e ndan mandatin 20 deputetë mund të marrin iniciativë për mbledhjen e kuvendit ose ta detyrojnë drejtuesin e mbledhjes konstituive të thirrë mbledhje për përzgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit”.

“Si LR PDSH, qëndrojmë pas kësaj dhe gjatë bisedimeve kemi theksuar se një nga tri postet kyçe të shtetit, presideni, kryetari i parlamentit dhe Qeverisë, duhet t`ju takojë shqiptarëve”, thotë Arben Taravari sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokrate Shqiptare.

Ndërkohë nga Lëvizja Besa shprehen se janë në pritje të ndërmarrjes së iniciativës për mbledhjen e Parlamentit dhe zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.

“Do të presim të shohim nëse do të ketë ndonjë lëvizje konkrete për zhbllokimin e parlamentit dhe pas kësaj do të marrim qëndrim si parti”, thotë Orhan Murtezani zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Njohësit e çështjeve politike thonë se nuk duhet humbur kohë meqë në rrethana kur presidenti Ivanov refuzon të ndajë mandatin rruga e vetme për zhbllokimin e krizës politik mbetet mbledhja e parlamentit ku do të zgjidhej kryetari i ri duke reflektuar një shumicë të re parlamentare si rezultat i zgjedhjeve të 11 dhjetorit vitin e kaluar.

“Si e para duhet që në një afat sa më të shkurtër kohorë të zgjidhet kryetari I ri I parlamentit të Maqedonisë që të vetëdisohemi të gjithë ne për shumicën e re parlamentare e cila doli nga zgjedhjet e fundit parlamentare dhe menjëherë pas kësaj duhet të filojnë bisedat për qeverinë e re”, vlerëson Nikolla Dujovski analist politik, duke shtuar se “nuk duhet pasur frikë nga protestat kundër të drejtave të shqiptarëve, ngase në esencë këto protesta janë në funksion të mbrojtjes së pushtetarëve aktual që duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë”.

Konstituimi I parlamentit pritet të mbahet në një atmosferë të tensionuar, në njërën ana presidenti Ivanov refuzon të ndajë mandatin dhe anën tjetër lideri I VMRO DPMNE Nikolla Gruevski ish kryeministër, ka intensifikuar kërcënimet për destabilizimin e vendit, si shenjë revolte e popullatës pasi partia e tij nuk arriti të formojë qeverinë pavarësisht se ka siguruar dy ulëse më shumë në parlament kundrejt LSDM.

VMRO-DPMNE të hënën përmes një komunikate drejtuar mediave ka kërkuar që LSDM publikisht dhe qartë të heqë dorë nga platforma e Tiranës dhe elementet në të, të cilat, siç ceket në kumtesë, do ta ridefinojnë Republikën e Maqedonisë, e cila nga një shtet shumë etnik do ta shndërronin në shtet binacional.

Nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se revolta tek populli nga, siç thonë, politika e këtillë jo e sinqertë dhe retorika e Zaevit dhe LSDM-së, po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Ndërkohë në vazhdimësi, zyrtarët e lartë të BE­-së dhe SHBA-së u kanë bërë thirrje forcave relevante politike në vend dhe veçanërisht presidentit Ivanov që sa më shpejtë të ndaj mandatin për t’i hapur rrugë formimit të një qeverie e cila në agjendën e saj do të vendos si prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. (REL)

Rama emëron ministrat e rinj

ramaNë Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot emrat e katër anëtarëve të rinj të kabinetit të tij. Në postin më të rëndësishëm, atë të Ministrit të Brendshëm, ai ka propozuar deputetin socialist Fatmir Xhafaj. Opozita nga ana e saj ka deklaruar se lëvizjet në qeveri nuk ndikojnë në qëndrimin e saj dhe kërkesën për largimin e vetë kryeministrit. Kreu demokrat Lulzim Basha, i shoqëruar nga drejtuesë të tjerë të opozitës, pati sot një drekë më ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Emrat e rinj të kabinetit të tij, kryeministri Rama i njoftoi paradite në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë socialiste. Ministri i ardhshëm i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është një figurë e njohur socialiste, i cili ka qenë ministër edhe në qeveritë e mëparshme të së majtës. Që prej vitit 2013, ai ka drejtuar Komisionin parlamentar të Ligjeve, por angazhimi i tij kryesor ka qenë koordinimi dhe udhëheqja e të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.

Në kabinetin qeveritar zoti Rama ka përfshirë dhe dy gra. Ogerta Manastirliun, drejtoreshë aktuale e Qendrës universitare spitalore të Tiranës “Nënë Tereza” e cila do të pasojë Ilir Beqjan. Ndërsa deputetja socialiste Olta Xhaçka do të zëvendësojë zotin Blendi Klosi. Deputeti tjetër socialist, Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit parlamentar për Aktivitetet prodhuese, zëvendëson si ministër i Pushtetit Vendor, zotin Bledi Çuçi.

