Replika të forta mes Macron dhe Le Pen

Macron Le PenTë dy kandidatët për president në Francë, Emmanuel Macron e Marine Le Pen zhvilluan një duel të ashpër televiziv të mërkurën. Macron akuzoi rivalen për përçarje të shoqërisë, ndërsa Le Pen, Macron për brutalitet social.

Që në fillim të duelit (04.05.) e sulmoi kandidatja e Front National, ish-ministrin e Ekonomisë dhe socialliberalin, Emmanuel Macron. Ai qëndron për “brutalitetin social” dhe “për luftën e të gjithëve kundër të gjithëve”, tha Le Pen. Veten ajo e stilizoi si “kandidate e popullit”.

Macron: Le Pen fyen njerëzit për shkak të prejardhjes

Ndër sa Macron akuzoi rivalen e tij, se nuk bën propozime konkrete për të luftuar papunësinë. Sipas tij, ajo nuk mban vetëm emrin e të atit, por ndjek edhe trashëgiminë e tij. Le Pen përhap “gënjeshtra” dhe “budallallëqe”, sulmoi Macron. Sipas tij ajo simbolizon “shpirtin e dështimit” dhe jep një imazh negativ të Francës. Macron e kundërshtoi këtë strategji, duke thënë se ai dëshiron të bazohet në sukseset dhe fuqinë e Francës.

Politikani pa parti, Macron i tha Le Pen se nuk bën propozime konkrete për problemet ekonomike të Francës, por vetëm e përçan shoqërinë dhe fyen njerëzit për shkak të origjinës. Ndërsa Le Pen i hodhi poshtë këto duke theksuar se “kjo është kënga e vjetër”. Ajo theksoi planin e saj për t’u kthyer tek valuta e vjetër franceze. Euro është “valuta e bankave dhe jo e popullit”, tha ajo.

Le Pen: Franca qeveriset ose nga unë ose zonja Merkel

Me sa duket Le Pen shikon konkurrencë jo vetëm tek Macron, por edhe Angela Merkel. Nga e diela Franca do të qeveriset patjetër nga një grua, tha ajo, por nëse nga unë, apo nga Angela Merkel, kjo mbetet të shihet. Macron, nuk do të bëjë asgjë, pa miratimin e Merkelit, deklaroi Le Pen. “Ka disbalanca mes Francës dhe Gjermanisë, që në të vërtetë janë embrionet e një lufte”, tha ajo. Në debatin e mëparshëm, Le Pen kishte thënë nuk dua të jem zëvendëskancelarja e Merkelit.

Pas duelit, spektatorët vlerësuan më mirë deklaratat e Macron. 63% vlerësuan Macron, dhe vetëm 34% Le Pen, raportoi televizioni BFMTV. Instituti Elabe kishte pyetur shikuesit në debatin që zgjati dy orë e gjysmë. (dw)

Facebook punëson 3 mijë vetë për të bllokuar videot e dhunshme

fbPas publikimit të disa videove në Facebook me vrasje, vetëvrasje, përdhunime dhe veprime të tjera të dhunshme, gjigandi i medias sociale thotë se po punëson 3,000 persona të tjerë për të kontrolluar videot dhe për të hequr nga faqja ato që shkelin rregullat.

Kompania është duke u ndeshur me presion në rritje për të ndalur postimet dhe shkëmbimet e videove të dhunshme.

Sipas kushteve të shërbimit të faqes Facebook, videot e dhunshme nuk janë të lejuara, por siç kanë treguar ngjarjet e fundit, kontrollimi dhe heqja e këtyre videove mund t’i marrë kohë kompanisë.

Njoftimi për të zgjeruar personelin tashmë 4,500 anëtarësh që kontrollojnë videot u bë të mërkurën në faqen e Facebookut të Mark Zuckerbergut.

Themeluesi dhe Presidenti i Facebook-ut shkroi: “Gjatë javëve të fundit, kemi parë njerëz që lëndojnë veten dhe të tjerët në Facebook, përmes transmetimeve të drejtpërdrejta, ose videove të postuara më vonë. Kjo është shumë e rëndë, dhe unë kam reflektuar se si mund të punojmë më mirë për komunitetin tonë”.