Kryeministri Edi Rama i shpjegoi dje lëvizjet e papritura në kabinetin e tij me nevojën për një angazhim më të madh në fushatën e ardhshme zgjedhore, duke hedhur poshtë zërat për ndikim të aleatit të tij kryesor Ilir Meta, apo se këto lëvizje ishin një formë konçensioni ndaj opozitës e cila prej më shumë se tre javësh po proteston përballë zyrës së tij, duke kërkuar një qeveri teknike.

Edhe sot sërish zoti Basha përsëriti se asgjë nuk e ndryshon: “Vendimin për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht, dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si kryeministër i qeverisë shqiptare”.

Më vonë zoti Basha dhe disa drejtuesë të opozitës, patën një drekë pune me disa nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian. “Ky ishte një takim, një drekë pune në kuadër e bëshkëbisedimit dhe bashlëpunimin e vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës me aelatët dhe partnerët tanë europian. Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugadaljent nga kriza ku e ka futur vendin, pamundësia për zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri e bërë njësh me krimin dhe drogën”, u shpreh zoti Basha në përfundim të takimit. (voa)

Vizita e Kancelares Merkel në Uashington

merkel trumpPresidenti amerikan Donald Trump ka në plan ta pyesë Kancelaren gjermane Angela Merkel rreth eksperiencës së saj me presidentin rus Vladimir Putin, ndësa udhëheqësja gjermane do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë këtë javë.

Takimi i parashikuar për të martën është shtyrë për të premten si rezultat i një stuhie dëbore që fillon sonte në mbrëmje në Uashington. Një zyrtar i lartë i administratës tha se presidenti amerikan “do të kishte shumë interes që të mësonte më shumë të dhëna nga Kancelarja gjermane Merkel” ndërsa ai përgatitet të angazhohet me udhëheqësin e Kremlinit.

Kritikët nga të dyja anët e Atlantikut kanë shprehur dyshimet rreth asaj që e shohin si naivitet nga ana e zotit Trump kur flitet për Putinin, kryesisht lidhur me përpjekjen e Kremlinit për të influencuar zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Por katët zyrtarë në një takim me gazetarët në prag të takimit të 17 marsit, argumentuan se presidenti kërkon të tejkalojë dallimet e tij të theksuara me udhëheqësen gjermane dhe të formojë një pozitë të përbashkët të fuqishme për çështjet që nga tregtia, lufta kibernetike e Kremlinit e deri tek pushtimi i disa rajoneve të Ukrainës nga Rusia.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump akuzoi zonjën Merkel se po “e shkatërronte Gjermaninë” me politikat e saj për mirëpritëse për një numër të madh refugjatësh.

Kancelarja, e cilai njihej për lidhjet e forta me ish-presidentin Barack Obama, ka kritikuar ndalimin e përkohëshem të udhëtimit nga presidenti aktual, duke thënë se “nuk ka justifik për vënien e njerëzve nga një origjinë e caktuar ose besimi fetar nën një dyshim të përgjithshëm.”

Stephen Szabo, drejtor ekzekutiv në “Akademinë Transatlantike” dhe studiues në “Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara”, thotë se Merkel po viziton Shtëpinë e Bardhë nën shqetësimet se zoti Trump “mund të tregohet shumë i butë me Rusinë dhe të minojë sanksionet ndaj Moskës që ajo vuri pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë”. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ai tha se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë solidaritetit perëndimor do të ishte për lojtarin kryesor në Perëndim, Shtetet e Bashkuara, që të lehtësojë sanksionet pa arritjen e përparimeve në Ukrainë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u përpoq të premten gjatë një konference shtypi që të zbuste këto shqetësime. (voa)

Fundi i një miqësie të mrekulleshme

flamuri amerikanTrumpi do të ngrejë jo vetëm mure të vërteta, edhe ekonomikisht ai do t’i mbyllë në vete SHBA. Merkeli do ta kundërshtojë këtë në vizitën e saj në Uashington. Po edhe të tjerë do të vuanin nën një Amerikë të izoluar.

Një luftë ndërkombëtare tregtare mund të shkaktojë Donald Trumpi me politikën e tij të tregtisë së jashtme, kjo është frika më e madhe që kanë shumë ekonomistë që kur ai ka ardhur në pushtet. Vërtet që deri tani nuk ka ndodhur gjë, por shumë deklarata të Presidentit të ri të SHBA shkojnë në një drejtim të qartë: izolimi nga ekonomia botërore. Trumpi dëshiron të importojë më pak mallra nga shtete të tjera dhe të forcojë në këtë mënyrë prodhimin vendas. “Ne duam të vendosim tatime për importet nga ato shtete, me të cilat kemi deficit në tregtinë e jashtme”, thotë Sean Spicer, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Një taksë e tillë, e cila në bazë të deklaratave të Trumpit do të jetë rreth 20 përqind, në fund të fundit do të bëjë efektin e doganës mbi mallrat e huaja.