“Personat që kontrollojnë videot do të na ndihmojnë gjithashtu të bëjmë punë më të mirë për heqjen e publikimeve me përmbajtje që ne nuk i lejojmë në Facebook, si gjuhën urrejtjes dhe shfrytëzimin e fëmijëve”, shkroi Zuckerberg.“Ne do të vazhdojmë të punojmë me grupet e komuniteteve lokale dhe me forcat e zbatimit të ligjit, që mund të ndihmojnë personat që përpiqen të dëmtojnë veten ose ata që rrezikohen nga njerëz të tjerë”.

Përveç shtimit të presonelit, Zuckerberg tha se kompania do të zgjerojë edhe programet për shmangien e postimit të videove të dhunshme në Facebook.

“Kjo do ta bëjë më të lehtë raportimin e problemeve tek ne, që më pas kontrolluesit të kontaktojnë forcat e zbatimit të ligjit, nëse dikush ka nevojë për ndihmë”, – tha zoti Zuckerberg, duke shtuar se kompania e tij kohët e fundit kishte vepruar pas një raportimi mbi një person që po mendonte për vetëvrasje në Facebook, duke e parandaluar atë të realizojë synimin e tij. (voa)

Një studim i ri për shtimin në peshë

on Thursday, July 7, 2011 in Montpelier, Vt. (AP Photo/Toby Talbot)Me kalimin e moshës njerëzit shtojnë në peshë por, sipas shkencëtarëve, s’është faji i tyre. Ata kanë zbuluar mekanizmin biologjik, i cili bën që beli të zgjerohet gjatë moshës mesatare.

Endokrinologu Jay Chung thotë se mes moshës 20 dhe 50 vjeçare, njerëzit shtojnë mesatarisht 13 kilogramë, në mos më tepër.

Chung nga laboratori i kërkimeve mbi obezitetin dhe moshën në Institutin e Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut në Washington, DC, ishte në krye të një grupi shkencëtarësh që zbuluan rolin që luan në shtimin në peshë enzima e quajtur DNA-PK, e cila është shumë e përhapur në moshën mesatare. Chung tha se kjo enzimë bëhet më aktive me kalimin e moshës.

“Është si të duash të shtosh shpejtësinë me këmbën te frenat”, – thotë Chung.“Enzima nuk lejon që dhjami në pjesën e belit të digjet nga indet që kërkojnë më shumë energji, siç janë ato të muskujve skeletorë”.

Studjuesi Chung shpjegon se kur është hiperaktive, enzima DNA-PK bën që njeriu të humbasë dalëngadalë një element të rëndësishëm brenda qelizave, mitokondrinën, e cila vepron si një serrë që furnizon trupin me energji, duke djegur në të njëjtën kohë dhjamin.

Në një artikull të publikuar në gazetën Metabolizmi i Qelizave, Chung dhe kolegët e tij përshkruajnë rolin që luan enzima DNA-PK tek shtimi në peshë për personat e moshës mbi mesatare. Shkencëtarët thanë se po kërkojnë për një element që ka aftësinë ta bllokojë këtë enzimë te minjtë.

Pasi zbuluan mekanizmin biologjik te majmunët në moshë mesatare, studjuesit u dhanë minjve të rritur ushqime të pasura me yndyrna. Pastaj, gjysmës së tyre u injektuan substancën që bllokon enzimën DNA-PK.

Chung vuri re se kafshët që morën trajtim nuk shtuan në peshë aq shumë sa brejtësit që nuk morën, pra, “të parët shtuan rreth 40 përqind më pak peshë e përveç kësaj, ishin të mbrojtur nga diabeti i tipit 2. Minjtë e kuruar kishin gjithashtu rezistencë fizike për një kohë më të gjatë se ata që nuk morën bllokuesin e enzimës DNA-PK.”

Në lidhje me pakësimin e rrezikut për t’u prekur nga diabeti i tipit 2, studjuesi Chung thotë se bllokuesi i enzimës DNA-PK ul ndjeshëm rastet e sëmundjeve të zemrës dhe problemeve të tjera tipike për të rriturit.

Zbulimi mund t’i japë zgjidhje atij që Chung e quan paradoksi i moshës së mesme. Me kalimin e kohës, njerëzit shtojnë shumë në peshë, ndonëse hanë më pak, duke u fajësuar pa të drejtë.

“Shoqëria ia hedh fajin për shtimin në peshë në moshën mesatare mungesës së ushtrimeve, mënyrës së të ushqyerit dhe mungesës së forcës së vullnetit apo disiplinës. Por studimi tregon se përgjegjës për shtimin në peshë gjatë moshës mesatare është një program gjenetik ,” – thotë Chung.