A do të paguajë çmim Gjermania për qejfin e saj për të eksportuar?

Firmat gjermane shitën vitin e fundit në SHBA, në bazë të shifrave jopërfundimtare të Zyrës Federale të Statistikave, mallra në vlerë prej 107 miliardë dollarësh. Kjo shumë është dyfishi i asaj që u importua nga SHBA. Goditjet paralajmëruese proteksioniste nga Uashingtoni pra me siguri që i drejtohen edhe Gjermanisë.

Barrierat tregtare do ta preknin rëndë ekonominë gjermane. Nga njëra anë sepse ajo është veçanërisht e prekur nga eksportet – rreth 40 përqind ishte pjesa e eksporteve në rendimentin e përgjithshëm ekonomik të vendit vitin e kaluar. Dhe nga ana tjetër, sepse Shtetet e Bashkuara janë për sipërmarrjet gjermane tregu më i fuqishëm i eksportit – rreth dhjetë përqind e eksporteve gjermane shkojnë atje.

Në rrezik: vendet e punës në Gjermani dhe në SHBA

“Shpresa është që të kemi të bëjmë me manovra kërcënuese dhe me retorikë agresive – dhe që fjalët të mos pasohen nga vepra”, tha Jürgen Matthes nga Instituti i Këlnit i Ekonomisë Gjermane në bisedë me DW. Por pas të gjitha atyre që kanë ndodhur që prej ardhjes në pushtet të Trumpit, pasiguria është shtuar.

Në rastin më të keq në Gjermani do të ishin në rrezik deri 1,6 milionë vende pune, shkroi Clemes Fuest, President i Institutit Ekonomik ifo para pak kohësh në Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung. Kjo në një kohë kur Presidenti i SHBA nuk duhet të harrojë: 600.000 nga këto vende pune janë të sipërmarrjeve amerikane në Gjermani. Kështu që po të ndëshkonte Gjermaninë, ai do të ndëshkonte edhe ekonominë e vet.

Të gjitha kanë të bëjnë me njëra-tjetrën

Në përgjithësi, planet e Trumpit janë thikë me dy presa. Zinxhirët e prodhimit të shumë sipërmarrjeve nuk kalojnë më vetëm përmes një vendi. Ekonomia e SHBA është e varur nga produkte të shteteve të tjera. Po të tatohet importi i tyre, do të shtrenjtohej i gjithë prodhimi dhe në këtë mënyrë edhe produktet përfundimtare.

“Mund të ndodhë që me një politikë të tillë Trumpi të dëmtojë veten, sepse në këtë mënyrë rrezikohen vendet e punës në SHBA”, thotë Andre Wolf nga Instituti i Ekonomisë Botërore në Hamburg në bisedë me DW. “Konsumatorët dhe të gjitha sipërmarrjet e SHBA, të cilat janë të varura nga importet, me siguri që do të vuajnë nën shpenzimet më të mëdha”, i tha ai DW-së. “Një vend më tepër dëmton veten, kur aplikon barriera doganore të këtyre përmasave. Ky është mendimi i shumicës së ekonomistëve.” (dw)

Evropa, Turqia dhe fushata elektorale

Politikanët turq donin të bënin fushatë elektorale në BE. Por kërkesat nga Ankaraja u kundërshtuan shpesh për shkak të problemeve me sigurinë. Disa politikanë dëshirojnë që BE të veprojë në mënyrë të unifikuar.

turketPresidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan nuk vonoi ta japë gjykimin e tij: “Ata janë tepër të njëanshëm, tepër frikacakë”. Me këto fjalë e komentoi ai vendimin e Holandës për të mos lejuar hyrjen në Holandë të ministrit të Jashtëm turk. Konkluzioni i tij: “Ata janë pasardhës të nazistëve, janë fashistë”.

Që para kësaj deklarate të Erdoganit, Holanda e pati të vështirë që t’i vazhdonte bisedat me politikanët dhe diplomatët. Ministri i Jashtëm holandez raportoi në medie për rrjedhën e bisedimeve. Bisedat qenë në vazhdim e sipër, dhe pala holandeze po i afrohej një marrëveshjeje. Por pastaj partnerët turq në bisedime patën kërcënuar me sanksione politike dhe ekonomike. “Holanda nuk lejon t’i bëjnë presion”, tha Koenders. Përballë kësaj mënyre veprimi, qeveria holandeze pati vendosur që t’ia heqë lejen e uljes në Holandë avionit të ministrit të Jashtëm turk.