Ai shtoi se bllokuesi i enzimës DNA-PK nuk jep efekt te të rinjtë obezë, sepse këta të fundit kanë një dietë të varfër ushqimore dhe nuk vuajnë nga dëmtimi i mitokondrinës.

Sipas zotit Chung, përpara se bllokuesi i enzimës DNA-PK të provohet te njerëzit, ai duhet provuar tek një numër më i madh kafshësh dhe më pas do të duhen edhe shumë vite të tjera, para se ilaçi të miratohet. (voa)

Tanja Fajon – Ka ende hapësira që opozita në Shqipëri të marrë pjesë në zgjedhje

TanjaBE-ja do të ndërmarrë veprime të forta për të siguruar që në Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë incidente të dhunshme si në Maqedoni.

DW: A ka gjasa që kriza që po shfaq demokracia në Shqipëri por edhe në Maqedoni dhe Kosovë, të nxisë veprime të forta nga ana e  BE-së dhe Parlamentit Europian, pra veprime që i shërbejnë perspektivës europiane, motorit të reformave demokratike, forcimit të shtetit ligjor në rajon? Në Shqipëri p.sh. reforma në drejtësi mbetet e bllokuar….

Tanja Fajon: Situata në Shqipëri me bojkotin e parlamentit nga opozita është shumë shqetësuese. Por ka një gatishmëri të madhe për të ҫuar përpara reformën në drejtësi. Kjo është shumë e rëndësishme dhe rruga e duhur që Shqipëria të ketë progres në procesin e anëtarësimit në BE. Shpresoj që vetting-u si pjesë e reformës në drejtësi do të sjellë rekomandime positive nga Brukseli, nga Komisioni Europian  që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. Shpresoj sa më parë pa dashur të paragjykoj zhvillimet. Lidhur me bojkotin e parlamentit, propozimi është ende në tavolinë për një marrveshje mes qeverisë dhe opozitës, që u ofrua nga kolegët e mi euro-parlamentarët McAllister dhe Fleckenstein. Mbetet një ofertë e mirëekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse. Për marrëveshje mes palëve po vazhdohet të punohet. Përherë është në dorë të politikanëve të përgjegjshëm të gjejnë mënyra për të zgjidhur krizën, të vënë interesat e qytetarëve  mbi interesat personale  dhe të punojnë për të mirën e vendit. Në këtë këndvështrim është një zhvillim pozitiv që Parlamenti zgjodhi Presidentin e ri të Shqipërisë. Por si një vëzhguese e jashtme e zhvillimeve politike në Shqipëri inkurajoj  fuqimisht  që çdo zgjidhje të ketë një shumicë sa më të gjerë. Shpresoj të shoh që në Shqipëri zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të jenë të lira dhe të ndershme, që në to të marrin pjesë sa më shumë parti politike. Shpresoj edhe opozita. Kjo do të sigurojë stabilitet politik afatgjatë. Të gjitha opsionet janë  të hapura si për individë ashtu edhe për forca politike që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Ka ende mënyra që opozita të jetë pjesë e procesit zgjedhor, opsionet duhen eksploruar.

DW: Znj. Fajon, ju flisni për mënyra, hapësira kur tri ditë më parë, më 29 prill, skadoi afat ligjor për regjistrimin e opozitës në Komisionin Qendror të zgjedhjeve?

Tanja Fajon: Për këtë duhet të ndryshohet Kodi Elektoral i Shqipërisë por për këtë duhet që politikanët të bien dakort me një marrveshje. Përpjekjet që opozita të marrë pjesë në zgjedhje nuk kanë ndaluar. Për sa kohë ka vullnet politik mund të ketë zgjidhje të krizës.

DW: A do t’i konsiderojë BE-ja, Parlamenti Evropian legjitime zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri, nëse ashtu si deri tani, PD-ja, më e madhja në opozitë, nuk merr pjesë?

Tanja Fajon: Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit pa PD-në dhe parti të tjera opozitare është legjitim, po kështu do të jenë legjitime edhe rezultatet e tyre. Por këmbëngul që nuk është mirë për stabilitetin e qëndrueshëm politik të Shqipërisë që ato të zhvillohen pa PD-në, pa opozitën.

DW:  Në Ballkanin Perëndimor BE-ja i ka kushtuar rëndësi stabilitetit politik në kurriz të demokracisë. A ka mësime për të nxënë nga pasojat e dukshme të haraçit që demokracia, shteti ligjor i ka paguar stabilitetit?

Tanja Fajon:  Kur flasim për Ballkanin Perëndimor të gjithë kanë mësime për të nxënë. Por BE-ja ka shpenzuar shumë para  për demokracinë dhe zbatimin e ligjit  në rajon. Vetëm në Shqipëri, vitin e kaluar 2016, ka shpenzuar  82 milionë euro. Dhe pjesa më e madhe e kësaj shume është përdorur për demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Është mirë të kihet parasysh kontributi finanaciar i BE-së për rajonin. Shpesh kur flitet për anën teknike të procesit të integrimit dhe kushtëzimet, situata duket  e errët. Por ndërkohë reforma në drejtësi, liria e medias, zbatimi i ligjit, funksionimi i institucioneve krijojnë mjedisin  e sigurtë  për investime të huaja, mundësi më të mira për punësim, sidomos për rininë. BE-ja po përpiqet me të gjitha mënyrat për demokracinë në rajon që nga programet e ndryshme si ERASMUS deri tek trainimi i zyrtarëve të qeverisë në Bruksel. Ka shumë nisma. Shpresoj që në Shqipëri demokracia do të ecë përpara në mënyrë paqësore dhe pa incidente .

DW: Znj. Fajon, po kaloj nga Shqipëria në Kosovë, ku ju jeni angazhuar me procesin e liberalizimit të vizave. A do të kenë së shpejti mundësi që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës?

Tanja Fajon: Situata në Kosovë është komplekse. Kuptoj ndjeshmërinë e politikanëve të përgjegjshëm të Kosovës, të qeverisë, të parlamentit ndaj kriterit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të  Zi. Por dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave u vu nga Komisioni Europian dhe për këtë qeveria Thaҫi ra dakort. Nëse ka diҫka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëhere Parlamenti dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa, dëshiroj t’i inkurajoj ta bëjnë këtë. Por kam frikë, druhem se mos përdorimi i retorikës së heqjes së regjimit të vizave po përdoret nga politikanët e Kosovës për situatën e brendshme politike dhe liberalizimin e vizave po e mbajnë peng të kësaj situate. Uroj që Kosova të ketë sa më parë liberalizim të vizave dhe për këtë po përpiqem në Parlamentin Europian. Kosova duhet ose të ratifikojë në Parlament marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër. Vendimi është për t’u marrë nga politikanët e Kosovës. U bëj thirrje të mos i manipulojnë njerëzit, të mos përdorin retorika. Liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe politikanët e Kosovës janë dakord me këtë.

DW: Znj. Fajon, situata në Maqedoni është zile e fortë alarmi edhe për Parlamentin Europian dhe BE-në. Çfarë mendohet të ndërmerret që situata maqedonase të mos bëhet virale në rajon?

Tanja Fajon: BE-ja duhet të ndërmarrë veprime të forta për të siguruar që nuk do të ketë vazhdim të dhunës dhe të incidenteve të dhunshme si ato të javës së kaluar në Parlamentin e Maqedonisë. Veprime të forta për të siguruar që njerëzit të jetojnë në mjedise të  sigurta, që institucionet të punojnë në mënyrë demokratike dhe efikase. Ajo që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë javën e kaluar është një goditje ndaj demokracisë dhe kjo nuk mund të tolerohet.

Dita ndërkombëtare e lirisë së shtypit

” Kush nuk mund të shprehë mendimin e tij,

ai nuk mund t’i nxisë të tjerët të mendohen.

Nëse njeriu nuk mund të shprehë mendimin e tij,

atëherë mendimi që qarkullon shndërrohet në doktrinë.

Ai që  lejon të qarkullojë vetëm mendimin e tij,

ai nuk  ka një mendim, por një ideologji.

Kush thotë vetëm, atë që të tjerët duan të dëgjojnë,

ai nuk e thotë të vërtetën.

Kush beson, se e di të vërtetën absolute,

ai nuk di mjaftueshëm.

LIRIA

është gjithmonë liria e të menduarit ndryshe “

Die Welt

Detaje tjera kush është personi që gjakosi Selën

Kire GjorgjievskiDisa portale kanë zbuluar detaje për mashën maqedonase që është parë edhe në video duke e tërhequr zvarrë së bashkur me katër huliganët tjerë, liderin e Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela.

Ai është Kire Gjorgjievski nga Shkupi, dhe ka qenë ish-pjestar i forcave paramilitare maqedonase gjatë luftës së vitit 2001, ndërsa tani punon si shef në Shoqatën Aksionare ELEM Maqedoni.