Refuzimi megjithatë nuk u argumentua politikisht, por duke iu referuar rezervave për shkak të gjendjes së sigurisë: një thirrje e Turqisë në Holandë për të marrë pjesë në mitingun e ministrit mund të rrezikonte rendin publik dhe sigurinë, u deklarua zyrtarisht.

Kërcënime dhe përpjekje për qetësim

Të dielën ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu tha se pret që Holanda t’i kërkojë falje. Dhe se vendi i tij do të vazhdojë marrjen e masave kundër Holandës, deri sa të ndodhë kjo. Më vonë në të njëjtën ditë nuk u lejua të marrë pjesë në një miting në Rotterdam ministrja turke e Familjes, e cila vinte nga Gjermania. Policia holandeze e deklaroi person të padëshiruar dhe e shoqëroi pas në kufirin me Gjermaninë.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi të dielën se ai nuk e kishte përjetuar kurrë më parë një situatë të tillë, “por ne duam të jemi pala më e matur”, tha Rutte. “Nëse ata e shkallëzojnë gjendjen, neve do ta na duhet të përgjigjemi, por ne do të bëjmë gjithçka që të jetë e mundur që ta qetësojmë gjendjen”, tha Rutte. Në mediet vendase ai e quajti “të çmendur” karakterizimin e holandezëve nga Erdogani si pasardhës të nazistëve. Dhe shtoi se Holanda është një komb krenar.

Përpjekjet e Holandës dhe të shteteve të tjera të BE për të mos përdorur një refuzim të qartë politik nxjerrin në pah sa të interesuara janë shtetet e BE që të kenë edhe më tej marrëdhënie të miira me Turqinë. Edhe në Austri autoritetet iu referuan në ndalimin që u bënë mitingjeve nevojës për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë. Para çdo aktiviteti verifikohet nëse ka rrezik të shpërthejnë “trazira që mund të prishin qetësinë”.

Një projektligj që është paraqitur parashikon që kur bëhet kërkes për miting në të ardhmen në Austri të deklarohet edhe nëse në të do të marrin pjesë politikanë të huaj. Në një rast të tillë duhet të informohet ministri i Brendshëm. Dhe në marrëveshje me kabinetin ai mund ta anulojë në rrethana të caktuara mitingun. Kjo mund të ndodhë për shembull kur mesazhet, që priten në miting “janë të papajtueshme me vlerat bazë demokratike ose detyrimet e të drejtave të njeriut të Republikës së Austrisë ose kur ato kanë ndikim negativ në bashkëjetesën paqësore të njerëzve në Republikën e Austrisë”.

Për hapa të përbashkët

Kancelari federal i Austrisë, Christian Kern kërkoi një “mënyre veprimi të përbashkët të BE”. Kjo do të ishte me vend “në mënyrë që vende të veçanta si Gjermania, ku ndalohen aktivitete të tilla, të mos bihen nën presionin e Turqisë”. Por ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz është skeptik për këtë mënyrë veprimi, për shkaqe pragmatike. “Po të shohim situatën, atëherë e dimë se të prekura janë tre, ndoshta katër shtete evropiane”.

Në fakt diskutimi vlen për ato shtete të BE, ku numri i turqve me të drejtë vote është veçanërisht i madh. Në Gjermani këta persona janë 1,4 milionë vetë, në Austri 280.000 vetë dhe në Holandë 260.000 vetë. Ende këto shtete i përgjigjen në mënyrë të veçuar Turqisë – aleancat e mëvonshme megjithatë nuk përjashtohen. (dw)

Zyrtarët europianë paralajmërojnë Turqinë kundër retorikës nxitëse

BEZyrtarë europianë e paralajmëruan të hënën Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan të mos përdorë retorikë nxitëse, pasi ai e akuzoi Holandën, një vend anëtar i NATO-s, se kishte mbajtur një qëndrim prej nazisti, duke mos i lejuar zyrtarë të lartë nga Ankaraja të shkonin në mitingje të imigrantëve turq që jetojnë në Holandë.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, i bënë thirrje Turqisë “të përmbahet nga deklaratat dhe veprimet e tepruara që rrezikojnë ta acarojnë më tej situatën.”

Të dy zyrtarët thanë se “Është e nevojshme të shmangen shkallëzime të mëtejshme dhe të gjenden mënyra për ta qetësuar situatën.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Turqisë dhe aleatëve të NATO-s, “të tregojnë respekt reciprok, të jenë të përmbajtur dhe të mbajnë qëndrime të matura për të ndihmuar në qetësimin e situatës.”