Ai është bashkepuntor i ngusht i ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit dhe shok i afërt me Drejtorin e Arkivit Shtetëror, Filip Petrovskin.

Deri tani nga të dhënat e MPB-së, thuhet se janë arrestuar 12 huliganë pjesëmarrës në sulmet e dhunshme në Parlament të enjejten. Por, nuk dihet nëse ky kriminel është në mesin e tyre. /TetovaSot/

A është ky që është paraqitur si sigurim e më pastaj e ka marrë Selën dhe e ka tërhqur zvarrë?

 

aco tosta
krimineli aco tosta 1
krimineli aco tostaKryeparlamentari Talat Xhaferi në emisionin CLick Plus u shpreh se dyshon se dikush është lajmëruar si sigurim i Kuvendit dhe më pastaj e kanë marrë Ziadin Selën për ta mbrojtur dhe nga ai moment më nuk është parë afër tyre.

“Supozimi im është se dikush nga sigurimi e ka tërhequr nga aty me pretekst për ta larguar dhe më pas ka ndodhur ajo që i ka ndodhur” u shpreh Xhaferi

Pas publikimit të Videos ku shihen katër persona duke e tërhequr zvarrë kanë nisur në rrjtet sociale të dalin edhe emrat e agresorëve që kanë goditur liderin e LR-PDSh-së Ziadin Selën.

Siç shihet në VIDEO njëri është  duke i mbrojtur Zoran Zaevin dhe Ziadin Selën me pastaj shihet duke e mbajtur Selën për këmbën e majtë e duke e tërhequr zvarrë, dyshimet kanë nisur se i njeti person shihet me një jelek të njetë.

Nga policia ende nuk ka të dhëna zyrtare nëse janë po këta njerës që e kanë goditur Selën apo këta vetëm e kanë tërhequr zvarrë.

Roth: “Gruevski e ka humbur çdo kredi të mundshme”

RothInterivistë me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth. BE i mbështet të gjithë ata që duan t’a drejtojnë Maqednoninë drejt demokracisë, luftës kundër korrupcionit dhe te drejtës ligjore, pohon Roth.

Deutsche Welle: Katër muaj kanë kaluar nga zgjedhjet ndërsa Maqedonia ende nuk e ka krijuar qeverinë. Të enjten patëm dhunë dramatike në Kuvend dhe shteti ishte shumë afër luftës qytetare. Kush e mbanë përgjegjësinë për dhunën dhe për bllokadën?

Michael Roth: Ne po përjetojmë në FYROM një lojë të trishtuar. Unë ende jam i habitur dhe i trishtuar, se si çdo ditë politikanët e afërt me ish-kryeministrin Gruevski luajnë me besueshmërinë e tyre. Llogarinë e kësaj duhet më në fund ta paguajnë qytetarët maqedonas. Zgjedhjet kanë përfunduar para disa muajsh dhe tani pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Parlamentit presim të formohet edhe qeveria e re. Askush nuk duhet të tërhiqet nga rregullat demokratike. Kjo vlenë posaçërisht për partinë VMRO-DPMNE. Ne po shohim një lojë për pushtet, që luhet mbi kurrizin e qytetarëve të Maqedonisë. Kjo është absolutisht e papranushme dhe unë pres nga të gjithë përgjegjësit që më në fund t’i rrespektojnë standardet minimale të demokracisë.

DW: Dje presidenti Ivanov i tërhoqi deklaratat e mëparshme dhe kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të jenë më aktive në zgjidhjen e krizës. A i shihni ju këto ngjarje si kthesë në politikën e kryesisë së partisë VMRO-DPMNE  dhe a mendoni se ajo do të lejojë tani formimin e qeverisë së re?

Roth: Së pari, unë dua të falënderoj shumë SHBA-në për mbështetjen e shteteve të Bashkimit Europian dhe për sinjalet e qarta drejt vendosjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit. Është për keqardhje që gjithmonë është e nevojshme të ketë sinjale nga BE dhe SHBA, që këto vende t’u përmbahen rregullave të demokracisë, sepse shihet qartë se disa politikanëve u mungon vullneti dhe gatishmëria për këtë. VMRO-DPMNE nuk e ka më shumicën në Parlament, ku është krijuar një shumicë e re. Tani duhet të hapet rruga për formimin e qeverisë së re. Presindenti Ivanov duhet të marrë përgjegjësinë dhe t’i përmbahet Kushtetutës. Kjo lojë për pushtet shkon në dëm të qytetarëve. Zoti Gruevski e ka humbur tani çdo kredi të mundshme. Republika e Maqedonisë dikur ka qenë si shembull për rajonin në rrugën e integrimit në BE. Por tani po largohet çdo ditë e më shumë nga ky objektiv. Me këtë dëmtohen seriozisht negociatat për integrim e saj në BE.

DW: Një nga argumentet kreysore të presidentit Ivanov dhe VMRO-DPMNE është e ashtuquajtura „Platformë e Tiranës”. Ata shohin në këtë platformë rrezikun e krijimit të një “Shqipërie të Madhe” ose rrezikun e federalizimit të Maqedonisë. Disa politikanë në rajon i mbështesin këto mendime, si për shembull, në Serbi. A e ndani edhe ju këtë frikë?

Roth: Ne i pranojmë rezultatet e zgjedhjeve. Shumica parlamentare duhet të krijohet mbi bazën e votës së popullit dhe kjo shumicë tani më është formuar. Ky fakt ndoshta u pengon disa udhheqësve në rajon dhe posaçërisht në Shkup. Por bllokimi është në kundërshtim më Kushtëtutën dhe proceset demokratike, që është e papranueshme. Për një shtet që pretendon të bëhet pjesë e BE-së kjo nuk është e denjë. Rreziku nga platforma që ju përmendët është vetëm një justifikim për bllokimin e krijimit të qeverisë së re. Qëllimet e kësaj platforme nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën. Edhe vet VMRO-DPMNE ka negociuar mbi bazën e kësaj platforme.

DW: Ne kemi dëgjuar shumë deklarata të mprehta nga nivele të ndryshme të BE-së dhe Gjermanisë në lidhje me krizën në Maqedoni. Por nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në politikën e tyre karrshi Maqedonisë. Kur mund të presim hapa konkret që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës?

Roth: E ardhmja e vendit është në duart e maqedonasve. BE mbështet ato forca që janë për një Maqedoni demokratike dhe që luftojnë korrupsionin. Por vendimet duhet t’i marrin njerëzit që udhëheqin këtë vend. Ne mund të bisedojmë me ata dhe mund t’ua bëjmë me dije se cilat mund të jenë pasojat e veprimeve të tyre, posaçërisht sa i përket rrugës së Maqedonisë drejt integrimit në BE. Në procesin e afrimit të Maqedonisë me BE kemi mjete të fuqishme me të cilat mund të ndikojmë ndaj atyre qe nuk u përmbahen rregullave dhe këto mundësi do t’i përdorim. Por qytetarët e FYROM nuk duhet t’i humbin shpresat dhe besimin tek vlerat europiane dhe të drejtat demokratike. Populli nuk e ka humbur besimin por elita politike në Maqedoni po vepron pa kurfarë përgjegjësie dhe me këtë po e rrezikon të ardhmen e vendit të vet. Ky është një zhvillim i pa përgjegjshëm. Ndaj është shumë me rëndësi që të jemi të qartë në deklaratat tona dhe të kemi qëndrime të prera. BE ka qëndrime unike për këtë çështje dhe do të reagojë me mjetet që i ka në dorë. E përsëris edhe njëherë, se çdo kush që u përmbahet rregullave demokratike dhe i vlërson vlerat europiane, gjithmonë do të ketë edhe mbështetjen e BE dhe të gjitha vendeve anëtare, siç është Gjermania. (dw)

Takimi Rama-Basha, pa marrëveshje

Rama BashaNë Shqipëri takimi i parë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha për zgjidhjen e krizës politike nuk ka sjellë asnjë marrëveshje mes palëve, ndërsa palët kanë lënë të hapura mundësitë për të vijuar përpjekjet për gjetjen e një kompromisi. I sigurt është fakti se çështja e qeverisë teknike për të cilën këmbëngul opozita, vazhdon të jetë pika e pakapërcyeshme nga të dy përfaqësuesit e lartë politik

Në zyrat e Presidencës, ku me ftesë të kreut të Shtetit ishte fiksuar takimi i sotëm, mbërriti i pari kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Me në krah po kreun e grupit të tij parlamentar Edi Paloka, pak më vonë mbërriti edhe drejtuesi i opozitës Lulzim Basha. Takimi mes tyre zgjati tre orë, gjatë së cilave, sipas një komunikate të shkurtër nga Presidenca, ata “prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj”.