Zoti Erdogan paralajmëroi të dielën Holandën se “do të paguajë çmim” pasi refuzoi të lejonte ministrin e jashtëm të Ankarasë të futej në vend dhe dëboi një ministre tjetër në mënyrë që të mos organizoheshin tubimet me imigrantët turq.

Presdidenti Erdogan e krahasoi Holandën me Gjermaninë naziste për ndalimin e dy ministrave turq.

“Nazizëm dhe fashizëm do të thotë: ajo që bëj unë është e drejtë dhe vetëm unë lejoj atë që unë dua, kur të dua “. Këta njerëz shkuan shumë larg duke mbyllur dyert e konsullatës sonë”.

Ankaraja do të mobilizojë mbështetje mes miliona turqve që jetojnë e punojnë në Evropë, në mënyrë që të marrë votën e tyre për të zgjeruar autoritetin e presidentit. Ai ka ambicje për të mbajtur pushtetin deri në 2029.

Kryeministri holandez Mark Rutte i quajti “nxitëse” komentet e Presidentit Erdogan.

“Ky vend, siç e ka theksuar dje kryebashkiaku i Roterdamit, u bombardua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët. Është krejtësisht e papranueshme të flasësh në këtë mënyrë për ne”.

“Turqia është një vend krenar; Holanda është një vend krenar,” tha zoti Rutte. “Ne nuk mund të bashkëpunojmë kurrë kur ka shantazhe dhe kërcënime të tilla”.

Mbështetës të qeverisë turke u mblodhën jashtë konsullatës holandeze në Stamboll të dielën, duke shprehur zemërim ndaj vendimit të qeverisë holandeze. Holanda po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të 15 marsit, dhe zyrtarët kanë frikë se tubimet turke do të forconin nacionalistët holandezë.

Ministrat gjermanë i kanë ashpërsuar komentet kundër Turqisë. Megjithë deklaratën e Kancelares Angela Merkel se qeveria e saj nuk ishte kundër pjesëmarrjes së ministrave turq në tubime me imigrantët, për sa kohë që një pjesëmarrje e tillë bëhej e ditur në rrugë zyrtare, Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere tha se ishte kundër tubimeve politike turke në Gjermani. “Fushata turke nuk ka punë të zhvillohet këtu në Gjermani,” tha ai për mendian lokale.

Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel tha se shpresohnte që Turqia do të sillej me logjikë. Ministri i Financave Wolfgang Schaeuble tha se Turqia “kishte shkatërruar bazat e nevojshme për të vazhduar përpara bashkëpunimin”.

Ministri i Jashtëm austriak tha se Erdogani nuk do të lejohej të zhvillonte tubime në atë vend pasi këto organizime mund të shkaktonin fërkime më të mëdha dhe të pengonin integrimin.

Kryeministri i Danimarkës Lars Lokke Rasmussen, tha se ishte i shqetësuar se “parimet demokratike janë nën presion” në Turqi.

Por në Francë, një tubim u zhvillua sipas planit dhe zyrtarët lokalë thanë se nuk kishte paraqitur kërcënim.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dhe Ministrja turke për Familjen Fatma Betul Sayan Kaya po përpiqeshin të organizonin imigrantët turq në Holandë për të mbështetur përpjekjet e Erdoganit për një referendum që i jep atij autoritet shumë më të gjerë.

Qeveria holandeze përballet me zgjedhje të vështira të mërkurën, përballë forcës së ekstremit të djathtë të Geert Wilders, një parti anti-islamiste. Autoritetet në Holandë nuk lejuan ardhjen e ministrave Cavusoglu dhe Kaya në Holandë.

Wilders bëri komente lidhur me planet turke për tubime politike: “Këtu jemi në Holandë, jo në Turqi. Një ministër turk nuk ka vend të bëjë lobizëm për dikë si Erdogani që s’është tjetër veçse diktator”.

Dje kryeministri i Turqisë Binali Yildirim tha përmes një deklarate se Turqia do të hakmerrej ndaj Holandës në “mënyrën më të ashpër” dhe me të njëjtën monedhë.

Ankaraja nuk lejoi ambasadorin holandez të kthehej në Turqi dhe kërcënoi se do të marrë edhe masa të tjera. Zyrtarët turq kanë bllokuar hyrjen në ambasadën holandeze në Ankara.

Turqia është anëtare e NATO-s, por përpjekjet e saj të gjata për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë vuajtuar nga pengesa të shumta. Marrëdhëniet e saj me bllokun pësuan rënie pas veprimeve hakmarrëse të Presidentit Erdogan ndaj personave të dyshuar për lidhje me grushtin e dështuar të shtetit. Grindja aktuale me Holandën nuk i çon përpara shanset për anëtarësimin e Turqisë në BE.