Por nëse pikëpamjet e palëve janë të qarta prej kohësh dhe me dallime të forta, për të diskutuar rreth rrugëve të zgjidhjes duket se si bazë ka shërbyer platforma e paraqitur javën e shkuar nga eurodeputeti David McAllister në Tiranë, së bashku me kolegun e tij Knut Fleckenstein. Një platformë e cila përmban propozime për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, ndryshime në qeveri dhe ndërhyrje të tjera të karakterit teknik që ofrojnë më shumë garanci për opozitën.

Burimet nga takimi shpjegojnë se oferta e kryeministrit ishte më e ulët se ajo e propozuar nga zoti McAllister. Edhe në fjalën e mbajtur në mbrëmje në çadrën e protestës përpara godinës së Qeverisë, kreu i opozitës deklaroi se “kemi ofruar sot në tavolinë gjithshka që PD dhe opozita mund të ofrojë për zgjidhje. Pala tjetër është tërhequr dhe nga propozimet e javës së kaluar që vetë i loboi”. Por dhe ato propozime të platformës McAllister, sipas zotit Basha “në vetvete ishin shumë më pak se ç’mund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë”. Ndërkohë që për presidentin e Partive popullore europiane, Joseph Daul, i cili mbrëmë, ndërhyri në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, përmes një videokonference, “kompromisi i propozuar nga nënpresidenti i EPP-së, David McAllister, vendosi prioritetet e duhura për të siguruar që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, shpjegoi se gjatë takimit me zotin Basha “kam propozuar atë çka besoj shumë se adreson problemet objektive, pra një monitorim si asnjëherë më parë të të gjithë strukturave të shtetit, të policisë, drejtorive rajonale të arsimit dhe sistemit arsimor e të burgjeve ku janë dhe pikat që kanë qenë vazhdimisht pika të adresuara si problematike në raportet e mëparshme të ODIHR-it si dhe një rregullore të dakortësuar për mënyrën se si duhet të shmanget qoftë përdorimi i aseteve shteërore në fushatë, qoftë dhe një kategorie të caktuara aktivitetesh qeveritare që nuk duhen përdorur për fushatë. Më shumë se kaq nuk ka”, u shpreh zoti Rama duke saktësuar se “datën e zgjedhjeve nuk e shtroj për diskutim”. Kryeministri deklaroi se mes palëve nuk është folur për një mundësi të dytë takimi, ndërsa shtoi se “do të gjejmë kohën për të diskutuar deri kur të nisë shtypja e fletëve të votimit. Jemi të gatshëm për t’i ofruar Partisë demokratike një hapësirë për t’u rregjistruar nëse ajo dëshiron të përfshihet në këtë proces zgjedhor”.

Por çështja e kërkesës për një qeveri teknike dhe votim elektronik, mbetet pika e pakapërcyeshme. Ka qenë kjo pikë që i ka dhënë fund bisedimeve të sotme, por mesa duket, jo përpjekjeve për një rrugëdalje. Në deklaratën e presidencës, theksohet se Kreu i Shtetit “vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”.

Tanimë duket se në lojë kanë hyrë sërish përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, të cilët duan të shmangin mospjesmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit. Menjëjherë pas përfundimit të takimit me zotin Rama, ndërsa ishte ende në mjediset e presidencës, zoti Basha mësohet të ketë patur një tjetër telefonatë të gjatë me zotin Daul. Ndërkohë që pasdite, kryeministri Edi Rama pati një takim me ambasadorët kryesorë në Shqipëri. (voa)

Satirë e djeshme, tragjikomedi e sotme…?!

Vargje të thurura para 25 viteve (1992) në ish YU, por si duket për (jo) fatin tonë ,përkojnë edhe me realitetin dhe aktualitetin e sotshëm…
Autor: Bejtullah Sadiku

DE JURE DE FACTO FUNDI
FIJASKO

Me diskutime e dialogje,
mbushen tryezat e rrumbullakta.
Me tone t´buta e fjalë të arta,
për qëllime e ideale t´ larta.

Polemika e replika,
kunderthanje e antagonizma,
pa tolerancë e durueshmëri,
që dikush të arrijë qëllimin e tij!

Deklarime improvizore,
të bindet masa prore.
Luftojnë për demokraci
për të zhduk kete autokraci.

Autokrat e byrokrat,
pjesë, pjesë e vënde vënde.
Rrisin vehten pa hamendje,
duke biseduar n´ato kuvende.

Dikush me De Jure,
tjetri me De Facto,
në fund dominon i forti,
që t´ mos bjerë n´fijasko.