“Vendi i cili përfiton nga kjo grindje është Rusia,” argumenton Peter Eltsov, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili tha shërbimit rus të Zërit të Amerikës se Rusia po punon për të minuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n, dhe për të rritur ndikimin e vet në botë.

Moska dhe Ankaraja u përplasën pasi Turqia rrëzoi një avion ushtarark rus në Siri në vitin 2015 dhe një shtetas turk vrau ambasadorin rus në Ankara në dhjetor. Por që nga grushti i dështuar i shtetit vitin e kaluar në Turqi, Putin dhe Erdogan janë takuar tre herë për të përmirësuar marrëdhëniet.

“Ne duam të thellojmë marrëdhëniet historike dhe të veçanta mes Turqisë dhe Rusisë,” thotë Putin.

Analistët thonë se tërheqja e një vendi anëtar të NATO-s nga aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian do të ishte një arritje e madhe në përpjekjen e Putinit për të rritur fuqinë e Rusisë. (voa)

Der Standard: Zaev vendos ultimatum me prezantim ekstra patriotik, ja pse shqiptarët u takuan në Tiranë

zaev der StandardShefi i Lidhjes social demokrate publikoi programin e ri qeverisës, shkruan Der Standard.

Ai prezantoi në mënyrë ekstra patriotike. Pas tij valëviteshin shumë flamuj maqedonas – por gjithashtu mes tyre ishte edhe flamuri i BE. Lideri opozitar maqedonas paraqiti programin e tij qeverisës të premten dhe në të njëjtën kohë i dha dhjetë ditë kohë presidentit Gjorgje Ivanov, për ta mandatuar për të krijuar qeverinë re. Presidenti deri tani e ka përdorur argumentin, që një koalicion i tillë me partitë shqiptare rrezikon shtetësinë e Maqedonisë. Hezitimi i Ivanovit ka sjellë një krizë të thellë kushtetuese. Së fundi në Shkup kanë kërkuar nga presidenti për të tërhequr vendimin edhe OSCE dhe e dërguara gjermane Christian Hellbach. Prapaskena: Partia që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e dhjetorit OBRM-PDUKM nuk mund të krijojë shumicën parlamentare. LSDM dhe partitë shqiptare dëshirojnë vetëm – edhe nëse Ivanov nuk jep mandatin – të bëjnë thirrjen e parlamentit dhe të zgjedhin kryeparlamentarin, të informojnë Ivanovin për krijimin e shumicës dhe kabinetin e ti qeveritar. Zaevi kërkon të bëhet kryeministër.

Zgjerimi i ligjit të gjuhës

Ai tha të premten se qëllimi është sjellja e demokracisë dhe shtetit ligjor  so dhe integrimi i vendit në BE dhe NATO. Në programin e tij parashikohen edhe reforma ekonomike dhe një reformë mbi televizionin shtetëror. Në vijim duhet të zgjerohet ligji i tanishëm i përdorimit të gjuhës, ashtu që të gjithë qytetarët – tha Zaev – në gjuhën e tyre të mund të komunikojnë me institucionet shtetërore. Partitë shqiptare kërkuan që gjuha shqipe të jetë zyrtare. Kjo kërkesë ka sjellë protesta masive në gjithë territorin. Protestuesit frikësohen, që Maqedonia do jetë që shtet “bilingual” ose “binacional”. Rreth 65 përqind të banorëve paraqiten si maqedonas dhe rreth 25 përqind janë shqiptarë, ndërsa ka edhe turq, romë, serbë, boshnjakë dhe vllahë. Shumë protestues kanë deklaruar se me ligjin e ri të gjuhës detyrohen të mësojnë gjuhën shqipe. Andaj kanë frikë nga cënimi i identitetit kombëtar, federalizimit të vendit, një ndryshim të flamurit ose himnit. Bile pretendojnë se partitë shqiptare me ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë dëshirojnë krijimin e Shqipërisë së madhe, edhe pse kjo ska asnjë argument.

Propagandë dhe tensione

Tensionet inter-etnike janë shtuar nga kjo propagandë. Zaev kërkonte të premten të qetësojë gjendjen dhe mendonte, që është gënjeshtërt, që të gjithë duhet të mësojnë një gjuhë tjetër. Ai u bëri thirrje protestuesve, që përsëri të kthehen në shtëpi dhe tha, që i gjithë programi është konform Kushtetutës. Unitarizmi dhe sovraniteti nuk vendosen në pikëpyetje. Presidenti Ivanov që vlen si ndihmës i partisë së Nikola Gruevskit dhe punon sipas uratës së qeverisë në Moskë, pasi qeveria e re përmban Platformën shqiptare të nënshkruar në Tiranë nga kryeministri Edi Rama – pra jashtë shtetit – nuk e lejon krijimin e qeverisë së re.

Në fakt shefat e partive shqiptare u takuan në Tiranë, për të finalizuar përmbajtjen – por ajo është përpiluar në Shkup. Edi Rama, sipas të dhënave të partive shqiptare në Maqedoni, është involvuar në kauzë për shkak të dallimeve të thella të tyre dhe nuk pranonin të takoheshin në Shkup. Rritja e tensioneve pas zgjedhjes së presidentit Donald Trump dhe shtimit të ndikimit rus ishin gjithashtu tema në takimin e BE. /Bota sot/

Përçarja e Maqedonisë tërheq vëmendjen e Evropës

harta shqipetaretThe Economist/

Në kohëra normale, bota tenton ta injorojë Maqedoninë dhe popullin e saj prej 2 milion banorësh, një e katërta prej të cilëve janë shqiptarë etnikë. Por momentalisht, bota nuk është duke e injoruar Maqedoninë, përkundrazi. Politikanët perëndimorë janë duke nxituar për në Shkup, Rusia është duke lëshuar paralajmërime dhe gazetat serbe deklarojnë vazhdimisht se “lufta po vjen”. “Rëndësia gjeopolitike është kthyer sërish në Ballkan,” thotë analisti Veton Latifi.

Kriza e Maqedonisë filloi me një mosmarrëveshje mes koalicionit. Për ruajtjen e paqes etnike, qeveritë përbëhen nga fituesi i partisë maqedonase dhe një parti shqiptare. Zgjedhjet e dhjetorit të kaluar i dhanë partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-së, një avantazh të lehtë. Por pas dështimit të bisedimeve me VMRO-në, partia kryesore shqiptare, e kryesuar nga Ali Ahmeti, iu drejtua socialdemokratëve.

Më 1 mars, presidenti i Maqedonisë refuzoi t’i kërkojë Social Demokratëve të formonin qeverinë, duke thënë se kërkesat e shqiptarëve do të “shkatërronin” vendin. Social Demokratët, nga ana tjetër, e quajtën këtë vendim  “grusht shteti”.

Çdo ditë të javës , mijëra maqedonas kanë demonstruar në mbështetje të presidentit. Shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, së bashku me shefin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atë të NATO-s, i kanë kërkuar vazhdimisht presidentit të rishikojë vendimin e tij.

Në nivel më të thellë, konflikti fillon që në vitin 2015, kur Social Demokratët filluan publikimin e audio-regjistrimeve të bisedave (të përgjuara nga shërbimet e inteligjencës), të cilat implikonin Nikola Gruevskin, në atë kohë  kryeministër, në një skandal korrupsioni. Nën patronazhin e BE-së, u ngrit  një zyrë e veçantë prokurorie por VMRO-ja tani pretendon se ajo drejtohet nga Social Demokratët.

Kohët e fundit përkrahësit e VMRO-së kanë akuzuar George Soros, një filantrop amerikan, i përfshirë në shumë teori konspirative,  për komplot kundër tyre. Mogherini është sulmuar nga shtypi si “lodër në duart e Sorosit”, ndërkohë që kongresistët amerikanë kanë sulmuar Ambasadorin Amerikan në Republikën e Maqedonisë, gjithashtu si “lodër” e zotit Soros.

Por qendra e vërtetë e  krizës është zoti Ahmeti, një ish-lider gueril. Ndarja e pushtetit me Gruevskin në vitin 2008,  i kushtoi atij një pjesë të madhe të mbështetjes popullore. Ai thotë se zoti Gruevski nuk është dakord për zgjatjen e mandatit të prokurorit të posaçëm që është duke hetuar ndaj tij. Ndërkohë, partitë shqiptare i kërkojnë qeverisë të zbatojë marrëveshjen për  zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Sipas Radmilla Shekerinska, nënkryetarja e Social Demokratëve, zoti Gruevski  nxiti qëllimsht krizën, kur e kuptoi se mund të humbiste pushtetin, gjë do ta ekspozonte ndaj prokurorit special që po e heton hap pas hapi.

Nuk është e vërtet – thotë Nikola Poposki, ministri  i Jashtëm i Maqedonisë, gjithashtu  zyrtar i VMRO-së – Kërkesa e gjuhës shqipe, e pranuar nga Social Demokratët rrezikon unitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë.”

Ahmeti paralajmëron për kthimin, nga një krizë politike në një krizë etnike, duke thënë se edhe ai e ka të vështirë të mbaj nën kontroll radikalët nacionalistë të “skuadrës” së tij.