Bisedimet vazhdonjin anë e mbanë,
me pretekst se punët i zgjedhin mbarë…
Një i sëmurë e tjetri prepotent,
me dominim se punët do t´i vëndojnë n´rend?

Me mashtrime e mahinacione,
mbushur plot kontradikcione.
Dije të llojllojshme e me pak opcione,
për ardhmërinë me njeanshmeri, e plot korekcione.

Udhetimet bëheshin anë e mbanë,
prej një vëndi në vëndin tjetër.
Për gjetje të një rrugëdaljeje t´plotë,
nga e kaluara, që sulmohet si e kalbur dot.

Me biseda e protesta,
me studime e hulumtime,
me mitingje e tubime,
gjate u mohuan për bisedime!

Mosmarveshjet u bënë të mëdha,
harruan vehten sa poshtë kanë ra.
Intervenimet anë e mbanë,
e me mundime s´janë tju dalë n´ballë.

Oj kohë kaq e keqe!
Mos u bënë shtrigë e lugat.
Hapsirën mjegull ke turbulluar,
dikend ke coptuar, pa e lënë t´ ofruar!

Shumë shpirtra i ndave e coptove,
i vrave, dogje e shkatrove.
Por dije se kot e ke. Ti u mashtrove.
Shumë nëna ofkojnë, vajtojnë – dhe te mallkojne!

Po të themi: dije, mos harro!?
Se bijtë e atyre që vrave e masakrove,
sot apo nesër, kanë t´ fitojnë!…
amanet e ideal n´vënd t´I çojnë…

Bejtullah Sadiku
Krefeld, 02.05.2017

Hoxhaj MogheriniMinistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar të martën në Bruksel shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim,Johannes Hahn.

Në fokus të këtyre dy takimeve ishte çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpo, ngjashëm me porosinë që mori javën e kaluar kryeministri Isa Mustafa, edhe kryediplomatit Hoxhaj, zyrtarët e BE-së i kanë theksuar se Kosova me gjithë përparimet e bëra, mbetet të plotësoj edhe kushtin e fundit, atë të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në takimet me ministrin Hoxhaj u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe raportet me BE-në, tha një zyrtar i BE-së për REL.

Të dyja palët, ka potencuar ai, ndajnë vullnetin e përbashkët për ta përafruar sa më afër Kosovën me Bashkimin Evropian dhe për të promovuar pajtimin dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Federica Mogherini, sipas këtij zyrtari të BE-së, ka potencuar se është kyçe që Kosova të vazhdoj angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, përfshi edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Kurse Komisioneri Hahn, tha i njëjti zyrtar, ka theksuar se për përparime të dukshme në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe reformat evropiane, Kosova duhet të vazhdoj përqendrimin në zbatimin e reformave, sidomos në fushat e sundimit të ligjitdhe në ekonomi. Ai ka theksuar edhe nevojën që procesit të liberalizimit të vizave t’i paraprijë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Në anën tjetër, kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, i cili në takimet me zyrtarët e BE-së ishte i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica dhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini ka folur edhe për MSA-në dhe punën në kuadër të zbatimit të saj, si një hap i rëndësishëm i përafrimit me BE-në.

Ministri Hoxhaj u ka shprehur Mogherinit dhe Hahn interesimin e Kosovës që këtë vit të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, pasi që të zbatohet agjenda e reformave evropiane.

Gjatë ditës së sotme takova zonjën Mogherini dhe zotin Hahn, ku tema qendrore ishte liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në atë moment kur deputetët e Kosovës do ta ratifikonin marrëveshjen e demarkimit me Malin e Zi. Po ashtu, kemi biseduar për zbatimin e agjendës evropiane të reformave dhe të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe mundësinë që të aplikojmë për statusin e kandidatit në fund të një procesi të tillë dhe për çështje të tjera të karakterit bilateral në mes të Kosovës dhe BE-së”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.

Në të dyja takimet, u tha po ashtu se palët kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon, si dhe tendencat për ndikime të forcave anti-evropiane në Ballkan.

Hoxhaj ka theksuar se pavarësisht sfidave, Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj të palëkundur drejt integrimeve euro-atlantike.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar procedimin e demarkacionit për ratifikim në Kuvend gjatë kësaj jave. Mirëpo, njëherësh, koalicioni qeverisës ende nuk ka arritur të garantoj opinionin se i ka siguruar votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit, duke e bërë kështu të paqartë edhe procesin e liberalizimit të vizave. (rel)