Ai hedh poshtë çdo plan për një Shqipëri Etnike dhe ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se është duke nxitur hap pas hapi, tensionet në Ballkan.

Mënyra më e mirë për të dalë nga kjo krizë është përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Paçi fat për këtë.  /syri.net/

Çadra e vettingut, PS e firmosi. LSI: Vettingu, jo çështje peticionesh

vetingu ramaNë çadrat pro peticionit të shoqërisë civile kanë firmosur deri tani ministrat socialistë dhe Kryeministri Rama. Kryebashkiaku Veliaj foli për objektivin e 1 milion firmave të qytetarëve, ndërsa ish-Kryeministri Majko i cilësoi ato si çadra të drejtësisë.

“Ata kërkojnë sipas tyre çadrën e lirisë, ne kemi çadrën e drejtësisë”, tha Majko.

“Peticionin e kemi firmosur dhe vulosur me votë në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk besoj se ne kemi nevojë të firmosim rrugëve nëpër çadra”, shprehet Gjovalin Kadeli.

Bashkëkryetari  i koalicionit qeverisës Meta dhe ministrat e partisë së tij Gjosha, Dervishi, Panariti, Koka madje edhe deputetët e LSI-së u kanë qëndruar larg çadrave ku çdo ditë firmoset pro vettingut , pro reformës në drejtësi.

“Çështja e vettingut nuk është çështje peticionesh është çështje institucionesh dhe e zbatimit me korrektese dhe implementimit me shumë seriozitet”, thotë Luan Rama.

Madje në peticionin pro reformës nuk ka firmosur as Petrit Vasili, ministri i ri Drejtësisë i kabinetit Rama.

TCH: A keni firmosur për peticionin pro vettingut?

Petrit Vasili: Jo nuk kam firmosur.

TCH: Pse nuk keni firmosur?

Petrit Vasili: Nuk kam firmosur.

TCH: Partia LSI është pro vettingut?

Petrit Vasili: LSI është pro vettingut e ka firmosur vettingun. Në sajë të votave të LSI-së vettingu është sot një ligj që po zbatohet.

TCH: A mund të ngrihen komisionet e vettingut pa praninë e PD-së, e cila e ka bojkotuar Parlamentin?

Petrit Vasili: Duhet të konsultoni ligjin se çfarë thotë.

TCH: Ju i keni bërë ftesë që të rikthehen në Parlament?

Petrit Vasili: Patjetër që po.

/ Top Channel

36-vjeçar nga Kosova me sëmundje psiqike

policiaPas sulmit në stacionin e trenit në Dyseldorf të enjten (09.03), policia bën të ditur identitetin e autorit. Ai është një 36 vjeçar nga Kosova, i cili vuan nga skizofrenia. Vëllai e kishte njoftuar autorin të humbur.

Policia e Dyseldorfit po kalon ditë të vështira. Fillimisht kapja e një krimineli 19 vjeçar, i cili vrau me thika një 9 vjeçar para disa ditësh, pastaj alarmi në orët e mbrëmjes, ditën e enjte në stacionin e trenit në Dyseldorf, i dyti për nga madhësia në Gjermani. Një burrë sulmon me sëpatë pasagjerët. Nëntë vetë plagosen, katër rëndë, por për fat asnjë në rrezik jete. Viktimat janë nga mosha 13 deri në 50 vjeç, dy nga Italia, të tjerët nga Gjermania.

Fillimisht u mendua për një sulm terrorist. Ende në Gjermani nuk është harruar sulmi në një tren rajonal në Vyrcburg vitin e kaluar, ku një azilant 17 vjeçar, që e quante veten luftëtar të „Shtetit Islamik”, sulmoi pasagjerët.

Kosovari me „skizofreni paranoide”

Zyra Kriminalstike e Landit Renani-Veriore Vestfali pohon se autori është një 36 vjeçar nga Kosova. Ai i goditi pas shpine pasagjerët, pastaj shoferi i trenit reagoi shpejt duke bllokuar dyert. Kosovari, i cili banon në Vupertal kërkoi të hynte në tren, por nuk mundi dhe u kap nga policia. Ai ka vetëm një leje qëndrimi për arsye humanitare. Motivi është ende e paqartë, autori ndodhet në një klinikë gjermane. Hetuesit thonë se personi vuan nga sëmundje psikike, në banesën e tij ata kanë gjetur një raport mjekësor ku thuhet se ai vuan nga „skizofrenia paranoide”. Në vitin 2015 ai është paraqitur një herë në polici, sepse ndjehej i përndjekur. Por ai nuk ka kryer më parë vepra penale. Vëllai i kosovarit lajmëroi menjëherë të enjten në mbrëmje policinë duke e shpallur të humbur. Ai ishte në dijeni për blerjen e sëpatës. (dw)